• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fitimtarët jemi Ne!

November 22, 2014 by dgreca

Nga Reshat Kripa/*
Klithmat e korbave të zinj po dëgjohen gjithmomë e më tepër, me një mllef të paparë edhe sot, për të ringjallur atë epokë që populli shqiptar e përmbysi njëherë e përgjithmonë në fundin e viteve 90-të. Këto klithma vijnë nga “shakaxhinjtë e përparimit” siç i quante Noli këta pelivanë. Flamurin e këtyre klithmave sot e ka marrë një zotni me gradë shkencore “Doktor” dhe dhe titull “Profesor”, një zotni që ka kryer shumë detyra të larta shtetërore si ministër, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, kryetar apo sekretar komisionesh të kuvendit, një zotni që kryen shumë detyra si përgjegjës katedre, dekan fakulteti, anëtar i shumë këshillave shkencore, një zotni që ligjëron në shumë universitete shqiptare dhe të botës mbarë. E pra ky zotni, kryetar i një partie, që ka gati 20 vjet që është krijuar dhe nuk ka zhvilluar asnjë kuvend por që ka një kryetar dhe asamble të përhershme të zgjedhur nuk e di se nga kush. Medet që nuk na u ndanë këta kryetarët e përjetshëm që nuk i luan as topi nga postet e tyre. E pra, ky i vetquajtur kryetar, në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit fitoi vetëm 11.891 vota nga 1.723.295 që ishin gjithsej, baras me 0,69% të tyre. Megjithatë vazhdon ta quaj veten, madje kështu e quan edhe media shqiptare , “historian”. Më falni, por a keni dëgjuar në ndonjë vend të botës, që një kryetar partie të jetë edhe historian i pavarur. Cilën histori do të studiojë dhe do të shkruaj ai? Atë të botës mbarë, të vendit të tij apo të partisë që drejton? Ky zotni është “historiani” Paskal Milo që është vendosur në krye te komisionit per rishikimin e historisë së Shqipëris. Çfarë historie do te rishkruajë ky zotni? Ka kohë që ai është bashkuar me korin e korbave të zinj që këlthasin për “70 vjetorin e çlirimit” apo për rishikimin e figurës së diktatorit Enver Hoxha, kriminelit më të madh të të gjitha kohërave. Përkrah tij janë një grup korbash që u ka mbetur ora më 8 nëntor 1941.
Në debatet e zhvilluara në shtypin e shkruar apo atë viziv dëgjoj mendime nga më të ndryshme lidhur me qëndrimin e Ballit Kombëtar apo Legalitetit gjatë periudhës së luftës për liri. Disa i paraqesin si bashkëpuntorë të pushtuesit dhe të tjerë të kundërtën. Unë rri dhe arsyetoj: Kush e filloi i pari luftën kundër pushtimit fashist? Kush ishte organizatori i rezistencës kundër këtij pushtimi më 7 prill 1939? A nuk ishte i paharruari Abaz Kupi? A nuk ishte heroi i asaj rezistence, kapteri i ushtrisë mbretërore Mujo Ulqinaku, që dha edhe jetën e tij për këtë atdhe duke u bërë dëshmori i parë i luftës kundër pushtuesit? Po grupet komuniste ku ishin? Emri i ndonjë komunisti a është dëgjuar në këtë ngjarje? Asnjë. Për ta ende nuk kishte ardhur ndonjë urdhër.
Lexojmë shpesh mendimet e mykura të disave që e mbajnë veten për historianë të paanshëm por që, në të vërtetë, i gryen nga brenda krimbi i komunizmit. I dëgjojmë t’i derdhin bateritë e tyre të shkarkuara mbi figurat më të shquara të këtij kombi, Mithat Frashërit, Safet Butkës, Hasan Dostit, Ramazan Jaranit, Hysni Lepenicës dhe plot luftëtarëve të tjerë të lirisë. Për vlerësimin e tyre unë nuk kam nevojë të gërmoj nëpër arkivat që, shpesh herë, janë të manipuluara. Unë kam kujtimet e mia të rinisë kur ata burra të shquar, të cilët u bënë mësuesit e mi në konditat e ferrit komunist, më flisnin për drejtuesit e pakrahasueshëm të nacionalizmit shqiptar, me të cilët kishin luftuar krah për krah. Njeri prej tyre, juristi i njohur Xhevdet Kapshtica më dha një shkrim, futur fshehurazi në burg, që luftëtari Bardhyl Pogoni e kishte shkruar një ditë pas ngjarjes dhe botuar në gazetën “Flamuri”. Titulli ishte “28 nëntor 1939” midis të tjerave shkruhej:
A do të varrosnim këtë ditë të përzierë me flamujt e këngët e armikut? A do të dëgjonim në heshtje profkat e tradhëtarve? Jo! Jo, thanë të gjithë shqiptarët e mirë! Jo, doli fjala nga shtëpia e Lumo Skëndos dhe vesh më vesh në gjithë Shqipërinë! Jo, tha Safet Butka! Jo, tha Hysni Lepenica! Jo, gjëmuan malet dhe zëri i djalërisë tha: Jo!”
Shkrimi vazhdonte me zhvillimin e demostratës. Një turmë e tërë në mbrojtje të lirisë
së vendit. Në këtë turmë nuk mungonin as fëmijtë. Ja se si vazhdon shkrimi:
“Eja mblidhuni këtu!” ia krisi kënga dhe asnjë nuk tha “përse?” Qe klithma e dhimbjes së kombit, qe zëri i ndërgjegjes që kërkonte shpërthim. liri. Armiku na pa, dëgjoi por s’lëvizi. Asgjë s’na ndante, ne ecnim të gjithë.Turma e bashkuar me një ideal të vetëm drejt varrit të Naimit. Atje larg,mbi një breg të vetmuar, u mblodhëm përqark njeri-tjetrit. Flamurin me zhgabë e mbanim lart. Dhe vasha shtatëvjeçare që ndoqi pas t’anë, Ramazan Jaranin, qëndronte zbathur, veshur me të zeza. Vendosëm lule mbi varrin e ftohtë dhe, kryeulur, qamë. Qante në heshtje, Safet Butka! Qante në heshtje, Ramazan Jarani! Qanim të gjithë ne dhe vasha me të zeza qante…”
Ndërsa në fund autori shkruante:
Atë natë ne kënduam me zjarr. Atë natë ne folëm me zjarr. Atë natë ne ndezëm një zjarr, zjarrin e shqiptarve të lirë. Atë natë nuk kishte as komunistë dhe as “çlirimtarë” me yll…”
Vini veshin frazës së fundit: “ Atë natë nuk kishte as komunistë dhe as çlirimtarë me yll…” Përse? Dhe ishte 28 nëntori i vitit 1939. Ku ishin komunistët? Ata nuk kishin marrë ende urdhër për të luftuar dhe ky urdhër nuk ishte dhënë pasi idhulli i tyre, Bashkimi Sovjetik, ishte ende në aleancë me Gjermaninë hitleriane.
Këto fjalë i thoshte një luftëtar pjesëmarrës i asaj demonstrate të paharruar, një luftëtar i lirisë. Kush ishte ky luftëtar? Bardhyl Pogoni, biri i Pertef Pogonit, zёvendёsministёr i Arsimit tё Shqipёrisё nё kohёn e Mirash Ivanajt. Autoritetet fashiste kishin dhёnё urdhёr pёr arrestimin e tij, mirёpo i ati e kishte larguar nga Shqipёria pёr t’i shpёtuar burgimit.
Nje shembull tjetër që provon se kush ishte ngritur kundër pushtimit fashist e tregojnë emrat e të internuarve nga Italia fashiste në kampin e Ventotenes. Kush u internuan atje? Ishin pikërisht krerët e Ballit Kombëtar Safet Butka, Abaz Ermenji, Isuf Luzaj, ishin Abdurrahman Kreshpa, Myzafer Pipa, Stavro Skëndi, Fazlli Frashëri, Selman Riza që nuk duronin dot zgjedhën fashiste, ishin luftëtarët e Kosovës kreshnike Gani, Hasan dhe Seit Kryeziu. Ishin pikërisht këta që e kundërshtuan më shumë se kushdo pushtimin fashist. Po komunistët ku ishin? Nga këta dallohen vetëm emrat e atyre që ishin idealista dhe që me vonë do të pushkatoheshin apo dënoheshin me burgime të rënda nga vetë krerët e tyre si Llazar Fundo, Sinan Gjoni, Zef Mala. Po ata që urdhëruan vrasjen apo burgosjen e tyre ku ishin? Ku ishte kreu i tyre, diktatori Enver Hoxha? Ai rrinte fshehur në shtëpinë e të kunatit të cilit, pak vite më vonë, do t’i dhuronte plumbin ballit dhe do ta etiketonte si “kolaboracionist”, si shpërblim të mikpritjes. pasi e tillë ishte ujdia me padronin e tyre jugosllav.
Kur u themelua Fronti Nacionaçlirimtar, në Konferencën e Pezës, komunistët, mjeshtra të mashtrimit, hodhën parullën demokratike të bashkimit “pa dallim feje, krahine dhe ideje”, parullë që simbolizonte bashkimin e gjithë forcave politike në një front të vetëm dhe zgjidhjen e problemit të pushtetit pas fitores me anën e zgjedhjeve të lira. Kjo parullë bëri që lideri legalist Abaz Kupi, të rreshtohesh në rradhët e këtij fronti. Por, pas Konferencës së Mukjes, papritur, kjo parullë demokratike u zëvendësua me atë revolucionare: “Pushteti buron nga gryka e pushkës”, ndërsa hymni i partzanëve u bë kënga:
Bijt’e Stalinit jemi ne,
Që derdhim gjakun an’e mbanë
Sa të valojë përmbi dhe,
Flamuri drapër e çekan!
Vini veshin! Komunistët dhe partzanët nuk luftonin për flamurin kuq e zi me zhgabën dykrenore në mes por për flamurin me drapër e çekan të vendit ku sundonte diktatura komuniste, të vendit që kishte në krye tiranin Stalin, që synonte të pushtonte të gjithë botën.
Kjo gjë solli si pasojë fillimin e luftës civile, një luftë numri i viktimave të të cilit e kalon
disa herë atë të luftës kundër okupatorit, nga të dyja forcat ndërluftuese. Nuk kishte më luftë çlirimtare. Nuk kishte më luftë kundër okupatorit. Lufta ishte e shqiptarit kundër shqiptarit, një luftë e egër për pushtet. Ja se si i këndon kësaj ngjarje poeti i shquar Ali Asllani në poezinë “Dasma e madhe”:
Dhëmb për dhëmb e sy për sy, si ti mua dhe unë ty,
Nëna ime, nëna jote, zën’e qajnë për të dy,
Djali babën, baba djalin vuan ta zër’e ta përzërë,
Që ta pjek në hell të gjallë, t’i pres mishin me gërshërë,
Bot’e çmëndur, djall i çmëndur, Zot’i çmëndur, gjith’të çmëndur.
Vetëm vdekja bën të sajat, ha e ha dhe s’ka të dëndur!
A nuk janë një përshkrim i përkryer i luftës civile këto vargje?
Një faqe tjetër e historisë së nacionalizmit shqiptar do të shkruhej pas vendosjes së pushtetit të regjimit komunist në vendin tonë. Një histori e paparë në asnjë vend tjetër të Europës Lindore, do të jetë ajo e rezistencës shqiptare kundër këtij regjimi. Krahina të tëra si Postriba, Malsia e Madhe, Zhabokika e të tjera do të ngriheshin në këmbë për liri e demokraci. Grupe të tëra luftëtarësh të lirisë do të pranonim më mirë plumbat në gjokset e tyre apo prangat e rënda të burgjeve në vend të lirisë së mohuar. Të tjerë do të braktisnin lehtësirat që mund t’u jepte bota e lirë dhe do të ktheheshin në atdheun e tyre, në kuadrin e batalionit 4000 të Nato-s për t’u sakrifikuar për të. Dhe ishin pikërisht këta, që propaganda komuniste vazhdonte t’i quante “kolaboracionistë dhe bashkëpuntotë të pushtuesve“, në një kohë kur vetë bota e lirë i kishte strehuar në gjirin e saj. Çuditërisht, idetë e këtyre martirëve rezistuan për 46 vjet, megjithë shtypjen e egër që ushtronte regjimi. Ata i treguan atij regjimi se do të vinte dita e përmbysjes së tij dhe fitores së idealeve demokratike. Dhe, me të vërtetë, në saj të kësaj rezistence dhe goditjes që i dha së fundi lëvizja studentore e viteve 90-të, sistemi komunist u përmbys dhe u vendos sistemi demokratik.
Ka vite që në median shqiptare po zhvillohet nje debat i madh se kush janë në të vërtetë fitimtarët e ndërrimit të sistemit. Mendimet janë të ndryshme. Këto debate zhvillohen nëpër faqet e shtypit të shkruar por më trepër ndiqen nëpër debatet televizive që kanë mbushur faqet e televizioneve të ndryshme. Pseudohistorianët sharlatanë të regjimit të përmbysur deklarojnë se Mithat Frashëri dhe Abaz Kupi dolën të humbur nga beteja. Jo, mor zotërinj! Historia na mëson se Spartanët e mundën Athinën, por fitimtarët e vërtetë ishin Athinasit pasi janë ata që hynë në histori dhe vazhdojnë të kujtohen dhe të nderohen edhe në ditët tona. Mithat Frashëri dhe Abaz Kupi hunbën vetëmn një betejë dhe këtë e humbën sepse nuk ishin vrasës prapa krahëve si ju, nuk ishin të prapaskenave të pështira si ju. Ata ishin për një Shqipëri të lirë demokratike si shumica e vendeve të botës së lirë. Ata nuk donin të derdhnin gjak shqiptari si ju. Nuk donin të ngjallnin ndjenjën e vllavrasjes midis shqiptarve si ju. Donin bashkimin dhe vëllazërimin e të gjithë kombit në një të vetëm dhe jo si ju që braktisët Kosovën martire për hir të interesave tuaja të pështira. A nuk ishit ju që dërguat brigadat partizane në Kosovë për të ndihmuar armatën jugosllave ta ripushtonte atë vend? A nuk ishin Ramiz Alija dhe Rahman Perllaku që përcillnin nacionalistët kosovarë, nëpërmjet tokës shqiptare, drejt Tivarit ku i priste një masakër e pashembullt? Madje “Apostulli i Shqiptarizmës”, Mithat Frashëri, edhe në çastet e largimit nga atdheu, deklaronte:
– Ne po largohemi nga Shqipëria jo për të shpëtuar kokën, por për të vazhduar luften
për çlirimin e saj nga thundra komuniste dhe për të vendosur sistemin demokratik.
Atëherë “Kush janë fitimtarët?” Dy janë idetë që janë ndeshur me njera-tjetrën gjatë shekullit të kaluar. E para ideja nacionaliste që mbështetej në ekonominë kapitaliste të tregut të lirë ku individi të kishte të drejtën e fjalës dhe të veprimit, të drejtën e pronës dhe të banimit, të drejtën e shkollimit dhe specializimit, të drejtën e votës së lirë dhe përfaqësimit. E dyta mbështetej në ekonominë socialiste ku individi pothuajse nuk kishte asnjë të drejtë, ku prona ishte rrëmbyer dhe bërë pronë e shtetit, ku shkollimet dhe specializimet bëheshin vetëm për persona të zgjedhur nga regjimi, ku e drejta e votës së lirë mungonte plotësisht.
Përfaqësuesit e idesë së parë ishin Mithat Frashëri dhe Abaz Kupi me pasuesit e tyre. Ishim ne që u ngritëm kundër diktaturës totalitare, që luftuam dhe dhamë jetët tona për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi. Ndërsa përfaqësuesit e së dytës ishin diktatori Enver Hoxha dhe pasuesit e tij. Ishit ju, ndjekësit besnikë të tij, që ju zunë duart kallo nga duartrokitjet për të duke i thurrur hymne lavdie dhe kur e patë se ai u përmbys, si rezultat i revoltës popullore, ndërruat fletën si kameleoni që ndërron ngjyrën por në zemrat tuaja keni ende figurën e diktatorit.
Këto ditë dëgjojmë zërat e korbave të këlthasin për ditën e “çlirimit”. I shohim të parakalojnë, si dikur, me portretet e dikatorit dhe thirrjet histerike për sistemin totalitar. Kjo skizofreni arriti kulmin katër ditë më parë kur në vallen e vdekjes së sistemit obskurantist u shfaq edhe kryeministri i vendit dhe lakejtë e tjerë të tij nën hijen e atit të tyre shpirtëror gjë që, më në fund, shkaktoi edhe reagimin e komunitetit ndërkombëtar. Kush qenka liria që na dhuruan këta “çlirimtarë“? A keni dëgjuar në ndonjë vend tjetër të botës që ditën e vendosjes së diktaturës ta paraqesin si ditë e “çlirimit“? Mos vallë qenka ditë “çlirimi“ ajo që na ndau nga bota perëndimore për të na degdisur në shkretëtirat ruse apo kineze?
Ndaj, në këto ditë, kur në vendin tonë është instaluar sistemi kapitalist i ndërtimit të shoqërisë, pikërisht ai sistem për të cilin ne luftuam, fitimtarët e vërtetë të tij jemi ne, nacionalistët shqiptarë, është “Apostulli i Shqiptarizmës” Mithat Frashëri. Është heroi i 7 prillit 1939, Abaz Kupi. Janë dishepujt e tyre, sepse pikërisht idetë e tyre fituan, ndërsa humbësit jeni ju, mbeturinat e sistemit të përmbysur.
Sa herë flitet për masakrat e kryera nga regjimi totalitar komunist, më dalin para syve sekuencat e nje filimi gjerman të pas Luftës së Dytë Botërore, që shfaqesh në ekranet e kinemave në fëmininë time, në ditët e para të të ashtuquajturit “çlirim”. Ishte historia e një mjeku nazist që eksperimentonte në laboratoret e tij format më të tmerrshme të torturave që më vonë ushtroheshin mbi hebrejtë, robërit e luftës dhe kundërshtarët e regjimit. Me mbarimin e luftës mjeku arrestohet dhe dënohet. Pothuajse i kam harruar skenat e tjera të filmit, por më ka mbetur e gjallë finalja e tij: Mjeku, i kapur pas hekurave të burgut, duke thërritur: – Jam i pafajshëm! Jam i pafajshëm! Ndërsa në sfond, prapa tij, shfaqeshin krimet e kryera, dhomat e tmerrshme të gazit dhe torturat e tjera. Filmi kishte një titull kuptimplotë: “Vrasësit janë midis nesh”. Unë meditoj dhe pyes:
– A kemi vrasës midis nesh?
Përgjigjen e jap po vetë:
– Po, janë ish-prokurorët dhe ish-gjykatësit, janë punonjësit e ish-Sigurimit të Shtetit
dhe organeve të tjera të dhunës komuniste që sot janë në krye të skakierës shtetërore. Ata, në
një kor të përbashkët me pseudodemokratët, pseudohistorianët dhe korbat e tjerë të zinj, po thërrasin si mjeku gjerman:
– Jemi të pafajshëm! Jemi të pafajshëm!
Atëherë , kush qenka fajtor për tërë atë katrahurë që kaloi vendi ynë? Mos vallë
qenkemi ne që e paguam me jetët tona? Mos vallë tani, pas njëzetekatër vjetësh që komunizmi është përmbysur, duhet të drejtohemi pikërisht prej atyre që ishin ithtarët e atij sistemi? Mos vallë nuk paska Shqipëria djem dhe vajza të reja, që kanë mbaruar studimet në universitetet më në zë të botës dhe nuk janë të infektuar nga ideologjia komuniste, pavarësisht cilit krahu i përkasin, për t’i vendosur në postet e ishve të kompromentuar?
Para disa ditësh Gjermania, Europa dhe e gjithë bota mbarë, kremtuan 25 vjetorin e rënies
së murit të Berlinit, perdes së hekurt që ndante botën e lirë nga bota totalitare komuniste. Po Shqipëria a do ta rrëzojë ndonjëherë murin e komunizmit?
Jam i bindur, megjithëse unë, për moshën që kam, nuk do t’ia arrij asaj dite, se ky mur më në fund do të shembet. Jam i bindur se do të vijë dita që e vërteta do të triumfojë mbi gënjeshtrën dhe hipokrizinë. Do të vijë dita kur emrat e këtyre pseudodemokratëve dhe pseudohistorianëve do të hidhen në koshin e plehrave, ndërsa emrat e martirëve të nacionalizmit shqiptar do të ngrihen në piedestalet më të larta. Do të vijë dita kur nxënësit tanë nuk do të dëgjojnë më pallavrat tyre por do të mësojnë historinë e vërtetë të popullit tonë martir. Atëherë ata i prêt vetëm një gjë, në mos ndëshkimi i drejtësisë njerëzore, ndëshkimi i drejtësisë qiellore.
Kjo ditë do të vij!
Kumtesë mbajtur në Konferencën Shkencore të organizuar nga Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, në bashkëpunim me partitë e Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, më datën 21 nëntor 2014, me temën:
*Krimet dhe masakrat e regjimit komunist në Shqipëri

Filed Under: Featured Tagged With: Fitimtarët jemi Ne!, reshat kripa

Interi vezhgon lushnjarin Rey Manaj!

November 20, 2014 by Administrator

Lushnjari, Rey Manaj dhe është talenti shqiptar i radhës që po bën të flitet në Itali. Vetëm 17 vjeç ka arritur të tërheqë vëmendjen e skuadrave të Serie A-së si Palermo apo dhe Interi duke qenë se që tani ka shkruar emrin në historinë e futbollit italian.Ai është një sulmues, i lartë mbi 1 metër e 82 centimetra dhe tashmë ka veshur edhe fanellën e kombëtares (U-19). I lindur në Lushnjë, Manaj është rritur me të rinjtë e Sampdorias, për të kaluar më pas me Cremonese-n, skuadër me të cilën ka nënshkruar një kontratë tre-vjecare si profesionist. Pikërisht këtu nis edhe karriera e tij teksa thyen rekordin si golashënuesi më i ri në moshë në historinë e “Serie C”. Shënuesi më i ri që shënon në një ligë profesioniste italiane, Manaj këtu tregohet më i mirë edhe se Mario Balotelli. Ndërkohë së fundmi sikurse raportohet nga “TuttoLegaPro.com” Manaj është duke u vëzhguar nga klube të “Serie A”-së, si Palermo dhe Inter. Me këto lajme nuk mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë këtij kampioni suksese dhe arritje të mëtejshme.

Filed Under: Featured

PUKJANËT I DHUROJNË NJË SHQIPONJË DHE NJË CIFTELI AMBASADORIT AMERIKAN

November 20, 2014 by dgreca

Ambasadori Arvizu në Pukë: Zonë potenciale për zhvillimin e turizmi/
Nga Almarina Gegvataj/
Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu zhvilloi me 20 nentor një vizitë në Pukë duke u bërë pjesë e disa aktiviteteve të ndryshme të organizuar në këtë qytetet.
I shoqëruar nga deputeti i Qarkut Mark Frroku, kryetari i Bashkisë, Beqir Arifi, drejtues të institucioneve vendore, veteranë, intelektualë dhe qytetarë të shumtë, Arvizu mori pjesë gjithashtu edhe në kremtimet për 70-vjetorin çlirimit të qytetit të Pukës.
Ai mori pjesë në homazhet tek arrezat e dëshmorëve, ndërsa gjatë fjalës tij kurseu komentet për aktualitetin politik.
Gjithashtu, Arvizu mbajti fjalën e hapjes në Panairin e Shëndetit dhe përgëzoi Ministrinë e Shëndetësisë dhe Korpusin e Vullnetarëve të Paqes për promovimin e jetesës së shëndetshme nëpërmjet këtij panairi.
Në fjalën e tij, diplomati amerikan u shpreh se “jam i emocionuar që ndodhem sot në qytetin e Pukës. E ndjej veten si në shtëpinë time. Faleminderit për mikëpritjen tuaj.
Puka është një vend i mrekullueshëm dhe është kënaqësi për mua që ndidhem sot këtu në këtë ditë kaq të bukur.E kam thënë edhe më parë se Veriu i Shqipëerisë është i veçantë.Kam qënë në Shkodër dhe në Kukës kam parë Pukën në hartë dhe kam thënë: përpara se të largohem duhet të vizitoj Pukën dhe ja tek jam sot këtu. Ju jetoni në një vend të mrekullueshëm. Mikëpritja juaj do jetë çdo herë në kujtesën time”.
Arvizu vlerësoi bukuritë natyrore të kësaj zone që sipas tij, mund janë potenciale për zhvillimin e turizmit.
Arvizu u bëri apel pukjanëve të kujdesen për një mjedis të pastër ndërsa u ndal edhe te dhuna në familje, ku shtoi se është një fenomen që nuk duhet të ekzistojë në shoqërinë shqiptare.
Ambasadori Arvizu u njoh edhe me trashëgiminë kulturore të Pukës nëpërmjet një vizite në muzeun etnografik të qytetit për të vazhduar më pas një vizitë në ambientet e Bashkisë Pukë.
Arvizu u prit nga kreu i Bashkisë Beqir Arifaj i cili pasi e falënderoi për vizitën, i dhuroi çelësin e qytetit.
Ndërsa gjatë drekës së shtruar në Hotel Turizmi Pukë, ku z.Arvizu u mirëprit nga kryetari i Shoqatës Dajti Alpino Turistik, Xhimi Begeja, deputeti Frroku i bëri dhuratë një shqiponjë të gdhendur në dru si dhe një çifteli

Filed Under: Featured Tagged With: ambasadori Arvizu, vizite ne Puke

MEDIAT TELEVIZIVE FYEN PËRVJETORIN E PUSHKATIMIT TE INTELEKTUALËVE TIRANAS

November 18, 2014 by dgreca

Nga Besim Ndregjoni/
70 vite ma parë, kur Lufta e Dytë Botërore po shkonte drejt fundit dhe diktatura naziste po mundej, e kur blloku antifashist botëror po triumfonte mbi këtë diktaturë, në Shqipëri forcat komuniste kishin marrë revanshin në emër të luftës për “çlirim” vrisnin intelektualë të pafajshëm vetëm se ata kishin mbaruar në Perëndim dhe ishin borgjez e antikomunist.. Cilët ishin 39 intelektualët? Ata ishin deputetë të shtetit shqiptar në vitet 1920-1922, inxhinier, gazetarë, profesor, teologë dhe ushtarakë studente. Ata ishin në Tiranë në profesionet e tyre, në shërbim të strukturave të shtetit shqiptar dhe jo në shërbim të pushtuesve. Ata nuk ishin pajtuar me pushtuesit. Ata i shërbenin shtetit të tyre. Edhe pse ishte luftë; ata ishin në shërbim të qytetarëve shqiptarë.
Ata ishin intelektualë të pavarur, që respektonin mendimin ndryshe dhe filozofia e tyre ishte që Shqipëria të ishte pjesë e bllokut të madh kundër nazizmit. Ata e respektonin filozofinë e demokracisë dhe ishin në luftë kundër diktaturës naziste, por jo për një luftë civile kundër patriotëve që kishin mendim ndryshe dhe nuk ishin dakord me ideologjinë e komunizmit. Këta intelektualë nuk kishin bërë thirrje që të luftoheshin forcat komuniste, por të bashkoheshin me forcat nacionaliste, që Shqipëria të ishte pjesë e bllokut antifashist. 1939 pushkët e para ishin të nacionalistëve patriot shqiptar me në krye trimin Abaz Kupi , ku ushtaraku mbretëror Mujo Ulqinaku do të vadiste tokën shqiptare me gjakun e tij duke u bërë dëshmori i parë antifashistë në europë, Asnje komuniste nuk ishte në at luftë… e kur familjet monarkiste internoheshin nga fashizmi asnje komunist apo familje e tyre nuk e internonte fashizmi…Vrasja e organizuar nga forcat komuniste ishte një skenar tipik terrorist që të ekzekutoheshin këta intelektualë. Pushkatimet u bënë në vende të caktuara, si hotel “Bristol”, Sharrë, Tufinë, Dajt, Rruga e Dibrës, te shkolla “Kristoforidhi”, Rruga e Kavajës dhe brenda periudhës 24 tetor-17 nëntor 1944. Të gjitha ekzekutimet u bënë gjatë natës dhe në mëngjes herët. Disa të tjerë i vranë sapo i nxirrnin nga dera e shtëpisë. Tirana kryeqyteti 24 vjecar përgjakej me gjakun e intelektualëve të pafajshëm. Vërtetimi i këtyre vrasjeve dokumentohet në veprën e diktatorit Enver Hoxha, i cili shkruan: “Kur qeveria ishte në Berat, më vjen Sejfulla Malëshova (anëtar i udhëheqjes komuniste, por me pikëpamje liberale) dhe më thotë: Shoku Enver, po vriten intelektualë të pafajshëm në Tiranë, dhe kjo është terrorizëm! Enveri përgjigjet: “Ata janë borgjezë dhe me pikëpamje perëndimore, nuk i shërbejnë kauzës sonë të proletariatit, të komunizmit. Partizanët po kryejnë detyrën.” Njësitet guerile kan mandatin e komandantëve të tyre për të kryer këto pushkatime. Dhe mirë bëjnë. Veçojmë se skenari i ekzekutimit ishte dy planësh: e para, që intelektualët të mos ishin prezent në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, dhe forcat komuniste, e kishin më të lehtë marrjen e pushtetit; e dyta, me vrasjen e tyre të krijonin terror në popull, që të heshtej rreth krimit të tyre. Një ndër manipulimet më të rënda e dramatike që ka bërë historiografia komuniste është manipulimi me të ashtuquajturën Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, e cila ka prodhuar kaq shumë ngatërresa, përçarje e gjenocid mes shqiptarëve, saqë efekti i saj zor se po zhduket dhe pse faktori kohë po ecën gjate. Rishikimi i historisë së Shqipërisë në një masë të madhe është rishikimi i situatës që krijuan komunistët gjate kësaj lufte. Gjithsesi, pa i gjykuar ashpër të ashtuquajturit “dëshmorë të Luftës NÇL”. Mund të them me bindje se idealet e tyre u manipuluan dhimbshëm dhe sakrificat e tyre nuk u drejtuan në altarin e shenjtë të interesave kombëtarë. Dhe për këtë para gjyqit të historisë duhet të japin llogari komunistët, dhe historianët e tyre, qoftë dhe për partizanët e vrarë, të cilët, në vend që të vriteshin si luftëtarë të lirisë kundër okupatorit, u dërguan të vriteshin në një luftë të pamoralshme civile kundër vëllezërve të një gjaku e të një gjuhe. Verifikimi i të vërtetave që lidhen me Luftën Nacionalçlirimtare ka qene dhe eshte një mision i papërmbushur i demokracisë shqiptare. Shoqëria shqiptare ushqehet dhunshëm me një treg të zi informativ, duke stimuluar dhe edukuar pandërprerë një ndjeshmëri dhe sensibilitet kriminal, lexuesit dhe shikuesit të saj i tundën para syve qindra mijë faqe gazetash dhe ekranesh me ngjyra me portrete gjakatare të diktatorëve, gjeneratat e reja mësohen me përralla detektive për lavdinë e madhe të udhëheqësve komunistë. Por kurrë dhe asnjëherë në hapësirat e kësaj lirie të fjalës nuk u dëgjuan rënkimet e thella të plagëve tona. Dhe sot mbas 70 vitesh dhe 24 viteve të ndrimit të sistemit ne po vuajmë pasojat posttraumatike po vuajmë sërish faje të reja prej fajtorëve të vjetër. Sot mbas 70 vitesh intelektualët nuk kan nje varr, kriminelët nderohen nga pushteti politik , historianët komunistë helmatisin shoqërinë me propogandë të gënjeshtër duke mohuar të vertetën e duke lartësuar gënjeshtrën ideologjike të diktaturës komuniste.
Mbas 24 vitesh ne ndeshemi me fenomenin negativ e shume të dëmshëm për shoqërinë që po ndërtojm, kur brohoritet për luftën clirimtare e për diktatorin ku në mes të këtyre turmave ndodhen udhëheqësit e pushtetit politik të ideollogjizuar që ekzaltohen me shamitë e kuqe e kur duartrokasin para figurës së diktatorit pa përgjeshmëri dhe pa ndjesi njerzore ndaj gjakut të pafasjshëm të Gazetarit Nebil Cika, e Dr. Isuf Allamanit , ndaj deputetit Deliallisi, e patriotit Ismail Ag Petrela, ushtarakut Akil Sakiqit e studentit Seliadin Ali Korca. Por cfar ndodhi në përvjetorin e 70 të vrasjes së tyre dje me 17 nëndor në Tiranë. Familjarë të të pushkatuarëve , ish të denuar politikë intelektual të fushave të ndryshme, nderuan me homazhe në pllakën memoriale kushtuar jetëve të martirëve u filmuan nga mediat televizive , por kronikat e këtyre homazheve nuk u dhanë. Dihet se politika ka luajtur me keta martir për 24 vite duke mos u gjetur dhe eshtrat dhe duke i përdor politikisht për interesa të tyre, por media televizive cfar pati !, pse nuk i nderoi por u muar me deklerata idiotësh politikanësh kush e don Enverin e kush nuk e don.. kur për 24 vite nuk e denuan penalisht diktatorin për krimet shnjerzore që kreu dhe ndaj këtyre intelektualëve.. nuk pati as ndjesine njerzore të i nderonte këta viktima të pafajshëm që i pushkatoi politika e urrejtjes,, në mes ketyre të pafajshëm ishte dhe një gazetar koleg i tyre me atribute kombëtare si Nebil Cika fatëkeqësisht dhe dje media u bë palë me politikën duke i anashkaluar si politika dhe duke i denuar me heshtje nderimin e tyre.. Përkujtim i djeshëm kishte mesazhin njerzor kombëtar : dënimim e krimeve të komunizmit, që shoqëria shqiptare të shkojë drejt pajtimit kombëtare! Kishte mesazh dashurie kundër urrejttjes, kishte mesazh paqje për të cilën ne shqiptaret kemi më shum nevojë sot që të punojmë për të nesërmen e fëmive tanë. Dhe po e mbyll këtë koment timin për mediat televizive shqiptare me thenjen e ketij gazetari te madh botëror : Republika jonë dhe gazetaria do të ngrihen ose do të fundosen së bashku. Një media cinike, mercenare, demagoge, me kalimin e kohës do të prodhojë një publik po aq pa vlerë sa vetja / Joseph Pulitzer Maj 1904
Besim Ndregjoni
President i UMIBPPPSH.

Filed Under: Featured Tagged With: Besim Ndregjoni, e intelektualeve nga diktatura, fyene, Mediat, pushkatimin

Dështimi i parapërgatitur i zotit Rama në Beograd

November 16, 2014 by dgreca

…Në rastin e vizitës së Ramës në Beograd “armiku” ishte Aleksandër Vuçiç, në rastin e fjalës së Enver Hoxhës në Moskë (Nëntor 1960), armiku ishte Nikita Hrushovi. Vetëm se ata ndryshojnë vendin dhe kohën e ndodhisë./
Nga Enver Bytyçi/
Duke reflektuar dhe me tej pas kaq ditë ditirambesh dhe mburrjesh per “suksesin” e vizitës së zotit Rama në Serbi, duket se njeriu vjen e kthjellohet, pra shkëputet nga vala e entusiazmit të turmës dhe lexon realisht ngjarjen, ndonëse ende nuk është larguar afshi që krijuan lëvdatat e deklaratës së kryeministrit tonë në konferencën e shtypit me homologun e tij serb në Beograd. Edhe pse koha kalon dhe dehja po bëhet esëll, ka njerëz që i qëndrojnë idesë fikse se zoti Rama bëri “heroin”, duke na rikthyer kujtesën jo shumë të largët, kur ne shqiptarët mburreshim me “heroizmat” e diktatorit. Atëherë dhe sot përjetimi është i njëjtë: “Udhëheqësi ynë është më i miri, më trimi, më i guximshmi, më i lavdishmi, ndaj dhe ne duhet të ndjehemi krenar për të”. Krenarinë për udhëheqësin e përjetojmë si krenari kombëtare, e ndërkohë dinjitetin tonë e masim me muskujt dhe forcën që udhëheqësi shfaq përballë “armikut”. Në rastin e vizitës së Ramës në Beograd “armiku” ishte Aleksandër Vuçiç, në rastin e fjalës së Enver Hoxhës në Moskë (Nëntor 1960), armiku ishte Nikita Hrushovi. Vetëm se ata ndryshojnë vendin dhe kohën e ndodhisë.
U ndala në këtë krahasim, jo për ta denigruar dhe zhvleftësuar vizitën në Beograd të kreut të ekzekutivit shqiptar. Eshtë e vërtetë se ai bëri “heroin”, por nuk jam I sigurt nëse sot në kohën e globalizmit i duhet kjo Shqipërisë dhe shqiptarëve. Megjithatë edhe ashtu si u bë, ajo ka një kuptim, ka një konotacion dhe në përgjithësi mund e duhet konsideruar si e nevojshme. Por përjetimin postvizitë, postkonferencështypi, thuajse e shohim të njëjtë. Pikërisht kjo ndjesi duket se na vjen si pluhur fosforie na bën dritë të rrejshme, pasiqë duket se ne shqiptarëve na pëlqen shumë rrena, duam në çdo kohë të bashkëudhëtojmë me iluzionet e për pasojë kemi gabuar e gabojmë aq shumë, sa me gabimet tona kemi dëshmuar se nuk jemi përgjegjës në atë masë sa duket gjatë brohoritjeve nacionaliste për fatin tonë e për fatin e kombit tonë.
Në këtë këndvështrim besoj se ndodhia e Beogradit do të duhet të shihet e analizohet në dy këndvështrime: Në aspektin diplomatiko-politik dhe në aspektin e komunikimit bashkëkohor.
Në aspektin politiko-diplomatik deklarata e zotit Rama dukej e pa vend dhe jashtë çdo dyshimi nuk mund të prodhonte efekte pozitive në përmirësimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Në politikë e në diplomaci kontaktet, bisedimet, vizitat reciproke nuk bëhen thjesht për shfaqje publike me ultimatume dhe receta absolute. Zoti Rama veç deklaratës se “Pavarësia e Kosovës është një realitet i pandryshueshëm. Atë e kanë njohur 108 vende si dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”, si dhe një darke me humor dhe mizikë live nën melodinë e zërit të shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, nuk u përpoq të promovonte diçka më shumë. Nëse shkohet për vizitë në një vend thjesht për të lëshuar një deklaratë, atëherë që këtu ajo vizitë do të konsiderohej e dështuar. Ndërsa në rastin e një vizite pas gati 70 vitesh, si ajo që analizojmë, reduktimi i saj në motivin e një deklarate si ajo e zotit Rama, është më shumë se një dështim. Duhet thënë se ajo deklaratë ishte formuluar mirë, ishte e argumentuar si për një konferencë shkencore, por nuk kishte lidhje me diplomacinë e shefit të një qeverie, cilido të ishte ai. Mësë shumti ajo ishte e pranueshme në ndonjë forum ndërkombëtar, por aspak e goditur në një konferencë shtypi.
Vizita e zotit Rama duhej të kishte tri dimensione, dimensionin e marrëdhënieve Shqipëri-Serbi, dimensionin e zgjidhjes përfundimtare të konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë sipas marrëveshjeve të nënshkruara midis palëve, si dhe dimensionin e respektimit të të drejtave të njeriut e ato kombëtare për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Kësaj vizite të ashtuquajtur historike i munguan pikërisht përmasat e tilla, aq sa të krijohet përshtypja se kryeminisri shqiptar e kërkoi me ngulm një vizitë të anuluar së paku katër herë, thjesht për të promovuar “nacionalizmin” e tij dhe për të fituar kapital politik te shqiptarët në rajon. Ai nënshkroi dy marrëveshje, të cilat mund të nënshkruheshin nga kushdo në Tiranë, ose në Beograd, madje dhe nga ndonjë drejtor drejtorie të dikastereve përkatëse të Ramës. Ato marrëveshje qenë si për të thënë “Ja, bëmë diçka më shumë!”, por që nuk kanë ndonjë peshë në përmirësimin e cilësisë së jetës së shqiptarëve dhe serbëve. Ne fund te fundit ai që merr rrugën të udhëtojë jashtë vendit do ta ketë patjetër pasaportën dhe kështu udhëtimi me karta identiteti do të regjistrohet rrallë në pikat e kalimit kufitar me Serbinë. Kjo do të thotë që vizita duhej të kishte në dosjen e saj një objektiv konkret në këtë drejtim, ndoshta në formën e një memorandumi, ose të një dokumenti që së paku në parim i jepte fund një të kaluare dramatike në marrëdhëniet midis dy vendeve, duke marrë përgjegjësi të reja në qëllimet e përbashkëta në integrimet europiane e rajonale. Përcaktimi i angazhimit parimor të palëve për paqe e stabilitet, për integrime dhe projekte të përbashkëta rajonale zhvillimi diktonte nevojën e nënshkrimit të një memorandum të tillë. Por në Tieranë, e më duket se edhe në Beograd, gjithë skenari u përgatit për të luajtur shoun e radhës përballë spektatorëve përkatës me kombësi shqiptare e atë serbe. Prandaj edhë këtë mundësi historike zoti Rama e humbi, pavarësisht se kjo vizitë në Beograd u motivua dukshëm prej tij me interesat e përbashkëta për integrime europiane.
Në raport me Kosovën kryeministri Rama nuk arriti të artikulojë as kërkesën e domozdoshme për angazhimin e palës serbe për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara midis Prishtinës e Beogradit, marrëveshje, të cilat ende nuk gjejnë zbatim për shkak të refuzimit të serbëve. Ndërkaq thelbi i asaj që do të duhej vënë në dukje dhe për të cilin duhej insistuar kishte të bënte me çeshtjen që. Kosova të mos vuajë mosnjohjen e pavarësisë nga Beogradi. Njohja e Kosovës nga Beogradi do të duhej të lidhej me nevojën e Shqipërisë, Serbisë dhe gjithë rajonit për integrimin euro-atlantik. Madje duhej garantuar qeveria serbe se qeveria shqiptare do ta përkrahte anëtarësimin e Serbisë në NATO, si interes jetik për të dy palët, sidomos për ne shqiptarët dhe jo si lëmoshë për krimet e Serbisë në Kosovë. Kosova vuan secesionin serb në veri të Mitrovicës, vuan ndërhyrjen e provokimet serbe në implementimin e shtetit të pavarur të Kosovës, vuan mungesën e bashkëpunimit të minoritetit serb me institucionet e Kosovës. Pikërisht këto çeshtje zoti Rama i anashkaloi dhe as që i përmendi në takimet dhe konferencën e shtypit me homologun e tij serb. Formulimi i një kërkese dhe madje tentimi për të marrë një përgjigje positive nga Beogradi për këto çeshtje do të ishte një nga sukseset e zotit Rama në Beograd.
Ndërkaq sa i përket dimensionit të të drejtave të njeriut e ato kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilën Aldo Bumçi preferon ta konsiderojë si “Serbia Jugore”, zoti Rama vetëm kur erdhi në Tiranë dhe u shfaq në foltoren e kryeministrisë tha se kishte nënshkruar një marrëveshje për njohjen e diplomave. Por se është nënshkruar ose jo një marrëveshje e tillë, ende nuk është dhënë një konfirmim nga ana e Beogradit dhe ende nuk shohim diçka të shkruar në portalin e kryeministrisë. Nuk e dimë kush e nënshkroi e në emër të kujt. Megjithatë në Preshevë zoti Rama tha se ia kishte kërkuar zotit Vuçiç ndërtimin e një materniteti në Luginë dhe se ai nuk priste “provokacia”, dmth mosmbajtjen e fjalës prej tij. Ky ishte “suksesi” i zotit Rama për shqiptarët që jetojnë në Serbi. Asnjë fjalë e asnjë premtim për respektimin e të drejtave kombëtare, për zhvillimin e kulturës, arësimit, gjuhës, teksteve shkollore, traditave, vlerave historike të hershme e të gjalla në kujtesën e shqiptarëve.
Duke analizuar gjithë këtë situatë duhet thënë se vizita e zotit Rama ishte krejt e pasukseshme, nuk solli asgjë të re sa i përket shtrimit dhe zgjidhjes së problemeve tredimensionale që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Serbisë.
Dhe duke mos i zgjidhur problemet politike në rrugë diplomatike, zoti Rama krijoi dhe një precedent tjetër të rrezikshëm dhe të dëmshëm, gjithnjë në aspektin e komunikimit. Mosadresimi i problemeve dhe shmangja e ballafaqimit me to bëri që kryeministri i Shqipërisë e për pasojë edhe kryeministri i Serbisë të krijonin një marrëdhënie komunikimi tashmë jo midis tyre, por me zgjedhësit përkatës të secilit. Zoti Rama dukej se nga Beogradi donte të komunikonte me shqiptarët, të bisedonte gjithashtu po me shqiptarët, ndërsa përballë kishte homologin e tij serb në kryeqendrën administrative e politike të Serbisë. Deklarata e tij nuk ishte apel, as mesazh për liderët e Beogradit, përkundrazi ishte shfaqje ekzaltimi për shqiptarët. Ndërsa reagimi i kryeministrit serb ishte gjithashtu një shfaqje rrjedhojë e liderit për turmën. Të dy në konferencën për shtyp në Beograd komunikuan me turmat përkatëse, pa u shqetësuar aspak për të shfrytëzuar ndonjë mundësi për zgjidhjen e problemeve të mëdha e të shumta që ekzistojnë midis të dy vendeve. Nëse zoti Rama do të donte të komunikonte më homologin e tij serb, do të duhej që pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj ta integronte në konceptin e tij të integrimeve europiane e rajonale si dhe me konceptin bashkëkohor të bashkëjetesës në paqe, siguri e stabilitet, si parakushte të një Europe të Bashkuar e të një vendi të nderuar të shqiptarëve, serbëve dhe gjitha ballkanasve në këtë Europë. Kjo kërkesë mund të lidhej me normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Prishtinës e Beogradit me epilog njohjen e shtetësisë së Kosovës.
Por ai nuk deshi ta bënte këtë, nuk u përpoq të jepte mesazhe e të bënte ndonjë apel ndaj bashkëbiseduesve që pati përballë, ai ishte i preokupuar me “dronin e tij” që të dërgonte mesazhe nacionaliste te shqiptarët, mesazhe që vinin si jehonë e atmosferës që krijoi “droni I vëllait të tij”. Kjo do të thotë se kryeministri i Shqipërisë u kujdes më shumë të “krijojë një familje dronësh” dhe e shfrytëzoi vizitën në Beograd për të realizuar disa qëllime e synime të tij në politikën e brendshme. Pikërisht kjo e bën jo vetëm të dyshimtë, por të papranueshme një sjellje të tillë. Se është kështu, ai e pranoi në një emission televiziv, kur u shpreh se “Sikur të mos thoja unë ato që thashë për Kosovën, si do të reagonin kundërshtarët e mij?!”. Ndërkohë që ai nuk bëri atë që do ta kishin bërë kundërshtarët e tij, pra të dërgonte mesazhe të qarta te mikëpritësit, siç ndodh e duhet të ndodhë në çdo vizitë politike e diplomatike në botë.
Në komunikim ka gjithmonë dy palë: Folësi dhe dëgjuesi. Një palë flet me synim që të japë një mesazh ose të dërgojë një apel te pala që dëgjon. Folësit ishin Rama dhe Vuçiç. Ata ishin gjithashtu dëgjues të njëri-tjetrit. Por të dy luajtën role aktorësh në monolog. Nuk bënë asnjë lloj apologjie, thjesht shfrytëzuan skenën për të shit sa më shumë nacionalizëm te përkrahësit e tyre. Pra, dëgjues nuk pati në sallë. Sikur të mos ishin prezente mediat, dëgjuesit mund të kërkoheshin në eter, do të ishin imagjinarë. Mediat bënë që dëgjuesi të merrte lajmin e “trimërisë” së pashoqe të kryeministrit shqiptar. Ndryshe këto çeshtje Rama do t’i diskutonte me të njëjtën forcë në takimin kokë më kokë me homologun e tij serb. Ndryshe e njëjta atmosferë do të shfaqej në darkën e mandolinës së Daçiçit.
Shkurt të dy kryeministrat konkuruan dukshëm e me virtuozitet në fushën e nacionalizmit të shtirur dhe u shmangën nga detyrimi themelor për tu përkujdesur për rritjen e cilësisë së jetës së popujve që ata përfaqësojnë. Kosova ishte edhe këtë radhë kurbani i rritjes së popullaritetit të Ramës dhe Vuçiç. Deklarata e Ramës përveçse si nxitje në kahen e kundërt, nuk ka shërbyer në asnjë rast për zgjidhjen e problemeve reale që ekzistojnë. Në këtë kuptim edhe Hashim Thaçi është dëshmuar më konsekuent se Edi Rama.
Kjo lloj konkurence nuk ka sjellë ndonjë dobi as për shqiptarët, as për serbët. Serbët kanë fituar në 100 vite, sepse dijtën të luajnë rolin e viktimës përballë shqiptarëve. Ndërsa shqiptarët fituan luftën më 1999-ën, sepse Ibrahim Rugova dhe liderët e UÇK-së mundën ta bindin botën se viktimat e vërteta të konfliktit shqiptaro-serb ishin shqiptarët në ish-Jugosllavi e në Kosovë. Edi Rama bëri të kundërtën, luajti rolin e fituesit, ndërkohë që është viktima, shpresoj e fundit e këtij konflikti. Një rol të tillë të heroit e luajti për shumë dekada dikatori shqiptar, Enver Hoxha, derisa na izoloi dhe pas izolimit total të dështuar na dha nga një “fletë-hyrje për në varr”, derisa i detyroi shqiptarët që t’ia mbathin nga sytë-këmbët e të shpërndahen si zogjtë e korbit nëpër botë. Nacionalizmi patetik i zotit Rama dhe mbrojtja që ai i bëri pas kthimit këtij nacionalizmi të shëmtuar të stilit të vitit 1981 i ngrohu zemrat e enveristëve kudo në hapësirën shqiptare. Por çdokush që gjykon me gjakftohtësi sot do të kuptojë se vizita e Ramës në Beograd ishte po aq e dështuar sa vzita e Enver Hoxhës e vitit 1947. Përkohësisht vetëm dy veta dolën të fituar: të dy janë kryeministra të të dy vendeve respektive, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç, ndërsa viktimat mbeten si gjithnjë ata që besojnë verbërisht te sinqeriteti dhe “ndërshmëria” e këtyre dy burrave, të cilëve do t’u duhen prova të tjera më borrërore për tu thirrur “Burra shteti”.
Ajo çfarë i bën kombet të konkurojnë sot midis tyre nuk është reatorika nacionaliste, përkundrazi përkushtimi për të ndërtuar një botë të lirë e në stabilitet. Pas 12 qershorit 1999 shqiptarët kanë qenë dhe janë më komod në këtë linjë konkurimi, gjë që ende nuk është kuptuar nga zoti Rama dhe shumë politikanë të tjerë në Tiranë. Ndërkohë që Beogradit I shërben më shumë parimi “I fitores përmes konfliktit”, ne shqiptarëve na duhet t’I fitojmë betejat e humbura përmes rrugës së kundërt, papes e dialogut. Por mesa duket zoti Rama këtë kurs e ka të pamundur për shkak të natyrës së tij konfliktuale si në opozitë dhe sot në pushtet. Nëse ai do të sillej ndryshe në Beograd, do të plasnin kritikat e ashpra në Shqipëri, pse mbron dhe mban standarte të tjera në sjelljen e tij ndaj opozitës dhe popullit opozitar?!

Filed Under: Featured Tagged With: Dështimi i parapërgatitur i zotit, Enver Bytyci, RAMA NË BEOGRAD

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 677
  • 678
  • 679
  • 680
  • 681
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT