• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HISTORIA E SKËNDERBEUT E MARIN BARLETIT QË DATON NGA VITI 1493 – INKUNABULË … APO FALLSIFIKIM I VITIT TË BOTIMIT?

November 11, 2021 by s p

Portreti i Skenderbeut me vitin e shenuar te botimit 1493, poshte portretit
Frontespici i librit te M. Barletit -nga viti 1493
Shenimi i vitit te botimit 1493, ne faqen e fundit te librit te M. Barletit qe ruhet ne Budapest

Prof. Dr. Musa AHMETI

Center for Albanian Studies – Budapest/

Ksomblla e veprës së Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, që ruhet në bibliotekën universitare ELTE të Budapestit është e vetmja ksombëll e kësaj vepre e njohur deri më sot që përmban edhe vitin e botimit të saj. Një e dhënë e tillë saktëson edhe shumë hamendësime të tjera dhe hap rrugë për shumë pista të tjera studimesh barletiane siç do të shohim më poshtë.

Viti i botimit të një prej librave më të rëndësishëm të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, ka qenë një prej elementeve munguese në të gjitha ksombllat e njohura deri më sot të këtij libri, gjë që i ka çuar të gjithë studiuesit ta marrin me hamendësim këtë të dhënë duke e nxjerrë atë në mënyrë të tërthortë nga përmbajtja apo nga elemente të tjera të botimit të tij. Sigurisht që hamendësimet e ndryshme kanë çuar në rezultate të ndryshme disa më kryesoret e të cilave do t’i përmendim në vijim. 

Rreth vitit të botimit të librit të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, është debatuar dhe hamendësuar nga albanologë, historianë, bibliografë dhe specialistë të tjerë, shqiptarë e të huaj, por sigurisht që për aq kohë sa nuk kanë pasur në dorë ksombllën e Barletit ku viti i botimit jepet shprehimisht, duke ju dhënë fund të gjitha këtyre, njëherë e përgjithmonë.

Pra ishte viti i botimit një ndër arsyet kryesore se përse asnjë studiues, albanolog, historian, bibliograf apo bibliotekar, nuk është marrë seriozisht me këtë vepër, për të na ofruar diçka përfundimtare, të saktësuar. Të gjithë ata që duke u marrë me Gjergj Kastriotin Skenderbeun u është dashur të merren edhe me këtë vepër të Barletit dhe me kohën e botimit të kësaj vepre u është dashur të mjaftohen vetem duke shkruar ndonjë radhë, duke hedhur ndonjë ide, duke bërë ndonjë hamendësim, por pa arritur të saktësojnë asgjë.

Është për të ardhur keq që ky libër nuk ka tërhequr vëmendje të mjaftueshme nga specialistët e shkencave të ndryhme për të bërë studime e analiza shkencore specialistike të profileve të ndryshme për të saktësuar të paktën vitin e botimit të atyre tre ksombllave që disponojmë në trojet shqiptare, dy në Shqipëri, Tiranë (B.K.T.) e Shkodër (B.U.L.G.Sh) dhe një në Prishtinë, familja Pacolli. Një analizë e hollësishme e fizikut të këtyre ksomblave si e filigraneve, peshës, cilësisë, rrjetit të letrës, inicialve, portretit si dhe matjeve të sakta të fletëve, portretit, inicialeve, grafemave dhe krahasime të tjera do të kishte ndihmuar me siguri për saktësimin e vitit të botimit të këtyre ksomblave, derisa nuk dihej për inkunabulën e Budapestit nga viti 1493.

Hamendësimet dhe mendimet kryesore që kanë mbizotëruar për vitin e botimit të librit të Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis pluskojnë në periudhën kohore prej vitit 1502 [E. Çabej, Kastritotët. Në: Studime gjuhësore. (Botimi i dytë). Prishtinë, 1988, vëll. V, f. 328] deri në vitin 1521 [Aurel Plasari, Arbëria e Skënderbeut dhe Burgundi i Filipit të Mirë. Në: Skënderbeu dhe Europa. Tiranë, 2006, f. 128, ref. 8]. Megjithatë, si vite më të përafërta, për të mos thënë të sakta, kudo janë konsideruar vitet 1508-1510. Kështu shkruhet viti i botimit i kësaj vepre edhe në pothuajse të gjitha bibliotekat evropiane që e kanë këtë vepër në fondet e tyre, por ka edhe nga ato biblioteka që shënojnë si vit të mundshëm botimi vitet 1506, 1508, 1510, 1520… etj.

Pavarësisht nga sa u tha më sipër, duhet të pohojmë edhe faktin që ka pasur edhe studiues të cilët vitin e botimit të këtij libri e japin jashtë kornizës së sipërpërmendur duke thënë se ky libër mund të jetë botuar edhe në vitin 1493. Këtë informacion, e ndeshim për herë të parë te rumuni, Francisc Pall, Marino Barlezio: uno storico umanista. Në: Melanges d’Histoire Generale. Cluj, 1938, v. II, f. 135-315. 

F. Pall, shkruan se Jovan Popović (Život i viteža kneza Epirskoga Đorđa Kastriota Skenderbega. Opisana Ioannome S. Popovićeme.  Budim, 1828, f. V), dhe Vilmos Franknói, (A Hunyadiak es a Jagellok kora (1440-1526). Budapest, 1896, f. 667) shënojnë si vit botimi të këtij libri vitin 1493, por duke qenë se ata nuk sjellin ndonjë burim të saktë për të mbështetur këtë datë edhe vetë F. Pall e konsideron si gabim vitin 1493. Ky veprim i F. Pallit, deri diku mund të duket i arsyeshëm, sepse përveç këtyre dy autorëve të lartëcekur, të cilët veprat e tyre i kishin botuar në Hungari, të gjithë të tjerët kanë konsideruar si të më të përarfërta vitet 1506-1510. Natyrisht, ka edhe disa hamendësime të ndonjë autori, veçanërisht bibliografi, pa të mbështetura në ndonjë burim të saktë, se viti i botimit mund të lëviz në mes viteve 1508-1522.

Nëse ne shënuam se për vite botimi janë marrë vitet 1502-1521, me theks të veçnatë vitet 1508-1510, këtë e bëmë qëllimisht për të saktësuar se ka pasur edhe më shumë se një rast tjetër kur është thënë se ky libër mund të jetë botuar edhe në vitin 1493. [Para disa kohësh, (23 mars 2009), dr. Aurel Plasari na njofton në vitet 1995-1996, kur kishte punuar në Paris dhe sapo kishte filluar kërkimet bibliografike për Skenderbun, kishte hasur në të dhënën se në tekstet maqdone flitet për një botim të Historia-s së Barletit të vitit 1493, por në Paris nuk kishte gjetur ndonjë informacion për këtë dhe në Shqipëri një të dhënë të tillë nuk i kishte kushtuar kujdes, ose e kishte quajtur “pa gjasë” se mund të ishte e saktë.

Në trojet shqiptare, studiuesi Aurel Plasari është i pari që është marrë seriozisht me analizimin e hamendësimeve për vitin e botimit të librit të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, duke e vendosur datën e botimit rreth viteve 1515-1522. Duke qenë se informacionin për këtë analizë të Plasarit e gjetëm në internet, për të mos lënë shteg për spekullime dhe duke dëshiruar të saktësojmë edhe një herë këtë informacion, iu drejtuam vetë Plasarit me një letër nga Budapesti, më 30 maj 2008. Dr. A. Plasari pati mirësinë, gjë për të cilën e falënderojmë publikisht, të na përgjigjet menjëherë, duke na dërguar një informacion të thukët dhe shumë interesant, të cilin e sjellim në vijim, meqenëse e konsiderojmë si një kontribut të çmuar rreth debatit për vitin e botimit të librit të M. Barletit.

Aurel Plasari shkruan: “Në librin tim “Skënderbeu. Një histori politike”, tanimë të faqosur, në një nga shënimet përfund faqeve në Hyrje-n kam vërejtur – pa mbajtur qëndrim timin për datimin, sepse më duket punë fort e vështirë – çfarë po e bashkëlidh (in attachment) këtu. ‘84 Vetë botimi i parë i Historisë së Barletit nuk mban vit botimi (absque anno), përpos një shënimi për botuesin-shtypshkruesin në fund të librit “impressum Romae per B. V.”. Për ç’i takon vitit të botimit, ata që kanë menduar se ndërkoha 1506-1510 është “caktuar nga Noli” (Çoba & Prela: Albanica, nr. 3) janë gabuar. Hamendja për një ndërkohë të mundshme botimi rreth 1508-s duket ta ketë zënë fillin te bibliografi i botimeve të shekujve XV-XIX, Brunet: Manuel du libraire, I, 658, si vijon: “Hamendohet që dy shkronjat V. B. duan të thonë Bernardinus Venetus de Vitalibus, shtypshkrues që shtypte në Romë më 1508, por që kishte realizuar tanimë në Venedik, më 1504, veprën e Barletit Mbi rrethimin e Shkodrës, in-4”. Kjo hamendje është bartur tradicionalisht. Noli: Gorge Casitrioti, 78-79, ka pranuar si vite të mundshme botimi të saj ndërkohën 1506-1510. Edhe Pall, Gegaj, Buda dhe thuajse gjithë skënderbegologët e tjerë, deri te Frashëri dhe Biçoku sot, kanë pranuar si ndërkohë të mundshme botimi 1506-1510 ose 1508-1510. Duke u nisur nga një ndryshim shkronje shtypi në këtë botim, së fundi Norton: Italian printers, 103-104, e ka zhvendosur shtypjen e tij mes viteve 1515 dhe 1522. Si kufi i fundit i të qenit të autorit (Barletit) në jetë, ose së paku në mundësi pune, është marrë viti 1512, kur mbarojnë shënimet në veprën e tij Compendium (shih); por nëse pranohet që Compendium-i është vepër apokrife me burim Engjëllorët (gli Angeli) e Italisë, sikurse mendohet tanimë, kufijtë kohorë ndërlikohen edhe më. Kështu si paraqitet, çështja nuk mund të quhet e mbyllur.’” 

Pra, A. Plasari kishte shumë të drejtë për një ndërlikim të kufijve kohorë të botimit të librit të M. Barletit. Në fakt, nuk ishte i pari Norton (F. J., Norton, Italian printers, 1501-1520. An Annotated list, With an introduction by F. J. Norton, under-Librarian, University Library Cambridge. London: Bowes and Bowes, 1958) ai që shënoi në f. 104, të studimit të tij, vitina 1522, sepse një gjë tillë e kishte bërë shumë më herët, përkatësisht në vitin 1909, Prince d’Essling (Les Livres a figures Vénitiens de la fin du XVe Siècleet du Commencement du XVIe. (Études su l’Art de la Gravure sur bois a Venise). Seconde Partie. Ouvrages impromés de 1501 à 1525. FLORENCE: Libraire Leo S. Olschki 4, Lungarno Acciaioli; PARIS: Libraire Henri Leclerc 219, Rue Saint-Honoré, 1909), i cili në blenin e dytë, të vëllimit të dytë, të veprës së tij, (vëll. II/2), f. 527, shënon si vite të mundshme botime periudhën kohore 1508-1522.

Shënimi i Francisc Pall-it, na bëri që të kërkojmë në biblioteka dhe arkiva hungareze, ekzistencësn e mundshme të një informacioni që përmendin J. Popović dhe V. Franknói. Rezultatet nuk munguan. Pas disa kohësh, në Biblioteken Universitare, ELTE të Budapestit arritëm të kishim në dorë, librin e Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, ku në dy vende të ndryshme, poshtë portetit dhe në kolofon   (faqen e fundit) ishte shënuar viti i botimit, 1493. Një vit i tillë automatikisht e klasifikon veprën e Barletit si inkunabulë.

Përshkrimi fizik i inkunabulës së Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, nga viti 1493

Kopertinat e inkunabulës janë prej lëkure ngjyrë kafe dhe datojnë nga mesi i shekullit XVIII . Të dy kopertinat janë pa dekorime. Kopertina e parë është e dëmtuar nga koha (krimbi) në fund majtas. Kurrizi është i ndarë në 8 (tetë) gishtërinj proporcionalë. Brenda gishtërinjve ka dekorime floreale të praruara me flori, të gjitha identike. Në të ndarën e dytë ka këtë shënim me grafema të praruara ne flori:

           HISTORIA:/

           DE VITA/

           SC ANDER:/

    BEGI/

Në kapakun e brendshëm të kopertinës së parë kemi këto shënime: lart në të majtë, shkruar me pendë me ngjyrë kafe: XLII. A, menjëherë më poshtë, është shkruar me laps plumbi në kohët moderne: fol. 558, pastaj në fund të faqes majtas: me laps plumbi, e njëjta dorë si më lart: Koráblan: Inc. 465, poshtë këtij rreshti është një etiketë e bardhë që mban këtë shënim: BUDAPEST, Vet. 13/35. Të dy fletët (4 faqet) në vijim janë boshe, dhe janë të kohës së lidhjes së librit aty nga mesi i shek. XVIII. Nuk kanë shenja filigrane, por kanë ndarjet vertikale në 9 (nëntë) kolona (fusha).

Inkunabula ka dy lloj pagjinimesh: njërin origjinal me numra romakë, si të gjitha kopjet e tjera që njohim deri tani, dhe tjetrin të kohës moderne, me vulë, me numra arabë që fillojnë nga nr. 1r dhe përfundon me nr. 163r.  Në pagjinimin e dytë (modern) është llogaritur edhe frontespici, faqet e indeksit dhe portreti; f. Ir, e origjinalit, korrespondon me f. 5r të pagjinimit të ri, etj. dhe f. CLIXr e origjinalit me f. 163r të pagjinimit të ri. 

Inkunabula është restauruar. Kjo gjë vërehet lehtë nga letra në të djathtë të secilës faqe e cila mesa duket ka qenë e dëmtuar nga lagështia.

Frontespici është i shtypur në dy  ngjyra, kuq e zi, sikurse edhe ksomblat e tjera të librit të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis. Në të djathtë brenda kuadratit të titullit, ka vulën e bibliotekës ELTE, e brenda që mund të lexohet teksti: BIBLIOTH.REG.SCIENT. VNIVERSIT. HVNGARICÆ., dhe poshtë vulës, në të djathtë, jashtë kuadratit të titullit, është firma e botuesit Bernardinus de Vitalibus, e shkruar me ngjyrë të kuqe, e cila është mjaft e dëmtuar, por ne kemi arritur ta lexojmë me ndihmën e rrezeve ultraviolet. Frontespici është i dëmtuar dhe është pothuajse i shkëputur nga lidhja me kopertinën dhe pjesën tjetër të tekstit. Po ashtu frontespici është i dëmtuar (grisur) poshtë në të djathtë, menjëherë pas përfundimit të fjalës Privilegio. (shih ilustrimin). Në frontespic, lart, menjëherë sipër titullit kemi të shënuar signaturën aktuale të librit në Bibliotekën ELTE: Ant. 1308, me laps plumbi dhe menjëherë në vazhdim, kemi të shënuar po ashtu me laps plumbi signaturën e  vjetër: Vet. 13/35.

Viti 1493 poshtë portretit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe 

dallimet me portretet tjera 

Portreti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ashtu si edhe në dy botimet e mëvonshme (1508 dhe 1522) është në f. 4v. Sipër portretit, në hapësirën e parë, aty ku te portretet tjera vendi është bosh, ka këtë shënim: Obiit. Anno Domini 1466 XVI. Kalend. Februar. Ætatis A°. 63. Imperii verò XXIV. (Shih ilustrimin që botojmë në vijim). Poshtë portretit në hapësirën e fundit, që te faqet e botimeve të tjera është boshe, kemi të shënuar në mes të gjethit të parë dekorues14 dhe menjëherë pas gjethit të dytë dekorues 93, ose më saktë: I4. |SIGNOR . SCANDER BEGO||  93. (Shih ilustrimin që botojmë në vijim). 

Pra, për herë të parë, në një ksombël të librit të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, gjejmë të shënuar vitin e botimit, 1493. Pos shënimt të vitit të botimit, dhe shënimit sipër portretit, kemi edhe disa ndryshime të tjera në portret, nga botimet e mëvonshme. 

Një ndryshim tjetër janë gjethet dekorative, forma e tyre, para dhe pas vitit 1493, por ndryshim edhe më të rëndësishëm fizik kemi në portetin (gravurën) e Gj. K. Skënderbeut: në këtë botim portreti i Skënderbeut na paraqitet i shtrirë në tërë faqen. Hapësira midis portretit dhe margjinave boshe te ky botim janë fare të vogla, p.sh. ajo poshtë portetit pothuajse nuk ekziston fare. (Shih ilustrimin që botojmë në vijim).

Ndryshimet në frontespic të  librit të M. Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, nga ELTE, me botimet e tjera

Frontespici i librit të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, botim i vitit 1493 që ruhet në Bibliotekën e universitetit Eötvös Loránd (ELTE), të Budapestit, ka ndryshime në tekst. Këto ndryshime, janë vetëm në këtë inkunabulë dhe nuk ndodhen në asnjë prej 32 librave-antikuarë të tjerë të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, të cilat i kemi konsultuar deri më sot. 

Disa nga ndryshimet e frontespicit janë si më poshtë: 

a). Rreshti i 3 i tekstit poshtë titullit, te fjala: Apostolice, është grafema “e” fundit e cila dallon te botimet e tjera; 

b). Në rrreshtin 10 të tekstit te fjala Interprete, grafema e fundit “e” dallon nga botimet e tjera, ku në vend të “e” është shënuar: “a”;

c) Te rreshti i parafundit, në fjalën magnis ndryshon grafema e parafundit e fjalës që është “i” te botimi i ELTE, ndërsa te botimet e tjera është “u”. 

d) Ndryshim tjetër kemi në dimensionet e faqes së frontespicit. 

Pra kemi tre ndryshime të theksuara, të cilat nuk kanë mundur të ndodhin rastësisht apo si gabime të tipografit-shtypshkruesit, por janë dallime të botimit të parë të inkunabulës së librit të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, nga viti 1493.

Ndryshimet në kolofon   (faqen e fundit)  të  librit të M. Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, nga ELTE, me botimet tjera

Përveç ndryshimeve në frontespic, te portreti i Gjergj Kastritotit Skenderbeut në f. 4v, libri i Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, ka ndryshime shumë të rëndësishme edhe në kolofon   (faqen e fundit të librit).

Ndryshimi thelbësor dhe shumë i rëndësishëm është se edhe këtu, për herë të parë e gjejmë të shënuar vitin e botimit ë inkunabulës së Marin Barletit, përkatësisht vitin 1493 me numra romakë: M.CCCC.XCIII. Pra, për herë të dytë, në këtë inkunabulë shënohet viti i botimit në dy forma të ndryshme, gjë e zakonshme kjo edhe për inkunabulat e tjera që na janë ruajtur nëpër biblioteka e arkiva të ndryshme. 

Viti i botimit M.CCCC.XCIII., kësaj radhe është shënuar në f. CLIXv, pra vetëm në këtë ksombël të njohur deri me sot. Shënimi i vitit vjen menjëherë pas vendit të botimit: Rome dhe inicialeve të botuesit: B. V.. Në botimet e mëvonshme nga vitet 1508 dhe 1522, nuk është shënuar fare viti i botimit.

Shënimi i vitit të botimit të inkunabulës së Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, për albanologjinë dhe historiografinë shqiptare ka rëndësi të jashtëzakonshme: 

E para, kjo është inkunabula e tretë prej autorëve shqiptarë, të njohura deri me sot. Dy autorët shqiptarë që kanë shtypur inkunabula dhe na janë ruajtur deri me sot janë: Marin Beçikemi dhe Michael Marullus Tarchaniota, Hymni et epigramata. Florenz: Societas Colubris (comp. del Drago), 1497.

E dyta, saktësohet viti i botimit, 1493 i kësaj inkunabule, që është botimi i parë, por kemi arritur të saktësojmë edhe dy ribotime të mëvonshme po të kësaj inkunabule, në vitet 1508 dhe 1522. Ndërsa për vitin 1508, ka pasur shumë hamendësime, sepse shpesh shënohej si vit botimi edhe viti 1510, për vitin 1522, askush deri më sot shprehimisht nuk e ka theksuar si vit të ribotimit të tretë të librit të Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis. 

E treta, saktësohet se M. Barleti, ka shkruar: “Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis” para librit të dytë të tij, i llogaritur si libër i parë deri me sot: “De Obsidione Scodrensi–ad Serenissimum Leonardum Laurentanum Aristocratiae Venetae principem. Conciones variae a Moumathe Turcharum principe et ab aliis militiae praefectis artificiosae compositae. Libri tres. Venetiis: Bernardinum Vitalibus, 1504, etj.

E katërta, vërtetohet se B. Vitalibus, shtypshkruesi me origjinë shqiptare i veprës në fjalë, e kishte filluar veprimtarinë e tij botuese shumë më herët sesa viti 1494 siç konsiderohet deri më sot nga historianët dhe bibliografët.

Në kolofon   të inkunabulës së Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis,nga viti 1493, ka edhe ndryshime të tjera përveç shënimit të vitit të botimit. Disa nga këto ndryshime janë: a) në rreshtin e parë, menjëherë pas fjalës së parë, është shënuar grafema “M” për vitin njëmijë, që nuk është e shënuar të dy ribotimet e mëvonshme nga vitet 1508 dhe 1522. b) ndryshim tjetër kemi në rreshtin e tretë, përkatësisht në fjalën e 5 (pesë) nga e majta, që është shënuar në inkunabulë: “barbam” ndërsa në dy ribotimet nga vitet 1508 dhe 1522 është shënuar: “barbara”. Ka edhe ndryshime të tjera të shumta të cilat lexuesit dhe studiuesit mund t’i gjejnë me lehtësi në faksimilet që po botojmë në vazhdim. Këto ndryshime kanë të bëjnë p.sh. me: shenjat e pikësimit, format e grafemave, madhësinë e tyre, paraqitjen grafike, gjerësinë e margjinave, etj. etj.

Ndryshimet e inkunabulës nga viti 1493 me ksombllat tjera si: filigranes, shenjat e fijve (rrjetës), dimensionet e ksomblave, dimensionet e letrës, pesha (gramatura) e letrës, cilësia e letrës, inicialet

Ndryshimeve të cekura më lartë, ju shtohen edhe disa elemente tjera shumë të rëndësishëm dhe pothuajse të padiskutueshëm, siç janë: filigranes, shenjat e fijeve (rrjetës), dimensionet e ksomblave, dimensionet e letrës, pesha (gramatura) e letrës, cilësia e letrës, inicialet etj. të cilat i kemi analizuar një për një duke bërë krahasimet e duhura në mes të inkunabulës nga viti 1493, me 31 ksomblat tjera nga viti 1508 dhe një ksomble nga viti 1522, të cilat kemi pasur rastin ti studiojmë.

Problemi i përcaktimit të autorësisë dhe të datës së krijimit të një dokumenti të shkruar dhe në këtë kontekst edhe ekzaminimi i një dokumenti të caktuar, është i vjetër po aq sa edhe vetë shkrimi. Megjithatë ashtu si çdo gjë tjetër që ka nevojë për kohë e për maturim, edhe ky aspekt i shkrimit pati nevojë që të kalonte në shkallë të ndryshme evoluimi gjersa të krijohej një sistem i plotë kriteresh dhe vetë ekzaminimi i dokumentit të shndërrohej në një shkencë më vete, që nuk lë më hapësirë për hamendësime në gjykime të këtij lloji.   

Krahas njohurive paleografike, ku dorëshkrimi është kriteri më i njohur dhe gjerësisht i përdorur, për përcaktimin e saktë të datës së një letre-dokumenti, sot përdoren edhe cilësia e prodhimit të letrës (pesha, gramatura), dimensionet, shenjat e fijve (rrjetës), pothuajse të padukshme me shikim normal, dhe filigranes – shenjat e ujit. 

Filigranes apo shenjat e ujit

Filigranes (Watermark, angl.; Wasserzeichen, gjerm.; le filigrane, fren.; filigrani, ital.; filigranos, span.; vodjanoj znak, rus.; vodoznačka, çek.; vodeni znak, kroat.; znaki wodne, pol.; shenjat e ujit, shqip, etj) është figurë, grafemë apo shenjë e dallueshme në letër, që duket qartë vetëm kur pas letrës vendosim një burim drite. Quhet shenjë uji sepse shenja në letër duket sikur ajo pjesë të jetë e lagur nga uji. Shenja krijohet me anë të fijeve të metalit të cilat ngjiten në letër dhe në momentin kur shtypet letra konturet e shenjës (gjurmës, fotografisë, gravurës, grafemës) dalin më të holla për shkak të shtypjes më të madhe që krijohet nga fija e metalit. Është pak a shumë një proces i ngjashëm me punimet e metaleve të çmuara, psh. të floririt, prandaj edhe quhet filigranes. Në fakt, ky term, nuk është gjithpërfshirës, përkundër përdorimit zyrtar, por më afër përmbajtjes së tij është p.sh. termi në gjermanisht “Papierzeichen” (shenjë letre), spanjisht “markas transparentes” (shenjë transparente), italisht “marche, segni,” latinisht “signum” etj. 

Për herë të parë filigranes janë përdorur në Bolonjë në vitin 1282, dhe qëllimi ishte që të letra e prodhuar aty të mos ngatërrohej me letrën e prodhuar gjetkë. Që nga paraqitja e parë e filigranes në vitin 1282, përdorimi i tyre është i pandërprerë si kur prodhimi i letrës bëhej në mënyrë manuale ashtu edhe me aplikimin e teknologjisë shkencore moderne. Në ditët e sotme, filigranes kanë një përdorim të pakontestueshëm në filateli, në kartëmonedha e në dokumente ekskluzivisht shtetërore, etj. 

Të gjitha filigranet e lashta, janë të thjeshta dhe të shenjuara me fije metali dhe nuk paraqesin ndonjë punim estetik me vlerë të veçantë. Me kalimin e kohës, filigranes, përsosen duke arritur një shkallë të lartë saktësie, bukurie dhe cilësie, kombinime të elementeve të shumtë dhe të ndryshëm nga fusha të llojllojshme. Filigranet e shenjuara në letër gjatë shekujve, është e pamundur të fshihen, ndryshohen ose plotësohen, përkundër zhvillimit të shkencës së sotme dhe përdorimit të përbërjeve të ndryshme kimike. Kjo është e veçanta e tyre dhe ajo që i bën të dallueshme për gjatë gjithë historisë që nga aplikimi i parë i tyre e deri në ditët e sotme.

Vendosja e filigranes në letër, ka ndërruar pozicion gjatë historisë shekullore të aplikimt të tyre. Fillimisht filigranes janë vendosur në këndet e letres, poshtë ose lart, pothuajse çdoherë djathtas, e në raste tepër të rrallë vendosej edhe majtas, gjë që ndodhte kur kishte porosi ekskluzive të shtypshkruesve për një gjë të tillë. Nga gjysma e dytë e shek. XV, filigranes filluan të vendosen në mes të letrës (fletës), por nuk përjashtohet edhe aplikimi i tij poshtë e lart në këndet e letrës: filluan pra të aplikohen vetëm tre pozicione të vendojes së filigranes në letër. Në Venedik dhe Gjenovë, që prej shek. XV, filigranes vendosen në këndin e poshtëm të letrës, në atë pjesë që është e pashkruar, përkatësisht në marginë. 

Në vitin 1562, në Gjenevë, botohet një rregullore se ku duhet të vendosen filigranes. Në të thuhet saktësisht se duhet të praktikohet kryesisht vendosja e filigranes në njërin kënd: poshtë ose lart dhe gjithmonë djathtas, që të mos pengohen teksti, ilustrimet, inicialet, tabelat etj, e dorëshkrimeve, dokumentave dhe ilustrimeve. Në kohët moderne, filigranes vendoset në pozicione të ndryshme, sipas funksionit dhe qëllimit që ka, por dominon aplikimi i tij në mes të faqes, ku shpesh shenohen edhe inicialet ose emri i prodhuesit.

Zgjedhja e paraqitjes së simboleve të ndryshme të filigranes nuk ishte punë e lehtë për prodhuesit e letrës, përkundrazi, kërkohej mjeshtri por edhe përgjegjësi e plotë e tyre, sepse paraqitja e një elementi simbolik, kishte vlerë alegorike dhe dykuptimësia e tij shpesh mund të sillte probleme dhe keqkuptime. Ka raste kur në shenjat e filigranes janë vendosur simbolet e shoqërive të fshehta, urdhërave fetarë, dhe organizatave të ndryshme. Simboli më i vjetër deri sot i njohur i filigranes, ai që daton nga viti 1282, është fetar, monogrami i kryqit, element ky që vazhdoi të ishte shumë i shpeshtë deri në fund të shek. XV, pothuajse te të gjithë prodhuesit e letrës që aplikonin filigranes. Po ashtu “numri 4” është element i shpeshtë i periudhës që përfshin shek. XIII-XV, numër ky që përdorej për të shënuar armët, kafshët etj, por edhe si monogram i shkurtër për fjalinë: “in hoc signo vinces.” Përkundër të gjitha funksioneve të tjera, pothuajse të gjithë specialistët, studiuesit dhe historianët janë të mendimit se përdorimi i filigranes në letër, ka funksion dallues dhe mbrojtës të prodhuesit, për të shmangur keqpëdorimet e ndryshme si dhe si element garantues për cilësinë dhe në të njëjtën kohë si moment kyç për saktësimin e datimit të vitit të letrës. Shenja të tilla mbrojtëse nuk janë karakteristikë vetëm e letrës, por edhe e prodhimeve të tjera të ndsyhme, artizanale, por edhe seriale. 

Në manuscripte, dokumenta dhe libra të shypur, jo rrallë ndeshim në dy apo më shumë filigranes! Një gjë e tillë, sipas specialisteve të filigranologjisë, ka ardhur si pasojë e përdorimit të dy apo më shumë llojeve të letrës së prodhuara nga fabrika të ndryshme. Një veprim të tillë, përdorimin e disa lloj letrash të ndryshme, botuesi e ka bërë me qëllim që të krijonte një mbrojtje të dyfishtë për produktin e tij (dorëshkrimin, dokumentin apo librin) ose me kërkesen e autorit. Ka edhe raste kur një veprim i tillë ka ardhur nga pakujdesia e punëtorëve gjatë transportimit të letrës nga depot e shtypshkronjës. Një tjetër moment është edhe paraqitja e të njëtit simbol filigranes, por në forma dhe dimensione të ndryshme! Për raste të tilla mendohet se kemi të bëjmë, kur një prodhues ka përdorur mjeshtra të ndryshëm të shënjimit të filigranes gjatë prodhimit të letrës. Secili nga këta mjeshtra e ka realizuar simbolin e dhënë për filigran në mënyrën e tij. Natyrisht, që gjatë punës së tyre, prodhuesit e letrës kanë përdorur disa lloj filigranes, për cilësi të ndryshme letre, si shenja dalluese për punën e tyre profesionale. Të dyja rastet e mësipërme, si atë të një libri me më shumë se një filigranes në fletët që e përbëjnë atë, ashtu edhe filigranes të njejtë por me realizim e dimensione të ndryshme i ndeshim te libri i Marin Barletit, Historia de vita…. Edhe rastin e tretë atë të filigranes të ndryshme për cilësi të ndryshme letre e ndeshim te historia e Skënderbeut e M. Barletit, ku më shumë se një herë na paraqitet letër me peshë të ndryshme në gramaturë.

Filigranes gjatë historisë

Filigranes në librat e shtypur ndeshen për herë të parë në Angli dhe Gjermani. Botuesi i parë që i përdori filigranet në botimet e tij ishte anglezi Caxton, nga fundi i shek. XV shkruan Jon Lewis, në vitin 1737, edhe ky i pari studiues që merret me historinë e filigraneve. Ndër gjermanët debati shkencor për filigranes filloi në vitin 1736 me J. Hering i cili shkruan studimin e tij “Unvorgreifliche Gedanken.” Lewis, boton 20 shenja filigranes, të cilat ribotohen nga Joseph Ames në vitin 1749 dhe W. Herbert në vitin 1785. Në Zvicër, për filigranes i pari debaton Samuel Engel në vitin 1741. 

Interesi për shenjat e filigranes rritet në fundshekullin e XVIII, dhe veçanërisht, për librin e shtypur, për të saktësuar vitin e botimit të parë, të dytë apo të tretë të një libri. Nga kjo kohë shquhen punimet e Breitkopf 1784, Sir John Fen 1787, Schwartz 1793, Samuel Denne 1795, Camus 1799, Fischer 1801, Koning 1816, etj. 

Koleksioni i parë i rëndësishëm i shenjave filigranes botohet në Paris në vitin 1808, nga Jansen dhe përmban 287 fotografi (skica, ilustrime, por edhe fotografi origjinale) të filigranes, të cilat ishin të zvogëluara dhe jo në formatin origjinal të tyre. Samuel Denne, është i pari që bëri datimin e dokumentave në bazë të filigranes (S. Denne, Observations on Papers, 1795), për ta vazhduar Goth Fischer (G. Fischer, Beschreibung typographischer Seltenheiten, 1801) dhe A. Ebert në vitin 1820 (A. Ebert, Die Bildung des Bibliotekars, Leipzig). Ndërsa te rusët është I. Laptev, që debaton për filigranes, në vitin 1824, duke nxjerrë 145 shenja filigranes për periudhën kohore 1439-1700. 

Përfundimisht në shek. XIX fillojnë të bëhen kërkime dhe hulumtime shkencore për filigranes dhe nga kjo kohë kemi botime të koleksioneve shumë të mëdha dhe tepër të rëndësishme për këtë shkencë të re. Hassler në vitin 1844 dhe F. Gutermann në vitin 1845 debatojnë për prodhimin e letrës së vjetër të lanenog-it. Po në vitin 1844, rusi K. Tromonin, boton një koleksion të jashtëzakonshëm filigranes prej 1.493 shenjash, ku 287 i kishte përshkruar nga Jansen-i, ndërsa në vitin 1845, Sotheby, boton koleksionin prej 600 filigranes, duke i plotësuar ato në vitin 1868 (Londër) edhe me 500 shenja të reja filigranes. Botimet e koleksioneve vazhdojnë, kështu në vitin 1868, francezët Midoux e Matton botojnë 600 filigranes nga dokumentet e shek. XIV-XV që ruheshin në arkivat franceze; holandezi Stoppellar në vitin 1867 boton 265 filigranes dhe belgët Piot e Pinchard, në vitin 1872, botojnë 1.544 shenja nga arkivat belge. Në vitin 1881, A. Zonghi, përfundon koleksionin e tij të filigranes të cilin e paraqet në një ekspozitë në vitin 1884. Ky koleksion, shumë i rrallë dhe i veçantë, përbëhet nga 1.887 shenja filigranes për 306 vitet e prodhimit të letrës në Fabriano të Italisë. 

Gjatë këtij shekulli, Franca ishte qendra e debateve dhe botimeve të veçanta për shkencën e filigranes, ku veçojmë: Ch. M. Briquet-in, i cili merret me studime të specializuara për historinë e letrës dhe atë për fillimet dhe përbërjën e saj, që nga koha e përdorimit tek arabët, e ashtuquajtuara “bombicine” për të cilën më parë ishte menduar se është prodhuar nga pambuku, por Briquet (dhe austriaket J. Karabaček e J. Wiesner, në të njëjtën kohë, por në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri), arrin të dëshmojë se ajo ishte prodhuar nga fijet e litarit, sikurse më vonë edhe letra europiane. Me vlerë është edhe studimi për prodhimin e letrës në lindje në shek. X-XIV, me një teknikë tjetër nga ajo e mëvonshmja në perëndim, dhe ishte vetëm teknika e re e perëndimit e cila mundësoi që të viheshin në letër shenja filigranes, në vitin 1282, pra fundshekulli i XIII, etj. 

Studimet e filigranes janë të ndara në tre kategori sipas specifikave të ngushta: a) sipas kriterit regjional, b) sipas ikonografisë së filigranes dhe c) sipas kronologjisë. 

a). Sipas kriterit të parë, atij regjional, elementi më i rëndësishëm është historia e prodhimit të letrës në vende të ndryshme, duke studiuar specifikat e veçanta të çdo vendi veç e veç si dhe elementet e përbashkëta me vende të ndryshe. Rezultate inkurajuese janë arritur veçanërisht në: Zvicrër, Itali, Francë, Poloni, Belgjikë, Holandë, Gjermani, Austri, Rusi, Hungari, Kroaci, etj. 

b). Sipas kriterit të dytë, atij ikonografik, del që studimi i filigranes është i pamundur nëse nuk analizohen dhe studiohen shenjat e veçanta në letër, p.sh. figurat e ndryshme të kafshëve, shpezëve, por edhe ato abstrakte dhe të tjera të veçanta, p.sh, çelsi, numrat, grafemat, etj. 

c). Kriteri i tretë, ai i kronologjisë, ka rëndësi parësore, sepse përmes tij mund të përcaktohet viti i futjes në përdorim të një shenje – filigranes të veçantë, duke gjetur pastaj, vendin, por edhe duke zbërthyer ikonën dalluese. Elementi i kronologjisë, përdoret shumë shpesh te datimi dhe përcaktimi i elementeve të tjera tek inkunabulat duke saktësuar vitin e botimit, përkatësisht të prodhimit të letrës, pastaj vendin e prodhimit ose edhe prodhuesin konkret, deri te i cili arrijmë përmes ikonës së caktuar, të cilën ai prodhues e ka përdorur në vitin e caktuar, gjatë prodhimit të letrës, si shenjë mbrojtëse për punën e tij dhe në anën tjetër si dëshmi cilësie dhe profesionalizmi.

Për studimin e filigranes në inkunabula është me rëndësi studimi i Heitz-it (1902-1903), i cili sjell shenja nga inkunabulat origjinale që ruhen në Strasburg si dhe nga ato që ruhen në Bazel (1904), duke aplikuar metodën kritike krahasuese dhe në duke ballafaquar të gjitha filigranes e njohura deri në atë kohë, qofshin ato në manuscripte, dokumenta apo inkunbaula të ngjajshme. 

Dimensionet dhe pesha (gramatura) e letrës

Përveç filigranes, një rëndësi të madhe në ekzaminimin e dokumenteve zënë edhe pesha dhe dimensionet e letrës. Pesha është njëri prej elementeve rëndësishme, dhe i domosdoshëm për njohjen dhe datimin e letrës. Ky element është i rëndësishëm posaqërisht për mesjetën kur, prodhimi i letrës ishte ende shumë specifik dhe mjaft i rrallë, veçanërisht kur ndryshimet në llojet e letrës paraqiten në momente të ndryshimeve të mëdha historike dhe aplikimit të prodhimit serial me teknologji të re më të avancuar të këtij produkti. Ndryshimet më të mëdha janë vërejtur te mënyra e prodhimit të letrës te kinezët, arabët dhe europianët në lashtësi, përderisa në kohët e mëvonshme kjo gjë vërehet te prodhimi modern i letrës me aplikimin e elementeve të celulozës së drurit aty kah mesi i shekullit XIX. Gjatë prodhimit të saj në periudha të ndryshme historike, dimensionet e letrës jo gjithherë mund të ndiqen me sukses, por, megjithatë, ekzemplarët e ruajtur deri në ditët e sotme na mundësojnë të nxjerrim konkludime të sakta dhe preçize. 

Është fakt i njohur se dimensionet e letrës gjatë procesit të prodhimit nuk janë absolute, por ndryshojnë për shkak se gjatë tharjes dhe përpunimit të shtresave të saj me ngjitës, ato mund të lëvizin, përkatësisht të tkurren deri në 3 cm nga dimensioni normal. Te prodhimi arab i letrës, janë të njohura nëntë dimensione të vogla nga 14 x 21.3 cm deri te prodhimi “gjigand” i ashtuquajturi “Tumara” ose i “Bagdadit” që kishte dimensione maksimale 73.3 x 109.9 cm. Dimensionet e letrës në Evropë gjatë shekujve nuk kanë ndryshime të tilla ekstreme. Ato janë kryesisht brenda kufijve “normal” dhe deri në shek. XVIII, nuk kishte dimensione më të vogla se 23 x 35 cm dhe jo më të mëdha se 50 x 74 cm. Si ilustrim po përmendim rastin e prodhimit të letrës në Borgo Polese, paralagje e Bolonjës në Itali, ku na janë ruajtur katër lloje dimensionesh të letrës që ka përdorur shtypshkronja e njohur “Merlani” deri në fund të shek. XV. Këto dimensione na janë ruajtur në një pllakë mermeri gri, në të cilën janë gdhendur katër katërkëndësha ku në çdonjërën janë të shënuara këto dimensione së bashku me emrin përkatës të dimensionit: a) Imperial (perandorak) 50 x 74 cm; b) Realle (mbretëror) 44, 5 x 61,5 cm; Mecane (i mesëm) 34,5 x 51,5 cm dhe Recute (i voglë) 31,5 x 45 cm. Specialistët mendojnë se dimensioni Mecane (i mesëm) është më i lashti dhe në dimensionet e tjera Realle (mbretëror) dhe Recute (i vogël) ndeshim “vetëm” në vitin 1310 për herë të parë. Ndërsa dimensioni Imperial (perandorak) ndeshet në vitin 1379, por në përdorim shumë të kufizuar, dimensioni i Mecane (i mesëm) për herë të parë dëshmohet në vitin 1390. 

Për ne shqiptarët ka rëndësi Venediku, ku dimensionet e letrës ishin ato të lashtat edhe në fund të shekullit XV, dhe fillim të shekullit XVI, ato ishin 32 x 44 cm me shenjën filigranes në këndet e djathta të letrës. Në këtë kuadër, theksojmë p.sh. në Francë, me 18 shtator të vitit 1741, janë të rregjistuara në “Conseil d’Etat” 53 lloje dimensionesh, 25,7 x 35,8 cm minimali dhe 67 x 98,8 cm maksimali. Edhe për vendet e tjera europiane prodhuese të letrës, kemi pothuajse dimensione të njëjta pa ndryshime të theksuara.

Shenjat e fijve (rrjetës)

Shenjat e fijve (rrjetës) janë njëri ndër elementet më të rëndësishëm për datimin e letrës, sepse ato ndryshojnë në etapa të caktuara kohore dhe mund të përcillen pa ndonjë vështirësi të madhe. Ky element shenjohet në letër me vija horizontale paralele, dhe filigranes gjendet në mes të tyre ose mbi to. Zakonisht janë të shënuara njëzet vija të tilla, e në disa raste kur dimensionet janë të vogla ka “vetëm” 10 “pontuseaux ose ponticelli” të tilla. Gjatë shek. XIV, “pontuseaux ose ponticelli” në dimensionet normale (31,5 x 45 cm) ishte i shënuar me 7 deri 10 vija me një largësi prej njëra-tjetrës nga 4,5 deri në 6 cm. Gjatë gjysmës së dytë të shek. XIV dhe fillimit të shek XV, “pontuseaux ose ponticelli-n” i ndeshim me nga 10 deri 14 vija me një largësi prej 2,8 deri në 4 cm (Ksombla e Marin Barletit që ruhet në BKT dhe ajo te Pacollët ka 12 vija  me një largësi prej 2.8 cm); kurse në gjysmën e dytë të shek. XV, dhe fillimin e shek. XVI,  ndeshim 20 deri 24 “pontuseaux” me një largësi prej 1,8 x 2,5 cm. Sa më shumë “pontuseaux” të ketë letra, është shenjë se ajo është e cilësisë së lartë, ndërsa te dimensionet e mëdha, numri i “pontuseaux” është i njëjtë ndërkohë që rritet largësia në mes vijave.

Veprimtaria botuese e Bernardinus de Vitalibus

Veprimtaria botuese e Bernardinus de Vitalibus fillon në vitin 1480 e jo 1494

Përkundër informacioneve që gjenden në të gjitha bibliografitë dhe katalogjet e specializuara të autorëve me eminentë botërorë, për vitin e fillimit të veprimtarisë botuese të Bernardinus de Vitalibus, ne me sigurinë më të madhe, korrigjojmë datën e deritanishme, vitin 1494, si vit i fillimit të shtypshkrimit të librave nga ky botues. Data e saktë është viti 1480. 

Në këtë vit (1480), Bernardinus de Vitalibus botoi inkunabulën e autorit: Arnaldus de Villanova: Regimen sanitatis Salernitanum.Venetiis: Bernardinus de Vitalibus 1480, e cila ruhet në fondet e bibliotekës së Vienës “Bibliothek des Instituts für Geschichte der Medizin an der Universität Wien“ me signaturë JB 6402. Kjo është njëra nga 16 inkunabulat që ruhet në fondet e “Bibliothek des Instituts für Geschichte der Medizin an der Universität Wien“ dhe njëra nga gjashtë inkunabulat e kësaj biblioteke që janë shtypur në Venedik. Informacionin e parë për ekzistimin e kësaj inkunabule e kemi shënuar nga: Georgii Vvolfgangi Panzer, Annales typographici ab artis inventae origine ad annum MD Maittairii Denisii aliorumque doctissimprum virorum curas in ordinem redacti emendati et aucti. Opera Georgi Vvolfgangi Panzer, Capituli eccles. Catheral. ad D. Sebald. Norimberg. Praepositi Societatis Florigerae ad Pegnesum praesidis. Volumen Tertium. Norimbergae: Impensis Joannis Eberhardi Zeh, Bibliopolae, 1745, vëll. III, f. 158, nr. 464, për ta përforcuar me vonë edhe me linkun: http://www.b2i.de/fabian?Geschichte_Der_Medizin_(Wien). Për të qenë të sigurtë, në pamundësi që fizikisht ne vetë të konsultojmë fondet e bibliotekës së lartëcekur, ju drejtuam me një letër më 18 dhjetor 2009 zonjës Linda Aksan përgjegjëse për informacion në “Universitätsbibliothek der Medizinischen Universität Wien,” dr. Linda Aksan, e cila shprehimisht na shkruan: “S. g. Herr Ahmeti, ich habe soeben nachgesehen. leider haben wir die von Ihnen gewünschte Arbeit nicht in unserer Bibliothek aufliegen, weder in Buchform noch in Zeitschriftenform”, pra marrim një përgjigje negative. Duke menduar se W. Panzer dhe faqja zyrtare e vetë bibliotekës nuk mund të sjellin informacione të gabaura, ne ju drejtuar edhe një herë zonj. Linda Aksan me një letër të dytë me 23 mars 2009, duke e lutur të shikojë me vëmendje fondet e inkunabulave të bibliotekës ku punonte dhe duke i ofruar informacionet që kishim ne. Me 24 mars 2009, marrim një përgjigje tjetër, në të cilërn dr. Brigitte Kranz, na konfirmon ekzistimin e inkunabulës së shtypur nga Bernardinus de Vitalibus më 1480, duke na dhënë edhe singantrurën e saktë JB 6402 si dhe duke na premtuar se brenda disa ditësh do na dërgonte riprodhimet e frontespicit dhe të kolofon  it të kësaj inkunabule. Ne shfrytëzojmë rastin që dr. Brigitte Kranz, ta falënderojmë publikisht për ndihëm e ofruar.

Qëllimisht deri në hollësi përshkruam informacionet për këtë inkunabulë, në dukje të parë edhe jo shumë e rëndësishme për ne! Por, në anën tjetër, kjo ka rëndësi të veçantë, për shkak se botuesi i inkuabulës së Marin Barletit, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis, tani na del në plan të parë, duke eliminuar një moment shumë të rëndësishëm, fillimin e veprimtarisë së tij botuese, me 1480, e jo më 1494, sikur që ishte menduar deri me tani. Pra, inkunabula jonë, nuk është e para, por është e katërta me radhë te botimet e B. Vitalibus. Inkunabula e dytë është ajo e John Estwood, Summa astrologlae judiclalis. Venice: Bernardinus de Vitalibus, 1489, (për më shumë informacion shih: Stillwell, R. 72.), ndërsa inkunabula e tretë është me autor: Fran Lucijan Gundulić, Baptistinus. Venetiis: Bernardinus de Vitalibus, 1490, dhe ruhet në Biblioteken Kombëtare dhe Universitare të Zagrebit, sektori i inkunabulave, dorëshkrimeve dhe librit të rrallë. Ne këtë inkunabulë e kemi konsultuar dhe ka disa ngjajshmëri me inkunabulën tonë, veçanërisht te katër iniciale. Pra, janë tre tituj inkunabulash, që i paraprijnë, inkunabulës së katërt nga viti 1493, të Marinus Barletius, Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis. Impressum Rome per B. V. A.o M. CCCC. XCIII.

Qytetet në të cilat ka zhvilluar veprimtarinë e tij botuese Bernardinus de Vitalibus

Siç e cekëm edhe më lartë, veprimtaria botuese Bernardinus de Vitalibus, filloi në vitin 1480 në Vendik, ku shtypi edhe 2 inkunabula të tjera dhe në vitin 1493, Bernardinus de Vitalibus lenë Venedikun për të ka shkuar në Romë, ku shtypi inkunabulën e Marin Barletit Historia de vita et gestis Scanderbegi epirotarum principis. 

Ecejaket e B. Vitalibusit nga Venediku në Romë e anasjelltas dhe qytete të tjera italiane janë të dokumentuara saktësisht: në nëntor të vitin 1493, kthehet përsëri në Venedik ku qëndroi deri në korrik të vitit 1507; në shtator të vitit 1507 e gjejmë përsëri në Romë, ndërsa në nëntor po të vitit 1507 kthehet përsëri në Venedik ku qëndroi deri në qershor të vitit 1508; në fund të qershorit të viti 1508, kthehet në Romë ku qëndron deri në fund të nëntorit, për të shkuar në dhjetor po të vitit 1508 në Napoli; në shkurt të vitit 1509, kthehet prapë në Venedik për të qëndruar aty deri në dhejtor të vitit 1515. Në Romë e gjejmë po ashtu gjatë vitit 1516, përkatësisht nga janari deri në dhjetor. Ndërsa në fillim të vitit 1517 e gjejmë në Venedik, ku qëndroi deri prill të vitit 1521. Në Rimini e gjemë në dhjetor të vitit 1521, ndërkohë që në Romë qëndroi gjatë tërë vitit 1522, përkatësisht nga fillimi i janarit e deri në fund të dhjetorit. Përfundimisht kthehet në Venedik në janar të vitit 1523 ku qëndroi derisa vdiq në vitin 1539.

Veprat e botuara për 51 vite të Bernardinus de Vitalibus

Gjatë veprimtarisë së tij si shtypëshkrues-botues (tipograf), për 56 vite me radhë, B. Vitalibus botoi 152 tituj të njohur deri me sot. Për ta disponojmë të dhëna të sakta, si për vendndodhjen, bibliotekën, arkivin ose koleksionin privat të tyre, poashtu /signaturën/ dhe të dhëna tjera, si titulli, kopertinat, frontespicet, kolofon  ët, ilustrimet, inicialet, gravurat, portretet… etj. 

Prej këtyre 152 titujsh, 74 janë inkunabula të botuara deri më 31 dhjetor të vitit 1500, dhe sipas vitit venedikas deri më 31 mars të vitit 1501. Të gjitha këto inkunabula si dhe pjesa tjetër prej 78 titujsh të librave antikuarë-rarae nga viti 1500 deri më 1536 (kur Vitalibus botoi edhe librin e fundit) janë të ruajtura në biblioteka e arkiva të ndryshme. 

Siç vërehet Bernardinus de Vitalibus ka botuar një numër të jashtëzakonshëm inkunabulash, 73 tituj, dhe diçka më shumë libra antikuarë, ku 4 nga këto nuk kanë vit botimi, por kanë vendin e botimit. Nëse shohim numrin e veprave të botuara sipas viteve, qofshin ato inkunabula apo libra të rrallë-antikuarë do të kishim këtë pasqyrë: trembëdhjetë herë boton nga një titull në vit, përkatësisht në vitet: 1480, 1489, 1490, 1493, 1513, 1514, 1517, 1518, 1523, 1524, 1526, 1532, 1534; ndërsa shtatë herë boton dy tituj në vit: 1495, 1506, 1509, 1522, 1529, 1533 dhe 1536; kurse tre tituj në vit ka botuar pesë herë dhe përkatësisht në vitet 1504, 1519, 1521, 1531 dhe 1535; ndërsa katër herë në vit botoi katër tituj: në vitet 1503, 1505, 1507 dhe 1525; po ashtu shtatë tituj ka botuar katër herë në vitet 1494, 1499, 1502 dhe 1508; ndërsa tetë tituj ka botuar vetëm një herë, në vitin 1501. Vitet më të frytshme të veprimtarisë botuese-shtypëshkruese të B. Vitalibusit kanë qenë viti 1500 kur boton njëzetë e gjashtë inkunabula dhe kulmin e arriti në vitin 1498 kur botoi njëzetë e tetë inkunabula, ndërsa për katër tituj siç cekëm më lart, nuk dihet viti i botimit. 

Megjithatë ka pasur vite kur Bernardinus de Vitalibus nuk ka botuar asnjë titull. Të marra së bashku këto vite shtrihen në periudhën nga viti 1480 deri në vitin 1536 dhe janë gjithsej njëzet e dy vite, të cilat janë si vijon: 1491, 1492, 1496, 1497, 1510, 1511, 1512, 1515, 1516, 1520, 1527, 1528 dhe 1530. Nuk kemi ndonjë informacion për arsyet e mungesës së aktivitetit botues në këto vite, por mund të supozojmë se njëra ndër pengesat për këtë kanë qenë lëvizjet e shpeshta nëpër qytete të ndryshme italiane ose shtërngesat financiare, edhe pse Bernardinus de Vitalibus, botonte vepra të autorëve shumë të njohur të kohës së tij, apo vepra të autorëve klasikë.

Mënyra e firmosjes e Bernardinus de Vitalibus në veprat që ka botuar ai në 

vitet 1489-1536

Në të gjithë titujt e inkunabulave dhe librave të rrallë-antikuarë që kemi konsultuar ne, por edhe nga literatura e shumtë e shfrytëzuar, kemi saktësuar mënyrën se si firmoste B. Vitalibus në librat që shtypte vetë. Këto forma janë: B. de Vitalibus; B. V.; Bernardin di Venezia; Bernardin Vinitian; Bernardini de Vitalibus; Bernardino da Veneto; Bernardino da Venezia; Bernardino de Vidali; Bernardino di Vitale; Bernardino di Vitalli; Bernardino Veneto de Vitalibus; Bernardino Veneto; Bernardinus Venetus; Bernardino Veneziano; Bernardinus de Vitalibus; Bernardino Vitale; Bernardino Vitale; Bernardinus Albenesotus; Bernardinus de Vitalibus; Bernardinus Venetus de Vitalibus; Bernardinus Venetus; Bernardinus Vitalis dhe në vitin 1498 firmoset: Bernardinvm et Mathevm Venetos. Qvi vvulgo dicvntvr li Albanesoti. (Shih ilustrimet që po i bashkangjisim këtij shkrimi). Pos firmosjes me grafema, ne shume raste, B. Vitalibus, firmoste edhe ane te simboleve-figurave te veçanta. Deri me tani na jane te njohura 6 menyra te tilla te firmosjes, tre ne inkunabula dhe tre te tjera ne libra te rralle-antikuare.

Filed Under: Featured Tagged With: Prof. Dr. Musa ahmeti

SHKOLLA SHQIPE NË BARI GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE NË ITALI

November 9, 2021 by s p

Sofiela Ropi, rrëfen ekskluzivisht për gazetën ‟Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, themelimin e shkollës shqipe në Bari të Italisë, bashkëpunëtorët, nxënësit, mësuesit e sfidat e të ardhmes, organizimin e mësimit shqip dhe historinë e shkollës shqipe në Bari, gjuhën shqipe si formë e identitetit kombëtar dhe sfidat e mësimit shqip mes teknologjisë, pandemisë dhe vështirësitë e fëmijëve me dy gjuhë. Me Sofiela Ropin bisedoi Editori i ‟Diellit” Sokol PAJA.

SHKOLLA SHQIPE NË BARI TË ITALISË DHE E ARDHMJA E MËSIMIT SHQIP

Prej më shumë se 1 vit në Bari të Italisë është themeluar shoqata Shqiponjat e Mëndafshta, themeluar kryesisht nga vajzat shqiptare që studiojnë, punojnë dhe jetojnënë Bari dhe në Puglia. Një nga projektet kryesore të kësaj shoqate ishte themelimi i një shkolle të gjuhës shqipe në Bari, duke qenë se mungonte në territorin e Puglias një realitet i tillë dhe kaq i rëndësishëm. Pra një iniciativë e lindur nga dëshira e përbashkët e të gjitha anëtarëve për të ruajtur me përkujdesje dhe përkushtim gjuhën, kulturën, historinë dhe traditën shqiptare. Duke nisur nga muaji maj i ketij viti kemi filluar përgatitjet brenda shoqatës tonë për realizimin e këetij projekti. Në këtë mënyrë grupi direktiv i shoqatës Shqiponjat e Mëndafshta filluan të mbledhin kurrikulume të disa vajzave të anëtarësuara pëer të mbuluar rolin e dhënies së mësimit në mënyrë vullnetare. Në këtë mënyrë pasi u dorëzuan CV personale të secilës nga ne u krijua grupi i mësueseve i cili edhe aktualisht përbehet nga une Sofiela Ropi, Albana Hasku dhe Blerta Bala. Të koordinuara nga presidentja e shoqatës Aurela Hasku, kemi filluar dhe zhvilluar përgatitjet për organizimin e brendshëm midis nesh por edhe njohjen me metoda të ndryshme të dhënies së mësimit në mënyrë për të përzgjedhur atë më të përshtatshmen, si edhe njohjen me tesktet në dispozicion dhe seleksionimi i tyre. Gjithashtu një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Bari Genta Mburimi,e cila mirëpriti dhe mbështeti këtë iniciative tonën, duke theksuar mungesën e ndjerë deri në atë moment të një shkolle të gjuhës shqipe në territorin e Barit, dhe rëndësinë e gjithanshme të realizimit të këtij projekti. Falë konsullatës kemi arritur të këmi në dorë  tekstet për ne mësuesit dhe fëmijët. Dua të theksoj që përveç ne mësueseve ka dhe vullnetarë të tjerë të cilat u munduan për të gjetur vendin për zhvillim e mësimit dhe mbuluan gjithë pjesën burrokrtike të regjistrimit të shkollës. Ky grup vullnetarësh na mbeshtet dhe ndihmon në aspektin organizativ. Duke nisur nga shtatori kemi nisur takimet me prindërit dhe fëmijët, të djelave. Takime të cilat shërbyen për t’u njohur dhe ambientuar. Këto iniciativa janë mbështetur dhe organizuar nga kontributi i secilës prej nesh, por në mënyrë të veçantë nga doktoreshë Arianita Nebi. Për sa i përket nxënësve, janë fëmijë që vijnë nga familje shqiptare ose të përziera ku njëri nga prindrit është shqiptar dhe tjetri italian. Shkolla e gjuhës shqipe është një ndihmë e madhe për ta sepse shpesh është e vështirëe që në ambientet familjare të flitet shqip, sidomos kur njeri nga prinderit nuk zotëson gjuhën shqipe. Kur kemi nisur publikimin e lajmit të themelimit të shkollës, në fillim të shtatorit, vendosëm të mos ishim ne që të shkonim në çdo familje për të kërkuar regjistrimin e fëmijës, por të shikonim interesin e familjeve për të ardhur tek ne. Ne po ofrojmë një shërbim falas në të mirë të komunitetit, por nuk duam kurrsesi të kushtezojmë, tërheqim apo këmbengulim për pjesmarrjen, sepse kënaqesia jonë është vlerësimi i tyre ndaj nesh dhe punës tonë. Mund të konfirmoj që kemi pasur kërkesa. Aktualisht pjesa më e madhe e famijëve vijnë nga Bari por nuk mungojnë edhe nga provincat rreth e rrotull, madje kemi dhe femijë që vijnë nga Matera, e cila ndodhet rreth 1 orë e gjysëm larg Barit. Kjo na mbush me gëzim.

ORGANIZIMI I MËSIMIT SHQIP NË SHKOLLËN SHQIPE NË BARI

Mësimi zhvillohet në fundjavë, çdo të shtunë pasdite. Orët e mësimdhënies janë të organizuara në bazë të teknikave të didaktikës e të marjes pjesë në orën mësimore. Jemi të vetëdijshëm që fëmijët e pranishëm si kontakt të parë të gjuhës shqipe vetëm në mënyrë verbale, dhe në disa raste është hera e parë që flasin në gjuhën shqipe. Jemi të vetëdijshëm gjithashtu për të gjitha vështirësitë që lindin në dygjuhësitë të folësve në fazën shkollore, dhe përpiqemi të japim gjuhën shqipe me didaktikë që prezanton një gjuhë pak e njohur nga nxënësit. Ne mundohemi që të krijojmë një ambient sa më të rehatshëm, pa shumë kërkesa përgatitjeje të larta studimi nga ana e nxënësit, sepse ky është qëllimi jonë kryesor, ai dhe i kolegeve të mia, eështë që fëmijët të kenë interes dhe entuziazëm për të dedikuar një pasdite dëgjimit, leximit, mësimit të gjuhës shqipe. Interesi jonë është që ata të kuptojnë rëndësinë e kontaktit me gërmat, theksin, tingullin e një gjuhe që i përket nga lindja, nga ardhja në këtë botë. Rëndësia që duhet t’i japin njohjes së historisë shqiptare, gjeografisë apo traditave që kanë prekur dhe përjetuar brezat paraardhës, duke filluar nga prinderit e tyre.

GJUHA SHQIPE SI FORMË E IDENTITETIT KOMBËTAR

Identiteti i një populli, kultura dhe në përgjithësi një grup njerzish është i lidhur në pënyrë të pa diskutueshme me gjuhën e folur. Një  gjuhë  në të vërtetë është një thesar i vlerave kulturore e pikvështrimit të ndryshëm të vëna në dukje nëpërmjet tingujve, instrumenteve leksikore, rregullat gramatikore dhesintakore. Gjuha është konfermimi i kolektivit e cila është një burim kryesor i identifikimit, bashkë me faktorë të tjerë, që bëjnë pjesë në të njëjtit komunitet.  Vetënjohja kolektive nëpërmjet gjuhës, e cila fillon nga individi dhe arrin në të gjithë komunitetin, është një element themelor i konfermimit  të identitetit kolektiv dhe të përbashkët, pra parimi që përkrah çdo koncepti të popullit të komunitetit, të kombit.

BASHKËPUNIMI PRINDËR NXËNËS DHE E ARDHMJA E SHKOLLËS SHQIPE

Bashkëpunimi midis shkollës dhe familjes është një parakushtim themelor për suksesin shkollor dhe arsimor të çdo nxënësi nga i cili nuk është e mundur të injorohet. Në këtë rast familjes i jepet detyra për të mbështetur mësimin, duke propozuar gjuhën e re si një aktivitet të përditshëm për të bërë së bashku në familje këtë komunikim të zakonshëm në familjet e tyre. Bashkëpunimi prindër nxënës kuptohet nëpermjet sjelljes, afrimitetit, tërheqja e vëmendjes të fëmijës nga mësuesi në shkollë, për tja bërë sa më të dashur orën e mësimit, ti futë dëshirën për t’i mësuar gjuhën shqipe. Per sa i perket bashkëpunimit me shkollat e tjera të gjuhës shqipe në Diasporë na ka dhënë mundëësinë për të trajtur më së miri nxënësit dygjuhëfoës. Ne si mësuese kemi ndjekur edhe seminare njëra prej të cilave ishte edhe ajo e shkolles se gjuhes shqipe  Skënderbeg në Parma. Po ashtu seminar i organizuar nga Qëndra e Botimeve për Diasporën me mbështetjen e Ministrit të Shtetit  për Diasporën dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Seminari tjetër ishte ai me temë” Përdorimi i fjalëve të përbashkëta”-  nga grupi i zhvillimit WAW – Shoqata Women Alb World.  Pra aty ku flitet për aspektin e mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe organizimit jashtë kufijve shqiptare, ne si grup pune të shkollës së gjuhës shqipe në Bari, jemi në dizpozicion dhe të gatshëm për të degjuar dhe bashkëpunuar. Jemi të vetëdijshëm që ne jemi të reja, kemi nevojë të mësojmë nga ata që këtë lloj pune kanë vite që e çojnë përpara, dhe si rrjedhojë kanë më shumë eksperiencë. 

SFIDAT E MËSIMIT SHQIP MES TEKNOLOGJISË, PANDEMISË, VËSHTIRËSIA E FËMIJËVE ME DY GJUHË

Sot, me mësimin në distancë së pari dhe pastaj mësimin e integruar dixhital, bashkëpërgjegjësia arsimore shkollë-familje merr një rëndësi të madhe, pikërisht sepse mjedisi didaktik/ arsimore, i përbërë nga hapësira alternative dhe momente të veçanta, presupozon një bashkëpunim të thellë dhe kurrë të parashikueshëm. Është ende herët për ne që të jemi në gjendje të bëjmë gjykime mbi vështirësitë e fëmijëve tanë, pasi jemi ende në një fazë të hershme.

NJË PËRSHËNDETJE PËR VATRËN, DIELLIN DHE DIASPORËN SHQIPTARE NË USA

Të flasësh për Vatrën dhe Gazetën Dielli në USA duhet një libër më vete, jo artikull. Si për nga historia që mbart, si për nga rëndësia që ka por edhe për respektin e emrave më të njohur të historisë shqiptare që e kanëe përjetuar në mënyrë të drejtpërdrejt. Unë sot flas në emër të grupit të mësueseve të shkollës shqipe në Bari, dhe secilës prej nesh ti krijohet mundësia për të folur për realitetin tonë në Gazetën Dielli është një emocion i veçantë. Dhe për këtë ju falenderoj të gjitheve por veçanërisht ty Sokol, sepse je i pranishëm dhe na kushton vëmendje, dhe kjo për në do të thotë shumë. Është për t’u vlerësuar dhe theksuar rëndesia e punës suaj, por edhe e shumë gazetarëve të tjerë si ti, sepse me anë të kësaj pune krijojnë  ura informacioni, komunkimi dhe ajo çka është me e rëndesishme krijoni Ura afrimiteti. Për këtë nuk duhet reshtur së falenderuari.

KUSH ËSHTË SOFIELA ROPI, NJË PREZANTIM PËR VETEN, FORMIMIN DHE KARRIERËN

Une vij nga qyteti i Korçës, kam mbarur studimet e larta për mësuesi dega Cikël i Ulët në Universiteti Fan Stilian Noli në Korçë. Kam kryer praktikën profesionale në shkollën 9-vjeçare “Sevasti Qiriazi”. Mbas mbarimit të studimeve kam qënë e vetpunësuar.  Më pas u transferova në Itali për të jetuar dhe duke qënë në kontakt me shoqaten “Shqiponjat e Mëndafsha” mu dha rasti që  të jem nje nga mësueset e para të shkollës se gjuhës shqipe në Bari. Puna ime arrin objektivat falë bashkëpunimit me koleget e mia, mësuese; Albana Hasku, e cila ka  studiuar për Histori – Gjeografi në Universitetin e Tiranës dhe ka eksperiencë në mësimdhënie në cikël të ulët dhe  tetë vjeçar, ne Shqiperi. Dhe Blerta Bala,  e cila ka studiuar për Pedagogji dhe psikologji  në Universitetin Alksandër Moisiu në Durrës. Ne kryejmë një punë tërësisht në mënyrë vullnetare, por e bëjmë me përkushtim dhe pasion.

Filed Under: Featured Tagged With: Sofiela Ropi, Sokol Paja

U THEMELUA DEGA MË E RE E VATRËS NË MIAMI, FLORIDA

November 8, 2021 by s p

Sokol Paja/

Miami, Florida – Sot më 7 Nëntor 2021 u themelua dega më e re e Vatrës. Kjo degë do të drejtohet nga kryetarja e komisionit nismëtar të themelimit studiuesja Iris Halili e cila bashkë me zonjën Blerina Fortuzi(Merxhani) dhe z.Ernest Nikaj si nënkryetarë dege, zonjën Anila Niklos si sekretare dege dhe zonjën Anila Troplini si arkëtare. Ekipi drejtues i degës përbëhet nga personalitete të fushës së ekonomisë, biznesit, lidershipit, veprimtarë dhe aktivistë me integritet dhe personalitete shqiptare në Florida. Vatra Miami ka mision të nderojë dhe trashëgojë amanetin e themeluesëve të Federatës dhe të bëjë realitet moton: “Kur duam njëri- tjetrin duam më shumë Shqipërinë. Në fjalën e saj përshëndetëse, studiuesja Iris Halili u shpreh: “Ndihem e privilegjuar që po marr këtë mision dhe falenderoj shumë kryetarin, Zotin Elmi Berisha për besimin dhe inkurajimin e dhënë që në çastet e para. Besoj dhe shpresoj se do realizojmë projekte të bukura, por mbi të gjitha do punojmë që të shtojmë dashurinë dhe dedikimin mes shqiptarëve. Motivi i “Vatra Miami” do të jetë: “Duam Shqipërinë kur duam më shumë njëri – tjetrin”! Këto ishin ndjenjat dhe fjalët e para që më erdhën në mënd tek hidhej ideja e hapjes së “Vatra Miami”. Le të jenë këto fjalë bekimi ynë, frymëzimi ynë, misioni ynë. 114 vjet më parë iluministi Shqiptar Mid’Hat Frashëri, u është drejtuar Shqiptarve me këto rreshta :“Shqiptarë!! Hapni Sytë! Shkoi shtrëngata e ligësisë, tani po fryn veriu i urtësisë, i vëllazërisë dhe i dashurisë! Mlidhuni, mblidhuni, nën krahët e arta të Lirisë dhe thërrisni të gjithë: Rroftë urtësia, rroftë bashkimi, rroftë vëllazëria”!! (Mid’Hat Frashëri Gazeta Iliria , 11 Korrik 1908). Duket se Shqiptarët e asaj kohe nuk se ja vunë veshin Frashëlliut tjetër të madh, dhe në vend të bashkoheshin u ndanë dhe si për më keq e luftuan njëri- tjetrin edhe më për dreq! Kjo bëri që kur dolëm nga errësira komuniste këto rreshta të gjigandit të na kumbonin prapë në zemër dhe të na e drithëronin atë me vërtetësinë e tyre! Mendimet e ndritura kanë një madhështi, ato janë sa universale aq edhe profetike e mund t’i lexosh në çdo kohë e në çdo të tillë ato marrin tjetër dimension. I fundit i Frashëllinjve e dinte ku mbetej dobësia e shqiptarëve, ndaj linte amanet bashkimin sikur e na e ka lënë edhe legjenda e heroit kombëtar, Skëndërbeut. Njerzit më të ndritur të kombit tonë gjithmonë kanë ditur të frymëzojnë dhe përcjellin bashkimin mes nesh. E tillë lindi dhe Vatra në 28 Prill 1912-tën, të tillë e donte atë Noli dhe Konica! Ndaj, së pari në përkulje dhe mirënjohje supreme ndaj Tyre, ne sot kemi krenarinë të shpallim krijimin e degës më të re të Vatrës dhe ta sjellim atë pranë çdo bashkëatdhetari që jeton dhe punon në Miami apo Florida! Ne anagazhohemi të ndjekim dhe respektojmë kanunoren e Vatrës si dhe të lartësojmë jo vetëm emrin tonë si “Vatra Miami” por edhe të Vatrës si institucioni më i vyer i çdo Shqiptari në Amerikë dhe jo vetëm. Misioni ynë nuk është i lehtë, pasi këshillat e etërve ende nuk janë plotësuar: ka zënka e përcarje mes nesh, ka xhelozira dhe inate, ka hasmërira dhe mllefe. Këto nuk duhet t’i takojnë më shqiptarit të kohëve moderne kudo ku ai jeton apo punon! “Shpresa është te bashkimi dhe te urtësia”, na këshillonte Mit’Hat Frashëri. Ky duhet të jetë misioni i çdo vatrani, i çdo shqiptari të mirë apo edhe vetë fëmijve tanë. Ndonëse të lerë e rritur në vendin më të bekuar të botës, fëmijët tanë duhet të mos rreshtin kurrë së dashuri rrënjët e tyre dhe vendin e paraardhësve të tyre. Dhë që ta arrijmë këtë ne duhet ti mëkojmë bijtë tanë me vlerat shqiptare dhe të përpiqemi me çdo forcë të çlirohemi nga antivlerat që na kanë mbajtur peng ndër shekuj. T’u mësojmë fëmijve tanë gjuhën tonë të bukur, atë gjuhë që na mbajti gjallë si komb, t’u mësojmë atyre shqiptarizmën, falë të cilës Shqipëria u mbijetoi shekujve si për të na vërtetuar se kulturat e vendeve të vogla kanë vlerën e diamanteve që sado t’i godasësh asnjëherë nuk thërrmohen!! Le t’i urrojmë pra kështu suksese degës më të re të Vatrës që e nis rrugëtimin e saj në muajin më të bekuar për çdo shqiptar: Nëntorin e Pavarësisë. Na priftë e mbara” përfundoi kryetarja e degës së Vatrës në Miami, Iris Halili. Kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha përgëzoi degën e re me rastin e themelimit dhe vuri theksin te rëndësia e marrjes së angazhimit patriotik të vajzave e grave shqiptare më të spikatura në Miami e më gjërë për ti shërbyer çështjes kombëtare. Nënkryetari i Vatrës z.Alfons Grishaj në fjalën e tij përshëndetëse e quajti historik jo vetëm faktin e themelimit të një dege të Vatrës prej një femre shqiptare të suksesshme, por mbi të gjitha përgëzoi frymën, grupin, dhe elementin më të mirë shqiptar të angazhuar në degën e re të Vatrës në Miami për ti shërbyer bashkimit, vëllazërimit, forcimit dhe unifikimit të faktorit shqiptar në Florida e më gjërë. Kryetari i degës së Vatrës në Michigan z.Mondi Rakaj solli përshëndetjet e Presidentit të Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj dhe detajoi angazhimin e tij në Vatër prej më shumë se 1 dekade dhe rëndësinë e faktorit shqiptar në shtetet ku jetojnë e veprojnë në USA. Kryetari i Vatrës në Tampa Isuf Spahiu, dhe kryetari i Nderit të Vatrës në Tampa Tasim Ruko dhe nënkryetari Endri Filipi përgëzuan degën e re dhe vunë theksin te bashkëpunimi i degëve të Vatrës në Florida dhe mbi të gjitha bashkëpunimi i të gjithë shqiptarëve në krejt Shtetet e Bashkuara të Amerikës në dobi të çështjes kombëtare. Kryetari i Vatrës z.Berisha, Nënkryetari z.Grishaj dhe Kryetari i Vatrës në Michigan z.Rakaj i dhuruan degës së re të Vatrës në Miami 600 usd dhe Kryetari i Vatrës në Tampa z.Spahiu, Kryetari i Nderit z.Ruko dhe nënkryetari z.Filipi dhuruan 300 usd si suport për të mbështetur aktivitetet në dobi të çështjes kombëtare.

230You and 229 others50 comments13 sharesLikeCommentShare

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

Kosova para 53 vitesh, 28 Nëntori festohej edhe në demonstrata

November 8, 2021 by s p

-Kosova para 53 vitesh në demonstrata shqiptare, në prag të ditëfestës së ndaluar të 28 Nëntorit – Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Flamurit Kombëtar Shqiptar/

 -NATA QË BËNTE DRITË – shkrimi im për demonstratat e 27 Nëntorit 1968 në Prishtinë, ku isha pjesëmarrës si nxënës i Shkollës Normale,  botuar në Gazetën e rezistencës “Bujku” para 29 viteve në  28 Nëntor 1992,  ribotohet në Gazetën DIELLI të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

  PRISHTINË,  Nëntor  2021/  Para 53 vitesh në Prishtinë e qytete tjera kosovare shqiptarët u ngritën në demonstrata në prag të 28 Nëntorit  që festohet tradicionalisht në Kosovë edhe si Ditë e Pavarësisë së Shqipërisë, të shpallur në 1912-tën në Vlorë,  edhe si Ditë e Flamurit.

Dita e madhe e gjithë shqiptarëve  festohej edhe kur ishte e ndaluar dhe komunikimet si komb ishin shumë të vështira dhe me rreziqe, me sakrifica, me kufirin e hekurt që ndante Kosovën nga Shqipëria.

Në ato rrethana, shqiptarët në Kosovë e në viset tjera etnike nën ish-Jugosllavi  në kërkimin e të drejtave kombëtare në prag të 28 Nëntorit 1968 u ngritën në demonstrata të fuqishme gjithëpopullore.

Demonstrata më e madhe ishte ajo e Prishtinës e filluar në orët e pasditës së 27 Nëntorit dhe zgjati deri në orët e para të së nesërmes – Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, me kërkesat për Kosovën Republikë, Kushtetutë,  Universitet, që askush të mos luajë me fatin e shqiptarëve kosovarë, e të tjera.

Njohësit dhe kronistët e zhvillimeve në Kosovë kanë vlerësuar se, më 1968 filloi ndërkombëtarizimi i çështjes shqiptare në ish-Jugosllavi, me jehonën që paten në botë demonstratat. Shtypi i huaj i dha hapësirë të konsiderueshme ngjarjeve, duke u marrë objektivisht me karakterin thelbësor të tyre, të cilat quheshin shpesh kryengritje shqiptare, ndërsa ishin të ndikuara edhe nga lëvizjet studentore të Evropës.

Në demonstratën në Prishtinë  pati një të ri demonstrues të vrarë, ra nxënësi  Murat Mehmeti, u plagosën shumë demonstrues, u dënuan mbi 100 veta. 

Në Prishtinë,  marshi i  fillimtarëve të demonstrates, ndër të cilët isha atëherë si nxënës i Shkollës Normale, nisi nga Fakulteti Filozofik (tash Fakulteti Filologjik)  dhe në pasditën e mbrëmjen e 27 Nëntorit 1968 mbushi rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të Kosovës përplot demonstrues, shqiptarë që erdhën dhe u bashkuan nga të gjitha anët.

Historianët kanë shënuar se, në vitin 1968 pas demonstratave të organizuara më 6 Tetor në Prizren, më 8 Tetor në Suharekë dhe më 19 Tetor në Pejë, më  27 Nëntor rinia dhe populli shqiptar demonstruan në Prishtinë, Gjilan, Podujevë e Ferizaj dhe më 22 e 23 Dhjetor në Tetovë. Parullat qendrore të këtyre demonstratave që nxorën në rrugë qinda mijëra qytetarë ishin: “Republikë-Kushtetutë”, “Vetëvendosje”, “Kosovë-Shqipni, jemi nji”, etj.

Ishin këto kërkesa vizionare dhe drejt realizimit nëpër vite. Kosova Republikë dhe e lirë është vullneti e vendimi i popullit të Kosovës, mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vende tjera nga Evropa e  bota liridashëse e demokratike. Tash, në 2021-tën, në 53 vjetorin e demonstratave të vitit 1968 Kosova është më shumë se 13 vjet shtet, me pavarësinë e shpallur në 17 Shkurtin historik 2008, të njohur deri tani nga 117 shtete të botës, anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Edhe si kërkesë e demonstratave të vitit 1968, Kosova prej vitit 1974  ka pasur Kushtetutën e vet, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – Kosova, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona.

Pas kundërshtimeve të fuqishme institucionale e gjithëpopullore të “kushtetutës së tankeve” serbe me të cilën  në Mars të vitit 1989 dhunshëm e përgjakshëm në mënyrë kundërkushtetuese suprimohej autonomia, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator u organizua edhe Referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, kur President i parë u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.

Republika e Kosovës me kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Prej vitit 2001 deri në vitin 2008 Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Para më shumë se 13 viteve, në 15 Qershor 2008, ka hyrë në fuqi Kushteta e Republikës së Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”.  Më parë akti më i lartë  juridik i shtetit ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës në ditën e 9 Prillit, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë.

Dita e Kushtetutës, 9 Prilli, është festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.

Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e bëri Presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, pasi ato i dërgoi në Presidencë Kryeparlamentari në atë kohë, Jakup Krasniqi.

Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar Shefi i Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara – UNMIK-ut.

Në 2021-tën trembëdhjetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur të Kosovës u shënua në kohën kur nëpër qytetet kosovare festohej 22 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin historik të vitit 1999, kur forcat shpëtimtare të  NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe,  filluan të  hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria.

Isha në kolonën e tankeve të para të forcës më të madhe ushtarake planetare – NATO-s, që hynin në Kosovë dhe për Radio Televizionin Shqiptar dhe Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë raportoja lajmin e madh për shqiptarët e botën se në Kosovë po ndodhëte liria dhe paqja…

Si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore kosovare në 1968-tën, pas një viti Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 Nëntor 1969. Kuvendi themelues i Universitetit është mbajtur në 13 Shkurt 1970, ndërsa mbledhja solemne e tij dy ditë më vonë,  në 15 Shkurt, dhe kjo datë është shpallur Dita e Universitetit të Prishtinës.

Vendi ku nisi marshimi i demonstratës së madhe shqiptare të 27-28 Nëntorit 1968 te Fakulteti i Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) në kompleksin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishina” është emërtuar “Sheshi i demonstratave”…

Në vitin 1968  derisa në Kosovë 28 Nëntori festohej edhe me demonstrata në Prishtinë e qytete tjera me kërkesa për Kosovën Republikë, për Kushtetutë, për Universitet e të tjera për të drejtat e shqiptarëve, në numrin e asaj ditëfeste të  gazetës së studentëve “Bota e Re” Ibrahim Rugova, atëherë në vitin e dytë të studimeve, kishte të botuar shkrimin me titull “Pavarësia kombëtare”, me të cilin artikull sikur paralajmëronte nismën e ideve të veta intelektuale e politike, të cilat 20 vjet më vonë, në një kohë shumë të rëndë, do t’i shprehte në mënyrë të qartë dhe konsistente si trinom: Liri, Pavarësi, Demokraci. 

Rugova shkruante me rastin e përvjetorit të ngritjes së Flamurit Kombëtar në 28 Nëntor të vitit 1912 në Vlorë nga Ismail Qemali,  dhe  pasi e quan një nga ditët më të bardha të historisë sonë, vazhdon: “Edhe në këtë tokë të lavdishme janë djegur shpirtrat për liri dhe pavarësi, ende digjen dhe prore do të digjen, gjersa të ndrisë ajo drita flakëruese madhështore, që ngre peshë gjakun e një trungu në çdo stinë të kohës”.  Dhe, në përfundim shprehet: “Duam që ta kemi kudo me të vërtetë simbol gjaku, lirie e pavarësie që na shpie më tepër dhe më me hov ndër fitore të reja dhe ngaherë të fitojmë”.

Në prag të demonstratave shqiptare të para më shumë se gjysëm shekulli, gazeta tradicionale Rilindja, që botohej në Prishtinë e me nisje në Prizren në 12 Shkurt 1945 në frymën e Konferencës së Bujanit, ditën e diel të 6 Tetorit të vitit 1968 në ballinë kishte shkrimin me titull “Përdorimi i lirë i flamujve kombëtarë”, që po niste në Kosovë…

Në demonstratat e para 53 viteve në Kosovë në kërkim të lirisë edhe për ta festuar 28 Nëntorin, flamujt shqiptarë me valëvitje si fluturime shqiponjash mbaheshin lart në duar e ngriheshin edhe mbi kulme…

Për ato demonstrata në 24 vjetorin e tyre “Nata që bënte dritë” ishte titulli i shkrimit tim në gazetën “Bujku” të 28 Nëntorit 1992 – të 80 vjetorit të Pavarsisë së Shqipërisë, ku në legjendën e fotografisë theksoja: “Pas Krujës, Vlorës…edhe në Prishtinë, në demonstratat e vitit 1968, në prag të Ditës së Flamurit, u ngrit flamuri për pavarësinë shqiptare…”

“Valonin shumë flamuj kombëtarë shqiptarë, valonin edhe për Festën e Flamurit që ishte e ndaluar bashkë me flamurin”, përshkruaja pamjet madhështore…Tregoja edhe se si në 28 Nëntorin 1968  për  demonstratat shqiptare në Kosovë dhe për Flamurin Shqiptar në ditën e madhe historike kisha shkruar vargje – vjershën “Himni i Flamurit”, të cilën ma botoi gazeta studentore “Bota e Re”…

Shkruaja kështu në gazetën e rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, që kishte nisë të dalë nga 18 Janari 1991, pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, e që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia të gazetës Rilindja – të vetmes së përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë.

Nga të gjithë shqiptarët, edhe në demonstrata, përkujtohej e edhe sot e përgjithmonë historia jonë shkruan e flet edhe se Heroi Kombëtar, Isa Boletini, në Nëntorin e madh 1912 nga fshati Boletin në rajonin e Mitrovicës – nga Kosova me 400 bashkëluftëtarët e tij shkoi në Vlorë në krah të Ismail Qemalit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në Vlorë, Isa Boletini me bashkëluftëtarët nga Kosova përbënin forcën e parë ushtarake të Qeverisë së parë Shqiptare të kryesuar nga Kryetari i saj Ismail Qemali, themeluesi i Shtetit Shqiptar, firmëtari i parë i Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare.

SHKRIMI IM NË GAZETËN E REZISTENCËS “BUJKU”  TË 28 NËNTORIT 1992 – NË FAQEN 5:

NATA QË BËNTE DRITË

Kjo rrëfejzë është autentike dhe pa asnjë ndryshim, e rrëfyer dhe e shkruar para njëzet e katër vjetëve, edhe pse tash mund të ngjajë në shpalim kujtimesh.-Për shkak se atëherë ishte i domosdoshëm konspiracioni, rrëfejza ishte pa emrin e rrëfimtarit, dhe kështu është…

Askujt nuk ia dija emrin dhe askend nuk e njihja me përjashtim të njërit. Madje, mbase nuk do ta dija as sa është data sikur të mos e kisha bluar tërë natën e ditën se çka do të jetë ajo: “Në ora katër pas dite, një ditë para 28 Nëntorit…”

Këtë ma kishte paralajmëruar një natë më parë ai që e njihja, që e njihja mirë dhe më njihte mirë. Atë të marte, në përfundim të ditës së pazarit në Prishtinë, tek kishim “dalë të shëtisim” një rruge nëpër terr kah Xhamia e Llapit, mi tha do fjalë që ishin më shumë pëshpërimë, si të m’i thoshte toka: “Shiko, tash po ndahemi…Nësër në ora katër pas dite takohemi në Fakultetin Filozofik. Do të dalim në demonstratë, në prak të Ditës së Flamurit…Për këtë – askujt asnjë fjalë… Mund t’ia thuash vetëm ndonjë shoku shumë të sigurt…” I mora këto fjalë më vete, disi si ti futja shtatë pash në dhe, që t’i fsheh nga bota, nga ata që ndiçnin edhe ëndërrat e njerzëve, dhe u përshëndetëm me natën e mirë…

Nata më dukej tepër e gjatë dhe ishte krejt pa gjumë. Do ta kërkoja nëpër librat e mi, të klasës së tretë të Shkollës Normale, të mësoj diçka për atë “Ditën e Flamurit”, por e dija se kjo është e ndaluar edhe për librat e shkollës sonë. Madje më duhej ta fikja dritën që të nos pengoja gjumin e cimerëve dhe që drita e ndezur në natën e thellë të mos i binte në sy “gazdës”, në bodrumin e te cilit banonim.

Tërë ntën ai që e njihja më rrinte para sysh si një ëndërr me sy çelë, jo vetëm me paralajmërimin e asaj nate të vjeshtës së vonë, po edhe me atë që e kisha parë me sy fëmije, i shashtisur, në një stinë të largët, përcëlluese…Këmbëzbathur qëndoja si një gur që nuk luan vendi dhe me sy të zgurdulluar e shikoja tek hynte në oborrin e shtëpisë me duar të lidhura, madje edhe i shtrënguar fort për krahësh nga milicët. Oborri u mbush plot milicë. Edhe përreth shtëpisë plot milicë. Me armë të gatshme për zjarr. Bërtisnin, flisnin, kërkonin shumëçka që nuk kuptoja.  Bastisnin, groponin nëpër oborr, në dhoma, pleme. Nga dheu nxorrën diçka, diçka të qelqtë, të mbyllur mirë…athua çka, çka ka brenda…E morën. Morën edhe libra. E morën edhe të njohurin tim, me duar të lidhura, dhe shkuan.  Pasi shkuan dëgjoja tek flisnin njerëzit e shtëpisë: “Në dhe ishte i fshehur flamuri…” Gratë me lotë e burrat me mërrola të mëdha shikonin udhën kah zdirgjeshin milicët që e çonin në burg djaloshin, flamurin… Ai flamur më rrinte para sysh dhe më bëhej se po çlirohej nga prangat dhe po ngritej për Ditën e Flamurit…Dhe, ashtu më çeli drita e ditës së paralajmëruar. Ishte e mërkurë, 27 Nëntor 1968.

Shkova në shkollë. Në të gjitha orët një pyetje e madhe më siellej në kokë: a t’i them dhe cilit shok t’i them për orën katër? T’i them vetëm ndonjërit më dukej se po u bëj një padrejtësi të madhe të tjerëve…Por, si t’i nxjerrë ato fjalë që duhet ruajtur shtatë pash nën tokë. Me shokët fola vetëm që të dalim në korzo para mbrëmjes dhe nëse luan ndonjë film i mirë dhe nëse kemi mundësi të shkojmë ta shohim. Thash vetë më vete, bile le të gjenden në rrugë kur fillojnë demonstratat dhe sigurisht do të bashkohen…

Ora katër pasdite më gjeti si i mbirë në holin e Fakultetit Filozofik. Deri atëherë më dukej gjithëçka e rëndomtë, nuk kishte shumë njerëz siç paramendoja. Po, në atë orë – si të dilnin njerëzit nga toka. Ndër ta edhe i njohuri im, që pasi kishte dalë nga burgu, edhe pse me moshë të shtyrë me vite që i kishte kaluar nëpër burgje, kishte regjistruar dhe filluar studimet. Të gjithë më dukeshin shumë të mëdhenj dhe shumë burrërorë, jo vetëm pse unë isha shumë i ri ndër ta, por për shumëçka tjetër. I njohuri im m’u afrua, ma shtërngoi dorën me “ke bërë shumë mirë që erdhe, tash po nisemi…”

Parullat e shkruara sakaq u gjendën nëpër duar, shpërndanë shpejt, ku ta dish ku ishin shkruar e si ishin sjellë, po m’u duk se vetë mbinë në duart e njerëzve.  U nisëm në kolonë. Dorën në zemër, ende nuk e dija fort mirë çka është demonstrata. Megjithatë, e dija mirë pse po dalim dhe se nuk është punë e lehtë të dalim…

Se nuk është lehtë u pa vetëm pas nja njëqind e sa metrave. Pasi kaluam sheshin para Fakultetit Filozofik, ende pa dalë mirë të gjithë në rrugën kryesore, se kah u gjend një milic që doli nga ana tjetër e rrugës kur e pa kolonën e demonstruesve, alarmoi me të shtëna në ajër dhe u përpoq të ndalë kolonën, por – thjesht u shkel nga të parët…

Shpejt e mbushën qytetin parullat e shkruara e edhe  të brohoritura: “Duam Universitet”,  “Vetëvendosje – Kushtetutë”, “Kushtetutë – Republikë”, “Lironai shokët”, “Poshtë borgjezia e kuqe…” Kolona e demonstruesve rritej e rritej, asaj vazhdimisht i bashkoheshin shumë qytetarë, madje edhe njerëzit që kishin shkuar të falen në xhami dolën e iu bashkuan studentëve, rinisë…Dhjetëra mijëra demonstrues mbushën rrugën kryesore të Prishtinës. Ishin demonstrata shumë të mëdha, por të qeta.  Marrim vesh se demonstrata po bëhen edhe në qytete të tjera të Kosovës. Valonin shumë flamuj kombëtarë shqiptarë, valon edhe për Festën e Flamurit, që ishte e ndaluar bashkë me flamurin. Kolporterët shpërndanin   numrin më të ri të gazetës studentore “Bota e Re”, që sapo kishte dalë nga shtypi. Parulla “Kosova Republikë” bëhej gjithnjë e më e zëshme.  Forcat policore shtoheshin. Shtoheshin kordonët dhe sulmet e tyre, të shtënat e tyre me armë zjarri. Filluan të shtëna edhe nga dritaret e ballkonet e ndërtesave përreth, gjujtjet me saksi, me shishe… Të lënduar, të plagosur. Ata nxirreshin nga kolona për t’iu dhënë ndihmën mjekësore. E, demonstratat nuk ndaleshin, vazhdonin, vazhdonin, madje sa vinte e rritej numri i demonstruesve. Njerëzit vinin edhe nga fshatrat, sapo kishin dëgjuar lajmin për demonstratat në Prishtinë, që u përhap shpejt. Diku afër Shtëpisë së Armatës, tek demonstruesit ishin drejtuar kah Burgu i Qarkut me parullat “Lironai shokët”, midis krismave të armëve, dëgjova:  “Na u vra një shok”… Kudo përshkoi dhembja dhe thirrja – LAVDI! Kolona, si e pafund, e demonstruesve, u kthye përsëri anembanë  qendrës së qytetit, tash shumë e pezmatuar dhe e mllefosur.  Filluan thyerjet e xhamave, rrotullimi i automjeteve të milicisë e e të tjerave. Kisha përshtypjen se muk mbeti xham i dyqaneve të rrugës kryesore pa u thyer… Gurë kishte mjaft – i nxirrnim nga xhadeja. Demonstratat tashmë nuk ishin të qeta. Ishin të përgjakshme… Prishtina, po edhe tërë Kosova po vihej nën shtetrrethim… Dhe, në fund, demonstruesit u kthyen përsëri para Fakultetit Filozofik. Sheshi i gjerë para tij dukej shumë i ngushtë për të zënë gjithë atë masë njerëzish. Kishte propozime: të vazhdojnë demonstratat apo të hyhet brenda në Fakultet  dhe të vazhdohet me grevë. Dikur nga megafoni, nga i cili gjatë tërë kohës  dëgjohej fjala e demonstruesve dhe e prijësve të tyre, u dëgjua njoftimi-marrëveshja për shpërndarje…

E, çka të bëhej në atë pikënate? Të shkoj në banesë? Jo, jo! Aty është “Gazda” – “Çika Jova”, si i thoshin të vetët. Për të thuhej se ka qenë një oficer i lartë i UDB-ës famëkeqe, i pensionuar pas Plenumit të Brioneve, po që ende e vazhdonte zanatin e vet të zi. Këto mendime m’i ndërpreu takimi me njerëzit e anës sime, të fshatit tim. Po shkojmë në fshat – më thanë. Ishte rrugë e gjatë, mbi njëzet kilometra, duhej të ecnim këmbë dhe ishte natë, por u nisëm.  Bashkë me dritën e mëngjesit arritëm. Askush nuk kishte fjetur as në shtëpi. Edhe shumë fqinj ishin aty, ishin bërë bashkë dhe po dëgjonin se çka po lajmëron një transistor që gati krejt i ishin shterë bateritë pse kishte ndejtur ndezë gjithë natën.

Kur na panë u gëzuan shumë. “Tashë ta na tregojnë, s’ka çka na duhet më transistori”, thanë, dhe e fikën. Po, gëzimi i tyre kishte një domethënie shumë më të madhe…

Gjumi më kishte zënë duke shkruar do vargje për demonstratat dhe për flamurin. “Himni i flamurit” ishte një vjershë që ma botoi “Bota e Re”, e ky ishte edhe një perjetim imi shumë i madh.

Ja, kjo është rrëfejza, që si kjo, të ngjashme mund ta tregojnë dhjeta mijëra njerëz, prandaj rrëfimtari mbetet pa emër si vetëm njëri nga të gjithë ata…

Behlul JASHARI

Legjenda e fotografisë që ilustronte shkrimin:

Pas Krujës, Vlorës…edhe në Prishtinë, në demonstratat e vitit 1968, në prag të Ditës së Flamurit, u ngrit flamuri për pavarësinë shqiptare (në mungesë të fotografisë autentike nga këto demonstrate  po botojmë këtë fotografi nga demonstratat e mëvonshme)

LEGJENDAT E FOTOGRAFIVE:

1-Gazeta Bujku e 28 Nentorit 1992 faqe 1

2-Gazeta Bujku e 28 Nentorit 1992 faqe 5 – shkrimi NATA QË BËNTE DRITË

3-Sheshi i Demonstratave te Universiteti i Prishtinës

4 e 5 -Demonstrata e 27-28 Nëntor 1968 në Prishtinë – 2  fotografi

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari

U PROMOVUA NË AKADEMINË E SHKENCAVE TË SHQIPËRISË “BANDA KOMBËTARE VATRA – NJË HISTORI UNIKE SHQIPTARO-AMERIKANE”

November 6, 2021 by s p

Dielli/

U promovua në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë “Banda Kombëtare Vatra – Një histori unike shqiptaro-amerikane” e Akademik Vasil Toles. Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha u shpreh: “I nderuar Akademik Skënder Gjinushi, i nderuar Akademik Vasil Tole, të nderuar Anëtarë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të nderuar pjesëmarrës, miq e të ftuar: Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, në emër të të gjithë vatranëve, të shqiptaro-amerikanëve dhe në emrin tim personal ju dërgoj urimet më të përzemërta e përgëzimet tona me rastin e promovimit të librit studimor të Akademik Vasil Tole: “BANDA KOMBËTARE VATRA- NJË HISTORI UNIKE SHQIPTARO-AMERIKANE ”. Ky është një kontribut i jashtëzakonshëm studimor që paraqet rolin e Vatrës në shërbim të çështjes kombëtare. Banda e Vatrës, e krijuar nga Profesor Thoma Nassi, është e njohur për misionin e saj në Shqipëri dhe kontributin e lartë që vjen e shpalosur më së miri nëpërmjet Profesor Toles. Për të parën herë, historia e Bandës Kombëtare Vatra e fragmentarizuar nëpër shkrime gazetash, dokumente arkivore, leterkëmbime etj botohet e dokumentuar në një libër studimor me vlera të larta shkencore. Ky studim na gëzon dhe na bën krenar të gjithëve ne. Përgëzime dhe faleminderit nga zemra Akademik Vasil Toles dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për këtë aktivitet të lartë shkencor e patriotik. Me konsideratë e respekt të veçantë për të gjithë JU” përfundoi fjalën e tij kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha. Akademik Vasil Tole u shpreh në promovim: “Besoj se u thanë të gjitha ato konsiderata që duheshin të thuheshin për vlerat dhe rëndësinë e Bandës Kombëtare Vatra dhe të themeluesit të saj Thoma Nassi, të cilat ky studim i kishte marrë përsipër ti trajtonte. Si autor i librit jam shumë falenderues, duke filluar me Akademinë e Shkencave që e çmoi e para këtë studim duke e botuar atë si dhe për të gjitha ata që më mundësuan me ndihmesën e tyre, sado modeste, shkrimin e këtij libri. Se cilët janë i gjeni tek pjesa e Falenderimeve në fillim të librit. Jam falenderues për të gjithë ju që sot bëtë të mundur promovimin e tij, duke filluar me kumtuesit: prof. dr. Zana Shuteriqi, muzikologia jonë e njohur e cila më ka qendruar afër prej kohës kur më drejtoi në studimet e doktoraturës në fillim të viteve 1990, e deri më sot; dirigjentin kapiten Altin Babameton dhe Orkestrën Frymore të Forcave të Armatosura që vazhdon traditën e Bandës Kombëtare Vatra duke mos e lënë të shuhet zjarrin që vatranët ndezën në vatrën e muzikës në Shqipëri; historianin ushtara prof.as dr. Zaho Golemi dhe Kristaq Ballin dhe dardharët për atdhedashurinë e tyre emblematike për vendin. Jam shumë falenderues në mënyrë të veçantë për përshëndetjet e ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo nga Federata VATRA prej kryetarit të saj z. Elmi Berisha dhe prej familjarëve të familjes Nassi dhe Tsika, përkatësisht z. Joy Bartlet dhe Pol Tsika, për të cilat ndihmoi familjari i tyre në Shqipëri z. Arian Cika, prezent në sallë. Faleminderit gjithashtu për dr. Mikaela Minga për drejtimin e këtij aktiviteti. Jam falenderues edhe për ju të dashur të pranishëm. Përfaqësues dhe drejtues të institucioneve të rëndësishme të shtetit shqiptar, deputete të Kuvendit të Shqipërisë, të ministrive dhe institucioneve të tjera të rëndësishme. Për prezencën në sallë të ushtarakëve tanë. Se ishte ushtria shqiptare ajo që e bëri pjesë të saj Bandën Kombëtare Vatra dhe drejtuesin Thoma Nassi duke i trajtuar ata me dinjitet si ushtarakë artistë, me ligj të veçantë dhe që sot pranë saj zhvillon veprimtarinë e saj Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura të RSH; Për përfaqësuesin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Hirësi Astin, se vatranët e Bandës Kombëtare ishin njëherazi edhe atdhetarë edhe besimtarë, të bekuar nga mësimet dhe drejtimi i Peshkop Fan S. Nolit. Për ju qytetarë amerikanë që jini sot këtu, duke na kujtuar se vatranët ishin dhe mbeten urë e patundur e marrëdhënieve të forta shqiptaro-amerikane dhe nxitës së vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë në vitin 1922 e deri më sot. Për ju kolegë akademikë dhe profesorë që më nderoni me pjesëmarrjen Tuaj dhe njëherazi më frymëzoni mua dhe dhjetra e qindra të tjerë me kontributin që jepni në fushat tuaja të ekspertizës përmes botimeve, studimeve, leksioneve dhe veprimtarisë suaj publike; Për gjithë ju të pranishëm të tjerë, familjarë të pjestarëve të Bandës Kombëtare Vatra, miq e shokë të mij të jetës e të punës, artistë e dashamirës të muzikës, qytetarë e studente që më kini nderuar pa masë me pjesëmarrjen Tuaj” përfundoi Akademik Vasil Tole.

Filed Under: Featured Tagged With: Vasil Tole

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT