Në Bujanoc, qytet në Luginën e Preshevës të banuar me shumicë shqiptare, është hapur panairi i bujqësisë dhe potencialeve investive, ku për tre ditë do të prezantojnë prodhimet e tyre para konsumatorëve dhjetëra kompani nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Serbia.
Ky panair është organizuar për të shtatën herë nga komuna e Bujanocit në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim të rrethit të Jabllanicës e Peinjës dhe është mbështetur nga Ambasada e Austrisë në Serbi.
Zv/ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes e Shqipërisë, Brunilda Paskali, tha se potencialet e dëshira për të investuar nuk mungojnë, në mënyrë që kjo trevë të zhvillohet ekonomikisht.
“Kemi nevojë që të thithim investimet e huaja, në mënyrë që rinia të punësohet, të ulet papunësia dhe të rritet mirëqenia e qytetarëve. Për të arritur këto duhet të bashkëpunojmë të gjithë dhe të zhvillojmë trevat shqiptare”, tha Paskali.
Ajo ofroi mbështetjen e Qeverisë Shqiptare, për zhvillimin e këtyre zonave dhe premtoi lehësira.
Nagip Arifi, kryetar i Komunës së Bujanocit, tha se qëllimi i panairit është që investitorëve t’iu prezantohen potencialet e kësaj komune e më gjerë, planet investive, projektet e bizneseve dhe që ekspozuesit nga pesë shtete përrreth në biseda të drejtëpërdrejta me partnerët e interesuar të diskutojnë format e mundshme të bashkëpunimit dhe investimeve.
“Bizneset duhet të bashkohen e jo të ndahen, në mënyrë që të ndikojnë në zhvillimin ekonomik të këtyre trevave dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve”, tha kryetari i Bujanocit.
Kryetari Arifi u shpreh se sot kanë festë të madhe për arsye se jo vetëm që kanë ditën e komunës, por edhe atë të shkollës dhe panairin ndërkombëtar të bujqësisë.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, theksoi se bizneset nga të gjitha viset shqiptare duhet që të vijnë të investojnë edhe në Luginën e Preshevës, me qëllim që edhe kjo anë të zhvillohet ekonomikisht.
“Kosova dhe Serbia duhet të eliminojnë barrierat për shkëmbime tregtare dhe të krijojnë lehtësira për lëvizje më të lira dhe më të shpejta. Lugina e Preshevës duhet të ketë mbështetje me të madhe në mënyrë që të ketë zhvillimin ekonomik, vende të reja pune dhe jetë më të mirë për qytetarët”, tha Shahini.
Kryetari i AKB-së, tha se kjo anë do të ketë mbështetje nga shteti i Kosovës ashtu edhe nga Shqipëria dhe nga të gjitha bizneset e trevave shqiptare. Ai shtoi se, bizneset shqiptare duhet të mbështesin Luginën e Preshevës për zhvillimin ekonomik. Shahini po ashtu ofroi përkrahjen edhe nga Dhoma Kombëtare Tregtare.
Johannes Eigner, ambasador i Austrisë në Serbi, vuri në dukje se vendi i tij vazhdon të përkrah fuqishëm këtë rajon për zhvillimin ekonomik dhe secila iniciativë do të ketë mbështetje.
“Bujqësia është prioritet dhe duhet që të ketë prodhime të shëndosha, ku edhe investitorët austriakë do të vijnë e marrin këto prodhime”, u shpreh ambasadori austriak.
Goran Joviç, kryetar i Odës Ekonomike të Leskocit (qytet në Serbi), tha se me këtë panair tregohet përkushtimi për të përmirësuar ekonominë e këtij rajoni, bashkëpunimin ndërmjet bizneseve dhe zhvillimin ekonomik.
Ndërkohë, Nazmi Ejupi, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë, tha se ky panair është mundësi e mirë për bashkëpunim dhe zhvillimin ekonomik. Ai ofroi përkrahjen ngainstitucionet e vendit të tij.
Shqiptaro-amerikanët shpalosën histori suksesi përballë Statujës së Lirisë
Nga Dalip Greca/
Të dielën në mbrëmje, me 3 Maj 2014, në një nga pjesët me peisazh romantik të Manhattanit në Nju Jork,u organizua mbrëmja Gala “Histori suksesi shqiptaro-amerikan”,i iniciuar dhe realizuar nga Grupi Shqiptar i Medias, Studioja Fadil Berisha dhe Fondi amerikan i Arsimit për Kosovën. Organizatorët ishin përpjekur që të evidentonin shqiptaro-amerikanët më të spikatur, të cilët kanë shënuar në Amerikë suksese në fusha të ndryshme si art, shkencë, politikë, biznes,arsim etj.
Zgjedhja e restorantit Battery Gardens, buzë ujit, përballë Statujës së Lirisë, ia shtoi emocionet këtij spektakli të suksesshëm, që kishte mbledhur qindra vetë. Madhështia e kësaj feste në historinë e Komunitetit Shqiptar në Amerikë, mund të krahasohet vetëm me festën dyditore të 100 vejetorit të Vatrës me 28 dhe 29 prill 2012 dhe 60 vjetorin e Gazetës Dielli me 28 dhe 29 Nëntor 1969,kur Vatra bashkoi shqiptarët e Amerikës dhe arbëreshët e Italisë si dhe nacionalistët shqiptarë të pas Luftës së Dytë Botërore, që jetonin në Itali dhe organizoi një spektakël madhështor që u shtri në dy qytete; në Boston dhe në Nju Jork, dhe pati plus edhe një paradë madhështore shqiptaro-amerikane e arbëreshe nga Rokfeler Center tek katedralja Sate Patrick..
Vera Mjeku, që është edhe drejtore ekzekutive e projektit gjatë të gjithë mbrëmjes dukej e emocionuar, por tepër e kënaqëur që më në fund ia kishte arritë që të realizonte së toku me bashkëpunëtorët një spektakël të suksesshëm.
Sfilata në Tapetin e Kuq dhe intervistat e medias shqiptare dhe amerikane ishin gjëra të vecanta të aplikuara për të parën herë në veprimtaritë e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan.
Zonja Vera Mjeku që ishte aq e kërkuar nga gazetarët mbrëmjen e së Dielës përpiqet që të përcjellë me modesti atë c’ka ka arritë, por ajo premton se kjo Gala nuk do të jetë e fundit, përkundrazi,sapo ka filluar. Shqiptarë të sukesshëm ka shumë, dhe kjo nismë mund të kalojë edhe në Shqipëri e Kosovë. Natyrisht se një spektakël i tillë kërkon mund për ta realizuar.
Një ambasador fuqiplotë i Kombit Shqiptar në fushën e artit dhe Kulturës është Fotografi i njohur Fadil Berisha. Studioja e tij është bërë e famshme për botën e spektaklit, përfshi dhe aktorë të Hollivudit, apo spektaklet e bukurisë, jo vetëm në Nju Jork. Këmbëngulja e tij për të përfshirë bukurinë e trevave shqiptare në pasarelat e Botës,është një shërbim i vyer që i bëhet Kombit. Natyrisht edhe ai ka pjesën kryesore të suksesit në këtë spektakël.
Vetë spektakli i historive shqiptaro-amerikane të suksesit, ishte një shërbim me vlerë në ekranet e televizioneve Njujorkeze që ishin të pranishëm. Përzgjedhja për drejtues të spektaklit të dy yjeve shqiptaro-amerikanë, aktores Hollivudiane Eliza Dushku dhe Tony Dovolani, ishte një simbolikë e gjetur për të përcjellë suksesin përmes të suksesshmëve.
Ky spektakël pati edhe mbështetjen e Fondacionit Amerikan të Arsimit për Kosovën. Drejtori I Këshillit Drejtues I Fondacionit z. Dan Davidson, shprehu kënaqësinë që ishte pjesë e këtij projekti kaq madhështor.
Eliza Dushku dhe Tony Dovolani duke folur për Shqiptarët dhe Kombin tonë, për më të sukesshmit në Amerikë, na e rritën krenarinë e të qenit shqiptarë. Ata nuk harruan të përmendin dhe të tjerë të famshëm në Amerikë që pohojnë se kanë gjak shqiptar.Vetë Eliza Dushku, edhe këtë herë nuk harroi të tregonte para publikut Tatuazhin e Shqiponjës së Flamurit tonë Kombëtar.
Një nga të suksesshmit e kësaj Gale Giorgio Kalaj, ishte folësi kryesor dhe në nisje të fjalës së tij tha se ishte një gjë e mirë që shqiptarët kanë kaq shumë histori suksesi në Amerikë. Ai i falenderoi të gjithë pjesmarrësit që kishin ardhur në këtë mbrëmje dhe po ndanin bashkë me më të suksesshmit historitë e përbashkëta shqiptaro-amerikane.Ai tha se ne shqiptarët, si shumë të tjerë kemi ardhë këtu në tokën e ëndrrave për të realizuar ëndrrat tona. Vetë ky spektakël flet shumë për realizimin e ëndrrave. Më pas ai e emocionoi sallën tek tregoi historinë e dhimbshme të familjes së tij që në momente shumë të vështira pësoi një tragjedi në Itali, humbi jetën babai, dhe nëna, në moshë shumë të re, mori përsipër barrën e rëndë për të cuar në vend amanetin e babait, i solli fëmijët e vegjël jetimë në Amerikë dhe këtu ata realizuan Ëndrën Amerikane. Kush nuk ka dëgjuar për të famshmen “Famiglia PIZZA”, pronë e familjes Kolaj?
Prezantimi i të sukseshmëve shkurtazi përmes vidiove, ishte një tjetër realizim që ia vlente dhe që theu monotoninë.
Në këtë spektakël organizatorët ksihin ftuar edhe deputetin dhe Liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti dhe Kryebashkiakun e Prishtinës Shpend Ahmeti.
Duhet pranuar fakti se është e para herë që komuniteti shqiptar evidenton më të sukseshmit e racës shqiptare në Amerikë, pavarësisht zgjedhjeve,që mund të jenë subjektive, ndoshta mund të ishte bërë më shumë kujdes që, si e para herë, të përzgjidheshin më të mirët e të mirëve, jo të futeshin edhe njerëz të zakonshëm, emrat e të cilëve përgojeheshin gjatë mbrëmjes.Nuk kishte pse që në këtë herë të parë të kishte dhe përzgjedhje nepotiste,si babë e bij, dy vëllezër,motër e vëlla etj. Natyrisht një komision përzgjedhës nuk mund të arrijë përsosmërinë,dhe sado mirë që ta bënte përzgjedhjen, nuk do t’i shpëtonte thashethemimit, por disa defekte në përzgjedhje ishin të shmangshme.(Një shkrim më të zgjeruar rreth spektaklit do të lexoni në Diellin e printuar)
Poetja që depërton në qerthullin e një shekulli drite
Poetika e rrëfimit letrar, si kumt dhe prelud i këndvështrimit estetik të autores Zejnepe Alili REXHEPI/
Nga Agron Shele/
Poetika e rrëfimit letrar me studime dhe analiza, të cilat më së shumti kanë qënë tematika të koferencave letrare të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, vijnë si një përzgjedhje e artit estetik letrar të shkruar dhe hapin objeksion të ri në fushën e studimit analitik të veprës letrare, ose dritëthënies së autorëve në kohë dhe epoka të ndryshme. Në mënyrë krejt panoramike, autorja Zejnepe Alili REXHEPI, depërton në qerthullin e një shekulli drite, dhe nëpërmjet simbolikës, krahasimeve, epigrameve shumë dimesionalë, kushteve dhe rrethanave historike në të cilën është shkruar vepra letrare, por dhe deshifrimit të mesashit ravijëzon autorë dhe risi të tyre krijuese, sjell modele dhe dhe lançon dritëhijet e tyre, me të gjithë ornamentin dhe oshilacionet që i kanë shoqëruar. Për kohezionin e ri, ku kritika shqiptare duket se është në eranzë, ky publikim rizgjon dhe rikthen të tjera imazhe, përqas në mënyrë sinjikative sendërtimin e artit me pasqyrimin e universit të fjalës, kurbëzon semantikën e vargjeve me ekstratin dhe grafikat e zhvillimeve tërësore të artit. Është thelbësore që të citohet kategorizimi i panoramave estetike, si : panorama estetike e Rilindjes Kombëtare ( sintezim artistik që vjen si ide dhe qëllim për pavarësi dhe gjeografi të njëjtë për gjithë shqiptërët), panorama estetike e Lirizmit ( lajmotiv që shpesh nëpërmjet simbolikës “bukuri” , indentifikimin e vajzës hyjni, vajzës zanë, vajzës perri ), panorama estetike e Traditës, ( që shpreh më së miri zanafillën e historisë, fesë, folklorit, arkeologjisë, politikës, njohjeve mbi jetën , tipologjisë, etj), si dhe panorama estetike filozofike.
Panorma estetike filozofike e bën këtë vepër studimesh dhe analizash shumë të veçantë për faktin real të kompleksitetit të frymës dhe rrymave përafruese, për kultin e formëzuar të shkrimit me modelin krijues , për depërtimin analitiko -logjik dhe fuqinë shprehëse të argumentit. Në këtë vepër studimore gjen jo pa qëllim autorin P Coelho ose Charles Beudelaire, të cilët si sugjestionim dhe frymim modern e kanë drejtuar sot artin bashkohor letrar drejt frymave më të larta të mendimit dhe konceptimit, drejt postmodernizimit, paradokslaizmit apo teknikave të tjera eksperimentale, të cilat gjithësesi shprehin atributet e mendësisë dhe progresivitetit më të lartë njerëzor. Ndjesia dhe percepetimet, prekja e imazheve me frymë dhe përjetimet, njohja e thellë e stilistikës dhe burimet studimore, sintetizimi prurjes artistike me kompozicionin e veprës letrare, tedencat drejt moderaturës së re analizuese dhe natyra universale e rrëfimit filozofik bëjnë që vepra studimore e Zejnepe Alili REXHEPI, të radhitet në arshivën më të ndritshme të fushës studimore për librin tonë shqip dhe ti shërbejë të nesërmes tonë kulturë, si përqasje por dhe si hap drejt përsosjes, zhvillimit të pandërprerë dhe universalizimit të artit kritik dhe gjuhës tonë të bukur shqipe.
Spiunët e spiunëve
…Nuk kam qëllim të marr në mbrojtje Lekën apo çdo bashkëpunëtor tjetër të Sigurimit apo krejt regjimit komunist. Besoj se ky debat ka nxjerrë në pah edhe një anë tjetër të errët të moshapjes së dosjeve nga Sigurimi i Shtetit, nderimin nga shteti të personave të implikuar në krimet komuniste./
Nga Nebil Çika/
Spiunët dhe spiunllëqet e diktaturës komuniste janë rikthyer edhe një herë në debatin publik shqiptar, pasi media “zbuloi” një letër që “spiunia e Sigurimit të Shtetit Dhora Leka i dërgonte diktatorit Hoxha ku ankohej se e kishin dënuar padrejtësisht pasi e kishte provokuar shkrimtarin Ismail Kadare me porosi të Sigurimit të Shtetit”. Sigurisht që nuk e vë në dyshim faktin që Leka mund të ketë vepruar me porosi të Sigurimit, gjë që e pohon vetë, por e vërteta e kësaj historie duket e paplotë dhe pa zbardhur komplet si një ngjarje që deri tani është trajtuar e njëanshme, pra vetëm në favor të Kadaresë. Publikimit të “letrës” që “spiunia” Leka i dërgonte Enver Hoxhës, u shoqërua menjëherë me një intervistë nga i “spiunuari” Ismail Kadare, ndërkohë që dishepuj të tij mediatikë nxituan ta theksonin serish “viktimizimin“ e tij në kohën e diktaturës, duke tundur fort provën më të fundit të “persekutimit” të tij.
Sigurisht që kjo nuk është historia e parë e publikuar me spiunë e spiunllëqe në Shqipëri, por çështja merr dhenë sa herëe “viktima” të spiunimit janë persona që s’u ka hyre ndonjëherë ndonjë gjemb në këmbë nga spiunllëqet, përkundrazi, siç është edhe shkrimtari simbol i letërsisë komuniste shqiptare (realizmit socialist) z. Kadare. Përpjekjet për ta paraqitur Kadarenë si disident apo të përndjekur politik të regjimit komunist janë të hershme por asnjëherë nuk kanë mundur të bindin opinionin që kjo gjë është e vërtetë, përfshi edhe “eurekën” e fundit të Dhora Lekës.
Ka shumë arsye të dyshojmë te kjo përpjekje e radhës për ta viktimizuar Kadarenë dhe për të kuptuar këto mjafton ti hedhim një sy shpejt e shpejt debatit qe nga publikimi i letrës së “spiunes”, reagimit të “të spiunuarit” dhe konkluzioneve të dishepujve mediatikë të tij.
Mendoj se debati është dukshëm i njëanshëm, pasi “spiunia” u kryqëzua pa asnjë mundësi mbrojtjeje, pasi nuk është gjallë që ta sqaronte pozicionin e saj, raportin me të spiunuarit dhe në veçanti përfundimin e kësaj historie, e cila ma merr mendja që ka përfunduar në dëm të saj, pasi nuk kishte arsye t’i ankohej Hoxhës. Dihet që letrën ia dërgonte nga internimi dhe, me sa duket, “lirimi nga ky internim “i ishte premtuar edhe nga Sigurimi i Shtetit, për të cilin ajo ankohej tek diktatori. Pyetja që nuk iu bë z. Kadare në intervistë, është shumë e thjeshtë dhe përgjigjja e saj vendimtare për të kuptuar thelbin dhe sidomos fundin e historisë: Ku i çoi Kadare letrat që Leka ia dërgonte si provokim nga Sigurimi i Shtetit?! A mos edhe ai vetë i dorëzonte ato tek Sigurimi?! Nga letra e Lekës për Hoxhën duket se edhe këto letra kanë mbërritur në zyrat e sigurimit dhe besoj që Kadare ka dhënë edhe shpjegime për to.
Pikërisht, këto shpjegime që ende nuk janë zbuluar, si letra e “spiunes” Leka, do të mund të na jepnin një përgjigje të saktë për të vërtetën e kësaj historie me spiunë, pasi fundi i saj nuk duket se i jep përparësi “të spiunuarit” vetëm për faktin se viktima e Sigurimit nuk ishte ai, por “spiunia” e tij. Nuk besoj që në atë kohë z. Kadare kishte prova qe znj. Leka ishte spiune e Sigurimet, por mund ta dyshonte apo ta merrte me mend një gjë të tillë. Edhe mund të kishte ndonjë informacion nga miq të tij në Sigurim apo kupolën e lartë të diktaturës, por ne po marrim si të mirëqenë faktin që ai nuk e kishte një informacion të tillë. Ta zëmë për një moment, Leka nuk ishte spiune e Sigurimit dhe besonte vërtet tek shkrimtari kur i kërkonte të angazhohej kundër diktatorit, çfarë do t’i kishte thënë kur letrat e saj drejtuar Kadaresë do të mbërrinin tek Sigurimi i Shtetit. Dy publicistë, Lezho e Kokomani, që ia kërkuan të njëjtën gjë drejtpërdrejt Hoxhës, përfunduan në pushkatim. Si do të ishte sot historia, nëse Leka nuk do të ishte “spiune” e Sigurimit? Po Kadare, që ia dorëzoi këto letra Sigurimit si do të trajtohej sot me këto prova? U thashë që ka plot dyshime kjo marrëdhënie apo histori Leka – Kadare qe e trajtuar në mënyrë të njëanshme jo vetëm që nuk zbardhet dot, por e bën edhe më mister e më të dyshimtë rolin e të “spiunuarit” mbi të.
Një tjetër dyshim mbi rolin e Kadaresë në ketë histori të rëndomtë spiunazhi shqiptar është fakti se në fund të saj e më pas “spiunia” (autorja e krimit) përfundoi deri në ditët e fundit të diktaturës si “armike” dhe e internuar prej saj, ndërsa “i spiunuari” (viktima) shkrimtari më i madh i realizmit socialist, deputetët e Kuvendit Popullor dhe nënkryetar i Frontit Demokratik një prej organizatave më terroriste të diktaturës që në atë kohë drejtohej nga gruaja e diktatorit Nexhmie Hoxha. Siç e shikoni, “viktima” e Sigurimit ka përfunduar në majë të pushtetit diktatorial, ndërsa bashkëpunëtorja e tij në ferrin e burgjeve dhe internimeve. Sa i besueshëm ky fund i dy protagonistëve të historisë më të fundit nga spiunazhi komunist “viktimizimin” e pretenduar të Kadaresë dhe dishepujve politikë dhe mediatikë të tij? Besoj se lexuesi mund ta marrë vetë me mend një gjë të tillë.
Por “spiunia” Leka nuk ishte e vetmja “bashkëpunëtore” e Sigurimit “kundër” Kadaresë, që përfundoi e dënuar dhe e persekutuar nga vetë Sigurimi. Në një “përplasje” tjetër me z. Kadare, Janulla Rrapi dhe djali i saj, Renato, përfunduan në internim politik dhe forma të tjera persekutimi, ku djali pësoi edhe një sëmundje psikike nga e cila duket se vuan ende. Edhe për këtë familje, viktimë e diktaturës komuniste, z. Kadare pretendon se ishte vënë nga Sigurimi kundër tij pra edhe ata ishin “bashkëpunëtorë” të persekutorëve të tyre. Ky duket rasti më flagrant në dyshimin ndaj tij, pasi edhe motivacioni i internimit dhe persekutimit të kësaj familjeje kishte vetëm një motivacion: “shqetësimin e familjes së shokut Kadare” dhe sipas znj. Rrapi, pretendohet të jetë bërë me porosi të tij.
Një tjetër rast që nuk mbështet pretendimin e z. Kadare dhe dishepujve të tij mediatikë është ndëshkimi i një shkrimtari të talentuar, Bilal Xhaferri, i cili guxoi të kritikonte një nga veprat e shkrimtarit të madh të komunizmit ne mbledhjen e LSHASH. Përfundimi i tij ishte tragjik. U internua në fshatrat e Durrësit dhe sikur të mos kishte mundur të arratisej, kushedi ku do të kishte përfunduar. Kohët e fundit është publikuar një letër që kryeministri gjakësor komunist Mehmet Shehu i kërkonte shefit të tij Hoxha më 1968 arrestimin e Bilal Xaferrit vetëm për faktin se kishte guxuar të kritikonte romanin “Dasma” të Kadaresë, gjë që kryeministri e cilëson si kundër vijës së partisë: “Diskutimi” i Bilal Xhaferrit është gjithashtu një sulm kundër Partisë, por i tërthortë – godet egër dhe në mënyrë të poshtër Ismail Kadarenë drejtpërdrejt dhe nëpërmjet tij godet rëndë dhe vijën e Partisë në art e letërsi… Është enigmë: ai dihej se ishte bir armiku dhe vetë me qëndrim të poshtër, por ja që mori pjesë në diskutim para qindra intelektualëve dhe foli kundër vijës së Partisë! Këto fjalë të Shehut tregojnë qartë rëndësinë qe kishte për diktaturën Kadare dhe vënë në dyshim çdo pretendim për përndjekje prej Sigurimit të tij. Bilal Xhaferri, edhe pse “armik” me baba të pushkatuar, ishte toleruar e lejuar të botohej nga Partia e Sigurimi, por guximi për të kritikuar Kadarenë, “vijën e Partisë në letërsi e art”, sipas Mehmet Shehut, iu llogarit si krim prej të cilit u ndëshkua shumë rëndë. Edhe për Bilalin ka pasur pretendime se ishte “porositur” të kritikonte Kadarenë.
Siç shihet, nga vetëm këta tre shembuj që solla më lart në “betejën” e pretenduar mes Sigurimit dhe Kadaresë ka dalë fitimtar ky i fundit, pasi kanë qenë “bashkëpunëtorët” e Sigurimit ata që kanë përfunduar në ferr, ndërkohë që “viktima” ka shkuar në Olimp. Unë nuk besoj se ka logjikë normale ta pranojë një raport te tillë si ky i pretenduar nga z. Kadare mes tij dhe Sigurimit, që në rastin më të mirë është i dyshimtë dhe trajtuar në mënyrë të njëanshme.
Por, sigurisht, ky debat rihapi edhe një herë çështjen e madhe të hapjes se dosjeve të Sigurimit në Shqipëri. Besoj se përveç të tjerash dosjet duhen hapur edhe për t’u dhënë fund spekulimeve nga hapja dhe përdorimi i pjesshëm dhe i njëanshëm i tyre, siç mund të jetë dhe ky raport apo histori Leka – Kadare. Spekulativ dhe i padrejtë duket gjithashtu edhe trajtimi i njëanshëm e përzgjedhës nga media dhe opinioni publik i historive me spiunë të Sigurimit. Fakti që “viktima” e pretenduar ishte Kadare bëri që media të përqendrohej e të kryqëzonte “spiunen” Leka, edhe për faktin që ajo nuk jeton më e nuk mund të përgjigjet dot. Po kjo media hesht e madje hap ekranet e faqet kryesore të saj për spiunë të tjerë të Sigurimit bashkëpunimi në krime të komunizmit është tashmë i provuar e pranuar publikisht. Kryqëzimi nga shtypi i Lekës së vdekur, “spiunes” së Kadaresë, ndërkohë që ekspertë, spiunë të gjallë, autorë të gjallë e të vdekur të pushkatimit të poetëve e shkrimtarëve “armiq” të regjimit komunist fitojnë miliona euro nga partitë publike, thirren për të dhënë opinione apo përcillen nga kjo botë si heronj e shkrimtar të mëdhenj, duket një non sens logjik që të çon të dyshosh se kemi të bëjmë me një paramendim politik. Nuk e di saktësisht, por besoj se Havzi Nela, Vilson Blloshmi, Genc Leka apo Bilal Xhaferri mund të kishin qenë shkrimtarë shumë më të mirë se Ismail Kadare, sikur PPSH, Sigurimi i Shtetit, Kuvendi Popullor, Fronti Demokratik e të tjera organizata të diktaturës do t’i kishin lejuar të shkruanin apo më thjeshtë: Të jetonin.
Si përfundim, dua të theksoj se nuk kam qëllim të marr në mbrojtje Lekën apo çdo bashkëpunëtor tjetër të Sigurimit apo krejt regjimit komunist. Besoj se ky debat ka nxjerrë në pah edhe një anë tjetër të errët të moshapjes së dosjeve nga Sigurimi i Shtetit, nderimin nga shteti të personave të implikuar në krimet komuniste. Dhora Leka, “spiunia” tashmë e deklaruar edhe vetë e Sigurimit është një person i nderuar nga shteti shqiptar me tituj nderi. Një rrugë e kryeqytetit mban emrin e saj, ndere që në botën e qytetëruar nuk u rezervohen spiunëve. Sigurisht që ajo nuk është e vetmja që ka përfituar padrejtësisht këtë status, por shërben si shembull për të kuptuar raportin tonë me diktaturën dhe krimet e saj, një turp ndaj të cilit “elita” jonë shoqërore, përfshi dhe Kadarenë, vazhdon të heshtë. Besoj se ky qëndrim vjen nga ajo që thashë në fillim të shkrimit, hapja, diskutimi, analizimi apo zbardhja përzgjedhëse e njëanshme e historive me spiunë, që nëse nuk bëhet me ligj dhe në mënyrë të ndershme, rrezikon të përfundojë në shtrembërime e gjueti shtrigash sipas parimit spiuni thërret “kapeni spiunin”. A nuk ngjan kështu historia që po diskutojmë e debatojmë?!
E ARDHMJA E EUROPËS: BALLKANI NË FOKUS
Nga Frank Shkreli/
Më 29 dhe më 30 Prill në Washington u mbajt konferenca dy ditore e organizuar nga Këshillit i Atlantikut për të përkujtuar disa përvjetorë me rëndësi jetikë për komunitetin trans-atlantik, përfshirë 25-vjetorin e shëmbjes së Murit të Berlinit, 15-vjetorin e zgjërimit të parë të antarësimit në NATO pas mbarimit të luftës së ftohët, dhe 10-vjetorin e zgjërimit të madh të antarësimit të vendeve ish-komuniste në Bashkimin Europian dhe në Këshillin e Europës. E drejtuar nga ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Madeleine Albright, demokrate, dhe nga ish-këshilltari i Presidentit George Bush, për çështje të Sigurimit Kombëtar, Stephen Hadley, republikan — në konferencë morën pjesë, ndër të tjerë, edhe Zëvendës Presidenti i Amerikës, Joe Biden dhe Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, si dhe senatorë amerikanë dhe udhëheqës europianë. Qëllimi i konferencës, sipas Këshillit të Atlantikut, ishte për të venë në dukje transformimin e Europës deri tani, si dhe rëndësinë e këtyre përvjetorëve. Konferenca mundësoi gjithashtu zhvillimin e bisedimeve për të ardhmen e NATO-s dhe të Bashkimit Europian, dhe ishte një rast i mirë për të shkëmbyer mendimet dhe pikëpamjet e të ftuarve për përballjen e sfidave, drejtë një Europe të tërë dhe të lirë.
Njëri prej folësve kryesorë të konferencës ishte Sekretari Amerikan i Shtetit (DASH), John Kerry, i cili iu bashkua një numëri ministrash të jashtëm nga Europa, përfshirë edhe Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, për të celebruar, sipas DASH, “Këto arritje historike, si dhe vlerat e përbashkëta të cilat kanë forcuar dhe kalitur një komunitet trans-atlantik të fortë, demokratik dhe të begatë. Sekretari Amerikan i Shtetit ritheksoi gjithashtu edhe angazhimin e fortë të Shteteve të Bashkuara për një Europë të tërë, të lirë dhe në paqë. Zoti Kerry nënvijoi mbështetjen e administratës së Presidentit Obama ndaj aleatëve të NATOs duke u thënë ministrave dhe diplomatëve europianë, se “Ne jemi gati të bëjmë çdo gjë për të ndihmuar NATO-n që të mbrojë territorin e anëtarve të saj kundër ndonjë konflikti që mund të përhapet si përfundim i grabitjes së Krimesë nga Rusia, si dhe nga sulmet ruse në Ukrainën lindore.” Kryediplomati amerikan ritheksoi mbështetjen amerikane ndaj Ukrainës dhe kritikoi Rusinë se nuk ka marrë asnjë hap për të zbatuar marrveshjen e arritur këtë muaj në Gjenevë midis tij dhe ministrit të jashtëm rus, Lavrov, marrveshje që kishte për qëllim të ulte tensionin e krizës. Ai u tha zyrtarëve, ekspertëve politikë dhe gazetarve të pranishëm në conference, se “ky konflikt është një alarm për ne dhe për aleancën e NATO-s”. Zoti Kerry tha se, “Ne gjëndemi para një momenti përcaktues historik për komunitetin trans-atlantik”, dhe u bëri thirrje vendeve anëtare të NATO-s që të angazhohen seriozisht, që gjatë pesë viteve të ardhëshëm, të cakëtojnë të pakën dy për qind të buxhetit të tyre të përgjithëshëm për nevojat e mbrojtjes. Zoti Kerry u bëri gjithashtu thirrje aleatëve të NATO-s “që menjëherë të marrin masa urgjente për të siguruar që vendet europiane të mos jenë të varura nga Rusia për pjesën më të madhe të nevojave të tyre për energji”, dhe të përfundojnë bisedimet për një bashkpunim më të thellë ekonomik të komunitetit trans-atlantik. Ai shtoi se NATO duhet tani të përqëndrohet më shumë në mbrojtjen europiane, pas disa vitesh që aleanca ishte e angazhuar në misione në Irak dhe në Afganistan, duke thënë se tani, “kriza në Ukrainë na thërret që t’i këthehemi rolit për të cilin ishte krijuar NATO, e që është mbrojtja e territorit të aleancës dhe të avancimit të sigurinë trans-atlantike.” Xhon Kerry përfundoi fjalimin e tij duke thënë se, “Ne duhet t’ia bëjmë absolutisht të qartë Kremlinit se territori i NATO-s është i padhunueshëm. Ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të tij…”
Menjëherë pas fjalimit të Sekretarit amerikan të Shtetit, konferenca e organizuar nga Këshilli i Atlantikut e titulluar, “Drejtë një Europe të tërë dhe të lirë”, zhvilloi edhe një sesion kushtuar Europës Jugore, me pjesmarrjen e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe ministrave të jashtëm të Malit të Zi, të Maqedonisë dhe të Bullgarisë. Sipas Këshillit të Atlantikut, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë vuri në dukje se Ballkani përballet gjithnjë me sfida të mëdha, duke theksuar ndër të tjera, çështjet kufitare, problemet e njohjeve dhe konflitet etnike. Ministri Bushati u citua të ketë thënë se, “Humbasin gjithnjë kohë se kush do ulet në tryezë, në vend që të përpiqemi të zgjidhim problemet për të ardhmen.” Në lidhje me antarësimin eventual të vendeve të Ballkanit Përendimor në Bashkimin Europian (BE), përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, Ministri shqiptar i punëve të jashtëme, ndonëse pranoi se është shënuar përparim i madh drejtë BE-së, ai vërejti se reagimi i BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Përendimor ka qenë kryesisht tepër i ngadalshëm për procesin e integrimit të këtyre vendeve dhe se ekziston nevoja për marrjen e masave më të shpejta nga ana e BE-së. Ai shprehu mendimin e tij se, “Konsolidimi i vendeve të Europës Jugore është një proces sfidues dhe si i tillë nevojitë një angazhim më të madh nga ana e Bashkimit Europian dhe nga Shtetet e Bashkuara.” Kryediplomati shqiptar shprehu shqetsimin e tij se në mungesë të një interesimi më të madh mbi të ardhmen e Ballkanit nga BE-ja, procesi i përparimit në rajon mund të zgjasë indefinitivisht dhe mund të përfundojë në një fragmentim më të thellë të rajonit, me pasoja që askush nuk do t’i dëshironte.
Ndërsa në lidhje me zgjërimin e antarësimit në NATO, përfshirë Malin e Zi, Maqedoninë dhe Bosnje-Hercegovinën, vende këto që aspirojnë antarësimin në aleancën perëndimore, Zëvëndës-kryeministri dhe ministëri i jashtëm i Malit të Zi, Igor Luksiq shprehu shqetësimet e tija të thella me procesin e deritanishëm të antarësimit në NATO dhe shtoi se duhet të ketë një angazhim të qartë për antarësimin e vendeve të rajonit, si një kusht paraprak për një Europë stabile. Ministri malazez i tha konferencës se, Europa nuk mund të jetë e tërë, e lirë dhe në paqë, nëqoftse vendeve të Ballkanit perëndimor që dëshirojnë të bëhen anëtare të NATO-s, nuk u jepet mundësia të bëhen pjesë e aleancës perëndimore.” Edhe Ministri i jashtëm maqedonas, Nikola Poposki foli për ndihmën që vendi i tij u ka dhënë operacioneve të NATO-s megjithëse nuk është anëtare e aleancës dhe shtoi se NATO është forca kryesore shtytëse në procesin e reformave në Maqedoni. Ministrat e jashtëm të Ballkanit, sipas Këshillit të Atlantikut, theksuan gjithashtu natyrën ndërlidhëse të politikave rajonale, duke thënë se ngjarjet që mund të ndodhin në njërin prej vendeve të rajonit, mund të kenë efekte të drejta për drejta mbi stabilitetin rajonal në përgjithësi, dhe duke pasur parasyshë mjedisin politik në atë rajon, është e nevojshëme ruajtja e komunikimeve dhe përqëndrimi i përbashkët mbi zhvillimin e strategjive për sigurimin dhe stabilitetin e rajonit. Ndërsa Ministri i jashtëm bullgar, Kristian Vigenin tha, gjatë sesionit kushtuar Europës Jugore, se ashtu si Ukraina, edhe Ballkani gjëndet para një momenti historik vendimtar për të ardhmen e vet dhe si pasojë, është me rëndësi, shtoi ai, që vendimet të cilat do të merren në lidhje me këto vende, të jenë masa për të cilat ka nevojë stabiliteti dhe paqa në rajon.
Konferenca përfundoi punimet me një fjalim nga Zëvendës-Presidenti amerikan Joe Biden, i cili njoftoi se në Qershor, Presidenti Obama do të vizitojë Poloninë me rastin e 25-vjetorit të zgjedhjeve të lira atje, zgjedhje të cilat shënuan shkëputjen e atij vendi nga qeverisja komuniste e dominuar nga Bashkimi Sovjetik. Kjo vizitë po bëhet siç në duket, në përpjekje për të treguar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për aleatët e tyre në Europën Qendore dhe Lindore, përballë ballafaqimit të komunitetit trans-atlantik me Rusinë, në lidhje me agresionin rus kundër Ukrainës. Kritikët e administratës së Presidentit Obama kanë komentuar në të kaluarën se ajo nuk ka provuar mbështetjen e nevojshme për aleatët amerikanë në Europën Qëndrore dhe Lindore.
Këshilli i Atlantikut tha se kriza në Ukrainë përbën një rrezik serioz, ndaj përparimit të bërë deri tani drejtë një “Europe të tërë dhe të lirë”, ç’prej mbarimit të luftës së ftohtë, prandaj edhe vendosi të organizonte këtë konferencë ku morën pjesë udhëheqës dhe zyrtarë të lartë amerikanë dhe europianë, për të biseduar mbi gjetjen e mënyrave më të mira për ruajtjen dhe avancimin e përparimit të bërë deri më tani drejtë paqës dhe sigurisë në Europë, megjithë sfidën më serioze ndaj vizionit për një Europe të bashkuar dhe në paqë, ç’prej mbarimit të luftës së ftohtë, pothuaj një çerek shekulli më parë. Këshilli i Atlantikut tha se e organizoi këtë konferencë të udhëheqsve trans-atlantikë, ndërkohë që presidenti rus, Vladimir Putin po hedhë poshtë këtë vizion dhe ndërsa ai po u bën presion dhe ndërmerr sulme ushtarake kundër vendeve fqinje të Rusisë, në përpjekje për të mos i lejuar ato që të vendosin vet nëse duan të bëhen pjesë e vizionit për një Europe të tërë dhe të lirë. Kjo konferencë, theksoi Këshilli i Atlantikut, është pjesë e një fushate që ka ndërmarrë për nxitjen e marrjes së masave për të siguruar se Ukraina mbijeton si shtet, dhe njëkohësisht për forcuar identitetin dhe rolin e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore dhe njëherazi edhe për të fuqizuar aleancën e NATO-s.
- « Previous Page
- 1
- …
- 696
- 697
- 698
- 699
- 700
- …
- 902
- Next Page »