• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Çfarë të ardhmeje do të ketë Kosova

February 23, 2014 by dgreca

Pavarësia e Kosovës në retrospektivë/

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë në mars të vitit 1999 kishte shkaktuar reagimin e ashpër të disa intelektualëve dhe politikanëve në Europë që mbronin tezat serbe dhe orientonin opinionin publik kundër politikës dhe qëndrimeve amerikane.

Lobingu serb, me mbështetjen e Rusisë, ishte i fuqishëm në qarqet diplomatike dhe mediat europiane sa që ishte krijuar një debat i fuqishëm ndërmjet kampit të pro-ndërhyrjes ushtarake për të stopuar gjenocidin e shqiptarëve dhe krizën humanitare dhe kampit të kundërt.

Ndërkaq, askush nuk jepte një prognozë të rezultatit të goditjeve të NATO-s dhe çfarë do të ishte zgjidhja e krizës politike e diplomatike.  Konferenca e Rambujesë kishte dështuar për shkak të palës serbe dhe Rezoluta 1244 e OKB-së ishte ende larg parashikimeve. Çështja e pavarësisë për Kosovën ishte një tabu që asnjë politikan apo diplomat europian nuk guxonte ta konsideronte.  Në atë kontekst, PLL  bëri një fushatë intensive në qarqet diplomatike dhe mediatike në mbrojtje të interesave të Kosovës dhe popullit shqiptar duke kërkuar publikisht edhe njohjen e Pavarësisë të Kosovës si zgjidhja e vetme e krizës.

Në këto ditë të kremtimit të 6-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë të Kosovës, sjellim më poshtë artikullin e botuar më 7 prill 1999 në gazetën prestigjioze belge “La Libre Belgique” nga Z. Sulejman Gjana, sot kryetar i PLL.

Çfarë të ardhmeje do të ketë Kosova

Serbët duhet ta ndajnë mendjen me e njohë pavarësinë dhe sovranitetin e e saj

Nga Sulejman Gjana

Partia “Lëvizja e Legalitetit”

Marrë nga “La Libre Belgique” – 07.04.1999

Goditjet e NATO-s kanë vijuar dhe madje janë shpeshtuar përballë intransigjencës së Millosheviçit dhe vendosmërisë së serbëve për të shpënë deri në fund planin e pastrimit etnik të Kosovës. Duke shpërfillur thirrjet e arsyeshme të bëra nga shumë krerë shtetesh europiane dhe SHBA-së, Sllobodan Millosheviçi është treguar prapë edhe njëherë, e pa dyshim më shumë se kurrë, i vendosur t’u imponojë ligjin e tij kancelerive perëndimore.

Me fushatën e tij të pastrimit etnik, Millosheviçi ka vrarë me një gur dy zogj: ia ka dalë të dobësojë shqiptarët në Kosovë, por ai ka provuar sidomos se ka fuqinë të destabilizojë fqinjët e tij dhe të përmbysë ekuilibret tashmë të brishta të Ballkanit.

Millosheviçi është një strateg i mprehtë dhe një manipulator i jashtëzakonshëm. Dhe për më tepër ai është një komunist i devotshëm. Duke provokuar goditjet e NATO-s, ai mblodhi pas vetes gjithë popullatën serbe, që, ndërkaq, ishte shkëputur prej politikës së tij sidomos për shkak të krizës ekonomike, që vijonte prej kohësh në Jugosllavi qyshkur ndaj saj u vendos embargoja.

Përmbledhtazi, pavarësisht humbjeve materiale që kanë pësuar në aparatin e tyre ushtarak dhe mbi disa ndërtesa zyrtare, serbët shfaqen si fituesit e parë të kësaj ndeshjeje taktike.

Shqiptarët, vetë, po paguajnë çmimin e rëndë duke u dëbuar nga shtëpitë e tyre, që janë shkatërruar radhazi; duke u tërheqë zhag rrugëve në kërkim të një strehe për të siguruar kokën në Shqipëri, në Maqedoni apo në Mal të Zi; duke lënë pas vetes të shkuarën, historinë e tyre. Popullsitë e shpërngulura gjithmonë kanë paguar një haraç të rëndë për përkatësinë e tyre shoqërore, racore apo fetare. Rasti i Shqiptarëve të Kosovës na kujton, në fakt, fatin e trishtueshëm që kanë pësuar viktimat e mizorisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Prandaj është çmeritëse të dëgjosh ngritjen e disa zërave në Europë që kritikojnë aty e këtu ndërhyrjen e NATO-s, duke nxjerrë si pretekst se e drejta ndërkombëtare nuk lejon ta bësh këtë kundër Jugosllavisë. Butësia dhe kortezia ndaj akteve barbare duhet të gjykohet prej popujve të civilizuar me të njëjtën vendosmëri ashtu siç gjykohen dhe autorët e akteve. A mos duhet t’u kujtojmë këtyre individëve që e drejta ndërkombëtare nuk gëzon aspak një forcë hyjnore? Ajo u krijua nga njerëzit për hir të ngjarjeve dhe përvojave të kaluara. Kësisoj, asaj mund t’i bëhen ndryshimet dhe ndërhyrjet e duhura në mënyrë krejt legjitime. Sidomos kur është rasti për t’i ardhur në ndihmë një populli të rrezikuar, (le të kujtojmë që mos-përkrahja ndaj personave në rrezik, dënohet me masa të rënda nga drejtësia në shumicën e shteteve moderne).

Siç e nënvizonte kohët e fundit Aleksandër Adler, konflikti në Kosovë nuk ka asgjë të krahasueshme me konfliktin në Kurdistanin turk, apo gjetiu në botë. Në fakt, turqit gjithmonë kanë dashur t’i kenë kurdët, si qytetarë me të drejta të plota të shtetit të tyre. Kurse Shqiptarët e Kosovës janë konsideruar gjithmonë si qytetarë të kategorisë së dytë. Dhe ata kanë jetuar si në kategorinë e dytë. Kanë jetuar pa bërë zë në apartejdin jugosllav. Janë poshtëruar. Përderisa ata nuk kanë pranuar kurrë ta braktisin truallin e vet, pavarësisht gjithë vuajtjeve që kanë pësuar prej serbëve, ja ku po i shpërngulin sot, sa kohë që nuk janë torturuar përpara se t’i ekzekutojnë. Kemi mbërritur në një pikë pa kthim në Ballkan.

Mes serbëve e shqiptarëve është çelur një hendek i madh dhe ata nuk mund të bashkëjetojnë më mes tyre. Shqiptarët nuk do të pranojnë kurrë të jetojnë nën zgjedhën serbe, qoftë edhe si entitet federal i shtetit jugosllav.

Koha e pavarësisë ka trokitur. Nëse Europa, SHBA, NATO, OKB kërkojnë një paqe të qendrueshme dhe stabilitet në Ballkan e Europë, nëse duan ta ndalin katastrofën njerëzore, ata duhet të vendosin për të njohur pavarësinë e Kosovës e sovranitetin e saj. Ata duhet t’i vënë serbët para faktit të kryer dhe t’i bëjnë të kuptojnë që fushata e tyre në Kosovë nuk do t’ia dalë kurrë të ketë sukses as politikisht, as ekonomikisht, as etnikisht.

Çdo opcion tjetër do të forconte serbët në vendosmërinë e tyre për të zhdukur shqiptarët e Kosovës dhe do të keqësonte katastrofën humanitare viktimat e së cilës janë kosovarët.

Filed Under: Featured Tagged With: cfare te ardhmje, ka Kosova, Sulejman Gjana

Kosovë, Shefi i Misionit të OSBE-së viziton qendrat e votimit në Mitrovicë të Veriut

February 23, 2014 by dgreca

Nga B.Jashari/.-Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, vizitoi sot qendrat e votimit në Mitrovicë të Veriut. Schlumberger do t’iu përgjigjet pyetjeve te gazetarëve në mesdite  për të vazhduar me pas me nje vizitë ne shkollën fillore “Aziz Sulejmani” në Suhodoll të Ulët, njoftoi  Misioni  i OSBE-së në Kosovë.

OSBE po i lehtëson zgjedhjet lokale në katër komunat në veri të Kosovës në perputhje me marrëveshjen e Brukselit.

Zgjedhjet lokale të Kosovës, të parat në gjithë territorin – në 38 komunat, përfshirë veriun, janë mbajtur në 3 nëntor dhe kanë vazhduar me balotazhin e 1 dhjetorit 2013 dhe me disa rivotime të pjesëshme.

Në Mitrovicën Veriore po votohet sot përsëri për kryetarin e komunës në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi fituesi, i komunitetit serb, refuzoi të japë betimin duke mos pranuar ligjet e Kosovës. Betimin e dhanë të gjithë të zgjedhurit tjerë në komuna në gjithë territorin e vendit.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Mitrovica e Veriut, OSBE, Shefi i Misionit

“Hekuba”, e Vefi Rredhit në Festivalin Ndërkombëtar të Sarajevës

February 23, 2014 by dgreca

Nga Harilla Koçi/.-Tragjedia “Hekuba” e Euripidit, një nga më të njohurat e antikitetit vënë e skenë nga regjisori me origjinë shqiptare, Enke Fezollari dhe protagoniste, aktoren nga Vlora, Vefi Rredhi, do të përfaqësohet në Festivalin Ndërkombëtar të Sarajevës(The InternationalFestival Sarajevo,“Sarajevska zima”), që nis të dielën në mbrëmje në kryeqytetin e Bosnje Hercegovinës.

Në një prononcim për ATSH-në, aktorja Rredhi, thotë se, “ndihem mirë  që marr pjesë në këtë festival”. “Hekuba” është në gjuhën greke, por këngët e vajit në Sarajevë do të jenë në shqip”, thekson ajo. Për aktoren që jeton e interpreton prej vitesh në Greqi, pjesmarrja në aktivitete të tilla është kënaqësi të dyfishtë, sepse është mundësi për të prezantuar vlerat e vendit të saj. “Kudo që paraqitem sjell diçka nga vendi im, sjell mënyrën se si qajnë në Vlorë…dhe kur dhimbja të mbyt..ne  këndojmë gërshetuar me vaj…Në një moment vaji unë them…u mbush deti me të rinj, o bir i nënës o bir…të nisi nëneja larg…për një jetë më të mirë o bir..”; Kështu shprehet Rredhi, një ditë përpara këtij festivali, që është një nga aktivitetet më të rëndësishme teatrore që zhvillohen sot në Evropë.

Premiera e tragjedisë “Hekuba”, me regji të Enke Fezollarit dhe protagoniste Vefi Rredhit, u shfaq për artësashësit grekë pranverën e vitit të kaluar. Për disa muaj artëdashësit grekë, ndoqën me interes në Teatrin “Thision”, të Athinës, këtë premierë, që sjell një nga tragjeditë më të njohura të antikitetit.

Kjo shfaqje u realizua me regji të artist të  talentuar me origjinë shqiptare, Enke Fezollari dhe në të interpretuan emigrantë nga vende të ndryshme, që jetojnë e punojnë ne vendin fqinj.

Por, në imazhin e artëdashësve, figura e Hekubës, mbretëreshës trojane, mbeti dhe do të mbetet i pashlyer nësajë të intepretimit plot ndjenjë e realizëm, në një nivel profesional, nga aktorja vlonjate, Gjenovefa Rredhi, e cila jeton prej vitesh në Greqi.

Roli i Rredhit, gjen mishërim jo vetëm në staturën e Hekubës, por edhe në mesazhet e fuqishme që përcjell, në aktualitetin ku dhimbja, largimi dhe harresa, përzihen bashkë. Këtu qëndron  veçantia e veprës, e mirëpritur jo vetëm nga artdashësit grekë, por edhe nga kritika, e cila ka vlerësuar aktoren vlonjate, që përcolli në skenë një Hekubë që flet për të shkuarën dhe për të tashmen, një Hekubë që qëndron mes dy kohëve, ndonëse të largëta nga njera tjetra.

Sot, njerëzimi po përjeton një nga krizat më të vështira. Emigracioni është më i ndjeshëm se asnjëherë tjetër. Në këto kushte, kuptimi “I tjetrit”, “I të huajit”, ç’rrënjëzimi, që cilësohen në tragjedi, janë në këto momente reale, sa asnjëherë tjetër në botë dhe në Greqinë e sotme. Njerëz të ndryshëm, në kushte dhe për arsye të ndryshme, detyrohen të lenë vendin e tyre, shtëpitë, jetën e tyre dhe të emigrojnë në vende të tjera, për një jetë më të mirë. Në atdheun e tyre, mund të ishin mjekë, arsimtarë, artistë, por nevoja për të jetuar i çoi në vend tjetër ku shpesh, detyrohen të punojnë në profesione dhe në punë që as nuk i kishin menduar kurrë më parë. Këta janë personazhe realë sot. Ata vërtiten në skenë,në sfondin e saj, diku dhe gjithkund. Këtë pasqyron Hekuba. Rënia e një mbretëreshe, që bëhet skllave dhe detyrohet të lusë kundërshtarët dhe…përfundon të jetë “e huaja”.

“Në realitetin e sotëm, Hekuba është një nënë që e shohim përreth,është nëna e djalit nga Pakistani, nëna nga Siria që vrapon mes plumbave me foshnjë në krahë, është nëna e djemve të rinj që aq shpesh tani, deti i nxjerr të mbytur. Është nëna, motra, (unë jam nga Vlora) e gjithësecilit prej tragjedisë së Otrantos”, thotë për ATSH-në, aktorja Gjenovefa(Vefi) Rredhi. Sipas saj, figura “e tjetrit” është gjithësecili prej nesh sot, që kemi ikur,jemi larguar nga vendi. Por, shton ajo, në këto kohë të vështira, në këtë pozita janë sot edhe grekët. Në këto kushte, Hekuba nuk është vetëm një nën, është një vend i tërë, një atdhe i humbur, ose i shkatërruar, një atdhe që shpesh humbet bijtë e tij, sepse i detyron të ikin larg.

Duke sjellë në kujtesë vargjet e poetit grek, Jani Rico, Rredhi thotë se, “ne nuk këndojmë për t’u veçuar, vëllai im, nga bota (nga të tjetrët). Ne këndojmë të bashkojmë botën”. “ Po . Arti ekziston që të ndihmojë bashkimin dhe të jetuarit në paqe”, shprehet aktorja vlonjate për ATSH-në.

Rrethi thotë se, “Është hera e parë që interpretoj në gjuhën greke dhe theksoj në rolin e Hekubës, një rol me kërkesa, një rol që flet në vite”.  Ajo veçon drejtimin regjisorial të regjisorit Enke Fezollari, që sot jeton në Athinë. Ajo nuk harron ndihmën e grupit mbështetës dhe të theatrologes së njohur greke,  Natali Minioti, që u konkretizuan me arritjen e kuptimit të plotë të tragjedisë së Euripidit dhe realizimin e saj me një këndvështrim bashkëkohor. Përdorimi i të dy gjuhëve, ndërhyrjet me këngë dhe të qarët në shqip, plotësuan më bukur Hekubën dhe vështrimin e saj bashkëkohor. “Ndjehem shumë bukur dhe e pasur të jem rritur mes dy kulturave dhe dy gjuhëve qe së bashku më ndihmuan tek Hekuba…të mendoja si qajnë në Vlorë, si këndojnë kur ikën vajza..Por dhimbjet e shpirtit, dhimbjet njerëzore, nuk kanë kombësi. Ato janë një..”, vijon në prononcimin e saj, aktorja nga Vlora.

Gjatë vitit të kaluar, shfaqja e tragjedisë “Hekuba” u dha në Teatrin ”Thision” nga 4 shkurti deri në fund të muajit maj. Po shfaqjet vijuan edhe në qytetin e Selanikut, në 8 dhe 9 qershor, në përfundim të Festivalit të Kulturës të organizuar nga Ministria e Kulturës e Greqisë membështetjen e BE-së.

Duke vlerësuar këtë shfaqje dhe rolin e Hekubës, shkrimtari, regjisori dhe përkthyesi grek Ahilea Kiriaqidis, shprehet: “U emocionova me të vërtetë nga tragjedia e antikitetit,ashtu siç e dëgjova dje në mesa vajeve dhe këngës së dasmës nga Shqipëria, si dhe me vargje nga Kavafi e Seferi. Interpretime të nivelit të lartë nga ana e aktorëve.Kush përjetoi eksperiencën tronditëse teatrale, nuk do të harrojë kurrë Hekubën e Rredhit, teksa ndërronte njëmijë fytyra dhe njëmijë shprehje të fjalës, kur vajtonte, ose mallkonte, ose kur shtronte planin e hakmarrjes”.

Ndërkohë, me nota të larta vlerësimi u shpreh edhe gazetari i njohur grek, Niko Dilavera. Sipas tij, “Në rolin e Hekubes, aktorja Vefi Rredhi, jep me interpretim cilësor, pathos dhe ndjeshmëri, emocionet e rënies nga vajtimi në shpresë, nga shpërthimet emocionale në “diplomacinë”e logjikës,nga dëshpërimi në hakmarrje të mbretëreshës së dërrmuar, me një mënyrë interpretimi,që të rrëmben”.

 

Filed Under: Featured Tagged With: festival, Hekuba, sarajeve, Vefi Redhi

Silva –emri më i dashur i një profesioni të vështirë……

February 22, 2014 by dgreca

Intervistë ekskluzive me Silvana Bracen/

Gjithmonë jemi mësuar ta shohim sharmante intuitive, befasuese, spikeren që rrëzoi kornizat e kohës, prezantuesja e qeshur që zbukuron ekranin, artistja shqiptare që solli erë të re prezantimi në skenën  e Teatrit të Operas e Baletit, në Koncertet e dekadave të Majit, shfaqjet televizive e dhjetra e dhjetra aktivitete artistike me taban kombëtar e historik në Atdhe e Diasporë. Është një nga figurat femërore dhe intelektuale nga më të dashurat e të admiruarat në  artin e kulturën shqiptare për kontributin e saj shumëdimensional në harmoni relative të plotë me lirinë e shprehjes dhe dhuntisë të talentit e profesionalizmit të saj, përfaqësimit me dinjitet të binomit “Artist & Njeri! Cdo njeri ka  ëndrra dhe shpresa që reflektojnë besim të thellë e të patundur ndaj  forcës individuale e të inteligjencës, për të ndryshuar jetën dhe botën. E tillë është Silva në ekran dhe në jetën e përditëshme. Eksperiencat e tyre e kanë inkurajuar dhe ripërcaktuar pasionin dhe talentin të përballet me sfidat e pengesat e tyre, dhe  Silvana ka zbuluar se me vullnet, punë e dëshirë gjithcka është e mundur dhe e arritëshme. Në këtë intervistë prezantuesja e talentuar dhe mirënjohur Silvana Brace, rrëfen gjurmët e të shkuarës e së ta tashmes, jetësoren e artistiken dhe kush janë dashuritë e saj. Për më shumë ndiqni bisedën…

Bisedoi: Raimonda MOISIU

-Znj.Silvana, jeni një nga “show-girl” (moderatoret) shqiptare, më të admiruarat e të kërkuarat në shfaqjet televizive dhe në komunitet. Cilat janë kontaktet tuaja të para me botën e Shoë-t dhe medias televizive?

Më entuziazmon vlerësimi juaj. Ju faleminderit! Kontaktet e para me median vizive i përkasin fillim viteve ‘80. Ishte koha kur si adoleshente nisa të flas në mikrofonin e Radio Tiranës e shumë shpejt u gjenda edhe në studiot e Televizionit Shqiptar. Programet e Radios ku unë merrja pjesë ishin për fëmijë dhe të rinj, ndërsa ato të TV ishin për muzikën. Kalimi përmes Radios në TV edhe sot konsiderohet si mënyra më mirë për të siguruar suksesin, pasi përvoja radiofonike ka të bëjë me të folurën që është thelbi i komunikimit edhe për TV. Menjëherë u ngjita edhe në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë që ishte më e rendesishmja për kohen ku prezantova disa koncerte në dekadat e Majit, një aktivitet i përvitshëm dhe mjaft i ndjekur nga publiku. Pra, vite me një intensitet ngjarjesh dhe emocionesh, pikërisht në moshen më delikate  kur më duhej të projektoja profesionin e së ardhmes. Tashmë, ai ishte lehtësisht i perceptueshëm.

– Fillimet e karrierës tuaj a konsideroheshin thyerje e tabuve, për mentalitetin e kohës?

Jo, nuk ishte thyerje e tabuve perfshirja në jetën e TV, sepse vitet ’80 – ’90 nuk janë një periudhë kaq e largët. Unë jam e lindur dhe e rritur në Tiranë ku TVSH  ka hyrë shumë më herët, që në vitet ‘60 dhe femrat e ekranit që unë kam gjetur aty kanë qenë modele përsosmërie, të përzgjedhurat e shoqërisë. Pra s’ka patur vend për paragjykime përsa i përket TV-së.

– A mund të na përshkruani momente nga eksperienca juaj?  Si jeni ndjerë kur keni moderuar për herë të parë dhe cila shfaqje televizive është e para?

Po nis nga fundi i pyetjes tuaj. I pari ka qenë  programi ”Nga kënga në këngë”. Unë solla aty rubrikën me intervista të teleshikuesve për dëshirat e tyre muzikore, një formë e re kjo që përkoi me nisjen e udhës  time në TV. Fillimi ishte më i thjeshtë për shkak të moshës, ose, se nuk isha e ndërgjegjshme për dimensionin e profesionit që po fitoja, kështu që nuk kisha emocione apo frikëra. Kujtoj reagimin në mjediset e TV pas transmetimit të këtij programi. Thoshin, se isha e lirshme, interesante dhe veçonin buzëqeshjen, jo si ndonjë vlerë, por thjesht  ju bënte përshtypje, ngaqë, ndoshta, nuk ishin të mësuar me këtë lloj komunikimi. Deri atëherë  prezencat televizive ishin shumë serioze. Nisën kështu komentet e para e si dashur, pa dashur dhe lëvdatat, ndërsa dalje pas dalje mua po më pëlqente gjithmonë e më shumë TV. Tani po vinin frikërat… Më duhej ta mbaja patjetër trofeun e fituar pa mund e sforco, por që donte sakrifica dhe dedikim të jashtëzakonshëm për ta ruajtur.

4-Si ju lindi mendimi se ka ardhur koha për të qenë moderatore në një shfaqje? Si morën udhë projektet tuaja në këtë drejtim?

Në fakt s’më ka lindur mua idea për të moderuar, por autorëve të programeve TV si Ylli Pepo, Vera Grabocka, Osman Mula, Albert Minga, Leonard Gjata, Ilir Bega, etj. Pra moderimi i spektakleve nuk ka qenë një kërkesë imja, por më është ofruar kaq lehtesisht dhe natyrshëm. Ky ështe gjithmonë fillimi, se më pas kam ndenjur edhe pa gjumë për të arritur diku. Por ka mbetur deri këtu, gjithmonë duke pritur çastin fatlum, jo duke bërë luftra, përjashtuar ose zëvendësuar për të arritur aty. Dhe më ka mbetur kjo edukatë edhe në ditët e sotme ku morali është tjetër në botën e egër të shoëbizit. Pas një eksperience dhjetë vjeçare unë u bëra dhe autore e programeve të mia në TVSH, ku rendis qindra emisione në studio dhe disa dokumentarë e portrete artistësh.

-A ka ndonjë dallim mes moderimit të një shfaqje në skenë dhe asaj televizive? Janë këto të lidhura me njëra – tjetrën? Çfarë lloj trainimi keni pasur?

Po, mendoj, se ka dallim moderimi në skenë me atë në TV. Komunikimi me kamerat e ftohta televizive, ose me publikun gjithë jetë  në sallë janë dy situata të ndryshme që patjetër do influencojnë në gjendjen emocionale, kështu që të përshtatesh duhet fantazi dhe forcë shpirtërore edhe përvojë, padyshim të cilat vendosin drejtpeshimin e dëshiruar. Për të komentuar rreth moderimit në një shoë do t’ju ftoja të meditoni. E keni degjuar sa shpesh thuhet që… skena është e shenjtë? Mundohuni ta zbërtheni mesazhin. Për mua do të thotë që skena është për artistët, dmth në rastin e moderimit mund ta marrë përsipër këtë rol dhe gazetari edhe një miss, por duhet që patjetër  të veshë petkun e artistit. Nqs ky nuk i rri, suksesi nuk do jetë i sigurt, apo për shumë kohë. Moderatori në një spektakël, si ndërmjetës i publikut me protagonistët duhet të jetë në harmoni me atmosferën në përgjithësi, me pritshmërinë artistike ndaj ai duhet të zotërojë dhe të përcjellë emocion, ti japë fjalës peshën dhe bukurinë e artit edhe prezencës së tij, po ashtu, hijeshinë e artistit që me gjithë hyrje-daljet e shpeshta në skenë, moderatori të jetë i mezi pritur  dhe kënaqësia e pandalur në çdo rast. Sa për trainimet, s’kam patur ndonjëherë, përveçse  eksperiencën në TV. Kam mësuar nga gabimet e mia, dmth duke punuar, duke nxënë këshillat e profesionistëve dhe duke vrojtuar me shumë kujdes veten e të tjerët si në televizionet tona dhe ato të huaja. Kam qenë dhe jam kritikja më e rrezikshme ndaj vetes, kështu që vazhdimësinë ja dedikoj publikut dhe artistëve të TV që më kanë pranuar dhe inkurajuar që në ato fillime.

-Sa i vështirë është realizimi i standarteve? Ku jeni të fokusuar më së shumti me ato?

Çfarëdolloj standartesh të jenë përcaktuar ose mësuar ato kanë të bëjnë me dukjen, me formën, ndërsa esenca në një marrëdhënie artistike është vetëm ndjenja, dmth e vërteta që ngjall besim dhe adhurim më pas. Ky është talenti që të përfshin në lojën e bukur të ndjenjave dhe krijon atë lidhje fantastike e të pandashme të publikut me artistin e vet. Vetëm me një sensibilitet të dallueshëm artistik dhe bukuri shpirtërore mundet që të tërheqësh një masë aq të madhe njerëzish, siç është publiku i TV-së. Patjetër,  kjo dhuratë nga lindja duhet ushqyer e rritur edhe me dije të tjera për të qenë e pakontestueshme, e përjetëshme, dmth  pa kohë dhe modë.

-Falë kujt ka ardhur ngritja cilësore e niveli professional i juaji, cilës fushë profesionale ju i përkisni dhe a kishit eksperiencë më parë në median elektronike?

Rritja cilësore dhe profesionale, besoj të ketë ardhur sajë punës së përditëshme, e bërë kjo me përkushtim dhe me shumë sinqeritet, një punë e pastër si për vete, që ka merituar të ndahet me miliona teleshikues. Pra, TV ka qenë shkolla dhe praktika ime. Studimet e larta i kam kryer në Fakultetin e Ekonomisë, dega Financë në Universitetin e Tiranës, por me TV kisha nisur që në shkollën e mesme dhe me artin isha takuar që në moshën 7 vjeçare kur ushtrohesha si balerinë. Pra kam ecur në dy rrugë njëkohësisht. Zemra tek arti, mendimi tek shkenca dhe rezultati është ky produkt që shikoni. Shpresoj të mos kem gabuar.

-Cili është keqkuptimi më i zakonshëm në lidhje me profesionin tuaj? Çfarë “mëkati” i njihni vetes?

Nganjëherë, ose për dikë duken të pa-arritshëm njerëzit e TV, por nuk është gjithmonë kështu. Ka ndodhur dhe me mua që më kanë paragjykuar, por me kënaqësi tregoj se unë bëj pjesë tek më miqësorët, falë natyrës time tepër të dashur. Më pëlqen shumë komunikimi me njerëzit, shkëmbimi i ideve dhe përvojave. Dëgjoj me vëmendje dhe flas me pasion. Nuk mund të jetoj pa këtë relacion. Qoftë edhe një buzeqeshje, a përshëndetje është çast i jetuar bukur për mua. Në këto mijëra njohje e bashkëveprime të përditëshme më zbavit dhe inspiron zbulimi i karaktereve interesantë dhe i mençurisë  popullore, të cilat nuk mund ti gjesh nëpër skena e podiume, por të virgjëra ato i gjen vetëm  pranë tokës. Miqësitë e mia janë pikërisht këto, të zbukuruara jo nga luksi e salltaneti, por nga sinqeriteti dhe respekti. Artistët që ngrenë mure, ose hyjnë në kafaz nuk e di se ku e gjejnë frymëzimin, larg nga thjeshtësia që në të vërtetë përmbledh gjithë filozofinë e të jetuarit dhe të krijimtarisë, po ashtu. Mëkat! Ende s’di të kem ndonjë të tillë në jetën time profesionale, ndërsa në jetën private, ndoshta, po. Kam bërë mëkat me veten, e kam gjykuar rëndë dhe e kam privuar nga shumë kënaqësi të kësaj jete. Natyrës time me autokontroll të theksuar iu shtuan dhe prangat e famës, kështu që në njëfarë mënyre jetën ua fala të tjerëve, opinionit dhe publikut. Kur bëj analizën e viteve më rezulton se s’ka qenë kjo, më e mira mënyrë për të jetuar, por …..kur kujtoj sodisfaksionet e panumurta që më kanë falur familja, profesioni dhe miqtë, në këtë përpjekje të gjatë për tu bërë njeri dhe artiste, nuk do preferoja një tjetër jetë.

-Mendoni se gjatë këtyre viteve të aktivitetit tuaj moderues nën drejtimin tuaj keni jusifikuar jo vetëm përkushtimin, por edhe mesazhin që dëshironi të transmetoni nga ekrani në familjet e bashkëkombasve tuaj.

Patjetër e kam arritur këtë. Gjithë prezenca ime në ekran është një mesazh. Fjala, sjellja, paraqitja, bashkëbisedimi, përjellin, besoj, paqe, shumë dashamirësi dhe atdhedashuri njëkohësisht. Shpesh më kërkojnë intervista, të flas në ekran për veten, fenomene ose probleme të ndryshme, por e kam të vështirë të shprehem në mënyrë tjetër me teleshikuesit, përveçse me atë që di dhe jam mësuar, me gjuhën e prezantueses ku përmes mjeteve dhe elementeve ndihmëse të artit unë tregoj në ekran pikërisht modelin që vetë e pëlqej dhe e përfaqësoj. Pra më ka mjaftuar hapësira televizive që unë kam patur për të realizuar dhe atë ndjesi të natyrshme njerëzore që është komunikimi dhe përcjellja e mesazhit, e ideve dhe mendimeve të tua tek të tjerët, ose tek pasardhësit.

-Cilat janë raportet me stafin e SHOW TVdhe funksionit që ju keni në këtë program?

Si pjesë e një stafi ShoëTV, patjetër që falë përvojës, kam një vend të respektuar. Përgjithësisht, artistët me të cilët kam punuar kanë patur një besim absolut tek aftësitë dhe serioziteti im në punë. Ndonjëherë dhe më kanë rënduar duke mi lënë të gjitha në dorë me idenë që ia dal. Nuk  do ankohesha kurrë për këtë, pasi e konsideroj vlerësim të kolegëve, të cilët gjej rast ti falenderoj përsëri, ndërkohë që unë kam përfituar, të realizoj çfarë më së shumti më ka pëlqyer, zotërimin deri në detaje  të veprës ku vetë jam pjesë.

-Çfarë ju pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen në lidhje me TV? Cili është reagimi dhe mbështetja e komunitetit për shfaqjet të moderuara nga ju?

Në lidhje me TV si mjet komunikimi më pëlqen gjithçka. Sa për shfaqjet ku unë kam moderuar mbështetja ka qenë maksimale, se kanë qenë shfaqje të bukura dhe me vlera. Edhe për pjesën time si prezantuese më kanë përshëndetur qoftë në programet e studios së TV edhe në shoë-t e mëdha nëpër  pallate koncertesh e stadiume. Edhe në diasporë kam qindra koncerte ku mikpritja e publikut është një kujtim i pashlyer në ndërgjegjen time. E kam kuptuar se në ato skena kanë duartrokitur jo thjesht  për mua, por për Shqipërinë tonë dhe më kanë përfshirë në detin e thellë të emocioneve ku malli për vendlindjen është zhurma e përherëshme e valëve të tij. Përvoja dhe dashuria pakufi për shqiptarët dhe Shqipërinë më kanë ndihmuar të dal në breg dhe të kryej me sukses misionin në këto raste.

-Na përshkruaj një Shoë TV. Çfarë bëni ju për të tërhequr audiencën e teleshikuesve?

Oh, koha e përgatitjes për një shoë TV është më e vështira për mua. E përjetoj disa herë të tërë shfaqjen, nga kreu në fund dhe e kap veten duke mërmëritur tekstin ose trupin duke mu dridhur nga emocionet sikur jam në skenë. Është një punë që e bëj me gjithë shpirt dhe me shumë përgjegjësi dhe këtë jo vetëm në emër të audiencës, por se kështu unë realizoj veten. Jam një kërkuese e palodhur e s’ndalem deri tek e përsosura. Perfeksioni është sëmundja që më stërmundon dhe s’më lë një çast të qetë. Gjithë jeta ime është një vibracion i pandërprerë përjetimesh artistike. Kur më shihni në skene dijeni… jam e lumtur.

– A e shihni rolin tuaj efikas jo vetëm në anën komerciale të tij por edhe atë të integrimit të kulturës shqiptare në Shqipëri e jashtë saj?

Patjetër që është efikas edhe në anën komerciale ky profesion. Jam vlerësuar herë pak e herë shumë, por në fund rezultati është i kënaqshëm. Ndërsa, përsa i përket kulturës shqiptare jashtë,  roli im në këtë pikë është modest. Megjithatë, ai pak publik i huaj që ka ardhur në koncertet tona nuk është kursyer të shprehet me simpati dhe kompliment. Vlerësimi më i madh ka qenë për gjuhën. Ju është dukur shqipja shumë e bukur dhe e kanë kuptuar atë, dmth e kanë ndjerë përmes melodicitetit, intonacionit, mimikës, etj. dhe këtë e kam marrë si një kompliment edhe për veten.

– Përveçse si një Show-girl, çfarë talenti tjetër keni shpalosur?

Asnjë tjetër. Thonë që vallëzoj bukur….edhe që shkruaj bukur…

– Një moment i vështirë i juaji gjatë moderimit?

Nuk kujtoj ndonjë tepër të vështirë, ndërsa çaste të vogla ka gjithmonë, harron ndonjë emër, të këputet sandalja, pengohesh nëpër shkallë, nuk e ke skenarin gati, nuk funksionon fonia e të tjera. Por, duke patur besimin në vete dhe në atë që bën, arsyetimin dhe përgatitjen e duhur,  marrëdhënien e afërt me publikun, atëherë ti zotëron atë ekuilibër që tejkalon çdo të papritur. Në fund të fundit gabimi është njerëzor e shpesh përmes lojës artisti e kthen në favorin e vet. Dikur ka qenë problem gabimi në skenë, se përjashtoheshe, por unë përgatitesha shumë përmendësh, madje ende ma kujtojnë memorjen si një cilësi të veçantë. Kështu kam dalë nga situatat e vështira në jetë duke u përshtatur dhe duke i zgjidhur ato në mënyrën më të mirë të mundëshme.

-Një moment mbresëlënës? Kë dëshironi të falenderoni për realizimin e ëndrrës tuaj si Show-girl?

Mbresat janë të panumërta në këtë udhëtim fantastik në universin e artit. Mund të bëhet një libër i madh me to, por unë asnjëherë s’pata kohën e mjaftueshme ta shkruaj atë. Tani që ju më pyesni nuk e kam të lehtë, por po nis me impresionet më të freskëta që më krijoi prezantimi në Tiranë i Ansamblit Mirdita. Pasuria e traditës, këngët, kostumet, instrumentat muzikor, vitaliteti dhe autenticiteti i mirditorëve më mahnitën. Gjithçka tregonte për shqiptarë të vjetër sa toka, një popull i stërlashtë që trashëgon mençuri dhe krenari. Kjo e fundit më pushtoi dhe mua. Ndërsa Vitin e Ri 2014 e prita në Londër mes bashkëatdhetarëve tanë. Ishte një mbrëmje madhështore, organizuar nga një djalë pukjan, Agron Xhauri, i cili lokalin e tij atje e kishte quajtur Tirana dhe e lexonte kushdo emrin e kryeqytetit tonë në mes të Londrës. Imagjinoni ndjesinë që provon në këto raste dhe mirënjohjen që ke për këta shqiptarë të shkëlqyer që mëmëdheun e marrin me vete. Unë shkova të çoja një copëz Shqipëri, por Shqipërinë e gjeta atje në këngët e vallet, në mikpritjen karakteristike, në gjuhën tonë të bukur që e flisnin të gjithë edhe fëmijët.  Po kthehem në kohë tek Festivalet e këngës në RTV. Për mua që gjithë jetën jam marrë me muzikën në TV prezantimi aty ka qenë pika më e lartë e karrierës dhe mendoj, ka qenë kostumi më i bukur që më është veshur ndonjëherë. Për ditë të tëra kam jetuar si në një sferë magjike, mbështjellë me fije arti, mes tingujve, dritave, poezive dhe zërave hyjnore, mes më të shquarve të këngës shqiptare. Ata këngëtare, kompozitore, poete, instrumentistë, dirigjente kanë thurur kurorën të cilën un kam patur fatin ta  mbaj në duart e mia për mëse tri herë në historinë e 52 festivaleve.Të tjera mbresa… Miss Albania është një spektakël ku gjithashtu kam qenë pjesë e moderimit ose jurisë për më se tri herë. I paharruar është për mua dhe sezoni TV “Koha në pentagramin tim” ku veçoj si çaste fatlume takimet me emrat e shndritshëm të artit tonë muzikor si Çesk Zadeja, Tish Daia, Pjetër Gaci, Kujtim Laro…Vazhdimësia e gjatë në skenë dhe TV ka bërë të jem pranë e të prezantoj edhe Vaçe Zela, Gaqo Çako, Limoz Dizdari, Agim Krajka, Aleksandër Lalo, Anita Take, Fitnete Rexha, Naile Hoxha, Luçie Miloti, Ibrahim Tukiqi…  emra që përbëjnë  fondamentin e artit tonë muzikor. Por talenti i popullit tonë është i pashtershëm dhe në këtë udhëtim me muzikën unë kam intervistuar e bashkëpunuar thuajse me gjithë eminencën tone artistike si Inva Mula, Ardit Gjebrea, Irma Libohova, Manjola Nallbani,Elsa Lila, Aurela Gaçe,Gjergj Leka, Sabri Fejzullahu, Kastriot Tusha, Gili, Mihrie Braha, Aida dhe Armend Rexhepagic, Adelina Ismaili, Parashqevi Simaku, Gëzim Nika, Eli Fara, Shkurte Fejza, Shyhrete Beluli, Ilir Shaqiri, Merita Halili, Bujar Qamili, Artola Toska, Poni… e është i pafund vargu i artistëve me të cilët kam ndërtuar filmin e jetës time në skenë dhe ekran. Besoj e kuptuat që një falenderim e mirënjohje të madhe e kam pikërisht për këta yje që kanë ndriçuar edhe për mua.Edhe dy raste të veçanta desha të rendis: Ana Oxa dhe Xhim Belushi. Anën e adhuroj si artisten më të shkëlqyer të skenës italiane dhe kam patur fatin ta prezantoj në Zyrih ku u vlerësua, si një nga shqiptarët që ka bërë famë në botë, me çmimin Skënderbeu në spektaklin e realizuar në vitin ’97. Ndërsa Xhim e kam takuar dhe intervistuar në Tiranë në ardhjen e tij të parë në vendin e origjinës  në ‘95 ku pas admirimit që kisha për të si aktori më i mirë amerikan, për mua, u shtua dhe vlerësimi për personalitetin e spikatur. Ai ishte një djalë tipik shqiptar që me sportivitetin, modestinë dhe thjeshtësinë e komunikimit më la një gjurmë të pashlyer, sikur e kisha njohur një jetë.Janë të shumta kujtimet, por s’mund të lë pa cekur edhe një kuptimplotë, prezantimin në Kosovë të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në turneun e vitit ‘96 që tashmë e konsideroj si një medalion të artë në karrierën time. Publiku ishte i zjarrtë, i mbërthyer nga emocionet e mallit të madh për vëllezërit e ndarë padrejtësisht në dy anët e kufirit dhe ishin pikërisht këta artistë emblematikë të AKVP nga ato, të pakta pika takimi që kishin mbajtur ndezur  flakët e shpresës, që kishin ruajtur te zgjuar ëndrrën, se një ditë do të ishim përsëri bashkë. Aty bëja pjesë dhe unë sepse përmes valëve të TVSH kisha arritur të hyja në familjet e Kosovës dhe përfaqësoja për ta një pjesë shumë të rëndësishme të Shqipërisë, buzëqeshjen, rininë dhe besimin se duhemi.E pra, një jetë e kaluar përmes kaq shumë emocioneve, kontakteve, kujtimeve, kënaqësive duke prekur vetëm maja, një jetë që të fisnikëron, pasuron dhe përsos.

– Në opinionin tuaj si artiste me prirje të forta qytetarie, intelektuale e talenti, a ka ndonjë konfuzion që ndikon në marrëdhëniet njerëzore dhe në marrëdhëniet mes kulturave të tjera ballkanike e europiane, përsa i përket muzikës?

Jo, s’ka asnjë konfuzion. Kultura jonë ka një fizionomi tepër të qartë, origjinale, të papërsëritshme dhe të pangatërrueshme me asnjë tjetër. Ndërhyrjet fragmentare ose të përkohëshme të kulturave fqinje, unë nuk i keqkuptoj dhe as e ekzagjeroj rrezikun e tyre. Ato janë të natyrshme sikurse gjithë marrëdhëniet e tjera njerëzore, ne japim e marrim me njëri tjetrin. Unë besoj fort tek vlerat tona dhe krenaria s’më lejon të paragjykoj traditat dhe kulturat e popujve të tjerë, përkundrazi unë pëlqej dhe përshëndes gjithçka të bukur që shoh përreth, por duke e dashur me gjithë zemër gjuhën dhe trashëgiminë tonë do të doja që në vend të fjalëve të vazhdonim pasurimin e kësaj kulture, të këtij thesari që bujarisht na e kanë dhuruar gjysh, stërgjyshët tanë mijëvjeçarë. Dhe po ndodh në fakt, megjithë pretendimet dhe pakënaqësitë tona arti shqiptar po njeh rritje dhe suksese, madje edhe ndërkombëtare sajë talentit dhe energjisë së jashtëzakonshme edhe të brezit më të ri.

-Si nënë, bashkëshorte, intelektuale dhe artiste, si ndiheni kur dëgjoni për krimin në familje, apo veset e tjera që kanë përfshirë një pjesë të komunitetit, sikundër droga e krimi? Dhunë ndaj gruas? Si mund të reflektojë shoqëria shqiptare për lehtësimin e këtyre plagëve?

Jam tepër e ndjeshme ndaj këtyre problemeve dhe aspak e përjashtuar nga këto rreziqe, pasi jam pjesë e kësaj shoqërie. Do theksoja se këto s’janë vetëm problemet tona, por të botës mbarë. Unë do dëshiroja të zhdukja nga rrënjët sidomos dhunën, se më duket fare e papranueshne për kohët moderne, por edhe se mendoj që njerëz të dhunuar fizikisht apo psikologjikisht bëhen pre e drogës, e vrasjeve dhe vetvrasjeve. Nëse i hyjmë analizës, burimi do të jetë edhe më tutje, tek varfëria e papunësia, por jo në pak raste dhe tek genet e shtrembëra dhe injoranca në kuptimin e mungesës së shkollës dhe edukatës familjare. Sa mund të ndihmoj unë për këtë? Përveçse duke dhënë modelin tim të tolerancës, respektit, paqes dhe dashurisë në familjen time dhe tek miqtë e dashamirët që më rrethojnë, deri tani nuk kam patur asnjë iniciativë publike. Edhe për këtë çështje, siç më parë thashë, nuk do të preferoja fjalët apo mëshirën, por strategji dhe veprime konkrete. Roli im është si një pikë uji në oqean, po guxoj të citoj Nënë Terezën dhe unë nuk  kursehem për këtë, ndërkohë  jam e gatshme që sa herë shoqëria të më kërkojë, të jap më tepër nga vetja.

– Kush është Silvana Braçe? Çfarë është dashuria për ju? Kur e ndjen një grua se është e dashuruar? A keni shkruar ndonjë poezi dashurie?

Së pari jam nënë. Im bir, Fatjoni është kryefjala e jetës time. Përkujdesjet dhe dashuria për të kanë zaptuar pjesën më vitale timen. Jam bashkëshorte dhe më duhet të investoj e sakrifikoj për të ruajtur familjen dhe jam bijë me vëmendjen dhe preokupimin e natyrshëm për prindërit. Por jam dhe mike e shumë njerëzve që i dua me zemër, jam edhe prezantuese programesh televizive…Çfarë është dashuria…? Unë jetoj për dashurinë. Ajo bën dallimin me gjithçka tjetër që ekziston në këtë botë, është thelbi i egzistencës tonë si njerëz. Të tjerat vijnë më pas. Dashuria është himni, është kënga e jetës në këtë planet që s’do të ndalet derisa të jemi ne. Poezi për dashurinë!!! Jo nuk kam shkruar, se nuk  kam prirje për poezi, por e kam jetuar dashurinë si një poezi.

-A i keni mbledhur “Shfaqjet” që ju keni moderuar në DVD?

Jo, nuk i kam mbledhur programet e mia, se në ritmin e vrullshëm s’kam gjetur kohë të merrem me veten, pra me krijimin e një arkivi personal. Kam mijëra foto dhe regjistrime të TV që dhe po të dua, nuk i sistemoj dot më, se është një punë voluminoze, thuajse e përditëshme në 30 vite Ndoshta arsye e kësaj neglizhence ka qenë dhe mungesa e vetvlerësimit, ose edhe pse kam menduar shkurt, që do mbetem e njejtë, e pandryshuar, prezantuesja përgjithmonë. Kësaj i thonë të mos kuptosh që vitet  kalojnë, por të jetosh me aspirata e shpresa përherë të pashuara.

-Projektet tuaja në të ardhmen? Çfarë iu ka mbetur peng?

Projekte kam, të ofruara dhe të miat, të cilat shpresoj të marrin jetë së shpejti. Peng kam një rol, sado të vogël në një film. Është një dëshirë naive, e di, por ja që ai fëmija brenda shpirtit nuk u rritka asnjëherë e kështu unë luaj shumë edhe me veten. Pra jam një ëndërrimtare e pandreqshme që nga fëmijëria, gjë që më jep mundësi të shkëputem herë pas here nga realiteti dhe me lodrat e mia të jetoj bukur për disa çaste.

– Mesazhi juaj për inteligjencën e shoqërisë shqiptare sot….

Besoj që inteligjenca në shoqërinë tonë po e kryen me sukses misionin e saj, si një paraprijëse në gjithë zhvillimet. Ajo është aktive dhe prezente  në gjithë pikat kulmore ku kërkohen lider të mendjes dhe gjykimit. S’po flas për ekselencën shkencore, artistike dhe të biznesit shqiptar që po shkëlqen nëper  botë. Pra, s’ka vend për mesazhe nga unë, por vetëm për admirim dhe mirënjohje per inteligjencën tonë, për kontributin e vyer që ajo po jep në emancipimin, përparimin dhe lartësimin e nivelit të shoqërisë dhe kombit tonë.

Ju Faleminderit!

Ishte kënaqësi Raimonda të bashkëbisedoja me ju, një zonjë e paepur, që dhe pse larg mëmëdheut, nuk e humbët lidhjet.

Bisedoi:Raimonda MOISIU

Filed Under: Featured Tagged With: Interviste, me Silvana Brace, Raimonda Moisiu

Kroacia përkrah Kosovës, Hoxhaj takon presidentin Josipovic

February 22, 2014 by dgreca

Nga B.Jashari/.-Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka vazhduar vizitën e tij në Kroaci, ku është takuar me presidentin e këtij vendi, Ivo Josipovic.Nga ana e tij, presidenti kroat Josipovic ka konfirmuar mbështetjen, duke thënë se Kroacia është në anën e Kosovës dhe do të jetë zë i fuqishëm në organizatat rajonale, evropiane e botërore, bëhet e ditur sot nga Zagrebi, në njoftimin e sapodërguar të MPJ-së kosovare.

Në këtë takim, Hoxhaj ka falënderuar presidentin për përkrahjen e vazhdueshme të Kroacisë si dhe e ka njoftuar me zhvillimet dhe progresin në Kosovë. Njëherësh janë pajtuar njëzëri për të vazhduar bashkëpunimin edhe më intensivisht veçmas në sferën e ekonomisë dhe tregtisë.

Pas takimit, Hoxhaj ka deklaruar se presidenti Josipovic mbetet një mik i madh i Kosovës dhe me të kanë diskutuar për të bashkërenduar dhe shtyrë përpara vendosjen e një partneriteti strategjik.

“Kisha një takim shumë të mirë me presidentin Josipovic. Presidenti kroat është një mik i madh i Kosovës, ndërsa dihet që Kroacia dhe Kosova kanë një bashkëpunim pothuajse historik për disa dekada me radhë, mirëpo pas anëtarësimit të Kroacisë në BE dhe pas konsolidimit të shtetit tonë të pavarur dhe sovran, shtrohet pyetja se si të kemi një partneritet më strategjik ndërmjet vendeve tona. Nga presidenti kroat mora mbështetje të plotë që Kroacia do ta mbështetë Kosovën në axhendën integruese evropiane, në anëtarësimin në organizata dhe investitorët kroatë do të jenë më të pranishëm në Kosovë”, ka thënë Hoxhaj.

Në kuadër të vizitës në Kroaci, shefi i diplomacisë kosovare ka mbajtur edhe një ligjëratë në Akademinë Diplomatike të Kroacisë, para një numri të madh të ftuarish, përfshirë ambasadorë, diplomatë, politikanë e akademikë.

Gjatë ligjëratës, Hoxhaj ka folur për integrimin evropian dhe fqinjësinë konstruktive në Evropën Juglindore

Filed Under: Featured Tagged With: Hoxhaj, kroacia perkrah Kosoves, takon presidentin Josipovic

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 726
  • 727
  • 728
  • 729
  • 730
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT