• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NGA HISTORIA E VATRES- GREKET E AMERIKES PERDOREN FENE PER TE PERCARE SHQIPTARET

February 1, 2014 by dgreca

Në sesionin e dytë dhe te fundit, Këshilla Kombëtare aprovoj ndihmën e Vatrës prej 5,000 dollarësh për Pëshkopatën Shqipëtare të Boston-it që t’u bënte ballë propagandave të Grekëve të cilet përdorjin fenë për të ndarë Shqipëtarët më dysh dhe të copëtojin Shqipërinë…./

Nga Refat Xh. GURRAZEZI/

 …Javën e fundit të Janarit 1919, gazetat greke të New York-ut botuan një lajmë nga Athina që thosh se ushtëria greke hyri në Korçë, Permet, Delvinë, Frashër dhe vise të tjera te Shqipërisë së Jugës. Për atë shkak, u-thirr me telegram Komisioni i Vatrës në një mbledhje të posaçme me 30 të muajit që bisedoj mi sulmin e ri te Grekëve kundrë Shqipërisë, dhe se ç’munt të bënte Vatra n’atë krizë të re per Shqipërinë.

Më parë se të mblidhej Komisioni, Vatra hoqi një kabllogram në Romë dhe pyeti se ç’ish mendimi i guvernës italiane për rizaptimin e atyre viseve të Shqipërisë prej ushtërisë greke? Përgjigjia u-vonua, koha nuk priste dhe duheshin marë masat e nevojshme. Vonimi i përgjigjjes e vuri në dyshim Vatren dhe humbi besimin e saj në politikën e Italisë. Vatra desh të bënte qarje në Konferencën e Paqës në Paris kundrë Greqisë, po u-ndal shkaku se një protest i atilë munt të shkelte vëndimin e kuvendit të funtime që thosh se “duhet të jemi në mareveshje te mira me Qeverine Italiane.” Me ne funt, passi e shoshiti miaft çështjen, Komisioni vëndosi që të thirrej Këshilla Kombëtare në një mbledhje te posaçme për t’i dhënë funt atij problemi. Mbledhja e Këshilles u-vëndos të mbahej të Martën me 4 Shkurt, pesë ditë pas mbledhjes së Komisionit.

Me 27 Jenar 1919, u-raportua vdekja e Ismail Qemal Be Vlorës në Peruza t’Italisë. Zyrtarët e Vatrës, mbledhur të gjithë në zyrën e saj, u-ngritnë më këmbë dhe qëndruan dy minuta në heshtje si shenjë hidhërimi dhe zie për kujtim të tij. Vatra ngushëlloj me kabllogram Hetem Qemal Vlorën n’Itali për vdekjën e atit tij, i cili ngriti Flamurin Kombëtar në Vlorë me 1912, shpalli independencën e Shqipërisë dhe u-qojt Babaj i Kombit…Me 4 Shkurt u-mbloth këshilla Kombëtare në zyrë të Vatrës, e thirrur me telegram se koha nuk priste. Mbledhja e Këshillës vazhdoj dy ditë, dhe mbajti pese sesione. Këshilla Kombëtare kish fuqin’e kuvendit, dhe caktonte politikën e Vatrës.

Pasi u shtruan për bisedim sulmi i ushtërisë greke në Shqipërin’ e Jugës dhe dyshimi i Komisionit të Qendrës mi politikën e qeverisë italiane kundrejt Shqipërisë, Këshilla vëndosi qe Vatra të vazhdonte politikën që caktoj kuvendi, gjer sa të kthjellohej mirë ajo çështje dhe të mos mbetej shkak për dyshim.

N’atë mbledhje u-leçitnë disa raporte diplomatike të delegateve të Vatrës n’Evropë dhe n’Amerikë. Dr. Mihal Turtulli, delegat i Vatrës në Svicrë, thosh në raportin e tij shkakun se përse ay nuk bashkohej me dekllaratën e Genevës të nënëshkruar nga 13 Shqipëtarë më 12 Tetor (1918) – natyrisht njerës me shumë a pakë zotësi si politikanë. Tekstin e dekllaratës as raportin e Dr. Turtullit nuk i kemi parë dhe s’dimë se ç’thoshin, dhe s’është çudi të kenë humbur, si shumë dokumenta të tjera historike. Kemi këtu mi këtë çështje vetëm një shenim të shkurtër të bërë nga sekretari i ahershëm i Vatrës.

Në Svicrë ish dhe Midhat Frashëri delegat i Vatrës bashkë me Dr. Turtullin, dhe në mbledhjën e Këshillës u-leçit në letrë e nënëshkruar prej të dyve. Delegatët e Vatrës për ca kohë s’ishin të lirë të vijin në Paris, ku ish mbledhur Konferenca e Paqës dhe po bisedohej fati i tërë botës; vetëm kryedelegati Mehmed Konitza udhëtonte midis Londonit dhe Parisit, ay kish miq të fortë Inglizët.

Në sesionin e mëngjesit të Këshillës, u-leçitnë dhe letrat e miqve Inglizë, të Kolonelit Aubrey Herbert dhe Zojushës Edith Durham, të cilët interesoheshin për punët e Shqipërisë aqë sa dhe çdo Shqipëtar i mirë, dhe këtë e patnë provuar me punë kurdoherë që ish nevoja për çështjen shqipëtare.

Me vendim të Këshillës Kombëtare në mbledhjen e saj, Vatra u dërgoj nga një kabllogram në Paris Presidentit Woodrow Wilson të Shteteve të Bashkuara; Georges Clemenceau, Kryeminister i Frances dhe Cairman i Konferencës së Paqës; Loyd George, Kryeminister i Bretanjës së Madhe; Baron Soninos, Ministër i Punëve të Jashtme t’Italisë, dhe Delegacies Japoneze. Vatra kërkoj prej tyre pranimin e Delegacies Shqipëtare në Konferencën e Paqës që të kërkonte independencën e Shqipërisë dhe të drejtat kombëtare të popullit shqipëtar. Delegacia shqipëtare përbëhej nga këta delegate: Turhan Pasha, Imzot Bumçi, Mehmed Konitza, Dr. Mihal Turtulli dhe Midhat Frashëri; tre të fundit ishin dhe delegatë të Vatrës.

Këshilla Kombëtare i dërgoj një kabllogram falënderimi nga an’e Vatrës Guvernës Italiane për njohjen e shpejtë të Qeverisë Provizore të Shqipërisë që u-formua në Durrës; dhe i lutej të përdorte influencën e saj për pranimin e Delegacies Shqipëtare në Konferencën e Paqës të Parisit.

Me vendim të Këshillës, të gjitha degët e Federatës Vatra dërguan nga një kabllogram në Konferencën e Paqës me anën e të cilëve kërkuan qasjen e delegacies shqipëtare n’atë Konferencë dhe të drejtat e popullit shqipëtar.

Këshilla vendosi që Fan Noli të shkonte në Paris dhe të përpiqej bashkë me delegatët e tjerë shqipëtarë për të drejtat e popullit shqipëtar. Vajtja e tij në Paris si delegat i Vatrës ish më tepër me qellim për të bërë batall propagandën e kryeministrit grekVenizellos i cili bërtiste në mes të Konferencës se “Shqipëtarët orthodhoksë janë Grekë dhe duan bashkimin e tyre me Greqinë”!

Fan Noli gjeti pengime të mbëdha, nuk mirtë dot pashaportë nga konsulli frenk për të shkuar në Paris. Vatra ngarkoj Kostë Çekrezin në Washington që të përpiqej me anë miqsh dhe të nxirte një pashaportë në Ambasadën Frenge për Fan Nolin, po që e pamundur. U-vëndos pastaj që të shkonte me anë t’Italisë, duke përdorur pashaporten italiane nga New York-u në Romë, dhe s’andejmi të vinte në Paris. Po dhe ajo nuk u-bë dot se nga Roma në Paris i duhej pashaportë frenge.

Duke parë se delegatët e Vatrës, më përjashtimin e Mehmed Konitzës, u-ndaluan të vijin në Paris, u-thirr prapë Keshilla Kombëtare në një mbledhje me rëndësi me 5 Mars 1919. Në sesionin e parë të Këshillës u-kënduan raportet e delegatëve të Vatrës n’Evropë dhe n’Amerikë, dhe në sesionin e dytë u-bisedua prapë puna e pashaportës për vajtjen e Fan Nolit në Paris.

Vatra i dërgoj një kabllogram Mehmed Konitzës në Paris, i cili kish qëndruar në Grand Hotel, dhe e pyeti se po të mos nxirej dot pashaporta për Fan Nolin, a ish nevoja të dërgonte Kostë Çekrezin në këmbë të tij? Përgjigjjen e Mehmed Konitzës nuk e dimë se nuk e kemi, dhe Kostë Çekrezi nuk vajti në Paris, këtë e dimë, kuptohet se s’qe nevoja për vajtjen e tij atje.

Këshilla degjoj më kujdes sekretarin Ndreko Stavron i cili këndoj kopjen e një memorandumi të bërë prej Zojushes Elsie Aubry e cila ja dorzojë Konferencës së Paqës atë memorandë për çështjen e Shqipërisë, dhe u-prit më duartrokitje nga anëtarët e Këshillës.

Në sesionin e dytë dhe te fundit, Këshilla Kombëtare aprovoj ndihmën e Vatrës prej 5,000 dollarësh për Pëshkopatën Shqipëtare të Boston-it që t’u bënte ballë propagandave të Grekëve të cilet përdorjin fenë për të ndarë Shqipëtarët më dysh dhe të copëtojin Shqipërinë.

Tamam një muaj pas mbledhjes së Këshilles Kombëtare, me 5 Prill u-mbloth Komisioni i  Qendrës që kqyri vepërimet e kryetarit të Vatërs dhe delegatëve të saj n’Amerikë te cilet u përpoqnë që Shqipëria t’ish nënë mandatorinë Amerikanë.

Kjo ish një punë e kottë, se Amerika s’munt të blinte belanë me para duke hyrë në punët e Ballkanit për syt’e bukura të Shqipërisë, një vënt i pashvilluar me një popull që s’kish parë qeverim të qytetëruar më parë dhe besonte në kanunin e Lekë Dukagjinit: grusht për grusht, – dhe ay që ish m’i zoti fitontë. U-fol më parë për mandatorinë italianë, po u-kuptua shpejt se po të vinte Italia dorën në Shqipëri ish shume zor që të shpetonte nga thonjt’ e saj.

Të gjitha ato manevra bëheshin nga e keqia, se u-duk sheshit që jeta e Shqipërisë si Shtet i lirë ish në rezik të math nga fqinjët e saj, gjë te cilën e kuptonte çdo njeri kur shikonte se të pakën delegatët shqipetarë nuk pranoheshin në Konferencën e Paqës të Parisit.

Eleutherios Venizelos i Greqisë dhe Nikola Pashiqi i Serbisë ishin dy diplomatë të fortë dhe armiq të betuar të Shqipërisë. Perveç asaj, ata kishin mik të fortë dhe Tigrin e Francës, George Clemenceau-n që i ndihmonte kërkimet e tyre, i cili kish zënë kyçin e punëve si Çairman i Konferencës së Paqës, dhe kish influencë miaft të madhe në qarket diplomatike. Përandaj s’duhet të nxitohemi në qertimet t’ona kundrë atyre që deshnë ta vijin fatin e Shqipërisë në një dorë të fortë të huaj për t’a shpetuar nga çakajt e Ballkanit, – e keqia bën të keqën, thotë fjala popullore.

Mbledhja e Komisionit vazhdoj dy ditë. Passi mbaruan bisedimet politike mi punët e Shqipërisë, Komisioni filloj nga veperimet mirëbërëse: ndihmuarjen e disa jetimëve shqipëtarë si ne New Bedford, Mass., dhe në Trebickë, një fshat i Vakëfeve në qarkun e Korçës.

Po çdo ndihmë nukë jepesh me sy mbyllur, kqyreshin mirë se a e meritojin atë ndihmë jetimët pastaj hapej arka e Vatrës, domethënë, diheshin se ç’kishin qenë prindërit e jetimëve. Për shëmbëll, në mbledhjen u-leçit dhe letra e një Shqipëtari që kërkonte ndihmën e Vatrës për jetimët e një njeriu nga Stratobërda, dhe Komisioni nuk e pa t’arësyeshme atë ndihmë.

Në mbledhjen e Majit 1919, Komisioni i Qendrës shikoj raportet e delegatëve të Vatrës n’Evropë, dhe e gjeti të pelqyer kthyerjën e Dr. C. Telford Erickson-it n’Amerikë nga Parisi, si pas vendimit të kolegëve të tij Mehmed Konitzës dhe Dr. Mihal Turtullit. Dr. Erickson-i qëndroj disa muaj në Paris si delegat i Vatrës; ay s’gjeti pengime nga francezët për vajtjën e tij atje se ish nënështetas Amerikan, kurse delegatët shqipetarë i ndaluan për ca kohë, me përjashtim të Mehmed Konitzës.

Muajin tjatër, pati prapë mbledhje Komisioni dhe vëndosi dërguarjen e një sume të hollash prej 10,000 dollarë me kabllogram kryedelegatit Mehmed Konitzës ne Paris. Për çdo sumë të hollash që u-dërgonte delegatëve, Vatra mirte hesap të shkoqur prej tyre dhe e dinte që çdo dollar harxhohej për çeshtjen kombëtare.

Atë muaj, Qershor 1919, erdhi Dr. Erickson-i në Boston nga Parisi, dhe u-mbloth Komisioni që dëgjoj shpjegimet e tij mi punët e Shqipërisë, të cilat nukë dukeshin aqë mirë kur ish ay atje. Ahere Vatra e dërgoj Dr. Ericksonin si delegat të saj në Washington.

Në mbledhjen e 4 Korrikut Komisioni kqyri hesapet e vitit, dhe i gjeti kështu: T’ardhurat, me gjithë të mbeturat n’Arkë nga kuvendi i shkuar, ishin $150,477.35. Të dalat e vitit ishin $58,182.90. Komisioni i shtroj kuvendit këto proponime: 1) Të themelohej një fond prej 100 gjer 300 mijë frangash ari prej Vatrës për propagandë kombëtare me anë të shtypit n’Evropë; 2) Të botohej një revistë frengjisht në Svicrë, 3) t’emëroheshin dy korrespondentë  të Diellit në Shqipëri.

Kuvëndi i Vatrës u-mbloth në Paine Memorial Hall, Boston, me 6 Korrik 1919. U-përfaqësuan në kuvent 42 degë me 69 vota, një votë për çdo 50 anëtarë; dhe nuk u-përfaqesuan 9 degë me 9 vota. Zyrtarë të kuvëndit u-zgjodhe këta: çairman Anastas Pandelli, sekretar Kosta Isaak, raporter Kristo Kaluçi dhe marshall George A. Katundi (të gjithë s’janë më).

Në sesionin e dytë, delegati i degës së Detroit-it Marko Adamsi proponoj të thërritesh Faik Konitza nga Evropa për kryetar të Vatrës. Ay proponim u-përkrah prej Ali A. Kuçit (nga Kuçi i Tomoricës), delegat i degës se New Florence, Pa., dhe u-pëlqye me-një-zë nga gjithë delegatët e kuvëndit.

Sekretari i kuvëndit këndoj një kabllogram të dërguar nga Parisi prej korrespondentit të Diellit N. Lakos i cili lajmëronte Vatrën për vdekjen e Zonjës Shahin Be Konitzës, e ëma e Mehmed dhe Faik Konitzës. Me proponimin e Kristo Kirkës, delegat i degës së Quincy, Mass., delegatët u ngritnë më këmbë dhe qendruan dy minuta në heshtje si shenjë zie për kujtim të saj. Për çudi, kur vdiq Nënia e tyre ranë këmbanat e kishëve dhe u mbyllë dyqanet e Grekëve atë ditë në Konicë  për nder të Zonjës.

Në sesionin e 14-të, kuvendi vendosi t’i ktheheshin të 100 dollarët Fan Nolit që i pagoj Vatrës nga xhepi i tij për hesap te broshurës frengjisht “L’Allemagne et L’Albanie”që shtypi Faik Konitza me 1915 në Lausanne të Svicrës. Konitza i dërgoj Vatrës 50 copë t’asaj broshure, Vatra nuk e nxori në shesh së fliste kundrë Gjermanisë dhe shumica e Vatranëve ishin pro-Gjermanë. Broshura fliste kundrë guvernës gjermane se ajo bënte pazarllëk me Greqinë që po t’ish se hynte në luftë me ane t’Aliatëve kundrë mbretërive t’Evropës së Qendrës, të mirtë Toskërinë. Kur s’dolli broshura në shesh gjer pas hyrjes së Amerikës ne luftë, delegatët në kuvendet e Vatrës kërkonin broshurën, ose paratë nga Konitza. Ahere u-ngrit Fan Noli që i dha 100 dollarë arketarit të Vatrës nga xhepi i tij, dhe u tha delegatëve: “Tani paratë i muartë, lëreni Faikun rehat i cili tëre jetën e tij ka punuar për Shqipërinë dhe kur i ngrënë kur i pa ngrënë!”

Besohet shkaku i asaj broshure e internuan Austriakët Faik Konitzën dhe e mbajtnë në Vienë gjer sa humpnë luftën.

Kuvendi vendosi që Vatra të shtypte libra shkollare për shkollat e mesme të Shqipërisë. Ay vendim i kuvëndit u-vu në vepërim një mot më von. Kuvëndi vëndosi që ndihmat për jetimët të mos priteshin. N’ate listë u-shtuan dhe jetimët e Vangjel Gjikës, i cili i sherbeu Vatrës si manager i Diellit.

U-vëndos me-një-zë nga kuvëndi që Vatra t’i lutej guvernës provizore të Durrësit t’emëronte një përfaqësonjës në Washington të dërguar zyrtarisht nga an’e saj.

Kryetar i Vatrës u-zgjoth Faik Konitza në sesionin e dytë të kuvendit. Zyrtarët e tjerë të Vatrës dhe te Diellit u-zgjodhë në sesionin e 19-të, kur afroj mbarimi i kuvendit. U-emërua Kol Tromara kryetar-zëvendes gjer sa të vinte Konitza nga Evropa. Bahri Omari u-hoq, dhe u-zgjoth Koste Çekrezi editor i Diellit dhe i Revistës “Adriatik”; dhe Andon Frashëri nëne editor.

Këshilla Kombëtare u-rizgjoth për vitin 1919-1920, e cila kish fuqin’ e kuvendit dhe bënte politikën e Vatrës. Kuvendi vazhdoj XXI sesione, u-hap me 6 dhe u-mbyll me 15 Korrik 1919. Kuvëndet e kohërave të shkuara të përsons for essentially anti-Comre parlamentare. Kjo i tërhiqte më tëpër shumë Vatranë që përpiqeshin kush të vinte më parë delegat në kuvënt.

Pas kuvendit u-bënë ndryshime në zyrtarët e Vatrës dhe të Diellit. Kuvendi zgjodhi Faik Konitzën kryetar dhe la Kol Tromarën zëvendës gjer sa të vinte Konitza nga Evropa, po ay nuk erdhi dot, dhe zëvëndësi ndenji një kohë fare të shkurtër dhe shkoj në Shqipëri. Ashtu mbeti Vatra pa kryetar, kë të zgjidhjin? Burrat e njohur si “udhëheqës” ishin të zënë më detyra të tjera. Nga ay shkak, Këshilla ngarkoj Komisionin të gjënte një zëvendëskryetar, dhe gjeti Kristo Kirkën.

Gjith’ashtu iku dhe Kostë Çekrezi nga Boston-i, i cili ish zgjedhur prej kuvendit editor i Diellit dhe i Revistës “Adriatik.” Çekrezi u-emërua përfaqësonjës i Vatrës në Washington për punët e Shqipërisë, bashkë me Dr. Ericksonin i cili u-zgjoth pakë muaj më parë. Dr. Ericksoni paguhej 500 dollarë rogë në muaj nga Vatra, dhe Çekrezi 250 dollarë në muaj.

Me ikjen e Çekrezit mbeti Dielli pa editor, dhe gazeta dilte e përditëshme. U-thirr prapë Bahri Omari që e drejtoj Diellin për pakë kohë. Passi iku dhe Omari, u-zgjoth Loni Kristua editor, i cili pat qenë dhe më parë editor i Diellit. Po ay nukë shkoj mirë me nëne-editorin, Andon Frashërin, dhe kur erdhi kuvendi tjater fitoj nënë-editori në zgjedhjet kundrë editorit; – këtu munt të meret me mënt se cili prej të dyve ka patur faj në grindjet e tyre.

Kur kish probleme me rëndësi që nuk u-jipte dot funt ose s’donte të mirte përgjegjësinë Komisioni, thërritesh mbledhja e Këshilles Kombëtare e cila thosh fjalën e fundit në punët e Vatrës. Në mbledhjen që pati në Shtator 1919, Këshilla vëndosi që Vatra të harxhonte 100,000 franga ari për të ndihmuar refugjatet shqipëtarë të “Korçës dhe Kosovës”. Këtu kuptohet se kanë dashur të thonë “qarkut të Korçës”, dhe Kolonja u-doq dhe u-gjakos nga Grekët më tepër se çdo krahinë tjatër t’asaj prefekture; me mijëra refugjatë Kolonjarë vanë ne ullinjt’e Vlorës, – shumë prej tyre vdiqnë atje.

Po më parë se të viresh në vepërim ay vëndim i Këshillës, u-pyetnë me kabllogram delegatët n’Evropë Mehmed Konitza dhe Dr. Mihal Turtulli se a munt të harxhohesh ajo sumë të hollash për atë qellim. Përgjigjja e tyre qe “Jo” – se ato të holla duheshin më tepër për të luftuar armiqt’e huaj të Shqipërisë, më tepër Grekët të cilët e luftojin Shqipërinë me anë të shtypit dhe të konferencave, dhe arma e tyre më e fortë që përdorjin qe feja, duke thënë se gjithë Shqipëtarët orthodhoksë “duan Greqinë”!

Në mbledhjen e Këshilles u-vendos t’i jepeshin 400 dollarë Mihal Gramenos për të shkuar në Shqipëri bashkë me gruan e tij. Vatra çmonte patriotizmën e Gramenos dhe menjëherë vuri në vepërim vendimin e Këshilles. Në shumë raste Mihal Gramenua e pat kundërshtuar Vatrën, më tepër për kritikat e editorit të Diellit kundre Ismail Qemalit, të cilin Gramenua e adhuronte si baban’ e kombit.

Në mbledhjen e Këshilles Kombëtare u-këndua një letrë e dërguar nga “Parësia” e qytetit të Korçës, e cila kërkonte ndihmen financiare të Vatrës që t’a përdorte për të bërë “propagandë kombëtare” në qarkun e Korçës. Këshilla nuk e mori nër sy atë kërkesë, pati dyshim në përsonat që e dërgojin letrën, dhe e kuptoj se do të vijin humbur të hollat e Vatrës.

Kërkime për ndihma financiare si ajo mirte dendur Vatra nga njerëz të ndryshmë, – të cilët gjëjin “shkake patriotike” për kërkimet e tyre. Të tillë njerës besojin se Vatra ish bankë, – i mblithte dollarët me lopatë, – dhe munt të ndihmonte çdo njeri që e quante vetën”atdhetar”! Kurse e tërë pasuria e Vatrës ishin nj’a tri a katër mijë anëtarë të cilët punojin rëndë nëpër fabrikat me rogë të vogëla dhe për dashuri të Shqipërisë e ndihmojin Vatrën me sa muntjin që të punonte për të fituar lirinë dhe të drejtat kombëtare të popullit shqipëtar.

* Fragment nga “Historia e Federates Panshqiptare VATRA” e Refat Gurrazezit

 

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: feja, greket e amerieks, histori e Vatres, percarja e shqiptareve, refat Gurrazezi

LUTJE NE DITN E FLAMURIT

January 31, 2014 by dgreca

Nga Fan S Noli/*

E duam flamurin me shkabën e zezë me dy krerë se është flamuri ynë, se nën të do të rrojmë të lirë, të nderuar dhe kryelartë në mes të kombeve të qytetëruar të Europës.

   E nderojmë flamurin e kuq me shkabën e zezë me dy krerë se është flamuri i kurorëzuar me nder e lavdi i kryeushtarit dhe luanit të shkëlqyer që çuditi botën me trimëritë e tij, duke thyer njëzet e pesë vjet me radhë, njërën pas tjetrës, ushtritë më të forta të asaj kohe të kryesuara prej Sulltanëve më të mëdhenj të Turqisë.

  Kur Europa dridhej nga mizoritë Otomane, dragoi shqiptar që s’dinte ç’është frika, me një grusht trimash të zgjedhur, vërvitej mbi armikun si rrufe, që tundëte malet dhe shkëmbinjtë dhe u jepte arratinë kuçedrave aziatike me atë shpatën e tij të rëndë, që vetëtinte e tmerronte, nën atë flamur të kuq me shkabën e zezë me dy krerë.

   E ngremë lart flamurin e madh të Skënderbeut se ay që e mbajti i thirri tërë botës me trumbetë ç’është i zoti të bëjë shqiptari, kur bashkon trimërinë me besën, me nderin e  me dashurinë e vendit të tij.

Papa, kryetari i Krishtërimit në Perëndim, Republika e Venedikut, mbretëresha e deteve dhe gjithë mbretërit dhe princërit e Europës, në kohën e Skënderbeut e përshëndoshën flamurin tonë me bekime, përgëzime dhe lavdërime.

    …E qajtëm kur u ul për katërqind e pesëdhjet vjet, se Shqipëria u shua nga lista e shteteve të lira dhe  varfëria, mjerimi, robëria e shtypën dhe e vogëluan në sy të botës.

   Por kur u ngrit dhe valoi përsëri në Vlorë dhe u salutua në Durrës me gjëmime topash prej anijeve europiane, koskat e shenjtëruara të Skënderbeut u drithëruan në varr dhe ne, kur e pamë si në ëndërr,derdhëm lot mallëngjimi, gazi, shprese dhe kryelartësie kombëtare.

  E kujtojmë këtë ditë historike dhe e kremtojmë, se mësuam se çdomethënë flamur i huaj, shpatë, kamxhik dhe zjarr armiku: fshatra të djegur, ara të shkretuara,pleq, gra, fëmijë të therur pa mëshirë, a të arratisura nëpër shpella a përronj, të zhveshura, të zbathuara,pa bukë; të rrahura prej të ftohtës, të çjerrë prej urisë, të shtrydhur prej sëmundjeve, me syrin t’errur prej helmit dhe të dëshpërimit.

Nga goja e kësaj ushtrije dëshmorësh të pafajshme të barbarisë dhe pashpirtësisë s’armiqëve të pabesës në Shqipërinë e shkretuar dhe nga zemra e gjithë shqiptarëve të mërguar e të shpërndarë si zoqt’ e korbit në vise të huaja ngrihet sot një lutje e nxehtë, e mëshirshme, e mallëngjyer përapa fronit të perëndisë:

“O Zot I madh, I drejtë dhe I dhembshur, shpëtoje popullin dhe vendin tonë të mjerë dhe dneroje përsëri me liri nën flamurin tonë, flamurin e Skënderbeut, flamurin e kuq me shkabën e zezë me dy krerë.”

*(Marrë nga libri”Këndime” i Kostë Chekrezit, botuar nga “Vatra” më 1921 në Boston)

 

Filed Under: Featured Tagged With: Fan S Noli, Lutje ne diten e Flamurit

AKUZAT NDAJ MBRETIT ZOG NE SHTYP KANE PRAPAVIJE DENIGRUSE

January 31, 2014 by dgreca

Deklaratë për shtyp e Oborrit Mbretëror Shqiptar/

Oborri Mbretëror Shqiptar ka ndjekur disa akuza të kohëve të fundit ndaj figurës së Mbretit Zog,të publikuara me zell nga qarqe përjetësisht të interesuara për denigrimin e figurës së Mbretit,duke përdorur materiale të deklasifikuara nga informatorë,që nën petkun e shërbimeve ndaj interesave amerikane hamëndësojnë dhe trillojnë me qëllime të caktuara uljen e figurës së Mbretit,duke i shërbyer drejtpersëdrejti padronëve të vërtetë të tyre,ashtu si edhe Kim Philby i shërbeu deri në fund të jetës KGB dhe UDB si dhe Sigurimit te Shtetit Shqiptar dhe diktatutes enveriste , të lidhura ngushtë me to.(ndonse në rastin konkret informatori ishte i nje rangu të papërfillshem dhe jashtë strukturave të shërbimeve sekrete,përveçse një informator ordiner).Sigurisht për përhapjen e këtyre trillimeve janë të interesuar pasardhësit e kësaj ideologjie,e cila fatkeqesisht është e zellshme për të vazhduar kauzën e sistemit që i polli.
Neverisim këto mashtrime ordinere dhe “tellallët” që janë të interesuar për to e që ndjekin me konseguencë rrugen e mashtrimeve .

Oborri Mbreteror Shqiptar

Filed Under: Featured Tagged With: Akuzat ndaj mbretit Zog, prapavije denigruse

SHKRIMET ME TE LEXUARA TE JAVES NE DIELLI ON LINE

January 31, 2014 by dgreca

Deri ne mbremjen e se enjtes, 30 janar, shkrimet me te lexuara te Javes(24-30 janar) ishin:

–VATRA DHE PROTESTA KUNDER KRYEPESHKOPIT JANULLATOS-Gjon Bucaj -1330 lexime

– TAKIMI MES ORGANIZATORËVE TË PROTESTËS ME PËRFAQËSUESIT E KRYEPESHKOPIT JANULLATOS– Redaksia- 1330 lexime

–PERKRAHESIT E PROTESTES KUNDER KRYEPESHKOPIT JANULLATOS-Redaksia- 133o lexime

-U mblodh Komisioni I Protestes kunder Janullatosit- redaksia -1300 lexime

–Kali i Trojës në mesin e shqiptarëve!– Gani Mehmeti- 805 lexime

– KRAJLI I RI, KRYEMINISTRI GJUKANOVIÇ,NGJALL NË KËTË JANAR, NË ULQININ SHQIPTAR, KRAJL NIKOLLËN E VJETËR– Ramiz Lushaj -320 lexime

– DHUNOHET PERMENDORJA KUNDER GENOCIDIT GREK NE LLOGARA– 300 lexime

–RRENJET SHQIPTARE, VATRA, KOMUNITETI SHQIPTAR – PROTESTUAN KUNDER KRYEPESHKOPIT GREK TE SHQIPERISE– Beqir Sina -245 lexime

-Mesazhi i At Nikolla Markut per protesten -234 lexime

–Universiteti Jezuit Fordham nderon kryepeshkopin Anastas Janullatos– Aida Bode  231 lexime

-Kush tha se ne proteste nuk kishte ortodokse- redaksia 165

–Albanian Protesters Descend On Fordham To Oppose Award-Laura Sanicola 132

Faleminderit per bashkepunimin!

Filed Under: Featured Tagged With: dielli, shkrimet me te lexuara te javes

Hendeku i pabarazisë sociale dhe sfida joreale e Obamës

January 30, 2014 by dgreca

Nga Rafael Floqi/

UASHINGTON – Fjalimi i gjashtë i presidentit Obama mbi gjendjen e vendit (State of the Union) kishte në qendër të vëmendjes shumë çështje, por më shumë se çdo gjë, dallohej ajo e uljes të hendekut të thellë në mes të ambicieve të tij politike dhe të mjeteve që ai ka në dorë për t’i arritur ato.

Presidenti Obama e kishte bërë të qartë ambicien e tij qysh muajin e kaluar, kur ai iu referua ekzistencës “së një hendeku pabarazie të rrezikshme dhe mungesës së rritjes së pasurimit të klasës së mesme në Shtetet e Bashkuara”, duke e përcaktuar atë si ” sfidën kryesore të kohës sonë”. Qëllimi i tij thelbësor, siç ai e pat bërë të ditur dhe në fjalimet dhe intervistat e tij, ishte kundërshtimi i prirjes sipas së cilës, të ardhurat për shumicën e amerikanëve kanë mbetur ne vend qysh nga fundi i viteve 70-të, ndërsa të ardhurat për të pasurit janë rritur.

Kjo, siç u pa dhe gjatë fjalimit, synonte ta bindte publikun për çështjen e realizimit të sfidës kryesore të tij sociale. Ndaj dhe në fjalimin e tij vjetor mbi gjendjen e vendit, State of the Union, Presidenti i dha meritën popullit amerikan për forcimin ekonomik të vendit dhe siç pritej, u përqendrua në çështjet ekonomike, duke bërë thirrje që 2014 të ishte “një vit i veprimit.”

“Sonte, kjo dhomë flet me një zë për popullin që ne përfaqësojmë, ju, qytetarët tanë jeni ata të cilët e bëni të fortë vendin tonë.” tha zoti Obama i cili në pjesën më të madhe të fjalimit u përqendrua në ekonominë dhe çështjet me të cilat përballet klasa e mesme, duke u përpjekur t’i siguronte votuesit se gjërat po përmirësohen.

Deri tani, amerikanët kanë shfaqur dyshime të konsiderueshme në lidhje me hendekun e pabarazisë së të ardhurave. Sondazhet nga disa organizata serioze tregojnë se: nga njëra anë, shumica e amerikanëve, 60 % e tyre sipas një sondazhi të fundit të Pew Research Center, thonë se besojnë që  “sistemi ekonomik në këtë vend është i padrejtë dhe në favor të të pasurve. ” Ndërsa një shumicë e konsiderueshme është dakord se hendeku në mes të pasurve dhe të gjithë të tjerëve ishte rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit.

Nga ana tjetër, sipas një sondazhi publik të Wall St Journal / NBC, të martën, thuhet se vetëm 45 % syresh, besojnë se ” reduktimi i pabarazisë në mes të ardhurave të të pasurve dhe të varfërve ” duhet të jetë një nga ” përparësitë absolute” që Kongresi dhe presidenti do të duhet ta adresojnë këtë vit. Por amerikanët në përgjithësi kanë më shumë gjasa për t’iu përgjigjur pozitivisht një pyetje për uljen e varfërisë dhe për përmirësimin e pagave për klasën e mesme, sesa një pyetjeje për konceptin abstrakt të ” reduktuarit të hendekut të pabarazisë së të ardhurave.”

Tani që ekonomia është duke treguar shenja përmirësimi dhe për të pakësuar shqetësimin publik për deficitet buxhetore, Obama po ve edhe një herë bast, se votuesit do të jenë të gatshëm të mendojnë edhe për prioritetet afatgjata.

“Për herë të parë në më shumë se një dekadë, udhëheqësit e biznesit në mbarë botën kanë deklaruar se Kina nuk është më vendi numër një në botë për investime, tani Amerika është në vendin e parë në botë për investime.” tha Presidenti duke shtuar se megjithatë, se përparimi nuk po vjen me shpejtësinë e duhur.

Një pjesë e zgjidhjes së tij ishin propozimet për të rritjen e pagës minimale, zgjerimin e mundësive për arsimim dhe reformën e imigracionit. Por në përgjigjen Republikane, ligjvënësja Cathy McMorris Rodgers i kritikoi këto politika të Presidentit Obama, duke thënë se “Tani për tani, politikat e Presidentit janë duke ia vështirësuar jetën e njerëzve.”

Edhe pse fjalimi mbi gjendjen e vendit nuk jep shumë mundësi për të zhvendosur opinionin publik në favor të Presidentit, kur dhe mbështetja për punën e tij me ekonominë ka rënë, ai shërben për t’i mobilizuar demokratët me çështjet që Presidenti po vë në dukje. Kjo mund të jetë vendimtare në një vit zgjedhor në të cilin kontrolli demokratik i Senatit, është i rrezikuar nga disa gara në shtete të ndryshme që janë fort kontestuese.

Por vetë fakti, që mbetja pezull e rritjes së pagave dhe hendeku i pabarazisë së të ardhurave janë përkeqësuar për gati katër dekada, si përgjatë kryesimit të katër presidentëve republikanë ashtu dhe të tre presidentëve demokratë, tregon vështirësinë e detyrës që Obama ka marrë përsipër, sidomos për të arritur këtë gjatë këtij mandati kur ai i ka opsionet mjaft të kufizuara.

Një nga pikat kryesore e fjalës së tij ishte shpallja e një urdhri ekzekutiv për të rritur pagën minimale për kompanitë që bëjnë biznes me qeverinë. Urdhri ilustron me së miri se ç’ lloj veprimi ekzekutiv Obama ka në plan të ndërmarrë  këtë vit, si nga mënyrat për të ecur përpara me agjendën e tij, pavarësisht nga pengesat e opozitës republikane në Kongres. Presidenti e bëri të qartë se ai do të merrte të gjitha ato vendime ekzekutive që ia lejonte ligji, aty ku nuk ishte e nevojshme marrja e miratimit prej Kongresit, për arritjen synimeve të agjendës së vet të majtë.

Një urdhër i tillë është ai që do të rrisë pagat për vitet e ardhshme për një numër të papërcaktuar të punëtorëve me paga të ulëta, ndoshta disa qindra mijë, duke përfshirë edhe pastruesit e ndërtesave federale dhe shërbyesit e kamerierët në kafeteritë e tyre. Por ky veprim do të mbajë të paprekur pagën e miliona punëtorëve të tjerë me paga të ulëta, punët e së cilëve nuk janë të lidhura me kontratat federale. Rritja e pagës minimale për një grup më të madh punonjësish me paga minimale do të kërkonte mjaft kohë dhe punë dhe miratimin e Kongresit për të vepruar. Nga ana tjetër shume shtete kanë ligje të ndryshme dhe vlera të ndryshme të pagës minimale.

Rritja e pagës minimale për punonjësit federalë edhe nëse, siç mendon Obama , do të induktonte rritje të pagës minimale në treg edhe për punonjësit e tjerë,  në anën tjetër për paradoks nuk do të shkurtonte hendekun në fjalë. Pasi pronarët e bizneseve të vogla, le të themi të fastfood-eve dhe restoranteve, nuk kanë ndonjë kundërshtim në thelb për rritjen e pagës minimale të punonjësve , pasi ata rritjen do t’ia kalonin si barrë klientëve, duke bërë rritjen e çmimeve të produkteve që  do të ulte  vlerën reale të rritjes të pagës minimale.

Disa demokratë shpresojnë se presioni politik i këtij viti zgjedhor, do të bëjë që udhëheqësit republikanë të bashkohen me një projekt për rritjen e pagave minimale, edhe pse të dy Kryetarët republikanë John A. Boehner nga Ohajo në Dhomën e Përfaqësuesve dhe udhëheqësi i pakicës në Senat Mitch McConnell nga Kentaki e kundërshtuan këtë ide të martën. Edhe në qoftë se Kongresi do të kalonte ligjin për rritjen për 10,10 $ në orë për punonjësit federalë me pagë minimale, gjë që administrata e ka mbështetur, kjo do të ndikonte drejtpërdrejt vetëm në rreth 6 % të punëtoreve me pagese me orë. Edhe ekonomistët dashamirës të administratës pohojnë se mbështetja për qeverinë do të rritet, por megjithatë ata pranojnë se kjo, në vetvete, nuk do të kthehet ne prirje drejt uljes të një pabarazie më të madhe.

E njëjta gjë vlen edhe për çështje të tjera që Obama theksoi, të cilat republikanët ka të ngjarë të vazhdojnë t’i kundërshtojnë, ku përfshihet zgjatja e kohës së përfitimeve të papunësisë për ata që kanë qenë pa punë për më shumë se 26 javë, zgjerimi i financimeve të arsimit parashkollor të kopshteve si dhe më shumë fonde në infrastrukturë për riparimin e rrugëve dhe urave.

Por sigurisht, kjo nuk mund të bëhet me urdhrin e peshkut, dhe asgjë nuk do ta çonte nivelin e hendekut të pabarazisë përsëri aty ku ka qenë dekada më parë. Kjo është e vështirë edhe me një Kongres bashkëpunues dhe jo më me një Kongres bllokues si ky që ka para Obama.

Problemi themelor është se me gjitha vëmendjen për të dhënat e arritjeve ekonomike të presidentëve, ekonomia vepron me ligjet e veta, dhe ata kanë mundësi shumë të kufizuara për t’i dhënë formë mënyrës se si vepron ajo, sidomos kur bëhet fjalë për një afat të shkurtër. Programet si ai i zgjerimit të arsimit parashkollor mund të japin përfitimet ekonomike që Obama dhe aleatët e tij shpresojnë vetëm atëherë kur nxënësit e sotëm kopshtit të jenë në moshë për gjendje pune.

Por e vetmja politikë rezultative që do të bënte të avanconte edhe qëllimi i mirë i Obamës për rritjen e të ardhurave për punëtorët amerikanë, ishte ajo që ishte e pakapshme gjatë gjithë qëndrimit të tij si president, kapërcimi i krizës dhe rritja e fuqishme ekonomike. Ky është mësimi i fundviteve të 90-ta, kur tregu i punës iu dha punonjësve më shumë pushtet në marrëveshjet me bosët e tyre, gjë që çoi në shkurtimin e diferencës në mes të pasurve dhe të varfërve dhe që bëri të rritej e pasurohej shumica e punonjësve dhe të forcohej klasa e mesme, baza e ekonomisë amerikane. Dhe besoj se edhe Obama  tashmë e ka kuptuar se është më e vështirë për një President, sesa për Bob the Builder të shpallë “Yes, we can!.”

Filed Under: Featured Tagged With: fjalimi i Obames, pabarazia sociale, Rafael Floqi, sfida jo reale Obames

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 752
  • 753
  • 754
  • 755
  • 756
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT