• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Stalini hiqet, Hoxha ngrihet

January 5, 2014 by dgreca

Nga Mimoza Dajci/

Qyteti i Telavivit hoqi nga nje shesh kryesor i tij monumentin e diktatorit sovjetik Josif  Vissarionovich Stalin. Megjithese ishte goditur e demtuar disa here, perseri nostaligjiket e kishin restauruar. Statuja e Stalinit hiqet, ndersa statuja e figura e diktatorit Hoxha ne Shqiperi ngrihet nga nostalgjiket e tij, te cilet pretendojne jo vetem ta ngrejne sa me lart, por edhe ta quajne hero kombetar.

Shqiperia njihet si vendi qe perjetoi diktaturen me te eger ne Europe, ndersa ata qe perfituan nga ai rregjim e nuk pesuan persekucion politik kerkojne ta rringjallin me zor. Shume pankarta te tij manifestohen ne tubimet e te majteve e partise komuniste ne Tirane e rrethe te tjera. Me ka rastisur nje here ne Tirane tani vone, te shikoj nje proteste te tyre me foto te Enver Hoxhes. U shtanga, nuk i besova syve. C’po ndodh keshtu thashe me vete. Ne vend qe ky vend te shkoje perpara akoma kthehet e ngre lart pankarta me figuren e atij qe shuajti mijra njerez neper burgje e kampe internimi. Qe ndau prindet nga femijet, e burrat nga grate, vetem e vetem duke ushtruar dhune, krime e luften e klasave. E sot perseri pasuesit e tij neper festa dalin si triumfatore me portretin  e tij.

Koha per vete Rusine nga Hoxha merte leksionet e komunizimit ecen perpara duke e hedhur ate ne koshin e plerave, ndersa Shqiperia me nostalgjiket e saj ecen mbrapa me foton e tij.

Eshte per te ardhur keq qe kane kaluar me teper se cerek shekulli e ne vendin tone njerezia nuk jane ndergjegjesuar akoma per ate periudhe qe quhet me te drejte si diktatura me e eger ne rajonin Europian. Ne si Organizate e Gruas Shqiptare Amerikane “Shprese & Paqe” me qender ne New York, ngreme zerin e protestes per cdo inisiative qe vlereson figuren e diktatorit Hoxha, apo shpalljen e tij hero kombetar.

Sa nena e gra u pushkatuan me gjyqe e pa gjyqe. Sa vajza e motra shqiptare nuk arriten te krijonin familje e te beheshin nena per femijet e tyre, por u torturuan nga xhelatet e burgjeve shqiptare ne kohen e komunizmit, e akoma plaget e tyre nuk jane mbyllur. Edhe shume gra ruse u denuan e internuan per agjitacion propagande, edhe pse nuk e kishin kryer nje veper te tille.

Atehere per cfare duhet ekspozuar me germa kapitale e figura madheshtore nje diktator i tille. Apo ndoshta ata jane pro edhe vrasjes qe, nje i cmendur kreu tani vone ne Korene e veriut, ku te gjalle hodhi mes bishave te egra njeriun e tij te familjes, i cili e ngriti dhe e beri president te vendit. Shtepia e Bardhe kete krim e quajti edhe nje shembull tjeter te brutalitetit ekstrem te rregjimit ne Korene e Veriut nga diktatori Kim.

Monstra e Korese se veriut ne kete shekull te ri, ne vend qe te punojne per paqen e demokracine ne bote vret njerez te pafajshem, e shqiptaret rringjallin diktatoret e ngjashem ne karakter e krime me Hitlerin dhe Milloshevicin.

Janar 2014

Filed Under: Featured Tagged With: Enveri ngfihet, Mimoza Dajci, Stalini Hiqet

Rrustem Geci ne Sofren poetike te Diellit

January 5, 2014 by dgreca

A M E R I K Ë S/

Nga Rrustem Geci – Dortmund, Gjermani/

Në një kohë  tepër të errët/
shtypëse   dhe    mbytëse/
Amerikë, ti ma dhe dorën/
të bëhem me  shumë duar/

Në një kohë  tepër të errët/
shtypëse    dhe   mbytëse/
Amerikë, ti ma dhe dorën/
Kur  fjala  shqip  dënohej/

Në një kohë  tepër të errët
shtypëse    dhe   mbytëse
Amerikë, ti ma dhe dorën
kur Kosova gjenocidohej

Në një kohë  tepër të errët
Shtypëse   dhe    mbytëse
Amerikë, ti ma dhe dorën
që   fjala   shqip   të  rritet

 

(poezi nga libri “Kanuni poetik”)

LUTJA E ÇAMIT

A më lë o tok ë të  qaj
unë dua tek t´i një varr
unë dua këtu të rritem
gjaku im  të mos  thaj

Gurë gjyshi  kam  këtu
në beteja i ka mbjellur
brenda kam disa këngë
gjyshi im  i  ka  shkruar

Toka ime, shumë të dua
më prano të vdes këtu
të betohem kam ardhë
tek shtëpia ku kam jetu

Çamëri  shqipëria  ime
zëri i nënës  më troket
guri gjyshit atje brenda
ngritu o bir, më thërret!..

 

(Poezi nga libri „ Algjebra dhe zjarri“)

Filed Under: Featured Tagged With: e Diellit, i ftuar ne Sofren, poetike, Rrustem Geci, te Diellit

RANË KËTO DOSJE E U PAMË

January 5, 2014 by dgreca

Cinizmi i fitores së humbësit/

Nga Rexhep Kasumaj/ Berlin/

1./

Ai  merr ashensorin i këndellur në këtë fillimjavë të pranverës ringjallëse dhe niset lirshëm drejt zyrës së tij. Hap derën dhe gatitet me një buzëqeshje të çiltër të përfalet kolegun e ri. Por befas shtanget. Nuk mund tu besonte syve. Përballë, me kundrim nga dritarja, qëndronte një i njohur i vjetër.

Nga koha e virgjër e fëminisë?

Nga vitet çapkenërore të studimeve?

Jo, jo!

Kujtesa e kthente rrufeshëm në një tjetër periudhë të jetës së tij: në motet e trishtuara burgëtare. Po përse ky shqetësim? Ja, një bashkëvuajtës me të cilin do evokonin stuhitë e ikura. Thënia e një urtaku lashtësie se është dëshpëruese të evokosh kohët e gëzuara në mjerësi, tani merrte kuptimin peshëplotë, pikërisht pse, ndoshta, ngjante e kundërta: do kujtonin kohët e liga në fatlumësi! Madje, për më tepër, ndryshe nga të bugosurit ordinarë apo mundimtarët e tjerë të jetës, këta kishin dhe një shtysë djellandritëse më shumë: shihnin të sendërtuar ëndrrën e tyre sublime.

Por çfarë ndodhi?

Përse ky nuk arriti për disa çaste që zgjatën një përjetësi, të frymonte për të thënë dhe një gjysmëfjale? Një pyetje idhtane si re shiu që errëson gjithçka përpara, i erdhi vetimthi e nuk ikte dot: Si ishte e mundur? Ishin po ata sy picërrues që zhbironin urrejtshëm e po ato duar që ruanin ende tizgën e gjakut. Megjithatë, mblodhi veten dhe shqiptoi përshëndetjen mirëmjesore me një zë të mekur e vështrim gati të rrëzuar përdhè. Iu bë se dëgjonte sërish fyerjet e goditjet më mizore dhe psherëtimat e britmat më pikëllimore. Tani, me një lehtësi të padurueshme, bëri rindarjen e roleve dramatike: ky e miqtë e tij të idealit qëndronin këndej, në një anë – në anën e dhimbjes e poshtërimit, kurse tjetri që tani rrinte ulur aty me një qetësi të habitshme përhihur njëj nënqeshje qesëndisëse, gati sfiduese, ishte andej, në anën e shkaktarit të dhimbjes – në anën e ofenduesit të ultë dhe torturantit të pashpirt. Dhe, si dredhë ere që përplas çdogjë, nuk tretej assesi pyetja shungulluese: Si ishte e mundur? Si ishte e mundur që tani, në një kohë të dytë, të ishin sërish të pabarabartë? Ky kishte lirinë për të cilën flijoj njomësinë e djalërisë, po dhe tjetri do të bënte herët një flijim, veçse, për ironi, në kah të kundërt: përdhoste shtegun e po kësaj të shkrete liri, që tash e gëzonte, në altarin e interesit të huaj. Ky kishte, tutje, epërsinë morale, por tjetri kishte armën tjetër që nuk i vjetërohej kurrë, cinizmin triumfues: aq ia bënte atij për etosin, ndërgjegjen dhe pendesën njerëzore!

Ndërsa bluante përfundimin e tillë, i ulur dhe ky pranë skrivanisë, diçka do thyhej e shmagjepsej, për të gurëzuar një zhgënjim të thellë brënda qenies së tij: ishte ideja tragjike se kjo s’ishte piktura e lirisë, por hirnosja e saj. Kurse  ai tjetri, mentori dhe ekzekutori i rrëzomës së kazamateve e të popullit  të ndaluar, që kishte nisur, ndërkaq, të dërdëlliste për punën – i dukej tmerrsisht i fituar!

2.

Kjo traumë i do ti ndodhte një të burgosuri politik, në beharin e shkuar, në një nga institucionet e rëndësishme politike të Kosovës së lirë. Dhe unë do endja atë në këto radhë, i frymëzuar nga paralajmërimi belgradas, si detyrim Europe, për të hapur dosjetë e Udb-së famkeqe që pat nxirë jetën shqiptare, aherë dhe pështjellon shpirtërat e saj, sot.

Dhe le të hapen, më në fund, o Zot!

Le të shohim, ditën për diell, cilët kjenë zyrtarë rrogtarë, e cilët bashkëpunëtorë të fshehtë!?

Mandej: Cilët ishin vullnetarë të zellshëm shërbimi dhe cilët sish rekrutë të zorit: pra, të dhunës e varfërisë!?

Tutje poashtu: Cilët i përkisnin rangut të ulët dhe cilët patën përbetuar në rrathët e sipërm të kierarkisë!?

Pastaj: Cilët janë përshpëritur a nofkuar, po, mbase, nuk paskëshin qenë të tillë!?

Dhe akoma: Cilët naltçmoheshin si burra të ndershëm kombi, madje duke ngjitur dhe karrierë me këtë profil publik, dhe nuk kjenë të këtij soji, por, përkundrazi, sigurimsa sekretë!?

Mëtej prapë: Cilët kishin autorizime vocërrane lajmdhënëse, e cilët ishin misionarë realizimesh “madhore”, nga ngujimi i lirisë e deri tek privacioni i jetës!?

Tutje: Frekuentonin vetëm këtë agjenturë apo, në multifunksione, dhe të tjera?

Dhe së fundmi: Cilët janë shuar dhe ç’bëjnë të gjallët? Kanë lënë zejen apo ushtrojnë ende pasionshëm e aktivisht atë dhe ku? Në ç’instancë e me ç’objektiv?

3.

Nëse, prandaj, nga Belgradi nuk vjen një mashtrim i ri çorientimor dhe, njëkohësisht, nëse shqiptarët, kthjelluar  kulture shtetërore e jashtë komleksesh provinciale, ndërtojnë një konsens nacional për të diferencuar kristalisht të mirën dhe të keqen – aherë Republika ende e brishtë, duhet të bënte lustrifikimin e kësaj  mbeturinë të neveritshme e, poaq, gjakmpikëse në trupin e saj.

Por dhe nëse eprorë të kastës politike nuk reflektojnë, prirë nga pragmatizmi votëprurës apo solidarësia natyrale e racës me ta, së paku ne vdektarët e pashibluar ti njohim bëmat dhe fytyrat e tyre. Dhe, duke i njohur, të mos i njatjetojmë respektshëm në udhë e sheshe të pafajshme. E, së mbrami, me një ofshamë klasike të themi çlirueshëm: ranë këto dosje e u pamë!

R.Kasumaj / janar 2014

Filed Under: Featured Tagged With: e u pame, Rane keto Dosje, Rexhep Kasumaj

Ëndrra e fundme” e një operatori turistik anglez: Trenat shqiptarë në guidën turistike të majit 2014/

January 4, 2014 by dgreca

Nga Edmond Prifti/

Anglezët si ngaherë të tillë. Të çuditshëm në gustot, e po aq në gjetjen e mënyrave praktike të udhëtimeve, larg asaj mondanes që me sa duket janë lodhur, e të etur për aventura… Gazeta britanike “Daily Mail”, në destinacionet turistike të guidave ndërkombëtare, ka përfshirë edhe një udhëtim me tren “që kalon përmes Shqipërisë”, përgjatë muajit Maj 2014. Në kategorinë “Travel Destinations” për vitin 2014, “Daily Mail”, , të cilës i referohet ATSH, theksonndër të tjera se, “është koha që të mendojmë se çdo bëjmë pasi jemi futur në një vit të ri, e për ata që s’duan ta harxhojnë kohën e tyre në palestra apo duke ngrënë më pak çokollatë, le të mendojmë diçka tjetër. Mendoni për aventurat që do të mbahen mend gjatë, si ato të një rrugëtimi jashtë Britanisë”, bën të ditur “Daily Mail”. Më tej gazeta britanike jep disa nga mundësitë e turistëve ishullorë për udhëtimet e tyre nëpër botë, duke filluar nga dhomat nënujore në Manta Resort të Tanzanisë, apo ishujt Cavallo off Corsica, Kalamota apo edhe udhëtimet me varka në Dubrovnikun e lashtë, duke dhënë edhe faqet online të operatorëve turistikë, të cilët i organizojnë këto udhëtime aventure.

Ndërsa për “Jetën e egër”, anglezët propozojnë vizitën në koloninë e pinguinëve Gentoo apo Zimbabve, ku zgjidhja është paketa turistike e ofruar nga operatori anglez expertafrica.com, në për kapitullin e “Udhëtimeve me tren”, gazeta “Daily Mail” propozon trenin e parë privat evropian, i cili udhëton drejt Iranit për 15-ditë përgjatë muajit Tetor 2014, nga brigjet e Bosforit drejt Persisë së Lashtë, në zemër të Teheranit.

Ndërsa, më tej në këtë artikull të gazetares Wendy Driver, propozohet edhe një guidë tejet e veçantë që kalon përmes Shqipërisë, nga operatori turistik anglez “Ffestiniog Travel” (ffestiniogtravel.com). Këta të fundit,  bëjnë të ditur se udhëtimi 13-ditor përfshin Maqedoninë dhe Shqipërinë, nga një kalim më parë, në shtetin më të ri të Evropës, Kosovën.

Sipas tyre, udhëtimi fillon nga Mali i Rugovës, me vizitë në manastiret e hershme, e më tej duke kaluar në resortet pranë lumit.

ATSH iu referua faqes zyrtare të operatorit turistik ffestiniogtravel.com, një tur operator anglez i krijuar nga disa specialistë hekurudhe dhe adhurues të udhëtimeve me tren që në vitin 1974; ku një program i detajuar përshkruan këtë udhëtim me tren, i cili kalon edhe përmes Shqipërisë.

Sipas tyre, në guidën turistike të titulluar “Të shkrijmë kufijtë –  Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria”, turi është parashikuar të fillojë më datë 7 maj deri më 19 maj 2014, i cili përfundon në Shqipëri.

Sipas ffestiniogtravel.com që i referohet ATSH, në guidën turistike të publikuar në faqen e tyre në internet, data e parë e këtij udhëtimi përshkruhet nga operatori i mësipërm: “Ndryshe nga programi jonë vjetor i rregullt, këtë vit kemi përfshirë destinacione të reja, siç është edhe shteti më i ri, Kosova; një shtet i njohur nga pjesa më e madhe e Bashkimit Evropian e tashmë i hapur për të përfunduar së bashku, bashkimin e copëzave të këtij rajoni mjaft të bukur”.

-Guida e aventurës me tren përqark tre shteteve-Dita e parë fillon me një fluturim me avion nga Mynihu drejt aeroportit të Prishtinës, ku operatori turistik përshkruan se në kryeqytetin e saj, Prishtinë, “gjëja e parë që do na habisë, është se sa miqësorë dhe mirënjohës janë kosovarët për të vizituar vendin e tyre, përpos ndihmës që i japim për zhvillimin e ekonomisë së këtij vendi”.

Më tej, dita e dytë vijon drejt Malit të Sharrit, por edhe në Prizren, ndërsa dita e tretë e këtij udhëtimi përfshin Manastirin e Graçanicës i vitit 1321 dhe Gazimestan, ndërsa pasditja do ti gjejë aventurierët anglezë me tren, në udhëtimin e tyre nga Prishtina drejt Pejës. Dita e katërt, një udhëtim drejt Grykës së Rugovës, Manastirit të Deçanit si dhe qytetit të Gjakovës. Dita e pestë i kushtohet pothuajse tërësisht Prishtinës, e më tej aventurierët do të udhëtojnë drejt Maqedonisë, në ditën e gjashtë dhe të shtatë të tyre. Sipas operatorit turistik “Ffestiniog Travel”, meqenëse i vetmi tren në ditë nga Prishtina për Shkup, niset në orën 07.10, “jemi të detyruar të ngrihemi herët në mëngjes”.

Në ditën e tetë dhe të nëntë të kësaj aventure, është udhëtimi me trenin malor drejt Manastirit (Bitola) dhe vizita në këtë qytet, ndërsa më tej drejt Kërçovës (Kiçevo). Prej terminalit të trenave, udhëtimi vijon drejt Ohrit, apo një prej 28 qyteteve në hartën e listës së mbrojtur të UNESCO-s, duke përmbyllur ditën e 10-të dhe të 11-të të udhëtimit. Më tej “qershia mbi tortë” në ditën e 12-të, i përket Shqipërisë, ku operatorët britanikë të “Ffestiniog Travel” përshkruajnë se “rrugët hekurudhore të Shqipërisë janë krejtësisht të izoluara nga pjesa tjetër e Evropës. Ndërsa, do na duhet të kalojmë kufirin me rrugë tokësore, deri në Librazhd, ku do të marrim trenin e mesditës drejt Tiranës. Një tjetër ditë e kaluar përmes një peizazhi mahnitës…”. Dita e 13-të, është edhe rikthimi nga Mynihu, drejt Anglisë.

Më tej, në përshkrimin e kësaj guide nga Alan Heywood , një prej liderëve të këtij turi turistik, ai ka rrëfyer në detaje ditën e 12-të, “e cila fillon” që nga kufiri maqedonas-shqiptar, kur shoferi “zhduket” për disa çaste dhe na çuditën teksa kthehet disa momente më pas… me pasaportat e vulosura. Alan Heywood, qe i referohet ATSH, “në rrëfimin e tij të provës”, që mban datën 24 gusht 2013, përshkruan se “kjo ndodhi, më kujtoi kufirin midis Amerikës dhe Meksikës”.

Përpos peizazhit mahnitës, Alan përshkruan gomerët dhe makinat e braktisura anash rrugëve, deri në stacionin hekurudhor të Librazhdit, por edhe hutimin e shoferit pasi nuk e dinte se ku ndodhej stacioni hekurudhor. E më tej, edhe çudinë e vetë banorëve vendas për udhëtimin e një turisti të huaj me trenat shqiptar…Në rrëfimin e tij të detajuar, Heywood përmend ndër të tjera se pas afërsisht dy orësh ecejakesh në pritje të trenit drejt Tiranës deri në orën 11.55, përshkruan se, “treni ishte i përbërë nga dy vagonë të klasit të dytë Deutsche Bahn (ish-Gjermania Lindore) e të mbuluara përplot me grafiti, ndërsa lokomotiva një prodhim çek, ashtu siç pamë së shumti përgjatë udhëtimit tonë… Ndërsa shumë prej dritareve të krisura apo të thyera…por sediljet brenda ishin ende në gjendje të mirë”.

“Telegraph Travel Awards”, e ka konsideruar tur operatorin “Ffestiniog Travel”, si një ndër tre më të mirat në Angli, përkrah “Orient Express” dhe “The Rocky Mountanieer”. Në turet e tyre turistike, përfshihen udhëtime me tren pothuajse në mbarë botën.

TIRANË, 4 Janar, kortezi ATSH

FOTO:Treni i udhetareve Durres-Tirane. Fotografi nga Bob Cable, e publikuar ne faqen e operatorit turistik “Festiniog Travel”

Filed Under: Featured

AZGAN HAKLAJ MBAN NDEZUR PISHTARIN E ATDHETARISË

January 4, 2014 by dgreca

NGA SHPENDI TOPOLLAJ/

Sa herë takoj ndonjë ndonjë shok a mik, emri i të cilit përkon bukur me cilësitë vetjake të tij, nuk e di sepse më vjen ndërmend ajo thënia e atij priftit budist Kenko Hoshi i cili qysh në vitin 1331 shprehej se pas një emri fshihet një pamje. Kjo ngjet edhe me birin e shquar të Tropojës së bukur, Azgan Haklajn i cili duke ndjekur gjurmët historike të atyre viganëve që në shekuj luajtën një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e lirisë dhe pavarsisë apo të shembjes së diktaturës më të egër që ka njohur bota moderne dhe demokratizimit të vendit tonë, si eruditi i pathyeshëm Sali Berisha apo trimi i çartur Azem Hajdari, u bë njëri nga përfaqsuesit më autoritar dhe zëri më elokuent i gjithçkaje të mirë ka ajo trevë. Dhe njëkohësisht, me karakterin e tij burrëror, besnikërinë ndaj idealeve, energjitë e pashtershme në veprime dhe qartësinë e mendimeve rreth çështjes kombëtare, ai vërtetoi parashikimin e atij që e quajti Azgan.

Duke pasur në krah vetëm vlerat e tij intelektuale dhe njerëzore, ai u bë një figurë e njohur dhe e dashur për këdo. Pati ngjitjet dhe zbritjet e tij në politikë gjë që shpesh varet nga rrethanat, por për asnjë çast nuk ju lëkund bindja te thelbi i teorisë së Rene Dekartit se “Mendoj, pra jam”.         Dhe natyrisht, ka qenë ky formim qytetar i tij i cili e ka shtyrë prej vitesh që të jetë i pranishëm në organet tona të shtypit apo të botojë librat e tij  publiçistikë, duke ndjekur në këtë gjini shembullin e Gramenos, Fishtës, Merxhanit, Harapit e deri Ismail Kadaresë, i cili pikërisht në këtë zhanër ka shkëlqimin e tij më impresionues.

Azgani, duke qenë njëkohësisht edhe artist, me shembullin e tij, duket se e ka zhvleftësuar atë përcaktimin e atij filozofit që thosh se ai që e do të bukurën dhe të vërtetën, nuk duhet të merret me politikë, pasi politika nuk e do as të vërtetën dhe as të bukurën. Përveç angazhimit të tij si deputet në periudhën e ndezur 2001 – 2005, Azgani ka krijuar dhe drejton Unionin Artistik të Kombit Shqiptar, të cilin sikurse shprehet, synon ta shndërrojë “në një Parlament shpirtëror ku flitet me gjuhën universale të artit për hallet dhe plagët e kombit.” Dhe pa drojë mund të pohojmë se ai e ka realizuar mësë miri këtë me një sërë veprimtarish brenda dhe jashtë vendit, duke na bindur se Seferisi nuk e kishte fjalën vetëm për grekët kur thosh: “Ngado që shkoj atdheun e marr me vete.”

Në vetvete libri “Ashti i shqiptarisë” që po u jepet lexuesve në dorë është vazhdim i librave të mëparshëm të këtij autori, pasi edhe këtu si bosht qendror mbeten shqetësimi për një demokraci sa më të arrirë dhe bashkimi i trojeve tona të ndara padrejtësisht nga trungu amë, gjë për të cilën ai shprehet: “Pa pikë droje pse jo dhe shumë krenarisht deklaroj se bashkimin e trojeve etnike shqiptare nuk e kam thjesht qëndrimin personal e politik, por pikësynimin e jetës e qenësisë sime, të mendimit e veprimit tim prej kurse jam bërë të më dëgjojnë në odë burrash apo në tubime të çdo lloji.” Dhe shton se për këto nuk i marr leje askujt… në Beograd, në Moskë e në Athinë…

Jo pa qëllim, Azgani me njohuritë e tij të bazuara shkencërisht, i referohet jo vetëm dardanëve që s`kanë nevojë për asnjë apollogji, pasi atë nuk e shuan dot nga kujtesa historike as tërmeti i vitit 518, as sulmet sllave të viteve 613 – 616, dhe as çmenduria e akademikëve serbë apo e falangave të Arkanit dhe Millosheviçit, por edhe Dodonës pellazgjike në vendin e mollosëve, veç njëzet kilometra mbi Janinë, aq të lakuar nga Homeri (850 para K.), Hesiodi (rreth shek. VIII para K.) e deri Herodoti (484 – 430 para K.). të cilët me aq admirim flasin për të, duke e barazuar për nga rëndësia me tempullin e Delfit.

Ja pse Azgan Haklaj parathotë se Kosova qëndis flamurin e Pavarsisë, pasi gjaku i mijra dëshmorëve, jehona e pushkës së bijave dhe bijve më të mirë të saj si Adem Jashari, Ramush Haradinaj apo Hashim Thaçi me shokë apo urtësia proverbiale e udhëheqsave të mençur si Ibrahim Rugova, Adem Demaçi etj. do japë frytet e veta historike.

Kanë folur për Azganin dhe veprën e tij, pena me emër të letrave dhe politikës tonë. Nëse do na duhej t`i përmblidhnim ato, do mjaftonte të sillnim në vëmendje fjalët – sentencë të kritikut të njohur Dukagjin Hata se “Azgan Haklaj hyri politikë për të dhënë e jo për të marrë.” Se këtu qëndron edhe tragjedia jonë, ajo tragjedi që Azganin e shqetëson dhe ai me guxim të lavdërueshëm qytetar i ka shpallur luftë, jo me ushtën e Don Kishotit por me forcën e pallogaritshme të penës.

Në një libër autobiografik Salman Rushdie e ka quajtur pazarin e mendimeve të kundërta si vendin nga buron liria. Vetë Azgani është shprehur se “… dialogu është ajri i një shoqëria demokratike.” (“Dardanët presin Dodonën” fq.167). Kështu edhe në këtë libër, një vend të rëndësishëm zenë edhe polemikat me personalitete të politikës apo mediave, me të cilët Azgani ka kundërshti pikpamjesh apo qëndrimesh. Kjo është krejt normale, se edhe unë që po shkruaj për të, mund të kem rezervat e mia me gjithë sa ai thotë. Por, debati me kulturë dhe argumente është i shëndetshëm dhe duhet pranuar se rrallë e ndeshim atë si te librat e Azgan Haklajt.

Ne e dimë mirë dhe kjo nënvizohet edhe te “Ashti i shqiptarisë” se Azgani shpesh e ka paguar shtrenjtë këtë guxim. Se fundja jo më kot Leon Tolstoi shprehej se “Kur dhuna e padrejtësia ngrihen në sistem shtetëror, vendi i njerëzve të ndershëm është në burg”. Por kjo nuk e ka thyer për asnjë çast atë, ashtu sikurse nuk e ka trishtuar shpërfillja e lënia pa punë. Ato ndofta, me gjithë veprën e tij, i kanë dhënë përmasa epike dhe i kanë rritur besimin se ajo statuja e bronxtë e atij djalit që mbante në duar një purtekë të përkulshme që godiste enët metalike, prej nga priftërinjtë e Dodonës gjenin përgjigjet e perëndive për pyetjet që bëheshin, do konfirmojë se ka ardhur koha që edhe Kosova dhe Çamëria të bashkohen me Shqipërinë, pasi sikurse e mendon vetë Azgani, tani edhe Zoti po flet shqip.

Por, për ta shpejtuar këtë ditë, duhet që gjithkush të ndjejë përgjegjësi atdhetare se tashmë kushdo e ka të qartë se Bernard Shou pikërisht të tillë qëllim kishte kur porosiste se “Jeta nuk është një qiri, por një pishtar që duhet mbajtur ndezur me çdo mënyrë”.

Ashtu sikurse po e mban të ndezur dhe me nder edhe biri i trim Tropojës legjendare Azgan Haklaj, ai burri që të sheh drejt e në sy dhe që më kujtoi atë thënien e japozezit Kenko Hoshit se pas një emri fshihet një pamje.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Azgan haklaj, mban ndezur, pishtarin e Atdhetarise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 775
  • 776
  • 777
  • 778
  • 779
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT