• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ca kujtime mbi At Gjeçovin

December 29, 2013 by dgreca

nga Faik Konica/

At Gjeçovin e pata njohur me anë letrash disa vjet përpara Luftës Ballkanike. Më 1913 shkova në Shkodër dhe atje, në Kuvent të Franciskanëve, nji ditë u njohmë me sy e me fjalë të gjalla. Mendimet nderimi, që kisha patur për At Gjeçovin për së largu, m’u shtuan ca më tepër që kur u poqmë. I mesmë nga gjatësia e trupit, pak si i thatë, me një palë sy të zez ku shkëlqente mendja po dhe zemërmirësia, At Gjeçovi fitonte menjëherë besimin dhe dashurinë. Fjalët i kish të pakta po kurdoherë në vend. Vetëm kur në të kuvënduar e sipër takohej ndonjë pikë mbi të cilën kish dituri të veçantë – si për shembëll Kanuni i Lek Dukagjinit ose vjetëritë greko-romane – At Gjeçovi çelej ca më gjatë dhe atëhere ish gëzim ta dëgjonte njeriu. Aso kohe, At Gjeçovi ish “famullitar”, domethënë prift i ngarkuar me shërbimin e një fshati ose rrethi, dhe rronte në Gomsiqe, i pari katunt i Mirditës në udhë nga Shkodra në Orosh. A i vemi mysafirë At Gjeçovit ndonjë ditë të kësaj jave? Më pyeti një herë At Fishta, me të cilin piqesha çdo ditë në Shkodër. Mendimi i një vizite At Gjeçovit më pëlqeu pa masë. Ashtu, pa humbur kohë, u nismë. Një gjë për të vënë re dhe që më mbushi me habi dhe trishtim, është se nga Shkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtim shtatë a tetëorësh me kalë, nuk gjetëm as katund, as shtëpi, veç një hani të varfër, ku qëndruam për të pirë kafe, s’pamë gjëkundi ndonjë shënjë gjallësie: një vend i zbrazur e i shkretë, si i harruar nga Perëndia dhe nga njerëzit. Po mërzia e udhëtimit na u shpërblye përtej shpresës, posa arritëm në Gomsiqe, ose, që të flasim me drejt, në famulli të Gomsiqes, – se katundi vetë i shpërndarë tutje-tëhu, një shtëpi këtu, një shtëpi nja dy milje më tej, as që dukej.

Famullia – një bina prej guri, e ndritur dhe e pastër, gjysmë e zbrazur nga plaçka po e mbushur dhe e zbukuruar nga zemra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit të shtëpisë – qëndronte, mirëpritëse dhe e qetë, anës një lumi. Këtu rronte At Gjeçovi. Këtu e shkonte jetën, në mes të lutjes e mësimeve, një nga njerëzit më të lartë që ka patur Shqipëria: një lartësi e përulur, në mund të afroj e të lidh dy fjalë aq të përkundërta; një lartësi shpirti dhe mendjeje e panjohur nga njeriu vetë, i cili, bir i vërtetë i të Varfërit të Assisit, në pastëri e në vobësi************************* të zemrës tij e dinte veten të vogël. Famullia, shkollë dhe vend këshillash të mira, u jipte fëmijëve themelet e stërvitjes, u përndante fjalët e urta dhe ngushëllimet njerëzve në nevojë. Kohën që i tepronte, At Gjeçovi ia kushtonte studimit.

Merrej ahere me institutat e vjetra të Shqipërisë, nga të cilat një që arriu gjer në ditët tona është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Askush nuk mund t’i afrohej At Gjeçovit në diturin e këtij Kanuni. Na tregoi një dorëshkrim nja dymijë faqesh, studim i palodhur e i hollë ku kish mbledhur, radhitur e ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t’i kenë rrënjët shumë përtej Kohës së Mesme.

Në katin e sipërm të famullisë, përmbi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërsirash greko-romane, të zbuluara e të mbledhura një nga një, me një fatbardhësi të rrallë dhe me një shije të mbaruar, nga dora vetë e At Gjeçovit. Mbaj mend, veçan, një enë të vogël, të quajtur “lacrumatorium” lotore, asosh që të vjetrit, në besim se të vdekurit qajnë të shkarit e jetës së tyre, i mbulojnë në varr bashkë me të vdekurin, që ky të kish se ku t’i mblidhte lotët. Nuk më shkonte ahere kurrë ndër mend se pas ca vjet secilit prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë që në gjallësi për nga një lotore, ku të mbledhim lotët tanë për At Gjeçovin…

Bir i përulët i Shën Franciskut, i ditur me një dituri pa tingëllim, po dhe shqipëtar i kthjellët, At Gjeçovit, që i përkiste çdo mirësi, nuk i mungoi asnjë hidhërim, asnjë shpifje, më e çuditshmja e të cilave ndoshta është të mohuarit se ai ish shqipëtar. Sepse ishte lindur në një kufi gjërash, në një kufi ku sot mbaron shqipja dhe nis një tjetër. Ca mendje të klasës së katërt e përmbysin të vërtetën dhe e kthejnë në të sharë atë që është një lavdi.

Po At Gjeçovi është përmi çdo sharje. Emri i këtij njeriu të rrallë do të vejë duke u rritur dhe një ditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shënjtëruar të shqiptarësisë.(Dielli-arkiv)

Filed Under: Featured Tagged With: ca kujtime, Faik Konica, per at Gjecovin

Shkretëtira e karkalecave

December 29, 2013 by dgreca

Ali Podrimja/

Ndizja llambën dhe kërkoja ibrikun me ujë. Nëna ma linte afër shtratit. Dhomën e pushtonin pak më vonë karkalecat. Përcillja fluturimin e tyre rreth llambës. Përbiroheshin nëpër të çarat e xhamit ose të plafonit. Asgjë nuk ndërmerrja, as nuk më shkonte ndërmend të ndërroja diçka, bile as xhamin e pëlcitur. Shtëpia ishte gati në ajër. Flatrat e insekteve neveritëse bëheshin të padurueshme. E fikja dritën me rrëmbim, futja kokën nën jorgan dhe ndieja zbrazësinë e dhomës. Në gjumë më shfaqej ndonjë gurgullimë gati e mbytur e Erenikut.

Në mëngjes vëreja: nata nuk kishte qenë aq e qetë. Nëpër mure kacavarej ndonjë flatër karkaleci ose qartë shiheshin vijëza gjaku. Pas ca kohe mësova se karkalecat lanë shkretëtirë gërditëse. Nga gjurmët e harruara lexohej tmerri. Shushurimë të lisit sa vinin e shtoheshin. Mezi shihja një rriskë qielli. Gjethet e tij dallonin nga gjethet e drunjve të tjerë. Tufa e karkalecave aty nuk  kishte prekur ende. Më vonë pashë se edhe lisi im kishte nisur të thahej. Një ditë e shkulën me rrënjë si një cung hakaret dhe midis të oborrit lanë një gropë të madhe. Aty mbaronin të gjitha udhët. Edhe dhiaret.

Ajo që më mungonte kishte formën e klithjes, me majë gati të thikës. Gjysmën e udhës e kisha kaluar, megjithëse besoja se ajo tek fillonte. Qetësi absolute më pushtonte. Ishte hera e parë, që gjërat fillova t’i shikoja ashtu siç janë: pa kurrfarë zbukurimi. Fundi i shekullit afrohej, Ballkani përpëlitej brenda hasmërive. Është koha kur lëvizin gurët.  Kur të kthehem nuk di sa gurë do t’i kaloj nëpër trojet arbërore. Ata vazhdimisht më ngulfatin. Ndonjë lajm përvidhet: Arbërorët po dalin nga legjendat e mitet dhe po e marrin Europën në sy. Smira nuk i lë të qetë as andej. Ç’popull jemi, more?! Do të ketë lajme taze me siguri. Al Paçino ose Rapsodi do të më zgjojnë me ferk. Arbëria nuk është pikë uji në det. Ajo që më mungonte kishte formën e thikës. Do të shohim, gjak a ujë do të pikojë nën strehë. Fjalët që më mundonin lidheshin nyje.

Çështje mbetej liria, ekzistenca ime në katarkën e derrave.

Nuk di a ka natë që zgjat më shumë se nata që pret të gdhijë. E kalova vijën e fundit me një vrap. Nxitoja të shihja atë që e takoja vetëm në ëndërr. Ia kisha harruar hijallin. Në krah të majtë zgjohësha, në krah të djathtë rrotullohesha. E kisha thyer dikur pasqyrën dhe kisha dalë tinëz nga shtëpia. Më kishte marrë malli të ndërroj fjalë me ata që kisha bërë një gjysmë jete udhë. Takimi i parë: Dukeni mirë, zotëri! Keni qenë te mjeku?, më pyet një mik fëmijërie. Do të shkoj, ndoshta, – përgjigjem në mënyrën e tij – Po ju zotëri, sa herët qenkeni zgjuar. Ai zgërdhihet. Kap maçokun për bishti dhe ikën.

 

Unë hap derën e kafenesë “Ardhmëria”. Takimi i dytë: Deri në fund të sallës tavolinat. Aty-këtu ndonjë duç cigare dhe shishe të harruara “Skënderbeu”. Kamarieri i zdesh dhëmbët. Dua të zë një vend diku. Nuk bën, zotëri – thotë ai – tavolina është vetëm për pozitarët. Po aty? – ia bëj me dorë. Është e opozitarëve. Bëjnë poterë po qe se mbesin pa karrige. Atje më tutje – vazhdon ai – rrinë telallxhinjtë e tyre. Harrova t’ju them zotëri, se atje lartë bëjnë poterë fëmijët e sigurimcave, kallëzojnë përralla më fantastike për baballarët dhe nuk turprohen para miletit. Siç e shihni, merren me punë të mëdha të atDheut. Aty tek ajo e qëndisme grumbullohen sharësit dhe të sharët. Krejt në fund pëshpërisin hafijet e të gjitha partive. Nuk di kush kë spiunon, por hahen si qentë…Do të thotë se kafeneja “Ardhmëria” qenka një diagonale e çuditshme ku rrëshqitet deri në fund…

Gjendem prapë në krye të sallës. Para meje tavolina të zbrazëta dhe karriget që lëvizin në mënyrë të çuditshme. Më bie ndërmend Mario Soresku dhe deklamimi i tij i hidhur para boshllëkut nacional. Por dallimi në mes karrigeve shqiptare dhe atyre rumune është se pak më vonë në këto tonat do të ulen gjithfarë copash mishi të të gjitha formave e peshave, nga fërkimi i të cilave mund të ndezësh edhe cigaren. Takimi i tretë: Ja kalemxhiu, zbret nga bina. Ndez cigaren në xixën e dy kofshëve që sa përflaken! Më vonë: do të thotë nuk paska vend. Ai prapë m’i tregon dhëmbët. Faleminderit!… Po kush sundon këtu?, e pyes pa të keq. Qoftëlargu ende, zotëri – thotë disi turpshëm, tek i fsheh dhëmbët e verdhë. Ashtu! Në flakën e një qiriu ndezi gazetën te dera dhe ik në shtëpi.

Prapë rënia. Nuk ishte ky kërcim nga Ura e Shenjtë. E shihja pusin e errët që hapej tmerrshëm. Dhe sapo i afrohesha, pashë se me të vërtetë isha i veshur në rroba të vdekjes. Këtë e hetova kur Alenë e Shpëtimtarëve të Kombit mezi e ndriçonte një poç elektriku, të cilin e kishte vënë dikush në një hu për të parë se ç’ndodhte atje poshtë. Poçi fatkeqësisht mezi bënte dritë. Ishte humbur gati në tufën e karkalecave, që thyenin heshtjen mortore duke hëngër njëri-tjetrin. Tamam si … Rënia vazhdonte. Dhuna e poshtërimi nacional i afroheshin tetikut. Mbyll derën e shtëpisë se më tmerron shkretëtira e karkalecave…

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Ali Podrimja, Shkretetira e Karkalecave

Talented Actor Arban Përlala talks about his career and passion

December 29, 2013 by dgreca

The famous Albanian artist has been very influential in rap music in Albania and Europe. Since early on his left his mark as one of the original and talented creators in the field. After a successful music career, Arban Përlala started his acting career, a passion he had since early on. In the following interview Arban talks about his career and his upcoming projects.

What has been your biggest achievement in the field of acting?

Arban Përlala: My role as Tony at the film “Out of touch” 2011. Also my role as myself at the Tv Series “Deka lepta kirigma” 2000-.

How did you get your first break?

Arban Përlala: I don’t think there is such a thing as a first break in any professional career. I have been related to acting since early on in my life. I was 6-7 years old when I was first started to read books. At around 8-9 years old I was reading a lot of books compared to other kids my age. And I was only 10 years old when I performed during Christmas in front of a large crowed at a church, in my hometown in Albania. Then at 17 years old I first performed at a theater show in Athens, Greece. And from then on things kept happening very fast; from reading to writing, to theater, to rhyming, to rapping, to tv/ radio/newspapers and magazines, to acting, to shooting, to feature film.

What is your best quality as an actor?

Arban Përlala: My best quality as an actor is that I am not shy to try. I don’t spend time thinking that I might do it wrong and what then. I just do it. Again and again and again until I do it right and until the director is happy with it.

I have learned this from my career on audio recording studios as I have been executive producer in many projects. Many people involved many of them without the necessary skills at the vocal recording. But when I need that song done and ready -for a commercial project- I don’t have the luxury to spend my time with shy people. The one who does it, does the job. Action!

 

Where did you study or get your training?

Arban Përlala: I am not trained but I have learned about body language, face expressions and movements. When it comes to memorizing the script, it is natural to me. On this I have been training for more than 14 years of writing and performing Rap lyrics. I have been writing hundreds of lines and I remember most of them very well.

Tell us about some of your favorite characters and your method for developing them.

Arban Përlala: The most important to develop a character, in my opinion is to read the script. Read the script. Read it all. And read it again. Not just your part, all the script. This is a good start to be able to better understand and portray the role you are asked to play.

What have you learned from the directors that you have worked with throughout your career?

Arban Përlala: To read and listen.

Who is your ideal director or role model in the industry?

Arban Përlala: The ideal director or role model is an experienced director, who has done a lot of movies. They can give concrete advice and proper guidance.

Describe your dream role.

Arban Përlala: Dream roles are for script-writers and directors. Me as an actor I function more like a plug-in. Do this. Of course there are some roles that I will never consider.

 

Interview by Ermira Babamusta

 

 

Filed Under: Featured

TRUSHPLARËSVE

December 29, 2013 by dgreca

Poemë nga ELIDA BUÇPAPAJ/

…ndër shqiptarët/

nuk ka shtyp të lirë/

liri të fjalës/

ka liri të plotë/

të trushplarjes/

si e doni trushplarjen /

oferta të trushplarjes/

ka plot/

në çdo sezon/

janë zemërgjërë/

trushplarësit/

lavatriçet/

janë të markave/

më të fundit/

 

ndër shqiptarët

nuk ka shtyp të lirë

ku fjala shqipe të

gurgullojë lirshëm

nga burime drite

 

festohet tallshëm

nëpër gala

me maska

ditërrëzimi

i statujave

festohen tallshëm

përvjetorët

e lirisë

të trushplarjes

 

sepse fjala

është e prangosur

më keq se të burgosurit

politikë të

ndërgjegjes

në kohën e shqiptarofobisë

apo kur shqiptari

e vriste shqiptarin

me armë të shfarosjes

veç sepse ishte i armatosur

me mendime

të ndryshme

nga sloganët

uniformë

si uniformat

e lagerave

me vija dhe me një numur

në vend të emrit

 

ndër shqiptarë

nuk ka fjalë të lirë

që të fluturojë si zog zemër më zemër

në vend të tyre

ka sorra jeniçere

 

ndërsa

fjala e pafrymë

përpëlitet

duke i provuar të gjitha llojet

e ekzekutimit makabër

në dukjen e mosdukjes

abstrakte

nga xhelatët e shekullit XXI

që shfaqen në ekranë dhe kopertina

gazetash

si personat

më të rëndësishëm

të Ballkanwood-it

shqiptar

rrethuar nga shpurat

gollomeshe

të vulgaritetit

 

dhe tutorët dhembfloriri

që janë pronarët-xhonglerë

të cirkut politik

prenë e tyre

e zgjedhin

duke ua kontrolluar dhëmbët

e dhëmballët

si në tregun

e skllevërve…

të mileniumit të tretë

 

kur dhembët e qenit,

apo prerës nuk e

përtypin aq sa duhet

fjalën

nuk e coptojnë

ashtu si duhet për t’ia

hequr shpirtin

dhe rrënjësisht kuptimin

apo kur

kurorat dhembore

nuk bëhen dot

burg i sigurt

për fjalët

atëherë

tutori permes

xherahëve

të shkolluar në Perëndim

ua çrrënjos dhembdhëmballët

një për një

dhe pastaj ua mbjell

një për një

duke marrë garanci

se tash e mbas

nga gojët

e dhembdhëmballëçrrënjosurëve

dhe dhembdhëmballëmbjellurve

nuk do të ketë asnjë lloj hapësire

për të rrjedhur

asnjë fije floku

të fjalëve

asnjë rrokje

asnjë presje

bile asnjë pikë pikë pikë

retiçense…

 

ndër shqiptarët

nuk ka

liri të fjalës

 

ka liri të plotë

të trushplarjes

si ta doni trushplarjen

ka oferta me çmime

konkuruese

të trushplarjes

në çdo sezon

 

janë zemërgjërë

trushplarësit

të pakursyer

për të blerë

lavatriçe

të markave

më të fundit…

 

29 dhjetor 2013

 

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, trushplaresve

Toka dhe racat

December 29, 2013 by dgreca

Analizë psikologjike/

Shkruan: Prof. Dr. Hazbi Shehu/

Copëtimi i planetit tonë në pllaka tektonike dhe kontinente krijoi kushte për formimin e racave të qenieve të gjalla. Zhvillimi i shoqërisë njerëzore, po krijon mundësinë për vëllazërimin dhe bashkimin e të gjitha racave në një të re dhe të vetme. Detyra e shkencëtarit është të studjoje, të njohë në thellësi fuqinë e planetit tonë dhe efektet që ka sjellë dhe po sjell gjatë zhvillimit në hapësirë dhe në kohë. Materia në të gjitha format nën veprimin e energjisë së brendëshme të saj dhe  goditjeve te forcave të jashtme (yjeve, planeteve, Diellit, etj). Forcat goditëse të yjeve të Diellit dhe planetëve, etj., varen nga përmasat e ç’do ylli, energjia e tij e brendshme dhe largësia nga toka jonë.

Miliona vjet më parë, toka ka qenë një e pandarë e quajtur “Pantea”. Veprimet e energjisë së brendshme të planetit dhe ngacmimet e vazhdushme të Yjeve, Diellit, etj., nga jashtë saj shkaktuan copëtimin e planetit tonë në pllaka të mëdha tektonike. Rrëshqitjet e ngadalta të pllakave të tokës gjatë qindra milionë vjet; krijuan situatën e sotme gjeologjike të kontinenteve dhe oqeaneve dhe e përshtatshme për qeniet e gjalla. Sipas të dhenave sizmike dhe atyre stetoskopike, korja e ngurtë e brendshme dhe ajo e jashtme e tokës përbehen në nje shkallë e madhe prej hekuri. Manteli i përberë nga shkëmbinj silikatë të pasuruar me hekur dhe magnezium paraqitet në nje shkalle të madhe të ngurtë; duke ndryshuar në menyre të menjëhershme nga densiteti me zonën kalimtare. Zona plastike e njohur si asthenosfera në mantelin e sipëm; shtrihet nën litosferën kompakte. Manteli i poshtëm dhe korja paraqiten relativisht shumë të holla. Lëvizja në litosferë ndodh si rrjedhojë i veprimtarisë së rrymave të nxehta konvektive. Lëvizja dinamike e kores së jashtme fluide e tokës gjeneron një fushë magnetike që formon zonën e quajtur “magnetosfera”. Fusha magnetike devijon dhe redukton shpejtësinë e pjesëve të demshme të rrezeve diellore. Ajo ndihmon në mbrojtjen e jetës nga radiacioni. Origjina e qenieve të gjalla pranohet si rrjedhojë i evolucionit të planetit tonë.

Evolucioni është i lidhur me energjinë e gravitacionit dhe radiacionit. Gjatë riformimit të tokës hekuri i shkrirë ndodhet në qendër të tokës, ndërsa materialet më të lehta formuan mbulesat me densitet të diferencuar. Përshtatshmëria e tokës për gjallesat ka qenë e varur nga evolucioni i oqeaneve, frymëmarrja e atmosferës dhe ekrani mbrojtës i saj. Me ftohjen e sipërfaqjes të planetit, në atmosferë filloi akumulimi i përbërësëve që vinin nga brendësia e tokës si inkluzione fluide të shkëmbinjve kristalinë. Ato u shfaqën si rrjedhojë i shpërthimeve të vullkaneve të pasur me avuj të karbonit dioksidë, sulfur dioksidit, hidrogjenit dhe nitrogjenit. Atmosferës së atëhershme dhe oqeaneve i mungonte oksigjeni. Rrezet ultraviolet me energji të lartë të shoqëruara me vetëtima ndriçuese dhe shkreptina; duhet të kenë transformuar komponentet kimike në molekula të thjeshta organike.

Si rezultat i veprimit të energjisë së lartë të radiacionit janë ndërtuar blloqe nga molekula komplekse të jetës. Ato shprehin qelizat mikroskopike më të hershme të jetës në tokë dhe i përkasin formave më të lashta të algeve (rreth 2.7 bilion vjet më parë). Këto filluan fotosintezën në ujrat e cekta; duke kthyer karbon dioksidin në oksigjen të lirë dhe në përbërës organik. Radiacioni ultraviolet zbërtheu ujin e sipërfaqjes së tokës në hidrogjen dhe oksigjen. Oksigjeni ndryshoi atmosferën primitive pa jetë në një atmosferë me frymëmarrje. Ai formoi gradualisht në stratosferë një ekran ozoni që bllokoi shumicën e rrezeve të demshme ultraviolet. Jeta filloi dhe në sipërfaqjen e tokës, jashtë oqeaneve. Hidrosfera dhe atmosfera evoluan duke arritur në situatën e sotme. Format e qenieve të gjalla u zhvilluan konform pozicionit hapësinor të kontinenteve në planetin tonë.

Sot si toka dhe qeniet e gjalla vazhdojnë të zhvillohen. Rreth 30 % të rrezatimit diellor që depërton në atmosferë, kthehet në hapësirë si rrjedhojë i kundërveprimit të reve, akullit dhe ujit. Rreth 20% absorbohet në ajër me anë të avullit, të ujit, ozonit, reve, pluhurit dhe molekulave të ajrit. Rreth 50% thithet nga sipërfaqja e tokës duke ngrohur tokën dhe atmosferën në sasi jo të barabartë. Si rrjedhojë u stimulua qarkullimi global i ajrit dhe rrymave në oqeane. Dielli është burimi kryesor i energjisë për tokën. Kjo energji ngroh sipërfaqjen e planetit tonë, atmosferën dhe avullon ujrat e oqeaneve duke i kthyer ato në sipërfaqjen e tokës në formë të shirave, dëborës etj., sipas stinave. Energjia diellore duke ngrohur kontinentet, në mënyrë të diferencuar vë në lëvizje atmosferën në shkallë të gjerë planetare. Rrezatimi diellor zvogëlohet dhe forcohet në përputhje me ritmin e njollave diellore dhe shpejton ose ngadalëson proçeset në atmosferë.Vullkanet duke përhapur hirin në formë mbulese në qiell, zvogëlojnë rrezet e nxehta të demshme të diellit. Tërheqja gravitacionale e yjeve dhe planetëve e kanë riformuar pak orbitën e tokës. Ato kanë mënjanuar aksin e saj duke sjellë rishpërndarjen e nxehtësisë sezonale të Diellit dhe avancimin ose tërheqjen e akullnajave. Sheshimi në masë i pyjeve; ndryshimi i rrjedhjeve të lumejve; derdhja e karbonit dioksid dhe shkarkimi i materialeve kimikale të papërpunuara në atmosferë po krijojnë një klimë të padëshirueshme, veçanërisht për shekujt e ardhshëm. Ndryshimet e sipërfaqjes së tokës në përgjithësi janë graduale, por ato herë herë shprehen në forma katastrofike.

Diskutim: Në datë 29-30 Gusht, 2013 një nga lajmet ne televizionin Top-Channel ishte: “Disa shkencëtarë pranojnë se jeta në tokën tonë ka ardhur nga planeti Mars me anë të një asteroidi”.

Po ta pranojmë këte hipotezë, shkencëtarët e Marsit duhet të kishin dërguar shenjat e gjallesave ose të paktën të kishin lëshuar ndonje sinjal tokës tonë. Nëse ndonjë asteroid pranohet të ketë renë në Mars, forca e gravitacionit të planetit nuk lejon shkëputjen e tij nga planeti?! Të supozojmë se një yll gjigand është përplasur me planetin Mars duke shkëputur një copë e cila ka kaluar në hapësirë në formë të një asteroidi. Si kanë jetuar mikrogjallesat ose komponentët përbërës të jetës në sipërfaqjen e asteroidit gjatë udhëtimit nëpër hapësirë ku veprojnë forcat goditëse dhe shkatërruese të yjeve.

Eshtë provuar shkencërisht se nxehtësia e rrezeve të diellit është shkatërruese dhe vdekjepruse. Si i kanë rezistuar rrezeve të Diellit këto mikrogjallesa ose komponentet përbërës të jetës? A ka renë ndonjë asteroid në planetin tonë? Në se ka, a është studjuar nga shkencëtarët mundësia e ekzistencës të ndonjë mikrogjallese ose komponenteve përbërës të jetës?

Meqenëse është e vështirë për mos thenë e pamundur, që t’ju përgjigjesh pyetjeve të mësipërme, si specialist gjeolog e shoh më të pranueshme shpjegimin e dhenë në këtë shkrim se jeta ka lindur këtu në planetin ose tokën tonë.

 

 

Kontintentet dhe formimi i racave

 

Dinamika e brendshme e planetit tone së bashku me veprimet ngacmuese te forcave te jashtme (yjet, dielli etj), shkaktuan ndarjen e tokës ne pllaka dhe kontinente. Ç’do kontinent ka karakteristikat e tij që kondicionohen nga:

-pozicioni hapsinor që zë ne planetin tone

-relievi i shprehur me anë të maleve të lartësive të ndryshme

-fushave dhe ujrave të lumejnve që rrjedhin në liqene, dete etj

-pyjet që me gjelbërimin dhe frymëmarjen e tyre kënaqin jo vetëm syrin por dhe mushkëritë e njeriut

-shkëmbinjtë si përberësit kryesor të kontinenteve, litologjia e të cilave përcakton dhe dallimin gjeologjik ndërmjet kontinenteve

-klima që shpreh dallimin e shkallës së ngrohtësisë dhe të ftohtit e çdo kontinenti në varësi të distancës së tij nga dielli dhe influenca e veprimit të planeteve dhe yjeve mbi token.

Në veçanti roli kryesor i përket rrezeve të diellit që për çdo kontinent shprehet me ndryshimin dhe diferencimin e stinave. Spostimi i pozicionit që pëson çdo kontinent është në varësi të energjisë së brendshme të planetit dhe të forcave të jashtme (yjet, dielli, etj) që vazhimisht godasin planetin.

Pikërisht këto kushte, në të cilën ndodhet çdo kontinent kanë përcaktuar dhe mënyrën e jetës të qenieve të gjalla në të. Historia ka treguar dhe vërteton, se njeriu në varësi të pozicionit dhe kushteve të përmendura më sipër ka jetuar i vetëm ose në grupe, nëpër shpella, kasolle, në ndërtesa prej balte, dërrase, guri ose dhe në pallate lluksoze. Ka jetuar i zhveshur ose i veshur me gjethet e pemëve kohët e fundit dhe me kostume në pallate lluksoze. Ushqimi ka qene i kondicionuar nga forma e prodhimit të tokës ku ka jetuar. Këto kushte kanë influencuar dhe në formimin e trupit, pamjes, ngjyrës, përmasave, forcës muskulore dhe aftësisë trurore të njeriut. Punët, fillimisht janë kryer me anë të forcës fizike e deri ne përdorimin e mjeteve te thjeshta rrethanore per te siguruar ushqimin. Me kalimin e kohës, truri shpiku mjete moderne për një jetë më të mirë. Ky zhvillim gradual, por i ndryshëm nga një kontinent në tjetrin shpjegon karakterin, edukatën dhe sjelljen njerëzore. Jo vetëm në kohët e lashta, por dhe sot ka kontinente që njerëzit trajtohen njëlloj si kafshët. Pra ndarja e planetit në pllaka të mëdha dhe formimi i kontinenteve ishte shkaku i krijimit racial të qënieve të gjalla. Në kontinentet më të zhvilluara si Europa, njeriu filloi të gëzojë lirinë dhe të drejtat e tij. Deri tani sistemi i qeverisjes më i avancuar është pranuar ai i demokracisë. Sot vendi më i zhvilluar është SH.B.A., që ndodhet në kontinentin e Amerikës veriore i zbuluar dhe i banuar më vonë. Zbulimi dhe banimi me popullsi i ketij shteti u drejtua fillimisht nga Europianët (veçanërisht nga Anglezët ).

 

Vëllazërimi i racave

 

Zhvillimi i njerëzimit është rrjedhojë i përpjekjeve të njeriut për të jetuar. Ka filluar me lindjen e njeriut, por i diferencuar sipas kontinenteve. Truri i njeriut ka arritur të zbërthejë materien dhe të zbatojë në jetë fuqinë e atomit, të hidrogjenit, etj. Ka krijuar dhe po krijon raketa me fuqi të jashtëzakonshme për të fluturuar në planetet e tjerë. Ai po zbërthen dhe do të zbërthejë sekretet e gjithësisë.

Bukuria dhe madhështia e trurit të njerëzve më të zhvilluar me ndërgjegje më të lartë, më fisnike dhe më dashamirëse po shprehet sot në kryerjen e proçesit të vëllazërimit për të gjitha racat e botës. Pra niveli më i lartë i trurit të njeriut filloi të mendoj dhe të punojë për veten e tij?!

Promotori i proçesit të vëllazërimit të racave njerëzore ka filluar në SH.B.A. Ky vend është bërë djepi që po përkund, përkëdhel dhe bashkon njerëzit e të gjitha ngjyrave. Llotaria Amerikane është sinjali i parë i thirrjes njerëzore pa dallim race, krahine, feje dhe ideje për të jetuar në këtë vend. Ligji i SH.B.A. i ka hapur dyert gjithë botës duke shpallur liri, paqe dhe bashkim. Në vendet me demokraci të zhvilluar njerëzit kanë fituar lirinë dhe të drejtat përkatëse. SH.B.A. sot ka arritur nivele të larta të zhvillimit njerëzor. Ç’do njeri ka të garantuar lirinë me ligj. Atje ka ligje dhe për kafshët, zogjtë, etj.. Ç’do qytetar ka të drejtë të shprehi mendimet e tij lirisht me gojë ose me shkrim të zgjidhet në të gjitha forumet e shtetit Amerikan deri dhe president. Këtu jo vetëm vrasjet, rrahjet, vjedhjet, por dhe ofendimet dënohen sipas neneve përkatëse. Ajo që duket e çuditshme dhe e pabesueshme për shtetet e tjerë, këtu është realitet. Në trotuar pëllumbat lëvizin lirisht nëpër kembët e qytetarëve, sepse ata thonë “Na mbron ligji Amerikan”. Ka kohë që shteti Amerikan, televizionet, filmat, revistat, gazetat, etj., punojnë për vëllazërimin dhe barazinë e racave. Të gjitha këto forma punojnë për të bindur qytetarët se respekti për njeriun nuk lidhet me racat, ngjyrat, krahinat, fetë, etj. Kuptimi i vërtetë i fjalës njeri shpreh karakterin, edukatën, sjelljen njerëzore, aftësinë për punë dhe respektin për vete dhe të tjerët. Të respektosh veten do të thotë të respektosh ç’do njeri.

Po shkruaj kryesisht për shtetin e New Yorkut që sot konsiderohet qendra e zhvillimit njerëzor. Këtu ndodhen bankat botërore, selia e kombeve të bashkuara, etj. New Yorku është i bukur, por ardhja në masë e njerëzve nga e gjithë bota nuk lidhet me bukurinë e tij, por me vendet e punës që shprehin shpresën e njeriut për të jetuar.

Proçesi i vëllazërimit po zhvillohet dhe nga dëshira dhe pasioni i vet qytetarëve, përveç punës së madhe që po kryhet nga shteti, televizionet, filmat, gazetat, etj. Djemtë ose vajzat janë rrëmbyer dhe po thithen nga valët e jetës. Ç’do ditë, veçanërisht në mbremje, mund të shohësh të rinjte e racave të ndryshme që kthehen nga puna ose duke shetitur nëpër rrugë të lidhur dorë për dore ose dhe të përqafuar. Po të frekuentosh restorantet ke për të parë të rinj dhe të reja të ngjyrave të ndryshme që hanë darkë së bashku. Një ditë ndodhesha në një restorant në Astoria. Nga ana e majtë e tavolinës sime ku ndodheshin dy vajza që po pinin kafe më tërhoqi vëmendjen biseda e tyre. “Moj Lena, akoma vazhdon me atë djalin e bardhë polak?” “Po”, ju përgjigj tjetra. “Nuk po sheh se çfarë po ndodh këtu në New York? Shko moj lidhu me ndonjë zezak, kinez, etj., që të njohësh djemtë e racave të tjera. Tani në modë është lidhja me djemtë e rinj, jashtë racës së bardhë. Ne nuk kemi ardhur në N.Y. vetëm për studime, por dhe për tu njohur me botën duke mos qëndruar vetëm brenda guackës së racës sonë.

Në anën e djathtë të tavolinës sime dëgjova një zë vajze “Afrohu të puth”. Në tavolinë ndodheshin një vajzë bjonde e bardhë dhe një djalë zezak. Zezaku qëndronte i mpirë me shikimin nga vajza. Vajza vazhdoi “Përse heziton, nuk më dëgjove?” “Po mendoj”, u përgjigj zezaku. “kohën e kaluar kur neve nuk na lejohej të hynim në restorantët e të bardhëve e jo të guxonim të puthnim një vajzë të racës së bardhë”. “U dogjën ato kohëra; tani ne vajzat e racës sonë e quajmë nder të përqafojmë dhe të puthim një djalë zezak. Unë njerëzit nuk i vlerësoj nga raca apo ngjyra por nga karakteri dhe sjellja e tyre”.

Një ditë duke ecur në Astoria, një djalë u përplas me mua dhe me thote “Sorry”. “Ska gje” ju përgjigja unë. Ai kur më pa thirri “Oh sa mirë që të takova o miku im. A je i lirë se dua të bisedoj me ju?” “Po”, ju përgjigja dhe të dy u drejtuam tek kafeneja më e afërt. Pa u ulur mirë e pyeta “Cfarë të ka ndodhur se dukesh i shqetësuar?” “Më la e dashura me te cilën, siç ishit dhe ju në dijeni, kishim planifikuar të martoheshim.” “Po pse” e pyeta. “Dje, ajo erdhi tek puna ime dhe më tha “Do ta prish lidhjen me ty”. Përse e pyeta. Sepse kam renë në dashuri me një djalë zezak, simpatik dhe i thjeshtë. Je në vete i thashë. Ajo mu përgjigj “Të ka ngelur ora ty o ish i dashur! Tani është në modë shoqërimi me një partner të racës tjetër, si zezak, kinez, etj”. Po pse kumar është dashuria, ju përgjigja unë. Ajo më tha mirëupafshim dhe iku”. “Mos u mërzit”, i thashë, “se ti je i ri, i shëndetshëm dhe ke për të gjetur një vajzë dhe më të mirë”. Pimë kafetë dhe u ndamë. Vura re se miku im, djali bullgar vazhdonte të ishte i shqetësuar.

Unë eci ç’do dite në kembe 3 deri 5 orë nëpër rrugët e N.Y., kryesisht në krahinën e Queens-it, sidomos në rajonin Astoria ku dhe jetoj. Gjatë shetitjes ndjek me vëmendje problemet e jetës në këtë qytet.Vazhdimisht shoh vajza të reja, të bukura, kryesisht Europiane, por dhe të racave të tjera me djem ose burra të racave të tjera. Tani kohët e fundit kam venë re se ky proçes ka avancuar. Kam arritur në konkluzion se më parë djemtë dhe vajzat e racës së bardhë edhe ju shmangeshin racave të tjera; tani përkundrazi janë zezakët që po bejnë naze në zgjedhjen e partnerit.

Shteti, televizionet, filmat, gazetat, etj., vazhdojnë me këmbëngulje të përhapin dashurinë dhe vëllazërimin midis racave. Megjithatë në New York, por dhe në shtetet e tjera të SH.B.A., racat dhe kombet vazhdojnë të kenë rajonet e tyre të veçanta. Kështu p.sh. rajonin “Flushing” populli e thërret qyteti Kinez sepse shumicën dërrmuese e formojnë kinezët. Po kështu lagja Astoria banohet kryesisht nga Grekët; e njejta vlen dhe për racat e tjera.

Gjithçka që kam shkruar më sipër është bazuar në faktet të vëzhguara personalisht dhe duke ndjekur me kujdes vazhdueshmërinë e tyre.

Në proçesin e vëllazërimit të racave dalin disa pyetje:

-Deri tani ka dhe disa shtete të tjerë me demokraci të zhvilluar, kryesisht në Europë, që kanë filluar këtë proçes; por a do të përkrahet proçesi i vëllazërimit nga shetet e tjera të botës?!

-A do mundet truri i njeriut të zhvilluar të bindi kombet dhe racat që duke ruajtur të paprekur fetë, traditat, zakonet, etj., të zhvillojnë vëllazërimin ndërmjet racave?

-Si rrjedhojë i vëllazërimit dhe bashkimit të racave a mund të kalohet në krijimin e një race të re të vetme botërore?

-Sa kohë do të duhet të kryhet proçesi i vëllazërimit të racave në botë?

Si konkluzion duhet të theksojmë se:

Copëtimi dhe ndarja e tokës krijoi kontinentet dhe racizmin e njerëzimit, ndërsa zhvillimi në një nivel më të lartë i trurit të njeriut po kryen të kundërtën. Ai e filloi proçesin e vëllazërimit të racave me qëllim të bashkimit dhe mundësinë e krijimit të një race të re të vetme botërore.

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Hazbi shehu, racat, toka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 781
  • 782
  • 783
  • 784
  • 785
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DASHURIA NDAJ ATDHEUT – THEMEL I NDËRTIMIT DHE ZHVILLIMIT TË SHTETIT
  • THE SPHERE (1929) / HISTORIANI GJERMAN, FRANZ BABINGER : “VIZITA IME TEK DERVISHËT E KRUJËS, NJË KOMUNITET I JASHTËZAKONSHËM…”
  • Njoftim publik nga Shoqata Malësia e Madhe – NY
  • “Gjergj Kastrioti Scholarship Fund”
  • Gazeta “Shqiptari i Italisë”
  • KONSULLATA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË SHTUTTGART SHËNOI DITËN E PAVARËSISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE PËRURIMIN E HAPËSIRAVE TË REJA TË KONSULLATËS
  • “SKËNDERBEU SHQIPJA QË NDALOI PERANDORINË OTOMANE” E AUTORËVE ITALIANË: ALDO DIOMEDES DHE CLAUDIO DI GIÁ
  • KANDIDAT PËR KËSHILLIN BASHKIAK NË LEWISVILLE, TEXAS, ADRIAN DOKO: “SHQIPTARËT JANË SHEMBULL I INTEGRITETIT, FAMILJES DHE UDHËHEQJES”
  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT