• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LUAN NAZËRAJ ËSHTË KRIJUES DINJITOZ JO VETËM PËR CAKRANIN

November 22, 2013 by dgreca

Nga Albert HABAZAJ*)/

 Luan Nazëraj është një emër i respektuar në shoqërinë krijuese të qytetit të Vlorës, ku shfaqet dukshëm profili serioz i mallakastriotit të zjarrtë, i cakranjotit të devotshëm, i birit të nderuar të Vreshtazit me diell e ullinj. L. Nazëraj u lind më 26 prill 1961, në fshatin Vreshtaz të Mallakastrës, në një familje patriotike. Autori ka përfunduar studimete larta në Universitetin “ Ismail Qemali” të Vlorës, ku është diplomuar në degën Gjuhë – Letërsi. Pasioni dhe dëshira për të shkruar kanë qenë të hershme dhe me një frymëzim kritik për kohën. Fillimet e tij kanë qenë poezitë e viteve ’80, të botuara në organet e shtypit të kohës, një pjesë nga të cilat, duke u pasuruar, u botuan në librin me poezi “ dhembje”, më vitin 2009 nga shtëpia botuese “ Nereida”, Tiranë. Libri “I bukur apo i pasur”, me prozë dhe rrëfenja, botuar nga “Pavarësia” në Vlorë, 2010, është sprova e dytë e autorit, në krijimtarinë e tij artistike, e cila u pasua nga libri monografik “Vreshtazi ynë”, ku mendojmë, se tashmë autori e ka gjetur fushën e duhur, se aty ndihet vërtet zot. Vlerë e padiskutueshme e kësaj monografie modeste është se do të ngelet në kujtesën sociale, si botim i parë, në llojin e vetë,  për vendlindjen. Në vijim po ravijëzoj disa tipare të krijimtarisë letrare – atdhetare të autorit L. Nazëraj, nëpërmjet revistës së nderuar “CAKRANI”:

Me një shtjellim të thjeshtë  të ndodhive jep mesazhe fisnikërie

– Dy fjalë për librin me prozë e rrëfenja “I bukur apo i pasur” të autorit Luan Nazëraj –

Libri “I bukur apo i pasur” që merr në dorë lexuesi është i dyti, që boton autori mallakastriot nga Vreshtazi, mësuesi i Gjuhë – Letërsisë, që sot punon ndërtues, njeriu i pastër dhe i sakrificave, z. Luan Nazëraj. Unë pata rastin të jem redaktor i librit “I bukur apo i pasur”. Libri i parë i tij është me poezi, mban titullin “Dhimbje” dhe është botuar nga shtëpia botuese serioze ‘Neraida” në Tiranë. Me vargje të brishta, shpreh botën e brendshme të tij, që është shumë e ndjeshme dhe  të bën të prekesh shpejt. Ai di ta jetojë jetën bukur, të mos mbytet nëpër dallgët e egra të halleve, di t’i sfidojë ato, ta mposhtë dhembjen e të ngrihet mbi dheun e vendlindjes, me dhembshurimin e nënës, me ideal për Atdhenë, me mirësi  për zjarrin e oxhakut, duke lartësuar personalitetin me vargjet që thur natyrshëm, në mënyrën e tij origjinale, pa pretenduar se është ndonjë korife( si këta që u pollën me shumicë e pa indeksim). Kënga e tij kumbon që të thotë: “Jam dhe unë e dua që në Kopshtin e Lulëzuar të Letrave të sjell aromën e freskët të lule lofatës ”. Po përmend vetëm vjershën “Truri në mërgim” të Luanit, e cila ka si fabul bisedën dertembushur të vëllait Durrës me motrën Tiranë e na fut në mendim të mirë e të qartë.

Ndërsa me këtë libër me prozë e rrëfenja autori sikur e ka gjetur veten në shtrat të tij, atje ku ndihet më lirshëm, më i çlirët, burimor siç ka natyrën. Janë disa tregime të shkurtëra për ndodhi të vërteta apo të trillit artistik apo rrëfenja më të shtrira, të shtruara  e pak më të gjata, që të bëjnë përshtypje e të ngelen në mend, nëpërmjet shtjellimit të thjeshtë dhe mesazheve fisnike që emeton ndër njerëz.

Rrëfenja e parë, e titulluar “I bukur apo i pasur”  është një tregim mbi një ndodhi të vërtetë,  e përjetuar qysh nga vitet 1860, e cila na vjen si legjendë, sepse autori me gjuhë të pastër e të pasur di ta shkruajë atë në një trajtë që të shkaktojë mbresa e emocione të fuqishme tek lexuesi, ta fus në atmosferën konkrete natyrshëm, duke e bërë lexuesin pjesëtar pa pjesë të atij mjedisi familjar, të zakoneve e traditave të trevave anë Vjosës, të psikologjisë e temperamentit të shtresëzimeve njerëzore atje, të virtyteve, veseve dhe mbartësve të tyre. Është një melodramë flladitëse me personazhe të gjetur (edhe pse të skicuar), që të ngelen në mendje, sepse Luan Nazëraj i ka gdhendur me vërtetësi e kjo ndoshta dhe për faktin se autori ka patur fatin të jetojë shumë kohë në vendlindjen e tij, në Vreshtaz të Mallakastrës dhe i ka bërë pronë të penës së tij tiparet dalluese të njerëzve, veçoritë e personalitetit të tyre, të sjelljes se si veprojnë; ka njohur mirë zhargonin tradicional dhe të tëra këto i ka ngritur në art me hapësirat që i lejon kjo gjini letërsie dhe formimi i tij letrar. Melodrama rrjedh këndshëm në shtratin e vetë dhe personazhet janë të besueshëm që nga Demo Agai, Esmaja,  Hasan beu-Çalamani, Kamberi, Fatimeja, Begua, Hamitja e deri te Isai i Vogël. Edhe pse kjo panoramë romantike, e ngjyruar jetësisht, ka një kulm të hidhur me tragjedinë që solli fatkeqësia e papritur e vjekjes së Begos idealist, ëndërrimtar, burrë i pjekur para kohe në gjykim dhe shpresë fisnike e kulturore për përmirësimin e jetesës- nuk na dëshpëron, sepse JETA VAZHDON.

Na bën përshtypje në këtë rrëfenjë shfrytëzimi që i bën autori burimit popullor të të folmes dialektore në funksion të misionit jo vetëm letrar që Nazëraj i ka vënë vetes. Frazeologjinë e trevës ai e përdor ku dhe kur duhet, si stoli të rëndë, jo si mjakiznak. Patjetër që plotësimi i tij arsimor në universitetin e Vlorës “Ismail Qemali” për mësues gjuhe dhe letërsie, përveç talentit natyror, i ka dhënë refleksionet e veta.

Nuk mund të mos lënë mbresa tek lexuesi, fjala vjen, portreti i dajos, që me një skicim të thjeshtë, autori e vizaton si burrë i moçëm i legjendave të kohës; nuk mund të harrohet një figurë origjinale nga fjalët popullore të trevës, ku autori Hamiten e bukur e cilëson mollë për të sëmurë; apo kur thotë për Esmanë që hahej me ngyrat e ylberit për nga bukuria, sikur e kishte bërë Perëndia me porosi!… E veçantë dhe origjinale similituda, kur cilëson intuitën dhe trimërinë e qenëve të Demos, sikur të ishin  asqerë turq. Melodia e zileve të stanit ishte një orkestër muzikore vetëm te njerëz fisnikë, të lindur nga rrënja e tokës si Demua, që me djersë e me nder, ruajti patriakalicitetin, doli mbi të dhe u bë emër në krahinë. Çobanëve, ysmeqarëve që i shërbenin, atyre që punonin për të u fliste  njerëzisht, prindërisht e fisnikërisht: Djemtë e punës. Ky fakt i rrit vlerat edukative, etike dhe morale rrëfenjës, duke na i prurë të freskëta mesazhet dhe ekzotikën e viseve nga vjen: me natyrën, kulturën, traditat e zakonet përkatëse.

Me shkrimin “Ngjarje e vitit 1997”, që është botuar dhe në revistën “Cakrani”, autori nderon punonjësin e policisë, njeriun e tij, njeriun tonë Demir Jakup Nazëraj, i cili humbi jetën denjësisht, por padrejtësisht nga hordhitë e territ dhe tronditi gjithë zonën, e cila e lau me lotët e dhembjes dhe do ta kujtojë me mall e respekt.

Shumë interesante dhe e guximshme shfaqet pena e autorit te proza e shkurtër “Tregimi i një ushtari”, me personazhe realë, me dialogë të bërë drejtpërdrejt, ku rrëfimi i Hakiut vlerësohet, sepse vjen nga burimi. Këtu del edhe zemra e madhe dhe e pastër e autorit si  një mallakastriot i vërtetë. Ndërsa në tregimin” I pushtuar nga veset” jepet një mjedis fshataresk, si i prerë me thikë nga realiteti i kohës së kooperativave.  Viktimën Tanë e sidomos Meten autori e ka realizuar mirë si personazh, aq sa ne na duket se e njohim, aq sa edhe ne e urrejmë atë palo burrë e pusht të pangopur që shkëlqeu nga lavdia farsë, i pushtuar nga imoraliteti, sa që përfundoi në incest dhe… kur ngordhi u katandis 20 kg gjallesë e u hodh në arqe si plehrat.

Te rrëfimi “ Tre të marta – tre fishekë”, më shumë se zhvillimi i ngjarjeve, ku vërej dhe një farë turbullire strukturore, me gjithë efektet simbolike që paraqet, më tërhoqi dhe më pëlqeu mesazhi fisnikërsisht njerëzor që përcjell autori L. Nazëraj te lexuesi: Bujqit  myzeqarë, të tronditur nga gjëma, atje ku vëllai i beut vrau të mjerin Hito realizuan një përkujtimore të veçantë e kuptimplote. Në një gur të varrit të Hitos u gdhend një parmendë. Po kështu, ecuria e Tanit, përmbushja e amanetit dhe qëndrimi i tij përbëjnë vërtet një sjellje të bukur që e zbukuron atë djalë si njeri e fiton respekt. Këtu autori shpalos dhe botën e tij të pasur dhe tendencën për t’u përmirësuar në jetë.

Te “Dinua” kultura letrare, që autori asimiloi gjatë studimeve universitare, bëhet më e shfaqshme dhe, duke u njësuar me përvojën jetësore e kulturën popullore të kultivuar në vendlindje, materiali i paraqitur na vjen i besueshëm, emocionues deri në tronditje. Shpirti i pastër i Dinos së varfër qeshte si vesë prilli e mbushej me frymëzime, sepse në tabelë të nderit e ngriti sakrifica, zotësia dhe vendosmëria e tij. Por jo, s’qe e thënë; ai s’kishte krahë të fitonte atë që meritonte. Moti i pranverës me sythe u prish; ngryset shpirti i Dinos, erret, nxihet deri në urrejtje. Shfrytëzimi i fjalëve të urta nga miniera e pasur popullore e trevës e ka ndihmuar autorin për ta bërë më tërheqës materialin, deri në atë shkallë sa që atij, natyrshëm, vetvetiu t’i lindin edhe shprehje proverbiale të tijat.

Duke stigmatizuar veset e disa kapedanëve të kohës, që nxinin për turp moralin të tyre, autori , me penën e tij rrëfen në këto fillesa prozaike ndodhi reale dhe mëshon me forcë shëndetin e bukur moral të njerëzve të thjeshtë, të të mirit popull. “Të rrojë xha Meçua, se u dogja!”dhe “Ëndrra e Vjosës” sidomos mbetet një prozë mbresëlënëse, që, penën e tij autori e ngjyen në kulturën popullore të trevave anës Vjosës dhe na shpalos faqe tëra sa të vërteta, aq trishtuese e mallëngjyese, me mesazhin e qartë se dashurinë e pastër të Dinos me Oltën, nuk ka bir nëne që ta tronditë e ta lëkundë. Jo një kapedan, po 100 derra si ai, apo 100 dhelpra fustanshqyera si ajo kryetarka, s’e infektojnë dot atë ndjenjë aq të kthjellët si ujët e kulluar të Mallakastrës e Tepelenës, sepse bejka e bardhë dhe dreri i Mallakastrës  gjetën tek njëri-tjetri bërthamën e dashurisë, nga ku do të çelte sythet familja e shëndetshme. Është vërtetë e çuditshme ndodhia e fundit tek tregimi “Engjëlli i Mandit”, por s’ke ç’të bësh. Ajo ka ndodhur. Autori zbukuron ndonjë element, në funksion të trajtimit artistik të materialit, por nuk gënjen. Një realitet i përshtirë, që ende nuk po shkulet nga mentaliteti dhe praktika e njerërzve, nga të cilët ne presim drejtësinë, po e katandis shoqërinë tonë të lëngojë keq nga sëmundja e korrupsionit. Prindin e shkretë e shpie halli i  fëmijve të tij, si thotë populli, edhe në dorë të të ligut, edhe në derë të hasmit. Edhe mbas gjithë asaj odiseje, edhe mbas gjithë atyre zhgënjimeve, përsëri Mania nuk tërhiqet, derisa më në fund Ina fiton pafajësinë. Ndoshta ishte dhe ëngjëlli i vogëlushit që i dha krahë! Nuk mundi metastaza e marifeteve të poshtra të Pallatit të Drejtësisë ta infektonte të drejtën e nuses së re, të familjes së re, që ndërtohet e rron me ndershmëri e me djersën e ballit. Dhe dufi i Manes arrin kulmin, kur i mallkon ata qafirë që tallen e sorollaten me njerëzit, të cilët kërkojnë të drejtën e tyre jetësore me dinjitet.

Ky libër është një sprovë e guximshme e autorit Luan Nazëraj në gjininë e prozës. Këtu ai ka gjetur veten si një kopështar i mirë në kopshtin e tij,  ku ka mbjellë pemë nga treva e begatë e  Anësvjosës, të cilin do ta pasurojë e lulëzojë me botime të tjera.

Urimet më të mira për historikun e vërtetë që po shkruani për vendlinjden tuaj me diell, o miku im i mirë, Luan Nazëraj!

Si recensues më duhet të bëj vlerësimin kritik të monografisë “Vreshtazi ynë”, që autori Luan Nazëraj po i paraqet lexuesit, pas një përvoje tashmë të shtruar mirë me librin poetik “Dhimbje”, botuar në Tiranë më vitin 2009 nga shtëpia botuese “Neraida”, si dhe me librin “I bukur apo i pasur”  prozë e rrëfenja , shtypur nga “Pavarësia”, Vlorë, 2010. Duke njohur e dhënë përmbajtjen e librit, duke vënë në dukje anët e mira dhe të metat apo pamundësitë e realizimit sipëror të këtij punimi, së pari dua të shkruaj për punëtorin serioz dhe të përkushtuar të fjalës Luan Nazëraj ato mendime që në mënyrë lakonike ia kam shprehur gojarisht autorit dhe miqve të tjerë, kur ka rënë rasti: Urimet më të mira për historikun e vërtetë që po shkruani, zotëri, për vendlindjen tuaj me diell!

Të qenit poet, të qenit ndërtues, plus  arsimimi i lartë dhe pikërisht për gjuhë-letërsi  përbëjnë platformën (rastis numri fatik 3?!)  ku autori guxoi  e lëroi në tokën e vështrirë të prozës dhe rrëfenjës. Në atë lëmë prodhimi letrar, korri se pat’ mbjellë (siç thonë edhe të tjerë njerëz të vlerësimit dhe kritikës apo edhe lexues të thjeshtë, që e kërkojnë dhe e lexojnë me kërshëri  librin “I bukur apo i pasur”). Një fjalë e urtë thotë: “Koha është e guximtarëve”. I mbushur me përvojën e jetës së vetë mëse gjysmë shekullore, duke e njohur të vërtetën në sy e në vijimësi të pandërprerë lineare, i ngarkuar me thesaret që prindërit trashëguan nga të parët e tyre dhe ia lanë djalit, ballafaquar me të tjerët  se ç’bënin e ç’ bëjnë për vendlindjet apo vendorigjinën e tyre, i detyruar dhe i nderuar nga dashuria për atë pëllëmbë vend ku i bëri koka “dënk”, Luan Nazëraj evidentohet si autori i parë i të parit historik për Vreshtazin e Mallakastrës, vendlindjen e tij të dashur, që meriton më shumë nga të tjerët për kontributin, për emrin që u ka dhënë kur iu është dashur. Vetëm me kaq për autorin Nazëraj  vlen të thuhen fjalë të mira nga komuniteti, të cilit i përket, të cilit i shërben, të cilin e do shumë me shpirt, me penë, me të vërtetë. Ndërkohë  Luani ka bërë goxha punë të lavdërueshme me këtë historik që paraqet për lexuesin  dhe konkretisht:

Luan  Nazëraj me durim, qetësi, përkushtim, pa përtuar për grumbullimin e materialit të duhur ka bërë punë të vyer, sepse  fshati Vreshtaz  ka një origjinë të lashtë, por nuk kemi të dhëna të  bollshme, të sakta nëpër muzeume. Pikëshisht ishte këmbëngulja e autorit , dashuria konkrete për vendlindjen ajo që i dha impuls shpirtit të vërtetë atdhetar të  Luanit për të plotësuar ,aqsa maksimalisht, sipas mundësisë ,mungesën arkivale me dëshmi, dokumente tekst dhe materiale. Krenarinë për vendlindjen autori e ka shprehur me shembullin  e tij të duhur të merituar, duke plotësuar një detyrim fisnik me barrën e rëndë që mori mbi supet e ndërgjegjes dhe të intelektit sociohistorik të komunitetit, të cilit i përket. Dëshira për të bërë diçka për vendlindjen, studimi, kultura, realizimi i ravijëzimit të trungut të pemës së jetës së Vreshtazit është platforma e punës kërkimore-studimore e autorit L. Nazëraj. Ai diti të vjelë përvojën njerëzore, sa filozofike, aq me mesazhe të qarta nderimi për rrënjën e dashurinë për gjakun, jo thjesht si koncept kulturor, por për prejardhjen e përbashkët të njerëzve nga një emër i parë simbolik për të pasmit, që nuk mund të mohohet, se nuk mund të zhduken lidhjet e përafërta. Ky libër është një punim modest, por i vërtetë, sepse mbështetet mbi dëshmi të gjalla të atyre 12 burrave të vjetër, të 12 pleqve të urtë të Vreshtazit, të cilët për fatin e së vërtetës dëshmitare autori ka ditë fisnikërisht t’i vjelë dhe tua dhurojë sot bashkëfshatarëve të tij, miqve e dashamirësve të shumtë të historisë , aq më tepër të asaj historie që ka ndodhur, por s’ka lënë gjurmë të shkruara. Të dymbëdhjetë ata lisa të moçëm të Vreshtazit, që natyrshëm po i rrëzon e do t’i rrëzojë koha, patën mundësinë t’i japin autorit informacion origjinal, burimor, që, edhe nëpërmjet metodës krahasimtare, nuk kanë përplasje, por rezonim të dhënash. E ,ja, pikërisht kjo përpjekje e Luanit është kryepuna e tij, sot për sot, sepse ato dëshmi, me shkrimin e tyre origjinal, me firmën e njomë të secilit janë përgjegjësi për vërtetësinë e ngjarjeve, dukurive që  kanë ndodhur dhe të pjesëmarrësve një këto ngjarje- pjesë e jetës së gjallë të Vreshtazit. Ato dëshmi të pleqve kanë gati  vlerën e një arkivi. Ato të dhëna janë dokument muzeal, që brezat nesër do t’i vlerësojnë e do t’i thonë Luan Nazërajt: “Faleminderit që na e përcolle këtë stafetë të kujtesës historike të Vreshtazit tonë!”

Duke studjuar materialin, vërejmë emancipimin qytetar të autorit, sepse jep edhe profilin e femrave patriote, që kontribun nëpër udhët e luftës për jetë krahas  vëllezërve, burrave e baballarëve të tyre. Kjo  është pozitive, aq më tepër kur bëhet fjalë për zona të tilla tradicionale, që vijnë nga një shoqëri patriakale, ku dhe  familja ishte patrilineare patriakale. Autori, që shtjellon një prejardhje lineare, përdor prejardhjen e demonstruar, ku anëtarët mund të thonë emrat e paraardhësve të tyre në çdo gjeneratë, që nga stërgjyshi apikal ,që mbahet mend deri tek të sotmit. Nëpërmjet toponimisë vendëse  lexuesi njihet  me vertikalitetin gjenealogjik dhe pse jo edhe me popullsinë e komunitetit të Vreshtazit, që siç del nga ky botim, vetëm duke llogaritur emrat e njerëzve që na sjell onomastika e qëmtuar nga L. Nazëraj në këtë libër, duhet të ketë qenë një vendbanim jo i vogël, por i njohur dhe i populluar. Relievi, ulliri, vreshtat, dielli etj. janë dokumenta të patundshme, të pamohueshme e të palëvishme jo vetëm për një popullsi të konsiderueshme, por edhe për një origjinë të lashtë ilirike. Në të ardhmen autori do të qëmtojë më ngulmueshëm dhe me një përvojë kërkimore – studimore më të kualifikuar , duke ditur që ilirët, paraardhësit e shqiptarëve dhe patjetër, si pjesëz e së tërës, edhe të vreshtasakëve përdornin për të pirë  verën, thonë edhe si ushqim  me bukë, duke e bërë përshesh. Dhe në këtë konteks, rrushi, vreshtat e Vreshtazit janë në linjë të drejtpërdrejtë kuptimore  dhe komunikimi brezor.

Autori dëshiron e guxon të futet në analet e vëllazërisë, të  fisit, të mëhallës, të fshatit të tij Vreshtaz mbi baza hipotetike deri sa merr saktësisht stafetën e memores një deri në dy shekullore nëpërmjet  kujtesës sociale të lisave të moçëm e të  rëndë Namik Haxhiaj,Tajar Hoxhaj, Kujtim Muçaj, Xhelal Merkaj, Neim Nazëraj, Hajdër Nazëraj, Jakup Nazëraj, Faik Nazëraj, Sefer Merkaj, Ahmet Ahmetaj, Vebi Vreshtazi dhe padiskutim bashkëbisedimi me Tasho Petovën. Edhe një herë, urimet më të mira për këtë kontribut me vlera që po i dhuron historiografisë lokale punëtori serioz i  fjalës së vërtetë historike, që me ndërgjegjen kombëtare që ka është një ogur i mirë se si duhet shkruar ajo që mungon, se e vërteta duhet të shkruhet ashtu siç ka ndodhur e ashtu siç është, pa shtuar e pa retushuar, sepse nga punëtor i dobishëm i penës shndërrohesh fatalisht në një person që bën dëm dhe e fut jo vetëm lexuesin, por sidomos historinë nëpër qorrsokakër.

 

*) Master Shkencor për Etnologji dhe Folklor,

 Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë.

Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,

Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, Albania.

Sekretar i Shoqatës Atdhetare – Kulturore ‘Labëria” për Vlorën.

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Albert Habazaj, Luan Nazeraj

Ëndërra Evropiane

November 22, 2013 by dgreca

Nga Ervin SHKULAKU*/

Njerës të  heshtur, njerës të  mërzitur, studentë  me energji por pa të  ardhme, punonjës të  pakënaqur nga rroga e tyre, prokurorë  të  frikësuar që  shohin kriminelë të  fuqishëm, besimtarë  të  zhgenjyer, politikanë  që  premtojnë  dhe drejtojnë  sytë  nga perëndimi. Ënderra jonë  pas shembjes së  komunizmit duket shumë  e paqartë .

Shembja e komunizmit ishte një  sukses për shqiptarët. Si shumë  shtete Evropiane edhe ne e mundëm atë  të  keqe por sot pas 23 vitesh jemi shume prapa me ato shtete Evropiane që  dolën njekohesisht nga komunizmi. Ateherë çfare kishin më shumë keto shtete që na kaluan? Nga përbërja biologjike keto popuj nuk kanë asgjë te ndryshme nga populli shqiptar. Por ne e humbëm garën me to!! Sipas historisë njerëzit që ne fillimet e tyre janë ndarë  ne grupe. Secili grup ishte në  konkurencë me grupin tjeter. Cili grup ka patur frymen e bashkëpunimit më të  zhvilluar ka qënë më para se grupet e tjera. Edhe në kalimin ne fise, mbretëri, nacionalitet ato grupe ose popuj që kanë bashkëpunuar me njeri tjetrin kanë qënë gjithmone udhëheqësë. Fatkeqësisht për shqiptarët kjo dukuri qendron e largët. Pasi u shemb komunizmi shumë  prej nesh emigruam drejt një  jete më  të  mirë . Shumë prej emigrantëve u zhgenjyen prej asaj jete më të  mirë por për ta zhgenjimi më  I madh do të  jetë  braktisja e shtetit. Keta emigrante hyne si shtresa me e ulet ne keto shtete të zhvilluara. Shumë prej tyre u keqtrajtuan në shtetet si Greqia. Atëherë kjo solli që nga mërzitja e tepërt të këtheheshin në kriminelë. Sot shumë  prej brezave pasardhës të  këtyre emigrantë e janë bërë  njerës te suksesshëm por shumë pak prej tyre po rikëthehen në shtetin shqiptar.

Ata shqiptarë  që  për arsye të  ndryshme nuk u larguan nga shteti shqiptar, filluan të rindërtonin një sistem të  ri. Fatkeqesisht ndertuesit e sistemit te ri ishin pikerisht figura te sistemit te vjeter. Por këtë herë çfarë bënë? Këtë herë nga totalitarizmi kaluan në liberalizëm, por në Shqiperi liberalizmi u këthye në korrupsion. Këtë herë të gjithë filluan të vidhnin pak e nga pak. Në këtë mënyrë gur gur u be kalaja.  Kjo kala vazhdon edhe sot të qëndrojë e palëkundur. Por pjesa dërrmuese e shqiptarëve ngeli e trishtuar. Varfëria kaploi çdo cep te Shqipërisë.

Por kjo nuk do të thotë që brezat e rinj duhet të mos jenë optimistë. Përkundrazi brezat e rinj mund të realizojnë ëndërrën 113 vjeçare të rilindsave tanë. Sot jetojmë ne një botë globale. Përfundimisht mund te marrim informacion shumë lehtë dhe shumë shpejt për zhvillimet ndërkombëtare. Përfundimisht mund të mësojmë më lehtë gjuhë te huaja, mund të mesojmë lehtë historinë dhe eksperiencën e shteteve të tjera dhe në këtë mënyrë të gjejme zgjidhje se si ta çojme Shqipërinë në shtetet më te zhvilluara te botës. Siç e nderoi Majlinda Kelmendi shqiptarët ashtu mund ta nderojmë në të gjitha fushat Shqipërinë. Siç e këthyen Izrealitët brenda pak viteve shtetin e tyre në një ndër shtetet më të fuqishme të botës, edhe ne mund të bëjmë të njëjtën gje. Prandaj le ta fitojme luftën me korrupsionin dhe le ta realizojmë ëndërrën Evropiane

  • Ervin Shkulaku, bashkepunetor i Diellit eshte Korespodent te gazeta ZAMAN

Filed Under: Featured

VATRA, NGUSHELLIME PER SOKOL OLLDASHIN

November 22, 2013 by dgreca

FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKES”VATRA”/

New York- 21 nëntor 2013/

Zotit Lulzim Basha/

Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë/

Tiranë/

I nderuar zoti Kryetar,

Në emër të Këshillit Drejtues dhe të anëtarëve të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”, më lejoni t’ju paraqes përdhimtimet më të thella për humbjen tragjike të Deputetit Sokol Olldashi, përsonalitet i shquar i Partisë Demokratike, i cili ka lënë gjurmë të dalluara në jetën parlamentare dhe politike të Shqipërisë.

Ju lutem, zoti Kryetar, t’i përcjellni ngushëllimet tona më të ndiera Familjes Olldashi, për humbjen e parakohëshme të të dashurit të tyre.

Me nderime të veçanta,

Gjon Buçaj,

Kryetar.

 

Filed Under: Featured Tagged With: ngushellime, per Sokol Olldashin, Vatra

Lamtumirë i dashur mik dhe vëlla

November 21, 2013 by dgreca

Nga Lulzim BASHA/

Këtu ku sot jemi mbledhur, për t’i dhënë përshëndetjen e fundit Sokol Olldashit, do të donim të mos vinim kurrë.
Në këtë humbje kaq tragjike dhe kaq të parakohshme, të gjesh fjalët e duhura për mikun, për shokun dhe liderin e shumë betejave politike dhe njerëzore, është shumë e vështirë.
Sepse sot, të gjithë së bashku, jemi duke jetuar një makth të tmerrshëm dhe të pabesueshëm.
Na duket sikur nga çasti në çast, do të zgjohemi nga ky makth dhe nga kjo gjëmë e papritur. Nuk na besohet dot të mos e shohim Sokolin gjithnjë në këmbë, gjithnjë në krye, me pamjen e tij të vendosur e të hijshme, me buzëqeshjen e tij të rrallë, ku çiltërsia rinore u kishte rezistuar për mrekulli  viteve të moshës së burrërisë dhe pjesëmarrjes së zjarrtë në sa e sa beteja politike.
Si bashkëpunëtor, si koleg dhe si kryetar i Partisë Demokratike, e kam unë sot këtë barrë kaq të rëndë, që të përcjell bashkë me ju, me lotë dhe dhimbje dhe mundësisht edhe me fjalët e duhura, Kolin tonë të dashur.
Zoti na është dëshmitar që do të donim me gjithë forcën që njeriu ndryn në shpirt, që kjo e sotmja të mos ish një ditë e vërtetë.
Do të donim të mblidheshim sot, kaq shumë sa jemi mbledhur, për të festuar datëlindjen e tij, apo një gëzim tjetër familjar, gjithçka tjetër, vetëm e vetëm që të mos na nxjerrë goja të themi:
Se Sokolin nuk do ta kemi më midis nesh!
Sepse Sokoli, ashtu si edhe e ka emrin, ishte dhe është një luftëtar, një Sokol i paepur i shumë betejave, jo vetëm politike, por mbi të gjitha e në radhë të parë i betejave njerëzore. Për një Shqipëri më të mirë dhe për një Shqipëri ndryshe, europianiste, krenare dhe të çliruar nga prapambetja.
Sokoli shkëlqeu si gazetar politik e opozitar i paepur, ku për vite të tëra, ndër më të vështirat për Partinë Demokratike, ai çmontonte dhe denonconte intrigat politike që tkurreshin kundër nesh dhe u jepte kurajo radhëve tona.
Na jepte kurajo kur ishim në pakicë dhe kur forca të errta kërkonin me çdo kusht të na zhbënin si forcë politike e të mirës dhe si ndërtimtare të Shqipërisë europiane.
Sepse, ai e dinte që në moshën 18-vjeçare si bashkënismëtar i lëvizjes së Dhjetorit, se misioni dhe roli i Partisë Demokratike, ishte një mision i madh, i patjetërsueshëm dhe i shenjtë.
Sokoli përjetoi një fëmijëri të trazuar për shkak të persekutimit absurd dhe kriminal që Diktatura i bëri familjes së tij.
Por jeta e tij shoqërore dhe politike, dëshmoi se ai e kish bërë një betim, një betim që e mbajti të gjithë jetën e tij:
Të luftonte për të drejtat demokratike të shqiptarëve dhe të Shqipërisë, që askush më të mos persekutohej dhe të vuante si vuajti ai dhe familja e tij.
Dhe ne jemi sot këtu për të premtuar përmes dhimbjes dhe lotëve, se betimi yt Sokol, është edhe betimi ynë!
Për aq sa do të kemi frymë dhe jetë!
Sokoli nuk u nda kurrë nga ky rrugëtim me Partinë Demokratike, në ditë të këqija e në ditë të vështira. Me profilin, kurajën dhe vizionin e veçantë të liderit, me forcën dhe këmbënguljen e një burri me vullnet të madh, por me buzëqeshje të dlirë dhe të pastër rinore.
Shqiptarët e përqafuan këtë mirësi dhe forcë që buronte nga shpirti i tij, duke e votuar masivisht katër herë rresht për deputet të Kuvendit të Shqipërisë, si djalin dhe misionarin e tyre.
Në këtë dhimbje kaq të rëndë që na hape o miku dhe vëllai ynë, pasionant i poezisë, artit dhe muzikës, mjeshtër i fjalës dhe i debatit, parlamentar i dimensionit të guximit, ministër vullnethekurt, baba, bashkëshort, djalë dhe vëlla i pazëvendësueshëm, na krijove një brengë të pashërueshme.
Përulemi thellë në këtë trishtim dhe në këtë zymtësi të papërshkrueshme që vdekja jote na shkaktoi. Në këtë traumë të rëndë që mungesa jote na shkakton deri në kockë.
Por je dhe do të jesh gjithmonë për ne, impuls dhe forcë, një zë i dashur dhe një mik i përjetshëm, një deputet i shtrenjtë i popullit tonë, një djalë dhe një baba i pazëvendësueshëm.
Lamtumirë i dashur mik dhe vëlla.
U prefsh në paqe!

Filed Under: Featured Tagged With: Lamtumire vella, Lulzim Basha, sokol Olldashi

Lamtumirë miku ynë i shtrenjtë!

November 21, 2013 by dgreca

Nga Astrit PATOZI /

Çfarëdo që të bëjmë dhe çfarëdo që të themi ne sot, në këtë ditë zie, do të ishin të pamjaftueshme për të nderuar dhe respektuar si duhet Sokolin. E unë, ndoshta më shumë se kushdo tjetër, e kam të vështirë të gjej fjalët. Sepse pata fatin e mirë, por edhe të keq, për shkak të kësaj gjëme, të jem një ndër miqtë e tij të afërt, për gati 20 vjet.
Sepse më kujtohet, që e kemi ndjellur këtë ditë, kur me shaka i kemi thënë njëri-tjetrit se çfarë do të shkruajmë në fjalimin e lamtumirës, kur Ai, që është lart, do të thërresë të parin prej nesh në radhë.
Dhe kjo ka ndodhur zakonisht pas ceremonive, kur në të shumtën e rasteve për të ndjerin thuren zinxhirë lëvdatash dhe ditirambesh. Kemi thënë jo pak herë, reciprokisht, se do të çoheshim nga varri, nëse dikush në fjalët e përcjelljes do të na fyente, duke na vënë mbi shpinë merita dhe atribute, që nuk i kishim patur dhe që nuk na takonin. Dhe ndonëse do të doja shumë që Sokoli të ngrihej, e kam të pamundur që të mos ia respektoj atij amanetin.
Që prej mbrëmjes së djeshme e derimë tani kam dashur të besoj se gjithçka ndodhi ishte një ëndërr, por në fakt e tillë duket se ka qenë jeta e shkurtër e Sokol Olldashit. E megjithatë, ai u largua nga kjo botë më i realizuar dhe më i plotësuar se askush tjetër, pavarësisht se dha shumë më tepër, se sa mori, në jetën e tij, të prerë në mes. Kurrkush si ai nuk i jetoi me aq intensitet vitet e jetës së vet. Por ky është gjithsesi një ngushëllim fare i vogël për një humbje kaq të madhe.
Do të na mungojë të gjithëve, por mbi të gjitha familjes së tij të mrekullueshme, ndaj së cilës ndjehemi në faj, që i shkuam në shtëpi pa Sokolin. Kozeta, Kela, Glauku, Kleiti, Vangjeli, Sula, Ardi dhe Alda do të ndjehen gjithmonë krenarë për njeriun e tyre më të shtrenjtë, por asgjë nuk do të mund t’ia zëvendësojë atyre burrin e shtëpisë.
Unë nuk dua të flas sot për Sokol Olldashin si politikan, jo se nuk kam gjë për të thënë. Përkundrazi. Por se çfarëdo vlerësimi që të kem, nuk do t’i shtoj ndonjë gjë të madhe asaj që ai vetë ndërtoi në këto vite karriere të vrullshme, ku la gjurmët e tij të pashlyeshme, kudo ku shkeli, kudo që foli, dhe kudo, ku veproi si shtetar i klasit të parë. Ato janë, gjithsesi, të njohura për secilin prej nesh, por edhe për çdo shqiptar tjetër, pavarësisht bindjeve politike.
Por kam shumë për të thënë për Sokol Olldashin njeri, për shokun tonë të paharruar. Sigurisht, që kam të pamundur të flas në emër të të gjithë miqve të tij të shumtë, të shpërndarë në çdo cep të kësaj Shqipërie. Sepse, unë jam thjesht vetëm njëri prej tyre.
Por besoj se kam edhe lejen e tij për të thënë se Sokol Olldashi nuk kishte asgjë heroike në qenien e vet. Asnjë grimcë patetizmi, ndonëse zanati ynë e kërkon, madje në disa raste me tepri, këtë dimension. Por kjo nuk e pengoi atë aspak të ishte njeri i vendimeve të forta dhe të drejta dhe këtu nuk kam parasysh vetëm karrierën politike. Kjo nuk e pengoi atë të ishte një adhurues dhe lëvrues pasionant i gjithçkaje të bukur, që ka krijuar mendja e njeriut. Muzika, poezia, piktura, filmi, libri në përgjithësi, ishin realisht mjedisi, ku ndjehej më mirë se kudo tjetër. Dhe jam shumë i sigurtë, se do të kishte arritur në të njëjtat kuota dhe të njëjtat maja, në rast se do të kishte vendosur për t’u marrë me secilin prej pasioneve të tij, në këmbim të politikës.
Sokol Olldashi bënte shaka me vdekjen, dhe kjo u ndodh gjithmonë atyre, që e duan dhe e jetojnë në thellësi jetën. Edhe pse një mendje e mprehtë dhe përgjithësisht racionale, ai ishte, gjithashtu më entuziasti midis nesh. Prej më shumë se 15 vjetësh evitonte në maksimum fluturimet me avion, duke besuar verbërisht se i sigurt ndjehesh vetëm me këmbë ose me rrota mbi tokë. Por, ndonëse nuk ishte ndonjë fanatik i teknologjisë, luante me makinën dhe me shpejtësinë, njësoj si me tastierën e kitarës së vet.
Duke e shndërruar, praktikisht, makinën në një avion të rrezikshëm. Ironia e fatit e deshi, që vdekja ta gjejë, pikërisht, në vendin ku ai ndjehej më i mbrojtur, se kudo tjetër.
Do të na mungojë, jo thjesht humori i tij i papërsëritshëm, edhe në situatat më të rënda, por mbi të gjitha, sensi i optimizmit edhe në ditën më të zezë, edhe në kohën më të keqe. Dhe kjo është shenja e parë dhe më e qarta, që i dallon burrat e fortë nga njerëzit e zakonshëm.
Sokol Olldashi ishte një shqiptar i madh, dhe unë këtë e them me bindjen time më të thellë, edhe pse për këto fjalë asnjëherë nuk do ta merrja miratimin e tij. Në këtë botë dhe në atë tjetrën, ku po e përcjellim sot, me pikëllim. Por jo nga ai soj shqiptarësh, që mendojnë për ta shkruar me dorën e tyre historinë e vet. Dhe si i tillë hyri në histori.
Një përfaqësues brilant i brezit të vet, i pjekur shumë para kohe, edhe për shkak të një jete të vështirë, arriti ta provojë veten dhe t’ia dalë, duke mbajtur barra tepër të rënda në një moshë fare të re.
Dhe ruajti të njëjtin ritëm dhe të njëjtin ekuilibër, që nga dita e parë, kur vendosi të marrë përsipër gjëra të mëdha. Dhe gjithçka e arriti vetë, pa marrë asnjë dhuratë Krishtlindjeje, që nga dita e parë, e deri mbrëmë, në çastin, kur u shua. Pa i hyrë në borxh askujt, por duke na bërë të gjithëve borxhlinj. Ndaj edhe me sa duket vendosi të ikë nga kjo botë i vetëm, edhe pse ishte personazhi, më me shumë miq, që unë kam njohur ndonjëherë.
Lamtumirë miku ynë i shtrenjtë! U prefsh në paqe Sokol Olldashi! I paharruar, kujtimi yt!

Filed Under: Featured Tagged With: Astrit Patozi, Lamtumire, Sokol

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 813
  • 814
  • 815
  • 816
  • 817
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT