• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A e dini?- Kryepeshkopi i Shqipërisë Anastas Janullatosi, ka origjinë shqiptare nga Çamëria

November 19, 2013 by dgreca

Anastas Janullatosi lindi më 4 Nëntor 1929 në Pire të Athinës dhe emri prindëror i pagëzimit ishte Tasos Gjerasimos Janullatos. Për shumë vite babai i tij, Gerasimos jetonte dhe punonte me familjen në Prevezë të Çamërisë, por pas krizave politike dhe ekonomike ai erdhi në Pirea në fund të viteve 1920./

Nga Arben LLALLA*/

Historia e kombit shqiptar është sa e lavdishme dhe e dhimbshme kur mëson se në shekujt e kaluar shpeshherë shqiptarët kanë luftuar kundra njeri-tjetri nën flamujt e kombeve të tjera. Janë të shumta rastet kur shqiptarët ortodoks luftuan kundra shqiptarëve mysliman, pra, kundra njeri-tjetrit, por kjo ishte një luftë fetare. Shqiptarët ortodoks i luftonin shqiptarët mysliman sikur të ishin osman dhe jo shqiptar, ndërsa shqiptarët mysliman, i luftonin shqiptarët ortodoks sikur të ishin sllavë apo grek dhe jo shqiptar.

Sot do të sjellë disa të dhëna interesante për Kryepeshkopin e Shqipërisë z.Anastas Janullatos i cili pas viteve 1990 erdhi përkohësisht për të riorganizuar kishën ortodokse shqiptare dhe ka origjinë shqiptare. Është jashtë logjikës njerëzore që në Shqipëri të vinte kryepeshkop nga Greqia një njeri që nuk ka ditur pak gjuhën shqipe, zakonet dhe traditat shqiptare sepse do të ikte shumë shpejtë pa mbushur vitin si Princi Vidi.

Anastas Janullatosi lindi më 4 Nëntor 1929 në Pire të Athinës dhe emri prindëror i pagëzimit ishte Tasos Gjerasimos Janullatos. Për shumë vite babai i tij, Gerasimos jetonte dhe punonte me familjen në Prevezë të Çamërisë, por pas krizave politike dhe ekonomike ai erdhi në Pirea në fund të viteve 1920. Lufta e dytë botërore e rrënojë plotësisht biznesin e suksesshëm të familje Janullatosi ku ishte i punësuar Gerasimosi dhe kështu ata u shpërngulën brenda në Athinë për të siguruar jetesën.

Dashuria për fenë Taso Janullatosit i filloj pasi kishte mbaruar shkollën e mesme, dhe kur i tha mëmës Roksanit, se dëshironte të ndiqte rrugën e klerit ortodoks, ajo e kundërshtojë fuqishëm, por ishte daja i tij nga Preveza Akademiku Kosta Malltezi që i dha përkrahje të fortë dëshirës së nipit duke e dërguar në Universitet për Teologji. (Më tej dihet biografia zyrtare e z.Janullatos.)

Familja e babait të Anastas Janullatosit, Gerasimos është ngulur në fillim në Lefkada, një vend i banuar nga shqiptarët që në vitin 1470, sipas Ulliams Miller në atë periudhë ka pasur rreth 15.000 shqiptar. Lefkada gjendet afër qytetit të Prevezës. Por në të vërtetë rrënjët e familjes Janullatos janë nga ishulli Qefalonia që gjendet në detin Jon.

Në vitin 1502 një vendim i Senatit të Venedikut vendos ngulimin e mijëra shqiptarëve të udhëhequr nga Jani Shpata, Zguro Kagadh Bua, Teodor Markezini, Nikolla Menajen etj. Sot në Qefalonia ka ende fshatra të tërë që banohen nga grek me origjinë shqiptare që njihen me emrin Arvanitas si Muzakati, Kombothekrata etj.

Nga ana e familjes së mëmës Roksani Malltezi ka shumë të dhëna se ata ishin nga Çamëria, nga rrethinat e qytetit të Prevezës dhe gjatë qeverisjes osmane ishin familje e pasur.

Që mos ti zgjatemi shumë historisë së dhimbshme të shqiptarëve në Greqi do të ishte në nderin e hirësisë së tij z.Anasatas i biri Gjerasim Janullatos dhe i Roksani Malltezit të deklarojë origjinë e tij shqiptare para Zotit dhe botës. Ky deklarim i vërtetë do të qetësonte sadopak shpirtin e tij gjatë rrugës për në botën e përtejshme dhe do të zbuste zemrat e besimtarëve ortodoks që nuk dëshironin që ai të ishte në krye të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Fati i Anastas Janullatosit është se familja e tij si nga mëma ashtu edhe nga babai janë vendas të kahershëm në Greqi dhe nuk janë ardhacak nga Azia e Vogël apo Turqia dhe është shumë e lehtë të gjendet të dhëna për prejardhjen shqiptare të tyre.

Në përfundim i drejtohem drejtpërdrejtë hirësia e tij z.Anastas Janullatosit se nëse ka dyshime në këto të dhëna me vija të shkurta që i paraqes lexuesve pa ndonjë prapavijë politike, atëherë unë si historian e ftoj të vërtetojë të kundërtën që nuk ka origjinë nga Çamëria dhe që nuk ka dëgjuar nga pleqtë e familjes asnjë fjalë shqipe. Nëse ma vërteton këtë unë deklaroj se do të heq dorë njëherë e përgjithmonë nga jeta publicistike dhe e dorëzoj diplomën time të historisë sepse historiani i vërtetë nuk bënë asnjë marrëveshje në dëm të historisë reale. Para fakteve edhe vetë ZOTI përkulet.

*Vërej: Ne nuk përcaktojmë anën e ndërgjegjies kombëtare, por atë të gjakut dhe origjinës.

Filed Under: Featured

Gëzuar ditlindjen e parë dega e Vatres ne Jacksonville

November 18, 2013 by dgreca

Nga Lek GJOKAJ/
Vetem dhjetë dita para festimit madhështor të njëqind vjetorit të Pavarsisë së Shqipërise në skajin verior të Florides në qytetin e Jacksonvilles qytet që i uron çdo turisti të botës mirëseardhjen në Florida disa shqiptarë më ëndrrën e Nolit e Konices, më ëndrrën e bashkimit të diaspores shqiptare formuan degen e shoqatës Pan Shqiptare Vatra.Ishtë kjo një foshnjë e sapo lindur që sot mbush një vit.Është rritur, ka ditlindjen dhe dëshirën e zjarrtë që të burrërohet.
Rruga e saj nuk ka kthesa, është e drejte , e njejte dhe kuptueshme si për një lares pjatash apo një inxhinier, avokat, mesues, shkëncar, pensionist apo të ri.Sigurisht që do të ketë ditë me shi dhe dite me diell.Dikush që interesin personal e vendos mbi interesat e Vatres do ta kuptoje së ka hyre gabim dhe nuk është i përgaditur për kete mision të shenjtë të Vatres dhe do kthehet pse jo edhe pak i turpërur andej nga erdhi.Vatra ka kapërcyr një shekull dhe çdo ditë mundohet që të kete një frymarrje sa me të mire jete.Ka një kanunore(Status) perfekt që me një figuracion artistik mund ta quash një “kushtëtute të vogel” amerikane që ka nevojë për ndryshime të vogla por jo radikale sepse ndryshe nuk vazhdojme dot ëndrrën e Nolit e Konices.
Gezuar ditlindjen e pare Vatra e Jacksonvilles sot me 18 Nentor.Edhe shekuj të tjete.Edhe qindra e qindra shqiptare që jetojnë në Jacksonvillë u befshim sa me pare pjese e familjes tende.Atdheu na do.Vertete jemi larguar për një jete me të mirë por nëna Shqipëri nuk i harron femijet e saj, loton nga malli per ne, loton së akoma Atdheu po vuan, loton kur sheh gjymtyret e saja të coptuera në pese shtete por edhe gezohet.Gezohët për cicerimat e femijeve, gezohët për shqiptaret mërgimtare që ia nderojne faqen Shqiperise kudo që jetojne neper bote.
Gëzohet dhe i buzëqesh shpirti sa here që degjon emrin e Vatres të ketij djepi të shqiptarizmit që ka ndihmuar pa cak Shqipërine , Kosoven në pika kyqe të historise se saj dhe tani në shekullin e ri po punon që kjo ndienje shqiptarie të mos shuhet, që brezi i ri të mos asimilohet por si Arbereshet e Italise te bashkoje bashkë edhe shqiptaret në diasporen e Amerikes qe të ruajnë kulturen, historinë dhe gjuhen e ëmbël shqipe.

Gezuar ditlindjen dega e Vatres së Jacksonville Florides!..Gëzuar !..

Filed Under: Featured Tagged With: dega jacksonville, Lek Gjokaj, pervjetori

Filmi Besa – “The Promise” në Festivalin Hebraik në Londër

November 18, 2013 by dgreca

LONDER : Ambasada e R.SH në Londër në faqen e saj të internetit(http://www.albanianembassy.co.uk ) thotë se datën 17 nëntor 2013 në kinemanë Triclycle Theatre Kilburn, Londër, u shfaq filmi Besa – Premtimi, nje produksion amerikan i cili sjell përpara publikut hebraik të Londrës një histori të jashtëzakonshme të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe hebrejve gjatë përiudhës së Holokaustit.
Ambasadori i R.SH në Londër, zoti Mal Berisha në njoftimin etij në facebook shkruan se :”Dje në Londër u shfaq filmi: BESA – THE PROMISE, një film i ndërtuar mbi dëshmi të gjalla të Besës dhe virtytit të shqiptarëve në përkujdesjen e tyre, ndaj kombit më të persekutuar të Europës së kohës së Holokaustit. Prania e mbi 300 pjesmarrësve, hebrej të brezave të ndryshëm dhe rrëfimi i pashembullt, e bëri atë një ditë të paharrueshme, shkruan ambasadori Berisha duke shtuar se për më shumë ai postojë linkun ku do te gjeni informacionin e duhur si më poshtë.
Ka shumë filma që tregojnë vuajtjet dhe mjerimet që hebrejtë kanë përjetuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, shumë dokumentarë, kronika të kohës, dëshmi të dhëna nga ata që e përjetuan atë periudhë të errët të njerëzimit. Por zor se mund të ketë një film i cili të jetë një krijim artistik dhe përsëri aktorë të jenë personazhet e vërtetë të ngjarjes; të jetë krijim artistik, por të mos ketë asnjë sajesë apo devijim nga e vërteta; të jetë dokumentar dhe të ruajë një natyrë krejt artistike; të jetë një tregim i një ngjarjeje dhe tregimtarë të jenë vetë njerëzit e ngjarjes…
Kjo është historia e Rexhep Hoxhës, babai i të cilit jo vetëm që ka strehuar familjen e Aronit, hebrej nga Bullgaria, gjatë luftës por i ka lënë amanet të birit të përmbushë Besën që i ka dhënë mikut të tij hebraik: ti kthejë 3 librat e shenjtë të Torahut, libra të cilët ia besoi me shpresën se do të kthehej ti rimerrte kur lufta të mbaronte. Lufta mbaron. Shqipëria zhytet në izolim. Pas vitit 1991, Rexhep Hoxha vihet në kërkim të mysafirit të tij, Aronit, duke shfrytëzuar çdo lloj burimi. Udhëton edhe në Bullgari, atje prej nga familja vinte. Pas shumë përpjekjesh jo vetëm e gjen por edhe i dorëzon librat e të atit, në shtëpinë e tij në Jeruzalem. Filmi mbyllet me një mesazh shumë të fortë mbi Besën shqiptare.
Dëshmitarja e gjallë e Besës dhe mikpritjes shqiptare, Prof. Scarlett Epstein, në fjalën e saj tregoi për përvojën e saj në Shqipëri. Ajo tregoi sesi të gjitha konsullatat e huaja në Zagreb i mbyllën dyert në fytyrë përvec asaj shqiptare, në të cilën gjeti mikëpritje, kujdes dhe cfarë është më e rëndësishme, vizë për të hyrë në vendin që ishte kthyer në një strehë të sigurtë për hebrejtë. Njësoj si filmi, tregimi i saj shkaktoi një ndjenjë shumë të fuqishme emocionale dhe u duartrokit gjatë nga audienca.
Ky film ka marrë pjesë deri tani në shumë festivale prestigjioze nëpër botë duke filluar në Washington, Los Angeles, Dallas, dhe shumë e shumë vende tjera si dhe është vlerësuar me çmime të larta.
Besa – Premtimi, ashtu siç thotë në fund të filmit, fotografi Norman Greshman është eksporti më i mirë që shqiptarët kanë dhe që i nderon dhe i veçon ata nga çdo popull.
Hapjen e filmit e përshëndeti Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar z. Mal Berisha. Në fjalën e tij ai vlerësoi punën e mrekullueshme të producentëve të filmit duke nënvizuar sesa krenar janë shqiptarët për këtë histori kaq të mrekullueshme që tregon vlerat e tyre njerëzore. Në lidhje me besën ai tha se Besa është një “fe” më vete për shqiptarët e cila qëndron mbi të gjitha fetë e tjera.
Më poshtë website i filmit:
http://besathepromise.com/

Filed Under: Featured

NE KUJTIM TE POETIT MARTIR NAMIK MEHQEMEJA

November 16, 2013 by dgreca

Nga  Agim Xh. Dëshnica/Boston/ MA/
Pak fjalë për jetën e veprën./

Më 1944 intelektuali e patrioti demokrat Izedin Mehqemeja, humbi jetën në kampin nazist të shfarosjes Majdanek-Poloni, ndërsa në dhjetor 1945, diktatura komuniste pushkatoi në Berat të birin 22 vjeçar Namik Mehqemeja, poetin e lirisë e luftëtarin e ri të bashkimit kombëtar, i njohur me anonimin letrar Nako. Vrasja e një poeti është jo vetëm krim, por dhe një akt barbar. Nuk do të mjaftonin këto dy tragjedi, por në vazhdim do të vuanin në  punë të rënda e në mjerim nëna dhe tri motrat më të vogla që u larguan nga jeta para kohe me dhimbje, pa mundur  të dinin se ku dergjeshin njerëzit e tyre të dashur.

Nako, u lind më 1923 në Berat. Gjatë e pas mbarimit të  mësimeve  në shkollën tregtare të Vlorës ai krijoi e botoi poezi e prozë, në gazetat e revistat e kohës. Në krijimtarinë e tij plot frymëzim, vihej  re ndikimi i letërsisë së viteve 30-të, sidomos i poezisë së  Migjenit. Sipas atyre që e kanë njohur nga afër, ai qe një djalosh me sy të kaltër e flokët biond që ia merrte era, i pakët në fjalë, i thellë në mendime, shpesh ëndërronjës e  me shpirt të  ndijshëm.

Nako qysh në hapat e para të krijimtarisë kishte tiparet e një poeti  të mirëfilltë i cili me talentin  e tij do të shquhej midis poetëve të kohës e do të mbetej i paharruar deri në ditë e sotme.  Poezitë e tij ishin fryt i një fantazie  e gjuhe të pasur gjatë  orëve të krijimit nën dritën e kandilit apo soditjes së natyrës së bukur shqiptare, veçanërisht të qytetit të lindjes, Beratit romantik. Burime frymëzimi për të ishin njeriu i dashur, nëna, babai, motrat, shokët atdheu, deti, mali, dëbora, vjeshta, muzgu, mbrëmja pranverore etj. Mundësinë e tij për një nivel më të lartë artistik i kishte zbuluar prej kohësh poeti e dijetari i shquar Vexhi Buharaja, por fati i mbrapsht i poetit ndërpreu gjithçka, jetën, rininë, shkollën e lartë për në Vienë dhe krijimtarinë e tij të bukur.  Autorët e tij të preferuar ishin Sami e Naim Frashëri, Konica, Fishta, Noli. Dostojevski, Turgnievi, Petëfi, Tagora, Gorki, Niçe, Frojdi, Hegeli etj.

Poezitë që mundën të shpëtonin nga shfarosja në hetusi,  apo në biblioteka, dorëshkrimet e fshehura dhe ato të botuara para vitit 1944, panë dritën  e botimit pas vitiit 1990 në gazeta të ndryshme dhe në vëllimin “Shpirti është lot”.- 1994. Së fundi, u përmblodhën edhe shkrime të tjera në vëllimin “Dy jetë, një poezi”-Berat 2003 dhe në librin “Poetë berates në shekuj”-Berat-2011, përgatitur e botuar nga shkrimtari e publicisti i njohur Agim Mehqemeja.  Nga këto krijime përmendim disa. Në poezi: “Kënga e pakënduar”, “Kënga e re,” “Deti”, “Shpirti është lot”, “Muzg vjeshte” “Jeta”, “Mbrëmje pranverake” (në burg),”Ja.Nata bie”, “Kalorësi i Ri”, “Vallja e hijeve”, “Dëshirë”, “Do të vijë një ditë”, “Poetit”, etj. Në prozë: “Atit tim”, “Motrës sime”.  “Kënga e detit”, “Dëbora”. “Loti im”,” Një vajze”.” Ylli karvanit veton në të feksur”etj. Vijojnë: fragmente drame, përkthime, ndër to nga Tagora, shkrime e fjalime të ndryshme dhe letra nga burgu.  Kanë humbur  ose janë zhdukur  poezitë “Trimi”, “I kujtoj të gjitha”, “Shqiponjat fluturojnë lart”; novelat “Mbas malit”; romanet “Çerdhja u prish”, “Hije e dritë”, “Ditari i burgut dhe eseja “Në vendin e zambakëve të bardhë”.Nga letrat e burgut veçojmë, kujtimin e fundit, shkruar pas një fotografie të burgut: “Nënës sime të dashur që i shkaktova kaq dhembje e dëshpërim.” dhe letrën :“Të dashura motra”: “E vetmja porosi që ju lë prej birucës është kjo:  Ruani vetëm nderin. Ruani nderin, në qoftë se doni të jini të denja për kujtimin e vëllait tuaj.

Ruani nderin në qoftë se nuk doni të lëndoni eshtrat e mia.

Shoqëria që ju rrethon është e korruptuar.

Prandaj ju them edhe njëherë:

Ruani nderin!

Kjo është porosia ime e fundit. 15 nëntor 1945 “

Në mbarim të fjalës së fundit në sallën e gjyqit pas vendimit me vdekje për fajin se  atdheun  e donte të lire e të bashkuar me të gjitha trojet e veta, ai u shpreh: “Nuk kërkoj mëshirë, mëshira është arma e të dobëtit.”

Në mbyllje të këtij shkrimi të shkurtër  japim strofën e parë  nga poezia e tij “ Kënga e pakënduar”:

“Ndiej një këngë në zemrën time

Kam një këng’ të pakënduar

Kam një këngë thellë të harruar

Mu në fund të zemrës sime.”

 

 

Poezi kushtuar poetit martir,

nga përgatitësi i këtij shkrimi përkujtimor.,

 

POETIT  TE  KENGES  SE PAKENDUAR

 

Me rrezet e fundme

gjerdan i ndritur e i artë,

u ndeh e u shtri,

mbi kreshtë në  Shpirag.

Befas  u fik.

 

 

Afër lumit nën ulli

mjegull, krisma, dhimbje e gjak.

A fle lumi?

A ndien lumi,a sheh lumi?

 

Hesht në shkëmb qyteti i bardhë

me dritare rradhë mbi rradhë ,

me përralla e legjenda

brenda mureve të rënda.

 

Afër lumit nën ulli

u vra poeti,

ra  e u shtri,

u vra kënga e pakënduar

në zemër e harruar

për fllad e det

për lule e fletë,

vjeshtën e borën dimërore

për mbrëmjen pranverore,

në kohë zgjimi

e çast frymëzimi

nën flakën  e kandilit

me trillet e bylbylit.

 

Hesht qyteti, ëndërron nën yje,

në orët e krimit  fshehur nëpër hije.

Pakëkush di  për krismat nën ulli,

Por ah! Bri rrape fërfërimash

me jehona suferimash

qajnë valët nën urë flijimesh

qajnë zanat me lot mallkimesh,

pa myezinë e  pa kambanë,

qajnë poetin e  lirisë

poetin e hijshëm të dashurisë.

 

Hëna sipër në Kala

shndrin dritare e baxha,

në gjumë trondit qytetin,

nën ulli e zgjoi poetin.

 

Nako! Nako! Emri i tij rinor

jehon tutje  lumit në Tomor.

jeton me kumtin e besimit

për ditën e ngadhnimit.

 

E ndjek në çaste muzg vjeshte

shpirtin lot, tek ngrihet  lart në heshtje

e shuhet tej malesh e pyjesh,

por befas ndrin si yll mes yjesh.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Namik Mehqemeja, Ne kujtim te poetit

Çfarë fitoi dhe humbi Edi Rama? Po SHBA -ja?

November 16, 2013 by dgreca

*Fituam, një Shqipëri të pastër dhe me shumë dinjitet/

*A është një leksion sigurie për RSH qëndrimi i Edi Ramës  për armët kimike të Sirisë?

Nga ZAIM KUCI/

E shprehur me entuziazëm, Po; madje një leksion i shumëmunguar në historinë shqiptare. Në respekt të asaj që dëshiroj të shpreh për këtë çështje, pergjithësisht qëndroj larg qëndrimeve të ngjyrimeve politike të vendit tim. Formimi ushtarak i fituar më detyron që të mbetem një analist në fushën e sigurisë dhe profesionalisht do mundohem të jap opinionin tim për këtë operacion luftarak të menduar për t’u zhvilluar në teatrin e veprimeve luftarake shqiptare.

Si përmbledhje të asaj që u shvillua para dhe mbas “Jo_së” së Kryeministrit, të mendimeve “pro” dhe “kundër kësaj fushate të drejtë dhe padrejtë do të shprehem për ata që nuk do të kenë durimin për të lexuar deri në fund këtë opinion: fituam të gjithë, më shumë ka fituar personalisht Edi Rama.

Po përse? Që të gjykojmë qëndrimin e duhur ose jo të Kryeministrit shqiptar do të pranojmë që, sasia prej 1300 ton armë kimike të Sirisë, për nga gjerësia e problemeve që mbart kjo situate e krijuar, nuk është një operacion demontimi për RSH por një operacion luftarak me forca e mjete të shumta, me/pa të njohura, për më tepër me kundërshtar të padukshëm, ky është rreziku edhe për shtete me potenciale të mëdha.

Në këtë fazë zhvillimi operacioni, vlerësim situate, strategët ushtarakë e vlerësojnë këtë “situatë konfideciale “, leksion që zhvillohet si në akdemitë perëndimore dhe ato lindore.

Krizat dhe konfliktet kalojnë disa faza zhvillimi. Janë strategët (specialistët) që zbulojnë, paraqesin dhe luajnë me fakte dhe shifra për forcat dhe mjetet mbi një situatë të caktuar, në rastin tonë “armët kimike”. Ata bëjnë raport forcash dhe përcaktojnë perspektivën e rrezikut të pritshëm. Sipas meje, në mungesë informacioni, me dilemat e shumta të këtij operacioni, që as dhe sot specialistët e vendeve elitë nuk janë të vendosur për të vepruar, por dhe një hezitim dhe padije nga kolegët e mi ushtarakë, nuk u mundësua në kohë informacioni i duhur për vendimmarrësit shqiptarë.

Propozimi (në se përgjigjia ka qënë e nxituar) për një demontim të mundshëm në RSH ishte shumë i parakohshëm nga aleatët, por sigurisht nuk ishte aspak një detyrim force, apo dhe detyrim moral për palën shqiptare. Në operacion merren dhe rrizqe, por futesh për të fituar, aq më keq në kohë paqe, ushtarakët e dinë mirë “ligjin” për të fituar betejën.

Në çdo operacion fillimisht futet në lojë “diplomacia” e cila është arma e negociatës që progreson ose ndalon përshkallëzimin e krizës dhe konfliktit. Edi Rama duket se u fut në lojë në fazën e dytë të këtij operacioni “diplomacia”. Në këtë fazë formula e është disi e përgatitur, rënie dakord por do ta “vlerësoj” që kupton vijimin e ashtuquajturës periudhë “heshtje”, marrje kohe për të vendosur, që për mua si ushtarak ishte optimale dhe aspak e vonuar. Pa dyshim kjo ndodhi me kryeministrin tonë, nuk kishte si të ndodhte ndryshe.

Çfarë ndodhi? Si nga herë në vendin tim fillon gjuetia e shtrigave. Por, a duhet që kryeministri i RSH si një nga garantët kryesorë për sigurinë e vendit dhe të jetës së popullit të vet, përballë këtij operacioni të rrezikshëm duhej të dilte nga konfidecialiteti? Sipas meje strategjikisht do të ishte gabim, madje me pasojë. Në të tilla raste pavendosmërie, aq më tepër për një situate të pritshme diplomacie, për çështjet e sigurisë së kombit, kërkohen sjellje të tjera, të matura që fatkeqësisht u komentuan me ngjyrime politike por dhe me analiza dilitantësh, më së shumti ishin dhe konfuze.

Diplomacia është arma e fjalës, e cila bëhet më e fuqishme se avionët, raketat, anijet luftarake dhe tanket, kur ajo është pronë e të diturve. Sipas meje Edi Rama tregoi maturi diplomatike përballë një propozimi në fazë negociate (situate e nxituar nga aleatët), ushtarakisht përkthehet Fuqi Kombëtare.

Pas kaq vite demokracie, jam i lumtur që në vendin tim pash elementë dhe nerf demokratik, kjo është shumë për të majtët e të djathtët, kjo duhet të na gëzojë. U ndjeva mirë që studentët dhe  nxënësit, këta të rinj reaguan ndjeshëm për këtë çështjë e të gjithëve. Uroj që kjo frymë të vazhdojë në emër të dinjitetit dhe jetëve njerëzore. Edi Rama, sipas meje shumë i kujdesshëm, dhe këta të rinj bënë që Shqipëria të shpëtojë nga lista e zezë si vend i kontaminuar.

Në këtë ndjenjë lirie të rinjësh, gjithnjë dhe në rritje në të gjithë vendin, mu duk se edhe “Edi Rama” ishte në mes tyre. Kjo duhet të gëzojë të gjithëve.

Çfarë fitoi dhe humbi Edi Rama? Po SHBA -ja?

Pa dashur të listoj një sërë fitore do nt’i vlerësoja të shumta të Edi Ramës në këtë operacion luftarak të pa zhvilluar them se: më duket se, në RSH erdhi koha për të pyetur interesat e Shqipërisë, opinionin  publik që vështirësisht ka funksionuar. Jetojmë në një epokë dhe në një kohë kur kryeministri, presidenti dhe ministri nuk duhet ta konsiderojnë vehten si agallarë, por shërbëtorë, ashtu siç e gëzojnë prej shumë vitesh amerikanët  dhe francezët, që të gjithë ne endërrojmë të shkojmë drejt tyre.

Çfarë humbi Edi Rama? Të kaluarën “demokratike” shqiptare, prepotencën, interesat personale, individualitetin politik etj.

Po SHBA ? fitoi një popull më dashamirës, më të burrëruar, më edërrues drejt saj me më shumë dinjitet. Shqiptarët janë të dashuruar me SHBA, miqësia është afagjatë dhe jo “mujore”, ata kanë qënë, janë dhe do të jenë aleat strategjik për RSH.

Edi Rama mundi t’u japë mesazhin aleatëve tanë strategjik se RSH ka vullnetin e mirë por nuk plotëson standardin e kërkuar për pritjen, demontimin dhe ruajtjen e këtyre armëve, nuk ka zona të lira për hapësirën e kërkuar, për më tepër kemi tejngopje të ambientit me atë çfarë kemi bërë deri tani. Në këtë rast RSH e ka fituar tashmë sinqeritetin dhe respektin e tyre. RSH, në mënyrën më rigoroze i ka plotësuar kontributet në kuadër të Nato_s duke shtuar dhe ato në BE.

 Shqipëria duhet të punojë për një plan veprimi për të marrë një pozicion të ri dominues, të favorshëm gjeostrategjik në rajon, me çmimin “Nobel” që tashmë e kemi marrë pikërisht për natyrën e bukur, kushtet klimaterike, me diversitetin e terrenit, me detet, liqenet, lumenjtë, kështjellat e bukura, duke i shtuar mikpritjes shqiptare që do të thithin turrizmin si lëndën e parë strategjike për zhvillimin ekonomik të RSH, të cilat kanë marrë kohët e fundit rrugën e shpresuar. Shtypi elitar botëror ka bërë komente dhe vlerësime të shumta për këto armë, gjë që memoria e njerëzve nuk do të humbasë lehtë opinionin se ky vend është i kontaminuar; edhe ky do të ishte një rrezik që duhet vlerësuar.

RSH i duhet e ardhmja e pastër, territori i së cilës ka filluar të pastrohet dhe të ecë.

 

********************************************

 

Filed Under: Featured Tagged With: apo humbem, Fituam, per armet kimike, Zaim Kuci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 815
  • 816
  • 817
  • 818
  • 819
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT