LONDER : Ambasada e R.SH në Londër në faqen e saj të internetit(http://www.albanianembassy.co.uk ) thotë se datën 17 nëntor 2013 në kinemanë Triclycle Theatre Kilburn, Londër, u shfaq filmi Besa – Premtimi, nje produksion amerikan i cili sjell përpara publikut hebraik të Londrës një histori të jashtëzakonshme të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe hebrejve gjatë përiudhës së Holokaustit.
Ambasadori i R.SH në Londër, zoti Mal Berisha në njoftimin etij në facebook shkruan se :”Dje në Londër u shfaq filmi: BESA – THE PROMISE, një film i ndërtuar mbi dëshmi të gjalla të Besës dhe virtytit të shqiptarëve në përkujdesjen e tyre, ndaj kombit më të persekutuar të Europës së kohës së Holokaustit. Prania e mbi 300 pjesmarrësve, hebrej të brezave të ndryshëm dhe rrëfimi i pashembullt, e bëri atë një ditë të paharrueshme, shkruan ambasadori Berisha duke shtuar se për më shumë ai postojë linkun ku do te gjeni informacionin e duhur si më poshtë.
Ka shumë filma që tregojnë vuajtjet dhe mjerimet që hebrejtë kanë përjetuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, shumë dokumentarë, kronika të kohës, dëshmi të dhëna nga ata që e përjetuan atë periudhë të errët të njerëzimit. Por zor se mund të ketë një film i cili të jetë një krijim artistik dhe përsëri aktorë të jenë personazhet e vërtetë të ngjarjes; të jetë krijim artistik, por të mos ketë asnjë sajesë apo devijim nga e vërteta; të jetë dokumentar dhe të ruajë një natyrë krejt artistike; të jetë një tregim i një ngjarjeje dhe tregimtarë të jenë vetë njerëzit e ngjarjes…
Kjo është historia e Rexhep Hoxhës, babai i të cilit jo vetëm që ka strehuar familjen e Aronit, hebrej nga Bullgaria, gjatë luftës por i ka lënë amanet të birit të përmbushë Besën që i ka dhënë mikut të tij hebraik: ti kthejë 3 librat e shenjtë të Torahut, libra të cilët ia besoi me shpresën se do të kthehej ti rimerrte kur lufta të mbaronte. Lufta mbaron. Shqipëria zhytet në izolim. Pas vitit 1991, Rexhep Hoxha vihet në kërkim të mysafirit të tij, Aronit, duke shfrytëzuar çdo lloj burimi. Udhëton edhe në Bullgari, atje prej nga familja vinte. Pas shumë përpjekjesh jo vetëm e gjen por edhe i dorëzon librat e të atit, në shtëpinë e tij në Jeruzalem. Filmi mbyllet me një mesazh shumë të fortë mbi Besën shqiptare.
Dëshmitarja e gjallë e Besës dhe mikpritjes shqiptare, Prof. Scarlett Epstein, në fjalën e saj tregoi për përvojën e saj në Shqipëri. Ajo tregoi sesi të gjitha konsullatat e huaja në Zagreb i mbyllën dyert në fytyrë përvec asaj shqiptare, në të cilën gjeti mikëpritje, kujdes dhe cfarë është më e rëndësishme, vizë për të hyrë në vendin që ishte kthyer në një strehë të sigurtë për hebrejtë. Njësoj si filmi, tregimi i saj shkaktoi një ndjenjë shumë të fuqishme emocionale dhe u duartrokit gjatë nga audienca.
Ky film ka marrë pjesë deri tani në shumë festivale prestigjioze nëpër botë duke filluar në Washington, Los Angeles, Dallas, dhe shumë e shumë vende tjera si dhe është vlerësuar me çmime të larta.
Besa – Premtimi, ashtu siç thotë në fund të filmit, fotografi Norman Greshman është eksporti më i mirë që shqiptarët kanë dhe që i nderon dhe i veçon ata nga çdo popull.
Hapjen e filmit e përshëndeti Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar z. Mal Berisha. Në fjalën e tij ai vlerësoi punën e mrekullueshme të producentëve të filmit duke nënvizuar sesa krenar janë shqiptarët për këtë histori kaq të mrekullueshme që tregon vlerat e tyre njerëzore. Në lidhje me besën ai tha se Besa është një “fe” më vete për shqiptarët e cila qëndron mbi të gjitha fetë e tjera.
Më poshtë website i filmit:
http://besathepromise.com/