• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ndal “Agimit të Artë”, në trojet tona etnike!

August 12, 2013 by dgreca

Ne Foto: Pranë varrit të Gumës, Kristoforos Tsankas deklaroi se Agimi i Arte nuk do të ikë nga Himare deri në çlirimin e saj./

 Policia duhet të reagonte ndaj provokimit të këmishëzinjve të “Agimit të Artë”, ndaj mediave tona në varrezat e Himarës!

Policia s’mund të rrijë e heshtur para pretendimeve territoriale të një organizate fashiste në truallin tonë, pretendime që u lëshuan duke dhunuar një mjedis të shenjtë si varreza!

Në një mënyrë tërësisht burracake, njera nga organizatat më të turpshme dhe më të rrezikshme në Europën e Bashkuar, “Agimi i Artë”, u shfaq në një ceremoni përkujtimore vdekjeje të një shtetasi shqiptar.  Të udhëhequr nga sharlatanë, shitës flamujsh dhe banditë të tjerë, kjo organizatë u përpoq të shfaqte gjoja nacionalizmin e vet në Himarën tonë, një vatër e rëndësishme urbane që dëshmon vazhdimësinë e kombit shqiptar në të gjithë kohërat.

PDIU e vlerëson faktin që prifti i Himarë Fshat nuk e bëri kishën pjesë e lojërave të kësaj organizate që synon të armiqësojë shqiptarët me grekët, shqiptarët e krahinave të ndryshme me njeri tjetrin.

PDIU vlerëson faktin që me këta njerëz nuk u bashkuan banorë të tjerë të Himarës që sot ka rënë në qetësi, pas zhdukjes nga drejtimi i pushtetit lokal të një figure të shitur si Vasil Bollano.

PDIU i ka vlerësuar dhe prononcimet e mëhershme të familjarëve të të ndjerit Aristotel Guma,  të cilët nuk kanë dashur ta kthejnë vdekjen e të dashurit të tyre, në motiv ndarës të komunitetit të shquar himariot.

Por PDIU reagon me forcë ndaj mungesës së ndërhyrjes së policisë ndaj dhunimit të mediave shqiptare prej këmishëzinjve fashistë të “Agimit të Artë”. Nuk ka asnjë pretekst legal në këtë vetëpërmbajtje të policisë sonë. Këta njerëz, që ishin në pozitën e veprimtarit politik siç e tregonin veten me veshjen e tyre të zezë, nuk po kryenin ndonjë shërbesë fetare, por po zhvillonin veprimtari antishtetërore në një mjedis të shenjtë si varreza. Autoritetet policore duhet t’i përmbaheshin një vendimi të mëhershëm të ministrit të jashtëm të Shqipërisë për ta shpallur non grata kryetarin e kësaj Lëvizjeje. E gjithë kjo organizatë duhet ndaluar së vepruari në territorin shqiptar. Shteti shqiptar vazhdon të funksionojë dhe duhet të funksionojë me forcë dhe në periudhën e tranzicionit të pushtetit politik.

DEKLARATA E PERFAQESUESEVE TE AGIMIT TE ARTE

Një ditë pas ceremonisë së zhvilluar në përkujtim të 3-vjetorit të vdekjes së Aristotel Gumës, zbardhen edhe deklaratat antishqiptare të përfaqësuesve të Agimit të Artë, të cilët ishin të dielën në Himarë.Pranë varrit të Gumës, Kristoforos Tsankas deklaroi se Agimi i Arte nuk do të ikë nga Himare deri në çlirimin e saj.

“Po them dy fjalë në emër të komandantit tonë, Nikos Mihaliakos, të kryesisë dhe në veçanti të të ngarkuarit për çështjet e helenizmit, Kristo Papa, i cili nuk mund të ndodhet këtu, pasi regjimi i jashtëligjshëm i Tiranës e ka shpallur atë ‘non grata’ për shkak të aktivitetit të tij patriotik. Por mendja e tij ndodhet këtu me ne. Poeti ynë kombëtar, Dhionisis Solomos ka shkruar: ‘Mos vallë kam gjë tjetër në mendjen time veç lirisë dhe gjuhës?’ Pikërisht këtë kishte në mendje edhe Aristotel Guma. Liri dhe gjuhë, ndaj dhe ra si hero. Vdekja e tij tragjike tregoi se me të vërtetë ai u tregua grek dhe vrasësit e tij tiranë. Është fati i grave të Himarës të lindin heronj. Dhe është fati i kësaj toke që të mbajë në gjirin e saj trima. Si njerëz na vjen keq për vdekjen e tij. Si grekë ne mbajmë në zemrat tona kujtimin e tij, sepse vdekja e tij tregoi madhështinë e burrit. Kriminelët që i hoqën jetën, nuk mund t’i përdhosin emrin, i cili do të mbetet i përjetshëm. Ai humbi jetën për të fituar përjetësinë. Zonja dhe zotërinj, Agimi i Artë nuk vjen në Himarë për të ikur. Bëjmë nderime mbi varrin e tij dhe premtojmë se do të vazhdojmë luftën deri në momentin e çlirimit. Rroftë Kombi!”, tha Tsankas.

Ne ceremoni u këndua edhe himni grek. Ky përvjetor i tretë për Aristotel Gumën u shoqërua me incidente nga eksponentët e Agimit të Artë. Fillimisht ata nxorën jashtë kishës, priftin e Shën Spirodhonit, i cili nuk pranoi që të kryente rritet e tyre e më dhe pas sulmuan grupin e xhirimit të Top Channel, duke mos lejuar të filmonin ceremoninë./TCH

 

Filed Under: Featured

Miliarderi amerikan viziton Gjirin e Sarandës me jahtin e tij superluksoz

August 12, 2013 by dgreca

Vendi ynë është bërë mjaft i lakmuar për pushuesit, ku kohët e fundit njerëz më famë kanë shkelur në tokën shqiptare.Para dy ditësh miliarderi amerikan, David Bonderman, ka ankoruar jahtin e tij në bregdetin shqiptar. Në Gjirin e Sarandës u ankorua jahti gjigant prej 50 metrash me emrin M/Y Helios i miliarderit amerikan dhe i bëri përshtypje te pushuesit e shumtë me elegancën dhe madhësinë e tij. Jahti M/Y Helios, pasi ka lundruar në bregun shqiptar nga Vlora për në Sarandë, hodhi spirancën në Sarandë dhe më vonë në Gjirin e Butrintit dhe më vonë u largua drejt Korfuzit.

Nga mediat lokale të Korfuzit mësohet se në bordin e këtij jahti luksoz qëndronte miliarderi amerikan, David Bonderman, dhe disa të ftuar të tij, të cilëve nuk iu është mësuar emri. David Bonderman, një nga 100 njerëzit më të pasur në Amerikë, president i linjës ajrore Ryanair dhe i një numri të madh kompanish investimi, njihet si një nga miliarderët më ekstravagantë.

I famshëm për festat e mëdha që organizon, ai njihet po ashtu si mbështetës i një numri muzikantësh dhe artistësh me famë botërore. Në ditëlindjen e tij të organizuar në një spektakël gala privat vitin e shkuar, mes të tjerëve ishin të ftuar të këndonin edhe Paul McCartney si dhe grupi i famshëm Rolling Stones. David Bonderman njihet po ashtu si mbështetës i një numri fondacionesh private të mbrojtjes së natyrës apo historisë si për shembull parkun e Grand Kanion.

Nuk dihet arsyeja e vizitës së tij dyditore në brigjet shqiptare. Duke ditur mbështetjen e David Bonderman për projekte në dobi të trashëgimisë historike, mund të hamendësohet se ai mund të jetë ftuar për të parë ekspeditën e kërkimeve nënujore në brigjet shqiptare si dhe projektin e krijimit të muzeut të parë nënujor në Mesdhe, që mendohet se do të krijohet në brigjet shqiptare.(Kortezi:Rexhep POLISI-EXPRESS-RD)

 

Filed Under: Featured

SI U VRA NË SELANIK HASAN PRISHTINA

August 12, 2013 by dgreca

KIJTESE- Me 13 Gusht 1933 u vra ne Selanik Hasan Prishtina/

Shkruan: Arben LLALLA/

 U mbushën 80 vjet që nga data e 13 Gushtit të vitit 1933, ku në qytetin e Selanikut u vra në pabesi dhe mizori ish-Kryeminsitri i Shqipërisë Hasan Prishtina. Gjatë viteve të qëndrimit tim në Selanik në arkivat e këtij qyteti zbulova një gazetë të vjetër që përshkruante ngjarjen e vrasjes së atdhetarit të shquar Hasan Prishtina. Në gazetën “Maqedonia e Re” e datës 14.8.1933, ishte botuar fotografia e Prishtinës i vdekur dhe fotografia e vrasësit Ibrahin Çelos. Gazeta e asaj kohe shkruante për jetën, veprimtarinë dhe pasurinë në Selanik të Hasan Prishtinës dhe na sjell një fakt të vërtetë për datën e vrasjes së tij që deri më sot shumë historianë shqiptar që janë marrë me figurën e tij e kanë gabuar duke shkruar si datë të vrasjes 14 Gushtin e 1933, por sipas gazetës së kohës është data 13 Gushti i 1933.

 Përshkrimi i atentatit nga gazeta greke e kohës

“Maqedonia e Re” (Μακεδονικα Νεα)

“Maqedonia e Re” e datës 14 Gusht 1933, një ditë mbas vrasjes së Hasan Prishtinës, shkruante për ngjarjen që tronditi Selanikun më 13 gusht të vitit 1933. Gazeta e asaj kohe shënonte se Hasan Prishtina është pronar i ndërtesës së sotme “Shkolla e të Verbërve”. Gazeta e kohës përshkruan vdekjen tragjike të atdhetarit, politikanit të madh Hasan Prishtinës. Në faqet e gazetes shkruhej: “Një tjetër vrasje që u bë në rrugën Çimisqi, tronditi Selanikun. Politikani shqiptar Hasan Prishtina u vra në qoshen Çimisqi në Vogaxhiku, përpara bakallhanes “IVI”. Shqiptari Ibrahim Çelo, 38 vjeçar, i papunë, qëlloi pesë herë ish-kryeministrin shqiptar Hasan bej Prishtinën.

Vrasja u krye në orën 2 mbas dite më datë 13 gusht 1933. Në rrugën Çimisqi u pa një zotëri i moshuar, i mbajtur mirë dhe me tipare simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur mirë, i gjallë, sa e tradhtonte dhe toni i zërit. Arritën në kryqëzimin e rrugës Çimisqi-Vogaxhiku dhe po drejtoheshin për tek bakallhane “IVI” dhe në largësi dy hapa nga kinkaleria e invalidit J.Janopullo. Njeriu me pamje të zymtë nxori rrufeshëm revolverin e markës “SMITH” dhe shtiu kundrejt bashkëbiseduesit, i cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në trotuar. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të parëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretën në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurt për përfundimin e aktit të vrasjes. Fill pas krimit të tij vrasësi, që t’i ikë rrezikut prej turmës së mbledhur që u vu për ta kapur, ia dha vrapit nga rruga Vogaxhiku.

Nga tronditja ai ra në vitrinën e tregtores “Beharnae” të cilës ia dëmtoi tendën, por rimori veten, për t’u turrur drejt rrugës “Paleon Patron” ku u rrethua nga turma, që e ndiqte me synime të errëta. Vrasësi hyri në banesën e mjekut z.Dukidhis, ku dhe ju dorëzua rojes së policisë. Por nuk mundi t’i shpëtojë egërsimit të turmës. Kalimtarët që e ndoqën dhe banuesit fqinjë të çdo moshe, shtrese, pa ditur identitetin e tij dhe as motivet e vrasjes, të indinjuar ndaj egërsisë që tregoi vrasësi ndaj viktimës, sa panë të vijë skuadra e policisë, u turrën dhe ata duke thirrur: – Shqyeni, shqyeni, vrasësin. Ndërsa polici më kot përpiqej të shpëtonte atentatorin, turmat u turrën ndaj tij dhe nisën ta grushtojnë, duke i shkaktuar mavijosje në pjesë të ndryshme të trupit. Do ta kishin çarë përgjysmë vërtet, nëse nuk do ia mbërrinte të hynte në një tjetër shtëpi, në rrugën “Paleon Patron”, ku u strehua nga i zoti i shtëpisë, i cili nxitoi tu mbyllte derën e jashtme turmave të zemëruara. Pas pak mbërriti sekretari i policisë, nëntogeri z.Zografo, dhe vrasësin e transferuan me motoçikletë në Seksionin e tretë të policisë. Hasan Prishtina, i mposhtur nga plagët, u dërgua ndërkohë në Spitalin Popullor, ku trupit të tij iu bë autopsia. Në orën 2.50 minuta mbas dite oficeri Sotiriu nisi hetimet me përkthyes, pyeti vrasësin nëse e njeh gjuhën greke, ai u përgjigj se njeh gjuhën shqipe, frënge dhe gjuhën turke.

Vrasësi nënvizoi se akti i tij u dedikohet motiveve politike. Ndërkaq pretendoi se ish-kryeministri i atdheut të tij ishte komit dhe bashkëpunonte me komitetin bullgaro-maqedonas me qëllim që të vrisnin mbretin e Shqipërisë Ahmet Zogun. Planet, thotë atentatori, m’i tregoi Hasan Prishtina përpara pesëmbëdhjet ditëve, kur po vinim prej Vjene (Austri) dhe më bënte presion që të bëhesha unë kryetar i bandës komite dhe të shkoja në Tiranë ku të vrisja mbretin Ahmet Zogu. Prishtina, vijon vrasësi, më premtoi shpërblim mujor dhe një shpërblim dhuratë mbas aktit të vrasjes, por unë i kundërshtova këto propozime të tij, sepse jam pro regjimit të mbretit Ahmet Zogu dhe nuk dëshiroja të bëhem vegël e Hasan Prishtinës, të cilin në Shqipëri e quajnë tradhtar. Ibrahim Çelo jetonte në Nikea të Francës dhe ishte tregtar frutash, ishte i martuar me një spanjolle, me të cilën kishte dhe fëmijë. Atje u njoh përpara disa vitesh me Hasan Prishtinën, që ish shpërngulur në Nikea për hir të shlodhjes dhe kishin lidhur marrëdhënie familjare. Gjatë njohjes midis tyre Hasan Prishtina i kishte treguar për rininë, vështirësitë që kishte kaluar pas largimit nga Shqipëria në Turqi dhe Bullgari. Në Turqi pat gjetur miq të vjetër dhe bashkëluftëtarë kundër xhonturqve. Mori pjesë në një shoqatë të fshehtë me bashkatdhetarët e vet për çështjen shqiptare”.

 

 

Filed Under: Featured

“Logu i Bjeshkëve” mirëpriti Kreun e Shtetit

August 11, 2013 by dgreca

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u prit me entuziazëm në “Logun e Bjeshkëve”, veprimtarinë e përvitshme ku ishin tubuar qindra banorë të Kelmendit, të Malësisë së Madhe, Kosovës, shqiptarë nga Mali i Zi e shumë të tjerë nga diaspora.

Kelmendasit përshëndetën dhe evidentuan vizitën e Presidentit Nishani, si të parën vizitë që një kryetar i shtetit shqiptar zhvillon në Kelmend përgjatë gjithë historisë.

Prania e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani në festën e këtij viti në “Logun e Bjeshkëve” kishte për qëllim kryesor dorëzimin e dekoratës “Nderi i Kombit” që kreu i shtetit i akordoi Komunës Kelmend me motivacion “Për kontribut të shquar për identitet kombëtar, për trimëri dhe heroizëm në kryengritjet antiosmane për pavarësi, për qëndresën heroike në ruajtjen e kufijve kombëtarë nga copëtimi shovinist, për kryengritjen e parë antikomuniste (1945), ku gjaku i martirëve u shndërrua në memorie dhe vullnet për të kërkuar demokraci, për prijësit dhe bijtë e saj të shquar që ka nxjerrë në shekuj”.

Duke vlerësuar “Logun e Bjeshkëve”, si një markë të etnicitetit, etnografisë dhe kulturës shqiptare, Presidenti Nishani theksoi se në kushtet e globalizmit, identitetet kulturore nëse janë të forta dhe arrijnë të kultivohen, spikasin dhe mund të dalin në pah më shumë se më parë.

“Nëse do të kishim për zemër fatet e kulturës shqiptare dhe fatet e formimit të pasardhësve tanë, duhet që jo vetëm t’u bëjmë një jehonë manifestimeve të tilla artistike, etnografike  dhe patrotike si “Logu i Bjeshkëve”, por duhet t’u bëjmë një lexim edukativ, informues dhe tendenc zhbirues”.

Në fjalën e mbajtur në “Logun e Bjeshkëve”, Kreu i Shtetit u shpreh gjithashtu se një vlerë e pashuar në shekuj e krahinës së Kelmendit, është edhe respekti gati proverbial ndaj grave dhe lirisë së shprehjes së tyre, si një shembull i përkryer i demokracisë së fiseve shqiptare.
 
“Trashëgimnia e kësaj treve është një shembull i gjallë i vlerësimit dhe cilësimit të gruas si një zonjë e vërtetë, që merrte pjesë në kuvende, thoshte  lirshëm fjalën e saj, madje dhe  votonte. Ky është një mesazh i madh qytetarie dhe përparimi që “Logu i Bjeshkëve” duhet t’ia shpërndajë gjithë Shqipërisë dhe gjithë përpjekjeve që ajo sot po bën në betejën e saj kundra padrejtësive dhe pabarazisë gjinore, si një normë bazë e së ardhmes sonë europiane”.

Ndërsa e filloi kuvendimin e tij me kelmendasit duke u prezantuar të bijën, Fiona, të veshur në shenjë respekti dhe admirimi me një kostum popullor të kësaj krahine, Presidenti Nishani ndoqi së bashku me familjen e tij të gjithë manifestimin “Logu i Bjeshkëve”, në fund të të cilit u përshëndet ngrohtësisht dhe bisedoi nga afër me banorët e Kelmendit dhe të ftuarit e tjerë.

Filed Under: Featured

Shqipëria bën përparim në trajtimin e korrupsionit

August 10, 2013 by dgreca

Nga Merita Bajraktari për Southeast European Times/

Zyrtarët shqiptarë përshëndetën një raport nga Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit i Këshillit të Evropës që tha se Shqipëria ka bërë përparim në përpjekjet e saj kundër korrupsionit.

“Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit i Këshilli të Evropës arrin në përfundimin se Shqipëria ka zbatuar tashmë në mënyrë të kënaqshme ose mori masa në mënyrë të kënaqshme për të gjitha 12 rekomandimet e përmbajtura në raundin e tretë të raportit të vlerësimit,” vuri në dukje grupi.

Ky vlerësim u përqendrua në dy tema: akuzat e transparenca e fondeve të partive. Raportet e raundit të parë e të dytë të përputhjes u hartuan më 2009 e 2011.

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha e lavdëroi raportin e vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë midis Tiranës e grupit të Këshillit Evropian mbi çështjet legjislative e luftën kundër korrupsionit.

Megjithatë, analistët e shtetasit thanë se vendi ka shumë punë për të bërë.

“Nëse ka ndonjë gjë që Shqipëria vazhdon t’a ketë problematikë e nuk ka rezultate, është lufta ndaj korrupsionit. Ndoshta Berisha e grupi i Këshillit Evropian e kane fjalën thjesht për arritje në kuadrin ligjor, domethënë miratimin e ligjeve kundër korrupsionit, por sa për zbatimin e këtyre ligjeve dhe kur vjen puna për zbatimin e tyre në praktikë, sidomos në fushën e korrupsionit, gjendja është alarmante,” tha për SETimesMirela Bogdani, një profesore e shoqëruar në Universitetin e Tiranës.

“Në letër, të gjitha këto raporte të vlerësimit e të përputhshmërisë sipas grupit duken në rregull,” tha për SETimesAgron Alibali. “Në realitet, masat e rekomanduara e të zbatuara nuk duket se  kanë ndonjë ndikim të konsiderueshëm në terren e për më tepër ngrenë probleme të juridiksionit territorial e të barazisë para ligjit”

Kryeministri i caktuar Edi Rama bisedoi me BBC më 18 korrik lidhur me përpjekjet kundër korrupsionit e përsëriti vendosmërinë e tij ndaj kësaj detyre. Korrupsioni “është diçka që mund të përballohet e të mundet,” tha ai.

Shqipëria u bë anëtare e Grupit të Shteteve kundër Korrupsionit të Këshillit Evropian më 2001. Grupi është njësi e rëndësishme e vlerësimit e Këshilli të Evropës në fushat e çështjeve ligjore e përpjekjeve kundër korrupsionit.

Vlerësimi i katërt i grupit do të përqendrohet në parandalimin e korrupsionit lidhur me anëtarët e parlamentit, gjyqtarët e prokurorët.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Merita bajraktari, ne trajtimin e korrupsionit, shqiperia ben perparime

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 863
  • 864
  • 865
  • 866
  • 867
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT