f.16
Po vdiste apo kishte vdekur Titoja? Patjeter duhej të shqetësohesha. Çdo të bëhej me ish Jugosllavinë? Ne, duke qenë aq ngjitur me ta, ja, si qelitë, aq sa na kishin rërmbyer Kosovën si copën e bukës që të arrestuarit ja marrin njeri tjetrit kur gjejnë rast, te rafti në fund të koridorit, pra, për ç’ndodhte andej, kishim pasoja këtej për gjithçka, gjithmonë për keq. Kosova duhej të harrohej, por që ishin revizionistë, pra armiq, jo kurrë. Rrezik prandaj u dëndësuan arrestimet këndej. Dhe unë qeshë ruajtur për tani, s’u kapa as më parë e s’u lashë për më pas. Nga që po vdiste Titoja, tradhtari i marksizëm –leninizmit, a kishte vdekur, te ne po shtohej terrori, që askush të mos lëvizte, të mos shprehte dot asgjë, as ngazëllim, as pezm.
f.21
Unë s’isha shkrimtar, as antar i Lidhjes. i refuzuar zyrtarisht nga botuesit, por i mirëpritur nga miqtë poetë, edhe këta ndonjë herë zyrtarë. Sikur kisha tërhequr vëmëndjen si “talent”, kështu përdorej rëndom ky term, që s’e di pse nuk më pëlqente, me botimet e fundit kohët e fundit nëpër gazeta letrare dhe në Komitetin Qëndror të Partisë, kështu më kishin thënë duke më përgëzuar (pse paska zyra letërsie që vëzhgojnë edhe poezitë atje lart?!), por unë sikur e prapsoja këtë fakt dhe i trëmbesha këtij gëzimi pa e kuptuar as vetë pse
f.35
Bataretë ushtonin luginave dhe ne të lodhur pastaj, gjithë baltë, shtrirë mbi kashtë nëpër çadrat ushtarake, ndanë bunkerëve pafund, bisedonim me shokët e ngushtë me zë të ulët: një fishek bën 80 lekë, sa për dy bukë, kur fshatari merr në ditë më pak, as sa për një bukë ndonjëherë. 25000 lekë bën një gjyle topi, as ministr s’merr kaq në muaj. Dy gjyle sa një televizor. E që të japin autorizim për të blerë një televizor, duhet të jesh familje dëshmori ose komunist. More duhet të jesh dëshmor vetë Po bunkerët? Gjithë ai beton. Për asgjë s’vlejnë. Një kupolë e tyre kushton sa një shtëpi. Mijëra familje, çifte të rinj, vëllezër të martuar jetojnë bashkë e ngushtë në një apartament, pa shtëpi, ndërsa katër shqiptarë kanë një bunker. Dhe thonë se as nga ana strategjike s’vlejnë.
f.41
U bëra pesimist kur shefi i asaj redaksie e mori mënjanë (Bashkim Shehun) dhe diç i shpjegoi..Rëndësi ka, tha Bashkimi që libri është i mirë. A do ma dhurosh dorëshkrimin mua? Dhe më kërkoi një autograf. Ishte i pari dhe i vetmi autograf i imi. Kurse botuesi më tha: konsideroje si një prelud të bukur, por që nuk botohet dot. Ka ekuivoke. Nuk është libër për fëmijë, është i vështirë, e pamundur. Boto më parë poezitë. Kush ishte ai, pyeta Bashkim Shehun. Është shkrimtari Fatos Kongoli, nuk njiheshit, është njeri i mirë…Përgjigjet nga redaktori tjetër ai i poezive, Ramazan Vozga, më vinin gjithmonë e më negative. Dhe pritjet e tij s’ishin miqësore. Mos m’i sill kështu me gabime të rënda ideore, më thosh.
Kush e ka bërë këtë akt-ekspertizë?- pyeta (hetuesin)…
-Ramazan Vozga, redaktori yt.
Ai dihej…Ja do puna. Po s’mund të vendosë ky. Një dikush apo një hiç mendon kështu e për këtë unë duhem arrestuar? Jeni në vete?
Qetësohur. Kujtohu ku je. Dimë edhe ndryshe ne. Ai s’është një hiç, por Partia i ka besuar një detyrë në frontin e kulturës.
f.57-58
– Pse je njohur me fashistin Qamil Hoxha?
– Nuk njoh ndonjë fashist
– Qamil Hoxha në Bicaj është fashist, siç je ti ballist dhe e gjetët njeri tjetrin si dikur në luftë.
-Po është mësues i vjetër, kish mbaruar Normalen e Elbasanit ku qe njohur me tim atë. Në shtëpinë e tij ka kaq shumë libra sa s’kanë të gjitha shkollat e rrethit së bashku.
I ke marrë një fjalor të italishtes?
Ndoshta
Pse duhej ta mësoje gjuhën e fashistëve?..
Gjuha s’ka politikë, as karakter klasor, thotë Stalini, kemi mësuar në shkollë…
f.65
Vëllai i saj (i Silvanës), një komunist i sëmurë, i trullosur pas romanit “Nëna” të Gorkit u kthye nga Australia në Shqipëri, në dheun e prindërve, ku po ndërtohej komunizmi. Përfundoi hetuesirave dhe çmendinave, herë në njërën e herë në tjetrën e më pas në vetvrasje. Dy motrat u katandisën keq, sidomos bjondja që ishte edhe më e bukur. i dhanë punë në ndërtim, punëtore krahu, ku e përdhunonin çdo ditë. Ndërsa ikte rrugëve të Kukësit, me një libër nën sqetull (kurrë “Nëna “ e Gorkit) e ndiqnin kalamajtë, i lypnin dashuri e i kujtonin me të bërtitura dashuritë e saj të panumurta…Dhe ndodhi e papritura. U arratis një ditë me një oficer kufiri.. Prandaj do ta kenë arrestuar të motrën, Silvanën, brunen e lezetshme me flokët e prera shkurt..
f.70
Ai (Kadareja) na mësoi të lexojmë, kisha thënë në një debat me studentë të Tiranës. Ç’bën ai tani në studion e mesnatës, ndërsa larg, shumë larg, pas malesh e malesh, në një qytet të vogël verior, që s’pashkësh qenë dhe aq shaka kur e quanim me njeri tjetrin “Kuksburg”, nënëdhe, një i arrestuar rreket, me shpirt ndër dhëmbë, se si ta mbrojë, sado pak. Kurrë s’i kisha përfytyruar lidhjet e mia me të kështu. Ëndërroja takime. Ah, mjaft! Po luaj mendsh. Kupto ku je? Më mirë e kundërta. Do ta shihni Kadarenë ku do të përfundojë, thërriste ndonjë pedagog- shkrimtar koridoreve…të birucave.
f.75
Më çuan diku ku s’më kishin shpënë më parë. Nën mure të panjohura. Hetuesi bëri një shenjë dhe u hap dera si me magji. Përballë u shfaq miku im, edhe ai shkruante, mësues si unë, Ylli Xhaferri, i tronditur. Dukej jo si i sjellë, por si i rënë befas këtu nga ndonjë zgavër lart drejt e në guvën me tigra. Nuk po i mësoheshin sytë, i fërkoi me duar, më duket. Ndoshta unë. i përhitesha i tejdukshëm. A ai mua. Doja të vrapoja drejt tij. Ta përqafoja.
..-E njeh ti i pandehur?
Po. A mund ta pyes diçka?
-Si je?
– Nuk të shoh dot kështu, ah!
– E njeh ti të pandehurin?
– Çfarë ka bërë, pse e mbani?- u shkreh me zë të ngjirur Ylli..
…- I pandehur çfarë i dërgoje ti këtij tjetrit në fshatin përtej?
..libra, shkëmbenim letra. Me një të njohur..
Poezinë angleze ku e gjete?
Do të botohet së shpejti, është antologjia që po e përgatit shteti- e shpëtoi gjendjen Ylli. Sepse fjala “shtet” gjithmonë sugjestionon.
I pandehur, ku e ke?
Unë s’kam asgjë, i keni ju të gjitha.
Dua të dal, s’rri dot- lëngoi Ylli. Por me forcë.
f.77
Është prokurori i Rrethit – më thanë- shoku Avdi Gashi. Dhe ai si bishë, palli. S’e kuptova ç’pati.
-Shpjegohu! Se t’i zbath pantallonat! Ty të kishin kërkuar edhe për shkrimtar në Tiranë- bërtiti sërish me atë zërin e trashë sa edhe fyti i tij, bulçitë, duhet të ndjeheshin keq.- Por ne s’të lamë dhe bëmë shumë mirë. Ku të të çonim ty, armikun? Do shpjegojë apo t’ja japim dhe një nen tjetër- u kthye nga hetuesi- ta kalojmë në..
…
-Ç’të duhet ai rakatakja me të cilin merreshe- më pyeti prokurori me përbuzje.- A?
As hetuesi nuk e kuptonte ku e kish fjalën.
-Përse e keni fjalën, shoku prokuror?
-Ku e di unë, ky e di, ç’është ai rakatakja, ai japonezi.. (mos duan të më bëjnë edhe agjent japonez?)
-Po, po, keni të drejtë- qeshi hetuesi.- Si quhet ai poeti japonez që përktheje ti, se nuk të rrihej?- m’u kthye mua nervoz.
– Isikava Takuboku.
f.85-86
Problem është edhe poezia “Tregimet e dimrit” (1979), ku spikat tendenca drejt një poezie me prirje borgjeze-revizioniste, që shprehet me shkrirjen e çdo kufiri të prozës me poezinë.
Poezia bart idenë e dashurisë “pannjerëzore” në të dy strofat e para. Një udhëtar në një natë dimri troket në një shtëpi malësore. Derën ja hap një grua e re, e cila, thotë autori, “s’e ngriti fenerin të shihte kush isha. Mjafton që fytyra ime ishte e njeriut”. Pra, malësori ynë, sipas këtij pseudopoeti, i hap derën kujtdo, mikut dhe armikut, mjafton që ai t’i vejë në shtëpi. Kurse realiteti ka treguar se malësori ynë s’e ka pranuar armikun në shtëpi.
Mendja e sëmurë e bën këtë element armik që të sajojë edhe fenerë në Malësi, kur dihet që drita elektrike ka shkuar kudo në vendin tonë, edhe në skajet më të largëta të atdheut
f.88
pra, para se të më arrestonin..ah! isha denoncuar zyrtarisht nga shkrimtarë dhe policët më hodhën hekurat menjëherë..M’u fanitën dy ndërtesa të mëdha, kështjellore, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Ministria e Brëndëshme dhe m’u shkrinë në një..M’u bënë si ngrehina burgu. Jeta ime qe komplotuar atje..
f.100
Kush është shkrimtari i parë I dënuar në botë? E gjeta. Në vitin 411 para Krishtit nxirret në gjyq në sheshin kryesor të Athinës filozofi Protagora dhe dënohet me internim. Ndërsa librat iu dogjën publikisht. Pra, i bie të ketë 2391 vjet që vazhdon gjyqi im dhe i atij.
f. 128
Vizitën time të fundit e bëra nga ana tjetër, përtej derës, në katin e epërm, te kosovari Hajdini, eshtërmadh dhe fytyrëgjatë si dardan, me flokë më të rritur se tonat, edhe mund t’i krihte. Sytë nuk shikonin më asgjë reale, por ato që donte ai. Më shumë së brëndëshmi. Me një përungjjje si filozofi orienti.
-Të kisha pritur- tha me zërin e tij të ngrohtë, por të ngjirur- mora vesh se shkruaje.
– Dhe unë erdha.
– T’u rritët ndera!
Kishte vite në burg. Qe arratisur si kundërshtar nga Jugosllavia në Shqipërinë –amë, ku e kishin arrestuar dhe dënuar menjëherë dhe vazhdimisht ridënohej. Pranda, thosh ai, Enver Hoxha është agjent jugosllav i Titos. Pata frikë ta dëgjoj kaq hapur. E kthyem bisedën te poezia. Më dha fletoret e shumta të mbushura me poemat e tij të gjata patriotike. Shkrimi i bukur, i kujdesshëm, tituj gotikë, me ngjyrë të kuqe, që vetëm në burg mund t’i zbukurosh kështu.
Shkruaj edhe serbisht- tha me zë shpelle- që t’i lexojë armiku. Sepse çfarë shkruaj unë këtu Sigurimi ja çon UDB-së atje.
Më qerasi me sherbet. Më tha se kishte qenë shok klase me Bekim Fehmiun, aktorin botëror. Për shkak se doli në krye të demonstratave atje, që t’u shpëtonte arrestimeve, erdhi këtej, në pjesën e mbetur të atdheut, ku po e kalbnin burgjeve. Kishte mall të rrëfente, të rrëfente gjithçka pa rënë fjala në asgjë.
f.144
Ridënimet. Shpikje diabolike për të zëvëndësuar dënimin me burgim të përjetshëm. Ka të arrestuar qysh në kohën e Luftës së Dytë Botërore a në ditën e parë të çlirimit të Shqipërisë, pa qenë asnjë ditë të lirë.
f.180
Në hetuesi nuk më torturojnë dhe aq, por me pranga në duar, mes mureve, bëj i vetëm poezi me mend, të pabëra kurrë. Në burg arrij t’i shkruaj dhe t’u gjej mecenatin. Kur të njihemi, do jua them këto arsyetime ndonjë ditë shkrimtarit Halil Laze, ja tek është, atje tej, si gjithnjë bën humor të zi, i rrethuar me njerëz, apo Maks Velos, arkitektit piktor, trupmadh, me atë ballë të gjerë dhe të pjerrët, ashtu i çuditshëm, shpesh shetit vetëm në oborrin e burgut, profesor Ismail Farkës, që di gjithçka thonë, Robert Vullkanit, edhe pse nuk duket aq i afrueshëm. Po ai i gjati, si rus i bardhë, me mustaqet spic, i kudogjendëshëm, Zyhdi Morava, ka botuar një libër me tregime dikur?
f.189
..Zyhdi Morava, ai azgani mustaqebardhë si i përhitur me polen plepash. Autor tregimesh, por të ndaluara tani patjetër. Kishte punuar edhe stallier kuajsh në periferi të Tiranës dhe kur shkuan ta arrestojnë për agjitacion dhe propagandë kundër partisë dhe shtetit, prisni, u thirri policëve, sa të vë kravatën. E tregonte veten, jo pa krenari. Dhe ishte krenar, më tepër për të poshtëruar vogëlanët. Vazhdonte të shkruantë sikur të mos ishte në burg…
-Përgëzime – më tha. Gjë që më mallëngjeu….-Do ta bëj unë parathënien e librit tënd. Kur të botohet…Mbeta me gojë hapur.
f.204
Ishim në udhëtim- po më tregonte Maksi (Rakipi) – dhe po dëgjonim fjalën e Enver Hoxhës në anie, Kongresi V më duket, e ai tërë entuziazëm lajmëronte popullin shqiptar, se nën udhëheqjen e tij dhe të Partisë, për herë të pare, buka sigurohej në vend. Ndërsa ne po sillnim grurë nga Franca, gënjente hapur. Jo një njeri, por një popull të tërë. Më erdhi turp nga deti. Prania e tij e madhe, dallgët, të bëjnë gjithmonë të sinqertë.
Kur s’kishte Parti dhe çlirim- tashë- populli ynë ka patur bukë. Tani që janë, veç flasin për copën e bukës.
Dhe ironia është- u hodh Maksi- ne punojmë, njerëzit i bëjnë të gjitha, Enveri thotë: jau dhuroi Partia, hidrocentralet, fabrikat, hekurudhat, universitetet, dashurinë. Edhe dashurinë na e ka dhuruar Partia.
Ndërsa për burgjet politike, internimet, vrasjet s’flasin. Kush na i dha ato? Humbjet, ndarjet në klasa, vetëizolimin dhe shpikin blokada, armiq.
Ç’është më e keqja, të detyrojnë me forcë t’u besosh. Ja trodhën trutë popullit- qeshi hidhur Maksi…
f.206
Nga biseda me Maks Rakipin..
– Desha të thosha për adoptimet monstruoze të bëra nga Realizmi Socialist. Pasi pranon ta zëvëndësojë Zotin me udhëheqësin e Partisë, kishat dhe xhamitë me komitetet, vjedh subjektet, situatat, mjafton që ideali të dalë i njëjtë, ndërtimi i komun izmit. Romani “Para agimit” bashkë me “Tri ngjyra të kohës” janë variacionet në shqip të “Gardës së re” të Fadejevit. “Këneta” e shkollave tona s’është gjë tjetër veçse kopje e pastër apo e papapastër e një romani sovjetik. E ata seç thajnë një kënetë e ngrenë një hidrocentral duke triumfuar mbi sabotatorët dhe armiqtë e brëndëshëm. Realisht në kënetën e Maliqit s’ka pasur asnjë sabotim. Përkundrazi Partia sabotoi popullin. Vrau dhe preu ingjinierë të pafajshëm, sepse kishin studiuar në Perëndim. Dhe dihet, ajo kënetë u tha me të burgosur.
Atje ka qenë lemeri e vërtetë. Kush nuk kish fuqi dhe binte, nuk lejohej ta ngrinin. E linin të dergjej mbi baltë, ndërsa zhytej e zhytej. Të gjithë e shihnin si e përpinte llumi dalëngadalë trupin e tjetrit. Ndodhte t’I hipte edhe polici mbi kurriz e të thërriste: “dale, t’ju numurojmë, sa vetë po punoni? Mos na mungon ndonjë i dënuar? Dhe hidhte vështrimin përrreth, të turbullt si këneta.
Ai që po mungonte, fundosej edhe më në baltë nën peshën kriminale të policit të komunizmit. Po të guxonte dikush e të thosh: “ja tek është, te…” rrihej për vdekje e pllandosej në baltë. Dhe të mendosh se aty kanë qenë të burgosur shkrimtarë si virtuozi Mitrush Kuteli, ç’tregime të shkëlqyera ka, ai rrëfen shqip, atje ishte i burgosur dhe profesori enigmatik Arshi Pipa.
Është plot me skelete ajo kënetë dhe jo me heroizma të klasës punëtore siç don të na mashtrojë ai roman.
– Kadare guxoi të fusë skelete në letërsi. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” s’ka fare lavdi partizane, por zhgënjime, baltë. Prandaj dhe e kanë kritikuar.
f.208
..që nga “Çlirimtarët”, “Komisari Memo”, “Juga e Bardhë”, “Ata nuk ishin vetëm’ etj. etj. janë sikur lexon letërsi sovjetike. “Çapajevin”, “Shpartallimin”, “Tokat e çara”, luftë civile me të Bardhët atje, me Ballin këtu, kurse gjermanët dhe kulaku janë të pandryshueshëm, në Moskë, Tiranë, Ukrainë, Myzeqe, flasin rusisht, shqip, Partia, Lenini,Enveri, i cili gjatë luftës nuk njihej fare. Poetët tanë thyejnë vargun si Majakovski, sikurse thyejnë eshtrat tona. U bien daulleve të shpuara si Demjan Bjedni….S’ka burgje në letërsinë sovjetike, as në tonën, jo.
F.222
Një malësor nga Luma i dënuar
-Sa vjet je i dënuar- pyeti oficeri.
– 7
– Sa ke bërë?
– 12
-Dhe sa ke?
25. sa t’jesi Partia..
f.234
Holta (motra) më kish sjellë librin “Në labirintet e modernizmit”. Autori – estet i këtij libri, Alfred Uçi, me dashje a pa dashje, i bënte një nder lexuesit- rob shqiptar. Ndërsa i kritikonte rrymat në letërsi dhe art të Perëndimit, na i bënte ato, ndërkaq, të njohura. Termat, shembujt, emrat, subjektet e Kafkës, Kamysë, ilustrimet, piktura moderne, Dali, Pol Kle, të Rilindjes evropiane, Botiçeli, Da Vinçi, etj. etj. përbënin një informacion, kur mungonte barbarisht.
f.243
Takimi me një gjuhë tjetër nuk lejohej. Vetëm në gjuhën që dinte polici. Kur vinin nënat plaka nga ato fshatrat e vegjël të Jugut tonë, ku fiset greke kishin bujtur ja dy shekuj më parë dhe e ruanin identitetin ende, ato plaka mitike paralajmëroheshin të mos thoshin asgjë në gjuhën e tyre, sepse takimi ndërpritej menjëherë dhe ato, të gjorat, zinin gojën me cepin e zi të sharpit, mos u shpëtonte ndonjë fjalë greke, por jo lotët. Gjuhën e këtij shteti nuk e dinin. Ah, lotët, rridhnin rrëke që nga antikiteti.
f.254
-Gjithashtu- vazhdoi Dineja- Lazër Radi ka dhe polemika me një shkrimtar serb Duçiq për çështjen shqiptare. Shto që është edhe kosovar, në burg ka qenë, shih sa mëkate ka për këtë sistem. Dhe djali i tij, Jozefi, shkruan poezi të bukura, ndryshe nga të të jatit, dhe si natyrë, por as atij nuk i botojnë gjë. Nuk e lënë as të mbarojë gjimnazin.
…-Lazri ka mendimin që komunistët më kot shtiren se gjoja Migjeni është prekursor i Realizmit Socialist. Dhe po të ishte gjallë, në burg do të përfundonte. Është pak bodlerian dhe si Karaxhale më shumë. Por i tëri është vetvete.
-Priftërinjtë nuk e duan Migjenin si blasfemist.
-Kanë të drejtë…për veten e tyre.
f.261
Kurse romani tjetër “Prilli i thyer”, ndërsa i përpija fletët, po më linte pa frymë. Si ato tragjeditë antike, gjithë nder dhe dinjitet. Sa e bukur paskësh qenë Shqipëria! Subjekti rendëte si ai llandoni i kadifejtë nëpër malet e Veriut me Dianën dhe Besianin, këtu, fare afër burgut tonë, në Orosh, te princi i dikurshëm. Sa poshtë ka rënë jeta tani, kur ahere edhe vdekja ishte e lartë!
Nga besa dhe meditimi, gëlojmë mes llapaqenërisë dhe luftës së klasave e pabesisë së përditshme! Ç’guxim i Kadaresë që i ngre hymne Kanunit, Kodit të moralit, të sharë dhe denigruar nga Partia dhe Enver Hoxha dhe gjithë skota e shkrimtarëve të Realizmit Socialist, më tha Avzi Nelaj. E mori librin një paradite, sa për të lexuar romanin e Veriut dhe ma dha prapë!
Po Gjorgu, i ëndërrt, i hutuar nga dashuria, me atë shirit zie në krah, i shenjuar për t’u vrarë e gjaksi i ka dhënë një muaj leje jetë dhe ai rend, rend pas një zane moderne. Po ky është fati i të gjithëve! Kulla e princit në Orosh, ç’mister dhe ç’muzg në përshkrimin e saj (vajza e Princit ishte ajo që, për t’i dhënë kurajo tim eti, i hodhi një cigare të ndezur në qelitë e burgut, apo mbesa?), prapë institucioni i harruar i besës, qehajai i gjakut, ujvarat dhe aeroplani i një linje në qiell dëshpërimesh!
E si thonë në Orosh malësorët për burgun tonë: “Atje në Spaç është oda e burrave të Shqipërisë!”
f.278
Nuri Sallaku
Këta barbarë, ndërsa flisnin për miqësira popujsh, neve, që ishim martuar me gra të huaja, na konsideronin agjentë, na prishën familjet, na futën burgjeve.
f.281
-Po Enveri ka pirë gjak fëmijësh. Është e vërtetë. E tregon biri i një ministri në burg- tha njeriu afër arkitektit.- i kanë bërë infusion me gjak bebesh të porsalindura. Se e rinovonte, po përdor shprehjen e tij për Partinë, ky lloj gjaku, i bënte mirë. Dhe mbytën ja 20 bebe në maternitetin e Tiranës. Sigurimi, në bashkëpunim me doktorët e vetë agjentë, me nëndrejtorat. Ata janë më të rrezikshmit. Nuk e besoni? Ç’më shikoni kështu? Lexoni veprën e Enver hoxhës dhe do të gjeni një telegram ngushëllimi që ai i dërgon spitalit, sepse ka marrë vesh se 20 foshnja kanë vdekur gjatë lindjes, dhe po të shihet data e telegramit, pra dhe e kësaj masakre, është e përfaërt me datat kur diktatorit të sëmurë i jepej gjak i ri. Asnjë masë nuk morën mbi personelin e spitalit, përkundrazi…
f.285
Arshi Pipa është i arratisur. Ka qenë në burg, në kënetën e Maliqit. Mbeti gjallë. Tani është profesor në universitet në Amerikë. Të burgosurit thonë se ka shkruar një skenar filmi “Qershiza”. Jo roman? Po filmin e shohin të gjithë. Bën më përshtypje. Dhe është realizuar nga Hollivudi. Duket si e pabesueshme. Rrëfehen tmerret e burgjeve tona, sidomos atij të Burrelit. Se si i vrisnin të burgosurit në ditën e fundit, në atë të lirimit të tyre dhe i varrosnin te ajo qershiza. Spektatorëve në Perëndim, vazhdonin të tregonin të burgosurit, u binte të fiktët në kinema, biles njëri kishte nxjerrë revolverin dhe kishte qëlluar mbi ekran për të prapsur një oficer shqiptar që po coptonte të burgosurin e vet.
f.295
Atje është dhe shkrimtari Kapllan Resuli, ulqinaku i arratisur, që e emëruan mësues në shkollën ku unë bëra 8-vjeçaren, në Lushnjë. Dhe e arrestuan..Po ç’bën mësuesi im në burg? Thonë se rri me pantallona të shkurtëra, grindet gjithë ditën e shkruan gjithë ditën e bërtet që s’jam shqiptar. Jam penduar.
f.296
Edhe Fadil Paçrami vazhdon të shkruajë drama në burg dhe çdo vit, më 16 tetor, në ditëlindjen e Enver Hoxhës, i nis atij një dramë, thonë. Pse, pse? Jo, jo, s’besoj për ta uruar, por për t’i thënë se dhe në Burrel shkruaj, shkruaj..
f.298
Atje ka qenë dhe Petro Marko, nisi të rrëfejë shkrimtari ynë. Në burgun e Burrelit ai e shkroi romanin “Hasta La Vista”. Të paktën atje e nisi. Kur vajti vullnetar në Luftën e Spanjës, me intelektualë të tjerë të shquar si Skënder Luarasi, ishte dhe kryeministri Mehmet Shehu, nëpër llogoret e asaj lufte, Petroja u njoh me Heminguejin, i cili xhironte betejat. Ishte i ngarkuar rëndë me kamera dhe armë. Hemingueji i fali Petro Markos stilografin e vet, e pati me vete dhe kur e arrestuan këta. …Drejtori i burgut të Burrelit kishte pasion të mblidhte stilografët. Sidomos të atyre që do të pushkatoheshin dhe i rendiste në xhepin e brëndëshëm të xhaketës së vet. Shkon për inspektim në burg vetë Mehmet Shehu dhe kur mbërrin në qelinë e bashkëluftëtarit të tij të Spanjës, të Petro Markos, e pyet: Hë, si je? Ç’të jem, i thotë Petroja zymtë, kur stilografin tim ma ka drejtori i burgut tuaj. Të paktën t’I kthehej Heminguejit, tha me ironi dhe rrëmbimthi i kap xhaketën drejtorit, ja hap.
Në xhepin e brëndëshëm shkëlqyen kapset vezulluese të stilografëve, rradhë si këmbët e verdha të shpendëve që i mbajnë gjahtarët për të dëshmuar ç’kanë vrarë. Kryeministri iku vrik duke përplasur derën e qelisë. Petro Marko lirohet nga burgu, të nesërmen, por herë i ndalonin një libër me poezi e herë një roman, pastaj një dramë. Dhe gjithë tirazhin e nisnin në fabrikën e letrës për ta bërë prapë letër. Pastaj e urdhëronin të qethej, se si shumë i ishin rritur flokët e bukur, dredha-dredha.
f.317
Burgu po më rëndohej edhe më….Prangat, gjyqi, dënimi, uria,ah diktatura e urisë, uria për dashuri, puna , torturat, rrahjet, plagosjet, vdekjet, vdekjet prapë, të dukshmet, të padukshmet, netët e ankthëshme Brenda telave me gjemba, ditët e çmëndura, mizoritë pafund, dhe pse të frikëshme, i bënte të durueshme kërshëria, qoftë edhe ajo kërshëri e zezë se deri ku e ka forcën diabolike të shkojë e keqja. Duhen provuar gjërat njëherë, ndoshta..
Por burgu i vërtetë, më i rëndë se ç’është, i padurueshëm fillon kur gjithçka përsëritet. Asgjë e re nga fronti i skëterës. E tmerrshme. Po ajo bukë e zezë e ata policë të zinj. Ajo lopatë dhe guvë dhe po ai vit i ri, aspak i ri.Uria po ajo. Vdekja s’është më vdekje, por përsëritje e vetvetes. Puna nuk më punë. Familja s’është familje. Njeriu nuk është më njeri. Asgjë s’është më ndryshe. Ditët janë ulurishëm njëlloj. Si prangat, si ulërima…
f.321
Ingjinier Farka (Ismail), aq sa ç’ishte i durueshëm, po aq e kishte dhe aftësinë e indinjatës, përbuzës ndaj çdo rregulli pis të burgut. Aspak i zymtë, deri dhe me humor, veç i vinte për të ulërirë për çdo gjë absurd, torturuese. Nuk duronte dot kur shihte të pështynin ku të mundnin e këto ishin aq të shpeshta si minutat e orës e ai kthente kokën mënjanë i acaruar. S’lexonte dot kot, libri duhej të ishte patjetër kryevepër. Shkencëtar dhe njëherësh fëmijë kurioz, ingjinieri bënte stoikun dhe kapriçiozin, ndërkohë kishte durimin të më shpjegonte mua Ajnshtajnin, teorinë e relativitetit me një thjeshtësi mahnitëse, apo kohën zero, kohën minus apo pafundësinë e botës, të universit si një fund eliptik, i përsëritshëm dhe po me atë pasion recitonte Migjenin, Naimin, atavizëm e kohës shkollore, thosh. i lauruar në Pjetërburg, jo, jo në Leningrad, zbuluesi i një formule të një rëndësie të veçantë, jepte leksione në universitetin shqiptar, kur prishen marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, i thotë gruas së tij ruse: ik dhe ti. Merre vajzën. Shpëtoni ju! Jam i bindur se nuk do të zgjasë shumë e do të shihemi së shpejti. E degdisin ingjinier në Elbasan, në kombinatin metalurgjik. Kam kërcyer tuist në dasmën e ismail Kadaresë, qesh, në kohën kur nuk lejohej. Përshëndetesha miqësisht me Dritëroin. Më ka marrë një libër rusisht, të rrallë dhe nuk mbaj mënd të ma ketë kthyer. Aq më mirë….
Në burg ai nuk e rrëfente urinë e vet. Qejf kishte të rrëfente veprat e Dostojevskit, të lexuara të gjitha në original dhe sidomois Franc Kafkën. Ç’mik i madh Maks Brod e më recitoi parabolën “Ura”. Gjithashtu i pëlqente letërsia japoneze, romanet e “imët” të saj, “të mërzitshëm’ e misteriozë. Anekdotat që tregonte ishin të gjitha kundër shtetit. Jo atij shqiptar që i dukej shtet xhuxh e karikaturë, kriminal natyrisht, por kundër shtetit të Bashkimit Sovjetik, vend i madh prej të cilit i vërshonin kujtime të bukura dhe të dhimbshme…
Kam parë vdekjen e Stalinit Atje isha. Vraponin njerëz, vraponin. Ndoshta për në Sheshine Kuq. Kush binte, shkelej nga të tjerët, mijëra këmbë sipër. Vdiqën dhjetëra atë ditë të shtypur prej turmës..së Stalinit, shtova unë.
f.325
Në “…Pallatin e ëndërrave”, Kadareja, me një qetësi të frikshme, i ftohtë si kufomat, qe futen në koridore ankthesh, kishte ngjitur shkallët e krimit shtetëror, kishte hapur dyer të pahapura kurrë, dhe kishte mbërritur fantazmë atje ku askush nuk lejohet të shkojë, në vendin ku diktatura ngjizet, në ato fillime ku gjithçka ëshët lakmi dhe dora dorës bëhet zotërim e demonizohet në pushtet.
Pjesët e esaj prej terri bashkohen, montohet ëndërra me zhgjëndrën, shfaqet konstrukti, çuditërisht i metaltë, pastaj luspa përbindëshi përsipër dhe të nesërmen shfaqet një diktaturë që ecën ngadalë, e rëndë, e sigurtë, e gjithfrikshme. Ç’e thirri Kadarenë në këtë rrerik? Ç’forcë tufanesh e hodhi, jo lart, qiejve, por thellësive të tejshme të vdekjes, në diktaturën, ku arsyeja shndërrohet në mosarsye, e ndërtuar e tëra nga gjallët?
Një roman ku përzihet llahtari, shpresat, fatet, fatkeqësitë, regëtima e zemrës së diellit në dimër, politika, përplasjet e kohëve si thikat, egërsitë, ftohtësia. Një ftohtësi e mermertë, monumentale. Dobësohet njeriu dhe forcohet shteti, korracohet si breshkë gjigande, monstër e padukshme, ankthshpërndarës, që, ndërsa ecën verbërisht ngadalë, shtyp gjithçka. Gjithçka. Dhe atje ku besohej, te e pamundura. Te ëndërrat. Tjetërsohen ato, bëhen pronë e shtetit. Dhe njeriu humb si ëndërr e paparë. Vrundullon vrullshëm ndonjëherë, gjithmonë, kur të dojë. Diktatura, e mbijetëshme.
f.331
Shtypi shqiptar ishte mbushur këto kohë me lajme dhe reportazhe nga demonstratat e studentëve në Prishtinë. Me revoltën shqiptare. Kosova Republikë. Me shtypjen e saj. Dhe çuditërisht asnjë vëzhgim apo fjalë e Shqipërisë zyrtare, veç citime pafund të shtypit të huaj gjerman, italian, francez, zvicerian, amerikan. Ne mungonim turpshëm. Prapë braktisej gjysma jonë.
f.362
Hoxhe Sabriun (Koçi) e ndihmonte Perëndia. Ai dilte nga burgu shpesh. Duke qenë hidrauliku i burgut, e çonin të rregullonte çezmat, tubacionin e ujësjellësit, nëpër fshatra e deri në qendër, në qytetin e vogël verior….Është i pagojë dhe i sigurtë. As me vete s’flet, jo më me të tjerët..
f.375
Nuk e shoh kështu, ulok, që hiqet zvarrë, tim bir, klithi nëna e Vinçens Prendushit, vriteni më mirë, të shpëtojë…dhe i ra të fikët. 10 vëllime është njëri nga librat e tij, “Fjala e Zotit”.
Ndre Zadenë e pushkatuan ditën e dielë, priftin e lauruar në Austri, i cili melodramave të veta u bënte dhe muzikën.
Dhe Lazër Shantoja, Aleksandër Sirdani, Bernardin Palaj u pushkatuan, por plumbat do të kenë rënë si breshër edhe mbi kupolat e universiteteve në Perëndim ku kishin studiuar, mbi bibliotekat nëpër Evropë ku janë librat e tyre.
Dhe poetin Trifon Xhagjika e pushkatuan, i cili në gjyq recitoi poezitë e veta, pa u trëmbur: Atdheu është lakuriq. Të lumtë!, thirri një zë nga salla. E burgoisën edhe atë. Ishte i vëllai, mjek.
Që të mos arrestohej, u arratis Martin Camaj.
Kapllan Resuli që nga burgu e akuzoi diktatorin për lidhjet me Titon.
Si Kasëm Trebeshina që i shkruante se do ta dënonte historia.
Kurse poeti Frederik Reshpja qendiste në burg. E vetmja poezi që guxonte të bënte mbi një cohë thesi, me gjilpërë. Petale metaforash bodleriane, të luleve të së keqes në diktaturë.
f.392
Të gjithë më kishin folur për pushkatimet e gazetarëve Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho. Xhelal Koprencka s’kishte studiuar si ata në Bashkimin Sovjetik, ishte i djathtë dhe donte, në kundërshtim me ta, që Shqipëria jo të lidhjej me Bashkimin Sovjetik, por me Perëndimin, SHBA, Megjithatë ata rrinin bashkë si miq. Dhe ashtu i pushkatuan.
f.393
Vëllanë (e Bedri Bloshmit), Vilsonin, e pushkatuan bashkë me kushëririn Genc Lekën. Dhe ai shkruante vjersha. Po pse i pushkatuan? Si sabotatorë në kooperativën bujqësore dhe për poezitë. Akt-ekspertiza vërtetonte se poezitë e tyre ishin të denja…për t’u pushkatuar autorët.
f.394
Mjeshtërit të korit Milto Vako i qe hapur dosja dhe ndiqej.
Pas duartrokitjeve të gjata për këngën partizane, nis Bah-u, i pakuptueshëm për të pranishmit. Çuditërisht, Enver Hoxha dëgjon serioz. Kështu bëjnë edhe të tjerët. Enver Hoxha pastaj trishtohet, gati ëndërrit, preket e sytë i lagështiten.
Kryeroja shqetësohet: ç’ka Shefi i madh, ç’nuk i pëlqen, ta ndalim koncertin, kë të arrestojë? Atë që udhëheq korin? Pika atij, dhe ai udhëheqës! Sazexhi, vogëlan, pa le, na këndojnë edhe gjermançe. Po guxoi ta mallëngjejë dhe njëherë Udhëheqësin e madh, as vetë nuk e di se çdo të bëj. Krijohet një gjendje pritjeje dhe mëdyshësie, sikur të mos qenë mbledhur në sallë koncerti, por gjyqi. Ka nga ata që i bëjnë shenja të pakuptimta nga kuintat drejtuesit të korit. Çfarë, ta ndërpresë, e pamundur. Bah-u mbaroi. Enver Hoxha duartroket i pari.
Mbas tij shpërthen dhe salla në duartrokitje, më shumë se sa për koncertin, për një farë çlirimi nga ngërçi kolektiv
Na shpëtove atëhere- i thanë në hetuesi mjeshtrit të korit Milto Vako- sepse duartrokiti shoku Enver, megjithëse ti na e trondite. Po është populli që atij i jep optimizmin.
f.405
I dënuar me 9 vjet burg në mungesë në Jugosllavi për veprimtari nacionaliste në Kosovë, gazetari i hershëm i “Rilindjes”, Esat Myftari, arratiset në Shqipëri (në atë pjesë që quhet Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë), mësues në Shëngjin dhe Tale, ka pasionin të grumbullojë libra. Ble nga bukinistët e vjetër ilegalë tërë ata klasikë rusë e francezë (I gjeta në Përmet, i ruanin në tavanin e një librarie).
Pothuaj si të gjithë kosovarët e ardhur këtej, edhe Esati arrestohet dhe dënohet me 10 vjet burg për agjitacion e propagandë. Shkaku: u rebelua në një mbledhje fshati kundër mësimeve të Partisë. Dënohen edhe librat e tij. Me thasë shkarkohen në oborrin e shkollës ku ai kishte dhënë mësim biologjinë. Dhe ju vu zjarri. U dogjën Distojevski, Gëte, Turgenievi, Çernishevskij, Man, Hes, libra të vjetër të shqipes, ditari i tij, dorëshkrime, të cilat i kishte bartur që nga vendlindja, Peja, kur u arratis. Dhe atë burg që nuk e bëri në Jugosllavi, ju shmang dikur serbëve, po e bënte këtu, te atdheu- ëndërr. Por i veçuar në burgun e Ballshit e të Zejmenit. Si emigrant me grekë, sllavë e ndonjë italian. Për komunistët kosovarët nuk ishin edhe bashkëatdhëtarë.
f.408
Ç’janë kodiket? Si Kanuni? Ku ka në botë si Kanuni i Lekë Dukagjinit. Ai është monument kombëtar, panteoni i padukshëm. Çdo shqiptar e ka brenda vetvetes. Vërtet aty kodifikohet gjakmarrja, por mekanizmi i saj është dinjitoz e mbi të gjitha i drejtë. Jo si lufta e klasave e komunistëve, mizore e tëra, që vërsulet mbi kombin si shkatërrimi.
Eh, e vranë serbët At Shtjefën Gjeçovin që e mblodhi dhe e botoi atë Kanun 500 vjeçar. Ai ishte arkeologu i parë shqiptar, i tokës dhe i shpirtit. S’ka asnjë statujë për të në atdheun e tij. Dhe grekërit në jug vranë mësuesin e parë të shkollës shqipe Petro Nini Luarasin. E helmuan dhe Dhaskal Todhrin që solli gërmat nga Gjermania, plumbin e të cilave e ngarkoi mbi mushka dhe erdhi këtyre maleve më këmbë. Grekërit na kanë rrëmbyer gurë kështjellash që shenjonin datat e lashta, italianët statujat antike…Kurse udhëheqësit tanë komunistë dhurojnë përveç të tjerash, relike me vlera kombëtare, armë argjendi, kostume popullore të qendisura me fije ari, 3-4 shekullore, piktura, ikona, statueta, etj.për ditëlindjet e Titos, më pas të Stalinit, pastaj të Hrushovit e akoma më pas, të Mao Ce Dunit.
f.410
Ky vend, në se kishte ndonjë vlerë, e kishte më shumë te ikonat, më të bukurat dhe më të çuditshmet në Ballkan. E kishin thënë studiues të huaj, shkencëtarë.
f.439
Në qytetin e Burrelit Fotaq Filipeu ribënte muzikën e madhe me mend dhe tronditej. Kur e liruan, pas shumë vitesh, nuk e çuan as në Tiranë as në vendlindje, në Përmet, por në vendin e internimeve, në Lushnje…Filipeu u caktua të formonte orkestrën e estradës….U bë shfaqja e parë e bujshme. Artistë të shkëlqyer. Midis tyre dhe ajo, këngëtarja e jashtëzakonshme, Vaçe Zela, që herë kritikohej për fustanin e shkurtër dhe herë për leshrat e gjata, pastaj pse këndonte më mirë këngët spanjolle nga këngët partizane shqiptare, pastaj pushohej nga puna për thyerje të disiplinës proletare e pastaj dekorohej. Unë nuk e harrova kurrë puthjen e Vaçes, më deshi si fëmijën e mikut të saj dhe iku përgjithmonë në kryeqytet, ku u bë Afërditë e këngës moderne shqiptare duke mos iu ndarë kurrë rrufetë e frikshme zeusiane.
f.451
Aranit Çela p.sh. ka firmosur 800 dënime me pushkatim. Ka mbushur 800 gojë me dheun e vdekjes. Jo më kot këta, një prifti patriot, më kanë thënë se pasi e torturuan, ja nxorën gjuhën, ja zgjatën mbi tryezën e hetuesisë dhe ngulën thikën mbi të. S’doje të flisje për ne? Tani kurrë s’ke për të folur!
Pse ky inat i shfrenuar, kriminal mbi gojën e njeriut?..Mirë neni “55” që ndalon të folurit ndryshe, se jemi në diktaturë, por masakrimi i organit të të folurit?! Pse?
…Ne nuk kemi shkruar strategjinë tonë kombëtare. Ndoshta jemi i vetmi popull në Evropë pa strategji kombëatre. Kurse Rilindasit tanë ishin të qartë dhe me vizion dhe bënin programe kombëtare. Nga vinim dhe ku donim të shkonim? Tani s’dijmë ç’duam e ç’bëjmë. Ndërtojmë Shqipërinë e re me shqiptarë robër, të burgosur. A ka Shqipëri të lirë, të begatshme pa shqiptarë të lirë, të begatshëm? Ku ka të ardhme kur vritet e tashmja?….
Pse e donim atdheun më shumë dikur? Apo nga që po e bënim vetë. Atdheu është njeriu. Sa pak çmohet sot!..
* Visar Zhiti: Rrugët e Ferrit
Onufri 2001- Biblioteka Kombetare S 55/51E