Ne Foto: Pranë varrit të Gumës, Kristoforos Tsankas deklaroi se Agimi i Arte nuk do të ikë nga Himare deri në çlirimin e saj./
Policia duhet të reagonte ndaj provokimit të këmishëzinjve të “Agimit të Artë”, ndaj mediave tona në varrezat e Himarës!
Policia s’mund të rrijë e heshtur para pretendimeve territoriale të një organizate fashiste në truallin tonë, pretendime që u lëshuan duke dhunuar një mjedis të shenjtë si varreza!
Në një mënyrë tërësisht burracake, njera nga organizatat më të turpshme dhe më të rrezikshme në Europën e Bashkuar, “Agimi i Artë”, u shfaq në një ceremoni përkujtimore vdekjeje të një shtetasi shqiptar. Të udhëhequr nga sharlatanë, shitës flamujsh dhe banditë të tjerë, kjo organizatë u përpoq të shfaqte gjoja nacionalizmin e vet në Himarën tonë, një vatër e rëndësishme urbane që dëshmon vazhdimësinë e kombit shqiptar në të gjithë kohërat.
PDIU e vlerëson faktin që prifti i Himarë Fshat nuk e bëri kishën pjesë e lojërave të kësaj organizate që synon të armiqësojë shqiptarët me grekët, shqiptarët e krahinave të ndryshme me njeri tjetrin.
PDIU vlerëson faktin që me këta njerëz nuk u bashkuan banorë të tjerë të Himarës që sot ka rënë në qetësi, pas zhdukjes nga drejtimi i pushtetit lokal të një figure të shitur si Vasil Bollano.
PDIU i ka vlerësuar dhe prononcimet e mëhershme të familjarëve të të ndjerit Aristotel Guma, të cilët nuk kanë dashur ta kthejnë vdekjen e të dashurit të tyre, në motiv ndarës të komunitetit të shquar himariot.
Por PDIU reagon me forcë ndaj mungesës së ndërhyrjes së policisë ndaj dhunimit të mediave shqiptare prej këmishëzinjve fashistë të “Agimit të Artë”. Nuk ka asnjë pretekst legal në këtë vetëpërmbajtje të policisë sonë. Këta njerëz, që ishin në pozitën e veprimtarit politik siç e tregonin veten me veshjen e tyre të zezë, nuk po kryenin ndonjë shërbesë fetare, por po zhvillonin veprimtari antishtetërore në një mjedis të shenjtë si varreza. Autoritetet policore duhet t’i përmbaheshin një vendimi të mëhershëm të ministrit të jashtëm të Shqipërisë për ta shpallur non grata kryetarin e kësaj Lëvizjeje. E gjithë kjo organizatë duhet ndaluar së vepruari në territorin shqiptar. Shteti shqiptar vazhdon të funksionojë dhe duhet të funksionojë me forcë dhe në periudhën e tranzicionit të pushtetit politik.
DEKLARATA E PERFAQESUESEVE TE AGIMIT TE ARTE
Një ditë pas ceremonisë së zhvilluar në përkujtim të 3-vjetorit të vdekjes së Aristotel Gumës, zbardhen edhe deklaratat antishqiptare të përfaqësuesve të Agimit të Artë, të cilët ishin të dielën në Himarë.Pranë varrit të Gumës, Kristoforos Tsankas deklaroi se Agimi i Arte nuk do të ikë nga Himare deri në çlirimin e saj.
“Po them dy fjalë në emër të komandantit tonë, Nikos Mihaliakos, të kryesisë dhe në veçanti të të ngarkuarit për çështjet e helenizmit, Kristo Papa, i cili nuk mund të ndodhet këtu, pasi regjimi i jashtëligjshëm i Tiranës e ka shpallur atë ‘non grata’ për shkak të aktivitetit të tij patriotik. Por mendja e tij ndodhet këtu me ne. Poeti ynë kombëtar, Dhionisis Solomos ka shkruar: ‘Mos vallë kam gjë tjetër në mendjen time veç lirisë dhe gjuhës?’ Pikërisht këtë kishte në mendje edhe Aristotel Guma. Liri dhe gjuhë, ndaj dhe ra si hero. Vdekja e tij tragjike tregoi se me të vërtetë ai u tregua grek dhe vrasësit e tij tiranë. Është fati i grave të Himarës të lindin heronj. Dhe është fati i kësaj toke që të mbajë në gjirin e saj trima. Si njerëz na vjen keq për vdekjen e tij. Si grekë ne mbajmë në zemrat tona kujtimin e tij, sepse vdekja e tij tregoi madhështinë e burrit. Kriminelët që i hoqën jetën, nuk mund t’i përdhosin emrin, i cili do të mbetet i përjetshëm. Ai humbi jetën për të fituar përjetësinë. Zonja dhe zotërinj, Agimi i Artë nuk vjen në Himarë për të ikur. Bëjmë nderime mbi varrin e tij dhe premtojmë se do të vazhdojmë luftën deri në momentin e çlirimit. Rroftë Kombi!”, tha Tsankas.
Ne ceremoni u këndua edhe himni grek. Ky përvjetor i tretë për Aristotel Gumën u shoqërua me incidente nga eksponentët e Agimit të Artë. Fillimisht ata nxorën jashtë kishës, priftin e Shën Spirodhonit, i cili nuk pranoi që të kryente rritet e tyre e më dhe pas sulmuan grupin e xhirimit të Top Channel, duke mos lejuar të filmonin ceremoninë./TCH