• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

REZOLUTA PËR ÇAMËRINË, KAUZA DHE ÇËSHTJE E NDËRGJEGJES INTELKTUALEDH E QYTETARE

February 21, 2013 by dgreca

 Ne sapo kemi nisur, nepermjet kesaj Projekt –Rezolute, ate qe do t’a quaja: Vaksinimin e Kuvendit te Shqiperise duke ‘demilitarizuar’ dhe ‘ç’bunkerizuar’ komplekset e paqes se rrejshme, qe buron nga heshtja ndaj padrejtesise dhe pranimi i se keqes si fakt i kryer e qe duhet harruar.

NGA SHPËTIM IDRIZI*

I nderuar Kryetar i Komisionit, Të nderuar Kolegë, Dita e sotme është e rendesishme, për komunitetin e shqiptareve te Çamerise, për popullin shqiptar dhe per mua personalisht. Dhe siç do të argumentoj më poshtë dhe për politikën shqiptare. Kjo Rezolute meriton, e duhet te jete kauza dhe çeshtja e ndergjegjes intelektuale dhe qytetare, politike dhe institucionale e te gjithe qytetareve ne Greqi dhe Shqiperi, e cilitdo qe beson tek fqinjesia e mire dhe ne nje Ballkan Perendimor te Europianizuar dhe te Paqte. Ne sapo kemi nisur, nepermjet kesaj Projekt –Rezolute, ate qe do t’a quaja: Vaksinimin e Kuvendit te Shqiperise duke ‘demilitarizuar’ dhe ‘ç’bunkerizuar’ komplekset e paqes se rrejshme, qe buron nga heshtja ndaj padrejtesise dhe pranimi i se keqes si fakt i kryer e qe duhet harruar. Ne mund te falim, por nuk mund ti besojme kurresesi paqes se rrejshme dhe poshteruese, qe vendoset arbitrarisht duke kerkuar harresen. Harresa nuk eshte as perendimore, as e ndershme, as e drejte e as paqendertuese. Harresa eshte mposhtja, perçmimi, sundimi i njeres pale mbi tjetren, por jo paqe. Paqja ndertohet nga pranimi i se vertetes, falja, dhe sherimi nepermjet reciprocitetit, respektit, dhe bashkejeteses, bazuar thelbesisht tek te drejtat e njeriut dhe dinjiteti njerezor. Eshte besimi dhe shpresa ime me e thelle se debati, qe eshte hapur mbi Rezoluten duhet e do te jete nje debat i te gjitha institucioneve, partive politike, politikaneve, shoqerise civile, intelektualeve, ambjenteve akademike, ne Shqiperi dhe Greqi, per te sjelle sherim nga kultura e gabuar, keqberjet dhe keqkuptimet, e per te ndertuar paqe te qendrueshme dhe fqinjesi te mire. Mos e merrni këtë si një fjali tipike rastesh të tilla. Jo, materiali politiko-juridik, i kondensuar në formën e një rezolute parlamentare, është një moment historik. Jo, sepse e paraqes unë ate sot perpara jush. Unë thjesht kam nderin t’a bart atë në vëmendjen tuaj. Pra, mos e merrni se, nëpërmjet këtyre fjalëve, unë po kërkoj një meritë te vecante, por Ju ftoj te gjitheve si parlamentare te behemi pjese e nje akti te munguar drejtesie europiane, per nje pjese te kombit shqiptar, qe pret zgjidhje e drejtesi, si popullsia e shqiptareve te Camerise. Rezoluta dhe materiali plotësues është një dokument historik, sepse është prodhim i një pune të madhe të përqëndruar ekspertësh shqiptarë, të huaj, i studiosh juridike prestigjioze, i konsultuar me dokumenta të tjerë politikë dhe juridikë brenda dhe jashtë vendit. Rezoluta dhe materiali plotësues janë historikë, për nga risia që ato përfaqësojnë. Ato trajtojnë në mënyrën më të plotë qasjen, që duhet të ketë Shqipëria në marrëdhëniet me Greqinë, sa i takon trashëgimisë problemore midis dy vendeve. Sepse duhet ta themi troç, ka një trashëgimi problematike në këto marrëdhënie. Por, prej tërheqjes së vazhdueshme të politikës sonë të jashtme të të gjithë niveleve, si pasojë e dobësimit të peshës ndërkomëbetare të Shqipërisë në vitet 95 deri me anëtarësimin në NATO, kjo trashëgimi problemore ka dalë nga axhenda. Në krye të kësaj trashëgimie problematike, qëndron pa asnjë dyshim çështja e Shqiptareve te çamerise. Kjo është çështja më e madhe, që rëndon jo në historinë e largët, por të afërt të marrëdhënieve tona dypalëshe. Ne s’mund të bëjmë strucin përpara ekzistencës së një problemi kaq të madh; ne s’mund të mbyllim përfundimisht kapitullin e një krimi kaq të madh, të freskët në marrëdhëniet tona, Ne s’mund të injorojmë një tragjedi kaq të madhe me afro 5000 të vrarë dhe vdekur, në vdekjet më të tmerrshme të paimagjinuara as në filmat horror të industrisë hollivudiane; Ne s’mund të themi se nuk ka ngjarë, se nuk ekziston një tragjedi e madhe me dhjetra mijëra mijë të dhunuar, të grabitur, të përzënë, të shkulur nga vatrat e tyre vetëm sepse ishin shqiptarë dhe e mbronin hapur këtë përkatësi; Nuk mund ta bëjmë këtë të nderuar zotërinj, sepse janë ende gjallë viktimat, janë ende të gjalla gjurmët e krimit në formën e gërmadhave, shtëpive ende në këmbë, varrezave të rrënuara, por që ende dëshmojnë historinë tragjike. Ne s’mund të heshtim përjetësisht përpara një borxhi kaq të madh historik, që na e ka fqinji ynë dhe për të cilin nuk ka denjuar as të kërkojë një ndjesë të thjeshtë diplomatike. Unë ofrova një numër të viktimave dhe krejt për në fund lashë, vlerësimin e pasurive të grabitura, të përvetësuara në mënyrën më të vrazhdë. Kjo grabitje ishte pjesë e një procesi që kishte nisur shumë më herët dhe që u përmbyll në vitet e para të pasluftës së dytë botërore. Fatura e këtyre grabitjeve vetëm për popullsinë çame ështe shume e larte. Nuk po llogaris këtu dëmin e munguar, apo përdorimin dhjetera vjeçar të këtyre pasurive. A nuk janë sot brigjet e Çamërisë, që dikur ishin pronë e shqiptarëve, anëtarë të komunitetit çam, ndër brigjet më të bukura ? Kush është ai, që ka kurajën të heshtim për një tragjedi dhe grabitje të tillë? Për këtë dhunim kaq masiv të lirive dhe të drejtave të njeriut? Nëse është dikush, le të na e thotë pse duhet të heshtim dhe t’i vëmë një kapak kësaj tragjedie. Në emër të ligjit të më të fortit ? Më duket se nuk është ky rasti ynë. Në emër të paqes? Jo, zotërinj, asnjë paqe nuk ngrihet mbi padrejtësi të mëdha historike. Në emër të fqinjësisë së mirë ? Sigurisht ne na duhet fqinjësi e mirë me këdo, por fqinjët nuk mund t’i fshehin problemet, kur ato janë mes nesh, janë të gjalla dhe nuk fshihen dot. S’ka kaluar aq shumë kohë, sa ne të harronim. S’mund ta trajtojmë dot as si një incident të padëshiruar, sepse ai ishte i planifikuar deri në detaje, i kryer vazhdimisht, për një kohë të gjatë në shekullin që kaloi. Të nderuar zotërinj, Ky tekst, që ju keni sot në tryezat tuaja, rëndon shumë. Ju thashë se është historik, dhe për këtë shkak rëndon shumë. Por është shumë më i rëndë akoma, se ka peshën e amanetit të atyre viktimave të pafajshme, që vdiqën pa patur mundësi të shohin të afërmit, tokën e tyre ku lindën. Unë jam sot bartës i një amaneti, i një porosie të fundme, dhe s’mund ta injoroja dot këtë porosi. Kurdo herë, në çdo vend, amanetet respektohen me çdo kusht, për më shumë tek një popull si yni, tek një truall si yni, që për amanetet tregon legjendat më të bukura të botës. Ishte ky amanet i përsëritur ditë pas dite të jetës sime njerëzore, që më bëri mua dhe Anetaret e Shoqates Cameria te krijonim dhe nje parti politike si PDIU. Ne nuk kishim ndonjë arsye ngushtësisht pragmatike që të krijonim një parti si kjo, që une sot drejtoj. Unë s’kisha ndonjë arsye tipike politike, që t’i hyja një ndërmarrjeje siç është krijimi i një partie, në kushtet e sotme, me sistemin e sotëm zgjedhor. Ne duam te cojme në vend një amanet dhe s’mund te shtyhet dot më, s’mund te injorohet me sepse fatkeqesisht politika dominante e kishte braktisur atë. Ne s’mund te vazhdonim te ishim pa reagim kunder asaj pjese te politikes, që u fsheh turpshëm kur u paraqit një tekst rezolute per Camerine në vitin 2004. Unë besoj se as ju kolegë, do te dëshironi të bëni të njëjtën gjë si parardhësit, të ikni në shtëpitë tuaja, te takoni elektoratin tuaj, duke ju shmangur këtij detyrimi historik siç është miratimi i rezolutës per Camerine. Rezoluta është historike, sepse tenton të ofrojë platformën më të plotë për zgjidhjen jo thjesht të çështjes çame, por të pabarazisë, që ekziston në marrëdhëniet me fqinjin tonë jugor. Nëse rilindasit tanë, nëse komunitetet tona kombëtare nuk kishin mundësi të zhbënin as me laps dhe as me shpatë, vendimet e konferencave diplomatike si ajo e 1913-ës, e kryer 100 vjet më parë, ne nuk mund të vazhdojmë në të njëjtën vijë. Ne s’mundet vazhdimisht ti japim koncesione Greqisë, t’i falim borxhe, të ulim qafën e mos te tregohemi dinjitoze e te kerkojme reciprocitet. Sepse e dini se çfarë ndodh ? Nëse e bën këtë vazhdimisht, është tjetri që sillet sikur ja kemi borxh. Ne shqiperi jane ndertuar varreza, e po kerkohet ne qindra pika per ushtaret e vrare Grek gjate luftes Italo – greke, pavarësisht se ishin pjesë e një lufte pushtuese të Greqisë në territorin tonë. Po ku është reciprociteti ? Pse ne s’na lënë të nderojmë viktimat e pafajshme, gratë dhe fëmijët e popullsisë çame, të shkulur nga rrënjët ? ç’është kjo arrogancë e një shteti, që jo vetëm s’ka kërkuar kurrë falje për shkatërrimin me buldozer të varrezave të shqiptarëve, hebrenjve, maqedonasve të Selanikut dhe të veriut të vet, por guxon të hapë varre atje ku s’ekzistojnë? Gjithmonë do tërhiqemi përpara kërkesash të tilla absurde të një shteti, i cili duke vënë në shërbim kishën autoqefale të themeluar nga Noli, ka blerë eshtra shqiptarësh si në Kosinë të Përmetit ? Jo vetëm që s’kemi kërkuar nderimin e viktimave tona për reciprocitet, por kemi heshtur dhe rrezikojmë të replikojmë Kosinën në gjithë Shqipërinë e jugut. Shikoni të nderuar zotërinj, në këto fjalë nuk ka kurrfarë pretendimi shovinist ndaj askujt. E keni lexuar tekstin dhe aty nuk ka kurrfarë pretendimi territorial. E dimë që rezoluta është një dokument politik, një akt politik udhëheqës, por ne donim që ai të ishte një tekst juridik, plot referenca në Konventat europiane, ne Traktatin e Miqesise, në ligjet greke, në të drejtën ndërkombëtare. Kjo rezolutë nuk është një tekst i zakonshëm politik. Ai siç e thashë, është një tekst dinjiteti. Ajo është një tekst, që kërkon vendosjen e barazisë në marrëdhëniet dypalëshe. Shteti fqinj na kërkon ne të shohim përpara dhe vetë vazhdimisht sheh mbrapa. Të dashur kolegë, Rezoluta ka kapur atë që është thelbi i marrëdhënieve tona problematike, ose problemin e problemeve. Ka identifikuar atë që është gozhda e Nastradinit, ku varet xhaketa e politikës së jashtme greke, para së cilës ne kemi heshtur. Kjo gozhdë është trajtimi prej Greqisë i popullit, i kombit shqiptar si komb pushtues në luftën e dytë botërore. Në favor të kësaj fabule mashtruese Greqia trajtoi popullsinë çame si popullsi bashkëpunëtore, popullsi e cila madje nuk pati mundësinë të bashkëpunonte, sepse te gjithe meshkujt Cam nga 16 – 70 vjec u internuan paraprakisht ne ishujt e Greqise që pa filluar lufta. Mbi bazën e kësaj fabule grabitëse, dhunuese, fyese për dinjitetin e shqiptarit, Greqia ka mbajtur dhe mban në këmbë ligjin e luftës, një ligj i pashoq në marrëdhëniet midis kombeve, anëtare të OKB-së, të NATO-s dhe familjes europiane. Ligji i luftes eshte ne fuqi ne Greqi dhe eshte nje rudiment i koheve te shkuara. Ky ligj ka ardhur dhe ende qendron ne fuqi, si rezultat i kultures se gabuar te ardhur nga kohe dhe rrethana te shkuara e te mbartur nga segmente te caktuara ne politiken dhe institucionet greke edhe sot e kesaj dite. Kjo kulture e gabuar eshte e ushqyer nga mohimi dhe refuzimi, urrejtja dhe fobite, dehumanizimi i tjetrit apo te ndryshmit, apo ndoshta edhe mosnjohja e se vertetes Unë sot dua t’ju pyes thjesht. Më saktë dua t’ju vë para kësaj dileme: Nëse ju jeni dakord me këtë fabul, atëherë hidheni poshtë këtë rezolutë. Pra, nëse ju pranoni fabulën greke se shqiptarët i kanë sulmuar grekët në Luftën e dytë botërore, atëherë mos e miratoni rezolutën. Rezoluta në vërtetë, nëse do të duhej të redaktohej deri në kockë, do kishte vetëm një nen: jemi popuj, që kemi luftuar së bashku kundër të njëjtit pushtues, ndaj hiqeni ligjin absurd të luftës kundër nesh, dhe pranoni pasojat e heqjes së tij. Unë ju pyes sërish: a jeni dakord zotërinj të pranoni përjetësisht një fabul të tillë ? Si mund ta pranojmë ne këtë fabul, kur s’ka asnjë konferencë ndërkombëtare, asnjë akt ndërkombëtar të pasluftës, asnjë organizatë ndërkombëtare, që ta ketë pranuar mashtrimin që qëndron në themel të saj? Pse vallë ne duhet të jemi kaq të nënshtruar dhe ta pranojmë atë dhe sot ? A nuk e hodhi poshtë Konferenca e paqes e Parisit e 1946-ës, fabulën greke? A nuk e kanë hedhur poshtë të gjithë konferencat diplomatike të pasluftës këtë mashtrim të madh historik ? A e nuk e hodhi poshtë dhe vetë OKB-ja në të gjithë rastet këtë pretendim qesharak? A nuk e hodhi poshtë dhe vetë Greqia në 1971 me rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike, që shënojnë mbylljen e çdo lloj pretendimi historik ? A nuk e hodhi poshte po qeveria greke në 1987-ën, kur vetëm deklaroi se hiqet cilësimi i Shqipërisë si shtet armik ? Atëherë pse Greqia mban një marrëdhënie kaq kontradiktore me ne ? Edhe miq, edhe armiq ? A i dini ju të nderuar kolegë, të gjitha këto ? Nëse nuk i dini, ky është rasti t’i mësoni dhe të reagoni. Nëse i dinit, dhe nuk keni reaguar deri më sot, si për çdo politikan, ka një gjykim, është ai i votuesit. Unë i pyes deputetët e Tiranes, Durrësit, Elbasanit, Fierit, Lushnjes,Vlores e të Sarandës, si do të shkonin para zgjedhësve të tyre çamë, nëse duke pranuar fabulën greke, do ta hidhnin poshtë këtë rezolutë ? Në fakt bëra një gabim, por qëllimshëm. Kjo rezolutë nuk merret thjesht dhe vetëm me komunitetin e shqiptareve te çamerise. Sepse sot çështja çame edhe falë nje sensibilizimi te jashtezakonshem te PDIU dhe Shoqates Cameria per 22 vjet, është sot çështje e të gjithë kombit shqiptar. Sot falë mbijetesës së komunitetit te shqiptareve te çamerise si i tillë, mbijetesës kulturore, etnike të tij, populli shqiptar, kombi shqiptar kërkon drejtësi në marrëdhëniet me fqinjët. Po bëhem më i qartë. Nëse nuk do të ishte këmbëngulja e këtij komuniteti, organizimi i tij, atëherë nuk do të kishte më një problem shqiptar në Greqi. Ne vetëm do të pësonim. Ne vetëm do ulnim kokën përpara kërkesave greke, për varreza, për prona, për kisha, për gjithçka. A kanë bërë diçka kaq të organizuar komunitetet e tjera shqiptare, që dikur kanë ekzistuar në Veri të Greqisë, në Selanik, Kostur, Janinë, follorine etj ? Jo, veç përpjekjeve sporadike individuale. Është komuniteti çam, që e ka mbajtur të gjallë kauzën e drejtësisë së popullit shqiptar në Greqi. Të dashur kolegë, Nepermjet kesaj Projekt –Rezolute ne kerkojme qe, mardheniet me fqinjin tone Greqine te ndertohen mbi baza te dinjitetit dhe reciprocitetit. Reciprociteti sjell njohje dhe pranim me te drejte te njeri-tjetrit dhe ushqen fqinjesine e mire. Madje Ne, Projekt -Rezoluten tone jo pa qellim e kemi quajtur Rezoluta e Fqinjesise se Mire. Rezoluta jone eshte ne fakt Rezoluta e Antiluftes dhe e ProPaqes. Te kerkosh rivendosjen e drejtesise, rivendosjen e te drejtave te njeriut dhe dinjitetit njerezor, te kerkosh reciprocitet ne marredheniet mes fqinjeve, eshte as me shume e as me pak, por te punosh per paqen. Kunder paqes punon: mohimi dhe refuzimi i reciprocitetit, mohimi dhe refuzimi i rivendosjes se drejtesise, mohimi dhe refuzimi i respektimit te te drejtave te njeriut, si edhe mohimi dhe refuzimi i fqinjesise se mire duke lartesuar dinjitetin njerezor, ngado e ngacilido te vije ky refuzim dhe mohim. Rezoluta jone bazohet te Konventat me te rendesishme Nderkombetare dhe Europiane, te cilat respektojne dhe lartesojne te drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerezor. Rezoluta eshte ne kendvshtrimin tim ne kendveshtrimin tone fillimi i sherimit te kultures se gabuar, qe ka sjelle Ligjin e Luftes ne Greqi. Pas kësaj hyrjeje, më lejoni të ofroj para jush shpjegime më të hollësishme për tekstin e rezolutës dhe të jem i hapur së bashku me ekspertët për pyetjet tuaja. Do ju lutesha të më ndiqni me tekstin e rezolutës para jush. Struktura e rezolutës. Rezoluta ka një strukturë standarte. Ajo nis 1) Me konstatimin e fakteve notore, dmth që njihen nga të gjithë, pra dhe nga ne, ose duhet të njihen nga të gjithë, pra dhe nga grekët. E fillojmë me më të rëndësishmin. Ne, si komunitet i shperngulur me dhune i shqiptareve te camerise, ne si mbrojtës të interesit kombëtar jemi më shumë të interesuar se të tjerët që të kemi marrëdhënie të mira fqinjësore me Greqinë. Vetëm në rrethana të tilla ne kemi shpresë se çështja çame do te ,përballohet dhe zgjidhet diplomatikisht. Por risia, që ne kemi në këtë tekst dhe që është ftesa jonë për të gjithë, pra dhe për grekët, që të pranojmë përfundimisht të vërtetën e madhe historike: Duke shprehur mirënjohjen për luftën e përbashkët antifashiste të popullit shqiptar dhe popullit grek, e në veçanti të shqiptarëve çamë, themelues dhe të inkuadruar në Ushtrinë Çlirimtare Greke (ELAS) dhe në Ushtrinë Nacional Çlirimtare (UNÇ); Nisur nga fakti që, as populli shqiptar dhe asnjë shtet sovran shqiptar, nuk e ka sulmuar popullin dhe shtetin grek gjatë Luftës së Dytë Botërore; Është shumë e thjeshtë të nderuar zotërinj. A ka patur luftë të përbashkët antifashiste të shqiptarëve dhe grekëve? Me kë luftuan dëshmorët Thanas Ziko i minoritetit apo të tjerë? A nuk luftuan me partizanët shqiptarë? A nuk u konsiderua Shqipëria si vend i sulmuar dhe i pushtuar dhe mori dëmshpërblime nga Konferenca e paqes në Paris? Po Ali Demi, Haki Rushiti a nuk ishte partizan çam? A nuk u rreshtuan krahas partizanëve grekë dhe 700 çamë? Me ke luftuan ceta “Cameria “ dhe Batalioni Ali Demi ? A nuk e njohu Greqia e Metaksait një profashist gjithashtu, pushtimin e Shqipërisë? A nuk u përpoq Greqia gjatë Luftës së Dytë botërore që Shqipëria të mos kishte rezistencë partizane që më në fund të luftës të konsiderohej si fuqi humbëse siç e pohojnë historianët anglezë? A nuk u përdorën territore të caktuara nga shtetet fashiste dhe naziste, si vende nisjeje të sulmit mbi Rusinë, por askush nuk i quajti ata si vende pushtues, njëlloj sikur Greqia donte të bënte dhe do të bëjë akoma me Shqipërinë? Çfarë është deklarata e ministrave të jashtëm anglez, amerikan dhe rus, Eden, Hull, dhe Molotov në dhjetor të 1942, që e vlerësojnë « luftën e popullit shqiptar kundër pushtuesit italian ? ». A nuk është një dokument diplomatik, politik, historik i klasit të parë ? A nuk është një provë e paaneshme e tezës sonë, në bazë të rezolutës? Ka dhe boll fakte të tjera, por unë mendoj se vendimtare në zgjidhjen e kësaj dileme janë vendimet e konferencave ndërkombëtare, si ajo për reparacionet e vitit 1945 dhe më në fund, Konferenca e paqes me Italinë e vitit 1946. Shqipëria u pranua si nënshkruese me të drejta të plota e Traktatit, i cili ka shumë pika kushtuar Shqipërisë, duke parashikuar rikthimin e të drejtave të plota të saj. Ndërkohë, ne kemi dhe një premisë tjetër thelbësore në Rezolutë. Ne kemi një problem të madh me Greqinë, çështja çame, si çështja e madhe e lirive dhe të drejtave të njeriut. Ne s’mund të mohojmë një problem për të thënë me sy mbyllur: jemi miq, dhe s’kemi probleme. Madje nëse jemi miq, atëherë aq më mirë: duhet të pranojmë problemet që kemi. Pjesa e dytë e Rezolutës është baza legale ku mbështetet ajo. Kemi një renditje nga akti më i lartë tek më i ulëti, të të gjithë akteve ku mbështetet rezoluta, përfshi dhe legjislacionin grek dhe domosdoshmërisht Traktatin e miqësisë me Greqinë. Ne i referohemi frymës së këtyre akteve veçanërisht. Ne e dimë se një pjesë e mirë e këtyre akteve janë miratuar pas genocidit grek, por kjo s’do të thotë se ato s’mund të përdoren, se fryma e tyre s’mund të jetë udhëheqëse e një procesi pajtimi dhe zgjidhjes së problemit çam. Per shembull nenet e Kartës së OKB-së , Konventes Europiane te te Drejtave te Njeriut për mosdiskriminimin mbi bazë kombësie, feje; për gëzimin e lirë të së drejtës së pronësisë, etj. Por le ti referohemi dhe ligjeve, apo Amnistive Greke, qe synonin kohezionin social ne Greqi. Greqia, me anë të ligjeve të miratuara qoftë gjatë Juntës së Kolonelëve, qoftë gjatë qeverisë së parë socialiste të viteve 80, të ashtuquajtura « ligje të pajtimit « mundësoi rikthimin e gjithë refugjatëve grekë, qofshin ish bashkëpunëtorë të fashizmit, qoftë ish- komunistë, që ishin larguar nga vendi, duke ju restauruar të gjithë të drejtat. Unë pyes: pse këto dy ligje përjashtonin ata shtetas grekë, që nuk kishin gjak grek pra kombesi Greke? A nuk është kjo shkelje e Kartës së OKB ? A nuk është diskriminim mbi bazë kombësie ? Nëse Traktati i miqësisë, mbi bazën e nenit 15, ka heqjen e gjithë pengesave për gëzimin e të drejtës së pronësisë, pse kjo frymë nuk duhet të shtrihet për të gjithë të drejtat themelore të njeriut? Unë ju pyes juve të nderuar deputetë: a do ta nderoni ju vendimin e këtij parlamenti të qershorit 1994, që e ka shpallur 27 qershorin si ditë përkujtimore të genocidit mbi mbi shqiptaret e camerise nga shovinistet Grek ? Ne jemi mbështetur tek ky vendim parlamenti, tek ky ligj. Nuk shoh arsye se pse duhet të tërhiqemi sot nga ky ligj parlamenti. Pjesa e tretë e Rezolutës është ajo me kërkesat dhe qëndrimet e Parlamentit shqiptar si përfaqësues i Sovranit. Ka patur ndonjë zë që thotë se Parlamenti s’ka pse të bëjë rezolutë për marrëdhëniet diplomatike, që janë domen i Ministrisë së jashtme. Jo zotërinj, Parlamenti vjen drejtpërdrejt prej sovranit. Parlamenti ka të drejtë sipas Kushtetutës të miratojë rezoluta. Rezolutat janë akte me natyrë direktive, udhëheqëse, të vetmet akte politike të Parlamentit, të vetmet akte të politikës ekzekutive së bashku me miratimin e buxhetit. Kush hedh këtë tezë kundër kësaj rezolute, duhet ta dijë se në hartimin e rezolutës ne jemi mbështetur tek puna e ekspertëve më të mirë të së drejtës ndërkombëtare, por jo vetëm. Ndërkohë këtyre zotërinjve, qe kane shprehur këtë tezë, dua t’i them: cili është roli i think tankeve në formulimin e politikave të caktuara ? për shembull i ELIAMEP në Greqi ? Dhe nëse ne në formulimin e kësaj rezolute jemi mbështetur tek mendimi i ekspertizës më të mirë, ku është problemi ? Analiza e pikave të veçanta të rezolutës. pika 1 : a nuk do të njohë, nuk do të mbështesë, nuk do të angazhohet ky parlament, ky shtet, për sqarimin e statusit, gjegjësisht gjithë të drejtat e votuesve të vet çamë, të familjarëvve të tyre të vdekur apo të vrarë, mbështetur mbi ligjin ndërkombëtar ? pika 2 : a nuk duhet të kërkojmë pas sqarimit të këtij statusi, rivendosjen e të drejtave të tyre në territorin grek, pa dallim: çamë dhe jo çamë pika 3. Gozhda greke e Nastradinit është konsiderimi i Shqipërisë si vend pushtues (???) dhe për pasojë ligji i luftës me të, i cili vazhdon të mbahet. Ka një shkresë të ministrisë së jashtme.

*Fjala në Komisionin e Politikës së Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë

Filed Under: Featured Tagged With: Komision parlamentar, rezoluta came, Shpetim Idrizi

Portret mërgimtari:Me forcën e fjalës pajtoi me dhjetëra familje të hasmuara

February 21, 2013 by dgreca

Nga Sabit Abdyli Aukland-Zelanda e Re/

Zeneli u lind në vitin 1926 në fshatin Arvat, komuna e Resnes (Prespë). Që në moshën dy vjeçe i vdes i ati. Mbasi t’i ketë mbushur 15 vjet në kërkim të një jete më të mirë dhe dëshirës për t’u shkolluar arratiset në Shqipëri. Shkon në fshatin Butkë në familjen e Sali Butkes për të cilin kish dëgjuar për bëmat e tij patriotike. Në familjen e përmendur kishte një lidhje nga ana e gjyshes që nuk ishte më në jetë. Përfundimisht vendoset në një familje të fshatit Qinam – Kolonjë. Ishte kohë lufte. Në fshat erdhi me një rast Petrit Dume (gjeneral, hero, në vitin 1974 u shpall armik i popullit dhe u dënua me vdekje) me partizan, tregon Zeneli, e mblodhi fshatin dhe gati sa më bindi të t’i bashkëngjitëm aradheve partizane. Kryefamiljari në familjen ku ish vendosur me të kuptuar se unë do të dalë partizan, më tha; po deshe ta mbushësh ndonjë hendek me trupin tënd, shko!. Ku u zihet besë partizanëve, je në veti ti!? Fshati dhe në përgjithësi rajoni ishte me Ballin Kombëtar, që udhëhiqej nga Safet Butka. Ndërkohë partizanët me indologjinë e tyre antikombëtare morën pushtetin dhe po qeverisnin Shqipërinë. Zeneli për ta shpëtuar njërin prej djemve të familjes ku ish vendosur, i cili kish marrë thirrjen për punë vullnetare në tharjen e Kënetës së Maliqit, po që i njëjti kish qenë polic në kohën e mbretit Zog dhe ruhej të mos binte në sy të qeveritarëve të kohës. Zeneli vullnetarisht shkon në emër të tij (bedel) për të punuar. Nga aksioni kthehet po at vit (1946). Hetohet se nuk është nga Shqipëria dhe burgoset në burgun e Korçës. Në burg, thotë Zeneli, në pyetjen e një oficeri të lartë se prej nga jam, përgjigjem se jam nga Serbia. Ku ore, tokave shqiptare ti u thua Serbi dhe ma ngjeshi një shuplakë të fortë fytyrës. Pas dy muajsh e depërtojnë në Jugosllavi. Me të kthyer në vendlindje vazhdon të ballafaqohet me vështirësi të kohës. Shikohej me dyshim nga pushteti mbasi kish qëndruar një kohë në Shqipëri. Mbas kryerjes së shërbimit ushtarak arrin ta kryej shkollën për polic. Falë punës me përkushtim dhe aftësive të tija organizative caktohet edhe në detyra me përgjegjësi. Për vitet të tëra ishte Komandant policie në Mateq të Kumanovës, një mandat (1974-1978) deputet i Republikës së Maqedonisë. Për Zenelin shkruan edhe mediet në gjuhën shqipe e sllavo-maqedone të kohës. “Flaka e vëllazërimit”, “Nova Makedonija”,“Nash Vesnik” etj. Disa herë u shpërblye e dekoruar për sukseset e arritura në punë. Edhe sot pas shumë vitesh populli ku punoi flasin vetëm fjalë të mira për te. Zeneli u angazhua për shkollimin e rinisë dhe sidomos emancipimin e femrës shqiptare. Për ketë kish folur sa herë i epej mundësia me njerëzit që i njihte, duke dhënë shembull edhe me fëmijët e tij (Lulijanën dhe Myftarin), të cilët i shkolloi. Zeneli, ky njeri fjalëpakë, i matur dhe i sinqertë me autoritetin e tij, forcën e fjalës pajtoi me dhjetëra individ e familje, që ishin në grindje, mandej edhe në gjak, duke ndërhy si një pleqnar i vërtetë. Vlen përmendur këtu pajtesën, që Zeneli bashkë me pleqnarin e njohur Zeqë Kabashin e kishin bë mes Osman Gurit nga një fshat në komunën e Kaçanikut dhe shoferin e automjetit të aksidentit fatal për jetën e djalit të vetëm të Osmanit. Në malësinë e Karadakut një vrasës pasi kish kryer vrasjen nuk dorëzohej dhe fshihej gjithandej fshatrave të malësisë. Pas gjurmimeve të shumta hetohet se ku fshihej dorasi i cili kërcënohej se kushdo që do t’i afrohej do të shtie mbi te. Zeneli e thërret për të biseduar e marr vesh, duke i thënë: ja unë po e hedh armën dhe dua të bisedoj me ty dhe futët brenda shtëpisë ku ish fshehur vrasësi. Nisë dialogun me te dhe gjatë gjithë natës arriti ta qetësonte e ta bindte pa përdorur forcën që të dorëzohet. Në mëngjes vrasësi e dorëzon pushkën. Zeneli pasi pensionohet jetoi në Shkup. Në vitin 1998 me të shoqen Ballkëzen vendoset në Zelandë të Re ku edhe tash jeton. Edhe pse ka mbi 86 vjet ende gëzon shëndet të mirë dhe kokën gjithmonë kah tokat shqiptare e mban, duke u gëzuar për sukseset e të arriturat dhe merakosur për ngecjet në shoqërinë shqiptare.

Sabit Abdyli Aukland, shkurt 2013

 

Filed Under: Featured

NJOFTIM PER TE PAME NGA FAMILJA BOJKAJ

February 21, 2013 by dgreca

Me dhimbje të thellë njoftojmë Komunitetin Shqiptaro – Amerikan se me rastin e vdekjes tragjike të vajzave, motrave dhe mbesave tona të dashura, Mërgimtare dhe Liridona Bojkaj,

MËRGIMTARE (SELMON) BOJKAJ

(15.08.1995 – 04.02.2013)

LIRIDONE (SELMON) BOJKAJ

(05.01.1998 – 04.02.2013)

Të ndjerat humbën jetën tragjikisht në një aksident komunikacioni, në Dallas – Teksas me datën 2 Shkurt 2013, ndërsa u varrosën në vendlindje, në Isniq të Deçanit në praninë e mijëra qytetarëve me datën 8 Shkurt 2013.

Babai i të ndjerave, Selmon Bojkaj me vëllezërit Enver dhe Demë Bojkaj me familje dhe farefis, hapin të pame për burra dhe gra me datën 24 Shkurt, 2013 (e dielë), prej orës 9 para dite deri në ora 5 pas dite, në restaurantin “Eastwood Manor” në adresën: 3371 Eastchester Road, Bronx, NY 10469.

Telefonat e familjes Bojkaj: (212) 470-2473 Enveri

dhe (914) 751-4330 Dema

 

Filed Under: Featured Tagged With: familja Bojkaj, Liridona, mergimtare, Njoftim mortor

PA KOMENT: KRYETARI I ALEANCES KUQ E ZI ANETAR NDERI I NEW YORK-UT?

February 20, 2013 by dgreca

Kjo eshte nje fotografi qe gazeta Dielli nuk po e komenton, pasi lajmi tashme eshte pergenjeshtruar neper lista, eshte debatuar ne facebook dhe shuma nga  ata qe e potencuan e hoqen nga Top-News, perfshi dhe nje TV te fuqishem ne Shqiperi!

Falenderojme gazetarin e TV 21, z. Halil Mula qe na e vuri ne dispozicion fotografine. Komuniteti shqiptar e ka te qarte se cfare jane keto lloj titujsh dhe ku e si prodhohen.

Filed Under: Featured

“Kadare as disident, as bashkëpunëtor me diktatorin”

February 19, 2013 by dgreca

FOTO:KORTEZI-  NEW YORKER/

Njohja e profesorëve francezë me shkrimtarin shqiptar/

Si një specialist i letërsisë, Jena Paul Chamseix është në terrenin e tij në lëmim e letrave. Duke lënë mënjanë gjithçka kishte bërë gjatë jetës së tij, profesori francez zbulon figurën e ish-diktatorit Enver Hoxha, përmes veprave që ai shkroi. Në librin me kujtime “57 Boulevard Stalin”, kushtuar 6 viteve të qëndrimit në Tiranë, Champseix bën një analizë të shkurtër mbi veprën e Enver Hoxhës, duke marrë në shqyrtim mënyrën se si ai vizatonte udhëheqësit e huaj, që nga Hrushovi, Mao, te Tito etj. Në këtë libër kujtimesh, ai nuk mund të mos ndalet edhe te shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, njohjen me të dhe ç’mendonte rreth akuzave për “bashkëpunim” me ish-diktatorin, apo edhe pretendimin e hedhur nga të tjerë (i papranuar kurrë nga vetë Kadare) i të qenët disident.

Kadare dhe pushteti
Pushteti që shpesh i ka kërkuar Kadaresë të bëjë autokritikë, e sulmonte në tri pika. Në radhë të parë, fakti që të gjithë librat e tij, përveç “Dimirit të madh” dhe “Koncertit”, vendoseshin në të shkuarën e largët, u interpretuan si një refuzim për të përshkruar ndërtimin e socializmit. Më tej, ai shfaqi dashurinë e tij për mitet, konsideruar si “një mbijetesë religjioze dhe reaksionare”. Së fundi, ai dyshohej se ulte popullin për shkak të intelektualizmit të tij dhe akuzohej se kërkonte t’i pëlqente “botës kapitaliste”.
Kadareja iu përgjigj këtyre kritikave në një artikull të 1984-s, publikuar në revistën “Shqipëria sot” (nr 6), duke i bërë jehonë kongresit të fundit të shkrimtarëve dhe artistëve, ku ai i bëri elozhe realizmit socialist, ndërsa dënoi skematizmin si “kundërshtimin më të keq të ndikimeve borgjeze dhe revizioniste”. Ky gabim nuk është toleruar, shkruante ai, veçse nga “njerëzit që kanë koncepte burokratike mbi letërsinë dhe artet”. Ja ku ai jep një ide të raporteve të mira që duhet të mbretëronin në botën e letrave. Ai shtoi se “skematizmi mund të lërë indiferent lexuesin ndaj problemeve që ngre”. Ai konkludon se: “Kur në një vepër letrare, në një pjesë teatri apo në një film, heroi pozitiv, për shkak të skematizmit, në vend të fitojë simpati shkakton antipati te lexuesi ose spektatori, kjo do të thotë se kjo vepër është e dëmshme për socializmin”…
Në vitin 1982, Kadare ishte i kërcënuar nga pushteti dhe do të kalonte disa vite të zeza. Pas vdekjes së Hoxhës, ai do të rivinte përpara skenës letrare. Në dimrin e vitit 1986, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u adaptua në teatër. Pjesa duhej të luhej në Greqi gjatë një festivali, i cili u anulua. Vënia në skenë nga Pirro Mani ishte çuditërisht moderne dhe e gjithë salla ziente kur, në skenën e fundit, të vdekurit ngriheshin në qeset e tyre plastike për të nderuar gjeneralin, një lloj don zhuani, i zbritur në ferr. Ndikimet surrealiste, të cilat nuk mund ta mbronin Kadarenë, ishin vulosur në një skenë ëndrre që u fuste frikën studentëve. Kjo vënie duket se i kishte pëlqyer Kadaresë. Është për të ardhur keq që kjo pjesë nuk u vu më kurrë në Tiranë…
Kadare është elastik
Në vitin 1987, Kadare u ftua në konviktin e universitetit për të dhënë një konferencë. Studentët shkuan pasi thoshin: “Ai sillet si europian”. Ne pyetëm saktësisht mbi këtë sjellje dhe studentët u përgjigjën: “Ai thotë atë që mendon”. Elisabeth pa i kërkuar autorizim askujt, u përzje me turmën dhe bëri miq mes turmës së studentëve italianë. Konferenca thuajse u anulua për shkak të një avarie elektrike. Atmosfera ishte e nxehtë, kur seanca filloi më në fund. Kadareja ishte një njeri tjetër: tepër në siklet përballë këtij publiku të shqetësuar, ai dukej të ishte rinuar 10 vjet. Organizatori i aktivitetit nisi të bënte pyetje, duke nënvizuar se studentët mund të bënin të njëjtën gjë më pas. Pyetjet e tij ishin tepër stereotipe dhe të shumta, publiku u nervozua dhe kërkoi fjalën. Letra të vogla shkonin drejt tribunës: organizatori i lexonte me zë të lartë, pa u dukur se censuroheshin. Pyetjet ishin të gjitha në një linjë dhe përgjigjet gjithashtu. Pyetjet mbi romanet e ndaluara nuk munguan t’i adresoheshin.
Studentët donin në mënyrë absolute që Elisabeth të bënte pyetje. Ajo nuk donte të binte në sy. Atëherë ajo hartoi vetë një letër të vogël, duke thënë: “Një profesor francez është në sallë dhe pyet se sipas mendimit tuaj cilët janë shkrimtarët më të mëdhenj francezë aktualisht”. Kadare nuk e çmonte shumë letërsinë bashkëkohore franceze, megjithatë ai foli për Tournier, Marguerite Yourcenar dhe Le Clezio. Dy vjet më vonë, Elisabeth do t’i përsëriste skenën dhe e bëri të qeshte, duke i treguar se pas konferencës, studentët, duke marrë shkas nga daljet e tij kundër kritikës letrare, refuzuan të bënin shpjegim teksti.
Ismail Kadare nuk është as bashkëpunëtor i diktatorit dhe as disident. Kundër erërave dhe furtunave, ai ruajti pavarësinë e tij prej artisti. Posti i tij i deputetit ishte një efekt i vullnetit të partisë dhe të gjithë e dinë se Parlamenti nuk kishte asnjë pushtet. Sa për disidencën, ajo nuk ekziston fare në Shqipëri. Inteligjencia u reduktua që në lindje dhe nuk mund të mbështetej në një opinion publik. Pushteti, që i kishte duart e gjata mbi kulturën dhe mjetet e shprehjes, nuk toleronte asnjë manifestim pavarësie. Deklaratat armiqësore për regjimin ishin baras me vetëvrasjen dhe ai që, në Perëndim, akuzonte për “bashkëpunim” bënte mirë të vendosej ca kohë në Tiranë. Shqiptarët nuk u gabuan dhe e vlerësuan Kadarenë për guximin dhe këmbënguljen. Njëri prej nesh tha: “Kadare është elastik, ai merr gjithnjë formën e tij”.

“Enver Hoxha ishte një fetar i kuq obsesiv”
Profesori francez, analizë teksti veprës së ish-diktatorit

Një besimtar i kuq

Ndryshe nga reputacioni i tij, tekstet e tij e meritojnë që të ndalesh. Përsëritjet sistematike, kthimi në temat e preferuara, i japin një karakter obsesiv. Në tekstet e tij marksiste-leniniste, nuk gjejmë as analiza klasore as studime ekonomike, sikur fjalët që përdor Hoxha janë tërhequr nga leksiku komunist, thelbi i mendimit ka një karakter religjioz. Për të, historia e botës është një luftë forcash, të së mirës kundër së keqes që e sulmojnë. Esenca e komunizmit është e mira hyjnore, por të këqijtë që nuk çarmatosen kurrë, ndërhyjnë për të plaçkitur efektet e mira. Të aftë, demonët, marrin në dorë sferat më të larta dhe shkatërrojnë vlerat. Një herë të vetme, e mira triumfoi: me “Stalinin e madh”, një erë e artë filloi. Por fatkeqësisht, tradhtarët dhe puçistët me taktikë diabolike, me plane sekrete dhe të errëta godasin derisa të arrijnë qëllimin. Ata nuk e kanë shtëpinë aspak në ferrin kapitalist, por janë vendosur në zemër të socializmit. Këto krijesa satanike janë dizenjuar nga shenjuar nga termi i turpshëm i “revizionistëve”. Jean Bertolino, në lidhje me doktrinën shqiptare ka gjetur formulën e përshtatshme: “Kapitalizmi është armiku; revizionizmi është e keqja”. Mikoyan, “tregtari armen kozmopolit antimarksist i kamufluar” është “i errët si nata”, “negativ, i zbrazët dhe intrigant”; Beria ka “sy gjarpri”; Hrushovi “nepërkë revizioniste”, shefi i “mafies revizioniste”, që do të “vendosë në vende kyçe elemente të dëmshme”; Souslov ishte një “revizionist cinik” me “ecjen e tij si balerin Bolshoi”…. “Mao” “kurrë nuk ka qenë marksist”, “Mbreti Tito”, “i zhytur deri në fyt me tradhti, ka realizuar komplote pa numër kundër vendeve socialiste”….
Hoxha është një fetar i kuq dhe nuk shqetësohet fare të pohojë, i vetmi në planet, për mbështetjen që Shqipëria “ateiste” i jep Republikës teokratike të Iranit pas marrjes peng të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Teheran. Të dy vendet vendosën marrëdhënie të ngrohta: Shqipëria dërgoi telegrame urimi gjatë festimit të përvjetorëve dhe përshëndetën revolucionin pers; mullahë iranianë gjatë vizitës në Tiranë admiruan virtytin e rreptë të kryeqytetit. Ky idil zbuloi ndoshta gjithashtu që myslimanët bektashinj që janë shiitë, janë më të mirë nga ç’besohej.
75-vjetori i Hoxhës u festua më 16 tetor 1983. Një film “Enver Hoxha, tungjatjeta” u prezantua në kinema “Partizani”. Aty flitej dhe për edukimin francez të “udhëheqësit”. Dokumente të kohës tregonin një Paris të mjerë, por vepra të Saint Simon, Montaigne, Michelet dhe të Vigny-së shfaqeshin në ekran. “Kapitali” dhe “Shteti dhe revolucioni” u shfaqën në përkthimin e tyre frëngjisht. Në zyrën e tij, Hoxha shfleton “Buletinin e librit frëngjisht”. Salla u lodh shpejt nga ky dokumentar erudit. Fëmijët çoheshin dhe argëtoheshin duke përplasur karriget e drunjta. Ata ndërmorën menjëherë një lojë-kukafshehthi nën syrin vëzhgues të policisë. Disa shfaqen në platformë dhe hijet e tyre të vogla kalojnë para ekranit. Salla qeshi gjatë shfaqjes së Musolinit me pozat e tij groteske dhe u zbut kur Hoxha luante me mbesën e tij.(Kortezi Panorama)

 

Filed Under: Featured Tagged With: as bashkepunetor, as disident, Kadare, profesoret franceze

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 884
  • 885
  • 886
  • 887
  • 888
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT