• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Midis dy Shqipërive: Bashkimi Kombëtar dhe Interesat Kombëtare

February 9, 2013 by dgreca

Nga Zeno Jahaj /

Më 28 Nëntor 2012, Kombi, për herë të parë i lirë dhe natyrshëm i bashkuar, përkujtoi madhërisht 100 vjetorin e pavarësimit të Shqipërisë. Kjo ishte Shqipëria e parë, Shqipëria etnike. Këtë vendosën të njohin etërit e Kombit.Pas 8 muajsh, më 29 Korrik 2013, do të jetë Europa së cilës, ndoshta mund t’i bjerë ndër mend se, 100 vjet më parë, etërit e Kontinentit plak vendosën të njohin një Shqipëri tjetër, Shqipërinë e dytë, atë shtetërore.

Shqipëria e parë, ajo etnike u krye me ndjenja dhe konsensus kombëtar, me vizionin e interesave kombëtare. Etërit e Kombit që e themeluan atë, e dinin fare mirë se askush nuk mund të ndalohet pse ka apo shpreh interesa. Prandaj ata e shpallën Shqipërinë ashtu siç kish pas qenë fati i natyrshëm i saj.

Përkundër, Shqipëria e dytë, ajo shtetërore u bë me konsensus ndërkombëtar dhe do të kishte në themel interesat ndërkombëtare – përndryshe, të shteteve të tjera. Askush nga ndërkombëtarët e kohës nuk do t’a përjetonte më dhimbshëm këtë akt, sesa Konti Leopold von Berchtold, burrë shteti i përmasave Europiane, Ministër i Jashtëm i Perandorisë Dualiste Austro-Hungarze, dashamirës dhe mbështetës i madh i Shqipërisë,  i cili, plot 100 vjet më parë do të shkruante: “Austro-Hungaria respekton dëshirën e Serbisë për t’a mbrojtur mëvetësinë e vet nga çdo pikëpamje dhe për të siguruar për këtë një rrugë të sigurtë për në det. Por kjo gjë nuk do të thotë se Serbia duhet të shtrihet medoemos deri në Adriatik, se atëherë do të bëhej i pamundur krijimi i një Shqipërie autonome që do të jetë e zonja të rrojë. Serbia mund t’ia arrijë qëllimit për lidhjen e vet me detin edhe në mënyra të tjera. Nëse beson se ka interesa vitale (nënvizimi im, Z.J.) për të pasur një liman të vetin, atëherë mund të marrë një port në Detin e Egjeut.”

Natyrisht, Konti realist Austriak, kishte edhe ai ndjenjat e veta, por edhe gjeopolitika kishte ligjet  e veta. Të gjitha kombet dhe shtetet e tjerë pohonin, përpiqeshin dhe luftonin për t’i kënaqur interesat kombëtare me programe, me platforma ideologjike apo force, me strategji të hapëta apo të fshehta, me mënyra të ndershme apo të pandershme. “Çobani” Rus i grigjës ortodokse nuk mund t’a pranonte sugjerimin e Berchtold që Serbisë t’i ofrohej një port në Detin e Egjeut. Dalja e Serbisë në Selanik do të shkaktonte përplasje e grindje brenda llojit dhe do t’i ndërlikonte zhvillimet në hapësirën Ballkanike e të Mesdheut Lindor, për pushtimin e së cilës Cari Pjetër i Madh i Rusisë kishte lënë një testament të posaçëm. Prandaj të gjithë i përmbaheshin formulës “raison’d’etat” – përndryshe “arësye shtetërore”, të cilën çuditërisht e pati shpikur Richelieu – shërbëtor i Zotit për nga zanati, Kardinal i Kishës Katolike, burrë shteti i përmasave Europiane, Kryeministër i parë i Francës.

Prandaj, për shumë e shumë arësye, ne kemi sot vetëm një Shqipëri, atë shtetërore që njeh bota.

Natyrisht çdo komb do mund të dëshironte t’i bashkonte trojet që i konsideron apo i percepton si të veta. Madje, etërit e kombeve, prandaj janë quajtur të tillë, sepse kanë bashkuar familjen e madhe që quhet komb. Por merita më e madhe e tyre është se, në këtë mision, ata kanë vepruar në përshtatje me prirjet e proceseve historike dhe jo jashtë tyre. Si Bismarku, ashtu edhe Hitleri, për shembull, ideuan, udhëhoqën e luftuan për bashkimin dhe lavdinë e Gjermanisë. Por, ndërsa i pari arriti mjeshtërisht synimin (për të cilin kishin dështuar tre breza gjermanësh!), pikërisht sepse veproi brenda procesit historik, përkundër, i dyti, duke vepruar jashtë tij, i shkaktoi Gjermanisë plagën e rëndë, për shërimin e së cilës u desh një gjysmëshekulli. Pak më afër nesh, si Konti Kavour, ashtu edhe Musolini luftuan për bashkimin dhe lavdinë e Italisë. Por i pari veproi dhe pati sukses brenda procesit historik, ndërsa i dyti doli jashtë tij, duke i shkaktuar Italisë humbje të turpëshme dhe dëme afatgjata.

Të ecësh kundër procesit është humbje dhe humbja iu kushton shumë, veçanërisht kombeve të vegjël. Shqiptarët nuk u përshtatën në kohën e duhur me procesin e nacionalizmit shtebërës ku u përfshi e gjithë Europa e shekullit të 19-të. Dy fqinjët tokësorë të Shqiptarëve qenë nga të parët e atij fillimshekulli që e kurorëzuan me sukses këtë proces. Shqiptarët u vonuan plot një shekull për të “kapur fillin”. Ndërkohë, Europianët, midis tyre edhe fqinjët tanë që i kishin “blinduar” tanimë shtetin, organizimin, forcën dhe ushtritë, iu vunë proceseve të tjera për të vënë në jetë objektivat e tyre nacionaliste, përkatësisht konsolidimin dhe zgjerimin kombëtar.

Proceset nacionale që e mbyllën një cikël në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, ia lanë vendin një procesi tjetër në gjysmën e dytë të tij: garës midis rrugës demokratike dhe rrugës komuniste të zhvillimit. Shtetet e hapësirës Euro-Atlantike që e kuptuan “krahun” e këtij procesi dhe u rreshtuan në kohën e rrjedhën e duhur të tij, sot gjenden një epokë të tërë përpara në zhvillim, mirëqënie dhe siguri në krahasim me shtetet e tjera të botës. Ata sot drejtojnë e do të drejtojnë fatet e botës në një të ardhme ndoshta afatgjatë, edhe pse janë pakicë në krahasim me pjesën tjetër dërmuese. Në të kundërt, të tjerët që nuk u orientuan dot, apo që përzgjodhën të rreshtoheshin kundër prirjes së procesit, duke thirrur për ndihmë armën e nacionalizmit të sëmurë (Gjermania naziste dhe Italia fashiste) apo duke aplikuar ideologji politike shterpë sikurse ishte komunizmi (Rusia, Europa Lindore përgjithësisht), iu shkaktuan popujve të tyre humbje dhe dëme të mëdha, ndër të cilat, humbja e hapit të kohës, dalja nga procesi, ishin më të rëndat.

Shqipëria, në paraluftën e Dytë Botërore e gjeti veten të lidhur ekonomikisht e ushtarakisht pothuajse vetëm me Italinë. Fatura tanimë dihet: aventura ushtarake Italiane për pushtimin e Greqisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, rezultoi në një disfatë dhe tërheqje të turpëshme strategjike, që faktorizoi në Shqipëri pan-sllavizmin, ortodoksinë politike dhe komunizmin. Politika Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, përgjithësisht e orientoi popullin Shqiptar për nga qëndresa antifashiste, gjë që shkonte në pajtim me rrjedhën e procesit mbarëbotëror. Por kjo arritje u degjenerua menjëherë pas Luftës, kur Shqipëria u rreshtua në ideologjinë dhe praktikën politike të komunizmit, gjë që i kushtoi Shqipërisë dy breza njerëzorë kohë të humbur.

Paslufta e Ftohtë e futi botën në një proces tjetër: shpërbërjen e krijesave artificiale, sikurse ishin Bashkimi Sovjetik, Çekosllovakia apo Jugosllavia, etj. Në vend të tyre, me ose pa dhunë, u ringritën entitete që e kishin gëzuar në kohëra statusin shtetëror apo autonom. Si e tillë, ringritja e Kosovës, shënon përfundimin e këtij procesi historik, për t’i lënë vendin një procesi të ri që përshtatet natyrshëm me prirjen globale: Integrimi mbarë-Europian dhe Euro-Atlantik.

Pikërisht këtu është edhe udhëkryqi: Do të ecim në përshtatje me këtë prirje të lidhjes, harmonizimit dhe integrimit në njeri tjetrin të të gjithë faktorëve Shqiptarë dhe integrimit kombëtar në idenë e madhe dhe praktikën e bashkimit në dhe përmes strukturave Europiane e Euro-Atlantike, apo do të mënjanohemi nga kjo prirje e procesve rajonale e globale për t’u marrë veçmas me procese të bashkimit kombëtar?

Tehu ku ndahen të dy proceset është: A do të mbijetojnë në kufijtë e sotëm entitetet që e kanë gëzuar dikur dhe iu është njohur edhe sot statusi shtetformues, përkatësisht Maqedonia, Bosnjë-Herzegovina dhe Kosova? Nëse këto entitete do të mbijetojnë, atëhrë problemi përfundon këtu. Nëse këto entitete nuk do të mbijetojnë, domethënë nëqoftëse këto nuk do ecin në përshtatje me prirjen e procesit – përkatësisht me integrimin brendapërbrenda dhe integrimin në Europë, por, përkundrazi, do të shkojnë për nga shpërbërja, atëherë, në këtë rast, do të kemi një reaksion tjetër zinxhir ku secili shtet-komb do të kërkojë bashkim me komunitetet kombëtare që ka apo percepton se ka jashtë kufijve të sotëm. Atëherë, do të krijohen drejtëpeshime të reja dhe, sikurse ka ndodhur rëndom, veçanërisht në Ballkan, prishja e drejtëpeshimeve, zakonisht është shoqëruar me dhunë e luftë. Kësisoj, Ballkani do të futet përsëri në rrethin vicioz të konfliktit.

Shqipëria dhe Shqipëtarët sot, për herë të parë në historinë e tyre, janë përcaktuar e renditur në rrjedhën e proceseve mbarërajonale e më gjerë. Nuk duhet t’a humbim këtë çast gjeopolitik.  Komuniteti demokratik ndërkombëtar lejoi apo, më saktë nxiti, një proces shpërbërjeje të një krijese artificiale sikurse ishte Jugosllavia. Prandaj u lejua Maqdonia, prandaj u lejua edhe Bosnja. Më vonë, komuniteti demokratik ndërkombëtar nxiti edhe shpërbërjen e Serbisë, sepse edhe ajo ishte një krijesë artificiale. Por u përcaktua një kufizim i qartë: ky proces do përfshinte vetëm shpërbërjen e krijesave artificiale të formuara nga dy e më shumë  entitete, të cilat, veç e veç, e kishin gëzuar në kohëra statusin si entitete shtetërore apo autonome, sikurse ishte Serbia dhe Kosova. Ky ishte kufiri i fundit. Në fund të fundit, procesi i shpërbërjes merr vlerë, si për kombet, ashtu edhe për paqen e sigurinë kombëtare e ndërkombëtare, kur ndikon krijesat artificiale dhe kur rikrijon, në vend të tyre, entitete me qëndrueshmëri natyrale. Procesi i shpërbërjes nuk parakupton një reaksion zinxhir shpërbërjesh të tjera, të cilat, të paktën në kushtet e sistemit të sotëm të sigurisë, por edhe të prirjeve rajonale e globale, normalisht, nuk shkon krahas rrjedhës së proceseve.

Sigurisht, askush nuk i fut të gjitha vezët në një shportë. Mundësia e shpërbërjes së mëtejshme të entiteteve të rajonit ka gjasat e veta. Por askush nuk mund të parashikojë me saktësi se nga do të anojë në këtë rast drejtëpeshimi kosto-fitim. Prandaj çështja shtrohet: do të vijojmë të rrojmë vetëm me ndjenjat për Shqipërinë etnike, apo, krahas, do të shprehim e sigurojmë interesa të arritëshme kombëtare të Shqipërisë shtetërore?

Të kënaqësh interesat kombëtare do të thotë të premtosh transformim kombëtar. Ky është pra, “Rubikoni” ynë: transformim i ndjenjave kombëtare në interesa të arritëshme kombëtare. Prandaj ne, së pari, duhet t’i shprehim qartë, pastër e lidhëshëm këto interesa. Pastaj, të kemi guximin për t’i paraqitur këto interesa sipas shkallës së rrezikut për mbijetesën, mirëqënien, lirinë apo sigurinë e Kombit Shqiptar. Në vijim, që të mos dështojmë siç kemi dështuar, ne duhet të përcaktojmë bartësit kombëtarë që do të duhet të zhvillojnë këto interesa apo t’i shpëtojnë nëqoftëse rrezikohen. Më në fund, a kemi llogari kombëtare për t’i mbështetur këto interesa?

Në këtë këndvështrim, do mendoja që përmbajtja e interesave kombëtare të Shqiptarëve, mund të formulohej më e plotë si më poshtë:

Për Kosovën. Kosova – një nga kryeqendrat e etnisë Shqiptare dhe, njëherësh një nga entitetet e federatës së kundërnatyrshme Jugosllave, plotësonte të gjitha atributet juridike dhe i kishte të gjitha fuqitë e aftësitë për të jetuar si shtet më vete. Por trashëgimia historike Serbe e mbijetesës përmes pushtimeve dhe nacionalizmi genocidist nuk i emancipoi dot politikanët Serbë për t’a pranuar këtë realitet, prandaj botës së qytetëruar dhe vetë Shqiptarëve të Kosovës iu deshën t’ia detyrojnë atë me forcë.

Kosova është tanimë një shtet i shpallur kombëtarisht dhe në proces për njohjen e plotë ndërkombëtare. Këtu e tutje lojën duhet t’a luajnë vetë Shqiptarët e Kosovës, me qëllim që realitetet potenciale, fuqitë e aftësitë t’i kthejnë në realitete institucionale, ekonomike, arsimimi, sigurie, etj. Zgjidhja më e mirë e provuar nga e gjithë historia për t’iu dhënë frymëmarrje këtyre realiteteve është qarkullimi i lirë dhe intensiv i vlerave, ideve, mallrave dhe njerzve me shtetet fqinjë e më gjerë. Në këtë kuadër, Shqipëria bashkëkombëse është shteti natyral për t’u integruar jo vetëm në ekonomi, arësim, siguri, etj, por edhe midis institucioneve homologe. Prandaj, plotësimi i kudrit politik për njohjen dhe sigurinë e shtetit të Kosovës, forcimi i identitetit kombëtar Shqiptar, hapësira e lirë tregëtare, sociale, arsimore e kulturore me trojet e tjera Shqiptare dhe integrimi i plotë Shqipëri – Kosovë, janë interesa kombëtare jetësore të Shqipërisë. Nëse Shqipëria do të arrijë integrimin e plotë me Kosovën, atëherë me siguri do të garantojnë edhe bashkimin. Por, nëse flasin për bashkimin pa bërë integrimin e plotë, atëherë do të kompromentohen të dyja proceset, si bashkimi, edhe integrimi.

 

Për Maqedoninë. Maqedonia – një nga entitetet e federatës së kundërnatyrshme Jugosllave, plotësonte drejtëpërdrejtë atributet juridike dhe i kishte të gjitha fuqitë e aftësitë për të jetuar si shtet më vete. Gjithsesi, mbijetesa e Maqedonisë së pavarur kushtëzohej nga katër shtete: Bullgaria që e pretendonte jo thjeshtë minoritetin Bullgar; Greqia që fsheh shumë më shumë sesa “çështja” e emrit “Maqedoni”; Serbia që kërkon t’a mbajë lidhur Maqedoninë për “shkak” të vijimësisë së trashëgimisë politike, ekonomike e fetare si qendra e pushtetit të Ish Jugosllavisë; Shqipëria që ka legjitimitetin e interesit jetësor kombëtar për shkak të faktit se trojet Shqiptare në Maqedoni përbëjnë një nga kryeqendrat e etnisë Shqiptare dhe se popullsia Shqiptare atje përbën një entitet shtetformues e  jo thjeshtë një pakicë kombëtare.

Por frymëzimet nacionaliste i verbuan politikanët Maqedonas për të kuptuar e pranuar këtë realitet Shqiptar. Prandaj botës së qytetëruar dhe vetë Shqiptarëve të Maqedonisë iu deshën t’ia imponojë Maqedonisë këtë realitet. Nëqoftëse politikanët Maqedonas do të zgjidhnin vetizolimin për t’i shpëtuar këtij realiteti, atëherë fatura do t’iu shkonte të gjitha grupimeve të popullsive të ndryshme etnike që e mbajnë në këmbë këtë shtet. Por vetëizolimi e ka provuar veten se ku të çon. Në këto kushte, zgjidhja më e mirë dhe e provuar nga e gjithë historia edhe për Maqedoninë ishte dhe është pranimi dhe nxitja e qarkullimit të lirë dhe intensiv të vlerave, ideve, mallrave dhe njerzve me shtetet fqinjë e më gjerë. Në këtë kuadër, Shqipëria, që e lidh me Maqedoninë jo vetëm kufri shtetëror, por edhe një popullsi bashkëkombëse në nivel konstitucional, ka interes jetësor për këtë qarkullim midis dy vendeve. Prandaj, siguria e njësuar e të drejtave politike e vetadministrative të bashkëatdhetarëve në trojet Shqiptare në Maqedoni, ruajtja dhe forcimi i identitetit kombëtar Shqiptar dhe hapësira e lirë tregëtare, sociale, arsimore e kulturore me trojet e tjera Shqiptare, janë interesa kombëtare jetësore të Shqipërisë. Nëse i ndërtojmë dhe i fuqizojmë si duhet e sa duhet këto interesa, atëherë jemi në gjëndje të mbajmë gjallë idenë e bashkimit në kohën e duhur.

 

Për Malin e Zi. Mali i Zi – një nga entitetet e federatës së kundërnatyrshme Jugosllave, plotësonte drejtëpërdrejtë atributet juridike dhe i kishte të gjitha fuqitë e aftësitë për të jetuar si shtet më vehte. Bashkatdhetarët Shqiptarë në Malin e Zi përbëjnë një faktor të rëndësishëm ekonomik, administrativ e, madje, edhe politik. Duket se politikanët Malazesë e kanë kuptuar dhe e kanë vlerësuar këtë faktor. Nëqoftëse do të përcaktonin tjetër zgjidhje, atëherë fatura do të ishte e rëndë, jo vetëm për Shqiptarët. Në këto kushte, rruga më e mirë dhe e provuar nga e gjithë historia, edhe ajo e Malit të Zi, ishte dhe është qarkullimi i lirë dhe intensiv i vlerave, ideve, mallrave dhe njerzve me shtetet fqinjë e më gjerë. Në këtë kuadër, Shqipëria, që e lidh me Malin e Zi jo vetëm kufri shtetëror, por edhe një popullsi bashkëkombëse në nivel faktori të rëndësishëm ekonomik, administrativ e politik, ka interes jetësor për këtë qarkullim midis dy vendeve. Prandaj, siguria e të drejtave politike e vetadministrative të bashkëatdhetarëve në trojet Shqiptare në Mal të Zi, ruajtja dhe forcimi i identitetit kombëtar Shqiptar dhe hapësira e lirë tregëtare, sociale, arsimore e kulturore me trojet e tjera Shqiptare, janë interesa jashtëzakonisht të rëndëishme kombëtare të Shqipërisë. Nëse i ndërtojmë dhe i fuqizojmë si duhet e sa duhet këto interesa, atëherë jemi në gjëndje të mbajmë gjallë lidhjet e duhura.

 

Për Luginën e Preshevës. Lugina e Preshevës – përndryshe, krahinë e pastër etnike Shqiptare, e shkëputur nga Shqipëria Veri-Lindore për të kënaqur kalkulimet e interesave Ballkanike e Europiane, në vlerësim të rëndësisë së jashtëzakonshme gjeostrategjike në qendër të korridorit përgjatë Lumit Moravë dhe Vardar, mbeti nën Serbinë. Gjithsesi, popullsia Shqiptare e kësaj Lugine plotëson të gjitha atributet, si dhe i ka të gjitha fuqitë e aftësitë për t’u vetëadministruar. Por trashëgimia historike Serbe e mbijetesës përmes pushtimeve dhe nacionalizmi genocidist iu rëndojnë dhe do t’iu rëndojnë akoma politikanëve Serbë për t’a pranuar plotësisht këtë realitet.

 

Prandaj, duhet të zhvillohen të gjitha inisiativat për sigurimin e të drejtave politike, administrative e njerzore të popullsisë së Luginës, duke mbajtur hapur të gjitha urat lidhëse me bashkëkombasit në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri për lirshmëri lëvizjeje vlerash, idesh, mallrash dhe njerzish. Shqiptarëve në Luginën e Preshevës iu duhet të mbajnë gjallë përpjekjet për të fituar plotësisht statusin e vetëadministrimit, me qëllim që fuqitë t’i kthejnë në aftësi të pjellshme administrative. Kosova do të jetë shteti fqinjë i drejtëprdrejtë që do të duhet të ndikojë mbi Serbinë për të respektuar të drejtat politike, administrative e njerzore të popullsisë së Luginës. Në këtë kuadër, Shqipëria, në bashkërendim me Kosovën, duhet të sensibilizojnë institucionet e të drejtës ndërkombëtare, si dhe të vënë në lëvizje institucionet kombëtare për të arritur që të sigurohen këto të drejta për bashkatdhetarët e Luginës dhe për të nxitur qarkullimin e lëvizjes, vlerave, ideve, mallrave dhe njerzve me bashkatdhetarët në trojet e tjera Shqiptare. Prandaj, siguria e të drejtave politike e vetadministrative të bashkëatdhetarëve në trojet Shqiptare në Luginën e Preshevës, ruajtja dhe forcimi i identitetit kombëtar dhe hapësira e lirë tregëtare, sociale, arsimore e kulturore e tyre me trojet e tjera Shqiptare, janë interesa jashtëzakonisht të rëndësishme kombëtare të Shqipërisë. Nëse i ndërtojmë dhe i fuqizojmë si duhet e sa duhet këto interesa, atëherë do jemi në gjëndje të mbajmë gjallë idenë e bashkimit në kohën e duhur.

 

Për emigracionin dhe diasporën Shqiptare. Një mendje fatale i shtyn Shqiptarët t’a kërkojnë lumturinë jashtë vendit të vet. Kombi Shqiptar, edhe sikur të kishte bërë një dyzinë luftrash pushtuese, nuk do të kishte humbur aq shumë resurse njerëzore sa ka humbur nga emigrimi. Më shumë sesa një e treta e popullsisë Shqiptare nuk jeton më në troje Shqiptare, por është (ose po bëhet) pjesë e kombeve të tjera – përndryshe, një humbje e dyfishtë: humbasim Shqiptarë dhe fuqizojmë kombe të tjera. Kombet e tjerë, sado të qytetëruar e shumë të qytetëruar, nuk janë kaq bujarë për të dhënë kaq shumë gjak falas. Përkundrazi, kombet e tjerë janë aq zgjuar, sa për të fituar dyfish luftëra të pakryera. Kombi nuk mund t’a ketë ndërgjegjen të qetë kur një të tretën e vet, madje pjesën më rinore të tij, ua “dhuron” kombeve të tjerë. Kjo vetëm bujari nuk është. Më e pakta, është paaftësi kombëtare, ndërsa mungesa e mbështetjes dhe interesimit për të ardhmen e emigracionit dhe diasporës Shqiptare, mund të jetë krim kombëtar.

Gjithsesi, kjo aortë ende e hapur gjaku Shqiptar është një fakt i pakthyeshëm, ose vështirë i kthyeshëm. Ajo që i mbetet Shqipërisë është të përpiqet që të mos humbasë identiteti kombëtar i këtij emigracioni dhe i kësaj diaspore. Vetëm kështu emigracioni dhe diaspora do mund t’i mbajnë sytë nga Shqipëria. Prandaj, ruajtja e identitetit kombëtar të emigracionit dhe diasporës Shqiptare është interes jashtëzakonisht i rëndësishëm kombëtar i Shqipërisë.

 

Shqipëria dhe te Shqiptarët përgjithësisht identifikojnë te Shtetet e Bashkuara të Amerikës interesa komplementare të partneritetit strategjik, veçanërisht në fushën e sigurisë në dhe për rajonet e Ballkanit e Mesdheut. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës – përçues dhe mbrojtës të vlerave të lirisë, prosperitetit, demokracisë dhe qytetërimit, qenë mbështetësit e pazëvendësueshëm për t’i integruar Shqipërinë dhe Shqiptarët në këto vlera. Në sajë të kësaj mbështetjeje, Shqipëria dhe Shqiptarët në fundshekullin e 20-të dhe fillimshekullin e 21-të kanë bërë transformimin e madh, duke kaluar nga statusi i kombit të nëpërkëmbur, në statusin e kombit të barabartë dhe të pyetur në rajon e më gjerë. Nga ana e tyre, kombi Shqiptar dhe institucionet e tij, i janë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke i siguruar njëherësh asaj mbështetjen proporcionalisht të barabartë në misionet me interes të përbashkët, të sigurisë e paqes në botë. Prandaj, aleanca strategjike me SHBA është interes kombëtar jetësor i Shqipërisë.

 

Identiteti dhe interesat kombëtare të Shqipërisë dhe Shqipëtarëve nuk janë përqasur kurrë në historinë e vet me asnjë familje tjetër kombesh të imponuara nga koha apo rrethanat, përveçse me familjen Europiane, e mishëruar sot me NATO dhe BE. Prandaj, aleanca strategjike me NATO-n dhe antarësimi në BE, përbëjnë interesa kombëtare jetësore të Shqipërisë.

 

Italia ka qenë mbështetësja e përhershme e mbijetesës kombëtare të Shqiptarëve në trojet e tyre. Rrugëkalimi më i rëndësishëm strategjik drejt Lindjes i Perandorisë paraardhëse Romake të Italisë, kalonte pikërisht mespërmes trojeve Shqiptare. Por edhe sot e në të ardhmen, përmes trojeve Shqiptare, Italia ka e do të ketë mundësitë më të mëdha për një rigjallërim të bujshëm të ekonomisë kombëtare të saj. Ekonomia Italiane, në krahasim me vendet e tjera, ka patur në të gjitha kohërat përparësinë në ekonominë Shqiptare. Por zhvillimet e pritëshme që lidhen me korridoret e naftës e të gazit, si dhe dinamikat e tjera të zhvillimit që bart Europa Jugëlindore, do të bëjnë që Shqipëria të përjetojë një shkëmbim të pashoq strategjik me Italinë në fushën ekonomike. Rivitalizimi në trajta moderne i Rrugës Egnatia apo i çdo korridori që lidh Europën Jugëlindore me Italinë përmes Shqipërisë, do të jetë një transformim rrënjësor për ekonominë Shqiptare dhe përgjithësisht për mirëqënien e sigurinë e Shqiptarëve në të gjitha trojet e tyre. Infrastrukturat që lidhen me këto dinamika do të faktorizojnë Durrësin e Shkupin në rajon, duke ndikuar kësisoj edhe në rritjen e përmasës së thellësinë horizontale të hartës politike të trojeve Shqiptare, e lënë enkas e ngushtë nga kalkulimet e vitit 1912, me qëllim që Shqipëria në çdo kohë të këputej lehtëisht në mes. Prandaj, aleanca strategjike me Italinë është interes kombëtar jetësor i Shqipërisë.

 

Çdo fuqi tjetër Lindore, përveç Turqisë, ka synuar dhe është përpjekur t’a tretë kombin Shqiptar. Në këtë kuptim, prirja Shqiptare për nga Perandoria Otomane, ka pjesën e vet në shpëtimin e identitetit kombëtar të Shqiptarëve. Kundërqëndresa Shqiptare ndaj Perandorisë Otomane shërbeu për njohjen e forcës së identitetit Shqiptar, të cilin Perandoria gjithsesi e respektoi. Shqiptarët i dhanë jo pak Perandorisë. Historikisht midis dy kombeve është krijuar një lidhje e natyrshme. Sot, rrethanat gjeopolitike e kanë prurë që Turqia të riciklohet në thellësinë e dikurshme strategjike, natyrisht në përmasa, forma e mjete moderne. Përveç rrugëkalimit klasik të Ngushticave, Turqia do të kontrollojë korridoret kryesore të gazit e të naftës që adresohen për në Europë. Regjimi politik moderator që gëzon Turqia, e bën atë të afërt si me Perëndimin, edhe me Lindjen. Në këto kushte, Turqia i ka të gjitha mundësitë gjeostrategjike që, në një të ardhme afatmesme, të shndërrohet në një fuqi të madhe me ndikim të gjerë politik, sigurie, ushtarak dhe ekonomik në zemër të dy kontinenteve. Shqipëria dhe Shqiptarët janë të privilegjuar të kenë përfshirjen miqësore brenda kësaj thellësie strategjike të Turqisë. Prandaj, aleanca strategjike me Turqinë përbën interes kombëtar jetësor të Shqipërisë. Krijimi i një korridori të gjerë tregëtar që kalon nëpër Shqipëri dhe që lidh Turqinë me Italinë, ashtu sikurse e pati këshilluar edhe Ismail Bej Vlora – themelues i Shtetit Shqiptar, do të kryejë një transformim rrënjësor për ekonominë Shqiptare dhe përgjithësisht për mirëqënien dhe sigurinë e Shqiptarëve në të gjitha trojet e tyre.

 

Shqipërinë e deshi Austro-Hungaria – Fuqi nga më të mëdhatë e kohës që mbështeti kombin më të vjetër të Ballkanit për të ruajtur identitetin Europian në Gadishull. Me shpërbërjen e Austro-Hungarisë – natyrshëm zona nevralgjike e interesit të saj, përkatësisht Europa Jugëlindore, u shndërrua në zonë interesi të Gjermanisë. Është fat që Shqipëria dhe Shqiptarët përfshihen në këtë zonë interesi të Gjermanisë, madje që janë një komb i respektuar prej gjermanëve. Gjermania, ashtu sikurse është gjeografikisht në zemër të Europës, ashtu do të jetë edhe në zemër të zhvillimeve të ardhëshme Europiane përmes fuqisë së saj ekonomike, mendjes dhe shpirtit karakteristik Gjerman. Për këto e të tjera arësye, aleanca strategjike me Gjermaninë është interes kombëtar jetësor i Shqipërisë.

 

Shqipëria zotëron një nga katër kalimet kyçe detare për në Detin Mesdhe, ku historikisht dhe aktualisht Mbretëria e Madhe ka patur dhe ka interesa strategjike, të cilat kanë qenë të përputhëshme me interesat e kombit Shqiptar. Mbretëria e Madhe, përkrah SHBA, zhvilloi një kontribut të padiskutueshëm që Shqipëria dhe Shqiptarët në fundshekullin e 20-të dhe fillimshekullin e 21-të të bënin transformimin e madh, duke kaluar nga statusi i kombit të nëpërkëmbur, në statusin e kombit të barabartë dhe të pyetur në rajon e më gjerë. Me Mbretërinë e Madhe bashkëplotësojmë interesa dhe aleanca. Prandaj, aleanca strategjike me Mbretërinë e Madhe përbën interes kombëtar jetësor të Shqipërisë.

 

Franca, me impulset që iu ka dhënë kombeve Europiane, mdis tyre edhe kombit Shqiptar, për afirmimin e identitetit kombëtar, si dhe me kulturën që i ka dhënë njerëzimit, përbën një pikë referimi vlerash universale. Franca ka qenë veçanërisht e interesuar për të krijuar një zinxhir partneriteti me kombet e vegjël, ndër ta edhe me kombin Shqiptar. Prandaj partneriteti strategjik me Francën përbën interes jashtëzakonisht të rëndësishëm kombëtar të Shqipërisë.

 

Bullgaria. Nisur nga zhvillimet e pritëshme në fushën e sigurisë ekonomike të Europës përgjithësisht dhe të Ballkanit e trojeve Shqipëtare veçanërisht, nga nevoja për dinamizimin e infrastrukturave horizontale në Ballkan, si dhe nga interesi i përbashkët për qëndrueshmërinë e Maqedonisë, mund të nxjerrim përfundimin se me Bullgarinë kemi mjaft interesa bashkëplotësuese të nivelit strategjik. Një korridor i zhvilluar infrastrukturor Itali-Bullgari do mund të sillte për Europën Jugëlindore ato rrjedhime që pati sjellë hapja e Kanalit të Suezit për Mesdheun. Me korridorin Itali-Bullgari, balanca klasike e porteve detare kalon në anën e porteve Shqiptare e Bullgare. Prandaj, një partneritet perspektiv strategjik me Bullgarinë përbën interes të rëndësishëm kombëtar të Shqipërisë.

 

Greqia. Me Greqinë na ka lidhur një fat i përbashkët historik, por jo gjithnjë kahje të përbashkëta sjelljeje. Shqipëria ka zbatuar me korrrektesë, madje me lëshime të pashoqe, të drejtat e minoritetit Grek në Shqipëri. Greqia, normalisht ka interes të ligjshëm kombëtar për minoritetin e vet që jeton në Shqipëri, por ky interesim nuk mund të justifikojë Planin e Bashkërenduar të Zbatimit të Idesë së Greqisë së Madhe, që është në proces e në perspektivë prej mbi një shekull dhe që përfshin greqizimin e Shqipërisë Jugore. Prandaj, për aq sa nuk ndryshon kjo sjellje, interesi kombëtar i Shqipërisë mund të jetë vetëm partneriteti i kufizuar dhe i kushtëzuar me Greqinë. Shqipëria, ashtu si çdo shtet tjetër serioz, ka një sovranitet shtetëror, ekonomik, kulturor, fetar e arsimor dhe nuk mund të lejojë që ai të shkelet.

 

Prestigji kombëtar. Shumë qarqe në Ballkan e më gjerë kanë qenë e vijojnë të jenë të interesuar t’i paraqesin Shqipërinë e Shqipëtarët me ngjyrat më të errëta, duke përgjithësuar dukuritë negative kalimtare që, normalisht, i ka përjetuar çdo komb e çdo popull. Synimi i këtyre qarqeve është të mbahen gjallë rrënjët e terrorit të kahershëm psikologjik për të mos lënë hapësirë për Shqiptarët “e egër” të integrohen me njeri tjetrin, sepse bëhen “të rrezikshëm”.

Por Shqipërinë e turpërojnë jo rrallë vetë Shqiptarët, me çka flasim apo nuk flasin, me çka bëjnë apo nuk bëjnë, si shtetarë apo si qytetarë. Ne na duhet me çdo kusht të krijojmë një sjellje apo një pakt kombëtar, të paktën për çështje kombëtare. Prestigji kombëtar lidhet me disa ligje – do thoja, të shenjta. A nuk është i shenjtë, për shembull, ligji i reciprocitetit? Si është e mundur të lejojmë që shtete të tjera të thonë ç’të duan për Shqiptarët e Shqipërinë, të bëjnë ç’të duan në tokën apo ujrat tona apo të sillen si të duan me qytetarët tanë dhe ne të tregohemi kaq të “sjellshëm” sa për të mos mbajtur qëndrime a për të kryer kundërveprime? Moszbatimi i ligjit të reciprocitetit mund të jetë krimi më i rëndë ndaj interesave kombëtare. Prandaj, prestigji kombëtar i Shqipërisë dhe i Shqiptarëve, është interes jashtëzakonisht i rëndësishëm kombëtar. Ne nuk mund të ndryshojmë paragjykimet apo keqdashjen ndaj Shqiptarëve, por kemi shumë në dorë të ndryshojmë prestigjin tonë kombëtar.

 

Status kombëtar për institucionet fetare. Ne Shqiptarët nuk kemi fe të përbashkët kombëtare dhe, për këtë arësye, kemi një identitet më pak sesa kombe të tjerë. Kombe dhe shtete të tjerë identifikohen me fenë. Madje, ndonjë nga fetë e mëdha ka lindur si nevojë për të mbështetur strukturat politike. Për këtë arësye, institucionet e tyre fetare, kudo ku shtrihen, kryejnë misione të politikave shtetërore në vend të funksioneve apostolike.  Në jo pak raste, ato kanë qenë partnere në genocidin shpirtëror e fizik të ushtruar ndaj Shqiptarëve. Prandaj statusi kombëtar i institucioneve fetare në Shqipëri, brenda kuadrit teologjik, është shpëtimtar për ruajtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar dhe, për këtë arësye, është interes jetësor kombëtar.

 

Në kushtet kur nuk kemi fe kombëtare, kemi, besoj, një instrument tjetër për t’a zëvendësuar atë: shenjtërimin e historisë kombëtare dhe të trojeve Shqiptare. Të gjithë popujt e kombet i adresohen këtij instrumenti. Njeri prej tyre, shkruan mbi mauzoleun e vet kombëtar: “O të mëdhenj. Kombi Ju është mirënjohës.” Etërit e kombit nuk mund të parcelizohen sipas bindjeve politike, apo për besueshmëri politike, por sipas kontributeve për kombet e tyre. Kombin e sjell më afër një monument lavdie kombëtare, sesa qindra kisha apo xhami. Monumenti i Pavarësisë në Vlorë është një i tillë që, thuajse me fuqi hyjnore, “urdhëroi” një komb të tërë të bëhej bashkë më 28 Nëntor 2012. A nuk duhet të të monumentalizojmë – për interesa kombëtare e humane, me të drejtën e Zotit, të rënët apo të vrarët e kombit Shqiptar në masakrat dhe genocidin masiv që kanë ushtruar fqinjët tanë tokësorë në të gjitha trojet Shqiptare dhe në të gjitha kohërat? Ne duhet të japim mesazhin e një kombi të qytetëruar për të shpallur Vend të Shenjtë të Kombit Shqiptar Shtëpinë ku u mblodh Kongresi i Manastirit për Gjuhën Shqipe, nga ku u shpëtua identiteti Europian i Shqipëtarëve. A nuk mund të zëvendësohen me emra shqip emra të huaj vendesh, siç nuk kanë patur turp t’a bëjnë e s’kanë qenë pak të qytetëruar kombe të tjerë që e kanë bërë një gjë të tillë? Ndoshta edhe vetë bullgarët, për shembull, çuditen që emrat e fushimeve të tyre ushtarake ruhen akoma edhe sot pas dhjetë shekujsh në emra vendesh, fshatrash, fushash e malesh Shqiptare. Prandaj, shenjtërimi i historisë kombëtare dhe i trojeve Shqiptare është interes jetësor kombëtar.

 

Gjuha Shqipe është burimi i parë i identitetit kombëtar të Shqiptarëve. Ne duhet t’a zhvillojmë Gjuhën Shqipe me të gjithë larminë e natyrshme që ka çdo gjuhë. Gjuha Shqipe, për fatin tonë, e ka së brendëshmi forcën dhe qëndrueshmërinë e saj natyrale dhe nuk ka nevojë për t’a ringritur. Po të mos ishte e tillë, nuk do t’a kishte ruajtur identitetin përballë dy gjuhëve nga më kultivuarat e njerëzimit. Ka patur madje edhe fuqinë për t’i ushqyer ato. Gjuha Shqipe i ka vetë energjitë e brendëshme për t’u formësuar edhe më mirë. Ajo e di vetë këtë detyrë. Shqiptarëve iu duhet vetëm t’a ndihmojmë, t’a zhvillojmë, t’a pasurojmë e jo t’a diskutojmë apo, më keq, t’a dyshojmë. Prandaj, zhvillimi e pasurimi i Gjuhës Shqipe është interes jetësor kombëtar.

 

Mirëqënia kombëtare. Mirëqënia kombëtare besohet se është interesi më madhor kombëtar i Shqipërisë. Shqiptarët kanë humbur më shumë resurse njerëzore nga emigrimi jashtë trojeve Shqiptare, sesa nga genocidet e ushtruara kundër tyre apo pushtimet e huaja ushtarake. Jemi kombi që zemë vendin e parë për përqindjen e popullsisë së emigruar, madje të pjesës më aktive e më të arsimuar të kësaj popullsie, e cila përzgjedh të jetojë jashtë Shqipërisë, edhe duke mos ushtruar profesionin e vet, edhe në kushte skllavërie apo persekutimi psikologjik. Një lloj vetëvrasjeje e një populli të tërë.

 

Shqipëria i ka të gjitha: vendvendosje të rëndësishme gjeostrategjike; hapësira të privilegjuara për të gëzuar Mesdheun – detin e bekuar të botës; tokën e nëntokën e begatë; gjeografinë veçanërisht të larmishme. Studimet serioze thonë se trojet Shqiptare i kanë të gjitha mundësitë të mbajnë në standarde të përparuara jetese edhe dyfishin e popullsisë së sotme Shqiptare. Atëherë, përse nuk i mban Shqipëria Shqiptarët? Si spjegohet që Shqiptarët gëzojnë e trashëgohen aq shumë në vende e popuj të tjerë? Si spjegohet që Shqiptarë të mëdhenj bënë shtete të tjera, por nuk bënë Shqipërinë? Çfarë nuk ofron Shqipëria? Pse i largon Shqipëria për njerzit e vet?

Duket se ka një shkak themelor: Pasiguria për mirëqënie kombëtare, e cila, nga ana e saj, çon në humbjen e shpresës kombëtare. Të gjitha interesat kombëtare kompromentohen e rrezikohen pa ofertën e mirëqënies, e cila, nga ana e vet, kushtëzohet nga kultura politike e drejtimit të shtetit dhe niveli i qytetërimit. Prandaj rritja e mirëqënies kombëtare është interesi më i madh kombëtar i Shqipërisë dhe i Shqiptarëve. Çdo interes tjetër mbahet gjallë e përparon në atë shkallë sa mbahet gjallë e përparon mirëqënia kombëtare. Jo aq për fatkeqësinë tonë, sesa për fajin tonë, Shqipëria e Shqiptarët, historikisht janë goditur pikërisht në këtë interes themelor. Varfërimi në mirëqënie ka sjellë varfërim në institucione, në sjellje, në qytetërim, në kulturë, në arësim, shkurt, në ndjeshmëritë kombëtare.

Atëherë, cila do të mund të ishte strategjia kombëtare për realizimin e interesave kombëtare?

 

Hapi i parë, do të ishte forcimi i lidhjeve të gjithanëshme midis të gjitha entiteteve Shqiptare, pavarësisht nga shtetet ku janë përfshirë brenda kufijsh. Thelbi i kësaj strategjie është vendosja e lidhjeve të detyrueshme e me frymëmarrje të gjerë midis të gjitha metropoleve Shqiptare, zhvillimi i mundësive të gjithfarëllojta të qarkullimit përmes investimeve në infrastrukturë, arsimim kombëtar, etj. Neve historikisht na kanë lënë pas mungesa e rrugëve dhe urave të komunikimit.  Lidhjet varen nga ne. Por nuk dëmtojmë as tjetrin. Prej autostradave të mëdha do të vijnë edhe efeketet e lidhjeve të tjera sociale, ekonomike, kulturore e sportive brendakombëtare, të cilat do të nxisin më shumë prirjet për integrim të ndërsjelltë midis Shqiptarëve, familjeve dhe institucioneve të tyre në të gjitha trojet . Rruga e Kombit, për shembull, është një arritje me spektër kombëtar, sepse lidh metropolet Shqiptare në boshtin Jug-Veri. Por përparësia duhet të shkojë në investimet infrastrukturore që lidhin metrolpolet e mëdha Shqiptare në boshtin Perëndim-Lindje, përkatësisht Durrësin e Tiranën me Shkupin, me qëllim që të vitalizohen korridoret që lidhin Italinë me Turqinë – aktorë me peshë të ndjeshme në gjeopolitikën e ardhëshme botërore. Investimi i fuqishëm në këtë bosht ndikon po aq fuqishëm thuajse të gjithë interesat kombëtare të Shqipërisë dhe të Shqiptarëve përgjithësisht.

Hapi i dytë, do të ishte zhvillimi, qysh sot atje ku është e mundur, i integrimit social, ekonomik, kulturor e institucional me vendet ku Shqiptarët janë faktorë politikë e administrativë.

Nëse do të hedhim siç duhet, kur dhe sa duhet, dy hapat e parë, atëherë do mund të krijojmë të gjitha potencialet edhe për të ardhmen e Bashkimit Kombëtar, varësisht nga prirjet e proceseve rajonale e globale, situatave gjeopolitike dhe interesave kombëtare.

Shprehja qartë, pastër e lidhshëm e interesave kombëtare është, natyrisht, hapi i parë i domosdoshëm, por jo kryesori. Ajo çka është më e rëndësishme, interesat kombëtare duhen siguruar. Përndryshe mbetemi vetëm në ndjenja. Por vetëm ndjenjat nuk mund t’i sigurojnë interesat kombëtare. Prandaj çdo interes kombëtar duhet mbështetur me programe e projekte kombëtare. Për shembull, nëqoftëse pranojmë se ruajtja e identitetit kombëtar të emigracionit dhe diasporës Shqiptare, është interes kombëtar i Shqipërisë, atëherë Shtëti Shqiptar duhet të hartojë e të sigurojë një status për emigracionin dhe diasporën Shqiptare.  

Për më tej, me qëllim që programet dhe projektet kombëtare të mos kthehen në fjalime moralizuese, duhet të caktohen edhe bartësit kombëtarë. Ne nuk mund të ecim përpara pa krijuar instrumente të përbashkëta për të mirën kombëtare. Për shembull, nëse pranojmë se ruajtja e identitetit kombëtar të emigracionit dhe diasporës Shqiptare është interes kombëtar dhe përcaktojmë edhe një status për këtë qëllim, atëherë, normalisht, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës do mund të emërtohej: “Ministria e Arësimit Kombëtar dhe e Shkencës”.

Por interesat kombëtare pa institucione kombëtare, nëmos kompromentohen krejtësisht, në rastin më të mirë, mbeten vetëm në nivelin e ndjenjave kombëtare. Në fund të fundit, kombin e lidh shteti, institucionet kombëtare. Aftësia dhe fuqia për të siguruar e mbrojtur interesat kombëtare përcaktojnë vetë shtetin. Në këtë kënd, duhet të ketë, për shembull, institucion kombëtar që lidh ekonominë kombëtare, institucion kombëtar që lidh kulturën kombëtare, etj, etj. Për më tej: Cili është institucioni që lidh sigurinë kombëtare nëqoftëse këtë term e përdorim aq rëndom? Si mund të transformohet Shqipëria Shtetërore për t’u lidhur me Shqipërinë kombëtare?

Kemi ardhur kështu te thelbi i çështjes: Një komb serioz nuk mund t’i arrijë këto synime e t’i kënaqë këto interesa pa një planifikim kombëtar afatgjatë. Në fund të fundit, planifikimi kombëtar afatgjatë është treguesi themelor që e dallon një komb të qytetëruar nga një komb i paqytetëruar. Ne nuk mund të zhvillojmë interesat kombëtare pa krijuar aftësi e kapacitete kombëtare për të parashikuar dhe drejtuar ngjarjet në mënyrë sistematike, pa vizion përtej të nesërmes. Kombi Shqiptar është mjaftueshmërisht në proces për të mos mbetur në vend, për t’u transformuar, domethënë për t’u renditur ndër kombet e qytetëruar.

Interesat kombëtare nuk mund të zhvillohen pa projekte e programe kombëtare e aq më pak vetëm me ndjenja kombëtare. Një komb serioz çmohet për të gjithë procesin e realpolitikës dhe jo vetëm për procesin e moralpolitikës. Asnjë komb serioz nuk braktis interesat kombëtare – prej këtej sigurinë kombëtare, për hatër të virtuteve dhe moralit universal. Vetëm kombet me identitete dhe interesa të respektuara kombëtare kanë ç’ti ofrojnë jo vetëm vetes, por edhe njerëzimit.

Filed Under: Featured Tagged With: Bashkimit Kombetar, Interesave Kombetare, midis dy Shqiperive, Zaho Jahaj

Bashkebisedim vatranesh ne Florida

February 9, 2013 by dgreca

Nga Lek Gjoka/

Ne nje te diele pasdreke ku i gjithe Amerika ishte mberthyer me ethet e finales se madhe te Super Bowl  dega e shoqates “Vatra” ne Jacksonville Florida zhvilloi nje takim bashkbisedimi miqesor me antaret e saj ne nje nga sallat e hotelit”Fairfield Inn & Suites”Jacksonville Butler Boulevard .U mblodhen nje e nga nje antaret e kesaj dege.Megjithese pjesmarrja le per te deshiruar dhe cdo antar duhet te bisedoje disi me vete kur ka vendosur ti sherbeje Atdheut se sherbimi ndaj memedheut do korretese, kohe, shpenzime si dhe lodhje ngarkuar me stres .Sigurisht qe gjithkush e merr shperbilim ndaj ketij sherbimi te shenjte ndaj asnjere nuk duhet te mendojme se cfare na jep neve Shqiperia por cfare i japim ne asaj sepse ajo na ka dhuruar gjakun e shqiptarit qe nuk e blen dot me asnje lloj pasurie.

Takimin e hapi kryetari i deges zoti Adriatik Spahiu ku beri nje pershkrim te shkurt te jetes foshnjore te kesaj dege qe nga 18 Nentori 2012 dita e themelimit e deri ne sot.Foli per arritjet dhe veshtiresite qe kane kaluar ne pak muaj jete. Pastaj beri edhe prezantimin e dy antareve te rinje mesuesen e talentuar nga Pogradeci Lavdie Mato dhe pronarin e firmes “Martini Furniture” nga Lezha Sander Martini.Pasi i falenderoi per deshiren e mire per tu bere pjese e Vatres kesaj familje te madhe te mergates shqiptare te Amerikes iu uroi suksese qe te gjithe bashku te punojme edhe me shume ne bashkimin e shqiptareve jo vetem te Jacksonvilles por te gjithe Florides.

Me pas antari i bordit drejtues Bukurosh Curri foli me gjeresisht per aktivitetet e shoqates si festimin e 100 vjetorit te Pavarsise,vitin e ri 2013 si dhe per koncertin organizuar me aktoret e humorit shqiptar Behar Mera ,Rita Lati dhe kengetaren  Valbona Halili.Gjithashtu ai iu kerkoje antareve te jene disi me aktvive sepse edhe eksperianca ne organizime te tille eshte e paket nga ana e tyre ndaj pa mbeshtjen e te gjitheve suksesi do te jete minimal.

Pas nje heshtje te shkurter nisen diskutimet e antareve ku Doktori i Shkencave Mjeksore zoti Ali Lushnja falenderoi bordin drejtues te shoqates per punen e kryer ne kete pak kohe dhe perkushtimin e madh ndaj diaspores shqiptare te Jacksonvilles sepse dihet qe koha ne Amerike eshte mjaft e shtrenjte dhe e kufizuar Diskutimet nga antaret nisen aq lirshem saqe dukej si nje familje e madhe qe bisedon per hallet,gezimet ,problemet e te gjithe familjes dhe rruget per zgjidhjen e tyre.

Mesuesja Lavdie Mato duke marre fjalen i falenderoi per ftesen dhe e quajti aktin e themelimit te deges se Vatres ne Jacksonville si nje akt te per t’u pershendetur sepse eshte shume e veshtire t’i bashkosh shqiptaret e Jacksonvilles(si kudo ne Amerike) sebashku per arsy nga me te ndryshme.Gjithashtu ajo ftoi bordin drejtues per bashkpunim te me tejshem me shqiptaret e tjere qe po mundohen te krijojne shoqata te tjera por qe ne te shumten e rasteve shuhen ne heshtje ndaj te gjithe te bashkuar do te jemi te gjithe fitimtare dhe jo te deshtuar.

Me pas bordi drejtues foli per planin e shoqates deri ne mbledhjen e rradhes.Gjithashtu bordi  do te mblidhet serisht per te bisedur me tej per organizimin e feste se 8 Marsit festen se Nenave dhe motrave shqiptare ne cdo cep te rruzillit tokesor.

Ne fund si tradite e zakonshme qe jeton gjithmone ne ndienjat e shqiptareve edhe ne mergim si mikpritja, bujaria,etj, kryetari i deges se Vatres  Z. Adriatik Spahiu shtroi nje kontej me ushqime tradicionale shqiptare per nder te dy antareve te rinje qe ju bashkuan kesaj Vatre te madhe me deshiren e mire per te ecur me tej  dhe qe do te mundohen dhe do te punojne me perkushtim me te gjithe antaret e Vatres jo vetem per bashkimin e shqiptareve te Jacksonvilles por edhe te Orlandos dhe Daytona Beach qytete te Florides afer njera-tjetres .Si kujtim eshte edhe nje shkrepje e aparatit fotografikt nga Doktori i Shkencave Mjeksore doktor Ali Lushnja ,  qe tani per tani eshte thjeshte nje fotografi e zakonshme por qe brezat e ardhshem do te ndihen krenare me ne sikur jemi ne krenare per Nolin,Konicen dhe te gjithe vatranet e Amerikes tash nje shekull qe punuan per te miren e shqiptareve dhe te  kombit tone Shqiperise.

Jacksonville Florida

Shkurt 2013

Filed Under: Featured Tagged With: bashkebisedim vatranesh, Lek Gjoka, ne Florida

Independent: “Super-stuhia” diellore po vjen, i kemi 30 minuta kohë

February 7, 2013 by dgreca

Një “super-stuhi” diellore mund të përplaset në satelitët komunikues të Tokës, të shkaktojë mungesë të rrezikshme të energjisë në rrjetin kombëtar dhe t’i shkatërrojë ndihmat madhore të navigacionit të aeroplanëve, thuhet në një raport, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja londineze, “Independent”.
Është e pashmangshme që një stuhi ekstreme diellore – e shkaktuar nga shkëputja e miliarda tonelatave të materies me energji të madhe të Diellit, që lëvizin me shpejtësi prej një milion miljesh në orë – do ta godasë Tokën, një kohë në të ardhmen e afërt, por është e pamundshme të parashihet më tepër se 30 minuta para se aktualisht të ndodhë, ka tërhequr vërejtjen një ekip i inxhinierëve.
Vlerësohet se super-stuhitë diellore ndodhin një herë në 100 ose 200 vjet, ndërsa një stuhi e fundit e këtillë e ka goditur Tokën në vitin 1859, shkruan e përditshmja londineze “Independent” dhe shton se inxhinierët thonë se megjithëqë asgjë nuk ka ndodhur në vitet e gjithësisë, ne jemi shumë më tepër të ndjeshëm tash se sa para një shekulli, për shkak të pranisë gjithëpërfshirëse të elektronikës moderne.
“Konsensusi i përgjithshëm është se super-stuhia diellore është e pashmangshme, pra është çështje vetëm se kur do të ndodhë”, thuhet në raportin e një grupi të ekspertëve të Akademisë Mbretërore të Inxhinierisë në Londër, lidhur me motin ekstrem të gjithësisë, transmeton gazeta “Independent”.
Në gjysmëshekullin e kaluar, ka pasur një numër të “shmangieve nga caku”, kur një eksplodim “masiv i shkëputjes në formë kurore” të materies energjetike nga Dielli është përhapur në gjithësi, duke e anashkaluar për pak Tokën.
Në vitin 1989, një stuhi relativisht e vogël diellore i ka goditur disa transformatorë kryesorë elektrik në rrjetin kombëtar të Kanadasë, duke shkaktuar mungesë të madhe të rrymës elektrike.
Stuhi të ngjashme diellore në mënyrë domethënëse e kanë rritur nivelin e rrezatimit në vitet 1956, 1972, 1989 dhe në vitin 2003, kanë shkruar ekspertët në raportin e tyre.
Profesori Paul Cannon, i cili e ka kryesuar grupin punues të Akademisë për stuhitë diellore, tha se qeveritë duhet t’i formojnë bordet e motit të gjithësisë për t’i mbikëqyrë masat që synojnë minimizimin e ndikimeve të stuhive diellore, shkruan “Independent”.
“Një stuhi diellore do të jetë sfidë, por jo kataklizmë. Dy sfida për qeveritë janë spektri i gjerë i teknologjisë i prekur sot dhe emergjenca e ndjeshmërisë së papritur derisa teknologjia zhvillohet”, tha ai.
“Mesazhi ynë është: mos bëni panik, por përgatituni. Stuhia diellore do të ndodhë një ditë dhe ne duhet të jemi të gatshëm për të”, tha Paul Cannon dhe shtoi se “tashmë janë ndërmarrë shumë hapa për ta minimizuar ndikimin e stuhive diellore në teknologjinë aktuale…Ne vlerësojmë se Mbretëria e Bashkuar edhe më tutje do ta minimizojë ndikimin”.
Stuhitë diellore e godasin Tokën pothuajse rregullisht, por këto janë shumë më të vogla se sa goditja e vitit 1859, që është emëruar sipas astronomit britanik, Richard Carrington, që ishte super-stuhia e fundit diellore e vërtetë.
Një zhvillim i ngjashëm sot do të ndikojë në mënyrë shkatërruese në rrjetin elektrik, ku transformatorët janë veçanërisht të ndjeshëm, pastaj do të ndodhë degradimi i aktivitetit të satelitëve, navigacioni GPS, aviacioni dhe me gjasë rrjeti mobil telefonik, veçanërisht rrjeti i ri 4G, që varet nga satelitët e GPS-it.
“Satelitët janë sigurisht në linjën e parë të super-stuhisë. Ata janë pjesë e infrastrukturës sonë dhe ne kemi shqetësime lidhur me mbijetesën e tyre në super-stuhinë diellore”, thotë Keith Ryden, inxhinier i Gjithësisë në Universitetin Surrey, shkruan në fund të artikullit e përditshmja londineze, “Independent”.

Filed Under: Featured Tagged With: kemi 30 minuta kohe, Stuhia Diellore

DENVER JEWISH FILM FESTIVAL- BESA

February 6, 2013 by dgreca

BESA: The Promise makes its way back to Colorado giving the community of Denver a chance to see the award winning and internationally acclaimed documentary featuring an original score by Philip Glass, at the Denver Jewish Film Festival:

Tuesday February 12th, 5:40pm

Elaine Wolf Theatre, MACCJCC

350 S. Dahlia St. Denver, CO 80246

BESA: The Promise follows the modern-day quests of two men: American photographer Norman H. Gershman and Albanian toyshop owner Rexhep Hoxha. Their parallel journeys reveal the nearly unknown WWII story of thousands of Jews rescued in Albania, a majority Muslim country. The Albanian moral code of besa requires a promise of protection to anyone requesting it, and carries across generations. Rexhep Hoxha’s father sheltered a Jewish family who left behind three precious Hebrew books. Kept hidden during the nearly half-century of repressive communism following the war, Rexhep must now fulfill his father’s besa and return the books – if he can find the family. When Rexhep meets Norman, an unexpected drama is set in motion, uniting fathers and sons, Muslims and Jews.

Following the screening Producer Bill Morgan will be on hand for a Q&A.

BEST DOCUMENTARY AWARD

Last month, BESA: The Promise opened to two sold out screenings in its hometown at the Washington Jewish Film Festival and took home the Audience Award for Best Documentary. At the WJFF screening BESA: The Promise also proved a great subject of interest for a local social group JAM DC (Jewish and Muslims). JAM celebrated their monthly “dinner and a movie” night by attending a screening of BESA: The Promise.

EUROPEAN PREMIERE

BESA: The Promise made its European premiere in Tirana, Albania on November 8th at the 13th Festival of Albanian Film in the 100th Independence Year. Prime Minister Sali Berisha, Speaker of Parliament Jozefina Topalli and Minister of Culture Aldo Bumçi were all in attendance. Also present was Rexhep Hoxha, whose story is central to the film. The capacity crowd gave the film a standing ovation. Although not in competition, BESA: The Promise was presented with a Special Jury Award by the Festival at the closing night gala.

A short video of the visit to Albania can be seen on the film’s Facebook page.

To view a trailer of BESA: The Promise, please visit besathepromise.com. Presskit, links to reviews and publicity stills are available atbesathepromise.com/press. BESA: The Promise is a production of JWM Productions, the multiple Emmy Award-winning documentary company created in 1996 by Jason Williams and Bill Morgan. For more information about JWM Productions, please visit www.jwmprods.com.

The Producers of BESA: The Promise gratefully acknowledge the generous support of the National Endowment for the Humanities in the making of this film.

Filed Under: Featured Tagged With: BESA, Denver Jewish Film Festival

DHIMITER BERATI-FIGURE E SHQUAR PER CESHTJEN SHQIPTARE

February 6, 2013 by dgreca

NGA Angjelina Xhara Papalilo*/

Le te citojme ne radhet e para te ketij shkrimi percaktimin qe i ka bere Ernest KOLIQI, Dhimiter BERATTIT:”Ai eshte dekani i Rilindjes…simbol i gjalle i idealeve qe frymezuan levizjen per Rilindjen Kombetare.”Kete vleresim te larte per atdhetarin e flakte Dhimiter Berati, Koliqi e ka bere pikerisht ne festimet e 60 vjetorit te gazetes se njohur “Dielli “organizuar nga “VATRA” e Amerikes.Dhe me poshte vazhdon:”Njeri me natyre te bute, Dhimiter Berati iu shmanget qendrimeve politike e shoqerore te preme.Perpiqet me  u ba ndermjetes mes rrymave te ndryshme ne pershtatje me autoritetin qe i rridhte nga mosha e nga pervoja e gjate politike…”Dhimiter Berati eshte personalitet i spikatur ne politike ne publicistike  e atdhetarizem.Ai  gezonte me te drejte respektin e dashurine e shume personaliteteve te kohes kur po  krijohej per here te pare  shteti shqiptar.Ne leterkembimet e patrioteve te shquar te kohes si Fan Noli,  Luigj Gurakuqi,Mihal Grameno,Mit’hat Frasheri,Lef Noci,Kristo Dako,Pandeli Evangjeli, Dhimiter Zografi,Pandeli Cale etj,emri i Dhimiter BERATIT permendet per misone te rendesishme politike qe ai merrte persiper, ne rrugetimin e gjate e te veshtire te mekembjes se shtetit shqiptar,duke bere pune te medha me nje perkushtim mahnites.Vete i madhi Ismail Qemali do ta kishte ne krah Dhimiter Beratin ne gjithe rrugen qe pershkoi per shpalljen e Pavarsise, nga Bukureshti,neper Durres e Myzeqe deri ne Vloren historike.

Firmetar i dokumentit te Shpalljes se Pavarsise,Dhimiter Berati vinte ne Vlore si delegat i Kolonise se Bukureshtit me nje veprimtari te gjere memedhetare.

Lindur ne Korce e rritur ne Bukuresht,ku kishte emigruar familja e tij ne fillim te shek 19-te,Dhimiter BERATI u shkollua  ne Universitetin Rumun,per shkencat linguistike e juridike.Qe ne moshe te re, vec shqipes e rumanishtes,me nje pune skurpuloze autodidakte pervehteson gjuhet frengjishte, italishte,gjermanishte,qe do te jene nje arme e shkelqyer e tij ne betejat e ardheshme per mbrojtjen e ceshtjes shqiptare ne bote.Ai shquhet per fryme te thelle patriotike dhe zgjidhet nga Shoqata patriotike e Bukureshtit,ne vitin 1904, si sekretar i saj.Kur familja e tij kthehet ne Korce  Dhimitri punon per nje kohe si mesues ne shkollen e pare shqipe. Merr pjese aktive ne Kongresin e Elbasanit dhe ne Kongresin e dyte te Manastirit,ku vendosej per gjuhen shqipe.Ishte nder organizatoret kryesore ne hotel “Kontinental” ne Bukuresht,prej nga niset ISMAIL Qemali me misionin e madh per shpalljen e  Pavaresise se Shqiperise.

Me besnikeri e devotshmeri te madhe Dhimiter Berati punon e mbeshtet fuqimisht qeverine Vlores,duke qene vec antar i Pleqesise  dhe Drejtor i Pergjithshem i gazetes se pare te shtetit shqiptar”Perlindja e Shqiperise”.

Emocionet e casteve te medha te shpalljes se Shqiperise me vete,Ai do t’i shprehte keshtu 10 vjet me vone ne nje gazete te botuar ne Elbasan”Sa e shohim ma se largu, ne pasqyren e mendjes sone ,aq ma e bukur na ngjan kjo dite e kurerezimit te  shpresave tona…”

Duke qene nje nga pjestaret e delegacionit qe udhetoi per ne Europe,kryesuar nga Ismail Qemali,Dhimiter Berati ishte deshmitar dhe emer kryesor, ne perpjekjet per mbrojtjen e pavaresise se brishte shqiptare.Paralelisht ai punon intensivisht me artikuj te botuar ne shtypin e huaj ne mbrojtje te ceshtjes shqiptare.Eshte pjekuria e tij e larte e vetedijes patriotike e politike qe do ta coje ate te botoje librin aq me vlere “Shqiperia e Shqiptaret”botuar ne frengjisht ,ne 1920.

Duke qene edhe antar i delegacionit shqiptar te kryesuar nga kryetari i Regjences,z.Luigj Bumci, Dhimiter Berati lufton per ceshjen shqiptare me kopetence e profesionalizem, qe ia jepte kultura e tij e gjere dhe pervoja e gjate politike ne dobi te atdheut.

Firmen e tij e gjejme ne keto kohe ne shume telegrame e protesta drejtuar Konferences se Paqes ne PARIS.Ne njeren prej tyre drejtuar presidentit amerikan Willson ,lexojme”Ne duam nje Shqiperi te pandare e te pavarur,e cila te pranohet edhe nga vendet e tjera….Te gjithe ne shqiptaret desherojme te jemi te bashkuar dhe pa nderhyrjen e fqinjeve, qe na ndjekin kemba kembes…”

Vec z.Berati ky dokument eshte  firmosur nga Viktor Eftimiu,Stavri Kuneshka,Dhimiter Ilo,etj patriote nga krahina e Korces,e kercenuar aq shume nga pushtimet e huaja.,ne kohen e luftes ballkanike e asaj te pare Boterore.

Ne nje leterkembim mes Luigj Gurakuqit e Lef Nosit lexojme:”Dhimiter Berati ka shkuar ne Bukuresht,te organizoje nje miting per ceshtjen e Korces”

Ndersa Mihal Grameno shkruan se Dhimiter Berati eshte delegat i shqiptareve te Rumanise ne Konferencen Paqes Paris.Ne protesten e shqiptareve te Rumanise Dh. Berati shkruan;”Ne emer te drejtesise e te gjithe principeve,qe duhet te sherbeje si baze e paqes dhe te garantoje jetegjatesine,ne i kerkojme Konferences, te pranoje disa diskutime mbi rajonin e Gjirokastres dhe te Korces,djep te Rilindjes politike te Shqiperise.Jeta e shtetit shqiptar pa distriktin e Jugut,eshte me te vertete e pamundur…”

Ne vitin1921 eshte antar i delegacionit ,ne Konferencen e ambasadoreve ne Gjeneve.Ne nje leter te derguar nga Dh. Berati Pandeli Evangjelit lexojme nje pohim shume te rendesishem “Konferenca e ambasadoreve e konsideron pavaresine dhe integritetin e Shqiperise,si ceshtje nderkombetare”….                                                                                                Fakti me interesant i kerkimeve ne jeten e patrioteve te shquar eshte se si ata nga drejtime te ndryshme,nga pika te ndryshme te botes,u mblodhen dhe u bene mur i pakaperxyeshem per fitoren me domosdo te te drejtave shqiptare.Me 9 tetor 1921 Fan Noli permes nje telegrami drejtuar Pandeli Evangjelit shkruan :”Dhimiter Berati i ka derguar nje njoftim Konferences ku i shkruan se Qeveria e populli shqiptar,duke i konsideruar kufijte e 1913-tes,si minimizim i drejtesise ngs Fuqite e Medha,nuk pranon asnje coptim apo rishikim ,ne dem te atdheut”

Vec aftesive juridike e patriotike per te vulosur mendimet me nje elegance diplomatike kuptimmplote,Dh.Berati,ka bere nje pune te cmuar patriotike ne caktimin e kufijve jugore,duke qene  Antar ekzekutiv i Komisionit te Fuqive te Medha.

Dhe per te portretizuar me shume akoma kete personalitet te shquar te ceshtjes kombetare,le te ndalemi ne menyre te vecante tek librat qe na ka lene trashegim . Ne biblioteken e Fan NOLIT ne Boston ,gjate xhirimit te dokumentarit per Vatren,gjejme nder librat kryesore ,te ruajtur me kujdes librin e Dh.Beratit”Ceshtja shqiptare”,shkruar ne frengjisht.Krahas Fan Nolit,Faik Konices,Mit’hat Frasherit,Dhimiter Berati eshte nga penat e forte qe influencon direkt ne mendjet e personaliteteve evropiane. Vete autori ka botuar ne kete liber nje studim te thelle per ekonomine shqiptare,per risurset e vyera kombetare .Gjithashtu ai sjell aty dhe artikuj te tjere te rendesishem te autoreve me peshe,miq te Shqiperise,qe shkruanin ne ato vite per integritetin e trojeve te lashta shqiptare.Ne kete liber botohen artikujt e kolonelit francez,Lambouch, Betran Bareilles, Edith Durhan, Elise Aubert,J.N.Papiniu, D.Kolovani.Me stil teper konciz dhe teper emocionues Dhimiter Berati ka pergatitur edhe 16 faqe speciale,te shoqeruar edhe me fotografi,ku pershkruan castet kulminante historike te viseve kryesore te Shqiperise etnike.Hyrja e ketij libri permban keto fjale te Tij,te thena me dhimbje ,diplomaci e elegance shprehjeje: “Te shkretet shqiptare….Kush popull ka vuajtur aq shume ,sa ata ne gadishullin ballkanik?!Te persekutuar nga osmanet,te keqtrajtuar nga kleri grek,te perndjekur nga sllavet,ata jane viktime e te gjithe ambicjeve.Lufta ballkanike ka vene nje nyje te pafund fatkeqesish ne Shqiperi.Per te arritur ne fundin e tyre ,eshte e nevojshme qe ata t’ua lene vendin zoterve te vertete,shqiptareve.”(libri u botua ne Paris ,imremieri Henri Dieval)

Nje veper tjeter e rendesishme qe mban emrin e tij eshte”Shqiperia me1937”,ne dy vellime,ku permblidhet nje informacion i plote per hapat e shtetit shqiptar,megjithe veshtirsite e sfidat e shumta qe duhej te perballonte.Ky liber doli ne Tirane ,me rastin e 25 vjetorit te vetqeverisjes se Shqiperise.Ne kohen e Zogut z. Berati,ka mbajtur poste te larta ne administraten shterore shqiptare.Ne nje leter, qe i dergonte gruas se tij Marjetes,qe jetonte ne Rome ,bashke me dy femijet e tij, Pietron e Kolecin, ai i tregon per besimin e math qe kishte monarku per te.Me aftesite e tij te vecanta Dhimiter Berati mban postin e ministrit te ekonomise ne fillim e me pas, ate te ministrit te aresimit.Ne fund caktohet Ambasador i Shqiperise ne Rome dhe lufton deri ne fund per nje perparim perendimor te vendit te tij.

Si erudit i shkalles se pare Dhimiter Berati, gjithe jeten e tij e kaloi nga Shqiperia ,ne Rome ,ne Paris ,ne Gjeneve…e kudo ku vajti punonte me perkushtim per ecjen perpara te atdheut te tij.

Profesori italian Giuzepe Valentini  do ta percaktonte me keto fjale Dhimiter Beratin”Mbante me vete gjithmone nje bastun udhetimi qe dukej sikur thoshte…jam nje ballkanas,por i perkas civilizimit perendimor”ose…”nuk jam as nje ushtarak apo komit,por sherbimin tim e rendit me ate  te nje borgjezi te mire…”

Ne sesionin shkencor qe mbahet ne NY Jork,me 1969,ai mban nje kumtese te rendesishme me titull”Shenime mbi Shqiperine etnike” ,ku zberthen me fakte e dokumenta te rendesishme vecanerisht etnicitetin e krahinave te jugut te Shqiperise.Ashtu si Noli,Dhimiter Berati ka bere nje pune te lavderueshme edhe per autoqefaline e kishes shqiptare,duke e krijuar ate edhe ne Bukuresht.

Dhimiter Berati ka marre medalje te larte nga mbreti i Rumanise”Grand officerDeLa CouponRumania”,ndersa nga Shqiperia “Urdhrin e klasit te pare”.Studjuesi francez Robert Elsie e rendit Dhimiter Beratin ne figurat kryesore qe kane punuar  per historine e re perendimore te Shqiperise. Radio Vaticani,duke perkujtuar me respekt kete figure ,ne nje pervjetor te Dhimiter Beratit,ka thene:”Ne 15 tetor 1886 lindi ne Korce Dhimiter Berati,atdhetar politikan e publicist i shquar…”dhe mbasi ben nje pershkrim te gjithe jetes politike te tij perfundon me fjalet”u detyrua te largohet nga atdheu nen kercenimin e diktatures.U vendos ne Rome,ku bashkpunoi me pjesen me te perparuar te mergates politike shqiptare dhe me revisten “Shejzat” te Ernest Koliqit.”

Dhimiter Berati nderon emrin e tij si shqiptar i perkore patriot,duke u perfshire ne fjalorin enciklopedik nderkombetar te biografive me te shquara ne bote”Who’s who”,me te gjitha meritat e nje jete te plote ne perkushtim te nje Shqiperie perendimore. 100 vjetori i Pavarsise vazhdon sepse shume patriote kerkojne nje kujdes te vazhduar me ngritje bustesh,botime librash,korigjime te teksteve shkollore,ekranizime me emisione e filma…Le te mbeten me fort ne kujtesen popullore ata qe jeten e tyre ia kushtuan ATDHEUT

*Shkrimtare e kineaste

 

Filed Under: Featured Tagged With: Angjelina Xhara, Dhimiter berati, papalilo

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 888
  • 889
  • 890
  • 891
  • 892
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT