• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SULEJMAN ALIKO KUÇI I SHKRUAN OTTO BISMARKUT NË GJERMANI

November 11, 2012 by dgreca

Dokumenta, në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë- Duke hulumtuar nëpër tetë librat e Seit Alikajt/

 Nga Enver Lepenica/

 Seit Alikaj është i njohur si një nga agronomët e shquar të Shqipërisë dhe si drejtues dhe organizator i zoti i ekonomive bujqësore. Pas vitit 1990, ai na shfaqet si studjues i thellë i historisë së fshatit të tij Kuçit të Vlorës, duke botuar plotë tetë libra, sejcila mesatarisht prej 400 faqesh ose të tetë librat kapin 3186 faqe.

Këto libra  përfshijnë 25.209 emrat e 136 fiseve të Kuçi, me 2900 fotografi, janë paraqitur skemat gjeneralogjike të 136 fiseve me 6 deri në 15 breza. Vetëm këto të dhëna mjaftojnë për të thënë se këtë punë voluminoze dhe të mundimshme mund ta bënte vetëm një njeri me vullnet të hekurt si Seit Alikaj.

Personalite të kulturës, si Prof.dr. Thoma Çomara, Dr. Pavllo Gjidede, Prof. Dr. Besnik Baraj, Prof. Dr. Vedat Shehu, poeti Izet Çuli etj kanë bërë vlerësime të larta për veprën e Seit Alikajt, sepse sipas Perandorit të Romës, Julian Qesarit “Kush merret me gjenealogjinë e fisit të tij, merret me gjenealogjinë e botës, ndaj meriton lavdinë”. Në tetë librat z. Alikaj ka përshkruar me hollësi me fakte dhe dokumenta historinë e një prej fshatrave më të mëdha të Shqipërisë.

Librat e Seit Alikajt janë shkruar e botur nga nje intelektual me interesa të gjera kulturore, pra që ka synuar të zbulojë, të ndriçojë dhe të evidentojë vlerat e ngjarjeve historike që  paraqesin rëndësi jo vetëm për historinë e fshatit, por më gjerë, historinë e Labërisë dhe të  Shqipërisë. Në këtë drejtim, përveç ngjarjeve të tjera historike, ai evidenton personalitete të shquara si Zenel Gjolekën (1812-1852), udhëheqësin e kryngritjeve të mëdha kundër Perandorisë Osmane, etj. Për herë të parë ka zbuluar e botuar në librin e tij të tretë, fotografinë e heroit tonë të madh Zenel Gjolekës.

*   *   *

Një nga këta personalitete të shquara, që Seit Alikaj ka përshkruar në librat e tij është edhe Sulejman Aliko Kuçi (1813 – 1880), i cili ka kryer “Zosimenë” e Janinës dhe më pas institutin e Stambollit “Huku Idare”.

Ky atdhetar e luftëtar i lirisë, së bashku me Myslym Gjolekën (1835-1880), kanë firmosur Memoradumin e Janinës, dokumenti i parë ku i është kërkuar Portës së Lartë autonomia e Shqipërisë.

Ai ka qenë një ndër figurat qëndrore të Lidhjes Shqiptare të prizërenit,1878, dhe ka qenë dy herë kryetar i delegacionit të kësaj Lidhje, në mbledhjet që u organizuan në Korfuz, ku është biseduar për të krijuar një ushtri shqiptaro-greke për të luftuar kundër Turqisë, por që marrëveshja nuk u arrit, për faj të palës greke.

Sulejman Alikua ka luftuar për liri kundër grekëve në Jug, në vitin 1852 ka luftuar në Veri kundër ushtrisë malazeze, ku ra heroikisht udhëheqësi tyre legjendar Zenel Gjoleka.

Në protestën që Lidhja Shqiptare e Toskërisë u bëri Fuqive të Mëdha, më 28 janar 1879, ku kundështohet ndryshimi i kufijëve në favor të Greqisë, krahas emrave të Abdul Frashërit, Mustafa Pashë Vlorës, Sheh Ibrahimit, Skënder Vrionit, etj  gjejmë edhe emrin e Sulejman Aliko Kuçit.

Sulejman Alikua dhe Musa Bodua nga Dukati, me dyzet kuaj,  kanë shoqëruar e përcjellë Abdul Frashërin në takimet që ai bënte me popullin, si në Fier, në takimin e Frashërit më 1879, në Kuvendin e Dibrës më 1880 etj.

Kështu vazhdoi udha e atdhetarit Sulejma Aliko Kuçi i shquar veçanërisht në vitin 1878 kur mbahet Lidhja e Prizërenit dhe lufta e popullit shqiptar  hyri në një fazë të re të organizuar.

 

Shqetësimi këtij atdhetari dhe largpamësia e tij për fatet e atdheut duket edhe në  letrën që ai i ka shkruar Kancelarit gjerman Otto Bismark, letra të cilat i ka zbuluar Seit Alikaj, që rrjedh nga ky gjak dhe i ka publikuar në librin e tij të tetë “Sulejman Aliko Kuçi”, Tiranë 2010, f. 75-76. Po që të kuptojmë rëndësinë dhe vlerën e këtij personaliteti të historisë sonë duhet të dijmë se cili ishte Otto Bismark (1815-1898) që i shkruan Sulejman Alikua?

Burrë shteti i gjermanisë, është quajtur ”Kancelar i Hekurt”. Si ministër-president dhe ministër i jashtëm i Prusisë në kohën e Vilhelmit I, nga viti 1862, Bismarku ka qënë në krye të përpjekjeve për bashkimin e Gjermanisë, duke bashkëdrejtuar  luftrat me Danimarkën (1864), Austrinë (1866),  dhe Francën (1870-1871) me qëllim që të arrihej ky synim.  Si kancelar i Perandorisë së re Gjermane (1871-1890) vijoi të sundonte skenën politike,  duke bërë të miratohen ligjet që synon të thyenin ndikimin e Kishës Katolike brenda vendit  dhe duke përforcuar pozitën e Gjermanisë si fuqi europiane nëpërmjet krijimit të një sistemi aleancash. Bismarku u detyrua të jepte dorëheqie më 1890 pas një mosmarrëveshje politike me Vilhelmin e II. Për nder të tij kryeqyteti i Dakotës Veriore, në SHBA buzë lumit Misuri ka emërtimin Bismark.

Ja pra këtij burri të shquar të historisë botërore i shkruan, shqiptari nga Kuçi i Vlorës Sulejma Alikaj:

 

“Shkëlqesisë së tij: Princit Otto Bismark, Kancelar i Gjermanisë, BERLIN.

I nderuar Princ!

Unë që ju dërgoj këtë letër, të më falni, jam Sulejman Aliko Kuçi, qytezë e lashtë në Labëri të Albanias, nën sundimin e Sulltanit të Turqisë…

Ju e dini se ne, shqiptarët, kemi vendosur të mblidhemi, më 13 qershor 1878, në një kongres – lidhje që do ta quajmë “Lidhja e Prizërenit”, zonë me etnitet shqiptar në juridiksionin e Serbisë.

Siç e dini, Shkëlqesëia Juaj, grekët e vjetër, përmes filozofisë së tyre thoshin: “Kush kërkon të vertëtën mund ta gjejë përmes diskutimit në Agora”. Ne jemi të bindur të gjithë të dërguarit përfaqësonjës të Shqipërisë në Prizëren se, nga Ju do të mbrohemi e do të frymëzohemi për të hedhur hapat e para të pavarësisë nga Perandoria Osmane…

Jeta jonë në liri është kusht i dhuratës së natyrës dhe, të rrosh i lirë, duhet të bazohesh në urtësi e zgjuarsi gjë që ne nuk na mungon.

Kam bindjen e plotë se i ngarkuari Juaj për ndjekjen e punimeve të Lidhjes tonë, zoti Franshauer do t`ju japë sqarimet e duhura dhe ne shpresojmë se në Kongresin e Berlinit, që do të mbahet së afërmi Ju, Shkëlqesi, do t`ja bëni të qartë përfaqësisë së Stambollit.

Jemi në pritje të përgjigjes Tuaj, Shkëlqesi.

Me respekt të veçantë Sulejma Aliko Kuçi d.v.”

 

Kancelari Gjermanisë Otto Bismark i ktheu këtë përgjigje Sulajman Alikos:

 

“I nderuas Sulejman Aliko Kuçi,

Letra Juaj më frymëzoi së tepërmi. Me ta marrë, sekretaria e kabinetit tim, zonja Anna J. Skieber, ma dorëzoi brenda ditës…

Ajo letër ishte shkruar nga një atdhetar i madh i popullit të Shqipërisë, nga Sulejman Aliko Kuçi, bashkëshok e nxënës me shkëlqesinë Abdul bej Frashëri në “Zosimea” të Janinës. Të dy ju jeni mendjendritur, diplomatë e filozofë, me kulturë të gjerë…

Përpjekja e palodhur juaja, për të gjetur të vërtetën, nuk është një nevojë intelektuale,  por një kërkesë morale. Liebingu, ka të drejtë për fjalët e tij rreth pasionit moral drejt së vërtetës, pa të cilën asnjë pengesë nuk frenon shoqërinë për të vënë në jetë interesat e çastit e të përspektivës.

Ju jeni shqiptar i madh. Respektet e Mija të veçanta. Otto Bismark d.v.”

 

Për Sulejman Aliko Kuçin, këtë atdhetar të madh siç e cilëson Bismarku, ende të pa vlerësuar kanë shkruar Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, studjuesi grek Panajotis Trugaros, arvanitasi kronikan Andreas Dhimitriadhis, historiani Antonio Beluçi, arvanitai Aristidhis Koljas, gazetari raguzian Gilio Loccini etj.

Për më gjerë e ftoj lexuesin tu drejtohet tetë librave të vlefshme të Seit Alikaj nga Kuçi.

*   *    *

Këto dy letra të pa njohura, që gjetëm në librin e Seit Alikaj ” Sulejman Aliko Kuçi”, me rëndësi për historinë e Labërisë dhe të Shqipërisë na tërhoqën vëmëndjen dhe prandaj vendosëm t`i bëjmë publike me anën e këtij artikulli. Nga ana jonë u pyet Seit Alikaj se cili është burimi këtyre letrave dhe ai na shpegoi se:

”Prof. Dr. Thoma Çomara nga Vunoi i Vlorës, pas vitit 1990, duke qenë se bashkëshortja e tij ishte rumune, martuar gjatë kohës që ai ishte student në Bukuresht, jeton në Bukuresht dhe merret me studime. Gjatë kërkimeve të tij në Arkivin Qëndror të Shtetit Rumun në arkivin Timishoara në dosjen M-16/3-4, Berlin, 28 qershor 1878 dhe M/163-4-5, Berlin, 30 qershor 1878, ka gjetur dy letrat e sipër përmëndura, të cilat m`i dhuroi mua me bujari, për t`i bërë publike në librat e mi.

Filed Under: Featured Tagged With: Enver Memishaj, Sulejman Kuci

PA KTHIMIN E PRONES TEK I ZOTI NUK KA INTEGRIM

November 11, 2012 by dgreca

Në emër të pronarëve të ligjshëm falendrojmë intelektualët patriotët në emigracion,që në Tetor 2012 hapën në internet adresën elektronike defendingproperty.com . Në këtë sit të përbashkët për shoqatën Pronësi me Drejtësi” dhe shoqatën “Bregdeti”, juristët tanë kanë paraqitur prioritetet dhe filozofinë e shoqatës një pjesë të vogël nga reagimet tona dhe të mediave si dhe disa video nga një mori të tillash. Brenda pak kohe, në këtë sit, shumë qytetarë brënda dhe jashtë kufijve, pasi marrin informacion real, shprehin opinionet e tyre.

Ftojmë drejtuesit Sali Berisha dhe Edi Rama që po mbajnë peng demokracinë që të reflektojnë në domosdoshmërinë e korigjimit të standardeve të dyfishta që ka zbatuar politika me pronat në zona të ndryshme të Shqipërisë.  Për shak të karakterit antipronar të nenit 8 të ligjit 7501, prej 20 vjetësh vazhdon të pengohet  zgjdhja e kthimit fizik të pronës tek i zoti. Mos respektimi i të drejtës së pronësisë pas vitit 1991, ka shkaktuar jo 4 apo 6 viktima por një bilanc lufte me të vrarë  dhe të plagosur që politikanët nuk e përmendin. Ky fakt i dhimshëm është denoncuar nga ish kryeministri z. Pandeli Majko si krim kolektiv i politikës për vota dhe për pushtet.

Nga drejtuesit e forcave të reja politike, mos respektimi i të drejtës së pronësisë është denoncuar publikisht si qëndrim abuziv që i shërben pasurimit të kryetarëve që kanë privatizuar partinë dhe mos kthimi i pronës është vlerësuar krim dhe tradhëti kombëtare. Këto janë të vërteta por ky deklarim nuk mjafton për të plotësuar pikën 10 të raportit Fule. Për këtë duhen dhe veprime konkrete.

Aktualisht z. Sali Berisha dhe z. Edi Rama janë dy peng-mbajtësit e integrimit. Nëse ata dhe cilido deputet që nuk i mungon patriotizmi, do të rivlerësojnë këshillat e shqiptuara prej zonjës Hillary Clinton gjatë vizitës së saj në 1 Nëndor 2012 në Tiranë për pasojat e korrupsionit dhe do të eksplorojë sitin e shoqatës do të kuptojnë se zonja Clinton është treguar jashtë mase e butë me kryetarin e maxhorancës dhe me kryetarin e opozitës. Këta dy drejtues të politikës janë në rrugë të gabuar për faktin se me këtë qëndrim mohues ndaj të drejtës së pronësisë ata po dëmtojnë interesat  kombëtare.

Shoqata  ka insistuar dhe vazhdon të insistojë për përfundimin e kthimit fizik konform kushtetutës dhe pastaj kompensimin, ndërsa politikanët që kanë nën kontroll mediat dhe pratë, deri tani kanë arritur ta mashtrojnë opinionin publik dhe ndërkombëtar sikur problemi i pronave është zgjidhur. Ne jemi shprehur vazhdimisht se prej 12 kërkesave të BE, shumë prej tyre janë zgjidhur por problemi i pronës është përkeqësuar. Politikanët pushtojnë ekranet dhe gazetat me deklarata ku thuhet se kanë zgjidhur problemin e pronave por kanë mbetur pa kryer disa kompensime që ata me të fituar votat do ti realizojnë shpejt. Kryeministri Sali Berisha nuk guxon të deklarohet për zbatimin e detyrimeve kushtetuese dhe  kthimin fizik të pronës tek i zoti sipas nenit 181 të kushtetutës. Kjo sepse në këto 20 vjet prona është shfrytëzuar nga të dy krahët e politikës për blerje votash në fushatën elektorale dhe për të përvetësuar prona të paluajtëshme. Për të maskuar përfitimet abuzive që kanë bërë oligarkia e politikanëve, ata i japin prioritetit kompensimit dhe.nuk flasin për kthim fizik dhe për nenin 181 të kushtetutës.

Rol kyç në respektimin e të drejtave tona për pronën e trashëguar luajnë ambasadorët me deklarimet dhe relacionet për qeveritë e tyre. Ndjej detyrimin moral të falenderoj publikisht ambasadorin hollandez dhe Qeverinë Hollandeze, që ka vlerësuar seriozisht ankesat tona dhe kanë vepruar konkretisht,  duke kritikuar publikisht, lidhur me situatën e mos respektimit të të drejtës së pronës. Por nuk kuptohet se sa dhe si menaxherët e politikës  kanë arritur që ta detyrojnë Bankën Botërore, FMN, Usaid dhe disa ambasadorë kryesorë, të qendrojë me gojën mbyllur ose të bëjnë ë, ë, ë, ë, ndaj situatës alarmante me pronat dhe të justifikojnë rrugën e gabuar të Qeverisë. Kërkesa për zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe votimi i tre ligjeve edhe nga opozita, janë të rëndësishme por këto janë shumë herë më pak të rëndësishme në krahasim me detyrimin e shtetit për të zbatuar  kushtetutën, për të ekzekutuar vendimet e gjykatave dhe për të kthyer tek i zoti pronën që ka grabituar sistemi sllavokomunist. Integrimin e Shqipërisë e mban të bllokuar shteti që shkel kushtetutën, që  nuk kthen pronën e grabitur tek i zoti dhe nuk zbaton vendimet e gjykatave por edhe opozita që nuk po shprehet duke e detajuar në programin e saj zgjidhjen e këtij problemi themelor të shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut.

Nëse në SHBA nuk do të zbatohej një vendim Gjykate i formës së prerë atëhere Presidenti jep dorëheqje.  Cila është zgjidhja në shtetin Shqiptar, që nuk zbaton me dhjetra vendime të gjykatave vendase dhe as vendimet e Gjykatës së Strasburgut ? Mos vallë duhet të heshtim dhe të përkulemi para hajdutëve dhe të votojmë majtas apo djathtas  ?

Nëse politikanët shqiptarë apo ndërkombëtarë do vazhdojnë të mos marrin në konsiderate ankesat dhe argumentat tona dhe do të flasin për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe miratim ligjesh me 3/5 por nuk do flasin për kthim me prioritet të pronës konform kushtetutës dhe dokumentave të shtetëzimit komunist; nëse politiknët do vazhdojnë të flasin për kompensim për të anashkaluar kthimin,  ne e denoncojmë këtë rrugë se kjo është shkatërim me koshiencë i strukturës  kombëtare dhe i demokracisë . Kjo rrugë është kalim i butë nga diktatura në kleptokraci. Këto nuk janë gabime por politikë pa moral që çon në imoralitet dhe kriminalitet. Eshtë i lutur ambasadori i BE dhe OSBE dhe grupi që përgatit informacionin për komisionerin Stefan Fule, të rivlerësojnë ankesat tona për pronën. Fakti që prona ka qenë dhe vazhdon të jetë burimi kryesor i korrupsionit të administratës shtetërore, i sistemit gjyqësor dhe shkak i disa mijëra jetëve të shuara dhe se situata e pronës përkeqësonet vazhdimisht tregon se ajo duhet rivlerësuar në pikat e pa zgjidhura dhe më kryesorja nga 12 kërkesat e BE.

Shqipëria është në kontrast me të gjitha vendet e tjera ish komuniste që e kanë zgjidhur problemin e pronës duke u bazuar në kthimin fizik. P.sh. Qeveria Çeke ka kohë që ka kthyer fizikisht pronat shtetasve dhe në 8.11.2012 vendosi ti kthejë pronat klerit. Nga ky vendim 17 komunitete fetare gjithësej do rimarrin pronat e tyre të paluajtshme me një vlerë prej 2,9 miliard Euro. Përveç kthimit fizik të pronës, një shumë ekuivalente prej 2,3 miliard Euro do t’i paguhet komuniteteve fetare si dëmshpërblim financiar për konfiskimin. Ky dëmshpërblim do paguhet gjatë një periudhe prej 30 vjetësh.

Në të mirë të Shqipërisë dhe të moralit politkqë duhet të drejtojë vendin, ftojmë drejtuesit Berisha dhe Rama që të bien dakort për një zgjidhje të përgjithshme në bllok të problemit të pronës,  me të njëjtin standard në të gjithë vendin, duke u bazuar në parimet morale dhe juridike, të shprehen për platformën, për studimet dhe zgjidhjet që ka propozuar shoqata,  duke marrësi shembull vendet ish komuniste por të kenë në konsideratë veçanërisht nenin 181 të Kushtetutës.

Sipas Friedrich A. Hayek, ekonomist dhe filozof i shquar dhe Fitues i Çmimit Nobel në Ekonomi, Prona private është garancia më e rëndësishme e lirisë.” Sipas Milton Friedman, ekonomistit më me ndikim dhe fitues i çmimit Nobel në Ekonomi, të drejtat e pronës janë “më themeloret e të drejtave të njeriut dhe një themel esencial për të gjitha të drejtat e tjera njerëzore.”  Ludwig Von Mises, ekonomist dhe filozof i shquar që influencoi Hayek dhe Friedman është shprehur se ” nëse programi i liberalizmit do të kondensohej në një fjalë të vetme, do të duhet të lexohej: prona, që do të thotë, pronësia private e mjeteve të prodhimit…Të gjitha kërkesat e tjera të liberalizmit rrjedhin nga kjo kërkesë themelore.” Rrjedhimisht populli shqiptar, në afro 25% të siperfaqes në rang vendi, ku prona nuk është kthyer në kufijtë e para grabitjes komuniste, sipas dokumentave të shtetëzimit që shteti i disponon,  për pronarët e ligjshëm shkelen liria dhe të drejtat themelore, ata nëpërkëmben dhe ju bëhet ’zbor’nga pushtetarët dhe zyrtarët e korruptuar. Ky është problemi më i ngutshëm në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë dhe të vendimit të BE për miratimin e statusit kandidat per Shqipërinë.

Kryetari Shoqatës Kombetare të të shpronësuarve

”Pronësi me Drejtësi”

Rrapo Hajredin Danushi

 

Filed Under: Featured Tagged With: Rrapo Danushi

FESTOJMË 100 VJETORIN ME 25 NËNTOR

November 10, 2012 by Administrator

Njoftohet komuniteti shqiptar se me 25 nëntor, ora 6 e 30, në MAESTRO’S, Federata Panshqiptare e Amerikës së bashku me Bashkësinë shqiptare dhe Shërbimet Diplomatike Shqiptare NE USA festojnë 100 vjetorin e Pavarësisë.

Argëtojnë:Grupi i Merrita Halilit e Raif Hysenit si dhe këngëtarë të tjerë të komunitetit

Bileta Hyrëse: $80 Fëmijët $ 40

KOMISIONI

 Kontaktoni 718.365.9900 per bileta/rezervime ose me shume informacion.

Filed Under: Featured

PARLAMENTI NE TRANZICION DO TE LEHTESONTE SHPIRTRAT E DEPUTETEVE ME NJE MINUTE HESHTJE PER LIRAK BEJKON

November 9, 2012 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Do të vijë dita kur gjesti vetëflijues i Lirak Bejkos do të kujtohet nga shqiptarët mbarë si sakrifica sublime e një njeriu për të zgjuar shoqërinë shqiptare nga gjumi i indiferencës ndaj një klase politike pa ndërgjegje politike dhe pa shpirt e zemër njerëzor.

Do të vijë dita, shumë shpejt, kur Lirak Bejko, të shpallet „dëshmor i demokracisë“ nga ai Parlament që heshti apo që akuzoi grevistët e urisë se ishin „dora e zgjatur e liderit të opozitës“.

Le të kujtojmë pompozitetin e grevës e urisë të organizuar nga PS në mes të bulevardit„Dëshmorët e Kombit“ përballë me dritaret e Kryeministrisë dhe çadrën e thjeshtë të 25 burrave, të gjithë vuajtës të burgjeve të diktaturës.

Kaq do të mjaftonte që deputetët e krahut politik, të votuar nga shtresa e të përndjekurve, të ishin në kontakt të vazhdueshëm me ata 25 burra të cfilitur nga jeta ferr gjatë diktaturës, që dalëngadalë nuk po i rezistonin pasojave të grevës dhe po mbeteshin gjithnjë e më pak, pasi kishin përjetuar të gjithë kalvarin e tmerrshëm të burgjeve e torturave mizore të regjimit kanibal totalitarist. Kaq. Ashtu si shkoi Ambasadori i SHBA, të cilit Lirak Bejko i tregonte protezën e dhëmbëve. Mjaftonte ajo skenë, që deputetët e PD të rendin menjëherë tek grevistët, të takoheshin me ta, të shkëmbenin me ta fjalë, vetëm fjalë të ngrohta, fjalë njerëzish. Jo më kot e para ishte fjala!

Por asgjë e tillë, asnjë reagim njerëzor, vetëm fyerje dhe akuza të stilit stalinist. Ndërkohë që vitet e burgjeve nuk ua hiqnin dot. Vitet e burgjeve staliniste mbeteshin të paluajtura, të patundura, dëshmia historike e atyre njerëzve, pjesa më e madhe e të cilëve tani nuk jeton më, por vuajtjet e tyre dhe të familjeve të tyre, të fëmijëve të tyre, nuk mund t’i çojë në harrim dot kurrë indiferenca e një klase politike të papërgjegjëshme, sjellja e së cilës është turp për ne të gjithë.

Gjestet e vetëflijimit të Ndrecës dhe Lirak Bejkos ishin të evitueshme. Humbja e jetës e Lirak Bejkos ishte e evitueshme. Mjafton që klasa politike që pretendon se përfaqëson edhe interesat e shtresës të të përndjekurve politikë t’u ishte afruar atyre njerëzve, t’u kishte dhënë dorën sepse ata njerëz ishin tmerrësisht të lodhur dhe të konsumuar fizikisht e psikologjikisht sa nga cfilitja e sa nga indiferenca e pashpirt gjatë atyre ditëve gjithë tension të grevës.

Po a mund ta kuptojë Ilir Rusmajli, deputeti i PD, i biri ish-Anëtarit të Komitetit Qendror të PPSH vuajtjet e Lirak Bejkos! Ju lutem, mos na bëni më moral, sepse PD e Shqipërisë ajo që pretendon se ka rrëzuar diktaturën, nuk mund të përfaqësohet në Parlamentin e Shqipërisë me të birin e një ish përfaqësuesi të nomenklaturës së kuqe! E përse akuzojnë deputetët e PD në Kuvend Edi Ramën se pranë tij ka ish të bijtë e nomanklaturës komuniste, e çfarë ndryshimi ka midis Ilir Rusmajlit të PD dhe Ilir Gjonit të PS-së! Të dy janë bij të ishzyrtarëve të lartë të nomenklaturës së kuqe!

Mos na shisni moral dhe mbani kokën ulur. Sepse e latë një njeri të vdesë dhe nuk shkuat që t’i jepni dorën sepse vetëm dorështrëngimi juaj, apo fjala juaj do ta shpëtonte jetën e Lirak Bejkos dhe Lirak Bejko sot do të ishte në mesin tonë!

Ditën e sotme gazeta Panorama kishte botuar lajmin se 202 ish-të përndjekur marrin këstin e dytë. Midis tyre ishin edhe emrat e shtatë ish-grevistëve. Midis tyre ishin emrat e Lirak Bejkos, Gjergj Ndrecës!

Po përse u botua kjo listë tani që Lirak Bejko nuk është më; po përse nuk iu tha atyre njerëzve se do të merrnin këstin e dytë që greva të merrte fund menjëherë, që të mos vetëflijohej as Ndreca dhe as Lirak Bejko ! Po përse nuk shkoi asnjë deputet i PD-së tek ish-grevistët që të shmangej tragjedia, që Lirak Bejko sot të ishte midis të gjallëve e ta gëzonte një pjesë të dëmshpërblimit bashkë me familjen e tij?

Po përse Parlamenti i Shqipërisë nuk mbajti asnjë minutë heshtje për të nderuar dëshmorin e tranzicionit Lirak Bejko!

Sepse të gjithë ata deputetë të atij parlamenti janë liliputë përpara Lirak Bejkos, pasi karriken e deputetit e kanë trafikuar me heshtjen dhe indiferencën e tyre ndaj këtij njeriu të dëshpëruar, shpresëhumbur, i cili për të zgjuar ndërgjegjen e ne të gjithëve i vuri flakën vetes dhe sot nuk është më, sepse ne të gjithë e lamë të vetëdigjej!

 

Filed Under: Featured Tagged With: 1 minute heshtje, Elida Buçpapaj

A ËSHTË FTUAR LBANOLOGU M.A.GABINSKIJ, NË FESTIMET E 100-VJETORIT TË PAVARËSISË?

November 9, 2012 by dgreca

Mbi 50 vjet, merret me studime e botime për gjuhën tonë dhe kurrë nuk e ka vizituar Shqipërinë!?/

Nga Prof. Murat Gecaj/

NE FOTO: Në familjen Gabinskij, Kishinjev (nga e majta Marku, e bija Anushka dhe bashkëshortja, Larisa)/

 1.

Kur vendosa t’i shkruaja këto pak radhë e të bëja pyetjen “A është ftuar albanologu M.A.Gabinskij, në festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë?”, padyshim, pata parasysh disa gjëra. Së pari,  e di mirë që janë të panumërt njerëzit dhe personalitetet e ndryshme, nga vendet e tjerë, që e meritojnë ose janë planifikuar të ftohen në fesimet e 100-vjetorit të Pavarësisë sonë.

E dyta, jam i ndergjegjshëm se ka mjaft studiues, që ia kan kushtuar pothuajse gjithë jetën studimeve e botimeve për historinë, gjuhësinë, kulturën etj. të popullit shqiptar. Mirëpo, siç është e kuptueshme, disa nga ata nuk jetojnë më. Po kështu, ia vlen që të “peshohen” për t’i vlerësuar ata objektivisht. Padyshim, megjithëse nuk jam saktësisht i informuar, me raste, ka prej tyre që e kanë vizituar Atdheun tonë  Por dhe janë nderuar e vlerësuar me dekorata të ndryshme për ndihmësën, që ata kanë dhënë në fushën e studimeve e botimeve për Shqipërinë.

Së treti, nuk di ndonjë nga albanologët e shquar, siç ështrë rasti i Mark Aleksejeviç Gabinskij, i cili mos të ketë qenë kurrë në Shqipëri, por dhe mos ta ketë çmuar as vlerësuar ndihmesën e tij shumëvjeçare, asnjë institucion i shtetit shqiptar!?

 

2.

Sigurisht, për kërshëri e korrektësi ndaj lexuesve, më duhet që shkurtimisht t’u tregoj diçka më shumë për jetën dhe veprimtarinë e çmuar, me studime e botime, kushtuar gjuhës shqipe e problemeve të saj, nga M.A.Gabinskij. Në një jetëshkrim, ndër të tjera, pak vjet më parë, ai ka sjellë këto të dhëna:

“Linda në vitin 1932, në Odesë. Atje, në vitin 1948, mbarova shkollën e mesme. Në vitin 1953,  përfundova degën e rumanishtes, në Fakultetit Filologjik të Universitetit të Leningradit dhe u dërgova me punë në Moldavi, në Institutin e tanishëm Filologjik, të Akademisë së Shkencave, ku punova disa vjet radhazi, deri sa dola në pension. Jam specializuar në fushën e gjuhës rumune (moldave) dhe në gjuhë të tjera romane e ballkanike dhe në gjuhësinë e përgjithshme (problemet e infinitivit në gjuhët ballkanike dhe më gjerë, pjesët e fjalisë (ligjërimit), kategoritë morfologjike dhe, gjithashtu, për etimologjinë, leksikologjinë etj.). Kam publikuar më shumë se 220 punime shkencore dhe 10 libra në këto fusha. Një pjesë e tyre janë për gjuhën shqipe. Kam marrë pjesë në 20 kongrese e konferenca, me tematikë fushat e treguara më sipër”.

Prof.Dr. M.A.Gabinskij është me origjinë  izrealite dhe babai i tij ishte vendosur, në fillimin e shekullit të kaluar, në qytetin Odesë të Rusisë. Me detyrë ka qenë mjek dhe mjaft i aftë në profesion. Siç dihet, mjaft të rinj shqiptarë i kryen studimet e larta për mjekësi  në ish-Bashkimin Sovjetik. Ndër ta, ishin dhe disa që i mbaruan studimet për shkencën mjeksore në Odesë. Atyre u dha leksione pikërisht babai i Markut, Dr.Aleksejeviç Gabinskij. Më pas, ata u bënë mjekë mjaft të aftë e të dëgjuar në Atdheun tonë, si Alvarezi, Gusho, Karagjozi e të tjerë. Duke krijuar edhe lidhje familjare me pedagogun e tyre A.Gabinskij, Marku i vogël u njoh nga afër me ta dhe nisi t’i tërhiqte vëmendjen gjuha, që ata flisnin. Kështu, pak e ngapak, ai filloi të mësonte fjalë e shprehje shqipe. Pasi mori prej tyre libra në gjuhën tonë amtare, nisi të lexonte. Ishte një dëshirë dhe aftësi e  veçantë e vitetve të rinisë së Markut, që ai të mësonte disa gjuhë të huaja. Kështu, që në moshën 30-vjeçare fliste e shkuante deri në shtatë prej tyre, ndër to edhe në gjuhën tonë shqipe. Është interesante të thuhet këtu se edhe bashkeshortja, Larisa dhe bija e tyre e vetme, Anushka,u familjarizuan me gjuhen shqipe, per të cilën prof.Marku ka shumë vjet që është i përkushtuar.

Në vitet pasardhëse, familja e M.A.Gabinskij u vendos në qytetin Kishinjev të Moldavisë. Tashmë, pas mbarimit të studimeve të larta, ai  e nisi punën aty në një institucion të lartë shkencor. Pra, iu krijuan kushtet që jo vetem mos t’i humbiste, por iu shtua interesi për studimin e gjuhës shqipe. Në atë periudhë, në vitet ’60-të të shekullit të kaluar, me nismën e Akademikes së njohur ndërkombtarisht, Agnia Vasilievna Desnickaja, pranë Institutit të Gjuhësisë, në ish-Leningrad (sot Petërburg) ishte ngritur e funksionon deri sot, një sektor i rëndësishëm albanologjik. Ajo kishte tërhequr në këtë punë disa sudiues të kësaj sfere, si A.P. Sitov, A.V. Zhurga, L.A. Llapashov, L.V.Sharapova, I.I. Voronina, A.Y. Rusakov etj. Për arsyet, që përmenda më lart, Marku u paraqit aty dhe kërkoi që disertacionin, për titullin “Kandidat i Shkencave”, ta përgatiste dhe ta mbronte pikërisht me një studim në fushën e gjuhës shqipe.  Dhe  dëshirën ia plotësuan. Në atë periudhë, mëgjithëse larg vendbanimit, ai shkonte për konsultime në Institutin e Shkencave dhe në degën e gjuhës shqipe, të Universitetit “Zhdanov”.

 

Në vjeshtën e vitit 1960, bashkë me tre kolegë bashkëstudentë nga Shqipëria, krahas leksioneve, ne  ndiqnim atje dhe  kurse të veçanta, pranë A.V.Desnickaja. Unë  kualifikohesha për dialektologji, një  tjetër për fonetikë dhe dy për leksikologji. Në rrethanat, që tregova më lart, ne u njohëm edhe me studiuesin e ri të gjuhës shqipe, M.A.Gabinskij. Përveç aftësive profesionale, na bëri përshtypje se ishte njeri mjaf i dashur dhe i afruar me njërëzit. Këtë gjë e shprehte veçanërisht me ne, studentët shqiptarë që përmenda, por dhe me të tjerë, që njohu aty. Kjo, sigurisht, vinte se ai ishte njohur e kishte patur lidhje me bashkëvendës tanë, që në Odesë. Në biseda të lira me Markun, na e shprehte se i pëlqenin shumë shqiptarët dhe gjuha jonë. Ndër të tjera, ai kishte krijuar bindjen e palëkundur se gjuha shqipe ishte me shumë interes studimi, ndër më të vjetrat në Ballkan dhe në familjen indo-evropiane.

Pa u zgjatur, shënoj këtu se Marku e mbrojti me sukses disertacionin për gjuhën shqipe dhe, sigurisht, u kthye në vendbanimin e tij, Kishinjev. Por nuk I shkëputëm lidhjet tona miqësore, sigurisht me letra, deri sa u ndërprenë marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve e vendeve tona. Ndërsa këto lidhje i rivendosëm pas vitit 1990, me letra e shkëmbimn librash të ndryshëm. Kështu, tani pata rastin të njihem më nga afër edhe me studimet e shumta në revistat shkencore, por dhe me disa libra, që ai kishte botuar, posaçërisht edhe për gjuhën shqipe. Shumicën e tyre unë i ruaj në biblilotekën time. Në të gjitha ato, spikat intersioI tij i veçantë për të mësuar fjalë e shprehje në gjuhën shqipe, për të gjetur kuptimin e shprehjeve e të fjalëve të rralla shqipe, deri dialektore etj.

3.

Nëpërmes letrave të shumta (gjithnjë në gjuhën letrare shqipe), që kam shëmbyer me albanologun M.A. Gabinskij, meraku më i madh i jetës së tij është se nuk arriti që të vinte një herë për ta vizituar Shqipërinë, pra vendin e gjujës së popullit, të të cilit o kishte kushtuar dhjetëra studime e botime. Shkaku ishte se nuk e lejonin mundësitë financiare, që ta realizonte vetë këtë gjë. Për të qenë i sinqertë me lexuesit, unë jam pikëlluar për këtë gjë dhe jo në një rast, pas vitit 1990 e në vazhdim, kam kërkuar pranë Akademisë sonë të Shkencave për ta ftuar atë që të merrte pjesë në ndonjë  Konferencë shkencore, kushtuar gjuhësisë ose problemeve tjera abanologjike. Po kështu, jam intersuar që atij t’i dërgoheshin libra të ndryshëm studimorë, në gjuhën shqipe, pasi atij i mungonin dhe e kërkonte me dëshirë të madhe një gjë të tillë. Por, fatkeqësisht, përgjigja ka qenë e prerë, pra me ngritje supesh, se “nuk kemi mundësi financiare, që ta ftojmë atë, qoftë edhe për pak ditë, në Shqipëri”, “nuk o dërgojmë dot libra shqip” etj?!

Këto ditë, prof. Emil Lafe, gjuhëtar i njohur i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, më tregoi se kishte qenë bashkë më disa stidiues të tjerë shqiptarë në Pëtërburg. Ndër të tjerët, atje kishte takuar edhe albanologun, prof.dr. M.A.Gabinskij. Ai ishte gëzuar shujmë, që i takoi studiuesit tanë dhe interesuar për ecurinë e Shqipërisë në udhën demokratike, për studimet albanologjike te ne, por dhe për miq e të njohur të tij.

Në mbyllje të këtij shkrimi, duke u treguar plotësisht i panashëm (për shkak të njohjes dhe të lidhjeve të mia të mëvonshme miqësore me të), shtroj pyetjen: A është planifikuar të ftohet në Shqipëri, albanologu i shquar 80-vjeçar, M.A.Gabinskij, në festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë? Dhe më tej: A është parashikuar që, me këtë rast, t’i bëhet ndonjë vlerësim punës së tij të përkushtuar 50-vjeçare edhe në fushën e studimeve shqiptare? Ndërsa, më në fund: A do t’i lexojnë e t’i vlerësojnë këto radhë të mia dashamirëse, persona a zyrtarë përgjegjës dhe të ngarkuar për këto veprimtari, që nuk përsëriten shpesh?

Tiranë, 9 nëntor 2012

Filed Under: Featured Tagged With: 100 vjetori, a eshte ftuar, Albanologu Gabinskij, Mrat Gecaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 898
  • 899
  • 900
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT