• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MONUMENTI I HEROIT KOMBETAR VENDOSET ME 6 MAJ NE PRIZREN

February 22, 2020 by dgreca

Monumenti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut do të vëndoset në Prizren në datlindjen e tij më 6 maj 2020/

NGA NUE OROSHI/

Duke e parë faktin se shumë mërgimtarë anë e kënd Evropës e Amerikës edhe shumë shqiptarë që jetojnë në të gjitha trojet shqiptare dëshirojnë të marrin pjesë në vëndosjen e Monumentit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Prizren,Shoqata “Trojet e Arbrit “njofton të gjithë shqiptarët se vendosja e Monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut do të bëhet më, 6 maj 2020.

Kjo shtyrje prej dy muajsh ka të bëjë me procesin e përgaditjes së monumentit nga ana e skulptorëve si dhe në përfundimin me sukses të aksionit për grumbullimin e mjeteve nga ana e Shoqatës “Trojet e Arbrit”.Që gjithçka të shkoj mirë e mbarë i ftojmë mërgimtarët shqiptarë si dhe komisionet që kemi formuar nëpër shtetet e Evropës dhe Amerikë që ta shpejtojnë sa më shpejtë që është e mundur grumbullimin e mjeteve financiare.

Ponjashtu falënderojmë të gjitha ata të cilët deri më tani na përkrahën pa kursyer që ky projekt kombëtar të përfundoj me plotë sukses.Të  kontribosh në mbrojtjen e identitetit shqiptar nëpër shekuj është madhështi, ti largohesh këtij kontributi dhe ta mohosh identitetin Kastriotas  është një ligësi dhe atdhemohim që se kemi pasur asnjëherë traditë gjatë tërë historisë sonë.

Ne emër të Shoqatës “Trojet e Arbrit “Nue Oroshi kryetar

Filed Under: Fejton Tagged With: Nue Oroshi, Shtatorja-Skenderbeu

TIRANA IME E VOGEL …

February 14, 2020 by dgreca

{sa e vogel ne Universin e madh}/


Nga EGLANTNA MANDIA

TIRANA E VOGËL/
Tirana e vogël/
Papritur një rreze dielli/
Ndriçoi/
Emrin tënd/
Dhe rininë time të herëshme/
E të pashë krejt e habitur/
Dëgjova nëpër ajër,/
Tingujt e lashtë të një melodie/
Që kumbonte/
E shoqëronte këngën/
E muezinit/
Simbolet e para të dashurisë/
Që më ngjitën drejt qiellit/
E një lot/
Ma njomi zemrën/
Të thirra atëherë/
Tirana ime e vogël/

Dhe prita të dëgjoj
Me drithmë jehonën e Dajtit
Po dielli u zu
Dhe ndjeva
Një rrënqethje fantazmash
Gjoksin të ma shtërngonte

NERMIN VLORA,1967
POETJA

Ato ishin vitet e pritjes pa fund të ëndrrave pa shprese. E kur qielli u ça u përballem me një realitet të pa imagjinuar buzë një krateri, llava e të cilit valonte tash sa mot, shpërtheu me një urrejtje e zemërim të frikshëm.

Shpirtëra të trazuar, të shkretë e të humbur, që kërkojnë vetëvehten me delirë të cuditëshme,me sy të marrur,gjysëm të verbër nga errësira e gjatë e jetës. Në një përplasje të egër iluzionesh e diziluzionesh për të vendosur një ekuilibër të ri.
Ne në bulozën e dhjetvjecarit të fundit të shekullit të xx, shqiptarët e gjetën vehten jashtëzakonisht të pafuqishëm të pa mbrojtur, krejtësisht të hutuar.

Vjeshtë Tirane, që cfarëdo të ndodhte ishte aty,si mali i Dajtit dhe përvijimet e detit që duken prej tij,një ngushëllim jo i vogël.

Pikërisht atëherë,u shfaqën nën qielli me re të kryeqytetit,Një Papë,Një Shenjtore dhe Një zonjë e aristokracisë së lartë,POETJA.

Zonja elegante,me një gjerdan perlash në qafën e gjatë si të një mjellme,qe një ëndërr e prekeshme,disi e besueshme,tek zbriste shkallët e hotel Dajtit,me një buzëqeshje gati hyjnore,një vegim yllësie me flokë të bardhë e fytyrën fisnike pa asnjë rrudhë,me sy të zinj ,depërtuse të butë e jashtëzakonisht inteligjente,dukej si një dhuratë nga zoti,si një oaz shlodhje ,pas një rrugëtimi të gjatë.

E ca ëndërrimtare, si puna jonë,që nuk u pat vdekur fare shpresa për mrekulli të rralla,u kuturisëm të bënim një dokumentar në T.V.Sh,për Nermin Vlorën.

Po sikurse ca flluska të tjera,edhe kjo mbeti e tillë,sepse grupi i xhirimit u shpërnda në “drejtime të panjohura” dhe mua më mbeti në dorë shkrimi,me titull:Tirana e vogël,sipas një poezie brilante të saj.
= = =
Ditë me shi në Tiranë.

Shi shi i rrëmbyer tirane.Një vajzë e vogël me emrin Nermin,mbetet befas matanë lumit të Lanës,ndërsa nëna e saj Zonja Belkiz e pret në anën tjetër.Vajza e vogël e përlotur s’di nga t’ja mbajë.Një burrë i moshuar e pyet: – ç’ke moj bijë?
Vajza dëgjon zërin e nënës dhe tregon ,me dorën e vocër,se nuk e kapërxen dot lumin e rrëmbyer,dhe atje, atje është nëna e saj që po e thërret”NERMIN!”……

Ç’qe ky episod i çuditshëm?

Një shenjëzë,një parathënie e viteve të më vonëshme të pritjes së gjatë,tepër të gjatë për takimin e shumëpritur midis nënës dhe bijës?

Asaj cupëze të vogël për vuajtejen dhe pritjen plot durim,fati I fali hapësirat e detrave,oqeaneve,kontinenteve dhe mundësinë e fjalës me yllësitë.

Goca e Tiranës së vogël u bë një zonjë e nderuar,intelektuale e ndritur,që me humanizmin,dijet enciklopedike arrijti të futej në thellësitë e shekujve për të njohur të sotmen dhe parathënë të ardhmen.Forca kreative e Nermin Vlorës ka një opus shumë të gjerë,në fushën e gjuhësisë,prozës dhe vecanerisht poezisë.Me një sensibilitet të rrallë poetik ku dendësohet një mall e brengë njerëzore dhjetravjecare,për Tiranën e vogël, nënën, gjyshen shkollën ,shoqet,shtëpinë ,atdheun e gjithecka shqiptare.
“Muza e poezisë sime lindi në Shqipëri[poezia e parë u botua këtu në moshën 12 vjecare]u rrit në Shqipëri,këndoi për Shqipërinë në masën e një harmonie midis popujve të Europës,si qytetare të Europës që jemi”

Më se e vërtetë ,në këtë KOHË kur thirrja e brendëshme e shpirtit të Kombit kërkon të ketë Shqipëri të bashkuar “Si gjithë Europa”Krijimtaria poliedrike e NerminVlorës është një shembull i forces kreative të këtij populli të lashtë e fisnik,bijtë e të cilit ,sic ka shkruar Barleti”Ndjekin gjurmët e fisit e gjakut të vet”

Poezia “NJË KRIZË’vjen pas pas lajmit të vdekjes së gjyshes në Tiranë.Fytyra e së cilës është vizatuar në poemën”ARRATISJA”që është vjershërimi më i bukur i vëllimit”Nga gjysëm hëna tek Hena,1973”Një ditar i plotë poetik,që lidhet me Atdheun, fëmininë,rininë ,dashurinë,martesën ,arratisjen nga ardhja e nazistëve në Shqipëri me njëmijë rreziqe,poema si një elegji largimi nga lufta shkatërrimtare,e mjaftë për t’i dhënë njeriut që e ka parë në sy për të gjithë jetën të bëhet kundër saj,kundër kasapëve të njerëzisë.

Dhe kudo mesazhe të Atdheut,sado larg që të jetë POETJA,sado që në poezinë e saj të fryjë flladi i kozmosit, i universit, yllësive, misterit të jetës dhe vdekjes, do të dali pa pritur një mall tjetër i largët që të kujton dhimbjen e thellë të ndarjes.sic qe vdekja e gjyshes Mevedet aq të dashur e të respektuar nga Nermini.

Mevedetin,vajzën e madhe të Ismait Qemalit vdekur në një varfëri ekstreme, sa që të bijës,Belkizit i pat mbetur peng në zemër,se nuk pati as sheqer për një caj në castet e fundit,se gjithcka që patën ua rrëmbeu pushteti popullor.
”Në mjegullën e kohës
,ende kujtoj lamtumirën e gjyshes
dhe buzëqeshjen e ëmbël të ngrirë
nga hidhërimi ,që s’e pashë më kurrë!”
Asgjë më tepër.Poezia e Nerminit frymëzon ligjin e mirësisë.
”Vjersha është gjuhë ndërkombëtare.
vjersha nuk pranon dallime klasash.

Vjersha nxirret nga burimi i misterit të krijimit,me forcën e artit duke kaluar nëpër vijat e imëta të fjalës,e cila dhuron atë që i është caktuar për të pushtuar vetveten në kërkesë të vlerave madhështore të shpirtit”shkruan autorja në parathënien e librit me vjersha ’Zotëruesi i kohës’1967.”

Nga Tirana e vogël në hapësirat e pafundme ,shpirtin e etur të POETES nuk e pengon asgjë për të kërkuar misterin e jetës e të gjejë afërsitë shpirtërore në gjithësinë e pamatë.
“Në dritën e rrufesë
sytë e tu pashë
në një natë me stuhi
Pastaj zbardhi
Dita

======
” Oh jo,o diell,
Ti i madh je
Dhe për njerëzimin në lëvozhgë
Cak i pakalueshëm je
Po jo aq fort
për mendmet
Shkëndija të shpirtit
që hapësirën marrin
përtej orbitës sate
thesare duke kërkuar
shekujve përt’u falë”


Poezia është një bukuri që shihet me sy,futet thellë në zemër dhe pasuron shpirtin.Një shpirt i pasur bëhet i mëshirshëm ndaj vuajtjes së të tjerëve.

Poeti edhe kur është i vobektë nuk është kurrë i varfër,me që ka mundësi të përvetësoje si madhështinë e pafundme,ashtu edhe të vuajë për mediokritet dhe padrejtësitë e kësaj botë”-thotë Nermini.
=====
NËNËS,
“TË GJITHË NËNAVE,QË PUSHOJNË NË KOPËSHTIN E KUJTIMEVE”

Kur s’isha,Ti ishe
Kur linda,Ti më buzëqeshe
Kur u rrita,Ti më udhëhoqe
Kur gabova,Ti më qortove
se Ti më deshe
Dashurinë për gjithësinë,Ti ma mësove
Bukurinë e ndjenjave,Ti m’këshillove
Me universin n’harmoni t’jetoj,Ti më urdhërove
Dritën e vërtetë,ti ma tregove
pse Ti më deshe
Ti nënë,vlla,motër,shoqe
Ti në lundrimet e vështira t’kësaj bote
Ti eksperiencën e flokëve t’bardha ma
Dorëzove
Ti n’heshtje përgjithëmonë u largove,
pse Ti më deshe
Në gjirin e universit Ti u ktheve
Por prej meje
Ti kurrë s’u ndave
Në yjtë e qiellit xixëllojnë sytë e Tu
Kudo n’ajër marr frymë shpirtin t’ënd
Sa shumë të paskam dashur!
====
Harku që përshkon dijet e Nerminit,lashtësinë,kulturat e herëshme të botuara në librin e saj të fundit”LASHTËSIA E GJUHËS SHQIPE”Sipas dokumentave epigrafike nga Egjeu deri në Atlantik[BARDI EDITORE-Roma,Gusht 1991],është një nga kulmet e punës së imët hulumtuese prej një shkencëtareje të mirëfilltë.E të duket pak si cudi ku bashkohet Poetja me studjuesen.,ndoshta tek ngulmimi i raportit të njeriut me botën,mesazhet që pret shpirti i etur nga universi.pyetjet e një zëri human,që kërkon të zbulojë misterin e fatit të njeriut,filozofinë dhe të vërtetën,e sa e sa pyetje që kërkojnë përgjigje si kjo:
“ Ku duhet kërkuar misteri i gjuhës Ilire?
Ajo nuk u helenizua,megjithëse përdori shkrimin grek për shumë shekuj,nuk u latinizua pas zaptimit të Romës,nuk u sllavizua,as nuk u turqizua.
Këtë gjë të mrekullueshme e kreu dashuria e shqiptarit për kulturën,traditat,nevojën shpirtërore dhe me ndihmën e maleve vigane,që mbrojtën një popull me të kaluar po aq vigane.
Dhuna dhe egërsia I mshehin kulturat nën shkure të helmatisura.Po kultura është dritë,që edhe kur duket e mshehur,nuk asgjësohet dhe shpejt a vonë del dhe vezullon në një trevë kulture të zhvilluar me finikëri të vërtetë.
Fitimet tokësore të popujve shkojnë e vijnë.fitimet shpirtërore mbesin të vulosura në kohë si dritë e vërtetë që nuk shuhet gjatë shekujve,po bëhet energji,shkencë,dituri.
Si përfundim,e gjithë vepra e kësaj humatiste të shquar,Nermin Vlora –Falaschi ,është thirrje kundër dhunës,cdo lloj mekati e krimi,për të qenë i pastër,kur të përballesh me vehten, përtej Robikonit
Zbrazëtira
Asgjëja
Dhe shpirti që në hapësirë udhëton
I etshëm përdituri
Hapat e parë
Të sigurt
Luhaten
sikur mbështetje t’kërkonin
Por në asgjë mbështetje nuk ka
Zbrazëtira vend nuk zë
Dhe shpirti zhytet në prsosmëri
Në asgjë
Atëherë vezullojnë yjet
Që ndricojnë udhën
Drejt Asgjësë së madhe
Që është gjithcka
Që është ,Dritë Hyjnore

Filed Under: Fejton Tagged With: Eglantina Mania-Tirana ime e vogel-Nermin Vlora

“KUSH KUJDESET PER TE MJERIN”

January 21, 2020 by dgreca

“KUSH KUJDESET PER TE MJERIN” SIPAS PATER PAULIN MARGJOKAJ OFM, FRATI PUKJAN NË REVISTEN JETA KATHOLIKE SHQIPTARE /

SHKRUAN: LEONORA LAÇI/

Ishte viti 1966 kur nisi rrugëtimin buletini Jeta Katholike Shqiptare, dhe mblodhi rreth saj intelektualët e shpërndarë nëpër botë, por duke u përqendruar më shumë tek botime të karakterit fetar, duke pasur parasysh që në Shqipëri në këtë kohë nuk lejoheshin buletinët fetar. Themelues të saj pati Mons. dr. Zef Oroshin që nuk u ndal me kaq, pasi gjeti mbështetjen morale dhe materiale tek komuniteti shqiptar që endej mes shumë vështirësive të jetës së përditshme, pak vite më vonë u hodhën dhe themelet e kishës së parë katolike shqiptare në SHBA. Jetëgjatësia e kësaj reviste i kaloi parashikimet fillestare të botuesit, dhe dita-ditës u përfeksionua me emrat më të njohur të letrave shqipe të kohës.

  Artikujt janë mjaft të vlefshëm jo vetëm për kohën kur shkruan Patër Paulin Margjokaj OFM, por edhe për të sotmen, na evidentohet ajo që ne shpesh e harrojmë, dhe jepemi pas materiales dhe pangopësisë për të pasur më tepër, dhe dalngadal zhveshemi nga vlerat reale njerëzore; ekzistenca, mirënjohja, lumturia, dashuria dhe shkojmë drejt mjerimit shpirtërorë, e bëhemi më të mjerë se të mjerët.

 Ai na sjell përpara nesh njerëzit që janë sakrifikuar dhe kanë lënë shenjën e vet në historinë e krishtërimit e të njerëzimit, po ashtu ai e fillon artikullin duke hedhur poshtë me fakte veprimtarinë e komunistëve që rrihnin gjoksin fortë për përpjekjet e tyre për të lehtësuar jetën të varfërve dhe se mbaheshin si flamurtar të shtresës së varfër, po shkëpus një fragment nga artikulli i parë i tij në Revistën Jeta Katholike Shqiptare: “Me u vû e me pershkrue shka Kisha ka bâ per të vorfnin e per të smundin, per puntorin e per njerz e lanun mbas doret, do të lypeshin libra të trashë. Na duem nder kto pak faqe me prû vetem disá nder ata mâ të permendunt njerz qi me veprimin e tyne u dalluen veçanerisht në shekullin e XIX-të. Ky âsht shekulli në të cilin ká jetue Marksi, ai ká lé në 1818 e ká vdekë në 1883.A thue pernjimend Marksit i ka plasë shpirti e zembra tue pá mjerimin e njerzvet, nuk do t’a shkoqisim tashti. Na pernjiherë duem me prû vetem êmnat e atyne njerzve qi kan jetue në kohë të Marksit. Njerz qi sigurisht Marksi i ká njoftë apor nemose i ká ndie tue i permendë veprat e tyne të jashtzakonshme. Na i kemi zgjedhë emnat e njerzve prej atyne vendeve kû Marksi ka jetue e ká veprue.”

Artikujt nën titullin “Kush kujdeset per te mjerin” janë botuar në disa numra të revistës në vitin 1967 numri 3 dhe 4, ndërsa në vitin 1968, nr 1. Ai sjell përpara nesh njerëzit që kanë kontribuar për të varfërit dhe emrat e tyre që janë bërë frymëzim për popujt.  Këtu përmenden si; Adolf Kolping, Wilhelm Emmanuel Ketteler, Antoine-Frédêric Ozanam etj.

“Kush kujdeset per te mjerin”- Dr. Pater Paulin Margjokaj

Revista Jeta Katholike, viti 1967, nr 3

Ish-komunisti freng, Ignace Lepp, na thotë në librin e vet “Prej Marksit te Krishti” (perkthimi tedeshk dalë në Graz 1961) se as atij as shokvet të tij komunista, me të cilët jetoi e punoi per 10 vjet rresht, nuk u â asht thanë asnjiherë ndoj gjâ per shka Kisha ka bâ per të lehtësue mjerimet e njerzvet. Se Kisha Katolike ka zhvillue edhe nji doktrinë sociale të veten, as kurrkund me e ndie ndojherë nder kurset e veçanta qi atij e shokvet u dote me ndjehë tash e parë. Un kam pasë besue se Karl Marksi âsht kenë i pari qi âsht interesue pernjimend per fatin e proletarjatit”. Mbasi thotë kto fjalë, Lepp në faqe 343 vêhet e na ndjehë do êmna të famshme qi ai kurr nuk i kishte pasë ndie para se të fillonte me marrë msim per t’u kthye në fenë e Krishtit. Njerz kta qi shi në kohen e Marksit janë dá në shêj per perpjekjet qi ata bânë per të permirsue gjendjen e puntorit dhe, në pergjithsi, per të lenue mjerimet e njerzimit. Jo vetem Lepp, por sigurisht edhe shum prej nesh kanë pasë rasen me i ndie anmiqt e religjionit e të Kishës tue thanë qi vetem Marksi e shokët e tij komunistë kujdesen per të lanun e per të vorfen e per puntorë të shkretë.

Me u vû e me pershkrue shka Kisha ka bâ per të vorfnin e per të smundin, per puntorin e per njerz e lanun mbas doret, do të lypeshin libra të trashë. Na duem nder kto pak faqe me prû vetem disá nder ata mâ të permendunt njerz qi me veprimin e tyne u dalluen veçanerisht në shekullin e XIX-të. Ky âsht shekulli në të cilin ká jetue Marksi, ai ká lé në 1818 e ká vdekë në 1883.

A thue pernjimend Marksit i ka plasë shpirti e zembra tue pá mjerimin e njerzvet, nuk do t’a shkoqisim tashti. Na pernjiherë duem me prû vetem êmnat e atyne njerzve qi kan jetue në kohë të Marksit. Njerz qi sigurisht Marksi i ká njoftë apor nemose i ká ndie tue i permendë veprat e tyne të jashtzakonshme. Na i kemi zgjedhë emnat e njerzve prej atyne vendeve kû Marksi ka jetue e ká veprue.

Kto vende janë: Gjermanija, prej kah ishte Marksi, mandej Franca kû ka kalue do kohë e në fund Anglija kû Marksi kaloi gjysen e dytë të jetës së vet.

Na kemi me prû êmna njerzish jo vetem nga Kisha katolike, por edhe nga protestantizmi.

Fillojmë me Gjermani. Ktu kemi të bâjmë me dy njerz qi kan jetue shi në krahinen nga ishte ishte Marksi. Kjo krahinë âsht provinça e Renanjes ose krahina qi pershkohet prej lumit Ren.

I pari nder kta âsht Adolf Kolping, i lindun në vj.1813 dhe i vdekun në 1865. Rjedhte nga nji familje e numrueshme qi jetojshin me mëditje (paga e perditshme e puntorit). Ai nxuni mâ parë zanatin e këpuctarit. Qyshë i ri pat kshtu rasë jo vetem me e provue vetë se shka âsht vorfnimi, por edhe me e pá nder tjerë njerz skamin e fatin e mjerë. Mâ vonë, mbasi kapercei veshtrisi të mdhaja, kje i zoti të studjojë në gjimnaz dhe në shkollë të naltë e në vj.1845 u bâ meshtarë. Në qytetin Elberfeld (në Wuppertal) nji msues me êmen Breuer kishte pasë themelue në vj.1846 Shoqninë katolike të shegertavet. Kolpingu qi vjett e para të meshtarisë i kaloi n’Elberfeld si ndimës i famullitarit t’atjeshem, kaloi në vj.1849 në Koln. Shka kishte pasë pá e provue në Shoqninë e shegertavet t’Elberfeld, në të cilën vetë Kolpingu kje i dyti kryetar, ai e vijon edhe në Koln, kû me 6 mâj 1849 Kolpingu i vûni themelet Shoqnisë së shegertavet qi tash e mbas sotit u bâ nji organizatë e madhe qi, mbasi pat marrë pelqimin e Papës, u perhap në Gjermani, Svicer e Austro-Hungeri. Edhe nder Shtete të Bashkueme (St. Louis) pat kenë themelue qyshë në 1863 nji degë e Kolpingut të Gjermanisë. Zyrtarisht quhet kshtu kjo organizatë: Vepra e Kolpingut. Ktij i ká mbetë êmni: Baba i shegertavet. Në ket Shoqni katolike të Kolpingut bâjnë pjesë vetem burra. Progami i saj âsht:

Me e msue burrin puntuer të bâjë nji jetë plotsisht të krishtenë;

Të mbrrijë me u bâ mjeshter i vertetë në zanatin qi kâ zgjedhë;

Të bâhet nji babë i mirë familjet;

Të dahet në shêj si qytetas shembull në çdo pikpamje.

Tash per tash âsht e perhapun Shoqnija e Kolpingut nder kto vende: Gjermania, Austria, Svicer, Shtete të Bashkueme, Itali (Tirol i Jugut), Belgjikë, Holandë, Francë, Luksemburg, Kanadë, Brazil, Argjentinë, Venezuela, Afrikë Jugore e Australi. Në Poloni, Ungeri, Çekosllavaki, Rumeni e Jugosllavi janë mbyllë gjithëkund qandrat e Shoqnisë së Kolpingut.

Simbas statistikës së vj.1960 Shoqnija pershite 250 mijë vetë, të shperdamë nder 2800 shpija ase familje të Kolpingut. Nder kto qandrra mbahen kurse msimit per zanate të ndryshme, fjalime e diskutime mbi problemet socjale-politike, organizohen çfaqje shoqnore e sportive, bâhen mbledhje familjare etj. Shoqnija ka edhe nji shtyp të vetin e me tê mbahet lidhnija e të tana qandrrave të Kolpingut në mbarë boten.

Kolpingu do të ndjehet si nji nder prisa mâ të randsishme e katolicizmit socjal të shekullit të XIX-të. Ai âsht krijuesi i nji lëvizje shoqnore, ai na mson se kur njeri t’a ketë gjetë rrâjen në familje, ai ká per të marrë hov e per të perparue në zanatin e vet dhe ká per të naltue kshtu perherë e mâ fort popullin të cilit i perket.

Puna e dorës (puna fizike) âsht per Kolpingun e per dishepujt e tij jo vetem sigurimi i mjeteve të gjallnesës, po âsht edhe nji fuqi e lartë etike qi, e bashkueme me religjion, âsht e zoja të formojë persona me karakter e me ndergjegje të shndoshë. Po të kishin të tanë njerzit nji çmim aq të naltë per punë fizike si e kishte Kolpingu e po t’ishin të mbushun mendësh per letersinë etike të punës, sigurisht kishte per t’u hjekë shum mjerim prej botet. Nji tjeter prisë lëvizjes shoqnore të shekullit të XIX-të âsht kenë ipezhgvi Ketteler. Sypri patem të bâjmë me nji njeri nga nji familje e vorfen, tashti kemi para vedit nji qi rridhte nga nji shpi e pasun.

Wilhelm Emmanuel Ketteler u lind në Munster (Westfalen) në vj.1811 e vdiq në 1877. Mbasi kreu studjimet e nalta në Drejtsi, hini në punë shtetnore. Në moshen 30 vjeçare e ndau me marrë rrugë e meshtarisë. Mbasi kreu teologjinë në Munster, u shugurue meshtar në vj.1844. Vjetet e para sherbei si famullitar në Hopsten, në 1848/49 muer pjesë si deputat n’Asemblenë Kombtare të Frankfurtit. Në 1850 Papa Piu IX-të e emnoi ipezhgev në Mainz.

Ktu na flasim vetem per Ketteler në lidhje me çashtjen shoqnore. Jemi në nji kohë kur zhvillimi i teknikës kishte prû me vedi shndrrime të mdhaja në shoqninë njerzore. Pér t’a pá disi gjendjen e keqe t’atëhershme le të mendohet katunder minjere ose nder fabrika shtiheshin në punë edhe fmijët me moshë mâ pak se 10 vjeçarë dhe do të punohej si diten si edhe naten; 15 orë punë e mâ teper në ditë ishte gjâ e zakonshme. Qyshë i ri i kishte djegë zemra Ketteler tue i pá e tue i ndie kto të zeza të shoqnisë se rè industriale t’Europës Perendimore. Në Gjermani e shi në krahinën kû veprote Ketteler (qendra industriale Ruhr ndodhet ktu) kishte fillue të marrë hov mâ së fortit industrija. Në vj.1848 mbajti ai në kishen katedrale të Mainz predke permbi “çashtjet e mdhaja shoqnore të kohës së tashme”. Per Ketteler rrin në krye të vendit njeri. Nuk duhet prandej qi njeri të kaperdihet prej shtetit modern sido qi të duesh me e çuejtë ktê: absolutizem, monarki parlamentare, ekonomi liberale etj. Kundra ksilloj shteti Ketteler shei të vetmin pshtim per puntorë, qi ata të bashkohen a nder sindikata apo nder koporacjone ase tjera ksi soj bashksish qi të sigurojnë të drejtat puntorisë. Tue u bashkue, e ká puntorija mâ të lehtë me i qindrue shtetit kur ky merr me e konsiderue njerin si nji burmë të nji maqine e jo mâ tper. Nuk do të harrohen kto fjalë të forta të Ketteler: ”gjendja ekonomike e kohës së ré e çon puntorin në shkallë aq t’ultë, saqi atij i bâhet e pamundun me i mbajtë urdhnimet qi i vên Krishtênimi.” Çashtja shoqnore per ipezhgvin e madh ishte nji problem fetar.

Katteler e pau kjartë se puntorija pa ndimen e tjerve nuk mund të delte prej gjendjes së mjerueme. Inicijativa private ishte per tê edhe ajo e pamjaftueshme per t’a zgidhë si duhet çashtjen. Prandej në vj.1869, në nji fjalim të madh qi mbajti, theksoi ai detyren qi ká shteti me çpallë ligjë përkatse per mprojen e puntorisë. Natyrisht edhe tjeret do të jepshin ndimen e vet per ket gjâ: jo vetem kisha, por edhe personat privat ai edhe shoqnitë jo-shtetnore. Si pak perpara u pa, Ketteler e njifte mirë rrezikun qi mund të paraqesë nderhymja shtetnore per lirinë e njerit; me gjith atê perpá pasë ligjë të kjarta nga ana e shtetit, nuk mund të ndreqej si duhet çashtja e puntorisë.

Idetë e mendimet e Ketteler i pat bâ të vetat partija katholike e shtetit t’athershme gjerman, qi quhej “Centrum”. Edhe mâ vonë ká vijue kjo parti t’i ketë msimet e ipezhgvit të Mainz si bazë në veprimtarinë e vet shoqnore. Ligja per mprojen e puntorisë qi kje pranue me 6 mâj 1891 në parlamentin gjerman, rridhte sigurisht nga doktrina e Ketteler. Papa Leoni XIII-të ka shti shum mendime të tijat n’ençikliken e vet shoqnore “Rerum Novarum” qi pat çpallë me 15 mâj 1891. Asht kenë vetë ky Papë qi e ka quejtë Ipezhgvin e Mainz “grand prédécesseur” (para-arrdhës të madh të vetin).

Tue mos mujtë me shkue mâ gjatë, po bimë vetem ndoj êmen tjeter nga bota tedeshke, asish qi në mndyrë të veçantë u dalluen në lamen shoqnore. Njani âsht Karl Vogelsang, i lindun në 1818 në Gjermani, në fillim protestant, mâ vonë (qysh në 1850) katolik, qi jetoi n’Austri e vdiq në Wien në 1890. Tjetri âsht Princi Alois Liechtenstein, i lindun në 1846 e vdekë në 1920. Të dy kta si edhe dy austriakët Lueger e Schindler luejten pjesen mâ të randsishmen në lëvizjen kristjano-socijale n’Austri. Mâ vonë kemi per të pasë rasë t’a permendim prap Ketteler. Tash njiherë po ndalemi ktû. Në numrin e ardhshem do të kalojmë në Francë, per të pá atje njerz tjerë qi u interesuen per të permirsue gjendjen e shoqnisë njerzore.

Filed Under: Fejton Tagged With: Leonora Laci-Jeta Katholike

Metush Haxha – të lumtë dora…

January 2, 2020 by dgreca

-Shfletojmë historinë tonë Kombëtare-

Shkruan: Qamil S. Dardhankodra/ Toronto-Canada/

Metush Haxha (1880-1965) lindi e u rrit në katundin Haç të çarkut të Gjilanit. Ishte pjesëmarrës i të gjitha kryengritjeve të fundit që u zhvilluen në Grykë të Kaçanikut kundër pushuesve turq. Për ma tepër Metushi ishte shejtar i shkëlqyeshëm. Ai ia shpoi kazanin pampurit turk tek po kalonte nëpër Grykën e Kaçanikut. Sa të tjerë e kishin provue këtë gja por pa sukses ngase lokomotiva kishte cilindrin e avullit me shtypje të naltë të vendosun horizontalisht. Plumbat rrëshqitnin (teptisnin) poshtë ose nalt dhe vështirë ishte të gjendej kandi prej 90˚. Këtë kand e gjeti dhe e zuni vetëm shejtari i pashoq – Metush Haxha. Mbasi e shpoi kazanin, treni vazhdoi dhe disa hapa dhe u ndal – u ndal çarkullimi i trenave në udhën e frengit (hekurudhës) Selanik – Mitrovicë. Dami që i shkaktoi Metushi Perandorisë së ugurzisë turke nuk ishte i vogël, për këtë sigurisht qe njoftue edhe xhelati i Stambollit. Duhej edhe nji lokomotivë tjetër për ta tërheq këtë coftinë për riparim, riparimi nuk ishte i lehtë kur dihet se në këtë kohë ende nuk njihej puna e saldimit. Lokomotivat prodhoheshin vëtëm në Europë e jo në Turqinë anadollake e të mbrapambetun.

Sa e sa herë Metushin e kishin thirr nëpër dasma në këtë anë, vetëm e vetëm për me e vra shejin që ishte kusht për me vazhdue krushqit e me u kthye me nuse. Shej vehej nji asht ose nji filxhan i kafës, ky burrë kurrë nuk e rrëzonte shejin me të parin – e treta e vërteta e i zoti i dasmës nuk e ka kujtë (pranue) nëse sheji vritej me të parën tue thane se “plumbi këtuhit e kishte udhën” e drejtonte shejin sërish dhe thoshte “e tashti vraje në mujsh me e vra” thuhet se mbrapa shejit shumëherë e kanë vue nji copë bukë dhe sheji nuk vritej (bestytni). Shpeshherë Metushin vinin e merrnin me kali vetëm me e rrëzue shejin se dasma nuk do të përfundonte pa u krye kjo punë. Me Bozk Stubllën ishin shokë të pandashëm që të dy luftarë të Grykës së Kaçanikut e të Grykës së Konçulit, bashkëluftarë dhe truproje të Idriz Seferit. Qenë shejtarë të mire, e vrisnin zogun në qiell. Metushi kishte pushkë të gjatë në cilën mund të flinin 12 çura. Në livadhe të Zhegrës ai e kishte vra nji serb të këtij katundi ngase kishte sha shumë keq. Për këtë rast gjykata e Shkupit e kishte lirue për shkak të mospërputhjes së emnit, megjithatë familja e tij e pagoi këtë gjak 50 lira – ar, serbët e Zhegrës qenë shqiptarë të sllavizuem. Gjatë L2B Metushi e kaloi Moravën dhe doli në Shqipni, punoi si rojtar në Budrikë, Radivojc, Devajë, etj. herë-herë vinte natën dhe fshehurazi te Haçt e shihte familjen, fqijt, etj. Mbas L2B ai ka hecun shumë për besëpaqe, ka marr pjesë në shumë pajtime e mbarime që asht nji akt burrnor e atdhetar.

Jo vetëm që nuk duhet harrue këtë luftar e atdhetar e shejtar të shquem por atë duhet nderue e në radhë të parë do të ishte tepër mirë që Shoqata e Shejtarisë e Gjilanit të emërtohet me këtë emën të madh – me emnin e Metush Haxhës. Krenari për këtë shoqatë do të ishte me e mbajt emnin e nji atdhetari të traditës, e nji luftar të Grykës Kaçanikut dhe të Grykës Konçulit, kur dihet se njeriut si ai nuk i shkonte asnji plumb huq, emnin e nji shejtari të shkëlqyeshëm, emnin e nji njeriu që ia shpoi barkun sulltanit gjakpirës, emnin e nji njeriu që i shkaktoi dam të madh Turiqisë ugurzezë.

Kjo shoqatë duhet të emërtoj e mbaj nji garë, çmim a shpërblim me emnin e Bozk Stubllës që të nderohet e të mos harrohet ky burrë, ky atdhetar i madh, ky luftar që rrëzoi e praptoi sa e sa ushtarë turq e serbë.

Filed Under: Fejton Tagged With: Qamil Llashtica- Metush Haxha

100 VJET….

January 1, 2020 by dgreca

Nga Fritz Radovani/ E Verteta asht vetem një! Kujt nuk i pelqen të vazhdojnë me pertypë rrêna!

Në 1999, ishte e para herë që kam ndigjue në Tiranë, nga Prof. Valentina Duka kumtesen “Roli i Klerit Katolik Shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris, 1919 – 1920”, ku tha troç: “Fillimisht Turhan Pasha, me cilësinë e Kryeministrit Shqiptar, në përbërje të delegacionit, krahas vetes, caktoi edhe Mehmet Konicën (Ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Durrësit), Mit’hat Frashërin dhe Mihajl Turtullin…” Kur mërrijtën në Paris këta drejtues, në shkurt 1919 “u këshilluen nga Ministri i Jashtem i Italisë Sonino, “që në delegacion të kishte edhe përfaqësues nga Shqipëria e Veriut dhe e Mesme…” Pra, kishte shkue puna deri aty, që “italianët” me u mësue mend delegatëve tanë, sesi me veprue per mos me na coptue shtetet fqinjë, bash atëherë kur vetë italianët, nuk i lenin asgja mangut komshijëve tjerë! Mosmarrveshjet mes tyne nuk zehen me gojë nga askush as sot gati mbas 100 vjetësh. Këte e verteton qendrimi i perfaqsuesëve të Shqiptarëve të Amerikës, Turqisë, Kosovës, Rumanisë, etj., që arrijtën deri aty sa me kerkue “edhe rikthimin e Esad Pashë Toptanit në drejtimin e shtetit shqiptar”… 

Qeveria e Durrësit vendosi të dergojë si Kryetar të Delegacionit Shqiptar, në Konferencën e Paqës në Paris Ipeshkvin e Lezhës Imzot Luigj Bumçin, i cili zgjodhi si sekretar të vetin françeskanin e njohun At Gjergj Fishta. Nga Shqipnia e Mesme shkoi Mustafa Kruja. Në delegacionin e ri u caktue edhe Luigj Gurakuqi, Dr. Mihajl Turtulli, Lef Nosi, Mehdi Frashëri, Mehmet Konica. 

Me datën 6 Mars 1919, Imz. Luigj Bumçi dhe At Gjergj Fishta u nisën në Romë, për me u takue me Papën Benedikti XV, një dashamirës i madh i Popullit Shqiptar. 

Mbas takimit me Papen, Imz. Bumçi dhe At Fishta u nisën për Paris. Shkelqimi i dy figurave të Klerit Katolik Shqiptar, kje i paimagjinueshem në Konferencën e Paqës. Imzot Luigj Bumçi ishte një përfaqsues i denjë i Atdhetarizmit dhe i çeshtjes sonë aq të randsishme për kenjen e Kombit Shqiptar. Imz. Bumçi takohet me të gjithë delegatët e të gjitha shteteve, dhe me njohjen e disa gjuhëve të hueja, Ai asht në gjendje me bisedue me të gjithë dhe me u paraqitë atyne se, “Shqiptarët sot janë vertetë pjesë e Europës së 

qytetnueme”. Takimet dhe kambngulja e Tij për zgjidhje të drejtë të çeshtjes Shqiptare, oratoria dhe prezenca e At Gjergj Fishtës përkrah Tij, janë një model i papersëritshëm! Imz. Luigj Bumçi porsa filloi detyren protestoi tek Presidenti Amerikan Woodrow Wilson, kundër barbarëve serb per krimet e kryeme në Shqipninë Veriore, Plavë Guci e Gjakovë. I kerkoi hymjen e trupave amerikane në zonën e Rugovës. Protestoi tek Ministri i Jashtem i Italisë Tittoni për marrveshjen me Kryeministrin grek Venizelos, në lidhje me kalimin e zonave të Korçës e Gjinokastres Greqisë. Në muejn Tetor 1919, Imz. Bumçi u takue me perfaqsuesin e Francës Pichon, dhe krytarët e delegacioneve të Shteteve të Bashkueme dhe Anglisë, të cilëve u kerkoi që të nderhyjnë për zgjidhjen e çeshtjeve në favor të Shtetit Shqiptar. Ndersa At Gjergj Fishta, udhtoi per këto çeshtje drejtë Anglisë dhe SH.B.A. Delegacioni Shqiptar tue vrejtë vështirsitë e mëdha per zgjidhjen e drejtë të atyne problemeve aq delikate, kerkoi nga Imz. Bumçi, në mbledhjen e 22 e 23 Dhjetorit 1919  nderhymjen urgjente të Tij tek Vatikani. 

Imz. Bumçi, si gjithmonë i gatshem per me zgjidhë çeshtjet kombtare, u pajtue me mendimin e Delegacionit dhe bashkë me Mehdi Frashërin, intelektual i njohun, u nis për Romë, dhe arrijti me 28 Dhjetor në Vatikan.

Takimi i Imz. Bumçit me Papen Benedikti XV u zhvillue me datën 1 Janar 1920, vertetë një takim i shkurtë, po me plot fryt për qellimin për të cilin Ai shkoi tek Papa. Në kujtimet e Tij historike Imz. Bumçi shkruen: “Tesh prá Shêjtni, të gjith misat e Dergatës Shqyptare qi janë në Paris e qi shumica asht mysliman, më kan çue ktu perpara Shejtnis S’Uej e të gjith per nji gojë U luten qi me fuqin t’Uej morale e me influencen e madhe qi keni në boten marë, të na epni ndimen t’Uej të vlefshme si e ku dini Ju Vetë, qi të na pështojnë dy provinçet shqiptare Korça e Gjinokastra, të cillat janë në rrezik prej akordit Tittoni – Venizelos.” Mbasi marova fjalët e mija, Papa Shêjt, si pat ndêjë nji grimë herë pa bâ zâ, u suell e më tha: “Po shka të baj për Ju? Me Itali s’kam shka me bâ, e din gjith bota si jena: me Francë marrdhanjet janë këputë – shka të bâj?” U pergjegja (Imz. Bumçi): “Un kishe me thanë, Shêjtni, se bota s’ka metë vetun në Itali e në Francë; ka në botë edhe Angli e Shtete të Bashkueme t’ Amerikës!” Papa bâni buzen në gaz, e me i ‘herë më pergjegji: ké të drejtë. E pra, neser do të piqemi me Ambasadorin e Anglis, masnesrit me até të Shteteve të Bashkueme; e po t’ ap fjalen se me të dy kam me folë e me ja porositë dy provinçet qi kenkan në rrezik e kam me ba shka të mundem per me Ju ndimue. Zoti ka m’e e ba mirë se prei Konferencet të Paris-it mos pritni punë të mira pse Zotin e kan qitë jashtë, e aty ku s’ asht Zoti drejtsija s’ mundet me kênê!” Këtu u mbyll biseda. Imz. Bumçi në fund i la një memorandum me shkrim per kujtesë, dhe bashkë me Mehdi Frashërin ikën në Paris, ku priteshin nga delegatët tanë. Atë natë u takuen me delegatët Shqiptarë, e mbasi Imz. Bumçi i vuni në dijeni per biseden me Papen, të gjithë u ngritën në kambë plot gëzim tue thirrë: “Rrnoftë Papa! Korça e Gjinokastra shpëtuen!”

Me 6 Mars 1920, mbas dy muejsh që Imz. Bumçi u takue me Papen Benedikti XV, në Paris mërrijti një notë e Presidentit të Sh.B.A. Wilson, simbas së cilës “integriteti territorial dhe sovraniteti i Shqipnisë, me kufijtë e vitit 1913, janë të paprekshëm!” Çeshtja Shqiptare u diskutue aty tue iu referue Programit të Presidentit amerikan W. Wilson: “E Drejta e Kombeve per vetvendosje”, që favorizoi Shqipninë.

Shteti i Parë që ka njoh Shtetin Shqiptar ka kenë Vatikani, i cili me 12 Nandor 1920 emnoi Delegatin Apostolik per Shtetin e Ri Shqiptar, Imz. Ernesto Cozzi, që porsa erdhi në Shqipni, i ngarkuem nga Papa vizitoi gjithë krahinat e Shqipnisë dhe në fund, me daten 28 Janar 1921, Imz. Cozzi mërrijti zyrtarisht në Shqipni. Papa Benedikti XV shkruen: “Tashti që Populli i Juej fisnik ka mujtë me fitue lirinë dhe ka hy në rrugen e përparimit të vërtetë, asht e arsyeshme që nëpërmjet Perfaqsuesit tonë të ripërtrijmë edhe njëherë e ma të forta ato lidhje që përsa shekuj e bashkuen Shqipninë me Kishën e Shejtë”. Burrat që shpetuen Shqipninë e sotme nga coptimi i fqinjëve në vitin 1919 – 1920 ishin: Imz. Luigj Bumçi, Papa Benedikti XV dhe Presidenti i Sh.B.A. W. Wilson. 

■E nder këta 100 vjet, kjo treshe Burrash, sa sot.., nuk asht kenë e nevojshme kurr! 

            Melbourne, 1 Janar 2020.

Filed Under: Fejton Tagged With: Fritz Radovani-100 Vjet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 102
  • 103
  • 104
  • 105
  • 106
  • …
  • 112
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT