• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

E pashë Ukshin Hotin nga dritaret e burgut teksa e nxirrnin jashtë

May 16, 2020 by dgreca

Kujtime nga: Sadik Zeqiri/

Më 16 maj 1999, ditë e diel, kur lufta kishte marrë përmasa të mëdha në gjithë Kosovën, Ukshin Hotin policia serbe e nxori nga burgu i Dubravës, duke dhënë arsyetimin e mëpastajmë për, kinse, lirimin e tij. Por, heroi i mendimit shqiptar, siç e quajti mbrëmë shkrimtari Ismail Kadare, e heroi ynë shpirtëror brenda dhe jashtë grilave, Ukshin Hoti, asnjëherë nuk u kthye në shtëpi pranë fëmijëve të tij e pranë shoqërisë së vet. Ai ishte dënuar më 17 maj 1994, me pesë vjet burgim por, edhe pse e përfundoi dënimin burrërisht, për fatin e tij nuk di gjë kush. Sigurisht që dinë ata që e kanë nxjerrë nga burgu dhe ata që e kanë përcjellë përtej burgut.

Duke evokuar sot kujtime nga burgosja dhe lirimi i tij, një ditë para humbjes së gjurmëve të tij, fati i personalitetit, ndër më të madhit shqiptar, Ukshin Hotit, padyshim se është një nga fatet më tragjike të të burgosurve shqiptarëve të Kosovës. 21 vjet më parë, pra më 16 maj 1999, ai e përfundoi dënimin e shqiptuar nga regjimi fashist serb dhe do të duhej të ishte në liri, për të cilën po atë ditë, teksa dilte nga burgu, u foli shokëve të vet të pavijonit B: “Shokë, shihemi në Kosovën e lirë”. Megjithatë, pas daljes nga burgu, ideologu shqiptar, i përcjellë nga dy roje drejt derës kryesore të burgut të Dubravës, nuk është parë më nga askush, askund.

Ukshin Hoti u lirua nga burgu në një ditë jo të zakonshme për lirimin e të burgosurve. Nuk kishte ndodhur që asnjë i burgosur, i cili e kryente dënimin, të lirohej nga burgu në fundjavë, por as në ditë festive. Lirohej, ai që e kryente dënimin, gjatë ditëve të punës, që i bie një ditë para se ta kryente dënimin e caktuar, por asnjëherë pas tij.Në burgun e Dubravës dënimin, dhënë nga regjimi serb për çështje kombëtare, po e kryeja edhe unë por, jo në pavijonin B ku ishte Ukshin Hoti, por në pavijonin C, dritaret e të cilit ishin me pamje kah dera kryesore e burgut. Natyrisht se edhe brenda burgjeve kërkonim liri. Pak liri horizontesh gëzonim herë pas herë, bërë disi si me radhë nga shokët e dhomës, nga dritaret e dhomës së burgut, kur i lëshonim sytë jashtë dhomës, në oborrin e burgut e hapësirës qiellore. Më 16 maj kisha kohën dhe radhën të shikoja unë në dritare. Dhe kurrë s’më hiqet nga mendja dhe nga sytë burri me ecje vertikale e të drejtë nga pavijoni B drejt daljes kryesore, i shoqëruar nga ata dy gardianë, për të cilin u interesuam shumë me shokë të dinim kush ishte ai. Kuptuam ndërkohë, pasi ndodhi hataja e madhe më 19-24 maj në burgun e Dubravës, se ai që po dilte i shoqëruar nga burgu kishte qenë Ukshin Hoti.

Të njëjtën ditë me Hotin janë liruar edhe dy të burgosur të tjerë, njëri ishte nga Juniku dhe ishte i burgosur në pavijonin C. Atë ditë kur u lirua nga burgu junikasi, e pyeti gardianin që e mori për ta nxjerrë jashtë: “Me çka do të shkoj në shtëpi?” Gardiani iu përgjigj: “Deri në Pejë jemi përgjegjës për juve, më pas shkoni ka të doni”. Këtë bisedë mes tyre e kemi dëgjuar nëpërmjet dritareve të dhomave që i linim hapur. Trupi i të ‘liruarit’ nga Juniku është gjetur në varrezat e Lugut të Baranit në Pejë në vitin 2004, e profesor Ukshin Hoti ende askund.

Më dhemb shpirti që, sa herë vjen ditëlindja e masakrës sonë në burgun e Dubravës, gjatë gjithë këtyre 21 vjetëve përkujtojmë mbetjen tonë gjallë dhe “lirimin” e bacës Ukë, të cilit kisha qejf t’ia jepja dorën, ta kapja ngrykë por që, fatkeqësisht, pata fatin vetëm ta shoh nga dritarja e qelisë sime të burgut.

Lavdi të gjithë të rënëve për liri!

Lavdi dhe përkujtim të përgjithmonshëm Ukshin Hotit!

Filed Under: Fejton Tagged With: e Pashe, Ukshin Hoti

DËSHMI PËR GJENOCIDIN KUNDËRSHQIPTARË

May 4, 2020 by dgreca

Dosja:Krimet e komunizmit dhe shqiptarët/

DËSHMI PËR GJENOCIDIN KUNDËRSHQIPTARË/

Shkruan:DR. NAIL DRAGA*/

Pas dështimit të komunizmit dhe zhbllokimit të censurës, shqiptarët në ish-Jugosllavi filluan për të parën herë të shkruajnë lirshëm atë që kanë dëgjuar e përjetuar në të kaluarën e tyre historike. Në këtë gamë të ngjarjeve s’ka dilemë së vend të rëndësishëm zë tragjedia e Tivarit e vitit 1945.

Deri më tash për këtë ngjarje shumë tragjike e një ndër më tragjiket në Luftën e Dytë Botërore, shqiptarët edhe pse kanë ditur çdo gjë, ata vetëm se e kanë folur e përfolur pa pasur mundësi që opinionit t’i ofrojnë ndonjë studim, sepse trajtimi i temave të tilla kishte pasoja nga ana e pushtetit.

I vetëdijshëm se kryen një obligim profesional, kohë më parë dr.M.Pirraku iu prezantua opinionit me librin “Kalvari i shqiptarësisë së Kosovës-Tivari 1945”. Në lidhje me këtë ngjarje autori ofron të dhëna të dokumentuara nga provenienca ushtarake jugosllave, që në këtë studim analizohen  dhe interpretohen duke dhënë përfundime të logjikshme, se një masakër e tillë nuk ka qenë e rastit por e përgatitur më parë, por për realizimin e saj pritej momenti. 

Deri më tash për këtë masakër qarqet e caktuara shkencore e pseudoshkencore serbe vazhdimisht janë munduar që ta heshtnin, apo ta minimizonin duke e cilësuar atë si incident. Me të drejt cek autori se ngjarja tragjike e Tivarit(1.4.1945) ia kalon “Natës së Bartolomeut”, sepse vrasësit e shqiptarëve, tek shqiptarët përveç kundërshtarët ideologjikë shihnin edhe kundërshtarët kombëtarë dhe fetarë. Ishet ky një demaskim i politikës së “LNÇ” e cila në përfundim të saj tregoi fytyrën e vërtetë, më ç’rast kjo masakër është më mizorja në Ballkan gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Autori pa pasur pretendime që të jetë i njëanshëm, bën krahasimin e raportëve të eprorëve ushtarakë për të dhënat numërike të eshalonëve, prej nisjes së tyre nga Kosova dhe rrugën e tyre deri në Tivar. Pas ngjarjeve të Drenicës, në Kosovë fillon mobilizimi i popullatës shqiptare, për t’i dërguar gjoja për të ndjekur armikun dhe për të çliruar vendin. Qëllimi ishte përfid, sepse mendohej që të pastrohej Kosova nga elemntet nacionaliste në mënyrë që më lehtë të vendosej pushteti ushtarak serbosllav. Andaj në këtë mobilizim i cili nuk ishte i vullnetshëm por i dhunshëm, nga 24 deri më 27 mars 1945 në tre eshalone janë mobilizuar dhe deportuar jashtë Koosvës 7.700 shqiptarë. Gjatë udhëtimit të tyre  nga marshruta Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar, ata janë përcjellë nga oficerët serbë, duke i maltretuar vazhdimisht, ndërsa  ka pasur raste që i kanë vrarë nëse kanë dalë jashtë kolonës. Të mobilizuarit ishin të pa armatosur, fyheshin në baza nacionale, e në një gjendje të tillë pak kush  ka pasur mundësi të dijë së a janë robër apo të mobilizuar për të ndjekur armikun. Por, nëse analizohet veprimi i ushtrisë jugosllave në fund të vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945, ku çdo gjë ishte në harmoni me elaboratin e V.Çubriloviqit për spastrimin etnik të Kosovës nga elementi shqiptar, si dhe duke marrë parasysh qëndrimin sekret të njësive partizane, del së asgjë nuk ishte e rastit por e planifikuar mirë.

Në masakrën e Tivarit, e cila ndodhi në monopolin e duhanit në Tivarin e Ri, llogaritet se nga ushtarët e brigadës së dhjetë malazeze janë vrarë 1560 shqiptarë, e dhënë kjo relative, sepse ka të dhëna që kjo shifër mund të jetë deri në 3764 persona. Ky është rast i pa precedent  që oficerët të vrasin ushtarët e tyre pa pasur asnjë shkas. Por, ata ishin të gjithë shqiptarë dhe duke ditur diskursin patologjik antishqiptar të serbëve e malazezëve ishte ky një moment i përshtashëm për një veprim gjenocidi. 

Kësaj masakre me karakter gjenocidi ndaj shqiptarëve me qellim iu vu pika për të mos krijuar dëshmi akuzuese për gjenocidin serbo-malazez ndaj shqiptarëve, ku rasti i Tivarit ishte i vetmi, me ç’rast kjo ngjarje ishte bërë  si tabu temë nga pushteti monist për pesë dekada.

Andaj ndriçimin e kësaj ngjarjeje nga M.Pirraku e konsiderojmë  një kontribut me vlerë për historinë e kohës më të re, ku edhe shqiptarët kanë luajtur një rol të rëndësishëm, por fatkeqësisht janë mashtruar  nga sllavokomunistët ku pasojat janë të pranishme deri në ditët tona.

*Nail  Draga

(Botohet më rastin e 75-vjetorit të masakrës së Tivarit)

Filed Under: Fejton Tagged With: Dr. Muharrem Pirraku, DR. NAIL DRAGA, Tivari 1945

Dr. Vittorio Bruschi, mjeku italian që shëronte plagët e fashizmit në Shqipëri

May 4, 2020 by dgreca

KUR HISTORIA BËNË PRAPAKTHEHU/

Dr. Vittorio Bruschi, mjeku italian që shëronte plagët e fashizmit në Shqipëri/

NGA LEONORA LAÇI/

Në këtë zymtësi kohërash kur e tashmja pikëtakohet me të shkuarën dhe historia përsëritë vetëvetën, të ulesh të shkruash është ngushëllimi luksoz dhe i pashmangshëm që mund t’i bësh vetës. Ndoshta jam pak vonë por kuptomëni…

Të veçantën e këtij artikulli, që e kisha botuar në një moshë të hershme, e gjeta tek dërgimi i mjekëve dhe infermierëve për të ndihmuar Italinë në këtë kohë sëmundje pandemike që po ridimensionon botëkuptimin tonë për të tashmen dhe të ardhmen, që do sjelli ndryshime që as nuk i kishim menduar ndonjëherë e jo zbatuar. Shqipëria sot dërgon krah ndihme në Itali, por “pa dashje” Italia në vitet e Luftës së Dytë Botërore por dhe pas saj për disa vite të mira, na kishte lënë në Shqipëri kuadrot mjekësore për të rimëkëmbur Shqipërinë e pasluftës, këta mjekë të mbetur në Shqipëri shërbyen jo një muaj apo dy, por me vite deri që u riatdhesuan. Ngjashmëria e së djeshmës me të sotmen nuk janë në unitet sepse rrethanat ishin të ndryshme por le të jetë ky një artikull kujtese dhe mirënjohje të ndërsjelltë.

Pra disa vite më parë kisha botuar në shtypin shqiptar një artikull të shkurtër rreth librit “Dal Po all’Albania (1943-1949), Un medico mantovano tra guerra e prigionia” me autore Maria Rita Bruschin. E pashë të arsyeshme ta risjellja artikullin në një formë më të plotë dhe të zgjeruar. Pasi ndjej një detyrë morale të sjelli ndërmend që solidariteti ndaj Italisë sot ishte një detyrim për shumë e shumë arsye të tjera, dhe një ndër këto arsye është historia e doktor Bruschit dhe shumë doktorve të tjerë si ai…

Libri në pamje të parë ngjanë më tepër personal dhe familjar, por i kalon këto kufij pasi përfshihen ngjarje historike që i përkasin sa Shqipërisë dhe Italisë, në një kohë të vështirë siç ishin vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe ato të pas luftës.

Personazhi kryesor është doktori Vittorio Bruschi dhe jeta e tij në Shqipëri, në hyrje të librit është shkëputur fraza pikante nga letërkëmbimet e tij “Cosa mi riserva l’avvenire, non so e forse per questo l’uomo vive. Ora poi ho imparato piu che mai a non chiedere troppo alla vita (Vittorio Bruschi Peshkopi, 27 gennaio 1946). Doktor Vittorio ka lindur në Carbonara di Po ( Mantova) me 21 janar 1916.

Përmes letërkëmbimeve të tij ne arrijmë të njohim realitetin komunist, realitetin e një populli të tërë që të rraskapitur nga Lufta e Dytë Botërore, e tashmë përballeshin jo vetëm me pasojat e pasluftës por dhe fillimin e një  lufte të panjohur për ta, persekucionin komunist, luftën e klasave. Bëhet fjalë për 276 letra të dr.Vittorios dhe 125 letra të Rosita Casarit të periudhës 1943-1949. Libri ka dhe dokumente arkivore, fotografi ilustruese, raporte dhe kujtime të të tjerve, dhe artikuj gazetash.

 “Dal Po all’ Albania”. “Spero di vivere per pottere vedere come questa cosa si concludera”. (Shpresoj që të jetoj për të pasur mundësi të shoh se si do të përfundojë kjo gjë). Kështu titullohet libri  që u botua në 2013 dhe gjendet në librarit e Italisë, por që për lexuesin shqiptar është i panjohur. Autorja Maria Rita Bruschi me përkushtim ka hedhur në këtë libër, copëza nga historia e të atit, duke mbajtur gjallë kujtimin e tij por dhe për të sjell para nesh jetën e tij plotë peripeci në Shqipëri. Autorja është diplomuar për Letërsi në Universitetin e Padoves, dhe ka qenë mësuese për shumë vite në shkolla të mesme. Ka qenë bashkëpunëtore në libra të karakterit didaktik. Jeton në Ostiglia.

Si nëntitull librin do e quaja “Një mjek italian që shëronte plagët e fashizmit në Shqipëri”, një monografi sa tërheqëse aq dhe impresionuese ku ngjarjet, rrëfimet, përshkrimet i ngjajnë atyre të filmave aventuresk, një aventurë e rrezikshme mes luftës dhe burgut. Paradoksi që trajtohet në vepër është i tillë sepse një mjek italian shëron plagët e atyre shqiptarëve dhe Shqipërisë që fashizmi italian la pas pa ndrojtje, duke mos kërkuar as sot falje, por në një formë apo në një tjetër ishte një mjek italian që me veprat e tij po kërkonte falje për Kombin nga i cili vinte, shpëtimi i jetëve ishte primar, dhe këtë e bënte me pasion, me humanizmin më të madh duke përçuar mesazhin kumbues se; “Pavarësisht se çfarë shkaktojnë luftrat apo kush është shkaktari i tyre, humanizmi duhet të triumfojë mbi gjithçka”. Me parathënie të Prof. Maurizio Bartolottit, ndërsa në përmbajtje trajtohet hollësishëm nisja për në Shqipëri e Dr. Vittorios, më pas përshkruhen ngjarjet në të cilat po kalonte Shqipëria ku i vë titullin “L’8 settembre 1943 e la Guerra partigiana: il peso di una scelta (8 Shtatori i 1943 e luftës partizane: Pesha e një zgjidhje). Ndjekur nga pritja e gjatë për 6 vite e të fejuarës Rositës, që jepet me letërkëmbimin që mbajnë gjallë dashurinë e tyre, dhe më pas kthimi i shumëpritur në atdhe. Në këtë libër nuk njohim vetëm doktorin, por dhe njeriun, që pasion kishte dhe muziken klasike, ai luante violinen dhe fizarmoniken.

VEPRIMTARIA E DR. BRUSCHIT

Dr. Bruschi, me guximin, gjakftohtësinë, vetëpërmbajtjen, mjek i aftë dhe i përkushtuar në profesionin e tij, ku armë të vetme kishte heshtjen dhe kryerjen e detyrës me përgjegjshmëri duke shpëtuar jetë njerëzish. Dr. Bruschi e fillon aventurën e tij si mjek pranë divizionit Parma në vitin 1943, ku punoi në Spitalin Ushtarak të Vlorës e Sarandës. Me ankth priste që rënia e Musolinit të sillte kthimin në atdhe, por kjo nuk ndodhi për të. Pushtimi gjerman do të ishte i menjëhershëm dhe e vetmja mundësi për Dr. Vittorion ishte bashkimi me partizanët shqiptarë. Megjithëse pas fitores së kampit antifashist, Dr. Bruschi cilësohej si fashist nga komunistët e ardhur në pushtet, ai e vazhdoi detyrën si mjek duke qenë se Shqipëria kishte nevoja imediate për profesionistë në fusha të ndryshme. Doktori aventurën e tij e vazhdoi në Durrës, Tiranë, Peshkopi, Berat, Krujë dhe së fundmi në Pukë, ku qëndroi për një kohë të gjatë dy vjeçare.

Në këtë libër paraqitet këndvështrimi i ngjarjeve të para nga një italian që rrjedhat e luftës do përcaktojnë dhe fatin e tij, që për 6 vite do të jetë i detyruar të qendroi në Shqipëri. Ai ishte aty ku e thërriste nevoja, nga qyteti në qytet, nga fshati në fshat megjithë peripecitë sepse ndodhej në një vend të panjohur, ai u ambientua duke mësuar dhe gjuhën shqipe. Qëndrimi i tij në Pukë ishte më i gjati dhe ndoshta më i vështiri sepse ndodhej në një qytet ku atij i duhej të përballej me vështirësi të panumërta si mungesa e rrugëve, lëvizjet nëpër fshatra të thellë, duke qenë se ishte i vetmi mjek i përgjithshëm në Pukë. Në Pukë punoi nga mesi i vitit 1947 deri në Mars të 1949 së bashku me infermier Halit Laçin dhe dentistin Halil Burazeroviç, që ishin jo vetëm kolegë pune, por dhe miq të ngushtë. 

Pas më shumë se 60 vitesh, për t’i dhënë formën finale librit autorja Maria Rita sëbashku me të shoqin Corradon dhe të motrën Luçian ndërmarrin udhëtimin për në Shqipëri, që të rrëmojnë në të kaluarën e të atit, por dhe takohen me mikun e të atit infermierin që kishte punuar me të, z. Halit Laçin (gjyshin tim, dhe isha deshmitare e këtij takimi). Ky ishte një takim shumë emocionues mes tyre që i ktheu pas në kohë dhe shërbeu për ta plotësuar librin. Autorja i kushtoi një temë të veçantë këtij takimi që u realizua nga një çift shqiptarësh me banim në Itali, Endri dhe Teuta. 

Historia e dr. Vittorio Bruschit na mëson se si të mos ushqejmë urrejtjen, sesa e rëndësishme është dashuria, sesi ajo mund të mbijetoi pavarësisht distancës. 

Filed Under: Fejton Tagged With: Dr. Vittorio Bruschi

27 PRILLI – DITA E TË PAGJETURVE TË KOSOVËS

April 27, 2020 by dgreca

-27 Prilli – Dita e të pagjeturve të Kosovës, 21 vjet pas luftës ende 1641 të zhdukur/

– EULEX: MË SHUMË SE 1640 ARSYE PËR ZBARDHJEN E FATIT TË PAGJETURVE/

 -Në Mejë, në Lëndinën e Pikëllimit, në 27 Prill 1999, forcat serbe masakruan e zhdukën 377 shqiptarë që i rrëmbyen nga kolona e refugjatëve/

-Akademia Përkujtimore në Mejë, Gjakovë dhe Marshi Përkujtimor në Prishtinë, si aktivitete pothuajse të përvitshme, për shënimin e 27 Prillit – Ditës së të Pagjeturve të Kosovës, nuk do të mbahen për shkak të gjendjes nëpër të cilën po kalon vendi në përballje të pandemisë si pasojë e COVID-19/

PRISHTINË, 26 Prill 2020-Gazeta DIELLI/  Në Kosovë  27 Prilli është  Dita e të Pagjeturve, që shënohet me mesazhe për zbardhjen e fatit të 1641 personave që ende figurojnë të zhdukur që nga lufta e përfunduar në Qershorin e para 21 viteve.

Në Mejë, në Lëndinën e Pikëllimit, para 21 viteve,  në 27 Prill 1999, forcat serbe masakruan e zhdukën 377 shqiptarë që i rrëmbyen nga kolona e refugjatëve.

Asnjëri nga të ndaluarit në rrethimin e hekurt të kolonës së civilëve nuk kishte arritur të dilte i gjallë. Ajo ishte një nga kolonat e shumta të spastrimit etnik, të rreth 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga Kosova, shumica drejt Shqipërisë.

Sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, në vitet 1998-99 forcat serbe me motive gjenocidale kanë vrarë e masakruar mëse 12 mijë civilë shqiptarë, ndërsa menjëherë pas luftës Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur.

Kosova vazhdon të kërkojë zbardhjen e fatit të qytetarëve të saj të zhdukur dhe me këtë mesazh fotografitë e të pagjeturve janë vendosur e rivenodur gjatë viteve nga familjarët në rrethojat e Kuvendit e Qeverisë kosovare dhe te Obelisku i të Pagjeturve i ngritur aty në sheshin kryesor të Prishtinës.


Në një komunikatë të dërguar sot, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës dhe Shoqatën ’27 Prilli 1999 Mejë’, njoftojnë se ‘Akademia Përkujtimore në Mejë, Gjakovë’ dhe ‘Marshi Përkujtimor në Prishtinë’ , si aktivitete pothuajse të përvitshme, për shënimin e 27 Prillit – Dita e të Pagjeturve të Kosovës, nuk do të mbahen për shkak të gjendjes nëpër të cilën po kalon vendi ynë në përballje të pandemisë si pasojë e COVID-19.

Në këtë rast, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës dhe Shoqatën ’27 Prilli 1999, Mejë’, ftojnë familjarët e personave të zhdukur dhe gjithë qytetarët që përkujtimi dhe homazhi për të zhdukurit dhe gjithë të rënët për lirinë e vendit, këtë vit, të bëhet duke respektuar masat e caktuara nga institucionet kompetente në parandalimin dhe luftimin e pandemisë, përmes të cilave ndër të tjera ndalohen edhe tubimet në masë.

27 Prilli, përvjetori i Masakrës së Mejës ku u vranë e zhdukën 376 shqiptarë, por edhe Dita për Persona të Zhdukur, e shpallur me vendim të Kuvendit në nderim të viktimave të masakrës së Mejës dhe gjithë të zhdukurve si pasojë e Luftës në Kosovë, na përkujton se në luftë nuk ka humbje më të madhe se sa rrëmbimi dhe zhdukja e më të dashurve.

Edhe 1641 persona, vazhdojnë të jenë të evidentuar të zhdukur si pasojë e luftës. Jo vetëm personat e zhdukur, por edhe familjet e tyre vazhdojnë të jenë viktima në mungesë të përgjigjes për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre të zhdukur dhunshëm,  andaj edhe sot, si çdo ditë, duhet të jemi me dhembjen dhe kërkesat e drejta të familjeve të cilët humbën shumë nga jeta e tyre duke përfshirë edhe më të dashurit e tyre.

Më shumë se dy dekada nga lufta, çështja e personave të zhdukur mbetet një kujtesë tragjike e të kaluarës së afërt të Kosovës dhe një nga temat më të dhimbshme që ka vendi.  Edhe në këtë rast Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, me përkrahjen e  Qeverisë e Republikës së Kosovës, shpreh zotimin se do të vazhdoj me angazhimin ndërinstitucional në koordinim të ngushtë me përfaqësuesit e familjeve të personave të zhdukur  dhe partnerët ndërkombëtarë që janë të angazhuar në këtë proces deri  në zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes se të gjithë qytetarëve të Kosovës të zhdukur gjatë luftës.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me shoqatat e familjeve të personave të zhdukur  do të vazhdojnë të jenë në angazhim dhe përpjekje të vazhdueshme që familjeve të personave të zhdukur t’ua lehtësojmë barrën e pritjes dhe ankthit të pritjes t’i vijë fundi.

Edhe njëherë i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të shtojnë trysnin ndaj institucioneve të Serbisë për të qenë më bashkëpunuese në këtë proces, para se gjithash për të hapur arkivat e ish-Ushtrisë Jugosllave dhe për të ofruar informatat mbi fatin dhe vendndodhjen e qytetarëve tanë të zhdukur.   ​

KOSOVË-EULEX: MË SHUMË SE 1640 ARSYE PËR ZBARDHJEN E FATIT TË PAGJETURVE

-“Ne kemi më shumë se 1640 arsye për të vazhduar punën tonë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve,” thotë me rastin e Ditës Kombëtare për Personat e Pagjetur Shefi i Misionit të BE-së për Sundim tëLigjit/

-Shënimi i Ditës Kombëtare për Personat e Pagjetur me sloganin “Për 20 vjet në terr – në ora 20:00 ndali dritat për 2 minuta”/

 Prishtinë, 27 Prill 2020-Gazeta DIELLI/ Me rastin e shënimit në Kosovë të Ditës Kombëtare për Personat e Pagjetur, Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) në Kosovë bënëhomazhe për të gjithë personat që ende nuk janë gjetur dhe shprehë zotim për të vazhduar punën krah për krah me Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës për zbardhjen e fatit të mbi 1640 personave, qëende mbesin të pagjetur në Kosovë. 

 “Ne kemi më shumë se 1640 arsye për të vazhduar të punojmë së bashku me homologët tanë nga vendi për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur dhe për dhënin e përgjigjeve familjarëve dhe më të dashurve të tyre, jetët e të cilëve kanë ndryshuar përgjithmonë,” tha Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, Lars-Gunnar Wigemark. 

 “Fëmijët, bashkëshortët, prindërit, të afërmit dhe miqtë e personave të pagjetur kanë të drejtë të dinë se çka u ka ndodhur më të dashurve të tyre,” tha Wigemark, duke shtuar se, nga fillimi i mandatit të EULEX-it deri më tani, Misioni ka kryer 651 operacione në teren për gjetjen e vendndodhjeve të personave të pagjetur, çka ka rezultuar nëidentifikimin e 456 individëve, përfshirë 311 personave të pagjetur.

Duke e theksuar rëndësinë e ADN-së për identifikimin e suksesshëm të personave të pagjetur, Shefi i EULEX-it kërkoi nga familjarët e të gjithë personave të pagjetur që të japin mostra të gjakut për analiza të ADN-së. “Kjo do të lehtësojë procesin e identifikimit,” tha Wigemark, dhe shtoi se EULEX-i gjithashtu do t’iu ndihmojë autoriteteve të Kosovës për shqyrtimin e çështjes së rreth 300 mbetjeve mortore trupore në morgun e Prishtinës. 

Sot, EULEX-i do t’i fikë dritat në selinë e tij në ora 20:00 në mbështetje të një iniciative nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë, Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, Integra, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë dhe forumZDF-Programi në Kosovë për të shënuar Ditën Kombëtare për Personat e Pagjetur me sloganin “Për 20 vjet në terr – në ora 20:00 ndali dritat për 2 minuta”. 


(Bashkangjitur gjeni foto nga puna e ekspertëve të EULEX-it në Institutin e Mjekësisë Ligjore)

 “We have more than 1640 reasons to continue our work to establish the fate of the missing,” says Head of the EU’s Rule of Law Mission on the National Day of Missing Persons

27 April 2020

As Kosovo marks today the National Day of Missing Persons, the EU Rule of Law Mission (EULEX) in Kosovo pays tribute to everyone still missing and commits itself to continue working shoulder to shoulder with the Kosovo Institute of Forensic Medicine to establish the fate of over 1640 persons, who are still unaccounted for in Kosovo.

 “We have more than 1640 reasons to continue to work together with our local counterparts to shed light on the fate of the missing and provide the needed answers to their families and loved ones, whose lives have changed forever,” said the Head of the European Union Rule of Law Mission , Lars-Gunnar Wigemark.  

“Children, partners, parents, relatives and friends of the missing have the right to know what happened to their loved ones,” said Wigemark, adding that, from the beginning of EULEX’s mandate until now, the Mission has conducted 651 field operations to locate missing persons, resulting in the identification of 456 individuals, including 311 missing persons.

Stressing the importance of DNA in the successful identification of missing persons, the Head of EULEX asked all missing persons’ relatives to provide blood samples for DNA analysis. “This will facilitate the identification process,” Wigemark said, adding that EULEX will also assist the Kosovo authorities in addressing the issue of around 300 body remains in the Pristina morgue. Tonight, EULEX will turn off the lights at its headquarters at 20:00 in support of an initiative by the Youth Initiative for Human Rights – Kosovo, Missing Persons Resource Center, Integra, Humanitarian Law Center Kosovo and ForumZDF-Kosovo Program to mark the National Day of Missing Persons under the slogan “In the darkness of the missing people – Turn off the lights for two minutes”.

Filed Under: Fejton Tagged With: 27 prill, Behlul Jashari, dita e te pagjeturave

PIRI, EPIRI, GJERGJ KASTRIOTI PRIJËSI I ALBANIAS DHE EPIRIT

March 30, 2020 by dgreca

Figura 1. Prefektura Pretoriane e Ilirisë në vitet 318-379 e.s.

Shkruan:Saimir LOLJA/

Piri ishte një qytezë malore që nga lashtësia e tej largët e deri kur hordhitë osmane të Errësirës u derdhën mbi trojet arbërore. Vendndodhja e tij është afër fshatit Zhulat të Gjinokastrës. Gazetari Marin Mema i shfaqi rrënojat e asaj qyteze të munguar në histori në pjesën “Gjurmë Shqiptare – Zbulimi i madh që ndryshon historinë e shqiptareve, 2” dhënë në Top Channel Tv më 22 Shkurt 2020. 

Tani qyteza E Pirit është e mbuluar nga ferrat, drunjtë dhe bimësia. Muret me gurë të saj kanë vulat e kohëve të ndërtimit të tyre. Aty ka mure me gurë të stërmëdhenj që mbarteshin nga nëfillimët gjigandë dhe ndërtuar sipas mënyrës dalluese të kohëve tej të lashta. Aty gjenden edhe mure shtëpiash me gurë të vegjël që i përkasin kohëve të vona. Shkatërrimi i qytezës së Pirit filloi prej hordhive bizantine në shekullin XI dhe u përfundua nga hordhitë osmane në shekullin XV. Barbarët osmanë, që vinin prej Errësirës dhe sillnin Errësirë, i zhvendosën banorët e mbetur në fshatin Zhulat aty pranë. Një garnizon ushtarak osman i vendosur qëllimisht në fshatin Zhulat u kujdes që Qyteza E Pirit të harrohej dhe banorët të mos ktheheshin më atje. 

Qyteza e lashtë arbërore E Pirit bashkë me shtrirjet e saja njiheshin në Gadishullin Ilirik si hapësirat E PIRIT. Historitë e prijësit Pirro (318-272 p.e.s.) që mbretëronte në tokat E Pirit dhe që kreu fushata ushtarake në jug të Gadishullit Apenin dhe Siçili janë përcjellur deri në kohët e tanishme. Më vonë, Senati dhe perandoria romake krijuan provincën e quajtur E-PIR-US. Prapashtesa -US e fjalës tregon se emërtimi EPIR-US ishte në latinisht e i dhënë prej perandorisë romake në Perëndim. Hapësira E Pirit të Vjetër (Epirus Vetus) i përket periudhës së viteve 67 – 285 e.s. dhe përafërsisht mbulonte tokat nga Gjini i Artës deri në Vlonë. Me riorganizimin e ri perandorak romak në vitet e mëpasshme mbi hapësirën E Pirit të Vjetër u shtua hapësira E Pirit të Ri (Epirus Nova) që shtrihej deri në Lezhë. Midis shekujve IV-VII e.s., hapësirat E Pirit qenë pjesë e Prefekturës Pretoriane të Ilirisë (Praefectura Praetorio per Illyricum). Në vitet 318-379 e.s., Prefektura Pretoriane e Ilirisë përfshinte tokat që nga Austria e sotme e deri në Kretë, Detin Egje, ndërsa në lindje kufizohej nga Lumi i Shtruar (Danubi) dhe Thraka. (Figura 1)

Në 1000 vitet në vazhdim tokat E Pirit arbëror përballuan ngjarje e dallgë të ndryshme dhe tokat arbërore filluan të njihen edhe si Albania. Prandaj në mesin e shekullit XV e më pas Gjergj Kastrioti Skënderbeu njihej edhe si Prijës i Epirit edhe si Prijës i Albanias edhe si Prijës i Albanias dhe Epirit. Botimet e shumta i thurin lavde atij si pasardhës i Pirros së Epirit dhe e krahasojnë me të tjerë prijës europianë të shquar. Një shembull, libri i At Dhimitër Frangut për Gjergj Kastriot Skënderbeun i botuar fillimisht në latinisht në Venecia në 2 Prill 1480 u pasua nga 18 ribotime të tjera aty vetëm deri në vitin 1679. (Figurat 2-4).

Njohuria e trashëguar në Europë për mbretërinë arbërore të Gjergj Kastriotit Skënderbeut shihet edhe në hartën e mëposhtme mbretërore franceze të vitit 1705 që paraqet pjesën jugore të Gadishullit Ilirik me rajonet e rëna nën pushtimin e perandorisë osmane. (Figura 5) Këtu janë përvijuar qartë rajonet e Albanias së Epërme (Haute Albanie, fr.) dhe E Pirit ose Albanias së Poshtme (Epire ou Basse Albanie, fr.). Kjo hartë e bën me dije qartë se ç’domethënë Epir dhe Albania. (Figura 6)

Kjo hartë me autor Nicolas de Fer dhe paraqitur në pallatin mbretëror francez në Paris në vitin 1705 titullohet:  Grece Moderne ou Partie Meridionale de la Turquie en Europe. Divisee en Beglerbeglics ou Grands Gouvernements – Greqia e kohës ose pjesa jugore e Turqisë në Europë. E ndarë në Bejlerbejet ose Qeverimet e Mëdha. Dhe, sepse përrallat detare të mitologjisë (shkencës së gënjeshtrës) “greke” ishin në veprat romancierëve apo piktorëve europianë, “Greqia” në këtë hartë është vendosur në ishujt e Detit Egje. (Një shtet me emrin “Greqi” me 1/6 e sipërfaqes që është sot do të krijohej prej fuqive perandorake europiane për herë të parë në vitin 1830.) 

Që nga shekulli XIII, zotërimet e Republikës së Venedikut shtriheshin përgjatë bregut lindor të detit Adriatik, Detit Jonë, si dhe në tërë Detin Egje duke përfshirë Morenë, Kretën dhe Qipron. Domethënë se venedikasit, që ishin të lidhur ngushtë me Europën qendrore e perëndimore, i njihnin mirë popullatat e Gadishullit Ilirik. Kjo gjë lexohet e dokumentuar, bie fjala, në librin “Arbërit e Jonit – Vlora, Delvina e Janina në shekujt XV-XVII” me autor Pëllumb Xhufi ku 1440 faqet e tij janë të mbushura me të dhëna arshivore venedikase, ose në librin “Arvanitët – Historia e shqiptarëve të hershëm në Greqi në shekujt XIII-XIX” me autor Irakli Koçollari.

Në shekullin XV, për shembull, Morea që ndodhet më e larguara nga Albania e Poshtme (Tokat E Pirit) kishte të paktën 88% të fshatrave që dokumentoheshin drejtpërdrejti si fshatra arnaut-arbërorë-arbanas-arvanitas. Çdoherë, udhëtarët e ndryshëm europianë të shekullit XVII në ditarët e tyre të botuar e kanë përshkruar Athinën me rrethina si fshatra shqiptar. Në ato kohëra trashëgimia për Gjergj Kastriot Skënderbeun rrezatonte fort. Prandaj edhe muzikanti i madhërishëm Antonio Vivaldi hartoi dhe vuri në skenë më 22 Qershor 1718 në Teatrin Pergola të Firences operën Scanderbeg. (Figura 7) 

Arbërit–Arbanitët–Arvanitët-Shqiptarët kanë qenë aty në tërë të shkuarën, veç arbërve të ardhur aty herë pas here si për shembull në fund të shekullit XX. Ata janë aty edhe sot. Ata dallohen drejtpërsëdrejti në të paktën 700 fshatra të kudondodhur në Greqinë e sotme. Ata flasin Shqip, këndojnë dhe hedhin valle Shqip. Ata janë kudo në Gadishullin Ilirik, e përtej.

Historia dhe veprat e lavdishme dhe ndërmarrjet fitimtare të bëra kundër turqve nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Prijës i Epirit. – Ribotimi më 1646 i librit nga Dhimitër Frangu.
 
Harta me autor Nicolas de Fer, Pallati Mbretëror, Paris, 1705.
Lajmërimi për operën Scanderbeg të Antonio Vivaldit në Firence më 22 Qershor 1718.

Filed Under: Fejton Tagged With: Piri, Skenderbeu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 104
  • 105
  • 106
  • 107
  • 108
  • …
  • 116
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT