• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRIFTI (POP) TODORI MBAJTI GJALLË GJUHËN SHQIPE NË REKË TË EPËRME

January 20, 2018 by dgreca

Nga Avzi Mustafa/

avzimustafa-300x238

Reka e Epërme si një krahinë autentike shqiptare gjatë historisë ka pasur shumë vuajtje si ato fizike ashtu edhe psikologjike. Por populli i kësaj ane asnjë herë nuk u gjunjëzua, përkundrazi ato vuajtje i jepnin fuqinë që me inteligjencën që ia kishte falur natyra e pastër, e sidomos ajo fryma ose siç ata e quajnë “era e bardhë” t’i përballojnë vështirësitë.

Të  gjithë fshatrat e Reka e Epërme janë vendosur në anën e djathtë të lumit Radika,  në ato vende ku do të mund të mbroheshin nga erërat dhe nga cubat që kjo krahinë ishte në shënjestër. Banorët në fillim të gjithë ishin shqiptarë të fesë ortodokse, por kushtet e këqija si dhe favoret për “tokë të pazot”, që ua jepte Perandoria një numër i madh banoresh u shpërngulën dhe u vendosën përreth malit Ujanë (Vodno) e deri në Çashkë. Të gjithë  ndërruan fenë dhe u kthyen në shqiptarë të fesë myslimane. Ndxërkaq, pjesa që ngeli në trojet stërgjyshore në Rekë, gjatë gjithë jetës u përball me forma dhe metoda më brutale të gjenocidit që njihte njerëzimi. Ajo që u jepte shpresë ishte gjuha amtare  që  përcillej  me qumështin e nënave, që ua përcillnin brez pas brezi.

Në Perandorinë Osmane komunitetet ortodokse të Ballkanit ishin të organizuara si “Rum milet” në kuadër të Patriarkanës së Stambollit, e cila dominohej nga përfaqësues (klerikë) me përkatësi etnike grek, në krahasim me numrin e paktë të përfaqësuesve të krishtere me përkatësi etnike; shqiptare bullgare, vllehe, rumune etj.

Në vitin 1870 sulltan Abdulazizi lëshoi fermanin, me të cilin kisha bullgare fitoi statusin e Egzarkisë Bullgare si përfaqësuese e popullit bullgar në Perandorinë Osmane. Edhe Egzarkia Bullgare, ashtu siç veproi dikur kisha greke, përdorën të njëjtën politikë ndaj nacionaliteteve të tjera ortodokse. Aty ku kishte të krishterë, pa marrë parasysh përkatësinë nacionale, hapin kisha e shkolla për t’i asimiluar. Kështu ndodhi edhe me shqiptarët ortodoksë të Rekës së Epërme.

.           Sipas disa të dhënave, deri në vitet e ’60-ta të shekullit XIX, Reka e Epërme fliste vetëm shqip dhe shumica e popullatës ishin të besimit ortodoks. Këtë na e përshkruajnë më së mirë udhëpërshkruesit bullgarë. Sipas profesorit universitar të Sofjes, Jordan Ivanov: “Popullsia shqiptare e krishterë e Gostivarit, është bullgarizuar në kontakt me bullgarët.”

Sipas  gazetës „EHO“ të  Sofjes në Bullgarisë mësojmë se qendra për të bullgarizuar ortodoksët shqiptarë të këtij rajoni ishte Manastiri i Shën Bigorit, që arrit jo vetëm të mbajë gjuhën dhe shërbimin religjioz bullgar në fshatrat e pastra “bullgare”, por dhe në shpirtin e tyre të ndjellë bullgarizmin ,”duke iu dërguar këtyre mësues shkollash, famullitarë, psaltë dhe ikonografë, por propaganda kishtare bullgare ia doli edhe të ushtrojë një influencë mbi popullsinë e pastër shqiptare të kësaj krahine, aq sa shqiptarët ortodoksë të krahinës së Rekës së Epërme të bëjnë shërbesën fetare, si në të kaluarën ashtu edhe sot, në gjuhën sllavo-bullgare, e madje që prej 40 ose 50 vitesh ata edhe ndërmjet tyre flasin bullgarisht.”

Qysh në vitin 1888 Egzarkia Bullgare kishte caktuar që në krye të Eparhive të Manastirit dhe të Dibrës të emrohet Mitropoliti Kozmo Preçistanski, një intelektual kishtar që kishte luftuar shumë kohë kundër dominimit të kishës greke mbi popujt jogrekë. Ky prift më vonë, përkatësisht më vitin 1897, do të zgjidhet Mitropolit për Dibër ku bënte pjesë edhe Reka e Epërme dhe ky qëndroi deri bë fund të vitit 1912, pëekatësisht deri sa nuk e larguan serbët dhe e zëvendësuan me priftin më famëkeq Varnava.

Mitropoliti Kozmo ishte i lindur në fshatin Orllancë afër Kërçovës, ku rreth e përqark ky fshat kufizohej me fshatra shqiptarë dhe si duket duhej ta ketë njohur gjuhën shqipe apo të paktën ta ketë kuptuar. Ai  ishte ithtar që të gjithë të krishterët ortodoksë të nacionaliteteve të ndryshme të kenë kishën në gjuhën e tyre. Mirëpo, ky mendim nuk vlente për shqiptarët ortodoksë kudo që jetonin. Por, me punën e tij le të kuptohet se ky kishte një simpati ndaj shqiptarëve.

Si Mitropolit në Eparhinë e Dibrës udhëheqjen dhe organizimin e bënte nga  Manastiri i “Shën Bigorit”. Në kompleksin e manastirit ai riorganizoi edhe shkollën për shërbyes kishash e gjakonësh. Formoi edhe një bibliotekë ku kishte edhe libra kishtare shqipe, aty ishin edhe përkthimet e Konstadin Kristoforidhit, sidomos “Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve” , “Psallmet” , “Dhijata e Re” etj.  Po ashtu, ai sillte këtu nxënës nga të gjitha viset për të mësuar. Një ndër nxënësit e tij më të dashur ishte edhe Todor  Tanashi e më vonë Jovani, vëllai i Josif Bagerit.

Todor Jovani si dhe e gjithë familja e tij e mbanin mbiemrin e gjyshit Jovan. Mbiemrin Bageri e mbante vetëm Josifi. Mirëpo një nga pasardhësit e Josif Bagerit, xhaxhai Branko Manajlovski jep një shpjegim me drurin (pemën) gjenealogjik të familje së tij, ku thotë:  “me secilën familje ortodokse shqiptare të Krahinës sonë, pra edhe me pasardhësit e Josif Bagerit, katragjyshi im, Manojli, i cili jetoi në vitin 1830 – 1903, kishte emigruar në Stamboll, siç ishte i emigruar edhe vëllai i Josifit, Mihali dhe shumë shqiptarë të tjerë të këtyre anëve. Manojli dhe vëllai i tij, Lazari në vitin 1882 ia dolën të ndërtonin atje një hotel, të cilin e emërtuan “Arnaut an”, një emërtim që tregon për përkatësinë kombëtare dhe patriotizmin e tyre. Atëherë ata e kishin mbiemrin Tanashi. Edhe djali i Manojlit, Dhimitri që jetoi gjatë viteve 1865-1932, e kishte mbiemrin Tanashi. Pas pushtimit serb, Familjes sonë iu imponua mbiemri Tanasheviq, kurse familjes se katër vëllezërve të Josif Bagerit, – Simonit, Todorit, Mihailit dhe Manailit, – që jetonin po në këto hapësira, iu imponua mbiemri Jovanoviq, meqë babai i Josifit dhe i vëllezërve të tij quhej Jovan, i biri i Nikollës. Mbiemrin Tanasheviq u detyrua ta mbaj edhe djali i Dhimitrit, gjegjësisht Babai im, Manojli, i cili lindi në vitin 1903 dhe rrojti deri në vitin 1983.”

Todor Jovani është djali i tretë i pesë djemve të Nikollës dhe mban mbiemrin e gjyshit të tij Jovanit. Ka kryer arsimin bazë në një shkollë bullgare që vepronte në fshat. Nga miqësia që kishin familja e gjyshit Jovan dhe babait Nikolla me mitropolitin e Dibrës Kozmon, atë e regjistrojnë në shkollën kishtare të “Shën Bigorit”, që vepronte në këtë vend. Pasi e kryen këtë shkollë, ai punësohet si prift në kishën ”Shën Shptimtari”, në fshatin e lindjes në Nistrovë.

Todori ishte 6 vjet më i ri se i vëllai Josifi. Edhe pse ishte edukuar në një frymë krejtësisht tjetër si prift, asnjëherë nuk nguroi që ta mohojë vëllain e tij Josifin, që kishte hyrë në lëvizjet patriotike që vepronin në Bullgari e gjetiu.

Todori ndërroi bindjen e mendjen krejtësisht dhe u vu në shërbim të kombit. Pas humbjes së nipit të tij, gjegjësisht djalit të madh të Josifit, Kristo Bageritn, i cili luftonte me një çetë shqiptare në rrethinat e Manastirit dhe u vra nga barbarët në moshën 16–vjeçare, ai (Todori) pas një viti mbajti edhe një panohidë për nipin dhe aty lexoi në gjuhën shqipe elegjinë të cilën ia kishte kushtuar Josifi djalit:  “Kristo, o birë, zemra ime qoftë bekue. /Vorrin si trim ti e  kie gjete… /n ‘Manastirë të kan mbulue ku luftove. /Zoti të bekoftë. Amin!”

Todori meshën e fillonte në gjuhën kishtare sllave dhe më pas në gjuhën shqipe.  Kur fliste në “shqyp” (shqip) ai përdorte pjesë nga “Psallmet” dhe “Dhjata e Re” të Kristoforidhit. Pagëzimet, ditën e emrit që zakonisht lidhej me ndonjë apostol kishtar, që çdo familje e ka të caktuar si dhe ditën e kishës e të fshatit, i bënte vetëm në gjuhën shqipe. Në familje ai u rrëfente të gjithë anëtarëve traditën e besimit ortodoks dhe, e lidhte me jetën e shenjtërve, për t’i motivuar besimtarët që të udhëhiqen sipas Krishtit. “Ata që lëvdojnë Krishtin dhe shenjtorët, Zoti familjeve u jep bekimin. Beni lutje për të qenë shtëpia e plotë dhe e shëndosh”. (marrë  nga një fletore  lutjesh të protrogjerit Çirko nga Reka, 1995).

Todori ishte prift shumë human, ai dinte për gjithsecilin për gjendjen sociale, apo mungesën e meshkujve në shtëpi. Për t’u dalë në ndihmë ai pranë kishës çdo të diele  organizonte siç i thonin rekalitë “panaire” ku shiteshin qirinj, temjan, ikona e mjete, që kishin të bëjnë me kishën, për të mos shkuar në qytet. Paratë  që i  fitonte i përdorte  për nevojën e kishës.

Pranë kishës ekzistonte edhe një shkollë në gjuhën bullare, por ajo nuk funksionoi sepse ishte vështirë të gjendet mësues. Todori  këtë shkollë e përdorte herë pas here me fëmijët e fshatit për t’u mësuar shkrim-leximin në gjuhën shqipe dhe shumë dije për Zotin dhe kombin.

Me të madhe filloi një luftë midis Egzarhisë Bullgare dhe kishës serbe, flitej se do të sillnin klerikë serb. Serbia bashkë me Rusët bënin propagandë për të bindur hyqimatin Osman  se këto vise janë vende serbe. Ndaj dhe përhapja e shkollave të huaja në gjuhët greke, bullgare dhe serbe, shtroi nevojën e ngutshme edhe për hapjen e shkollave në gjuhë shqipe.

Pas shpalljes së Kushtetutës turke më 23 korrik 1908, Lëvizja Kombëtare shqiptare e shtroi si detyrë parësore që të gjithë shqiptarët të mësojnë gjuhën shqipe. Prandaj, menjëherë pas Kongresit të Manastirit klubet shqiptare filluan të organizoheshin më mirë. Atyre u ra hisja për të përhapur shkrimin dhe leximin shqip dhe zhvillimin kulturor në përgjithësi të shqiptarëve.

Mitropoliti Kozmo kur bindet se nuk mund të bëjë ballë serbëve, atëherë ai kërkon që në Rekën e Epërme kisha dhe shkolla të bëheshin në gjuhën shqipe. Dhe kështu me të ngut jep lejen për hapjen e një shkolle në gjuhën shqipe. Ai e autorizon  një administrator me emrin Iliev që të kërkojë nga prifti Todor që të lus vëllain e tij Josifin për të hapur një shkollë në gjuhën shqipe në Nistrovë me një rrogë prej 18 lirash. Todori me gëzim të madh e njofton të vëllain dhe e lëshon shtëpinë e tij për shkollë. Pasi njoftohet Josifi për këtë detyrë atëherë  ai do t’i drejtohet Zotëri Zotëri Kozmos që “ta lërë të lirë dhe t’ia japë bekimin që të rrëfejë shqiptarizëm dhe t’i mësojë shqiptarët në gjuhën shqipe në shkolla dhe në kishë të rrëfej në gjuhën shqipe”.

Në bashkëveprim të propagandsë serbo-ruse me Patrikanën e Stambollit në vitin 1910 prifti serb Varnava do të zgjidhet episkop (peshkop) i eparhisë (peshkopatës) Dibër –Veles e më vonë do të udhëheq edhe me  eparhinë Manastir -Ohër dhe një pjesë të Strumicës.

Me ardhjen e tij në këtë post, do të ndërmerr masa shumë të rrepta ndaj Kozmos, sidomos ndaj një igumeni të manastirit të Shën Bigorit” i quajtur H. B. Partenije, sepse ky nuk kishte lejuar që në kishën e Manastirit të përmendej emri i Varnavës. Mirëpo, prej vitit 1913 kur instalohet pushteti serb në këto vise, ushtria, bashkë me xhandarët serbë do të ndërmarrin një ekspeditë për t’i likuiduar të gjithë ato që nuk pranonin pushtetin serb, si she ata që nuk e përkrahnin këtë pushtet. Së pari, ndërrojnë kryepleqtë (këmetët( e fshatrave e pastaj  edhe priftërinjtë, sidomos ata të cilët nuk iu bindeshin urdhrave të episkop Varnavës.

Igumeni Partenij vritet në mënyre barbare dhe hidhet në Lumin Radikë. Po ashtu edhe prifti Ivan Avramov u pre në copa dhe u hodh në lumin Vardar. Si duket, edhe jeta e  priftit Todor duhet të ketë përfunduar kështu. Sipas gazetës “Politika” 13. 07. 1908, kuptojmë se ky prift vëzhgohet nga agjentët serbë, ashtu siç u përcoll edhe aktiviteti i Josif Bagerit.Todorin do ta likuidojnë pasi e helmojnë Josif Bagerin në Prishtinë.

Filed Under: Fejton Tagged With: Avzi Mustfa, gjuha e shqipe, gjuha shqipe, Prifti Todori

Udhëtimet e gjeografëve italianë në trevat shqiptare

January 12, 2018 by dgreca

“Vështrimi i udhëtarëve dhe gjeografëve italianë “ midis Shek XIX –të  dhe XX –të për Shqipërinë/

 1-Gezim-Llojdia-240x300

Nga Gezim Llojdia/

 1.Shumë studiues italianë, sidomos gjeografët dhe gjeologë, realizuan  një numër të udhëtimeve në trevat shqiptare, deri tani pak të  njohur a dhe studiuara.Përveç revistave dhe botimeve shkencore, dëshmitë e këtyre udhëtimeve u besohen fotografive të marra në momentet më të rëndësishme, që i atribuohen rasteve jo homogjene. “Vështrimi i udhëtarëve dhe gjeografëve italianë “midis shekujve të XIX –të  dhe XX –të për Shqipërinë mundësoi që në vitin 2012 të hapet edhe një ekspozitë  me punime të kësaj natyre.

1 gjeog itali2.Në përputhje me qëllimet shkencore të misioneve, shumë fotografi janë të dizajnuara për qëllime arsimore, për shembull, për të ilustruar përshkrimet e morfologjisë së terrenit ose kostumeve tradicionale të një rajoni të caktuar.Ka edhe shumë raste të fotografive  të studiuara  të marra për shijen thjesht estetike, për të siguruar bukurinë e peizazhit.

3.Këto shifra në mesin e më të rëndësishme të gjeografisë italiane (Antonio Baldacci, 1867-1950, Roberto Almagià, 1884-1962, Bruno Castiglioni, 1898-1945, Ferdinando Milone, 1896-1897, Aldo Sestini, 1904-1988), përveç ajo që konsiderohej edhe puna e një gjeologu (Mario Magnani), një ekspert i gjërave shqiptare, i cili ishte shumë afër gjeografëve për shkak të afinitetit të tij për interesa dhe studime. Shumica e fotografive të marra gjatë udhëtimeve të tyre, shpesh të promovuara dhe të financuara nga Shoqëria Italiane Gjeografike, mbahen në arkivin fotografik të kësaj shoqate. Në total, dokumentet fotografike (pozitive, negative, sllajde, kartolina) me subjektin shqiptar janë rreth 3500 dhe përbëjnë një pjesë të rëndësishme të Arkivit në aspektin e cilësisë dhe sasisë

Filed Under: Fejton Tagged With: Gezim Llojdia, Gjeografet italiane, trevat shqiptare, udhetimet

Në kërkim të së vërtetës së Sanxhakut!

January 9, 2018 by dgreca

Dilemave rreth origjinës së popullësisë myslimane të Sanxhakut, po u vije fundi. Falë  profesionalizmit dhe argumenteve shkencore të studiuesve të fushave të ndryshme: historisë, arkeologjisë, antropologjisë, kulturës, dokeve e zakoneve, pastaj, në bazë të  historisë orale, të cilën e kanë hulumtuar autorë të shquar të kësaj treve, gjithnjë e më shumë na ofrojnë të dhëna për ta njohur e mësuar më mirë të vërtetën. Sot kemi mjaft studime të autorëve dhe instutucioneve shkencore boshnjake dhe serbe, të cilat dëshmojnë me argumente për origjinën shqiptare të popullësisë jo vetëm të rrafshanaltës së Peshterit, por edhe më gjerë.1 sanxhaku

Nga Ismet Azizi/

Në bazë të studimit të Mile A. Pavlloviqit „Fshatrat e Senicës, hulumtime antropogjeografike“ (viti 2009) , të cilin e ka përgatitur  për portalin „Poreklo.rs, si dhe në bazë të studimeve që na i ofron autori Ejup Mushoviq, na dalin të dhënat e besueshme dhe objektive për origjinën e familjeve të kësaj treve.

Një tregim i profesorit të letërsësë në Universitetin Internacional të Novi Pazarit, Kemal Xhemiq, na bën të njihemi më mirë se çfarë vështirësish kanë pasur shqiptarët e Peshterit, sidomos vajzat shqiptare të këtij mjedisi pasi janë martuar me të rinjtë e familjeve ku nuk flitej gjuha shqipe. Ne kemi dëgjuar disa  rrëfime  të meshkujve të Peshterit. Në emisionet e ndryshme dokumentare disa madje theksojnë me plot bindje se gjoja humbja e gjuhës shqipe ishte bërë për shkak të martesave me femrat boshnjake, të cilat nuk flisnin gjuhën shqipe. Megjithatë, duhet përmendur edhe faktin tjetër, të cilin askush nuk e përmend: martesat e vajzave shqiptare me të rinjë e familjeve ku nuk flitej shqipja. Pra, në bazë të rrëfimeve të disave krijohet përshtypja sikur në Peshter nuk ka pasur vajza shqiptare, por vetëm djem shqiptarë.

Për ta ilustruar këtë, po përmendim Prof. Dr. Xhemiq, i cili, midis tjerash, shkruan: „Pesëdhjetë vjet më parë një vajzë nga fshati Toçilovë i  Peshterit me emrin Zalifa, u martua me të riun Smail Çekiçin nga fshatin Devreçe të Tutinit. Alija Bakiq,  profesor i letërsisë, dëshmon se nusja, Zalifa, nuk dinte asnjë fjalë në gjuhën  boshnjake, ose, siç donte të thoshte dikush, gjuhën serbe. Kur erdhi nuse në këtë fshat të Peshterit, Zelifa fliste vetëm gjuhën shqipe, e cila ishte gjuha e saj amtare. Tani, për ne boshnjakët e Sanxhakut, shkruan profesori Universitar, Kemal Xhemiq, disa historianë serbë dhe ndonjë tjetër nga radhët e boshnjakëve (Selimoviq nga Sjenica dhe të tjerë) nxjerrin tezën mbi origjinën etno-fetare serbo-sllave dhe ortodokse. Kjo tezë nuk qëndron, prandaj nuk mund të pranohet“.

Çka mund të thuhet pas këtij tregimi të dhimbshëm, i cili të kthen në kohën në mes dy Luftërave Botërore, kur shqiptarët e Peshterit  bënin presion dhe kërkonin nga deputetët, krerët  e vendit të tyre, që të mos hapnin shkolla serbe. Arsyeja ishte se i frikësoheshin asimilimit. Sipas tyre, edhe përmes formës së shkollimit në gjuhë sllave mund të kërcënohen nga rreziku i asimilimit. Prandaj, kjo i bie se për ta më mirë është që të zgjedhin këtë formë të „rezistencës“, duke bërë një jetë gati të izoluar vetëm e vetëm për të ruajtur identitetin kombëtar e fetar. Ky është rast tepër i rrallë në historinë e njerzimit, por, fatkeqësisht, është i vërtetë.

Se me çfarë vështirësish ballafaqoheshin shqiptarët e Peshteri në të kaluarën, e ilustron edhe  tregimi tjetër i një  afaristi me prejardhej nga fshati Uglla.

„Peshteri  me  shekuj ka qenë dhe ende është  krahina më e izoluar në Gadishllin Ilirik (Ballkanik). Banorët e këtij mjedisi, edhe pas pushtimit sllav, kurrë nuk i kanë ndërprerë lidhjet me vendin e origjinës së të parëve të tyre. Në vazhdimësi, nëpërmjet  krahinës së Rozhajës dhe asaj të Plavës e Gucisë, kanë mbajtur lidhjet tregtare me Shkodrën. Atje i kanë plasuar prodhimet e tyre blegtorale. Por, jo rrallë herë, edhe pse shumë më afër, kanë qenë të deyruar që të udhëtojnë edhe  në verilindje  drejt Pazarit të Ri për të shkuar në qytetin serb, Rashkë. Por, ç’është e vërteta,  udhtimi për në Rashkë ishte shumë më i „largët“ sesa  shkuarja në Shkodër, në Pejë apo në Podgoricë. Kur ktheheshin peshtrasit që kishin shkuar për të tregtuar në Rashkë, në hyrje të fshatit dilnin për t’i pritur të afërmit dhe familjarët e tyre të gëzuar, duke u shprehur mirëseardhje atyre, por njëkohësisht duke falënderuar Zotin që janë kthyer shëndosh e mirë. Një pritje e tillë nuk u bëhej, kur ktheheshin nga Shkodra, ku shkonin gjithashtu për të tregtuar dhe  udhtimi zgjaste me ditë e me javë të tëra. Arsye e vetme ishte se ata udhëtonin nëpër vendbanime shqiptare dhe nuk kishin përse të brengoseshin se gjatë rrugëtimit të mundimshëm mund t’u ndodhte ndonjë e keqe“.

Çfarë  duhet të bëjmë që këta shqiptarë të mbetur, të ndihen rehat, pra të mos të ndihen keq kur martohen me të tjerë që nuk flasin gjuhën e tyre? A mund t’u bëhet ndonjë zgjidhje fatlume? Në radhë të parë, si t’u krijohen kushte të favorshme për rrugtim të sigurt në drejtime të trevavae të tyre kombëtare?… Për këtë dhe çështje të tjera medeomos duhet të merren institucionet shtetërore të Shqipërisë dhe Kossovës. Si të arrihet kjo, si të zbuten a tejkalohen vështrësitë e ndryshme, duhet shënë kontributin e tyre, në radhë të parë, Instituti i Historisë, Institutti Albanologjik, Akademitë  e Shkenvave dhe Arteve të Kosovës e Shqipërisë. Rol të rëndësishëm do të luanin mediet, intelektualët, politikanët, sportistët, artistët etj.

Filed Under: Fejton Tagged With: Ismet Azizi, Kerkim i se vertetes, Sanxhaku

ABAZ KUPI, NJË TJETËR KULM TRIMËRIE

January 6, 2018 by dgreca

(në 42 vjetorin e vdekjes)/1-abaz-kupi-dhe-maclean

Nga Luan Çipi/Abaz Kupi, i njohur për shumë kohë si “Bazi i Canes”, ishte një tjetër personazh i rëndësishëm që dominoi situatën politike në Shqipëri, me kulmin e vet në rezistencën e organizuar po me nismën e tij personale, ndaj pushtimit fashist Italian të 7 prillit 1939. Pavarësisht se, qysh herët, ai e deklaroi veten “Legalist” dhe betohej për ish Mbretin Zog, (shiko fjalën e tij në shtatorin 1942 në Konferencën e Pezës), këtë deklarim fillimisht do ta konsideroja më shumë vetjake dhe pa lidhjen dhe vartësinë direket, sepse Zogu, nuk denjoi dhe nuk dha asnjë urdhër për ta kundërshtuar ushtarakisht pushtimin, por u largua jashtë Shqipërie, me gjithë shpurën dhe familjen e tij. Kjo nismë e guximshme vetjake, nuk ja ul vlerat Abaz Kupit, përkundrazi, rezistenca e tij heroike dhe përleshjet e më pasme, në gjirin e Frontit Nacional-Çlirimtar dhe veças, (pa theksuar përkatësitë e aderimit), e bënë atë një Atdhetar me emër të madh dhe me kontribut konkret. Mandej duhej thënë e përsëritur, se në fillimet e luftës antifashiste, nuk njihej tjetër lider më i shquar se “Bazi i Canes”, aqsa kur ra heroikisht në luftë, dëshmori i pare komunist, Qemal Stafa, kënga e popullit i këndohej me thirrjen e dhimbshme “ngrehu Qemal nga varri, të pret Bazi i Canes”.Ja si shkruan vetë Abaz Kupi për rezistencën e 7 Prillit 1939:. “Kur anijet e armikut arritën pranë molos, i lashë fashistët të zbrisnin në tokë, madje dhe të na afroheshin nja 200 metra. Atëherë dhashë urdhër që të hapej zjarr kundër tyre. Kështu, në ora 4 të mëngjesit kishte filluar një betejë e vërtetë. Gjatë këtyre luftimeve, të tre sulmet e tyre të njëpasnjëshme i zmbrapsëm, duke i detyruar agresorët që të ktheheshin e të futeshin sërish nëpër anijet e tyre. Gjatë sulmit të katërt, armiku, duke vënë në përdorim të gjithë mjetet dhe forcat e tij luftarake që dispononte, u përqendrua në një sulm të përgjithshëm kundër krahut tonë të djathtë. Në këtë mes, ne, duke mos i pasur mjetet e nevojshme gjatë 6 orë luftimesh të përgjakshme dhe të pandërprera, qemë të detyruar që të tërhiqeshim”.

 Abaz Kupi lindi në lagjen Varosh të Krujës më 6 gusht të vitit 1892 në një familje që e kishte origjinën nga Kurbini. Ai qysh në moshë të re 22 vjeçare, në nëntor-dhjetor të 1914, bashkë me “Parinë e Krujës” vendosin dhe marrin aksione konkrete kundër “Lëvizjes së Shqipërisë së Mesme”, që me sloganin “dum babën”, përkrahën përpjekjet e para për forcimin e Shtetit Shqiptar, të krijuar nga Ismail Qemali dhe që bënte hapat e para të konsolidimit, me  në krye Princ Vidin.Me formimin e Qeverisë Kombëtare të Lushnjës, Abaz Kupi, së bashku me Bajram Currin e Ahmet Zogun,  mori pjesë në luftën kundër malazezëve në Koplik, në përpjekje e gjata për të bashkuar Shtetin Shqiptar.

Abaz Kupi merr pjesë në kryengritjet e Mustafa Merlikës, Bajram Currit dhe Elez Isufit në shkurt-mars të vitit1922, kur edhe u konfrontua me Ahmet Zogun, por duhet thënë se gjatë kryengritjes Fanoliste të Qershorit 1924 ai, qëndroi neutral.Kapiteni Prenk Pervizi, miku i tiji afërt, ishte ai që e afroi me Zogun, i cili më vonë e ngarkoi të shërbejë si Komandant i Xhandarmerisë në Krujë me gradën e kapitenit Kjo detyrë e rëndësishme, zyrtarizoi ndikimin e Bazit në vendlindje dhe konsolidoi karrierën e tij të ardhshme ushtarake, deri te grada e gjeneralit.

Kështu, më vonë, në vitin 1934 u gradua major dhe shërbeu në Durrës me të njëjtën detyrë.Në ditët e agresionit fashist italian kundër vendit tonë, më 7 prill 1939, Abaz Kupi, me inisiativën e tij, udhëhoqi qëndresën e repartit ushtarak të Durrësit, qëndresë e cila e shndërroi  atë në një ikonë.

 Abaz Kupi, me pushtimin e Shqipërisë, u largua në Stamboll të Turqisë, ndërsa në qershor të vitit 1939 familja e tij, e  përbërë nga tre djemtë Petriti, Rustemi e Fatbardhi, bashkë me nënën dhe motrat, u internua në Himarë dhe pas disa muajsh, u internua në Itali. Në fillim u mbajt e burgosur në qelitë e burgut  të Brindisi-t, izoluar plotësisht. Më pas u dërguan në një kamp internimi në Siena, deri në vitin 1942, kur u lanë të lirë për të  banuan pranë t’afërmve, te familja e Sejfulla Merlikës.Me hyrjen e Britanisë së Madhe në Luftë, si një alternativë oportune, u pa edhe mundësia e krijimit të rezistencës antifashiste në Shqipëri. Me këtë synim, Abaz Kupi, i rekomanduar  nga shokët e tij, kalon nga Turqiapër në Beograd,  kryeqytetin e Jugosllavisë, i pritur dhe ndihmuar nga miku i hershëm, Gani Kryeziu. Aty organizohet takimi me kolonelët Anglez Stirling dhe. Dayrell Oakley-Hill, (i fundit shef i zyrës së SOE në Beograd). Me ndihmën e tyre dhe direkt të Ambasadës Angleze të Beogradit, Abaz Kupi, kaloi në Shqipëri në krye të Rezistencës antifashiste. Punët përgatitore për organizimin e qëndresës u drejtuan nga gjenerali Anglez Julian Amery nga Jugosllavia edhe pse Qeveria e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene ishte kundër.

Në Shqipëri, koordinuar nga Anglezët dhe miqtë e tij, u sigurua bashkëveprimi i Abaz Kupit me Muharrem Bajraktarin dhe të vëllain e tij Ibrahimin, për të grumbulluar elementët e duhur dhe për të organizuar qëndresën kundër pushtuesit dhe krejt kjo punë e madhe u përballua me shpenzimet e tyre.

Një nga principet e Abaz Kupit ishte sigurimi i mirëkuptimit dhe bashkëveprimit të të gjitha forcave shqiptare antifashiste. Në këtë kuadër Abaz Kupi ishte një ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit kryesorë të “Konferencës së Pezës” të mbajtur më 16 shtator 1942, ku dhe u zgjodh anëtar i KANÇ. Ai, si shumë figura tjera që përdoreshin nga komunistët për të tërhequr masat gjerësisht me emrin e bujshëm “Fronti Nacional-Çlirimtar”, ra në kurthin e tyre, u shfrytëzua në të gjitha kapacitetet dhe u hodh poshtë si limon i shtrydhur.

Nuk përjashtohen edhe përpjekjet direket të forcave nacionaliste për bashkim: Më 26 korrik 1943, ora 11 paradite, u mblodhën në shtëpinë e dr. Ihsan Toptanit në katundin Tapizë, Delegacioni i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe Delegacioni i organizatës “Balli Kombëtar“. Me idenë e zgjerimit dhe të forcimit të frontit të përbashkët të luftës kundër italianëve, ai u bë nismëtari Konferencës së Mukjes të mbajtur në datat 1-2 gusht 1943 për të arritur bashkëpunimin midis Frontit Nacional Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar.

Pikërisht, Komiteti Për Shpëtimin e Shqipërisë organizoi në datën 4 dhe 5 gusht 1943, dy ditë pas Kuvendit të Mukjes, një betejë të përbashkët në afërsi të Qafë-Shtamës, kundër ushtrisë italiane që marshonte për në Mat. Çetat partizane dhe ato të Ballit Kombëtar, nën komandën e majorit Abaz Kupi, e shpartalluan armikun, duke i shkaktuar humbje të rënda: 150 të vrarë, 40 të plagosur dhe 7 robër. Në mes të të vrarëve ishte edhe koloneli A.P. Skampa.

Kur E. Hoxha hodhi poshtë Marrëveshjen e Mukjes me Konferencën e Labinotit në shtator 1943, se binte ndesh me synimet e agjentëve Popoviç dhe Mugosha, Abaz Kupi u largua më 19 nëntor 1943 nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar.

Më 21 nëntor 1943, duke mos pasur tjetër alternativë, Abaz Kupi, formoi “Lëvizjen e Legalitetit” dhe vuri objektiv rikthimin e Mbretit Zog në Shqipëri. Pas kësaj udhëheqja e PKSH urdhëroi asgjësimin fizik të Abaz Kupit. Megjithatë ai u mbrojt dhe iu shmang luftës civile, deri kur komunistët nisën të sulmonin Krujën dhe zonat e Bazit në Mirditë. Në pranverën e 1944, raportet drejt qendrës të oficerëve Billy McLean dhe David Smiley, iu bashkua dhe Amery, të cilët qëndruan për shtatë muaj pranë trupave të Kupit. Këto raporte  për operacionet kundrejt gjermanëve do të ndeshnin me kundërshtitë e raporteve të oficerëve britanikë pranë komunistëve. Aleatët ngulnin këmbë për më shumë aksione dhe ç’vlerësuan përpjekjet e mundshme të Abaz Kupit.

Pamundësia për më shumë aksione e dëshpëroi heroin tonë. Më 24 tetor 1944 Abaz Kupi, u largua nga Atdheu bashkë dy bijtë Petritin, Rustemin dhe përkthyesin Gaqo Goga me ndihmën e një barke të siguruar nga Ihsan Toptani në Shkodër, (SOE e Barit nuk e ndihmoi të tërhiqej së bashkë me oficerët britanikë).  Ata ngelën për 6 ditë pa ushqim e pa ujë, derisa u gjetën nga një anije pastruese-minash kanadeze, që i çoi në Brindizi të Italisë.Familjen e Abaz Kupit ngeli në Shkodër. Djali i vogël, Fatbardhi, u arrestua më 1945, ndërsa pjesa tjetër e familjes, bashkëshortja e tij dhe vajzat, do të internoheshin në Tepelenë e më pas nëpër kampet e internimit të Myzeqesë.   

Në emigracion Abaz Kupi, që tani thërritet “gjeneral”, merret me organizimin e mërgimtarëve për një bashkim politik, më pas u aktivizua në komitetin “Shqipëria e Lirë” me në krye Mit’hat Frashërin. Më 1968 zhvendoset drejt Shteteve të Bashkuara.Vdiq në 6 Janar te vitit 1976 në ShBA, New York. Trupi i tij prehet në Kew Gardens Cimitery në Queens.

 Për ta mbyllur do paraqes këtu më poshtë, se si ka shkruar vet Enver Hoxha fillimisht, për Abaz Kupin  (Bazin e Canit): “Në ditët e para të prillit 1939, ditë të zeza të historisë sonë, populli shqiptar ishte më këmbë; me një zemër, me një parullë: Luftë invazorit fashist të urryer si bishë e Atdheut tonë të dashur, në fshatra dhe qytete të Shqipërisë, i madh dhe i vogël bërtiste në Durrës, Shëngjin, Vlorë për të mbrojtur Atdheun.Në Durrës luftonte Abaz Kupi me djemtë e shqipes, luftonte me një grusht njerëzish kundër dëshirës së klikës dallkauke që ishte në fuqi, kundra mijëra dhe mijëra fashistëve që po zbarkonin në molo.Bazi i Canes dhe djemtë e Shqipërisë, të frymëzuar prej një dashurie të madhe për Atdheun, me të vetmen pushkë të shqiptarit, e bënë armikun që të kthehej në vapore e të linte në Molo me qindra të vrarë.Major Bazi ishte kudo, në çdo pozitë, zëri i tij dëgjohej: Djema! Godisni armikun pa mëshirë se kështu e lyp ndera e Atdheut!”- dhe pushkët e shqiptarëve kërcisnin mbi fashistët e fëlliqur që turreshin valë-valë.Nga çdo anë, nga çdo mur, derë, nga çdo penxhere e Durrësit vlonte pushka. Bazi i Canes s’po ia lëshonte vendin, megjithëse armiku përdori topa e aeroplanë, djemtë e Shqipërisë s’trembeshin, sado që ishin një grup njerëzish.Lufta vazhdoi me orë, armiku hidhte si në furrë, me mijëra bersalierë dhe përpara kësaj hordhi të madhe të veshur me çelik, Bazi i Canes u tërhoq, por i pathyer, i papërkulur, me zemrën plot dashuri për Atdheun dhe me urrejtje për okupatorin.

Në emigracion këtij s’i rrihej, ai e kishte zemrën në Shqipëri, në vëllezërit e tij që po luftonin me tërbim fashizmin dhe ky luftëtar çau malet me borë, çau bjeshkët e veriut dhe u fut në Atdhe, atje ku e lypte detyra, ku e lyp nderi i Atdheut, u fut për të bashkuar forcat e tij me atë të shokëve shqiptarë që ishin ngritur në këmbë.
Fshatrat e Krujës zienin, fshatarët rrokën armët, pse ora e hakmarrjes kish arritur, pse Bazi i Durrësit ishte kthye me marrë pjesë në LÇ e popullit shqiptar.
Mustafa Kruja u përpoq të kish zinxhirët, u përpoq ta bënte rajë të okupatorit, por Bazi i tregoi rrugën këtij korbi të zi, këtij birit bastard të tokës arbërore dhe si, patriot që ishte i shpalli luftë fashizmit, Merlikës dhe tradhtarëve.

Merlika, u lëshua si një bishë me hordhitë e tij mercenare për të ndjekur çetën e Abaz Kupit, u derdh mbi miqtë e tij, mbi shokët e tij për t’i vrarë e varë.
Bazi i Canes i goditi fashistët pa mëshirë. Merlika e bëri sheshin e Krujës, shesh për varje për djemtë e Bazit. Por Bazi s’tutej dhe thoshte” Vallja vjen pas”.
Fashizmi dhe Merlika i kanë milicët të lirë me pesë napolona kokën, kurse ne djemtë tanë i kemi vëllezër dhe shokë, por hakën s’e lëmë pa e marrë dhe për një njëqind.
Bazi i Canes që luftonte për një qëllim të shenjtë; çlirimin e Atdheut nga zgjedha e italianëve, e ka kuptuar fare mirë se trimi i mirë me shokë shumë, se ky hall i madh ka mbuluar gjithë Shqipërinë dhe se një bashkim i fortë e i shëndoshë i gjithë shqiptarëve në luftën kundër okupatorit do të jetë shpëtim i vendit tonë.
Patrioti i vërtetë s’lufton me fjalë, por me punë, me vepra dhe Bazi i Canes mendimet e tij i realizon në fushën e luftës dhe solidar deri në vdekje me të gjithë atdhetarët e tjerë shqiptarë, u hodh në Luftën NC, në luftë për Atdhe.

Me 10 tetor 1942, armiku i fëlliqur u sulmua nga të katër anët e Shqipërisë, kudo u goditën kolonat, depot, milicët e armikut, kudo në Shqipëri u prenë telat e telefonave.
Ky ishte rezultat i kuvendit të burrave shqiptarë, që vendosën të luftonin me armë dhe pa pushim deri në fitore armikun e vendit tonë. Dhe Bazi i Durrësit, Bazi i Krujës, Bazi i Pezës dhe i 10 tetorit, po vazhdon dhe do ta vazhdojë deri në fitore luftën kundër okupatorit dhe tradhtarëve”..

Unë, nuk kam se ç’të shtoj! Grumbullova e sistemova ç’gjeta nga interneti, se ç’kanë shkruar të tjerët. Por si përfundim them se: nuk duhet hedhur poshtë lufta dhe përpjekjet e burrave të shquar të vendit tonë, thjeshtë duke gjykuar nga përkatësia e tyre partiake, as nga ndonjë gabim në jetën e tyre të gjatë, por të vlerësojmë, çmojmë e nderojmë veprën e tyre në tërësi, në dobi të Atdheut, në funksion të bashkimit dhe jo të përçarjes. Sidomos duhet të jenë më të kujdesshëm historianët dhe shtetarët!

Tiranë, më 01.04.2016

Nga Libri i Luan Çipit “LULISHTARËT E ATDHEUT”

Filed Under: Fejton Tagged With: abaz kupi, KULM TRIMËRIE, Luan Cipi, NJË TJETËR

PAZARI I VJETER I SHKODRES

December 9, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/1 Pazari i Vjeter Shkoder

Deri kah viti 1968 vazhdonte me qendrue në kambë kjo pamje, derisa shkatrruesit janë kujtue per sheshimin e plotë të kësaj qendre tregtare të Shkodres së vjeter. U emnova mësues në vitin 1962, dhe me të vertetë si diten e parë që shkova, me aq knaqësi punova per 8 vjet me fëmijët Lagjes së Re, që ishin banorë të Pazarit të Vjeter brij Rozafës.

Kishte shumë pak nga ndertesat e vjetra, ku Bexhisteni vazhdonte me kenë e pranë tij edhe Shtëpia e lëkurave, ndertime të bukra dhe me histori të dokumentueme.

Ura e Pulave karrshi shkollës ishte pamja e perditshme që më çonte tek Posta e Pazarit, dhe krejt brij saj fillonte ngjitja e rrugës per në Kështjellen Rozafat, një mbrekulli…

Atëherë kam formue bindjen se në Shkoder asgja që asht prishë, djegë e shembë, nuk asht kenë rastësi… Po, gjithshka e paramendueme dhe e sajueme per me mërrijtë deri tek “Piramida e kufinit me Jugosllavi” që ishte “drrasa e parë e Urës së Bunës”… Turpi i një tradhtije të pashueme që në 1913, kur “daja Esad Pashë Toptani” e shiti Shkodren!

Ngjarjet shkatrruese të Shkodres ishin një vazhdimsi e urrejtjes së Turqisë, që nuk i ka mungue asnjëherë dhuna dhe gjakderdhja sllave, shoqnue me shpartallimin ekonomik dhe kulturor, tue i pre të gjitha rrugët e një qytetnimi Europjan Shkodres e Shqipnisë.

Fillimisht kur Mark Kakarriqi mendoi me kanalizue Bunen dhe me kthye Shkodren në port detar, tue e sigurue edhe nga rreziku i permbytjeve me anën e thellimit dhe të një ndertimi modern në bashkpunim me një firmë të njohun angleze, “ishin anadollakët e Pazarit të Vjeter, që nuk donin ndihmen e kryqalijve të Anglisë, me na u sjellë këndej..!”

Asht pikrisht koha kur Familja Parruca, shet ndertesen e Shtëpisë së Kulturës, dhe iku pergjithmonë nga Shkodra, tue “puthë prakun e Derës dhe, tue mallkue ata që kthejnë!”

Malazezët sulmojnë Shkodren, dhe e mbajnë të rrethueme derisa shpallet Pavarsia!

1913: At Gjergj Fishta ven Flamurin në Kompanjelin e Kishës së Fretenve, kur rinia shkodrane sheh me sytë e vet kandilat e ndezun dhe të lidhun nga Kompaneli i Kishës tek minarja e Xhamisë së Fushës së Çelës, dhe këndon pergjatë Shkodres “Hymnin e Flamurit” me muziken e Kurtit… Francezi nuk mund ta shohin dhe do “me e ulë me topa!”… Sufleri u tha: “Jo, nuk e duem me e ndigjue Hymnin e Fratit me Alfabetin e Manastirit “Porsi fleta e Ejllit Zotit…” se, ma i mirë asht per “shqiptarë” hymni me muzikë rrumune që këndohet edhe sot! “Të pakten sllavët nuk i zen me gojë!”

1920: Kur u mblodhen “intelektualët e Haxhi Qamilit” me caktue Kryeqytetin e Shqipnisë, dhe kur mendohej se “Shkodra asht ma e pershtatshme se të gjitha qytetet tjera, si e ka pasë shpjegue Luigj Gurakuqi, per interesat tona kombtare dhe Europjane” … “Jo, ne jemi per Tiranën e Toptanëve”… E madje, mbas 90 vjetëve i shembin edhe “Shtëpinë e Atdhetarit Luigj Gurakuqi”, se gaboi: “Ai në 1908 na hapi edhe Shkollen Normale në Elbasan..!!” E, mbas Tij edhe Ministri fashist Ernest Koliqi, na hapi nja 200 shkolla Shqipe nder trojet tona… Kur shoku Tito nuk i donte ato, madje edhe vrau pa ju tutë syni Mësuesit e Nderuem Ymer Berisha, Kol Margjini, Gjergj Martini e Kol Parubi, që ua mësonin fëmijve Shqiptarë nder ata shkolla Hymnin e Flamurit të Skenderbeut!

1944: Po, tregtarët e Shkodres ku ishin kur “shokët komunista” që ua dergonin paret me shegertat e vet, ua sollen në 1945 “vllezërit grekë’ me fjetë aty dhe me i vue flaken Pazarit, kur Shkodren e drejtonin terroristët Qamil Gavoçi me Arif Gjylin, Sheuqet Peçin dhe Mehmet Shehun e kompani, tue këndue sesi “ua bëjmë… nënën Gegëve…” ?!

Vidheshin dyqanet e Pazarit të Shkodres, rraheshin e ngordhnin në hu tregtarët e atyne dyqaneve, derisa dorzonin arin… Pushkatoheshin Profesorët e nxanësit e Gjimnazeve ku partizanët vidhnin “objektet e zbulueme nga At Gjeçovi, me ua dhurue tradhtari Enver Hoxha shokve Stalin dhe Tito…”, ideatorëve të pavdekshem të pushtimit Shqipnisë nga sllavokomunistët e Veriut dhe të Jugut, pa mendue fare: “Po sot, çka do ti dhurojmë?!”

I ranë mbas shpine Atdhetarit Prek Cali forcat e Mehmet Shehut e ato të Titos, u vranë

118 Burra t’ Atyne Maleve, ua treten nder prroje Trupat e Tyne, ua plaçkitën Kullat dhe bagtitë… “Se, ashtu urdhnoi shoku komandant nga Tirana…” E sot, vazhdon tragjedia!

1945: Bash atëherë, kur “çlirimtarët” sollën grekët dhe dogjën Pazarin e Shkodres, “ata heshtën”!… kur u pushkatue “Grupi Atdhetar i Deputetëve” në Tiranë, prap  heshtën… Kur u vrane “pa faj grupi i Bashkimit Shqiptar” në Shkoder, edhe atëherë “heshtën”…

Kur u dogj Kinema Rozafat, “tue vrritë kurvat: Plumbin ballit armiqëve!”, heshtën…

Kur u ba “Revolucioni Kulturor i 1967” në Shkoder, heshtën… Kur filluen fëmija me u thanë Nanave “nënë”… Heshtën… Ashtusi, kur në Vaun e Dejës u shemb Kisha ku u kunorzue Gjergj Kastrioti, dhe “me kongrese turpi” u perjashtue në 1972 Gegnishtja…

Prap heshtën! E prap, vazhdojnë me heshtë… edhe pse Skenderbeut i vehet perqe!

Ua kanë vue traktorat Kullave të Prek Calit… E Malësorët tanë po thonë se “Heshtin”!

Edhe pse Ata Kulla ndaluen “zgjanimin e Jugosllavisë së Re e t’vjeter” prap heshtin…

Edhe pse Ata Kulla e mbarë Një Shqipni, u shkatrrue nga sllavokomunistët e Titos dhe të tradhtarit gjinokastrit Enver Hoxha, trashigimtarët e tyne SOT, po duertrokasin per “Ballkanin Përendimor”… E Shqiptarët shka bajnë?! Ate e ka thanë At Gjergj Fishta me

“28 Nandor 1913” :   “Ah! T’ mjerët na, t’ mjerët! E sod, me ‘i pecë të kuqe

E me ‘i orrl duem qi Shqyptaria e mjera

T’dalë vedit n’ dritë, si vedit çilë n’ bubuqe

Nji drandofille e njomë, kur kthen pranvera…

Jo, jo, Shqyptarë! Por banje flamrin duqe

E zhytnje n’ Dri t’ mos t’ a zhvillojë kurr era.

Flamri Kombtar nuk ka shka ban nder né,

Po kjé se dashuni nuk kem’ p’ r Atdhé

E, drue dashtni p’r Atdhé nuk ka Shqyptari;

Me gjasë, s’ çan kryet Shqyptari per komb t’ vet,

As per njatë gjuhë t’ ambel qi i la i Pari,

As pse Shqypnia n’ vedi u ba sod shtet;

Pse e shoh se veç atje, ku xhixhillon ari

Pa frymë e tue dihatun vrap ai nget:

Si Krishtin shiti Juda Iskarjotë,

Drue Atdheu nder né po shitet p’r zallotë…” (“LIRIKA” fq. 20).

Melbourne, 9 Dhjetor 2017

Filed Under: Fejton Tagged With: Fritz radovani, Pazari i vjeter, shkoder

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 113
  • 114
  • 115
  • 116
  • 117
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT
  • 115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT