• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në vend që të bëhet muze, mbi Monopolin e Tetovës ra heshtja e një ekskavatori

June 14, 2025 by s p

Shembja e Monopolit të Tetovës nuk përfaqëson thjesht zhdukjen e një objekti industrial nga memoria urbane, por një akt të heshtur institucional ndaj një segmenti të errët të së kaluarës kolektive që ende nuk ka gjetur vend në narrativën zyrtare. Ky objekt, në të cilin çdo familje e Pollogut kishte më së paku një anëtar të prekur nga pasojat e dhunës dhe represionit të një epoke të errët, ishte më shumë se një ndërtesë  ishte një dëshmi e gjallë e përjetimeve të heshtura të një komuniteti të tërë

Nga Prof.dr.Skender ASANI

Në skajet e një qyteti të ngjeshur ndërmjet dy epokash, gjendet  ose më saktë, gjendej – një strukturë që dikur mbante jo vetëm tym duhani, por edhe frymën e fundit të një kohe të trazuar. Monopoli i Tetovës, një ndërtesë e zakonshme për sy të zakonshëm, kishte përjetuar një funksion të pazakonshëm në një stinë të errët të historisë. Për një periudhë të shkurtër, por të ngarkuar me tension dhe dhimbje, ai u shndërrua në një stacion ndalimi  jo për mallra, por për njerëz. Njerëz të mbledhur, të sistemuar, të ndarë. Jo për qëllime tregtare, por për “administrim” të realiteteve politike të pasluftës.

Shumë nga ata që u futën brenda atyre mureve, nuk dolën më. Shumë prej atyre që dolën, mbartën përjetë heshtjen e asaj hapësire. Ashtu siç ndodh rëndom me memorien kolektive të komuniteteve të cilat nuk kanë pasur fatin të kenë histori të “institucionalizuar”, edhe kjo ngjarje mbeti jashtë teksteve dhe jashtë përmendoreve. Ajo u transmetua në formën më primitive të kujtesës: nga goja në gojë, nga pleqtë te nipërit, nga lotët e heshtur te pyetjet pa përgjigje.

Përmasat e saj nuk ishin të një rrethi të ngushtë: thuajse çdo familje e rajonit të Pollogut kishte, së paku, një anëtar që ishte prekur drejtpërdrejt nga kjo ngjarje qoftë i thirrur, i zhdukur apo i keqtrajtuar. Disa humbën bijtë, të tjerë vëllezërit, kushërinjtë, apo komshinjtë. Kjo e bëri Monopolin jo thjesht një vend-ngjarje, por një plagë kolektive, që jetoi përmes heshtjes së çdo shtëpie që kishte një derë të hapur për të pritur dikë që nuk u kthye kurrë.

Për çudi, edhe pse ndodhi në të njëjtin territor dhe në të njëjtën kohë me histori të tjera që sot përkujtohen me solemnitet, Monopoli i Tetovës nuk e fitoi të drejtën për të qenë simbol. Nuk pati fatin të shndërrohej në muze, as në vend për reflektim. Mbi të nuk u vendos asnjë pllakë. Në vend të një skulpture në përkujtim, mbi të ra heshtja e një ekskavatori.

Nëse kujtesa është pasuri e shteteve që duan të ndërtojnë identitet të drejtë dhe gjithëpërfshirës, atëherë harresa është investim i qëllimshëm shpesh i heshtur për të selektuar kujt i lejohet të kujtojë dhe kujt jo. Dhe në këtë zgjedhje selektive, disa hapësira mbeten jashtë arkitekturës zyrtare të kujtesës. Jo për mungesë rëndësie historike, por për shkak të biografisë etnike të viktimave të saj.

Nuk është e pazakontë që ndërtesat me barrë historike të trajtohen me një lloj nervozizmi institucional. Ato janë dëshmi që nuk flasin, por thërrasin. Monopoli i Tetovës thërriste një të vërtetë që nuk përputhej me narrativën dominante. Ai kujtonte një ngjarje që nuk u pranua si pjesë e “tragjedive të ligjshme”. Ai prekte ndjenja të një komuniteti që për dekada ka përjetuar përjashtimin nga kujtesa zyrtare.

Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye, vendimi për ta shembur atë ndërtesë u mor pa ndonjë debat publik, pa ceremoni, pa ndonjë ndjesë apo dokumentim. Ajo u zhduk me heshtjen e një procesi që e njeh mirë logjikën e fshirjes së gjurmëve. Sepse në fund, kur nuk e përball dot të kaluarën, më lehtë është të shembësh ndërtesën sesa të përballesh me historinë që ajo përfaqëson.

Por historia nuk është vetëm në mure. Ajo jeton në ndërgjegje, në kujtime dhe në pyetjet që brezat do të bëjnë gjithmonë: Pse një kamp në një qytet tjetër u bë muze, dhe ky jo? Pse një viktimë u përkujdes, dhe tjetra u harrua? Dhe a mund të ketë drejtësi kolektive kur vetë kujtesa është e njëanshme?

Shembja e Monopolit të Tetovës nuk përfaqëson thjesht zhdukjen e një objekti industrial nga memoria urbane, por një akt të heshtur institucional ndaj një segmenti të errët të së kaluarës kolektive që ende nuk ka gjetur vend në narrativën zyrtare. Ky objekt, në të cilin çdo familje e Pollogut kishte më së paku një anëtar të prekur nga pasojat e dhunës dhe represionit të një epoke të errët, ishte më shumë se një ndërtesë ishte një dëshmi e gjallë e përjetimeve të heshtura të një komuniteti të tërë. Rënimi i tij, i justifikuar me gjuhë zhvillimore, flet në fakt për një politikë të qëllimshme të harresës selektive, ku dhimbja shqiptare mbetet jashtë përkujtimit institucional dhe kujtesës kolektive shtetërore. Në këtë shembje nuk rrënohen vetëm mure, por zhbëhen urat e transmetimit ndërbreznor të së vërtetës historike, duke lënë pas një boshllëk në ndërgjegjen qytetare dhe duke forcuar ndjesinë se kujtesa jonë vlen vetëm nëse përputhet me format e lejuara të përkujtimit. Por historia nuk zhbëhet me buldozerë ajo mbijeton në vetëdijen e atyre që refuzojnë të heshtin dhe do të vazhdojë të kërkojë vendin e saj, derisa të njihet jo si barrë, por si përgjegjësi e përbashkët.

Filed Under: Fejton

“Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme” Monografi e autorëve Prof. Hamit Boriçi dhe Dr. Jolanda Lila

June 13, 2025 by s p

QSPA/

Ky studim i thelluar mbi zhvillimin historik të shtypit arbëresh shtrihet në kohë prej gjysmës së parë të shek. XIX deri në ditët e sotme dhe studion në mënyrë tërësore historinë e shtypit, sepse nuk kufizohet vetëm tek arbëreshët e Italisë, por edhe tek arvanitasit në Greqi dhe arbneshët e Zarës në Kroaci. Për herë të parë në mënyrë të përmbledhur dhe analitike paraqitet rrugëtimi i gazetarisë arbëreshe, si një dëshmi e gjallë e identitetit, qëndresës dhe zhvillimit kulturor të komunitetit arbëresh në Itali mbi një bazë të gjerë burimesh arkivore dhe bibliografike, me analiza të hollësishme të gazetave, revistave dhe botimeve më përfaqësuese të diasporës arbëreshe. Me një qasje ndërdisiplinore dhe me vëmendje ndaj kontekstit historik, politik dhe shoqëror të secilës periudhë, sillet në dritë mënyra se si shtypi arbëresh ka ndikuar në ruajtjen e gjuhës, në përçimin e vlerave kombëtare dhe në lidhjen me trungun amtar shqiptar. Kapitujt tematikë ndjekin kronologjikisht zhvillimet kryesore të shtypit arbëresh, që nga botimi i gazetës së parë “L’Albanese d’Italia” në vitin 1848 nga De Rada, deri te botimet më të reja, kryesisht në trajtë digjitale, duke përfshirë edhe sfidat e globalizimit dhe ndryshimet teknologjike që kanë ndikuar në natyrën e medias arbëreshe në shek. XXI.

Filed Under: Fejton

Rrulat e Detit të Vdekur ndryshuan kuptimin tonë për Biblën. Ato mund të jenë disa prej tyre edhe më të vjetra nga sa mendonim?

June 12, 2025 by s p

Sonja Anderson – 

AFP nëpërmjet Getty Images

Sonja Anderson – Përktheu Rafail Floqi

Një studim i ri kombinon inteligjencën artificiale, datimin me radiokarbon dhe analizën e shkrimit të dorës për të vlerësuar datat e reja për disa nga rrotullat e lashta, që mendohet të jenë disa nga fragmentet më të hershme të mbijetuara të Dhiatës së Vjetër

Në vitin 1947, një bari beduin hodhi një gur në një shpellë pranë Detit të Vdekur – dhe e dëgjoi të godiste qeramikën. Me të hyrë në shpellë, ai gjeti një kavanoz të mbushur me tre rrotulla pergamene të ruajtura mirë. Këto ishin Rrotullat e Detit të Vdekur, dhe studiuesit përfundimisht do të gjenin një koleksion prej gati 1,000 rrotullash të lashta në shpellat aty pranë.

Afërsisht 2,000 vjet të vjetra, Rrotullat e Detit të Vdekur mendohet të jenë disa nga fragmentet më të hershme të mbijetuara të Dhiatës së Vjetër. Por sipas një studimi të ri të botuar në revistën PLOS One, disa nga tekstet mund të jenë edhe më të vjetra nga sa mendohej më parë.

“Rezultatet fillestare që janë gjeneruar janë thjesht revolucionare”, i thotë Travis Williams, një studiues i studimeve fetare në Universitetin Tusculum, Christa Lesté-Lasserre të New Scientist.

Studiuesit janë mbështetur prej kohësh në datimin me radiokarbon dhe paleografinë (studimi i shkrimit të lashtë të dorës) për të datuar Rrotullat e Detit të Vdekur. Për studimin e ri, studiuesit ndoqën një qasje të përzier: Ata përdorën një model të inteligjencës artificiale të quajtur “Enoch”, sipas profetit hebre. Ekipi e trajnoi modelin duke i treguar skanime të dorëshkrimeve të lashta së bashku me datat me karbon-14. Pastaj mësoi të parashikonte datat bazuar në stilin e shkrimit të dorës.

Më pas, studiuesit i dhanë imazhe Enoch nga 135 dorëshkrime të Rrotullës së Detit të Vdekur që nuk ishin datuar, dhe kjo prodhoi data të vlerësuara për to. Sipas një deklarate nga studiuesit, paleografët ekspertë përcaktuan se afërsisht 79 përqind e vlerësimeve të inteligjencës artificiale ishin “realiste”.

“Ajo që kemi krijuar është një mjet shumë i fuqishëm që bazohet në mënyrë empirike – në fizikë dhe në gjeometri”, siç i tha autori kryesor Mladen Popović, një arkeolog në Universitetin e Groningenit në Holandë, Nicola Davis të Guardian.

Duke u bazuar në parashikimet e Enokut, studiuesit zbuluan se dy stile shkrimi në Rrotullat e Detit të Vdekur, të njohura si Hasmoneane dhe Herodiane, që në të vërtetë bashkëjetuan për shumë më gjatë sesa mendonin historianët. Enoku gjithashtu datoi një kopje të Predikuesit në jetën e “autorit të saj të supozuar”, sipas The Guardian.

Përveç kësaj, programi vlerësoi se Rrotulla e Detit të Vdekur e njohur si 4Q114, e cila përmban pjesë të Librit të Danielit, ishte më e vjetër sesa mendohej më parë. Siç raporton Kristin Romey e Science, paleografët e kishin datuar rrotullën rreth vitit 165 p.e.s., ndërsa Enoku e datoi atë midis viteve 230 dhe 160 p.e.s.

“Më parë ajo ishte datuar në fund të shekullit të dytë p.e.s., një brez pas autorit të Librit të Danielit”, thotë Popović për The Guardian. “Tani, me studimin tonë, ne kthehemi pas në kohën bashkëkohore me atë autor.”

Rrotullat u gjetën në shpellat e Qumranit dhe historianët prej kohësh kanë supozuar se aty janë krijuar. Por datat e reja të vlerësuara “do të thotë se shumica e dorëshkrimeve të gjetura në shpellat pranë Qumranit nuk do të ishin shkruar në vendin e Qumranit, i cili nuk ishte i banuar deri më vonë”, i thotë Guardian Joan Taylor, një studiuese e studimeve fetare në King’s College London.

Studiuesit shpresojnë që teknologjitë si Enoku do të ndihmojnë në përcaktimin e moshës së rrotullave të tjera të padatuara pa testimin me radiokarbon, i cili kërkon shkatërrimin e mostrave të vogla të një teksti.

“Ekzistojnë rreth 1,000 rrotulla të veçanta biblike. Nuk mund t’i datoni të gjitha me karbon”, i thotë Popović Ariel David të Haaretz. “Dhe bukuria e kësaj është se nuk keni pse ta bëni.”

Disa ekspertë këshilluan kujdes. Christopher Rollston, një paleograf në Universitetin George Washington, i thotë Science se teknologjitë e reja si Enoku mund të jenë të dobishme në studimin e dorëshkrimeve, por studiuesit nuk duhet të mbështeten kurrë tek ato për të arritur në një përfundim.

“Në fund të fundit, shkrimi i dorës njerëzore – dhe të gjitha variacionet dhe tiparet e tij idiosinkratike – është një gjë thellësisht njerëzore”, thotë ai.

Filed Under: Fejton

Konkursi i parë bukurisë për fëmijë në Shqipëri: një ngjarje e veçantë e vitit 1931

June 4, 2025 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Në historinë botërore konkursi i parë i bukurisë për fëmijë është organizuar në vitin 1921 në Atlantic City ku morën pjesë fëmijë të vegjël që përfaqësonin qytete të ndryshme të ShBA-së. Në Shqipëri një konkurs i ngjashëm u organizua në kryeqytet më 2 gusht 1931, i cili zyrtarisht u quajt “Konkursi i Bukurisë Foshnjore Shqiptare”.

Në këtë konkurs u vlerësuan fotografitë e 14 vajzave të vogla. Komisioni përbëhej nga Inspektori i Arsimit Osman Myderrizi, Skënder Luarasi dhe Aleks Lubonja. Pjesë e tij ishte edhe znj.Elena Trajan dhe prof. Andrea Thanasi, por për arsye personale, nuk ishin të pranishëm në këtë proces.

Në parim komisioni konstatoi se fotografitë e paraqitura kishin rezolucion të dobët. Megjithatë, ai i vlerësoi duke u mbështetur në tiparet dhe ekspresionet foshnjore të fizionomisë së vajzave. Komisioni përzgjodhi tre prej tyre: 1) Albin Tefiku e moshës dy vjeçare e gjysmë, e bija e doktorit të njohur Sabri Tefiku; 2) Behixhe Libohova e moshës dymbëdhjetëvjeçare, e bija e Maliq Libohovës, i Ngarkuari me Punë në Londër; 3) Eta Bimbli e moshës katër vjeç e gjysmë, e bija e Thoma Bimblit, anëtar i Bandës Mbretërore.

Në vend të parë siç shihet u zgjodh Albin Tefiku. Vendimi u dha në zyrat e gazetës “Ora”, e cila do t`u dhuronte prindërve të këtyre vajzave nga një fotografi të madhe artistike.

Ky konkurs mbetet një shembull i hershëm i përpjekjeve për të sjellë modele të reja kulturore në Shqipërinë e viteve `30, në një kohë kur vendi po hidhte hapat parë drejt modernitetit.

Filed Under: Fejton

Eqrem Bej Vlora, dijetari, diplomati dhe atdhetari i kombit shqiptar

June 4, 2025 by s p

Gjon F. Ivezaj/

Eqrem Bej Vlora lindi më 1 dhjetor 1885 në qytetin historik të Vlorës, në një prej familjeve më të shquara aristokrate dhe atdhetare të Shqipërisë – familja Vlora. Kjo familje, që gjurmon rrënjët e saj deri në shekujt e hershëm të periudhës osmane, kishte qenë gjithmonë pjesë e elitës politike, ushtarake dhe kulturore të Perandorisë, me ndikim të thellë në zhvillimet historike të trojeve shqiptare.

Babai i Eqremit ishte Syrja Bej Vlora, një burrë me kulturë dhe ndikim të gjerë, ndërsa nëna e tij ishte Hasbije Hanëmi, nga një familje e njohur e Prizrenit. Kjo trashëgimi e gërshetuar midis jugut dhe veriut të trojeve shqiptare i dha Eqremit një botëkuptim të gjerë mbi përkatësinë kombëtare shqiptare në një kohë kur ideja e kombit shqiptar ende nuk kishte marrë formë të plotë politike. Eqrem Bej Vlora u rrit në një ambient ku përziheshin kultura osmane, evropiane dhe shqiptare. Fillimisht, ai ndoqi mësimet në gjuhën osmane dhe arabe në Vlorë, ku përvetësoi thellësisht kulturën lindore dhe islame. Më pas, familja e tij e dërgoi në shkollë në Stamboll, ku vijoi mësimet në shkollat më elitare të kohës. Aty u dallua për inteligjencën dhe disiplinën e lartë intelektuale.

Më vonë, ai u dërgua për studime në Perëndim, fillimisht në Theresianum të Vjenës, një prej kolegjeve më aristokrate të Perandorisë Austro-Hungareze, ku studioi shkencat humane, juridike dhe politike. Më pas kreu studimet e larta në Universitetin e Gracit dhe më vonë në atë të Vjenës, ku u përqendrua në drejtimet e administratës, diplomacisë dhe historisë.

Kjo përgatitje shumëdimensionale e pajisi Eqremin me një kulturë të gjerë evropiane, me njohuri të thella mbi gjuhët e huaja (ai zotëronte turqishten, arabishten, gjermanishten, frëngjishten, italishten, anglishten dhe greqishten), si dhe me një sens të hollë diplomatik që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës. Me rënien e Perandorisë Osmane dhe shpërbërjen e strukturave të saj, Eqrem Bej Vlora iu përkushtua çështjes kombëtare shqiptare. Ai mori pjesë në ngjarjet më vendimtare të fillimit të shekullit XX.

Në vitin 1912, kur Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë, Eqrem Bej Vlora ndodhej në qytet dhe ofroi ndihmën e tij në formimin e administratës së parë shqiptare. Ai u emërua ministër i Punëve të Jashtme dhe më vonë përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në Austri dhe Itali. Gjatë kësaj kohe, ai mbrojti me dinjitet interesat shqiptare në arenën ndërkombëtare, sidomos në Konferencën e Londrës dhe në bisedimet diplomatike për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë.

Në vitin 1920 mori pjesë në Kongresin e Lushnjës dhe mbështeti qeverinë e re shqiptare. Edhe pse në vitet e mëvonshme u largua nga politika aktive, ai nuk reshti së kontribuari me mendimin dhe penën e tij për çështjen kombëtare. Eqrem Bej Vlora është një ndër figurat më të ndritura të kulturës shqiptare. Ai ishte një dijetar i formuar në mënyrë të rrallë, një shkrimtar i shkëlqyer dhe një studiues i përkushtuar i historisë, etnografisë dhe gjuhësisë shqiptare. Vepra e tij më e njohur, “Kujtime” (titulli origjinal: Erinnerungen aus meinem Leben), është një pasuri e paçmuar historike dhe kulturore për kombin shqiptar. Në këtë libër, ai rrëfen me mjeshtëri ngjarjet historike të jetuara, figurat e njohura shqiptare dhe evropiane që ka takuar, dhe zhvillimet e periudhës më të ndërlikuar të historisë sonë moderne.

Ai gjithashtu botoi studime për kulturën shqiptare, raportime për udhëtimet e tij dhe analiza të thella për marrëdhëniet ndërkombëtare. Si një bashkëpunëtor i disa akademive dhe institucioneve shkencore evropiane, ai promovoi çështjen shqiptare në qarqet kulturore dhe inteelektuale të kontinentit. Eqrem Bej Vlora nuk ishte vetëm një diplomat dhe dijetar, por edhe një patriot i përkushtuar. Ai ishte zëri i arsyes dhe i mendimit të ndritur në një kohë të trazuar për kombin shqiptar. Ai e përjetonte me dhimbje ndarjen e trojeve shqiptare dhe luftoi me të gjitha format për mbrojtjen e të drejtave kombëtare.

Ndihmesa e tij për çështjen e Kosovës, për mbrojtjen e Shkodrës nga pretendimet malazeze dhe për afirmimin e identitetit shqiptar në Evropë, përbën një trashëgimi të rrallë. Ai kurrë nuk u përfshi në ndasi politike që e dëmtonin unitetin kombëtar, por gjithmonë mbajti qëndrim të pavarur dhe të ndershëm.

Eqrem Bej Vlora ndërroi jetë më 30 mars 1964 në Tiranë, në një periudhë kur regjimi komunist shqiptar kishte filluar një fushatë sistematike kundër figurave të elitës kombëtare. Ai u la mënjanë, u përçmua dhe u censurua për dekada, por vepra e tij mbijetoi dhe u rivlerësua pas rënies së diktaturës.

Sot, Eqrem Bej Vlora njihet si një prej figurave më të shquara të Rilindjes shqiptare të vonshme, një ndër intelektualët më të mëdhenj të kombit, dhe një simbol i kulturës, dijes dhe dashurisë për atdheun.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 117
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 
  • MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM
  • Ardita Statovci, pedagoge pranë “Washington Conservatory of Music”: “Muzika është gjuhë universale që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit e kulturës së vendit tënd në çdo anë të botës”
  • Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare
  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare
  • Mirash Ivanaj, 12 mars 1891-22 shtator 1953
  • Ramazani, tradita shqiptare e mikpritjes dhe harmonia ndërfetare
  • “Ajatollahu, fati i çdo sundimtari gjakatar”!
  • Departamenti i Shtetit ka publikuar një rregull përfundimtar për të ndryshuar Programin e Vizave të Imigrantëve të Diversitetit (“Programi DV”) që hyn në fuqi më 10 prill 2026
  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT