• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VRASJA E FJALËS SË LIRË…

August 10, 2025 by s p

Rafael Floqi/

Rrethim dhe heshtje e detyruar

Mëngjesin e 9 gushtit 2025, Policia e Shtetit rrethoi godinën e Televizionit News24 dhe ndërpreu me forcë, pa asnjë paralajmërim, sinjalin e transmetimit. Një akt i paprecedent kundër medias së lirë. Punonjësit u penguan të hynin në vendet e tyre të punës, ndërsa qytetarët u privuan nga kanali më i madh dhe më i besueshëm informativ në vend. “Ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj të drejtës kushtetuese për informim dhe ndaj lirisë së shtypit,” deklaroi redaktorja Nisida Tufa, duke e cilësuar ngjarjen si precedent të rrezikshëm për shuarjen e zërave kritikë dhe kontrollin total mbi informacionin publik.

Goditja ndaj katër redaksive

Pa asnjë paralajmërim, policia kërkoi lirimin e ambienteve ku ndodhen redaksitë e News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare. Në krye të operacionit ishte Ardi Veliu, si drejtues i shoqërisë “KAYO”, i cili pretendoi se godina i përket një kompanie prodhimi armësh. Ky është një veprim që shkel çdo standard demokratik dhe synon paralizimin e një prej grupeve mediatike më të fuqishme në hapësirën shqipfolëse.

Reagime nga gazetarët dhe organizatat

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë u kërkoi institucioneve të mos bllokojnë punën e gazetarëve dhe paralajmëroi se është “në alert” për lirinë e medias. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë e cilësoi ndërhyrjen si “alarm kombëtar” dhe “akt që cenon parimet themelore të demokracisë dhe lirisë së shprehjes”. Rrjeti Safe Journalists Shqipëri denoncoi represionin, duke e quajtur pengim të ushtrimit të detyrës profesionale dhe kufizim të qasjes së gazetarëve në vendin e punës. Organizata ndërkombëtare të lirisë së shprehjes kanë ngritur gjithashtu alarmin për rrezikun që këto veprime përbëjnë ndaj pavarësisë së medias.

35 vjet pas diktaturës – rikthim pas

Nga mbyllja e Agon Channel, bastisja e Lapsit dhe sekuestrimi i Tv Ora, sot kalojmë në rrethimin fizik të redaksive dhe ndalimin e hyrjes në punë. Ky nuk është incident – është projekt shtetëror për asgjësimin e medias së lirë.

Neni 22 garanton lirinë e shprehjes dhe ndalon censurën paraprake. Sot, Kushtetuta u shkel publikisht. Pamjet e këtij mëngjesi duken si nga Kili i Pinoçetit apo Venezuela e Maduros – jo nga një vend që kërkon të hyjë në BE.

Me qira, pa qira, “media pa za”

Panorama Group sh.a., ka një kontratë qiraje për shfrytëzimin e pronës me nr. 10/304, Zona Kadastrale 8170, me sipërfaqe 15 mijë m², nga të cilat 5858 m² ndërtesë, të vlefshme deri në datën 09.05.2033, me vlerë mujore të qirasë 15 mijë euro. VKM-ja nr. 158/2025 që i ka kaluar shoqërisë “KAYO” sh.a., 4 prona në Zonën Kadastrale 8170, në fakt nuk e përfshin pasurinë me nr. 10/304. Atëherë pse duhet që shoqëria “KAYO” sh.a., e drejtuar nga Ardi Veliu, me mbështetjen e Policisë së Shtetit, të nxjerrë nga godina gazetarët, të ndëpresë sinjalin dhe sekuestrojë pajisjet, ndërkohë që Panorama Group sh.a., ka një kontratë qiraje në fuqi për pronën nr. 10/304, e cila nuk i është kaluar në pronësi shoqërisë “KAYO”?! Ka vetëm një përgjigje në fakt. Ky aksion nuk ka të bëjë me ligjshmërinë, marrëdhëniet kontraktuale, pronën shtetërore apo aktivitetin e shoqërisë KAYO, por synon censurën, mbylljen e gojës dhe shuarjen e zërit të gazetarëve të News24.

Policia shqiptare ka rrethuar këtë mëngjes godinën e Televizionit News24, duke ndërprerë me forcë dhe pa asnjë paralajmërim sinjalin e transmetimit, në një akt të paprecedent ndaj medias së lirë. Punonjësit janë penguar të hyjnë në vendet e tyre të punës, ndërsa qytetarët janë lënë pa një prej zërave informues kryesorë.

Edhe për invadimin e sotëm të bashibozukëve me uniforme, njësoj si për hedhjen në erë Prestige Resort para tre vitesh, sërish do të sërviren të njëjtat alibi. Nga ata që duan, me çdo kusht, ta shohin Edi Ramën si një diktator “liberal”, ngjarja nuk

do të shihet si një raport i pushtetit me mediat, por si një çështje mospagimi taksash, apo nevoje shtetërore për të marrë një mjedis që i duhet për të prodhuar armë.

Pak rëndësi ka se qeveria Rama ka nxjerrë VKM që i fal me 1 euro pronarëve të mediave pasuri publike, pavarësisht se ajo u ka dhënë atyre godina shkollash për t’i shndërruar në altoparlantë të qeverisë. Drama e ndëshkimit të trajektores aventureske të Irfanit nuk duhet të figurojë askund si problem i shtetit të së drejtës dhe lirisë së fjalës.

Po ashtu, sikur vetë Hysenbelliu bëri për rastin Bechetti, shumë gazetarë dhe media të mëdha do të mbyllin sot sytë për goditjen ndaj tij, pa e trajtuar atë ashtu siç është vërtetë – si një hakmarrje personale që buron nga pasionet e një njeriu që ka kapur shtetin. Dhe historia do të vijojë të zhvillohet kështu deri sa të pastrohet i gjithë ai që pothuajse një dekadë më parë u shpall me bujë si “kazan”.

Sot ata, nesër ti

Media nuk është dekor i demokracisë; ajo është shtylla që e mban atë në këmbë. Kur media hesht ose mbyllet, qytetari humb fuqinë për të kontrolluar pushtetin. “Nëse humbim lirinë e shtypit, humbim lirinë e vendit.”, shkruante presidenti – Franklin D. Roosevelt.

Nëse nuk ngrihet solidaritet i pakufishëm nga gazetarët, shoqëria civile, opozita, mazhoranca dhe Brukseli – nesër çdo kritik ndaj “udhëheqësit” do të përfundojë me tre vite burg sipas projektit të ri penal.

“Liria e shtypit nuk është e rëndësishme për shtypin; ajo është jetike për demokracinë.”

Nëse sot pranohet që një televizioni t’i shuhet zëri për arsye politike, atëherë nesër mund të pranohet që edhe qytetarit t’i mbyllet goja për çdo kritikë.

Gjurmët po duken…

Filed Under: Fejton

Shqiptarët dikur e tallnin dhe diktaturën. Tash, diktatura “i ngrin” buzëqeshjen 

August 2, 2025 by s p

Fejton nga Rafael Floqi 

Create a caricature of Edi Rama and the Penal Code

Më 1 gusht të vitit 2025, ndërsa pjesa tjetër e Evropës diskutonte për inteligjencën artificiale, ndryshimet klimatike dhe të ardhmen digjitale, Shqipëria – një vend krenar për eksportin e domateve dhe deklaratave me lot në sy – po i vinte drynin humorit. Qeveria shqiptare, nën udhëheqjen vizionare të Edi Ramës (tani me syze të kuqe mode) dhe Presidentit që ka më shumë selfie se fjalime, vendosi të fusë në burg çdo qytetar që do të guxojë të qeshë në drejtim të gabuar.

Kur Shteti Bëhet Simbol dhe Kryeministri Shenjt

Na u bëka gjoja për ligj! Na u derdhka nga maja e pushtetit një “nen”, që nuk paska asgjë kundër medias, as kundër gazetarëve – por në fakt është një kamxhik i lyer me bojë parlamentare për t’i rënë fjalës së lirë pas qafe. Sepse, siç thotë i drejtë e i prerë miku im i mirë, gazetari Agim Baçi: ky nuk është ligj, por akt armiqësor ndaj vetë demokracisë.

Na thuhet me buzë të ngrira se shpifja nuk duhet të tolerohet. Dakord! Por që me shpifje po barazohet kritika, ironia, tallja dhe revolta qytetare – kjo është jo vetëm qesharake, por e rrezikshme. Një vend ku fyerja ndaj një “zotnie me pushtet” dënohet më rëndë se vjedhja e pronës publike, është një vend që ka filluar të kafshojë vetveten.

Neni 236  alias /55 është hallka e re në zinxhirin e artë që pushteti kërkon t’i vërë rreth qafës popullit. Aty nuk mbron shtetin – por fytyrat që e sundojnë. Nuk mbron flamurin – por frakun e kryeministrit. Nuk mbron Kushtetutën – por arrogancën e atyre që e përbuzin atë përditë nga foltoret dhe ekranet.

Kush janë këta që duan të shpallen “simbol kombëtar”? A është flamuri? A është alfabeti i Kongresit të Manastirit? Jo! Simboli i ri qenka “ai që nuk duhet kritikuar”. Kryeministri. Kryeparlamentari. Ministri që bërtet. Drejtori që vjedh. Kryebashkiaku që i ka hapur llogari gruas me paret e bashkisë për djegëse .Të gjithë – të shenjtë, të mbrojtur me ligj nga fjalët e rënda të qytetarit që nuk ka as bukë, as drita, as drejtësi!

Jo, zoti kryeministër! Nuk je simbol kombëtar. Je funksionar shtetëror. Je i zgjedhur nga populli për të shërbyer, jo për t’u adhuruar. Kritika ndaj teje nuk është tradhti – është frymëmarrja e fundit që ka mbetur në këtë vend pa oksigjen lirie.

Kodi Penal i Ri – tani me aromë autoritarizmi me parfum evropian

Sipas draftit të ri, çdo tallje, memë, status thumbues, mimikë sarkastike apo pështymë metaforike kundrejt institucioneve të Republikës konsiderohet “përdhosje”. Dhe për këtë, qytetari rrezikon deri në tre vjet burg. Çfarë është liria e fjalës kur mund të zëvendësohet me një kod me nene që ngjajnë si të shkruara nga një grup redaktorësh të serialit “Black Mirror”, por me angazhim ligjor shqiptar?

Në këtë realitet të ri, parodistët, karikaturistët dhe gazetarët do të kenë statusin e “armikut publik me sfond gazmor”. Armët e rrezikshme për rendin: meme-t në Instagram, video-t satirike në TikTok dhe komentet në Facebook që fillojnë me “Po ky Presidenti…”.

Kur BE-ja u zgjua nga gjumi i zgjerimit

Ndërkohë në Bruksel, zyrtarët e BE-së, duke pirë espresso italiane dhe duke përkëdhelur një pako direktivash që askush nuk lexon, morën vesh se Shqipëria po prodhonte një Kod Penal me përbërës jashtë recetës evropiane. Reagimi i tyre ishte si i një prindi që zbulon se fëmija i tij ka vizatuar me bojë murin: “Ne nuk kemi qenë pjesë e këtij grupi!”

BE-ja shprehu shqetësim të thellë, që në gjuhën diplomatike përkthehet: “Çfarë dreqin po bëni?” Ata kujtuan se negociatat me Shqipërinë kërkojnë dekriminalizimin e shpifjes, jo institucionalizimin e qeshjes së ndaluar me nen penal. Dhe sikur për t’i vënë kapakun farsës, Bashkimi Evropian kujtoi se është gati të ndihmojë me “asistencë teknike”, si për të thënë: “Mos e përzieni diktaturën me direktivat tona, ju lutem!”

Portokallia e vërtetë jeton në Parlament

Në vend të ndjekjes penale për krime reale si trafiku i drogës, pastrimi i parave apo abuzimi me detyrën, Kodi i Ri i Ramës përqendrohet te “abuzimi me metaforën”. Pra, për shembull, nëse ti thua: “Kryeministri ngjan si Elton Ilirjani me ato syze të kuqe”, për këtë jo vetëm që mund të paditesh, por edhe të jesh subjekt i një raporti të posaçëm nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare për destabilizim memetik.

Opozita? Ajo e përfaqësuar nga Balliu e quan këtë kod “represion institucional në emër të shtetit ligjor”. Ndërkohë që në TikTok po përgatitet një trend i ri: “3 vjet burg për një meme”, i cili do të konkurrojë me trendin e gotave “Bëj sikur je në burg se the që Begaj nuk flet dot”. 

Nëse ky nen kalon, atëherë do të na duhet të mbyllim gojën, të ulim kokën dhe të përshëndesim si ushtarë çdo absurditet që del nga kupola e Rilindjes. Madje të themi “faleminderit” kur na burgosin për një status ironik. Ose më mirë, të kërkojmë leje që të mendojmë.

Nëse pushtetarët barazohen me simbolet kombëtare, atëherë ky vend nuk quhet më republikë, por Hakmarrje e Madhe ndaj Fjalës. Dhe në këtë hakmarrje, e vetmja gjë që ngrihet lart nuk është më flamuri – por censura.

Mos e prekni kritikën, se ajo është e vetmja që ju ka mbetur për të mos u bërë qesharakë.

Kush është shoferi i Kodit?

Me një stil që do ta bënte edhe Pinokun të skuqej nga turpi, Edi Rama deklaroi në rrjetin social “X” se “Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftit”, por, siç e tha me modesti të skajshme, ia kanë lënë në dorë “një grupi ekspertësh të nderuar”, të udhëhequr nga vetë profesori Arben Rakipi – një lloj Shën Benedikti juridik, që zbret nga maja e Shkollës së Magjistraturës për të ndriçuar shtigjet e drejtësisë.

Qeveria? Jo, ajo është veç një “nga shumë palët”, e cila “e ka marrë dhe po e studion draftin”, sikur të ishte një disertacion i panjohur, jo një dokument që ka dalë nga oborri i saj. Sepse, siç e dimë tashmë, qeveria shqiptare nuk ndërhyn kurrë, vetëm sodit nga larg me një gotë verë dhe një penë të artë në dorë.

Por, fatkeqësisht për këtë fabul alibish, ekspertët që kanë punuar me draftin kanë thënë se Ministria e Drejtësisë jo vetëm që nuk ka qenë në pushime gjatë hartimit të tij, por ka qenë ndër organizatorët më aktivë, me përfaqësues të saj në çdo kthesë të grupit të punës. Me pak fjalë, ndërsa Rama e paraqet qeverinë si një kalimtar të rastit, dëshmitarët e rrëfejnë si shoferin kryesor të kësaj makine legjislative.

Konkluzioni?

Shqipëria nuk ka më nevojë për humor, sepse tashmë jeton brenda një satire të mirëfilltë. E vetmja gjë që mungon është që vetë Kodi Penal të botohet në formë albumi me karikatura, të shpërndahet falas me gazetën “Zëri i Batutës së Kontrolluar” dhe të ketë kapitullin e vet të titulluar: 

“Neni i të Qeshurit të Pashallarëve”/ Neni 236  /alias 55 – Kush qesh, prangoset.

Filed Under: Fejton

Pallati Kongreseve shkon për skrap

July 30, 2025 by s p

Fejton nga Rafael Floqi

Karikatura AI qe Rama e pëlqen

Tiranë – Me duart që lartësohen automatikisht si flamuj partie dhe pa asnjë pikë kundërshtimi, këshilltarët bashkiakë të Partisë Socialiste miratuan me “po-në e komanduar” vendimin për shembjen e Pallatit të Kongreseve – një monument i historisë së diktaturës që tashmë duket se do t’i shërbejë diktaturës së ndërtimit.

Në vend të mureve të ftohta ku dikur jehonte “rroftë Partia”, së shpejti do të ngrihen kulla prej xhami, me ballkone nga ku do të shihet – ndoshta – Kulla tjetër që po ndërtohet. Arkitektura e re: “L’art i betonerisë moderne me bekimin e pushtetit”.

Vendimi erdhi pa debat, pa konsultim publik, pa ndonjë ide alternative. Vetëm një plan i qartë: më shumë kulla, më pak kujtesë. Historia? Po i thuhet “lamtumirë” me fadromë në emër të “zhvillimit”, që përkthehet: kullë për çdo mik të bindur.

Në një mëngjes të ndritshëm partie, kur dielli ngrihej mbi Tiranën me formën e një vinçi ndërtimi dhe hëna rrinte pezull mbi një plan zhvillimi urban, Këshilli Bashkiak mblodhi trupin e tij të lavdishëm për të votuar mbi fatin e një objekti modest, të vogël e pa shumë rëndësi kombëtare: Pallati i Kongreseve.

A e keni parasysh atë godinën e vjetër ku dikur mbaheshin festivalet, kongreset dhe ndonjëherë edhe ndonjë konkurs poezie për lavdinë e partisë? – pyeti një këshilltar që e kishte ngatërruar mikrofonin me ngrohësin e kafesë.

Ai nuk është më Pallat Kongresesh, por pallat i kujtimeve të kota! – thirri entuziast nënkryetarja Anuela Ristani, e cila e kishte studiuar urbanistikën në TikTok dhe ligjin në komentet e Facebook-ut.

Me një ton zyrtarisht të papërgatitur, ajo shpjegoi se nuk dinte çfarë do ndërtohej aty, sepse nuk është profete, por vetëm zëvendës-ndërtuese. “Mund të ndërtohet një qendër kongresesh në ajër të pastër, mund të bëhet një lavatriçe publike, ose thjesht një vatër energjetike për qytetarët e lodhur nga mungesa e qartësisë,” tha ajo, ndërsa shikonte nga dritarja për të parë nëse kishte ardhur ndonjë avion me planin urbanistik brenda.

Nga radhët e opozitës, Ilir Alimehmeti nguli këmbë për transparencë – koncept ky aq i huaj në sallë, sa që duhej përkthyes. “Çfarë do bëhet me këtë tokën 2,260 metra katrorë? Një kullë tjetër?”, pyeti ai, por përgjigjja që mori ishte një përzierje mes një fjalimi të Enverit dhe një statusi ironik në Instagram: “Ekspertiza do vendosë. Ne japim truallin, ata japin vizionin.”

Dhe kështu, në harmoni të plotë me himnin e ekskavatorit dhe flamurin e betonit, vendimi kaloi. Pallati do të rishpikej! Me të njëjtën “formulë” magjike që i dha kombit stadiumin “Air Albania” me kupola si hamburgerë, edhe Pallati i Kongreseve do rishfaqej në formë të re: më i ndritur, më i gjelbër (në projekt 3D), dhe patjetër më i shtrenjtë për t’u përdorur.

Disa thonë se godina ka vlerë historike. Por historia, shokë, nuk shet metra katrorë. Kulla po. 

Por kjo histori s’është vetëm për një godinë. Është për një mani betoni, të kuruar me kujdes estetik nga mjeshtrit e arkitekturës import, në veçanti arkitektët italianë, të cilët kanë gjetur në Shqipëri jo thjesht një kantier ndërtimi – por një skenë ku diktati i estetikës së Ramës shndërrohet në ligj ndërtimi.

Nga Stefano Boeri e deri te Marco Casamonti – të preferuarit e kryeministrit – Tirana po projektohet si një ekspozitë e përhershme e egos urbane të Ramës, ku çdo kullë është pikturë me beton dhe çdo shembje është “modernizim”. E kush guxon të kundërshtojë, cilësohet si “i prapambetur”, “anti-zhvillim”, ose “filistin që s’e kupton artin”.

Pallati i Kongreseve, siç raportohet, do të shembet për t’i lënë vend një kompleksi të ri “ikonik”, që për hir të Rilindjes, do të ngjajë më shumë me një stacion metroje në Milano sesa me një hapësirë publike në Tiranë.

Dhe nuk është rasti i parë. Nga Piramida e rikonstruktuar si Google Campus, te Sheshi Skënderbej si beton-gjigant me yje, e deri te Teatri Kombëtar që u shemb me fadromë në agim – Rama po e betonizon historinë, me lejen e një qyteti që hesht dhe me ndihmën e një klientele arkitekturore që projektin e ka në Itali, por kontratën e ka në Shqipëri.

Dhe në katin e 27-të të kullës, mbi një sallon spa me emrin “Kongresi Wellness Lounge”, ndonjë ish-delegat do kujtojë me mall: “Lart me lart o shokë, kullat e kongresit”

Se historia, më mirë të mos na e kujtojë askush, përveçse kur kemi nevojë për propagandë.

Filed Under: Fejton

LETËR E HAPUR PËR KRYETARIN GENCI NIMANBEGU DHE KUVENDIN E KOMUNËS TË ULQINIT NGA SHQIPTARËT E DIASPORËS AMERIKANE

July 29, 2025 by s p

FONDACIONI DOM SIMON FILIPAJ – NEW YORK

Të nderuar bashkëvendas dhe bashkatdhetarë;

Siç ju kemi njoftuar edhe më parë shumica e shqiptarëve të Amerikës nuk janë të kënaqur me projektin tuaj për ndërtimin e monumentit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeu në qytetin tonë të dashur Ulqin. Ky projekt nuk ka asgjë të përbashkët me heroin tonë kombëtar. Aty përulet madhështia e tij që duket më shumë si një karikaturë se përmendore. Historia kombëtare dhe ndërkombëtare e cilëson trimin tonë si njërin prej heronjëve më të përmendur të Evropës Mesjetare. Në periudhën prej një çerek shekulli iu dhanë nderimet dhe shpërblimet më të larta të Evropës. Prandaj një vizatim i tillë për shtyllën kryesore (pontifex maximus) të historisë sonë kombëtare nënçmon heroizmin, lavdinë, nderin dhe dinjitetin e këtij kolosi të lirisë kombëtare dhe evropiane. Për më shumë se 5 shekuj e gjysmë ky çlirimtar (liberator) nderohet dhe përkujtohet nga kombi shqiptar dhe më gjerë. Edhe shqiptaro-amerikanët e nderojnë Skënderbeun në mënyrë të veçantë, duke ngritur monumente dhe lapidarë në shumë qytete të këtij vendi. Këto nderime u realizuan nga Imzot Noli, Konica dhe patriotët tjerë shqiptarë të Shteteve të Bashkuara.
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu jo vetëm që është krye heroi i popullit tonë por për shqiptarët në Mal të Zi ai është njëherit symbol i cili përfaqëson identitetin e tyre kulturorë e kombëtar, prandaj këtu qëndron rëndësia e ngritjes së përmendores së tij në formen më dinjitoze dhe të merituar edhe në qytetin e lashtë Iliro-Arbëror të Ulqinit.
Këto ditë shumë organizata, shoqata, fonde dhe fondacione shqiparo-amerikane ranë dakord që të reagojnë kundër vendosjes së atij lapidari në qytetin tonë historik Ulqin.
Zotëri të nderuar që prej kohës që u bë publik ky projekt në rrjetet sociale kemi shkëmbyer mendime dhe opinione të ndryshme për këtë çështje. Të gjitha organizatat e lartpërmendura njëzëri janë kundër një skulpëture të tillë. Nëse është fjala për probleme financiare shoqatat e lartpërmendura i marrin përsipër të gjitha shpenzimet për një monument madhështor ashtu siç është në qytetet tjera kombëtare dhe ndërkombëtare. Ju lutem të gjithëve e në veçanti kryetarit të Komunës së Ulqinit zoti Genci Nimanbegut t’i marrë parasysh kërkesat tona.
Shoqërisht dhe vëllazërisht ju përshëndesin kryetarët e këtyre fondeve dhe fondacioneve, bashkë me ta edhe shumë shqiptarë të diasporës amerikane.

Të nënshkruarit:

Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane (AACL)
Agim Aliçkaj – Drejtor Ekzekutiv
Shoqata Ulqini
Xhemal Lanica – Kryetar
Shoqata Kraja
Venera Gjenashaj – Kryetar
Shoqata Atdhetare Malësia e Madhe
Senad Lulanaj – Kryetar
Shoqata Ana e Malit
Albert Salaj – Kryetar
Jehona e Malësisë
Agron Dedivanaj – Kryetar
Shoqata Plavë e Guci
Qazim Dedushaj – Kryetar
Fondacioni Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona”
Zaim Hajdari – Kryetar
Fondacioni Dom Simon Filipaj
Tom Shkreli – Kryetar

Nikollë T. Lulgjuraj
Xheladin Zeneli
Gjekë Gjonlekaj
Cafo Boga
Esad Gjonbalaj
Valdet Çobaj

Filed Under: Fejton

AMERIKA (2025) FESTOI 249-VJETORIN E PAVARËSISË, LIRISË DHE DEMOKRACISË

July 28, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli

 A person standing at a podium with a flag behind him

AI-generated content may be incorrect.Edhe amerikanët, përfshirë shqiptaro-amerikanët, duhet të zgjohen, në këtë ditë të Pavarësisë dhe të dëgjonë fjalët e Ronald Reaganit se, “Liria nuk është kurrë më larg se një brez nga zhdukja…” Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Ditën e Lirisë e të Demokracisë!

A flag flying in front of a building

AI-generated content may be incorrect.

Të nderuar miq! Ju uroj të gjithëve 4 Korrikun! Amerika sot po feston 249-vjetorin e Pavarësisë të lirisë e demokracisë — në përgatitje për të festuar vitin që vjen 250-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Presidenti Ronald Reagan ka paralajmëruar bashkatdhetarët e tij kur ishte gjallë se “Liria nuk është kurrë më larg se një brez nga zhdukja”: “Freedom is never more than one generation away from extinction. We didn’t pass it to our children in the bloodstream. It must be fought for, protected, and handed on for them to do the

same, or one day we will spend our sunset years telling our children and our children’s children what it was once like in the United States where men were 

free.”  Sa me vend ky paralajmërim i Presidentit Ronald Reagan.

50-vjet më parë, si student i ardhur rishtas në këtë vend në Nju Jork, si refugjat politik jam përballuar me një frymë socialiste-komuniste në bankat e shkollës, një frymë që promovohej nga profesorët e mi. Merreni me mend, si student i arratisur nga komunizmi, i ardhur në Amerikë në vitin 1970 për të gëzuar lirinë e demokracinë amerikane, të dëgjoja lavde dhe merita të komunizmit e socializmit, si alternativa për demokracinë amerikane. Në atë kohë u mundova të shpjegoja përvojën time nën komunizëm me disa shkrime modeste dhe argument, të cilët qëndrojnë edhe sot e kësaj dite, si më poshtë. “Nuk e di nëse sot 50-vjet më vonë është një përputhje rasti apo një përsëritje e historisë.

Por për fat të keq, ja ku jemi sot, në 249-vjetorin (në prak të 250-vjetorit) të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara — një kërcënim tjetër ndaj lirisë dhe demokracisë amerikane. Në qytetin më të madh të Amerikës në Nju Jork qëndrën kryesore të kapitalizmit dhe të financave në botë ngre kryet e shëmtuar një kandidat për kryetar bashkie që haptazi e deklaron veten socialist-demokrat, i cili fitoi zgjedhjet paraprake të Partisë Demokrate amerikane kohët e fundit duke promovuar qëndrime politike radikale që nëse fiton në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor, politikat e tija të prononcuara, do të shkatërrojnë qytetin e Nju Jorkut, nga ai që e njohim sot. Kemi të bëjmë me një të ri 33-vjeçar i papërvojë politiko-ekonomike një djalosh i lindur në Ugandën e Idi Aminit — Kasapit të Ugandës — i quajtur Zohran Mamdani, “socialist-demokrat”, që disa e quajnë komunist e që është bërë shtetas amerikan vetëm 7 vite më parë. Siç duket një gënjeshtar i pa identitet, që sipas gazetës Nju Jork Tajms në të kaluarën, herë është deklaruar me origjinë indiane e herë si zezak e herë të tjera afrikano-amerikan. Faji, natyrisht, është i votuesve të Partisë Demokrate në Nju Jork që votuan për një socialist, plani i të cilit është të falimentojë, financiarisht, Nju Jorkun me politikat e tija socialisto-komuniste.

Edhe amerikanët, përfshirë shqiptaro-amerikanët, duhet të zgjohen, në këtë ditë të Pavarësisë dhe të dëgjojnë fjalët e Ronald Reaganit se, “Liria nuk është kurrë më larg se një brez nga zhdukja…”, Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Ditën e Lirisë e të Demokracisë!

Frank Shkreli

A newspaper with text on it

AI-generated content may be incorrect.
A close-up of a newspaper

AI-generated content may be incorrect.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 121
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËRBALLË PROTESTAVE NË TIRANË DHE KRIZËS SË DEMOKRACISË, KUJTOJMË PROFESOR ARSHI PIPËN
  • 𝐒𝐭𝐚𝐭𝐮𝐣𝐚 𝐞 𝐏𝐞𝐫𝐚𝐧𝐝𝐨𝐫𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐃𝐮𝐫𝐫𝐞̈𝐬: 𝐀 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐯𝐞̈𝐫𝐭𝐞𝐭 𝐍𝐞𝐫𝐨𝐧𝐢?
  • Kandidate për Këshillin e Qytetit të Mississaugës në Kanada, Mendi Kabashi: “Suksesi i çdo shqiptari është krenari për të gjithë ne”
  • Announcing our AAWO “Motrat Qiriazi” Organization: New President, Eva Milo Burnazi
  • Tre mësime që na ofron ndryshimi i kryeministrave në Mbretërinë e Bashkuar
  • Përkujtojmë sot në ditën e tij të lindjes shkrimtarin dhe poetin Martin Camaj
  • Kasëm Trebeshina, poeti kundër rrymës
  • Bardi i modernizmit në poezinë shqipe
  • Riviera Shqiptare, destinacioni i ri i investimeve në Mesdhe
  • Vepra “Shqipëria, e kaluara dhe e tashmja” si kontribut i Kostë Çekrezit për historinë e Shqipërisë e shqiptarëve
  • Albanians For America (AFA) was honored to participate on Capitol Hill for the first time as Albania’s representative within the Central and East European Coalition
  • “Dasma shkodrane”, thesari artit shqiptar, ikona e Kol Idromenos, piktura që përjetësoi në ngjyra shpirtin e qytetit
  • 20 korrik 1883, në Koriliano Kalabro doli në shtyp revista e përmuajshme politike, shoqërore, kulturore e letrare “Flamuri i Arbërit”
  • PROJEKTI I PADUKSHËM I SPASTRIMIT ETNIK NËPËRMJET INXHINIERISË SË IDENTITETIT
  • GJURMËT E SHQIPËRISË ETNIKE NË SHTYPIN EUROPIAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT