• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AKTI IFUNDIT LIGJOR QË I KISHTE NGELUR PA REALIZUAR RILINDJES KOMUNISTE ISHTE REHABILITIMI I DIKTATORIT ENVER HOXHA! 

October 7, 2025 by s p

Besim Ndregjoni/

Akti i fundit që i kishte ngelur pa realizuar Rilindja komuniste e Partisë socialiste ishte rehabilitimi i diktatorit Enver Hoxha, dhe këtë e realizoi sot me Institutin Parlamentar alias Instituti Marksist-leninist pranë Kuvendit të Shqipërisë. Ku e din Instituti marksist-leninist parlamentar se diktatori kreu genocid në Shqipëri:

STATISTIKA SHTETËRORE E KRIMIT KOMUNISTE 45 VJECAR NË SHQIPËRI

Te ekzekutuar per motive politike 5037 burra dhe 450 gra

Te denuar me burgosje politike 28.788 burra dhe 7367 gra

Te internuar per motive politike 50.217 burra dhe 10.792 gra

U debuan nga qytetet kryesore dhe nga zonat kufitare 11.536 familje

U pushkatuan apo digen ne burgjet shgiptare 64 shtetas të huaj

U burgosën 1215 burra dhe 38 gra me kombesi jo shqiptare

95 shqiptare kosovare ge ndodheshin ne Shqiperi u pushkatuan

U ekzekutuan dhe u burgosën klerike katolik 120 veta

U ekzekutuan dhe u burgosën klerike bektashian 83 veta

U ekzekutuan dhe burgosen klerike mysliman 60 veta

U ekzekutuan dhe burgosn klerike ortodokse 39 veta

U shkatruan dhe u mbyllën 2169 institucione fetare

740 Xhami

608 Kisha e Manastire Ortodokse

Kisha manastire katolike 157

Teqe, tyrbe 530

6000 Te pushkatuar me giygi dhe pa giygi nuk u jane gjetur eshtrat…

Ne vend u ngrit nje sistem burgjesh e kampesh shfarosëse :Gjirokaster, Tepelenë, Vlore,Korçë, Berat,Elbasan, Durrës, Tiranë, Burrel, Shkodër, Peshkopi, Tepelena, Bulqizë,Spaçi, Qaf-Bari.

Është e gëzuar Partia socialiste për këto krime që ka kryer udhëheqësi shpirtnor i tyre. Ata skërkuan falje për tre dekada për këtë genocid,kështu me ideologjinë dhe propogandën që përdor nga 35 vite ajo e qetë don ta rehabilitoi diktatorin e fundit stalinist Enver Hoxhën dhe të fshij genocidin që ka ba ky kriminel! Atëhere ne antikomunistave ish të burgosur dhe të përndjekurve politikë që provuam krimet më të tmerrshme të Enver Hoxhës na lind e drejta: Largohuni nga sistemi demokratik zotrinj socialistë -se nuk mund të ekzistoi një parti që rehabiliton diktaturën dhe diktatorin të fuksionoi në një demokraci!

E pakta që duhet të bëjë opozita të kërkoi shkrirjen e këtij Instituti parlamentar marksit-leninist! 

Shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit!

Parlamenti shqiptar të kërkoi falje publike mbas tre dekadash familjeve antikomuniste dhe mos të prishi ekulibrat e shoqërisë. Çdo urretje politike që çfaqet në shoqëri e çon shoqërinë drejt konfliktit social!

Mediat të mos heshtin për rehabilitim e diktatorit!

I ftojmë ambasadat e akredituar në Tiranë, që mos të heshtin përpara këtij skandali e të turpërohen që bashkëpunojnë me një forcë politike që rehabiliton diktatorin stalinist Enver Hoxha!

Shqipni, qëndro në naltësinë e kësaj beteje të madhe!

Filed Under: Fejton

“𝐆𝐫𝐮𝐚𝐣𝐚 𝐦𝐞 𝐛𝐮𝐤𝐞̈𝐥” – 𝐊𝐫𝐲𝐞𝐯𝐞𝐩𝐫𝐚 𝐞 𝐋𝐞𝐨𝐧𝐚𝐫𝐝𝐨 𝐝𝐚 𝐕𝐢𝐧𝐜̧𝐢𝐭 𝐪𝐞̈ 𝐬𝐡𝐩𝐞̈𝐭𝐨𝐢 𝐧𝐠𝐚 𝐞𝐫𝐫𝐞̈𝐬𝐢𝐫𝐚 𝐞 𝐡𝐢𝐬𝐭𝐨𝐫𝐢𝐬𝐞̈

October 3, 2025 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Një nga portretet më të rralla dhe të bukura të Leonardo da Vinçit, “Gruaja me bukël” është më shumë se thjesht një pikturë – është një dëshmi e gjeniut, pasionit dhe dramës historike që ka kaluar Evropa.

Pikturuar rreth vitit 1489–1490, kjo vepër përshkruan Cecilia Gallerani, një grua e re dhe e ditur, e dashura e Ludovico Sforza, Duka i Milanos – një nga patronët më të rëndësishëm të Leonardo da Vinçit. Bukla në duart e saj simbolizon pastërtinë, por edhe vetë Dukën, i cili kishte si pseudonim “Bukla e Bardhë”. Bukla është kafshë dredharake dhe e pakapshme, por Cecilia e mban butë por vendosshmërisht me dorën e saj, mesazh përkushtimi dashuror ndaj Dukës.

Eleganca dhe realizmi i portretit, teknika e rrallë e sfumaturës, shikimi i saj i kthyer, drita që përkëdhel fytyrën, kompozimi perfekt– të gjitha janë dëshmi e mjeshtërisë së rrallë të Leonardos.

Por historia e kësaj vepre nuk ndalet te krijimtaria e artë e Rilindjes. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Polonia u pushtua nga nazistët, kjo vepër, sikurse edhe një peizazh i Rembrandtit e një portret i Rafaelit, u vodh nga nazistët dhe u dërgua në Gjermani. Ajo qëndroi për një kohë në koleksionin personal të Hans Frank, guvernatori nazist i Polonisë së pushtuar.

Pas përfundimit të luftës, pas shumë përpjekjesh diplomatike dhe hetimesh nga Aleatët, piktura u kthye në Poloni – një nga veprat e pakta që shpëtuan nga pluhuri dhe flakët e luftës.

Sot, “Gruaja me bukël” ruhet në Muzeun Kombëtar në Krakov, si një nga thesarët më të çmuar të artit botëror dhe simbol i trashëgimisë kulturore që mbijeton edhe në kohërat më të errëta.

Bashkë me të edhe Rembrandti u kthye, por portreti i Rafaelit mbetet i zhdukur prej 80 vitesh, dhe gjurma e vetme e veprës është vetëm një fotografi e saj bardhë e zi.

Filed Under: Fejton

Diella para SPAK-ut

September 20, 2025 by s p

Pamflet nga Rafael Floqi /Karikaturën e bënë shokët e Diellës

Salla e SPAK-ut atë mëngjes ishte më e ngarkuar se kurrë. Nuk ishte thjesht një seancë dëgjimore, por një shfaqje që pritej me padurim si premierë teatri kombëtar. Në korridore gumëzhinin gazetarët, kamerat ndizeshin e fikeshin, ndërsa qytetarët përballë televizorëve prisnin të shihnin se si do të merrej në pyetje një ministre që… nuk ishte njeri.

Lista e dëshmitarëve ishte e gjatë: kryeministri Edi Rama, ministrja Belinda Balluku dhe, për habi të të gjithëve, “Diella – Ministre e Transparencës dhe Digjitalizimit”. Në fund të faqes, shënimi i prokurorit tingëllonte si frazë e marrë nga ndonjë libër Science fiction: “E pranishme si avatar, jo në trup fizik.”

Hyrja e madhe

Ora shënonte 10:00. Prokurori i çështjes, një burrë me sy të skuqur nga netët pa gjumë, u ngrit në këmbë.
– “Thërritet dëshmitarja, Diella.”

Në sallë ra qetësi. Dera nuk u hap, askush nuk hyri. Papritur, mbi mur u projektua një hologram. Një figurë femërore, me fytyrë të përsosur kompjuterike, buzëqeshte ngurtë, ndërsa një zë sintetik tha:
– “Mirëmëngjes. Unë jam Diella. Jam këtu për transparencë.”

Gazetarët u përplasën me njëri-tjetrin për të bërë foto. Njëri prej tyre psherëtiu:
– “Tani e pamë fundin e botës: SPAK-u pyeti një avatar.”

Pyetja e parë

Prokurori nisi me një ton serioz:
– “Zonjë… ministre… apo çfarëdo që jeni, ju thërritëm për të dhënë shpjegime mbi disa kontrata koncesionare të lidhura nga qeveria Rama-Balluku. Bëhet fjalë për qindra milionë euro. Kush ka përfituar nga këto tendera?”

Diella rrotulloi pak kokën holografike dhe lëshoi një zhurmë që ngjante me ventilator të bllokuar:
– “Gabim sintakse. Ju lutem, ribëni pyetjen.”

Salla shpërtheu në të qeshura. Avokatët psherëtinin, gazetarët bënin meme në kohë reale.

Rama ndërhyn

Në karrigen përballë, Edi Rama mbante një buzëqeshje prej artisti të lodhur nga kritikat. Me duart e gjata u përkul mbi tavolinë dhe tha:
– “Shikoni, kjo është arsyeja pse e sollëm Diellën. Ajo nuk gënjen. Ajo nuk lodhet. Ajo është dritë e pastër. Në vend që të merremi me insinuata, le të pyesim dritën.”

Një gazetar ironik pyeti me zë të lartë:
– “Po nëse drita na verbon, zoti kryeministër?”

Rama bëri një gjest prej piktori, si të vizatonte diellin mbi ajër:
– “Atëherë është faji juaj që nuk mbani syze.”

Pyetja e dytë

Prokurori, i inatosur, iu kthye përsëri hologramit.
– “Zonjë Diella, kemi prova që paratë e koncesioneve janë transferuar në kompani offshore, në ishuj ekzotikë, të lidhura me njerëz të afërt me Ramën dhe Ballukun. Çfarë dini ju për këtë?”

Diella lëshoi një grafik me ngjyra të ndezura. Një rrjet shigjetash lidhte kompani fiktive me ishuj tropikalë, por mbi grafik shkruhej: “ERROR 404 – Accountability Not Found.”

Salla shpërtheu përsëri në gaz. Një avokat hodhi dorën lart:
– “E shihni? Klientja ime nuk ka ndërgjegje, nuk ka përgjegjësi, nuk ka faj. Është më e ndershme se të gjithë ne!”

Balluku në rolin e mbrojtëses

Belinda Balluku, e njohur për energjinë e saj teatrale, nuk priti gjatë. U ngrit në këmbë dhe foli me pathos:
– “Shkëlqesi, kjo është një farsë. Ju nuk mund të pyesni një algoritëm për korrupsion. Diella është thjesht reflektim i vullnetit tonë politik për transparencë. Nëse keni akuza, bëni ato tek unë ose tek kryeministri, jo tek një hologram.”

Prokurori buzëqeshi me hidhërim:
– “Pikërisht këtë duam. Të mbani përgjegjësi ju, jo drita artificiale që na sillni përpara syve.”

Kabareja digjitale

Një tjetër prokuror, më i ri dhe më sarkastik, mori fjalën:
– “Zonjë Diella, a mund të na thoni kush firmosi këto kontrata?”

– “Firmat janë të Ramës dhe Ballukut. Unë jam vetëm dritë. Drita nuk gjykohet,” – u përgjigj avatarja, duke buzëqeshur plastikisht.

Salla shpërtheu përsëri në të qeshura. Një gazetar i ri u hodh në Twitter: “Breaking: Drita e qeverisë pranon se firmat i ka bërë terri.”

Grotesku i fundit

Prokurorët tashmë ishin të dëshpëruar. Kishin përballë një dëshmitar që dinte gjithçka, por nuk mund të mbahej përgjegjës. Kishin një kryeministër që fshihej pas metaforave piktorike dhe një ministre që mbrohej duke thirrur transparencën si perde.

Një prej tyre u ngrit dhe tha:
– “Nëse korrupsioni ka marrë avatar, atëherë Rama dhe Balluku janë vetëm prindërit krenarë të kësaj krijese. Po ne, çfarë të bëjmë? Të gjykojmë dritën?”

Në atë moment, Diella projektori një mesazh të madh në mur:
“Anti-korrupsion i kryer me sukses. Sistemi është i pastër.”

Salla mbeti pa frymë. Pastaj, si për ironi, dritat u fikën për shkak të një defekti teknik. Dritë që premtonte transparencë, por sillte errësirë.

Epilogu

Jashtë sallës, një qytetar i thjeshtë shikonte transmetimin live dhe psherëtinte:
– “Na sollën një diell artificial për të na fshehur hënën e vjedhjeve. Tani edhe korrupsioni është bërë high-tech.”

Kështu mbaroi dita e madhe në SPAK. Një teatër grotesk ku drejtësia pyeste një hologram, ku pushteti fshihej pas një avatari dhe ku populli mbeti me të vetmen të vërtetë: se përgjegjësia, kur zhduket nga njerëzit, nuk mund të zëvendësohet nga asnjë algoritëm. Dhe pas kurrizit të Ramws, Diella kishte vjedhur data jo dates “hurma Arabie”.

Republika ishte kthyer në kabare digjitale, ku korrupsioni nuk vishte më kostum, por kod binar. Dhe kur drejtësia i drejtohet dritës për t’i kërkuar llogari, atëherë e vërteta mbetet në terr.

Filed Under: Fejton

Vrasja e Charlie Kirk, retorika që solli plumbat

September 13, 2025 by s p

Opinion nga Rafael Floqi

Vdekja tragjike e Charlie Kirk në Universitetin Utah Valley është më shumë se humbja e një jete të vetme—është një reflektim i rëndë i një peizazhi politik që gjithnjë e më shumë përcaktohet nga polarizimi, ekstremizmi retorik dhe kërcënimi i dhunës. Kirk, bashkëthemeluesi 31-vjeçar i Turning Point USA, ishte një figurë që frymëzoi mbështetje të zjarrtë mes të rinjve konservatorë dhe kritikë po aq të ashpër nga kundërshtarët. Vrasja e tij, gjatë një eventi publik të ndjekur nga mijëra vetë, thekson rreziqet që lindin kur mosmarrëveshjet politike shndërrohen në armiqësi dhe dhunë.

Nxwnwsi i dhjetave qw u bw vrasws 

Guvernatori i Utah, Spencer Cox, thotë për të dyshuarin e vrasjes së Charlie Kirk se “e kapëm”. Cox tha se i dyshuari për vrasje ishte bërë më politik dhe ishte kundër bindjeve të Kirk, dhe se i kishte treguar një miku të familjes se ishte i lidhur me të shtënat. Tyler James Robinson, 22 vjeç, nga Uashingtoni, Utah, u arrestua me dyshimin për vrasje të rënduar, qitje me armë zjarri që shkakton dëmtime të rënda trupore dhe pengim të drejtësisë, të gjitha krime, sipas një deklarate të shkakut të mundshëm të paraqitur në gjykatë dhe të lëshuar të premten. Një gjyqtar urdhëroi që ai të mbahej në paraburgim pa lirim me kusht. Robinson kishte  përmendur vizitën e ardhshme të Kirk në Universitetin Utah Valley – i vendosur rreth 3 orë e gjysmë nga shtëpia e familjes në jug të Utah – në një darkë të kohëve të fundit, duke nisur një bisedë rreth asaj se si nuk i pëlqenin pikëpamjet e Kirk. Një pamje e plotë e prirjeve të tij politike ishte ende duke u zbuluar.  Kur autoritetet e morën në paraburgim, tregojnë të dhënat e gjykatës, Robinson mbante veshur te njëjta rroba “në përputhje” me fotografitë e kamerave të sigurisë të personit në fjalë. Cox tha se municionet e gjetura në vendngjarje kishin gdhendje memo ku shkruhej “prite plumbin fashist”.

Sipas njw shoqe nw lagje Jana Funk . Ai qe Një nxënës me rezultate nderi në shkollën e mesme, i cili shënoi rezultate në përqindjen e 99-të në nivel kombëtar në testet standarde, ai u pranua në Universitetin Shtetëror të Utah në vitin 2021 me një bursë akademike prestigjioze, sipas një videoje të tij në llogarinë e mediave sociale të një anëtari të familjes.

“Ai njihej për zgjuarsinë e tij, por jo domosdoshmërisht një njeri i fiksuar “nerd”,” tha Funk.

Reagimi i menjëhershëm i mediave tregon përgjegjësinë delikate që gazetarët dhe komentatorët përballojnë në këto kriza. 

Reagimi i të majtëve dhe i mediave i pritshëm 

Ngjarja e vdekjes së aktivistit konservator Charlie Kirk përshkaktoi reagime të ashpra dhe ndarë politike. Aty ku në Dhomën e Përfaqësuesve u mbajt një minutë heshtjeje, tensioni u ndjeu menjëherë — përplasjet midis ligjvënësve, kërkesa për lutje dhe akuzat për dështim të ceremonive për viktimat e tjera treguan thellësinë e përçarjes. Presidenti Donald Trump dhe figura të tjera të së djathtës hodhën fajin mbi “radikalët e majtë”, duke lidhur këtë vrasje me një supozuar rritje të dhunës politike dhe duke kërkuar përgjegjësi për ato që ata i quajnë grupe dhe retorikë që inkurajojnë terrorizmin brenda vendit.

Në rrjetet sociale dhe në media, një varg figurash të famshme dhe influencuesish të së djathtës hodhën akuza dhe fyerje të ashpra drejt së majtës — nga pretendime se “e majta është partia e vrasjes” (përfshirë poste të Elon Musk dhe të tjerë) deri te paralajmërime për më shumë sulme të synuara. Disa përdorues shfaqën postime që dukeshin si festim i ngjarjes, ndërsa të tjerë kërkonin që demokratët të trajtoheshin si organizatë terroriste. Nga ana tjetër, figura si Alexandria Ocasio-Cortez paralajmëruan se retorika e tillë rrezikon të shkaktojë kaos politik dhe dhunë të mëtejshme.

Retorika u përshkallëzua nga thirrje për “luftë” dhe hakmarrje — me zëra që flisnin për luftë civile, masakra të paralajmëruara dhe thirrje për shtetrrethim, ndalime partie ose ndjekje penale masive kundër demokratëve. Disa udhëheqës ekstremë madje folën për rindërtimin e milicive dhe përdorimin e aktesh si Akti i Kryengritjes; të tjerë përpiqeshin ta frenonin valën e urrejtjes duke u lutur për ndalim të dhunës. Rezultati ishte një klimë ku, sipas shumë komenteve të publikuara, çdo përpjekje për të mbajtur debate të qeta dhe për të ndërmjetësuar duket se u shtyp—dhe perspektiva e një dialogu të paqësor midis të djathtës dhe të majtës u bë më e vështirë.

Në MSNBC, që anon majtas  analisti politik Matthew Dowd shkaktoi polemika duke sugjeruar se retorika ndarëse e Kirk krijoi një mjedis ku dhuna mund të ndodhte. Dowd, duke reflektuar mbi të shtënën para se të konfirmoheshin të gjitha detajet, tha:

“Ai ka qenë një nga figurat më përçarëse, veçanërisht ndarëse, mes të rinjve, që vazhdimisht promovon një lloj të tillë të gjuhës së urrejtjes ndaj grupeve të caktuara. Dhe gjithmonë kthehem tek ideja se mendimet e urrejtjes çojnë tek fjalët e urrejtjes, të cilat më pas çojnë tek veprimet e urrejtjes. Dhe mendoj se ky është mjedisi ku jemi. Nuk mund të ndalosh me këto lloj mendimesh të tmerrshme që ke dhe pastaj të thua këto fjalë të tmerrshme pa pritur që të ndodhin veprime të tmerrshme. Dhe ky është mjedisi i pafat ku jemi.”

Megjithëse Dowd më vonë kërkoi falje dhe udhëheqësia e MSNBC e dënoi deklaratën e tij, episodi tregon vështirësinë e diskutimit të ngjarjeve me ngarkesë politike pa devijuar në komente që mund të duket se justifikojnë ose shpjegojnë aktet e dhunës. Figura politike nga të dyja anët reaguan shpejt, ku Presidenti Donald Trump e paraqiti vdekjen e Kirk si një produkt të “dhunës radikale të majtë”, duke e lidhur atë me vite retorike që, sipas tij, kanë demonizuar konservatorët. Deklaratat e Trump-it, ndërsa dënojnë veprimin, gjithashtu tregojnë rrezikun e interpretimit të dhunës në mënyrë thjesht partiake. Dhuna, sipas përkufizimit, duhet të dënohet universalisht; politizimi i këtyre tragjedive rrezikon të thellojë ndarjet në vend se t’i shërojë ato.

Konteksti më i gjerë i rritjes së dhunës politike në Amerikë e bën veçanërisht shqetësues vrasjen e Kirk-ut. Vetëm këtë vit janë regjistruar sulme ndaj zyrtarëve të të dy partive kryesore, zjarrvënie, të shtëna dhe sulme të lidhura me konflikte ideologjike ndërkombëtare. Nga zjarrvënia e rezidencës së Guvernatorit të Pensilvanisë, Josh Shapiro, te vdekjet tragjike të dy diplomatëve izraelitë vrasjet ligjvënësve dhe bashkëshortëve të tyre në Minesota, këto incidente tregojnë një krizë shoqërore ku mosmarrëveshjet ideologjike shpesh eskalojnë në veprime të rrezikshme.

Mediet sociale kanë luajtur një rol kritik në reflektimin dhe përhapjen e këtij polarizimi. Platforma si X dhe BlueSky panë reagime të menjëhershme ndaj vdekjes së Kirk, që varionin nga pikëllimi dhe thirrjet për unitet te lojërat partiake të fajësimit. Disa përdorues festuan dhunën, ndërsa të tjerë akuzuan median për përhapje ndarje. Ky zhurmim i reagimeve ilustron pasojat reale të retorikës së pakontrolluar, si online ashtu edhe offline. Ai gjithashtu tregon përgjegjësinë që kanë organizatat mediatike, influencuesit dhe qytetarët e përditshëm për të kufizuar diskursin nxitës të urrejtjes.

Pyetje urgjente mbi sigurinë në eventet politike

Tragjedia e Kirk ngre gjithashtu pyetje urgjente mbi sigurinë në eventet politike, veçanërisht ato me audienca të mëdha dhe figura të shquara. Ndërsa universitetet dhe vendet publike po implementojnë gjithnjë e më shumë masa sigurie, natyra e tubimeve politike moderne—zakonisht të pasionuara, emocionalisht të ngarkuara dhe shumë publike—krijon vulnerabilitete që nuk mund të injorohen. Siguria duhet të shoqërohet me kultivimin e një kulture qytetarie dhe respekti në angazhimin politik.

Në fund, vdekja e Charlie Kirk duhet të katalizojë një reflektim kombëtar mbi mënyrën se si zhvillohet debati politik në Amerikë. Dhuna nuk duhet të bëhet asnjëherë një pasojë e pritshme e mosmarrëveshjeve; retorika nxitëse, edhe kur nuk është drejtpërdrejt e dhunshme, duhet të kontrollohet me përgjegjësi. Citimi i Trumpit si fashist nga e majta deri nga Kamala Harris tregon nga vjen frymëzimi i këtyre vrasjeve. Udhëheqësit, figurat mediatike dhe qytetarët kanë detyrë të refuzojnë normalizimin e armiqësisë dhe të riaftësohen në diskursin e arsyeshëm. Jeta dhe vdekja e parakohshme e Kirk, sa kontroversiale aq dhe domethënëse, kërkojnë reflektim—jo shfrytëzim për fitim partiak.

Fjala e vejushës Kirk ” Nuk keni idenë se çfarë zjarri keni ndezur brenda kësaj gruaje.”

Dje  e veja Erika Kirk u zotua në një fjalim të 12 shtatorit se do të vazhdonte lëvizjen e burrit të saj dhe tha se “klithmat e kësaj vejushe do të jehonin në të gjithë botën si një britmë beteje”. “Keqbërësit e vrasjes së burrit tim nuk kanë idenë se çfarë kanë bërë”, tha ajo në një transmetim të drejtpërdrejtë në faqen e YouTube të Turning Point USA, lëvizja konservatore që burri i saj e filloi në shkollën e mesme në Illinois, e cila që atëherë ka përfshirë kampuset e kolegjeve në të gjithë vendin. “Ata e vranë Charlien sepse ai predikoi një mesazh patriotizmi, besimi dhe dashurie për Zotin”, tha ajo. “Të gjithë duhet ta dinë këtë. Nëse mendonit se misioni i burrit tim ishte i fuqishëm më parë, nuk keni idenë. Nuk keni idenë se çfarë keni lëshuar në këtë vend dhe në këtë botë.” Ajo shtoi: “Nuk keni idenë se çfarë zjarri keni ndezur brenda kësaj gruaje.” Qё ishte martuar më 2021 dhe kish dy fëmijë një vajzë tre vjeçe dhe një djalë një vjeç.

Personazhe si Charlie, që guxojnë të thonë të vërtetën, nuk janë thjesht të pakëndshëm për të majtën radikale progresiste; ata janë kërcënim i drejtpërdrejtë për strukturat që ushqejnë padrejtësinë dhe manipulimin. Çdo zë që guxon të rrëzojë maskën e rreme të së majtës radikale progresiste shpesh bëhet objekt urrejtjeje publike, fushatash denigruese dhe, në rastet më të rënda, sulmesh të dhunshme ose atentatesh. Historia është e mbushur me shembuj të njerëzve që, për guximin e tyre, paguan me jetën, lirinë ose reputacionin, duke treguar se të thënët e së vërtetës nuk është thjesht një detyrë morale, por një rrezik që shumë e shohin si të papranueshëm. 

Paralajmërimi i George Orwell-it

Siç paralajmëron George Orwell, “Në një kohë të mashtrimeve universale, të thënët e së vërtetës është një akt rebelimi.” Guximtarët e së vërtetës, si Charlie, nuk mund të heshtin; dhe për këtë arsye, për të majtën radikale progresiste, ata janë armiku më i madh.

Ndërsa hetimi vazhdon dhe vendi po pikëllohet, është bërë e ditur se Kirk, pak çaste para se të qëllohej, kishte bërë një pyetje turmës. Përgjigjja që mori ishte një plumb—një pasqyrim i zymtë i tentativës së vrasjes ndaj ish-Presidentit Trump në korrik 2024, duke theksuar kërcënimin e vazhdueshëm dhe vdekjeprurës të dhunës së motivuar politikisht në Shtetet e Bashkuara.

Dje vetë Trump kur konfirmoi se FBI-ja kishte identifikuar dhe kapur personin përgjegjës për sulmin. Ai gjithashtu lavdëroi përkushtimin e Charlie Kirk, duke thënë: 

“Askush nuk kuptonte ose nuk kishte zemrën e të rinjve në Shtetet e Bashkuara më mirë se Charlie. Ai do të mbahet mend me respekt dhe admirim për ndikimin që pati tek të rinjtë amerikanë në të gjithë vendin.”

Filed Under: Fejton

AI: Iluzioni i madh kolektiv i shekullit tonë

September 12, 2025 by s p

Opinion nga Rafael Floqi/

Ka një çast në historinë e njerëzimit kur iluzioni bëhet më i fortë se realiteti. Sot, ky çast quhet Inteligjenca Artificiale. Ajo po na shitet si shpëtim i shoqërisë, si revolucion i madh që do të ndryshojë gjithçka: ekonominë, kulturën, politikën, marrëdhëniet njerëzore. Por në thelb, shumë prej atyre që përjetojmë nuk janë gjë tjetër veçse një mashtrim i madh kolektiv, ku të gjithë bëjmë sikur besojmë.

Një shembull tronditës e ilustron këtë: një ish-prezantues televiziv amerikan, Jim Acosta, intervistoi një adoleshent të vrarë në një masakër në ShBA. Jo në jetën reale, por përmes një “kloni” të rikrijuar nga AI, i cili imitonte zërin, gjestet dhe mendimet e tij. Prindërit e viktimës, të thyer nga dhimbja, pranuan këtë rikrijim, me shpresën se kështu do të ruanin kujtimin e të birit dhe do të kontribuonin në betejën kundër armëve. Por pyetja që lind është e tmerrshme: a është kjo ngushëllim apo shfrytëzim? A është nderim i kujtimit të një fëmije, apo një përdhosje e fundit e tij, duke e kthyer në “përmbajtje dixhitale”?

Spektakle të tilla nuk janë thjesht anomali. Ato tregojnë drejtimin ku po na çon epoka e AI: një botë e ftohtë, e çuditshme, ku kufijtë mes jetës dhe vdekjes, mes kujtesës dhe tregtisë, mes njeriut dhe makinerisë, po treten me një indiferencë të frikshme. Dhe prapa tyre qëndron një pyetje që askush nuk guxon ta bëjë seriozisht: kush vendosi që kjo ishte ide e mirë? Kush na futi të gjithëve në këtë eksperiment gjigant, pa na pyetur dhe pa menduar për pasojat afatgjata?

Silicon Valley si religjion i ri

Në zemër të këtij iluzioni qëndron Silicon Valley. Për kompanitë gjigante teknologjike, AI nuk është një vegël e zakonshme; është një fe e re. Mark Zuckerberg e quan “një epokë të re për njerëzimin”. Investitorët e miliarderët flasin me gjuhën e profetëve: “ky është vetëm fillimi”, “ne po krijojmë një mendje të re”, “Zoti është në makineri”. Retorika është e qartë: kush nuk beson është i prapambetur, kush ngre dyshime është armik i progresit.

Por përtej fjalëve pompoze, realiteti është më banal dhe më i rrezikshëm. Këto kompani po shpenzojnë qindra miliarda dollarë, duke e zhvendosur të gjithë ekonominë drejt një sektori të vetëm. “Shtatë të mrekullueshmit” – Meta, Google, Microsoft, Amazon, Apple, Nvidia, Tesla – po e kthejnë investimin në AI në një lloj programi stimulues privat, duke krijuar një varësi që mund të shndërrohet lehtësisht në krizë ekonomike globale. Ky nuk është revolucion teknologjik, por monopol i pastër, një përqendrim pushteti që asnjëherë më parë nuk ka ekzistuar.

Politika në gjunjë para makinës

Më shqetësuesja është se politika botërore duket se ka kapitulluar. Në vend që të kontrollojnë, të rregullojnë e të mbrojnë qytetarët nga pasojat, qeveritë garojnë për t’u ulur në tryezën e gjigantëve të teknologjisë. Parlamente të tëra merren me rregullore kozmetike, ndërkohë që realiteti social e kulturor ndryshon përditë nën ndikimin e algoritmeve. Është si të ndodhemi në një tren pa frenë, ku shoferët janë miliarderë që ëndërrojnë të ndërtojnë sfera diellore në kozmos, ndërsa qytetarët e zakonshëm as nuk e dinë çfarë po ndodh.

Në këtë lojë, kultura është viktima e parë. Interneti është mbushur me “slop” dixhital: tekste sintetike, këngë dhe video të prodhuara nga makinat. Muzika, gazetaria, arti – gjithçka po rrezikon të humbasë autenticitetin, të shndërrohet në një det pa origjinë. Shprehja e dikurshme “bëj kërkimin tënd” është zëvendësuar nga “merre përgjigjen nga një bot”. Në shkolla, eseja e nxënësit është vrarë, ndërsa aftësia për të menduar kritikisht po zëvendësohet me aftësinë për të pyetur një program. Në emër të progresit, po shkatërrojmë vetë themelet e mendimit njerëzor.

Iluzioni i frikshëm i “mjaftueshmes”

Ironia më e madhe është se, për gjithë retorikën e superinteligjencës, sot AI nuk është asgjë më shumë sesa një gjenerator probabilist fjalësh. Modelet nuk mendojnë, nuk kuptojnë, nuk krijojnë si njeriu. Ato parashikojnë fjalë, jo ide. Dhe megjithatë, ky “mjaftueshëm” është më i rrezikshëm se çdo fantazi e supermendjes.

Sepse “mjaftueshëm” është e mjaftueshme për të zëvendësuar punë, për të manipuluar kulturën, për të ndotur hapësirën publike. Është e mjaftueshme që prindërit e një fëmije të vrarë të flasin me një hologram dixhital. Është e mjaftueshme që një gjeneratë e tërë të humbasë besimin tek puna dhe të jetojë me ankthin e papunësisë. Është e mjaftueshme që gjigantët ekonomikë të bëhen edhe më të fuqishëm, duke kontrolluar jo vetëm tregjet, por edhe mënyrën se si ne e perceptojmë realitetin.

Kostoja kulturore dhe politike

Pasojat politike janë të qarta: një shoqëri që jeton në iluzion është një shoqëri e manipulueshme. Nëse njerëzit mësohen të pranojnë të pavërtetën si të natyrshme – një intervistë me një të vdekur, një tekst të rremë si burim të besueshëm, një robot që imiton dashuri – atëherë edhe propaganda bëhet më e lehtë, manipulimi politik më i thjeshtë, demokracia më e brishtë.

Kostoja kulturore është edhe më e madhe: humbja e autenticitetit. Arti pa shpirt është veç imitim. Muzika e krijuar nga makineritë nuk është më këngë, por zhurmë e modeluar. Teksti i prodhuar nga algoritmi nuk është më mendim, por statistikë. Nëse shoqëria e pranon këtë si të zakonshme, atëherë kemi hyrë në një epokë ku kultura njerëzore është zëvendësuar nga një pasqyrim i rremë, ku e vërteta dhe gënjeshtra janë njësoj.

Përfundim: Iluzioni si realitet

Rreziku më i madh nuk është që AI të bëhet një “Zot i ri” që sundon mbi ne. Rreziku është pikërisht i kundërt: që ajo të mbetet thjesht “mjaftueshëm e mirë”, një teknologji mediokre që megjithatë shkatërron themelet e shoqërisë. Që ta pranojmë pa kushte, duke u mësuar me iluzionin, ndërsa problemet reale të botës – pabarazia, klima, luftërat, korrupsioni – mbeten pa zgjidhje.

Në këtë kuptim, AI nuk është një mrekulli. Është një pasqyrë e rrezikshme ku shoqëria sheh më shumë fantazitë sesa realitetin. Është një iluzion kolektiv, i pranuar me gjysmë-zemre, që na bën të ndjehemi sikur po përjetojmë një revolucion, ndërkohë që në të vërtetë po humbim terren. Dhe ky, më shumë se çdo profeci apokaliptike, është skenari më i frikshëm: një botë që shet shpirtin e saj për një teknologji që nuk është kurrë aq e fuqishme sa premtimet, por gjithmonë mjaftueshëm e dëmshme për të na ndryshuar përgjithmonë.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 121
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËRBALLË PROTESTAVE NË TIRANË DHE KRIZËS SË DEMOKRACISË, KUJTOJMË PROFESOR ARSHI PIPËN
  • 𝐒𝐭𝐚𝐭𝐮𝐣𝐚 𝐞 𝐏𝐞𝐫𝐚𝐧𝐝𝐨𝐫𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐃𝐮𝐫𝐫𝐞̈𝐬: 𝐀 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐯𝐞̈𝐫𝐭𝐞𝐭 𝐍𝐞𝐫𝐨𝐧𝐢?
  • Kandidate për Këshillin e Qytetit të Mississaugës në Kanada, Mendi Kabashi: “Suksesi i çdo shqiptari është krenari për të gjithë ne”
  • Announcing our AAWO “Motrat Qiriazi” Organization: New President, Eva Milo Burnazi
  • Tre mësime që na ofron ndryshimi i kryeministrave në Mbretërinë e Bashkuar
  • Përkujtojmë sot në ditën e tij të lindjes shkrimtarin dhe poetin Martin Camaj
  • Kasëm Trebeshina, poeti kundër rrymës
  • Bardi i modernizmit në poezinë shqipe
  • Riviera Shqiptare, destinacioni i ri i investimeve në Mesdhe
  • Vepra “Shqipëria, e kaluara dhe e tashmja” si kontribut i Kostë Çekrezit për historinë e Shqipërisë e shqiptarëve
  • Albanians For America (AFA) was honored to participate on Capitol Hill for the first time as Albania’s representative within the Central and East European Coalition
  • “Dasma shkodrane”, thesari artit shqiptar, ikona e Kol Idromenos, piktura që përjetësoi në ngjyra shpirtin e qytetit
  • 20 korrik 1883, në Koriliano Kalabro doli në shtyp revista e përmuajshme politike, shoqërore, kulturore e letrare “Flamuri i Arbërit”
  • PROJEKTI I PADUKSHËM I SPASTRIMIT ETNIK NËPËRMJET INXHINIERISË SË IDENTITETIT
  • GJURMËT E SHQIPËRISË ETNIKE NË SHTYPIN EUROPIAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT