
QSPA/
Ky studim i thelluar mbi zhvillimin historik të shtypit arbëresh shtrihet në kohë prej gjysmës së parë të shek. XIX deri në ditët e sotme dhe studion në mënyrë tërësore historinë e shtypit, sepse nuk kufizohet vetëm tek arbëreshët e Italisë, por edhe tek arvanitasit në Greqi dhe arbneshët e Zarës në Kroaci. Për herë të parë në mënyrë të përmbledhur dhe analitike paraqitet rrugëtimi i gazetarisë arbëreshe, si një dëshmi e gjallë e identitetit, qëndresës dhe zhvillimit kulturor të komunitetit arbëresh në Itali mbi një bazë të gjerë burimesh arkivore dhe bibliografike, me analiza të hollësishme të gazetave, revistave dhe botimeve më përfaqësuese të diasporës arbëreshe. Me një qasje ndërdisiplinore dhe me vëmendje ndaj kontekstit historik, politik dhe shoqëror të secilës periudhë, sillet në dritë mënyra se si shtypi arbëresh ka ndikuar në ruajtjen e gjuhës, në përçimin e vlerave kombëtare dhe në lidhjen me trungun amtar shqiptar. Kapitujt tematikë ndjekin kronologjikisht zhvillimet kryesore të shtypit arbëresh, që nga botimi i gazetës së parë “L’Albanese d’Italia” në vitin 1848 nga De Rada, deri te botimet më të reja, kryesisht në trajtë digjitale, duke përfshirë edhe sfidat e globalizimit dhe ndryshimet teknologjike që kanë ndikuar në natyrën e medias arbëreshe në shek. XXI.