• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Strategjia e Izraelit dhe Mësimet e Tukididit

May 10, 2025 by s p

Analizë nga Rafael Floqi

Strategjia e Izraelit pas ngjarjeve të 7 tetorit, ku një sulm i madh nga Hamas tronditi sigurinë e Izraelit, ka ngjallur një diskutim të gjerë mbi natyrën e politikës së jashtme dhe të sigurisë në një kohë krize. Në këtë kontekst, politikat dhe veprimet e Izraelit mund të shihen si një reflektim i mësimeve të klasike të historisë dhe të filozofisë politike, të paraqitura nga mendimtarë si Tukididi, i cili theksonte se politika e fuqisë dhe mbijetesa e shtetit shpesh kërkojnë veprime ekstreme, të cilat mund të shkaktojnë pasoja të thella.

Një nga masat më të fundit të Izraelit ka të bëjë me një plan për të pushtuar Rripin e Gazës dhe për të zgjeruar operacionin ushtarak. Ky plan ka shqetësuar shumë në rajon, duke përfshirë edhe palët që janë të angazhuara në negociata për armëpushim. Zyrtarët izraelitë njoftuan se kabineti miratoi planin për të marrë kontrollin mbi Gazën dhe për të qëndruar aty për një periudhë të pacaktuar, një zhvillim që ka alarmuar shumë palë.. Familjet e pengjeve izraelite janë gjithashtu të shqetësuara, duke u frikësuar nga mundësia që armëpushimi të bëhet gjithnjë e më i largët.

Për mendimtarët si Tukididi, një luftë e gjatë dhe e mundimshme shpesh kërkon masat më ekstreme, dhe nuk është e pazakontë që një shtet të kërkojë të forcojë pozitat e tij edhe pas dëmeve të konsiderueshme. Izraeli, me këto veprime, po përpiqet të bëjë presion mbi Hamasin për të arritur një marrëveshje për armëpushim, por gjithashtu mund të ketë në mendje ruajtjen e integritetit të tij dhe mbrojtjen nga kërcënimet e vazhdueshme. Ky është një shembull tjetër i asaj që Tukididi e quante “rregullin e fuqisë”, ku shtetet veprojnë në interesin e mbijetesës dhe forcës së tyre, edhe nëse kjo sjell pasiguri dhe dhimbje për ata që janë të përfshirë.

Kjo situatë ka të ngjarë të çojë në një ndërlikim të mëtejshëm të konflikteve dhe një thellim të ndarjeve të brendshme, një temë që Tukididi e analizoi me theks të veçantë, duke treguar se përpjekjet për të ruajtur fuqinë shpesh mund të rezultojnë në shkatërrim të brendshëm dhe destabilitet.

Frika, nderi dhe interesi i pushtetit i shtyjnë shtetet në luftë.

Strategjia izraelite pas ngjarjeve dramatike të 7 tetorit, kur Hamasi kreu një sulm të paprecedentë mbi civilë izraelitë, ka hapur një faqe të re të errët në konfliktin e gjatë izraelito-palestinez. Ndërkohë që bota ndiqte me tronditje brutalitetin e sulmit dhe përgjigjen e ashpër të Izraelit, shumë analistë kanë vënë re një kthim të frikshëm drejt një logjike të lashtë të konfliktit — atë të përshkruar nga historiani grek Tukididi, i cili mbi 2400 vjet më parë, në “Luftën e Peloponezit”, analizonte si frika, nderi dhe interesi i pushtetit i shtyjnë shtetet në luftë.

Në këtë dritë, sjellja e Izraelit mund të kuptohet jo thjesht si hakmarrje emocionale, por si një përpjekje për të rivendosur kontrollin përmes një manifestimi të pashmangshëm të forcës. Tukididi na kujton se, për shtetet që ndihen të kërcënuara, ligjet morale shpesh zëvendësohen nga ligji i mbijetesës. “Të fortët bëjnë çfarë duan, të dobëtit vuajnë çfarë duhet,” thotë ai në dialogun mes Melianëve dhe Athinasve — një pasazh që duket thuajse profetik në kontekstin e sotëm.

Plani izraelit për të marrë kontrollin mbi Gazën dhe për të zgjeruar operacionin ushtarak ka alarmuar jo vetëm palestinezët, por edhe partnerët ndërkombëtarë. Pas 19 muajsh bombardimesh intensive, popullsia palestineze është e rraskapitur dhe e dëshpëruar, ndërsa shumë banorë të zhvendosur përdorin GPS për të gjetur gërmadhat e shtëpive të tyre. “Çfarë ju ka mbetur më për të bombarduar?” pyet me ironi të hidhur Moaz Kahlout, një refugjat nga qyteti i Gazës.

Nga ana tjetër, familjet e pengjeve izraelite që ende mbahen në Gaza janë gjithashtu të tmerruara nga ideja se një ofensivë e re mund të largojë përfundimisht çdo shpresë për armëpushim. Lajmi se kabineti izraelit ka miratuar një plan për të qëndruar në territorin palestinez për një kohë të pacaktuar, si dhe thirrja e dhjetëra mijëra rezervistëve, përforcon ndjesinë se Izraeli është i gatshëm të shkojë përtej kufijve të operacioneve të kufizuara dhe drejt një strategjie të kontrollit të drejtpërdrejtë.

Në optikën tukididiane, kjo sjellje është racionale, edhe nëse shfaqet brutale. Izraeli po i përgjigjet një kërcënimi ekzistencial me të gjitha mjetet në dispozicion, duke kërkuar të rimarrë iniciativën strategjike. Në të njëjtën kohë, përdorimi i forcës maksimale si mjet presioni ndaj Hamasit në negociatat për armëpushim është pjesë e asaj që Tukididi do ta quante logjikë e frikësimit: të detyrosh tjetrin të nënshtrohet jo përmes bindjes, por përmes fuqisë së zhveshur.

Pasojat e brendshme nga luftërat e gjata

Megjithatë, Tukididi na paralajmëron gjithashtu për pasojat e brendshme të një politike të tillë. Luftërat e gjata, shpjegon ai, degradojnë jo vetëm moralin e shoqërive, por edhe vetë strukturën e shtetit. Pavarësisht suksesit ushtarak, Athina përfundoi e rraskapitur dhe e përçarë nga brenda, e paaftë të ruajë stabilitetin që kërkonte përmes ekspansionit. Ky rrezik është real edhe për Izraelin, i cili po përballet me tensione të mëdha të brendshme, polarizim politik dhe humbje të mbështetjes ndërkombëtare.

Në këtë kuadër, mësimet e Tukididit nuk janë thjesht një pasqyrë për të kuptuar strategjinë izraelite, por edhe një paralajmërim i ftohtë për kufijtë e pushtetit të zhveshur. Një shtet që ndjek vetëm logjikën e frikës dhe mbijetesës, pa një vizion për pajtim dhe ndërtim politik, mund të fitojë betejat, por të humbasë paqen.

…Mund të fitojë betejat, por të humbasë paqen.

Kjo është pikërisht ajo që Tukididi nxjerr si mësim themelor nga tragjedia e luftës: forca pa urtësi është si një anije pa busull, që lëviz me shpejtësi drejt vetëshkatërrimit. Ndërsa Izraeli kërkon të imponohet ushtarakisht mbi një kundërshtar të rrënjosur në kaos, ideologji dhe rrënim social, sfida më e madhe nuk është thjesht asgjësimi i Hamasit, por ruajtja e humanizmit, unitetit të brendshëm dhe legjitimitetit moral në sy të vetes dhe botës.

Tukididi do të pyeste jo sa fort mund të godasësh, por në çfarë bote po hyn pas goditjes. Nëse çdo sulm sjell një hakmarrje të re, nëse çdo veprim ushtarak hedh më tej themelet e bashkëjetesës dhe shpresës, atëherë strategjia e fuqisë shndërrohet në një cikël pa dalje. Ashtu si Athina që u tërhoq nga idealet e demokracisë për të ndjekur ethet e pushtetit imperial, edhe Izraeli rrezikon të humbasë veten në emër të vetëmbrojtjes.

Në përmbyllje, urtësia e Tukididit nuk qëndron në një predikim moral, por në një analizë të ftohtë të natyrës njerëzore dhe të sjelljes së shteteve. Ai nuk i gjykon aktorët historikë, por i kupton dhe i zbërthen, duke na ofruar një pasqyrë që mbetet e dhimbshme, por e domosdoshme: forca është mjet, jo qëllim. Dhe kush e ngatërron këtë raport, shpesh humbet edhe forcën, edhe qëllimin. 

Për Izraelin, për Palestinën, dhe për gjithë rajonin, mbetet pyetja thelbësore: A do të mësojnë ata nga historia, apo do të përsërisin tragjedinë e saj? 

Filed Under: Fejton

Aty ku mungon debati, fshihet tirania 

May 6, 2025 by s p

Fejton nga (një zgjedhës diaspore) / Rafael Floqi

Karikatura kortezi AI

Në Republikën e Përjetshme të Batutave, ku demokracia ha byrek me tendera dhe zgjedhjet bëhen si në TikTok, zbriti nga Olimpi i Rilindjes urdhri i shekullit: “Asnjë debat me kënetën!”

Një shprehje e artë nga Kryeministri i Rrobave të Stilit të Papritur dhe Batutave si letra me vrimë, që vulosi heshtjen si strategji fushate për të gjithë kandidatët socialistë të 11 Majit.

Thënë ndryshe, i ftoi të tijtë të imitojnë atë në Instagram, dhe si rrjedhojë sheh zonja me çanta Guci të mbajtura, që flasin me të njëjtën gjuhë “allatesh në erë” si ai i z. Rama, kur iu mburret të rinjve për rininë e tij “gollomesh” plazheve të Evropës, ku do të na çojë pas 2030-tës. 

Fushata nisi… po jo për të gjithë!

Teksa qytetarët prisnin përplasje idesh, llogaridhënie dhe, ndoshta, ndonjë blof në studio, u përballën me një spektakël më të thellë se çdo debat: emisione me një kandidat, një moderator dhe një kameraman që s’bënte as pyetje. Në ekran, socialistët ishin më të vetmuar se buzëqeshja e Fatmir Xhafajt në kongres. Opozita? Si i ftuar special në listën e të padukshmëve.

Televizionet? Në regji, nën regji dhe në heshtje. Sa herë i shihje panelet politike, të dukej sikur ishe në ndonjë sitcom të Netflix: një i ftuar që qesh me batutat e veta, një gazetar që gëlltit mikrofonin dhe një logo partie që ngjan me reklamë për plazhe të virgjëra me koncesion.

“S’ka kundërshtar, s’ka pyetje, s’ka problem!”

Rama, mjeshtër i zhvendosjes së vëmendjes, këtë herë vendosi të qeverisë edhe debatin publik. “S’ka kundërshtar, s’ka pyetje, s’ka problem!” është motoja e re. E vetmja garë është ajo e stilit – kush del me pantallonat më të gjëra, shallin më artistik dhe metaforën më absurde urbane për arritjet që nuk ndodhën kurrë.

Ndërsa Saliu? Ai vazhdon me ftesat për debat si një ish i dashur i refuzuar që telefonon natën vonë. “E ftoj për hir të transparencës” thotë, por ne e dimë që është për hir të dramës. Fatkeqësisht, askush nuk e ngre telefonin – as për debat, as për hall.

Por qytetari?

Ai e ka gjetur rrugën: shikon reality show-n, ‘fentanilin e shqiptarisë’. A e mashtroi Gjesti- Eglin apo anasjelltas, si dhe fushata tallava me këngëtarë rap-i me emër “zhurme” si  Noizy garnitura në garë për vota, ndërsa në zgjedhje ka politikanë që s’duan të garojnë. 

Debati është bërë mall i luksi – njëlloj si ushqimi bio apo uji i pijshëm në disa zona. Dhe media, e cila dikur duhej të ishte roje e lirisë së fjalës, tani është roje parkingu për opinionet që s’duhen shfaqur.

OSBE ka folur. ODIHR ka shkruar. Por Rama ka urdhëruar.

Dhe kur ai flet, fushata nuk bëhet betejë idesh, por cirk me klounë të heshtur dhe spektakël të koreografuar me saktësi skenike. Një reality-show politik ku votuesi duhet të zgjedhë mes profilit në Instagram të një kandidati dhe reklamës së fundit me drone në Devoll.

Psikodrama kundër burrave të opozitës

Dhe si të mos mjaftonin batutat dhe bojkoti total i debatit, Rama nuk hoqi dorë nga sporti i tij i preferuar: psikodrama kundër burrave të opozitës.

Pasi u përpoq ta zbuste Vrenozin, influencerin e vetshpallur të PD-së me të njëjtin ritual që dikur ia bëri Lul Bashës, dhe kur Vrenozi i përmendi kafen e munguar dhe pesë gratë si shkop magjik që do t’i lëmonte egon –ai  dështoi keq.

Vrenozi jo vetëm që nuk u lëkund, por doli më i ashpër se kurrë, krahas Berishës, gjë që e detyroi Ramën t’i kthehej planit B: mallkimit emocional, pasi ai as Vrenozin s’e mundi. E quajti të paaftë për dashuri politike, të pandjeshëm ndaj “mirësive të qeverisë”-dhe, si çdo artist që i refuzohet skena, e përshëndeti me një mallkim poetik për “besnikëri të verbër ndaj një kauze të humbur”.

Fushata, që dikur ishte duel idesh, tani është maratonë monologësh, ku çdo kandidat flet vetëm me veten dhe votuesit janë të ftuar special në rolin e mikrofonit të heshtur.

Në vend të përballjeve të zjarrta, kemi tani vetëm selfie elektorale dhe lavde të recituara si reklama qumështi.

Por pse kaq shumë frikë nga debati?

Sepse Rama, mjeshtër i retorikës pop-kitsch, e ka kuptuar se sa herë përballet me realitetin, ky i fundit i jep goditje nën brez. Duket se bllokimi i tik-tokut po tregon tani një objektiv vetëm prej 71 deputetësh të mundshëm , ku dhe “haremi” i femrave që falen vetëm “Skënderbeut- guru” të presupozuara të mos dinë të vjedhin dardha pas shpine, po edhe ai po e kupton që dhe ato kanë mësuar huqet e burrave që janë aty “brenda”, që edhe Balluku ka “kollofitur biftekë disa milionëshe”, pas ose para shpinës së tij, siç llomotit ai “bufi i kënetës”, megjithatë s’dihet, dhe se ç’kanë bërë ato tani Xhaçkës nuk i zihet më besë për atë aferën e Gjipesë…

Prandaj tani ai ka zgjedhur një taktikë më efikase: të ofendojë opozitën dhe zgjedhësit e saj për të shmangur përballjen. Po a është e re kjo lloj propagande. Le ta shohim. Shumë analistë mendojnë që Edi Rama përdor teknikash të ngjashme me propagandën si të marrë nga manuali  alla Goebbels, sidomos në mënyrën se si manipulon perceptimet publike. Ja disa mënyra konkrete si e përdor:

Në diskursin e tij, Rama gjithmonë ndërton një “armik” për publikun: opozita, gjyqtarët “të korruptuar”, mediat “kazan”, madje edhe qytetarë kritikë. Çdokush që nuk pajtohet, etiketohet si “i keq”, “i korruptuar”, “armik i progresit” madje dhe “autik”. Dhe harron se njeriu më i pasur dhe më gjenial në botë Musk ka qenë autik.

Ashtu si Goebbels, Rama nuk mbështetet te argumentimi racional, por tek emocioni: shpesh flet me ironi, sarkazëm, tallje, fjalë popullore për t’u dukur “i thjeshtë” dhe “i dashur”, duke manipuluar ndjenjat më shumë se mendimet, si fjalët siç quan Sali Berishën  “bufi” dhe PD-në  “bataku”.  Në çdo krizë, Rama paraqet veten si i vetmi që “po përpiqet për popullin”, ndërsa të tjerët paraqiten si sabotatorë të ëndrrës evropiane. 

Dhe debatet?  Oh, a thua i mençuri George Orwell kot shkruante “Nëse debati është i pamundur, zgjedhjet janë vetëm një teatër.”

Në fund, kështu Rama po e kthen politikën shqiptare në një reality-show, ku audienca nuk ka të drejtë vote, por vetëm të drejtë për “klikime”.

Dhe ky nuk është novacion, pasi një qind e ca vet më parë i madhi Abraham Lincoln do të paralajmëronte: 

“Asnjëherë mos beso në vendime që merren pa debat; aty ku mungon debati, fshihet tirania.”

Filed Under: Fejton

SHNJERGJI (SHËN GJERGJI) – FESTA TRADICIONALE E BLEGTORISË

May 5, 2025 by s p

Shkruar nga Avni Alcani/

Dita e Shën Gjergjit përjetohet si periudha e ndaljes nga dimri dhe i ardhjjes së , e cila është festuar që në lashtësi, kur besohej në shumë perëndi. Te gjithë popujt e Ballkanit, të cilët e festojnë më masë të gjërë këtë ditë, kjo festë fillon me 5 maj dhe vazhdon deri me 15 maj. Kjo feste duket se ka qenë një festë pagane, që lidhej me shtegtimin e bagëtive, më saktë me ardhen e tyre nga shtegtimi i gjatë dimëror.

Ardhja e krishterimit nuk e shkuli këtë traditë pagane. Përkundraxi, e pranoi dhe ia vunë emrin Shën Gjergj, duke bashkuar zakonet e vjetra pagane nën petkun e fesë së re monoteiste. Kush ishte shkaku i vënies së një emri të krishterë një feste pagane? Bazuar në kalendarët e hershëm bizantinë, dita e Shën Gjergjit është 23 prilli, që përkon me rikthimin e bagëtive në male. Dhe ishte pikërisht ky përkim i kalendarit me shtegtimin e bagëtive në vjeshtë (për Shmitër) në fusha dhe rikthimin e tyre në male në pranverë (Shnjergj). Sot ajo festohet si dikur, me lojëra dhe argëtime të shumta zbavitëse.

Edhe emri Gjergj (Kastrioti Skënderbeu) iu vendos Heroit tonë Kombëtar, pasi mendohet se ai lindi në Ditën e Shën Gjergjit, më 6 maj 1405.

FESTA E SHËNGJERGJIT TE SHQIPTARËT

Shëngjergji është një nga festat që ka më shumë afërsi me Ditën e Verës. Ndofta ngjashmëria është për shkak se të dyja festat janë ose përkojnë me stinën e pranverës dhe kanë në themel të tyre ringjalljen e natyrës, të jetës dhe punëve bujqësore. Lidhur me këtë prof. Eqerem Çabej do të shkruante: “Një ditë e kremte pranverore është, pas mendimit tim, edhe dita e Shëngjergjit,… e cila ka hyrë në të gjitha besimet Shqiptare dhe që kremtohet prej të gjithve pa përjashtim”. Në disa fshatra të Rekës e të Gostivarit dita para ditës së Shëngjergjit quhej “Dita e Luleve”, ose “Dita e Virgjilit”. Ajo është një festë shumë e ngjashme me Ditën e Verës. Sipas studiueses Edibe Selimi–Osmani (Tetovë), e cila ka studiuar festat pagane në disa fshatra shqiptare të Tetovës (Pollogut), ka shkruar se edhe disa prej riteve të Ditës së Luleve janë rite pagane dhe janë simotra me ritet e Ditës së Verës. Në Ditën e Luleve, shkruan E. Selimi-Osmani, nuk lejohet puna e dorës, si thurja apo qepja me gjilpërë, pasi “sipas paragjykimeve, kështu gratë nuk ka rrezik t’i hanë gjarpërinjtë”. Në atë ditë, shkruan studiuesja Selimi-Osmani, “të rinjtë e të rejat tubohen në vende të caktuara. Në fshatrat e Pollogut të rinjtë dhe të rejat me këngë e def, tubohen Ditën e Luleve dhe thurin kurora lulesh, thyejnë degë thanash, shelgu e degë të tjera të gjelbëruara me të cilat stolisin shtëpitë, ahuret, dyert e dhomave, shtëpitë e zjarrit etj. Rrugës për në vendin e caktuar këndojnë: “Lum ne të lumët, / xhi na erdh Shinxherxhi, / ka zbilue mali, / ka çelun xhethi”, ose “Do shkojna për lule nëpër ara / që t’i mbushim krejet me kolara”. Në qytetet e Gostivarit dhe Tetovës, si dhe në disa fshatra rreth tyre, shkruan Selimi-Osmani, zhvillohej ceremonia e larjes së fëmijëve në ditën e Shëngjergjit, pasi besohej se fëmijët që laheshin në atë ditë do të siguronin shendet të plotë gjatë gjithë vitit. Ashtu si në Ditën e Verës, në këto treva fëmijëve u japin si dhuratë vezë të ziera të ngjyrosura, kurse vajzat e reja stolisin dyert e shtëpive me lule dhe gjelbërime të ndryshme.

Në disa fshatra shqiptare të Tetovës Perëndimore, në Ditën e Shëngjergjit nuk punohej me parmendë. Në një Simpozium të mbajtur në Shkup në vitin 1991, me titull “Shqiptarët e Tetovës”, prof. dr. Spiro Shkurti do të referonte në kumtesën e tij, për karakterin bujqësor e blegtoral të kësaj feste.

Në Kosovë Dita e Shengjergjit kremtohet zakonisht më 6 maj, e cila përkon me kohën e mbjelljeve të bimëve pranverore, si të patates, misrit, fasules etj. Kremtimi fillonte herët në mëngjes, ku të rinjtë ndezin zjarre dhe vendosin shelgje nëpër ara. Edhe vajzat dalin herët në mëngjes dhe afrohen pranë një burimi uji dhe presin majat e flokëve, me dëshirën që floku i tyre të jetë i butë dhe të rritet si rrjedhja e ujit. Gjatë prerjes së flokëve, vajzat këndojnë: “Sallanxhak-sixhimi,/ këtu e te xhamia,/ aq mu rritshin flok’t e mia;/ Sallanxhak-sixhimi,/ këtu e të mejtepi,/ aq m’u rrit’ mua gërsheti…”. Në Brod të Gorës dhe në Shajne të Opojës, në Ditën e Shëngjergjit, bëhet tubimi i të rinjve, djem e vajza, në një vend tradicional. Këtu bëhen njohjet e të rinjve mes njëri-tjetrit dhe ka raste kur të rinjtë lidhin fejesa mes tyre.

Si përfundim mund të themi se Dita e Shëngjergjit është një festë me rite gati tërësisht pagane, e cila vetëm emrin e festës ka të ruajtur si të krishterë, ndërsa në brendësinë e saj ajo ka elemente të ritualit e të karakterit pagan. Siç e pamë, Dita e Shën Gjergjit në origjinën e saj ka pasur të bëjë me kultin e pjellorisë e të prodhimtarisë bujqësore, gjë që e afron me Ditën e Verës. Në Ditën e Shëngjergjit Shqiptarët zhvillonin rite të ndryshme pagane me gjarpërinj, ku, ashtu si në Ditën e Verës, ndizeshin zjarre nëpër male e kodra dhe banorët dilnin masivisht në mal për pelegrinazh.

SHNJERGJI (SHËN GJERGJI) – FESTA E BLEGTORËVE NË FSHATIN POLIS TË LIBRAZHDIT

Blegtoria ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike të polisarëve. Çdo shtëpi polisare kishte tufën e saj të bagëtive dhe disa nga pjestarët e familjes, zakonisht burrat, i kushtoheshin ruajtjes së bagëtive dhe punimit të bulmetit. Jeta baritore ishte e organizuar me stane, që ishin formuar nga bashkimi i disa tufave të disa familjeve, të cilat, për rreth tre muajt e verës i kullosnin bagëtitë dhe përgatisnin bulmetin së bashku.

Gjatë periudhës së ftohtë të dimrit, barinjtë e Polisit i shtegtonin bagëtitë e tyre në fusha, në kullota dimërore, të cilat i quanin merà, të cilat i kishin në fushat e Elbasanit dhe në fushat e Myzeqesë, si në fshatrat Çermë, Dushk, Gramsh, Zhanë etj. e deri në Myzeqenë e Fierit. Nisja e bagëtive nëpër fusha niste bëhëj në Shndre (Shën Andrea), sapo fillonte bora e parë, rreth datës 15 nëntor. Para nisjes organizohej një festë e madhe popullore, me këngë e valle, në të cilat merrnoin pjesë të gjithë banorët, i madh e i vogël. Udhëtimi ishte i gjatë. Një familje mund ta bënte rrugën për 7 ditë. Ditën e parë ishte nisja dhe më 16 nëntor tufa mbërrinte në Shushicë, në vendin e quajtur Teftericë. Në ditën e dytë (datë 17 nëntor) tufa shkonte në Vidhas. Ditën e tretë (më 18 nëntor) mbërrinte në Papërr. Ditën e katërt tufa ishte në Peqin (më 19 nëntor). Ditën e pestë (më 20 nëntor) tufa shkonte në Bishtin e Zhurit, në Rrogozhinë. Ditën e gjashtë mbërrinte në Lekaj (më 21 nëntor) dhe ditën e shtatë, më 22 nëntor, tufa mbërrinte në Luzin e Vogël të Kavajës, ku ishin meratë.

Kthimi i bagëtive bëhej rreth mesit të prillit, në Shnjergj (Shën Gjergj), në datat 14-15-16 prill. Me këtë rast organizoheshin festa popullore. Festa të tilla ishin bërë edhe para nisjes për dimërim, por ato të kthimit ishin më të hareshme e më zbavitëse. Para se të ngjiteshin në mal, do të bëhej bashkimi i tufave dhe më pas fillonte nisja e tyre në stane. Përcjellja e tufave bëhej nga i gjithë fshati, me burra, gra dhe fëmijë, duke e kthyer atë ditë në një festë të madhe. Periudha e staneve zgjaste rreth dy muaj e tri javë.

Shënim: Datat janë dhënë sipas kalendarit të vjetër Julian (allaturka).

See insights and ads

Boost post

All reactions:

66

Filed Under: Fejton

FAMILJA AMERIKANE NË ÇIKAGO, LIBRAT E BIBLIOTEKËS UA SHPËRNDAN LEXUESVE

April 29, 2025 by s p

Skënder Karaqica/

Familja amerikane në Orland Park në Çikago, librat e bibliotekës ua shpërndan lexuesve që parakalojnë nëpër këtë lagje të bukur urbane.

Në hyrje të shtëpisë, kalimtarët e rastit e shohin lajmin se lexuesit e pasionuar të librit, mund të marrin sipas dëshirës librin e shkrimtarit të preferuar dhe pas leximit librin duhet kthyer në bibliotekën e familjes në Orland Park të Çikagos.

Po atë ditë, që na rastisi të shohim nga afër nismën e familjes amerikane,kalimtarët ndalin për pak çaste dhe i përzgjidhnin librat të gjitha zhanreve të krijimtarisë letrare, i merrnin ato pa ndonjë proicedurë “administrative” dhe shkonin për të kryer obligimet e ditës dhe për të lexuar librat në kohën e lirë nga biliblioteka e familjes amerikane.

Nisma e bibliotekës nga shtëpia për lexuesit kalimtarë nëpër lagjën amerikane në Orland Park në Çikago, na la mbresë në tiparët e frymës së qytetërimit se bota e librit di të gjykojë dhe të ndryshojë rrjedhën e botës në planetin e shqetësimeve, të stresit dhe të zhurmës të jetës urbane.

Nisma në Orland Park të Çikagos, është fryma e qytetërimit!

Filed Under: Fejton

“Gjysmakët” dhe Zonjat e Oborrit në retorikën e kryeministrit

April 25, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi/

Në Shqipërinë e tranzicionit të stërzgjatur, ku pushteti politik shpesh ndërtohet mbi perceptimin dhe jo mbi vlerat institucionale, Edi Rama ka ditur të shfrytëzojë diskursin gjinor si pjesë të strategjisë së tij të pushtetit. Në mënyrë të dukshme, ai është përpjekur të kultivojë imazhin e një lideri që fuqizon gratë, por ndërkohë ka demonizuar burrat e opozitës me një gjuhë që rrallë dëgjohet në demokracitë normale dhe kjo jo vetëm për fushatë.

Në një deklaratë të vitit 2021, Rama tha: 

“Opozita është një grup burrash gjysmakë, pa vizion, pa shpirt dhe pa të ardhme.”
Ky citim nuk është një shpërthim spontan, por një shprehje sistematike e një modeli komunikimi, ku burrëria e kundërshtarit përdoret si simbol i paaftësisë, dekadencës dhe regresit.

1. Retorika e barazisë gjinore si fasadë politike

Në konferenca ndërkombëtare dhe forume të BE-së, Rama shpesh është cituar duke theksuar përqindjen e lartë të grave në kabinetin e tij. Ai e ka quajtur qeverinë e tij “një kabinet me shumë ngjyra, por mbi të gjitha me shumë gra, sepse gratë nuk e lënë vendin peng të krizave të testosteronit politik.” (Intervistë për France 24, 2019)

Në sipërfaqe, kjo tingëllon si përparim. Por në realitet, shumë nga gratë ministre janë figura politike të afërta, të kontrolluara dhe pa profil të fortë të pavarur. Ato nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht emancipimin e grave shqiptare, por një version të butë të pushtetit autoritar ndaj haremit, që maskohet me feminilitet institucional.

Siç shkruan teoricienja politike Chantal Mouffe:

“Në sistemet post-demokratike, përfshirja simbolike shpesh shërben si zëvendësim për fuqizimin real.” (Kriza e përfaqësimit, 2005)

2. Burrat si simbol i regresit dhe armikut politik

Termi “gjysmak” është shndërruar në një klishe të gjuhës politike të Edi Ramës. Përdorimi i këtij termi nuk është vetëm depersonalizues, por seksist në mënyrë të nënkuptuar, sepse i referohet burrit që ka humbur atributet që kultura patriarkale i njeh: forcën, qëndrueshmërinë, kontrollin. Në këtë mënyrë, Rama përdor stereotipet gjinore për të zhveshur kundërshtarin nga çdo formë legjitimiteti publik.

Siç thotë filozofi gjerman Theodor Adorno: “Gjuhët autoritare nuk i kundërshtojnë idetë, por i shkatërrojnë subjektet.”
(Dialectic of Enlightenment, 1947)

Në vend që të ndërtojë debat, Rama i “neutralizon” burrat e opozitës duke i nënvlerësuar si të paplotë — duke shkelur një vijë të rrezikshme midis debatit politik dhe diskursit shkatërrues.

3. Psikopolitika e liderit dhe estetika e dominimit

Rama, i cili vjen nga një sfond artistik, përdor gjuhën politike si teatër rruge. Ai ndërton një skenografi ku gratë e bindura janë figurante të bukura në sfond, ndërsa burrat kritikë janë të shëmtuar, ‘Bufa kënete” të prishur dhe të papërshtatshëm për “qeverisje moderne”. Në këtë mënyrë, krijohet një ndarje gjinore e pushtetit që nuk është progresive, por e manipuluar.

Filozofi Byung-Chul Han, në veprën Psychopolitics (2017), shkruan:

“Në neoliberalizëm, kontrolli nuk ushtrohet më përmes dhunës, por përmes përkëdheljes dhe estetikës. Ai që është i bindur dhe i bukur nuk ka arsye të rebelohet.”
Ky është thelbi i modelit Rama: pushtet i mbështjellë me estetikë, por thellësisht kontrollues.

4. Rreziku për demokracinë dhe barazinë

Kjo ndarje gjinore në diskursin politik shqiptar, ku gratë përdoren për të zbukuruar pushtetin dhe burrat për t’u demonizuar si kërcënim, është një kërcënim i drejtpërdrejtë për barazinë reale dhe për vetë debatin demokratik. Sepse kur gratë përdoren si dekor dhe burrat si karikatura, ajo që humbet është vetë përfaqësimi autentik politik.

Siç shkruan Hannah Arendt: “Totalitarizmi fillon aty ku fjalët nuk kanë më funksion për të ndërtuar të vërtetën, por për të ndërtuar pushtetin.”
(The Origins of Totalitarianism, 1951)

Si përfundim: Gjinia si maskë e autoritarizmit të butë

Edi Rama nuk ka ndërtuar një sistem të vërtetë të barazisë gjinore, por një narrativë të kontrolluar ku gjinia i shërben pushtetit dhe jo qytetarit. Gratë e tij nuk janë të fuqizuara, por të zgjedhura. Burrat që nuk i binden, nuk janë oponentë, por “gjysmakë”. Në këtë realitet të ndërtuar me fjalë, estetika e pushtetit shndërrohet në një teatër kontrolli, ku publiku duartroket, por nuk pyetet më.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 117
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANGELA KOSTA DHE CHANEL BASHHYSA FITUESE TË ÇIMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “DIVINAMENTE DONNA” NË SENATIN E REPUBLIKËS ITALIANE
  • “TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO
  • IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR
  • Dita e Verës – Festa e lashtë e ripërtëritjes shqiptare
  • Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët
  • Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”
  • Shqipëria ka nevojë për Xhorxh Uashingtonët e saj
  • Kriza globale, nga Ukraina në Lindjen e Mesme
  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 
  • MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM
  • Ardita Statovci, pedagoge pranë “Washington Conservatory of Music”: “Muzika është gjuhë universale që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit e kulturës së vendit tënd në çdo anë të botës”
  • Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare
  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT