• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LETËR E HAPUR KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS, Z. ALBIN KURTI

February 28, 2026 by s p

Screenshot


New York, më 28 shkurt 2026

I nderuari Kryeministër,
I nderuari z. Albin Kurti,

Po ju drejtohem si një përkrahës i palëkundur i juaji dhe si një veprimtar i angazhuar për çështjen kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mbështetja ime, si dhe ajo e shumë kolegëve të mi në Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe më gjerë, bazohet në bindjen e fortë se ju përfaqësoni interesin shtetëror dhe integritetin politik të Republikës së Kosovës.

Sot, më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për unitet në qeverisjen e shtetit. Populli ju ka dhënë besimin për të udhëhequr qeverinë, ndërsa znj. Vjosa Osmani gëzon mbështetje të gjerë për postin e Presidentes. Ky konfigurim institucional është rezultat i vullnetit të qytetarëve dhe duhet respektuar si i tillë.

Çdo mospajtim i mundshëm është pjesë normale e qeverisjes demokratike, por qytetarët presin që ato të trajtohen me maturi, në mënyrë konstruktive dhe brenda kornizës institucionale.

Çdo përçarje ndërmjet jush do ta dëmtonte drejtpërdrejt stabilitetin e vendit dhe do t’u shërbente kundërshtarëve të shtetit të Kosovës. Historia na ka mësuar se momentet e brishta kërkojnë lidership të matur, jo tensione të panevojshme.

Shpresoj që do të gjeni një zgjidhje për ruajtjen e unitetit institucional dhe për vazhdimësinë e stabilitetit politik. Zgjedhjet e parakohshme do të ishin të dëmshme dhe një hap prapa në konsolidimin demokratik. 

Në këtë moment nuk shoh asnjë kandidat që i plotëson kushtet qoftë edhe për së afërmi sa Presidentja Osmani. Kushdo që bojkoton rizgjedhjen e saj dhe shkakton mbajtjen e zgjedhjeve të reja do të ndëshkohet nga vota e popullit.

Populli pret vendime të mëdha nga liderë të mëdhenj në momente vendimtare. Ky është një nga ato momente.

Jam i bindur se vendimet që do të merrni do të jenë në funksion të stabilitetit, unitetit dhe të ardhmes afatgjatë të Republikës së Kosovës.

Me respekt të veçantë,
Agim Aliçkaj
Drejtor Ekzekutiv i
Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane

Filed Under: Fejton

Copëra dialogjesh të pa thëna pёr Shën Valentin

February 15, 2026 by s p

Poezi humoristike nga Rafael Floqi

Gjyshi dhe nipi dhe Shën Valentini

Në oborr nën hardhinë e vjetër,
ku dielli pi kafe tok me pulat,
nipçja me flokë si antenë Wi-Fi
i flet gjyshit me zë të ndryshuar.

— Gjysh, a e di ç’ është Shën Valentini?

Gjyshi kruan mustaqen si bari i korrikut,
hedh sytë nga mali, pastaj nga dhia,
dhe thotë me qetësi si gjeli majë furrikut:

— More bir, unë e di Shën Gjergjin,
di edhe Shën Kollin, dhe Shën Ndreun
po ky Valentini nga cili katund e kemi?

— Është dita e dashurisë! I tha nipçja
Dërgojmë zemra, lule, çokollata,
bëjmë “story”, “likes” “pëlqime”…
E gjyshi qeshi e tha se në kohën time:

— Ah, dashuria! Pse s’e the qysh  në fillim?
Dashurinë e kam pas komshie.
Valentinin jo nuk kam njohur, por atë
me isharet shihja tek arën prashiste .

— Po si e prashit dashurinë, o gjysh?

— Me djersë, e mall zemre mor djalë.
Me bukë të ndarë përgjysmë.
Me një shall të thurur pёr një natë
kur bora si sheqer i zbardhte çatisë.

Nipi tund telefonin:

— Po dhurata, bëje mor gjysh?
Zemra kadifeje, arusha me fjongo?

Gjyshi nga dritarja sheh gjyshen,
që si dirigjente tund tepsinë:

— Dhurata? Ja i çova një herë një torbë miell,
Ajo ma ktheu me byrek gjithë gjalpë.
E kwsaj i thoni ju sot “ emoxhi”.
Ne i thoshim një kohe  “e moj xhan”

Nipi qesh:— Po mesazh dashurie i ke dërguar ?
— Kam dërguar, more! E s’kam brenga
I thosha: “Mos harro të mjelësh lopën.”
Në atë fjali fshihej e gjithë kënga.

Nipi ngul këmbë:

— Pra ju s’e festonit Shën Valentinin?

Gjyshi merr frymë thellë me zor,
e tha si të mbillte një lule në kraharor:

— Bir, dashuria s’ka kalendar.
Ajo është si zjarri në behar :
po s’e ushqeve çdo ditë, në oxhak
ftohet që në prill pak nga pak.

Pastaj shtoi me sy që disi tinzar:
Nëse Valentini s’i di këto punë me zarar,
le të vijë një gotë raki me mu të pijë.
T’ja tregoj unë se çdo me thanë dashni

Nipi bën një “selfie” me gjyshin,
e poston me shkrimin:
“#DashuriVintage”.

E gjyshi s’e di se ç’është hashtagu,
po di si nga afër dhe në sy së largu
ta mbajë shtrënguar dorën e gjyshes,
si buka e fundit në sofrën e mëdyshjes.

Dhe në mbrëmje, pa zemra  plastike,
pa fjongo e pa drita të mëdha neon,
në shtëpinë e vogël ndizet oxhaku
Dhe Shën Valentini, troket gjithmonë.

Kartolina e Zemrës

Në mëngjesin me erë çokollate,
vajza pesë vjeçe me bishtaleca si presje,
mban në dorë një kartolinë të kuqe
sa një mollë e vogël, e turpshme.

— Mami…mami…
kujt t’ia jap në kopsht
kartolinën për Shën Valentin?

Mami ndal lugën në ajër,
si një aeroplan që kërkon pistë,
dhe qesh: Kujt të dojë zemra, moj bijë.

Vajza ballim vrenjt si filozofe:

— Po zemra ime i do të gjithë…
Edin se më jep lapsin me ngjyra ,
Anën se më ruan vendin në rrëshqitëse,
Arlin që qan kur i marrin lodrën…
dhe edukatoren që ka një zë  kënge.

Mami qesh lehtë:
— Atëherë paske zemër të madhe.

Vajza shikon kartolinën e kuqe:
një zemër me ngjitës që s’ngjit mirë,
me shkronja që kërcejnë si bretkosa:
“Gëzuar këtë Shën Valentin!”

— Po nëse ia jap vetëm njërit,
të tjerët a do mërziten? Apo jo?

Mami i rregullon fjongon dhe shton:

— Dashuria s’është karamele qё mbaron.
Ajo sa më shumë ta ndash,
aq më shumë të shtohet.

Vajza mendohet gjatë,
sa një pushim i madh
mes dy vizatimesh.

— Atëherë, mami…
po e pres në katër copa!
E gjeta  zgjidhjen

— Po pse në katër? E pyet e ema.

— Se sot do jem në katër banka !
Do t’ua jap pak nga zemra të gjithëve.
Edhe atij që më shtyu dje…
se mbase sot s’ më shtyn prapë.

Mami e përqafon fort,
si të përqafonte
gjithë kopshtin njëherësh.

Dhe vajza del nga shtëpia me vrull heroik,
me kartolinën e prerë pak si shtrembër,
por me zemrën e plotë, e krejt pa frikë.

Dhe në grupin e kopshtit atë ditë
nuk pati vetëm një Shën Valentin,
por shumë copëza letre punëdore
që qeshnin nëpër duar të vogla prore.

Plaku “Ashik” dhe Shën Valentini

Në fund të fshatit, te porta qaramane,
rrinte Plaku Ashik me bastun prej thane,
e mustaqet si dallëndyshe i turfullon,
dhe zemrën si pranverë pa pension.

I thoshin djalë “ashik” qysh në rini,
se u binte syve si të ishin çifteli,
e fjalën e kishte si llokum me arra:
dhe sa qe i ri, u dilte vashave para.

Një ditë shkurti, mes erës e acarit,
e shpoi komshiu që përtej gardhit: ,
—O plak, a s’po e feston Shën Valentinin?
Ai zgjati veshët pёr t’ju përgjigj thumbit.

Plot ironi hoqi kapelën gjithë lezet,
si të përshëndeste një mikun e vet: ,
—Kush asht ky Valentini? Nga ç’fis vjen?
E çfarë e mirë kësaj ane po e bjen? 

 Është shenjti i dashnisë!—i gjegji komshija.
Plaku qeshi, aq sa iu drodhën thinjat:
— I dashnisë the. Mos ka ardh’ vonë ksaj here
Dhe zgjati kokën nga një penxhere.

E fshiu bastunin si të lustronte kujtime,
E shtoi:Vërtet s’kish Valentina në kohë time
Por kishte dritare që hapeshin mshehtas
dhe një shami që tundej pas perdesh.

— Po tani?  e ngacmoi komshiu sërish.
— Tani a s’je më prapë plak ashik.

Plaku ngriti vetullën si mal me vërtik:
Dashuria s’del në pension, i tha mor mik.
Ajo vetëm numrin e syzevet ndryshon.
Ja më prit sa t’i çoj plakës çaj me rigon,

“Mos dil se ftohtë sot po bën” i them,
—Hajde brenda më thotë se bore po bjen
E kaq ashikni duhet për mua plakun
Kaq mjafton për ta ndezur oxhakun.

Nga dritarja u dëgjua zëri i plakës saora :
— O ashik, hajde brenda, se t’u ftoh kafja!
E plaku qeshi si djalosh me tesha të reja.
— E dëgjove? Ky Valentini im, po  thotë eja.

Mjafton një zë që të thërret me emër,
edhe pas pesëdhjetë e kusur vjetësh.
Dhe ai hyn brenda avash, i prekur në sedër
si të hynte në buzë të një këngë të vjetër.

Në oborr mbeti vetëm i ftohtë shkurti,
që u skuq pak me frikë nga turpi
se e kuptoi se edhe ai Shën Valentin
nga ai Plaku Ashik mësoi dashurinë
.

Djaloshi që s’e gjente fjalën

Në bankën e fundit në një klasë,
rrinte një djalosh me gjuhë si guaskë,
S’e nxirrte dot atë fjalën e duhur jashtë
dhe sikur t’ia nxirrnin fort me mashë.

Sa herë vinte Shën Valentini, aty pari
fyti i lidhej si të ishte nyje marinari,
duart si dy zogj të trembur, pa hile
dhe fjalët mbesnin si pushime pa zile.

E pa vajzën në korridor dhe ngriu
me flokë që i binin e vareshin si shiu,
dhe zemra i trokiste e kërciste ajo fort
si kur gjëmonte një trokitje një portë.

“Thuaja sot”, i thoshte mendja.
“Thuaja me gojën plot.” shtonte zemra
Po fjala  aty e ngecte si hapi në prag,
e zbathur, e turpëruar  që nga larg.

Dhe bleu një kartolinë me zemër,
e mbajti tri ditë pa shkruar asnjë emër.
U ngroh, u rrudh, dhe u zhubravit,
dhe prej xhepit s’doli as pёr një vit.

Shokët e tij flisnin gjithë potere ,
e u hidhnin  vajzave lule me erë.
hapat maste, e veten mbante me hatër,
një, dy, tre, dhe …prapaktheu katër.

Çdo mbrëmje, shihej para pasqyrës,
bënte prova si ta kishte para fytyrës:
“Të dua i  thosh …si aktor pa publik
e domethënë, në fakt…po pse kam frikë!”

Pasqyra i buzëqeshte, si me dredhi
Se vajza s’qe aty. Por ja që dita erdhi,
Shën Valentini si postier në derë trokiti
dhe prapë ai i drojtur, heshti si meiti.

Vetëm i sa i zgjati  kartolinën këtë herë
me dorën që i dridhej si fleta në erë.
Pa tinguj, pa zë, pa as edhe një fjalë.
Ajo e mori, e pa dhe e hapi ngadalë.

Brenda s’kishte poezi as ndonjë zemër,
Veç një fjali të shkruar disi shtrembër
as premtime me yje ,e hënë mes resh
Veç shkurt e troç “Më pëlqen kur qesh!”

Ajo buzëqeshi. Dhe djaloshit iu duk
se fjalët i dolën nga xhepi sënduk
e u ulën aty pranë saj, me dashuri.
se Shën Valentini e kish bërë magji

Se kështu ndodh në dashuri shpesh
ndjenja s’ kërkon fjalime  përshesh
mjafton një fjali e vogël që dridhet,
por është e vërtetë, se gjuha të lidhet.

Filed Under: Fejton

Please join the Albanian American community in celebrating the 18th Anniversary of Kosova’s Independence at New York City Hall

February 12, 2026 by s p

We are honored to celebrate alongside NYC Council Speaker Julie Menin, CM Shirley Aldebol, Majority Leader Shaun Abreu, Majority Whip Kamilla Hanks, Minority Leader David Carr, CM Harvey Epstein, CM Oswald Feliz, CM Farrah Louis, CM Virginia Maloney, CM Darlene Mealy, CM Justin Sanchez and CM Phil Wong.

Date: Monday, February 23, 2026

Time: Arrive at 5:00 PM, event starts at 5:30 PM SHARP

Location: 1 City Hall, New York, NY, 10007

(FREE: MUST RSVP)

CLICK HERE TO RSVP or call 212-482-6773

We look forward to celebrating this historic milestone together.

For more information, please call Mark Gjonaj at 917-731-6850.

Filed Under: Fejton

Përvjetori i harruar i Fishtës

February 6, 2026 by s p

Përkujtimi i personalitetëve të ndryshëm me rastin e përvjetoreve të tyre është obligim jo vetëm moral e profesional por edhe kombëtar nga ana e institucioneve lokale e shtetërore duke organizuar veprimtari të ndryshme kulturore e shkencore dhe inauguruar buste apo shtatore, duke dëshmuar nderim ndaj tyre si kudo në vendet e qytetëruara.

Nail Draga

Në fund të vitit të kaluar, pikërisht me 30 dhjetor janë mbushur 85 vjet kur është ndarë nga jeta Gjergj Fishta, i cili mbetet një prej personaliteteve të veçanta të letërsisë, gjuhësisë, publicistikes, meshtarisë, kulturës e diplomacisë shqiptare. Duke qenë i tillë françeskani erudit me të drejtë është quajtur Homeri shqiptar, ku „Lahuta e Malcis“ është një nga kryeveprat e letërsisë shqipe, simbol i atdhedashurisë dhe identitetit kombëtar shqiptar.

Me këtë rast si shkas kemi mosshënimin e 85- vjetorit të vdekjës së poetit kombëtar Gjergj Fishtës(23 tetor 1871-30 dhjetor 1940), datë e cila është dashur të shënohet me veprimtari të ndryshme kulturore, sidomos në Shkodër. Por këtu kishim heshtje totale si nga institucionet shtetërore, vendore, kisha e shoqëria civile. Ndërsa përjashtim kanë bërë disa media elektronike lokale apo indvidë të ndryshëm në rrjetet sociale.

Përkujtimi në Tiranë e Lezhë

Në lidhje mbi këtë 85-vjetor mediat informuan se Biblioteka Kombëtare nderoi At Gjergj Fishtën duke risjellë në kujtesë trashëgiminë e pavdekshme të tij, e cila vazhdon të jetojë dhe të flasë fuqishëm në kulturën, gjuhën dhe vetëdijen tonë kombëtare.

Ndërsa Biblioteka Publike “Gjergj Fishta” e qytetit të Lezhës kujtoi një fragment të fjalimit të Hoxhë Hafiz Ali Kraja, mbajtur në funeralin e At Gjergj Fishtës, ku thuhej: “Me ty, Patër Gjergj, Kombi naltësohet dhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme”.

Në Shkodër mungon statuja e Fishtës

Opinioni i gjerë është i informuar se në Shkodër vite më parë për të nderuar klerikun, shkrimtarin, poetin e intelektualin Gjergj Fishta në hapësirën e parkut para bashkisë është inauguruar një monument kushtuar emrit dhe veprës së tij. Por, një objekt i tillë, mund të jetë gjithçka, por nuk i ngjanë ndonjë vepre artistike, e cila si atëherë edhe tash ka irrituar opinionin e gjerë.

Por, të gjithë ata që kanë shkuar në Shkodër kanë pasur mundësi të shohin një monument i cili është në shkatërrim të plotë, sepse ai është i mbuluar me shkarravina, e rrethuar me mbeturina, pamje të cilat janë trishtuese, që thënë më se buti është fyerje për poetin kombëtar dhe Bashkinë e Shkodrës.

Dhe në një situatë të tillë me të drejt bëhët pyetja nëse ndonjë indvid dëshiron të nderojë poetin kombëtar ku të vendosen lulet? Kur gjindesh para një pamje të tillë zhgënjehesh, duke akuzuar ata të cilët nuk kanë treguar empati ndaj një monumenti të tillë.

Nuk ka dilemë se Fishta meriton një statujë monumentale në qendër të Shkodrës, e jo një monument të tillë që nuk paraqet përmaset e figurës së tij mbarëkombëtare. Ndërsa inicimi i realizimit të një projekti të tillë është në nderim të Fishtës, qytetarisë shkodrane dhe botës shqiptare.

Fishta nuk ishte rasti i vetëm

Duhet të cekim se në vitin 2025, përvjetori i Gj:Fishtës nuk ishte rasti i vetëm, sepse në këtë vit përvjetorët i kanë pasur edhe personalitete të rëndësishme nga historia jonë kombëtare. Kështu 110-vjetorin e vdekjës e kanë pasur edhe Dedë Gjon Luli(1840-1915), Mehmet Shpendi(1851-1915), Çerçiz Topulli (1880-1915) e Muço Qulli(1887-1915), të cilët në sajë veprimtarisë së tyre kanë mbetur figura të rëndësishme kombëtare. Por, për fat të keq edhe për këta nuk u kujdes kush për të organizuar ndonjë takim të rastit përkujtimor, qendrim që është për çdo kritikë, sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.

Përfundim

Dukuria e mosangazhimit të institucioneve buxhetore, qofshin ata vendore apo shtetërore në Shkodër në mos shënimin e përvjetorit të 85 të vdekjës së At Gjergj Fishtës, i cili është figurë emblematike e kulturës kombëtare, dëshmon mungesën e respektit dhe të qasjes profesionale te individëve udhëheqës që paraqet dukuri me pasoja shoqërore e kombëtare për të tashmën dhe të ardhmën.

Filed Under: Fejton

“KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”

January 17, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi

“Mbylle RTSH-në!”… 

Le atëherë të kuptojmë se Edi Rama nuk e sheh Shqipërinë si Republikë parlamentare, por si Republikën e Vet Personale, ku televizioni publik është thjesht një studio që nuk po i bindet më regjisë së tij.

Sepse problemi nuk është RTSH është ERT. Problemi është Rama.

Dhe mania e tij që çdo ekran shqiptar të jetë ose i kontrolluar, ose i zhbërë.

Kur një kryeministër ngrihet një mëngjes dhe i shkon në mendje të mbyllë Radio Televizionin Shqiptar—institucionin që ka mbajtur historinë vizuale, zanoren dhe kujtesën e këtij vendi për më shumë se gjysmë shekulli—atëherë problemi nuk është RTSH-ja. Problemi është që pushteti ka filluar të besojë se Shqipëria është një studio private e tij .

RTSH-në nuk e ka rrënuar koha; e ka rrënuar politika. Jo politika e ideve, por politika e privilegjeve, tenderëve dhe mitmarrjeve. E kanë mbajtur me dhè dhe tani thonë: “Pse nuk shkëlqen?” Kanë prerë financimet dhe sot çuditen pse nuk prodhon magji. Kanë hequr aktivitetet kombëtare e ndërkombëtare nga ekrani i saj, ia kanë dhënë klientëve privatë, e pastaj thonë: “Nuk na pëlqen më RTSH-ja, nuk ka cilësi.”

A thua vallë se cilësia lulëzon në tokën e shkretuar?

Ky institucion ka mbartur festivalet, kampionatin, kombëtaren, Champions  League, Formula 1, simfoninë e vet 60-vjeçare, korin e instrumentistëve elitarë, dhe mbi të gjitha: kujtesën kolektive, atë që s’mund ta blejë asnjë oligark e s’mund ta mbyllë asnjë kryeministër me humor të keq.

Por sot po shohim një skenar të lodhur: dobëso institucionin, shpif ndaj tij, lëre pa mjete, zhvati kompetencat, pastaj thuaj “u desh të mbyllej”. Kjo metodë nuk është reformë—është grusht shteti kundër institucioneve publike.

Dhe në këtë pikë duhet folur hapur:  Mbyllja e RTSH-së nuk do të ishte reformë, por marrëzi kombëtare.

Një komb që mbyll televizionin e vet publik nuk modernizohet—nënshkruan kapitullimin ndaj mediave të klientelizmit.

RTSH-ja është “nëna e medias shqiptare” dhe nënat nuk mbyllen. Të tjerët ndërtojnë muze, arkiva, fonoteka për t’i ruajtur. Ne paskemi kryeministra që duan t’i kthejnë në themele për kulla.

Po pse ky nerv? Pse ky nxitim për ta mbytur? Sepse institucionet publike kanë një ves të keq: nuk shiten dot lehtë. Nuk kontrollohen dot me një telefonatë. Nuk shndërrohen dot në megafon partie. Dhe kur s’të binden, më e thjeshta është t’i shpallësh të “padobishme”.

Është një absurditet që askush në vendet evropiane ku ne tentojmë të hyjmë në BE nuk do ta artikulonte kurrë. Sepse televizioni publik është jo thjesht media e shtetit, por zemra kulturore, arkiva kombëtare, pasqyra e identitetit kolektiv. Ta mendosh mbylljen e tyre do të thoshte të ngresh dorën mbi vetë kujtesën kombëtare. BBC, DW, RAI dhe France Télévisions janë aq të lidhura me shtetin dhe kombin, sa mungesa e tyre do të përkufizohej si katastrofë institucionale.

E tani imagjinoni Shqipërinë pa RTSH-në. Nuk do të ketë më vend për Shqipërinë në Eurovision, sepse vetëm televizioni publik është anëtar zyrtar i EBU-së. Nuk do të ketë më Festival të Këngës, ngjarjen më të vjetër kulturore shqiptare, që ka rritur breza artistësh. Nuk do të ketë më trashëgimi kulturore të transmetuar, nuk do të ketë më simfoni, arkiv, as zë shtetëror. Me mbylljen e RTSH-së, Shqipëria largohet vetë nga skena evropiane dhe ndërpret çdo lidhje institucionale me eventet ndërkombëtare ku një vend serioz duhet të jetë prezent. Do të mbeteshim një republikë pa zë, pa platformë publike dhe pa institucionin që përfaqëson vendin brenda dhe jashtë kufijve.

Dhe mbi të gjitha, çfarë ironie: Eni Vasilin e çojnë për ta hapur apo për ta mbyllur? 

E filluan me Urën? Po urën ç’ patën thotë ajo batuta. Apo se lidhej me diasporën ?

A është ajo dërguar si fytyra e fundit e një vendimi të marrë në prapaskenë? Si e dërguara e një projekti që nuk ka të bëjë me reformë, por me shuarje? Sepse kështu duket: jo një përpjekje për ta ri ngritur  RTSH-në, por një administrim i ditëve të fundit të tij. 

Në vend të ekspertëve që sjellin vizion, çojnë figura televizive për t’i vënë vulën një skenari që po përgatitet prej vitesh: dobësoje institucionin, hiqi kompetencat, tjetërsoi burimet, pastaj thirr dikë për të shpallur “fundin e epokës”. 

Por pyetja e drejtë mbetet: E dërguan për të rihapur institucionin Enin , apo për t’i fikur dritat?

Por kujdes: Radiotelevizioni Shtetëror është aq i rëndësishëm sa përmbys qeveri, jo anasjelltas. Nuk është as si Teatri Kombëtar që e shembën dhe s’e bëjnë dot.

Historia e ka treguar. Frika e pushtetit ndaj RTSH-së është frika ndaj së vërtetës së tij.

A po mbyllet RTSH-ja për t’i liruar kryeministrit fushën për një super-TV privat, ku ai dhe oborri i tij do jenë të vetmit narratorë të kombit?

Nëse po, ky është skandali më i madh kulturor i 30 viteve.

Nëse jo, atëherë çfarë është? Kapriço? Hakmarrje? Apo nevojë për të shpallur veten si njeriu që mbyll çdo gjë që nuk i puth dorën?

Këtu duhet të ngrihet kushdo që ka zë, dinjitet dhe memorie. Jo për nostalgji, por për identitet. Jo për politikë, por për shtet.

Mjaft!

Duart larg RTSH-së!

Kombet ruajnë institucionet, vetëm pushtetet e pasigurt përpiqen t’i shuajnë.

Nëse dikush kërkon ta mbyllë RTSH-në, le ta dijë:

do ta ketë përballë publikisht, ligjërisht, qytetarisht dhe shpirtërisht çdo shqiptar që nuk pranon t’i shlyhet historia me gomën e një kryeministrie.

Ky është zëri i një populli që nuk pranon të mbetet pa zë

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 117
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT
  • 115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT