• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shuhet Baba Hekurani, Babai i Teqes së Alipostivanit

February 5, 2025 by s p

Adriatik Spahiu/

Bektashizmi, Shqipëria dhe komuniteti humbi një njeri të shenjtë, një model shërbëtori të Zotit, një model qytetarie, atdhedashurie, patriotizmi e mirësie. Një dhimbje dhe humbje e madhe sot për gjithë besimtarët Bektashianë. Zoti e desh dhe e mori me vete Baba Hekuranin e dashur e të shtrenjtë. Ai nga parajsa përsëri me fuqinë dhe shenjtërinë e tij, do të jetë gjithmonë një engjëll mbrojtës për të gjithë ne.

Mu dha mundësia të njihem me këtë njeri të veçantë për herë të parë kur u bë festa e Teqesë së Alipostivanit më 14 Maj 2004 ku isha i ftuar nderi nga Baba Hekurani. Dashuria, miqësia, mirësia, besimi, respekti, komunikimi edhe mësimet e tij për mua ishin tejet të çmuara edhe pse u largova në USA. Takimet, mendimet, uratat, bekimet e atij njeriu të shenjtë që bënte mrekullira ishin pjesë e punës dhe kontributit të tij për komunitetin bektashi. Një njeri shenjtor që rrallë herë vjen në historinë tonë si Bektashianë. Baba Hekurani më donte dhe më respektonte shumë jo vetem mua, jo vetëm familjen por dhe gjithë fisin tim dhe miqtë e shokët dhe dashamirësit e mi. E kemi filluar vizitën e parë në Senican atje ku ai ngriti Tyrben e parë, e veçantë dhe e paharruar do jetë dhe vizita e nenes time 82 vjeçare në Teqe pasi ajo e kish pas babain e saj Myhyp në Teqenë e Frashërit ku Daut Kucuku dhe stafi i tij ndodhen në arshivat e Teqesë te dhuruar nga familjarët e familjes. Mbresëlënëse dhe e paharruar do ngelet pjesëmarrja në festën e Tolarit që u organizua për herë të parë dhe vizita te familja e të afërmeve të Dervish Myrtos si dhe vizita te familja, shtëpia ku jemi lindur dhe jemi rritur dhe edukuar. Në Tolar i bëmë një pritje që do jetë e paharruar për mua dhe familjarët e mi. Sa herë shkonim nga Amerika në Shqipëri, vizita e parë do ishte te Teqja te Baba Hekurani.

Ishte jo vetem shenjtor, jo vetem patriot, jo vetem bamirës por dhe i dashuruar shumë dhe me Amerikën, për mbështetjen dhe kontributin që ka dhënë dhe jep ne futjen e demokracisë në Shqipëri dhe ndihmën ndaj bashkombasve tanë. Ne kishin shumë aktivitete, takime, bashkëbisedime te përvitshme. Bashkë me Baba Hekuranin vizituam vendet ku ka punuar e ngritur vepra të përjetshme klerikale.

Vlerësimin më të madh Baba Hekurani ma bëri kur më propozoi për të veshur rrobën shenjtërimit si Myhyp i Teqesë së Alipostivanit, një nderim e vlerësim dhe titull që për mua do respektohet dhe do shërbejë gjithmonë për të çuar sa më lart veprën, amanetin dhe misionin e tij kombëtar, patriotik dhe fetar.

Viti që kaloi, ishin tre takimet e fundit që pata në Teqenë e Alipostivanit dhe festën në Teqenë e Frashërit ku u respektova duke fjetur një natë në Mejdan, ku ndjemë dashuri, miresë, vëllazërim si kurrë ndonjëherë, midis babait dhe motrave e vëllezërve Myhypë që shërbejnë në Teqe.

Bisedat me të ishin të përjavshme sepse interesimin i tij për doktoreshçn e ardheshme, vajzen time Matea, që e donte shumë, ishte i veçantë.

Biseda e fundit ishte para disa ditësh, na ftoi familjarisht për ditëlindjen e tij që do ta festonte në muajin Prill, në Malin e Tomorrit.

Mbrëmë morëm lajmin e zi, mora një dhimbje që s’di si do ta përballoj. Për veprat e mira të Baba Hekuranit duhen netë e ditë të tëra, do duhej një libër, për jetën dhe punët e mira që ai bëri si për vendet e shenjta që ringriti por dhe rrugën e shënjtë që ai bëri.

I përjetshëm nderimi dhe kujtimi i Baba Hekuranit! Do të na mungojë shumë.

Shprehim ngushëllimet dhe në emrin e Federatës Vatra dega Jacksonville e mbarë miqtë e Vatrës e Diellit.

Filed Under: Fejton

“Hakmarrja e Tigrit”: Një telenovelë kryeminstrore me shishe vere dhe charter

January 31, 2025 by s p

Satirë nga Rafael Floqi/

Një ditë nga ato të zakonshmet në “Sulltanatin e Rilindjes”, ku edhe milingonat punojnë me PPP dhe dheu i rrugëve i shkon drejtpërdrejt miqve, nga Zvicra vjen një mesazh misterioz… “Arben Ahmetaj, dikur financieri i sultanit, tani kthehet si kalorësi i errët i hakmarrjes, me një gozhdë të madhe në zemër dhe ca dosje në valixhe.” Por, si gjithmonë, publiku pyet veten: “Po kësaj here, a tha gjë të re? Apo thjesht po flet me monologun e zakonshëm të një “dashnori” të braktisur nga pushteti?”

Sheiku dhe Dhoma e Luleve

Ahmetaj na rrëfen sesi Rama, nga një artist me ngjyrime kubiste, është kthyer në një koleksionist verërash që kushtojnë sa borxhi publik. Në “Dhomen e Luleve”, aty ku dikur debatohej mbi reformat, tashmë merren vendime mes avujve të Romanée Conti dhe flluskave të shampanjës së artë.

Një gjë është e sigurt: nëse ndonjë qytetar i zakonshëm do të hante në një restorant me këto çmime, do e kishte detyrim moral ta lajmëronte edhe ministrin e Financave, se ndryshe, taksën e “lukso-biznesit” s’do ia falte askush.

Udhëtimet e Parisit të Ri

Ahmetaj denoncon gjithashtu fluturimet që s’u lejuan kurrë të hetohen, por s’duhet të shqetësohemi! Shteti funksionon për bukuri. Ato avionët privatë janë thjesht mjet transporti për të kaluar rrugët me gropa të Shqipërisë. Diku duhet të dëshmojmë se si mund të arrijmë të “Rilindim” në ajër, pasi tokësisht ngecëm mes baltës.

Hakmarrja e Ahmetajt: Hero apo Hakmarrës i Luksit?

Sigurisht, ata që u verbuan nga lluksi dhe premtimet e Ramës mund të vazhdojnë t’i quajnë këto rrëfime “fantazi të një njeriu që ka kaluar shumë kohë me tapet të kuq në sy”. Por pyetja e vërtetë që lind është: A duhet besuar dikush që për vite e për vite ka nënshkruar e vulosur tenderat, dhe vetëm pasi ka humbur privilegjet, fillon të flasë?

Skenari mbetet hapur:

A do të vazhdojë Ahmetaj të zbulojë “sekretet e sulltanatit”, apo thjesht po lobon që të kthehet si aktor dytësor në dramën e madhe?

A do ta rrëzojnë Ramën shishet e verës dhe fluturimet charter, apo shqiptarët do ta falin, nëse u premton një bonus tjetër për “faturën e energjisë”?

Dhe mbi të gjitha: Pse SPAK i shikon të gjitha këto si serial turk që nuk ka fund?

Një gjë është e sigurt: Populli shqiptar ka humbur interesin për luksin e politikës, sepse ka hallet e tij. Ndërsa Ahmetaj dhe Rama vazhdojnë betejën për “kush e ka shishen më të shtrenjtë”, populli numëron monedhat për bukën e përditshme. Kjo, padyshim, mbetet skandali më i madh nga të gjitha.

Filed Under: Fejton

BETEJA E NOKSHIQIT, SPROVA MË E SUKSESSHME USHTARAKE E LIDHJES SHQIPTARE

January 27, 2025 by s p

Prof. Dr. Skender Asani/

Vendimet e padrejta të Kongresit të Berlinit, që i njihnin Malit të Zi të drejtën për të aneksuar vise shqiptare, përfshirë Plavën dhe Gucinë, mobilizuan shqiptarët për të mbrojtur tokat e tyre stërgjyshore. Kjo rezistencë u udhëhoq nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e cila organizoi një qëndresë të fuqishme politike dhe ushtarake kundër vendimeve arbitrare të Fuqive të Mëdha. Beteja e Plavës dhe Gucisë, e zhvilluar në Nokshiq gjatë dhjetorit 1879 dhe janarit 1880, ishte një nga momentet kulmore të kësaj rezistence, duke u shtrirë edhe në disa pika strategjike të caktuara nga komandantët shqiptarë.

Kjo betejë e lavdishme shënoi dy fitore të rëndësishme për shqiptarët: zmbrapsi përpjekjet e Malit të Zi për aneksimin e këtyre tokave dhe ndërkombëtarizoi çështjen shqiptare, duke e kthyer atë në një luftë për autonomi brenda Perandorisë Osmane. Korrespondentët e huaj të kohës raportuan për heroizmin e shqiptarëve, duke e paraqitur atë si një përpjekje titanike për mbrojtjen e integritetit territorial, ndërsa dënonin vendimet e Kongresit të Berlinit si shpërfillje e të drejtave të shqiptarëve për liri dhe pavarësi.

Ndërsa historia njeh shumë beteja, ajo e Nokshiqit mbetet një shembull unik i suksesit, ku shqiptarët, pa aleatë të jashtëm, u përballën me një makineri diplomatike dhe ushtarake të fuqishme. Heroizmi i tyre ishte mbështetur vetëm nga vendosmëria për të mos lejuar padrejtësi. Në këtë betejë spikatën figura të shquara si Ali Pashë Gucia, Jakup Ferri, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka dhe Jusuf Sokoli, të cilët përfaqësuan shpirtin e pamposhtur të kombit shqiptar.

Beteja e Nokshiqit mbetet një mesazh aktual për politikën ndërkombëtare, duke dëshmuar se vendimet diplomatike që injorojnë vullnetin e popujve nuk mund të kenë sukses. Kjo është vërtetuar edhe nga raportet e diplomatëve të huaj, si ai i konsullit austro-hungarez në Shkodër, i cili shkruante se shqiptarët luftuan me një shpirt të vërtetë kombëtar dhe zmbrapsën forcat malazeze.

Në përvjetorin të kësaj beteje, historiografia shqiptare duhet të kalojë nga qasjet deskriptive drejt një studimi më të thelluar dhe të bazuar në analiza të mirëargumentuara. Kjo qasje do ta vendoste këtë ngjarje në vëmendjen e studiuesve ndërkombëtarë, duke nxjerrë në pah rëndësinë e saj në historinë kombëtare dhe më gjerë.

Filed Under: Fejton

Baballarët e kombit…

January 24, 2025 by s p

Artan Nati/

Në çdo 28 nëntor ne shqiptarët festojmë ditën e pavarësisë dhe bashkë me të ne kujtojmë e përkulemi me respekt ndaj figurave ose baballarëve të kombit tanë duke filluar me Skënderbeun dhe më tej me rilindasit e lufëtarët legjendarë e duke e kurorëzuar me shpalljen e pavarësisë nga plaku Ismail Qemali e patriotë të tjerë. Dua të theksoj se kontributet e tyre për kombin tonë janë madhështore dhe monumentale, por edhe gabimet e tyre njerëzore që shkaktuan kaq shumë dhimbje. Asnjë nga Etërit tanë themelues nuk ishte 100% hero ose 100% plangprishës. Ata ishin qenie njerëzore. Ata arritën diçka vërtet të jashtëzakonshme duke na dhuruar pavarësinë dhe lirinë tonë, por ata nuk ishin të përsosur dhe ne nuk duhet të pretendojmë se ishin. Unë jam mirënjohës për lirinë që gëzoj për shkak të punës së palodhur, urtësisë dhe sakrificës së Etërve tanë dhe shumë të tjerëve. Por unë nuk i adhuroj ata, por më pëlqen t’i shikoj me sy kritik, për të njohur më mirë veten, kulturën tonë si edhe këtë situatë ku ndodhet Shqipëria jonë sot. Nuk do të dëshiroja që këta drejtues, politikanë apo figura të kulturës dhe artit të ditëve të sotme, të konsiderohen si ëngjëj apo patriotë dhe legjendarë nga brezat e ardhshëm.

Atdhedashuria i frymëzon njerëzit, siç bëri sigurisht me Etërit tanë. Por edhe kur i frymëzon, ajo nuk ua heq aftësinë për të bërë gabime, madje edhe gabime serioze. Atdhedashuria i frymëzon njerëzit, por shpesh dëshira për status dhe interesi personal, i frymëzon ata më shumë. Kjo është si të thuash bekimi dhe mallkimi ynë, kjo është natyra njerëzore dhe shpesh ata që ne i quajmë etër të kombit bëjnë gabime monstruoze, të cilat për çudi ne i harrojmë me qëllim apo për naivitet. Etërit e kombit ishin qenie njerëzore me të meta si ju apo unë. 

Të qenit perfekt nuk është ajo që e bën diçka të bukur, por, janë papërsosmëritë që i bëjnë njerëzit perfekt.

“Sa më i përsosur të jetë personi nga jashtë, aq më shumë demonë ka nga brenda.”

Nën mbulesën e lëmuar të përsosmërisë shpesh shtrihet një tapiceri e emocioneve dhe dobësive të paeksploruara. Konstatimi i Frojdit penetron nëpër fasadë, duke na kujtuar se autenticiteti shfaqet kur ne njohim dhe integrojmë papërsosmëritë tona. 

Prandaj shpesh thuhet se një gënjeshtër qëndron në njërën këmbë dhe vërteta në dy, duke nënkuptuar se perfektja nuk ka kuptim pa bashkëegzistencën e joperfektes. Është fyese në fakt, biles djallëzore do të thoja, prezantimi i shumë figurave tona të shquara në fusha të ndryshme si ajo e politikës, artit, shtetformimit etj si perfekte, duke mos nxjerrë në dritë anën e tyre negative . Ky është shërbimi më i keq që ata mund t’i bëjnë kombit sepse sa më perfekte ata ta paraqesin të kaluarën dhe personazhet e saj, aq më shumë ata mbulojnë demonët e tyre dhe nuk i japin mundësi kombit të njohi demonët e tij, të sfidojë limitet e veta dhe të marri përgjegjësi për dështimet dhe problemet e krijuara. Ne si komb e kemi domosdoshmëri të përballemi me demonët tanë, me problemet dhe gabimet e heronjve tanë realë dhe imagjinarë dhe nuk kemi nevojë për të ashtuquajturit intelektualë, të cilët për shkak të injorancës apo djallëzisë së tyre injektojnë mentalitetin e skllavit tek shqiptarët, duke fajësuar gjithmonë fqinjët tanë, fuqitë e mëdha apo komunizmin( të cilin ne vetë e përqafuam). Ndërkohë që shumë nga analistët apo edhe atdhetarët tanë shajnë komunizmin dhe komunistët me të drejtë, po këta persona harrojnë të përmendin faktin se Fan Noli, si një nga figurat më të mëdha patriotike dhe kulturore të vendit, ishte përkrahës i Bashkimit sovjetik si edhe u bekua si kryepeshkop i vendit nga kisha ortodokse e Rusisë. Gabimi i Nolit ishte tërësisht njerëzor, po të kemi parasysh faktin se edhe një nga filozofët më të mëdhenj të shekullit të kaluar dhe pikërisht Jean Paul Sartre, ishte një mbështetës dhe avokat i socializmit dhe komunizmit. Kjo nuk e ul aspak figurën e Nolit, përkundrazi e bën atë më perfekte, më njerëzore dhe na tregon qartë se ne shqiptarët kishim dhe ndoshta kemi një tendencë jokoshiente për të përqafuar komunizmin apo të majtën, dhe kjo ndoshta edhe si pasoje e ndarjes kulturore dhe ekonomike nga europa perëndimore, për shkak edhe të pushtimit otoman. Kjo nuk na shfajëson, por përkundrazi na jep një mundësi të jemi koshient për kufizimet tona dhe na inkurajon të përballemi me këtë fakt në çdo hap tonin. 

Gjithashtu shpesh akuzohet perëndimi për neglizhencën ndaj Shqipërisë, sidomos pas luftës së dytë botërore, e cila përmbysi ëndërrën e patriotëve dhe intelektualëve shqiptarë të kohës. Gjithashtu akuzohen (me të drejtë) komunistët, të cilët u bënë vasalë të sllavo-komunistëve dhe si të tillë shkatërruan përfundimisht ëndërrën e bashkimit të Shqipërisë duke e futur vendin në periudhën më të zezë të historisë së Shqipërisë. Këto javët e fundit ka pasur shumë shkrime për figurat e nderuara të patriotëve, që luftuan me pushkë dhe penë për bashkimin kombëtar. Figura të tilla të nderuara si Mustafa Kruja dhe Ernest Koliqi etj, luftuan dhe punuan për bashkimin e vendit dhe përhapjen e dijes në vend dhe kjo përshkruhet në faqet e ndryshme të gazetave të vendit. Të krijohet përshtypja se fati ka qenë kundër tyre dhe vendit tonë, por le të ndalemi pak se askush nuk është ëngjëll e ndoshta edhe kanë gabuar. Në fakt, Kruja si kryeministër dhe Koliqi si ministër i arësimit, nuk bashkëpunuan me qeverinë e Zogut për interesin kombëtar, përkundrazi u munduan ta sabotojnë atë dhe kur nuk arritën synimet e tyre, u larguan në Serbi e më tej në Itali. Ata nuk pushuan së punuari për realizimin e qëllimeve të tyre patriotike, por ndoshta mënyra që zgjodhën ishte e gabuar. Ndoshta nga dëshira e madhe për ta parë Shqipërinë e bashkuar, ndoshta edhe nga dëshira e madhe e tyre për pushtet e lavdi, bëri që ata të ndihmojnë në pushtimin fashist nga Italia fashiste, duke e rreshtuar Shqipërinë me vendet totalitariste dhe kundër boshtit anglo – amerikan. Me qëndrimet e tyre bënë të mundur bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, por i dhanë indirekt ndihmën më të madhe komunizmit në Shqipëri. Komunistët, me mbështetjen direkte të jugosllavëve, shfrytëzuan urrejtjen popullore ndaj fashizmit dhe të gjithë e dimë çfarë ndodhi më tej. Gjithashtu ministri i arsimit ndaloi të gjitha shkollat e tjera, përveç shkollave fashiste, por pati meritë të madhe për përhapjen e shumë shkollave shqipe në Kosovë dhe dërgimin e 200 mësuesve atje. Të gjitha këto që thamë më lart nuk e zbehin aspak figurën e këtyre patriotëve të nderuar, por përkundrazi me imperfeksionet e tyre, i bënë edhe më të mëdhenj e njerëzor, duke na bërë ne të kuptojmë se ata ishin njerëz si të gjithë ne dhe duke njojtur imperfeksionet e tyre na japin neve mundësi të njohim demonët tanë dhe të reflektojmë. Të tillë shembuj ka shumë me figurat tona të pas viteve 90, gabimet e të cilëve kanë qenë fatale për vendin dhe tregojnë qartë se në shumicën e rasteve, këto figura janë motivuar nga interesat e tyre personale për pushtet e para dhe lavdi. I ngjashëm ishte rasti i Ramës kur i servilosej rekomandimeve të ndërkombëtarëve për idenë e Ballkanit të hapur, në bashkëpunim me Vuçiç-in e Serbisë, por kundër interesave të Kosovës dhe kombit. Po ashtu edhe rasti i PD-së, e cila mbështeti një kriminel dhe armik të shqiptarëve në zgjedhjet e Himarës, për interesa të ulëta personale, por antikombëtare.

Si është e mundur që një nga figurat më patriotike në vend, siç është Mid’hat Frashëri, shihet me urrejtje nga një pjesë e shqiptarëve dhe me adhurim nga një pjesë tjetër. Si ka mundësi që ne nuk arrijmë të vlerësojmë si komb vlerat e mëdha të tij, megjithë gabimet njerëzore të tij.

Në përgjithësi, Etërit e kombit tonë nuk duhet të shihen si supermen më të mëdhenj se jeta, por më tepër si qenie njerëzore me të meta por me arritje të mëdhaja për kombin. Ne mund  dhe duhet  të mësojmë pjesët e shëmtuara të historisë së kombit tonë, edhe nëse kjo i largon baballarët tanë themelues nga heronj të përsosur në qenie njerëzore të zakonshme. Le të jemi mirënjohës për të gjithë ata që sakrifikuan dhe punuan për lirinë tonë.

Filed Under: Fejton

 Një komedi tragjike e medias së kapur. Pse Arlind Qori shihte më kthjellët?

January 13, 2025 by s p

Satirë nga Rafael Floqi

Një natë e zakonshme në televizionin kombëtar shqiptar  “Klan”, ku gjithçka shitet si “debat i madh” dhe përfundon si reklamë për padronët mediatikë, u kthye papritmas në një rast të artë për komedi politike. Arlind Qori i partisë të vogël Lëvizja Bashkë, në rolin e Don Kishotit që përpiqet të luftojë mullinjtë e erës të medias të blerë shqiptare, përplasi shpirtin idealist me murin cinik të Blendi Fevziut, i cili ngjan më shumë si rojtari i portës së interesave private të Klanit të Aleksandër Frangajt sesa si moderatori i një emisionin publik “Opinion” që s’pranon asnjë opinion kundër ‘Klanit’.

Debati filloi si një përplasje mes koncepteve të qarta: Qori, i pajisur me një kosh me të vërteta të hidhura, dhe Fevziu, me një lopatë për të groposur çdo ide që ngre kokën kundër status quo-së. Kulmi erdhi kur Fevziu, i fryrë nga vetëbesimi, deklaroi se “askush nuk më thotë kë të ftoj dhe kë jo”. Në atë moment, publiku diku mes rrjetave sociale shpërtheu me të qeshura, ndërsa Arlind Qori ndoshta po mendonte: “A është ky realitet apo një skenar satirik i ‘Portokalli’-së?”

Por, në fakt, satira ishte shumë më e thellë. Fevziu, në përpjekjen e tij për t’u dukur si kampion i gazetarisë së lirë, u shndërrua në avokat të sistemit të kapur. “Media është private,” tha ai, duke harruar se edhe monopoli është privat, por kjo nuk e bën më pak problematik. Pika kulmore e humorit të zi erdhi kur Fevziu përpiqej ta mbulonte diellin me shoshë, duke e quajtur televizionin një arenë ku vlen vetëm audienca, ndërsa pronarët që marrin tendera nga shteti dhe vendosin se kush duhet të flasë, thjesht “kalonin aty rastësisht”.

Arlind Qori, i cili e dinte që po luante në një terren të minuar, nuk u tërhoq. Ai citoi Arian Çanin, që dikur e kishte pranuar publikisht se kishte marrë urdhër të mos e ftonte Qorin. Kjo, për Fevziun, nuk ishte e mjaftueshme për të pranuar që media shqiptare është më shumë një kioskë propagande, sesa një institucion informativ. Në fakt, Fevziu, me një entuziazëm që do ta bënte edhe Lali Erin të skuqej, u pozicionua si kalorësi i fundit që mbron sistemin e vetëshkatërruar.

Dhe kështu, televizioni shqiptar ‘Klan” vijon të bëjë atë që di më mirë: të bëjë sikur debaton, por në fakt reciton. Çdo protestë, çdo zë kritik, çdo denoncim zhduket nga ekranet me një shpejtësi që do t’ia kishin zili edhe magjistarët. Qori e denoncoi këtë realitet me një shembull brilant: pensionistët protestonin në rrugë, por Top Channel transmetonte kryeministrin që i sulmonte ata pa iu dhënë as një sekondë hapësirë për t’u përgjigjur.

Në këtë pikë, satira bëhet edhe vetë ekzistenca e debatit. Nuk është më vetëm një çështje personale mes Fevziut dhe Qorit, por një reflektim i groteskut të mediave shqiptare, që janë kthyer në servilë të përulur të pronarëve dhe kryepushtetarëve. Të njëjtët pronarë që ndërtojnë kulla dhe i përdorin ekranet si fasada për të mbuluar shkatërrimin që lënë pas.

Por ajo që i jep fund kësaj satire është ironia më therëse: një pjesë e të ftuarve në studio, në vend që të diskutojnë për problemin e vërtetë, i thanë Qorit: “Ç’të duhet ty? Media është private.” Kjo është si t’i thuash një pacienti: “Ç’të duhet ty që mjeku yt nuk të kuron? Ai është privat!”

Sistemi mediatik shqiptar nuk ka nevojë për më shumë debate në studio, ku çdo temë përfundon në një batutë të Fevziut dhe një buzëqeshje cinike nga ndonjë tjetër. Ka nevojë për një pastrim rrënjësor, sepse në këtë moment, mediat nuk po e shërbejnë publikun, por një grusht njerëzish që përdorin ekranin për të manipuluar realitetin.

Dhe kështu, Qori mbeti një zë i vetëm në një studio të mbushur me njerëz që, ndonëse të rrethuar nga dritat e kamerave, nuk arrijnë të shohin të vërtetën që kanë përpara syve. Por, siç thoshte dikur dikush: “Në një vend me të verbër, edhe ai që ka një sy është mbret.” Prandaj, të dashur shikues, mendoni vetë: cili nga të dy ishte ai që vërtetë po shihte qartë.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 117
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANGELA KOSTA DHE CHANEL BASHHYSA FITUESE TË ÇIMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “DIVINAMENTE DONNA” NË SENATIN E REPUBLIKËS ITALIANE
  • “TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO
  • IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR
  • Dita e Verës – Festa e lashtë e ripërtëritjes shqiptare
  • Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët
  • Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”
  • Shqipëria ka nevojë për Xhorxh Uashingtonët e saj
  • Kriza globale, nga Ukraina në Lindjen e Mesme
  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 
  • MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM
  • Ardita Statovci, pedagoge pranë “Washington Conservatory of Music”: “Muzika është gjuhë universale që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit e kulturës së vendit tënd në çdo anë të botës”
  • Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare
  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT