• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Mbyllja e TikTok-ut, heroizmi i fundit i Liderit tonë vizionar”

March 18, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi

Populli shqiptar ka fatin të jetojë në epokën e një lideri që sheh përtej të tashmes, përtej ekraneve të telefonave tanë të mjerë, dhe përtej vetë lirisë sonë së pavlerë. Kryeministri ynë i ndritur, Edi Rama, ka vendosur t’u japë fund rrëmujës digjitale duke na liruar nga skllavëria e TikTok-ut. Me një urdhër të shenjtë dhe të padiskutueshëm, ai ka dëshmuar sërish se është babai i kombit modern, një shenjtor i shekullit XXI që nuk kursen as censurën për të na shpëtuar nga vetja jonë!

Sipas qeverisë, ky vendim u mor për të mbrojtur të rinjtë nga rreziku i dhunës. Tani, pa TikTok, ata do të kalojnë më shumë kohë në aktivitete të shëndetshme si bisedat ballë për ballë, leximi i librave (që nuk ekzistojnë nëpër libraritë tona) dhe shëtitjet e qeta nëpër qytetet tona të mbushura me smog dhe nga shikimi I Big Brother apo nga podcastet e ERTV. Ah, sa mirë do të ishte sikur të ndalonim edhe telefonat fare! Imagjinoni: një Shqipëri pa rrjete sociale, ku lajmet do të shpërndahen ekskluzivisht nga zëdhënësit e qeverisë dhe televizioni kombëtar. Demokracia e vërtetë!

Ndërkohë, opozita dhe disa gazetarë kanë filluar të ulërasin për censurë, sikur e drejta për të bërë video qesharake me efekte idiote të jetë ndonjë liri themelore. Nuk e kuptojnë se ky vendim është një domosdoshmëri kombëtare, një masë e pjekur për të garantuar stabilitetin! Edhe Kina do të ishte krenare për një hap të tillë! Dhe, sigurisht, për të gjithë ata qytetarë “rebelë” që kërkojnë mënyra alternative për të hyrë në TikTok, ne kemi një mesazh të qartë: kujdes me VPN-të! Mos harroni që qeveria jonë tashmë është eksperte në kontrollin e internetit dhe në ndjekjen e të gjithë atyre që guxojnë të thyejnë rregullat e arta të mirëqenies kolektive.

Por pse të ndalemi këtu? Nëse TikTok-u është i rrezikshëm, a nuk janë edhe Facebook-u, Instagram-i dhe YouTube po aq problematikë? A nuk nxisin edhe ata shpërqendrim, përçarje dhe ndonjëherë – oh, tmerr – mendim kritik? Mbase duhet të ndalojmë krejt internetin dhe të kthehemi në ditët e lavdishme të vitit 1990, kur informacioni kontrollohej me dorë të hekurt dhe qytetarët jetonin të lumtur në padituri.

Në fund të fundit, siç ka ndodhur shpesh në historinë tonë, ne do të pranojmë çdo kufizim me qetësi e përulësi, sepse jemi mësuar. Dhe kur, një ditë, do të zgjohemi dhe të zbulojmë se edhe Google nuk funksionon më – vetëm në Shqipëri, sigurisht – do ta pranojmë me një buzëqeshje të hidhur dhe do të vazhdojmë rutinën tonë të zakonshme: duke pritur vendimin e ardhshëm brilant të udhëheqësit tonë vizionar.

Revolucioni digjital i opozitës shqiptare ka shpërthyer me një protestë epike kundër censurës më të tmerrshme që ka parë ndonjëherë vendi: ndalimi i TikTok!

Qeveria e majtë, e cila ka ndaluar gjithçka përveç propagandës së vet, vendosi me një gjest madhështor të mbyllë TikTok-un për 12 muaj, duke pretenduar se platforma “nxiste dhunën dhe bullizmin.” Në të vërtetë, thuhet se kabineti u tremb nga fakti që 12-vjeçarët mund të bënin video më bindëse se fjalimet e Edi Ramës.

Ndërkohë, opozita e drejtuar nga Sali Berisha – i cili ka një përvojë të gjatë në betejat epike kundër teknologjisë (përfshirë printerat, e-mailet dhe sistemin TIMS) – u ngrit në këmbë për të mbrojtur lirinë e fjalës… dhe të videot-eve me sfond këngësh turbofolk.

“TikTok është një e drejtë themelore! Duhet ta mbrojmë nga censura e qeverisë që frikësohet nga rinia jonë e lavdishme dhe filtrat e Snapchat-it,” tha Berisha, ndërsa qindra demokratë brohorisnin emrin e tij, duke mbajtur pankarta si “Pa TikTok, s’ka Demokraci” dhe “Korrupsioni është i keq, përveç kur e bëjmë ne.”

Ish-lideri demokrat, i cili deri vonë ka luftuar me arrestin shtëpiak dhe përçarjet brenda partisë së tij, u zotua se TikTok do të rikthehej më 12 maj – një ditë pas zgjedhjeve parlamentare. “Pse më 12? Sepse atëherë do të kemi një opozitë të re dhe do ta harrojmë këtë protestë si çdo herë tjetër,” shpjegoi ai.

Ndërsa për Amerikën Tik Toku shihet si subversionyu atë kinez në të dhënat personale të amerikanëve. pavarësisht Dhoma e Përfaqësuesve miratoi legjislacionin të mërkurën me një shumicë dërrmuese që mund të detyrojë TikTok të heqë dorë nga kontrolli i kompanisë së tij mëmë kineze ose të ndalohet. Fati i saj në Senat nuk është i qartë pasi Trum e sht. Kompania mëmë e TikTok, ByteDance, është e bazuar në Kinë dhe ligjvënësit amerikanë thonë se po ndjekin një ndalim në emër të mbrojtjes së SHBA, të dhëna nga qeveria kineze. Por ligjvënësit nuk po ndjekin legjislacion gjithëpërfshirës federal për privatësinë që do të mbronte të dhënat e amerikanëve për të gjitha aplikacionet që ata përdorini Ramës , por ky nuk është shqetësimi i Ramës pasi radiot e Pekinit shperndajnë vallë rdiosh nga Fllaka si në kohën e miqësisë së madhe.

Në anën tjetër, Edi Rama u shfaq i qetë, duke postuar një pikturë ekspresioniste të vetes me titullin “TikTok-free Albania” dhe duke deklaruar se ky ishte një hap i madh përpara në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. “Ne nuk mund të lejojmë që populli të informohet përmes videove 15-sekondëshe. Kjo është detyrë ekskluzive e televizioneve tona të pavarura dhe të lira… që unë i kontrolloj,” tha ai.

Në fund, protesta përfundoi pa incidente, përveç faktit që një numër i madh protestuesish u kapën duke regjistruar live nga TikTok, pa e kuptuar se ishte i ndaluar. Ata u liruan me kushtin që të kthehen në Facebook – ku, sipas Berishës, qëndron opozita e vërtetë.

Ndërkohë, Shqipëria vazhdon rrugëtimin e saj drejt Europës, një rrugë që do të zgjasë të paktën deri në vitin 2050… ose kur të shpiket një platformë e re sociale për t’u ndaluar

Filed Under: Fejton

Dostojevski dhe ne

March 11, 2025 by s p

Agim Baçi/

Nuk është kurrë e lehtë të flasësh për Dostojevskin, sepse je i bindur se sado që të thuash, nuk ke mundur kurrë të përshkruash aq sa duhet. Të tërën jo se jo. Eshtë nga ata emra që vjen e bashkëjeton me ty përmes tekstit të tij, duke të vërtetuar atë që ai ka parathënë. Asnjë studim serioz për letërsinë nuk do të ishte i plotë pa Dostojevskin, ndërkohë që dhjetra studiues, filozofë, socilogë, psikologë, shpjegojnë punët e tyre përmes polifonisë së pafund të personazheve të skalitura nga imagjinata dhe vëzhgimi më i skajshëm i mendjes njerëzore. Raskolnikovi i “Krim e ndëshkim”, Mishkini te “Idioti”, Stavrogini te “Djajtë”, e sidomos Aljosha e Dimitri te “Vëllzërit Karamazov” janë një oqean i pafund i vështrimeve të botës. Dhe autori nuk përpiqet të ndërtojë asnjë skemë, ku i duhet që personazhi të ketë funde të lumtura. As pretendon se do të shpëtojë njerëzimin nga e keqja me shkopin magjik. Ai këmbëngul që të njohim botën. Nuk rreket të hapë ashtu papritur dyert e pendimit as atëherë kur personazhin e tij e ka larë në lumin e keqardhjes për jetën e tij. Jo, ai është piktori e njëkohësisht telajo. Dhe, ne, spektatorë të kësaj polifonie, veçse duhet ta ndalemi për të medituar mbi atë përpjekje të tij për të dhënë gjithçka mbi aftësinë dhe paaftësinë e mendjes njerëzore.

Raskolnikovi është dilema e madhe e bashkëjetesës në binomin krim-ndëshkim. A mund të ndëshkohet gjithnjë krimi? A i zgjidh pendimi këto marrëdhënie? Mishkini vjen si një skaner i shoqërisë, një pararendës i Shvejkut, por jo me humorin e tij, por me mosvperimin e tij, më dashurinë e tij navive, duke falur të tjerë, duke e mundur të keqen me dashuri. Një dashuri që ka kuptim jo me qëndrimin e tij, por me kthimin e tij andej nga ku ishte nisur. Bota e veseve është më e ashpër në depërtim se sa ajo e virtyteve. E duket se ka më shumë rivalitet.

Ai është det i pafund pyetjesh dhe arsyetimesh, si shigjeta rrugëtimesh, për të të mësuar të ecësh vetë, pa gënjyer veten se gjithçka ndryshon, si një botë Borëbardhë. Atje tek ai, nuk ta shpëton jetën gjuetari. Atje thjesht të jepet mundësia të njohësh, të kesh përballë mashtrues, të ligj, vrasës, të cilët e kanë si një jetë sportive lig7sin7, e kanë kënaqësi t7 keqen. Dhe nuk mund të vetëmashtrohesh se bërja moral është rrugëtim me ta. Ata duhet të takohen ose me vetveten ose me ndëshkimin. Të tretët janë të tepërt.

Askush nuk mund të hyjë mes Aljoshës dhe Dimitrit. Janë ndarë si dy brigje lumi, që s’mund të bashkohen, veçse në një botë tjetër. Eshtë ligësia dhe dashuria. Dhe autori nuk përpiqet aspak të na sjellë ndonjë skenë, si në ato letërsitë skematike, ku një i mirë duhet të jetë nga një fis e një i keq nga fisi tjetër. Jo! Ata të dy janë një gjak, janë Karamazovë. Veçse, në mrekullinë e besueshmërisë së autorit, njëri fle nga Dashuria e tjetri nga Urrejtja e Smira. Janë dy “shtrate” që sjellin “ujë” krejt të ndryshëm. Ashtu i pikturon Dostojevski dy Karamazovët. Dhe gjithnjë dikush përmes Dashurisë kërkon të falë, ndërsa tjetri që nuk “dëgjon nga ai vesh” kërkon gjithnjë të rrëmbejë, e të fusë gjithçka në Mbretërinë e Vesit, aty ku ndihet gati për çdo betejë. Sepse, siç thotë diku autori, përmes Aljoshës së tij: “Nëse nuk beson në Zot, bëj ç’të duash”. Pra, gjak i njëjtë, mbiemër i njëjtë, por qëllime të ndryshme. Pikërisht qëllimi është ai që i jep emër vetes sonë, asaj që do të shijomë më pas në përditshmërinë tonë, ajo që do të shohim në thesin e madh nga koha jonë e shkurtër në këtë “dynja pa fund”.

Te Dostojevski ka parashikim, tronditje, emocion, filozofi, këshillim dhe paralajmërim. Eshtë një hartë e pafund shigjetash, deri në tronditje. Eshtë nga ata shkrimtarë që vjen e bëhet gjithnjë e më i pranishëm pas leximit, duke u vërtetuar me parashikimet e tij, në mënyrë të pashmangshme, në përditshmërinë tonë. “Ishte një ditë me fat kur dora më kapi librin e Dostojevskit”, thoshte Niçja. Një fjali që duket se e thonë shumica e atyre që ngjyjnë imagjinatën me gërmat e mbledhura dhe formatuara nga Dostojevki.

I ardhur në shqip i plotë, nga përkthimi i Jorgji Doksanit dhe botuar me kujdes nga shtëpia botuese “Uegen”, Dostojevski është sot një shans i madh për këdo që kërkon të shëtisë mbi sugjerimin e jashtëzakonshëm të botës që na vjen nga letërsia. E gjithë bota e sugjeruar prej tij është një polifoni e pafund e shpirtit njerëzor, i dilemave dhe zgjidhjeve. Duket sikur e ka patur të tërën në dorë Njeriun në Kohë. E ne, lexuesit e tij, mbetet veçse ta quajmë veten me fat që jemi ndeshur me një letërsi të tillë.

Filed Under: Fejton

Paqja e imponuar, humbje strategjike e perëndimit dhe pasojat për sigurinë globale

March 7, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Ndërprerja e ndihmës ushtarake nga Shtetet e Bashkuara për Ukrainën dhe reagimi i Kremlinit, i cili e përshëndeti këtë si një mundësi që Kievi të kërkojë paqe, sjellin një dimension të ri në dinamikën globale të sigurisë dhe drejtësisë ndërkombëtare. Me këtë lëvizje, vendet perëndimore, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, duken sikur po tërhiqen përballë Rusis, duke rrezikuar të vendosin një precedent të rrezikshëm. Nëse drejtësia ndërkombëtare ndahet në favor të më të fortit, atëherë kjo nënkupton shtypjen e të dobëtit dhe legjitimimin e agresionit si mjet për të imponuar paqen. Një skenar i tillë jo vetëm që cenon Ukrainën, por gjithashtu mbjell farën e konflikteve të ardhshme dhe e bën luftën një instrument të pranueshëm për ndryshimin e kufijve dhe dominimin e shteteve më të vogla. Shqetësues për të drejtën ndërkombëtare mbetet fakti se po standardizohet agresioni si mjet për të imponuar paqen.

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara me tërhiqjen nga mbështetja ushtarake për Ukrainën dhe shtyjnë drejtë një marrëveshje paqeje të karakterit ekonomik, duke i bërë të ditur Presidentit ukrainas, jomjaftueshëm të mençur, se armët janë zgjidhja fatale, Bashkimi Evropian po ndërmerr hapa të pakthyeshëm në drejtim të mbështetjes ushtarake për Kievin dhe forcimit të industrisë së mbrojtjes në kontinentin e vjetër.

Programi “Riarmatosja e Europës” dhe ndarja e miliarda eurove për zhvillimin e industrisë së luftës dhe furnizimin e Ukrainës me pajisje ushtarake tregojnë një përpjekje të BE-së për të mbushur boshllëkun e krijuar nga tërheqja e SHBA-së. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse vendet e BE-së do të arrijnë të mbajnë këtë angazhim pa përkeqësuar marrëdhëniet me administratën e ardhshme të Trump, e cila ka sinjalizuar qartë një ndryshim strategjik në qasjen ndaj luftës në Ukrainë dhe rolit të SHBA-së në NATO.

Në këtë pikë, një pyetje thelbësore është se çfarë roli do të marrë NATO, si garancë kryesore e sigurisë për Evropën, veçanërisht duke pasur parasysh se SHBA ka rolin kyç në aleancë. A do të rritet përgjegjësia dhe angazhimi i fuqive të tjera të NATO-s si Mbretëria e Bashkuar, Turqia dhe shtetet kryesore të BE-së për të mbajtur ekuilibrin strategjik në Evropë?

Nëse SHBA redukton rolin e saj në mbrojtjen evropiane dhe i jep prioritet marrëveshjeve bilaterale me rivalët strategjikë si Rusia, atëherë kjo do të thotë se marrëdhëniet transatlantike do të hyjnë në një epokë të re pasigurie, ku Evropa do të duhet të gjejë mekanizma të rinj për mbrojtjen e saj.

Konstatimi më i thjeshtë i kësaj situate është se Perëndimi po humb “luftën e tretë” ndaj Rusisë, në fushëbetejën e Ukrainës, duke lejuar që Moska të vendosë rregulla të reja gjeopolitike në dëm të shteteve të vogla. Një pasojë edhe më e rrezikshme është se kjo mund të imponojë rishikimin e rrethanave politike ndërkombëtare dhe statusit të shteteve të reja në proces, tashmë të konfirmuara nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë siç është rasti i Kosovës.

Kjo do të nënkuptonte se garancitë ndërkombëtare të dhëna për shtetet dhe territoret që kanë fituar njohje ndërkombëtare mund të zhvlerësohen, duke krijuar një klimë të re pasigurie dhe duke i bërë këto shtete të cenueshme ndaj presioneve të mëdha gjeopolitike.

Ky precedent do të kishte pasoja të gjera për shumë kriza të pazgjidhura në botë.

Serbia mund të ndjejë se ka hapësirë për të imponuar një zgjidhje ndaj Kosovës, apo për të avancuar projektet e saj në Federatën e Bosnjës përmes Republikës Serbe.

Po ashtu, Kina mund ta shohë këtë si një model për veprimet e saj ndaj Tajvanit, duke përshpejtuar përpjekjet për të vendosur kontroll mbi ishullin përmes një presioni të ngjashëm ushtarak dhe diplomatik.

Përveç këtyre rasteve, situata analoge mund të shfaqen në rajone të tjera të botës, ku konflikte të ngrira mund të riaktivizohen dhe të çojnë në ndryshime të imponuara të kufijve apo statusit politik të territoreve. Nëse vendimmarrja ndërkombëtare nuk garanton një strategji të qartë për të mbrojtur shtetet që ndodhen përreth Rusisë, atëherë rreziku që vende të tjera të ndajnë fatin e Ukrainës bëhet gjithnjë e më real.

Për Kosovën, ky zhvillim përbën një sfidë serioze, pasi nëse Perëndimi e pranon një “paqë të imponuar” për Ukrainën, atëherë rrezikon të bëhet presion për kompromise edhe në çështjen e Kosovës.

Serbia, e inkurajuar nga situata globale, mund të tentojë të forcojë pozitat e saj, duke kërkuar një marrëveshje që do të favorizonte interesat e saj në dëm të sovranitetit të Kosovës. Në këtë kontekst, roli i garancive ndërkombëtare dhe përfshirja e SHBA-së do të jenë kyçe për të siguruar që Kosova të mos bëhet viktimë e një skenari të ngjashëm me atë që po i imponohet Ukrainës. Kjo frikë ka dimension real pasi që kryeministri aktual i Kosovës ka mbajtur një relacion të tensionuar me administratën amerikane duke u implikuar edhe në fushaten elektorale të SHBA-ve për President.

Prandaj, dorëzimi i Perëndimit në emër të një “paqes së imponuar” nga Rusia nuk është thjesht një humbje për Ukrainën, por një rrezik i drejtpërdrejtë për të gjithë arkitekturën e sigurisë globale dhe për të gjitha shtetet që mbështeten në të drejtën ndërkombëtare për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin e tyre territorial.

Nëse një marrëveshje e tillë nuk përfshin garanci të qarta për Ukrainën dhe shtetet e tjera që ndodhen në vijën e parë të rrezikut, atëherë ajo nuk do të sjellë paqe afatgjatë, por vetëm do të përshpejtojë një epokë të re të konflikteve të ngrira dhe pasigurisë gjeopolitike.

Filed Under: Fejton

Margherita Sarrocchi dhe poema e saj për Skënderbeun

March 6, 2025 by s p


Nga Ndrek Gjini

MA, University of Galway, Ireland



Margherita Sarrocchi, (1560 – 1617), ishte një nga poetet më të shquara të Rilindjes Italiane. Ajo ka shkruar një poemë epike të titulluar “La Scanderbeide“, kushtuar figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Kjo vepër përfaqëson një moment historik në letërsinë italiane, pasi konsiderohet si poema e parë epike e shkruar nga një grua.

Vepra dhe Struktura e Saj

“La Scanderbeide” u botua fillimisht në Romë në vitin 1606, por versioni i saj i plotë doli në vitin 1623, gjashtë vjet pas vdekjes së autores. Poema është e strukturuar si vijon:

  • 23 këngë
  • 2251 oktava (strofa tetërvargshe)
  • 18,888 vargje

Vepra fokusohet në betejat e Skënderbeut kundër osmanëve pas kthimit të tij në Shqipëri dhe triumfit të tij në rrethimin e parë të Krujës në vitin 1450.

Burimet dhe Frymëzimi

Sarrocchi e bazoi poemën e saj kryesisht në burime historike të kohës. Mendohet se ajo u mbështet në veprat e Paolo Giovio dhe Andrea Gambini, të cilët kishin shkruar mbi jetën dhe luftërat e Skënderbeut.

Gjithashtu, ajo ishte ndikuar nga “Historia de vita et gestis Scanderbegi” e Marin Barletit, e botuar në 1508.

Në përmjet kësaj vepre, ajo krijoi një narrativë poetike epike, duke e paraqitur Skënderbeun si një figurë madhështore dhe mitike.

Portretizimi i Skënderbeut

Sarrocchi e përshkruan Skënderbeun si një hero epik me tipare të shquara si:

  • Njeri i urtë dhe i drejtë
  • Njeri bujar dhe trim
  • Njeri me aftësi të larta strategjike dhe ushtarake
  • Njeri me besim të fortë fetar

Ai paraqitet si një figurë që jo vetëm mbrojti Shqipërinë nga osmanët, por edhe Evropën, duke u cilësuar si “Mbrojtësi i Krishterimit” (Athleta Christi).

Kjo qasje e lidh Skënderbeun me figurat mitike dhe epike të letërsisë evropiane.

Roli i Grave në “Scanderbeide”

Një nga aspektet novatore të veprës së Sarrocchi-t është roli i fuqishëm që ajo u jep grave.

Personazhet si Rosmonda dhe Silveria janë figura të forta që sfidojnë normat tradicionale të letërsisë epike. Rosmonda udhëheq ushtritë e saj, ndërsa Silveria përfaqëson hakmarrjen dhe drejtësinë. Këto personazhe tregojnë se Sarrocchi jo vetëm sfidoi kufizimet gjinore të kohës, por edhe solli një perspektivë të re në letërsinë epike.

Ndikimi i Veprës

“La Scanderbeide” u prit me vlerësime të ndryshme në kohën e saj. Disa e panë si një arritje të madhe letrare, ndërsa të tjerët e kritikuan atë si një projekt tepër ambicioz për një grua. Pavarësisht kësaj, vepra e saj vazhdon të ketë një rëndësi të madhe si një shembull i rrallë i pjesëmarrjes së grave në letërsinë epike.

Në shekullin XXI, studimet mbi Sarrocchi-n dhe veprën e saj janë rritur. Në vitin 2006, Rinaldina Russell botoi një përkthim në prozë të “La Scanderbeide”, duke e bërë atë të qasshme për një audiencë më të gjerë. Ky përkthim ndihmoi në rizbulimin e kësaj vepre dhe në reflektimin mbi rolin e saj në letërsinë evropiane.

Scanderbeide dhe Shqipëria

Pavarësisht rëndësisë së saj, “La Scanderbeide” mbetet e panjohur për shumicën e publikut shqiptar. Kopje origjinale të saj ruhen në Bibliotekën e Shkodrës dhe në Elbasan, por nuk ekziston ende një përkthim i plotë në shqip. Kjo mungesë përkthimi përbën një humbje të madhe për trashëgiminë kulturore shqiptare, pasi vepra ofron një perspektivë të rrallë mbi mitin e Skënderbeut nga një autore italiane e shekullit XVII.

“La Scanderbeide” – një vepër që sfidoi normat e kohës

“La Scanderbeide” nuk është thjesht një poemë epike për një hero kombëtar, por një vepër që sfidoi normat e kohës dhe u bë një shembull i fuqisë intelektuale të grave.

Sarrocchi jo vetëm ngriti figurën e Skënderbeut në letërsinë evropiane, por gjithashtu hapi rrugën për autorët femra në zhanre të dominuara nga burrat. Sot, kjo vepër meriton një ri-vlerësim dhe ndofta një përkthim e ri-botim dinjitoz pasi nuk është thjeshtë një vlerësim për Skënderbeun por përbën një urë që lidh Shqipërinë me historinë letrare Italiane dhe kulturorën Evropiane.

Filed Under: Fejton

HUMORI I ISMAIL QEMALIT: “SHQIPTARËT NJERËZ ME BISHT”

March 3, 2025 by s p

Nga Evarist Beqiri*

HUMORI I ISMAIL QEMALIT: “SHQIPTARËT NJERËZ ME BISHT”

Nga Evarist Beqiri*

Ishte viti 1913, kur Vladan Georgeviç (Vladan Đorđević, 1844-1930), një politikan, diplomat dhe shkrimtar serb, kryeministër i Serbisë (1897-1900), botoi një libër të titulluar “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”. Libri i shkruar pikërisht në kohën kur Shqipëria sapo kishte shpallur pavarësinë, i shkonte përshtat propagandës shoviniste serbe. Autori shkonte deri aty sa t’i paraqiste shqiptarët sikur prejardhjen e tyre e kishin nga njerëz me bisht. Libri i tij, i shkruar në gjermanisht, u përkthye edhe në frëngjisht nga princi Aleksi Karageorgeviç.

Këto teori absurde serbe, që synonin të justifikonin zhvatjen e trojeve shqiptare, gjetën terren në qarqe intelektuale të rreshtuara në krahun sllav. Ata kërkonin që t’i paraqisnin shqiptarët para opinionit publik evropian, si të pacivilizuar dhe të paaftë për të jetuar të pavarur. Një shkrimtar francez, duke u bazuar në librin e Vladan Georgeviçit, e përsëriti këtë histori të prejardhjes së shqiptarëve nga njerëz me bisht, në librin e tij të botuar në vitin 1914.

Në vitet 1915-1918, Ismail Qemali jetonte në Paris. Ai po përgatitej për të mbrojtur të drejtat e popullit të tij në Konferencën e Paqes në Paris, që do të mbahej pas përfundimit të Luftës I Botërore. Gjatë qëndrimit të tij në Francë, pas largimit nga Italia në prill 1915, Ismail Qemali refuzoi një kërkesë të qeverisë franceze për të përfshirë territorin shqiptar në luftë. Këtë kërkesë ia paraqiti burrështetasi i shquar francez Aristid Briand, i cili shërbeu 11 herë si kryeministër i Francës. 

Në një pritje të organizuar në nder të tij në vitin 1916, francezët i kërkuan ndihmë për të përdorur territorin e Jugut të Shqipërisë si bazë logjistike për një aksion të madh të aleatëve në Luftën e Parë Botërore. Pas këtij refuzimi, Ismail Qemali u detyrua të largohej nga Franca me familjen e tij. Në maj 1918, ai u nis nga Parisi për në Barcelonë. 

Ndërkohë, qeveria italiane nuk e lejonte të kthehej në Itali ose të shkonte në Zvicër, për shkak të ndikimit të tij të konsiderueshëm në komunitetin shqiptar atje. Prandaj, ai shkoi në Spanjë, ku mund të komunikonte më lehtësisht me shqiptarët e Amerikës përmes ambasadës amerikane në Madrid, të cilët e kishin caktuar si përfaqësues të tyre në Konferencën e Paqes që pritej të mbahej në Paris.

Në atë periudhë në Paris, midis bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë shquhet edhe Nikolla Lako, i cili, me porosi të Ismail Qemalit, po përgatiste dy harta shqiptare, një etnografike dhe një politike, për t’i paraqitur në Konferencë si dëshmi për të mbrojtur të drejtat e shkelura të shqiptarëve. Patrioti i njohur, publicisti dhe eruditi korçar Nikolla Lako (1880-1962), i dha shpjegime të shumta shkrimtarit francez. Ai përgjatë një konference shkencore, jo vetëm iu kundërvu këtyre fantazive qesharake, por edhe nxori  në pah vlerat shqiptare, duke theksuar se shqiptarët “janë një popull me tradita të lashta dhe me një kulturë të pasur”. 

Ishte pikërisht kjo ngjarje që e nxiti Nikolla Lakon që të shkruante një artikull në shtypin shqiptar në gazetën “Tomorri”, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Artikulli na sjellë informacione interesante dhe një dëshmi të rrallë të qëndrimit që mbajti Ismail Qemal Vlora, ndaj propagandës serbe se “shqiptarët na paskan pasur bisht”. Kjo dëshmi është e veçantë dhe shërben për të sqaruar edhe një spekullim të përhapur, i cili e ka lidhur këtë histori edhe me personazhe të tjera…

Njëherë në Paris, pas Shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali dhe Nikolla Lako ishin ftuar në një darkë. Pjesëmarrës aty ishte edhe Frederik Gibert, autori i librit “Les pays d’Albanie et leur histoire”, botuar në Paris në vitin 1914, i cili mbështeste teorinë e “shqiptarëve me bisht”. Duke pasur parasysh studimin e tij qesharak, Ismail Qemali, të cilit sapo mbërriti aty, iu ofrua një kolltuk për t’u ulur në sallon, thotë jo pa ironi se “në Shqipëri ne i kemi me nga një krrabë kolltukët për ta varur bishtin, ju i paskeni ndryshe…”.

Sytë e të gjithë të ftuarve shkuan tek Gibert. “Mirë shovinizmi serb,” – vijoi Ismail Qemali, – “por që të çoroditen edhe francezët nga këto pallavra, kjo më duket e habitshme”. 

Darka vijoi me biseda të ndryshme rreth Shqipërisë, dhe një burrë, i dehur pak me shampanjë, i tha Ismail Qemalit për ta ngacmuar: “Me demek ju shqiptarët nuk keni bisht dhe serbët duan t’ju paraqesin me bisht?” Ismail Qemali iu përgjigj: “Jo se nuk kemi bisht fare, e kemi që të gjithë nga një copë bisht, por nuk e kemi atje ku mendojnë serbët, e kemi gjetkë”. Kjo përgjigje plot humor e Ismail Qemalit shkaktoi shumë të qeshura tek të pranishmit. 

Burri vazhdoi ta ngacmonte sërish Ismail Qemalin dhe i tha: “Kam dëgjuar se në Vlorë keni mjaltë mjaft të mirë. Kur do na çoni aty që ta provojmë?” (Vlora në atë periudhë ishte e pushtuar nga italianët.) Ismail Qemali u përgjigj aty për aty: “Gostitemi tani për tani me shampanjë, kur të jemi në Vlorë, gostitemi me mjaltë”. (Gjermanët në ato ditë kishin pushtuar krahinën franceze të Shampanjës dhe po i afroheshin Parisit…)

Ismail Qemali njihej për natyrën e tij plot humor. Eqrem Vlora dëshmon për bisedat e gjalla dhe zbavitëse të Kryetarit të Qeverisë së Përkohshme me krerët e fiseve që vinin për vizitë. Njëherë, në Bolenë, një fshat në luginën e Lumit të Vlorës, dy fise u përplasën dhe u konfrontuan me armë. Ngjarja ndodhi kur një bari i ri u rrethua nga dhjetë burra të fisit kundërshtar, të cilët synonin t’i grabisnin bagëtinë. Bariu u mbrojt me trimëri të jashtëzakonshme, duke vrarë dy nga sulmuesit, plagosur disa të tjerë dhe duke shpëtuar kështu tufën e tij.

Pleqësia e fshatit, e shqetësuar për ruajtjen e qetësisë në ato kohë të vështira, iu drejtua Ismail Qemalit për ndihmë, duke i kërkuar të caktonte gjyqtarë për të pajtuar palët. Ndërsa Ismail Qemali përmendte emrat e gjyqtarëve të mundshëm, pleqtë e ndërprisnin herë pas here, duke pyetur: “Bej, a ka dëgjuar Evropa për trimërinë e bariut tonë? Çfarë thotë ajo për këtë?”

Ismail Qemali, me mençurinë dhe humorin e tij të hollë, përpiqej t’i qetësonte, duke u përgjigjur me buzëqeshje: “Sigurisht që Evropa ka dëgjuar për këtë ngjarje dhe e lavdëron trimërinë e djalit dhe të gjithë lebërve në përgjithësi!”

Megjithatë, përfaqësuesit e fisit kundërshtar u ndien të anashkaluar. “Jo,” thanë ata, “nuk do të ketë asnjë pajtim derisa edhe ndonjëri prej nesh të bëjë diçka të madhe për të cilën të flasë Evropa!”

Humori është tregues i inteligjencës. Dhe mënyra sesi një njeri qesh është një nga treguesit më të mirë të shpirtit të tij. Për sensin e hollë të humorit të Ismail Qemalit, poeti i madh Ali Asllani sjell një tjetër dëshmi autentike të Luigj Gurakuqit, i cili ishte si një djalë i pandarë dhe adhurues i tij: “Në një gosti të dhënë për nder të Ismail Qemalit në Romë, në muhabet e sipër, Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio San Xhuliano, i thotë Ismail Qemalit se banka e parë e Shqipërisë, lipset dhe me të drejtë të themelohet nga Italia dhe Austria, për përpjekjet e tyre lidhur me Pavarësinë e Shqipërisë. Me urtësinë e tij Ismail Qemali mundohej t’ju thoshte as po as jo; dhe mbasi iu desh të shkarkohej njëherë, iu përgjigj duke thënë se një mysliman e kupton që të marrë dy gra, por nuk mundet ta kuptojë që një grua, të marrë dy burra! Kësisoj duke qeshur muhabeti mori një udhë shakaje.”

Ismail Qemal Vlora veç sensit të hollë humori, kishte aftësinë për të thënë shumë duke folur pak. Humori ishte një element i rëndësishëm i aftësisë që ai kishte për të bindur njerëzit. Ai ishte një burrë i qetë, i cili rrezatonte mirësi te njerëzit e tjerë. Pasja e sensit të humorit është shumë e rëndësishme për një lider. John F. Kennedy thoshte se: “Janë tri gjëra reale: Zoti, çmenduria njerëzore dhe e qeshura. Dy të parat shkojnë përtej të kuptuarit tonë, kështu që ne duhet të bëjmë çka të mundemi me të tretën.”. E qeshura ishte një strehë e rehatshme edhe për Abraham Linkolnin. Ai gjente tek ajo një arratisje të përkohshme nga telashet. E qeshura bën mirë si për shëndetin mendor ashtu edhe për atë fizik. Sidomos aftësia për të qeshur me defektet e tua është e domosdoshme për lidershipin.

Lidershipi i Ismail Qemal Vlorës ishte i fortë, por  jo i ashpër; ishte i sjellshëm, por jo i dobët; ishte  guximtar, por jo i trembur; ishte i matur, por jo i ngathët; ishte i përunjur, por jo i nënshtruar; ishte krenar, por jo arrogant; kishte humor, por jo përçmim…

* Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo e shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri). Falenderojmë Darling Ismail Vlorën dhe Qamil Ismail Vlorën (stërnipat e Ismail Qemal Vlorës) për vendosjen në dispozicion të materialit.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 121
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËRBALLË PROTESTAVE NË TIRANË DHE KRIZËS SË DEMOKRACISË, KUJTOJMË PROFESOR ARSHI PIPËN
  • 𝐒𝐭𝐚𝐭𝐮𝐣𝐚 𝐞 𝐏𝐞𝐫𝐚𝐧𝐝𝐨𝐫𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐃𝐮𝐫𝐫𝐞̈𝐬: 𝐀 𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐞̈ 𝐯𝐞̈𝐫𝐭𝐞𝐭 𝐍𝐞𝐫𝐨𝐧𝐢?
  • Kandidate për Këshillin e Qytetit të Mississaugës në Kanada, Mendi Kabashi: “Suksesi i çdo shqiptari është krenari për të gjithë ne”
  • Announcing our AAWO “Motrat Qiriazi” Organization: New President, Eva Milo Burnazi
  • Tre mësime që na ofron ndryshimi i kryeministrave në Mbretërinë e Bashkuar
  • Përkujtojmë sot në ditën e tij të lindjes shkrimtarin dhe poetin Martin Camaj
  • Kasëm Trebeshina, poeti kundër rrymës
  • Bardi i modernizmit në poezinë shqipe
  • Riviera Shqiptare, destinacioni i ri i investimeve në Mesdhe
  • Vepra “Shqipëria, e kaluara dhe e tashmja” si kontribut i Kostë Çekrezit për historinë e Shqipërisë e shqiptarëve
  • Albanians For America (AFA) was honored to participate on Capitol Hill for the first time as Albania’s representative within the Central and East European Coalition
  • “Dasma shkodrane”, thesari artit shqiptar, ikona e Kol Idromenos, piktura që përjetësoi në ngjyra shpirtin e qytetit
  • 20 korrik 1883, në Koriliano Kalabro doli në shtyp revista e përmuajshme politike, shoqërore, kulturore e letrare “Flamuri i Arbërit”
  • PROJEKTI I PADUKSHËM I SPASTRIMIT ETNIK NËPËRMJET INXHINIERISË SË IDENTITETIT
  • GJURMËT E SHQIPËRISË ETNIKE NË SHTYPIN EUROPIAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT