• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përsëri për Kosovën!

February 20, 2024 by s p

Monda Mara/

Këtë herë me veprimtarinë e zhvilluar në Brescia nga FNAI, mbështetur nga konsullatat tona në Milano: e Kosovës dhe Shqipërisë, dhe praninë e këshilltares së provincës Suela Plaka. Pasditja letrare – artistike kushtuar 16- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, nën drejtimin e regjizores Valbona Xibri dhe kujdesin e Petrit Aliajt, ishte një ndërthurje elementësh.

Në fillim tingujt muzikorë. Grupi “Gjurmët”, që kishin ardhur enkas nga Aleksandria, me paraqitjen e tyre na dëshmuan edhe një herë se rrënjët tona të lashta janë testamenti ynë më i mirë.

I pranishëm me librin e tij “Roli i diplomacisë së Shqipërisë në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës” dhe autori Arflet Selmani. Prezantimi, që m’u besua mua, në një material të përgatitur në bashkëpunim me prof. Ndue Shabakun, synoi dhënien e një fotografie historike për të mbërritur deri në shpalljen e pavarësisë. Duke shpresuar se biseda jonë i përmbushi pritshmëritë, dua të përgëzoj autorin për punën e zellshme dhe hulumtimin në lidhje me temën e trajtuar.

Çaste emocionuese dhuroi interpretimi i shkëlqyer i aktorit dhe regjisorit të teatrit “Skampa” Eduart Stavri Çala, të cilin patëm fatin ta kishim midis nesh. Mjeshtëria e tij, transmetoi te të pranishmit një ndjesi të veçantë dhe rrëmbeu duartrokitjet e tyre. (Në kolazh do të gjeni dhe një pjesë nga ky interpretim.)

Mbase nuk do të kishte kuptim kjo veprimtari pa rrëfimin e njërit prej ish- luftëtarëve të UÇK-së, Fasli Vehapi, që me thjeshtësi deklaroi se nuk ka bërë gjë tjetër, veç detyrës.

Më tej, si për të na dëshmuar se jemi në rrugë të mbarë, erdhi dhe interpretimi i disa poezive me motiv patriotik nga nxënëset tona, lindur në mërgim. Dhe unë mendoj se pikërisht te ky brez, që po rritet larg atdheut, gjejmë frymëzimin dhe motivin për t’i kushtuar kohën dhe rëndësinë e duhur festimeve të tilla.

Së fundmi personalisht për mua këto lloj organizimesh janë edhe një mundësi për t’u takuar me miq: të vjetër apo të rinj. Konkretisht këtë herë me veprimtaren e palodhur Nereida Xhakolli, Drita Gega Qokaj, presidenten e Shoqata Alba Calcinato Miranda Bruci, poetin Sabit B. Bajraktari, presidentin e Associazione Albanese Beselidhja Rovereto Dashamir Kertusha, Gege Tuci, Anton Mirditori, Jasin Dauti Sherif Nuredini e shumë të tjerë, me të cilët ndamë bashkë disa orë të çmuara të pasdites.

Filed Under: Fejton

SHËN VALENTIN DHE PËR POEZINË

February 15, 2024 by s p

– GJITHMONË DO TË GJENDET

DORA E NJË GRUAJE –

Nga Visar Zhiti

Të duash, jo vetëm një ditë dhe në festën e dashurisë, por gjithë jetën, çdo ditë është festa e saj.

Po poezia mos është grua, gjersa gruaja është dhe poezi?

Për këtë dashuri do më pëlqente të flisnim:

Është një poezi dashurie, që e kam njohur herët, që student, në “moshën e artë”, siç thuhet, e dua shumë dhe tani dhe e kam ndjerë si timen gjithë jetën dhe kam kaluar vështirësi dhe me atë.

Po ajo është e poetit rus Evgeni Jevtushenko, aq më keq, dhe të doje poezinë e tij atëhere, kur s’kishte as festë të Shën Valentinit, ishte me rrezik, edhe emri i tij ishte i ndaluar rreptësisht në Shqipërinë diktatoriale. Madje kur më arrestuan dhe më dënuan me 10 vjet burg për poezitë e mia, në akuzë pata dhe poezi të Jevtushenkos. Ku i kisha gjetur, pse kisha përkthyer, (vërtet kisha përkthyer nja 5-6, kur isha student…), ai ishte poet revizionist, armik, kishte shkruar kundër Enver Hoxhës, etj, etj. Dhe unë nuk tregova se poezi të atij fillimisht m’i kishte dhënë poeti Rudolf Marku, ishim miq, e doja dhe shkëmbenim poezi, edhe nga ato të rrezikshmet, kur kishte nga ata pranë nesh që lemeriseshin prej tyre. Se ua jepnim dhe të tjerëve, shokëve, i kopjonim, nuk na rrihej pa e përhapur të bukurën. Një pjesë e mirë e atyre poezive ishin përkthime të Rudolfit, më dukeshin brilante si dhe poezi të tij.

As në errësirën e burgut nuk më iku ai vezullim poezish, përkundrazi unë e shtova mynxyrshëm, shkruaja fshehurazi.

Dhe do ia thosha këto vetë Jevtushenkos, kur e takova në Romë dhe në të njëjtën ditë na pranuan si anëtarë të PEN Clubit Italian me president mikun e përbashkêt poetin Sebastiano Grasso. Jevtushenko më dëgjoi me kërshëri, i interesuar më shumë për poezinë e tij në Shqipëri se sa për burgu tonë. Do më dërgonte më vonë dhe poezi të tjera, edhe ato për Shqipërinë, me dëshirën që t’i botoja.

I kam treguar të gjitha dhe gjatë në librin tim “Si na erdhi ai, i ndaluari”,

takimet, takimet e Edës time dhe të djalit, Atjonit, me Jevtushenkon në Lugano, në Zvicër, kur unë isha në Moskë.

Atjoni student mbante për krahu poetin e shquar me famë botërore, se kishte operuar këmbën, ia kishin prerë dhe përdorte paterica dhe unë shkruaja në librin tim se çalonte ashtu “Realizmit Socialist” dhe donte të mbahej për krahu në ardhmëri etj, etj, janë në libër dhe plot poezi të tij. Ia doja ende. Mbi të gjitha atëhere

“Gjithmonë do gjendet dora e një gruaje”. Përkthimi studentor i Rudolf Markut më kishte humbur. Kur më arrestuan, më patën konfiskuar shumë fletore e blloqe me poezi, ditar e tregime. S’i kam gjetur më. Dosjen e kam marrë, por këto s’janë kurrkund. Do t’i kenë djegur, nëse s’janë vjedhur. Do Zoti dhe i boton ndonjëri…

Por edhe Shën Valentini kishte qenë i përndjekur, e kishin burgosur dhe martirizuar.

Dhe s’më hiqej nga mendja ajo poezi dashurie. E përktheva vonë, në liri, e gjeta në një botim italisht të Jevtushenkos me origjinalet në anë.

Është dhe Shën Valentini i saj, i gjithë poezisë.

EVGENI JEVTUSHENKO

* * *

Gjithmonë do të gjendet

dora e një gruaje

ashtu e freskët, gjithë butësi,

nëse ndjehesh fare pak i dashur,

si vëlla të dhuron qetësi.

Gjithmonë do të gjendet

supi i një gruaje

ku të mbështesësh

kokën aq të çthurur,

me afshe dhe mund të psherëtish

dhe t’i besosh ëndrrën më të bukur.

Gjithmonë do të gjenden

sytë e një gruaje,

ku mund të mbysësh vuajtjen tënde,

– të gjithën jo, jo të gjithën, –

që dhëmbjen ta shohin me dhëmbje,

Por është një dorë

e ëmbël ndryshe nga ëmbëlsia,

që të prek ballin e rënduar

si fati vetë, si përjetësia.

Por është një sup

aq i mistershëm sa ai i kohëve,

t’u dha përherë, jo veç një natë

dhe ti e kuptove dhe s’e kuptove.

Por ka sy

që të vështrojnë si me lutje

e janë sytë e dashurisë,

të ndërgjegjes

deri në ditën tënde të fundme.

Por ty, i keq i vetes tënde,

ai sup dhe ato duar,

ata sy të trishtë s’tu dukën të mjaftë

dhe aq shpesh i ke tradhtuar.

Por ja, vjen, si s’vjen ndëshkimi.

“Tradhtar!” – shfryn zëri i shqotës.

“Tradhtar!” – ta rrahin fytyrën degët.

“Tradhtar!” – ngrihet jehona e botës.

Vetes ç’t’i bësh, si ta ndëshkosh?

Ç’trishtim, nerva dhe tortura!

Dhe të falin vetëm ato duar të brishta,

aq rëndë të ofenduara,

dhe vetëm ato supe të lodhura

të falin tani e të falin gjithnjë

e vetëm ata sy të trishtuar

të falin atë që vetes s’ja fal më.

1961

——————————-

E përktheu Visar Zhiti

Filed Under: Fejton

Bluarje gjatë një udhëtimi me tren

February 13, 2024 by s p

Hasan Bulçari/

Ish një kohë e zezë, një ’97, ku të drejtën e “fjalës” e kishte vetëm kallashnikovi… Shqipëri ime e dashur, aktorja lakuriqe në të gjitha mediat e botës.

Të gjithë kishin frikë nga Shqipëria, nga shqiptarët. Pseudogazetarë të kategorisë Emilio Fede që për çdo lajm të zi, pasi për gazetarë të llojit të tij vetëm po të jetë i zi, mund të jetë një lajm, nuk harronin të shtonin nga pas konsideracionin personal “probabilmente albanesi”

U vra dikush, u vodh diçka, u dogj, u poq, u shkatarrua a u shkerrmoq… “ka shumë mundësi të kenë qenë shqiptarë”.

U bë aq e modës saqë edhe kur Erika me të dashurin e saj Omar, vranë me thikë nënën e vëllanë e saj, e kishin menduar se po të thonin që u sulmuan nga disa hajdutë vrasës nga “Europa dell’est”, “duhet të kenë qenë shqiptarë”(deponimi i tyre), që do të ishin aq të besueshëm sa me siguri do t’i shpëtonin burgut…

Ishte kjo kohë pra, kur ansambli ynë i këngëve dhe valleve do të merrte pjesë në një takim ndërkombëtar në Korsikë të Francës… dhe pamangësisht edhe gazetarë që nuk kursenin shkrepjet e aparateve të tyre për “divat” e grupeve të tjera, ndërsa të veçuar, atje në hije, ishte ai grupi “i lebrozëve”, i të njëmijë të zezave, ai i shqiptarëve… por nuk dinin se në atë grup ishte një diamant, një perlë, një dive e vërtetë me emrin Irini Qirjako, nuk dinin që nëpërmjet zërit të saj do të gjëmonin sa do të tundnin, zgjonin grupet e tjera, gazetarë, TV madje edhe jurinë e takimit, fjalët mjaltë të Lefter Çipës “këngët e atdheut tim, janë ilaç, janë more shërim”…

Pastaj… pastaj ndryshoi gjithçka. Të gjithë kameramanët të zënë me shqiptarët. Kush e kush të “vidhte” sa më shumë foto me shqiptarët… Grupet e tjera në rradhë që të takoheshin, pergezoheshin me shqiptarët…

Në një tjetër atmosferë u takuan për dy ditë në Bari të Italisë ata që mjaft bukur, me mjaft kujdes e kanë ruajtur dhe aq pastër e sollën fjalën shqipe, gazetarët, sëbashku me ata që i japin shpirt fjalës shqipe, poetët… Por me një mendim e qëllim mjaft fisnik i ishte bashkuar edhe Misioni për vazhdimësi i gjuhës shqipe.

Kam krenarinë të them se organizatorët e ketij takimi të 16° ishin nga qyteti i dijes, i arsimit, artit e kulturës, Elbasani, qyteti im.

Faleminderit Unioni i gazetarëve shqiptarë, Misioni për Kujtesë e Vazhdimësi, Rest Egnatia, Elona Agolli, Aleksandër Çipa, Blendi Gremi, Xhimi Vila, Iliriana Sulkuqi, Flora Brovina, Shqipe Bytyçi, Iliaz Bobaj , Hasan Aliaj, Mimoza Leskaj, Besim Dybeli, Frrok Çupi…

Dhe u ktheva përsëri te emocionet e Korsikës… kur Elona Agolli, e bija e poetit tonë të madh Dritëro Agolli, i dha çmimin ndërkombëtar “Dritëro Agolli” ligjëruesit që aq bukur, rrjedhshëm, pastër, plot muzikalitet e solli fjalën shqipe, kryetarit të Unionit të Gazetarëve shqiptarë, djalit të fjalemjaltit… Aleksander Lefter Çipa.

Mbas asaj që ndodhi, mbas atyre që u thanë, mbas asaj që u bë, mbas fjalës shqipe shkruar e recituar aq bukur nga goja e Legjendës Flora Brovina, fjala e sjellë nga “Rrënjët” e Hasan Aliajt, fjala këngë e Shqipe Bytyçit, fjala plot humor e Besim Dybelit e Frrok Çupit, fjala kumbuese e Iliaz Bobajt,… mund të them me besë e shpresë, me krenari se Fjala e Atdheut tim, është ilaç, është more shërim!

…

Tani fjalën e kanë ata, profesionistet e fjalës: Gazetarët.

…

C@ne 12/02/24

Filed Under: Fejton

Vatra në Boston do festojë 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

February 5, 2024 by s p

VATRA në Boston, fton gjithë shqiptarët të festojmë 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës 🇽🇰🇦🇱🇺🇸

Hajdeni të festojmë së bashku në një mbrëmje familjare me 18 Shkurt 2024 (dielën) nga ora 8:00pm-1:00am me Gëzim Nikën dhe Griselda Pepën🇽🇰🇦🇱🇺🇸

Për çdo person bileta është 100 dollarë me darkën e përfshirë 🇽🇰🇦🇱🇺🇸

Për anëtarët e VATRËS, pagesa është 80 dollarë, me darkën e përfshirë 🇽🇰🇦🇱🇺🇸

Fëmijët deri 12 vjeç NUK PAGUAJNË🇽🇰🇦🇱🇺🇸

Pagesat mund ti bëni online te linku këtu:

https://www.zeffy.com/…/d1439098-3584-4665-b9ba…
🇺🇸
🇦🇱
🇽🇰

Për detaje të tjera kontaktoni këto numra:

617-276-7181 ose 781-989-0767

Mos e humbisni këtë mbrëmje madhështore 🇺🇸🇦🇱🇽🇰

Filed Under: Fejton

A mund të ndryshojmë Shqipërinë pa ndryshuar mendjen tonë?

February 1, 2024 by s p

Artan Nati/

Përpara se John Lennon të imagjinonte “të jetuarit e jetës në paqe”, ai sugjeroi “nuk ka parajsë … / asnjë ferr poshtë nesh … / dhe as fe.” Pa fe: Çfarë po këndonte Lennon? Si fillim, një botë pa lajmëtarë “hyjnorë”, duke ndezur dhunë, apo Putin si mbrojtës i ortodoksisë duke hapur luftë ose Trump si mbrojtës i protestantizmit duke mohuar kulturat e tjera etj. Një botë ku gabimet, si humbja e mundshme e jetës nga tërmeti apo aksidentet, do të korrigjoheshin në vend që të perceptoheshin sipas “vullnetit të Zotit”. Një botë ku politikanët nuk konkurrojnë më për të provuar se kush beson më fort në të paarsyeshmen dhe të paqëndrueshmen. Aty ku mendimi kritik është një ideal. Me pak fjalë, një botë që ka kuptim.

Vitet e fundit, shkencëtarët e specializuar në psikologji kanë filluar të zbulojnë “ADN”-në e fesë. Ata kanë prodhuar teori të forta, të mbështetura nga prova empirike (përfshirë studimet “imazherike” të trurit në punë), që mbështesin përfundimin se ishin njerëzit ata që krijuan Zotin dhe jo anasjelltas. Dhe sa më mirë ta kuptojmë shkencën, aq më afër mund t’i afrohemi paqes “pa parajsë … pa ferr … dhe pa fe gjithashtu.”

Individët ua atribuojnë krijesave fiktive cilësitë ose ndjenjat e tyre të papranueshme. Kur diskutohet për konceptin e Zotit, njerëzit mund të projektojnë frikën, shpresat dhe pritjet e tyre mbi entitetin hyjnor si një mënyrë për të përballuar pasigurinë ose për të kuptuar të panjohurën.

Skllavëria ndaj një perëndie mund të rrjedhë nga dëshira për kontroll dhe siguri. Duke ia atribuar fuqinë dhe lirinë e zgjedhjes një qenieje hyjnore, individët mund të kërkojnë siguri dhe mbrojtje nga pasiguritë e jetës. Kjo mund të çojë në dorëzimin e autonomisë personale dhe vendimmarrjes ndaj vullnetit të hyjnisë.

Ky është problemi ynë. Historikisht, gjërat më të tmerrshme si lufta, gjenocidi dhe skllavëria nuk kanë ardhur nga mosbindja, por nga bindja. Protesta përtej ligjit nuk është largim nga demokracia; është absolutisht thelbësore për të. Besimet dominante fetare në Shqipëi, myslimanizmi ortodoksia dhe katolicizmi, nën pushtimin turk nuk patën mundësi të reformoheshin siç ndodhi në Europë me rilindjen europiane dhe lëvizjen protestantiste të shekullit të 16-të. Në vendin tonë, si edhe vendet e tjera nën pushtimin otoman, fenomenet shpjegoheshin si vullnet i zotit ose magjisë dhe e vetmja mënyrë që njerëzit besonin dhe praktikonin ishte besimi total ndaj zotit dhe autoritetit hierarkik fetar. Kjo formë hierarkike u praktikua në familjen e zgjeruar patriarkale apo edhe në familjen bazë, ku figura e babait ishte e plotëfuqishme dhe e padiskutueshme. Kjo formë është praktikuar edhe sot në organizimin shtetëror apo partiak si edhe qelizat më të vogla të shoqërisë.

Ka vetëm një yll në galaksinë e shtetit shqiptar dhe ai është kryeministri i rradhës. Evolucioni i liderëve tanë në një figurë të ngjashme me Jezusin apo Muhamedin për socialistët, apo edhe për opozitarët fillon menjëherë pasi ata vendosen apo zgjidhen si kryeministër, kryetar partie, kryebashkiak apo edhe deputet. Sapo marrin pushtetin ata kurorëzohen si të shenjtë dhe të plotëfuqishëm ne pjesën më të madhe të vendit dhe si djall për pjesën tjetër.

Disa nga ndjekësit e krishterë apo myslimanë ose ateist të tyre duket se janë bindur për të parë ata si një lloj figure fetare. Ata janë shpëtimtarë në mendjen e tyre. Mendoj se fillon me ndjenjën se ata janë angazhuar në mënyrë unike për t’i shpëtuar ata nga armiqtë e tyre dhe për të shpëtuar Shqipërinë nga gjithçka që e kërcënon atë. Ata ndonjëherë shihen edhe si udhëheqës të bekuar e të dërguar nga Perëndia. “Të bekuar” këtu do të thotë të veçuar dhe të pajisur veçanërisht nga Perëndia për një detyrë të shenjtë. Akuzat e shumta kundër tyre shërbejnë për të forcuar besimin e shumë ungjillorëve për lidhjet e tyre me Zotin.

A i krijuam ne liderët tanë, apo ata krijuan partitë, qeverinë dhe shtetin tonë? Mendoj se kjo është një nga çështjet kryesore në thelb të diskutimit të funksionimit të demokracisë dhe funksionimit të shtetit tonë. “Fuqia e Mujit”, si pjesë themelore e mitologjisë shqiptare, jep përgjigjen më të saktë. Zanat, tek të cilat populli ynë projektonte frikën, shpresat dhe pritjet e tij si një mënyrë për të përballuar pasigurinë ose për të kuptuar të panjohurën, vendosin ti japin qumësht Mujit për ti dhënë fuqi në mënyrë që ai të mbrojë vendin e tij dhe të ndihmojë dhe mbrojë popullin e tij. Ato nuk i japin shumë fuqi sepse mendojnë se ai mund të bëhej shumë i fuqishëm dhe mund të shkatërronte gjithë botën dhe vetë zanat e malit. Përse ne bëjmë të kundërtën e Zanave dhe u japim më shumë pushtet (qumësht) pushtetarëve tanë, drejtuesëve të partive si edhe kryeministrit ? Përse ne ankohemi se ata tradhëtuan besimin tonë dhe janë të korruptuar, autokrat dhe burimi i fatkeqësive tona? Ndoshta duhet të hedhim vështrimin në kulturën tonë, në formën hierarkike të funksionimit të shoqërisë sonë, të familjeve tona dhe të bëhemi të ndërgjegshëm për defektet tona. Le të hedhim vështrimin në zgjuarsinë e popullit tonë dhe ashtu si edhe Zanat të mendojmë ti japim pushtet të kufizuar pushtetarëve, kryeministrit e drejtuesëve të partive dhe ti shikojmë ata si shërbëtorët tanë dhe jo si figura hyjnore.

May be an image of 1 person

See Insights and Ads

Create Ad

All reactions:

66

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 115
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT