• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nga stuhia e përçarjes drejt heshtjes së urtësisë politike

October 22, 2025 by s p

Çdo vonesë ose mosveprim do të thotë dhënie e një avantazhi të papërballueshëm për ata që synojnë të destabilizojnë vendin dhe rajonin. Çdo dështim për të ruajtur unitetin shqiptar nuk është thjesht humbje politike; është rrezik për stabilitetin e të gjithë rajonit. Një Maqedoni e destabilizuar mund të shërbejë si katalizator për tensione të reja në Kosovë dhe Bosnjë, duke i hapur rrugë ndërhyrjes së forcave rajonale dhe globale që synojnë të dobësojnë pozitën shqiptare dhe orientimin evropian.

Nga Prof. dr. Skënder ASANI

Në historinë e çdo kombi ekzistojnë çaste që nuk mund të injorohen, çaste që nuk i përkasin kohës së zakonshme, që nuk presin indiferencë dhe që nuk tolerojnë as frikë, as kalkulim. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ndodhen sot pikërisht në një prej këtyre çasteve. Nuk është çështje numrash apo pushteti të përkohshëm; është çështje bashkimi, vizioni të përbashkët dhe vendosmërie për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtën për përfaqësim të barabartë në shtetin që ata vetë kanë ndihmuar ta ndërtojnë.

Ky nuk është thjesht një apel për reflektim; është alarm. Përçarja, indiferenca ose heshtja e gabuar do të ishin dorëzim përballë një procesi të qartë dhe të mirëmenduar për dobësimin e pozitës kushtetuese të shqiptarëve. Ky proces ka pasqyra të qarta dhe ka nisur me faza të planifikuara mirë, që synojnë devijimin e kauzës shqiptare drejt përfitimeve personale apo ndikimeve të huaja. Historia ka treguar qartë: kombet që humbin unitetin, humbin edhe të ardhmen dhe shqiptarët nuk mund ta lejojnë këtë.

Javët e fushatës parazgjedhore ishin një stinë e vërtetë tensioni. Retorika e kryeministrit Mickovski ndërtoi dy shtylla strategjike: nga njëra anë, përpiqej të grabiste çështjen shqiptare dhe të deformonte rolin kushtetues të shqiptarëve; nga ana tjetër, punonte për të fragmentuar partitë politike shqiptare, duke i shndërruar ato në instrumente manipulimi dhe duke neutralizuar çdo zë që mund të kundërshtonte propagandën e pushtetit.

Synimi ishte i qartë: shqiptarët të shfaqeshin si fajtorë për çdo destabilizim të mundshëm në Maqedoni, të shtyheshin drejt radikalizmit dhe të bllokoheshin përballë çdo përpjekjeje për orientim evropian të vendit. Kjo strategji nuk ishte thjesht politikë lokale; ajo kishte pasqyra rajonale dhe ndërkombëtare, duke synuar hapjen e rrugës për ndikimin e Serbisë në Kosovë dhe Bosnjë, e duke kërcënuar stabilitetin e të gjithë rajonit.

Në çdo qytet dhe fshat, shqiptarët përballeshin me fushata agresive, me mesazhe që tentonin të thyenin unitetin dhe të nxirrnin përçarje të brendshme. Por përtej tensionit dhe fjalëve të zjarrta, shumica e qytetarëve shqiptarë qëndruan të qetë, duke kuptuar se beteja nuk është për një ditë apo për një votë të veçantë, por për të ardhmen e brezave.

Projekti i përgatitur me kujdes, që kishte për synim krijimin e një narrative përplasjeje gjatë ditës së zgjedhjeve lokale, dështoi në mënyrën më domethënëse të mundshme. Në vend të tensionit të parashikuar, dita e zgjedhjeve u shndërrua në një manifestim të pjekurisë politike shqiptare, ku qytetari shqiptar, me një vetëdije të rrallë historike, zgjodhi rrugën e qetësisë dhe të arsyes. Aty ku pritej provokimi, mbizotëroi maturia; aty ku pritej reagimi instinktiv, triumfoi reflektimi demokratik. Shqiptarët, si asnjëherë më parë, dëshmuan se dinë të administrojnë procesin politik me standarde që kujtojnë demokracitë skandinave, duke e kthyer heshtjen në armën më të fuqishme kundër manipulimit. Kjo heshtje nuk ishte mungesë zëri, por shenjë autoriteti një mesazh se legjitimiteti nuk buron nga zhurma, por nga dinjiteti. Në këtë mënyrë, shqiptarët dëshmuan se janë jo vetëm faktor shtetformues, por edhe garantë të rendit politik, duke treguar se projektet e përplasjes mund të hartohen, por nuk mund të triumfojnë përballë vetëdijes së pjekur kombëtare.

Rezultatet e rundit të parë të zgjedhjeve kanë shërbyer si pasqyrë e qartë e nevojës urgjente për një unitet të ri strategjik brenda spektrit politik shqiptar. Ato nuk janë vetëm shifra elektorale, por tregues i një gjendjeje që kërkon ndërgjegjësim kombëtar dhe përgjegjësi historike. Shqiptarët duhet ta lexojnë këtë sinjal jo si dështim të përkohshëm, por si thirrje për bashkim rreth një platforme gjithëpërfshirëse, që do të hartojë qartë orientimet e përbashkëta për mbrojtjen e pozitës së shtetformësisë shqiptare dhe për zhbllokimin e proceseve eurointegruese të vendit. Vetëm një strategji e tillë, e bazuar në konsensus, vizion dhe veprim të përbashkët, mund ta rikthejë subjektin politik shqiptar në rolin e tij historik si faktor vendimtar i stabilitetit dhe i orientimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Çdo hezitim, çdo ndarje apo përpjekje për përfitime të ngushta do të thotë zbehje e fuqisë kombëtare, ndërsa çdo hap drejt unitetit do të jetë hap drejt konsolidimit të shtetformësisë dhe drejt të ardhmes evropiane të shqiptarëve.

Në këtë kohë, shqiptarët kanë treguar se fuqia nuk matet me zhurmë, por me durim, vendosmëri dhe vizion. Kohezioni i tyre është arma dhe mburoja më e fuqishme për të mbrojtur pozitën kushtetuese dhe orientimin evropian të vendit. Pa unitet, shqiptarët do të mbeten objekt manipulimi dhe nuk do të mund të parandalojnë destabilizimet e jashtme që synojnë të minojnë drejtimin evropian të Maqedonisë dhe të hapin rrugë ndikimeve të huaja në rajon.

Diaspora shqiptare luan një rol kyç në këtë proces. Ajo nuk është thjesht kujtesë historike; është forcë diplomatike dhe politike aktive, që mund të mobilizohet për të mbështetur unitetin dhe për të garantuar respektimin e legjitimitetit shqiptar. Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë promotorë të këtij uniteti, duke mbështetur subjektin politik shqiptar në detyrën historike për të kthyer Maqedoninë në kursin evropian dhe për të avancuar shtetformësinë shqiptare. Çdo ndarje e brendshme, çdo ambicie personale dhe çdo mungesë vizioni është goditje ndaj flamurit shqiptar dhe identitetit kombëtar. Vetëm përmes bashkimit dhe vendosmërisë morale mund të ndërtohet një front i palëkundur që mbron interesin e përbashkët dhe e kthen sfidën në mundësi historike.

Veprimet konkrete paszgjedhore janë të qarta: formimi i një platforme të unifikuar të forcave shqiptare, që i japin zë dhe forcë kohezionit; dialog i hapur dhe koordinim me diasporën, për të mobilizuar fuqinë diplomatike dhe institucionale në mbështetje të kauzës shqiptare; monitorim i vazhdueshëm i çdo rreziku rajonal dhe kundërshtim i çdo përpjekjeje për destabilizim; promovim i unitetit politik dhe vizionit evropian në bashkëpunim me Kosovën dhe Shqipërinë, duke krijuar një rrjet solidariteti që mbështet orientimin evropian të Maqedonisë dhe ruan shtetformësinë shqiptare.

Çdo vonesë ose mosveprim do të thotë dhënie e një avantazhi të papërballueshëm për ata që synojnë të destabilizojnë vendin dhe rajonin. Çdo dështim për të ruajtur unitetin shqiptar nuk është thjesht humbje politike; është rrezik për stabilitetin e të gjithë rajonit. Një Maqedoni e destabilizuar mund të shërbejë si katalizator për tensione të reja në Kosovë dhe Bosnjë, duke i hapur rrugë ndërhyrjes së forcave rajonale dhe globale që synojnë të dobësojnë pozitën shqiptare dhe orientimin evropian.

Heshtja e shqiptarëve nuk është dobësi; ajo është flamur dhe ligj i autoritetit të vërtetë. Legjitimiteti nuk matet me fjalë të larta, por me besimin dhe durimin që ndërtohet në qetësi. Ata që e kuptojnë fuqinë e heshtjes dhe artin e bashkimit do të udhëheqin të ardhmen; ata që jo, do të mbeten peng i zhurmës dhe i iluzioneve të përkohshme.

Historia nuk pret. Kombi nuk pret. Bashkimi, vizioni dhe përgjegjësia janë armët më të fuqishme. Ky është çasti i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për të treguar se dinjiteti nuk kërkohet, por fitohet; se uniteti nuk imponohet, por ndërtohet; dhe se shtetformësia nuk është dhuratë, por përkushtim. Nga kjo heshtje e fuqishme duhet të lindë një rend i ri politik mbi besim, vizion dhe unitet jo mbi frikë, iluzion ose zhurmë.

Ky është çasti historik për të ruajtur pozicionin kushtetues dhe për të kthyer Maqedoninë në kursin evropian, duke e forcuar shtetformësinë shqiptare për brezat e ardhshëm.

Në këtë moment të ndjeshëm historik, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut qëndrojnë në kryqëzimin mes stuhisë së përçarjes dhe heshtjes së urtësisë politike. Çdo veprim, çdo vendim dhe çdo heshtje kanë pasoja të drejtpërdrejta për të ardhmen e tyre dhe për stabilitetin e të gjithë rajonit. Bashkimi i qëndrueshëm, vendosmëria morale dhe vizioni i përbashkët nuk janë thjesht ideale; ato janë armët dhe mburojat që mund të shpëtojnë kauzën shqiptare nga manipulimet, destabilizimet dhe ndikimet e huaja. Historia nuk do të falë asnjë gabim, dhe brezat e ardhshëm do të gjykojnë mbi veprimet e këtij brezi. Prandaj, shqiptarët duhet ta shndërrojnë heshtjen në forcë, unitetin në strategji dhe përkushtimin në veprim të vendosur, duke siguruar që Maqedonia e Veriut të mbetet në rrugën e saj evropiane dhe që shtetformësia shqiptare të konsolidohet për të ardhmen. Ky është amaneti dhe detyra jonë historike.

Filed Under: Fejton

Kush është fajtori i vërtetë i vrasjes së gjyqtarit Kalaja?

October 11, 2025 by s p

Opinion nga Rafael Floqi/

Tragjedia në sallën e gjyqit nuk është rastësi. Është pasojë e një drejtësie që për tridhjetë vjet ka dështuar të kthejë pronën, besimin dhe dinjitetin qytetar.

Vrasja e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, në mes të një seance gjyqësore, është një akt i paprecedent që tronditi opinionin publik. Një ngjarje e tillë është e pajustifikueshme dhe përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj vetë themeleve të shtetit ligjor. Por përtej armës dhe atentatorit, përtej emocioneve dhe tronditjes, qëndron një pyetje thelbësore: si arritëm deri këtu?

Përgjigjja, sado e dhimbshme të jetë, nuk qëndron vetëm te individi që shtypi këmbëzën. Fajtori i vërtetë është sistemi — një drejtësi e kalbur, një shtet që ka braktisur qytetarin, një mekanizëm që prej tridhjetë vjetësh tallet me pronën dhe shpresën e njerëzve.

Plumbi që vrau një njeri, por zbuloi plagën e drejtësisë

Autori i krimit, Elvis Shkambi, është një vrasës dhe duhet të përgjigjet për aktin e tij. Nuk ka vend për glorifikim të aktit të tij. Por ai është edhe produkti i një sistemi që e ka shtyrë qytetarin shqiptar drejt dëshpërimit ekstrem.

Familja e tij, si shumë të tjera, kishte dekada që kërkonte kthimin e pronës së vet të uzurpuar — një ish-shkollë në Shkodër, për të cilën kishte vendime gjyqësore, por që nuk zbatoheshin. Dokumentet humbnin, dosjet zhdukeshin, proceset riktheheshin në shkallë të parë, ndërsa zyrtarët gjyqësorë flisnin për “harresa pa dashje”.

Ky nuk është një rast i izoluar, por simboli i një drejtësie që ka humbur busullën morale. Më kot fajësohet sistemi i sigurisë dhe shfajësohen ministrat e Ramës Një sistem që në vend të zgjidhjes, prodhon sorrollatje; në vend të ligjit, ofron burokraci; në vend të drejtësisë, ofron vonesë.

Në një vend normal, drejtësia është strehë. Në Shqipëri, ajo është kthyer në një rrugë pa dalje, ku qytetari endet për vite derisa shpresa i shterohet.

Tridhjetë vjet mashtrim me pronën

Që nga rënia e komunizmit, çështja e pronave ka qenë plagë e hapur në trupin e shtetit shqiptar. Në vend që të bëhej një akt drejtësie dhe rehabilitimi moral për viktimat e konfiskimeve të diktaturës, ajo është kthyer në burimin më të madh të korrupsionit dhe konfliktit social.

Ligjet janë ndryshuar më shumë se dhjetë herë. Komisionet janë ngritur, shkrirë e ringritur pa fund. Në çdo qeveri, në çdo ministri, prona është përdorur si mjet politik dhe si monedhë pazari për klientelën dhe ndërtuesit.

Ndërkohë, pronarët e ligjshëm, ata që mbajnë në dorë dokumente të rregullta dhe vendime gjyqësore, vazhdojnë të sorrollaten nëpër dyer gjykatash, ku çdo “vonesë procedurale” është një formë e re grabitjeje.

Sistemi i kthimit të pronave nuk është më një mekanizëm administrativ — është fabrika më e madhe e padrejtësisë në Shqipëri. Ai ka prodhuar një kastë përfituesish, që pasurohen duke luajtur me fatin e qytetarëve, me letra, me “gabime teknike”, me vendime që kthehen në origjinë.

Në vend që të kthente pronën, shteti ka kthyer padrejtësinë në normë.

Kur shteti të merr shpresën, dhuna nuk është vetëm krim — është simptomë

Askush nuk mund të justifikojë dhunën, por është po aq e rrezikshme të injorosh arsyet që çojnë tek ajo. Kur një familje endet 20 vjet nëpër gjykata për një copë prone që ia kanë njohur me vendim, por nuk ia zbatojnë dot; kur sheh se prona e tij jepet me qira nga të tjerë që mbrohen nga indiferenca e institucioneve — atëherë diçka më e thellë se ligji është thyer: besimi.

Prokurori i Përgjithshëm i vendit, Olsian Çela, tha: “Përtej humbjes tronditëse të një jete dhe plagosjes së dy të tjerëve, ky ngjarje godet në vetë themelin e drejtësisë dhe funksionimin e sistemit ligjor.”

Gjyqtari Kalaja ishte avokat për më shumë se 30 vjet. Ai fillimisht punoi në një gjykatë rrethi përpara se të emërohej në Gjykatën e Apelit të Tiranës në vitin 2019.

Dhe kur humbet besimi te drejtësia, mbetet vetëm dëshpërimi. Pikërisht ky është dështimi më i madh i shtetit shqiptar: jo që nuk arrin të mbrojë jetën, por që nuk arrin të mbrojë ndjenjën e drejtësisë.

Në atë moment, çdo vendim gjyqësor bëhet një letër pa vlerë dhe çdo institucion një fasadë që nuk garanton asgjë.

Një drejtësi që vonon, humbet dhe mbron padrejtësinë

Nëse ka një institucion që ka prodhuar më shumë zhgënjim se çdo tjetër, ai është drejtësia civile shqiptare. Proceset zvarriten me vite, vendimet kthehen nga Apeli në Shkallën e Parë, dosjet humbasin, përmbarimet nuk veprojnë.

Ndërkohë, reforma në drejtësi merret me pasuritë e gjyqtarëve, por jo me pasuritë që u janë mohuar qytetarëve. SPAK heton korrupsionin politik, por jo korrupsionin e përditshëm që zhduk dosje, vonon ekzekutime dhe i shet pronat nën dorë.

Kjo është drejtësia që e vret ngadalë qytetarin shqiptar — jo me armë, por me afate, me harresa, me premtime që nuk mbahen.

Në këtë sistem, pronari i ligjshëm është gjithmonë fajtor pse kërkon të drejtën, ndërsa uzurpatori mbrohet nga procedura, nga lidhjet dhe nga koha.

Fajtori i vërtetë – shteti që tallet me drejtësinë

Sot, një gjyqtar është i vrarë, një njeri do të dënohet si kriminel, dhe një familje do të mbetet përgjithmonë e shkatërruar. Por në prapaskenë, fajtori i vërtetë vazhdon të jetë i lirë: shteti që nuk mban përgjegjësi.

Shteti që i lejon zyrtarët të “harrojnë” procesverbale, që e vonon ekzekutimin e vendimeve, që e trajton pronën si mall pazari elektoral.

Shteti që ka mbyllur çdo derë të drejtësisë për qytetarin e zakonshëm, duke e detyruar të zgjedhë midis heshtjes dhe revoltës.

Nëse duam që ngjarje si kjo të mos përsëriten, duhet të shohim në pasqyrë dhe të pranojmë se drejtësia shqiptare është në kolaps moral. Nuk mjafton Vettingu, nuk mjaftojnë deklaratat për “reformë të suksesshme”. Derisa një qytetar të mund të gjejë të drejtën e tij pa u përballur me korrupsionin, vonesat dhe indiferencën, shteti do të mbetet bashkëfajtor në çdo tragjedi që ndodh.

Epilog: kur drejtësia vonon, drejtësia vret

Astrit Kalaja u vra në sallën e gjyqit. Por drejtësia shqiptare po vritet çdo ditë në zyrat ku dosjet humbasin, në vendimet që zvarriten, në proceset që nuk përfundojnë kurrë.

Tragjedia e Tiranës është thirrja më e fortë që ky vend duhet të dëgjojë: pa drejtësi për pronën, nuk ka paqe për shoqërinë.  Dhe ata njerëz që hapën një llogari Go Fund Me për vrasësin, nuk e hapën pse e  mbështesin  vrasjen , por sepse në Shqipëri, vrasësi i vërtetë, nuk është vetëm ai që shkrehu armën — por sistemi që ia mori shpresën.

Filed Under: Fejton

LIDHJA E PERANDORISË PARTHIANËVE ME FISIN ILIR TË PARTHINËVE

October 9, 2025 by s p

DR. ALBERT KURTI/

Nëse do të vështrojmë hartën e periudhës së Antikitetit, konkretisht hartën e Ilirisë dhe hartën e Azisë Perëndimore do të konstatojmë diçka interesante, që ka të përbashkët termin Parthi. Parthini (Parthians) në gadishullin e Ballkanit ishte një nga fiset ilire që shtrihej në jug të Ilirisë. Historianët e antikitetit si Polibi dhe Pini Plaku i përmendin Parthinët në listat e fiseve ilire. Parthian (Parthia) në Azinë Perëndimore përfaqësonte organizëm shtetëror, që u shndërrua në një perandori të madhe. Parthia shtrihej në rajonin modern të Khorasanit në Iran. Perandoria pati jetëgjatësi 471 vite: 247 para lindjes së Krishtit – 224 pas lindjes së Krishtit {1}. Sundimtari i parë dhe njëkohëshisht edhe themeluesi i perandorisë Parthiane ishte Arsaku I. Ai kishte qenë guvernator nën Diodotin, mbretin e grekëve baktrianë. Ai sundoi rreth viteve 250 (247) deri 211 para erës sonë (para lindjes së krishtit) {2). Perandori Parthiane kishte shtrirje nga deti Mesdhe në perëndim deri në Indi në lindje.

Fisi ilir i Parthinëve shtrihej në Shqipërinë e Mesme dhe Myzeqe. Në shumë studime parthinët përmenden pak ose apak. Ky fis ishte organizuar në formë fisnore me ndikim të hershëm në qytetërim. Parthinët shquheshin për aftësinë e tyre për të bërë tregti dhe përfshirje në beteja në luftra të ndryshme të kohës. Zonat që kontrollonin parthinët kishin rëndësi të madhe strategjike dhe ekonomike, ku përmenden: zotërimin e Durrahut një nga portet më të rëndësishme ilire; pellgun e lumit Shkumbin; fushën e Myzeqesë.

Fiset ilire, ku përfshiheshin edhe Parthinët kishin aftësi të mira ushtarake, duke tërhequr edhe vëmendjen e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, strategut më të shquar të Antikitetit. Aleksandri përpara se të niste pushtimet drejt lindjes bëri pjesë në ushtrinë e tij edhe luftëtar nga fiset ilire, ku nuk mungonin as parthinët.

Aleksandri i Madh lindi në Pella, kryeqytetin e lashtë të Maqedonisë në korrik të vitit 356 {3}. Prindërit e tij ishin Filipi II i Maqedonisë dhe Olimpia (nga Epiri). Pas vrasjes së të atit të tij 336 p.e.s. (para lindjes së Krishtit) Aleksandri mori në dorë mbretërinë e Maqedonisë. Brenda 5 vitëve ai nënshtroi perandorinë Perse, duke u shpallur mbreti i madh i Persisë në moshën 25 vjeç {3}. Aleksandri i Madh vdiq në moshën 33 vjeçare (në vitin 323 para lindjes së Krishtit). Brenda 13 viteve të sundimit të tij ai krijoi një perandori të fuqishme me sipërfaqe rreth 2 milion km², ku përfshiheshin pjesa më e madhe e Ballkanit, Egjipti, Azia e Vogël dhe vazhdonte drejt lindjes deri në Indi.

Pas vdekjes së Aleksandrit të Madh, perandoria u nda në katër pjesë: 1-Mbretëria e Maqedonisë; 2-Mbretëria e Thrakisë; 3-Mbretëria e Egjiptit; 4-Mbretëria Seleukide. Kjo e fundit përfshinte Persinë, Mesopotaminë, Sirinë, një pjesë e Azisë Qëndrore dhe kufiri lindor shkonte deri në Indi. Me dobësimin e mbretërisë së Seleukide, do të ngrihej një tjetër perandori, ajo e Parthianëve: u krijua dhe u udhëhoq nga pasardhësit e ushtrisë së Aleksandrit të Madh.

Sjellim disa fakte se pse kishte lidhje ndërmjet fisit të Parthinëve dhe perandorisë Parthiane:

Së pari: ngjashmëria e emrave Parthian në Azinë Perëndimore dhe fisit ilir të Parthinëve (Parthini ose Parthians).

Së dyti: duke qenë se Parthinët ishin një fis luftarak, ata u bënë pjesë e garzioneve të ushtrisë së Aleksandrit të Madh gjatë pushtimeve në lindje.

Së treti: perandoria Parthiane u krijua vetëm pas shpërbërjes së perandorisë të Aleksandrit të Madh, dhe dobësimit të mbretërisë së Selekuide. Garzionet me luftëtarë nga ky fis ilir që mbetën në këto territore formuan këtë perandori. Së katërti: simbolet që mbanin ushtarët e perandorisë Parthiane ishin të ngjashme me atë të Aleksandrit të Madh.

Burimet e shfrytëzuara:

1- Parthia (Empire) – World History Encyclopedia.

2- Parthia | Definition, Empire, Kings, & Wars | Britannica

3- BBC – History – Alexander the Great

Foto:

Foto 1: Fiset ilire sipas studimeve të huaja

Foto 2: Flamuri i Maqedonisë së Antikitetit

Burimi: illyrian tribes – Search Burimi: Ancient Macedonian Flag – Search

Foto 3: Shtrirja gjeografike e Perandorisë Parthiane Foto 4: Ushtar i Perandorisë Parthiane.

Filed Under: Fejton

AKTI IFUNDIT LIGJOR QË I KISHTE NGELUR PA REALIZUAR RILINDJES KOMUNISTE ISHTE REHABILITIMI I DIKTATORIT ENVER HOXHA! 

October 7, 2025 by s p

Besim Ndregjoni/

Akti i fundit që i kishte ngelur pa realizuar Rilindja komuniste e Partisë socialiste ishte rehabilitimi i diktatorit Enver Hoxha, dhe këtë e realizoi sot me Institutin Parlamentar alias Instituti Marksist-leninist pranë Kuvendit të Shqipërisë. Ku e din Instituti marksist-leninist parlamentar se diktatori kreu genocid në Shqipëri:

STATISTIKA SHTETËRORE E KRIMIT KOMUNISTE 45 VJECAR NË SHQIPËRI

Te ekzekutuar per motive politike 5037 burra dhe 450 gra

Te denuar me burgosje politike 28.788 burra dhe 7367 gra

Te internuar per motive politike 50.217 burra dhe 10.792 gra

U debuan nga qytetet kryesore dhe nga zonat kufitare 11.536 familje

U pushkatuan apo digen ne burgjet shgiptare 64 shtetas të huaj

U burgosën 1215 burra dhe 38 gra me kombesi jo shqiptare

95 shqiptare kosovare ge ndodheshin ne Shqiperi u pushkatuan

U ekzekutuan dhe u burgosën klerike katolik 120 veta

U ekzekutuan dhe u burgosën klerike bektashian 83 veta

U ekzekutuan dhe burgosen klerike mysliman 60 veta

U ekzekutuan dhe burgosn klerike ortodokse 39 veta

U shkatruan dhe u mbyllën 2169 institucione fetare

740 Xhami

608 Kisha e Manastire Ortodokse

Kisha manastire katolike 157

Teqe, tyrbe 530

6000 Te pushkatuar me giygi dhe pa giygi nuk u jane gjetur eshtrat…

Ne vend u ngrit nje sistem burgjesh e kampesh shfarosëse :Gjirokaster, Tepelenë, Vlore,Korçë, Berat,Elbasan, Durrës, Tiranë, Burrel, Shkodër, Peshkopi, Tepelena, Bulqizë,Spaçi, Qaf-Bari.

Është e gëzuar Partia socialiste për këto krime që ka kryer udhëheqësi shpirtnor i tyre. Ata skërkuan falje për tre dekada për këtë genocid,kështu me ideologjinë dhe propogandën që përdor nga 35 vite ajo e qetë don ta rehabilitoi diktatorin e fundit stalinist Enver Hoxhën dhe të fshij genocidin që ka ba ky kriminel! Atëhere ne antikomunistave ish të burgosur dhe të përndjekurve politikë që provuam krimet më të tmerrshme të Enver Hoxhës na lind e drejta: Largohuni nga sistemi demokratik zotrinj socialistë -se nuk mund të ekzistoi një parti që rehabiliton diktaturën dhe diktatorin të fuksionoi në një demokraci!

E pakta që duhet të bëjë opozita të kërkoi shkrirjen e këtij Instituti parlamentar marksit-leninist! 

Shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit!

Parlamenti shqiptar të kërkoi falje publike mbas tre dekadash familjeve antikomuniste dhe mos të prishi ekulibrat e shoqërisë. Çdo urretje politike që çfaqet në shoqëri e çon shoqërinë drejt konfliktit social!

Mediat të mos heshtin për rehabilitim e diktatorit!

I ftojmë ambasadat e akredituar në Tiranë, që mos të heshtin përpara këtij skandali e të turpërohen që bashkëpunojnë me një forcë politike që rehabiliton diktatorin stalinist Enver Hoxha!

Shqipni, qëndro në naltësinë e kësaj beteje të madhe!

Filed Under: Fejton

“𝐆𝐫𝐮𝐚𝐣𝐚 𝐦𝐞 𝐛𝐮𝐤𝐞̈𝐥” – 𝐊𝐫𝐲𝐞𝐯𝐞𝐩𝐫𝐚 𝐞 𝐋𝐞𝐨𝐧𝐚𝐫𝐝𝐨 𝐝𝐚 𝐕𝐢𝐧𝐜̧𝐢𝐭 𝐪𝐞̈ 𝐬𝐡𝐩𝐞̈𝐭𝐨𝐢 𝐧𝐠𝐚 𝐞𝐫𝐫𝐞̈𝐬𝐢𝐫𝐚 𝐞 𝐡𝐢𝐬𝐭𝐨𝐫𝐢𝐬𝐞̈

October 3, 2025 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Një nga portretet më të rralla dhe të bukura të Leonardo da Vinçit, “Gruaja me bukël” është më shumë se thjesht një pikturë – është një dëshmi e gjeniut, pasionit dhe dramës historike që ka kaluar Evropa.

Pikturuar rreth vitit 1489–1490, kjo vepër përshkruan Cecilia Gallerani, një grua e re dhe e ditur, e dashura e Ludovico Sforza, Duka i Milanos – një nga patronët më të rëndësishëm të Leonardo da Vinçit. Bukla në duart e saj simbolizon pastërtinë, por edhe vetë Dukën, i cili kishte si pseudonim “Bukla e Bardhë”. Bukla është kafshë dredharake dhe e pakapshme, por Cecilia e mban butë por vendosshmërisht me dorën e saj, mesazh përkushtimi dashuror ndaj Dukës.

Eleganca dhe realizmi i portretit, teknika e rrallë e sfumaturës, shikimi i saj i kthyer, drita që përkëdhel fytyrën, kompozimi perfekt– të gjitha janë dëshmi e mjeshtërisë së rrallë të Leonardos.

Por historia e kësaj vepre nuk ndalet te krijimtaria e artë e Rilindjes. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Polonia u pushtua nga nazistët, kjo vepër, sikurse edhe një peizazh i Rembrandtit e një portret i Rafaelit, u vodh nga nazistët dhe u dërgua në Gjermani. Ajo qëndroi për një kohë në koleksionin personal të Hans Frank, guvernatori nazist i Polonisë së pushtuar.

Pas përfundimit të luftës, pas shumë përpjekjesh diplomatike dhe hetimesh nga Aleatët, piktura u kthye në Poloni – një nga veprat e pakta që shpëtuan nga pluhuri dhe flakët e luftës.

Sot, “Gruaja me bukël” ruhet në Muzeun Kombëtar në Krakov, si një nga thesarët më të çmuar të artit botëror dhe simbol i trashëgimisë kulturore që mbijeton edhe në kohërat më të errëta.

Bashkë me të edhe Rembrandti u kthye, por portreti i Rafaelit mbetet i zhdukur prej 80 vitesh, dhe gjurma e vetme e veprës është vetëm një fotografi e saj bardhë e zi.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 117
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 
  • MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM
  • Ardita Statovci, pedagoge pranë “Washington Conservatory of Music”: “Muzika është gjuhë universale që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit e kulturës së vendit tënd në çdo anë të botës”
  • Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare
  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare
  • Mirash Ivanaj, 12 mars 1891-22 shtator 1953
  • Ramazani, tradita shqiptare e mikpritjes dhe harmonia ndërfetare
  • “Ajatollahu, fati i çdo sundimtari gjakatar”!
  • Departamenti i Shtetit ka publikuar një rregull përfundimtar për të ndryshuar Programin e Vizave të Imigrantëve të Diversitetit (“Programi DV”) që hyn në fuqi më 10 prill 2026
  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT