• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

THE CHICAGO TRIBUNE (1919) / INTERVISTA ME REXHEP BEJ JELLËN NË ROMË : “TAKIMI ME PAPËN, PAMUNDËSIA PËR TË SHKUAR NË KONFERENCËN E PAQES NË PARIS PËR SHKAK TË ITALIANËVE, SHPRESAT TEK PRESIDENTI WILSON…”

October 23, 2023 by s p


Alice Rohe (1876 – 1957) — Rexhep Jella (1895 – 1974)
Alice Rohe (1876 – 1957) — Rexhep Jella (1895 – 1974)

“The Chicago Tribune” ka botuar, të enjten e 10 prillit 1919, në faqen n°3, intervistën ekskluzive të gazetares amerikane Alice Rohe me Rexhep Bej Jellën zhvilluar asokohe në Romë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Princit iu ofrua titulli i Dukës për ta kthyer kombin prapa (në fe)

E mbajnë në Romë

Deklaron se kombi i tij nuk është ende gati të bëhet republikë

Burimi : The Chicago Tribune, e enjte, 10 prill 1919, faqe n°3
Burimi : The Chicago Tribune, e enjte, 10 prill 1919, faqe n°3

Nga Alice Rohe

(Shërbimi i Lajmeve të Jashtme të Chicago Tribune.)

Burimi : The Chicago Tribune, e enjte, 10 prill 1919, faqe n°3
Burimi : The Chicago Tribune, e enjte, 10 prill 1919, faqe n°3

Romë, 8 Prill. — Roma ka si mysafir brenda mureve të saj historike, Rexhep Bej Jellën. Në të vërtetë princi shqiptar thotë se mikpritja në Qytetin e Përjetshëm është shumë urgjente.

Beu — në letrat e të cilit është skalitur (gdhendur) trashëgimtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes — është shumë i etur për të shkuar në Paris.

“Italianët janë një popull kaq simpatik. Unë nuk mund ta kuptoj pse ata nuk e organizuan qëndrimin tim të zgjatur mes tyre pas kthimit tim nga Konferenca e Paqes dhe jo sot”, tha beu në mënyrë diplomatike. “Ata më thonë megjithatë se prania ime mund të jetë e sikletshme në Konferencën e Paqes.”

Flet shumë gjuhë.

Burimi : The Chicago Tribune, e enjte, 10 prill 1919, faqe n°3
Burimi : The Chicago Tribune, e enjte, 10 prill 1919, faqe n°3

Beu foli me një theks ultra-anglez, i cili ishte e vetmja gjë për të — duke përjashtuar nacionalizmin e tij shqiptar, i cili nuk mbante markën “Made-in-Vienna”. Sepse Beu sapo është liruar nga një rezidencë e detyrueshme trevjeçare në kryeqytetin austriak. Rrobat e tij edhe pse prej pëlhure angleze, ishin të prera vjeneze. Gjatë tre viteve të paraburgimit në Austri, ku ai ishte nën vëzhgim si simpatizant i Antantës, shpjegoi ai, ai fitoi një njohuri të përsosur të gjermanishtes. Kjo i shtoi gjuhën e nëntë listës së gjatë të arritjeve të tij gjuhësore, e cila përfshin anglishten, frëngjishten, italishten, arabishten, turqishten, persishten, greqishten dhe shqipen.

Histori fantastike dhe thashetheme romantike qarkullojnë në qarqet e kufizuara të Romës ku dihet prezenca e aristokratit shqiptar. Ishte një ditë pas audiencës së tij me Papën që unë kërkova të pyesja për një intervistë këtë shef të fisit të egër malësor. Sapo mbarova së lexuari disa artikuj udhëtimi që i përshkruanin shqiptarët si shqiponja malësore të egra, të trazuar dhe të paarsimuar, duke i ndalur luftërat e tyre aq sa për të ndryshuar kostumet e operës apo pantallonat dhe bluzat e gërshetuara të bardha, herë pas here të zbukuruara me një fustanellë, unë isha krejtësisht e papërgatitur për t’u përballur me rininë ultra-anglishtfolëse të Oksfordit, të veshur me “modën” më të fundit të dyqaneve vieneze, e cila në mënyrë delikate dhe diplomatike u përpoq të mos u përgjigjej disa pyetjeve kryesore, të cilave unë dëshiroja t’u përgjigjegj veçanërisht.

Nuk mund ta kuptoj këtë histori.

Burimi : The Chicago Tribune, e enjte, 10 prill 1919, faqe n°3
Burimi : The Chicago Tribune, e enjte, 10 prill 1919, faqe n°3

Beu, pavarësisht nga njohja e tij me amerikanët dhe anglezët, nuk mundi të kuptonte pse qenia e tij për të parë Papën dhe për të pasur një audiencë për një orë ishte “një histori”. I një familjeje myslimane — një nga më të lartat, më të fuqishmet dhe aristokratet në Shqipëri — pritja e tij nga Papa ishte, siç i shpjegova, disi interesante.

Thashethemet kishin dhënë tashmë lajmin se Papa i kishte ofruar një titull dukal beut nëse ai do t’i kthente ndjekësit e tij në fenë e paraardhësve të tij të largët. Sepse para pushtimit turk në shekujt XV dhe XVI Shqipëria ishte e krishterë. Ekziston ende një element i fortë i krishterë katolik romak dhe grek ortodoks midis klaneve (fiseve) të ndryshme.

Rexhep Bej Jella — nga familja e rëndësishme dhe e lartë — që kishte titullin ekuivalent të Princit, refuzoi të pranonte se një titull dukal papal do ta joshte.

“Kam kaluar një orë të këndshme me Papën — një burrë i kulturuar, i zgjuar dhe simpatik — kemi diskutuar shumë gjëra — ai ishte i këndshëm për mua — më pëlqeu shumë takimi me të”.

Shpresat tek Presidenti Wilson.

Burimi : The Chicago Tribune, e enjte, 10 prill 1919, faqe n°3
Burimi : The Chicago Tribune, e enjte, 10 prill 1919, faqe n°3

Vizita e shqiptarit Jella Beu në Vatikan nuk u njoftua në njoftimet zyrtare, siç është zakon kur personalitete të larta vizitojnë Papën.

“Natyrisht që dua të shkoj në Paris”, tha atasheu shqiptar, “nuk mund ta kuptoj pse miqtë e mi të sjellshëm italianë duhet të mendojnë se prania ime mund të jetë e sikletshme në Konferencën e Paqes. Të gjithë shqiptarët qëndrojnë së bashku në një qëllim të bashkuar për vendin tonë të vogël. Para së gjithash jam nacionalist. Familja ime, që rrjedh në kohë edhe më të vjetra se ato të regjistruara, është e gjurmueshme pesëqind vjet më parë. Sot ne shqiptarët jemi të gjithë aq krenarë për gjakun tonë sa duam ta shohim Shqipërinë të denjë për veten dhe të mirë në rrjedhën e përparimit. Shpresa jonë e madhe qëndron te Presidenti Wilson.

Unë jam një admirues i madh i amerikanëve dhe i anglezëve. I shkolluar në shkollën amerikane në Konstandinopojë dhe më pas në Oksford është e natyrshme, dua të shoh çdo fëmijë në Shqipëri t’i jepet një shans arsimimi. Në vendin tim me malësorët e tij të shumtë të izoluar, duhet të kuptoni se të gjithë i njohin dhe i duan amerikanët. Ata i duan sepse tashmë Kryqi i Kuq Amerikan ka ardhur në mesin e të varfërve dhe nevojtarëve tanë duke u sjellë atyre veshjet, ushqimet dhe ilaçet aq të dëshiruara. Unë vetë kam qenë shumë i lumtur që kam shërbyer sadopak në ndihmën e Komisionit Ballkanik të Kryqit të Kuq Amerikan me disa nga hartat e tij për shpërndarjen e furnizimeve në rajonet malore. Ne të gjithë, të pasur dhe të varfër, sot e shikojmë Amerikën me shpresë”.

“Dëshiroj ta shoh vendin tonë patjetër të kufizuar sipas gjakut dhe gjuhës. Në të gjithë botën, nuk ka detyrë më të lehtë sesa të mbështetemi në gjuhën për të përcaktuar kufijtë tanë.

“Shqipëria nuk është ende gati për një republikë. Shqipëria e re, kur të realizohen reformat që ne nacionalistët dëshirojmë, do t’i hapë rrugën republikës.”

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

Misioni i (parealizuar) oficerëve austro-hungarez në Kosovë (1903-1908)

October 21, 2023 by s p

Prof. Sylë Ukshini/

Duke hulumtuat gjatë studimeve të mia për histori (2007) në Institutin për Studime të Evropë Juglindore, në mesin e miliona librave të Bibliotekës Qendrore të Universitetit gjeta një libër të botuar në vitin 1919, të botuar asokohe me leje të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Austro-Hungareze. Libri ishte i veçantë pasi deri atëherë nuk ishte i cituar nga asnjë autor vendor dhe ndërkombëtar. Përmbante 71 ilustrime e fotografi dhe 6 harta shume të vlefshme historike.

Ky libër pos që përmbyste stereotipet e studiuesve perëndimorë, që sa herë flisnin për shqiptarët i portretizonin si rebel dhe bandit, pasi këtu flitet për bandat terrorizuese serbe, bullgare dhe greke të drejtuara nga Beogradi, Sofja dhe Athina- në njërën nga hartat paraqitet edhe rajoni i Kosovës ku ishte paraparë të stacionohej misioni policor austro-hungarez. Siç shihet nga harta e më poshtme, ky mision përafërsisht kap zonën aktuale të sektorit amerikan të KFOR-it, përkatësisht sektori i misionit austro-hungarez përfshinte këtë territor duke u nisur afërisht nga pika sotme me Maqedoninë: Elez Hanin, Kaçanikun, Ferizaj, pjesën lindore të territorit të Prishtinës dhe vazhdonte deri në Podujevë dhe vazhdonte përgjatë Luginës së Preshevës dhe rajonin e Anamoravës, Gjilan dhe Viti.

Duhet përmendur se oficerët austro-hungarez në atë kohë kishin një reputacion për qëndrimin dhe disiplinën e tyre, fakt i njohur nga prezenca tyre në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Kjo ndarje territoriale erdhi pas shumë betejave diplomatike në mesin të fuqive të Koncertit Evropian, përkatësisht në mes Austro-Hungarisë dhe Rusisë, të cilat përpiqeshin për vendosjes së influencës në Ballkanin Jugor. Para së gjithash, vendosja e trupave austro-hungareze në këtë rajon kyç/strategjik të Kosovës synonte të shërbente si digë mbrojtëse për Vilajetin e Kosovës nga agresioni ushtarak serb, i cili po bëhej gjithnjë më evident pas pushtimit dhe spastrimit etnik të rajonit të Toplicës me 1877/78.

Ardhja e trupave të misionit austro-hungarez në Kosovës ishte arritur me Marrëveshjen të Mürzsteg-ut të vitit 1903 ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Rusisë dhe që si qëllim kishte zbatimin e reformave në territorin e Austro-Hungarisë. Por derisa trupat italiane ishin vendosur në rajonin lindor dhe jugor të Maqedonisë, dhe ato ruse në jugperëndim të Rusisë dhe ato franceze në pjesën e skajshme juglindor, trupat austro-hungareze u vendosen në territorin e Shkupit, Kumanovës, Shtipit dhe rrethinë, politika serbe ishte e alarmuar se vendosja e shpejt e misionit austro-hungarez në territorin e Kosovës juglindore paraqiste një humbje të madhe për synimet e saj ekspansioniste në drejtim të Kosovës. Vendosja e misionit austro-hungarez konsiderohej si barriera kryesore dhe si fundosje e planeve për aneksimin e Kosovës. Prandaj, Beogradi vuri në lëvizje bandat e armatosura për të shkaktuar trazira dhe dërgoi emisar të ndryshëm fetar dhe politik për ta dezorientuar faktorin shqiptar dhe lëvizjen e tyre kombëtare. Derisa murgjit fetar, të subvencionuar edhe nga Rusia i frynin propagandës së njohur të vetëviktimizimit të komunitetit serb në Kosovës, emisarët politik përhapnin propagandën se qëllimi i vendosjes së austro-hungarezëve në Kosovë ishte rrëmbimi i tokave të shqiptarëve për qëllime ushtarake dhe ndërtimit të linjave hekurudhore. Duke shfrytëzuar këtë alibi dhe duke përdor edhe element konservator mysliman, duke i nxitur kundër elementit të krishterët, shqiptarët filluan lëvizje dhe protesta kundër një misioni të tillë. Madje propagandistët serbë arritën që vite më vonë, të cytnin shqiptarët që të marshonin në Shkup, aty ishte qendra e misionit austro-hungarez, me qëllim që të pamundësohej veprimtaria e tij dhe t’i bëhej e qartë se ishin të padëshiruar në Kosovë. Si rrjedhojë, Austro-Hungaria hoqi dorë nga vendosja në Kosovën Juglindore dhe me këtë mbeti i lirë operimi i bandave serbe, të cilat në periudhën e rënies së shtetit osman operonin pa penguar brenda manastireve dhe lokaliteteve serbe.

Për më tepër, në Beograd punohej kundër çdo reforme të Perandorisë Osmane që shkonte në interes të zgjerimit të interesave kombëtare të shqiptarëve. Në këtë kuadër, Beogradi ishte edhe kundër benefiteve që sillte marrëveshja e Mürzsteg-ut, e cila synonte që shtetin e vjetër osman në Ballkan ta shndërronte në një shtet kushtetues sipas modelit evropian.

Si rrjedhojë e këtyre rrethanave të turbullta në Ballkanin Jugor, ku përveç Serbisë synime territoriale kishin edhe Bullgaria dhe Greqia, agjentët civilë mbretëror dhe perandorak austro-hungarezë bënë përpjekje për të realizuat misionin dhe synimet e politikës vjeneze, e cila në këtë periudhë synonte të ruante status quo-në territoriale në Ballkan dhe me këtë edhe të mbronin interesat shqiptare përballë kërcënimit permanent serb. Pikërisht kjo ishte arsyeja pse politika serbe i nxiste shqiptarët që të ngriheshin kundër një reforme të tillë dhe që misioni austro-hungarez të shihej si jo mikpritëse nga popullata vendore shqiptare. Natyrisht, në këtë klimë të pafavorshme agjentët civilë shpesh u ndodhën të kërcënuar dhe përballeshin me rreziqe të personelit. Sipas dëshmive vjeneze, në atë kohë në këtë rajon ishte rritur “epshi kafshëror për vrasje përmes nxitjes së paskrupullt nën maskën e fesë ose uniteti kombëtar”

Me gjithë aktivitetin pesë vjeçar dhe këmbënguljes së personelit austro-hungarez, dobësia e shtetit osman, veprimi i bandave serbe, bullgare dhe greke, kaosit etnik, si dhe “mosleximi” i saktë i sinuatës në vend nga elita politike shqiptare, dhe përkundër qetësimit relativ të situatës në rajonin jugor të Vilajetit të Kosovës dhe të Maqedonisë së sotshme, reformat në shtetin osman nuk avancuan pasi situata vetëm sa u komplikua pas Revolucionit Xhonturk. Rrjedhimisht Misioni i oficerëve austro-hungarez përmbushi pjesërisht detyrën e tij brenda kornizës që i është caktuar, në anën tjetër, Beogradi, Cetine, Sofje dhe Athina me nxitjen dhe me mbështetjen e Rusisë i intensifikuan aktivitetet e tyre diplomatike dhe ushtarake kundër interesave të shtetit osman në Ballkan, kundër influencës austro-hungareze në rajon dhe me këtë kundër interesave shqiptare në Kosovë dhe vise tjera të shtetit osman si dhe hapën shtegun për shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike 1912/13, e cila do të ishte fatale dhe tragjike sidomos për shqiptarët e Kosovës dhe në Maqedoninë e sotme.

Filed Under: Histori

BETEJA E DYTË E KOSOVËS NUK ISHTE TJETËR POS NJË DISFATË E PRITUR E HUNIJADIT

October 19, 2023 by s p

Jusuf BUXHOVI/

Edhe pse beteja e Kosovës e vitit 1389 për shumëçka mbetet e pasqaruar dhe pjesë e një miti historik të shekullit XIX , që u riaktivizua për qëllime politik të hegjemonizmit serb për t’ia krijuar platformën e paqenë historike shtetit serb të pranuar në kongresin e Berlin, megjithatë, ajo e vitit 1448 që ngjau midis forcave katolike të drejtuar nga Hunijadi dhe atyre osmane nga Mehemti II, nuk mund të thuhet se ishte historike e as vendimtare për fatin e Europës në luftë kundër Osmanëve. Përkundrazi, po qe se shikohen raportet e forcave që prodhoi fushata ushtarake e Mehmetit të II në planin ushtarak në pjesën evropiane kur pas betejesë së Varnës (1444), me përjashtim të rezistencës së Skënderbeut në Shqipëri, i ishin hapur dyert për depërtime të reja në gjithë Ilirikun për të shkuar tutje kah veriu, përpjekjet e Huniadit për të organizuar ndonjë kryqëzatë të re të krishterë mbeteshin vetëm një orvatje strategjike e vendeve katolike të Europës që me anën e “betejave” të shkëputura të fitonin paksa kohë drejt gjetjes së një kundërpërgjigje (diplomatike ose politike) që mund t’u jipej osmanëve pasi që të kenë marrë bastionin e fundit të krishterimit, Konstandinopojën e rrethuar që pas pesë vitesh do të bjerë përfundimisht në duart e osmanëve. Në këtë prizëm duhet parë edhe luftën që bënte Skënderbeu në Shqipëri, pasçka se ajo, në planin ushtarak fitoi një dimension tejtër dhe, mbase do të mund të kthehej në një front të ri antiosman, po qe se për këtë do të ishin të interesuara vendet katolike të Europës, të cilat, siç do të shihet, në përputhje me interesat e tyre të ngushta (të Vendedikut në radhë të parë), në vend të luftës së përbashkët, duke shfrytëzuar kryengritjet e shkapërderdhura të feudalëve të Ilirkut, lidhnin aleanca të fshehura me osmanët. Kjo sjellje kishte të bënte me përcaktimin e njohur në njërën anë të vasaliteteve të feudalëve të krishterë me osmanët dhe interesat e tyre që t’i ruanin pronat e tyre ose edhe t’i shtonin dhe, në tjetrën anë, të kishës ortodokse që osmanët t’i shikonte si aleatë në luftë kundër katolicizmit, strategji kjo që do të dalë në pah pas rënies së Kostandinopojës kur Kisha Ortodokse do të lidhë utoqefalinë e saj me Perandorinë Osmane, ku jo vetëm ruajti pozicionet e saj, por, si dihet, fitoi edhe privilegje në qeverisjen vendore nga Porta e Lartë duke marrë përsipër edhe mbrojtjen shpirtërore dhe kulturore të popullatës së krishterë (rajës). Në këto rrethana, veprimet e Huniadit për një aleancë të re kudnër osmanëve, duke llogaritur edhe faktorin Skënderbe dhe luftën e tij të suksesshme,ishin të dështuara, edhe pse një kohë të gjatë do të kremtohen si ngjarje historike që po “të mos ishte tradhtia e Brankoviqëve” edhe do të mund të arrihej!

Natyrisht se këto kundrime janë më shumë pjesë e opinioneve politike se sa fakte shkencore, ngaqë osmanët tashmë ia kishin dalë që të krishterët ortodoks të Ilirikut, me përjashtim të atyre që ishin të lidhur me luftën e Skënderbeut, t’i fusin në kuadër të sistemit të tyre perandorak, ndërsa me vendet e caktuara katolike (sidomos Venedikun) të lidhnin aleanca të caktuara, që kishin edhe bekimin e Papatit, për vetë faktin se vendet katolike ushtarakisht asokohe nuk ishin në gjendje t’u bënin ballë osmanëve. Natyrisht, se historiografia shqpitare, të ashtuquajturën betejë e dytë e Kosovës, duhet ta rivlerësojë në përputhje me rrethanat e kohës, pra si përpjekje dëshpruese të Huniadit të joshur nga vendet katolike për interesat që u cekën më lartë dhe assesi prej saj të krijojë një mit të ri që do të rivalizonte me atë serb për betejën e vitit 1389. Sepse, e gjitha nuk ka qenë tjetër pos një veprim “pastrues” i forcave osmane kundër forcave të shkapërderdhura katolike në ikje e sipër nga humbjet, që pësuan sapo kaluan Danubin në drejtim të Moravës, e ku roli i despotit Gjurad (Gjorgj dhe Georgius) në shumë dokumente hungareze dhe ato katolike të kohës siç ishte edhe nga mbreti hungarez Sigismund quhej “Georgius Wlk Rascie Albanique dominus”, pra pa kurrëfarë predikati të “despotit serb” apo ngjashëm siç falsifikon historiografia serbe, ishte në përputhje me interesat e tij të lidhura me osmanët për të ruajtur pronat në “Vilajetin Vlk”, e ku përfshihej edhe një pjesë e mirë e Kosovës së sotme.

Filed Under: Histori

KONGRESI I ELBASANIT, KONGRESI I SHKOLLËS SHQIPE

October 19, 2023 by s p

Prof.Dr. Roland Gjini/

Një vit pas Kongresit të Manastirit, në Elbasan u mbajt në 2 deri 9 shtator, pra në vitin 1909, kongresi mbarëkombtar i cilësuar si “Kongresi i shkollës shqipe”. Dita e sotme (9 shtatori) përkon me marrjen e vendimeve dhe mbylljen e Kongresit. Ky kongres u mbajt në një situatë të tillë kur politika xhonturke, e shqetësuar nga Kongresi i Manastirit dhe vendimi i tij për t’u shkruar shqipja me gërma latine,organizoi Kongresin e Dibrës për të penguar shkrimin e gjuhës shqipe sipas alfabetit të Manastirit, madje për këtë Ministria e Arsimit e qeverisë xhonturke urdhëroi shkollat shqipe shtetërore në trojet shqiptare që të përdornin alfabetin arab.Jo rastësisht zgjidhet Elbasani si qyteti i mbajtjes së këtij Kongresi. Traditat patriotike, arsimore e kulturore që në krye të herës të këtij qyteti, me figura të shquara të Dhaskal Todrit, Kostandin Kristoforidhit etj, kanë qenë të njohura në të gjitha trevat shqiptare dhe kishin ushtruar një ndikim të fuqishëm në ata intelektualë që vendosën për mbledhjen e këtij Kongresi në këtë qytet.
Kongresi i Elbasanit mori përmasa mbarëkombëtare për dy arësye:
Së pari, se në të morën pjesë përfaqësues nga pothuaj tërë trevat shqiptare, personalitete të lëvizjes kombëtare në përgjithësi e asaj arsimore në veçanti, të cilët erdhën, përveç Elbasanit, nga Tirana, Korça, Berati, Durrësi, Gjirokastra, Përmeti, Pogradeci, Dibra, Shkupi, Manastiri, Ohri, Struga, Filati e deri nga Janina e Selaniku. Ndërsa Shkodra në emër të shoqërive, klubeve dhe arsimit shqip të zonës së Veriut, deklaroi se do të ishte dakort me çdo vendim që do të merrte Kongresi i Elbasanit në të mirë të arsimit e lëvizjes kombëtare. Të 35 delegatët u përzgjodhën nga 28 klube e shoqëri patriotike që vepronin asokohe në mbarë trevat shqiptare e përreth tyre. Një delegat mund të përfaqësonte nga një deri disa klube e degë të tyre; kështu, për shembull, Mithat Frashëri përfaqësonte 6 degë, ose një klub i një zone mund të caktonte delegat një përfaqësues nga një zonë tjetër, kështu elbasanasi Ahmet Dakli ishte zgjedhur nga Struga, Qemal Karaosmani nga Berati, Selman Blloshmi nga Starova e Pogradecit, etj. Ndër pjesëmarrësit e tjerë në Kongres përmendim Lef Nosin, që ishte edhe organizatori kryesor i Kongresit, Dervish Biçakun që u zgjodh edhe kryetar i Kongresit, Taq Buda, Simon Shuteriqi, Josif Haxhimima, Qamil Haxhifeza, Orhan Pojani, Idhomene Kosturi, Gjergj dhe Sevasti Qiriazi, Kristo Dako, Andrea Konomi, Thoma Papapano, Qemal Karaosmani, Refik Toptani, hafëz Ibrahim Dalliu, dom Nikoll Kacorri, Mihal Sava, Kareman Vrioni, Hamdi dhe Irfan Ohri, e të tjerë.Shumë figura elbasanase, megjithëse nuk ishin zgjedhur delegatë, u morën gjallërisht me mikpritjen dhe organizimin e punimeve të Kongresit.
Së dyti. Ky kongres mori përmasa mbarë kombëtare nisur nga vendimet e tij. Të shkruara e nënshkruara me 15 pika, vendime të cilat kishin të bënin me masivizimin dhe organizmin e shkollave shqipe, shoqërive dhe klubeve patriotike në mbarë trevat e vendit. Ndër pikat më të rëndësishme të vendimeve të Kongresit përmendim, vijimin e të shkruarit të shqipes me gërma latine, sipas vendimit të Kongresit të Manastirit, unifikimn e një gjuhe zyrtare standarde, ku të merrej për bazë dialekti i Elbasanit. Kongresi vendosi gjithashtu që shkollat shqipe të organizoheshin me programe e të përcaktoheshin lëndët mësimore, në to të përdorej vetëm gjuha shqipe, dhe të përpiqeshin që materialet mësimore dhe të shprehurit t’i përmbaheshin një gjuhe standarde, të qartë si për toskët ashtu edhe për gegët. Mund të themi se vendimet që kishin të bënin me përmbajtjen e shkollës mund të cilësohen si vënia e themelit të krijimit të arsimit e shkollës sonë kombëtare. Prandaj ky Kongres mori edhe emërtimin “kongresi i shkollave shqipe”, pasi ai me vendimet e tij konkretizoi krijimin dhe organizimin e sistemit arsimor shqiptar dhe e konsideroi atë mjetin kryesor të përparimit shoqëror. Pika të veçanta i kushtoheshin financimit e mbështetjes ekonomike të shkollave shqipe, për këtë rolin organizues do ta kryenin klubet e shoqëritë patriotike, që me anë të donacioneve do të krijonin një fond të veçantë e do të kujdeseshin për mirëpërdorimin e tij. Kongresi gjithashtu u bënte thirrje shkollave fetare që në programet tyre të përfshihej domosdoshmërisht edhe lënda e gjuhës shqipe. Një vendim i veçantë dhe shumë i rëndësishëm ishte edhe ai për hapjen e shkollës Normale në Elbasan, e cila u bë e mundur po atë vit, pak muaj më pas. Hapja e kësaj shkolle do të bënte realitet masivizimin, pasi do të përgatiste kontigjentet e mësuesve për shkollat jo vetëm ekzistuese por edhe për ato që do të hapeshin. Dhe është fakt që Normalja e Elbasanit, që nga hapja e saj e deri në vitin 1946, vit kur u hap në Tiranë Instituti 2-vjeçar për mësues, do të ishte institucioni i vetëm kombëtar për përgatitjen e kontigjenteve të mësuesve për tërë shkollat e trevave shqiptare.
Pavarësisht se anëtarët e Kongresit deklaruan se nuk do të merren me politikë, në diskutimet dhe në vendimet e marra u vu re një përmbajtje e thellë politike në mbrojtje të alfabetit, shkollës shqipe e lëvizjes sonë kombëtare në tërësi. Me vendimet e tij ky Kongres atakoi hapur politikën antishqiptare të xhonturqve dhe mund të themi se ky kundërshtim qe një nxitje e rëndësishme për kryegritjet e armatosura antiosmane që do të shpërthenin në mbarë vendin e do të çonin në shpalljen e Pavarësisë.
Kongresi që u mbajt në Elbasan, nuk ishte rastësi. Prej dekadash ky qytet e trevat rreth tij jo vetëm kishin shfaqur dëshirën për shkollën shqipe, por edhe kishin bërë hapa konkretë në këtë drejtim. Me këtë kongres dhe me Normalen që vendosi të hapë ai, Elbasani fitoi tashmë de jure, rolin e avangardit në arsimin e shkollën shqipe, duke krijuar një traditë të vyer e duke i shërbyer shkollës shqiptare gjithandej. Le të shërbejë kjo traditë, dhe në rastin tonë përkujtimi i ngjarjeve të tilla si një shtysë për ditët e sotme dhe për ato që do vijnë. Pavarësisht se kohët evoluojnë, e bashkë me kohët evoluojnë edhe qytete e treva të tjera, duhet ta kemi të qartë ne shqiptarët, mësues të vërtetë dhe arsim të vërtetë prodhon Elbasani. Këtë traditë, përvojë dhe vlerë brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë më pas duhet jo vetëm ta ruajnë, por edhe ta çojnë më tej.

Photo by: Wikipedia.org

Filed Under: Histori

RRETHIMI DHE DORËZIMI I SHKODRËS (1912-1913)

October 18, 2023 by s p

Adil FETAHU/

Fillimi i Luftës së Parë Ballkanike

Duke vërejtur dobësimin e Perandorisë Osmane, shtetet e Ballkanit: Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali Zi, të nxitura nga Rusia, lidhën aleancë për ta sulmuar Turqinë e ndarë tokat që do t’i pushtonin. Mali Zi, edhepse i fundit iu bashkua aleancës, ishte i pari që i shpalli luftë dhe sulmoi Turqinë, duke filluar kështu Luftën e Parë Ballkanike..
Sipas kronikës së At Justin Rrotës, botuar në librin e tij: Ditët e fundit të Turqisë në Shkodër, ase rrethimi i qytetit 1912-1913, Lufta e Parë Ballkanike ka filluar më 8 tetor 1912, kur Mali Zi i shpalli luftë Turqisë dhe menjëherë, të nesërmen sulmoi Tuzin dhe dogji fshatrat shqiptare rreth kufirit, por mësymjen më të madhe e ndërmori më 11 tetor, duke u përpjekur të marrin majën e Taraboshit, si pikë strategjike për ta sulmuar pastaj qytetin e Shkodrës. Forcat e ushtrisë turke ishin përgatitur e barrikaduar mirë për rezistencë, ashtu që nuk e lejuan ushtrinë malazeze të depërtojë. Sipas të dhënave zyrtare turke, thuhet se në atë betejën e parë u vranë 800 ushtarë malazezë, ndërsa nga forcat turke u vranë 27 veta, turqë e shqiptarë, ndër të cilët edhe majori Sadedin Beu, i cili komandonte forcat e regjimentit në atë sektor të mbrojtjes.
Në kronikat serbe e malazeze jepen data tjera për shpalljen dhe fillimin e Luftës së Parë Ballkanike. Oficeri i ushtrisë malazeze, Radule Simov Brajaçiq, i cili ka qenë komandant i një njësia të ushtrisë malazeze, në Memoaret e tij, thotë se krajli i Malit të Zi i shpalli luftë Turqisë më 25 shtator 1912, ndërsa mësymjen e parë e ka ndërmarrë më 1 tetor, në një sulm të përgjithshëm në Vraninë, Shipçani e Tuz.
Operacionet ushtarake për ta pushtuar Shkodrën zhvilloheshin herë pas herë, në fronte të ndryshme, ashtu që rrethimi i qytetit ka zgjatur më shumë se gjashtë muaj. Gjatë atij rrethimi, qyteti goditej me topa e mitraloza, digjeshin e rrënoheshin objektet dhe vriteshin njerëz. Ka pasur bombardime të qytetit edhe nga aviacioni i Serbisë, që thuhet se kishte angazhuar katër avionë për pushtimin e Shqipërisë.
Për pushtimin e Shkodrës Mali Zi kishte angazhuar 25000 luftëtarë për rrethimin dhe sulmin e Shkodrës, nga tri anë, ndërsa forcat mbrojtëse numëronin 5000 ushtarë të rregullt dhe 10.000 shqiptarë vullnetarë e të mobilizuar, nën komandën e Hasan Riza Beut, i cili kishte ardhur në Shkodër në vitin 1911, si vali dhe kryekomandant i ushtrisë..
Forcave malazeze iu ndihmonin edhe 30.000 ushtarë serbë, të cilët kishin depërtuar në jug të Shkodrës, deri në Shëngjin e Tiranë.
Me qenë se forcat e Aleancës sllave kishin korrë fitore në frontet tjera kundër ushtrisë turke, më 3 dhjetor 1912 ishte nënshkruar armëpushimi midis tyre dhe Turqisë, por Mali Zi, edhepse ishte pjesë e aleancës, nuk e përfilli armëpushimin, veçse vazhdoi rrethimin dhe bombardimet e kohëpaskohshme, me qëllim që ta merrte Shkodrën me rrethinë.
Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, Konferenca e Fuqive të Mëdha në Londër, më 17 dhjetor vendosi të formohet Shqipëria autonome, në të cilën përfshihej edhe Shkodra. Por Mali Zi nuk përfillte as vendimin e Fuqive të Mëdha dhe vazhdonte ta mbajë të rrethuar dhe herë pas herë ta bombardojë qytetin dhe të mësyjë depërtimin e mbrojtjes.
Esat Pashë Toptani, që kishte ardhur nga Durrësi me 25 000 redifë të tij, jo dhe aqë të disiplinuar e të vendosur për luftë, ishte emëruar zëvendës-komandanti i Hasan Riza Pashës, gjatë kohës së armëpushimit kishte zhvilluar bisedime të fshehta me malazezët, për t’ua dorëzuar Shkodrën, me kusht që ta ndihmojnë ta merr qeverisjen e Shqipërisë.
Më 30 janar 1913, vritet në një atentat kryekomandanti i forcave të mbrojtjes së Shkodrës, Hasan Riza Pasha.

Kush ishte dhe i u vra Hasan Riza Pasha

Hasan Riza Pasha ishte lindur në Bagdad (më 1871), kur i ati i tij kishte qenë vali i Bagdatit. Hasani kishte kryer shkollat ushtarake në Stamboll dhe specializimet në Berlin (Gjermani). Ishte ndër oficerët më në zë të ushtrisë turke, prandaj që në moshën 28 vjeçare kishte arritur gradën kolonel. Sulltani Abdylhamidi e çmonte zotësinë e Hasan Rizait dhe e kishte emëruar pashë dhe gjeneral ushtrie. Pas Hyrjetit, qeveria e xhonturqve e degradoi nga grada e gjeneralit në gradën e kolonelit, por kjo nuk e dëshproi oficerin trim. Në vitin 1911 ishte dërguar në Shkodër komandant i një divizioni të ushtrisë, ndërsa në mars të vitit 1912 ishte emërur vali dhe komandant i përgjithshëm i ushtrisë së Vilajetit të Shkodrës.
Elementi katolik e konsideronte Turqinë armikun kryesor, shekullor, fetar, kombëtar e kulturor, prandaj nuk e përkrahte ushtrinë turke në mbrojtjen e Shkodrës. Bile, një pjesë e mirë ishin radhitur në anën e malazezëve, sidomos asi që ishin arratisur në Mal të Zi nga ekspeditat e Turgut Shefqet Pashës. Hasan Riza Pasha bëri përpjekje dhe deri diku arriti përkrahjen e këtij elementi për ta ndihmuar mbrojtjen e Shkodrës. Ishte në marrëdhënie të mira miqësore me At Gjergj Fishtën, përmes të cilit kërkonte përkrahjen e klerit katolik. Elementi katolik ishte kundër zëvendësimit të një pushtuesi (turk) me një pushtues tjetër (sllav), prandaj pranonte ta ndihmonte luftën për mbrojtjen e Shkodrës, me kusht që ajo luftë të ishte për pavarësinë e Shqipërisë, me Shkodrën kryeqytet, dhe që Flamuri shqiptar të ngritej në Kalanë e qytetit. Pashai pranoi dhe premtoi se ‘’që nesër Flamuri shqiptar do të valvitej në Kala’’, por kjo nuk ndodhi, sepse duhej pritur pëlqimin nga Stambolli.
Fishta e quante kryekomandantin: ‘’Fatosi turk i Luftës Ballkanike’’, ndërsa një nga krerët katolik thoshte: ‘’Sikur ta lejonte qeveria turke Hasan Riza Pashën të jetë princ i Shqipërisë’.
Me propozimin e Hasan Riza Pashës, Sulltani e kishte dekorua At Gjergj Fishtën me një medalje të vlefshme. Aq shumë ishin miqësuar mes vete Hasan Riza Pasha me At Gjergj Fishtën, sa që komandanti turk kishte kërkuar nga Fishta të shkruante vargjet (shqip) të marshit që do ta këndonin ushtarët shqiptarë në parakalimet e tyre, gjë që Fishta edhe e bëri duke shkruar këto vargje:
Prej kah lenë e merr hana Të parët tanë burra çelikut
M’u çue shekulli kundër nesh, Bota mbarë sot i nderon,
Djelmë kreshnikë na bani nana Ata i binin anmikut
Vetëm na u dalim ndesh. Si rrufeja kur veton.

Më 30 janar 1913, Esat Pashai dhe At Gjergj Fishta ishin takuar në shtëpinë e Esadit, për të diskutuar për situatën dhe planet e luftës si çështje më aktuale. Dërgojnë agjutantin e Esadit, ta ftojnë Hasan R.Pashën në ato bisedime. Duke u këthye natën nëpër terr nga shtëpia e Esadit, tre veta bëjnë atentat mbi kryekomandantin, dhe pas 5 orëve vdiq në shtëpinë e vet. Detaje të shumta shkruan At Justin Rrota në librin e tij …Rrethimi i qytetit, për vrasjen, amanetet dhe vorrosjen. Në vorrimin e Hasan Riza Pashës morën pjesë mijëra shkodranë, në mesin e të cilëve edhe shumë prelatë katolikë. At Gjergj Fishta kishte mbajtur një fjalim prekës për të ndjerin.
Në kronikat serbe dhe ato malazeze, thuhet se pashai u vra më 13, diku më 14 dhe diku më 17 janar, por e vërteta është se ai u vra më 30 janar, datë të cilën e saktëson At Justin Rrota, dhe po atë datë e vërtetojnë dy gjeneralë të ushtrisë turke, në librin e tyre të botuar në vitin 1933. Ata dy gjeneralë turqë kishin qenë në shtabin e Hasan Riza Pashës, me gradë kapiten të klasit të I-rë, gjatë tërë kohës së rrethimit të Shkodrës.
Pas vrasjes së Hasan Riza Pashës, komandën mbi ushtrinë turke e shqiptare në Shkodër e mori vet Esad Pasha, i cili ishte zëvendës i komandantit të vrarë.
*
Rrethimi, bombardimi shkatërrimi i Shkodrës nga forcat malazeze e serbe, dhe vuajtjet e varfërimi i popullsisë me krizën (zinë) e bukës, me të vrarë e të plagosur të shumtë, mungesë të kushteve për kujdesin ndaj të plagosurve, mungesën e druve a qymyrit për furrat e bukës vazhdoi edhe tre muaj.
Për vuatjet e popullit gjatë atij rrethimi e bombardimi më se 6 muaj, kanë shkruar edhe gazetarë e misionarë të huaj, ndër të cilët edhe Edit Durham. Por, kronikën më të plotë e më të saktë për rrethimin e Shkodrës, luftimet e zhvilluara, viktimat e luftës dhe krizën e bukës, e ka dhënë At Justin Rrota në librin e tij: ‘’Ditët e mbrame të Turqisë në Shkodër, ase Rrethimi i qytetit 1912-1913, Botime Françeskane, Shkodër, 2020.
***
Më 22-23 prill 1913, në Doganën e Shkodrës, pas bisedës së përfaqësuesve të pushtetit turk, në mesin e të cilëve ishte edhe Esad Pasha, si komandant i ushtrisë, nga njëra anë, dhe palës malazeze të prirë na princi Danillo, kryekomandant i ushtrisë malazeze, e gjenerali Vukotiq dhe ministri Pllamenac, nga ana tjetër, u arrit marrëveshja e dorëzimit të Shkodrës forcave malazeze. Kushtet e dorëzimit të Shkodrës i diktori princi Danillo, të formuluara si marrëveshje. Teksti i marrëveshjes së dorëzimit të Kështjellës dhe qytetit së Shkodrës, ka këtë përmbajtje:
Të gjithë ushtarët, në daç nizamë në kjofshin, në daç redifë, kështu edhe çdo klasë rezervistash, janë të lirë me e lanë qytetin, tue marrë me vete armët e veta, si edhe ushqimet e municionet.
Ashtu edhe ata prej popullit, pjesëtarë të këtij qyteti, të cilët dëshirojnë, edhe ata munden me shkue mbrapa ushtarëve, tue bartë me veti armët e teshat e veta e gjithçka që duan.
Nuk ka për t’ju ba kush farë damit, as nuk kanë për t’u shkelë tagret personale atyne myslimanëve, që gjinden mbrenda ledhave të qytetit. As nuk ka për të prekë kush kurrnjenin asish që morën pjesë në luftë kundra nesh; mbasiqë ata me këtë punë nuk kanë ba tjetër veçse kanë krye detyrën e vet, tue i dalë zot atdheut. Në një mënyrë të posaçme mund të jenë të sigurt, si populli mysliman, si edhe ai i krishterë, se nuk ka për t’i prekë kush në fe, ashtu edhe në punë nderi a të zakoneve të veta kombëtare.
Repartet e ushtrisë në të nisun kanë për të mujtë me marrë me vete, pos petkash të shtatit, të gjitha plaçkat, çadrat, shrojet, kazanat etj,; me nji fjalë, gjithçka t’u duhet atyne për rrugë; shkurt, mund të marrin me vete secili gjithçka mund të ngarkojë, kërkush s’u thotë gja. Për ma tepër, po deshën, na mund t’u japim atyne, për me i përcjellë teshat, në paçin nevojë edhe qerre, kuaj e çka t’u duhet, për me bartë.
Të gjithë zyrtarët, civilë e ushtarakë, si b.f. xhandarët e policët, të cilëve u ka anda me iu vue mbrapa ushtarëve, munden gjithsa duen; s’u pret kush rrugën.
Ushtria, kur të bajë me u nisë e me e lanë Shkodrën, ka për të kenë e përcjellun prej nji gjenerali e prej disa oficerash të Malit të Zi.
Robët e luftës, serbët, kanë për t’iu dorëze kryekomandantit të ushtrisë malazeze.
Në dash nënshtetasve të zanë rob, në dash edhe të varruemvet të vendit, u sigurohet, me dorëzani, se kemi për t’i ra mbrapa shërimit të tyne. Prandej, u japim lejen të rrijnë në Shkodër të gjithë ata që të jenë të nevojshëm, si mjekë e sanitarë turqë, edhe me u ndalë, deri sa ta shohin të rrugës. Me të mbaruemën punë si mjekët si të mjekuemit, të gjithë edhe këta kanë për të kenë përcjellë deri në kufi, me shpenzimet e shtetit malazias.
Të gjitha aktet e dokumentat ushtarake autoritetet turke janë të lira t’i marrin me vete. Pos këtyne, komanda ka për të marrë me vete edhe të tana njato akte zyrtare, me të gjitha dosjet, që t’i duken të nevojshme kryekomandantit të ushtrisë turke.
Prap, edhe të gjitha pushkët automatike (mitralozat), si edhe topat e shpejtë, bashkë me ata të fushës, me të gjitha municionet përkatëse, këto të tana ushtria otomane ka tagër t’i marrë me vete.
Të gjitha shkresoritë e artikujt e korrespondencës ushtria turke mund t’i ngarkojë e mund t’i barti me vete.
U jepet një amnisti e falje e përgjithtë atyne që gjatë luftës u munduen në çdo mënyrë me iu gjete qeverisë otomane, me spiunazhe a ndryshe.
Gjithashtu janë të falun edhe ata nënshtetas malazezë, të cilët, a pse t’ikun prej vendit të vet, ase për çdo arsye tjetër ndodheshin mbrenda në Shkodër, dhe morën armët e luftuen krahpërkrah me ushtrinë otomane kundra nesh.
Po kje se kanë nevojë ndonji gja për rrugë ushtria, Mali Zi për deri ku të mundet, ka me u ardhë në ndihmë për çka u nevojitet.
Kryekomandanti i ushtrisë së Shkodrës, ka për t’ia lëshue ushtrisë së Malit të Zi Kështjellën e qytetit, ponjashtu të paprekun, sikurse edhe nuk ka për t’i prishë e çue dam njato mjete komunikacionit e marrëdhanjesh, të cilat u vleftën atyne në kohën e rrethimit.
Më 23 prill 1913, ora 8 paradite kanë për të fillua me u dyndë ushtria turke, tue lirue Taraboshin, Bardhanjorët dhe llogoret e Fushës së Shtojit. Sa për kodrat e Tepes, këto kanë për t’u marrë në dorëzim nesër paradite, njandej kah ora 11. Fushën e Shtojit, këtë ka për ta marrë në dorëzim Mali Zi në orën 3 mbas mjesditet.
Shkodër, 9-10 prill 1329
22-23 prill 1913
Zavendës valiut e komandant Kryekomandanti i ushtrisë së
i armatës së Shkodrës, gjeneral Malit të Zi, Princi trashëgimtar
shtrie, nënshkrue, ESAD nënshkrue, DANIL
***
Siç shihet nga përmbajtja e Marrëveshjes për dorëzimin e Shkodrës, kushtet e shtruara nuk ishin shumë të ashpra ose armiqësore, por të shtrueme me korrektësi, me bujari e burrëri (shih pikat: 3, 7, 8, 9, 11 e 12), gjë që rritë dyshimin se ishin rezultat i tradhtisë.
Më 25 prill, princi Danillo në ballë të rreshtit të ushtarëve, hyni zyrtarisht në Kështjellë, ku e nguli flamurin e vet, duke thënë: ’’Flamur i dashur, ti që na kushtove aq shtrejtë, ti që kje la me gjakun e sa bijvet tu, rrnofsh e kjofsh. Ty unë tash po të nguli, e këtu ke për të mbetë përgjithmonë…’’.
Por, gëzimi i malazezëve, as flamuri i tyre në Rozafat nuk zgjati as dy javë të plota, pasiqë Fuqitë e Mëdha i detyruan ta lëshojnë Shkodrën, ku u vendosën forca ndërkombëtare, të cilat do ta qeverisën qytetin deri në mars të vitit 1914, kur bashkësia ndërkombëtare e dërgoi princ Vidin për ta qeverisur Shqipërinë, i cili poashtu nuk e pati gjatë qeverisjen, për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore.
Duke ditur se do të detyrohen ta lëshojnë Shkodrën, ushtria malazeze nuk la gjë pa plaçkitur, rrënuar e djegur, sidomos në pjesën myslimane të popullsisë së qytetit dhe të fshatrave. E dogji edhe Pazarin e Shkodrës, që ishte pazari më i mirë në Evropën lindore.
Kështu përfundoi rrethimi i Shkodrës, me viktima të shumta nga të dy palët, por derisa viktimat e turko-shqiptare ishin në mbrojtje të vendit, viktimat serbo-malazeze shkuan huq. Malazezët edhe sot konsiderojnë se Serbia i tradhtoi, i la vetëm pasi u tërhoq nga fronti sipas kërkesës së fuqive të mëdha.

Photo by: https://sq.wikipedia.org/wiki/Rrethimi_i_Shkodr%C3%ABs_%281912-13%29

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 113
  • 114
  • 115
  • 116
  • 117
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT