• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PREJ TË PARVE PRITËM NJË SHQIPNI TË LIRË!

July 29, 2024 by s p

NIPAT PRESIN PREJ NESH NJË SHQIPNI TË LUMTUM. 

AT PJETËR MËSHKALLA APOSTULLI I LIRISË, NË PËRVJETORIN E VDEKJES!  

C:\Users\user\Desktop\AT pJETER mESHKALLA.jpg

Në një ditë korriku, të nxehtë,data 28 korrik, vjeti 1988 në Shkodrën e traumatizuar nga krimet e komunizmit, në Shkodrën kryeqytetin e krishtërimit shqiptar u hap lajmi si rrufeja se At Pjetër Mëshkalla, heroi i fjalës së lirë, gjikanti i fesë e i kulturës shqiptare, simboli i martirizimit të kishës katolike e të popullit të vuajtur shqiptar,Trimi, dëshmitari, mbrojtësi i të drejtave njerzore në diktaturë, i madhi dhe i pavdekshmi At Pjetër Mëshkalla jezuiti shqiptar ndrroi jetë në qytetin e lindjes dhe kulturës ku u edukua e i shërbej me vendosmëri deri në fund, ku fitoi besimin, guximin dhe ku i la një pasuri kulturore e kombëtare jo vetëm Shkodrës por të gjithë shqiptarëve! Sot ne të mbijetuarit e diktaturës e kujtojmë këtë figurë madhore jo vetëm të kishës, por të kombit shqiptar, me një krenari, që ky personalitet i vetëm, e luftoi revolucjonin ideologjik antifetar të viti 1967.

At Mëshkalla i përket brezit të intelektualëve shqiptar të shekullit njëzet, që me stojcizëm dhe trimëri përballuan diktaturën ma çnjerzore mbas luftës së dytë botërore duke u bërë udherrëfenjës i të vërtetës, i besimit në Zot Krisht, i demaskimit të propagandës të komunizmit.

Kur përfundoi 25 vite burg politik, ai ishte 76 vjet. Ai kishte një mendje të freskët, gojën shpatë ndaj padrejtësisë, kur e lypte rasa, fjala e tije ishte mjaltë, bisedat joshëse e tij, sa nuk bahej të shkëputeshe prej tije me orë të tana. Shkodra, por dhe mijëra shqiptar që e kishin njohur në kampet e burgjet politike, pa dallim besimi fetar u piklluen e u trishtuan në zemrat e tyre,  për humbjen e atdhetarit të flakët dhe të të  vendosurit idealist, dijetarin, mendje ndriturin, dhe intelektualin e palodhur për unitetin e shqiptarve. Ushtarin e zdathun të krishtit, luftëtarin e paepur të demokracisë. Mësuesin e pavdekshëm të rinisë, kundërshtarin e pathyeshëm të diktaturës. 

Lavdi në jetë të jetve o Patër i madh që jetove e sakrifikove për atdheun tënd, për besimin tënd, për dashurinë njerzore që përçove me besimin tënd! Jemi krenar me kontributin tënd si në besimin në Zot, në krijimtarinë tuaj kombëtare, në kulturën e dijen tënde që jua përcolle brezave për vitet që jetove e punove për Shqipërinë.

Por  profecit tuaja që i transmetove në kohën e errësirës kur mungonte drita dhe liria, janë  dhe sot  aktuale dhe të domosdoshme për ndërtimin e breznisë së re shqiptare. 

Ato thënja nuk fshihen nga kujtesa kombëtare.

29 Prill1967 në ballafaqim me ideologjinë komuniste në Institutin pedagogjik të Shkodrës ai foli për breznitë që po formohen me edukimin komunist të rinisë shqiptare. Ai do të ju drejtohej ideollogve komunistë me argumentin e tij filozofik “ Po atë efekt kan ba fushatat e çfrenueme  diskretiduese antifetare zhvillue me të gjitha mjetet e propagandës tuaj.

 Si përgjigje populli ka mbushë kishat dhe xhamiat deri në çastin e mbylljes  së tyne. Ç”ë vlerë ka atëherë qëndrimi i një pakice të pandërgjegjshme e  të friksueme  me lloj lloj presionesh? 

Sidomos  pjesa e friksueme  me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun  nga kafshat e bukës, shtrëngohet  me mohue me gojë atë që beson: dhe kështu fushata që po bahen me formue një brezni të “njeriut të ri” nuk është as më pak e as më shumë vetëm një brezni “Pa kurajo civile, pa burrni, opurtuniste, servile tu prish karakterin e shqiptarit në dam të atdheut.”A nuk kemi sot prezencë, profecinë e Tijë,  një shoqëri të tulatur, servile pushteti dhe edukim nënshtrimin ndaj pushtetit politik  partiak???”

Ata që i nënvlerësuan aso kohe thanjet e tije, sot mbas 68 vitesh  po i shohim të gjitha parashikimet në realitetin e sotëm shqiptar:” Apo shkombëtarizohet Shqipnia siç e kishte parashikuar i madhi i të mëdhenjve At Pjetër Mëshkalla, politikanët postkomunistë nuk i patën këto profeci të tije në ndërtimin e shtetit të së drejtës, por ndoqën ideologjinë e forcës së pushtetit komunistë me sundu dhe jo me sjell demokraci. Shqipëria 34 vite që nuk ndërton demokracinë, por një diktaturë të korruptuar dhe një shoqëri të degraduar pa moral. Fatkeqësi kombëtare për humbjen e fisnikërisë e mos ndërtimin e shtetit të së drejtës, Shqipëria akoma është nën diktatin e ideologjisë enveriste!

Guximi i At Pjetër Mëshkallës që i drejtohehej Kryeministrit sadist Mehmet Shehu duhet të jetë sot “moto” e kundërshtive të padrejtësisë që ban pushteti dhe politika në Shqipëri gjatë këtyre 34 viteve. Ja si i shkruan Patër Mëshkalla kryeministrit sadist në kulmin e zhdukjes së besimit fetar!

Letër e At Pjetër Mëshkallës S.J.

                  Drejtua

Kryetarit të Këshillit të Ministrave 

  Mehmet Shehu Tiranë!

Shkëlqesë, Pardje, me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendët sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjes dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhët t’i kthehen; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë sherbim fetar, as edhe privatisht: Këte e ka vendosë populli. 

Mendova të drejtohem me këte letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut. Sa për libra të mij, gjana kishtare etj., le të vinë e t’i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe. 

Por unë dëshiroj të çfaq disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekëshme e Autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit. 

Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrnija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditen. 

Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vaj, si përfaqësuesin e fesë së vet.  Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonaret, e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë përsonat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit.  Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetet e propagandës. Si përgjegje populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Çë vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh? 

Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kane frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! –Flitet shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këte të Shek. XX-të? Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té. 

Unë them se, me këte luftë kundra fesë neve, edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishem ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.

Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vetit. 

Nuk më ka shty me Ju shkrue, Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira. 

Krytarit të Kësh. të Ministrave                                       Me nderime 

          Mehmet Shehu                                                 Pjetër Mëshkalla 

   në Kryeministri – Tiranë                    meshtar katolik i Shoqënisë Jezuit          5 Prill 1967.

Po të lexojsh këtë dokument që i dërgohej një krimineli siç ishte Mehmet Shehu me pushtet apsolut, çpërgjigje do të na jepshin sot këta moderatorë, analistë, televiz , sahanlëpirsa të pushtetit politikë mbeturina të enverizmit, se Shqipëria nuk pati disidencë siç pati europa juglindore!  Po cili disident europian, apo botëror mundej me ju drejtu një xhelati në mbrotje të besimit dhe Atdheut?. Kujtesa është formë e vetëdijes së një kombi a një populli. E kjo letër e Padër Mëshkallës është sot kujtesa që duhet ruajtur për breznitë, por duhet futur në kurikulumet arsimore për të mbrojtur të vertetën dhe historinë e kombit. Pushtetmbajtsit tanë mediokër gjatë këtyre 34 viteve e rrënua këtë kujtesë historike duke përdorur heshtjen një element kriminal për të luftuar sistemin e demokracisë.

Padër Mëshkalla do të takohej me kriminelin Mehmet Shehut në burgun famëkeq të Burrelit  dhe do ti jepte këtë përgjigje :“Na jemi nën dhe, e ju mbi dhe, por na jemi ma të fortë se ju.”

 E cili disident europian apo botëror mund të kishte guximin , trimërinë e At Mëshkallës përball xhelatëve!?

 Me 19 korrik 1967 në sallën e gjygjit ai do të deklaronte “Ju më dënoni sa të doni, mua nuk keni ça më bani, unë prap se prap do të dal , sepse ju shpejt keni me mbaru , mbasi do të keni hangër shoshojnë e aty është fundi i juaj” Ju kishat rranoni, por toka nuk lot! Dhe Prof. Arshi Pipa do të i shprehte mirënjohjen mbas 5 vitesh që kishe ndrrua jetë dhe mbas 45 vitesh që u kthyen në Shkodrën e tije të dashtun.“Në kjoftë se kam shpëtue nga burgu i Burrelit e jam sot gjallë , i detyrohem lutjeve të njerzeve  si Padër Mëshkalla e të tjerve  të cilët kujtoi se kanë kontribue në determinizmin e fatit tem. Prandaj mijëra të burgosur politikë që kan jetuar me At Mëshkallën në birucat e dhomat e izolimit do ta quanin “Ëngjëll i birucave.”

Meriton shumë ky njeri i madh, që nuk vdiq në tortura, sepse nën mbrotjen e Zojës së bekueme  siç shkruan ai vetë: Mes xhixhave që më lëshojshin sytë , mu duk se se pashë në vegim Zojën e Papërlyeme : O Zojë , më ndihmo me i bajtë torturat-iu luta- më forco mos të ligshtohem me ruj me dorën tande.. ndoshta askush nuk e beson , por asht fakt  që gjatë hetuesisë  hangra vetëm një shputë, Çprej asaj dite që iu pshteta Zojës, nuk më preku ma kush prej tyre  me dorë.

 Sa vetë ke shpëtua nga dëshprimi e vetvrasja ndër ata burgje e kampe të tmershme o At i shejtë!

Përvjetori i vdekjes tënde At Mëshkalla na sjell në vemendje  fjalën e Papa Gjon Palit II në sheshin  Skënderbej  1993 “ Drama juaj , shqiptar të dashtun , zgjon interesin e mbarë kontinentit europian, dhe është e domosdoshme që Europa të mos ju harroi.”    

Besim Ndregjoni i dhuron Shenjterise se tij Papa Franceskut origjinalin e Letres se Pader Pjetër Meshkalles drejtuar Kryeministrit sadist Mehmet Shehu!

Padër Mëshkalla ndaj vepres tënde të ndritur unë me 25 tetor 2023 ja dorzova  letrën tënde që ja dërgoje Kryeministrit xhelat Mehmet Shehut, Shenjtërisë së tijë Papa Françeskut, dhe sot që shkruaj për përvjetorin e kalimit në amshim tuajn ndjehem krenar që kreva një detyrë ndaj  heroit të fjalës së lire! Ndaj jush si gjikanti i fesë, dhe kulturës. Dhe i tregova Atit të shejtë sakrificën heroike të klerit shqiptar në mbrotje të besimit fetar, Kleri katolik Shqiptar është krenari e heroizmit të të gjith krishterve të botës, por mbi të gjitha është simboli i krenarisë shqiptare.

 E këtë simbol e lartësoi Patër Mëshkalla me vepren e tijë. Po e mbyll këtë kujtesë për përvjetorin tënd At me fjalët e studjuesit, biografit tuaj të nderuemit shkodranit të palodhur Fritz Radovani:

“Për të gjithë qytetarët e Shkodrës dhe mbar popullin shqiptar, jeta dhe vepra e Padër Mëshkallës mbetet simboli i atdhetarizmit,besës, burrnisë, fesë, trimnisë, bujarisë fisnikërisë shqiptare  dhe nderës ndaj Flamurit tonë kombëtar.

Besim NDREGJONI 

Filed Under: Histori

Dëshmia e historianit grek Apostolo Vakalopulos: Çamët apo grekët, ja kush ka bashkëpunuar me okupatorin nazist?

July 27, 2024 by s p

Arben Iliazi/

Gjatë pushtimit nazi-fashist të Greqisë, një pjesë e njerë zve politikë dhe oficerëve në Greqi hynë në shërbim të pushtuesit. Edhe kleri i lartë grek, me në krye kryepeshkopin e Athinës e të Greqisë , i shërbeu pushtuesve, duke respektuar kështu një traditë të hershme të kishës greke e cila, në shumicën dërrmuese të rasteve, i ka pritur me lule pushtuesit që kanë shkelur tokën greke. Nuk është rastësi që ish-komandanti i armatës në Shqipėri, në luftën italo-greke, Gjeorgjio Çolakoglu, u bë më vonë kryeministër i qeverisë kuislinge. Ishin po ato forca ushtarake që kryen masakrat kundër popullsisë së pafajshme çame, e cila u masakrua dhe u dëbuan me dhunë nga vatra amtare. Ishin repartet e gjeneralit të ushtrisë greke, N.Zerva me shokë, që vranë 2900 çamë të pafajshëm dhe 450 burra i vdiqën në tortura. Prandaj, Kuvendi Popullor i Republikės së Shqipërisë e ka shpallur 27 qershorin si dita e genocidit ndaj popullsisë çame.

Se kush ka bashkëpunuar me okupatorin nazist e sqaron historiani i njohur Apostolos Vakalopulos në librin “Historia e Greqisė Moderne”, botim i Horvathit 1991. Për këtë çështje ky akademik grek, në faqen 275 të librit të sipërcituar, shkruan: “Gjermanët ditën të përfitonin nga kundërshtitë dhe rivalitetet ndërmjet grekëve. Duke studiuar me gjakftohtësi situatën psikologjike, vuajtjet, pasionet, ambiciet e disa personaliteteve greke, vunë në zbatim, me shumë shkathtësi, të pavdekshmen strategji “përça e sundo”, duke shtuar kështu mosmarrëveshjet ndërmjet grekëve, në dobi të tyre. Populli grek u nda, njëra palë denonconte palën tjetër si tradhtare dhe kështu u çfarosën grekët, në çastin kur dukej në horizont fitorja dhe pushtuesi bëhej gati të linte vendin tonë“. Pra, se kush është fajtor për bashkëpunimin me gjermanët, na e sqaron ky historian i dëgjuar grek. Në fq.270, A.Vakalopulos pohon: “N.Plastiras, sapo mori fuqinë, vuri në veprim Traktatin e Varkizės (12 shkurt 1945), që shpallte armëpushimin dhe lejonte kthimin e vendit në jetën normale. Në Greqi, shumë bashkëpunëtorë të armikut u bënë spekullatorë të popullit grek, duke qenë përgjegjės para tij. Ata gjetėn rast dhe u bënë nacionalistë dhe shtylla të regjimit”. Rivendikimet e popullit u asgjësuan. Më 18 maj të vitit 1945, në Athinë, në gjyqin e Kryeministrit grek Ralis, Çolakoglu dhe disa bashkëpunëtorëve të tjerë në shërbim të nazifashistëve, prokurori Papradakis vuri nė dukje gjatë pretencës së tij, se pushtuesit kishin pushkatuar në Greqi 10000 vetë, shkatërruar 70000 shtëpi dhe 883 katunde. Me fakte tė pamohueshme u provua se batalionet e sigurimit të Kryeministrit kuisling, Ralis, shokët e tij dhe organet që kishin krijuar për të famshmen mbrojtje të vendit, kishin luftuar pa mëshirë kundër rezistencės greke. Ralis dhe Tavularis, ky i fundit, ministër i Brendshëm i asaj kohe në qeverinë e Ralisit, nënshkruan urdhrin e turpshėm, ku thuhej: “Policia dhe xhandarmëria greke të vihen nėn urdhrin e nazistėve gjermanë ”.

Filed Under: Histori

ASPEKTE TË HISTORISË KISHTARE NË PROVINCËN E EPIRIT TË RI NË KONTEKSTIN E RIVALITETIT MIDIS ROMËS DHE BIZANTIT

July 25, 2024 by s p

Dr. Marin HAXHIMIHALI

Universiteti i Tiranës

Fakulteti Histori-Filologji

Departamenti i Historisë

PJ.1

Arsyeja se përse studimet e mirëfillta kushtuar historisë kishtare të provincës së Epirit të Ri janë të rralla është pasojë sa e varfërisë së burimeve të shkruara, aq edhe e faktit se shpesh kjo provincë është konsideruar si shtojcë gjeografike e simotrës së saj jugore. Por siç do të shohim më poshtë, jo gjithmonë fatet e dy provincave fqinje, Epirit të Ri dhe atij të Vjetër, kanë qenë tërësisht të përputhura. Duke u nisur nga ky fakt, e gjykuam të arsyeshme t’i rikthehemi edhe njëherë rrethanave të depërtimit dhe zhvillimit të krishtërimit pikërisht në territorin në jug të Matit, ose përafërsisht në kuadratin Durrës-Dibër-Ohër-Vlorë, i cili sipas Shuflait « do të bëhej  për një kohë të gjatë rregullator i marrëdhënive dinamike midis Lindjes dhe Perëndimit ». Ndërkaq varfëria e burimeve na detyron t’u referohemi shpesh herë kronikave fetare apo letrave të Papëve si e vetmja mundësi për të rikrijuar historinë kishtare të kësaj treve.

Si në të gjitha provincat e tjera të Perandorisë Romake, organizimi kishtar dhe në Epir u zhvillua në përshtatje me strukturat politike dhe administrative. Krijimi i provincës së Epirit të Ri erdhi si rezultat i ndryshimeve të rëndësishme administrative që sollën në Ballkan reformat e Dioklecianit. Territori i Ultësirës Adriatike, që deri atëhere bënte pjesë në provincën fqinje të Maqedonisë, u shkëput prej saj duke krijuar një provincë më vete. Kjo provincë e sapokrijuar u quajt Epiri i Ri për t’u dalluar nga provinca Epiri i Vjetër, që përfshinte territoret më në jug dhe që në fakt përputhej me nocionin e gjeografëve antikë mbi Epirin.

Nuk ka një datë të saktë të krijimit të provincës së Epirit të Ri. I pari Praeses provincia Epiri Novae i njohur nga burimet është Fl. Hyginius (324-327). Ndërkaq, një të dhënë të tërthortë, por deri tani të pakundërshtuar mbi krijimin e kësaj province e sjell edhe mbishkrimi i zbuluar në Paleokastër, datuar në vitet 311-313 nga autori i gërmimeve (A. BAÇE, Kështjella e Paleokastrës, «Iliria» 2, 1981,f. 207 – 208). Kjo do të ishte dëshmia më e hershme e krijimit të provincës së Epirit të Ri.Sipas Laterculus Veronensis, që mendohet të jetë hartuar midis viteve 328 dhe 337, Epiri i Ri bënte pjesë në dioqezën e Mëzisë (Diocesius Moesarium). Në gjysmën e dytë të shek. IV (para vitit 369) kjo e fundit ndahet në dy dioqeza : atë të Dakisë në veri dhe të Maqedonisë në jug. Vija ndarëse kalon pikërisht në kufijtë veriorë të Epirit të Ri, pak a shumë sipas drejtimit Dyrrahium – Skupi – Serdika. Prefekti i ri, Praefectus praetorio per Illyricum, ushtronte pushtetin njëkohësisht mbi të dyja dioqezat e sapokrijuara.

Udhërrëfyesi i Hieroklit, që mendohet të jetë hartuar rreth viteve 527-528 përmend 9 qytete në territorin e Epirit të Ri (HONIGMANN 1939, f. 5). Krahas Durrësit, kryeqendrës së provincës, aty renditen dhe Scampa, Apolonia, Bylis, Amantia, Pulcheriopolis, Aulona, Lyhnidi si dhe dy qytete vendndodhja e të cilëve nuk është e qartë: Alistron e Skepton. Kjo situatë administrative, e cila i përgjigjet gjendjes së krijuar qysh gjatë sundimit të Teodosit II (408-450), nuk ka pësuar ndryshime të rëndësishme administrative të paktën deri në kohën e Justinianit. Dihet se aktiviteti ndërtimtar në shkallë të gjerë, që ky perandor ndërmori në Ilirik menjëherë pas ardhjes në pushtet, synonte para së gjithash rindërtimin e të gjitha qendrave të fortifikuara të lëna në harresë ose që ishin ende në përdorim si dhe, në një masë më të kufizuar, ndërtimin ex novo të fortifikimeve të reja.Përvojat e hidhura nga inkursionet e gotëve, barbarëve dhe sllavëve si edhe pasojat e tërmetit katastrofik të vitit 522 e detyruan Justinianin t’i kushtonte një vëmendje të posaçme fortifikimeve në Epir. Por strategjia fortifikuese në Epirin e Ri dallohej qartë në krahasim me atë që u përdor në provincat fqinje. Ky dallim pasqyrohet edhe në burimet e shkruara ku po t’i referohemi Prokopit, numri i fortifikimeve të reja në Epirin e Ri ishte 33, ose pothuajse tri herë më i madh sesa në provincën fqinje të Epirit të Vjetër (!).Ndërkaq numri i fortifikatave të rindërtuara për të dyja provincat është i përafërt : 26 me 24.

Veç arsyeve të përmendura më lart ky ndryshim sipas mendimit tonë ka të bëjë edhe me rolin në rritje të qytetit të Durrësit, i cili doradorës po shndërrohej në një qendër të fuqishme rajonale, si edhe me domosdoshmërinë e garantimit të sigurisë përgjatë rrugës Egnatia. Një sistem i tërë fortifikimesh synonte mbrojtjen e kryeqendrës së Epirit të Ri. Vetë qyteti i Durrësit që prej kohës së Anastasit ishte pajisur me mure të forta. Në “Exerpta historica jussu imperatoris Constantini Porphyrogeneti confecta. II, De virtutibus et vitus”; (botimi Bütnner-Wobst), I, 1906, f. 205thuhet shprehimisht: «Anastasi urdhëroi ekzekutimin e punimeve të mëdha publike për rimëkëmbjen e qyteti si dhe ndërtimin e një muri rrethues».Sipas francezit Leon Hezey që vizitoi qytetin më 1876 ky sistem fortifikimesh përbëhej nga tri rradhë muresh. Vulat e stampuara mbi tullat e përdorura dëshmojnë se punimet fortifikuese vazhduan edhe gjatë sundimit të perandorëve Justin dhe Justinian (A. GUTTERIDGE, A. HOTI, H.R. HURST «The walled town of Dyrrachium (Durres): settlement and dynamics », JRA 14 (2001), f. 390-410).Kështu qyteti u shndërruanë një nga metropolet e Perandorisë Bizantine.

Durrësi, ashtu si dhe Nikopoja më në jug, nuk ishte thjesht një qendër administrative e provincës, por njëkohësisht seli peshkopale dhe vatër e përhapjes së krishtërimit në të gjitha territoret përreth. Ndonëse gjurmë të bashkësive të para të krishtera mungojnë, mund të thuhet se në Durrës krishtërimi ishte përhapur që në kohët më të hershme. Sipas të dhënave të Acta Sanctorum(Biblioteca Sanctorum, II, 512, Roma 1962)Shën Asti, peshkopi i dikurshëm i Durrësit, u martirizua në kohën e perandorit Trajan nga viti 100. Kujtimi i këtij martiri të fillesave të krishërimit në provincën e Epirit të Ri dhe në gjithë Ballkanin ka qenë i pranishëm deri në kohët më të vona. Këtë e dëshmon dhe paraqitja e portretit të Shën Astit të Durrësit në kishën mesjetare të Rubikut, ku ka qenë i dukshëm deri nga fundi i shek. XIX. Mendohet se edhe përpara tij dy peshkopë të tjerë kanë ushtruar aktivitet në Durrës, gjë që e shtyn praninë e kishës në këtë qytet deri në epokën apostolike.

SipasFarlatit rezulton se vetë Shën Pali ka ushtruar aktivitet misionar në Durrës dhe se në vitin 58 në këtë qytet ekzistonte një bashkësi e krishterë e organizuar që drejtohej nga peshkopi Cesar (D.FARLATI, Illyricum Sacrum, vazhduar nga J.COLETI,VII, f. 341, Venezia 1819). Ndërkaq historiani dhe teologu dominikan francez Michel Le Quein jep një person njëkohshëm me Shën Palin me emrin Apollon si peshkop të Durrësit, por kjo duhet marrë me rezerva pasi sipas traditës i njejti person del të ketë shërbyer edhe në Korinth (LE QUEIN, Oriensis Christianus, In quatuor Patriarchatus digestus, II, Parisiis 1740, f. 240).

Për herë të parë në burimet e shkruara një peshkop në Durrës citohet me emër në vitin 381. Ai është Euhari, që merr pjesë në Konsilin Ekumenik të Kostandinopojës (Acta Conciliorum Oecumenicoroum, (më poshtë ACO), I, 7, Berlin 1927, f. 114).Qendrat e tjera peshkopale të Epirit të Ri përmenden sipas kësaj kronologjie: Amantia në vitin 343, Apolonia më 431, Scampa dhe Aulona më 458. Në të gjitha rastet përmendja lidhet ose me pjesëmarrjen e peshkopit përkatës në koncile: Eulali i Amantias në koncilin e Serdikës (L.THALOCZY, C.JIRECEK, M.SUFFLAY, Acta et Diplomata res Albaniae Mediae Aetatis, I, Vindobonae 1913, (më poshtë A.ALB), I, nr. 1, f. 1), Feliksi i Apollonisë në Efes (ACO, I, 1, 2, f. 4, nr. 47), ose me nënshkrimin e peshkopit në letrën kolegjiale të sinodit provincial të Epirit të Ri drejtuar perandorit Luan: Nazari i Aulonës (ACO, II, 5, f. 96) dhe Artemi i Scampas (po aty).

Sesa fragmentare janë këto burime dëshmohet edhe nga fakti se një seli peshkopale e Epirit të Ri si Bylisi, ku gërmimet arkeologjike kanë nxjerrë në pah një aktivitet të dendur fetar, tashmë të dokumentuar mirë të paktën që nga shek. V, përmendet vetëm dy herë në burimet e shkruara, aty nga mesi i këtij shekulli (në 431 dhe 458), për të rënë më pas sërish në harresë.Përmendjet e Bylisit në burimet historike janë tepër fragmentare dhe problematike. Emri i qytetit në trajtën e tij të mirfilltë nuk përfshihet as në listën e fortifikimeve hartuar nga Prokopi, pavarësisht se në terren janë gjetur mbishkrime që flasin për aktivitetin ndërtimor të Viktorinit, kryearkitektit të Justinianit në Bylis. Këtyre problematikave u kemi kushtuar edhe një punim të veçantë:M. HAXHIMIHALI, Byllis et sa région à la lumière des sources écrites du VIe siècle (Bylisi dhe rrethinat e tij në dritën e burimeve historike të shek. VI), botuar në L’Illyrie méridionale et l’Epire dans l’Antiquité, Actes du IVe colloque international de Grenoble (10-12 Octobre 2002), Paris 2004, f. 463-465.

Edhe pse nga pikëpamja administrative Iliriku ishte pjesë e Bizantit, organizimi fetar varej nga Papa i Romës. Të paktën që rreth vitit 325 Papa ushtronte autoritetin mbi kishën e Ilirikut përmes peshkopit të Selanikut, i cili nga pozita e Vikarit të Papës mbikëqyrte klerin e dioqezave të Ilirikut. Kryepeshkopët (metropolitët) e secilës provincë (dioqezë) ishin të barabartë midis tyre dhe gëzonin një autonomi relative brenda kufijve të provincës (kufijtë administrativë të provincave përputheshin me ato të dioqezave përkatëse). Ndërkaq përmes vikarit të Selanikut Papët këmbëngulnin vazhdimisht për respektimin e kompetencës së tyre në emërimin e peshkopëve të Ilirikut. Në një letër që Papa Nikolla I i dërgon perandorit Mihal III, në të cilën autorirendit të gjithë paraardhësit e tij që e gëzonin të drejtën për këtë emërim, përmendet dhe Papën Damas (366-384). Prej këtej rrjedh se juridiksioni i Romës mbi peshkopatën e Epirit fillon pra që nga mesi i shek IV, d.m.th. përpara ndarjes së perandorisë dhe vazhdon jo pa luhatje deri në kohën e Papës Luan i Madh (440-461).

Strategjia e Selisë së Shenjtë synonte që qendra e gravitetit të organizimit kishtar në Ilirik të bëhej Selaniku, ashtu siç ishte Roma për gadishullin Apenin. Studime serioze kanë provuar tanimë se « duke iu përshtatur situatës politiko-administrative papët e Romës arritën ta ruajnë për një kohë të gjatë ndikimin e tyre në Ilirik » (CH. PIETRI, Roma Christiana, (BEFAR, 224), II, Rome 1976, f. 776 – 789).

Në fakt rëndësia e Selanikut si qendër ekonomike dhe administrative, pasi aty e kishte selinë prefekti i të gjithë Ilirikut, ia lehtësonte dukshëm peshkopatës së këtij qyteti rolin drejtues mbi klerin e gjithë trevave ballkanike. Por rrethanat historike dhe politike bënë që autoriteti i peshkopit të Selanikut, të ngritur në pozitën e Vikarit apostolik, të vijë duke u dobësuar. Vikariati duket se merr fund pikërisht në kohën e Luanit të Madh përballë një autonomie lokale në rritje të vazhdueshme në Ilirik.

Sinodet e mbledhura gjatë krizës monofizite dëshmojnë për zbehjen graduale të rolit të vikariatit të Selanikut. Në sinodin e Efesit (431), shumica e peshkopëve të Ilirikut përkrahu pozitat teologjike dhe politike të Papës së Romës kundër peshkopit të Kostandinopojës. Në gjirin e kësaj shumice, që kërkoi përjashtimin nga sinodi të atyre që kishin luftuar Cirilin e Aleksandrisë duke marrë anën e Nestorit, u rreshtuan dhe përfaqësuesit e Epirit të Ri, përkatësisht peshkopi i Durrësit (Eucharius episcopus Dyrachii) dhe ai i Apollonisë e Bylisit (Felix episcopus civitatisApolloniaeet Bellidis),(J.D. MANSI, Sacrorum Consiliorum nova et amplissima collectio. Florenz 1766, (Graz 1960-1962), IV, f. 1126).Këtu është interesant të vihet në dukje pozicioni i peshkopit Feliks,që mesa duket është pasqyrim i fazës së ndërmjetme gjatë së cilës Apollonia dhe Bylisi kishin një seli peshkopale të përbashkët (HAXHIMIHALI 2004, f. 464).

Dy dekadat që pasuan sollën ndryshime të thella në peshkopatën e Epirit të Ri. Këto ndryshime u pasqyruan në qëndrimin e mbajtur nga përfaqësuesit e dioqezës në sinodin tjetër të mbajtur në Efes. Në këtë sinod të mbledhur më 8 gusht 449, Papa i Romës përkrahte peshkopin e Kostandinopojës Flavin kundër murgut Eutuh dhe pasardhësit të Cirilit, Dioskurit të Aleksandrisë. Por duket se në këtë kohë ndikimi i Selisë së Shenjtë dhe bashkë me të edhe roli i Vikariatit si instrument i saj ishte zbehur dukshëm në Ilirik(CH. PIETRI, Roma, f. 1134 – 1139). Nga procesverbalet e sinodit del se kryepeshkopi i Epirit të Ri, Lluka i Durrësit, nuk i kurseu lëvdatat për Eutuhin (D.FARLATI, Illyricum, f. 344).Qëndrimi i tij nuk ishte thjesht një pozicionim personal, por ai i përgjigjej frymës që mbizotëronte në të gjithë dioqezën e Epirit të Ri. Në këtë këndvështrim duhet parë dhe fjalimi i përfaqësuesit tjetër të delegacionit modest prej dy vetësh që përfaqësonin gjithë provincën e Epirit të Ri. Peshkopi i Lyhnidit, Antoni, solidarizohej plotësisht me qëndrimin e metropolitit të tij(MANSI VI, 606.9).

Për shkak të situatave të turbullta që po kalonin si rrjedhojë e dyndjeve përfaqësuesit e provincave të Ilirikut ku flitej gjuha latine munguan në sinod (me përjashtim të kryepeshkopit të Dakisë Mesdhetare) dhe mesa duket kjo ndikoi edhe në vendimet përfundimtare që u morën atje. Studimi i dokumentacionit dëshmon se mungesa e solidaritetit të peshkopëve të Ilirikut ndaj Papës së Romës nuk ishte një veprim strategjik i organizuar. Përmbajtja e diskutimeve dhe rradha e nënshkrimeve,Lluka i Durrësit firmos i 51-ti në një listë me 137 emra ku nuk kanë rang të privilegjuar as Vikari i Selanikut e as peshkopi i Kostandinopojës, flasin më tepër për një pozicionim në rang province dhe në këtë kuadër peshkopët e Epirit të Ri shfaqen për herë të parë në kundërshtim të hapur me Selinë e Shenjtë(M. HAXHIMIHALI, La hiérarchie religieuse des provinces d’Epire et de la Dardanie face à la rivalité entre Rome et Constantinople en Illyricum, në L’Illyrie méridionale et l’Epire dans l’Antiquité, Actes du IIIe colloque international de Chantilly (16-19 Octobre 1996), Paris 1999, f. 308).

Por kjo kundërshti nuk zgjati shumë. Vetëm dy vjet më vonë, në tetor 451, në sinodin e Kalkedonisë pothuajse të gjithë peshkopët e Ilirikut pranuan se kishin gabuar. Në kushtet komode që garanton anonimiteti i grupit ata bënin thirrje tashmë për mbrojtjen e Dioskurit të Aleksandrisë, me të cilin sipas kërkesës së tyre, sinodi duhej të tregohej zemërgjerë. Përmes Atikut, kryepeshkopit të Nikopojës, që në sinod u bë zëdhënës i shumicës së peshkopëve të Ilirikut, ata kërkonin sanksionimin e së drejtës së kryepeshkopit për të mbikqyrur zgjedhjet e klerikëve në dioqezën përkatëse. Kjo ishte në fakt një kërkese për autonomi lokale, e cila binte ndesh me aspiratat e klerit të Kostandinopojës.

Por peshkopët e Ilirikut nuk u mjaftuan me kaq. Ata kundërshtuan gjithashtu kanonin 28 që kishte të bënte me privilegjet e klerit të Kostandinopojës dhe autoritetin e tij mbi dioqezat e Thrakës dhe Azisë. Duke qenë se këto probleme nuk preknin drejpërsëdrejti interesat e tyre, shumica e peshkopëve të Ilirikut abstenuan gjatë debateve mbi këto tema, sikurse pasqyrohet edhe në dokumentacion (E. SCHWARTZ, ACO, II, Leipzig 1933, dok. 1, 3, 8, 9, 10 ; f. 89 – 90). Edhe në këtë koncil Epiri i Ri përfaqësohej nga dy delegatë, ndërkohë që për arsye të njejta si dhe dy vite më parë munguan sërish përfaqësuesit e provincave latine (Dakisë, Dardanisë, Prevalit etj).

Nënshkrimet bëhen sipas parimit të vendosjes gjeografike : Lluka i Durrësit nënshkruan i 48-ti, fill pas kryepeshkopit të Epirit të Vjetër dhe para atyre të Kretës dhe të Thesalisë. Kështu në konsilin që konfirmoi qendrimin zyrtar të Kishës ndaj çështjes së natyrës së Krishtit, hierarkia e lartë kishtare e Epirit të Ri konfirmoi besnikërinë e saj ndaj ortodoksisë zyrtare. Në vitet në vazhdim zhdukja e Vikariatit kontribuoi në rritjen e autoritetit të metropolitëve, përpjekjet e të cilëve për të arritur një autonomi rajonale, sollën një distancim të paevitueshëm nga Roma. Përpjekje të tilla nuk kishin si të mos përkraheshin nga perandori bizantin Luan.

Ndryshe nga paraardhësi i tij Teodosi i Madh, që për të garantuar unitetin kishtar bazohej në disa qendra të mëdha dioqezash të privilegjuara, Luani ndërmori një konsultim në shkallë të gjerë të të gjithë peshkopëve të Perandorisë Bizantine lidhur me vendimet e Kalkedonit. Ky veprim ishte një lloj sprove besnikërie po të kihet parasysh fakti se për gjithë Perëndimin, perandori u mjaftua vetëm me konsultimin e Romës. Nga Epiri i Ri perandorit Luan i vjen një përgjigje pozitive : (A. ALB. I, nr. 23, f. 4: «Luchas Durrachiensis aliique ad Leonem imperatoremin factis Timothei Alexandriae»).  Këtu mbetet të sqarohet se cili është « Paulus episcopus Prinatenus ». A është fjala për Palin peshkopin e Drishtit, siç mendon Farlati, që sheh këtu një gabim ortografik të trajtës Priuatenus në vend të Drivastenus (D. FARLATI, Illyricum VII, f. 234 dhe 346)? Në këtë rast kjo do të përputhej me «Paulus episcopus Drivastenus» të dhënë nga Le Quien (Oriens, f. 201).

Filed Under: Histori

Baroni Irlandez që refuzoi të bëhet Mbret i Shqipërisë

July 24, 2024 by s p

Nga Ndrek Gjini

MA in Writing, University of Galway, Ireland/

Irlandezi Rowland George Allanson-Winn, i njohur si Baroni i 5-të Headley (19 janar 1855 – 22 qershor 1935), refuzoi dy herë ofertën për t’u bërë Mbret i Shqipërisë. Ky personalitet me një histori të pasur dhe të larmishme ishte një figurë e rëndësishme në historinë e komunitetit mysliman britanik. I lindur në Londër, Allanson-Winn u arsimua në Westminster School dhe më pas në Trinity College të Universitetit të Kembrixhit. Ai më vonë ndoqi Middle Temple për studime juridike dhe e përfundoi shkollimin e tij në King’s College, Londër. Megjithatë, më vonë ai vendosi të ndjekë një karrierë si inxhinier ndërtimi, duke ndërtuar rrugë në Indi dhe duke drejtuar projekte të rëndësishme infrastrukturore.

Allanson-Winn ishte gjithashtu një boksier i pasionuar dhe autor librash mbi boksin. Në vitin 1899, ai u martua me Teresa Johnson, vajzën e William H. Johnson, ish-Vezir i Ladakhut në Indi. Teresa vdiq në vitin 1919, një humbje që ndikoi thellë në jetën e tij.

Jeta e tij mori një kthesë të papritur më 16 nëntor 1913. Allanson-Winn u konvertua në Islam dhe mori emrin Sheikh Rahmatullah al-Farooq. Ai themeloi Shoqërinë Myslimane Britanike në vitin 1914 dhe shkroi disa libra mbi Islamin, përfshirë “Zgjimi Perëndimor në Islam” dhe “Tre Profetët e Mëdhenj të Botës”. Ai kreu dy herë haxhin në Mekë, duke udhëtuar gjerësisht për të përhapur njohuritë e tij.

Në vitin 1913, pas vdekjes së kushëririt të tij, ai trashëgoi titullin si Baroni i 5-të Headley. Në vitin 1921, ai u martua me shkrimtarën australiane Barbara Baynton. Megjithatë, në vitin 1922, ai shpalli falimentimin në të gjitha bizneset e tij, duke kaluar në vështirësi financiare.

Pavarësisht nga problemet e tij financiare, fama e tij mbeti e lartë në qarqet e larta të shoqërisë.

Miqtë e tij në SHBA dhe Evropë lobuan për të, duke i ofruar dy herë fronin mbretëror të Shqipërisë në vitin 1925. Ofertat përfshinin një shpërblim prej 500,000 dollarësh dhe 50,000 dollarë në vit, të cilat ai i refuzoi.

Pas këtij refuzimi, gruaja e tij, Lady Headley, u kthye në Melburn, ku vdiq në vitin 1929.

Ai ishte një nga Baronët më të njohur në botë që u konvertua në Islam në Angli, shumë përpara se myslimanët të mbërrinin në numër të madh nga India dhe Pakistani. Ai ishte hoxhë dhe drejtues kryesor i xhamisë në qytetin Woking të Britanisë, një qytet me një trashëgimi të pasur arkitekturore dhe historike me Xhaminë Shah Jahan.

Xhamia Shah Jahan, e ndërtuar në vitin 1889, është një nga thesaret e mëdha arkitekturore të Wokingut dhe është njohur si xhamia e parë e ndërtuar në Britani. Një nga hoxhallarët dhe drejtuesit më të hershëm të shquar të kësaj xhamie ishte Rowland George Allanson Allanson-Winn, Baroni i 5-të Headley, që ishte dhe një nga Baronët e parë të konvertuar në Islam.

Baronia e Allanson-Winn, me origjinë nga Aghadoe në Kerry, Irlandë, daton që nga viti 1797. Në vitin 1913, pas vdekjes së kushëririt të tij, ai trashëgoi titullin dhe pasuritë e familjes në Kerry. Në të njëjtin vit, ai u konvertua në Islam dhe mori emrin mysliman Sheikh Rahmatullah al-Farooq. Ai themeloi Shoqatën Myslimane Britanike në 1914, shkroi disa libra mbi Islamin dhe bëri dy herë haxhin në Mekë.

Në vitin 1922, ai shpalli falimentimin. Një vit më vonë, ai refuzoi ofertën për t’u bërë Mbret i Shqipërisë, duke thënë se “e vetmja gjë që mund të përfitojë nga ai Fron Mbretëror janë telashet dhe ndofta mundësia që të vritej.” Baroni Headley vdiq më 22 qershor 1935 dhe u varros në Varrezën Brookwood, pranë Woking. Titulli Baron i familjes Headley u shua kur djali i tij më i vogël, Charles Allanson-Winn, vdiq në vitin 1994.

Filed Under: Histori

Historike – 22 Korrik 2010: Kosova shtet fituese në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku Serbia ishte ankuar kundër Pavarësisë

July 22, 2024 by s p

-Para 14 viteve, në ditë historike – 22 Korrik 2010, Kosova shtet doli fituese në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) pas një ankese që Serbia kishte dërguar kundër shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik të vitit 2008/

-Në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) në ditën e Vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, atëherë Ministri i Jashtëm Kosovar Skender Hyseni fliste në telefon nga Haga: Sigurt se do të ketë njohje të reja për Kosovën…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 22 Korrik 2024/ Kosova fituese përballë Serbisë doli para 14 viteve, kur Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u dha pas një ankese që Serbia i kishte dërguar kundër shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në 22 Korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës së Pavrësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008 “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.

“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikushme të së drejtës ndërkombëtare”, theksohej më tej.

Atëherë, para 14 viteve, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, e cilësonte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si “të qartë” dhe që “nuk lë vend për dyshime”, se pavarësia e Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndrëkombëtare.

“Gjykata konstatoi, me shumicë dërmuese, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Mendimi i Gjykatës është eksplicit dhe i qartë, dhe nuk lë vend për dyshim”, thuhej në deklaratën e ministrit Hyseni, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur në favor të Kosovës në të gjitha pikat”, vazhdonte më tej deklarata.

“Tani presim njohje të mëtejme të Kosovës. U bëjmë thirrje shteteve që e kanë shtyrë njohjen e Republikës së Kosovës në pritje të Mendimit të Gjykatës, që tani të vendosin për njohjen (e Kosovës)”, thuhej në deklaratën e ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

ARKIV, 22 KORRIK 2010 – INTERVISTA QË KAM ZHVILLUAR NË DITËN E VENDIMIT TE GJND – MINISTRI HYSENI FLET NGA HAGA: ME BEOGRADIN NUK DO TË KETË BISEDIME PËR STATUSIN E KOSOVËS, NDARJE APO SHKËMBIM TERRITORESH

-Ministri i Jashtëm Kosovar Skender Hyseni në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) në ditën e Vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) para 12 viteve: Marrëdhëniet e mira me Serbinë, interes i përbashkët për integrim në BE e NATO/

Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) tregoi qartë se pavarësia e Kosovës nuk ka krijuar asnjë precedent dhe se është në interes të Ballkanit Perëndimor, deklaronte ministri i Jashtëm Kosovar Skender Hyseni në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar para 14 viteve për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH). “Opinioni këshilldhëns i GJND-së, tregoi qartë se pavarësia e Kosovës, nuk ka krijuar asnjë precedent dhe se është në interes të Ballkanit Perëndimor”, tha ministri Hyseni, në intervistë telefonike nga Haga.

Ministri Hyseni në 22 Korrik 2010 ishte i pranishëm kur GJND dha mendimin këshillimor në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë u shpreh në favor të pavarësisë së Kosovës. Presidenti i GJND-së Hiasashio Ovada deklaroi se pavarësia nuk shkel të drejtën ndërkombëtare.

Shefi i diplomacisë kosovare tha se, “ne e dimë që Kosova dhe Serbia e kanë të ardhmen e tyre në BE dhe NATO, e për këtë arsye marrëdhëniet e mira fqinjësore janë të domosdoshme”. Ai nënvizoi se “këtë fakt, e kemi përcaktuar qartë prej kohësh, tani është në dorën e Serbisë që të tregohet në nivelin e përgjegjësive të duhura”.

Hyseni vuri në dukje se “nga vendimi i GJND-së, nuk ka asgjë që do të mund linte mundësi sado të vogla që të hidheshin dilema rreth shtetësisë së Republikës së Kosovës”.

Ministri pohoi se normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi varet ekskluzivisht nga Serbia. “Kemi shprehur vullnetin për raporte të mira fqinjësore me Serbinë, sikurse i kemi ndërtuar me të gjithë fqinjët e tjerë por ky rast është interes i përbashkët”, tha ai.

Hyseni rithekson faktin se me Beogradin nuk do të ketë bisedime për statusin e Kosovës, ndarje apo shkëmbim territoresh, ide rreth të cilave është spekuluar muajt e fundit. “Kosova dhe Serbia janë fqinjë të përhershëm dhe si të tillë, sot apo nesër, pas një kohe apo pas shumë kohësh, do duhet të bisedojnë për çështje të natyrës praktike që i lidhin këto vende të pavarura dhe sovrane”, tha Hyseni.

Ministri i Jashtëm kosovar, Skender Hyseni, u shpreh i sigurt se do të ketë njohje të reja për Kosovën pasi ka një numër vendesh që janë zotuar për këtë ndërsa u bëri thirrje shteteve që nuk e kanë njohur ende, e veçanërisht atyre vendeve që kanë pritur opinionin këshilldhënës të GJND-së, që ta bëjnë këtë sa më parë.

Kosova shpalli pavarësinë në 17 Shkurt 2008 dhe deri tani është njohur nga 69 shtete, theksohej në fund të intervistës së 22 Korrikut 2010.

Ndërsa, deri tani – 14 vjet pas Opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë Kosova është njohur nga 117 shtete anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

KOSOVA PËRGADITET PËR GJND – RAPORTIM QË KAM BËRË MË 15 TETOR 2008:

PRISHTINË, 15 Tetor 2008/ – Sir Michael Wood nga Mbretëria e Bashkuar do t’i prijë ekipit ligjor të Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sapo kumtuan institucionet më të larta kosovare, Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi.

Deklaratën për shtyp në lidhje me përgatitjet dhe procedimet para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në një konferencë për media, të sapo mbajtur në Presidencë, ku ishin edhe presidenti Fatmir Sejdiu e kryeparlamentari Jakup Krasniqi, e paraqiti kryeministri Hashim Thaçi, pas konsultimeve të krerëve të institucioneve kosovare.

Më poshtë po e japim të plotë deklaratën:

Deklaratë për shtyp në lidhje me përgatitjet dhe procedimet para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

· Kemi kënaqësinë e madhe të shpallim se Qeveria e Kosovës, pas konsultimeve me Presidentin e Kosovës, z. Fatmir Sejdiu, dhe Kryetarin e Parlamentit, z. Jakup Krasniqi, si dhe konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë dhe ekspertët ligjorë, ka zgjedhur Sir Michael Wood nga Mbretëria e Bashkuar t’i prijë ekipit ligjor të Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

· Z. Wood është një nga juristët më të shquar dhe përgatitur ndërkombëtarë të së sotmes, dhe jemi me fat që ai është i gatshëm të paraqesë rastin tonë para GJND-së. Sir Michael Wood ka shërbyer si këshilltar ligjor në Zyrën e Jashtme dhe të Komonveltit të Mbretërisë së Bashkuar prej vitit 1999 deri më 2006. Në emër të Mbretërisë së Bashkuar, ai mori pjesë në Konferencën ndërkombëtare të Dejtonit dhe në Konferencën e Rambujesë në vitin 1999.

· Z. Wood është paraqitur para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë shumë herë dhe ka punuar në shumë raste të njohura të drejtës ndërkombëtare, përfshirë Mendimin Këshilldhënës të GJND-së për Pasojat Ligjore të Ndërtimit të Murit në Territorin e Okupuar Palestinez.

· Angazhimi i tij i kohëgjatë në çështjet e së drejtës ndërkombëtare të ndërlidhura më progresin e Kosovës drejt pavarësisë, e bën atë të kualifikuar në mënyrë unike për të përfaqësuar interesat tona kombëtare para gjykatës, dhe kemi besim të madh në gjykimin dhe përvojën e tij.

· U takuam sot me z. Wood për ta diskutuar rastin e Kosovës dhe paraqitjen tonë. Kosova ka një rast të fortë, dhe synojmë të demonstrojmë para gjykatës se nuk ka asgjë në shpalljen e pavarësisë së Kosovës që shkel të drejtën ndërkombëtare.

· 51 shtete nga e tërë bota tashmë kanë njohur se Kosova është shtet i pavarur me qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe kushtetutë moderne që ofron garanci të bollshme për të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj, dhe posaçërisht komunitetet e saj pakicë.

· Gjatë javëve dhe muajve të vijim, z. Wood do të punojë ngushtë me Qeverinë e Kosovës për të zhvilluar paraqitjen tonë para gjykatës.

· Në koordinim me ne, ai do të mbledhë një ekip ndërkombëtar ligjor të kalibrit më të lartë. Sipas nevojës, ekipi i tij ligjor do të përdorë ekspertizën vendore në Kosovë për të formuluar rastin më të fortë të mundshëm.

· Koordinimin e kësaj përpjekjeje ia kemi besuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila do të merr rolin prijës në emër të Qeverisë së Kosovës. Dëshirojmë që sërish të shprehim besimin tonë të palëkundur në ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe do të vazhdojmë të ndjekim njohjet ndërkombëtare gjatë zhvillimit të procesit para GJND-së. Dëshirojmë të theksojmë se kemi besim të plotë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, organin kryesor gjyqësor të Kombeve të Bashkuara.

GAZETA TRADICIONALE E KOSOVËS RILINDJA PËR 17 SHKURTIN HISTORIK 2008

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, Kryeredaktor i së cilës isha, për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 115
  • 116
  • 117
  • 118
  • 119
  • …
  • 737
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT