• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AT’ SHTJEFËN GJEÇOVI, THEMELUESI I ARKEOLOGJISË SHQIPTARE

July 14, 2024 by s p

Lida Fabian Miraj/

Fretnit Françeskanё kanё qenё dhe janё dhe sot e gjithё ditёt shumë tё respektuar pёr qёndrimet e tyre tё drejta jo vetёm pёr “Fe e pёr Atdhe”, por edhe pёr erudicion nё tё gjitha fushat e kulturёs. Kontributi qё ata kanё dhёnё nё kulturёn shqiptare ёshtё i pamohueshёm, pavarёsisht nga persekutimet e vazhdueshme qё kanё pёsuar gjatё shekullit të kaluar, duke filluar me vrasjen e At Shtjefёn Gjeçovit nё afёrsi te Prizrenit nё vitin 1930, apo mё pas me vrasjet, zhdukjet, torturat dhe persekutimet e Fretёnve Françeskanё gjatё viteve tё egra tё Komunizmit nё Shqipёri.

Duke u kthyer nё subjektin e kёtij shkrimi, i cili lidhet me At’ Shtjefёn Gjeçovin, këtë themelues të arkeologjisё shqiptare dhe me Koleksionin arkeologjik, tё cilin ai e pat mbledhur me shumë kujdes e përkushtim dhe qё ruhej nё njё nga ambientet e Kuvendit tё Françeskanёve nё Gjuhadol tё Shkodrёs; ёshtё e dhimbshme tё mendohet qё ky koleksion nuk ekziston mё, dhe kjo gjё datohet qё nё vitet e para tё regjimit komunist.

At’ Shtjefёn Gjeçovi jo vetёm kishte koleksionuar me dashuri e pasion te veçantё, por edhe kishte botuar njё pjesё tё materialit arkeologjik nё revistёn “Zani i Shna Ndout” nё maj-gusht tё vitit 1920. Nё kёtё botim ai prezantonte rёndёsinё qё kishte arkeologjia nё historinё e errёt tё Shqipёrisё dhe pёrshkruante gёrmimet qё ai vetё kishte mundёsuar. Koleksioni arkeologjik i At’ Shtjefnit ose i Fretёnve Françeskanё ishte mjaft i rёndёsishёm jo vetёm pёr cilёsine e materialeve qё ruheshin, por edhe pёr faktin se ato kostituonin shembuj unik gjetjesh nga nekropoli i Komanit, nga Laçi Sebastes, nga Shala e Dukagjinit, Kopliku, Postrriba, Mirdita, etj., apo edhe nga gjetje tё tjera rastёsore.

Nё vitin 1998, pas kthimit tim nga njё vit akademik pёr Studime Bizantine Post Doktoratë, nё Dumbarton Oaks, Washington D.C., Institut i Universitetit Harvard, une u mora me njё punё kёrkimore rreth veprimtarisё sё Misionit Arkeologjik Italian nё Shqipёri nё vitet 1924-1943.

Nё Arkivin Qёndror tё Shtetit ne Tiranë ndërmjet shumё dokumentave gjёndet nje letёr, nё tё cilin thuhet se mё 13 Korrik 1927, zoti Ugo Sola, Ministёr pranё Ambasadёs Italiane nё Tiranё, disa kopje tё librit tё parё , “Albania Antica”, tё arkeologut Luigi M. Ugolini, ja dhuronte me dedikime personaliteteve shqiptare pёrfshirё Rektorin e Jesuitёve dhe At Gjergj Fishtёn nё Shkodёr, At Shtjefёn Gjeçovin, i cili nё atё kohё ishte nё Kosovё, e tё tjerё. Njё nga kopjet e kёtij libri i ishte dёrguar edhe At’ Klement Miraj, famullitarit tё Rubikut, qё ishte njekohesisht edhe kurator i koleksionit arkeologjik tё Gjeçovit. Nё Arkiv ruhet letra me konsideratat e mendimet personale qё At’ Klement Miraj i drejtonte z. Ugo Sola, pasi kishte lexuar me kujdes librin “Albania Antica I” tё Ugolinit.

Nё librin e Ugolinit njё vend mjaft tё rёndёsishёm zinte edhe pёrshkrimi i Seksionit Arkeologjik pranё Muzeut Historiko-Gjeologjik tё Jezuitёve nё Shkodёr, i Koleksionit Arkeologjik tё familjes Vlora ekspozuar nё pallatin e tyre nё Vlorё, si edhe pershkrimi i Koleksionit Arkeologjik te mbledhur me kujdes nga At’ Shtjefёn Gjeçovi dhe qe ruhej ne Kuvendin e Franceskaneve ne Gjuhadol.

Ugolini pёrshkruan (fq. 18): Questo sincero discepolo di San Francesco è una di quelle persone che, seguendo una nobile tendenza insita naturalmente nel proprio animo, nei pochi momenti di libertà si dedica con fervoroso ed illuminato trasporto verso tutto quanto costituisce argomento o sussidio per lo studio della storia del suo paese. E poichè gli avanzi archeologici più lo attraggono, egli non solo li raccoglie e custodisce con amorosa cura, ma cerca anche d’interrogarli intelligentemente.

Luigi M. Ugolini, nё botimin e tij, falenderon At’ Shtjefnin, qё me bujari ja kishte ofruar tё gjitha objektet e koleksionit pёr studim, gjatё vizitave tё tij nё Shqipёri nё pranverё e vjeshtё tё vitit 1924, dhe i pёrshkruan ato me detaje duke nёnvizuar se ndonёse koleksioni nuk ishte i shumtё nё numёr, ishte shumё i rёndёsishёm si pёr cilёsinё e objekteve qё ruheshin, ashtu edhe pёr faktin se nё shumё raste ishin shembuj unik tё llojeve qё ai vetё kishte parё dhe nёnvizon se tё gjitha objektet vinin nga zonat qё ai i quan zemra e Shqipёrisё. Nё menyrё tё pёrmbledhur, sipas pershkrimit te detajuar te Ugolinit, koleksioni kishte objekte prehistorike si çekiçё guri, sёpata hekuri dytehёshe, sёpata te ashtuquajtura shqiptaro-dalmate; vazo tё vogla qelqi e vazo qeramike tё periudhёs helenistike, fibula bronzi tё periudhёs romake; perla me pastё xhami, vathё, unaza, si edhe monedha tё periudhave tё ndryshme. Interesante ishin edhe disa objekte tё antikitetit tё vonё nga nekropoli i Komanit, tё cilat kishin shenjёn e kryqit, gjё qё lidhej me prezencёn e herëshme Krishtёrimit nё kёto treva. Sipas Ugolinit banorёt e zonёs sё Komanit krijonin objekte speciale me simbolin mё karakteristik tё besimit tё tyre, dhe lejonin formula tё veçanta si pёr tё treguar qё nuk dёshёronin tё ishin tё trajtuar si paganё. Nё fakt nuk dihet me saktёsi se kur Krishtёrimi u pёrqafua nga banorёt e kёtyre zonave tё thella, por të dhënat nga burimet historike thonë shumë qartё se Durrёsi e Salona ishin dy portat kryesore tё pёrhapjes sё Krishterimit nё Ballkan. Për pasojë dekorimi me simbolet e Krishtera nё Antikitetin e vonё tregon se kishte kohё qё popullsia e këtyre trevave kishte pёrqafuar Krishtërimin.

Ndёr fragmentet arkeologjike tё koleksionit tё At Shtjefnit veçohej njё unaze e madhe ari me njё gur sipёr, e cila ishte e dekoruar dhe ruhej mjaft mirё. Unaza ishte gjetur nё njё Tumё nё Kodёr Bogez, pranё Laçit te Sebastes. Kishte diametёr tё brёndёshёm 17 mm, lartёsi 32 mm dhe datohej nё shek VII. Ndёrsa guri ornamental, sipas pёrshkrimit tё Ugolinit, dukej qё ishte mё i hershёm dhe datohej i periudhёs romake.

Ugolini nё botimin e tij tё parё pёrshkruan edhe Ekspozitёn Missionare tё Vatikanit nё vitin 1925 ku Shqipёria paraqitej mjaft mirё me materiale etnografike dhe arkeologjike, por nuk janё tё pёrshkruara materialet etnografike nga koleksioni i At Shtjefnit, gjithashtu pjesё e ekspozitёs.

Koleksioni arkeologjik i At’ Shtjefёn Gjeçovit fatkeqësisht nuk gjёndet mё dhe, as nuk dihet se ku ka pёrfunduar. Nuk gjendet as koleksioni i tij etnografik. Nuk gjendet mё as koleksioni i Jezuitёve nё Shkodёr, dhe as Koleksioni Arkeologjik i familjes Vlora.

Qё nё krye tё librit te tij ‘Rrno vetem per me tregue’, At’ Zefi (fq. 24) shkruan: ‘Nё fillim tё dhjetorit 1944, ia behi nё Kuvendin Françeskan tё Gjuhadolit nji grup i randёsishem prej 7-8 vetash, i shoqnuem prej Kolё Jakovës; thuhej se ky grup kryesohej prej Nako Spirut. Prunё me vedi shumё urdhnesa, si mbylljen e revistёs kulturore HYLLI I DRITËS, si edhe tё gjitha revistave tё tjera fetare Zani i Shna Ndout, Zgjimi i djelnmise, Bijat e Zojёs, etj. Urdhnonin mbylljen e shtypshkronjes si edhe tё gjitha shoqatave fetare. ”Vizituen” edhe Bibliotekёn e Muzeun e At Shtjefёn Gjeçovit. Kola kёrkoi unazёn e Gjeçovit. Kёshtu thirrej njё unazё antike, me gjasё e shek. I, arit, punim i dyfishtё me mjeshtri tё madhe, qё kishte nji gur tё naltё joproporcional me unazёn….. Ndёrkaq Kola e muer dhe lёshoi njё leter-vёrtetim.’

At’ Zefi në një paragraf mё poshtё (fq. 24) tregon se: ‘Gjatё muejve janar-shkurt 1945 masat e terrorit erdhёn tue u randue….. Nji mёngjes u gjet i rrethuem prej partizanёve edhe Kuvendi Françeskan i Gjuhadolit. Ishte kontrolli i parё. Na mblodhёn tё gjithёve ndёr dhomat e pritjes dhe, ndёrsa bahej kontrolli vetjak, partizanёt e tjere vёrshuen me turr nёpёr koridoret e dhomat e Kuvendit. Mbas 4-5 orёsh, kur kontrolli mbaroi dhe na lanё te lire me u kthye, pamё se gjithshka ishte permbysё. Ishin marrё tё gjitha makinat e shkrimit, çiklostilat, radiot, dylbitё, aparatet fotografike. Nё Muzeun e At Shtjefёn Gjeçovit kishin marrё tё gjitha armёt antike tё punueme me argjend, si edhe armёn tё cilёn ai e kishte gdhendё e zbukurue me dorёn e vet. Natyrisht qё nuk i gjetёm mâ as shumё orendi tё bukura e tё vogla….. Kёto lloj ”kontrollesh” u banё system veprimi pёr tё gjithё qytetin e Shkodrёs dhe tё gjitha pasoheshin me arrestime tё shumta. Kuvendit tonё iu pёrsёritёn shpeshherё’. At Zefi (fq. 75) shton se ‘…ne 14 Nandor 1946 Kuvendi Françeskan i Gjuhadolit u gjet i rrethuem qё nё orёt e para…. Para orёs 8 erdh oficeri Dul Rrjodhi me njё skuadёr ushtarakёsh…. Duli i kishte marrё nё dorёzim tё gjitha çilsat e Kuvendit, jo vetёm tё hymjes e daljes, por edhe tё gjitha zyrave, ashtu tё Arkivit, tё Muzeumit, tё Bibliotekёs, te Odёs-Muzeum tё Fishtёs, tё ambienteve tё tjera tё kulturёs e çlodhjes, ashtu edhe çilsat e odave tё Fretёnve qё ishin nё burg.’

Dhe bashkё me objekte, libra, apo dokumenta tё tjera me shumё vlerё, pronё e Provincёs Françeskane, u zhduk edhe koleksioni me objekte arkeologjike i mbledhur me shumё kujdes nga At Shtjefni, i ruajtur po me aq kujdes nga tё gjithe Fretnit Françeskanёe dhe i vlerёsuar nga studiuesit e kohёs.

Letёr-vёrtetimi i lёshuar pas marrjes sё ndonje objekti apo marrjet pa letёr-vёrtetim nuk dёshmuan asnjёherё se ku pёrfunduan objektet arkeologjike e etnografike tё mbledhura e tё ruajtura me shumё kujdes e dashuri, dhe tё ekspozuara nё njё nga ambientet e Kuvendit tё Françeskanёve nё Gjuhadol.

At’ Zefi shpesh diskutonte rreth arkeologjisё dhe mua, pas njё experience relativisht tё gjatё pune nё kёtё fushё, gjithmonё mё çudiste fakti se ai jo vetёm qё kishte lexuar shumё pёr arkeologjinё, por dinte tё diskutonte me detajet e njё profesionisti.

Nё këtë shkrim doja të kujtoja At’ Shtjefen Gjeçovin, si themelues të Arkeologjisë Shqiptare. Në bibliotekën e Institutit të Arkeologjisë ka qenë e vazhdon të jetë portreti i këtij Frati të mrekullueshëm, pikturuar me mjeshtëri nga Hasan Nallbani. Krahas kujtimit të At’ Shtjefen Gjeçovit nuk mund të mos përmendet dhe kujtimi i tё gjithё Fretёnve Françeskanё, te cilët ma bukur se kushdo i ka quajtur At’ Zef Pllumi: ‘Atyne qё vdiqёn njerz, atyne qё qёndruen njerz gjatё asaj periudhe tё vёshtirё…….’.

Fig. 1, At’ Shtjefën Gjeçovi

Fig. 2, At’ Shtjefën Gjeçovi, Pikture nga Kolë Idromeno, 1929.

Fig. 3, At’ Shtjefën Gjeçovi, Pikture nga Hasan Nallbani.

Filed Under: Histori

Kisha Katolike mesjetare e Shën Mëhillit, në fshatin piktoresk, Grykë-Manati, në Malësinë e Lezhës

July 13, 2024 by s p

Paulin Zefi/

Ky objekt religjioz i kultit të krishterë qëndron në mënyrë mjaft impozante në një pozicion mbizotërues sipër fshatit Grykë-Manati. Kisha është një ndërtim me planimetri të thjeshtë njënefëshe, me një sipërfaqe prej 83 m²: 10.7 m gjatësi x 7.6 m gjerësi. Është e vendosur në aksin verilindje – jugperëndim, në përshtatje të plotë me formën e terrenit të masivit shkëmbor mbi të cilin ajo është ngritur. Është e pajisur me absidë dhe aty pranë saj, gjurmët e altarit janë të ruajtura deri në ditët e sotme. Kisha ka dy hyrje, ku hyrja e saj kryesore, e ndërtuar me patura dhe arkadë të gurtë, gjendet në anën jugore dhe hyrja tjetër në anën jugperëndimore. Kjo kishë nuk është e pajisur me dritare të mëdha, por vetëm me 4 dritare të ngushta (nga dy në çdo anë) të punuara në formën e frëngjive, të cilat ndodhen në muret gjatësore pranë pjesës së altarit. Materiali i ndërtimit përbëhet kryesisht nga guri gëlqeror dhe shumë më pak nga guri i shtufit. E gjithë dyshemeja e kishës është e shtruar me pllaka të mëdha prej guri gëlqeror. Në pjesën e sipërme të frontonit ruhet në një gjendje fizike të shkëlqyer struktura e këmbanares dhe po ashtu, në anën e majtë të hyrjes kryesore, ngjitur me murin e kishës, ruhet ende platforma e përdorur për tërheqjen e litarit, që shërbente për t’i rënë këmbanës. Gjatë ekzistencës së saj kisha është rrënuar tre herë: dy herë nga turqit osmanë, respektivisht në vitin 1478 e në fillim të shek. XVII dhe për të tretën herë gjatë Revolucionit Kulturor Ateist të vitit 1967. Po ashtu, ajo është rindërtuar pjesërisht tre herë: në vitin 1629, në fillim të shek. XX dhe së fundmi para një viti, ku disa banorë të nderuar vendas me aprovimin e Dioqezës së Lezhës kanë ringritur në këmbë pjesën më të madhe të murit perëndimor, duke realizuar një ndërhyrje shumë cilësore. Tashmë kishës i mungon vetëm çatia dhe me këtë rast i bëj thirrje të gjithë komunitetit të mrekullueshëm, që jeton në këtë zonë piktoreske, që ta çojnë punën e tyre deri në fund. Duke u mbështetur te pozicioni i saj topografik dhe koncepti i saj arkitektonik, G.Hoxha, L.Përzhita dhe F.Cavallini janë të mendimit se faza më e hershme e ndërtimit të këtij objekti religjioz shkon në Mesjetën e Mesme. Kjo periudhë historike, e cila njihet edhe si Mesjeta Klasike, Mesjeta e Lartë ose Mesjeta e Zhvilluar ka zgjatur nga viti 1.000 dhe deri në vitin 1.300, pra bëhet fjalë për shek. XI-XIII. Po ashtu, rezulton se deri në gjysmën e parë të shek. XVII, kjo kishë kishte si pajtorë të saj vëllezërit “Shën Kozmai dhe Shën Damiani”, të cilët adhurohen si nga Kisha Katolike Romane dhe nga Kisha Ortodokse Lindore. Ky është një argument më tepër, i cili përforcon mendimin se kisha është ndërtuar pikërisht në fillim të shek. XI, përpara se të shpërthente “Skizma e Madhe e vitit 1054.” Siç ka ndodhur shpesh në vendin tonë, ku banorët e rinj të ardhur nga zona të tjera, kanë ndryshuar emrat e kishave, e njëjta dukuri shpjegon edhe kalimin e emrit nga “Kisha e Shën Kozmait dhe Shën Damianit” në emrin aktual, “Kisha e Shën Mëhillit.” Me këtë emër është “pagëzuar” nga banorët e ardhur në Grykë-Manati nga Kashnjeti dhe Ungrej, ku “Shën Mëhilli Kryeëngjëll” ka qenë Shenjtori i adhuruar prej tyre tradicionalisht. Kisha e Shën Mëhillit është një objekt të cilin e kam promovuar në Media, duke nisur që nga viti 2014, por mjerisht, pavarësisht lobimit ajo nuk është shpallur ende Monument Kulture. Megjithatë, ajo çfarë ka më shumë rëndësi, krahas ndërtimit të çatisë, është po ashtu, rehabilitimi i plotë i oborrit, në të cilin del edhe një burim me ujë të bollshëm.

Filed Under: Histori

Sot përkujtojmë 94–vjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të Rilindjes Kombëtare, poetit dhe dramaturgut Andon Zako Çajupi (1866-1930)

July 11, 2024 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Andon Zako lindi më 26 mars të vitit 1866 në Sheper të Zagorisë. I njohur më vonë me emrin letrar Çajupi (nga emri i malit në krahinën e Zagorisë), mësimet fillore i mori në shkollën greke në Nivan, në një fshat të krahinës ku lindi. Më 1882 u vendos në Aleksandri, ku studioi frëngjisht për pesë vjet në liceun francez “Sainte Catherine des Lazaristes”. Më pas, më 1887, vazhdoi studimet për jurisprudencë në Gjenevë. Në vitet 1894-1895 punoi njëfarë kohë si avokat në Kajro, por karriera e tij juridike mori fund shpejt për shkak të mbrojtjes që bëri në favor të një shoqërie franceze kundër interesave të princit të Egjipti. Pas kësaj mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar. Në rrethet e gjera atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi në kuadrin e diskutimit rreth çështjes së alfabetit, ku ishte kundër adaptimit të alfabetit grek në gjuhën shqipe. Më 1909 botoi pamfletin e njohur “Klubi i Selanikut”, ndërsa më vonë u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro. Qe frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit i dërguan Konferencës së Paqes më 1919, në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Më 1920 themeloi “Shoqërinë e Miqve”, e cila në vitin 1928 ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë.

Pothuajse në të njëjtën kohë me veprimtarinë atdhetare, Çajupi nisi edhe krijimtarinë letrare. Më 1902 botoi librin “Baba Tomorri”, që dallohet nga fryma luftarake, patriotike dhe popullore në brendi dhe në formë.

Në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi zuri vend jo vetëm si poet, por edhe si dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë e tij “14 vjeç dhëndër” dhe “Pas vdekjes”, me të cilat solli një ndihmesë me vlerë në zhvillimin e këtij lloji në letërsinë tonë. Penës së Çajupi i përket edhe tragjedia “Burri i dheut”, botuar më 1937.

Realizimi i filmit artistik “Përrallë nga e kaluara”, me regjisor Dhimitër Anagnostin, sipas motiveve të komedisë “14 vjeç dhëndër”, na e sjell përherë e më pranë krijimtarinë e tij letrare.

Foto: wikidata.org

Filed Under: Histori

Koha e Gjenive: Lord Byron, Ali Pasha dhe Bonaparti

July 9, 2024 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Fillimi i shekullit të XIX ishte shekulli i Romanizmit në kulturën botërore. Romantizmi ishte kohë revolucionesh dhe klithmash për liri njerzore,vetjake dhe të përbotshme. Për herë të parë liria njerzore fitoi dimensione të përbotshme dhe inspiroi gjenerata të tëra njerzish nga Amerika Latine me revoltat kundër spanjollëve nën udhëheqjen e Simon Bolivarit, në Evropë me lëvizjen karbonare në Itali, revolucionin grek dhe lëvizjet për pavarësi të Armenisë dhe popujve të Ballkanit. Poeti britanik Lord Byron (1788-1824) është një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të romantizmit evropian. Ai -thotë Johan Volfang Goethe-i krijonte veprat si gratë që krijojnë fëmijët e bukur: pa menduar dhe pa ditur qysh. Ai është talent i madh i lindur, dhe nuk di njeri tjetër me fuqi poetike më të madhe. Për perceptimin e së jashtmes dhe për aftësinë e depërtimit në të kaluarën ai është po aq i madh sa edhe Shekspiri. Lord Byron ishte një dishepull i shpallur i ndryshimit dhe i së bukurës sublime. Ai krijoi nëpërmjet krijimtarisë së vet një model të veçantë krijimtarie të njohur si Bajronizëm. Bajronizmi përmbante pikëllimin e shekullit, pikëllimin që mbartnin vetë poetët, krijesat etyre, heronjtë e veprave letrare, pikëllimin e mbartnin me mijëra lexues, që aq shpejt e bënë pikëllimin modelin e jetesës së tyre. Ata ishin të pakënaqur sidomos me padrejtësitë shoqërore. Jetonin të vetmuar në melankoli për çka kishin humbur, të delizionuar për çka nuk kishin arritur në jetë. Por ata shpesh kishin një shpirt rebel, kryengritës, kishin respekt e dinjitet për veten po vuanin se ndesheshin e po humbinin në kotësi. Heronjtë e tyre zakonisht ishin figura të mëdha që kishin ndryshuar rrjedhën e historisë së botës duke nisur që nga Prometeu i Shellit e deri te Napoleoni i Bajronit që nëpërmjet një epigrami të thjeshtë përshkroi gjithë shpirtin e gjenisë dhe epokës Napoloniane. Më datën 27 mars 1815 u shpërnda lajmi i arratisjes së Napoelonit nga ishulli Elba dhe rikthimi i tij në pushtet. Rikthimi i Napoleonit në Pallatin Tuiliry duket se ishte më shumë si një shëtitje kënaqësie sesa përparimi i një pushtuesi nëpër një vend që duhet ta pushtonte. Me këtë rast Bajroni shkroi poezinë “Ikja e Napolonit nga ishulli Elbë”, ku përshkruan gjithë sharm poetik figurën e Napolonit, gjeniut të politikës, artit ushtarak por dhe të drejtësisë. Kodi i tij juridik është në themel të së drejtës civile të ditëve tona dhe disa nga liritë që Romantizmi predikonte u sanksionuan që atëherë në kushtetutat e Evropës.

Ikja e Napolonit nga ishulli Elbë.

Nga Elba ikën, drejt në Lion

dhe në Paris afrohet dal’ nga dalë

Kapelën heq dhe damat i nderon

Dhe me kapele vret kaq kundërshtarë.

27 mars 1815.

Më herët Lord Byroni para se të bëhej i famshëm në botën letrare ishte frymëzuar edhe nga udhëtimet, kultura klasike dhe orientalizmi. Fundi i shekullit të XVIII do të përmbante një ngjarje të madhe në aspektin kulturor, për afrimet midis Perëndimit dhe Lindjes. Ekspedita e Egjiptit, e ndërmarrë nga gjenerali i ri ambicioz Napoelon Bonaparti më 1798, përveç ekspansionit ushtarako-ekonomik, do të zgjonte dhe interesimin e madh për Lindjen dhe kulturat e saj. Në të njëjtën kohë në Evropë si rezultat i ndikimit të shkëlqyer të Rilindjes dhe Iluminizmit u shtua interesi për trashëgiminë greko-romake, dhe influencat e saj në kulturën evropiane. Këta dy faktorë do të kontribuonin në lindjen e Filohelenizmit dhe Orientalizmit dy rrymave të fuqishme në mendimin evropian të shekujve në vazhdim. Orientalizmi në Evropë shkon deri në kohën e kryqëzatave dhe romancave mesjetare. Në periudha të ndryshme ka patur interesa dhe qëndrime të ndryshme ndaj Orientit dhe Orientalizmit, por ai u bë i njohur gjatë Romanticismit sepse Orienti ishte formë sublime e tij. Lord Bajron si një i ri aristokrat anglez dhe poet romantik në formim e sipër,i gjendur në Maltë në fillimet e Grand Tour-it të vet, do të dëgjonte për Ali Pasha Tepelenën dhe do vendoste që udhëtimin e vet ta vazhdonte në Epir për ta njohur nga afër pashain karizmatik. Kjo pleksje e veçantë e dëshirës për të eksploruar të shkuarën antike greke me orientalizmin e atëhershëm të Ballkanit do jepte një impuls të ri jo vetëm në jetën e Bajronit por do të kontribuonte fuqishëm dhe në krijimtarinë e tij të mëvonshme letrare duke e shndërruar veprën e tij në një nga kryeveprat e Romantizmit që posa kish lindur. Emocionet, mbresat dhe përshtypjet e kësaj vizite, tashmë janë të njohura botërisht nëpërmjet poemës “Child Harold”-një nga kryeveprat e letërsisë angleze. Si mund të vihet re me një vështrim të parë, në poemë përveçse motiveve romantike, ndjen dhe afinitetin e veçantë të poetit me Ballkanin. Mund të themi pa hezitim se ky udhëtim pati një efekt të dyfishtë, jo vetëm në krijimtarinë e Bajronit që pas botimit të poemës do të shkruante “u zgjova në mëngjes dhe e gjeta veten të famshëm” por dhe në mjediset intelektuale në Greqi dhe Shqipëri. Përshkrimin e parë sesi ishte në pamje Ali Pashë Tepelena e gjejmë tek letra e Bajronit dërguar së ëmës në 12 nëntor 1809 nga Preveza. Mes përshtypjeve dhe konsideratave që për mikpritjen Bajroni përshkruan Ali Pashën dhe fizikisht. Naltësia e tij është gjashtëdhjetë vjeç, shumë i ngjallur dhe jo shtatmadh, por ka një fytyrë të hijshme, sy të larmë, dhe mjekrën të bardhë, shumë i pritshëm dhe sillet me atë farë sedër që më duket se është veti e të gjithë turqve. Më andej ai vazhdon me konsideratat e tij rreth figurës së Ali Pashës duke shkruar se karakterin e vërtetë e ka fare të ndryshëm nga ç’duket në fytyrë. Është tiran pa shpirt, i ngarkuar me mizoritë më të tmerrshme, shumë trim dhe aq gjeneral i mire, sa e quajnë Bonoparti muhamedan. Napoleoni dy herë i ishte zotuar ta bëjë mbret të Epirit, po atij i pëlqen më fort të mbetet me anglezët dhe i urren francezët, si më tha edhe vetë. E çmojnë aq shumë,sa i bëjnë lajka dhe francezët dhe anglezët, meqenëse shqiptarët janë luftëtarët më të mirë të Sulltanit, ndonëse Aliu sa për sy e faqe varet nga Porta. Është luftëtar i fortë, por aq barbar,sa edhe dorëmbarë, ata që ngrenë krye i pjek në hell. Bonoparti i dërgoi një kuti duhani me pikturën e tij. Tha se kutia ishte e bukur, por sa për surratin, mund të mos ia kishte dërguar, pasi s’e hante malli shumë as për atë, as për origjinalin. Idetë e tij për të kuptuar fisin e njeriut prej veshëve, duarve e të tjera, të çudisin mjaft. Përshtypja e Bajronit rreth karakterit të Ali Pashës është përjetësuar dhe në vargjet e stanzës 62-63 të Kantos II të Udhëtimeve dhe shtegtimeve të Childe Harold (1812).

62

Në qoshk të shtruar me mermer, ku kroi

Me ujë rrjedhës që nga mez i trodhit

Gurgullon freski plot andë, dhe divani

I butë epshor fton mysafirët t’ulen

Rri pshtet’ Aliu, burrë luftërash mizor;

Po tash kur ëmbëlsia rrezet hedh

Në ballin e nderuar t’ë atij plaku

Nëpër tiparet nuk i duken gjurmat

E kobit që fsheh brenda dhe e njollos me turp.

Jo se kjo mjekër e bardhë e gjatë e tij

S’përkon me ndjenjat e rinisë së zjarrtë;

Moshën e mundi sevdaja-kështu thonë

Hafizi dhe Tejani me të drejtë-

Po kobet q’heshtin zërin e mëshirës,

Dhe si kanë hijet kujt, sidomos plakut,

I kanë vënë damkën e egërsirës,

Gjaku do gjak, e kush me gjak e nis

Do ta mbarojë jetën ca më keq me gjak.

Galeria e personasheve që krijoi Lord Byroni nuk mund të kuptohen pa ndjesitë personale që ai përftoi nga udhëtimi i tij në Lindjen e Afërt-Shqipëri, Greqi, Turqi dhe padyshim si është pranuar tashmë prej kohësh nga kritika letrare një pjesë e madhe e personazheve fiktivë të tij tek “Oriental Tales”( 1816) janë frymëzuar nga historitë urbane që qarkullonin rreth Ali Pashë Tepelenës. Kësisoj në mënyrë të pashmangshme Bajroni e lidhte gjeninë e Ali Pashës me atë të Napoelonit, dhe vetë ai kthehej në një pikë përbashkimi mes Lindjes dhe Perëndimit dhe dy personaliteteve të rëndësishëm të epokës. Në një farë mënyre Bajroni ndiente dhe perceptonte atë që do shprehte më vonë Viktor Hygo në parathënien e “Orientaleve” se Ali-Pasha,… është për Napoleonin çka është tigri për luanin, skifteri për shqiponjën”.

Bibliografi:

Afrim Karagjozi. Miti Shqiptar i Bajronit. Plejad:Tiranë, 2006

Afrim Karagjozi. Lord Bajroni. Plejad:Tiranë, 2011

Bajron. Çajld Harold. Shqipëruar nga Skënder Luarasi, Shtëpia Botuese Naim Frashëri, Tiranë, 1973.

Gëte, Vepra të zgjedhura , Volumi 4

Dhori Qiriazi. Gjauri dhe poema të tjera. Toena:1996, Tiranë.

Victor Hugo. Les Orientales. Paris, Charpentier, 1841.

Filed Under: Histori

Lufta e Trojës

July 7, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Historia bazë e Iliadës së Homerit është mjaft e njohur: Helenën e bukur e “rrëmben” Parisi, princi i Trojës. I tërbuar, burri i saj, Mbreti Menelaus, u bën thirrje aleatëve të tij, mbretërve mikenas, të ndëshkojnë trojanët dhe të kthejnë gruan e tij. Por kjo luftë ishte ndoshta vetëm një pjesë e trazirave më të gjera të shkaktuara nga Popujt e Detit dhe Dorianët në të njëjtën kohë. Pra, kush është kush në këtë rrëmujë të madhe? (Keni parasysh se të gjitha këto teori bazohen pjesërisht në mitologji, e cila përzien lirshëm faktet dhe trillimet.) Një teori thotë se Dorianët dhe Popujt e Detit ishin të dy të lidhur me Trojanët. Kjo mund të ketë kuptim, sepse Herkuli, paraardhësi heroik i Dorianëve, kishte gjithashtu një djalë me mbretëreshën Omphale të Lidias – një aleate trojane në Turqinë perëndimore që ngatërrohej ndonjëherë me vetë Trojën. Grekët e lashtë thonë gjithashtu se Frigjianët (një grup tjetër i ngatërruar shpesh me Trojanët) migruan në Azinë e Vogël nga Trakia. Disa grupe që pretendonin prejardhjen nga Herkuli mund të kishin migruar nga Trakia në Azinë e Vogël dhe Gadishurin Ilirik njëkohësisht. A mund të jenë këta popuj të detit? Kjo ka të paktën po aq kuptim: në fund të fundit, janë ata që lundrojnë përtej detit, rrethojnë Trojën dhe e djegin për tokë në modën klasike të njerëzve të detit. Gjithashtu, një nga “nofkat” e zakonshme për grekët është Danaoi, që do të thotë “pasardhësit e Danaos”, një hero i hershëm mitik – dhe studiuesit besojnë se këta njerëz janë të njëjtë me Denyen, një nga popujt e detit të përmendur nga egjiptianët. Nëse ata janë popuj të detit, po me Dorianët? Sipas një miti, kur grekët mikenas po luftonin kundër trojanëve, pasardhësit dorianë të Herkulit po rimerrnin “trashëgiminë e drejtë” të tyre në Greqinë jugore; me fjalë të tjera, kur mikenasit ishin jashtë qytetit, Dorianët hynë fshehurazi dhe vodhën gjërat e tyre. Por sipas një legjende tjetër, “kthimi i Heraklidave” ndodhi plot tetëdhjetë vjet pas përfundimit të Luftës së Trojës. 

Çfarë ndodhi në të vërtetë? Ndoshta një kombinim i të gjithave sa më sipër: Popujt e detit mund të kenë qenë një përzierje e pellazgëve, grekëve, trojanëve, dorianëve dhe njerëzve të tjerë që jetonin në zonë, duke ikur nga katastrofa të shumta dhe duke krijuar edhe më shumë katastrofa. Por është supozimi i kujtdo. 

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 117
  • 118
  • 119
  • 120
  • 121
  • …
  • 737
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT