• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sot, përkujtojmë vrasjen tragjike të Hasan Prishtinës

August 14, 2023 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Ideolog dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare; përfaqësues i lëvizjes për një shtet demokratik në Shqipëri dhe një nga frymëzuesit kryesorë të idesë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar. Lindi në vitin 1873. Kreu gjimnazin francez në Selanik dhe shkollën e lartë të administratës e njohur me emërtimin “Mylkije” në Stamboll. U zgjodh tri herë deputet në parlamentin osman dhe mbrojti me forcë të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Hasan Prishtina, Ismail Qemali e patriotë të tjerë shqiptarë ishin nismëtarët e organizimit të kryengritjes kundër osmane të shqiptarëve të vitit 1912. Ishte ministër i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Organizator i kryengritjes shqiptare kundër shtetit serb në shtator të vitit 1913. U zgjodh ministër në qeverinë e Turhan Pashë Përmetit gjatë periudhës së mbretërimit të shkurtër të Princ Vidit. Në vitet 1916-1918 bashkëpunoi me autoritetet austro-hungareze me qëllim që të përfitonte nga ndonjë rrethanë e përshtatshme për të realizuar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ishte një nga drejtuesit kryesorë të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare të Kosovës”. Në vitin 1921 u zgjodh deputet në këshillin Kombëtar. Drejtoi qeverinë shqiptare për një periudhë disa ditore në dhjetor të vitit 1921. Gjatë viteve 1922-1933 ishte një përfaqësuesit kryesorë të opozitës ndaj mënyrës së qeverisjes së Ahmet Zogut. Gjatë gjithë periudhës së viteve ’20 të shekullit XX ishte një nga ideologët kryesorë të tezës: “Pa Kosovë nuk ka Shqipëri”. U vra në Selanik më 14 gusht 1933. Në vitin 1977, eshtrat e Hasan Prishtinës u sollën në Shqipëri dhe u rivarrosën në Kukës.

Filed Under: Histori

HYRJA E KRYENGRITËSVE SHQIPTARË NË SHKUP

August 12, 2023 by s p

Jusuf Buxhovi/

Kryengritja shqiptare e verës së vitit 1912 e drejtuar nga Hasan Prishtina, mbas luftimeve të vazhdueshme në pjesën më të madhe të vilajetit të Kosovës, me ç’rast një nga një nga kryengritësit u morën Prizreni, Gjakova, Peja, Ferizaj dhe së fundi Prishtina, detyroi Perandorinë Osmane që të niste bisedimet me udhëheqësit shqiptarë të kryengritjes. Bisedimet e filluara në Prishtinë dhe mandej të bartura në Shkup midis Hasan Prishtinës dhe gjeneralit Ibrahim Pasha (me origjinë shqiptare) zgjatën disa ditë dhe kishte rrezik që nga zvarritja të shpërqendronin radhët e kryengritësve shqiptarë. Hasan Prishtina dhe liderët tjerë shqiptarë morën vendim që për ta sjellë Ibrahim Pashën para aktit të kryer, të marshojnë në Shkup. Më 11 gusht filloi depërtimi i kryengritësve shqiptarë nga disa drejtime me ç’rasat disa mija kryengritës të nesërmen hynë në Shkup. Me këtë rast njësitë ushtarake osmane u futën në kazermat e Shkupit si edhe ato përreth (në Tetovë dhe Kumanovë), ndërsa kryengritësit u pritën me entuziazëm nga shkupjanët. Nga 12 gushti deri më 19 gusht, kur do të nënshkruhet marrëveshja e quajtur Katëmbëdhjetë pikëshi i Hasan Prishtinës me gjeneralin Ibrahim Pasha, kryengritësit shqiptarë mbikëqyrnin Shkupin. Liruan të burgosit dhe u përkujdesën për rregullin dhe qetësinë në qytet dhe rrethinë, por nuk organizuan administratën autonome të përcjellë edhe me pushtetin vendor. Futja e kryengritësve shqiptarë në Shkup solli lëvizje dramatike në Stamboll, ngaqë Sulltani shpërndau parlamentin të dominuar nga xhonturqit, që dalloheshin për politikë antishqiptare, ndërsa të nesërmen rrëzoi edhe qeverinë xhonturke, e cila u zëvendësua nga një e pavarur e drejtuar nga Gazi Myftar Pasha (përndryshe ithtarë i një marrëveshjeje me shqiptarët për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një, siç kërkohej nga kryengritësit).

Me gjithë ndikimin që pati futja e kryengritësve shqiptarë në Shkup (sipas vlerësimeve të huaja rreth gjashtë mijë, ndërsa sipas disa historianëve tridhjetë mijë) për kahun e bisedimeve që përfunduan me marrëveshjen e 19 gushtit, si e arritur e madhe ushtarake, që mund të quhet edhe historike, mbeti pa epilogun e duhur politik (krijimin e vilajetit autonom shqiptar ose shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë), ngaqë liderët e kryengritjes shqiptare nuk ia dolën që të pajtoheshin mes veti se fitoret në planin ushtarak në vilajetin e Kosovës dhe veçmas futja e kryengritësve në kryeqendrën e vilajetit, në Shkup, të përcilleshin me ngritjen e institucioneve autonome (administratës) dhe të pushtetit vendor në to në nivel të vilajetit me çka Perandoria Osmane, për të neutralizuar shpalljen eventuale të shtetit të pavarur shqiptar në Shkup, do të detyrohej që të pranonte kërkesat e kryengritësve për vilajetin shqiptar nga katër sosh, që praktikisht krijonte të ashtuquajturën Shqipëri Osmane, si fazë kalimtare për shtetin shqiptar në rrethanat e tërheqjes së Perandorisë Osmane nga pjesa evropiane.

Nga këndvështrimi historik, depërtimi i kryengritësve shqiptarë në Shkup, vënia nën mbikëqyrje si dhe tërheqja e asqerit osman në kazerma, mund të konsiderohet depërtim për trysni politike, por jo edhe çlirim, ngaqë nuk u përcoll as me rrëzimin e pushtetit osman e as me ngritjen e institucioneve autonome në të gjitha nivelet. Përkundrazi, kryengritja u shpërnda, ndërsa fuqia e shkapërderdhur e saj, nuk qe në gjendje të riorganizohet, për t’u bërë ballë ushtrive serbe dhe malaziase në tetorin e atij viti që pushtuan Kosovën me pasoja tragjike.

Kjo sjellje do të përsëritet edhe në verën e vitit 2001, kur njësitë e UÇK-së, për tre muaj bënë një luftë tejet të suksesshme (vunë nën mbikëqyrje pjesën më të madhe të etnisë shqiptare në Maqedoni), madje edhe rrethuan Shkupin dhe hynë në një pjesë të tij (Haraqinë), por nuk ndërtuan institucionet në viset e çliruara. Kjo edhe solli te marrëveshja e Ohrit, ku kapitali ushtarak, u shpenzua për qëllime politike, të cilat nuk ishin në përputhje me kërkesat që u proklamuan me fillimin e saj: Maqedonia federate (me dy njësi: atë shqiptare dhe maqedone) si dhe arritja e statusit të popullit shtetformues, pra të barabartë!

Filed Under: Histori

MOHIMI I SË KEQËS – 35-VJETORI I VARJES NË LITAR TË POETIT DISIDENT HAVZI NELA

August 11, 2023 by s p

“Si e duron robninë zemra e nji trimi?!

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan e kishte cilësuar ish-Bashkimin Sovjetik dhe regjimet komuniste të tij si një, “evil empire”, që shqip mund të përkëthehet si, “perandoria e së keqës”, por në anglisht, “evil” ka një kuptim më të gjerë dhe më thelbësor se thjesht “e keqja”. Kuptimi i saj në anglisht për mua (fjala evil) është një akt krejtësisht imoral dhe djallëzor, një krim, me fjalë të tjera. 

35 vite më parë, me 10-gusht, 1988 kur në Shqipëri ishte ende në fuqi regjimi komunist u varë në litar një poet se mbronte fjalën e lirë dhe nuk kishte frikë të shprehte pikëpamjet e tija anti-komuniste, pro-perëndimore: pro-amerikane dhe pro-evropiane.  Havzi Nela, poeti disidenti dhe autori i mijëra vargjeve u vra për shkak të krijimtarisë së tij, ku pasqyrohej kundërshtimi i tij, prej intelektuali e disidenti ndaj regjimit komunist enverist, pak më shumë se një vit, para se të shembej komunizmi zyrtar anë e mbanë “perandorisë të së keqës”, komuniste të shekullit XX në Evropë, të pakën në letër, në mos në realitet.  POETI HAVZI NELA SI ZGJIM I NDËRGJEGJËS MORALE  KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE NË SHQIPËRI | Gazeta Telegraf 

Havzi Nela u varë nga regjimi komunist se dëshironte lirinë dhe demokracinë, jo vetëm për veten, por për të gjithë. Ai ishte mbrojtës i fjalës së lirë dhe i lirisë së fesë, rebelohej dhe protestonte, me poezitë e veta kundërshtonte mohimin e lirive shqiptarëve: shkatërrimin e objekteve fetare dhe të drejtat bazë të njeriut në përgjithsi. Nuk duronte, “robninë zemra e nji trimi!”

Në këtë 35-vjetor të vrasjes së poetit Havzi Nela nga regjimi komunist, pyetja ime ka qenë dhe mbetet për krimet e komunizmit në Shqipëri: Pse edhe sot në këtë 35-vjetor të vrasjes së një poeti nga regjimi komunist, pse, pse mohohet ende e keqja, aktet imorale dhe djallëzore, të një  regjimi barbar që vriste më të mirët e Kombit. Pse kjo heshtje zyrtare nga autoritetet zyrtare të Republikës së Shqipërisë? Deri kur do mohohet e keqja, aktet imorale dhe krimet e komunizmit të Enver Hoxhës? Familjarët dhe kolegët e tij, por edhe shumica e shqiptarëve kërkojnë drejtësi. 

 “Shihni rreth e rrotull, shikoni pranë nesh
Shihni popujt tjerë me ç’gjuhë mirren vesh
Kanë shpallur miqësinë, vini vesh ksaj fjale
Kapen dorë për dorë, e po hyjnë n’një valle
Asht vallja e re, krejt ndryshe nga tjetra
Asht vallja hirplote që i shëron plag’t e vjetra”
(Burrel, shkurt 1977) –nga Poezia, “Eni të Vajtojmë Shqipërinë” e Havzi Nelës 

Ndyshe nga ish-vendet komuniste të Evropës Linnore e Qendrore, Shqipëria “post-komuniste”, anëtare e NATO-s, pretenduese për antarësim në Bashkimin Evropian, ende nuk është distrancuar, zyrtarisht, nga e kaluara e saj terroriste komuniste. Nuk është përballur, seriozisht, me të kaluarën e mjeruar komuniste, përfshir vrasjen makabre të poetit Havzi Nela. Në kundërshtim me ish-vendet komuniste evropiane, Tirana zyrtare, deri më sot, nuk ka dënuar zyrtarisht, krimet e regjimit barbar, komunist të Enver Hoxhës, pëprfshir varjen në litar të poetit Havzi Nela.  Kujtojmë në këtë 35-vjetor të vrasjes së tij në ditët e fundit të regjimit komunist, se Kuvendi i Shqipërisë nuk ka caktuar ende një ditë përkujtimore, (kombëtare) kushtuar viktimave të komunizmit në Shqipëri, ashtu siç kanë bërë vendet ish-komuniste të Evropës.

Deri kur durim e shpresë!?

“Deri kur durim, deri kur me shpresë?
Jo, jo, mos m’i thoni, këto fjalë nuk i due.
Me durim e shpresë nuk due të vdes.
Si jeta dhe vdekja, duhen meritue.” (O, Liri, O Vdekje, Havzi Nela)

“Jeta dhe vdekja, duhen meritue”, ka shkruar Havzi Nela, disidenti i vrarë nga komunizmi, 35-vjetë më parë. Vaclav Havel, ish-disidenti anti-komunist çek dhe presidenti i parë i Çekisë demokratike post-komuniste ka thenë se shoqëritë post-komuniste, identifikohen nga një moralitet prej skllevërish, “nuk jetojnë brenda të vërtetës”, sa i përket të kaluarës së komunizmit, por as të ardhmes demokratike perëndimore.

Ndoshta, Shqipërisë aktuale i përshtatet më së miri ky identifikim i Vaclav Havelit. Ku përballimi me të vërtetën e së kaluarës kriminale komuniste vazhdon të jetë shumë i vështirë, ndërsa mohimi i të vërtetës, “jeta jashtë të vërtetës”, pra, është më e volitshme ose më e përshtatshme, sipas Havelit.  Si të gjitha regjimet komuniste të asaj kohe edhe Çekia komuniste i dënonte dhe i burgoste poetët dhe shkrimtarët si Vaclav Havelin, por nuk i vriste as nuk i varte në litar siç bëri regjimi komunist hoxhist i Ramiz Alisë, me Havzi Nelën më 10 gusht, 1988.

Është e vështirë të imagjinohet një mënyrë më barbare për t’i marrë jetën një njeriu duke e varur në litar, sidomos një njeriu të pafajshëm, një poeti, mbi të gjithë — në kontinentin e Evropës së qytetëruar, në fund të shekullit XX, në një vend të quajtur Shqiqpëri. Por, për fat të keq, siç ka shkruar edhe Ismail Kadare për Shqipërinë komuniste: “Shqipëria nuk bënte pjesë as në Europë as në kontinentin e qytetëruar të popujve.  Shqipëria, në vitin 1988, në prag të rënies së komunizmit, ishte ende një njollë e zezë në hartën e kontinentit, një njollë e turpit dhe e krimit, në shkallë planetare.”

Po sot? 35 vjetë pas varjes në litar të poetit Havzi Nela dhe 33-vjetë pas shembjes së Murit të Berlinit, për cilën Shqipëri flasim: për Shqipërinë me “njollën e zezë në hartën e kontinentit, një njollë e turpit dhe e krimit në shkallë planetare”, siç e ka cilësuar Kadare Shqipërinë komuniste të vitit 1988, apo për Shqipërinë e poetit të varur në litar Havzi Nelës, i cili nga amshimi, pyet dhe porositë: Që të jemi të denjë të quhemi shqiptarë dhe që dorë për dorë të hymë në vallen hirëplote që i shëron të gjitha plagët:

“Ku e keni trimninë, krenarinë e parë?
A jeni sot të denje të quhemi shqiptarë?
A do ta lemë veten, Shqipninë në kafaz
Në det plot stuhi me dallgë me u përplasë?

Shihni rreth e rrotull, shikoni pranë nesh
Shihni popujt tjerë me ç’gjuhë mirren vesh
Kanë shpallur miqësinë, vini vesh ksaj fjale
Kapen dore per dore, e po hyjnë n’një valle
Asht vallja e re, krejt ndryshe nga tjetra
Asht vallja hirplote që i shëron plag’t e vjetra” —(Burrel, shkurt 1977) –nga Poezia, “Eni të Vajtojmë Shqipërinë” e Havzi Nelës

Ismail Kadare është shprehur se Poeti Havzi Nela “është një kambanë që ende bije për shoqërinë shqiptare. Të mos e dëgjosh këtë kambanë do të thotë të shkelësh me këmbë lirinë e Shqipërisë.  Krahas hezitimit për të dënuar krimet e komunizmit, një dukuri tepër e shqetësuar për të mos thënë monstruoze, vazhdon në Shqipëri. Pasioni i habitshëm për t’u dhënë tituj e nderime njerëzve që jo vetëm nuk bënë asgjë për lirinë, por që bënë gjithçka për ta shtypur atë.  Shoqëria shqiptare ka nevojë të shkundet e të mbrojë liritë demokratike kundër çdo lloj kërcënimi që i vjen nga çdo lloj drejtimi e i fshehur pas çdo lloj maske.  Vetëm kështu ajo do të jetë në gjendje të fitojë drejtpeshimin e munguar.  Martirët e kanë qetësinë e tyre atje ku pushojnë. Është shoqëria shqiptare, që nuk e ka. Dhe për këtë duhet të luftojnë të gjithë”, ka shkruar Kadare me 19 shkurt, 2019.

Duke heshtur dhe duke mohuar të keqën e të kaluarës komuniste, shoqëria shqiptare as nuk shërohet as nuk gjenë paqën e qetësinë!

Frank Shkreli

A person with a hat

Description automatically generated

O LIRI, O VDEKJE –Nga HAVZI NELA

Nuk them se jam trim, jo as frikacak,
Thellë n’afshet e shpirtit më grafllon guximi;
Vdekja për liri nuk më tremb aspak,
S’e duron robninë zemra e nji trimi?!

Pse or pse t’kem frikë, frikë se mos po vdes?!
Oh, çfarë marrie, ndoshta faj për mue!
T’ecësh zvarrë si krimb, t’mos jesh kurrë serbes,
Kët s’ia fali vetes, kjo m’ban me u mendue.

Pse t’më dhimbset jeta, pse u dashka kursye?
Veç me përtyp bukë, me u rropatë si kalë?
Pa nji fjalë ngushllimi, pa nji ditë lumnie,
Unë skllav i bindun, tash, kur s’jam as djalë.

Deri kur durim, deri kur me shpresë?
Jo, jo, mos m’i thoni, këto fjalë nuk due.
Me durim e shpresë nuk due të vdes.
Si jeta dhe vdekja duhen meritue.

S’meriton asnjenën kur mbetesh gur varri
Ndaj rri e mendohem jetës me i dhanë fund.
Le të kënaqet hasmi, le të qeshë i marri!
Liria më thërret, vdekja nuk më tund.

ENI TË VAJTOJMË SHQIPËRINË

Eni ju o motra, eni ju o gra
Eni ju o vasha, që dini me qa
Eni ju reçjanka, vajtimtare n’za
Eni t’marrim vajin, sot hije na ka
Eni gjithë s’bashku, le ta shpallim zinë
Me gjamë e me kuje ta vajtojmë Shqipninë
Le ta qajmë me lot, ta qajmë pa pushu
Me afshin e zemrës, të rrëzojmë gur e dru
Le ta qajmë këtë nanë, le ta qajmë këtë bijë
Le ta qajmë kët nuse pa foshnje në gji
Le t’ia heqim vellon, stolisjet e kota
Le t’ia zbulojmë shtatin, ta shohë e gjithë bota

Nda e përçundue, larg prej shoqesh tjera
Shikoni si dergjet, si lëngon e mjera
Mundohet qyqarja, rron me shpirt ndër dhambë
Banditët e vendit e kan vu nën kambë
E mposhten, e shtruen, me hekur e zjarr
Neronët e kohës ia banë jetën varr
E veshën me gjemba, me tela e ferra
E kyçën nga brenda, s’e lanë as te dera
N’derë, as ne dritare, s’e lanë me pa fare
Ia kanë qepë sytë, për faqe t’zezë e marre

Lidhun me zinxhirë, shkoqun krahë e fletë
Në ditën plot diell, në lumë e terr ka mbetë
E thithën shushunjëzat, i ligu mizori
E thanë, e çnderuan, epshori e hori

A e dini shqiptarë, ç’ngreminë kemi rà
Hangrëm njeni-tjetrin, u mbytem vlla me vlla
Hangrëm njeni-tjetrin me kurthe e t’pabesë
Me thasë e intriga, shamata rri ndezë.

O Zot, ç’ka po heqim, çfarë na shohin sytë
S’na gëzohet mbramja, as kur zbardhen dritë
S’na tremb burgu, plumbi e as litari
Kur na shkel me kambë, na zhagmit zuzari
Ngrehuni o vllazën, ngrehuni o shokë
Ngrehuni shqiptarë sot të gjithë në kambë
Nuk rrohet me zor, nuk lihet kjo nanë
A lulëzon dheu pa diell e pa hanë?
Jo jo, nuk durohen sarhoshët e marrë
Banditët e vendit t’i shporrim sa ma parë
Seline e përgjakun, ta bajmë rrafsh me tokë
Ngrehuni o vllazën, ngrehuni o shokë

A jeton shqiponja e shëmbun përtokë
Thye krahë e pendë, lidhun kamb’e kokë?
A jeton kjo zonjë në llum e batak
Në lëngim e vaj, e mbytun në gjak?

Ku e keni trimninë, krenarinë e parë?
A jeni sot të denje të quhemi shqiptarë?
A do ta lemë veten, Shqipninë në kafaz
Në det plot stuhi me dallgë me u përplasë?

Shihni rreth e rrotull, shikoni pranë nesh
Shihni popujt tjerë me ç’gjuhë mirren vesh
Kanë shpallur miqësinë, vini vesh ksaj fjale
Kapen dore per dore, e po hyjnë n’një valle
Asht vallja e re, krejt ndryshe nga tjetra
Asht vallja hirplote që i shëron plag’t e vjetra

(Burrel, shkurt 1977) Poezi nga Havzi Nela

Filed Under: Histori Tagged With: Frank shkreli

35 vjet nga varja në litar e poetit të fundit antikomunist në Evropë Havzi Nela

August 10, 2023 by s p

Bujar Leskaj/

35 vite më parë, në 10 Gusht 1988, mësuesi poet, ndër të paktët shkrimtarë disidentë që ka pas Shqipëria e periudhës komuniste, Havzi Nela, u var në litar.

Trupi i tij u mbajt gjithë ditën i varur në qendër të qytetit të Kukësit.

Por e keqja s’kishte fund.

Trupin e tij e morën dhe e futën vertikalisht në një vrimë të krijuar nga heqja e një shtylle druri duke i privuar mundësinë për t’u shtrirë si të gjithë të vdekurit.

Qëndroi në atë mënyrë për pesë vite e dhjetë ditë, deri më 20 gusht 1993.

35 vjet pas varjes në litar të poetit të fundit antikomunist në Evropë, të poetit shpirtlirë të “brezit të humbur” të periudhës së zezë komuniste shqiptare; poetit, që asnjëherë nuk iu nënshtrua regjimit komunist, dhe e luftoi me të gjitha mënyrat që kishte mundësi, ende debatojmë për krimet e komunizmit dhe autorët e tyre.

35 vite më pas, Shqipëria postkomuniste ende vazhdon të vuajë nga bijtë e etërve komunistë, ndoshta më të sofistikuar, por po aq të ligj, antinjerëzorë, antishqiptarë e vrasës sa etërit e tyre, të cilët dënuan, firmosën e varën Havzi Nelën!

Kur të vdes

Havzi Nela

Kur të mësoni se kam vdekë,

Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”

A e dini se çfarë kam hjekë

Unë, poeti zemërzjarrtë?

Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”

Kur t’kërkoni me ma gjetë.

Thoni: “Ai urreu mizorin”.

Thoni: “Dheu s’ka me e tretë”.

Thoni: “Ai e deshi jetën,

Jeta n’vuetje e dërmoi”.

Thoni se ka mbrojtë të drejtën,

Grusht tiranësh nuk duroi.

Thoni: “Desh, kërkoi lirinë,

Si skifter në fluturim,

Provoi prangat, t’errtë qelinë,

Për të mjerët lëshoi kushtrim”.

Thoni: “Dritë ai kërkoi,

E vetë dritë nuk pa me sy”

Thoni: “Për njerëzinë këndoi,

E për vete mbajti zi”.

Thoni se e qërroi terri

Thoni: “Dielli nuk u ngrohu”.

Thoni se e trishtoi tmerri

E të shtypunit i tha: “Çohu!”

Kur të vijë, të çelë pranvera,

Kur bilbili nis me këndue.

Mbi vorr tim me gur’e ferra,

Nji tufë lule me ma lëshue.

Prekni vorrin, mos ngurroni,

Kush ka lindë, ai ka me vdekë,

Veten ju kur t’a ngushëlloni,

Thoni:”Gjallë kurkush s’ka mbetë!”

Filed Under: Histori Tagged With: Havzi nela

Aleatë të Trojës

August 9, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Ushtria trojane e udhëhequr nga mbreti i tyre Priam, kishte ndihmë nga një listë e gjatë aleatesh. Mes tyre ishin Licianët, në brigjet e Anadollit jugperëndimor. Në Iliadën e Homerit, kontigjenti Lician drejtohej nga dy luftëtarë të nderuar, Sarpedon dhe Glauk.

Sarpedoni luftoi në anën e trojanëve, me kushëririn e tij Glauku, dhe ishte një nga aleatët dhe heronjtë më të mëdhenj të Trojës. Në Iliadë, Sarpedoni qortoi Hektorin, se ai ua la të gjitha luftimet e vështira aleatëve dhe jo vetë trojanëve, dhe theksoi se licianët nuk kishin asnjë arsye për të luftuar grekët, por për shkak se ishte një aleat besnik i Trojës, do të luftonte gjithsesi. Kur trojanët sulmuan murin prej druri të ndërtuar nga grekët, Sarpedoni dhe Gauku udhëhoqën njerëzit e tyre në ballë të betejës dhe bënë që Ajaksi dhe Teucer të zhvendosnin vëmendjen nga sulmi i Hektorit. Ky sulm i lejoi Hektorit të depërtonte në mbrojtjen greke.

Pikërisht para këtij aksioni Sarpedoni mbajti një fjalim për “obligimin fisnik” ndaj Glaukut, duke deklaruar se ata kishin qenë mbretërit më të nderuar, prandaj tani duhet të luftonin më së shumti për të provuar se e meritonin këtë nder. Ndërsa po përgatitej të hynte në betejë, ai i tha Glaukut se së bashku do të shkonin drejt lavdisë. Nëse do të kishin sukses, lavdia do të ishte e tyre. Nëse jo, lavdia e atij që i ndaloi do të ishte më e madhe.

Kur Patrokli hyri në betejë me armaturën e Akilit, Sarpedoni e takoi atë në luftim. Zeusi debatoi me veten nëse duhej t’i kursente jetën djalit të tij edhe pse ishte i destinuar të vdiste nga dora e Patrokliut. Hera i kujtoi se bijtë e perëndive të tjera po luftonin dhe ishin të destinuar të vdisnin gjithashtu. Nëse Zeusi do ta kursente djalin e tij Sarpedon, një perëndi tjetër mund të bëjë të njëjtën gjë. Prandaj e la të vdiste ndërsa luftonte me Patroklin, por jo përpara se Sarpedoni të vriste kalin e Akilit. Gjatë luftës, Zeusi dërgoi një shi me pika të përgjakshme mbi kokat e Trojanëve duke shprehur pikëllimin për vdekjen e afërt të djalit të tij. Kur Sarpedoni ra, i plagosur për vdekje, ai i bëri thirrje Glaukut që t’i shpëtonte trupin. Patrokli e tërhoqi shtizën që i kishte ngulur Sarpedonit dhe shpirti i tij shkoi me të.

Një luftë e dhunshme pasoi mbi trupin e mbretit të rënë. Grekët ia dolën të merrnin armaturën e Sarpedonit (që më vonë u dha si çmim në lojërat e funeralit për Patroklin), por Zeusi i kërkoi Phoebus Apollonit të shpëtonte kufomën. Apolloni e mori kufomën dhe e pastroi, më pas e dërgoi në Gjumë (Hypnos) dhe Vdekje (Thanatos), i cili e mori përsëri në Lycia për nderime funerali.

Sipas Homerit, mbreti trojan Priam kishte luftuar me Amazonat në rininë e tij në Frigji. Shkrimtarët e mëvonshëm të antikitetit i gjetën Amazonat gjeografikisht në Anadoll dhe filluan një traditë epike ku heronjtë, si Herakliu dhe Tezeu, luftuan me luftëtaret e Amazonës.

Të guximshme dhe jashtëzakonisht të pavarura, Amazonat, të komanduara nga mbretëresha e tyre, ndërmorën rregullisht ekspedita të gjera ushtarake në skajet e largëta të botës, nga Skithia në Traki, Ballkan të sotëm, Azi të Vogël dhe Ishujt Egje, duke arritur deri në Egjipt.

Përveç bastisjeve ushtarake, Amazonat shoqërohen gjithashtu me themelimin e tempujve dhe krijimin e qyteteve të shumta antike, si Efes, Cyme, Smyrna, Sinope, Myrina, Magnesia dhe Pygela.

Zbulimet arkeologjike të vendeve të varrimit të luftëtareve femra, në stepat euroaziatike sugjerojnë se kulturat e kuajve të Scythëve dhe Hititëve nxitën krijimin e mitit të grave Amazone.

Në vitin 2019, pranë Voronezhit të Rusisë u gjet një varr me breza të shumtë të luftëtareve femra skithe, të armatosura dhe me mburoja ari.

Photo by: quora.com

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 123
  • 124
  • 125
  • 126
  • 127
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT