• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

26 vjet nga paraqitja e parë publike e zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi

June 15, 2024 by s p

Shkruan: Nuhi Bytyçi/

Si e realizova dhe arrita ta transmetoj në Radiotelevizionin Shqiptar paraqitjen e parë publike të Zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqit dhe çfarë jehone kishte ajo në opinion kombëtar dhe atë ndërkombëtar?

Si arrita që 25 vjet pas çlirimit, punën time si gazetar gjatë luftës ta dokumentoj edhe para Prokurorisë, mbrojtjes dhe trupit gjykues të Gjykatës speciale në Hagë? Përpjekjet e Prokurorisë për kriminalizimin e luftës së drejtë të UÇK-së përmes akuzës “për ndërmarrje të përbashkët kriminale” ndaj drejtuesve të luftës dhe themeluesve të shetit të pavarur të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dëshmojnë tendencën për rishkruarjen e historisë sonë më të re sipas preferencave të Beogradit dhe Moskës. Historia e popullit të vuajtur të Kosovës është shkruar një herë me gjakun e mijëra dëshmorëve dhe mbi 10.000 martirëve tanë dhe nuk mund të rishkruhet në Hagë dhe askun tjetër.

Paraqitja e parë publike e zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit, xhirimi dhe transmetimi i së cilës mu besua mua dhe ekipit tim nga UÇK-ja, xhirimet e tjera për luftën e UÇK-së në mbarë Kosovën, mbijetesa e popullatës civile në zonat e luftës, u realizuan nga unë dhe nga kameramani Abaz Zeka, me një kamerë të vogël digjitale, të cilën ma pat siguruar Xhafer Shatri, ministër i Informimit i Qeverisë së Kosovës, të drejtuar nga kryeministri Bujar Bukoshi. Dhe, në saje të komunikimit dhe qasjes sime profesionale, me kolegun Asllan Bajrami dhe me ministrin Xhafer Shatri dhe me mbështetjen e përgjegjësve për informim të UÇK-së, kemi arritur që për herë të parë të transmetojmë në programin satelitor të TV Shqiptar në Tiranë, dokumentarin e parë televiziv kushtuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe një emision telereportazhi për territoret e lira të Kosovës.

Marrëveshja dhe telefonata në mesnatë për xhirimin e paraqitjes së parë publike të zëdhënësit të UÇK-së

Pas takimit për herë të parë me Komandant Gjarprin – Hashim Thaçin, atëherë përgjegjës për informim në SHP të UÇK-së në shtëpinë e Isuf Gashit – Komandant Bacës në Drenoc të Rahovecit në fund të majit të vitit 1998, u morëm vesh që pas emrimit të zëdhënësit të UÇK-së unë dhe kamaeramani Abaz Zeka do të jemi të parët që do ta reralizonim paraqitjen e parë publike të tij. Dhe kështu ndodhi. Natën, shumë vonë, në mes të 10 e 11 qershorit 1998, në telefonin e banesës sime në Kodrën e Diellit në Prishtinë ka thirrur Hashim Thaçi. Është përgjigjur djali, Arianiti, i cili më ka thënë: “Babi, po të kërkon Bashkimi”. “Bashkimi” ishte Hashimi. Më tha: “ShP i UÇK-së e ka emëruar profesor Jakup Krasniqin zëdhënës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. A mund të vish nesër në Grykën e Llapushnikut që ta realizosh intervistën me zëdhënësin e UÇK-së?” Në të gjitha mediat shqiptare, edhe në ato botërore, ishte publikuar vendimi se Jakup Krasniqi është caktuar zëdhënës i UÇK-së. Nuk isha shumë i sigurt nëse kameramani Abaz Zeka mund të vinte të nesërmen. Nga Prishtina nuk ishte lehtë të shkoja në Drenicë me kamerë për shkak të kontrollimeve të mëdha nga policia serbe në postblloqet e saj. Pos makinës, duhej gjetur vozitësi i sigurt për të na dërguar atje. Për të qenë më i sigurt, i propozova të na presin pasnesër. Thaçi u përgjigj shkurt: “Po, bën, s’ka problem!” E pyeta te kush duhet të paraqitem në Grykë të Llapushnikut? Më tha: “Kërkoje ‘Pëllumbin’!” Kur tha kështu, e mora si shaka, sepse ende nuk e dija se Njësiti që vepronte në fshatrat përgjatë Grykës së Llapushnikut quhej Njësiti “Pëllumbi”, kurse komandant i saj ishte Ferat Shala nga Vuçaku i Drenasit, me nofkën komandant “Pëllumbi”. Kur më tha kështu Thaçi, unë e mora si provokim, duke menduar se “si ta kapim, zëmë pëllumbin në hava?! Ai në mënyrë bindëse më tha: “Mos ke dert, ti vetëm kërkoje komandant “Pëllumbin”, dhe do ta takosh patjetër, sepse do të jetë i informuar për ardhjen tënde”. U binda për këtë. Me Zenel Kastratin dhe Abaz Zekën jemi nisur nga Prishtina dhe, nëpër rrugën anësore për Magurë, sepse në Komoran ishte e mbyllur dhe kontrollohej nga forcat serbe, kemi shkuar nëpër Nekoc, nga Kishnareka, nëpër male. Kemi arritur në një pikë të lartë që kontrollohej nga UÇK-ja.

Takimi me Ferat Shalën, Kadri Veselin, Idriz Hysenajn, Haxhi Shalën dhe Fatmir Limajn

Nga bregorja e Grykës së Llapushnikut kemi xhiruar pamje të disa fshatrave të Drenasit. Kam takuar aty komandant Shani Sokol Hotin nga Carralluka e Malishevës dhe Shefqet Buçajn-Komandant “Mësuesin” nga Lladrovci. Zenel Kastrati na ka lënë aty dhe është nisur të kthehet në Prishtinë, kurse dikush prej ushtarëve të UÇK-së na ka përcjellë me makinë deri afër Arllatit dhe Negrocit, jo fort larg Grykës së Llapushnikut. Diku në arat në mes të Arllatit dhe Negrocit kemi takuar komandant “Pëllumbin”. Ai u prezantua me emrin dhe mbiemrin e vet të plotë: “Nuhi, unë jam Ferat Shala nga Vuçaku”. Ai ishte i informuar për ardhjen time dhe të kameramanit Abaz Zeka. E dinte qëllimin e vizitës sonë. Na tha se “zëdhënësi Jakup Krasniqi momentalisht nuk është këtu, në këtë fshat, por dikund tjetër”. Jakupi e kishte shtëpinë në Negroc. Nuk e dija as ku është shtabi dhe as shtëpia e tij. Ishte punë shumë sekrete atëherë për çdo kënd, sidomos për gazetarët. Më tha “po shkojmë në një vend.“ Më ka dërguar, në atë kohë në selinë e Shtabit të UÇK-së në fshat, të Njësitit të “Pëllumbit”, në Negroc, në shtëpinë e Halim Krasniqit. Kemi qëndruar pak kohë aty. Meqë zëdhënësi nuk ishte në Negroc, Ferati më tha se, për shkak të rrethanave, sot nuk ka gjasa ta realizojmë paraqitjen e Jakup Krasniqit.

Meqë i kisha miqtë e vëllait në Negroc, mora leje ta vizitoj familjen e Jetullah Halit Krasniqit – Toxhës. Kemi shkuar aty me Abazin dhe kemi fjetur. Të nesërmen pasdite ka ardhur një djalosh trupgjatë, i cili kishte veshur rroba të zeza. U përshëndet me mua dhe Abazin dhe u prezantua: “Unë jam komandant Luli”. Nuk më tregoi pozitën që kishte në UÇK. Më pyeti me mirësjellje: “Si je, baci Nuhi? A je lodh? A je mërzitë? Jemi në luftë dhe të ka rënë me pritë pak?” I thashë: “Mirë jam dhe nuk jam mërzitë aspak, sepse i kuptoj rrethanat e luftës. Për mua si gazetar është me rëndësi puna të realizohet sa më mirë e sa më sigurt”. Komandant “Luli” më pyeti: “A jeni përgatitur ta takoni dhe intervistoni zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqin?” Ia konfirmoj dhe i them: “Gjithsesi jemi përgatit, jemi gati, sepse vetëm për këtë punë kemi ardhur dhe jemi të privilegjuar që na e keni besuar”. Më tha “një shok i yni do t’ju vozisë deri në vendin e duhur”. Më vonë kam kuptuar se komandant “Luli” ishte Kadri Veseli. Pas një kohe ka ardhur Idriz Hysenaj, një veprimtar i ilegales atdhetare dhe komandant i një njësiti të UÇK-së që ka vepruar në kuadër të njësiteve “Pëllumbi”. Unë e njihja Idrizin sepse e kisha takuar në Abri disa ditë më parë.

Si mbahej sekret selia e ShP të UÇK-së

Ishte mbrëmje. Idriz Hysenaj në uniformë të UÇK-së, me një makinë të mirë, na ka vozitur në drejtim të Arllatit. Kur e kemi kaluar Arllatin, ka vazhduar në drejtim të Malishevës. Idrizin e pyeta “ku po shkojmë?”, ndërsa ai m’u përgjigj: “Në Likoc!” E kuptova se donte ta mbante sekret vendin ku ishte ShP i UÇK-së. Kjo ishte e kuptueshme në ato rrethana. Unë nuk u durova pa qeshur. Atë rrugë e njihja mirë. Nëpër atë rrugë nga Prishtina për në fshatin tim udhëtoja shumë shpesh. Unë i thashë kameramanit: “Abaz, këndej qenka Likoci, a?” Idrizi ma ktheu: “Të lutem, zoti gazetar, asnjë koment! Është e ndaluar të dini ku po shkojmë dhe ku është selia e ShP të UÇK-së. Më vjen keq t’jua lidh sytë, sepse ashtu janë rregullat ushtarake”. Ishte e kuptueshme të ishte shumë sekret vendi ku ndodhej shtabi, por si gazetar nuk u durova pa pyetur. Desha t’i tregoj se unë e di mirë atë rrugë. Këtë e dinte edhe ai, por ashtu ishte vendimi i ShP të UÇK-së, që mos të përmendej vendi ku ishte selia e ShP të UÇK-së. Në hyrje të fshatit Tërpezë, afër një depoje të materialeve ndërtimore, Idrizi e ndali makinën. Aty ka ardhur Haxhi Shala – komandant “Topi”, bashkëpunëtori kryesor i Fatmir Limajt – komandant “Çelikut”. Jemi nisur përpjetë rrugës, një terreni shumë të vështirë dhe të bukur. E dija se është Tërpeza, por kësaj pjese nuk më ishte dhënë rasti të kaloja kurrë më parë. Rruga ishte e shtruar me rërë. Ishte mbrëmje vonë, e 13 qershorit 1998. Kemi mbërritur në një kodrinë piktoreske, me male të bukura, me plot gjelbërim. Të nesërmen nga komandant “Çeliku” kuptova se isha në Kleçkë të Lipjanit, pikërisht në odën e familjes së madhe të Hafir Shalës, të dëshmorit Sadik Shala. Fatmiri kishte besim në mua dhe më tregoi për këtë vend, duke më sugjeruar mos t’ia tregoj askujt, as familjes sime. Në Kleçkë fillimisht ishte Shtabi i Njësitit “Çeliku”, më vonë i Brigadës 121 i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komanduar nga Fatmir Limaj, i pasuar nga Haxhi Shala.

Takimi dhe biseda me Komandant “Çelikun”

Në Kleçkë patëm rastin të rrimë më gjatë me komandant “Çelikun” – Fatmir Limajn. Ai më dëshiroi mirëseardhje në Kleçkë. Më tha: “Baci Nuhi, të njoh mirë prej Televizionit të Prishtinës dhe e çmoj punën tënde si gazetar. E falenderova Fatmirin dhe me të krijuam menjëherë afërsi, sikur të ishim njohur shumë vjet më përpara. Ai na solli ushqim dhe çaj. Në odën e madhe të familjes Shala reflektohej bujari e theksuar shqiptare. Takuam aty edhe bashkëluftëtarët e Fatmirit, Haxhi Shalën – “Topin”, Sadik Shalën, Sabit Shalën, Bajram Shalën, Naser Shalën – “Ftyrën”, Çerkin Dukollin – “Yllin”, Shpëtim Telakun, Naser Krasniqin-“Bashkim Finon” dhe luftëtarë të tjerë. Një kohë aty ka qëndruar edhe Shukri Buja. Ai kishte nofkën “Gazetari”. Nga Zvicra kishin ardhur edhe Agim Bajrami dhe Metush Zenuni dhe bashkëkombës tjerë me një vullnet të jashtëzakonshëm për të luftuar për çlirimin e Kosovës. Aty kam takuar edhe studenten, veprimtaren e Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, gazetaren e “Botës së re”, Hyrije Veliun. Ajo kishte lënë përkohësisht studimet dhe e kishte veshur uniformën e UÇK-së. Kjo dëshmonte mbështetjen që gëzonte UÇK-ja nga rinia studentore.

Si u realizua paraqitja e parë publike e zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit

Nga oda e madhe, ku vepronte komanda dhe ushtarët e Njësitit “Çeliku”, hyhej në një dhomë të veçantë, e rregulluar mirë me dërrasa dhe në mes një oxhak i improvizuar, por që dukej bukur. Aty afër ishte një tavolinë e mbi të një kompjuter. Pas mesnatës, në orët e para të 14 qershorit 1998, aty takuam zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqin. Bashkë me të ishin Kadri Veseli, Ferat Shala dhe Fatmir Limaj. Kishte ardhur enkas nga selia e ShP të UÇK-së, që gjendej në fshatin Divjakë, për ta dhënë intervistën, paraqitjen e parë publike si zëdhënës. Ishte kjo një kënaqësi dhe ndjenjë e veçantë për mua dhe për Abazin. Kisha fatin, nderin dhe përgjegjësinë që të jem gazetari i parë që po kontaktoja drejtpërdrejt dhe po e realizoja paraqitjen e parë publike të tij si zëdhënës i një ushtrie që luftonte për lirinë e Kosovës. Unë e kisha përgatitur një koncept, kisha bërë disa teza për çfarë do të mund të fliste zëdhënësi i UÇK-së për herë të parë, që ishin me interes për opinionin. Jakupi m’u drejtua: “Nuhi, cilat janë pyetjet tua që do të m’i shtrosh?” Dëshironte të dinte përafërsisht çfarë do të flasim. Iu përgjigja: “Unë kam nderin, privilegjin dhe kënaqësinë që jam gazetari i parë që e realizoj intervistën me ju në cilësinë e zëdhënësit të UÇK-së. Unë kam përgatitur disa teza, në vend të pyetjeve, në të cilat ju duhet të flisni, të përgjigjeni. Për shkaqe sigurie mendoj se nuk është mirë që unë të dukem në xhirim bashkë me ty”. Kjo ishte për atë kohë zgjidhja më e sigurt, meqenëse jetoja në Prishtinë dhe e kisha familjen në Prishtinë. Rreziku më i madh ishte për familjen time të ngushtë në Prishtinë, për djalin dhe bashkëshorten, por edhe për atë të gjerë në Shkozë të Malishevës. “Për të mundur që unë ta kryej misionin tim të gazetarit në zonat e luftës edhe më tutje për një kohë më të gjatë, deri në fund të luftës, dhe mos të zbulohem që në fillim nga policia serbe, dhe për të mos u penguar puna ime, mos të rrezikohet edhe me gjithë pasojat e mundshme, duhet ta ndërrojmë strategjinë. Nëse jeni ju të gatshëm të më siguroni mua kushte që unë t’i xhiroj këtu të gjitha emisionet dhe t’i montoj, mos me pas nevojë të shkoj në Prishtinë apo në Tiranë, unë me kënaqësi dal para kamerës”, – i thashë Jakupit. Por, ai më tha “ShP i UÇK-së nuk kishte mundësi të mi siguronte ato kushte që duheshin për montim në zonat e luftës”. Jakupi u pajtua plotësisht për këtë mënyrë të punës. E vazhduam realizimin e paraqitjes së parë publike të tij. Ai i lexoi tezat e mia, të cilat ishin: Kush është UÇK-ja, kush e përbën atë, për çfarë lufton ajo, cili është betimi i saj, kush e mbështet UÇK-në, kush e financon, mesazhi i ShP të UÇK-së për oficerët e karrierës dhe popullin që t’i bashkëngjiten dhe mbështesin luftën e UÇK-së. Jakup Krasniqi u pajtua plotësisht me konceptin, tezat e mia. Para se të fillonte xhirimi i paraqitjes së parë publike të tij, e testuam disa herë tonin dhe fotografinë. Ne e kishim vetëm një kamerë digjitale Mini DVC Sony dhe nuk kishim ndriçim të posaçëm. Frikohesha mos s’po del xhirimi sipas standardeve profesionale për shkak se ishte natë, terr. Konsideroja se duhet të kishim një reflektor, ndriçim special për intervista të tilla historike, të cilën llogarisnim ta transmetonin edhe televizionet më të njohura botërore. Madje, duke kërkuar ndonjë zgjidhje për ndriçim, ushtarët na ofruan edhe një dritë që ishte vendosur në hyrje të odës së familjes Shala. Ajo ishte një dritë më shumë për ndriçim të thjeshtë, te lulet në hyrje të odës. E provuam, por nuk bënte dritë të mjaftueshme për xhirim cilësor. E provuan një dritë tjetër të ndriçimit të luleve. Ushtarët na ndihmonin ta mbanin dritën që intervista të dilte sa më e ndriçuar. Në një moment, kur përgatiteshim që tia nisim xhirimit historik, kur pas Jakup Krasniqit u paraqitën Fatmir Limaj dhe Ferat Shala me uniformë dhe me armatim, u habita, sepse kisha skepticizëm se, ndoshta për shkak të paraqitjes së tyre me armë, këtë xhirim nuk e transmeton Televizioni Shqiptar. Kisha dilemën mos do ta konsideronte këtë paraqitje shumë militare. Jakupi më tha ne ashtu jemi marrë vesh, kemi marrë qëndrim në Shtabin e Përgjithshëm që në këtë mënyrë të realizohet paraqitja e parë publike e zëdhënësit të UÇK-së. Pasi e xhiruam paraqitjen e parë publike të Krasniqit, e kontrolluam a ka dalë zëri mirë. E kontrolluam dy-tri herë edhe pamjen, edhe zërin. Zëdhënësi u prezantua në mënyrë të denjë. Të gjithë kishin emocione. Në veçanti unë kisha shumë emocione. Isha i vetëdijshëm për rëndësinë e prezantimit dinjitoz të UÇK-së, që ajo të gëzojë sa më shumë mbështetjen e gjithë popullit shqiptar, por edhe të opinionit dhe të faktorëve ndërkombëtarë. Për herë të parë kishim një ushtri të organizuar mbi baza vullnetare, por me program dhe synim të qartë: luftën për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera të pushtuara shqiptare.

“UÇK-ja lufton për çlirimin e Kosovës dhe për bashkim kombëtar”

Zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, qysh në fillim tha: “UÇK-ja është një lindje e natyrshme, e domosdoshme për ta mbrojtur nderin, dinjitetin kombëtar, për ta mbrojtur popullin e robëruar dhe atdheun e okupuar. UÇK-ja përbën tërësinë e forcave të armatosura të Kosovës e cila lufton për çlirim dhe bashkim kombëtar. Ajo njeh për ideologji vetëm shqiptarizmin. Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së është i mendimit që në këtë fazë pluralizmi politik është luks. Populli ynë ka nevojë për një forcë politike, ushtarake, që lufton për liri dhe bashkim. UÇK-ja është e gatshme për të luftuar deri në fitore të plotë. ShP u bënë thirrje të gjithë bashkëkombësve kudo që janë, të gjithë luftëtarëve të lirisë, të gjithë profesionistëve dhe specialistëve të artit ushtarak, që t’i përgjigjen zërit të atdheut. Do t’i pranonim bisedimet Prishtinë – Beograd vetëm pasi të jenë krijuar kushtet: 1. Pasi të largoheshin forcat e armikut nga trojet tona; 2. Pasi të sigurohej mbikëqyrja ndërkombëtare nga një faktor i jashtëm dhe me ndikim; dhe 3. Pasi të bëheshin përgatitje serioze për ato bisedime”. Jakup Krasniqi theksoi se “përshëndesim angazhimin e Shqipërisë dhe të institucioneve të saj ndaj çështjes së pazgjidhur shqiptare dhe do të dëshironim që ky angazhim të jetë gjithëpërfshirës. Nga ShBA-ja dhe vendet e demokracisë perëndimore kërkojmë të angazhohen seriozisht për vendosjen e lirisë dhe të paqes në trevën e Ballkanit. Ftojmë popullin shqiptar të qëndrojë në trojet e veta së bashku me luftëtarët e lirisë, së bashku me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mbrojtje të atdheut, të lirisë, të nderit dhe të dinjitetit kombëtar dhe të jetë i sigurt se të bashkuar rreth UÇK-së, e cila diti dhe mundi që brenda një kohe të shkurtër të krijojë një territor të gjerë, të lirë dhe të dijë të mbrojë dhe të krijojë hapësira të reja të lira deri në çlirim të plotë”. Në pjesën e fundit të paraqitjes, zëdhënësi i UÇK-së theksoi: “Do të dëshiroja me këtë rast që të gjitha familjeve të dëshmorëve, në emrin tim dhe të ShP të UÇK-së, t’u shpreh ngushëllimet e sinqerta, posaçërisht familjeve të atyre dëshmorëve që ranë në ditët e para të luftës dhe që s’patëm mundësi, për shkaqe që dihen, t’u japim nderimet e merituara”.

Dilemat se a do të transmetohet e plotë paraqitja e Jakup Krasniqit në RTSh

Edhe pse nuk isha pjesë e ekipit, redaksisë së Televizionit Shqiptar, ishte një sfidë e madhe, një sakrificë e madhe për mua, që tash të hyja në ato obligime bukur të mëdha, që ta garantoja transmetimin e paraqitjes së parë publike të një zëdhënësi të ushtrisë më të re çlirimtare në botë. Të them të drejtën, nuk isha i sigurt nëse do të transmetohej. Arsyet ishin të shumta, po të shumtat ishin që në ekzistonin mosmarrëveshje të mëdha në mes të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe Qeverisë në ekzil të Kosovës që e drejtonte Bujar Bukoshi, e cila e kontrollonte drejtpërdrejt programin satelitor të Televizionit Shqiptar. Unë u thashë se do ta kryej obligimin tim dhe xhirimin, të tërin, pa e shkurtuar fare, asnjë presje e asnjë pikë, do ta dërgoj në Tiranë, në TVSh. A e transmetojnë të tërin apo e shkurtojnë ndonjë, kjo nuk varet nga unë. Me rëndësi ishte se kjo punë shumë e rëndësishme ishte kryer dhe tani redaksia në Tiranë ishte para aktit të kryer. Atë natë mendoja se mund të më mbetet merak që nuk shihem unë në këtë xhirim historik, gjatë realizimit të intervistës me zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqin. Meqë kisha një fotoaparat me vete, thashë po rrezikoj po e bëj së paku një fotografi me zëdhënësin Jakup Krasniqi. E luta Abazin dhe ai na e bëri një fotografi, të cilën e ka nxjerrë nga filmi kolegu im nga TVP-ja, regjisori Bashkim Mula. Ai kishte një lokal për fotografi te Qafa në Prishtinë që quhej “Top foto” dhe me shumë kujdes, me gjithë rreziqet e mëdha që ekzistonin, ma bëri këtë fotografi, pa vënë prapa fotos emrin e kompanisë së vet.

Në Shtabin e UÇK-së në Kleçkë dhe kthimi në Prishtinë

Pas intervistës, Jakupi, Kadriu e Ferati kanë shkuar në ShP të UÇK-së në Divjakë, kurse unë dhe Abazi atë natë kemi bujtur aty, në të njëjtën dhomë ku e realizuam xhirimin, pasi ishte bërë tepër vonë të ktheheshim në Prishtinë dhe ishte rrezik të udhëtonim natën. Në këtë dhomë kanë fjetur edhe Fatmir Limaj dhe Haxhi Shala. Jemi zgjuar herët, kemi ngrënë mëngjes dhe i kemi thënë Fatmirit të na sigurojë një makinë, që të na ofrojë deri te Magurja. Fatmir Limaj i ka dhënë detyrë të posaçme Nexhmi Krasniqit, i cili ishte bashkëpunëtor i afërt i Fatmirit, që të na përcjellë me makinë deri në Nekoc të Drenasit. Nexhin e njihja mirë, pasi kishte punuar shofer i autobusit nga Malisheva në Prishtinë. Bashkëpunonte me vëllanë tim, Isufin dhe më sillte informacione me shkrim nga Malisheva në Prishtinë, informacione nga Komuna e Malishevës edhe për mua si korrespondent i televizioneve dhe radiove në Amerikë dhe Evropë e Australi. Të njëjtat informacione i dërgoja edhe Enver Malokut, drejtues i Qendrës për Informim të Kosovës. Nexhi na dërgoi me makinë deri në Nekoc. Pastaj, nga Nekoci në Magurë na ka dërguar dikush nga civilët, nuk e di saktë kush ka qenë, por ka qenë njeri i sigurt, që ka bashkëpunuar me UÇK-në. Sa ishim në Kleçkë e kam pyetur Fatmirin kë e keni të besueshëm në Magurë? Ai më tha “në Magurë kërkoje Haxhi Ali Dullën, i cili e ka shtëpinë në hyrje të fshatit, në anën e djathtë, shtëpia e parë sapo të hysh në fshat prej Shalës. Ai është njeri serioz dhe i besueshëm. Ai ju dërgon në Prishtinë”. Kur arritëm te dyert e tij, doli një djalë i ri, 14-16 vjeç: “Urdhëroni! Çfarë po kërkoni?” E pyeta “a e ke babën në shtëpi?” Ai tha: “Baba është duke punuar diçka në bahçe. Çfarë po të duhet?” I thashë “kemi nevojë të na dërgojë deri në Prishtinë”. Menjëherë djaloshi tha: “Unë ju dërgoj”. “Jo, jo”, i thashë, sepse ishte djalë i ri dhe ishte rrezik shumë më i madh nëse binim në ndonjë kontroll të policisë. “Thirre plakun, të vijë ai”. Dhe, axha Ali erdhi. Na pyeti “kush jemi?” I treguam se “na ka dërguar Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, konkretisht komandant Çeliku dhe të lutem, nëse ke mundësi të na përcjellësh me makinë deri në Prishtinë se kemi me e krye një punë shumë me rëndësi.” Na ka hipur në makinë, më duket ka qenë “Lada”, dhe na ka vozitur në drejtim të Prishtinës, rrugës kah aeroporti, Sllatina e Fushë-Kosova. Për fat nuk kemi hasur në kontrolle të policisë serbe dhe kemi mbërritur me sukses në Prishtinë. Kemi shkuar te Ekran dhe Ergyn Dobërçani, në shtëpinë e tyre në hyrje të lagjes Arbëria. Në prani të producentit ekzekutiv të TV të Prishtinës, Migjen Kelmendit, xhirimin me paraqitjen e parë publike të Jakup Krasniqit e kemi bartur komplet në kasetën Besta SP, pa e shkurtuar fare, të gatshme për transmetim në TVSh.

Si e dërguam videokasetën e deklaratës së Zëdhënësit të UÇK-së në Tiranë

Më 14 qershor 1998 e kam marrë kasetën nga Ekran Dobërçani dhe e kam shkuar te Agjencia “Meti Turs”, e cila, sikurse disa agjenci të tjera, transportonin udhëtarë në linjën Prishtinë – Tiranë dhe anasjelltas. E kërkova shefin e saj të cilin nuk e njihja. Kuptova se ishte Ahmet Kaçiu nga Lupçi i Poshtëm i Llapit. Hyra në zyrën e tij dhe i tregova se unë jam Nuhi Bytyçi, gazetar, dhe i thashë se e kam një kasetë me rëndësi, duke e lutur ta përcjellë deri në Tiranë për Televizionin Shqiptar. Ai më pyeti menjëherë “çfarë xhirime ka në kasetë?” Duke qenë i vetëdijshëm për situatën dhe rreziqet e mundshme, duke qenë shumë i sinqertë dhe korrekt, i tregova drejt. I thashë “në këtë kasetë është Ushtria Çlirimtare e Kosovës”. Kur e kam përmendë UÇK-në, në fytyrën e tij pashë emocione të veçanta, por njëkohësisht edhe frikë, që ishte e natyrshme në ato rrethana. I sqarova se “në të është e xhiruar Zëdhënësi i UÇK-së“, që ta dijë më mirë çka ka në të, çfarë rëndësie ka, që shoferët e tij ta fshehin më mirë kasetën dhe mos të zbulohet dhe merret nga policia serbe gjatë kontrollit në kufi. Unë i thash Ahmetit se “pasi që për këtë punë shumë me rëndësi unë me kolegët e mi kemi rrezikuar deri këtu, nëse rrezikon edhe ti me punëtorët e tu për ta dërguar deri në Tiranë, puna kryhet me sukses.” Më tha se “do të bëjnë gjithçka që është e mundur për ta dërguar kasetën me kohë“. Aty erdhi edhe shoferi që voziste autobusin për në Tiranë, Elmi Gashi nga Kishnica. Ahmeti një njeri i pjekur dhe i vendosur, pasi u mat mirë e mori kasetën dhe më tha “të lutem, dil më shpejtë nga zyra, që mos të vërehesh nga policia”, sepse si jam informuar më vonë nga Ahmeti dhe kolegët e tij, këtë dhe agjencitë tjera turistike që qarkullonin me autobusë nga Prishtina për Tiranë e anasjelltas shpesh i vizitonin ata të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror serb. Më thanë “mos ke dert, kasetën a dërgojmë te Asllani në TVSh.” I falënderova për këtë Ahmetin dhe Elmiun. Madje, Elmi Gashi më konfirmoi se “e njoh personalisht Asllanin, e kam edhe numrin e tij të telefonit dhe do ta kryej porosinë me kënaqësi.” Kështu fitova bindjen se kjo punë do të kryhet me sukses. Asllanin e kam marrë në telefon dhe i kam treguar se nesër në mëngjes vjen autobusi dhe shoferi ta sjellë një kasetë me përmbajtje tejet të rëndësishme. E kam lutur ta shikojë ta transmetojë në edicionin e lajmeve të Kosovës, por edhe në lajmet qendrore të TVSh-së. Për shkak se mund të përgjohej biseda nga sigurimi serb, s’e kam përmendur emrin e askujt. Dhe, të nesërmen në mëngjes, pas orës 07:00, ka mbërritur kaseta në Tiranë. Asllani e kishte shikuar xhirimin e paraqitjes së parë publike të zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit.

Jehona e paraqitjes së parë publike të zëdhënësit të UÇK-së

Paraqitja e parë publike e zëdhënësit të UÇK-së është transmetuar në lajmet e orës 18:35 në TVSh, më 15 qershor 1998, në programin satelitor. Por, ishte shkurtuar në dy vende, aty ku përmendet LPK-ja si themeluese e UÇK-së dhe ku përmendet se Fondi “Vendlindja thërret” e ndihmon financimin e luftës së UÇK-së. Përmbajtjet e tjera janë transmetuar ashtu si janë xhiruar. Unë e ndjeva veten gazetar i shkathtë dhe profesionist për ta kryer me sukses misionin tim shumë të rëndësishëm për publikun. Ishte ky një sukses imi dhe i ekipit tim në rrethana lufte. Deklarata e parë publike e Jakup Krasniqit u publikua në të gjitha mediat botërore. E publikoi edhe revista “Zëri” si paraqitje ekskluzive, në marrëveshje me mua ia mundësova këtë Flurim Gashit, meqë ai më kishte ndihmuar të lidhem drejtpërdrejt me ShP të UÇK-së. Më 16 qershor 1998 këtë paraqitje të Jakupit nga TVSh-ja e kishin marrë edhe gazeta “Bujku” dhe “Koha ditore”, edhe media të tjera shqiptare dhe ndërkombëtare. Pa u transmetuar në Televizionin Shqiptar nuk ishte serioze që këtë paraqitje të rëndësishme t’ia jepnim dikujt tjetër. Mediat botërore e kishin marrë atë nga Televizioni Shqiptar. Aty nuk përmendej fare emri im, as i Abaz Zekës si autorë të kësaj ngjarje me rëndësi publike. Mosarsyet i kam sqaruar më herët. Është mbajtur në mënyrë shumë sekrete e gjithë ajo punë me shumë rreziqe për neve dhe familjet tona. Qëllimi im kryesor ishte që mos të reklamohem pa nevojë dhe mos të zbulohem nga policia serbe, por të punoj edhe më tepër në prezantimin sa më të denjë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si ushtri moderne, properëndimore, e cila kishte kapur armët për ta çliruar përfundimisht Kosovën nga Serbia. Po atë kohë i dëgjoja opinionet, komentet në Prishtinë, pyetjet se kush ka mundur ta bëjë intervistën me zëdhënësin e UÇK-së e komente të tjera. Unë krenohesha me punën që kisha bërë, por nuk ishte momenti të tregoja se unë e kam bërë intervistën. Kolegët dhe komshinjtë e mi flisnin me admirim për paraqitjen e parë të zëdhënësit të UÇK-së. Ky për mua ishte provim shumë i madh, shumë i rëndësishëm jo vetëm profesional, por edhe kombëtar. Pas transmetimit të kësaj interviste krijova kredibilitet të madh dhe m’u hap rruga për të vazhduar më tutje, për të kontribuar për informimin e tërë asaj që ndodhte në zonat e kontrolluara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Tash kisha fituar besim te të gjithë drejtuesit dhe ushtarët e UÇK-së. Kisha mbështetjen e jashtëzakonshme të Drejtorisë për informim të UÇK-së të xhiroja në zona të luftës, njëkohësisht kujdesesha ta ruaja etikën profesionale dhe të jem në shërbim të plotë të publikut.

(Fragmente nga “Libri i luftës” i autorit Nuhi Bytyçi, botuar në mars 2019)

Filed Under: Histori

Përkujtojmë 83-vjetorin e ngritjes së Flamurit Shqiptar në Ulqin!

June 14, 2024 by s p

Edon Alibegu/

Më 14 qershor 1941, një ngjarje e rëndësishme ndodhi në Ulqin që do të mbetet përgjithmonë e gdhendur në analet e historisë shqiptare. Nën udhëheqjen e palëkundur të Cafo Beg Ulqini, Ulqini u bashkua me sukses me Mbretërinë Shqiptare. Kjo ditë historike shënoi herën e parë që flamuri shqiptar u ngrit në Ulqin, duke simbolizuar bashkimin e tij me një shtet të njohur shqiptar. Në këtë fotografi historike, shohim Cafo Beg Ulqini me Mëkëmbësin e Mbretërisë së Italisë, Francesco Jacomoni, duke ngritur me krenari flamurin shqiptar për herë të parë në historinë e Ulqinit në Kishën e Shën Zefit në qytetin e Ulqinit. Ky akt i patriotizmit të fortë u krye nga Kryetari i Bashkisë së Ulqinit, stafi i tij dhe shumë patriotë të tjerë, emrat dhe kujtimet e të cilëve i nderojmë sot:
– Hoxh Hasan Llunji
– Dom Nikolle Tusha
– Hodo Alibegu
– Rifat Alibegu
– Sele Lamoja
– Riza Sula
– Dom Ivo Bellashi
– Lush Paloka
– Ded Gjo Nike Delija
– Zyhdi Fici
– Mustafa Canka
– Rexhep Dollaku
– Memin Resulbegu
– Tahir Nikeziqi
– Rafo Gorana
– Kole Marash Zefi

..dhe shumë shqiptarë të tjerë krenarë të Ulqinit që qëndruan të bashkuar atë ditë historike.

Daylight, shumë prej këtyre individëve të guximshëm u përballën me ekzekutimin ose burgimin nga autoritetet jugosllave nën Titos dhe komunistët shqiptarë nën Enver Hoxhën. Megjithë shtypjen, shpirtin dhe përkushtimin e tyre për lirinë, pavarësinë dhe identitetin shqiptar mbeten një burim frymëzimi!
Sot, ndërsa kujtojmë këtë moment të rëndësishëm, i bëjmë homazh sakrificave fisnike dhe të virtytshme të këtyre patriotëve. Ulqini gjithmonë ka luftuar për identitetin e tij dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë përgjithmonë. Shoqata jonë është e frymëzuar nga shembulli i tyre dhe ne përpiqemi të vazhdojmë trashëgiminë e tyre me krenari dhe vendosmëri.

Rrofte shpirti i Ulqinit! Rroftë Kombi Shqiptar!

Filed Under: Histori

LIDHJA ËSHTË GJALLË…

June 10, 2024 by s p

Lidhja Shqiptare e Prizrenit sot nuk do të duhej të mësohej vetëm si një leksion në orët e para të mësimit nëpër shkollat tona. Ajo parasegjithash do të duhej të mbindërtohet si ndërgjegje e pastër politike për të gjithë ata që e kan pasion marrjen me punë të rënda shtetërore e institucionale. Sot fatkeqësisht kemi plot politikan të zgjuar, por ata ende vuajnë pasojat e robërisë së brendshme shpirtërore, si rezultat i egove të mëdha, sepse, siç thonë psikologët, robëria e brendshme i pengon njerëzit ta perceptojnë drejt lirinë e jashtme.

Nga Mehmet PRISHTINA

Kur u mbajt Lidhja e Prizrenit, shqiptarët ishin të dekdisur në të katër anët dhe ishte vështirë të grumbullohen në një vend për të marrë vendime historike. Mirëpo ideali kombëtar ishte më i madh se kapriciet individuale, prandaj ajo depërtoi në zemrat e çdo idealist dhe e ndezi zjarrin e atdhedashurisë në të gjitha cepet e viseve shqiptare.

Sot kur rrethanat kanë ndryshuar në favor të proceseve për të cilat shqiptarët kishin luftuar me shekuj, a mund të themi se klasa politike – edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, po e neglizhon peshën dhe vizionin e Lidhjes së Prizreni, duke mos punuar në frymën e saj?

Tani kur po shënojmë 146 vjet nga organizimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit , një ngjarje kjo me karakter panshqiptar që për herë të parë në histori fermentoi energjitë e brendshme politike e ushtarake kombëtare, para nesh sërish shtrohet një pyetje e pashamangshme: Sa arriti kjo ngjarje e madhe historike të prodhojë një unitet në rrafshin e veprimit politik në hapësirat ku jetojnë aktualisht shqiptarët?

Pas Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444, nën organizimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princave shqiptare në shekullin e 15, Lidhja e Prizrenit do të mbetet platforma më gjithëpërfshirëse e aspiratave shqiptare për unitetin kombëtar dhe territorial të tyre.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk erdhi vetvetiu dhe spontanisht si ngjarje e shkëputur nga konteksti i kohës. Sikundër dihet, Komiteti i Stambollit i themeluar nga ajka kombëtare e kohës, më 1877, me qëllim të çlirimit dhe të ruajtjes së territoreve shqiptare nga hegjemonizmi sllave dhe ai grek, pasi që Perandoria turke pas Tanzimatit (1848) dhe luftërave ruso-turke më 1875/76, me shpejtësi po goditej dhe tronditej nga e ashtuquajtura “Kriza Lindore”, me kohë kishte nuhat rrezikun e copëtimit të trojeve të tyre, andaj, me shpejtësi themeloi “Komitetin e Shpëtimit” të trojeve etnike.

Historia e formimit të Lidhjes së Prizrenit na ka dëshmuar një fakt të pamohueshëm se pa përfshirjen e ajkës së kombit, që përbëhet nga intelektualët dhe atdhetarët më të devotshëm, liria dhe pavarësia kombëtare nuk do të arrinte asnjëherë. Kjo komponentë u vërejt që në Komitetin e Stambollit, i cili përbëhej nga një plejadë intelektualësh më të shquar të kombit: Pashko Vasa, Jani Vreto, Ymer Prizreni, Zia Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Korenica, Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Mustafa Nuri Vlora, Mon Tahiri etj. Këtyre intelektualëve do t`u bashkohet ideologu dhe patrioti i shquar i familjes së njohur Frashëri, Abdyl bej Frashëri.

Bashkimi i këtyre figurave të shquara të kombit, i hapi rrugën të gjitha aksioneve politike e ushtarke të shqiptarëve që ndodhën pas firmosjes së Marrëveshjes së Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territorial. Kështu lindi edhe Lidhja e Prizrenit , e cila u mblodh si kundërvënie ndaj aspiratave për copëtimin e viseve shqiptare.

Ajo çka e bën të veçant këtë Lidhje ishte fakti se delegatët që morën pjesë në Kuvendin Mbarëkombëtar kishin si ajtmotiv pune një unitet të plotë mendimi e veprimi pasi që të gjithë qenë të vendosur për të kundërshtuar me çdo çmim copëtimin e trojeve shqiptare dhe për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë.

Karakteri dhe programi plitik i Lidhjes së Prizrenit do të shërbejë për shumë dekada si udhërrëfyes i atdhetarëve shqiptarë, të organizuar në grupime e orientime të ndryshme politike e ideologjike. E përbashkëta e këtij udhërrëfimi ishte vendosja e interesave kombëtare mbi ato partiake e ideologjike. Vendosja e Atdheut mbi çfarëdo lloj interesi personal, siç veproi edhe kolosi kombëtar Hasan Prishtina, i cili mbetet shembull unik në historinë politike shqiptare, me vetëfljimin e tij për interesin e përgjithshëm kombëtar, duke hequr dorë nga të mirat materiaiale e fianciare që pati.��Për më tepër, siç shkruan edhe Fatmir Lekaj, Hasan Prishtina është edhe kryeideologu i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për çlirimin e Kosovës me vise pas vitit 1912, i cili përveçse inspiroi dhe inkurajoi shumë të tjerë (për vazhdimin e përpjekjeve për çlirimin e Kosovës me vise), i përfaqësoj dinjitetshëm këto përpjekje, qoftë në aspektin diplomatik si fillimpërpjekje për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në kuadër të bashkësisë ndërkombëtare (SHBA-së etj.), qoftë në aspektin e orientimit të duhur politik të grupeve kaçake në Kosovë dhe në vise të Kosovës, dhe qoftë në aspektin e ruajtjes së karakterit çlirimtar të këtyre përpjekjeve për çlirimin e Kosovës: si të drejtuara kundër regjimit të Beogradit dhe jo si të drejtuara kundër popullatës civile serbe në Kosovë.

Kanë kaluar mbi një shekull dhe shqiptarët janë në kërkim të një Hasan Prishtine të dytë, i cili vizionin e udhëheqjes do ta bazonte mbi parimet e pastra kombëtare, që nënkupton sakrifikimin e egos personale në favor të kauzës shqiptare.

Sot fatkeqësisht kemi plot politikan të zgjuar, por ata ende vuajnë pasojat e robërisë së brendshme shpirtërore, si rezultat i egove të mëdha, sepse, siç thonë psikologët, robëria e brendshme i pengon njerëzit ta perceptojnë drejt lirinë e jashtme.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit sot nuk do të duhej të mësohej vetëm si një leksion në orët e para të mësimit nëpër shkollat tona. Ajo parasegjithash do të duhej të mbindërtohet si ndërgjegje e pastër politike për të gjithë ata që e kan pasion marrjen me punë të rënda shtetërore e institucionale.

Do të tingëllonte anakronike të kërkojmë që shqiptarët të vazhdojnë të mbajnë kokën prapa dhe të kufizohen vetëm në forume të brendshme kombëtare, siç ishte edhe Lidhja e Prizrenit. Por, ajo çka është e pafalshme për liderët aktual shqiptarë, ndërlidhet me mosbashkëpunimin dhe moskoordinimin në mes tyre.

Sfidat janë shumë më të mëdha se kapriciet individuale të politikanëve tanë, prandaj duke kultivuar frymën e unitetit dhe bashkërendimit që pati Lidhja e Prizrenit, Liderët tanë në Prishtinë, Tiranë , Shkup, Podgoricë e Luginë të Preshevës, do të duhej të mblidhen dhe të takohen më shpesh në mes veti se sa me politikanët tjerë të rajonit. Atdhetarët shqiptarë nuk u flijuan vetëm për një copë lirie që e gëzojmë ne sot. Ata u flijuan mbi të gjitha për një kauzë panshqiptare e cila do të sillte më shumë mirëkuptim e harmoni të brendshme kombëtare, si parakusht i ndërtimit të urave të bashkëpunimit dhe integrimit edhe me popujt tjerë në kuadër të ombrellës euro-atlantike.

Prishtinë, 10 qershor 2024

Filed Under: Histori

THE CHRISTIAN SCIENCE MONITOR (1929) / RRËFIMI I REPORTERIT AMERIKAN REUBEN HENRY MARKHAM : “FALË MBRETIT ZOG, SHQIPËRIA PO PËRPARON!”

June 6, 2024 by s p


Reuben Henry Markham (1887 – 1949)
Reuben Henry Markham (1887 – 1949)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 6 qershor 2024

“The Christian Science Monitor” ka botuar, të enjten e 19 shtatorit 1929, në faqen n°18, rrëfimin e reporterit amerikan Reuben Henry Markham rreth përparimit të Shqipërisë falë udhëheqjes së Mbretit Zog, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Mbreti Zog I

Mbreti Zog I (1895 – 1961)
Mbreti Zog I (1895 – 1961)
Burimi : The Christian Science Monitor, e enjte, 19 shtator 1929, faqe n°18
Burimi : The Christian Science Monitor, e enjte, 19 shtator 1929, faqe n°18

Tiranë, Shqipëri.

Më i fundit, edhe pse larg të qenit mbreti më i ri në Evropë, është Zogu I i Shqipërisë. Vendi që ai drejton ka sipërfaqen e Nju Xhersit, me Detin Adriatik në të majtë në vend të Oqeanit Atlantik në të djathtë. Është pothuajse dyfishi i madhësisë së Nju Xhersit, por ka vetëm një të katërtën e popullsisë së saj, ose rreth 850,000 banorë. Prej tyre, 200,000 janë të krishterë ortodoksë, 100,000 janë katolikë romakë dhe pjesa tjetër janë myslimanë.

Shqipëria nuk ka hekurudhë, por shërbimin më të mirë ajror në Europë. Me anije është vetëm disa orë nga Italia dhe është shumë e aksesueshme, si me automobila ashtu edhe me anije drejt Greqisë dhe Jugosllavisë, që e lidhin atë. Për shekuj me radhë vendi ishte pjesë e Turqisë evropiane dhe nuk u çlirua deri në vitin 1912. Gjatë Luftës Botërore u pushtua nga ushtritë e huaja dhe u bë përsëri i lirë në vitin 1920. Në fillim ishte një principatë me një princ të huaj, pastaj u bë republikë, dhe tani është një mbretëri me një mbret vendas, me shumë aftësi dhe energjik. Sundimtari i saj ishte Ahmet Zogu kur hipi në fron, por tani ai e thërret veten Zogu I, Mbret i Shqiptarëve.

***

Formimi i një shteti të ri është një detyrë jashtëzakonisht e vështirë, veçanërisht në Ballkan, sepse prek interesat dhe aspiratat e shumë shteteve të tjera. Dy fuqi të mëdha dhe tre më të vogla ishin thellësisht të shqetësuara për krijimin e Shqipërisë. Dy të parat ishin Italia dhe Austria, dhe tre të tjerat ishin Bullgaria, Greqia dhe Serbia. Dhe gjatë viteve të fundit e gjithë Shqipëria ose pjesë të saj janë pushtuar nga këto shtete.

Prej shumë vitesh ka një tendencë të fortë drejt ndarjes së Shqipërisë. Në fakt ajo aktualisht është e ndarë dhe vetëm gjysma e trojeve të banuara me shqiptarë janë pjesë e Shqipërisë. Vendi më shumë se një herë është ndarë zyrtarisht në sfera dominimi, madje edhe sot Italia, Greqia dhe Jugosllavia, për arsye të ndryshme, pretendojnë pjesë të Shqipërisë. Ky shtet i ri i vogël që lufton për të ecur përpara duhet t’i rezistojë presioneve të mëdha të jashtme.

Dhe kësaj i duhet shtuar një situatë e brendshme e paqëndrueshme. Shumë shpesh është mohuar ekzistenca e një kombi shqiptar.

Populli që banon në Shqipëri është i ndarë në dy fise mjaft të dallueshme dhe shpesh armiqësorë ndaj njëri-tjetrit, përveç tre besimeve të ndryshme. Përveç periudhave shumë të shkurtra, ata kurrë nuk janë bashkuar në një shtet të vetëm të pavarur. Ata kanë një literaturë shumë të varfër dhe vetëm pak kohë më parë gjuhës së tyre iu dha një alfabet zyrtar. Shumica e njerëzve janë analfabetë. Për më tepër, vendi është shumë malor dhe rrugët kanë qenë praktikisht inekzistente, kështu që pjesë të ndryshme të Kombit kanë qenë krejtësisht jashtë kontaktit me pjesët e tjera.

***

Kjo pasiguri e brendshme dhe e jashtme plotësojnë njëra-tjetrën. Fuqitë e huaja, për të përfituar, intrigojnë me elementët e pakënaqur të vendit; ndërsa grupet e pakënaqur në Shqipëri apo edhe aventurierët e zakonshëm, në kërkim të përfitimit, bashkëpunojnë me entuziazëm me të huajt e interesuar në plane kundër shtetit të tyre. Historia e Shqipërisë në shekuj, e sidomos në pesëmbëdhjetë vitet e fundit, është e mbushur me intriga të tilla.

Para ardhjes së Zogut, vendi ishte vazhdimisht në një gjendje trazirash dhe revolucioni ndoqi shpejt revolucionin, të gjithë të ndihmuar nga jashtë. Çfarë ilustrimi më i mrekullueshëm i kësaj gjendjeje mund të ekzistonte sesa fakti që Ahmet Zogu vendosi autoritetin e tij mbi Shqipërinë me ndihmën serbe dhe mercenarët bullgarë që dëbuan të mbrojturin italian dhe se tani ai e mban veten me ndihmën e floririt italian dhe oficerëve ?

Asnjë komb në një gjendje të tillë pasigurie nuk mund të përparojë dhe as të durojë. Kështu, nevoja e parë absolutisht thelbësore është stabiliteti. Dhe ky është kontributi i Mbretit Zog, Shqipëria ka tani një qeveri të qëndrueshme. Vendi po bashkohet. Po krijohet një shtet real. Rendi i shkëlqyer mbizotëron. Jeta dhe prona e njeriut janë të sigurta, dhe qeveria është e vendosur fort. Ekziston një siguri e arsyeshme se ajo që është vendosur sot do të realizohet nesër. Udhëtimi është mjaft i lehtë dhe pa asnjë rrezik.

Intrigat nga jashtë kanë pak shanse për të pasur sukses. Ekziston një forcë e shkëlqyer policore, e drejtuar dhe e trajnuar nga oficerë të ushtrisë angleze. Ka një ushtri të mirë, të menaxhuar dhe të stërvitur nga italianët. Malësorët po çarmatosen. Të rinjtë nga të gjitha pjesët e mbretërisë po vihen në kontakt të vazhdueshëm me njëri-tjetrin. Duke kaluar muaj në ushtri mësojnë besnikërinë ndaj Shqipërisë dhe jo ndaj fisit të tyre të vogël. Ka shkolla, libra e gazeta. Një Shqipëri është shfaqur.

***

Dhe kjo është në masë të madhe vepër e Ahmet Zogut. Ishte një detyrë e vështirë dhe e rrezikshme. Të jesh mbret në Ballkan është një ndërmarrje e rëndë. Të gjithë sundimtarët bullgarë, përveç atij aktual, u detyruan të abdikonin. Të gjithë mbretërit serbë kanë pasur karriera të stuhishme dhe tragjike me vetëm një ose dy përjashtime. Në Greqi situata ka qenë pothuajse e njëjtë. Dhe në Shqipëri gjatë viteve të fundit të gjithë pushtetarët e kanë kaluar shumë nga koha e tyre në arrati. Në një paqëndrueshmëri dhe rrezik të tillë, mbreti Zog po punon. Dhe ai ka sukses në detyrën e tij. Ishte e nevojshme që ai të kishte një mbrojtës – për çdo shtet të ri ballkanik ka qenë rasti i tij – dhe Ahmet Zogu bëri mirë që mori Italinë. Vendi i tij nuk mund të ishte kurrë i sigurt nëse do t’i duhej të kalonte nëpër trazirat e zgjedhjeve presidenciale çdo disa vjet; prandaj është mirë që u bë mbretëri. Shqipëria do të shembet nëse nuk qeveriset nga një burrë i fortë; pse të mos ishte sovran në një mbretëri në vend që të ishte diktator në një republikë ?

Dhe mbreti Zog punon shumë. Udhëton, por pak. I gjithë rreziku dhe përgjegjësia bien mbi të. Shumica e profesorëve amerikanë jetojnë në shtëpi më të mira se Mbreti i Shqipërisë apo Nëna Mbretëreshë. Dhe shumica e ambulantëve amerikanë kalojnë një kohë më të lirë dhe më të lumtur. Mbreti Zog nuk bën shumë shpesh udhëtime të gjata nga frika e komploteve. Duhet të kalojnë shumë vite përpara se toka e tij e vogël të bëhet e rregullt, e shëndetshme, produktive dhe një vend i bukur për të jetuar.

Ndërsa dikush takon popullin shqiptar në një shesh të qytetit në ditën e tregut ose i viziton ata në shtëpitë e tyre të thjeshta dhe sheh se sa të varfër janë të gjithë ata, njeriu mendon se është e kotë që sundimtari i tyre t’u zhvatë atyre taksa të rënda vjetore. Megjithatë, kur kujtohet se nevoja më jetike e Shqipërisë është siguria dhe stabiliteti, dhe se Mbreti Zog I, mes shumë rreziqeve dhe vështirësive, po shpenzon gjithë kohën dhe aftësinë e tij për ta bërë Shqipërinë të sigurt dhe të qëndrueshme dhe për t’i dhënë popullit rend dhe qetësi, dikush është i prirur t’i urojë atij të mirën, të shpresojë se ai do të përfitojë njëfarë kënaqësie nga atributet e pushtetit mbretëror dhe të shpresojë se ai do të jetë i pari i një dinastie që do ta kthejë Shqipërinë në shtëpinë e mirëadministruar të një kombi të begatë, të pavarur dhe përparimtar.

R. H. M. (Reuben Henry Markham)

Filed Under: Histori

Më 5 qershor të vitit 1920 filloi lufta e shqiptarëve për çlirimin e Vlorës

June 5, 2024 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Lufta e Vlorës ishte një luftë e armatosur e popullit shqiptar për çlirimin e krahinës së Vlorës nga pushtuesit italianë dhe për bashkimin e saj administrativ me pjesën tjetër të Shqipërisë. Forcat italiane ishin vendosur në Vlorë gjatë Luftës së I Botërore. Vendimi për fillimin e Luftës së Vlorës u mor nga përfaqësuesit e krahinës së Vlorës të mbledhur në Kuvendin e Barçallait më 29 maj 1920, i cili zgjodhi për organizimin dhe drejtimin e luftës Komitetin “Mbrojtja Kombëtare” me kryetar O. Haxhiun. Ai formoi gjithashtu edhe një komision ushtarak me Ahmet Lepenicën në krye, i cili më vonë u zëvendësua nga Q. Koculi. Qeveria e Tiranës dha ndihmën e vet, pavarësisht se nuk mori pjesë zyrtarisht në luftë.

Lufta e Vlorës nisi më 5 qershor 1920 dhe u zhvillua në mënyrë frontale. Përballë ushtrisë së rregullt italiane, që kishte në Shqipëri dy divizione, u vunë forcat shqiptare, të grumbulluara mbi baza vullnetare e që arrinin në rreth 4 mijë veta. Më 5-6 qershor u goditën njëherazi të gjitha garnizonet italiane në krahinë, që nga Tepelena e deri në Drashovicë. Sulmi mbi forcat italiane në qytetin e Vlorës dhe rrethinat filloi më 11 qershor. Lufta për marrjen e Vlorës vazhdoi gjatë dhe u zhvillua me mësymje dhe kundërmësymje, në një nga të cilat spikati trimëria e Selam Musait.

Gjatë Luftës së Vlorës (1920), trupat italiane nuk mundën të çanin rrethimin e forcave shqiptare. Roma u detyrua më në fund të hiqte dorë nga sovraniteti mbi krahinën e Vlorës dhe të nënshkruante me Qeverinë e Tiranës “Protokollin shqiptaro-italian” të 2 gushtit 1920. Më 3 shtator 1920 forcat shqiptare hynë triumfalisht në qytetin e Vlorës të zbrazur nga trupat pushtuese. Bashkë me krahinën e Vlorës, qeveria italiane u detyrua të tërhiqte garnizonet ushtarake edhe nga Saranda, Durrësi e Shëngjini.

Foto: shqiperia.com

May be an image of 3 people and text that says "HO"

See insights and ads

Create Ad

All reactions:

22

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 121
  • 122
  • 123
  • 124
  • 125
  • …
  • 737
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT