• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

#SiSot, më 16 shtator 1943, nisen punimet e Kuvendit të Prizrenit (16-20 shtator)

September 16, 2023 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Në këtë Kuvend u vendos formimi i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, një organizatë politike kombëtare që do të angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike. Në punimet e Kuvendit morën pjesë 45 delegatë të zgjedhur nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare. Organi udhëheqës ishte Komiteti Ekzekutiv, me në krye Musa Shehun.

Kuvendi zgjodhi Komitetin Qendror të Lidhjes, të përbërë nga 7 anëtarë. Kryetar i Lidhjes u zgjodh Rexhep Mitrovica, veprimtar i njohur i çështjes kombëtare. Në Kuvendin e Dytë, që u mbajt më 17-21 janar 1944, Bedri Pejani u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror, teksa Rexhep Mitrovica qe kryeministër. Kuvendi miratoi edhe statutin e Lidhjes, i cili u dekretua nga Këshilli i Naltë më 14 mars 1944.

Lidhja e Dytë e Prizrenit do të propagandonte idenë e krijimit të Shqipërisë etnike dhe do të denonconte krimet e kryera nga serbët ndaj shqiptarëve të Kosovës. Bashkëngjitur, notë proteste e Mehdi Frashërit (kryetar i Këshillit të Lartë) drejtuar Gjeneralit Fitztum, rreth arrestimit të shtetasve civilë e fuqive ushtarake nga Komandat e Fuqive Gjermane në tokat e liruara pa dijeninë e qeverisë shqiptare.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#LidhjaDytëePrizrenit

#AQSH

#FototekaAQSH

Filed Under: Histori

STATUTI I LIDHJES SË DYTË TË PRIZRENIT

September 15, 2023 by s p

Adil FETAHU/

Dokumente 

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, sidomos në vitin 1943/44, në trojet shqiptare të cilat ishin ‘’çliruar’’ nga okupimi sllav, por ishin pushtuar nga okupatorë tjerë: italian, bullgar e gjerman, u zhvillua aktivitet i ngjeshur politik dhe ushtarak, me qëllim të çlirimit dhe bashkimit kombëtar. U bënë përpjekje për bashkimin e rrymave dhe forcave të ndryshme politike për t’i dalë zot Atdheut e Kombit. Në këtë frymë janë mbajtur mbledhje të rëndësishme, si: Mbledhja e Mukjes (1-3 gusht 1943); Lidhja e Dytë e Prizrenit (16-20 shtator 1943), Kuvendi Kushtetues Kombëtar i Tiranës (16 tetor  deri më 5 nëntor 1943); Konferenca e Bujanit (31 dhjetor 1943 e 1-2 janar 1944). Të gjitha këto kishin për synim çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet etnik, sado që kishin pikëpamje të ndryshme për arritjen e këtij qëllimi.  

Për aspektin politik dhe historik të këtyre tubimeve të rëndësishme shqiptare, është folur e shkruar shumë, madje me plot kontraverza e vlerësime disonante, sidomos për personalitetet më të përkushtuara dhe më të angazhuara kombëtarisht. Unë këtu, në këtë përvjetor (80-vjetorin) e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, do të paraqes vetëm aspektin juridik të organizimit të asaj Lidhjeje, sepse prej dispozitave të Statutit shihet karakteri, qëllimi, struktura e organizimit, financimi dhe funksionimi i organizatës. 

Ditën e parë të hapjes së Kuvendit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit (16 shtator), ishte miratua propozimi i rendit të ditës prej 6 pikash. Në pikën 5 të rendit të ditës, ishte paraparë përpilimi dhe miratimi i Statutit të organizatës kombëtare ‘Lidhja e Dytë e Prizrenit’. Statuti u miratua në mbledhjen e dytë të Lidhjes, që u mbajt më 21 janar 1944, ndërsa e Dekretoi Këshilli i Naltë i Shtetit Shqiptar, më 14 mars 1944. 

Siç shihet, Lidhja e Dytë e Prizrenit nuk ishte një organizatë e thjeshtë politike, por kishte edhe karakter shtetëror, me qenë se Statutin e saj e miratoi Qeveria dhe e dekretoi Këshilli i Naltë Shtetëror, i cili përkohësisht kishte   rolin dhe kompetencat e Mbretit të Shqipërisë.

Për lexuesit e interesuar, të cilët nuk kanë pasur rastin të njihen me përmbajtjen e Statutit, këtu më poshtë po e botojmë të plotë tekstin e Statutit, bashkë me Dekretin e Këshillit të Naltë të Shtetit, marrë nga libri i Tahir Zajmit: ‘Lidhja e II-të e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit pçr mbrojtjen e Kosovës’, Bruksel 1964).  Nuk do bëjmë asnjë korrigjim gjuhësor a drejtshkrimor, përveç ndonjë presje sa për qartësim   të fjalive. 

S T A T U T I

i Organizatës

‘’LIDHJA E DYTË E PRIZRENIT’’

I.Themelimi

Në bazë të vendimevet, që nxorri kongresi i Prizrenit më 16-19 shtatuer 1943, ku u përfaqësuen tokat e lirueme si edhe të tokat e tjera t’ish mbretnis jugosllave, themelohet organizata ‘LIDHJA E DYTË E PRIZRENIT’.

II.Qëllimi

Kjo organizatë ka për qëllim mbrojtjen e tokave të lirueme si edhe të tokave tjera t’ish Jugosllavis. Si mjet për kët qëllim do të përpiqet të mbledhi dokumenta për Shqiptarësinë e viseve në fjalë dhe t’organizojë popullin fizikisht e moralisht për mbrojtjen e këtij thëzi.

III.Kompetenca toksore

Kompetenca toksore e kësaj organizate shtrihet mbi të gjitha tokat e sipërshenueme, dmth. mbi Kosoven e lirueme, mbi qarkun e Dibres, si edhe mbi viset tjera Shqiptare t’ish Jugosllavis.

Malsinat mbrenda kufijve të 1913-tës që ma parë vareshin prej qyteteve të Gjakovës, Prizrenit dhe Dibrës s’Madhe, me qenë se ekonomikisht dhe gjeopolitikisht janë fare ngushtas të lidhuna me qytetet në fjalë, mund të përfaqësohen në Kuvend vullnetarisht dhe mund të marrin pjesë në organizatën e ‘LIDHJES SË II TË PRIZRENIT’.

IV.Organiyimi, kompetencat dhe funksionimi

Organizimi i Lidhjes së Prizrenit përfshinë:

  1. Kuvendi i Lidhjes, me qendër në Prizren, përbahet prej antarvet nga një delegat për çdo rreth administrativ (Qendra e Prefekturavet dhe n/Prefekturavet).
  2. Komiteti Qendruer, me seli në Prizren, përbahet prej katërmbëdhjetë (14 anëtarësh. Kryetari, dy N/kryetarët dhe gjithë antarët tjerë të Komitetit Qendruer zgjidhen prej Kuvendit.

Kryetari dekretohet prej Këshillit të Naltë mbi proponimin e Kryeministrisë.

  1. Komiteti Qarkuer, me seli në kryevendin e çdo Prefekture përbahet prej shtatë (7) vetvet, të cilët zgjidhen simbas procedurës së caktueme prej qarkores së Komitetit Ekzekutiv të Tiranës të datës 24.IX.1943 mbi rregullimin e  zgjedhjes s’ Asambleistëvet.

Po kjo proçedurë ndiqet edhe për zgjedhjen e antarve të Komitetit Rrethuer. Antarët e komitetit komunal zgjidhen prej Kryepleqsive të katundeve të komunës me seli-qendra e komunës, kurse kryetari caktohet prej Komietit Qendruer në mes t’antarve të zgjedhun si ma sipër. 

  1. Komiteti Rrethuer, me seli kryevendin e çdo N/Prefekture,  përbëhet prej pesë (5) vetësh, të cilët zgjidhen si ma sipër, kurse Kryetari caktohet prej Komitetit Qarkuer.
  2. Komiteti komunal, me seli në kryevendin e çdo komune, përbahet prej tre (3) vetvet, të cilët zgjidhen si ma siër, kurse Kryetari caktohet prej komietit Rrethuer.
  3. Komiteti katunduer,me qendër katundin, përbahet prej pleqsisë së katundit.

V

Nënpunëst, në shërbm t’organizatës emënohen prej Komitetit Qendruer mbi proponimin e Komietit përkats.

Në qoftë se nuk gjinden nëpunsa në numër të mjaftueshëm për kryemjen e shërbimeve t’organizatës, me lejen e kryetarit t’administratës së vendit, mund të ngarkohen me detyra përktëse sekretarët Bashkijak ose komunal, kundrejt nji shpërblimi prej arkës s’oranizatës.

VI

Në marrëveshtje me Komandën e përgjithshme të Mbrojtjes kombtare, oganizata merr në shërbim si instruktorë oficerë dhe n/oficerë të cilët mbas gradës, vehen në dispozicion të komiteteve të ndryshme.

Inspektorët pranë Komitetit Qendruer përbajnë Shtabin e Komitetit.

VII

Funksionet e kësaj organizate dhe kompetencat e organeve të saj rregullohen simbas dispozitavet që pasojnë:

  1. Kuvendi i Lidhjes, i zgjedhun prej popullit, përfaqson vullnetin e këtij dhe mblidhet tri herë në mot. Jashtzakonisht Kuvendit mblidhet kur thirret prej Komitetit Qendruer, në rasë nevoje për me marrë vendime me  randësi, ase mbi kçrkesën e shumicës s’anëtarve të Kuvendit.
  2. Komiteti Qendruer i zgjedhun prej Kuvendit si ma sipër, ësht auktoriteti ma i naltë ekzekutiv i ksaj Organizate; përfaqëson organizatën, komunikon vendimet e Kuvendit, jep udhëzime dhe urdhna komiteteve të ndryshëm sipas hierarkisë, kontrollon komitetet ase urdhëron hijerarkisht kontrollimin e tyne; plotëson organizimin e Lidhjes; organizon stërvitjet, emnon funksionarë të çdo natyre dhe çdo kategorije t’organizatës, merr masa diciplinore e ndëshkimore kundër këtyne dhe harton  buxhetin e organizatës. 
  3. Komitetet janë auktoritete t’organizatës; këto përfaqësojnë në vendin e vet Komitetin Qendruer dhe veprojnë simbas dhëzimeve dhe urdhnave të tij, që jepen e transmetohen hierarkisht.

Komitetet eprorë kanë të drejtë inspektimi e kontrolli mbi komitetet inferiorë. Hierarkija e komiteteve asht analoge me ato t’auktoriteteve civile të shtetit. Kompetenca toksore e tyne konçidon me atë t’auktoriteteve civile të Shtetit. 

VIII

Funksionet e mbrendëshme të Kuvendit dhe zgjedhja e Parisë së tij rregullohen me vendimet e këtij Kuvendi.

IX

Funksionet e mbrendëshme të Komitetit Qendruer e të komiteteve të tjera të varuna prej tij, zgjedhja e antarvet, zëvendës t’atyne, që për arsyena të randa largohen prej Komitetit, themelimi i komiteteve ku ende s’janë themelue, plotësimi i organimit simbas këtij Statuti, rregullohen me vendimet e Komitetit Qendruer.

X

Emnimi, transferimi, gradimi dhe pushimi i nëpunsave të kësaj organizate kryhet me vendimet e Komitetit Qendruer simbas normave ligjore në fuqi për nëpunsat e shtetit. Emnimet diciplinore kundër nëpunsave t’oganizatës zbatohen prej Komitetit Qendruer simbas ligjeve të shtetit mbi procesin e Komitetit Qendruer ose komiteteve të ndryshëm, sipas ligjeve të shëtit. 

Në rast se nëpunsat në fjalë kryejnë nji faj që hyn në rrethin e ndëshkimeve penale, me procesverbalin përktës çashtja i referohet gjyqit përkatës për veprim. 

                                                         XI

Organizata e LIDHJES ii TË PRIZRENIT ka tagër:

  1. Me organizue propagandë intensive me qëllim të që të përgatisë shpirtnisht, materjalisht dhe fizikisht popullin për mbrojtjen e tokës së vet,
  2. M’u pregatitë për luftën dipllomatike në konferencën e paqes, me organizue mbledhjen e dokumentave provuese të karakterit shqiptar t’atyne visevet,
  3. Me organizue aparatin e vet administrativ, simbas këtij statuti, ndër të gjitha viset e kompetencës së saj tokësore me organe të çdo prefekture, komune e bashkie dhe katundi,
  4. Me organizue stërvitjen paraushtarake të djelmoshave ende të pa rekrutuem, në konformitet me ligjën rreth organizimit të paraushtarakve qi asht në fuqi,
  5. Me iu përveshë organizimit për stërvitjen e të gjitha mashkujvet deri në 60 vjeç, veç atyne nën armë,  tue i inkuadrue simbas organizimit të përshtatshëm. Pjestarët e këtyne grupevet nuk mbahen në stërvitje të vazhdueshme, por regjistrohen, betohen dhe qëndorjnë ndër shtëpijat e veta dhe thërriten herë pas here për ushtrime ase veprime të tjera,
  6. M’u kujdesë për sigurimin e mjeteve të transportit, t’ushqimit dhe të tjera pajime të nevojshme për veprimin e organizatës,
  7. Me kërkue prej autoritetevet shtetnore e parashtetnore ndihmën dhe përkrahjen e tyne, të cilët për sa të jetë e mundun ua akordojnë,
  8. Me kërkue dhe me marrë në dispozicion oficerë dhe nënoficerë prej ushtrisë e xhandarmërisë dhe rrogat e këtyne do ë vazhdojnë të paguhen prej arkës së shtetit.

XII

T’ardhunat e kësaj organizate, për me u ba ballë shpenzimeve të saj, janë:

  1. T’ardhuna nga ndihma të ndryshme të dhurueme prej patriotve, emrat e të cilvet do të regjistrohen e do të shpallen. Këta shënohen edhe si antarë nderi, kur dhurata e tyne asht e konsiderueshme,
  2. T’ardhunat nga shitja e pullavet fakultative, të cilat do të jenë postare, prej pesë (5) qindarka dhe për lutje zyrtare prej njizet (20) qindarka,
  3. T’ardhunat nga fushata të hapuna herë pas here, me vendim të Komitetit Qendruer,
  4. T’ardhunat nga pasunija e ish organizatës serbe ‘’SOKOL’,
  5. T’ardhunat nga kontributi i bashkive dhe i komunave të tokave të lirueme, kontribut i cili do të jet dhetë për qind (10%) mbi të gjitha t’ardhunat vjetore bruto të tyne. Bashkitë dhe komunat në fillimin e çdo vjeti financiar, kur pregatisin buxhetin e tyne, janë të detyrueme me caktue në pjesën e shpenzimeve përqindjen e ma sipërme të sajueme në favorin e kësaj organizate dhe shuma qi do të rezultojë do të derdhet n’arkën ma t’afërme të financës së shtetit, në llogaritë arkës së Komitetit Qendruer,
  6. T’ardhunat nga shitja e shejeve (distinkteve) t’organizatës.

XIII. Dispozita të posaçme

Shka nuk parashifet në këtë statut dhe që nuk asht në kundërshtim me dispozitat e tija, me qëllimin dhe misionin e kësaj organizate rregullohet me vendimet e Komitetit Qedruer.

XIV

Marrëdhënjet e ksaj organizate me qeverin kryhen nëpërmjet Kryesisë së Këshillit Minstruer.

XV

Organizata ka vulën e vet, ku shënohen fjalët: ‘’LIDHJA e II E PRIZRENIT’ dhe emni i zyrës. Po ashtu ka edhe shejën (disktinktiven) dhe pullat e veta, ku shënohen fjalët: ‘LIDHJA E II-të E PRIZRENIT’.

XVI

Organizata ka zyrat e veta në qendër ashtu edhe nëpër krahinat ku janë themelue komitetet. Këto gëzojnë përjashtimin nga taksat postare, telegrafike dhe telefonike, simbas ligjës autorizuese.

XVII

Organizata asht person juridik dhe i gëzon të gjitha të drejtat përkatëse ligjore.

XVIII

Vendimet, rregulloret, qarkoret dhe urdhrat e kësaj organizate të daluna prej komiteteve dhe organeve të saj kompetente, dhe në konformitet me këtë statut, kanë fuqi obliguese si për organet e veta edhe anëtarët e vet.

XIX

Kur e lyp nevoja Komiteti Qendruer i organizatës ka tagër me i tërhjekë vërejtjen qeveris mbi sjelljet e nëpunsave të shtetit për të cilët kujton se u nxjerrin pengime aktivitetit t’organizatës.

XX

Mosmarrveshtjet eventuale midis autoriteteve lokale shtetnore dhe kësaj organizate zgjidhen në marrëveshtje midis tyne dhe, në rasë dështimi, në marrëveshtje midis Kryetarit të Këshillit Ministruer dhe të Kryetarit të Komitetit Qendruer.

XXI

Organizata e lartëpërmendun vazhdon deri në kryemjen e plotë t’aprovimit të sajë. Në mbarim të këtij qëllimi organizata syprimohet me dekret të Pushtetit Sovran dhe pasunitë e saj destinohen në favor të shtetit.

XXII

Ky Statut i paraqitet Qeveris për aprovim dhe hyn në fuqi prej ditës së shpalljes të Dekretit aprovues.

Prizren, më 21 Kallnuer 1944

Vërtetohet se asht nji me origjinalin,

Kryetari i KQ i L.II-të TË PRIZRENIT

Bederi Peja, d.v.

SHTETI SHQIPTAR

KËSHILLI I NALTË

Mbi aprovimin e bamun me shkresën Nr.324 datë 14.II.1944 të Kryeministrisë,

Si ndigjoj dhe pëlqeu vendimin Nr.96 datë 12.II.1944 të të Kishillit Ministruer,

DEKRETON

Aprovimin e Statutit t’Organizatës ‘’LIDHJA E II-të E PROIZRENIT’’, dhe urdhnon zbatimin e tij.

Tiranë,më 14 Mars 1944 K R Y E T A R I

Mehdi Frashëri, d.v.

  K R Y E M I N I S T R I

 A N T A R Ë: Rexhep Mitrovica, d.v 

P.Anton Arapi, d.v.

Lef Nosi, d.v.

* * *

Statuti  (neni 11) në një mënyrë përcakton edhe Programin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, duke përcaktuar: organizimin, masivizimin, rolin dhe detyrat e segmenteve të ndryshme të Lidhjes, zhvillimin e propagandës (përmes gazetës e mjeteve tjera), mobilizimin, stërvitjen dhe aktivizimin e forcave luftarake të popullsisë,  mbledhjen e të dhënave për viset shqiptare, për t’i prezantuar në Konferencën e Paqes; çlirimin, bashkimin, pavarësinë; etj.

Shtrirja territoriale e luftës për çlirim e bashkim, përfshinte vetëm viset e banuara me shqiptarë në ish-Jugosllavi, pa pretendime ndaj territoreve tjera të shteteve fqinje (dispozita e nenit 2 dhe 3).

Organizimi, organet, zgjedhja, funksionet, raportet hierarkike të niveleve të ndryshme (të qendrës, të rretheve, qarqeve, komunave, bashkësive, katundeve) janë përcaktuar hollësisht në dispozitat e neneve: 4, 7, 8, 9, 10). Në nenin 12 janë përcaktuar burimet e financimit të aktivitetit të Organizatës, duke marrë përqindje të caktuar nga taksat e shtetit dhe të hyrat vjetore të bashkive dhe  komunave.

Në nenet 5, 6, e 11, janë përcaktuar raportet e organizatës me organet e shtetit të nivelit qendror dhe atij lokal (ndihma me nëpunës të shtetit, me instruktorë  e oficerë  profesionalë nga ushtria dhe xhandarmeria e shtetit). Emërimi, gradimi, pushimi nga puna, përgjegjësia disiplinore dhe penale e nëpunësve të organizatës bëhet sipas mënyrës dhe procedurës së caktuar me ligjet e shtetit (neni 10). Në nenin 19 është paraparë mospengimi i aktivitetit të organizatës nga nëpunësit e qeverisë (lokale a qendrore), e në rast të ndonjë mosmarrëveshje eventuale, zgjidhja bëhet midis autoriteteve të shtetit dhe atyre të Organizatës (neni 20).

Përcaktimi në nenin 17, që Statuti i organizatës hyn në fuqi pasi ta miratojë Qeveria dhe ta dekretojë Këshilli i Naltë i Shtetit, organizatës i jep karakterin e një organizate shtetërore. Në nenin 21 është përcaktuar karakteri i përkohshëm i organizatës, që nënkupton se ajo do të veprojë vetëm deri në çlirimin, bashkimin, konsolidimin dhe stabilizimin e organeve të viseve të çliruara. Kur organizata ta ketë arritur qëllimin e saj, ajo do të suprimohet me dekret të Pushtetit Sovran, kurse pasuria e saj i cedohet shtetit. 

Shikuar nga të gjitha aspektet dhe krahasuar me Kararnamën dhe Vendimet Plotësuese të Lidhjes së Prizrenit (të vitit 1878), Statuti i Lidhjes së II-të të Prizrenit është shumë më i avancuar, më i detajuar, më demokratik, më bashkëpunues me Shtetin Shqiptar, dhe nuk ka asnjë konotacion fetar as urrejtje shoviniste, as pretendime territoriale të tokave të hueja, përveçse çlirimit  e bashkimit të viseve shqiptare të cilat kanë qenë të okupuara nga Jugosllavia. Ajo organizatë veproi prej gjysmës së shtatorit 1943 deri në gjysmën e nëntorit 1944, kur pushtetin e muarën komunistët edhe në Jugosllavi edhe në Shqipëri,  të cilët vranë, masakruan e pushkatuan dhjetra mijëra nacionalistë-patriotë shqiptarë të Kosovës dhe viseve tjera, po edhe të Shqipërisë londineze.  Përpjekjet dhe luftimet e çetave nacionaliste vazhduan edhe në vitin 1945 e diku-diku deri në vitin 1947. 

Historia duhet t’i vlerësojë realisht qëllimet, veprimet dhe sukseset e Lidhjes, në dritën e fakteve e dokumenteve, në kontekst të kushteve e rrethanave të kohës; as me gjuhën e glorifikimit as të mohimit të meritave e sakrificave të veprimtarëve e patriotëve të rreshtuar në atë Organizatë. 

Lidhja e Dytë e Prizrenit aktivitetin e saj e kishte përcaktuar e shtrirë në hapësirën e viseve shqiptare të okupuara nga ish-Jugosllavia, prandaj në Statut nuk bëhet fjalë për Çamërinë, e cila gjithashtu ishte (dhe është) tokë shqiptare e okupuar nga Greqia. 

Adil FETAHU

Filed Under: Histori

A ka pasur gisht Serbia në vrasjen e Avni Rustemit?

September 13, 2023 by s p

Dr. Hasan Bello/

Më 20 prill 1924 deputeti Avni Rustemi i paraqiti Kuvendit Kushtetues kërkesën për një leje tremujore. Ai mendonte të zhvillonte një udhëtim në ShBA. Por legata amerikane ia refuzoi vizën. Një rast shumë i rrallë për kohën, duke e shpallur atë si shqiptarin e parë “non grata” për qeverinë amerikane. Kjo për shkak të tendencave antikushtetuese të organizatës “Bashkimi”, siç ishte eleminimi fizik i kundërshtarëve politikë.

Atentati kundër kryeministrit të kohës, A.Zogu në shkallët e parlamentit, në shkurt të 1924 kishte si autorë Beqir Valterin, por në fakt nga hetimet rezultoi se organizator dhe stërvitës i tij kishte qenë A.Rustemi. Gjithashtu, anëtarët e organizatës “Bashkimi” u jepnin me zor deputetëve kundërshtarë vaj ricini, që t`i zinte diarrea dhe të diskretitoheshin në sytë e popullit. Për të gjitha këto amerikanët kishin informacion të plotë.

Vrasja e Avni Rustemit ndodhi në një moment kur situata politike mes pozitës dhe opozitës ishte shumë e tensionuar. Ajo ngjasonte me një shesh ku ishte derdhur benzinë…Sipas versionit zyrtar dhe shtypit të kohës thuhet se, rreth orës 16:00-17:00 të 20 prilli 1924, ai po shkonte në shtëpinë e ministrit të Arsimit, Fahri Gjilani, kur në “Varrezat e Pashës” afër Pazarit të Ri, u qëllua nga Isuf Reçi, i cili njihej si mullixhi i Esat Toptanit. Pas disa ditësh ai ndërroi jetë. Trupi i tij u balsamos nga dr.Sezai Çomo dhe më 28 prill u nis nga Tirana në Durrës për tu transportuar drejt Vlorës me vaporin jugosllav “Beograd”.

Më 29 prill kortezhi mortor i shoqëruar nga përfaqësuesit e opozitës, deputetë dhe ndonjë ministër i qeverisë së koalicionit mbërriti në Vlorë. Ajo që dihet është fakti se, trupi i të ndjerit u përdor politikisht për të ndezur gjakrat e popullit, ushtarakëve dhe nënpunësve të ndershëm dhe për t`i hedhur ata kundër qeverisë. Ky ishte sipari i një grushti shteti, i cili njihet edhe si “Revolucioni i Qershorit”.

Por kush ishin të interesuar për vrasjen e A.Rustemit dhe një luftë civile mes shqiptarëve?

Sipas botimit me dokumenta nga arkivat ruse “Marrëdhëniet sovjetiko-shqiptare (vitet 20-30 të shek.XX)”, të përgatitur nga Prof. Lenina Zhila dhe Prof. Vlado Popovski shtrohet një pistë e re. Në një dokument të zbulimit sovjetik për “Komitetin e Kosovës” dhe ngjarjet politike në Shqipëri në vitin 1924, për vrasjen e Avni Rustemit shkruhet: “Kah mesi i këtij prilli, Avni Rustemi u plagos rëndë dhe tashmë ka vdekur. Nuk mund të anashkalohet fakti se vrasja e tij qe inspiruar nga agjentura serbe në Shqipëri.”

Kjo pistë përputhet edhe me disa informacione të mbledhura nga prefekti i Shkodrës, Abedin Nepravishta, i cili më 10 prill 1924 informon Zyrën Sekrete pranë Ministrisë së Brendshme se një person që kishte marrëdhënie konfindenciale me konsullatën jugosllave i kishte deklaruar se, brenda dhjetë ditësh po përgatiteshin disa atentate kundër personave me rëndësi. Në fillim prefekti nuk e kishte besuar vërtetësinë e këtij informacioni, por kur kishte ndodhur vrasja e dy turistëve amerikanë në pyllin e Mamurrasit, ai kishte filluar ta merrte seriozisht.

Pas vrasjes së A.Rustemit, personi në fjalë ishte takuar përsëri me prefektin e Shkodrës, duke i konfirmuar faktin se, si vrasja e amerikanëve ashtu dhe ajo e A.Rustemit ishin organizuar nga konsullata jugosllave, e cila përgatitej të eleminonte edhe disa personalitete të larta politike si A.Zogu, Luigj Gurakuqi etj. E gjitha kjo bëhej për të destabilizuar situatën politike dhe për t`i çuar shqiptarët drejt luftës civile. Megjithëse vrasja e A.Rustemit, për shkak të veprimeve të tij, ishte vetëm çështje kohe.

Filed Under: Histori

#SiSot, më 12 shtator 1998, u vra në pritë deputeti Azem Hajdari

September 12, 2023 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

“Vrasja e shekullit”, sikurse e quajti shkrimtari Ismail Kadare, u parapri prej disa atentatesh radhazi përgjatë vitit 1997 kundrejt ish-udhëheqësit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990. Atentati i parë u shënua në qershor të atij “viti të mbrapshtë”, në Shkallnuer të Durrësit. Dy muaj më pas, Hajdarit iu ngrit pusi në Qafën e Buallit në Sarandë, ndërsa më 18 shtator 1997, mbeti i plagosur në korridoret e Kuvendit të Shqipërisë, i qëlluar me pesë plumba nga ish-deputeti i Partisë Socialiste, Gafurr Mazreku (lexo dokumentin). Dy atentate të tjera do të zhvilloheshin në muajt që pasuan, derisa Hajdari të mbetej i vrarë para selisë së Partisë Demokratike.

Hajdari ushtroi funksionin e legjislatorit në gjirin e partisë së parë opozitare në vend pas periudhës diktatoriale, që prej vitit 1991 e gjersa u shua. Në 50-vjetorin e lindjes së tij, më 11 mars 2013, u nderua me titullin më të lartë, “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#AzemHajdari

#AQSH

Filed Under: Histori

Kryengritja e Postribës 1946, lëvizja e parë antikomuniste në Europën Juglindore

September 9, 2023 by s p

Bujar Leskaj/

9 shtatori 1946 shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme të përballjes së shqiptarëve me instalimin e diktaturës komuniste.

Si sot 77 vjet më parë, në Postribë u organizua kryengritja e parë antikomuniste në vend dhe në Europën Juglindore.

Kryengritja u zhvillua në rrethanat politike të krizës së marrëdhënieve të regjimit komunist me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe. Ajo u bë ditët kur po zhvillohej konferenca e paqes në Paris (29 korrik – 15 tetor 1946), në të cilën SHBA-ja deklaroi se nuk do ta njihte qeverinë komuniste të Enver Hoxhës.

Kryengritja e Postribës ka vlera të padiskutueshme gjeopolitike, politike, sociale dhe qytetare. Ajo ishte lëvizja e atyre që nuk besuan kurrë tek komunizmi internacionalist shqiptar.

Megjithëse nuk ia arriti qëllimit, ajo do të mbetet përgjithmonë një simbol i qëndresës nacionaliste kundër komunizmit.

-U arrestuan rreth 200 persona

-U pushkatuan pa gjyq 33 persona

-U pushkatuan me gjyq: 5 persona

-U dogjën nga regjimi pas ngjarjes: 33 shtëpi

-U arratisën: 69 persona

-U zhvilluan 5 procese të mëdha gjyqësore e disa të tjera më të vogla, ende të paidentifikuara të gjitha. Në këto procese u përfshinë edhe shumë persona që nuk kishin lidhje me ngjarjen, por thjesht ishin antikomunistë.

Është në nderin tonë, që sot të të kujtojmë e të përulemi me veneracion martirët e Postribës.

Të përulemi përpara kalvarit e dinjitetit të treguar nga antikomunistët e vërtetë!

Lavdi të përjetshme martirëve të Postribës!

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 133
  • 134
  • 135
  • 136
  • 137
  • …
  • 708
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut
  • Calling all young dancers! Registration is in person on April 11. Looking forward to seeing you!
  • Ekspozita e ndaluar…
  • Themelimi i orkestrës së parë në Shqipëri
  • 2 PRILLI, 1991 NË SHKODËR – PLUMBAT QË VRANË SHPRESËN DHE DREJTËSIA QË ENDE HESHT!
  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT