Bujar Leskaj/
9 shtatori 1946 shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme të përballjes së shqiptarëve me instalimin e diktaturës komuniste.
Si sot 77 vjet më parë, në Postribë u organizua kryengritja e parë antikomuniste në vend dhe në Europën Juglindore.
Kryengritja u zhvillua në rrethanat politike të krizës së marrëdhënieve të regjimit komunist me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe. Ajo u bë ditët kur po zhvillohej konferenca e paqes në Paris (29 korrik – 15 tetor 1946), në të cilën SHBA-ja deklaroi se nuk do ta njihte qeverinë komuniste të Enver Hoxhës.
Kryengritja e Postribës ka vlera të padiskutueshme gjeopolitike, politike, sociale dhe qytetare. Ajo ishte lëvizja e atyre që nuk besuan kurrë tek komunizmi internacionalist shqiptar.
Megjithëse nuk ia arriti qëllimit, ajo do të mbetet përgjithmonë një simbol i qëndresës nacionaliste kundër komunizmit.
-U arrestuan rreth 200 persona
-U pushkatuan pa gjyq 33 persona
-U pushkatuan me gjyq: 5 persona
-U dogjën nga regjimi pas ngjarjes: 33 shtëpi
-U arratisën: 69 persona
-U zhvilluan 5 procese të mëdha gjyqësore e disa të tjera më të vogla, ende të paidentifikuara të gjitha. Në këto procese u përfshinë edhe shumë persona që nuk kishin lidhje me ngjarjen, por thjesht ishin antikomunistë.
Është në nderin tonë, që sot të të kujtojmë e të përulemi me veneracion martirët e Postribës.
Të përulemi përpara kalvarit e dinjitetit të treguar nga antikomunistët e vërtetë!
Lavdi të përjetshme martirëve të Postribës!