
Nga debati akademik në Harvard te proceset në Hagë: koha që Prishtina dhe Tirana të flasin me argumente, fakte dhe përgjegjësi shkencore.
Prof. Dr. Fejzulla BERISHA
1. Kur debati në Harvard bëhet thirrje për përgjegjësi institucionale
Më 29 tetor 2026, në Universitetin e Harvardit, një prej qendrave më të njohura akademike në botë, u zhvillua një debat mbi Dhomat e Specializuara të Kosovës, natyrën e tyre juridike dhe ndikimin e tyre në drejtësinë tranzicionale.
Në këtë diskutim morën pjesë studiueset Anna Di Lellio dhe Kathryn Sikkink, ndërsa u trajtuan çështje me rëndësi të veçantë për Kosovën: raporti ndërmjet përgjegjësisë penale individuale dhe historisë së luftës çlirimtare, standardet e procesit të rregullt ligjor, besueshmëria e institucioneve gjyqësore dhe mënyra se si interpretohet historia e Kosovës në proceset ndërkombëtare.
Debati në Harvard nuk ishte aktgjykim dhe as qëndrim zyrtar i Universitetit kundër Dhomave të Specializuara. Ishte një diskutim akademik, në të cilin u ngritën pyetje kritike, u paraqitën argumente dhe u vunë në shqyrtim interpretime të ndryshme për procesin gjyqësor në Hagë.
Pikërisht këtu qëndron rëndësia e tij.
Kur një qendër e tillë akademike hap hapësirë për diskutimin e një çështjeje kaq të ndjeshme për Kosovën, ndërsa institucionet tona akademike nuk kanë ndërtuar një debat të krahasueshëm ndërkombëtar, atëherë shtrohet një pyetje e domosdoshme: ku është përgjegjësia e akademisë shqiptare?
A duhet që studiuesit e huaj të jenë ata që analizojnë historinë tonë, shtrojnë pyetjet juridike dhe diskutojnë për pasojat e proceseve që lidhen drejtpërdrejt me të ardhmen e shtetësisë dhe kujtesës historike të Kosovës?
Kjo nuk është vetëm çështje e individëve që po gjykohen në Hagë. Është çështje e standardeve të drejtësisë, e besimit në institucionet ndërkombëtare, e kujtesës historike dhe e mënyrës se si Kosova përfaqësohet në botë.
2. Çfarë u vu në pikëpyetje në debatin e Harvardit?
Gjatë diskutimit, Anna Di Lellio ngriti shqetësime lidhur me mënyrën se si është trajtuar konteksti historik i Kosovës në arsyetimin gjyqësor. Ajo vuri në diskutim interpretimin e historisë së luftës dhe kundërshtoi krahasimet që, sipas vlerësimit të saj, nuk marrin parasysh dallimet thelbësore ndërmjet rrethanave historike dhe përgjegjësive konkrete.
Një prej çështjeve kryesore ishte mënyra se si paraqitet Ushtria Çlirimtare e Kosovës në raport me zhvillimet historike që i paraprinë luftës së viteve 1998–1999.
Historia e Kosovës nuk mund të shkëputet nga suprimimi i autonomisë më 1989, represioni shtetëror serb, përjashtimi masiv i shqiptarëve nga institucionet, dhuna policore dhe përpjekjet e gjata për rezistencë paqësore.
Këto rrethana përbëjnë kontekstin e domosdoshëm historik për të kuptuar zhvillimin e rezistencës dhe lindjen e luftës çlirimtare.
Në diskutim u ngritën gjithashtu kundërshtime ndaj krahasimit ndërmjet reagimit të shoqërisë kosovare ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së dhe pritjes që Serbia i kishte organizuar Ratko Mladiqit, i dënuar për krime të rënda, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë. Sipas argumentimit të Di Lellios, këto raste nuk mund të barazohen pa marrë parasysh kontekstet historike dhe juridike përkatëse.
Pyetje u ngritën edhe nga Alex Whiting, profesor në Fakultetin Juridik të Harvardit dhe ish-zyrtar i lartë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Kjo tregon se debati përfshiu këndvështrime të ndryshme dhe se çështja u trajtua si temë e mirëfilltë akademike.
Megjithatë, vlerësimet e pjesëmarrësve nuk duhet të paraqiten si përfundime gjyqësore. Ato janë argumente akademike që meritojnë analizë dhe shqyrtim kritik.
Në një shoqëri demokratike, asnjë institucion gjyqësor nuk mund të jetë jashtë analizës shkencore dhe debatit publik, veçanërisht kur bëhet fjalë për të drejtat themelore të njeriut dhe interpretimin e historisë së një populli.
3. Raporti i BHRC-së: shqetësime juridike që kërkojnë përgjigje institucionale
Një zhvillim tjetër me rëndësi është raporti paraprak i publikuar më 30 prill 2026 nga Bar Human Rights Committee of England and Wales (BHRC), me kërkesë të Institucionit të Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës.
Ky vlerësim i pavarur juridik trajton disa aspekte të funksionimit të Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, duke ngritur çështje që lidhen drejtpërdrejt me standardet e drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.
Ndër çështjet kryesore të trajtuara janë: Kohëzgjatja e paraburgimit dhe mundësitë e lirimit të përkohshëm; Pavarësia dhe paanshmëria gjyqësore;Pranueshmëria, autenticiteti dhe besueshmëria e provave;Respektimi i parimit të ligjshmërisë në të drejtën penale;Transparenca dhe llogaridhënia institucionale.
Një çështje veçanërisht e ndjeshme lidhet me materialet provuese që pretendohet se kanë prejardhje nga Serbia. Çdo material i tillë duhet t’i nënshtrohet verifikimit të plotë të burimit, autenticitetit, mënyrës së sigurimit, zinxhirit të ruajtjes së provës dhe mundësisë reale për t’u kundërshtuar nga mbrojtja.
Asnjë material nuk mund të marrë vlerë të pakontestueshme vetëm për shkak se është administruar në një proces gjyqësor. Besueshmëria e tij duhet të vlerësohet sipas standardeve të provës dhe garancive procedurale.
Raporti trajton gjithashtu çështje që lidhen me kufizimet e mundshme në përgatitjen efektive të mbrojtjes, qasjen në prova dhe kushtet e paraburgimit.
Në aspektin e parimit të ligjshmërisë, ngrihen shqetësime për përdorimin dhe interpretimin e normave juridike, veçanërisht për përputhshmërinë e tyre kohore me veprat e pretenduara.
Duhet theksuar se ky është një vlerësim paraprak dhe jo vendim gjyqësor që konstaton përfundimisht shkelje konkrete. Edhe Dhomat e Specializuara kanë kundërshtuar disa interpretime të raportit, duke sqaruar se ai nuk ka konstatuar shkelje konkrete të të drejtave të të akuzuarve nga vendimet e gjyqtarëve.
Pikërisht për këtë arsye nevojitet një shqyrtim i pavarur, profesional dhe i plotë.
Drejtësia nuk matet vetëm me ekzistencën e një gjykate, por edhe me respektimin e ligjshmërisë, paanshmërisë, barazisë së palëve dhe të drejtës për mbrojtje efektive.
4. Përgjegjësia individuale nuk mund të shndërrohet në fajësi kolektive
Këtu qëndron një prej çështjeve më të rëndësishme juridike dhe historike që duhet të mbrohet me argumente të qëndrueshme.
Në të drejtën penale ndërkombëtare, përgjegjësia penale është individuale. Askush nuk mund të përjashtohet nga përgjegjësia nëse provohet se ka kryer vepra penale. Por askush nuk mund të shpallet fajtor vetëm për shkak të përkatësisë së tij politike, ushtarake apo kombëtare.
Përgjegjësia duhet të provohet për veprime konkrete, në përputhje me ligjin, standardin e provës dhe garancitë e procesit të rregullt.
Në të njëjtën kohë, përgjegjësia eventuale penale e individëve nuk mund të shndërrohet në përgjegjësi kolektive të UÇK-së, të popullit shqiptar apo të luftës çlirimtare të Kosovës.
Historia e Kosovës nuk fillon më 1 janar 1998. Ajo duhet të kuptohet në kontekstin e zhvillimeve të mëparshme, veçanërisht pas suprimimit të autonomisë në vitin 1989, represionit shtetëror, përjashtimit masiv të shqiptarëve nga institucionet dhe dështimit të përpjekjeve paqësore për të ndalur politikën represive të Beogradit.
Lufta e UÇK-së u zhvillua në këto rrethana historike. Çlirimi i Kosovës në vitin 1999 u bë i mundur nga sakrifica e popullit shqiptar dhe ndërhyrja vendimtare e NATO-s, ndërsa pavarësia u shpall më 17 shkurt 2008.
Asnjëra prej këtyre fakteve historike nuk e përjashton hetimin dhe ndjekjen penale të veprave të mundshme kriminale. Por asnjë proces penal nuk duhet të krijojë perceptimin e fajësisë kolektive apo të shkëpusë përgjegjësinë individuale nga konteksti historik.
Ky është dallimi që duhet të mbrohet me dokumente historike, argumente juridike dhe studime shkencore.
5. Institucionet tona akademike: heshtja nuk është neutralitet
Në këtë pikë, përgjegjësia u takon institucioneve tona më të larta shkencore.
Ku është Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës – ASHAK? Ku është Akademia e Shkencave e Shqipërisë? Ku është Universiteti i Prishtinës? Ku është Universiteti i Tiranës? Ku janë fakultetet juridike, institutet e historisë dhe qendrat kërkimore shqiptare?
Pse ende nuk është ndërtuar një debat i përbashkët, i strukturuar dhe ndërkombëtar, ku të analizohen me përgjegjësi shkencore çështjet që lidhen me procesin në Hagë?
Kjo nuk është thirrje për të mbrojtur politikisht ndonjë individ dhe as kërkesë për të ndërhyrë në pavarësinë e gjykatës. Është kërkesë që institucionet akademike të kryejnë detyrën e tyre themelore: të hulumtojnë, të analizojnë, të dokumentojnë dhe të kontribuojnë në mbrojtjen e standardeve universale të drejtësisë.
ASHAK-u dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë duhet të marrin rol udhëheqës në këtë proces. Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Tiranës duhet të aktivizojnë potencialin e tyre shkencor, veçanërisht në fushën e së drejtës kushtetuese, penale dhe ndërkombëtare.
Të njëjtën përgjegjësi e kanë Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore, universitetet e tjera shqiptare në rajon, institutet albanologjike, organizatat profesionale të juristëve dhe studiuesit shqiptarë në diasporë.
Institucionet e Shqipërisë nuk duhet ta trajtojnë këtë si çështje të largët, që i përket vetëm Kosovës. Bëhet fjalë për historinë bashkëkohore shqiptare, të drejtën ndërkombëtare dhe standardet universale të të drejtave të njeriut.
Një komb nuk mund t’ua delegojë përgjithmonë të tjerëve studimin, dokumentimin dhe interpretimin shkencor të historisë së vet.
6. Nga Prishtina në Tiranë: koha për një platformë të përbashkët akademike
Propozoj krijimin e një Platforme të Përbashkët Akademike Shqiptare për Drejtësinë, të Drejtat e Njeriut dhe Historinë e Kosovës.
Kjo platformë duhet të udhëhiqet nga ASHAK-u dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, Universitetin e Tiranës dhe institucionet e tjera universitare e kërkimore.
Ajo duhet të ketë karakter të pavarur shkencor, pa ndikime partiake dhe pa ndërhyrje në procedurat gjyqësore.
Agjenda e saj duhet të përfshijë:
Së pari – Konferencë shkencore ndërkombëtare. Organizimi i një konference në Prishtinë dhe Tiranë, me pjesëmarrjen e ekspertëve nga universitetet amerikane, përfshirë Harvardin, universitetet evropiane dhe qendrat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Së dyti – Komision akademik multidisiplinar. Përfshirja e profesorëve të së drejtës penale, ndërkombëtare dhe kushtetuese, historianëve dhe ekspertëve të drejtësisë tranzicionale.
Së treti – Shqyrtim juridik i pavarur. Analizimi i raportit të BHRC-së, reagimit të Dhomave të Specializuara, standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe garancive kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Së katërti – Dokumentim historik. Përgatitja e një studimi të gjerë dhe të dokumentuar mbi represionin në Kosovë, periudhën 1989–1999, rezistencën paqësore, luftën çlirimtare dhe ndërhyrjen e NATO-s.
Së pesti – Raport publik ndërkombëtar. Hartimi i një dokumenti shkencor në gjuhën shqipe dhe angleze, me gjetje, argumente dhe rekomandime të mbështetura në dokumente e burime të verifikueshme.
Së gjashti – Dialog akademik ndërkombëtar. Krijimi i kontakteve të drejtpërdrejta me universitetet dhe qendrat kërkimore në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë, për të siguruar pjesëmarrjen aktive të studiuesve shqiptarë në debatin ndërkombëtar.
Kjo platformë nuk duhet të jetë një strukturë simbolike apo një mekanizëm deklaratash. Ajo duhet të ketë mandat të qartë, përgjegjësi institucionale, afate konkrete dhe rezultate të matshme.
7. Mesazhi për bashkësinë ndërkombëtare: partneritet po, standarde të dyfishta jo
Kosova nuk e mohon përgjegjësinë penale individuale. Ajo nuk kërkon imunitet për askënd dhe nuk kërkon që viktimat të harrohen. Përkundrazi, drejtësia për të gjitha viktimat, pa dallim etnie, është kusht themelor për paqen dhe pajtimin e qëndrueshëm.
Por bashkësia ndërkombëtare duhet ta kuptojë se besimi në drejtësi nuk ndërtohet vetëm përmes ekzistencës së një gjykate. Ai ndërtohet përmes paanshmërisë, transparencës, barazisë së palëve, respektimit të ligjit dhe mundësisë reale për mbrojtje.
Kosova ka bashkëpunuar me institucionet ndërkombëtare dhe ka pranuar mekanizma të veçantë juridikë në kuadër të rendit të saj kushtetues. Ky bashkëpunim duhet të mbetet në harmoni me parimet e shtetit të së drejtës.
Megjithatë, partneriteti me aleatët nuk nënkupton heshtje përballë shqetësimeve juridike. Miqësia ndërkombëtare nuk kërkon heqje dorë nga standardet. Përkundrazi, partneriteti i vërtetë forcohet kur shqetësimet ngrihen me argumente dhe shqyrtohen në mënyrë transparente.
Institucionet përkatëse të Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe shtetet që mbështesin financiarisht Dhomat e Specializuara duhet t’u kushtojnë vëmendje shqetësimeve të dokumentuara, duke respektuar njëkohësisht pavarësinë e gjykatës dhe duke kërkuar transparencë e llogaridhënie.
Kosova ka të drejtë të kërkojë që standardet e drejtësisë të zbatohen në mënyrë të barabartë, pa selektivitet dhe pa paragjykime.
Drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e besueshme jo vetëm për institucionet që e krijojnë, por edhe për shoqërinë mbi të cilën ajo ushtron juridiksion.
8. Historia nuk mbrohet me heshtje, drejtësia nuk ndërtohet pa standarde
Debati në Harvard, raporti i BHRC-së dhe reagimi i Dhomave të Specializuara kanë krijuar një moment që kërkon vëmendje serioze nga institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë.
Asnjë nga këto zhvillime nuk duhet të përdoret për të paragjykuar përgjegjësinë penale të individëve apo për të ndërhyrë në proceset gjyqësore. Por asnjëra nuk duhet të shërbejë si arsye për të heshtur përballë pyetjeve që prekin të drejtat themelore, ligjshmërinë dhe interpretimin e historisë.
ASHAK-u, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Tiranës dhe të gjitha institucionet e tjera akademike shqiptare duhet të japin një përgjigje të përbashkët shkencore. Jo me deklarata emocionale, por me dokumente, analiza juridike, studime historike dhe argumente të mbështetura në fakte.
Institucionet tona duhet të kalojnë nga reagimet e rastësishme në një strategji të qëndrueshme akademike, juridike dhe diplomatike.
UÇK-ja dhe përgjegjësia eventuale penale e individëve nuk janë e njëjta çështje. Historia e Kosovës nuk mund të reduktohet në një proces gjyqësor. Dhe drejtësia nuk mund të jetë e besueshme nëse standardet e saj nuk zbatohen në mënyrë të barabartë.
Kjo është arsyeja pse duhet të flasin universitetet, akademitë, juristët dhe historianët. Jo për ta zëvendësuar gjykatën, por për të mbrojtur parimet mbi të cilat duhet të qëndrojë çdo gjykatë.
Kosova nuk kërkon privilegj. Kërkon drejtësi. Nuk kërkon imunitet. Kërkon ligjshmëri. Nuk kërkon të heshtet për krimet. Kërkon që çdo pretendim të shqyrtohet me të njëjtat standarde juridike dhe që asnjë popull të mos ngarkohet me faj kolektiv.
Nga Harvardi në Prishtinë, nga Prishtina në Tiranë, nga institucionet tona te qendrat akademike të botës: zëri i së drejtës duhet të dëgjohet mbi çdo interes politik.
Sepse një popull që ka sakrifikuar për lirinë nuk kërkon që historia e tij të jetë mbi ligjin. Kërkon që ligji të mos përdoret për ta shtrembëruar historinë e tij.
E vërteta historike nuk mbrohet me heshtje. Dinjiteti i Kosovës nuk mbrohet me slogane, por me fakte, dokumente dhe argumente juridike. Drejtësia nuk kërkon privilegj për askënd, por barazi për të gjithë.
Foto: wikipedia.org