
Nga Marilyn Anderson/
Në kohët e sotme, kur zhurma e përditshmërisë shpesh e zbeh vlerën e fjalës së peshuar dhe të etikës profesionale, çdo takim me njerëz të brumosur me vlera të vërteta është një dritare shprese. Për sa më sipër, ndjekja e një interviste në televizionin Noli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me avokatin dhe kriminologun e ri, Erjon Ciko, përbën një përvojë sa mbresëlënëse, aq edhe frymëzuese.
Në një botë digjitale dhe të globalizuar, ku brezat e rinj të rritur apo shkolluar jashtë kufijve shpesh rrezikojnë të humbasin lidhjen organike me rrënjët, figurë e avokatit të ri nga Roma vjen si dëshmi e gjallë e ruajtjes së identitetit. Ajo që të mahnit që në fjalët e para është shqipja e tij e kulluar, e pasur dhe elegante, një dëshmi se dashuria për gjuhën amtare nuk njeh distancë gjeografike dhe se ajo mbetet streha më e sigurt e shpirtit kombëtar.
Në ekran, Erjon Ciko nuk paraqitet thjesht si profesionisti i fushës së drejtësisë, i specializuar në degë komplekse si e drejta civile, penale apo sfidat bashkëkohore të sigurisë kibernetike. Ai shfaqet para shikuesve me atë modestinë e rrallë të xhentilmenit klasik, ku kultura bashkohet natyrshëm me fisnikërinë. Zëmërgjerësia e tij, qetësia në komunikim, respekti për bashkëbiseduesin sjell përpara teleshikuesit njeriun e qytetëruar që dëshmon se autoriteti i vërtetë nuk vjen nga mosha apo pozita, por nga pesha e karakterit dhe integriteti moral.
Për diasporën tonë si në Itali ku Erjoni jeton apo në Amerikë e kudo në botë, por edhe për shoqërinë shqiptare në të gjitha trojet, figura e Erjon Cikos është një model se si të rinj të shkëlqyer, me dije evropiane dhe me horizont të gjerë ndërkombëtar, dinë të nderojnë emrin e shqiptarit me dinjitet. Ai mishëron brezin e ri të intelegjencës shqiptare, profesionistë të mprehtë mendërisht, por thellësisht njerëzorë dhe të lidhur ngushtë me vlerat më të mira tradicionale.
Intervista e tij te Noli TV në SHBA, nuk ishte thjesht një bisedë profesionale, por një kumt bukurie shpirtërore dhe kulturore. Ajo na kujtoi se kur të rinjtë tanë udhëhiqen nga dija, fisnikëria dhe dashuria për gjuhën e origjinës, e ardhmja e kombit tonë mbetet në duar të sigurta.
Në portretin e një njeriu të suksesshëm, shpesh fshihet një histori e gjatë dashurie për artin, kulturën, shkencën dhe atdheun, e cila kalon si një pishtar nga njëri brez te tjetri. Kur dëgjova avokatin e ri Erjon Ciko në ekranin e televizionit Noli në SHBA, me atë gjuhë të pastër shqipe, fisnikëri dhe njerzillëk që të linte pa fjalë, kupton se një edukatë e tillë nuk lind kurrë nga hiçi. Ajo është fryt i një trungu të fortë familjar, i një tradite intelektuale që në qendër ka pasur gjithmonë dinjitetin njerëzor dhe dashurinë për Shqipërinë.