
Gjovalin Gjeloshi/
Një krijimtari me rrënjë në vendlindje
Në krijimtarinë e pasur prej 15 titujsh të Lulash Palushajt, vendlindja nuk është thjesht një hapësirë gjeografike, një kujtim i largët apo një motiv sentimental. Ajo është burim frymëzimi, përvojë jetësore dhe pikë referimi për mënyrën se si autori e sheh njeriun, shoqërinë dhe historinë. Malësia e Madhe, me peizazhin e saj, me njerëzit, zakonet, marrëdhëniet familjare e shoqërore, me historinë e qëndresës dhe me pasurinë e gjuhës së folur, përbën një nga boshtet kryesore të krijimtarisë së tij. Në këtë kuptim, Palushaj nuk shkruan vetëm për Malësinë, por përpiqet të sjellë në letërsi një botë të tërë njerëzore, me vlerat, shqetësimet, dhimbjet, krenarinë dhe mënyrën e saj të veçantë të të jetuarit.
Kjo lidhje e autorit me vendlindjen shfaqet në disa prej veprave të tij, duke filluar nga përmbledhjet poetike Rrajë të ndame dhe Votra ime, te Malësorja e bjeshkëve tona dhe Nusja me duvak të bardhë, si dhe në botimet me karakter etnografik e historik. Në veprën e tij, familja, fisi, miqësia, besa, nderi, dashuria për tokën dhe kujtesa e të parëve nuk paraqiten vetëm si elemente të një tradite të trashëguar. Ato bëhen pjesë e një përpjekjeje për të kuptuar vazhdimësinë e identitetit shqiptar dhe mënyrën se si vlerat e një shoqërie përcillen nga një brez te tjetri.
Nga poezia te proza dhe refleksioni historik
Larmia e gjinive në të cilat është shprehur Palushaj dëshmon për një autor që nuk është mjaftuar me një formë të vetme komunikimi me lexuesin. Në poezi, përmes vëllimeve Rrajë të ndame dhe Votra ime, ai i drejtohet botës së ndjenjave, kujtesës, përkatësisë dhe marrëdhënies së njeriut me rrënjët e veta. Vetë titujt e këtyre librave sugjerojnë dy motive të rëndësishme të krijimtarisë së tij: lidhjen me prejardhjen dhe nevojën për ta ruajtur të paprekur vatrën shpirtërore, pavarësisht largësisë dhe ndryshimeve që sjell jeta.
Në prozë, autori i drejtohet më gjerësisht jetës së njerëzve dhe mjedisit shoqëror ku ata veprojnë. Romani Malësorja e bjeshkëve tona është një prej veprave ku bota malësore merr përmasat e një realiteti letrar e historik. Në vlerësimet kritike për këtë roman është vënë në dukje aftësia e autorit për t’u mishëruar me personazhet, për t’u dhënë atyre gjuhën, shqetësimet dhe përjetimet e mjedisit prej nga vijnë. Një vend të veçantë në këtë krijimtari zë edhe Nusja me duvak të bardhë. Kjo vepër, e cila ndërthur elemente të rrëfimit letrar dhe të kujtesës, dëshmon interesin e autorit për historitë njerëzore, për figurat e së kaluarës dhe për ngjarjet që kanë mbetur të gjalla në kujtesën kolektive.
Në këto vepra, një vend të rëndësishëm zë gruaja malësore. Ajo nuk është thjesht një personazh që shfaqet në sfondin e jetës familjare e shoqërore, por një figurë me peshë, me karakter dhe me rol të veçantë në historinë e qëndresën e kësaj bote. Lulashi është i dashuruar pas xhubletës, por edhe pas heroizmave që gruaja shqiptare e malësore ka dëshmuar ndër shekuj. Ai nuk e sheh atë vetëm si bashkëshorte, nënë, motër apo bijë, por si një figurë që ka ditur të mbrojë familjen, nderin dhe vendin e vet, shpesh duke vënë jetën e saj në rrezik.
Në përfytyrimin tim, kjo grua nuk krahasohet thjesht me Zanën e Malit. Në çastet e saj më të larta të heroizmit, ajo është vetë Zana, vetë Ora e Malit. Është një qenie tokësore, e lidhur me jetën dhe vuajtjet e përditshme, por kur del në fushën e luftës, jo vetëm për të ndihmuar burrin apo vëllanë, por për t’i mbrojtur ata, duke zgjedhur të bjerë vetë para se të shohë rënien e tyre, ajo merr përmasat e një figure legjendare, të një shtojzovalleje të dalë nga kujtesa dhe mitologjia popullore.
Kjo mënyrë e paraqitjes së gruas malësore është një prej aspekteve që meriton vëmendje të veçantë në leximin e veprës së Palushajt. Ajo dëshmon se kujtesa e autorit nuk përqendrohet vetëm te trimëria e burrave, por edhe te roli dhe sakrifica e grave, të cilat kanë qenë pjesë e pandarë e historisë së qëndresës shqiptare.
Ndërkaq, me Oqeani që përpin, Lot që nuk teren – zemër që s’pushon, Me Zotin flas shqip dhe Ma shkretnuen zemrën, Palushaj zgjeron fushën e shprehjes drejt esesë, refleksionit dhe trajtimit të çështjeve historike e kombëtare. Në këto botime shfaqet më drejtpërdrejt autori si njeri i shqetësuar për fatin e popullit të vet, për padrejtësitë historike, për kujtesën dhe për përgjegjësinë e brezave ndaj së ardhmes. Nuk është e rastësishme që motivi atdhetar shfaqet në pjesën më të madhe të veprës së tij. Ai përbën një vijë lidhëse mes gjinive të ndryshme letrare dhe mes temave që Palushaj trajton në krijimtarinë e vet.
Ilirishtja e Lulashit – gjuha si identitet dhe si vlerë krijuese
Në një parathënie që kam shkruar për librin e tij Nusja me duvak të bardhë, shkrimin e kam titulluar “Ilirishtja e Lulashit”. Nuk ishte një zgjedhje e rastësishme fjalësh. Përmes këtij titulli kam dashur të theksoj një nga veçoritë që, sipas mendimit tim, përbën një nga vlerat më të dallueshme të krijimtarisë së tij: gjuhën.
Kur flasim për gjuhën e Lulashit, nuk kemi parasysh vetëm përdorimin e një të folmeje krahinore apo zgjedhjen e një varianti të caktuar të shqipes. Kemi parasysh aftësinë e shkrimtarit për të qëndruar pranë botës njerëzore që njeh, për të mos u shkëputur nga mënyra se si njerëzit e vendlindjes së tij mendojnë, flasin, shprehin ndjenjat dhe rrëfejnë përvojat e tyre.
Kjo është një nga meritat e tij si shkrimtar: ai nuk e kërkon gjuhën larg njerëzve, por e gjen atë në jetën e tyre të përditshme, në kuvendin e burrave, në bisedat familjare, në kujtimet e të moshuarve, në urtësinë popullore, në shprehjet e veçanta dhe në pasurinë e fjalorit të Malësisë.
Gegërishtja e Palushajt nuk është thjesht një zgjedhje formale apo një mënyrë për t’i dhënë ngjyrë krahinore rrëfimit. Ajo është pjesë e identitetit të autorit dhe e botës që ai përfaqëson. Përmes saj, personazhet nuk flasin me një gjuhë të huaj për mjedisin ku jetojnë, por me gjuhën e tyre, me natyrshmërinë dhe ngjyrimin emocional që u përket.
Këtu qëndron edhe një nga veçoritë e tij si krijues: aftësia për të qenë pranë popullit ku ka lindur dhe është rritur. Ai nuk përpiqet ta zbukurojë artificialisht gjuhën e personazheve, as ta largojë atë nga burimi i vet popullor. Përkundrazi, i jep asaj hapësirë të shprehet me tërë pasurinë e saj. Kjo nuk do të thotë se vlera e gjuhës së tij qëndron vetëm te përdorimi i fjalëve të rralla apo i shprehjeve krahinore. Vlera qëndron te mënyra se si ai i vendos ato në funksion të rrëfimit, të karakterizimit të personazheve dhe të krijimit të atmosferës. Një fjalë e përdorur në vendin e duhur mund të sjellë me vete një histori, një marrëdhënie njerëzore, një zakon apo një mënyrë të të menduarit që nuk mund të shprehet me të njëjtën forcë përmes një formulimi të përgjithshëm.
Në këtë kuptim, “Ilirishtja e Lulashit” është një mënyrë për të emërtuar lidhjen e tij të thellë me rrënjët gjuhësore e kulturore. Është një metaforë e afërsisë me gjuhën e trashëguar, me fjalën e gjallë të popullit dhe me kujtesën që ajo mbart. Nuk është një përcaktim shkencor i prejardhjes së gegërishtes, por një vlerësim i marrëdhënies së veçantë të shkrimtarit me gjuhën e vet.
Gjuha si kujtesë: kontributi i veprës “Fjalë të Malësisë së Madhe”
Kjo prirje e Palushajt për ta ruajtur gjuhën e gjallë popullore nuk mbetet vetëm në krijimtarinë letrare. Ajo merr një dimension më të drejtpërdrejtë në botimin Fjalë të Malësisë së Madhe – visar që s’duhet harrue, botuar në Shkodër më 2022.
Ky botim, i cili përmbledh rreth tre mijë fjalë, shprehje frazeologjike dhe njësi idiomatike, përbën një përpjekje me vlerë për të mbledhur dhe dokumentuar pasurinë gjuhësore të një treve shqiptare. Nuk kemi të bëjmë thjesht me një grumbullim fjalësh, por me ruajtjen e një pjese të trashëgimisë shpirtërore të një komuniteti. Në të vërtetë, vepra e Lulashit ka shumë më tepër fjalë kësodore, se sa na sjellë Palushaj në këtë botim të veçantë.
Fjalët nuk lindin dhe nuk jetojnë të shkëputura nga njerëzit. Ato marrin kuptim nga mënyra se si përdoren, nga rrethanat ku shqiptohen dhe nga përvojat që mbartin. Shumë prej tyre ruajnë në vetvete gjurmë të një jete të tërë shoqërore, të marrëdhënieve familjare, të punës, të natyrës, të zakoneve dhe të botëkuptimit të njerëzve. Prandaj, mbledhja dhe sistemimi i tyre është një punë që shkon përtej interesit të një autori individual. Ajo i shërben kujtesës gjuhësore dhe kulturore, studiuesve, mësuesve, shkrimtarëve dhe brezave të rinj.
Në këtë drejtim, vepra e Palushajt merr një rëndësi të veçantë edhe për diasporën shqiptare. Largësia nga vendlindja, ndërrimi i mjedisit gjuhësor dhe kontakti i vazhdueshëm me gjuhë e kultura të tjera krijojnë rrezikun e zbehjes së përdorimit të shqipes, veçanërisht te brezat e rinj. Për këtë arsye, ruajtja e fjalës së trashëguar dhe dokumentimi i pasurisë së saj janë forma konkrete të mbrojtjes së identitetit. Palushaj, në këtë pikë, nuk është vetëm shkrimtari që përdor gjuhën e vendlindjes në veprat e tij, por edhe mbledhësi dhe ruajtësi i një pjese të kësaj pasurie.
Malësia, historia dhe kujtesa kombëtare
Një tjetër drejtim i rëndësishëm i krijimtarisë së Lulash Palushajt është marrëdhënia me historinë dhe identitetin kombëtar. Në këtë drejtim, vepra Malësia dhe fiset e saj, e botuar në dy vëllime, zë një vend të veçantë për nga përpjekja për të dokumentuar historinë, organizimin tradicional dhe trashëgiminë etnokulturore të trevës.
Interesi i autorit për fiset, familjet, zakonet dhe kujtesën historike lidhet me bindjen se një popull nuk mund të ndërtojë të ardhmen duke harruar të kaluarën e vet. Për Palushajn, historia nuk është vetëm një varg ngjarjesh dhe datash, por edhe përvoja e njerëzve që i kanë jetuar ato, sakrificat, qëndresa, marrëdhëniet dhe vlerat që kanë përcjellë.
Këtu dua të sjell edhe një kujtim personal, që lidhet me fillimet e kësaj vepre. Ishte viti 1994, kur Lulashi botoi për herë të parë vëllimin Malësia e Madhe dhe fiset e saj. Pas poezisë, ky ishte libri i parë i Lulashit. Në atë kohë pata rastin të merresha edhe me redaktimin e veprës. Teksa e shfletoja dhe punoja me të, nuk munda të rrija pa i bërë një vërejtje autorit: “Lulash, ku është Kelmendi, ku është Kastrati, ku është Shkreli?”. Lulashi ishte përqendruar në atë vëllim vetëm te pjesa e Malësisë së Madhe që ndodhej nën juridiksionin e Malit të Zi. Pas një diskutimi jo shumë të gjatë, ma ktheu: “Po, ke të drejtë”. Atëherë vendosëm që mbi kopertinë të shënohej “Pjesa e Parë”. Dhe ashtu u botua.
Vite më pas, miku im i dashur nxori në dritë edhe vëllimin e dytë, më gjithëpërfshirës dhe, në vlerësimin tim, më të përpunuar, me më pak pasaktësi. Kjo përvojë më ka mbetur në kujtesë jo vetëm për rëndësinë e çështjes që diskutuam, por edhe për një cilësi të autorit: gatishmërinë për të dëgjuar vërejtjet dhe për t’u kthyer te puna e vet me synimin për ta përmirësuar. Lulashi nuk është ndalur në botimin e parë të një pune. Ai është përpjekur vazhdimisht ta plotësojë e ta përmirësojë atë. Dhe kjo është një cilësi që duhet përshëndetur nga kushdo që ulet të shkruajë.
Kjo prirje vërehet edhe në librat e tij me karakter refleksiv e publicistik. Në to, autori trajton çështje që lidhen me fatin e shqiptarëve, me historinë e tyre, me marrëdhëniet ndërshqiptare dhe me përgjegjësinë ndaj trashëgimisë kombëtare. Në këto shkrime, zëri i tij është shpesh i drejtpërdrejtë, apelues dhe emocional. Ai nuk e fsheh qëndrimin e vet, por i drejtohet lexuesit si një bashkëbisedues që kërkon të zgjojë kujtesën dhe vetëdijen. Kjo mënyrë komunikimi e afron krijimtarinë e tij me publicistikën atdhetare dhe me traditën e shkrimeve që synojnë jo vetëm të rrëfejnë, por edhe të ndërgjegjësojnë. Megjithatë, vlera e kësaj krijimtarie nuk duhet kërkuar vetëm te mesazhi atdhetar. Ajo duhet parë edhe në përpjekjen për të sjellë në vëmendje njerëz, ngjarje dhe përvoja që përbëjnë pjesë të kujtesës historike e shoqërore të shqiptarëve.
Shkrimtari dhe diaspora: largësia që nuk e shkëput nga rrënjët
Për një autor që jeton në diasporë, marrëdhënia me vendlindjen merr shpesh një kuptim të veçantë. Largësia mund të krijojë nostalgji, por mund të shërbejë edhe si një pikë vëzhgimi nga e cila autori e sheh më qartë botën prej nga ka ardhur. Në rastin e Lulash Palushajt, largësia nuk duket se e ka zbehur lidhjen me vendlindjen. Përkundrazi, ajo është kthyer në një arsye më shumë për t’iu rikthyer kujtesës, gjuhës, historisë dhe traditës. Në veprat e tij, Malësia nuk mbetet një kujtim i mbyllur në të kaluarën, por një realitet që vazhdon të jetojë përmes fjalës së shkruar.
Por te Palushaj kjo lidhje me vendlindjen nuk është vetëm nostalgji. Ai e njeh nga afër edhe dramën e emigracionit, sepse është vetë pjesë e saj. Si emigrant, ai e njeh shpirtin e mërgimtarit, mallin, mungesën, sakrificat dhe atë dhimbje që nuk shprehet gjithmonë me fjalë.
Kjo përvojë personale ndihet në një varg veprash, si Lot që nuk teren – zemër që s’pushon, Ma shkretnuen zemrën, Oqeani që përpin dhe Ka vojtë, o Malësi e Madhe, ka vojtë, o shqiptar. Në to, emigracioni nuk paraqitet thjesht si lëvizje nga një vend në tjetrin, por si dramë njerëzore, si ndarje nga familja, nga vendlindja dhe nga një botë që njeriu e merr me vete, por nuk mund ta zëvendësojë askund.
Palushaj e përjeton këtë dramë me dhimbje të veçantë. Ai shkruan për vuajtjet, dertet dhe sakrificat e një populli që është detyruar të marrë rrugët e botës, dje dhe sot. Dhe shqetësimi i tij nuk lidhet vetëm me emigracionin e së kaluarës. Ai e sheh me dhimbje edhe zbrazjen e vazhdueshme të vendit, largimin e njerëzve dhe pasigurinë për të ardhmen. Në këtë kuptim, shkrimet e tij janë edhe një thirrje për të mos e harruar vendin prej nga kemi ardhur, për të mos e këputur lidhjen me të parët dhe për të mos e parë largësinë si arsye për të harruar.
Në veprën e Palushajt zënë vend edhe heronjtë e Malësisë së Madhe dhe të popullit shqiptar. Ai u rikthehet figurave të trimërisë, qëndresës dhe sakrificës, duke kërkuar t’i mbajë të gjalla në kujtesën e brezave. Në këtë aspekt, do ta quaja “lahutari i trimërisë”. Ashtu si lahutari i dikurshëm që përcillte nga një brez te tjetri bëmat e heronjve, edhe Palushaj u kthehet atyre me fjalën e shkruar. Ai i bën thirrje shqiptarit të sotëm të mos harrojë shqiptarin e djeshëm, të mos harrojë nga vjen, kush ishin gjyshërit e stërgjyshërit tanë, si e mbrojtën me gjak këtë tokë, si e deshën atdheun dhe çdo pëllëmbë të tij. Edhe ata që u larguan dikur për një jetë më të mirë, nuk e harruan vendin e tyre. Kjo është një nga porositë që përshkon krijimtarinë e tij.
Një tjetër dimension i kësaj marrëdhënieje me kujtesën shfaqet në veprën Rrugë me shumë mundime. Këtu Palushaj na paraqitet në një mënyrë më personale, përmes një kronologjie të pasur të jetës së vet. Ai rikthehet te vitet e hershme, te puna, mundimet, gëzimet, miqësitë, shoqëria dhe vizitat, duke ndarë me lexuesin momente të ndryshme të përvojës së tij jetësore. Nuk kemi thjesht një renditje ngjarjesh, por një rrëfim të ndërtuar mbi kujtesën personale, mbi atë që ka mbetur e gjallë në mendjen dhe ndjenjat e autorit. Këtu mund të kujtojmë edhe mendimin e njohur të Gabriel García Márquez-it se “Jeta nuk është ajo që ke jetuar, është ajo që të kujtohet dhe ashtu siç të kujtohet për ta rrëfyer”. Në këtë vepër, Palushaj ndan me lexuesin pikërisht një pjesë të asaj jete që ka mbetur e skalitur në kujtesën e tij.
Ajo që bie në sy është se, edhe kur shkruan për përvojën e vet, autori nuk shkëputet nga bota e njerëzve të tij. Kujtimet personale ndërthuren me kujtesën familjare, shoqërore dhe krahinore. Kështu, historia e një jete bëhet njëkohësisht edhe dëshmi e një kohe dhe e një mjedisi. Kjo është një veçori që e lidh krijimtarinë e tij me një traditë më të gjerë të letërsisë shqiptare në diasporë. Shumë shkrimtarë shqiptarë, të vendosur larg atdheut, e kanë parë letërsinë si një mënyrë për të ruajtur gjuhën, për të përcjellë kujtesën historike dhe për të mbajtur gjallë lidhjen e brezave me origjinën e tyre. Por te Palushaj kjo lidhje merr edhe një përmasë konkrete: ai nuk mjaftohet vetëm me kujtimin e vendlindjes, por merret me mbledhjen e fjalëve, dokumentimin e traditave dhe rikthimin letrar të personazheve e ngjarjeve të botës malësore.
Dhe këtu duhet përmendur edhe një veçori tjetër e autorit: këmbëngulja për të shkruar. Edhe tani që i ka kaluar të tetëdhjetat, Lulashi vazhdon të shkruajë dhe të botojë. Ai nuk ndalet lehtë, as në udhëtimet e tij nga një kontinent në tjetrin, nga një shtet në tjetrin e nga një qytet shqiptar në tjetrin, as në punën krijuese. Sa herë që kalon Oqeanin dhe vjen në Shqipërinë nanë, duket sikur sjell me vete edhe një libër të ri, një tjetër shpalosje të mendimeve dhe shqetësimeve të tij. Kjo vijimësi krijuese, në një moshë kur shumëkush do të kishte zgjedhur të pushonte, dëshmon për një nevojë të brendshme për të shkruar dhe për të komunikuar me lexuesin.
Stili i tij mund të jetë herë-herë i vështirë për redaktorin që merr përsipër të punojë me tekstet e tij. Por kjo nuk e zbeh një meritë të rëndësishme: shkrimtaria e Palushajt i bën nder gjuhës shqipe, sepse ruan mënyrën e të folurit të vatrave të dikurshme malësore, një pasuri që dalëngadalë po braktiset. Ajo gjuhë, me fjalët, shprehjet dhe ngjyrimet e veta, gjendet e skalitur në librat e tij dhe, në këtë mënyrë, fiton një jetë të mëtejshme përtej kujtesës së atyre që e kanë folur.
Një pjesë e veprave të tij, si Malësorja e bjeshkëve tona dhe Nusja me duvak të bardhë, kanë edhe ngarkesa të dukshme etnologjike e etnografike. Në to ruhen mënyra jetese, zakone, marrëdhënie shoqërore, veshje, rite dhe përfytyrime të botës malësore, të cilat mund të jenë me interes jo vetëm për lexuesin e letërsisë, por edhe për studiuesit e këtyre fushave.
Në këtë pikë mund të hiqen paralele tematike edhe me vepra të tjera të letërsisë sonë, si Bardha e Temalit e Pashko Vasës, për nga prania e mjedisit, zakoneve dhe marrëdhënieve shoqërore të kohës. Natyrisht, një krahasim i tillë kërkon analizë të veçantë dhe nuk nënkupton barazim të veprave për nga vlera apo ndërtimi artistik.
Një vepër në disa drejtime, një shqetësim në themel
Duke parë tërësinë e krijimtarisë së Lulash Palushajt, mund të dallojmë disa fusha ku ai ka dhënë ndihmesën e vet: letërsinë, publicistikën, studimin etnografik, dokumentimin e gjuhës dhe trajtimin e çështjeve historike e kombëtare. Kjo shumëllojshmëri nuk është e rastësishme. Ajo buron nga një shqetësim i përbashkët që përshkon pjesën më të madhe të veprës së tij: ruajtja e asaj që përbën identitetin e një populli.
Në këtë kuptim, poezia, romani, eseja, refleksioni historik, kujtimet dhe fjalori i Malësisë nuk janë fusha krejtësisht të shkëputura. Ato plotësojnë njëra-tjetrën dhe dëshmojnë për një autor që kërkon ta shprehë të njëjtin shqetësim përmes formave të ndryshme të shkrimit.
Natyrisht, një vlerësim i plotë kritik i kësaj krijimtarie kërkon punë më të thelluar, duke u ndalur drejtpërdrejt dhe më gjatë te secila vepër, duke analizuar strukturën e saj, personazhet, gjuhën dhe mjetet artistike. Nuk mjafton vetëm të renditen titujt dhe temat për të përcaktuar vlerën letrare të një autori. Por edhe nga profili i tij krijues dhe nga drejtimet e ndryshme të veprimtarisë mund të kuptohet se Palushaj ka ndërtuar një opus me një bosht të dallueshëm identitar e kulturor.
Në vend të përfundimit: Të shkruash për të mos harruar
Lulash Nikë Palushaj i përket asaj rrace autorësh për të cilët shkrimi nuk është vetëm një veprimtari krijuese, por edhe një mënyrë për të ruajtur lidhjen me botën prej nga kanë ardhur. Në krijimtarinë e tij, vendlindja, gjuha, tradita, historia dhe kujtesa nuk janë elemente dekorative. Ato përbëjnë lëndën kryesore të një përvoje njerëzore dhe kulturore që autori kërkon ta përcjellë te lexuesi.
Nëse do të veçonim një tipar që e përshkon këtë krijimtari, ai do të ishte këmbëngulja për të mos u shkëputur nga rrënjët. Palushaj shkruan për njerëzit që njeh, për botën që ka jetuar dhe për gjuhën që ka dëgjuar e folur që në fëmijëri. Kjo afërsi me burimin e vet njerëzor dhe gjuhësor i jep veprës së tij një ngjyrim të veçantë.
Dhe pikërisht këtu do të kthehesha edhe një herë te titulli i parathënies sime, “Ilirishtja e Lulashit”. Sepse, përtej metaforës së përdorur, ai shpreh bindjen se një shkrimtar bëhet i dallueshëm edhe nga aftësia për të mos e humbur gjuhën e njerëzve të vet. Të shkruash në gjuhën e popullit ku je lindur dhe rritur, të ruash fjalën e tij, shprehjet, mënyrën e të menduarit dhe të rrëfyerit, do të thotë të ruash një pjesë të identitetit të tij.
Lulash Palushaj, me larminë e veprave dhe me interesin e vazhdueshëm për gjuhën, historinë e traditën, ka bërë përpjekjen e vet në këtë drejtim. Ai nuk e ka lënë Malësinë vetëm në kujtimet e veta, por e ka sjellë atë në faqet e librave, me njerëzit, fjalët, zakonet dhe historitë e saj. Në këto faqe gjendet edhe gruaja malësore me dinjitetin dhe heroizmin e saj, edhe mërgimtari me mallin e dhimbjen, edhe burri që mbron vendin e vet, edhe fjala e vjetër që rrezikon të humbasë, por që autori përpiqet ta shpëtojë nga harresa.
Sepse, në fund të fundit, njeriu mund të largohet nga vendlindja, mund të jetojë në një kontinent tjetër, mund të ndërtojë një jetë të re, por nuk është e thënë të largohet edhe nga gjuha dhe kujtesa që e kanë formuar. Dhe Lulash Palushaj duket se e ka bërë zgjedhjen e tij: të vazhdojë të shkruajë me rrënjët e veta, duke e mbajtur gjallë në letërsi zërin e vendit prej nga ka ardhur.
Shënim për burimet
Për strukturimin e këtij shkrimi jam mbështetur edhe në të dhënat biografike dhe bibliografike të botuara nga Nail Draga, në vlerësimet e Shyqri Galicës dhe Zija Vukajt. Të gjithë këta autorë janë marrë me jetën dhe veprën e mikut tim Lulash Nikë Palushaj, duke e vlerësuar atë si një prurje të veçantë në letërsinë tonë dokumentare, historike dhe gjenealogjike.