
Besnik Fishta/
Kongresi i Manastirit nuk ishte thjesht një ngjarje për njësimin e alfabetit, por një AKT themelor i Bashkimit shpirtërore, Kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve.
Historia e një kombi nuk matet vetëm me madhësinë e territorit apo me numrin e banorëve të tij. Ajo matet mbi të gjitha me ngjarjet që kanë përcaktuar identitetin, vetëdijen dhe vazhdimësinë e tij ndër breza. Shqipëria, ndonëse një vend i vogël në hartën e Evropës, ka një histori të pasur me data dhe ngjarje që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën kombëtare. Disa prej tyre janë kthyer në simbole të vetë qenies shqiptare: 28 Nëntori, Dita e Pavarësisë dhe e Flamurit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, kujtimi i Skënderbeut dhe shumë momente të tjera të historisë sonë. Por ndër ngjarjet që qëndrojnë në themelet e identitetit kombëtar është pa dyshim edhe Kongresi i Manastirit, i njohur si Kongresi i Alfabetit.
I mbajtur nga 14 deri më 22 nëntor 1908, në Manastir, ky kongres përfaqësoi një nga momentet më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në një kohë kur shqiptarët përballeshin me vështirësi të mëdha politike, kulturore dhe arsimore, përfaqësues të shoqërive dhe klubeve patriotike nga treva të ndryshme shqiptare u mblodhën me një qëllim madhor: të gjenin një zgjidhje të përbashkët për alfabetin e gjuhës shqipe.
Vendimi për njësimin e alfabetit me bazë shkronjat latine nuk ishte thjesht një zgjedhje gjuhësore. Ai ishte një akt me përmbajtje të thellë kombëtare, një dëshmi e pjekurisë politike dhe kulturore të shqiptarëve dhe e vullnetit të tyre për të ecur drejt një të ardhmeje të përbashkët. Me këtë vendim, gjuha shqipe fitoi një instrument të rëndësishëm për zhvillimin e arsimit, kulturës, botimeve dhe përhapjen e dijes. Mbi të gjitha, shqiptarët dëshmuan se mund të bashkoheshin përtej dallimeve dhe interesave të veçanta, kur në themel qëndronte interesi kombëtar.Më shumë se një shekull më vonë, kjo ngjarje vazhdon të jetojë edhe përmes filatelisë. Veçanërisht domethënës është fakti se Kongresi i Manastirit është përkujtuar filatelikisht jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Posta Shqiptare i ka kushtuar emisione të posaçme kësaj ngjarjeje në vitet 1968, 1988 dhe 2008, ky i fundit në kuadër të 100-vjetorit të Kongresit. Edhe administratat postare të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut i janë bashkuar kësaj kujtese përmes emetimeve te tyre përkujtimore.
Ky pasqyrim në tri administrata të ndryshme postare përbën një veçanti me domethënie të rëndësishme. Ai dëshmon se një ngjarje e historisë sonë nuk i përket vetëm një territori apo një shteti, por gjithë hapësirës shqiptare. Gjuha shqipe është lidhja themelore që kapërcen kufijtë politikë dhe gjeografikë. Ajo është shenja e përbashkët e përkatësisë, elementi që i bashkon shqiptarët kudo ku jetojnë, në Ballkan, në Evropë apo në çdo kontinent të botës.
Në këtë kuptim, pullat kushtuar Kongresit të Manastirit marrin një vlerë që shkon përtej përkujtimit të një ngjarjeje historike. Ato bëhen simbole të një kujtese kombëtare të përbashkët. Përmes tyre, mesazhi i Manastirit udhëton përsëri, ashtu siç udhëtonte dikur fjala shqipe përmes librave, gazetave dhe abetareve që ndihmuan në zgjimin kombëtar.
Për filatelistin, këto emetime përbëjnë një material me interes të veçantë studimor. Krahasimi i tyre, i simboleve, portreteve, mbishkrimeve dhe datave të emetimit, krijon mundësinë për të ndërtuar një këndvështrim më të gjerë mbi mënyrën se si Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut e kanë trajtuar dhe përcjellë të njëjtën ngjarje historike. Kështu, koleksionimi shndërrohet në një formë dokumentimi dhe interpretimi të historisë kombëtare.
Sot, në një botë ku kufijtë komunikues janë bërë gjithnjë e më të lehtë për t’u kapërcyer, por ku identitetet kulturore kërkojnë gjithnjë e më shumë kujdes dhe vëmendje, mesazhi i Kongresit të Manastirit mbetet aktual. Ai na kujton se bashkimi përmes gjuhës, dijes dhe kulturës është një nga themelet më të qëndrueshme të një kombi.