• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova në mes të “marrëveshjes së keqe” dhe status-quos

March 23, 2023 by s p

Procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, është hap i domosdoshëm për Kosovën në rrugën e zhvillimit dhe integrimit euo-atlantik. Ky proces është i rëndësishëm edhe për Srbinë, e cila ka nevojë për një katarsis të brendshëm politik e institucional, ndonëse kjo nuk arrihet pa një ndërgjegjësim më të gjerë të shoqërisë serbe, e cila ka nevojë për demokratizim rrënjësor.

Shkruan Mehmet PRISHTINA

Nëse i referohemi asaj maksimës së njohur se “një marrëveshje e keqe është më e mirë se status-quoja”, do të duhej njëkohësisht ta pranojmë, ose ta mohojmë faktin, se Kosova ndoshta nuk ka pasur rrugë tjetër për t’u shmangur nga “marrëveshja e keqe”.Një shtet që nuk i zbaton marrëveshjet paraprake, është i dënuar të bëhet pengesë e proceseve, të cilat me kalimin e kohës vijnë duke u bërë edhe më të komplikuara. Kjo edhe ndodhi me Kosovën, prandaj Marrëveshja e 18 marsit në Ohër është produkt i një procesi i cili solli shumë tema e dilema që nuk kishin të bënin vetëm me gjendjen e brendshme politke e sociale, por edhe me kontekstin gjeopolitik. Jo më larg se në fillim të kësaj jave, presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai i Kinës, Xi Jinping, u takuan dy herë brenda dy ditësh në Moskë, me ç’rast shpallën planet e tyre për të thelluar bashkëpunimin politik dhe ekonomik kino-rus për vitet në vijim – duke i dërguar një mesazh të fortë Perëndimit për vendosmërinë e tyre “kundër dominimit global të Shteteve të Bashkuara”.Të gjithë ata që mendojnë se Kosova është qendra e botës, sigurisht kanë harruar se baraspeshat gjeopolitike sot i diktojnë zhvillimet rajonale dhe globale, përfshi edhe luftën në Ukrainë, ku vendi ynë sigurisht bën pjesë, prandaj nuk është njësoj të kemi apo jo marrëveshje me Serbinë mbi bazën e një dokumenti europian. Kjo edhe për faktin se vizita e presidentit kinez në Moskë, nga mediat prestigjioze botërore është karakterizuar si “pjesë e një nisme të re për një rend të ri botëror”, që në esencë e ka qëndrimin e koordinuar ruso-kinez kundër Perëndimit.Sigurisht që vendi ynë është tepër minor për të patur ndonjë impakt në këto zhvillime globale gjeopolitike, por në anën tjetër askush nuk mund ta mohoj faktin se zvarritja e procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, mund të ndikohet nga këto zhvllime gjeopolitike dhe kjo më së paku i konvenon popullit të Kosovës.Ajo çka do t’i konvenonte Kosovës, do të ishte kthimi në vitin 1999 te epoka e Klintonit, por tani rrethanat kanë ndryshuar, siç ka ndryshuar edhe drejtimi i Shtëpisë së Bardhë në Washington dhe për pasojë armiku i deri djeshëm yni, Serbia, në një farë mënyre ka fituar simpatinë e aleatëve tanë strategjikë, dhe kundër këtij realiteti nuk mund të bëjmë asgjë.Realitetet nganjëherë i diktojnë rrethanat, nganjëherë njerëzit bëhen peng të rrethanave, por në politikë asgjë nuk ndodhë ratësisht. Ashtu siç nuk ndodhi rastësisht që Ohri sërish të bëhet epiqendra e një ujdie ballkanike, pas asaj të vitit 2001, kësaj radhe me një karakter dhe dimension tjetër politik, ku Kosova dhe Serbia parimisht u pajtuan për zbatimin e planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve për të cilin Prishtina dhe Beogradi u dakorduan më 27 shkurt në Bruksel. Ky dokument kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore, përfshirë edhe pasaportat, diplomat dhe targat. Marrëveshja kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ajo gjithashtu kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.Ndërkohë, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i ka njoftuar ministrat e jashtëm të BE-së, për marrëveshjen e Ohrit, që u arrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 18 mars. Sipas Borrellit, kjo është një arritje e madhe dhe, siç tha, “më nuk do të jemi në gjendje krize, por në implementim të marrëveshjeve të arritura më parë më 27 shkurt në Bruksel”.“Këto marrëveshje hyjnë në fuqi me deklaratën që e lëshova. Nuk ishte nënshkrim për shkaqe ligjore, por të dyja palët u pajtuan se deklarata ime është përkushtim nga ana e tyre për të plotësuar tërësisht obligimet që dalin nga kjo marrëveshje e aneksi i implementimit”, tha Borrell.Shefi i diplomacisë evropiane përsëriti që Prishtina zyrtare e ka urgjente fillimin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.“Kalendari kërkon që secila palë ta bëjë pjesën e vet, nuk fillon ndërtimi i shtëpisë nga kulmi. Disa nga këto gjëra janë shumë urgjente, e kam thënë se Kosova urgjentisht duhet të përkushtohet për formimin e Asociacionit. Janë bërë një sërë zotimesh dhe ne do të shohim se si palët do t’i përmbushin ato”, tha Borrell.Presion mbi Prishtinën dhe Beogradin zyrtarë që të nisin menjëherë zbatimin e marrëveshjes po bëjnë edhe SHBA-të.I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, që ishte vëzhgues në takimin e Ohrit, tha se pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve është historik, dhe palët duhet të fillojnë menjëherë vënien në jetë të saj. Sipas tij, marrëveshja ka detyrime ligjore për t’i përmbushur. Prishtina duhet ta bëjë punën e saj, e këtë duhet ta bëjë edhe Serbia, tha ai duke shtuar se Beogradi duhet të fillojë me njohjen e dokumenteve të Kosovës dhe simboleve kombëtare.“Për Kosovën është e rëndësishme që të fillojë hartimin e versionit të saj të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ka shumë detyrime të tjera, por mendoj se këto janë më të rëndësishmet”, tha zoti Escobar, në një konferencë më gazetarë në distancë. Ndërkohë që , Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të mërkurën se nëse marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë zbatohet, kjo do t’i hapte rrugë njohjes së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur atë.Marrëveshja e dakorduar në Ohër midis Kosovës dhe Serbisë, ka hapur shumë debate si te ne ashtu edhe në Beograd. Shumica e atyre në Kosovë që e shohin me rezervë këtë marrëveshje, ia përshkruajnë Kryeminstrit Kurti (pa)përgjegjësinë për të mos qenë kosekuent në qëndrimet e tij politike kundër formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kauzë kjo e cila atë edhe e solli në pushtet. Metamorfoza e Kurtit nga opozita dhe mediat kritike tani po shikohet më tepër si ambicje e tij për të mos e humbur pushtetin, se sa si një dobi për shtetin e Kosovës. Këto kritika emërues të përbashkët kanë faktin se nëse formimi i Asociacionit paska qenë i dëmshëm për Kosovën kur Kurti ka qenë në opozitë, pse qenka i dobishëm tani kur ai është në pushtet.Madje vet Kryeministri Albin Kurti, e ka konfirmuar se marrëveshja e arritur në Ohër, mes Kosovës dhe Serbisë, e përmban si kusht edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kurti u bazua te Neni 10 i propozimit evropian, ku thuhet se të dy palët konfirmojnë se duhet zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara, ndonëse kjo marrëveshje, sipas Kurit, është njohje de fakto e shtetit të Kosovës dhe kjo ka qenë arsye pse Presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk e ka nëndhkruar atë.Sa i përket kësaj çështjeje, vet Vuçiqi e ka dhënë një sqarim para opinionit publik serb, sipas të cilit arsyeja kryesore pse nuk e ka nënshkruar Marrveshjen në Ohër ka qenë refuzimi për të njohur shtetësinë e Kosovës“Po ta nënshkruaja këtë marrëveshje, do ta njihja subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës si shtet, prandaj edhe refuzova një gjë të tillë”, ka thënë Vuçiqi, i cili nuk u tregua deri në fund i sinqert, sepse ka pasur edhe motive të tjera për mos nënshkrimin e këtij dokumenti. Ai nuk tregoi se ka qenë i kërcënuar me vdekje nga ultranacionalistët e djathtë serbë.Sido që të jetë, Marrëveshja e 18 marsit në Ohër, do të prodhojë edhe shumë debate, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, kurse kritikuesit e të dyja palëve do të kenë hapësirë të shumtë për të shprehur rezervat dhe dyshimet e tyre mbi periudhën e implementimit të kësaj marëveshjeje. Dyshimet më të mëdha në opinionin kosovar kanë të bëjnë me formatin e Asociacionit në pikëpamje të kompetencave, edhe pse Kosova nga faktorë të shumtë ndërkombëtarë ka marrë garanci të forta se me Asociacionin nuk do të krijohet niveli i tretë i pushtetit dhe nuk do të preken vijat e kuqe të funksionimit kushtetues. Por çka do të ndodhë nëse asociacioni do të ketë kompetenca ekzekutive?Një përgjigje interesante mbi këtë çështje ka dhënë, Kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili ka thënë se asgjë më nuk ka vlerë dhe vendi duhet të shkoj në zgjedhje. Madje kritikat po vijnë edhe nga Lugina e Preshevës, ku me të drejt konstatohet se kjo marrëveshje nuk bën fjalë për reciprocitet. Përkundrazi, Serbia merr “vetëqeverisjen” e saj për qytetarët serbë në Kosovë, por shqiptarët që jetojnë në Serbinë jugore nuk kanë asgjë të krahasueshme me të, thuan zërat kritikë të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës.Jo pak vëzhgues dhe studiues ndërkombëtarë kanë vërejtur se kjo marrëveshje ka më shumë gjasa të gjenerojë konfuzion të mëtejshëm sesa paqe. Por, kjo do të varet edhe nga qasja e Perendimit ndaj palëve, sidomos presioni ndaj Beogradit, sepse përvoja ka treguar se Kosova ka treguar një vullnet më të madh politik për implementimin e marrëveshjeve, ndërkohë që Serbia ka insistuar të implementohen vetëm ato marrëveshje që i konevonojnë asaj, siç po instiston tani Vuçiqi në zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2013 për Asociacionin.Procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, është hap i domosdoshëm për Kosovën në rrugën e zhvillimit dhe integrimit euo-atlantik. Ky proces është i rëndësishëm edhe për Srbinë, e cila ka nevojë për një katarsis të brendshëm politik e institucional, ndonëse kjo nuk arrihet pa një ndërgjegjësim më të gjerë të shoqërisë serbe, e cila ka nevojë për demokratizim rrënjësor. Tani për tani rrethanat në Serbi nuk japin shpresë për një demokratizim të tillë, pasi që regjimi i Vuçiqit ka pamundësuar depërtimin e opsioneve alternative politike që do të sillnin më shumë ajër dhe më shumë dritë mbi qiellin e vrenjtur politik të Serbisë.Prandaj, Serbia tani për tani ka nevojë të ndihmohet edhe nga jashtë, në mënyrë që zërat kritik të depërtojnë me tepër në veshët e njerëzve të thejshtë. Një kontribut të tillë mund të japin edhe intelektualët, akademikët, mediat dhe një pjesë e shoqërisë civile të Kosovës, të cilët do të ndiqnin shembujt e rilindasve tanë të cilët proklamuan paqe dhe harmoni me fqinjët, si parakushte të një bashkëjetese pa paragjykime dhe pa barriera nacionale e fetare. Në këtë drejtim ndoshta do të ishte e udhës që të fillojë një karvan i dialogut dhe mirëkuptimit mes dy popujve, duke filluar nga Selaniku, Shkupi, Prishtina, Vjena, Berlini e Washingtoni, në të cilin do të merrnin pjesë intelektualë të shquar, me pikëpamje krejt të reja e të liruara nga stereotipet dhe animozitetet. Prishtinë, 23 mars, 2023

Filed Under: Histori Tagged With: Mehmet Prishtina

SCIENTIFIC AMERICAN (1942) / GJON MILI DHE METODA E BLICIT TË SHUMËFISHTË STROBOSKOPIK

March 22, 2023 by s p


Gjon Mili dhe macja e tij “Blackie” (1946)
Gjon Mili dhe macja e tij “Blackie” (1946)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Mars 2023

“Scientific American” ka botuar, në mars të 1942, në faqet n°152-153, një shkrim rreth metodës së re të fotografimit të përdorur asokohe nga Gjon Mili, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Këndet e kamerës

Drejtuar nga Jacob Deschin, A.R.P.S.

Multiflashi stroboskopik (Blici i shumëfishtë)

Burimi : Scientific American, mars 1942, f.152-153
Burimi : Scientific American, mars 1942, f.152-153

Fotografia stroboskopike me blicë të shumëfishtë (multiflashë) është termi i përdorur nga Gjon Mili, inxhinier fotografik, për të përshkruar metodën e krijimit të imazheve të tilla si ato të riprodhuara këtu. Me metodën tashmë të njohur të blicit të shumëfishtë (multiflashit), e cila përfshin përdorimin e burimeve të shumta të blicit për të krijuar një imazh të vetëm, Mili shton ekspozimin e shumëfishtë për të regjistruar disa imazhe në të njëjtën pllakë.

Z. Mili, i cili kohët e fundit ekspozoi 50 fotografi në Muzeun e Artit Modern në qytetin e Nju Jorkut, në shfaqjen e parë të punës së tij me blic stroboskopik të mbajtur ndonjëherë, sheh në blicin e shumëfishtë stroboskopik qasjen më të afërt ndaj asaj që ai e konsideron një metodë besnike të fotografimit të kërcimtarëve në aksion.

“Kërcimi është një shprehje në kohë dhe hapësirë”, thotë ai. “Prandaj, për të bërë një regjistrim të kërcimit, për të ruajtur cilësinë e tij, duhet të përdoret një kamer (aparat) filmike. Një fotografi e vetme, sado me fat të jetë përbërja ose shprehja e saj e ndjenjës, në rastin më të mirë mund të sugjerojë vetëm gjendjen shpirtërore pa treguar vijën e lëvizjes ose shprehjen. Për të regjistruar një lëvizje të tërë në një pllakë të vetme, u përdor teknika e njohur tashmë si fotografia stroboskopike multiflash (me blicë të shumëfishtë)”.

Duke përdorur një aparat fotografik të tipit studio Deardorff 5 me 7, Mili përshkruan procedurën e tij si më poshtë :

“Kamera mbahet e hapur gjatë gjithë periudhës së një faze, ndërsa dritat e pajisura me tuba Edgerton me shpejtësi të lartë ndizen në mënyrë të përsëritur — për të lënë përshtypje të shumëfishta imazhesh në të njëjtën pllakë, modeli mund të ndryshojë sipas dëshirës duke ndryshuar shpejtësinë e shkrepjes — duke e përshpejtuar ose vonuar atë; Është ky element i kontrollueshëm multiflashi (blici të shumëfishtë) që mund të bëjë të mundur një prezantim vërtet artistik të lëvizjes së kërcimit.”

“Shumica e modeleve të ekspozuara u arritën me ndihmën e tre dritave të cilat pulsonin në intervale nga 8 deri në 15 shkrepjeve në sekondë, në varësi të shpejtësisë së lëvizjes. Kamera (aparati) funksiononte me diafragma që varionin nga f/5.6 deri në f/16”.

Rezultatet e arritura kanë tërheqje si piktoreske, ashtu edhe shkencore, herë të kombinuara, herë njërën apo tjetrën. Shpejtësia e lëvizjes është kërkesa kryesore, bukuria e lëvizjes dytësore, por thelbësore nëse rezultati i dëshiruar është tërheqja piktoreske dhe jo gjetja e pastër e fakteve. Për shkak të shpejtësisë ekstreme të dritës, një imazh i paqartë vështirë se është i mundur; vetëm një fokus i keq do të shkaktojë një mungesë mprehtësie.

Në fotografitë me një veprim të përfshirë në shfaqje, kur u përdorën 3 deri në 12 njësi me një blic Edgerton, z. Mili u përpoq ta kapte (fotografonte) balerinën në lartësinë e një rrotullimi ose kërcimi të ndërlikuar. Megjithatë, në rastin e fotografive stroboskopike më blicë të shumëfishtë, ai u përpoq të tregonte një sekuencë të plotë lëvizjesh që përfshinte jo vetëm veprimin e çastit më dramatik, por edhe serinë e veprimeve të çastit që paraprinë dhe pasuan “ngjarjen kryesore”. Me fjalë të tjera, shkrepjet e tij të shumta me blic janë përafrimi i imazheve të palëvizshme të regjistrimit kinematografik.

Kështu, ai tregon lëvizjet e shumëfishta si fizarmonikë të një balerini, ose fijet e rrjetës së merimangës të një rrote qerreje njerëzore të ndarë në segmente ndërsa ajo vezullon në hapësirë.

Filed Under: Histori

Vendimi për lirinë e Kosovës

March 20, 2023 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Në këtë muaj, 24 vjet më parë, pra më 20 mars të vitit 1999, në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë, ishte marrë vendimi historik për Kosovën. Presidenti Bill Klinton, në konsultim me stafin e tij, kishte vendosur për opcionin ushtarak kundër forcave ushtarake serbe që bënin krime kundër popullsisë shqiptare në Kosovë. NATO-ja, zyrtarisht e filloi luftën e parë kundër një shteti, që nga themelimi i saj në prill të vitin 1949. Kjo ndërhyrje bëri korrigjimin e historisë tragjike të shqiptarëve në Ballkan që zgjati afër një shekull, nga ndikimi i Rusisë që favorizonte zgjerimin e shteteve sllave në Ballkan. Shqiptarët, nga Kosova më 1999, janë larguar dhunshëm nga ushtria serbe. NATO-ja ndërhyri pikërisht për të ndaluar këto krime dhe deportimin e dhunshëm të shqiptarëve nga Kosova. Aleanca me SHBA-të, duhet të jetë e përjetshme, për sigurinë e shtetit të Kosovës. Këto dokumente dëshmojnë vendimin dhe vendosmërinë e SHBA-ve për çlirimin e Kosovës. Përjetësisht, do t’u jemi mirënjohës ndaj atyre grave dhe burrave, që u flijuan dhe u bënë gurthemel i lirisë së Kosovës.I përjetshëm qoftë kujtimi, respekti e vlerësimi për ta!

Filed Under: Histori

Arkimandriti* Theofan dhe Pashka e parë postkomuniste në ish Katedralen e re të Ungjillëzimit në Tiranë

March 20, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

Episodi i hapjes së ish Katedrales të Ungjillëzimit dhe mbajtja e Pashkës së parë postkomuniste në Tiranë karakterizohen nga një atmosferë pasigurie por edhe guximi dhe shprese të përmasave kombëtare. Në atë kohë e ardhmja ndonëse “e prekshme” ishte e paqartë dhe e paparashikueshme por megjithatë mbarte në vete një perspektivë premtuese për shqiptarët dhe Shqipërinë – një nga temat që po qëmtojmë në bisedën tonë me Arkimandritin Theofan të Katedrales Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në Boston

Mes shërbesave të shumta ndaj besimtarëve në periudhën e Kreshmës së Madhe për përgatitjen e Pashkës së Shenjtë në Katedralen Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në Boston, Arkimandriti Theofan sjell në kujtesë Pashkën e parë në Tiranë pas ndërrimit të sistemit në Shqipëri. “Vetëm nga binaja e jashtme dhe stili arkitekturor mund të mendoje se ajo kishte qenë kishë sepse ish Katedralja e re e Ungjillëzimit në Tiranë ishte kthyer në sallë fizkulture,” thotë Arkimandriti Theofan. “Historia e saj si kishë kishte qenë jetëshkurtër,” vëren Urata, “sepse u ndërtua dhe inagurua në vitin 1964 dhe shërbeu vetëm tre-katër vite si e tillë përpara se të mbyllej në 1967,” që përkon me vitin e parë të lindjes së tij. Pas dy dekadave, fati do bashkonte përsëri pinjollin e familjes patriote të njohur dhe respektuar Koja me Kishën Ortodokse, nga ku do përcaktohej më së shumti drejtimi që mori jeta e tij. Stërgjyshi i tij, Pavllo Koja ishte një nga bamirësit dhe përkrahësit e mëdhenj dhe të rëndësishëm të Komunitetit Ortodoks të Tiranës dhe kontribuesi kryesor për ndërtimin e Kishës së Shën Prokopit.

Pas përfundimit të studimeve të lartë në Fakultetin Ekonomik në Tiranë 1988-1989, ai u emërua Inspektor në Kontrollin e Lartë të Shtetit në fabrikën e Azotikut të Fierit. “Mund t’ju kujtohet se në atë kohë vjedhjet e shpërdorimet kishin arritur përmasa të jashtëzakonshme aq sa gjatë rrugës përgjysmoheshin thasët e uresë përpara se të vinin te magazinat ku vazhdonte firasja në stacionin e vjetër të mallrave të trenit në Tiranë, aty ku më kishin caktuar të punoja. Po atë vit dolën nenet përkatëse për atë që quhej “demokratizimi dhe sistemi multipartiak” si edhe mësuam se “do hapej feja”. Unë nuk aderova dhe nuk kam qenë asnjëherë anëtar i asnjë partie politike. Por u ndihmova nga rrethanat meqë dy xhaxhallarët e mi, Skënder dhe Pavllo Koja, anëtarë të Këshillit Kombëtar për krijimin e grupit të Partisë Demokratike morën nismën për riaktivizimin e jetës fetare në Shqipëri. Ne ishim Grupi nismëtar për hapjen e institucioneve fetare. Anëtarësia ishte aq e vogël sa gishtat e dorës, por me ne u bashkuan shumë të tjerë midis tyre edhe pensionistë ordotoksë. Atëherë morëm në dorë çelësat e Katedrales së Ungjillëzimit, ndërtesë e cila ishte kthyer në sallë palestre për atletikën e Klubit Sportiv “17 Nëntori,” kujton Arkimandriti Theofan.

“Binaja” ndodhej te Fusha e Zezë, e njohur ndryshe si “Parku i xha Tomit” në fund të rrugës së “Kavajës” në Tiranë, por përveçse nga ana e jashtme dhe stili arkitekturor nuk kishte shenja të tjera identifikuese të saj si kishë. Detajet e imëta me të cilat ai e risjell momentin e hyrjes në mjediset e brendshme duke nisur nga kubeja e plasaritur te xhamat e thyer dhe gjithë gjendjen e mjerueshme të saj janë rrënqethëse: “Brenda kishës, afreskot e pikturuara nga motrat Androniqi dhe Sofia Zengo në gjithë hapësirën e saj, ishin mbuluar me gëlqere pas mbylljes së kishës. Mirëpo Motrat Zengo, mbase kishin pasur një vegim nga lart, sepse i kishin mbuluar me vernil ose lyer me llak afreskot prandaj pastrimi i pikturave në mure ishte deri diku i thjeshtë. Për afreskot e tavanit nevojitej të gjenim mjete të tjera, ndërsa për ta kthyer kishën në gjendje të pranueshme funksionale duhej edhe më shumë punë përfshirë edhe disa zgjidhje krijuese zdrukthtarije siç ishte ngritja e parketit që ndan Altarin nga Naosi, pjesa ku rrinë besimtarët e cila është e ndarë nga vendi i Ikonostasit me tre shkallë. Ato jo vetëm ishin sheshuar plotësisht por mbi to kishin vënë parket.” Në sajë të aftësive tona improvizuese dhe me ndihmën e të njohurve u arrit të krijohej ose rikrijohej dekori i një pjese të kishës për të kryer shërbesat e Pashkës së parë pas rrëzimit të sistemit të mëparshëm. “Me parketin e përdorur në sallë u improvizua rikrijimi i Ikonostasit. Me ndihmën e komshiut tim, i cili ishte shefi i Zyrës së Financës të Kombinatit të Përpunim Drurit “Misto Mame” ku prodhohej një material që quhet “letër imitacion druri” që përdorej për mobilje, siguruam disa topa të mbështjella. Vumë blloqe betoni që i shtruam rreth e qark Altarit duke u vënë përsipër dërrasa që të ngrinim sheshin nja 40-50 centrimetra mbi nivelin e dyshemesë, ku do të ecte Papa Gaqi Petri. Ideja ishte gjeniale por edhe e rrezikshme! I ndjeri Papa Gaqi, prifti 80 e ca vjeçar i kishës, i cili kishte mbetur gjallë, vinte rrotull Altarit, por e mbanin nga të dy krahët dy vetë dhe e ruanin se mos binte kur ecte mbi platformën e improvizuar si mbi një “tra ekuilibri”. Këto janë të dokumentuara edhe në disa fotografi të asaj kohe. Pra në të tilla kushte i bëmë shërbesat e para dhe Pashkën e parë të cilën e mbaj mend si tani dhe pse kanë kaluar më shumë se njëzet vjet. Kishte aq shumë njerëz sa në disa raste dikujt i digjeshin flokët nga qirinjtë që mbanin në duar ngaqë nuk kishte vend dhe hapësirë të mjaftueshme për të gjithë mes një zhurmë të hatashme sikur të ishe në kosheren e bletëve. E mbaj mend që u kthyem në shtëpi me qirinjtë e ndezur dhe me vezët e kuqe. Ndonëse kishim ardhur nga ora tre a katër e mëngjesit, vetëm pak orë më vonë, të parët që telefonuan për të na vizituar dhe uruar Pashkët ishin disa miq myslimanë të familjes.”

Por ishte viti 1991 dhe “sigurimi i shtetit shqiptar ishte ende i fuqishëm dhe vepronte me metodat e veta ndaj anëtarëve të grupit,” vëren Arkimandriti, i cili është pjesëtar i një brezi që u lind dhe rrit në periudhën e mohimit të besimit dhe mungesës së institucioneve fetare ku trumbetohej me të madhe vetëshpallja e Shqipërisë “i vetmi vend ateist në botë”. Një prej veprimtarëve të grupit nismëtar për hapjen e institucioneve fetare, Thoma Çomorra, i cili ishte pensionist, u zhduk për një javë dhe as familja dhe asnjeri nuk e dinin ku ishte dhe çfarë kishte ndodhur me të, vazhdon të tregojë Urata. “Thoma Çomorra, i cili vinte nga një familje e respektuar nga bregu, ishte një erudit. Ai kishte kryer katër fakultete njëherësh në Rumani, dhe ishte martuar me një shtetase rumune, Zoica, me të cilën jetonin në Tiranë bashkë me dy djemtë e tyre. Asaj i kishin kërkuar të largohej nga Shqipëria dhe nuk ia dhanë kurrë nënshtetësinë shqiptare por ajo kishte refuzuar ta linte familjen dhe prandaj për vite me radhë i duhej të paraqitej çdo muaj në degën e policisë së Tiranës. Siç mësuam më vonë, Thomai ishte rrëmbyer nga operativët e sigurimit. Sali Berisha dhe disa drejtuesë të Këshillit Kombëtar të PD-së paraqitën notë proteste duke kërkuar lirimin e anëtarit të rrëmbyer. Më pas Thomai vetë na tregoi se e kishin mbajtur mbyllur në një ndërtesë ku i bënin presion që të mos hapej kisha dhe të hiqte dorë nga puna e grupit. Por Thomai ishte një patriot i paepur dhe nuk u tërhoq kurrë,” përfundon rrëfimin hyrës Arkimandriti Theofan.

Shënim: Ndonëse fonetikisht titulli paraqitet të jetë Arhimandrit, këtu kemi ruajtur termin e përdorur nga Fjalori i shqipes së sotme: Arkimandrit~i -Titulli më i lartë për murgjit dhe kryetarët e manastireve

Foto të dërguara nga Arkimandriti:

Foto e Kupolës Qendrore me afreskot origjinale të motrave Zengo gjatë funksionimit të Katedrales së re të Ungjillëzimit (1966) dhe foto e Kupolës Qendrore me afreskot e zhdukura të motrave Zengo mbas kthimit të saj në palestër gjimnastike (1985)

Motrat Sofia (majtas) dhe Androniqi Zengo (djathtas) piktoret e Kishës së Ungjillëzimit në Tiranë (1964-1965)

Pamje e jashtme e fasadës së ish Katedrales së re të Ungjillëzimit në gjendje të degraduar mbas kthimit dhe funksionimit të saj për 23 vite si palestër gjimnastike 1991

Filed Under: Histori Tagged With: Rafaela Prifti

THE UNITED STATES DAILY (1928) / PESË TEATRO FILMASH QË FUNKSIONOJNË NË MBRETËRINË E SHQIPËRISË : KAPACITETI DHE VENDNDODHJA E TYRE

March 17, 2023 by s p



Nga Aurenc Bebja*, Francë – 17 Mars 2023

“The United States Daily” ka botuar, të premten e 12 tetorit 1928, në faqen n°2, një shkrim rreth teatrove që funksiononin asokohe në mbretërinë shqiptare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Pesë teatro që funksionojnë në Mbretërinë e Shqipërisë

Burimi : The United States Daily, e premte, 12 tetor 1928, f.2
Burimi : The United States Daily, e premte, 12 tetor 1928, f.2

Mbretëria e Shqipërisë ka vetëm pesë teatro filmash, thuhet në një raport të atasheut tregtar amerikan në Athinë, i bërë publik nga Departamenti i Tregtisë. Raporti vijon në tekstin e plotë :

Të pesë teatrot kanë një kapacitet total prej 2200 vendesh. Vetëm një nga këto teatro jep një shfaqje të rregullt ditore; dy japin shfaqje katër ditë gjatë çdo jave dhe dy janë të kufizuara në shfaqje dy herë në javë.

Teatri Majestic në Korçë, me 800 vende, është salla më e madhe e filmave në Shqipëri. Korça ka edhe Teatrin Luka, me rreth 400 vende.

Teatri “Berati”, 200 vende, ndodhet në Berat, “Shkodra”, 300 vende, ndodhet në Shkodër, dhe Nasional, 500 vende, ndodhet në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë.

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 143
  • 144
  • 145
  • 146
  • 147
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT