• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Musine Kokalari dhe Mendimi Politik i së Majtës

February 10, 2023 by s p

Dr Dorian Koçi/

Hyrje

Figura e Musine Kokalarit pavarësisht ndryshimit të sistemeve politike nuk është trajtuar ende në dimensionin e saj të plotë intelektual. Përveçse një shkrimtare e talentuar dhe njeri i letrave ajo ka pasur dhe një angazhim të fuqishëm intelektual dhe politik në shoqërinë shqiptare të pas luftës. Ky angazhim politik i saj nuk do të mund të kuptohet nëse nuk analizojmë mendimin e saj politik të shprehur në programin e Partisë Social Demokrate të hartuar prej saj si dhe kontekstin historik të ballafaqimit të opozitës antikomuniste me komunistët shqiptarë që kishin ardhur në pushtet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Musine Kokalari lindi në Adana në Turqinë Jugore, në gjirin e një familjeje gjirokastrite. Kokalarët, ku u lind Musineja, ishin familje intelektualësh të rëndësishëm. Gjyshi, Hamiti, i mbaroi studimet e larta teologjike në Turqi, ndërsa i biri Reshati(1875-1946), babai i shkrimtares studioi drejtësi në Stamboll ku u vendos me familjen. I martuar me Hanushe Çiçon, Reshati pati djem Mumtazin(1896-1944), që studioi dhe ai në Turqi; Vesimin(1898-1944) që mbaroi shkollën turke me një bazë të frëngjishtes, Hamitin (1909-1989), që i kreu studimet universitare në Francë , edhe ai për drejtësi. Më 1921 u kthye së bashku me familjen në Shqipëri, ku nisi shkollën fillore në Gjirokastër. Familja e saj u vendos në Tiranë nëntë vite pasi u rikthyen në atdhe. Vëllai i saj, Veisimi, kishte një librari në kryeqytet në mesin e viteve ’30 që shumë shpejt u bë , për gjithë kryeqytetin shqiptar një pikë e fortë referimi dhe thellimi kulturor. Në vitin 1937, pas gjimanzit filloi të botonte në gazetën “Shtypi” skica letrare me frymëzim popullor, prozë dhe poezi. Në qendër të tyre janë plagët shoqërore të Shqipërisë: varfëria, padrejtësia, analfabetizmi dhe sidomos gratë shqiptare që në mjediset prapanike, vazhdonin vazhdonin të trajtoheshin si skllave, të diskriminuara dukshëm krahasuar me burrat.
Vitet 30’
Një pjesë e rëndësishme e formimit të saj intelektual zë epoka e viteve 30’ . Nuk mund të përcaktosh qartë se në cilën prej rrymave të viteve 30’ Musine Kokalari e gjente më shumë veten por duket se më tepër i përket grupit që u konturua me emërtimin “Të Rinjtë” pa u atashuar tek konceptet e “Diktaturës së Ndritur” të Ismet Totos e Nebil Çikës. Ky përfundim mund të nxirret nga shënimet që ajo ka lënë të titulluara“Si lindi Partia Social-Demokrate” (1972), ku shënon konfliktin midis brezave në jetën politike të vendit, midis të rinjve dhe të vjetërve si konflikt për të evoluar shoqërinë shqiptare drejt progresit. Gjithësesi në këto shënime ajo nuk përmend ndonjë adhurim për termin “Diktatura e ndritur” apo idetë të mishëruar në personalitetin e një njeriu të madh si rasti i Ataturkut në Turqi dhe Mussolinit në Itali që propagandonte në shkrime të ndryshme publicisti dhe filozofit Ismet Toto. Musine Kokalari duket se kishte bërë për vete devizën e një përparimi të shpejtë aq të nevojshëm në Shqipërinë e asaj kohe ende të paurbanizuar. Ky përparim zakonisht perceptohej si një kontradiktë midis elitës së vjetër shqiptare të formuar në kohën e Perandorisë Otomane me një nostalgji të theksuar për privilegjet e trashëguara nga ancient regime dhe të rinjve që kërkonin një modernizim sa më të shpejtë të bazuar në merita dhe përparim kulturor. Musine Kokalari shkruan rreth këtij debati e kontradikte në “Si lindi Partia Social-Demokrate” (1972) se …brezi i ri gjithmonë shkonte më larg se brezi i vjetër. E tërhiqte atë. Kulturat e ndryshme çanin errësirën dhe në rrugëdaljen drejt qëllimit, gjithmonë shikonte brenda vendit dhe jashtë në popujt e tjerë ku lëvizjet, luftërat, kultura po zhvillohej. Brezi i ri ishte gjithmonë i gatshëm drejt bashkimit të këtyre forcave liridashëse dhe kulturave për të mirën e vendit. Fermentimi ideologjik në të cilat Musine Kokalari formoi botëkuptimin e saj pavarësisht se ajo vetë gjatë këtyre viteve nuk atashohet në asnjë nga rrymat e mendimit të kohës që mbizotëronin në jetën publike të Mbretërisë shqiptare duket se ishin idetë e një amalgame midis atyre të publicistit dhe filozofit Ismet Toto dhe Branko Merxhanit të Neoshqiptarizmës. Pikëpamjet neoshqiptare u shfaqën për herë të parë në gazetën Demokratia të Gjirokastrës më 1928.Më pas ato u shtjelluan edhe në një sërë organesh tëtjera si: “Neoshqiptarizma, Minerva, Illiria e në mënyrë të veçantë në revistën “Përpjekja shqiptare”që ishte organ kryesor i neoshqiptarëve. Përplasja në rrafshin social që propagandonin “të Rinjtë” e Neoshqiptarët: në fakt ishte një përplasje midis primitivizmit qeverisës të klientelës politike përmes funksionimit të derës së bejlerëve që të kujtonin oborret e fisnikëve në mesjetë të përfaqësuar nga klasa e vjetër e politikanëve në Shqipëri dhe personalizimit dhe individualitetit të spikatur të përfaqësuar nga elita e brezit të ri. Ja se çfarë Ismet Toto shkruante ai në vitin 1931 në Gazetën “Ora” të Kostë Çekrezit: Me fjalën njerëz të mplakur na s’kemi ndërmend njerëzit e kaluar nga mosha. Njerëz të mplakur, mund të ketë dhe midis të rinjve dhe mund të ketë pleq, sadopak, që të kenë një shpirt të ri dhe një dinamizëm shembullor. Kriteri i ynë nuk është mosha e një njeriu, por shpirti i sakrificës, karakteri dhe sasia e fuqisë për të vepruar dhe prodhuar në këtë rindërtimin e vendit tonë…” . Musine Kokalari si nxënëse e Institutit Femëror në Tiranë, që në mesin e viteve 30’ ishte një fidanishte e modernitetit të botë shqiptare do të reflektonte këto tendenca dhe në veprën e parë të vet letrare “Siç më thoshte nënua plakë” që e shkruan në 1938 dhe e boton në 1939. Shënimet që na vijnë po prej saj në librin e botuar postum vetëm më 2009, “La mia vita universitaria” , na bëjnë me dije se kjo përmbledhje mori shtysë dhe u shkrua e gjitha gjatë verës së 1938-s, kur ajo gjendej sërish për pushimet verore në Tiranë.“Ishte në këtë periudhë, që meqë më kishte rënë në dorë “Bulkthi në oxhak” i Dikensit, shkrova novelën time të parë dhe ia paraqita prof. Xhuvanit, të cilin kisha pasur rastin ta njihja. I pëlqeu dhe më inkurajoi të shkruaja të tjera. Dhe unë shkrova dhjetë, në dialektin e vendit tim, ku pasqyrohej jeta, mendimet, dhimbjet, bestytnitë dhe mrekullitë e këtyre njerëzve: “Gjyshja plakë” e inatosur kundër rinisë së re për idetë liberale; dy zonja që zihen në rrugë derisa lëshojnë mësë fundi fjalë larë e palarë; burri që vepron shpesh si qen dhe nuk prêt shumë, mbas vdekjes së gruas së parë, rimartohet. Jeta që zhvillohet në qytetin tim ku kam kaluar fëmininë ka pamje të ndryshme. […]”. Novelat e shkrimtares së parëshqiptare janë një monument etnolinguistik dhe antropologjik i vendlindjes së saj , Gjirokastrës por në të njëjtën kohë edhe një manifestim i hershëm i feminizmit në botën shqiptare. Bota e ndërtuar nga Musine Kokalari është një botë tërësisht femërore. Ky identitet ndërtohet në tematikë dhe fokus, në subjekte e në personazhe, në narratorë e rrëfimtarë dhe sidomos, ekskluzivisht në dy nivelet e ligjërimit: 1) atij që i jepet ose fiton të drejtën e ligjërimit; 2) në natyrën ekskluzivisht femërore të këtij ligjërimi. Pikërisht këtu Musine Kokalari është e para dhe e vetmja e epokës së saj letrare. Pikëpamjet dhe estetika e saj letrare duket se mbizotërojnë diskursin e saj në fund të viteve 30’. Ato dëshmojnë një sens të ri në mendimin politik shqiptar që synon të reagojë ndaj realitetit në mënyrë kritike, por sidomos konstruktive, me ambicien për të ndërtuar një botë ideale. Është fjala për një përpjekje mendore arketipin e së cilës na e ka dhënë Platoni. Një pjesë të rëndësishme të shqetësimeve sociale zënë edhe skicat dhe poezitë me të cilat ajo kish debutuar në shtypin e kohës. Muza ose Tacita ishin pseudonimet me të cilat , para se të studionte në Itali, kishte firmosur në gazetat “Shtypi”, artikuj me të vërtetëtë sigurtë në vetvete për një vajzë të atyre kohëve, reportazhe dhe rrëfime që denonconin problemet shoqërore të gruas në vitet 30’ . Janë pikërisht këto ide dhe pikëpamje që tentojnë drejt një modernizmi të shpejtë në jetën publike shqiptare që lënë paksa në heshtje në shënimet e jetës së saj të Universitetit ngjarje madhore në historinë e Shqipërisë si është pushtimi fashist në 7 prill 1939. Ndoshta në këtë përqasje kish ndikuar dhe debatet intelektuale te mesit të viteve 30’ në Shqipëri mbi antonominë e njohur Lindje-Perëndim. Kjo antinomi në shtypin e kohës merr trajta paradoksale ndër më të acaruarat.Editoriali i prillit 1936 i revistës “Lek” të etërve jezuitë (Shkodër) titullohet Lindje dhe Perëndim:orientalizëm dhe oksidentalizëm.Prirja e kësaj reviste duket e profilizuar qysh në 1934 në dy artikujt e jezuitit italian Zef Valentini: Shgatrrim dhe rilindje e korporatës dhe Si do të jetë korporata e ardhshme?ku propozohet si model shteti fashist italian.Po në“Leka” politika ekspansioniste e Italisë në lindje mbështetet në artikullin e tetorit 1936 Shqipnia dhe Panagjyri i Lindjes nga Gjikam(Gjon Kamsi)…Gazetarë prirjesh të ndryshme (T.Zavalani në Illyria , Sh.Samiu në Kuvendi Kombëar, Z.Psimi në Leka etj)e paraqesin krizën shqiptare ai pasojë të një orientimi politik të gabuar, regresiv, d.m.th “oriental”, dhe parashikojnë për zgjidhje një kthesë vendimtare kah perëndimi, më sakt: kah një forme perëndimore regjimi . Ekspansioni kulturor italian influenconte shumë në botën intelektuale të Tiranës aq sa intelektualë të shquar të kësaj periudhe nuk arrinin të dallonin qartë format endryshme të regjimeve politike në Perëndim që fillonin nga demokracia liberale dhe mbaronin tek fashizmi. Më 1937 Musine Kokalari mbaroi Institutin “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas vijoi studimet në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941 me një temë diplome për Naim Frashërin.
Vitet e Luftës së Dytë Botërore
Katër vitet e saj në Romë janë të mbizotëruara nga kërkimi i vetvetes dhe zbulimi i madhështisë së qytetërimit evropian me të cilin ajo bie në kontakt të drejtë për së drejtë në Itali. Këto vite të përshkruara në librin e vet Jeta ime Universitare(1940-1942) ku gjejmë dhe pasazhin mbi momentet e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Vizitat e mia shkruan Musineja u ndërprenë për disa kohë, nga nisja për në Shqipëri në 5 të prillit. Në mbrëmjen e asaj dite , kur mbrrita në Bari, pashë një grumbullim ushtarësh dhe e mësova arsyen. Mëzuri frika duke menduar mbi situatën në të cilën ndodhesha. Ndruhesha vetëm që nuk do më lejonin të nisesha. Përkundrazi, po. Ndoshi vetëm me anijen e fundit dhe arrita të nesërmen në 6 prill, në Tiranë, në castin kur qielli ishte mbuluar me aeroplanë italianë. Anembanë mbretëronte një gjendje shpirtërore që mundet lehtësisht të përfytyrohet. Një qeveri ikte, një italiane e zevendësosnte. Në ato caste ndjenjat më intime zgjihen dhe shpirti gjendet në një turbullirë të tmershme. Ajo mbrëmje ishte thellësisht e qetë, një lloj qetësie që jep një ndjenjë paniku, ndërsa, ngandonjëherë, dëgjoheshin disa gjuetje pushke. Një ditë kishte mbaruar dhe e nesërmja ishte e panjohur. Në 7 prill, nga mesdita hynë në Tiranë trupat italiane. Shpejt qyteti u mbush. Një gjuhë e re dëgjohej nëpër rrugë;hapa ushtarësh, motoçikletash e autokarrosh. Italianët, që jetojnë nëpër qytete të mëdha, ndeshen në sende të pakuptueshme për ta.Çdo karekteristikë orientalizmi(lindore), u jep atyre përshtypje varfërie dhe mbeten të mrekulluar e të habitur.
Edhe pse ky libër u shkrua në vitin 1942 në italisht kur Shqipëria ishte ende e pushtuar nga Italia Fashiste është një burim i mirë historik për të kuptuar mëdyshjet dhe përthyerjet e intiligjencës shqiptare për të nisur një rezistencë të hapur ndaj fashizmit. Nga njëra anë për herë të parë shteti shqiptar kishte hyrë në një etapë të re moderniti të manifestuar në zhvillim urban, modernizim administrate, kujdes shëndetësor e zhvillim social duke përfshirë dhe zmadhimin e tij në territore të banuar nga shqiptarë etnikë dhe në anën tjetër ishte suprimimi i shtetit shqiptar dhe lirive individuale nën një regjim fashist që drejtonte me dorë të hekurt gjithçka në Shqipëri. Misione të ndryshme shëndetsore italiane u dërguan në qytete e fshatra të Shqipërisë për të egzaminuar njerëzit e sëmurë , u shpërndanë ilaçe, madje u bënë dhe ndërhyrje kirurgjikale. U ngritën spitale, qendra shëndetsore, maternitete, jetimore dhe azile për moshat e thyera, u luftuia malaria e tuberkulozi, si dhe u finacua Kryqi i Kuq Shqiptar. Këto masa sigurisht që u ndërmorrën në kuadër të fashistizimit të shpejte të vendit. Motoja e regjimit fashist që ishte instaluar në Shqipëri ishte Besim , Bindje, Luftë. Ajo ishte e shpërndarë në mënyrë kapilare në shoqërinë shqiptare të kohës në të gjitha format e organizimit fashist si organizatat “Bijtë dhe Bijat e Shqiponjës” që përfshinte moshën nga 6 deri në 8 vjeç, në“Balilla” nga 8 deri në 13 vjeç dhe këtu kishte vetëm djem, ndërsa vajzat e po kësaj moshe quheshin “Shqiptarkat e Vogla”. Grupmosha e tretë, 13-17 vjeç , quheshin ”Avanguardistë” për djem dhe “Shqiptaret e Reja” për vajzat. Grupmosha e katërt , nga 17-21 vjeç, quheshin Fashistët e Rinj ose Fashistet e Reja. Të rinjtë shqiptarë që studionin në universitetet italiane ishin të organizuar në “Grupet Universitare Fashiste”. Pranimi në organizatat fashiste bëhej pas betimit Në emër të Zotit e të Italisë betohem se do të ndjek urdhërat e Duçes për ti shërbyer me të gjitha forcat e mia po të jetë nevoja edhe me gjakun tim çështjes së Revolucionit.
Nga burimet arkivore nuk rezulton që Musine Kokalari të ketë qenë pjesë e këtij organizimi të rinisë shqiptare universitare por si pjesë e borgjezisë së kulturuar që po lindte e së cilës ajo i përkiste nuk qendroi pasive kur iu kërkua hartimi i një vepre letrare që do të nxirrte në pah kontrastin midis dy kulturave të dy brigjeve të Adriatikut dhe modernitetin që po përqafohej dita ditës nga ndikimi i drejtë për së drejtë i kulturës italiane në Shqipëri. Në pranverën e vitit 1940, Pietro Parini, asokohe i dërguari italian në Shqipëri, i jep detyrën autores “të shkruajë përshtypjet e një gruaje shqiptare në Itali”, duke iu referuar sidomos studentëve shqiptarë në kryeqytet. Libri që botohet në të përditshmen “Tomorri” në katër kapituj titullohet “Nënua Plakë në Romë” dhe është një vazhdim i novelave të mëparshme të botuar në 1939 “Siç më thotë nënua plakë”. Këndvështrimi i saj si shkrimtare e re vazhdon të mbetet origjinal edhe në këtë përmbledhje të vogël rrëfimesh. Nënua plakë në Romë është një tekst me substrat orientalist i ballafaqimit dhe antonomisë Lindje-Perëndim ku spikasin temat e feminizmit, urbanizmit , folklorit dhe antropologjisë sociale. Si të tilla ato janë tekste novatore në letërsinë shqipe të shkruara nga një shkrimtare e re, por në to nuk gjendet as dhe një grimcë filozofie politike që autorja do dëshmonte dy vjet më vonë me angazhimin e saj politik në sociademokracinë shqiptare. Duket se deri në fund të vitit 1941 Musine Kokalari nuk është përfshirë ose të paktën nuk ka dëshmi të përkatësisë së filozofisë së saj politike dhe interesat e saj si një studente e porsa diplomuar e filologjisë anojnë drejt gjetjes së rrugës së vet si shkrimtare. Kur kthehet në Tiranë pas studimeve universitare në 1941ajo i rrëfen Ali Asllanit, mik dhe shkrimtar, bashkëpunëtor i revistës “Gruaja Shqiptare” dhe sikurse dhe ajo, autor i një narrative të frymëzuar nga shoqëria folklorike shqiptare: “Dua të shkruaj , të shkruaj e vetëm të shkruaj letërsi dhe të mos kem fare të bëj me politikë”. Angazhimi i saj letrar fillon si një pikënisje për të rrëfyer traditat , peisazhet rurale, folklorin dhe etnografinë, vështirësitë dhe pasiguritë sociale në shoqëri të mbyllura patriakale çka më vonë e drejtuan drejt zgjidhjeve politike që duhet tu jepeshin këtyre problemeve. Në këtë përqasje të saj ndaj rrëfimit të problematikave të shoqërisë shqiptare të kohës duket se në mënyrë të pavetëdijshme ajo influencohet nga verizmi italian i shprehur shumë qartë më vonë nga realizmi letrar i Gioavanni Verga dhe Luigi Capuana, deri tek Carlo Levi dhe Pierpaolo Pasolini dhe shkollës së begatë historiografike, antropologjike dhe folklorike të Italisë së Jugut. Kjo përqasje e saj letrare dhe estetike ndaj realitetit shqiptar si dhe angazhimi në shkruajtjen e temës së diplomës mbi Naim Frashërin , apostullin e shqiptarizmës duket se shtrojnë udhën për pjekurinë e saj politike në shtratin e tradicional të politikës shqiptare që rrënjët i kishte në lëvizjen kulturore e politike të njohur si Rilindja Kombëtare (1878-1912). Në këtë angazhim të ri të saj politik që e përfton në Tiranë sigurisht që kanë influencuar edhe figura të rëndësishme të jetës politike e kulturore së Shqipërisë si Mithat Frashëri, Ernest Koliqi, Aleksandër Xhuvani, Ali Asllani, Sotir Kolea, Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci etj me të cilët siç dëshmohet nga arkivi familjar dhe ai që ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit ajo ka pasur kontakt dhe letërkëmbim përgjatë periudhave 1937-1942. Këto figura të rëndësishme të jetës publike, politike e sociale në Shqipëri pavarësisht angazhimeve të tyre politike apo nautralitetit ndaj regjimit fashist ushtarak që kishin imponuar italianët në Shqipëri vazhdonin të përcillnin në jetën publike shqiptare, kulturën politike të nacionalizmit shqiptar të nisur me themelimin e shtetit kombëtar shqiptar e të përforcuar gjatë qeverisjes së Zogut. Gjatë qendrimit në Itali Musine Kokalari ishte ballafaquar me luftën në momentin kur P.T një djalosh italian me të cilin ajo bie në dashuri rekrutohet dhe shkon në Libi për të luftuar por është vetëm në Shqipëri në korrik të vitit 1942 që ajo gjen një moment ndriçimi që përcakton edhe angazhimin e saj politik në forcat e rezistencës ndaj regjimit pushtues italian. Deri më atëherë Musine Kokalari siç kujton në librin e vet Jeta ime Universitare(1940-1942)nuk kishte ndjerë një përfolje dhe diskriminim si shqiptare në Itali dhe përgjithësisht përshkruan me pozitivitet marrëdhëniet midis dy vendeve. Kushtet e shtetit dhe të politikës shkruan ajo-megjithëse ishin miqësore shkaktonin shpesh herë në qenien tonë, ndofta pa të drejtë , intepretime pak të këndshme. Në vitin e parë, i cili nuk më harrohet, ndonjë nga italianët ka ofenduar , pa dashje, vogëlsinë e vendit tim. Episodi i dytë që ajo përshkruan në kujtimet e saj është momenti i shpërthimit të Luftës Italo-Greke në 28 tetor 1940. Qe në këtë kohë-shkruan ajo-opinioni publik italian mbarti urrejtje kundrejt popullit shqiptar për tradhëti të supozuar nga ana jonë, në kufirin greko-shqiptar. Gjithësesi të dy incidentet e përshkruara nuk ishin të mjaftueshëm për ta kthyer atë që të ndërmerrte një angazhim të drejtë për së drejtë politik në forcat e rezistencës. Ndërkohë që Musine Kokalari studionte në Romë, në Shqipëri kishte filluar rezistenca antifashiste ndaj pushtimit italian. Shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore dhe hyrja në të e demokracive perëndimore i vuri shqiptarët pra dilemës së orientimit: ose me Boshtin fashist, ose me “plutokracinë”, siç i kishte cilësuar Musolini, Francën dhe Britaninë e Madhe. Nnjë klikë mercenare e koloboracioniste, me pak segmente të zgjatura të saj, u bashkua me fashizmin. Fytyra e këtij regjimi në publik ishin gazeta “Fashizmi” e më vonë “Tomorri”, emisionet e Radio Tiranës dhe gjithë propaganda figurative filmike. Kjo ishte “Shqipëria fashiste”. Gjithësesi kufijtë mes atyre që nisën bashkëpunimin me italianët dhe atyre që ish neutralë apo filluan paksa më vonë rezistencën nuk ishin kaq të ndarë. Elita tradicionale shqiptare kishte rezervat e veta ndaj Britanisë së madhe dhe Francës që në konfigurimet e tyre gjeopolitike në Ballkan kishin mbështetur më tepër fqinjët e shqiptare, grekët dhe serbët dhekishin krijuar një Shqipëri të cunguar në vitin 1913. Shqipëria ishte një nga viktimat e para të të ashtuquajturit rend i ri fashist dhe i konfigurimit të hartës gjeopolitike që Fuqitë e Boshtit dëshironin t‘i jepnin botës. Pushtimi i saj nuk solli kundërshtime të ashpra diplomatike. Kryeministri anglez, Charmberlen, u shpreh në Dhomën e Komunëve se “Anglia nuk kishte interesa në Shqipëri” dhe shkoi ta kalonte fundjavën për peshkim. Edhe Fuqitë e tjera të Mëdha e njohën pushtimin fashist, me përjashtim të SHBA, Turqisë dhe Egjiptit shtete që vazhduan t’i mbajnë hapur ambasadat e vjetra të shtetit shqiptar dhe nuk e njohën shtetin e ri kuisling shqiptar, të përfaqësuar nga mëkëmbësi i mbretit të Italisë, Jakomoni dhe kryeministri shqiptar, Shevqet Vërlaci. Mund të imagjinohet sa i madh qe zhgënjimi i nacionalistëve shqiptarë, të cilët disa muaj më vonë panë se agresioni ndaj një vendi tjetër, siç ishte Polonia, do të sillte reagim të fortë diplomatik dhe ato fuqi që e kishin braktisur Shqipërinë në fatin e vet do të futeshin në luftë kundër Boshtit. Parimet e Konferencës së Paqes dhe të Lidhjes së Kombeve u shkelën me të dyja këmbët në rastin e Shqipërisë dhe u respektuan tërësisht në rastin e Polonisë. Barazia midis shteteve, që ishte një nga parimet bazë të themelimit të Lidhjes së Kombeve rezultoi më tepër një qëndrim retorik dhe nuk përfaqësonte aspak një vullnet të fortë politik.Ky reflektim nacionalist i shtrirë në të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare të kohës sidomos pas disfatës italiane në luftën Italo-Greke gjeti një përkrahje e mbështetje veçanërisht tek të rinjtë e shkollave, një pjesë e mësuesve të tyre , por edhe studentë tek intelektualë atdhetarë. Ata ndjenë nevojën e organizimit, të manifestimit e të veprimit antifashist. Në Shqipëri ende në vitin 1939 nuk kishte organizata të mirëfillta politike antifashiste. Kishte vetëm disa grupe të vogla komuniste në Korçë, Shkodër e Tiranë, si dhe individë e bërthama me bindje republikane, monarkiste dhe antifashiste. Pikërisht tek të rinjtë( një pjesë e shoqeve të saj prej Institutit Femëror) dhe intelektualë atdhetarë disa prej të cilëve edhe miq familjarë, Musine Kokalari do të gjej mbështetje për të diskutuar idetë e saj dhe në disa raste do të përfshihet në aktivitete të përbashkëta politike. Ndërkohë jeta politike në vend kish filluar polarizimin ku komunistët shqiptarë ishin organizuar në P.K.SH të krijuar me asistencë jugosllave dhe nacionalistët kishin formuar organizatën politike të “Ballit Kombëtar” me pikëpamje republikane e reformatore. Shqipëria për fat të keq nuk kishte traditë të përfaqësimit të partive politike pasi Mbreti Zog nuk kishte lejuar formimin e tyre dhe përvoja politike ishte shumë e varfër në këtë drejtim. Musine Kokalari merr kontakte me të dyja krahët e rezistencës dhe vet ajo sipas kujtimeve të bashkëkohësve merr pjesë në aksione të rezistencës antifashiste. Musineja ishte tepër e kthjellët dhe kishte bindjen kujton shoqja e saj Seflixhe Ciu që komunizmi dhe fashizmi skanë asnjë ndryshim midis tyre, përderisa dhe vrasin njeriun…Musineja ishte antifashiste e vendosur. Dhe atë ditë , në korrik 1942, kur erdhi të më takonte , e gjeti oborrin e burgut mbushur me vajza të reja, të arrestuara nga të gjitha anët e Shqipërisë.Vajzat këndonin në oborr. Se mjaft në robëri/O e mjera Shqipëri/ O djem rrëmbeni pushkët/Ja vdekje, ja liri”. Nuk do ta harroj kurrë shprehjen e fytyrës së Musinesë. Mbeti si e hipnotizuar para asaj force dhe asaj dëshire të jashtëzakonshme të vajzave shqiptare për LIRI. Ishte ajo rini e bukur që ia blatoi jetën çlirimit të Shqipërisë.Po ndoshta në sytë e saj ishte dhimbja. Ato vajza ishin gati për dasmë dhe nuk e llogarisnin farejetën. “Si mundet brishtësia e shpirtit të vajzës shqiptare të jetë një uragan i tillë?” Çdo të vijë pas uraganit?
Përfshirja e Musine Kokalarit në rezistencën shqiptare që kishte filluar do të sillte një risi në përfshirjen e grave të shkolluara në luftë. Ajo do të kërkonte që të përshtaste traditën më të mirë të trashëgimisë politike të Shqipërisë me parimet e demokracisë liberale të Britanisë së Madhe dhe Francës. Në librin e vet të shkruar në vitin 1972 “Si u formua Partia SocialDemokrate” ajo shkruan se idealet e Rilindjes ishin të gjalla, të shëndosha. Demokratët e shikonin dhe mbështeteshin tek ideja e zhvillimit, e evolucionit hyrë në ndërgjegjen shoqërore si zhvillim gradual. Në të njëjtën kohë ajo bën dallimin e qartë të ideve tradicionale të zhvillimit të Shqipërisë me idealet e së majtës ekstreme, komunizmit që kishin hyrë edhe ato në Shqipëri. Po krahas këtyre idealeve shkruan ajo,Revolucioni i Tetorit pruri ideale të tjera revolucionare që hynin në Shqipëri dhe u formuan grupet komuniste jo me shtrirje në shkallë kombëttare, por të kufizuara dhe me oarime jo të qarta, as të njëllojta.
Përsa i përket formimit të saj intelektual Musine Kokalari dukej se kishte kaluar nëpër shkollën evolucioniste të mendimit politik shqiptar. Kjo shkollë edhe pse jo e afirmuar nga ideologë të mirrëfilltë përfshinte brenda vetes ide republikane e liberale që nga Rilindja Kombëtare e deri në vitet 40’. Si ideolog i respektuar dhe me influencë të madhe në jetën publike shqiptare sidomos të kolonisë shqiptare në Turqi prej nga vinte dhe Musine Kokalari ishte filozofi dhe gjuhëtari Sami Frashëri. Në vitin 1899 ai kishte botuar në Bukuresht traktatin politik “Shqipëria çka qenë , ç’është dhe çdo të bëhet” që ishte kthyer në një manifest të elitës liberale shqiptare. Përfaqësuesi i kësaj elite që kish lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare gjatë viteve 30’ ishte Mithat Frashëri(1880-1949), nipi i Sami Frashërit dhe një nga themeluesit e mëvonshëm të organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar”. Libraria e Mithat Frashërit në rrugën Mbretërore në Tiranë ishte kthyer prej kohësh në një vend ku diskutoheshin dhe shpërndaheshin idetë liberale të kohës.Unë e kam njohur këtë ambjent që në vogëli shkruan ajo kur përshkruan Librarinë e Mithat Frashërit ku kishte kontakte me intelektualë të tjerë shqiptarë të njohur të kohës si Sotir Kolea, Aleksandër Xhuvani e Mati Logoreci. Jam rritur me gjithçka që po rritej zhvillohej , kërkohej ishte mbështetur në botëkuptimin e thellë iluminist dhe në reformizmin e parlamentarizmin që na e ushqeu Sami Frashëri që në bangat e shkollës. Është pikërisht në këtë ambjent ku ajo sëbashku me Skënder Muçon, Isuf Luzin dhe Selman Rizën themelon Partinë SocalDemokrate të Shqipërisë si një alternativë evolucioniste dhe rrugë të mesme që të lidhte me të forcat e pakristalizuara, duke u radhitur me të në aleancë me Partinë Komuniste në gjirin e Frontit nacionalçlirimtar. Musine Kokalari zgjedh me vetëdije të plotë bashkimin e të gjitha forcave antifashiste mbi bazën e një aleance demokratike dhe për këtë arsye kur bie në kontakt me Nexhmie Xhuglinin më vonë Hoxha i parashtroi intesifikimin e luftës kundër okupatorit dhe prashtrimin për të hyrë në gjirin e Frontit Nacionalçlirimtar , jo si individë të veçantë por si grup demokratik ose më mirë si parti (socialdemokrate) . Përpjekja e Musine Kokalarit për të themeluar rrugën e mesme në Shqipëri pjesëmarrëse në rezistencën e armatosur ra në vesh të shurdhër si nga përfaqësuesit e P.K.SH ashtu dhe nga udhëheqësit e organizatës politike “Balli Kombëtar”. Rezistenca e armatosur ndaj fashizmit italian ishte opsioni më i pranueshëm dhe i përshendetur edhe nga aleatët ë e mëdhenj që në dhjetor të vitit 1942 në deklarat e tyre përkatëse. Në këtë kuadër Musine Kokalari shprehet në librin e vet “Si lindi Partia Social-Demokrate” (1972) se pushtimi italian pra, nxorri në plan të parë luftën. Gjithë ish të emigruarit në kohën e Zogut, të kthyer në vend, kishin dëshirën ,që në gjendjen e re të bëhej e mundur dhe vendi me një luftë demokratike dhe të mbështetur në ndihmën e aleatëve, të arrinin në një Shqipëri demokratike konstuticionaliste që ishte dhe opinioni i gjithë demokratëve të vendit. Edhe pse midis programit të Ballit Kombëtar të quajtur “Dekalogu” kishte një lidhje organike me programin e Partisë Socialdemokrate të përpiluar nga Musine Kokalari dhe Isuf Luzajt , udhëheqësit e “Ballit Kombëtar” Mithat Frashëri dhe Hasan Dosti nuk e pranuan alternativën e krijimit të këtij formacioni të ri politik me arsyen se do të përçahej organizata e tyre politike. Pavarësisht këtij fakti të nxitur edhe nga gjendja e brendshme politike e marrëdheniet midis forcave politike të kohës, Musine Kokalari dhe Isuf Luzaj duke njohur moralisht Skënder Muçon si udhëheqës vazhduan me projektin e themelimit të Partisë Socialdemokrate dhe organit periodik të shtypit të titulluar “Zëri i Lirisë”. Data e saktë e themelimit të Partisë Socialdemokrate nuk dihet por për të është shkruajtur në në shtypin e kohës së LANÇ si tetor 1943. Numri i parë i gazetës së “Zëri i Lirisë” është 1 kallnor (janar) 1944. Në faqet e Zërit të Lirisë . shpallet dhe popullarizohet , në radhë të parë , programi i Partisë Socia-demokrate , si dhe ndonjë aspekt i statutit të saj( i pabotuar në këtë organ dhe që nuk ka arritur si dokument as në arkivat tona). Sipas kujtimeve të Musine Kokalarit në librin dëshmi “Si lindi Partia Social-Demokrate” (1972) përpjekja e parë socialdemokrate në shtypin shqiptar të kohës ajo kish këmbëngulur për të vazhduar botimin e saj si alternativë e mesme në konfliktin politik që kish filluar në Shqipëri në tetor të vitit 1943. Musine Kokalari ishte e vetëdijshme se gazeta dhe fraksioni politik që ajo përfaqësonte nuk do të ishte i suksesshëm madje shton se dhe me Skënder Muçon, Isuf Luzajn dhe Skënder Rizaj që e themeluam nuk u takuam më bashkë. Mungesa e një kohezioni dhe organizimi sigurisht që do të ndikonte dhe në vazhdimësinë e alternativës socialdemokrate në vitin 1944 por Musine Kokalari dëshmon se qëllimi i saj ishte largpamës dhe do i shërbente i Shqipërisë në momentin kur ajo do çlirohej nga gjermanët. Unë i nxora ato gjashtë numra shkruan ajo vetëm me një qëllim: Qe përshkruar një rrugë, një program partie. Pas çlirimit, në qoftë se do të ishte Shqipëria demokratike të mbështeteshim në atë rrugë dhe të vazhdonte. Për këtë arsye qysh në kryeartikullin e parë të gazetës shënohet se alternativa socialdemokrate rreshtohet përkrah rrymave të tjera politike sëbashku me komunistët e vërtetë shqiptarë, zjarristët e patundur, rreth birit të Abdylit,(Mithat Frashërit) flamurtarit të 78’. Duket se më tepër se një realitet i mundur në vitin 1944 pretendimi i mësipërm ishte një dëshirë për të arritur një nga synimet e Partisë Socialdemokrate, rruga e mesme e nje bashkimi që kishte dështuar në Mukje. Në të njëjtën kohë përmendja e përbashkimit rreth figurës së Mithat Frashërit dëshmon edhe afërsinë ideologjike të programit të socialdemokratëve me Dekalogun, programin e “Ballit Kombëtar”.
Në numrin e parë të gazetës krahas botimit të programit të Partisë Socialdemokrate bie në sy një tjetër shkrim programor me titullin “Misioni i Partisë Sociademokrate”. Në artikull zbërthehet programi i Partisë Socialdemokrate ku bie në sy ndarja n dy etapa i misionit dhe idesë socialdemokrate në Shqipëri. Në etapën e parë sipas artikullshkruesit synohet indipendenca dhe kufijtë etnikë, istalimi i një qeverie demokratike… , ndërsa në etapën e dytë parashikohet vendosja e drejtësisë shoqërore shoqëruar me të gjitha referimet për popullin shqiptar . Artikulli nuk ka emër në fund por duke pasur parasysh pohimin e Musine Kokalarit kur shkruan për botimin e gazetës se… unë (Musineja) nxirrja material andej këndej. Ndihmonte dhe Isuf Luzi dhe e vetmja munda të nxjerr gjashtë numra mund të supozohet se artikulli është i Musinesë ose Isuf Luzit që kishin hartuar dhe programin e Partisë Socialdemokrate. Po kështu një veçori tjetër e rëndësishme e këtij organi të shtypit të partisë Socialdemokrate është përdorimi për herë të parë në termiologjinë e shtypit të shkruar të termit nacionalist në vend të fjalës ballist, një term që u rrimor në shtypin shqiptar të viteve 90’. Origjinaliteti i këtij organi krahasuar me organet e tjera shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore është trajtimi relativisht i gjerë i së ardhmes, i problemeve social-politike, kryesisht në prizmin teorik nga një këndvështrim socialdemokrat, i programit të formacionit politik që përfaqësonte. Një aspekt të rëndësishëm në gazetë zinte përgatitja ideologjike dhe pasqyrimi i ideve socialdemokrate që do duhesh të hidhnin rrënjë në realitetin shqiptar. Nga pasqyra e lëndës del se me këtë problematikë janë botuar në “Zërin e Lirisë” 12 artikuj propagandistikë, studimorë dhe pjesë të përkthyera nga literatura botërore . Me interes të veçantë janë edhe artikujt që lidhen me realitetin shqiptar dhe sfidat e socialdemokracisë në një vend që kish hyrë me vonesë në procesin e industrializmit dhe zhvillimit urban. Në gazetë trajtohen sipas prizmit socialdemokrat çështje të sindikalizmit në artikujt “Punëtorija e shtypshkronjave” dhe “Klasa dhe kolektivitete në vendin tonë”. Gazeta kishte si moto të vet në krye të ballinës devizën “Drejtësi shoqërore dhe liri politike”. Këto dy synime që ishin të pasqyruar dhe gjerësisht në programin e Partisë Socialdemokrate, në fakt konkurronin si ide me atë çfarë propagandonte dhe P.K.SH forca më e madhe e rezistencës antifashiste e organizuar jo vetëm politikisht duke udhëhequr Frontin Nacionalçlirimtar por edhe ushtarakisht në formën e batalioneve dhe brigadave partizane. Kjo duhet të ketë qenë një nga arsyet që forma e bashkëpunimit që iu afrua Partisë Socialdemokrate ishte vetëm futja në gjirin e Frontit Nacionalçlirimtar të anëtarëve të kësaj parti si anëtarë të thjeshtë dhe jo si formacion politik. Konflikti politik midis P.K.SH dhe Ballit Kombëtar i nisur në tetor 1943 me ardhjen e gjermanëve në Shqipëri nuk la shumë hapësira për rrugë të mesme dhe bashkim të të gjitha forcave të rezistencës. Në këtë kontekst pas përfundimit të Operacionit të Dimrit nga forcat gjermane ku një pjesë e madhe e forcave të Ballit Kombëtar bashkëpunuan me to për të goditur bazat dhe forcat e armatosura të Frontit Nacionalçlirimtar, alternativa socialdemokrate edhe pse me një mbështetje të mjaftueshme në Tiranë ku në një mbledhje ku u shpall themelimi i saj sipas Musine Kokalarit morën pjesë 60 veta , u shpërbë. Një grup të rinjsh shkruan Musine Kokalari ikën në Berat dhe forca gjermane intesifikohej më keq. Vrau Skënder Muçon në Vlorë që u takua me englezët. Balli u paralizua. Bëri në Berat Kongresin dhe një pjesë e krerëve të tij, si Kolë Tromara, Bahri Omari , Koço Muka muarnë pjesë në qeveri. Unë (Musine Kokalari) nuk e nxora më gazetën. U mora vetëm me letërsi. Çdo përpjekje qe e kotë , nga të dy palët .
Në gjysmën e dytë të vitit 1944 ajo i rikthehet pasionit të saj letërsisë duke botuar dy libra: …”Sa u tunt jeta”…dhe “Rreth Vatrës”. Të dy librat paraqesin një interes të madh etnografik e folklorik pasi i pari është përshkrimi i dasmës gjirokastrite dhe i dyti një përmbledhje përrallash të mbledhura nga Musine Kokalari. Kjo atmosferë idilike e me kalldrëmet, çatitë e kështjellën e Gjirokastrës e rrëfimet e përrallave që mbartin mënçurinë, mjediset, zgjidhjet , moralin e ndjesinë ndaj së bukurës ndërpritet nga tragjedia familjare e shkaktuar nga terrori i kuq në ditët e çlirimit të Tiranës. Filloi lufta e Tiranës kujton Musine Kokalari në librin e vet Si lindi Partia Social-Demokrate (1972). 12 nëntor , mi morën dy vëllezër e shumë veta në lagje( për fat vëllai i tretë ishte i sëmurë me tifo) i vranë “ushtarak çlirimtarë” Më 13 nëntor më arrestuan. Më mbajtën në një shtëpi tek lagjia jonë. Ndaj të gdhirë kapërcyem tek rruga e Fortuzit, ndën gadishmërinë e tanksit gjerman. Na shpunë në rrugën Bardhyl. Na përplasën në bimsat e një shtëpie ku qenë shumë të burgosur . të mbledhur andej këndej. Ky moment që është fillimi i kalvarit të vuajtjes së Musine Kokalarit nuk është i dokumentuar në arkiva dhe na vjen i dokumentuar nga kujtimet e saj. Një nga akuzat që i bëhe nga dy hetuesit partizanë që e marrin në pyetje Sylo Kozeli dhe Sotir Polena është se ajo është socialdemokrate dhe se ka sjellë përçarje gjatë luftës. Është ironik fakti që të njëtën akuzë për përçarje i kishin bërë dhe krerët ballistë kur ajo i pat lajmëruar për formimin e Partisë Socialdemokrate. Në datën 28 nëntor ajo lirohet por Musine Kokalari është e ndërgjegjshme se një epokë ka përfunduar për popullin shqiptar dhe ka filluar një epokë e re. Filloi tragjedia e individit demokrat shkruan ajo , nënë diktaturën e proletariatit. Kështu u mbyll epoka e Rilindjes dhe tendenca demokratike nga pozita humaniste që mbron popullin e thjeshtë, njeriun e punës për të shpëtuar nga skllavëria fizike dhe shpirtërore dhe dinjitetin njerëzor. Hyri dhuna dhe gjakderdhja për të shfarosur demokraten dhe gëzimi mizor për gjakderdhje, me forcë e mospërfillje.
Vitet 1945-1982
Në historinë e rezistencës antikomuniste të Evropës Lindore , Shqipëria si vendi që hyri shumë shpejt se çdo vend tjetër i Evropës Lindore në procesin e sovjetizimit, nuk ka shumë histori politike për të rrëfyer pasi çdo mjet dhe akti i rezistencës u shtyp dhe u përndoq nga regjimi komunist. Udhëheqja e re komuniste që erdhi në pushtet pasi ndaloi kthimin e mbretit Zog në vend, shpalli se do të krijonte një tip demokracie popullore që do të reflektohej në kthimin e vendit në republikë dhe respektimin e disa të drejtave të njeriut. Deklarata e KANÇ-it në 24 tetor 1944 hapte shumë shpresa se pushteti i ri që po vinte në fuqi ndoshta do të mund të respektonte disa parime minimale të demokracive popullore. Sigurisht që këto shpresa përvijoheshin në njerëzit që nuk e njihnin natyrën e regjimeve komuniste dhe metodat e tyre për të dominuar në jetën politike të vendit, pasi për një pjesë të madhe të intiligjencës së kohës nuk kishte dyshim se komunistët ashtu si dhe gjatë luftës do të përpiqeshin që të mos ndanin pushtet me asnjë fraksion tjetër politik. Periudha kur pushteti komunist në Shqipëri dha iluzionet që mund të pranonte edhe një pjesëmarrje të opozitës është shumë e shkurtër. Ajo zgjati nga dhjetori i vitit 1944 deri në dhjetor 1945 periudhë në të cilën ende nuk kishte mbaruar zyrtarisht Lufta e Dytë Botërore dhe ende nuk ishin ndarë zonat e influencës në Evropën Lindore. Gjatë kësaj kohe Shqipëria po sovjetizohej me hapa shumë të shpejtë nën asistencën jugosllave. Mirëpo pavarësisht hapave të shpejtë që po hidhnin në këtë drejtim, qeveria komuniste formalisht po ndiqte dhe hapat e legjitimitetit të pushtetit. Zgjedhjet e para për të formuar Asamblenë Kushtetuese që do të vendoste dhe formën e qeverisjes në Shqipëri, do të mbaheshin në datën 2 dhjetor 1945. Zhvillimi dhe mbarëvajtja e tyre ishte një kushtet që duhet të plotësonte qeveria shqiptare, në mënyrë që të fitonte njohjen e plotë dhe të pakushtëzuar. Masat e shpejta të komunistifikimit të shtetit dhe të qeverisjes, edhe pse P.K.SH vazhdonte të mos deklarohej hapur dhe të fshihej përmes FNÇ, kishin krijuar një klimë jo shumë të përshtatshme për gjallërimin dhe pjesëmarrjen politike të opozitës shqiptare në jetën publike e sociale të vendit. Në Shqipëri tashmë ishte vendosur një regjim komunist sipas modelit sovjetik, por në ndryshim nga “demokracitë e tjera popullore”, ky proces u zhvillua me asistencën dhe mbështetjen direkte të Jugosllavisë dhe Titos . Shumë shpejt, në vlagën e korrospondencave të Qeverisë së Përkohshme me qeveritë e Aleatëve për të siguruar njohjen, si dhe masave për komunistifikimin e Shqipërisë, edhe perëndimorët që operonin në Shqipëri nëpërmjet misioneve të veta ushtarake dhe civile e ndjenë të nevojshme të ndihmonin dhe përkrahnin opozitën e brishtë shqiptare. Për më tepër, brenda vetë FNÇ, kishte figura dhe personalitete që nuk binin dakord me format e organizimit të ri shtetëror, si gjykatat vendore, këshillat dhe komitetet egzekutive, forma të huazuara nga sistemi komunist sovjetik. Një pakënaqësi e madhe tjetër ishte dhe e elementëve të shpronësuar apo tregtarëve të mëdhenj, pasuria e të cilëve u ishin nënshtruar ligjit të Tatimit të Jashtëzakonshëm të Luftës.
Kontaktet e para të britanikëve me opozitën u vendosën në qershor të vitit 1945 , përmes njërëzve që punonin pranë Misionit Ushtarak Britanik, si Kiço Xhonga, Ing.Avdulla Muça, Shaban Balla, Niko Beço, Hivzi Golja, Llazi Posti etj. Intelektualët e mësimpërm, të afërt me Misionin Ushtarak Britanik, siguruan komunikimin midis këtij misioni me koordinatorin e grupit të rezistencës Sami Çeribashi, me elementë të përjashtuar nga Fronti si ish ministrin e arsimit Gjergj Kokoshi dhe grupin social-demokrat të përfaqësuar nga Musine Kokalari. Gjithashtu ata përfshinë në Komitetin inisiator të krijuar në pranverë 1945 edhe Qenan Dibrën eksponent i njohur i Partisë së Legalitetit . Grupimi Social-Demokrat kryesohej nga Musine Kokalari, intelektuale dhe shkrimtare e njohur për kohën . Ky grupim ishte krijuar që gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në të bënin pjesë figura të njohura të botës së pakët intelektuale shqiptare të kohës si Avokat Suad Asllani dhe Musa Disdari. Është interesant fakti se vazhdimisht opozita shqiptare e pas luftës është konsideruar en block si opozitë e mbështetur në ideologjinë e djathtë. Ky sugjerim dhe mendim duke analizuar grupimet e opozitës nuk i përgjigjet realitetit. Sipas një analize të programit të Partisë Social Demokrate, parti në të cilën Musine Kokalari ishte themeluese i përkiste skeptrit të majtë të partive politike realiteti është më i larmishëm.
Grupimi social-demokrat përfaqësonte një rrymë të moderuar të së majtës shqiptare, e cila ishte për një evolucion të shoqërisë shqiptare pa qenë e nevojshme të ndërmerreshin masa ekstreme të kopjuara nga sistemi komunist në Bashkimin Sovjetik. Në nenin dy të statusit të Partisë Socialdemokrate shkruhej se PSD është evoculioniste përsa i përket kolektivizmës ekonomike. Pra grupimi socialdemokrat kërkonte evolucion të marrëdhenieve ekonomike në Shqipëri dhe jo një kolektivizim të dhunshëm që u zbatua nga komunistët shqiptarë. Po kështu përsa i përket problemit agrar, një nga problemeve më të mëdha të shoqërisë shqiptare të asaj kohe PSD në statutin e vet, neni tre shënonte se ka për qëllim kryesor t’i sigurojë bujkut tokën e mjaftueshme për të punuar, të zhdukë shfrytëzimin,spekulimin dhe parazitizmin. Gjithashtu do t’i sigurojë proletariatit bukën, banimin dhe të gjitha ndihmat e tjera për t’ja bërë jetën e këndshme. Siç shikohet nga frazeologjia e përdorur PSD ishte shumë afër qëndrimeve të së majtës shqiptare që synonte një shndrrim social që t’i përgjigjej nevojave të kohës. Si qëllim të afërt dhe shpresëdhënës për të realizuar një balancë ekonomike në jetën e popullit shqiptar, PSD shikonte realizimin e një reforme agrare që do të ishte etapa e parë e ndarjes së tokës . Për më tepër në program synohej në realizimin e një sistemi sigurimi shoqëror për mbrojtjen e të gjitha klasave shoqërore . Musine Kokalari dhe socialdemokratët shqiptarë ishin të ndërgjegjshëm se në Shqipëri duhet të kishte një drejtësi shoqërore në mënyrë që të kishte më shumë liri politike. Edhe në aspektin e politikës së jashtme PSD ishte në mbështetje të të një ideje për realizmin sa më parë të një konfederate ballkanike, duke qenë një hap më parë se dhe vet komunistët shqiptarë që nuk guxonin ta shprehin hapur në asnjë program të tyre këtë qëllim. Mirëpo pavarësisht këtyre qendrimeve shumë të ngjashme me komunistët shqiptarë, sërish qendrimet e tyre u quajtën të rrezikshme për monopolin e pushtetit që dëshironin të arrinin komunistët sepse sociademokratët ishin për një jetë aktive parlamentare dhe egzistencën e opozitës në jetën politike të vendit përfshinte të tre organizatat. Gjithësesi edhe Misioni Ushtarak Britanik që ishte më aktivi në takimet dhe konsultimet me opozitën shqiptare nuk ndiqte preferenca partiake. Ata ishin të interesuar për të pasur një opozitë të bashkuar në mënyrë të tillë që jeta politike në Shqipëri të mos monopolizohej nga Partia Komuniste Shqiptare.
Në takimet e dëndura të shefit të Misionit Ushtarak Britani, Palmerit dhe anëtarëve të këtij misioni, majorëve Smith, Arnot dhe Leon me komitetin iniciator të përbërë nga të ri grupimet ishte nënvizuar nevoja për krijimin e një opozite të bashkuar që do ti përfshinte të tre organizatat. Pas takimeve të shumta me britanikët, u ra dakord që në mbledhjen e parë të përbashkët të tre grupeve dhe me praninë e Gjergj Kokoshit, në datën 17 nëntor 1945 të krijohej një Komitet Nacional i organizatës Bashkimi Demokratik. Në këtë takim u shtrua për shqyrtim edhe çështja e pamundësisë së pjesëmarrjes në zgjedhje pasi kishte mbaruar afati ligjor, afat që sipas ligjit shkonte të paktën 40 ditë para datës zyrtare të zgjedhjeve. Në këtë kontekst, duke mos pasur mundësinë nga ana ligjore për të marrë pjesë në zgjedhje, u shqyrtua versioni i kërkesës për shtyerjen e datës së zgjedhjeve. Për këtë arsye ata vendosën t’i drejtoheshin me një memorandum aleatëve ku do të shpreheshin qartë kërkesat e tyre, përfshi dhe mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve të 2 dhjetorit. Kësaj radhe në mbledhjen e datës 20 nëntor që u organizua në shtepinë e Shaban Ballës, me profesion gjeometër dhe shofer pranë Misionit Ushtarak Britanik, e kryesoi Gjergj Kokoshi. Për këtë rol udhëheqës të Gjergj Kokoshit, mesa duket ka luajtur rol, kredencialet e dhëna nga anglezët por edhe autoriteti i tij i padiskutueshëm si ish ministër i Arsimit dhe Kulturës Popullore dhe ish anëtar i kryesisë së Frontit Demokratik. Në mbledhjen e dytë të opozitës Gjergj Kokoshi ra në mosmarëveshje me Musine Kokalarin për pikat e hartimit të Memorandumit dhe krerët e grupeve.Musineja kërkonte të përfshihej në memorandum kërkesa për zhvillimin e një plebishiti në Kosovë për vetëvendosje. Këtë qendrim Musine Kokalari e mbështeste jo vetëm në formimin e vet kombëtar nën frymën e Rilindjes Kombëtare por edhe në nenet e statusit dhe frymën që kishin ndërmarrë intelektualët që kishin themeluar Partinë Social Demokrate. Në nenin VI të statutit të PSD shkruhet partia ka për qëllim të luftojë kundër çdo okupatori për indipedencën e një Shqipërie të unjisur brenda kufijve të saj etnikë
Duket se nën arsyetimin e sigurimit të mbështetjes britanike ndaj opozitës dhe aktivitetit të saj, ky moment i mos rënies dakord mes grupeve për çështjen e Kosovës, u kapërcye dhe në datën 22 nëntor u organizua mbledhja e tretë në shtëpinë e Ali Kavajës, anëtar i Grupit të Resistencës, nëpunës tatimor para pushtimit dhe gjatë kohës së luftës. Në këtë mbledhje u hartua Memorandumi në frëngjisht nga Musine Kokalari dhe Qenan Dibra, e cila iu dorëzua misioneve anglo-ameriakane prej Qenan Dibrës, Shaban Ballës dhe Sami Qeribashit. Ndërkohë një notë tjetër i ishte dorëzuar Misionit Ushtarak Britanik më parë nga Komiteti Inisiator i Opozitës dhe programi prej 13 faqesh i hartuar nga Kiço Xhonga, e përkthyer në anglisht nga Emin Bakalli, nëpunës në Ministrinë Botore. Nota iu dorëzua Nënkolonelit Palmer nga Lari Posti në datën 5 nëntor. Ky i fundit do të udhëtonte po atë mbrëmje për në Kazerta ku ndodhej Shtabi i Forcave Aleate të Mesdheut. Në këtë mënyrë britanikët do të njiheshin drejtë për së drejtë me kërkesat dhe programin e opozitës së brishtë shqiptare. Mirëpo, për fat të keq kishte një mospërputhje midis vullnetit dhe zellit antikomunist të Palmer-it dhe oficerëve të tjerë britanikë të misionit dhe kalkulimeve të kujdeshme të Londrës zyrtare për të mos u përfshirë në një mbështetje të hapur apo planifikuar një zbarkim të mundshëm në Shqipëri. Nga dokumentacioni i shqyrtuar rezulton se qoftë Palmer-it dhe më vonë Hoxhsonit, Londra zyrtare i ka tërhequr vëmendje për ndërhyrje në punët e brendshme të qeverisë shqiptare me argumentin se fundi, fundit Qeveria e Përkoshme e dominuar nga komunistët, kishte ardhur në fuqi me vullnetin e plotë të popullit shqiptar e se nuk ishte imponuar nga jashtë. Në deponimet në gjyq të anëtarëve të Bashkimit Demokrat, dëshmohet se ka një devijim nga ajo, çka Londra u kish komunikuar oficerëve britanikë për mbështetjen e opozitës dhe mundësinë e zbarkimit në Shqipëri. Palmeri kishte nënvizuar faktin se nuk ishte pranuar kërkesa për ndërhyrjen angleze për ndryshimin e regjimit në Shqipëri pasi edhe Anglia ishte në pamundësi të zbarkimit të forcave ushtarake pasi ishin okupuar në Greqi. Palmeri ishte shprehur me anëtarë të opozitës”nuk mund të vëmë në rrezik jetën e asnjë ushtari anglez dhe se smund të nisim luftën e tretë botërore për shkak të Shqipërisë. Ky qendrim i britanikëve rezultoi tëishte fatal për shpresat e opozitës antikomuniste shqiptare.
Për fat të keq të historisë së parlamentarizmit në Shqipëri, zgjedhjet nuk u shtynë dhe u zhvilluan në datën e përcaktuar më parë në 2 dhjetor 1945. Fronti Demokratik fitoi shumicën e vendeve në Asamblenë Kushtetuese prej 70 vendesh dhe asnjë kandidat jashtë listave të Frontit, nuk fitoi. Misioni Ushtarak Britanik dhe Misioni Civil Amerikan i ndoqën zgjedhjet nga afër, por u zhgënjyen nga rezultati i tyre. Triumfi në zgjedhjet e 2 dhjetorit nga Fronti Demokratik dhe P.K.SH që qendronte në prapaskenë, u dha komunistëve shqiptarë një vetëbesim për të ecur më tej në projektin e tyre për instalimin e regjimit të tyre. Modeli, mbi të cilin ata bazoheshin ishte modeli sovjetik, që në Shqipëri po instalohej me asistencën e drejtë për së drejtë të jugosllavëve. Modeli sovjetik ishte një sistem totalitar i bazuar në një parti të vetme. Si i tillë, në procesin e funksionimit të shtetit, në të mungojnë ata organizma që shërbejnë si kundërpeshë ndaj pushtetit, që e kontrollojnë dhe e kufizojnë atë nga ndërrmarrja e veprimeve arbitrare . Kundërshtarët ideologjikë të komunistëve gjatë luftës “Balli Kombëtar” dhe “Lëvizja e Legalitetit”, me mospërfshirjen e tyre në luftime të drejtë për së drejta kundër forcave të Boshtit, e kishin humbur legjitimitetin për të ushtruar opozitë në Shqipëri, aq më tepër që shumica e udhëheqësve të tyre ishin në emigrim politik, jashtë Shqipërisë dhe nuk kishin asnjë mundësi për të ndikuar në ngjarjet në Shqipëri. Në këtë kontekst të vetmit që mund të krijonin probleme në instalimin e regjimit komunist në Shqipëri ishte opozita e Bashkimit Demokrat, ndaj për këtë arsye menjeherë pas zgjedhjeve , qeveria e Enver Hoxhës vendosi të marrë masa respresive ndaj tyre. Mjet kryesor në ushtrimin e pushtetit të regjimeve totalitare është tiranizimi. Ai është në vetë përmbajtjejn e totalitarizmit, të sundimit total nga një parti e vetme e udhëheqësi i saj, të nënshtrimit të individit në kuadrin e komb-shtetit. Një numër i madh i eksponentëve të opozitës shqiptare kishin mbajtur kontakte shumë të ngushta me oficerë të Misionit Ushtarak Britanik, si Nënkolonelin Palmer, Kapitenin Smith dhe Togerin Arnot. Të arrestuarit ishin pothuajse të gjithë eksponentët e Bashkimit Demokrat duke filluar nga Gjergj Kokoshi, Musine Kokalari, Sami Qeribashi, Ali Kavaja, Qenan Dibra etj. Rezultoi që pjesa më e madhe e tyre kishte qenë prej kohësh nën survejimin e agjentëve të Mbrotjes së Popullit dhe ndaj tyre u ushtrua një proces hetimor i dhunshëm dhe i egër. Akuzat kryesore drejtoheshin ndaj bashkëpunimeve të tyre me të ashtëquajturit kriminelët e luftës ose të arratisurit në male dhe përpjekje për të rrëzuar me dhunë pushtetin në fuqi. Në këtë proces u përfshinë 75 persona prej të cilëve 9 veta morën dënime kapitale dhe të tjerët u dënuan me burgime të gjata. Procesi hetimor edhe me vonë ai gjyqësor hodhën bazat e sistemit të eliminimit të elitave jokomuniste dhe të kundërshtarëve politikë që do të vazhdonte për pothuajse gjithë periudhën e sundimit komunist në Shqipëri. Ky gjyq i parë ndaj opozitës shqiptare nuk ishte i rastësishëm. E veçantë për mjetin e eliminimit komunist nuk ishte vetëm numri i madh i të eliminuarve, por mënyra e përzgjedhjes së atyre që ekzekutoheshin. Iu dha fund gjykimit në bazë të fajësisë vetiake apo përgjegjësisë vetiake. Dënimi nuk bëhej mbi bazën e akuzës për krime vetiake, por mbi bazën e prejardhjes sociale të të dënuarit dhe të thashethemeve për të. Musine Kokalari u arrestua më 23 janar 1946 dhe e mbajtën 17 ditë në burg.
Mbi Musine Kokalarin u zbatua e njëjta strategji për ta denigruar dhe burgosur. Qendrimi i saj në gjyq ishte një shuplakë ndaj regjimit komunist dhe dëshmi e forcës morale që intiligjenca shqiptare po tregonte përkundrejt totalitarizmit. Me ndërgjegje të plotë ajo kish braktisur muzën e krijimtarisë Kalipso dhe përmes guximit të saj intelektual po hynte në histori duke u shndrruar në muzën e historisë Klio. Musine Kokalari nuk pranoi të merrte avokat mbrojtës në gjyq dhe e shkruajti vetë mbrojtjen e saj. Në gjyq ajo do të shprehej me një guxim të pashoq intelektual e njerëzor se “Unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e saj. Ju mburremi se keni fituar luftën, dhe tani ju jeni fituesi qe doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia!”. Po kështu ajo do të shprehej edhe për alternativën socialdemokrate duke qartësuar se aktiviteti i grupit të vogël socialdemokrat nuk është gjë tjetër veçse një notë e drejtuar aleatëve të perëndimit për shtymjen e votave ku qeveria u njoh me të drejtë opozite. Më 2 korrik të vitit 1946 Musine Kokalari u dënua me 20 vjet burgim nga gjykata ushtarake e Tiranës si sabotatore dhe armike e popullit. Me arrestimin dhe dënimin e Musine Kokalarit u shuan shpresat se regjimi komunist në Shqipëri do të ndiqte një rrugë të moderuar drejt konsilidimit të pushtetit të tij dhe me veprimet e tij arbitrare po shuante rezistencën dhe mendimin ndryshe. Për të filloi kalvari i vërtetë i burgjeve dhe internimeve komuniste që do të degdisnin nga Tirana,Burrel, Shkodër e më në fund në Rëshen, Mirditë deri në fund të jetës së saj. Në ecejaket e degdisjes së saj sa nga një burg në tjetrin nuk mungonin dhe stigmatizimet përsa i përket kredos së saj socialdemokrate. Në vitin 1957 gjatë një inspektimi në burgun e Shkodrës , Beqir Balluku funksionar i lartë i hierarkisë komunisge që edhe e kish arrestuar në nëntor të vitit 1944 do ta pyeste : Si vete socialdemokrate? Në 8 tetor të vitit 1961 ajo u lirua nga burgu dhe u dërgua në internim në Rrëshen. Aty ajo iu nënshtrua një ndjekje të përhershme nga Sigurimi i Shtetit siç dëshmohet nga dosja e saj në arkivat e AIDSSH. Jeta ë Rrëshen është një kapitull tragjik më vete, vuajtjesh e shëmtimesh do të shkruante Musine Kokalari në shënimet e veta. Ata pandehnin se unë nuk e dija. Sa vjet vuajtje e padrejtësi? Nuk kam mbajtur të mbaj një ditar të hollësishëm që do ishte shumë interesant. Ska gjë më të keqe kur njerëzit janë të paformuar ideologjikisht dhe çudi, ardhur nga bangat e Universitetit. Skishin marrë vesh asgjë. Musineja punoi fshesare dhe 11 vjet në ndërmarrjen e Ndërtimit në Rrëshen, mes tullave, llaçit dhe betonit. Kur i mbaroi internimi më 1979 i thanë të shkonte në Gjirokastër, por pasi nuk e lejuan të shkonte në Tiranë, nuk pranoi të lëvizte nga Rrësheni. Ndërroi jetë më 13 gusht 1983. Më 1991 familjarët e saj e zhvarrosën, tani e ka varrin në Shish-Tufinë. Rezistenca e saj morale dhe intelektuale ka lënë gjurmë të pashlyeshme në mendimin intelektual shqiptar.
Trashëgimia politike dhe ideologjike e Musine Kokalarit
Në vitet e mëpasme pas dënimit të Musine Kokalarit dhe përqasjes së P.K.SH drejt një komunizmi sa më ortodoks të lidhur ngushtë ideologjikisht me variantin sovjetik është vështirë të gjurmohen ndikimet e mendimit të saj në të majtën shqiptare. Realizimi i Reformës agrare në 1946 ishte shumë i ashpër dhe i tejkalonte përmasat e një reforme që jepte frymë për ekonominë. Konfederata Ballkanike u mbështet fuqishëm nga udhëheqja komuniste shqioptare deri në denconcimin e saj si koncept nga Stalini, por qartazi Musine Kokalari dhe PSD-ja shqiptare mendonte për një variant tjetër që përfshinte dhe vetëvendosjen e popujve siç dëshmohet dhe nga memorandumi dërguar amabasadës britanike në prag të zgjedhjeve të 2 dhjetorit në 1945.
Në vitin 1948 pas pleniumit të VIII të P.K.SH , Musine Kokalari kujton në librin e vet Si lindi Partia Social-Demokrate (1972) se i kërkuan të mbronte tezat shkurtimisht të Socialdemokracisë . Nuk është e qartë se cili ka qenë qëllimi i kësaj kërkese por fakti që i janë referuar si mendimtare socialdemokrate dëshmon për autoritetin që ajo kish fituar si përfaqësuese e kësaj rryme në Shqipëri. Në shënimet e veta në kapitullin e fundit Përshtypje nga libri “Si lindi Partia Social-Demokrate” (1972), ajo kritikon variantin e socializmit të ushtruar në Shqipëri jo vetëm përsa i përket dhunës së ushtruar dhe mungesës së të drejtave dhe lirive të njeriut por edhe për konceptet teorike që ilustronin marksizmin në Shqipëri. Puna e krahut është e rëndë në socializëm, që thonë që është klasa punëtore në fuqi, punëtori mbetet gjithmonë në fund: qoftë në dituri, aqë më pak në pagesë dhe aq më shumë në mbylljen e tij brenda katër mureve të ndërmarrjes.
PSD-ja e themeluar në shkurt të vitit 1991 nga një grup intelektualësh shqiptare në kuadër të pluralizmit nuk arriti ta përfshinte figurën e Musine Kokalarit si një figurë themeluese të mendimit socialdemokratik në Shqipëri dhe figura e saj iu bashkangjit opozitës së djathtë shqiptare edhe pse ideologjikisht ajo i përkiste spektrit të majtë. Trashëgimia politike e mendimit të saj teorik nuk u morr parasysh as në formimin e sindikatave të pavarura nga politika dhe as për dinjitetin human që ajo kish shkruar aq shumë. Në memorandumin dërguar ambasadës britanike në pjesën politika sociale që dukej që ishte një reflektim i programit të Partisë Socialdemokrate nënvizohej si kërkesë lënia e lirë e organizatave të punëtorëve dhe pjesëmarrja e tyre në vendosjen e kushteve të punës. Revokimi i mendimeve të saj teorike rreth socialdemokracisë mund të jenë një përpjekje e mirë për të ridimensionuar rrugën e tretë të së majtës shqiptare.

Filed Under: Histori Tagged With: Dorian Koci

Fletëza jete

February 10, 2023 by s p

Sharkia e Dervish Shaqës ka ardhur në Kosovë

Skënder Karaçica

UDB-ja serbe e kishte kërkuar Dervish Shaqën,ndonëse i kishte rënë sy fryma e tij për kombin dhe atdheun.E donte Kosovën dhe Dukagjini me kullat prej guri dhe frengjitë,ishin bër kazerma të shpirtit kryengritës të shqiptarëve.

Sharkia dhe kënga e tij,ishin kushtrim për lirinë e Kosovës.Për të shpetuar nga dora vrastare e UDB-së serbe,Dervish Shaqa u ngjit në majat më të larta të bjeshkës për të hyrë në zemrën e Shqypnisë.

Ishte dimër dhe kënga e tij ,,Kur ta ktheva Kosovë shpinën/e lashë borë e gjeta dimën/,qudi se si regjimi i kohës nuk i pati rënë fije këngës së Dervish Shaqës(sic!).

Një shekull me sharki në dorë!Një shekull këngë epike për Kosovën e tij që kishte mall dhe shumë e deshti.Nuk u kthye për të gjallë për të parë burrat e Dukagjinit dhe odat e burrërisë,ku,nëpër kohë kishte kënduar në dasmat e gëzimeve dukagjinase…!

Dervish Shaqa na la trashëhgim këngën dhe melodinë e ,,pentagramit ,,të tij me shpirtin plot zjarr të kombit dhe të atdheut të tij shqiptar,të Kosovës heroike…!

Sharkia e tij ka ardhur në Kosovë!Ketë lajm e lexova përmes shkrimit të shkurtër të Blerim Avdullahut,djalit të mësuesit të veteranit të arsimit shqip në Drenicë,Shefqet Avdullahu nga katundi Zabel i Epërm i Drenicës.

Për fund do të ishte mirë që fofografitë,tekstët e këngëve folklorike,kostumet dhe sharkia e Dervish Shaqës të vendosën në Muzeun Kombëtar në Prishtinë!

Çikago,shkurt 2023

Filed Under: Histori

Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

February 9, 2023 by s p

Valent Qafleshi – historian/

Lidhja Shqiptare e Prizrenit qe një organizim politik i parisë së katër vilajeteve shqiptare në Perandorinë Osmane, themeluar zyrtarisht më 10 qershor 1878 në xhaminë Bajraklie të Prizrenit, ku deri një vit përpara ishte qendra e Vilajetit të Kosovës.
Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend Mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë. Pas firmosjes së Marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të kongresit të Berlinit, i cili me shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan këtë mbledhje, ku do të shpallnin ndarjen përfundimtare nga sundimi osman.
Më 10 qershor 1878 në Prizren të Kosovës, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës. Edhe pse fraksione të ndryshme penguan organizimin e kësaj mbledhjeje dhe një pjesë e mirë e të ftuarve arritën me vonesë Kuvendi i nisi punimet. Dy ishin rrymat kryesore që u debatuan: atdhetarët të cilët mbrojtën idenë e një bashkimi kombëtar dhe territorial, dhe fraksionet osmane të cilët ushtronin presionin që edhe nëse Shqipëria do të funksiononte veç administrativisht, sërish të varej nga Porta e Lartë. Kuvendi, i cili themeloi lidhjen e parë mbarë shqiptarë zgjati 5 ditë dhe numri i delegatëve shkoi në 110-të.
Ndërtesat ku është mbajtur ky Kuvend Themelues LSHP, është shndërrua në Kompleks Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me dy galeri të ekspozitës dhe të etnologjisë, si dhe muzeut historik. I cili vizitohet nga vizitorë vendor e të huaj në mënyrë të organizuar dhe individual.
Në këtë punim do të trajtomë Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dokumenteve, veshjeve, stolive dhe pajisjet tjera të periudhës historike ku është mbajt Kuvendi i Lidhjes Shqiture të Prizrenit e në të cilën përfshihen:
Galeria e artit figurativ,
Sektori etnologjike dhe
Muzeu historik i Lidhjes.
Kompleks Momental Historik i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, është i mbushur me fakte shumë të rëndësishme për historinë e kombit tonë, me karakteristika dalluese nga objektet tjera të trashëgimisë historike të qytetit të Prizrenit.
Vizitohet nga vizitor vendor dhe të huaj, në mënyrë individuale dhe të organizuar përmes ekskursioneve me nxënës e student, me studiues e hulumtues të ndryshëm, ngase ky kompleks Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, simbolizon historinë tonë më të lavdishme kombëtare.
Ciceronet historik e etnologjik të Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e prezantojnë të kaluarën tonë historike përmes shpjegimeve gojore dhe pamjeve vizuale.
Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si tërësi urbanistike dhe arkitektonike në aspektin hapësinor shtrihet në qendër të qytetit të Prizrenit dhe ka vlerë të veçantë kulturore, historike, arsimore, shoqërore dhe mjedisore.
Ky Kompleks ndodhet në mes të lumit Lumbardhi, Kompleksit të Marashit (Mësonjëtorja Dersëhanja), Rrapit të Marashit, dhe shpateve të Kalasë së Prizrenit.
Në kuadër të Kompleksit ndodhen Ndërtesa e Lidhjes së Prizrenit, Muzeu, Biblioteka dhe Leximorja, Galeria e Arteve, Medreseja, Xhamia e Mehmet Pashës, Tyrbja si dhe objektet e banimit.
Në këtë Kompleks është mbajtur Lidhja e Prizrenit – një organizim politik i vilajeteve shqiptare me 10 qershor, 1878 e qe si qellim kishte mbrojtjen e territoreve shqiptare nga aneksimi i shteteve fqinjëve dhe bashkimin e shqiptarëve në një vilajet autonom.
Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është njëra nga vlerat më të çmuara të Trashëgimisë historike të Prizrenit.
Ky kompleks monumental është ndërtuar nga Gazi Mehmet Pasha, në gjysmën e dytë të shekullit 16-të.
Në këtë objekt u mbajt Kuvendi Themelues i Organizatës Politike Ushtarake e Mbarëkombëtare e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ky organizëm me rëndësi të madhe historike, në fillim të vitit 1881, arriti të formojë Qeverinë e Parë të Përkohshme Shqiptare me kryetar Ymer Prizrenin.
Deri në mesin e vitit 1968, Dresëhanja (mësonjëtore e Medresesë së Gazi Mehmet Pashës) funksionoi si zyre e Këshillit Komunal të bashkësisë Islame të Prizrenit.
Në korrik të vitit 1967, themelohet Enti për Urbanizëm dhe Mbrojtjen e Përmendoreve Kulturore dhe të Bukurive Natyrore të Komunës së Prizrenit. Ky institucion, me Vendim nr. 260/68, të datës 5 prill 1968, në bazë të nenit 44 pika 8 të Ligjit për Mbrojtjen e Përmendoreve Kulturore (fleta zyrtare nr. 3/66), vlerëson si përmendore Rezidencën Qeveritare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe objektin e vuri nën mbrojtjen e shtetit.
Me rastin e shënimit të 90-të vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Rezidenca shndërrohet në Muze të Lidhjes së Prizrenit, me funksion të ruajtjes dhe prezantimit të eksponateve, që kishin shpëtuar prej rrebesheve të kohës, qofshin ato dokumente, apo dhe eksponate tredimensionale.
Me 10 qershor 1968, ishte bërë hapja solemne e saj.
Në 100 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më vitin 1978, u kryen punimet restauruese dhe konservatore, në objektin e dikastereve të Lidhjes. Në përdhese u inaugurua sektori etnologjik.

Sektori etnologjik i Kompleksit
Sektori etnologjik përfshin pesë dhoma të katit përdhese të ish medresesë.
Ky sektor ka 650 eksponate të veshjeve kombëtare, zejeve dhe artizanaleve të periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Eksponatet janë nga Kosova, Shqipëria, viset shqiptare të Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi.
Nga Kosova përfaqësohen veshjet kombëtare të Prizrenit, të Gjakovës, të Deçanit, të Rugovës, të Junikut, të kardiakut të Gjilanit etj.
Nga Shqipëria përfaqësohen nga veshjet kombëtare, armetë dhe stolitë e rajonit të Mirditës, të Malësisë së Tiranës dhe të Lunxhërisë e Përmetit.
Nga viset shqiptare të Maqedonisë së Veriut përfaqësohet veshjet kombëtare të malësisë së Tetovës, të Kumanovës, të Dibrës dhe të Kërçovës.
Ndërsa, nga viset e shqiptare të Malit të Zi përfaqësohen veshjet kombëtare të Plavës e Gucisë, të Ulqinit dhe të Krajës.
Prej periudhës 1981-1999 u ndërpre veprimtaria rreth grumbullimit të mëtejmë të eksponateve etnologjike, andaj ndihet nevoja për të blerë veshje të caktuara për burra dhe gra, armë, stoli dhe objekte zejtare të viseve mbarë shqiptare për konsolidimin e sektorit etnologjik të kompleksit monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Galeria e arteve të kompleksit të LSHP
Galeria e arteve figurative përfshin katin e parë të ish Medresesë dhe ka 61 eksponate figurative të ekspozuara dhe 33 sish në depo.
Kryesisht portretizohen figurat më markante të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe piktura nga ngjarje historike të periudhës së Lidhjes.

Muzeu historik i Kompleksit Monumental të LSHP
Muzeu u Kompleksit të ndodhet në ndërtesën e Lidhjes ka eksponate të ndryshme si harta historike, fotografi, dokumente origjinale të Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe mjete personale të personaliteteve pjesëmarrëse të krijimit dhe Kuvendit të lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Në vitin 1986, Muzeu i Lidhjes, u grabit Unaza e arit e Ymer Prizrenit, një relikt jashtëzakonisht i çmuar dhe më vlerë të shumë të madhe, ndërsa në vitin 1991, u vodhën dymbëdhjetë eksponate origjinale nga Muzeu Historik i Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Më, 27 mars të vitit 1999, u dha urdhri që Muzeu Historik i Lidhjes Shqiptare të digjet se bashku me të gjitha eksponatet, duke i dëmtuar dhe të gjitha monumentet tjera që gjendeshin në oborrin e kompleksit, ndërsa pas disa ditëve e rrafshojnë vendin dhe në vend të kësaj ndërtesë mbjellin thera.
Rindërtimi dhe përurimi i godinës së Muzeut Historik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u bë me rastin e festës së 28 Nëntorit të vitit 1999, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit.
Pas rindërtimit të këtij muzeu, ai u pasurua me disa eksponate të riprodhuara dhe relikte origjinale të kohës.
Sot ky Muze posedon gjithsejtë 1159 eksponate dhe bibliotekën me gjithsejtë 874 ekzemplarë. Prej eksponateve sektori e historisë i ka 101 eksponate të ekspozuara dhe 214 tjera në depo.

Menaxhimi dhe Mbrojtja e Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
Ky kompleks, menaxhohet drejtpërdrejtë nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore
të Prizrenit, përgjegjësi i Kompleksit, shefi i sektorit të Historisë, shefi i sektorit të etnologjisë dhe të galerisë së arteve figurative.
Ndërsa institucionet për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë historike-kulturore janë:
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Prishtinë
Këshilli i Kosovës për Trashëgiminë Kulturore (KKTK).
Muzetë
Arkivat, OJQ si, “CHWB”, “Ec Ma ndryshe” etj.

Si dhe me Ligjin Nr. 04/L-066 për Qendrën Historike të Prizrenit, përfshin edhe këtë kompleks, i cili sipas nenit 1, të këtij ligji thuhet, “qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për mbrojtjen, administrimin dhe zhvillimin bashkëkohorë të qëndrueshëm të Qendrës Historike të Prizrenit si pronë e trashëgimisë kulturore dhe historike në mbrojtje të përhershme dhe të klasifikuar si Zonë e veçantë e mbrojtur me vlera të interesit lokal, shtetëror dhe ndërkombëtar”. Me këtë ligj parashihen dispozitat për ruajtjen dhe mbrojtjen e Trashëgimisë historike të Prizrenit.

Përfundimet
Studimi trajton Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe vizitatave që i behën qofshin ato të rastësishme ose të organizuara nga vizitorë vendor e të huaj, me të cilën më se miri shprehet historinë publike, me interesimin e tyre për çdo imtësi historike që shohin e dëgjojnë nga ciceronet e kompleksit, e ku janë të ekspozuar në muzeun historik, galerinë e arteve figurative dhe seksionin e etnologjisë, dhe mbresat e krijuara do ti bartin tek personat tjerë.
Ndërsa, menaxhimi dhe mbrojta e Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, bëhet nga institucionet komunale e qendrore, po ashtu edhe me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit.
Në veçanti nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe stafi i Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke filluar nga përgjegjësi i Kompleksit, shefi i sektorit të muzeut historik, shefi i sektorit etnologjik dhe galerisë së artit figurativ.

Bibliografi

Alija Kosovare, Menaxhimi i programeve për ruajtjen e historisë dhe vlerësimi i lëndës arkivore, Revista periodike “Arkivistika 1-2”, Tiranë, 2017.
Katalogu me eksponate nga rajoni i Prizrenit; botues, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore-Prizren, Prizren, 2017.
Ligji Nr. 04/L-066 për Qendrën Historike të Prizrenit.
Marrë nga shpjegimet e përgjegjësit të Muzeut të Kompleksit Monumental të LSHP, Dashnor Uka.
Vendimin nr. 260/68, dt. 05.04.1968, i Entit për Urbanizëm dhe Mbrojtjen e Përmendoreve Kulturore dhe të Bukurive Natyrore të Komunës së Prizrenit.

Filed Under: Histori

TECHNOLOGY REVIEW (1981) / ÇFARË ËSHTË NJË FOTOGRAFI? — PËRGJIGJJA E FOTOGRAFIT SHQIPTAR ME FAMË BOTËRORE GJON MILI DHE NJË KOMENT PËR LIBRIN E TIJ “FOTOGRAFI DHE KUJTIME”

February 7, 2023 by s p


Takimi i blicëve (flashëve) — Ishte në fillim të viteve 1930 kur Gjon Mili, i cili studionte në atë kohë ndriçimin për fotografinë filmike në Westinghouse, u takua me profesor Harold E. Edgerton, dhe dritat stroboskopike të shpejtësisë së lartë të këtij të fundit. Përgjigja ishte e menjëhershme : “Si mund të siguroj një grup të këtyre llambave të reja?” Kur Gjoni premtoi të linte punën e tij në Westinghouse dhe të krijonte studion e parë në vend me drita strobe, përgjigja e “Doc” Edgerton-it ishte e menjëhershme dhe autoportreti në të majtë është një nga rezultatet e hershme të këtij bashkëpunimi. Këtë vjeshtë, një retrospektivë e fotografive të shumta të z. Mili ka pushtuar galerinë Margaret Hutchinson Compton në Qendrën Alumni M.I.T. dhe në fund të tetorit z. Mili më në fund u shkëput nga detyra e shkrimit të kujtimeve për të marrë lavdërimet e miqve të tij të shumtë nga Kembrixhi. Ndër të pranishmit (nga e majta në të djathtë) : Frank Massa, Z. Mili, Profesor Edgerton dhe Kenneth J. Germeshausen. (Fotografi : © Edward J. Alshut) – Burimi : Technology Review (1980-03), botuar nga Massachusetts Institute of Technology.


Nga Aurenc Bebja*, Francë – 7 Shkurt 2023

“Technology Review” ka botuar, në prill të 1981, në faqet n°61-62, dy shkrime dedikuar asokohe fotografit të famshëm me famë botërore Gjon Milit, të cilët, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

Çfarë është një fotografi ? pyet Gjon Mili, në tekstin që shoqëron foton e tij të një xhongleri (faqja përballë). Ai përgjigjet : “Një fotografi është një lidhje e shkurtër mes largpamësisë dhe rastësisë. Nuk ka nevojë të ftojë reflektim, por përkundrazi të krijojë një tronditje që paralajmëron shikuesin për çuditshmërinë e pasazhit. Në këtë faqe : Tanaquil Le Clercq, në “La Valse”, 1961. 

Gjon Mili : Fotografitë që kapin kohën, lëvizjen dhe njerëzimin

Burimi : Technology Review (1981-04), botuar nga Massachusetts Institute of Technology
Burimi : Technology Review (1981-04), botuar nga Massachusetts Institute of Technology

“Ndihem shumë më i ri vetëm duke qenë këtu”, i tha Gjon Mili, një grupi të madh të mbledhur për të parë fotografitë e tij.

Ai tregoi disa faqe nga libri i tij i sapobotuar “Fotografi dhe kujtime (Gjon Mili: Photographs and Recollections Boston : New York Graphic Society, 1980, $40.00)” (shih përmbledhjen e librit, në këtë faqe) – një përpjekje, thotë ai, që e kishte në mendje prej dy dekadash. “Më thanë se duhet të jem krenar; kjo është punë e vështirë. Jam i kënaqur me të vërtetë që nuk kam dështuar”, tha ai.

Ai kujtoi :

“Doc Edgerton (Harold Eugene Edgerton) dhe unë ishim në M.I.T. në të njëjtën kohë. Ne po merrnim “tatëpjetën”, duke ecur pranë njëri-tjetrit në sallë. Më pas, në vitin 1937 erdhi një moment vendimtar. Doc Edgerton dha një leksion mbi një blic të ri me shpejtësi të lartë.

Më pas ai më ftoi të bisedoja me të. Unë i thashë : “Unë punoj për Westinghouse; por nëse më jep dhjetëfishin e dritës, unë do të heq dorë dhe do të punoj me ty.” Ai e bëri, dhe unë e bëra. Ishte e mrekullueshme të punoje me Doc në një zbulim (përparim) të madh në fotografi.

“Pas 10 vitesh përdorimi të strobeve (bliceve), mendova se duhej të zgjeroja fushën time dhe fillova të bëja fotografi pa strob (blic). Mësova gëzimet e humanizmit.”

Fotografitë e tij të kësaj kohe janë studime në lëvizje. Çdo gjë që lëviz duhet të ndalet, thotë ai. Një balerin duke u ngritur, ndalon para se të zbresë. Z. Mili e kap atë pauzë, me një fotografi të realizuar në një teatër pa dritë strobe (blici). “Njerëzit thonë si e bëre? Dhe unë them që nuk e bëra, e kapa momentin.

“Çfarëdo që nuk është ashtu siç duhet të jetë me fjalë, është e tillë në fotografi”, shton ai.

Ai shpjegoi fotografinë e tij të Pikasos duke vizatuar me dritë. “Ai qeshte me mua – nuk ishte serioz. Kështu që unë dola me një ide; vizatim me dritë, dhe ai u fut në të menjëherë.”

Nëse nuk ka aksident, nuk ka kuptim në fotografi. “Duhet të kesh ndjenjën se jo gjithçka studiohet”, thotë ai.

Fotot e Milit të Watergate janë të jashtëzakonshme. Ai vendosi të bëjë një foto të John Dean në momentin e betimit, shpjegoi ai. “Vendosa të shkrepja spektaklin – fotografët u rreshtuan të gjithë, krah për krah, u stërvita për dy javë për të shkrepur, pa blic, duke e mbajtur aparatin pa dridhje. E dija që do të kisha dy mundësi. Isha trim, tha ai, dhe shfrytëzova rastin.” Dhe rezultati duhet të jetë fotografia e parë në historinë e Watergate. – M.L.

Si ia ka kushtuar jetën Gjon Mili “përplasjeve të shkurtra ndërmjet largpamësisë dhe rastësisë”

Gjon Mili : “Fotografi dhe kujtime — Photographs and Recollections” Boston: New York Graphic Society, 1980, Çmimi 40 $.

Komentuar nga James R. Killian, Jr,

Në vitin 1937, Gjon Mili dhe Harold E. Edgerton morën pjesë në një simpozium në M.I.T mbi ndriçimin në fotografi. Mili, me origjinë nga Shqipëria, ishte diplomuar për inxhinieri elektrike në Institut në vitin 1927 dhe shkoi në Westinghouse, ku, pas një periudhe stazhi, filloi studimin e ndriçimit. Pikërisht gjatë këtij simpoziumi të vitit 1937, ai zbuloi dritat strobe (blicin) që përfundimisht do ta drejtonin atë në një karrierë të re, atë të foto-gazetarisë.

Me llambat e vogla elektronike të vëna në dispozicion të tij nga Edgerton, Kenneth Germeshausen dhe Herbert E. Grier, ai ishte nisur dhe vraponte si fotograf stroboskopik (me blic). Ai shkrepi një grup fotografish “stop-action” që u pranuan me entuziazëm nga revista e re e atëhershme “Life”. Vetë Edgerton kishte bërë tashmë fotografi stroboskopike, të cilat për herë të parë ofronin pamje të mprehta të pikave të qumështit, plumbave dhe kafshëve që lëviznin shpejt. Në këto ditë fillestare të fotografisë me strobe (blic), ai më vuri në dispozicion një sekuencë fotografish për botim në Revistën Teknologjike (Technology Review).

Burimi : Technology Review (1981-04), botuar nga Massachusetts Institute of Technology
Burimi : Technology Review (1981-04), botuar nga Massachusetts Institute of Technology

Mili u dallua shpejt si fotograf pionier profesionist stroboskopik, duke bërë fotografi që zbulojnë lëvizjet, shumë prejt tyre të realizuara për revistën “Life” duke përfshirë kështu atletë, kërcimtarë të famshëm, aktorë, muzikantë dhe artistë të tjerë në aksion.

Së bashku me Edgerton-in, ai solli një revolucion në fotografi dhe ndihmoi shumë në ndërtimin e reputacionit të “Life” si një revistë kryesore e këtij mediumi.

Tani, në “Fotografi dhe kujtime — Photographs and Recollections”, të botuara në mënyrë elegante, Mili paraqet përzgjedhjen e tij nga fotografitë e paharrueshme që ka bërë që nga fotografia e tij e parë me blic në 1937. Ato ilustrojnë jo vetëm mjeshtërinë e tij në teknikat e blicit elektronik, por edhe komandimin e tij të gjithanshëm për fotografinë pa blic. Ai mësoi përdorimet dramatike të fotografisë me ndriçim të pasëm dhe kështu u dha shumë prej figurave të tij që lëviznin shpejt një profil drite eterik dhe shkëlqyes. Fotografia e balerinëve Charles Wiedman, Jose Limon dhe Lee Sherman, “Shpirtrat e paqetë që enden në hapësirë — Unquiet Spirits Cavorting in Space”, është vetëm një shembull i asaj që do të bëhej shenja e tij dalluese. Ai gjithashtu solli në përdorim të mrekullueshëm ndriçimin e pasëm në fotografitë e tij me ekspozim të shumëfishtë, siç është versioni i tij i pashmangshëm fotografik i “Nude Descending Staircase”.

Në një deklaratë për Milin për një ekspozitë të fotografive të tij në Paris, i ndjeri Jean-Paul Sartre theksoi se “Ky Mili është një kurth njeriu. Ai është plot me hile të zgjuara që të bëjnë të pakujdesshëm. Ai nuk kënaqet thjesht të fotografojë personazhe të famshëm në aparatin e tij; ai e bën çdo foto një test, një provë. Nëse ju bën pjesë të koleksionit të tij, ai jo vetëm që do t’ju fiksojë, të gjithë të gjallë dhe të duke luftuar, në tabelën e tij të specimenit; por, përtej kësaj, ai do t’ju ketë vëzhguar, do t’ju njohë në të gjitha mënyrat.”

Nga fotografi të tilla biografike të Milit që zbulojnë personazhet, gjeta me interes të jashtëzakonshëm sekuencat e violonçelistit Pablo Casals dhe dramaturgut Sean O’Casey. Marrëdhënia e Milit me Casals zgjati më shumë se dy dekada dhe ai e tregon violonçelistin gjatë vetë-mërgimit të tij në Prades, Francë, dhe më pas në vitet e tij të fundit në San Juan, Puerto Rico. Meqenëse kam pasur privilegjin të njoh Rudolf Serkin, u ndjeva veçanërisht i emocionuar me një fotografi të Casals dhe Serkin duke u përqafuar pasi Casals u përlot nga aktrimi “i bukur” i Serkinit. Sekuenca e Milit me O’Casey në 1953 doli të ishte një “ritual i ngrohtë dhe i gëzueshëm” për të dy. Siç bën me Casals-in, Mili i plotëson interpretimet e tij pikturale me tekste informuese dhe perceptuese. Në fakt, në të gjithë albumin ka pasazhe të ndjeshme në prozë, të cilat i japin një dimension shtesë portreteve të personazheve që zbulojmë.

Në tekstin që shoqëron fotografinë e një xhongleri, Mili pyet “Çfarë është fotografia?” dhe ai përgjigjet duke thënë se “është një lidhje e shkurtër mes largpamësisë dhe rastësisë. Nuk ka nevojë të ftojë reflektim, por përkundrazi të krijojë një tronditje që paralajmëron shikuesin për çuditshmërinë e pasazhit.”

Përveç interpretimeve të tij të shumta piktoreske të burrave dhe grave të famshëm, janë edhe vizionet e freskëta të Milit të ndërtesave madhështore, të rrënojave romake, dhe të skulpturës klasike, të Rilindjes dhe bashkëkohore.

Përmbyllja e librit është një epilog kushtuar një vizite që ai bëri në Bukuresht pas 48 vitesh në Amerikë dhe një homazh prekës për nënën e tij, së cilës Mili ia kushton me dashuri librin e tij.

Por ndoshta më i miri nga të gjithë portretet në libër është shprehja e tij jo pikturale e Milit, e shfaqur në mënyrë të pandërgjegjshme nga ky koleksion i madh portretesh dhe kujtimesh. Natyrisht, ai është një humanist në ndjenja, i ndjeshëm në art dhe bujar në shpirt.

Ne në M.I.T. gjithmonë do ta vlerësojmë trashëgiminë tonë të këtij talenti të madh, duke përfshirë në koleksionin e M.I.T. skena të cilat Mili i fotografoi dhe i përgatiti për publikim vite më parë si homazh i tij për alma mater-in e tij.

James R. Killian, Jr., ishte kryeredaktor i “Technology Review” kur imazhet e para stroboskopike të profesor Harold E. Edgerton zbukuruan faqet e saj dhe ata bashkëpunuan në një vëllim që kronizon këtë zhvillim të fotografisë me shpejtësi të lartë : “Moments of Vision: the Stroboscopic Revolution in Photography.”

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

PAL ËNGJËLLI, KRYEIPESHKËV I DURRËSIT I SHKRUAN GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT – PRINCIT TË EPIROTËVE PËR FILLIMIN E LUFTËS KUNDËR SULLTANIT OSMAN – MEHMETIT TË II-TË

February 3, 2023 by s p

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies

Budapest/

Studimi i literaturës burimore dhe asaj arkivore dhënë rezultate të jashtëzakonshme në fushën e albanologjisë në përgjithësi, e veçanërisht në fushës e historisë. Përqëndrimi i këtyre studimeve është bërë kryesisht në shekujt XIV-të e XVI-të. Saktësimi dhe nxierrja në dritë e të dhënave burimore të reja, kanë bërë që shumë ngjarje, data dhe personalitete të zënë vendin që ju takon, qofshin ato të njohura [ditura] apo fare të reja. 

Në kuadër të botimit të letërkëmbimit të Skenderbeut, kësaj radhe botojmë një letër të Pal Ëngjëllit dërguar Skenderbut. Letra, ç’është e vërteta është botuar në vitin 1596, por ka mbetur thuajse krejt e panjohur për studiuesit e vepërës së Pal Ëngjëllit dhe Gjergj Kastritotit – Skenderbeut, në librin:

 SELECTISSIMARVM ORATIONVM ET CON/ SUSLTATIONUM/ DE BELLO TVRCICO/ VARIORVM ET DIUERSORUM/ AVCTORUM,/ Volumen Tertium;/ Pars altera,/ Ad reges et principes/Christianos,/ Recensente/ Nicolao Revsnero Leor.Iurisc. & Consiliario Saxonico. /1596/ Lipsae,/ Cum privilegio Caesareo et Saxonico/ Auctori concesso./ Impensis HENNINGI GROSII Bibliopolae./ [f. 14] + 1-200 + [4], origjnali i së cilës ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit në Vatikan.

Origjinalin e kësaj letre, ne kemi pasur fatin ta gjejmë në Arkivin Sekret të Vatikanit, fondi: Miscellaniae – ARM. II. Vol. 3, f. 653r-657v [ose paginimi i vjetër: 648r-652v]. Këtë dokument e kemi transkriptuar, transliteruar dhe përkthyer në gjuhën shqipe. Këtë letër e përmend edhe Marin Barleti në veprën e tij: “Histori e Skenderbeut” por me disa ndyshime, gabime dhe lëshime të ndieshme.

Duke pasur për qëllim kryesor të theksojmë se burimet që ka shfrytëzuar M. Barleti kanë qenë të sakta dhe korrekte, që bie ndesh me pohimet e shumë “hisotrianëve” dhe “studiuesve” të veprës së Barletit, por edhe figurës së Gjergj Kastritoit – Skenderbeut, ngase, këta “historianë e studies” nuk kanë shfrytëzuar burimet origjinale, nuk kanë pasurë në dorë literaturë të  mirfilltë shkencore, nuk kanë bërë hulumtime serioze shkencore nëpër arkiva e biblioteka [në këto të fundit, sidomos në sektorin e librit të rrallë dhe të dorëshkrimeve], por pohimet e tyre i mbështesin nga ato që kanë “dëgjuar”, apo nga literatura të cilët ju kanë “servuar” të tjerët, e cila në të shumtën e rasteve vuan nga difekte serioze, qofshin ato të qëllimshme, të vetëdijshme ose të bëra nga moskujdesi i atyre që i botuan; nga shkurtimet e shumta, shtrembërimet e datave, ngjarjeve e të mos flasim për gabime të toponomastikës dhe onomastikës.

Dokumenti që kemi në dorë është lëshuar nga Durrësi, ku e kishte selinë kryeipeshkvnore, imzot Pal Engjëlli dhe është shkruar nga një scribes i sprovuar i kryeipeshkvisë, siq ishte zakon i kohës. 

Ne nuk kemi arritur të sqarojmë: pse kjo letër në origjinal ruhet në Arkivin Apostolik të Vatikanin? E vetmja arsye mund të jetë, që kryeipeshkvi, imzot Pal Engjëlli e ka dërguar në Selinë e Shejtë, si dëshmi për përpjekjet që ka bërë për të bindur Gjergj Kastriotin Skenderbeun për të prishur marrëveshjen për armëpushim që ky kishte bërë me sulltanin Mehmetin e II-të.

Studimi i kujdesshëm i këtij dokumenti nxjerr në pah aftësinë e jashtëzakonshme të të shprehurit të imzot Pal Engjëllit, njohurit e tij të thella për të kaluarën e fisit dhe sulltanëve osman si dhe rrezikun që kanoset nga mos-rrespektimi i fjalës dhe dokumenteve të shkruara që më shumë se një herë kishte ndodhur në mes të Gj. K. Skenderbeut dhe sulltanëve.

Në vijim sjellim përkthimin e këtij dokumenti në gjuhën shqipe sipas origjinalit që ruhet në Arkivin Apostolik të Vatikanit.

*************************

Përshendetje në Zotin tonë Jezus Krishtin për birin, sundimtarin, prinicin dhe fisnikun tonë të nderuar Gjergj Kastriotin të ashtuquajtur Skenderbe.

 O princ i pamposhtur, do thërriste Platoni, e lumtur dhe e begatë është republika, mbretëria dhe perandoria, kur ajo udhëhiqet nga një njerëz shumë të mirë dhe shumë të ditur. Kështu në fakt në këtë kohë ne shikojmë (admirojmë, m.a.) dritën e qartë që i ka ardhur Shqiperisë sonë, e cila udhëhiqet nga ti, nga një princ shumë i ditur, perandor i përsosur, kont i pamposhtur. Për këtë shkak, jo pa arsye, të gjithë fqinjët, princërit dhe mbretërit e afërt të drejtohen ty, si komandantit të vetem energjik, të dërgaur nga qielli, për të mbrojtur perandoritë dhe mbretëritë e tyre nga çmenduria dhe egërsia otomane e barbare, të cilët presin të udhëhiqen nga ushtria jote. Ata të cilët gjithnjë deri tani ishin të mbrotjur shkëlqyeshëm dhe për mrekulli nga armët dhe mençuria jote; nga vendosmëria dhe trimëria e komandantëve dhe ushtarëve tuaj. Sikur që deri tanii, sigurisht, këtë e ka vërejtur Mehmeti i II-të mendjepreht dhe shumë dredharak; çrrënjonësi më i rrezikshëm i besimit të krishterë, dëshiron që me egërsinë e tij, të shpreh urrejtjen e tmerrshme që ushqen ndaj emrit të krishterë.

Duke shfrytëzuar dredhitë e tija dhe dinakërinë e njohur otomane, ka arritur të bëj aleancë me ty, dhe ti me të, duke bërë paqe ke shmangur luftën; për të mos qenë i sulmuar nga forca e armëve tua, të cilave ju ka shumë frikën, kështuqë me shumë lehtësi ka pranuar të gjitha kushtet e paqes, të cilat ti i ke kërkuar. 

Por mjerë ai, princ i papmposhtur, që duke bërë të gjitha këto me ty, me premtime të një barbari dhe me mashtrime të ndryshme, ka bërë aleancë me ty, që së pari të heq qafe fqinjët tuaj, pricërit, mbretërit dhe sunduesit e krishterë; dhe pastaj të kthej armët e tij, kundër forcave tua. Nuk ka njeri, që nuk i vëren këto qëllime të tijat. Ku ndodhen tani sunduesit e Rashës? Ku janë mbretërit ilirë? Ku u zhdukën mbretërit e Trapezuntit dhe Konsatinopojës? 

Tani ka vendosur të kthehet nga ti, tani kur është prishur aleanca, kur janë shkelur premtimet, dhe pronat tuaja gjithandej janë shkretëruar. Aleatët tu, i nxit kundër teje dhe i shqetëson me sulme të pandërprera. Kush megjithatë, mundet, princ i shkëlqyer, të sqarojë urrejtjen e madhe që ushqen ky tiran i egër, ndaj teje? Mendon ti, se ai do të harrojë vdekejn e të atit, Muratit të II-të, i cili vdiq nga hidhërimi i humbjes së ushtrisë së tij, vrasjes së shumë oficierëve, prijësve dhe komandantëve, pa hakmarrje? Ti ju beson fjalëve dhe premtimeve që të bën ai; dhe i pranoni si të tilla? Beson se do të mbajë fjalën e dhënë? Do të mbaj fjalën që kurrë nuk të ka dhënë me sinqeritet; dhe të gjitha këto të deritanishmet, që asnjërën nuk e ka mbajtur. Kush ndonjëher ka mundur, i dashuri Zot, të numëroj fjalët dhe fyerjet që ka bërë ky tiran i tmerrshëm? 

Megjithatë, atë që kam bërë në heshtje, e llogaris si mëkat. Sulmet e vrullshme, kur për këtë ekziston ndonjë kënaqësi, ndaj mizorit dhe kriminelit, duhet nxierr në dritë dhe emruar kryesit e mëkateve dhe krimeve, nga të cilët, të tjerët, duke shikuar mëkatet dhe të këqijat, do të përmbahen. Pra kështu, as zgjuarsia nuk duhet lënë anash, dhe të mos vlerësohet, kështu as mëkati, të mos lihet pa u qortuar. Domethënë, nga njëra dhe tjetra, fitohet fryt i ngjajshëm – nga të mirët, të cilët duhet lavdëruar dhe të këqinjët që duhet qortuar. E drejtë është, megjithatë, që të gjithë të këqinjët dhe kriminelët të gjykohen për veprat e tyre; me të vërtet ky Mehmeti i II-të më shumë nga të tjerët, i tejkalonë ata me mizoritë e tija. Gjithsesi, jeta e tij, është me vepra të këqija, aq më parë kur ky si i njohur, ju shmanget atyre për ti parakaluar sa më lehtë. 

Mehmeti i II-të është i lindur në vendin më të poshtër dhe më fatëkeqin; dhe nga prindër shumë të pandershëm, në atë fis, i cili nga barbarët ka qenë zakon të renditet nga një pozitë e ulët, në një edhe më të ulët. Meqenëse Skitët e Meotit janë më të ulët se barbarët, ai vetë pohon se është i lindur në atë vend fatkeqë dhe të diskredituar. Krahinë e lindjes së tij është Skitija, ndërsa fshati Otoman, nga i cili e ka origjinën, ka rrënjët nga familja Otoman, njerzit e së cilës deklarojnë, se ishin skllevër. Nuk ka gjë më të ulët dhe më fyese se origjina dhe parardhësit e tij. Muratit të II-të pra, të atit, nga i tëri fisi i tij, meqenëse ishte nga familje Otomane, me origjinë skllave dhe gjithmonë e robëruar, më së paku i është lejuar të ketë pushtetin. Mbretëritë aziatike i ka pushtura me dredhi dhe krime, çdo gjë e ka zmadhuar dhe rritur, derisa mbretëria është zgjeruar mbi bazë të krimeve, në fillim është ngritur aq lartë sa kishte frikë nga vetë madhështia e tij. 

Megjithatë të kalojmë te karakteri i tij. Mehmeti ka fuqi të shumta fizike dhe shpirtërore; por vese të këqija dhe të degjeneruara; armik i gjinisë njerzore; gjakpirës, koka e krimit, kampion i të gjitha të dredhive, nxitës i vdekejs, baba i të gjitha poshtërsive, vrasës ordiner. Kishte lindur te njerëz që kishin një traditë të tillë, duke ruajtur shfrenimin dhe egërsinë barbare; gjithashtu në çdo moshë ishte i bastardhuar. Në rininë e tij, luftërat, vrasjet, rrëmbimet dhe përleshjet, i kishte shumë qef. Shpirt të paturpshëm, tinzar, mashtrues, dëshirues i të huajës, i pakontrolluar në epshe, kërkues dhe i pangopur, insistues për plotësim dëshirash, i pa besë. 

Në të, pra, kishte më shumë se sa mund të thuhet me fjalë, i ishte rritur dëshira për paranë dhe pastaj edhe për pushtet. Ky është ai Mehmeti i II-të i cili nga verbëria për pushtet ka therë të vëllanë; me dredhi vrau sunduesit e Rashës dhe mbretin e Bosnjës, ndërsa të afërmit e tyre i bëri robër dhe skllevër, duke ju nxierr sytë ose duke ju gjymtuar ndonjë pjesë tjetër të trupit. Çfarë të të them për të tjerët në të cilët ka porvuar të gjitha mënxhyrat e torturave? Kështuqë karakterin dhe vetit e tija jo njerzore, kurrë nuk mund ti ndryshojë. 

Në besim ndaj Zotit është i pamoralshëm, ndaj njerëzve armiqësor; çdoherë shkon drejtë shkatërrimit. Miqësitë dhe armiqësitë nuk i bën sipas rastit, por sipas fitimit. Për asgjë nuk ka masë, për asgjë nuk vepron me arsye, ndaj miqëve sillet me neveri dhe vrazhdësi, hapur dhe në emër të tij, plaçkit dhe dhunon vendet e shenjëta, rrëmben çdo gjë, grabitë çdo gjë, pa asnjë arsye ngatërron ndershmërinë, pastërtinë dhe shenjtërinë njerzore. Pothuajse të gjithë kundërshtarët i ka vënë nën zgjedhë, i ka vrarë dhe kthyer në skllevër, të tjerët. 

Prandaj, çfarë është e re, i shklëqyeri Zot, mos mendon se besëthyeri Mehmet të II-të do të mbaj premtimin? Kur ai është i ndotur me çdo lloj mëkati; ju përmbahet vetëm krimeve fisnore dhe trashëgimisë së çodroditur. Kështuqë mos i beso tiranit, mos ju beso fjalëve dhe premtimeve; por, përbahu nga çfardo miqësie me të. Paqen të cilën ai vetë e ka shkelur dhe prishur, llogarite si të përfunduar dhe mos lejo që për këtë shkak të mos e luftosh. 

Përkujdesu për vete dhe për mbretërinë tënde, që barbari mos të arrij të të mposht me anë të kurtheve dhe dredhive të ndryshme. Barbari nuk mendon asgjë, nuk bën veprime ngase nuk e lejon shpirti i bastardhuar, pos premtimeve se do mposhtë dhe shkatërroj çdo gjë të krishterë, për çka unë çdoherë të kam, [siq e din, m.a.], këshilluar që të jesh i kujdeshëm dhe vigjilent. Këtë e ke dëshmuar me betim dhe më kujtohet se shpesh ke folur se je i lindur për të rujatur dhe për të mbrojtur fenë. Përse atëher, do të të pyes, ule armët dhe bëre paqe? Ndoshta për shkak të jetës së ushtarëve tuaj, të cilët janë të prirur për dembeli, ti le në baltë fesë së krishterë, të cilën tirani barabrë po tenton ta shuaj? Harrove të mirat e përgjithëshme? Ke zgjedhur të jetosh vetëm për vetën tënde? Mbase llogarit që nga kjo do të kesh përfitime për shkak të pozitës tënde të ndryshuar? Komandanti veteran, komandanti, më i guximshmi në luftë, qëndron duarkryq? 

Tani dikush do të vërej për turpin e madh, se qenka shuar ai zjarr i madh në karakterin e sunduesit të fuqishëm, duke ju përkushtuar pushimit dhe mospunës; ndërsa miku yt, Memeti  II-të nuk vuan nga këto vese, por, përkundrazi përpiqet dhe shpejton që sa më parë të zhduk Ungjillin e Krishtit. E fundos lundrën e Pjetrit, gris dhe shkul rrobat [rasat, m.a.] e Krishtit, duke ndjekur gjurmët e parardhësve të tij, dhe duke lavdëruar orakulin [profetin, m.a.] e tij të rrejshëm, i cili ka kërkuar që me ashpërsinë më të madhe të ndiqet dhe të zhduket emri i Krishtit dhe gjaku i pafajshëm i krishterë i cili ka rrjedhur për të nderuar dhe respektuar gjenerat që vinë. Për këtë, ai mizor, çdo herë në mënyrë shumë më të ashpër se sa besimet [fetë, m.a.] tjera, ka sulmuar fenë e Krishtit. 

Nëse ti, sundues i pamposhtur, tani nuk ngre armët tua kundër të tijave; nëse nuk nxit forcat tua në luftë kundër tijë, të gjithë do të mendojnë se vërtet je një frikacak, dembel dhe jo punëtor. Vallë nuk e dini se si të gjithë mbretërit dhe sunduesit e krishterë, së bashku me papën tonë të shenjtë, Piun e II-të, sunduesin më të madhë të botës, janë ngritur kundër tiranit barbar? Kanë vendosur që me ndihmën e Zotit, që ta ndjekim dhe dëbojmë nga Evropa këtë barbarë. 

Papa ka nxjerrë një urdhër dhe në të tërë botën e krishterë është lajmëruar se të gjithë mbretërit dhe sunduesit e krishterë do të marrin faljen e mëkatëve të tyre dhe që sa më parë, së bashku me vetë papën të nisen në luftë për ta dëbuar sulltanin turk. Për këtë, venedikasit tu, së bashku me princin dhe gjithë senatin, këmbësorinë dhe flotën detare, të ftojnë dhe të përkulen në këtë ekspeditë kundër Mehmetit të II-të. 

Ty të kanë zgjedhur për prijës, komandant dhe gjenral të përgjittshëm të tërë ushtrisë së krishterë. Papa ka vendosru që ty, veçanërisht i nderuar, të ja besoi drejtimin e kësaj lufte. 

Me të arritur, dhe shkelur tokën e Durrësit, do të të kurorëzoj mbret të Shqiptarëve dhe Epirotëve. 

Prandaj, më fatlumi princ, Skenderbe, çfarë do të bësh? Çfarë pret? Ose ndoshta duhet që të kalosh në harresë [kujtesë, m.a.] të përgjithshme, të dorëzosh armët dhe të pranosh zgjedhën ose të pranosh këtë me urtësi dhe përkulje, për të cilën luftohet për pushtet dhe pozitë ndaj gjithë perandorisë. 

Tund forcën dhe ndjenën shpirtërore, fto të gjithë komandantët dhe ushtarakët tu, mbledh kryepleqët e fiseve dhe popullin, fto fqinjët, mbretërit dhe sunduesit që i ti ke aleatë; formo legjione dhe rendit ushtrinë, prano shoqërinë e të gjithë besnikëve të bashkësisë së krishterë, përkulju Papës, prano faljen për mëkatet tua së bashku me tërë ushtrinë tënde. Shiko, për këtë do të më mbajnë inat, venedikasit tu, që po të lajmëroj; që po nxis për të ju bashkaur forca – forcës, çeta – çetës dhe ushtira – ushtrive. 

Ashtu sikur dihet, venedikasit, në mesin e të tërë mbretërive, janë të krishterët më të devotshëm, më shpirt mëdhenjët dhe më të fortit në detë. Ata të premtojnë dhe të ofrojnë flori e argjendë në pakufi. Për këtë, Skenderbe, vërtet të them: Skenderbe, ti, po ti, nderi i të gjithë princërve, mbretërve dhe sunduesve, me çetat tua, fillo luftën me tiranin barbar, sulmo tokat e tija dhe futi frikën e tmerrin deri në kokcë. 

Ai i pari të ka provokuar duke e shkelur dhe shkëputur premtimin për paqe. Ç’është e vërteta, është e drejtë ligjore e çdonjërit që të mos mbaj premtimin ndaj atij që e shkel i pari. Nisu pra, me guxim pëprara me ushtrinë e krishterë. I pari sulmo armikun. Shpalli luftë të përgjithëshme barbarit mizor dhe përgadit rrugën për papën. Ja pra papë Piu i II-të. Ja pra venedikasit tu. Pas vetes dhe me vete ke edhe: françezët, spanjollët, belgjikasit, hungarezët, çekët, polakët, italianët dhe gjithë botën e krishterë.

Për këtë shkak, nuk mund të ndodhë, që barabri i egër, të jetë i përgatitut, për t’u përballuar: princave, mbretërve, sudnimtarëve, çetave dhe ushtrive të tyre. Jam i bindur se menjëher do të frikësohet dhe do të largohet nga Evropa. Nuk do ti shërbej Otomanit [turkut, m.a.] mburrja, nuk do ta forcojnë mashtrimet, dredhit dhe intrigat. Megjithatë duhet mbajtur sekret; me mendje e shpirt të arsyeshëm duhet kujdesur, ngase dredharaku Mehmet i II-të, mund ti prandjej të gjitha këto dhe te ti, do të drëgoj lajmëtar dhe zëdhëns, për të të përfituar për vete, për të ulur armët dhe për t’iu përmbajtur marrëveshjes, të cilën ai i pari e ka prishur. 

Megjithatë, heq dorë nga veset e tija të këqija dhe mbyll veshët nga joshjet e tija. Ti e njeh shumë miër karakterin e tij. Mjaft e ke ndjerë dhe hulumtuar si njeri dhe ti ke më shumë se asnjë tjetër, mundësi të kapësh dredhit e fisit të otomanëve.

Lëshuar në Durrës, në vitin e Krishtit, 1463, ditën e 13 të qershorit.

Filed Under: Histori Tagged With: Musa Ahmeti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 164
  • 165
  • 166
  • 167
  • 168
  • …
  • 709
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku
  • REPUBLIKA E BARAZISË PARA LIGJIT
  • BLLACA SI INFRASTRUKTURË HISTORIKE E DHUNËS DHE NYJE E KUJTESËS KOLEKTIVE
  • Kur gjuha sfidohet në auditore – cenimi i së drejtës kushtetuese në emër të provimit të jurisprudencës
  • LAHUTA E MALËSISË, ZËRI QË NUK SHUHET: SI MBAN GJALLË IDENTITETIN SHQIPTAR NË SHEKULLIN E XXI
  • DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH”
  • Mbreti Zog I, themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, burrshtetas, politikan dhe diplomat i rralle e shumë dimensional
  • 𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻𝗶𝗮𝗻 𝗡𝗶𝗴𝗵𝘁 @ 𝗬𝗮𝗻𝗸𝗲𝗲 𝗦𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺
  • 27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar
  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT