• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare

March 28, 2026 by s p

Sokol Paja/

Komunistët në Shqipëri i sulmuan brutalisht besimet fetare, institucionet klerikale, klerikët dhe trashëgiminë fetare, tradicionale e kulturore duke e shpallur në kundërshtim me ideologjinë zyrtare marksiste-leniniste. Që me ardhjen në pushtet komunistët kërkonin me çdo mjet e çdo kusht një kontroll të plotë mbi mendjen dhe jetën e qytetarëve. Përmes kontrollit absolut do kishin dominim absolut. Për komunistët feja ishte veçse “opium për popullin”. Pas veprimeve fizike të përndjekjes, burgosjes e eleminimit të klerikëve e shkatërrimit të institucioneve fetare, shteti komunist zhvilloi një propagandë të ashpër ateiste ndaj fesë në Shqipëri duke shënuar kulmin më 1967 kur Shqipëria u shpall i vetmi vend ateist në botë. Pasi i zhduku nga faqja e dheut, shteti komunist përmes propagandës ateiste synonte ta zhdukte fenë eshe nga zemra e mendja e njerëzve. Feja u sulmua prej komunistëve për shkak të kundërshtisë ideologjike, përpjekjes për domimin e kontroll absolut në shoqëri, konsolidimit të pushtetit absolut, frika e ndikimit të jashtëm, ndërtimi i shoqërisë së proletariatit pa fe, krijimin e njeriut të ri komunist si krijesë që mishëronte tiparet e revolucionit marksist.

Në luftën ndaj fesë në Shqipëri, përveç të tjerash, një aspekt të rëndësishëm në propagandën ateiste komunistët orkestruan një goditje të përqëndruar ndaj librave të shenjtë siç janë Bibla dhe Kurnai dhe ikonat fetare që përbëjnë bazën e besimit. Libri më i rëndësishëm për besimin musliman, Kurani shënjestrohet nga shkrimi propagandistik ateist “Ç’është Kurani?” i gazetës “Mësuesi” në datën 21 prill 1967. Kurani quhet sipas ateistëve një kopjim i Biblës dhe se Kurani nuk kishte as lidhje kronologjike as logjikë. Sipas autorit qoftë edhe nga titujt e sureve (kapitujve) dhe vendosja e materialeve Kurani s’ka sens. Shkrimi ateist pa emer autori citon: “Kapitujt e Kuranit janë radhitur pa kurrëfarë sistemi e lidhje dhe është marrë parasysh kryesisht madhësia e tyre. Në shumë raste titujt e kapitujve, nuk kanë lidhje direkte me përmbajtjen dhe janë vënë rastësisht”. Kurani, sipas autorit anonim të shkrimit, ka përmbledhur në vete jo vetëm supersticionet dhe dogmat e arabëve paganë, por edhe të të krishterëve, të hebrejve, të magjistarëve, të budistëve; kështu ka mundur t’u përgjigjet, së paku pjesërisht, mendimeve të pasuesve të të gjithë feve. Kurani sipas këtij shkrimi propagandistik ateist në pikëpamjet shoqërore që predikon Kurani janë reaksionare ku në emër të Allahut ato konsakrojnë sistemin shfrytëzues.

Në Bibël sipas E. Jarosllavskij, në shkrimin “Bibla, për ata që besojnë dhe ata që nuk besojnë”, botuar në revistën “Ylli” të vitit 1961, zbulohen dhe mishërohen kontradiktat dhe absurditetet mbi botën. Bibla sipas komunistëve nuk është aspak libri më i vjetër, pasi ka edhe libra të tjerë që e tregojnë krijimin e botës dhe të njeriut në një mënyrë tjetër. Teoritë fetare sipas autorit ateist që gjenden në Bibel nuk janë të vërteta të vetme. Mitet biblike sipas autorit komunist janë trillim i një njeriu të egër, të paditur, injorant, i cili nuk ka mundur të mbeshtetej në sukseset e shkencës, nuk ka patur instrumentat astronomikë për të studjuar hapsirën qiellore.
Në librin e biblës sipas autorit ateist, gojëdhënat biblike kanë karanter antishkencor të origjinës së botës të tokës, bimeve, kafshëve e njeriut. Gojëdhënat biblike sipas autorit pasqyrojnë përfytyrimet naivë të njerëzve primitivë mbi botën që i rrethon. Bibla sipas autorit komunist justifikonte skllavërimin e njerëzve dhe shpall të përhershëm ndarjen në klasa shfrytëzonjës dhe të shfrytëzuar dhe e ligjëron ekzistencën e marrëdhënieve të sundimit, nënshtrimit si edhe pabarazinë shoqërore. Komunistët shpreheshin se “Feja e mbyt mendimin e lirë krijonjës, mendjen kureshtare duke kërkuar përulje dhe nënshtrim përpara perëndisë që nuk ekziston” por feja sipas autorit shkon edhe më tej duke penguar njerëzit që luftojnë për çlirimin e tyre, frenon zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë. Sipas autorit komunist Jarosllavskij vetëm ideologjia marksiste-leniniste jep kuptimin shkencor të botës dhe na mëson si ta shpejgojmë botën por edhe si ta ndryshojmë botën në të mirë të gjithë njerëzimit.

Pano Çuka në shkrimin “Dërrasa të Pikturuara”, botuar në gazetën “Pararoja” të datës 21 gusht 1972 demaskon ikonat e besimit të krishtërë ku i zhvesh nga “shenjtëria” e tyre dhe i quan një mjet për pasurimin e tregtarëve dhe të priftërinjve e klerit. Futja e ikonës si element në besim sipas autorit ateist u bë me trillime nga më të ndryshme nga priftërinjtë për të sunduar më lehtë besimtarët duke shpikur mrekulli dhe duke ua veshur ikonave dhe duke i paraqitur para masës së besimtarëve si të shenjta. Shkrimi ateist citon: “Vraponi pra naivë në kishat e “shenjëta” dhe tek shërbëtorë të tyre të “shenjtë”, t’ju shpëtojnë me forcën e tyre çudibërëse. Dhe në të njëjtën kohë, dridhuni. Po thatë një fjalë, ikonat e “shenjëta” dhe etërit e “shenjtë” mund t’ju hedhin në zjarr dhe t’ju përvëlojnë” propagandonte ateizmi zyrtar i komunistëve.

Ateizmi i kohës i quan si një tmerr për besimtarët ikonat që gjenden në objektet fetare dhe se tek këto dërrasa të kalbuara binin pre naivët fetarë. Feja, traditat shqiptare që komunistët i quanin zakonet prapanike, sipas ateistëve, kanë qenë gjithmonë agresive në qëndrimet e tyre ndaj gruas. Sipas autorit “gruaja në shtëpi ajo i nënshtrohej burrit dhe, po të mos i qëndronte e përulur, e përzinte nga shtëpia, kishte të drejtë të merrte shumë gra”. Pozitës skllavëruese të gruas sipas komunistit Qemal Hoxha në shkrimin “Lumturinë tonë po e gjejmë tek partia dhe jo tek feja e zoti”, botuar në gazetën “Zëri i Popullit” të datës 31 Mars 1967, vetëm lufta ndaj fese e zakoneve prapanike, do i jepte fund. “Babai i Teqes Halimi gjatë luftës Nacional –Çlirimtare u hoq si asnjanës por pas çlirimit, duke u prekur nga reforma agrare, u hodh kundër pushtetit popullor. Ai grumbulloi rreth vetes njerëz të pakënaqur dhe në vendet që i quante të shenjëta kishte fshehur arme” deklaronte autori ateist. Sipas komunistit në shkrim, gjyqi i popullit i dha dënimin e merituar, pasi populli duke ecur në rrugën që i tregoi partia dhe jo feja, sipas autorit e kuptoi qartë që këto besime nuk janë tjetër veçse opium për të mashtruar e gënjyer njerëzit, propagandonin komunistët.

Filed Under: Histori Tagged With: Sokol Paja

Andon Zako Çajupi, in memoriam…

March 27, 2026 by s p

Akademia e Shkencave e Shqipërisë përkujton në ditën e tij të lindjes veprimtarin e Rilindjes Kombëtare, poetin dhe dramaturgun Andon Zako Çajupi.

Andon Zako Çajupi lindi më 27 mars të vitit 1866, ndërsa vdiq më 11 korrik të vitit 1930. Ai ishte poet, dramaturg dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare. U lind Sheper të Zagorisë, i biri i Harito Zakos, një tregtari duhani me tregje në zgjerim e sipër deri në Itali. Mori mësimet fillore në Nivan të Zagorisë, në shkollën greke të atjeshme.

Në vitin 1882 u vendos në Aleksandri, ku studioi frëngjisht për pesë vite tek Sainte Catherine des Lazaristes. Gjatë qëndrimit të tij në Aleksandri u takua me mjaft avokatë të huaj, që i dhanë bindjen të vazhdonte studimet për jurisprudencë. Më 1887-n, pasi bëri një vizitë në Sheper, që ishte e fundit për të, Çajupi shkoi në Zvicër, ku kreu studimet e larta dhe mori titullin e doktorit të drejtësisë. Në Kajro, ku u vendos përgjithnjë, punoi për një farë kohe si avokat. Nga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar.

Në rrethet e gjera atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi në kuadrin e diskutimit rreth çështjes së alfabetit në të cilin doli kundër adoptimit të alfabetit grek për gjuhën shqipe. Pothuajse në të njëjtën kohë me veprimtarinë atdhetare, Çajupi nisi edhe krijimtarinë letrare. Në vitin 1902 botoi librin “Baba Tomorri”, që dallohet nga fryma luftarake, patriotike dhe popullore në brendi dhe në formë.

Në vitin 1909 bëri bujë me pamfletin “Klubi i Selanikut”, ku satirizonte armiqtë e brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare. Patriotizmi i flaktë dhe qëndrimi i prerë ndaj pushtuesve të huaj, e nxorën Çajupin në krye të patriotëve që vepronin në Egjipt.

Në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi zuri vend jo vetëm si poet, por edhe si dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë e tij “14 vjeç dhëndër” dhe “Pas vdekjes”, me të cilat solli një ndihmesë me vlerë në zhvillimin e këtij zhanri në letërsinë tonë. Penës së Çajupi i përkasin edhe tragjedia “Burri i dheut”, “Pas vdekjes”, “Fshati im” etj, si dhe dorëshkrime të pabotuara.

Komedia e tij “14 vjeç dhëndër” mbetet një krijimtari letrare e vyer falë filmit artistik “Përrallë nga e kaluara”, realizuar me motivet e kësaj vepre nga mjeshtri i regjisë shqiptare Dhimitër Anagnosti.

www.akad.gov.al

Filed Under: Histori

“LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…

March 27, 2026 by s p

Paulin Zefi/

Gjatësia e përgjithshme e mureve mbrojtëse të zbuluara deri në vitin 1988, sipas përllogaritjeve të K.Zhekut, është 2.500 m. Deri vonë ka qenë e fiksuar se sipërfaqja e përgjithshme që rrethojnë muret antike është rreth 20 ha. Mirëpo, nga matjet që janë bërë kohëve të fundit, rezulton se muret e Lisit qarkojnë një sipërfaqe prej 22.3 ha, duke krijuar një fortifikim të klasit të parë. Sistemi mbrojtës i Lisit përbëhej nga katër mure mbrojtës transversalë (diateichisma), të cilët segmentonin hapësirën urbane në katër breza të fortifikuar, duke krijuar një organizim të brendshëm defensiv me karakter të shkallëzuar: Akropolin, që përkon me vendbanimin e Epokës së Hekurit (2.3 ha); Qytetin e Sipërm (11 ha), Qytetin e Poshtëm (9 ha), si dhe zonën e portit (1.5 ha), e cila shërbente gjithashtu si treg i jashtëm. Për të ndërtuar një vëllim murature të tillë me gurë të gdhendur, janë nxjerrë nga guroret e ndryshme rreth 100.000 m³ gurë, prej të cilëve janë gdhendur në forma dhe në përmasa të ndryshme më tepër se 80.000 copë blloqe.

Blloqet në murin e jashtëm kanë përafërsisht këto përmasa: 162 x 0.54 x 0,42 m.; 1.58 x 0.54 x 0.45 m.; 0.82 x 0.30 x 0.40 m.; 0.58 x 0.52 x 0.30 m etj. Ndërsa blloqet në murin e brendshëm, i cili ka një gjatësi rreth 200 m dhe trashësi 1.70 m, kanë përafërsisht këto përmasa: 1.10 x 0.64 × 0.47 ; 1.38 x 0.55 x 0.57 ; 0.80 x 0.60 x 0.50 m. Pesha mesatare e blloqeve në muraturë varion nga 650 kg deri në 1.200 kg, pra 0.65 – 1.2 ton. Është përllogaritur se për ndërtimin e plotë të këtyre strukturave murale madhështore janë dashur në total 5 vite kohë dhe brenda kësaj periudhe del se numri i fuqisë punëtore që ka marrë pjesë ishte rreth 800-1.000 specialistë të ndryshëm, si gurëgdhendës, muratorë, hekurpunues dhe 1.800-2.000 punëtorë të ndryshëm. Po ashtu, është përllogaritur se për prodhimin e veglave të ndryshme prej hekuri, që janë përdorur për ndërtimin e kësaj vepre, është shkrirë dhe është përpunuar rreth 20 ton hekur.

Kjo kryevepër inxhinierike ndërtimore kaq madhështore, e ka bërë Lezhën një ndër qytetet antike më të fortifikuara në Pellgun e Mesdheut. Shumë shpesh më është shtruar pyetja, se: “Ku janë marrë të gjithë këta gurë ciklopikë”?!.. Analizat laboratorike tregojnë se gurët janë të marrë nga gurore të afërta, duke sugjeruar një përdorim shumë efikas të burimeve lokale. Pra, është përcaktuar se origjina e tyre gjeologjike lidhet me masivet shkëmbore me të njëjtën përbërje, që gjenden me shumicë pranë qytetit të Lezhës dhe në rrethinat e tij. Me pak fjalë, muret janë ndërtuar me gurë gëlqerorë vendas, gri në blu, të Periudhës së Triasikut , që krijon forma të thikëta në shtresat e sipërme të Malit të Shëlbuemit dhe maleve të tjerë këtu pranë dhe si themele janë përdorur shpesh herë blloqe shumë të mëdhenj kuadratikë, prej gurësh të fortë konglomeratë, të nxjerrë prej shkëmbinjve të kodrës së Kështjellës së Lezhës.

Filed Under: Histori

Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri

March 25, 2026 by s p

Sokol Paja/

Komunistët vendosën të shkatërrojnë botën shpirtërore të njerëzve, traditat, moralin dhe gjithçka të trashëguar si vlerë njerëzore e shoqërore me qëllim instalimin dhunshëm të ateizmit zyrtar. Ateistët ushtruan masivisht një propagandë ateiste-mashtrime-dhune e sulme fizike të organzizuar dhe të orkestruar ndaj klerikëve e objekteve të kultit fetar. I gjithë aparati shtetëror institucional, rrjeti propagandistik, organizatat komuniste, komitetet e rretheve, vatrat e kulturës e çdo qelizë komuniste u vu në shërbim total te regjimit diktatorial për të zhdukur fenë, klerikët dhe shkatërruar institucionet fetare në Shqipërinë ateiste. Me qëllim për të pasur sa më shumë sukses në luftën ndaj fesë dhe për të bindur besimtarët, praktikantët fetarë dhe mbarë popullin, përveç dhunës, shkatërrimit e arrestimeve masive të klerikëve e gjyqeve farsë, sistemi diktatorial me anë të propagandës ateiste sulmonte vendet e peligrinazhit kishat, xhamitë dhe teqetë. Lufta ndaj fesë sipas propagandës ateiste të kohës ishte luftë ndaj regjimeve të kaluara, luftë për pastrimin dhe çlirimin e ndërgjegjes së njerëzve, luftë për zhdukjen e besimeve të kota e koncepteve prapanike të trashëguara nga e kaluara.

Revolucioni kultural komunist në Shqipëri sipas Ulvi Vehbiut në shkrimin “Vendet e “shenjta”, sugjestioni dhe autosugjestioni”, botuar në gazetën Luftëtari të datës 3 Nëntor 1963, gjoja kishte sjellë ndërprerje të frekuentimit të kishave, xhamive, teqeve, manastireve, vakëfëve e vendeve të ndryshme të kultit fetar. Frekuentimi i vendeve të menduara si të shenjta në besimet fetare sipas autorit lidhet me sugjestionin dhe autosugjestionin. Sipas autorit sugjestioni është mënyrë e veprimit psihik të një njeriu ose grupi njerëzish mbi një tjetër që realizohet në gjendje zgjimi, ose gjumi të pjesshëm. Sugjestioni dosmosdoshmërisht lidhet me dobësinë e vullnetit të atij që i nënshtrohet këtij proçesi, ndërsa autosugjestioni sipas autorit është ndikimi në trurin e vet i përfytyrimeve të ndryshme, gjykimeve, ideve, ndjenjave, të cilat marrin një fuqi të madhe zotëruese dhe vlerësuese. Autosugjestioni sipas autorit lidhet me personat me sistem të dobët nervor ku gjurmat e emocioneve jo të kënaqshme të akumuluara gjatë jetës, fuqizohen dhe krijojnë në tru vatra ngacmimi të cilat rrethohen nga vatra frenimi që shkaktojnë edhe smëundjen dhe po të zhduket vatra, largohet zona e frenimit dhe i sëmuri shërohet, propagandonte ateisti. Me antë të autosugjestionit sipas autorit njeriu krijon shumë sëmundje e fenomene të ndryshme në e të çuditshme në trupin e vet ky si shërim si në vendet e shenjta dhe për çdo problem që i paraqitet njeriut, zgjidhja nuk është as tek kulti fetar, por tek largimi i frenimit të trurin e tij. Me anë të këtij shkrimi propagandistik, autori tentonte të tregonte se shëptimi i njeriut është në vetë dorën e tij dhe jo tek vendet e shënjta apo ndejkja e ceremonive të ndryshme fetare.

Rakip Mustafaj në shkrimin “Këtu shërohen njerëzit”, botuar në revistën Vatra e Kulturës të vitit 1968, sulmon Teqenë e Martaneshit e cila sipas komunistëve kishte shfrytëzuar përgjatë gjtihë veprimtarisë së saj popullin. “Teqeja ishte një qendër parazitësh e dembelësh ku ditën dhe natën derdhej si lumë rakia e mishi i pjekur”[1] ku për të plotësuar qejfet dhe dëshirat e Babait të teqesë punonin një numër i madh hysmeqarësh dhe në tokat e Babait të teqesë një numër i madh fshatarësh. Sipas autorit të shkrimit njerëzit e zotit që rrinin në këtë teqe nuk ishin veçse injorantë e të pashkollë, shfrytëzues të paster të popullit deri në palcë. Teqeja sipas autorit komunist ishte një qendër për sëmundje të ndryshme pasi besimtarët pinin ujin e bekuar në një gjym dhe shumë të tjerë sëmureshin rëndë duke fjetur në tokën e shtruar me çemento në Teqe për të gjetur shërim. Me direktivë nga lart, organizatat e masave dhe të partisë me qëllim suksesin dhe masivizimin e luftës kundër fesë filluan një punë të diferencuar me masën e nxënësve, me rininë, gratë, pleqtë etj. Për të gjitha brigadat koperativiste, shtëpia e kulturës shfaqte shfaqje të ndryshme duke sulmuar fenë me qëllim ndërgjegjësimin e njerëzve për punën dhe gjithpërfshirjen në aksion ideologjik e politik. Puna e gjerë propagandistike ateiste dhe demaksimi i veprimtarisë së teqesë në Martanesh sipas autorit bëri që në publik të dilnin të gjithë gjoja të palarat e Babait të Teqesë në Martanesh i cili pohoi në mbledhje para mbarë popullit se feja ka qenë një rrugë reaksionare dhe se ai kishte mashtruar popullin me qëllim për të jetuar si paraqit në kurriz të njerëzve të ndërshëm e punëtorë komunistë.

Zef Nikolla në shkrimin “E vërteta mbi Shna Ndoun”, botuar në gazetën Zëri i Rinisë të datës 13 Qershor 1962, demaskon në shkrimin e tij peligrinazhin që besimtarët katolik bëjnë përgjatë 13 javëve në Kishën e Laçit dhe për festën që kulmon më 13 qershor si Nata dhe Dita e shenjtë ku Shna Ndou bën mrekulli për të gjithë ata që besojnë. Kleri katolik sipas autorit ateist me qëllim sigurimin e sa më shumë përfitimeve ekonomike nga pelegrinazhi në këtë Kishë e ka zbukuruar dhe rrethuar Shna Ndoun me aureolën e mjekut çudibërës, shëruesit botëror të fatkeqësive, mëshiruesit e mëkatërve të penduar, por “të gjitha këto janë gënjeshtra të klerit, të gjitha këto profka vetëm se shtojnë të ardhurat e kishës dhe ia mbajnë gjallë autoritetin në sytë e besimtarëve”[2] . Kisha sipas autorit komunist e ka stisur dhe e ka deformuar rrënjësisht historinë dhe e ka keqpërdorur duke mashtruar Shna Ndoun ku asnjë njeri nuk ka gjetur shërim në këtë kishë. Kisha katolike në mbarë botën sipas autorit komunist me qëllim shtrirjen dhe ruajtjen e sundimi të saj, përdori mrekullitë e shenjtorëve ku me anë të mashtrimit i bën çudibërës dhe më pas i vendosi në shumë kisha në botë. Shna Ndout sipas autorit komunist iu bashkangjitën mrkeullitë e tilla si shërimi i sëmundjeve, shpëtimi i të korrave, të mbjellurave, pronës së vogël të fshatarëve, pasi është pika nevralgjike e zemrës së çdo besimtari dhe me qëllim mashtrimin e nënshtrimin sa më të thjeshtë të besimtarëve, kisha thoshte propaganda ateiste, përdori legjendën e Shna Ndout. Ateistët vetëm duke shkatërruar çdo gjë shpirtërore, morale e njerëzore, mund të instalonin ideologjinë komuniste dhe ateizmin zyrtar. Një çmenduri totale që e ktheu Shqipërinë të vetmin vend ateist në botë…

Fundi i pjesës 1…


[1]Mustafaj, Rakip “Këtushërohennjerëzit”, Vatra e Kulturës Nr: 2,  Tiranë 1968, faqe 11

[2]Nikolla, Zef, “E vërtetambiShnaNdoun”, Zëri i Rinisë Nr: 47, 13 Qershor 1962, faqe 4

Filed Under: Histori

Lufta e Vraninës (1862) – qëndresa heroike e Oso Kukës dhe mbrojtja e kufijve shqiptarë

March 25, 2026 by s p

Në historinë e shekullit XIX ndër ngjarjet më të rëndësishme të qëndresës shqiptare kundër përpjekjeve për pushtim territorial në rajonin e Shkodrës, një vend të veçantë zë Lufta e Vraninës, e zhvilluar në vitin 1862 në ishullin e Vraninës në Liqenin e Shkodrës. Kjo ngjarje historike ndodhi në një periudhë kur Ballkani ishte përfshirë nga tensione të forta politike dhe ushtarake, ndërsa territoret shqiptare ndodheshin nën administrimin e Perandorisë Osmane, por njëkohësisht përballeshin me pretendime dhe sulme të vazhdueshme nga shtetet fqinje.

Ishulli i Vraninës kishte një rëndësi të veçantë strategjike për kontrollin e rrugëve ujore dhe për mbrojtjen e zonës së Shkodrës. Për shkak të kësaj pozite, ai ishte kthyer në një pikë të rëndësishme ushtarake dhe mbrohej nga një garnizon i vogël shqiptar, i përbërë nga luftëtarë vendas që shërbenin në mbrojtje të kufirit.

Në mesin e shekullit XIX marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve të vilajetit të Shkodrës dhe forcave të Principatës së Malit të Zi ishin të tensionuara. Në këtë kohë, udhëheqja malazeze kërkonte zgjerimin e territorit të saj drejt jugut dhe drejt zonave përreth Liqenit të Shkodrës. Për këtë arsye u ndërmorën disa operacione ushtarake kundër pikave kufitare që mbroheshin nga shqiptarët.

Në verën e vitit 1862 një forcë e madhe malazeze u drejtua drejt Vraninës me synimin për ta pushtuar këtë pikë strategjike. Sipas burimeve historike, ushtria sulmuese përbëhej nga disa mijëra ushtarë, ndërsa në mbrojtje të fortesës dhe kullës së barotit ndodheshin vetëm disa dhjetëra luftëtarë shqiptarë.

Në krye të këtij grupi të vogël mbrojtësish ishte trimi i njohur shkodran Oso Kuka. Ai ishte një luftëtar i respektuar dhe me përvojë, i njohur për guximin dhe për besnikërinë ndaj vendit të tij. Nën drejtimin e tij ndodheshin rreth njëzet e tetë luftëtarë shqiptarë, të cilët vendosën të qëndronin në mbrojtje të kullës së barotit dhe të mos e lëshonin pozicionin pa luftë.

Luftimet filluan kur forcat malazeze rrethuan ishullin dhe filluan sulmet kundër mbrojtësve shqiptarë. Përballja ishte tepër e pabarabartë, sepse një numër shumë i vogël luftëtarësh po përballej me një ushtri të madhe dhe të pajisur mirë. Megjithatë, mbrojtësit shqiptarë qëndruan me vendosmëri dhe rezistuan për një kohë të gjatë, duke u shkaktuar humbje të konsiderueshme forcave sulmuese.

Gjatë përleshjeve të vazhdueshme, trupat malazeze arritën të afrohen gjithnjë e më shumë drejt kullës ku ndodheshin mbrojtësit shqiptarë. Ndërkohë, municionet e tyre po pakësoheshin dhe rrethimi ishte bërë pothuajse i plotë. Në këto rrethana të vështira, Oso Kuka dhe shokët e tij e kuptuan se rezistenca e tyre nuk mund të vazhdonte për shumë kohë dhe se rreziku i kapjes së gjallë ishte i pashmangshëm.

Në këtë moment kritik, Oso Kuka mori një vendim që do ta bënte emrin e tij të pavdekshëm në historinë shqiptare. Ai vendosi që mbrojtësit shqiptarë të mos dorëzoheshin. Përkundrazi, vendosi të sakrifikonte jetën e tij dhe të shokëve të tij duke shpërthyer kullën e barotit në mënyrë që armiku të mos mund ta pushtonte atë.

Kur trupat malazeze u afruan pranë kullës dhe filluan të hyjnë brenda saj, Oso Kuka i vuri zjarrin barotit që ndodhej në depo. Shpërthimi ishte i fuqishëm dhe shkatërrues. Kulla u hodh në erë bashkë me mbrojtësit shqiptarë dhe me shumë nga ushtarët malazezë që ndodheshin përreth saj.

Në këtë shpërthim ranë dëshmorë Oso Kuka dhe të gjithë luftëtarët shqiptarë që ndodheshin me të. Në të njëjtën kohë, shpërthimi shkaktoi humbje të mëdha në radhët e ushtrisë sulmuese, duke vrarë dhe plagosur shumë ushtarë që kishin rrethuar kullën.

Pas kësaj ngjarjeje dramatike, forcat malazeze u detyruan të tërhiqeshin nga ishulli i Vraninës. Kjo qëndresë e jashtëzakonshme bëri që kjo pikë strategjike të mbetej për një kohë nën administrimin e vilajetit të Shkodrës dhe të mos binte menjëherë në duart e pushtuesve.

Megjithëse më vonë zhvillimet politike në Ballkan do të ndryshonin fatin e disa territoreve përreth Liqenit të Shkodrës, heroizmi i Oso Kukës dhe i shokëve të tij mbeti një nga shembujt më të lartë të sakrificës për atdheun në historinë shqiptare.

Ngjarja e Vraninës u përjetësua edhe në letërsinë kombëtare shqiptare dhe në këngët popullore të veriut. Veçanërisht ajo u përshkrua në mënyrë të fuqishme në veprën epike Lahuta e Malcis të poetit të madh shqiptar Gjergj Fishta, ku sakrifica e Oso Kukës paraqitet si një simbol i përhershëm i trimërisë dhe i dashurisë për atdheun.

Në këtë mënyrë, Lufta e Vraninës e vitit 1862 mbetet një nga episodet më domethënëse të historisë së rezistencës shqiptare në shekullin XIX. Ajo dëshmon se edhe në rrethana të pabarabarta, kur një grup i vogël luftëtarësh përballet me një ushtri shumë më të madhe, vendosmëria për të mbrojtur tokën dhe nderin e vendit mund të lindë akte heroike që mbeten të gjalla në kujtesën historike të një kombi.

Në fund të këtij përshkrimi historik, është e drejtë të kujtojmë se sakrifica e Oso Kukës dhe e bashkëluftëtarëve të tij nuk ishte vetëm një akt trimërie individuale, por një dëshmi e shpirtit të qëndresës së popullit shqiptar në mbrojtje të trojeve të veta. Kjo ngjarje mbetet një pjesë e rëndësishme e kujtesës kombëtare dhe një shembull i fuqishëm i dashurisë për lirinë dhe për atdheun.

Gjon F. Ivezaj

Foto: https://balkanacademia.com

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 707
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT