• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Qytetërimi i lashtë shqiptar

September 16, 2021 by s p

Anton Çefa

Është spekuluar dhe spekulohet edhe sot e kësaj dite me nocionin qytetërim, hapësira e gjerë e të cilit, duke u shtrirë në sfera nga më të ndryshmet të jetës lëndore e shpirtërore të njeriut, i ka krijuar mundësitë për një gjë të tillë.

Siç dihet, ka një qytetërim teknologjik, me funksione praktike utilitare, që ka arritur në kulmet më të pamenduara të realizimeve të njerëzimit dhe që ecën përpara me një shpejtësi marramendëse, dhe një qytetërim tjetër-më të lartë, më të vyer, më njerëzor. Është ky qytetërimi shpirtëror, me funksione humane-artistike, i krijuar prej shumë popujve që në kohërat më të larta.

Qytetërimi teknologjik ka siguruar një nivel të lartë jetese-në mënyrë të padiskutueshme-, por ai shpesh e ka dëmtuar njerëzimin, duke u përdorur në dëm të tij. 

Kjo është arsyeja që e ka shtyrë George Bernard Shaw-n të shprehet (në esenë “Dreqi flet”): “Në artet e jetës, njeriu nuk ka shpikur asgjë, ndërsa në artet e vdekjes, ai e ka tejkaluar”.

Janë të një rëndësie të dorës së parë elementet përbërës të qytetërimit shpirtëror, që krijoi populli ynë që në shekujt e hershëm të brumosjes së vet etnike, si fisnikëria e ndjenjave, urtia e mendimit, bukuria e sjelljes, vlerësimi i së bukurës, çmimi i së drejtës, maturia e burrërisë, masa e fjalës, toleranca në marrëdhënie me të tjerët dhe një virtytësi e lartë e konkretizuar tek nderi, elementi më spikatës e më themelor i siluetës shpirtërore të popullit tonë, besa, mikpritja dhe përbërës të tjerë rrallë të arritur në historinë shpirtërore të popujve dhe shumë më rrallë të tejkaluar.

Duke vlerësuar këto cilësi të karakterit dhe virtytet e larta morale të shqiptarit, Thomas Smart Hughes, ka shkruar: “ato cilësi i bëjnë nder natyrës njerëzore” (Travels in Sicily, Greece and Albania”, London 1820, v. 2, p. 344), dhe F. S. Douglas: “Shqiptarët i kanë të gjitha cilësitë që përgjithësisht përbëjnë embrionin e një kombi të madh” (An Essay on Certain Points of Resemblance between the Ancient and Modern Greeks”, London, 1813, p. 190).

Këtë botë të pasur shpirtërore, që përbën tharmin e shpirtit shqiptar, populli ynë e krijoi si një kanunësi të jetës, e zbatoi me një përkushtim të lartë dhe e ruajti si thesar për t’ua lënë trashëgim breznive.

Elemente të kësaj kanunësie, ai i veshi me rrobe juridike, duke i bërë impulsin organizativ themelor të jetës. Kështu ai krijoi të drejtën zakonore, nën emrin e princit Lekë Dukagjini, aq bukur të përmbledhur nga Gjeçovi.

Pikërisht ky kod ligjor, pasqyrë autentike e qytetërimit tonë të lashtë-që na rreshton në një vend të nderuar, krahas popujve që krijuan kodet e veta të jetës, u sulmua me qëllime denigruese në shërbim të synimeve të tyre shoviniste për të gllabëruar trojet tona, nga një zhgan “akademikësh” sllavë, të cilët shpejtuan t’i vënë etiketën e egërsisë e të barbarizmit, duke e quajtur primitiv e të përgjakshëm. Si kryeargument për këtë u suall ligjësia kanunore e gjakmarrjes, që ka qenë një përpjekje e hekurt për të vënë rregull e drejtësi në një shoqëri ku mungonte shteti dhe institucionet shtetërore të së drejtës dhe aspak një veçori e shpirtit tonë etnik.

Kanuni shqiptar i maleve, që është kanuni i jetës shpirtërore mbarëshqiptare, i ndërtuar mbi themele të drejta e të qëndrueshme dhe, para së gjithash, mbi barazinë dhe i përshkuar katërcipërisht nga një virtytësi e lartë tejet humane është një kundërdëftesë e egërsisë shpirtërore; përkundrazi ai dëshmon një fisnikëri të pashembullt, që rrallë e gjen në kanunet dokësore të popujve të tjerë.

Në Kodin ligjor të Stefan Dushanit, që është një kombinim i së drejtës zakonore serbe me ligjët bizantine, shkëlqen përgjakshëm, si në dritë të diellit, egërsia shpirtërore. Pikërisht, mbi bazën e këtij kodi, gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1949, iu nxorën sytë viktimave, kufomave iu prenë gjymtyrët dhe iu thyen kokat me çekiçë, u prenë me thika barqet e nënave për të nxjerrë ferishtet e palindura, u dogjën njerëz për së gjalli, u karbonizuan trupa njerëzish.

Ndërsa princi ynë Lekë, në kanunin e tij, ku zdrit tejdukshëm fisnikëria shpirtërore, jo vetëm që nuk i ka lejuar këto krime të përçudura, por përkundrazi ka ligjësuar nderimin ndaj kufomës, ndaj familjes dhe fisit të të vrarit; ai i ka vënë detyrë vrasësit të sjellë mbarë kufomën dhe t’i mbështesë armën tek koka për ta nderuar dhe për ta paraqitur më së bukuri, si dhe detyrime të tjera të kësaj natyre.

Studiuesi dhe përkthyesi në anglisht i Kanunit, shkencëtari i nderuar Leonard Fox, ka shkruar: “Kanuni është shprehja dhe pasqyrimi i karakterit shqiptar, i cili mishëron një moralitet të pakompromis, të bazuar tek drejtësia, nderi dhe respekti për vetveten dhe për të tjerët”.

Shpirti artistik i popullit tonë i derdhur ndër vargje, ka krijuar kryevepra letrare që zënë vende të merituara krahas krijimeve-në këto fusha- të popujve të tjerë. Mjafton të përmendim baladat e këngët legjendare, sidomos Eposin e Kreshnikëve, ku ndriçojnë si lapidar mbi ballin e kombit virtitësia e jetës shqiptare, dëshira për liri dhe vullneti për të mos iu nënshtruar të huajit. Eposi ynë renditet krahas Edave e Sagave të popujve skandinavë, Nibelungen të gjermanëve, Këngës së Rolandit të francezëve dhe Cidit spanjol.

Me të njëjtën bukuri shkëlqimore rrezaton proza popullore, në mënyrë të veçantë përralla- një dëshmi tjetër po aq e fuqishme e vlerave morale e estetike, që gjithashtu i siguron të drejtën popullit tonë për t’u rreshtuar me popullit indian, arab e kelt, popuj që kanë krijuar përrallat më të vjetra të njerëzimit.

E gjithë kjo pasuri shpirtërore është skalitur në gjuhën tonë, e cila na lartëson dhe na bën të krenohemi për lashtësinë, vendin e veçantë që zë në pemën indoevropiane, pasurinë, bukurinë dhe origjinalitetin e saj.

Qytetërimi i lashtë dëshmohet kudo në kulturën tonë shpirtërore. Nuk po flas për vallet, një manifestim dhe përqendrim (koncentrat) i bukurisë fizike dhe shpirtërore së bashku, i shkathtësisë dhe i krenarisë; nuk po flas për kostumet, fryt krijimtarie jo vetëm i dorës dhe i mendjes, por edhe i një shijeje aq të hollë estetike; nuk po flas për meloditë e bukura të fyellit e zumareve, lahutës e çiftelisë, etj. ; por po më vjen mbarë të bie si shembull këtu lojërat popullore, në dukje fare të papërfillshme. Ndërsa pushtuesit dhe fqinjët tonë romakë, që realizuan një kulturë të kultivuar të një niveli aq të lartë, dëfreheshin në arena gladiatorësh, duke parë njerëzit e kafshët të copëtonin njëri-tjetrin, populli ynë krijoi një ansambël të mahnitshëm lojërash, që mund të përcaktohen me një epitet fare të thjeshtë: njerëzore; por që dëshmon me një vërtetësi të padiskutueshme shpirtin artist e dinjitoz të popullit tonë, për të cilin egërsia është e huaj, e panjohur.

Sado që kohëra të disfavorshme pushtimesh të huaja, duke përfshirë këtu edhe kohën e diktaturës komuniste, u përpoqën ta gërryejnë qytetërimin e lashtë shpirtëror të popullit tonë dhe e dëmtuan, ai nuk është shuar. Përkundrazi, në kohëra më të qeta, mbasi të futet Shqipëria në rrugën e një demokracie të shëndoshë dhe të kapërcejë maskaradat e politikës së ndytë katovice, që po luhet në vkurriz të popullit tonë, shpirti shqiptar do t’i kthehet vetvetes. Këtu qëndron shpresa, ndërsa siguria qëndron tek vitaliteti ynë etnik.

Filed Under: Histori Tagged With: Anton Cefa, Qyteterimi shqiptar

SHKODRA NUK DO HISTORI FALLCO

September 16, 2021 by s p

Nga Fritz RADOVANI:

Kam njoftë në vitin 1956 Prof. Kol Alimhillin, i cili më thonte atëherë se: “Në sistemin komunist, profesorët e vërtetë përfundojnë në burg, kur dalin nga burgu, po dolën, shkojnë hamaj e fshesaxhijë, ndërsa, hamajtë e fshesaxhijtë e vërtetë drejtojnë shtetin.” (Shkoder, 1958). Ndoshta, sot kjo asht arsyeja që vazhdojmë mos me pasë histori të shkrueme sakt! 

Një dijetar thotë: “Rreziku nga e vërteta ishte ma i madh se gënjeshtra”. 

Asht shkrue e do të shkruhet e prap, do të vazhdohet me u shkrue për këtë ngjarje aq të randësishme, por e vërteta do të dalin në shesh vetëm atëherë kur historianët e paanëshëm do të kenë mundësi me pa e me studjue vetem arkivat e mbulueme nën dhé.

“Deri njerëzit e zhdukun dje prej skenet, na dukën si të kishin hi kaherë në radhën e mumjeve.”, shkruente At Gjon Shllaku, dhe vazhdon: “Për né ideja asht nji mjet me u kapë té realiteti, për filozofinë moderne ideja asht nji perde që e ndanë njeriun prej realitetit”.

Tue u nisë prej këtyne parimeve që theksova ma nalt, a duhet kuptue drejtë sot mbas 75 vjetësh  “Lëvizja e Postribës” e 9 Shtatorit 1946 ?!

Mendimet e kundërta të shprehuna ndër libra, broshura, artikuj dhe konferenca përkujtimore, më kanë shty me kërkue dishka të mbulueme me dashje, ose padashje, por në të dy rastët, jo, me qëllim të mirë. Tue u nisë si u organizue, si shpërthei dhe si përfundoi me dështim të plotë kjo lëvizje që asht ndër ma të mëdhajat e trojeve tona, asht me të ardhë keq dhe do të bindemi se frutin e kanë përfitue vetëm komunistët.

Përmbytja mori me vedi fshatarë, profesorë, oficerë akademistë, klerikë,  deputetë, intelektualë, studentë, tregtarë, shumë të kënaqun e ma shumë të pakënaqun nga pushteti, madje, edhe pushtetarë që deri pak ditë para kishin nënshkrue edhe “urdhën-arreste”, ose në mendjen e tyne pritnin kur po vjen nga diktatura komuniste “demokracia”?  

Me plot gojë dami për Veriun nuk llogaritet asnjëherë.

Vetë ardhja në Shkodër në janar të 1945 e kryekriminelit Mehmet Shehu, me një tubë të pa pame ndonjëherë terroristesh si: Sheuqet Peçi, Dali Ndreu, Gjin Marku, Rahman Parllaku, Tuk Jakova, të shoqnuem nga bandat e Sigurimit të Shtetit të drejtueme prej Koçi Xoxe, Zoji Themeli, Vaskë Koleci, Ramadan Çitaku,  Ali Qorri (Bushati), toger Baba etj., që me krimet e vrasjet e tyne të bame me gjyqe e pagjyqe, tregojnë pikësynimin e tyne: Përdorimi i çdo dredhije e mjeti mashtrues, për me shkatrrue rezistencën atdhetare antikomuniste dhe çerdhën e tyne. 

●Unë do të rreshtoj vetëm disa fakte:

●Don Ndre Zadeja deklaron: “Aty nga shtatori 1944, ka ardhë në Sheldi nji kolonel anglez i quejtun Nill, me do ushtarë e Jup e Halit Kazazin, gjithashtu me té ishte nji oficer gjerman dhe nji ushtar italjan. Këta vijshin prej Cukalit, shkojshin në Shëngjin dhe së andejmi për Itali. Në qelën teme kanë qëndrue vetëm nji natë. Gjatë ndejtjes në qelen teme, unë ju mbajta nji bisedë, ku i kam theksue nëvojën që ka populli shqiptar i varfën në mes të armiqve shekullorë, të cilët janë: Sllavi, Bullgari, Greku dhe Italia. Shqipnia ka nëvojë për nji mbrojtje nga fuqitë e hueja”. (Dosja 677)

●Rrok Gjok Luli, i arrestuem më 12 shtator 1946, për Lëvizjen e Postribës dhe i dënuem 20 vjet, deklaron: “Kam bisedue me Mustafa Jakupin, Mustafa dinte se do të sulmohet Shkodra që sonte, një gja të  tillë ia kishte thanë korieri i Jup Kazazit, një katundar prej Postribët, dhe më thote, Rrok, sande sulmohet Shkodra prej Postribët, e duhet të dalim që sonte me katundarë. Unë i thashë se do të sulmohet më 15 shtator 1946 se një gja të tillë ma ka thanë vëllai, dhe jo sonte. Por, Mustafa më kallxoi se jo më 15, por sonte se Postribësit nuk donë me dhanë ushtarë. Më ka thanë për Jupin se nuk asht këtu në Shkodër dhe ka dalë jashtë se asht i mërzitun, se do ta fillojnë luftën sande dhe për këtë, do të hidhen në sulm. Veç luftës nga jashtë do të plasin edhe këtu mbrenda, se Jupi asht marrë vesht me të huej, megjithse një pjesë e kanë kundërshtue Jupin…”

●Llesh Marashi deklaron në korrik 1946: “Nuk dij sesi tri ditë para shpërthimit të  Lëvizjes së Koplikut e ka dijtë organizata “Bashkimi Shqiptar”, unë nuk e kam dijtë vetë!”

●Don Nikoll  Deda: deklaron në gjyq më 7 janar 1948: “…Për sulmin e 9 shtatorit 1946, nuk kam bisedue as nuk kam kenë i deleguem nga Kleri për me marrë pjesë ndër këto mbledhje.”

***

Kam lexue edhe nga publicisti Don Lazer Shantoja, me pseudonimin Y: 

“Historia e Shqipnisë së lirë asht kaos luftash, ngatrresash, trathtinash, ambicionesh, partinash kaq të mëdhaja, të shpeshta, të ndyta e të damëshme, që nuk i gjenë askund shoqen në Botë” “Zani i të dekunit”   Melbourne, 14 Shtator 2021.               

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, shkodra

NEIM SAÇO SAÇAJ, INTELEKTUAL DHE ANTIFASHIST I SHQUAR NË LUFTËN ANTIFASHISTE

September 14, 2021 by s p

Neimi e Refiti, dy vëllezër të rënë nga plumbat e pabesisë komuniste

Nga Enver MEMISHAJ

C:\Users\User\AppData\Local\Microsoft\Windows\Temporary Internet Files\Content.Word\100_1963.jpg
E:\DCIM\100KM863\100_1964.JPG

Gjatë Luftës Antifashiste, krahina e Gorishtit të Vlorës që përmbledh 12 fshatra, ishte angazhuar në luftë, në radhët e Ballit Kombëtar. Batalioni kësaj force “3 shtatori”, me komandant Shanin Nuredin Bregun dhe komisar politik Neim Saço Saçaj, diplomuar në Itali për mësuesi, pati jehonë në të gjithë qarkun.

Për këtë arsye Partia Komuniste ushtroi një terror të egër ndaj kësaj krahine me qëllim që të asgjesonte forcat e Ballit Kombëtar dhe të eleminonte me atentate dhe metoda mafioze personalitete e luftëtarë të kësaj krahine, që ishin rreshtuar në radhët e Ballit Kombëtar. 

Veprimtaria terroriste e Partisë Komuniste, në fund të luftës rezultoi me një bilanci tragjik: 

U vranë me atentate dhe metoda mafioze 20 burra, si Dine Zeka, Fehim Ferraj, Lilo Nuredini etj. Nga këta pesë familje patën nga dy të vrarë: Shahin Nuredini me të birin Bexhetin, Neim Saçaj me të vëllanë Refitin, Aben Mahili me të birin Serjanin, Zenepe Caushi me të birin Alimin, Tartar Berdo me të vëllanë Shaqon.

U arratisën nga Shqipëria për t’i shpëtuar ndëshkimit të komunistëve nëntë burra, si Çize Zyka, Beqir Çize, Bajram Alushi etj.  

U dënuan për motive politike me burgime të rënda 20 burra si, Ali Hyska, Bajram Shahini, Fejzo Lulo, etj. Nga këta vdiqën në burgun e Burrelit nga sëmundja e urisë dhe mungesa e barnave tre vetë:  Kajmak Delo, Shaqo Bendo e Xhafer Smaili.

Familjet e të gjith këtyre u persekutuan egërsisht, iu sekuestrua pasuria dhe toka,  u internuan dhe iu mohuan të drejtat elementare njerzore. Të mbetur pa tokë dhe pasuri shume familje u larguan nga fshati për në qytete, kryesisht në Vlorë. Por edhe këtu nuk u lanë të qetë. Në vitin 1966, 18 familje gorishiote të vendosura në qytetin e Vlorës, i shpërngulën me dhunë dhe i dërguan në fshat, në vendlindjet e tyre. Këta të mjerë duhet ta fillonin jetën edhe një herë nga xerua, pa shtëpi, pa tokë, pa bagëti pa asgje prej gjëje veç krahëve të punes. 

Ne po ndalemi te komisari batalionit “3 Shtatori”, Neim Saço Saçaj, dekoruar nga Këshilli i Qarkut Vlorë “Nder i Qarkut Vlorë”.

                                                                     *       *      *

Neim Saçaj  ka lindur në katundin Gorisht të Vlorës më 20 dhjetor 1913 në një familje të njohur patriotike. Babai I Neimit kishte luftuar trimërisht në luftën e Vlorë me 1920 dhe në Kotë ishte plagosur rëndë. Nga këto plagë vdiq në vitin 1923. Më parë Neimit i kishte vdekur edhe e ëma dhe për mirërritjen e tij u kujdes xhaxhai Selman Saçaj, emri të cilit duhet të përmëndet me nderim të madh, për atë që bëri për bonjakun Neim saçaj.

Neimi pas mbarimit të shkollës në vendlindje ndoqi mësimet në Medresenë e Tiranës, duke u dalluar mbi shokët e tij për inteligjencë dhe përvetësimin e gjuhëve të huaja. 

Duke parë zgjuarsinë e tij xhaxhai i kërkoi ndihmë deputetit të Vlorës z. Sadik Shaskaj dhe Neimi u nis për studime pedagogjike në Itali të cilën e kreu në vitin 1935. Gjatë viteti 1935 – 1942, Neimi do të punonte në gjimnazin e Gjirokastrës si professor, dhe më pas Kryemyfti. 

Vendlindja e thirri atë, për të marrë pjesë në lëvizjen kundër pushtuesit fashist. Kështu ai kthehej në Vlorë për të marrë pjesë aktive në luftë kundër pushtuesit.

Veprimtaria e Neim Saçaj tërhoqi vëmëndjen e nacionalistëve Hysni Lepenica, Skënder Muço dhe Isuf Luzaj, të cilët kërkuan të takoheshin me të në shtëpinë e tij. Neimi ra dakort të merrte pushkën në dorë. Po këtë ditë u formua çeta e Ballit Kombëtar me komandant patriotin Shahin Nuredin Bregu dhe drejtues politik u zgjodh Neim Saçaj. Më vonë kjo çetë do të rritej në batalionin “3 Shtatori”

Prej këtij çasti Neimi do të bëhej një propagandist i flaktë me idenë që të ngrinte popullin në luftë dhe duke kritikuar Partinë Komuniste si parti e huaj për zakonet dhe traditat e popullit tonë. Në prill të vitit 1943 Neimi kishte mbledhur popullin e krahinës së Gorishtit dhe ndërmjet të tjerave ai do të deklaronte: “Të luftojmë fashizmin  dhe të mos lidhemi me Rusinë komuniste” (Gazeta “Balli i Kombit” Tiranë dt. 9.1.1997)

Kështu me aktivitetin dhe besimin që populli kishte te ky luftëtar lirije ishte rritur autoriteti tij dhe besimi që populli kishte tek ky bir i tij. Në vazhdën e veprimtarisë së tij ai do të bënte pjesë në çetën “Shqiponja” të Hysni Lepenicës prej 100 luftëtarësh që do të udhëtonte nga Vlora për të mbritur në Mukje, e për të marrë pjesë e mbrojtur Konferencën e Mukjes 1 – 3 gusht të vitit 1943. Menjëherë pas Konferencës së Mukjes, Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, anëtar i të cilit ishte edhe Hysni Lepenica, organizoi në datën 4 dhe 5 gusht 1943, një betejë të përbashkët të Ballit dhe të Frontit në afërsi të Qafë Shtamës, kundër ushtrisë italiane.  Neimi në përbërje të çetës “Shqiponja” do te mrrte pjesë e do të luftonte me trimëri në këtë luftë. 

Pas kësaj fitorje dhe triumfi çeta e Hysni Lepenicës i emëruar anëtar i Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë dhe Komandant i Prefekturave të Jugut do te kthehej në Vlorë, duke udhëtuar natë e ditë në këmbë. Hysni Lepenica i vendosi forcat e Ballit Kombëtar në Brataj dhe bëri riorganizimin e këtyre forcave. Neim Saçaj u emërua propogandist në krahinën e Gorishtit. Ka edhe mendime se u emërua anëtar i Qarkorit të B. Kombëtar të Vlorës.

Dihet se pas 1 tetorit të vitit 1943 Partia Komuniste i shpalli luftë Ballit Kombëtar dhe sulmoi me forca të shumta disa fshtra të Vlorës si Sevasterin, Velçën, Lepenicën, Gjormin etj. duke djegur, vrarë dhe grabitur pasurinë e fshatrëve të varfër që ishin me Ballin Kombëtar. 

Para kësaj gjendje Neim Saçaj u thirr në Tiranë nga Mid’hat Frashëri për konsultime. Komunistët kishin parë tek Neimi një luftëtar dhe propogandues të zotin dhe me infuencë, prandaj vendosën ta asgjesonin. Më 25 nëntor 1943 ndërsa kthehej në Vlorë një njësit komunist i bëri atentat tek ura e Mifolit dhe e vranë pabesisht. Më pas komunistët, po për të njëjtat arsye do të vrisnin pabesisht edhe vëllanë e tij Refit Saçaj.

Familja e tij pas çlirimit kaloi kalvarin e vuajtjeve dhe persekutimeve të egra. 

Pas vitit 1990, Neim Saço Saçaj i është dhenë “Statusi i ish të Përndjekurve Politikë”. 

Këshilli i Qarkut Vlorë me vendim nr. 26/1 datë 22.11.2012 i ka dhenë titullin “Nder i  Qarkut të Vlorës”, me motivacion: “Pjesëmarrës aktiv në luftërat dhe përpjekjet për mbrojtjen e pavarësisë kombëtare, intelektual dhe antifashist i shquar në Luftën e Dytë Botërore “  

oooOooo

Filed Under: Histori Tagged With: Enver Memishaj, Neim Sacaj

Kryengritja e Postribës/ Zbardhen kujtimet e dëshmitarit të ngjarjes, Sami Repishtit

September 11, 2021 by s p

SAMI REPISHTI, PH.D.*

9 shtator 1946. “Mbas mesit të natës, gjumi i qytetit të Shkodrës u prish nga nji breshni qitjesh me armë që më erdhi e papritun. Ishin katundarët e Postribës që mbrojshin tokën e tyne, me gjithë shpirt.

“Pushteti” i ri komunist kërcënonte me kolektivizim. Nji grup i madh afër 200 vetash, i guximshëm por i paorganizuem, sulmoi qytetin, kazermat ushtarake e ndërtesat qeveritare, por pa sukses. Përleshja me “forcat e Sigurimit” vazhdoi deri në mëngjez, kur sulmuesët u tërhoqën.

Rrjedhimet e këtij akti vetëmohues u treguen katastrofale. “Lëvizja e Postribës”, ashtu si u quejt nga të gjithë, nuk la shumë viktima në fushën e betejës, por bani shumë viktima në ditët që vazhduen. Ditën e parë, në nji fushë afër qytetit u ekzekutuen njizetë e tetë katundarë. Batalionet e Sigurimit të Shtetit invaduen katundet e Postribës e pushkatuen pa faj, pa gjyq, shumë fshatarë që nuk u arratisen sepse nuk morën pjesë në kryengritje! Shumë shtëpi u dogjën e tymi i tyne dukej qartë nga qyteti.

Arrestimet u banë në masë dhe jashtë çdo kontrolli. Ky akt guximtar u ba shkak “të pastrohej” gjithë qyteti i Shkodrës me rrethe nga elementët “armiq të popullit”. Mbrenda nji mueji, qyteti kishte dymbëdhetë burgje të përkohëshme, e ma shumë se njimijë e dy dyqind të arrestuem. Hija e randë e ekzekutimeve ishte kudo. Por natën, kur filloi pushka në rrugët e qytetit, Shkodra u elektrifikue. Ideja e rrëzimit të “pushtetit komunist” ndezi fantazitë e të gjithëve. Monstri i kuq mishngranës ishte plagosë! Nga dritarja e hapun në atë natë shtatori, krizmët e pushkëve më mbushën me shpresë. Nuk ashtë melodi e re për këte popull që ashtë “ushqye” me gjak e lotë.

Nga Rozafa, sot e zymtë dhe e zemrueme, në këte natë martirizimi, zana numëron dëshmorët e ramë për liri, ndërsa në ledhet tremijëvjeçare të kështjellit, legjenda kalitë emnat e tyne për përjetësim. Historia e jote, o Shkodër, ashtë tingulli i daltës së çeliktë që pret thellë në granitin që copton, e në mermerin e lëmuet ajo kalitë pavdekësinë e atyne që dhanë jetën, flijime të ndërgjegjëshme të njerëzimit të lirë. Fjala shqipe “kryengritës” më pëlqen shumë!

Sa e bukur; sa tërheqse! Fjala “kryengritje” që në gjuhët e hueja perëndimore përkthehet me “insurrectio”, (nga latinishtja), ngritje kundër nji autoriteti civil ose politik, nji seri aktesh dhe ngjarjesh që synojnë nji qellim të caktuem: ndryshimin e rendit shoqënor ekzistues, ka nji kuptim të veçantë në shqipen tonë. Ajo ka nji prejardhje ma të përcaktueme, ma “burrënore”: “të ngrejsh kokën nalt”, (“Nalto ballin, çetë luftare” e D.Ndre Zadejës) të refuzosh dhe të përbuzësh nënshtrimin, të mos përulesh, as të thehesh as të përkulesh, të kundërshtosh kamxhikun e shtypësit me nji guxim që sfidon vdekjen, dhe në përpjekjen fisnike me jetue “kryenaltë” pranohet humbja e nji jete që, pa liri dhe pa dinjitet njerëzor, nuk ka kuptim.

Nderi para jetës! Kryengritësi! Kryengritje! Sa titull magjepës! Ky ashtë koncepti që unë kam formue gjatë viteve të gjata në burgjet komuniste të Shqipërisë, e në kontakt me individë të thjeshtë, të paarsimuem, besnikë të traditave tona të besës, nderit, burrënisë, mikpritjes dhe trashëgimisë që na jep trimnia e fitueme në situata të vështira, “shtigjet e ngushta”, “rruga e kryqit” e Kalvarit tonë kombëtar.

Ky ashte koncepti që unë kam formue nga takimet e përditëshme me ish-të burgosunit nga krahina e Postribës, në Veri të Shkodrës sime, landa kryengritëse që me guxim marramendës sulmoi “pushtetin” e terrorit komunist në Shkodër, më 9 shtator 1946. Sot, këte akt guximi të rrallë e quejmë “Lëvizja e Postribës” dhe e festojmë në kujtim të kryengritësve që shkruen me gjak nji epope, si dhe të viktimave që shkaktoi lufta në qytet, e masat ndëshkimore që nuk përfunduen asnjiherë për 45 vjet kundër kësaj popullsie vendëse. Por identifikimi i këtij akti spontan guximtar si “lëvizje” asht i pasaktë. “Kryengritja e Postribës”? Po!

Leckamanët guximtarë të Postribës u mundën! Por, miti i “pushtetit të popullit”, i trumbetuem aq shumë nga sundimtarët e kuq u shemb. Ata që sulmuen ishin shumica katundarë të vorfën, landa që reklamohej nga “pushteti” si baza e tij, e që tashti ngrente kokën si rezistencë kundër “pushtetit”uzurpues.

Disfata politike e komunizmit në Shqipëri ishte e plotë! Në ato ditë, entuziasmi, unë shkrova: “… Digju flakë, o Shkodra e ime plakë, digju! Sot në errësinën që të ka mbulue anembanë, për ushqim ka nevojë përsëri liria, për djelm ende të parritun si duhet, për burra që nanat kërkojnë pse duhen ushqye fëmijtë që qajnë për bukë, e për babën që nuk jeton ma! Ngreje zanin e kushtrimit përsëri, ti o qyteti i Rozafës, shpërndaje errësinën që mbretnon, o Shkodra plakë, e me flakadanin e ndezun në dorën që shkrumbohet nga zjarri i lirisë, digju, digju flakë, o Shkodra e ime plakë, digju!”. ((Nën hijen e Rozafës, f.125)

* * *

Në mbasdrekën e 22 tetorit 1946, u arrestova nga organet e Sigurimit të Shtetit. Mbas nji hetuesie barbare që kërkonte nënshtrimin tim ma shumë se “informatat” mbi veprimtarinë anti-pushtet, dola para “Gjyqit të Popullit”, nji shaka e pashpirt, nji komedi sa banale aq vdekësore. Nga 22 të akuzuemët, nandë fatmjerë u dënuen me vdekje, dhe ma vonë u ekzekutuen. Unë mora 15 vjet burgim të randë mbi kurriz. Nga ata që shpëtuen nga vdekja ishin edhe katundarë nga Postriba, pjesëmarrës aktivë të sulmit të 9 shtatorit. Njeni nga ata, i akuzuem si “kryetar” i kryengritjes, pranoi akuzën me dinjitet. Nuk mohoi veprimtarinë e vet në këte akt të armatosun.

I thjeshtë, me pak fjalë, rreth pesëdhjetëvjeçar, por i lodhun nga jeta e vështirë e katundit, kufizohej me përgjegje të shkurta: po ose jo. Emni i tij, Osman Haxhija! Shpeshherë kishe përshtypjen se nuk kuptonte as akuzat e prokurorit, as vrejtjet banale të kryetarit. I veshun me nji palë rrobe të vjetra, që nga qendrimi në qelitë e flliqta të burgut dukeshin edhe ma të vjetra, Osman Haxhija qendronte me trupin drejt, kokën nalt, dhe shikimin e përqendruem në trupin gjykues sikur donte me sfidue autoritetin e tyne sa herë që e sulmojshin me ngulm e egërsi.

Nuk e di se çka mendonte në ato momente kritike për jetën e tij, por shihej qartë nji shprehje mosperfillëse për të gjithë procesin, njerëz e ngjarje, me ftohtësinë e nji stoiku i përgatitun për gjithçka, i tronditun nga asgja. Nga banka e të akuzuemëve shikojshe me admirim të sinqertë këte viktimë të rrethueme nga ujq mishngranës që kercënojshin atë dhe të gjithë të mjerin vendin tim. Cili do të ishte fati i jonë në duer kriminelësh vandalë të kuq të vendosun me mbajtë pushtetin me çdo kusht e të nënshtrojnë me çdo mjet nji popullsi që nuk i pranonte? Më 27 nandor 1947, u dhanë dënimet.

Osman Haxhija u dënue me burgim të përjetëshëm. Akoma më tingëllojnë në vesh britmat histerike të aktivistëve të grumulluem në sallën e gjyqit, ish-kinemaja e qytetit. Turma e pamend as na njihte, as kuptonte skenën makabre të përgatitun nga “pushteti” që ata i bindeshin verbënisht. “Trathëtarët në litar! Trathëtarët në litar!” shkyheshin gurmazet e qindra “spektatorëve” tashma aktorë pa ndërgjegjsim të valles së vdekjes që bahej para syve të tyne, të verbuem nga injoranca! Shumë qenie të thjeshta, ndërgjegje të papërlyeme, e mendje të çorodituna nga propaganda kambëngulëse për hakmarrje e frika e përgjithëshme, ranë viktimë e iluzionit komunist! Më 28 nandor 1947, përfunduem në Burgun e Shkodrës.

* * *

Ditën e parë të shetitijes njiorëshe në oborrin e burgut lëvizëm poshtë e nalt pa folë. Ma vonë, u afrova me Osman Haxhinë, e përshëndeta, i shtrëngova dorën, e përgëzova që i kishte shpëtue jeta nga pushkatimi. Ai uli kokën! “Na kushtoi randë”, më tha, “por nuk kishte rrugë tjetër”. Shqetësim i madh, por asnji shenj pendimi. Heshti e hodhi sytë rreth e rrotull. Ishim të rrethuem nga nji mur i naltë. Në kullat e ngrituna qendrojshin kercënues ushtarë të armatosun. Përmbrenda ishin rojet e burgut me shkopij.

Mbas asaj dite, Osman Haxhija më kërkonte, sikur kishte dëshirë, me thanë diçka që e mundonte. Disa herë ecshin krah për krah, pa folë, që të mos krijohej dyshimi te rojet. Por heshtja e vazhdueshme nuk mund të zgjatej ma. Ishte e qartë se ai kishte nevojë, nji nevojë të madhe me folë e me tregue. Më dukej sikur kishte frikë se do të vdiste e të merrte me vete “sekretin” që përpiqej me zbulue. Unë kishe nji dëshirë të papërmbajtun me ditë ma shumë, me kuptue ma mirë rrjedhjen e ngjarjeve që sollën katastrofën e pa parashikueme, ku kishim ra viktimë të gjithë.

Nji ditë, gjeta guximin e duhun me ba pyetjen kryesore: “Osman”,- thashë,- “pse ngritët krye?”. Ai u mendue pak, tërhoqi edhe nji herë në cigaren që mbante mes dy gishtave të dorës së djathtë, të zverdhun nga duhani, e u përgjegj thjesht: “Na erdhi thika në asht! Nuk durohej ma! S’kishte rrugë tjetër për ne!”, e heshti. Në atë moment kritik për këte njeri të mbushun me inat e deshprim, nuk gjeta fuqi as fjalë me ngushëllue këte figurë tragjike. Por ai nderpreu heshtjen e dhimbëshme e vazhdoi: “Me reformën agrare të vitit të kaluem na damtuen, por përsëri e bajshim jetesën.

Ti e din se na mbjellim duhan kryesisht, e me shitjen e tij në pazar na sigurojmë të ardhunat me plotësue nevojët tona shtëpiake. Me reformën e vjetit 1946, këte të tashmen, na hoqën edhe atë mundësi. Nuk na mbeti tjetër veçse me u ba punëtorë të thjeshtë me pagesë të Shtetit. U vendos nga të tjerët me u ba kooperativa bujqësore, me drejtor nga jashtë katundit, nëpunës të panjohun për ne, e na rrogëtarë me pagesë ditore. Këte, as e kuptojshim as e pranojshim. Gjithë jeta e jonë ndryshoi për të keq. Na u duk sikur nuk jemi ata që kemi qenë brez mbas brezi…!

Por e keqja ma e madhe ngjau kur vendosen me mobilizue të rinjtë e katundit për ushtri. Kjo na këputi dy krahët. Sepse me djelmtë ushtarë na ishim robë të tyne… nuk mund të bajshim asnji kundërshtim”. “A ishte ky nji mendim i përgjithëshëm?”, e pyeta unë. “Po!”, më përgjegji. “Për këte kemi qenë të gjithë të nji mendimi. Jeta që na priste ishte nji jetë pa nder, jetesë rrogë- tari…!”. E heshti. Fjala e fundit u shqiptue me nervozitet. Dukej se dilte thellë nga zemra e tij e plagosun.

Kam mendue shpeshherë për këte “jetesë rrogëtari”. Për nji katundar të pavarun, ndryshimi në varësi të Shtetit duhet të ketë qenë me të vërtetë tronditës. Të ngrihesh në mëngjez e në vend që të punojsh arën tande e të kujdesesh për nevojët tueja e të familjes, duhej tashti të rreshtohesh bashkë me të tjerët e të marrësh urdhën nga të tjerët, ku të shkosh e çka të punosh, ndërsa për familjen përcaktohen pagë të vendosuna përsëri nga të tjerët. Po “unë”, cili jam unë atëherë?

Ishte psikoza e skllavërisë që e frikësonte! Në ditët e ardhme, vazhduem bisedët tona ma me lehtësi, sepse akulli ishte thye. Tashti, ai kishte zbrazë kupën e helmit që e mundonte; megjithatë, priste që edhe unë të çfaqë arsyetimin për dënimin tim. I thashë se si student, si i ri qytetar, ishe shumë i shqetësuem nga terrori ushtarak e policor që ushtrohej në të gjithë vendin, nga nënshtrimi poshtënues i vendit ndaj “shokëve jugosllavë” dhe nga censura e fortë që rritej çdo ditë e ma shumë kundër fjalës së lirë, qoftë me gojë, qoftë me shkrim….

E të tjera arsyetime si këto! Osman Haxhija më shikonte me kujdes, e besoj për respekt ma shumë se për interesim! Nuk pyeti. Nuk di në se e kuptonte sqarimin tim, por nji lloj kureshtjeje dukej qartë në fëtyrën e tij. Ma në fund më tha: “Për këte ke ra në burg?”. “Po!”, i thashë. “Për këte shkelje të drejtave të mia qytetare… Janë me randë- si” shtova,” për nji jetë me dinjitet, jetë me nder. Si mendon ti?”. “Edhe ne na kanë prekë në fe”, shtoi ai me nji gjysëm zani, sikur kishte zbulue diçka të re. “Nuk kemi hoxhë, sepse kanë frikë me ardhë në katund”, shtoi ai me thjeshtësinë e vet… E shikova! “O. sancta simplicitas!”, thashë me vete!

* * *

Osman Haxhija nuk vuente nga ndjenja e vdekjes, “asgjasimit të pareparueshëm të jetës”, që ashtë tema e intelektualit të angazhuem, aventurierit, e revolucionarit të edukuem. Ideja e heroit modern që nuk beson në Zotin nuk kishte vend në arsyetimin e tij. Ai revoltohej me mbrojtë të kaluemen e tij që e dëshironte me gjithë shpirt, i pandamë nga ajo. Ideja e revoltimit me shpresë se do të përmbysej e tashmja dhe do të rilindte nji botë e re, ishte e panjoftun për këte katundar kryenalt. Ai kërkonte vetëm të vazhdonte jetën, ashtu si të parët e tij.

Por kambëngulja ishte e fortë, si dhe guximi që ajo krijonte. “Shqetësimi” modern nuk ishte ai i Osman Haxhisë. Ai besonte në Zotin me bindje, dhe pranonte pa u revoltue idenë e vdekjes, ashtu si e jepte feja (“kështu ka qenë shkrue”), që ai përqafonte pa kondita, me premtimin e nji bote tjetër “të përherëshme e të pasosun”. “Shqetësimi” i tij kishte nji karakter ma imediat, të përditshëmen, të thjeshtë, traditën, shoqëninë tradicionale, e njikohësisht themelore për jetën me nder, si baba, si gjyshi, si brezënitë e pafund.

“Shqetësimi” i tij ishte për shokët që humbën jetën në aksionin vëllaznor dhe familjarët e tyne, për të rinjtë që indoktrinoheshin nga nji rregjim shtypës, për lirinë e fesë që kercënohej me zhdukje, për ruejtjen e së drejtës së pasunisë private, dhe për humbjen e gjendjes së qytetarit që respekton ligjin në nji shoqëni ku çdo njeni ashtë nji vlerë e pa zavendsueshme. Aspekti tragjik i jetës së “kryengritësit” Osman Haxhija gjindej në ballafaqimin e tij me “pushtetin” që i mohonte lirinë, thirrjes së tij për jetë të lirë dhe grushtit të hekurt të “pushtetit”, vendosmënisë tij me ruejtë identitetin për vete dhe për shoqëninë ku jetonte, në ndërhymjen e jashtëme me dhunë dhe guximit tij civil me i thanë “Jo!” forcës së ushtrueme, plotësisht i ndërgjegjshëm se ajo “forcë brute” do të shkatërronte punën dhe përpjekjen e tij me u çlirue…

Ballë për ballë me vdekjen, ai kishte zgjedhë me jetue i lirë! Plotësisht i ndërgjegjshëm ishte katundari i Postribës, “kryengritësi” i thjeshtë Osman Haxhija… E “osmanët” e krahinës heroike që e ndoqën atë deri në vdekje. Dhe ky ashtë shpirti i “kryengritjes së Postribës” që na përkujtojmë sot me respektin ma të madh që meriton. Ushtarakisht, “Kryengritja e Postribës” ka qenë nji akt guximtar, i papërgatitun dhe që përfundoi në tërheqje.

Këte përfundim kam arritë mbas bisedave të gjata me udhëheqës të “Kryengritjes” gjatë viteve të gjata të burgimit tim. Por, politikisht, ajo hapi nji humnerë në mes të propagandës gënjeshtare dhe realitetit të përditëshëm. “Pushteti popullor”, Qeveria dhe militantët e PKSH të vendosun me dhunë në vendin tonë, ballafaqoheshin me zemërimin e masave të revoltueme e refuzojshin “diktaturën e proletariatit”. “Faji” joekzistues për të pafajshmit u “krijue” me propagandë e torturë. Këte detyrë monstruzoe e mori përsipër Sigurimi i Shtetit kriminel…

Me torturat ma çnjerëzore, viktimët e arrestimeve masive u detyruen me deklarue se kanë qenë pjesëmarrës, ose të paktën se kanë pasë dijeni për “Kryengritjen”. Unë kam qenë njeni nga këto viktima. Kështu “pushteti” filloi me folë për qytetarë shkodranë, tregëtarë, pronarë tokash, intelektualë perëndimorë, e sidomos për klerin katolik, si organizatorë të “Kryengritjes” dhe për kryengritësit si “fshatarë të gënjyer”. “Për ne”, më tha oficeri hetues, “armiku i vërtetë janë intelektualët e sidomos kleri katolik. Tregtarëve u marrim pasurinë dhe mjafton.

Kulakëve u marrim tokën, dhe mjafton. Por pasuria e juej është në kokë, kulturë e ide perëndimore. Prandej do të ju presim kokën… Kleri katolik? Kemi shembullin e Revolucionit francez; ata janë armiqtë e popullit…”. Dhe kokët u prenë, e xhelati duergjak kalon sot qetësisht, pa u trazue nga ligji, nji jetë të qetë që nuk meriton. “Kryengritja e 9 shtatorit 1946” ka qenë disfata e parë e madhe, politike dhe morale e sistemit komunist në Shqipëri. Ajo që ngjau ma vonë ka qenë thellimi i “diktaturës së proletariatit” dhe degjenerimi i plotë në shtypje hakmarrëse “gjeorgjiane”….

Akoma sot, nga bota e nëntokës ku pushojnë viktimët, nga varret e humbuna dhe të mospërfilluna ku mbulohet pafajënia e viktimave të komunizmit, unë ndigjoj çdo ditë nji thirrje të fuqishme e gjysëmhyjnore: “Para Zotit dhe ndërgjegjes sonë, na jemi të pafajshëm! Jemi prindët e juej, jeni fëmijtë tonë! Na kujtoni! Ju lutemi, mos na harroni!”… “… Ata kurrë mos u harrofshin/Në kangë e në valle, por u këndofshin!”. (Atë Gjergj Fishta)

Ridgefield, CT.USA *Ish-i burgosun politik (1946-56)

Filed Under: Histori Tagged With: kryengritja e Postribes, Sami repishti

Nacionalisti dhe demokrati i përkushtuar Xhevat Kallajxhi

September 11, 2021 by s p

Anton Çefa/

          Atdhetari nacionalist e demokrat, publicisti e shkrimtari Xhevat Kallajxhi, që gjithë jetën punoi pa u kursyer për të mirën e kombit e të atdheut, u lind në Gjirokastër në vitin 1904. Me idealet dhe ndjenjat atdhetare, ai u ushqye që në fëmijërinë e tij të hershme, jo vetëm nga zhvillimi i ngjarjeve të kohës, po edhe nga tradita dhe edukata familjare. Xhaxhai i tij, Ahmet Shefki Kallajxhi, mik e bashkëpunëtor i vëllezërve Frashëri, i njohur si Kadiu i Prevezës, sepse shërbei këtu për një kohë të gjatë – (siç ka shkruar vetë Xhevati në “Dielli”, April 1 , 1980) – luajti një rol të rëndësishëm në veprimtarinë drejtuese të Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Jug, e cila paralizoi punimet e komisionit të kufijve jugorë dhe i tregoi Kongresit të Berlinit dhe mbarë botës me anë të memorandumeve dhe demonstratave që populli shqiptar nuk i lëshon kufijtë pa gjak. Evropa u detyrua të zmbrapsej në këtë kohë nga qellimet e saj për të kënaqur lakmitë greke për tokat shqiptare të Artës, Prevezës, Janinës dhe disa viseve të tjera. Në krye të demonstratës më të fuqishme që u zhvillua në Prevezë ditën e mbledhjes së komisionit të lartpërmendur, dhe ku morën pjesë mijëra shqiptarë të armatosur, ishte Kadiui i Prevezës. Populli i Gjirokastrës e ka kujtuar gjithnjë me respekt e miradije Ahmet Kallajxhiun. Ishin të freskëta bëmat e xhaxhait, kur lindi e u rrit Xhevati. Veç kësaj, fëmijëria dhe rinia e tij përkojnë me luftën e çetave për liri të Bajo e Çerqiz Topullit dhe me kryengritjen e Përgjithshme që i dha Shqipërisë Pavarësinë. Bindjet dhe idealet atdhetare e afruan Xhevatin që në rini me lëvizjen e shëndoshë përparimtare nacionaliste. Të ardhmen e popullit tonë ai e shihte në krijimin e një rendi demokratik. Kështu që gjithë jeta e tij u përvijua kryesisht në dy rrafshe: në rrafshin e idealit kombëtar dhe të atij demokratik. Në vitet ’30, që kanë qenë për Shqipërinë vitet e një lëvizjeje të gjallë intelektuale për ta projektuar shtetin dhe shoqërinë shqiptare në dritën e qytetërimit evropian, Xhevati drejtoi gazetën “Demokratia” (1930-1937), që kishte filluar të botohej që në vitin 1925, dhe ku bashkëpunuan Jorgo Meksi, Vangjel Koça, Branko Merxhani, etj., ideologë të rrymës së “neoshqiptarizmës”. (Shih : “Shejzat”, v. 1962, nr. 1-2, f. 72, dhe  “Historia e letërsisë shqiptare”, Tiranë, 1983, f. 461). Gjatë kohës së pushtimit Italian, mbas një periudhe të shkurtër lëkundjeje, Xhevati u lidh me organizatën  e Ballit Kombëtar, e cila iu kundërvu që në orët e para sundimit të huaj.        Fitorja e komunistëve në v.  1944, e detyroi Xhevatin, bashkë me qindra atdhetarë të tjerë nacionalistë, të mërgojë jashtë atdheut. Mbas një qëndrimi prej disa vitesh në Itali, vjen në Amerikë, fillimisht në Nju Jork  e më pas në Washingto D. C. Punon si pjatalarës për t’i përballuar jetesës, po nuk i shmanget pasionit të tij, gazetarisë. Në bashkëpunim me Fehmi  Kokalarin dhe në sajë të mbështetjes së mërgimtarëve nacionalistë antikomunistë, në vitin 1950 fillon të botojë në Nju Jork gazetën : “Shigjeta”, organ i Frontit Antikomunist Shqiptar në USA. Më vonë punoi në “Free Europe” për të vazhduar pastaj për një kohë të gjatë në “Zërin ë Amerikës”, duke u bërë zëdhënës i gjendjes së mjerë ku e katandisi Atdheun tonë regjimi komunist, i protestës kundër mohimit të të drejtave njerëzore e kombëtare të popullsisë shqiptare në Jugosllavi e Greqi, dhe i idealeve të larta demokratike perëndimore. Në të njëjtën kohë, nuk pushon së vepruari në fusha të tjera të veprimtarisë kombëtare, dhe gjithashtu nuk pushon së botuari shkrime të ndryshme në gazetat e revistat e mërgatës shqiptare në Amerikë. Në vitin 19 54, u themelua në Detroit Teqeja Bektashiane, ku ai luajti një rol të rëndësishëm. Teqeja qe për Xhevatin një “Welcome spiritual and social retreat”, siç thotë në Buletinin Katolik  Shqiptar të v. 1990 autori i shkrimit “In memoriam”, i nënshkruar “A frend of  Xhevat” (Peter Prifti). Për këtë teqe dhe për bektashizmin, në përgjithësi, dhe bektashizmin shqiptar, në veçanti, në v. 1964 Xhevati botoi librin: “Bektashizmi dhe Teqeja Shqiptare në Amerikë”, ku autori ka vënë në dukje rëndësinë e madhe të bektashizmit në jetën fetare e kombëtare të popullit tone, dhe faktin që teqetë bektashiane u bënë qëndra të lëvizjes për çlirim kombëtar. Është e tepër të themi që vëllezërit Frashëri dhe Ismail Qemali qenë bektashinj. Në vitin 1976, edhe pse në moshë të thyer, Xhevati i përgjigjet me ngazëllim e dashamirësi thirrjes së Vatrës për ta drejtuar organin e saj “Diellin”, dhe punon me përkushtim e pa u lodhur për dhjetë vite me radhë, deri në vitin 1986, kur u detyrua të tërhiqej për arsye shëndetësore. Ai e bëri “Diellin” një tribunë të mbrojtjes së çështjes shqiptare, të idealeve të humanizmit e të demokracisë. Në editorialet e tij, që do të mbeten si një pasqyrë e saktë e problemeve shqetësuese dhe e jetës në përgjithësi të bashkësisë shqiptaro-amerikane, dhe si një dëshmi e përpiktë e konturimeve të çështjes kombëtare gjatë këtij dhjetëvjeçari, është mishëruar me ndjenjat e një atdhetari të flaktë dhe stilin e një publicisti të aftë demskimi i regjimit komunist në Shqipëri, gjendja në okupimin e e shqiptarëve në hapësirën jugosllave. Në të është ngritur zëri për të drejtat njërëzore e  kombëtare të popullit shqiptar, është paraqitur demokracia amerikane si më e përparuara në mbarë botën, dhe janë trajtuar shumë e shumë problem të tjera, gjithnjë të situra nga interest e idealet e larta të Atdheut dhe të popullit tonë. Veç kësaj, në faqet e gazetës, nëpërmjet korrespondencës me bashkëpunëtorët dhe lexuesit, dhe me botimin e kronikave, lajmeve, urimeve, ngushëllimeve, etj., ka dalë e gjallë jeta e komunitetit. Duke mbajtur një drejtpeshim të menduar ndaj fraksioneve të ndryshme të mërgatës antikomuniste dhe të bashkësisë shqiptare në përgjithësi, si edhe duke shkruar për patriotët e së kaluares dhe veprimtarinë kombëtare bashkëkohore, “Dielli”, nën editimin e Xhevatit, u bë një gazetë e dashur dhe e mirëpritur për vatranët dhhe gjithë lexuesit shqiptaro-amerikanë.

          Si shkrimtar, Xhevati lëvroi poezinë dhe prozën. Edhe subjektet historike e biografike, ai i ka trajtuar në hulli letrare. Veprat e tij janë: “Linkoln” (1961), “Bektashizmi dhe Teqeja Shqiptare në Amerikë” (1964), “Skendërbeu” (1975), “Lot e shpresa” (1976), “John F. Kennedy” (1980), “Tingëllimet e zemrës” (1988). La në dorëshkrim romanin “Larg Atdheut”.

          Për Skendërbeun, autori shkruan: “Këtë vepër, të bazuar në fakte e legjenda, e shkrova si një kontribut të vogël në përpjekjen e madhe që bënë shqiptarët kudo për të përkujtuar pesëqindvjetorin e vdekjes së Skendërbeut”. Ajo i është kushtuar  “dëshmorëve të Shqipërisë të të gjitha luftave për pavarësinë dhe lirinë e saj”. Mbas një parathënieje, ku bëhet fjalë pëe veprimtaritë e organizuara me rastin e këtij 500-vjetori, autori përshkruan vdekjen e Heroit, hidhërimin e popullit e të prijësve dhe pushtimin e Shqipërisë prej turqve. Në kapitujt që pasojnë  flet për librat kryesorë të shkruar për jetën dhhe bëmat e Heroit tonë Kombëtar, dhe jep disa vlerësime që i janë bërë atij. Më poshtë tregohen shkurtazi përpjekjet e feudalëve të mëdhenj shqiptarë, Ali Pashë Tepelenës dhe Bushatlinjve të Shkodrës,  për t’u shkëputur nga Porta e Lartë, kryengritjet e popullit tonë kundër Tanzimatit, Lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, Lidhjen e Prizrenit, Kongresin e Manastirit dhe Shpalljen e Pavarësisë. Në fund, çeken veprat historike për figurën e Skendërbeut, të shkruara nga autorët tonë: Naimi, Noli, Sirdani dhe Gegaj. Si një doracak me vlerë për një njohje sado të përciptë të personalitetit të Heroit tonë Kombëtar dhe të disa momenteve më të rëndësishme të historisë sonë, kjo vepër mund të shërbejë për edukimin atdhetar të breznisë së re shqiptaro-amerikane.

          Dy veprat e tjera  biografike të shkruara për Linkolnin dhe John Kennedy-n,  i trajtojnë këto dy personalitete si kampionë të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë për gjithë njerëzimin. Tërthorazi, ato aludojnë qartë për gjendjen e skllavëruar të popullit tonë nën regjimin komunist. Veprat biografike tregimtare të frymëzuara nga ideale humane, heroike e demokratike, dallohen për një stilt ë shtruar, emocional e shpesh herë edhe mjaft elegant.

          Poezia e Xhevatit, megjithëse asaj pothuajse i mungon përmasa e një frymëzimi të natyrshëm e spontan dhe qendron larg përsosmërisë së teknikës artistike, është një dëshmi e çiltër e idealeve dhe e ndjenjave atdhetare e humane, shoqërore e demokratike të uatorit.

          Në pjesën më të madhe të vëllimit poetik “Lotë e shpresa” glorifikohen figurat e dëshmorëve të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore ppër çlirimin e Atdheut ose të vrarë tradhtisht nga dora vëllavrasëse komuniste: Jashar Cakrani, Selfo Hekali, Safet Butka, Hysni Lepenica, Skendër Muço, Hadi Kasimati, Hytbi Velisha, Zija Gashi, Fetih Verleni,  Dilo Graca, Hilmi Suli, Ahmet Lesko, Besnik Çano, Qeramudin Sulua, Imran Banka, Jani Mina, Tare Kalua, Kolë Tromara, Dom Ndre Zadeja, Hamit Troplini. Letërsia shqipe nuk njeh një shkrimtar të dytë që të ketë hymnizuar një numër kaq të madh dëshmorësh. Është për t’u shënuar që, duke lënë mënjanë këndvështrimin artistik, këto poezi kanë një vlerë dokumentare, aq më tepër sepse regjimi komunist jo vetëm që nuk ua njohu sakrificën supreme këtyre luftëtarëve të lirisë e të demokracisë, por i mohoi plotësisht, duke i zhdukur edhe varret. 

          Tematika e përmledhjes poetike “Lotë e shpresa” pasqyron edhe fatin e zi e përpjekjet heroike të viseve shqiptare të mbetura nën sundimin serb e grek. Kosovës, së cilës i ka kushtuar disa poezi, poeti i drejtohet me fjalët: “Qendro me krenare se i riu me plakun do ta japin gjakun”.

          Në poezitë e vëllimit “Tingëllimet e Zemrës”, krahas lartësimit romantik të së kaluares së popullit tonë, kulturës, gjuhës, mallit për Atdheun dhe fatit të mërgimtarit, të cilit i është mohuar kthimi në Atdhe, tematika përfshin edhe poezi erotike me idilet e zakonshme folklorike të pyjeve e burimeve, me elemente të këngës popullore si  në shtjellimin e motivit ashtu edhe në mjetet artistike, sidomos figuracionin. Të tilla janë: “Baresha”, “Zbret vajza nga stani”, “Te burimi”. Po, më të realizuara artistikisht janë baladat, gjithashtu me frymë popullore: “Vallja e vdekjes”, “Shemo Hajduti”  dhe “Mbretëresha Argjiro”.

          Jeta e rëndë e mërgimtarit të detyruar, me vështirësitë e pengesat, dhimbjet e vuajtjet e saj nuk e mposhtën kurrë besimin e tij në triumfin e së vërtetës dhe të së drejtës. Përkunndrazi, ky tipar personaliteti duket se kultivoi në natyrën e tij sensin e humorit, fryt i të cilit është përmbledhja “Për të qeshur”.

          Xhevat Kallajxhi jetoi me dinjitetin e një mërgimtari nacionalist që regjimi komunist i mohoi Atdheun, por nuk mundi t’i mohojë idealet e larta që e ndriçuan gjithë jetën: humanizmin, lirinë dhe demokracinë, ideale për të cilat nuk pushoi së vepruari deri ditën që vdiq, më 8 nëntor 1989.

Filed Under: Histori Tagged With: Anton Cefa, Xhevat Kallajxhi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 202
  • 203
  • 204
  • 205
  • 206
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT