• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shënime mbi historinë antike të shqiptarëve*

December 11, 2022 by s p

Nga prof.dr. Luan Përzhita/

Ishte viti 1982 kur së bashku me kolegun tim M. Bela u emërova arkeolog në Qendrën e Kërkimeve Arkeologjike – Bërthama e rrethit të Kukësit. Pothuajse çdo vit vizitonim fshatrat e Kukësit dhe të Hasit, duke shënuar të dhëna për pika dhe gjetje arkeologjike. Kur u afroheshim fshatrave të Kosovës që ndodheshin në vijën e kufirit ndarës me ish-Jugosllavinë bisedonim për kulturën e kësaj treve dardane. Ndonëse kaq afër gjeografikisht në atë kohë ishte e ndaluar që të vizitoje qendrat e kësaj treve. Ne i konsideronim me shumë fat profesorët tanë S. Anamali, S. Islami, M. Korkuti, që kishin arritur të bënin gërmime arkeologjike në vitin 1980 se bashku me kolegët kosovarë Z. Mirdita, K. Luci etj., në tumat e Llashticës në Gjilan. Nga bisedat e tyre dëgjonim me shumë kuriozitet se si ata kishin zbuluar në këtë nekropol kulturën ilire të kësaj treve.

Gjatë viteve 1970 në rrethin e Kukësit, ku pas ndërtimit të hidrocentralit të Fierzës u përmbytën shumë toka në një gjatësi rreth 90 km, janë kryer një sërë fushatash gërmimi arkeologjik si në Kolsh, nga prof. M. Korkuti, në nekropolin tumular të Çinamakut, Kënetës, Bardhocit, Krumës etj., nga prof. B. Jubani dhe prof. A. Hoti, të cilët kishin vënë re se kultura ilire e zbuluar është e ngjashme me atë në Kosovë.

Teksa shikonim fshatrat e Kosovës si Vermica, Dobruzhda, Shkoza, pak më tej Zhurin etj., në brezin e atëhershëm të kufirit, përpiqeshim që të përcaktonim, natyrisht këtu hynte në punë edhe imagjinata, vendet arkeologjike për të cilat kishin shkruar kolegët tanë kosovarë E. Shukriu, E. Dobruna, N. Ferri, Z. Mirdita, i paharruari A. Stipçeviç, si dhe historiani A. Hadri. E çuditshme po të mendosh sot se studionim për të njëjtën kulturë, për të njëjtën popullsi, që kishte të njëjtat tradita, trashëgimi kulturore, gjuhë dhe zakone, por që një “mur” teli me gjemba që quhej klon e kishte ndarë mundësinë e depërtimit në gjysmën tjetër të trupit të kësaj kulture.

Besoj se tashmë mund të kuptohet lehtë se si jemi ndjerë ne kur Kosova fitoi pavarësinë në vitin 1999. Menjëherë u organizuan takime me kolegët tanë në Kosovë, K. Luci, F. Peja, H. Mehmetaj dhe krijuam një grup të përbashkët arkeologësh, duke punuar fillimisht për evidentimin e qendrave arkeologjike të Kosovës dhe paralel u inicuan gërmime arkeologjike në disa qendra të rëndësishme antike.

Jo rastësisht, një pjesë e rëndësishme e shënimeve të mia në këtë libër i kushtohen periudhës antike të Kosovës. Së bashku me kolegët e mi, kisha vizituar me qindra fshatra në Kosovë dhe konsultuar pothuajse të gjithë qendrat arkeologjike të gërmuara para viteve 1990. Kështu krijova një ide të qartë dhe të saktë për historinë e lashtë të kësaj treve dardane. Ditën kur Kuvendi i Kosovës shpalli Pavarësinë si shtet, u ula dhe shkruajta një artikull me titull “2400 vjet shtet Dardan”, të cilin e botova në një gazetë në Tiranë për t’i bërë të ditur publikut se ky vend e ka njohur shtetin mijëra vjet më parë.

Në shënimet e mia i kam kushtuar një vend me rëndësi të gjithë historisë antike të Kosovës, nga epokat prehistorike, rreth 6000 vjet më parë, shtetit Dardan, Dardanisë bizantine, si dhe figurave historike me origjinë nga kjo trevë. Një vend me rëndësi në këto shënime kanë edhe gërmimet arkeologjike që kemi zhvilluar, në fshatin Çifllak të Rahovecit. Aty u njohëm me Z. Fasli Thaçi (ndjesë pastë), një burrë shumë gazmor, i qeshur dhe bujar. “Unë nuk jam arkeolog”, më tha ai, “por e di se themelet e shtëpisë sime janë ndërtuar mbi troje shumë të vjetra të ilirëve. Në qoftë se nuk besoni, jeni të mirëpritur që të gërmoni në kopshtin e shtëpisë edhe pse tani është plot me perime”. E duke buzëqeshur shtoi: “E kush pyet, boll që ia arritëm kësaj dite që të dimë historinë tonë!”. Që nga ajo ditë shtëpia e Fasli Thaçit u bë dhe shtëpia e arkeologëve. Menjëherë e kuptuam se kishim të bënin më një qendër të rëndësishme antike të Kosovës, një vendbanim i cili përmbushte të gjitha kushtet për zhvillimin e jetës në antikitet.

Trevës dardane i dedikohen në këtë libër edhe disa shënime të mbajtura gjatë gërmimeve arkeologjike që kam bërë në Kukës, ku do të veçoja Qytezën në kodrën e Pecës, qendrën e parë qytetare në këtë krahinë për shekujt IV-II para Krishtit, ku kemi gjetur një vulë të shekullit IV me emrin e lashtë të Kukësit. Këtu pata fatin të zbuloj një objekt të mrekullueshëm, një llampë me shenjtorë të kohës paleokristiane të shekullin VI, e cila përfaqëson një objekt unikal – i vetmi në Europë – të cilin e kam publikuar së bashku me kolegun e njohur francez, François Baratte (profesor në Universitetin e Sorbonës Paris IV Hyrje 11 në Francë) në revistën e mirënjohur në fushën e arkeologjisë “Cahier Archeologique”.

Në vitin 2000 fillova gërmimet arkeologjike në kalanë e Grazhdanit (Dibër). Kur e vizitova për herë të parë këtë kala u befasova nga madhështia e saj. E ngritur në mes të një pllaje pjellore, me mure 3 km të gjatë, me 44 kulla dhe 3 hyrje, më krijoi përshtypjen se kishte ardhur koha të zbulonim të fshehtat e kësaj qendre të rrethuar nga heshtja prej shekujsh. Pas shumë vitesh kërkime dhe studime që lidhen me rëndësinë e kësaj qendre po botoj disa shënime mbi rolin që kishte kjo kala, e cila i dha emrin krahinës së Dibrës së sotme.

Pas rrëzimit të murit të izolimit, filluam kontaktet e para me kolegët e vendeve perëndimore. Në këtë rast isha i previligjuar, sepse që nga viti 1995 u bëra pjesë e ekipit shqiptar, së bashku me kolegët K. Lako dhe P. Damko (të ndjerë), Gj. Saraçi, I. Gjipali, Dh. Çondi, që do të bashkëpunonim për 10 vjet me kolegë nga Britania e Madhe për projektin arkeologjik të Butrintit. Kjo perlë e arkeologjisë mesdhetare dhe botërore, që të mahnit me bukuritë dhe madhështinë e monumenteve, të frymëzon dhe të fut natyrshëm në botën antike, ku ndërthuret historia e formimit, zhvillimit dhe lartësimit të një qyteti antik që si rrallëherë, ndonëse i zbrazur, të ofron ende ngrohtësi. Në këtë qytet kanë kaluar figura me përmasa botërore, janë zhvilluar ngjarje me rëndësi historike, janë ndërtuar vepra me nivel të lartë nga disa inxhinierë të njohur. Qytet me teatër dhe gjimnaz, me tempuj dhe ujësjellës. Pas punës, në orët e mbrëmjes, fillova të shënoj diçka për këtë qytet që dëshiroj ta ndaj me ju.

Së bashku me kolegun tim prof. William Bowden (profesor në Universitetin e Notingemit – Angli), na pëlqente të vizitonim një qendër arkeologjike buzë liqenit të Butrintit që quhej Diaporit. Në burime historike antike kishim lexuar se Butrintin e kishte vizituar i madhi Ciceron për të respektuar mikun e tij, pronarin e Butrintit, Pompon Atikun. Ciceroni e përshkruante aq bukur vilën e mikut të tij, sa na dukej sikur rrënojat e kësaj vile fshiheshin pikërisht në Diaporit. Të nxitur nga kjo histori, në vitin 2000 filluam gërmimet arkeologjike në Diaporit që zgjatën deri në vitin 2006. Një qendër që të lë pa frymë nga bukuria natyrore dhe madhështia e ndërtimeve që ajo përmban. E kisha shumë të vështirë që kënaqësinë e përjetuar në zbulimin e kësaj qendre të mos e ndaj me lexuesin. Prandaj në mënyrë shumë të shkurtër kam shkruar në këtë libër për Ciceronin dhe madhështinë e vilës së Diaporit.

Në këtë botim mendova të hedh disa të dhëna edhe për rrugët e rëndësishme tregtare dhe ushtarake që ishin ndërtuar në këtë kohë në Iliri. Gjatë kërkimeve në Shqipërinë e Veriut dhe në Kosovë, ndonëse ky territor ishte i mbushur me qendra dhe gjetje arkeologjike vazhdimisht ngriheshin disa pikëpyetje mbi zbulimin e disa objekteve që vinin nga brigjet e Italisë. Ne e dinim se një nga rrugët më të rëndësishme të komunikimit mes territorit tonë në antikitet dhe bregdetit të Adriatikut e më gjerë ishte rruga Egnatia. Por kjo trase nuk kalonte në veri dhe në Kosovë. Më tej vizituam shumë vende që nga Lezha e deri në Prishtinë, ku zbuluam se lidhja e trevave të Veriut dhe Kosovës janë realizuar nga një trase tjetër rrugore, e cila ishte ndërtuar paralel me rrugën Egnatia dhe njihet me emrin Lissus – Naissus (Lezhë-Nish). Kjo trase bashkohej me rrugën Egnatia nëpërmjet luginës së Drinit të Zi.

Një pjesë e shkrimeve në këtë libër lidhen me burimet historike të autorëve antikë. Gjatë leximit më bënte përshtypje figura e një personaliteti të madh, fillimisht si gjeneral i ushtrisë dhe më pas si mbret i ilirëve – Skerdilajdi, vëllai i mbretit Agron. Kjo figurë ishte anashkaluar dhe nuk gëzonte vendin që i takonte në histori. Me dëshirën që të kontribuoj sadopak në vlerësimin e kësaj figure ushtarake, politike dhe diplomatike të botës antike ilire vendosa që në këtë libër të botoj edhe një studim të përgatitur për këtë qëllim.

Nga pika më e lartë e kalasë së Lezhës vështroja gjithë hapësirën përreth, detin Adriatik, Shëngjinin dhe Drinin e Lezhës, duke u përpjekur të kuptoja luftën që Filipi V i Maqedonisë zhvilloi kundër Lisit në vitin 213 para Krishtit. Ku mund të jetë lumi Ardaksan që përmendet nga historianët antikë? Kështu lindi ideja për punimin rreth identifikimit të lumit Ardaksan. Figurat e shquara që shkruan historinë e Botës Antike si mbreti i ilirëve Skerdilaidi, perandorët Konstandini, Justiniani etj., natyrisht që nuk mund të mbeten jashtë shënimeve të këtij libri, pasi kontributi i tyre është epokal dhe njëkohësisht ata janë pjesë e pandarë e historisë së kombit shqiptar.

Shpresoj se këto shënime do t’ju sjellin sadopak atmosferën e ngjarjeve, figurave, historisë dhe kulturës së botës antike të shqiptarëve. Ato përmbajnë punime të shkurtra mbi ngjarje që kanë ndodhur në kohën e lashtë, figura historike të botës antike, zbulime me rëndësi arkeologjike, kuriozitete të kohës, etj.

Libri i drejtohet një lexuesi më të gjerë se mjedisi i ngushtë shkencor, siç janë nxënësit e shkollës së mesme, studentët, si dhe të apasionuarit e historisë dhe arkeologjisë. Shpresoj që nëpërmjet këtij botimi të sjellim para jush në mënyrë të kuptueshme përmbajtjen e studimeve. Siç do të lexoni më poshtë shënimet janë shkruar gjatë një periudhe të gjatë kohore, herë-herë duke plotësuar ecurinë e punës time si arkeolog në Shqipëri dhe në Kosovë.

*Sapo është hedhur në qarkullim ribotimi i këtij studimi i vitit 2015, i pajisur me një koleksion fotografish dhe në mënyrë të përmbledhur, është përkthyer në gjuhën angleze secili prej kapitujve.

Filed Under: Histori

Dimensioni dituror në veprën e shkrimtarinë e Pjetër Bogdanit*

December 10, 2022 by s p

Nga prof. asoc. dr. Evalda Paci/

Dimensioni kulturor e dituror në personalitetin e Pjetër Bogdanit përbën një prej argumenteve qenësore që orientojnë ndaj kontekstualizimit të shekullit në të cilin ky i fundit jetoi, i shënuar në historinë e shkrimit shqip prej veprës madhore të tij, të titulluar “Cuneus prophetarum”.

Si një vepër që del nga shtypi falë mbështetjes së një prelati të kishës së Romës, që ka një emër të shquar për kohën e vet, por dhe një simbologji domethënëse e mjaft motivuese për autorin tonë, “Cuneus prophetarum” (Patavii, 1685) ka marrë në dekada të tëra një sërë vlerësimesh dhe emërtimesh që e rendisin këtë të fundit ndër realizimet më të rëndësishme të letërsisë kishtare të shkruar në gjuhën tonë.

Në të vërtetë, vetë letërsia e vjetër shqipe shënohet ndjeshëm nga një kulmim i mirëfilltë me një vepër të tillë, që me një sërë kushtesash e dedikimesh, me krijime që evokojnë modele të kortezisë së kohës, por dhe të kulturës përkatëse, me një aparat mbështetës të cilit i është kushtuar vëmendje e kujdes nga vetë autori, me një artikulim të arsyetuar në pjesë e kapituj, u afrohet ekzemplarëve të kohës, të ngjashëm me veprën tonë në jo pak elemente.

Për Bogdanin shkruhet gjerësisht në dokumentacionin e kohës e ajo që mund të receptohet pa ndonjë vështirësi të madhe është pikërisht fakti i një jete mjaft të vështirësuar, të gërshetuar me rrethana jo përherë të favorshme, që hedhin dritë mbi një kontekst aspak të lehtë në të cilin do të duhej të merrte udhë ungjillëzimi dhe forcimi i hallkave të hierarkisë kishtare. I përfshirë ndjeshëm në zhvillimet e kohës, i gjendur para zgjedhjesh të ndërlikuara, prelati ynë u tregua qëndrestar dhe i vendosur ndaj thirrjes baritore e meshtarake, së cilës i shërbeu deri në përmbyllje të jetës së tij.

Vetë vepra e Bogdanit, me pjesët që e ndërtojnë, me ndarjet që ndjekin një linjë studimore që rreh nga teologjia e krishterë dhe historia e librave më të rëndësishëm biblikë, përbën një gurrë vështirësisht të shterrueshme, duke parë dhe përkushtimin e këtij të fundit për ta përmbyllur atë në mënyrën më të denjë të mundshme.

Tipografia e Seminarit, e cila ndërmendet në pjesët përfaqësuese të veprës së sipërcituar, duke u evokuar dhe në imazhet që introduktojnë brendinë e saj, në të vërtetë gëzon një historik të pasur të ekzistencës së vet (me zanafillë në vitin 1684), të shënuar si nga zhvillimet e kulturës librore në qendra të rëndësishme të lëvrimit të kësaj të fundit në Gadishullin Italik, si dhe nga vetë veprat që do të dilnin prej saj, ndër të cilat duket qartë që ajo e Bogdanit ishte ndër të privilegjuarat. Ka një lidhje të qartë mes motivimit të prelatit tonë, Bogdanit për të realizuar një vepër me një tematikë të orientuar nga kanonet kishtare dhe nocionet e teologjisë së krishterë dhe mbështetjes që ky i fundit gëzoi në kohën kur u strehua dhe kaloi kohë të mira të jetës së tij pranë kardinalit Barbarigo (1625-1697), themelues i tipografisë në fjalë, mecenat, ipeshkëv i qytetit të Padovas, reformator aktiv në gjirin e kishës së Romës dhe ideator i një platforme të mirëfilltë botimesh e programesh edukative.

Interesimi i kardinalit Barbarigo nuk ishte i lidhur me zhvillime të ngushta që do të merrnin udhë në pak vite, por me një projekt afatgjatë që do të shihet se më tej do të orientohej ndaj shtrirjes në qytete të afërta me librari funksionale, si dhe me ndërmarrje që do të konkretizoheshin me leksikone të rëndësishme për nga autorësia, si dhe nga përmbajtja, por dhe me traktate që përfshinin librat kishtarë dhe vetë mësimin e gjuhëve të rëndësishme në të cilat tradicionalisht ishte shkruar e ishte transmetuar Shkrimi i shenjtë. Konteksti në të cilin u përmbyll vepra e Pjetër Bogdanit ka të bëjë ngushtësisht me çka u përshkrua më sipër dhe më tej, me vetë interesimin e një prelati si Barbarigo, emri i të cilit do të shfaqet në jo pak dedikime a letra kushtimi që introduktojnë veprat e kohës. Figura të këtij formati kanë qenë themelore për një sërë rrugëtimesh që lidhen me formimin individual të klerikëve, të forcimit të vatrave të një edukimi kishtar specifik, që në kushtet e Reformave kishtare kishte nevojë dhe më shumë për një bazë të mirë që tekste e programe të veçanta mund ta bënin të mundur. Motivimi i themeluesit, por dhe i vijuesve seriozë të mbajtjes së kësaj tipografie ndaj përhapjes së librave me një tematikë sa të specializuar, aq dhe të afërt me edukimin e formimin meshtarak në Seminarin e Padovas do të mund të gjurmohet konkretisht dhe në sigla tipike në gjuhën latine(e.g., curis Seminarii Patavini; In usum Seminarii Patavini; ad usum Seminarii Patavini ), të vendosura në pjesë të caktuara të botimeve me destinacion specifik e që evokojnë orientimet edukative të kësaj selie aq të nderuar.

Programet e Barbarigos, më saktë projektet e tij në lidhje me një tipografi seminari nuk kufizoheshin vetëm me shtypjen e disa teksteve, por me një panoramë të gjerë që do të kërkonte dhe një suport të mirëfilltë në pikëpamje të teknologjisë së shtypshkrimit, karaktereve e kulturave të veçanta gjuhësore, me të cilat lidhej historia e librave më të kërkuar të botës së bibliofilisë së kohës. Njohja e këtij konteksti rikonfirmon faktin që Bogdani pati fatin e mirë të ishte ndër të parët autorë që u renditën me vepra në realizimet e tipografisë së sipërcituar, e përuruar shpejt dhe e përmendur si një nga entet më me rëndësi për botën librore të asaj kohe.

Njohja e historikut të kësaj tipografie mbetet në të vërtetë një prej rrugëtimeve më interesante kulturore që përtej vështirësive të kuptueshme në kushtet e zhvillimeve teknologjike të Gjashtëqindës, por dhe mëdyshjeve që ushqeheshin dhe nga pamundësi të natyrës financiare, ofron të dhëna të vyera dhe mbi tematikat e librave që dilnin prej saj. Angazhimi i kardinalit Barbarigo mund të ndiqet në itineraret e ndërrmarra në vatra të tjera të edukimit në trevat italike, disa prej të cilave kontribuan drejtpërdrejt në pasurimin e tipeve dhe të mjeteve të tjera teknologjike të punëtorisë së tij. Një hartë e tërë kërkimesh, një pjesë e të cilave rezultoi mjaft fatlume për kardinalin tonë, do të mund të gjurmohet dhe falë biografëve të tij, të cilët rendisin përkushtimin për forcimin e një qendre tipografike në Padova krahas angazhimeve të këtij të fundit për t’i shërbyer doktrinës dhe dijeve teologjike në katedra dhe kontekste të edukimit seminarial.

Regestet e disponueshme mbi arritjet e kësaj të fundit, bashkë me të dhënat që hedhin dritë mbi orientime në fusha të dijes dëshmojnë që kjo tipografi ishte një ent i rëndësishëm që ndikonte në zhvillimet kulturore të kohës e që do të vijonte të ishte i tillë në krejt ekzistencën e vet. Një ndikim i tillë përforcon faktin që trevat italike qenë pararojë në përurimin e teknologjisë së shtypshkrimit jo vetëm në lidhje me libra e tekste që shkruheshin në gjuhë si latinishtja, por dhe në të tjera idioma, fakt që dëshmohet nga vetë tipet e shkronjave që ruhen në dokumentacionin përkatës arkivor mbi këtë tipografi. Mbi të gjitha, në vetë hapat e parë të themelimit të kësaj tipografie, orientimet konkrete të kardinalit Barbarigo janë një dëshmi dhe më e qartë e një perspektive që kishte në thelb të vet instituimin e një hallke të rëndësishme që do të luante në këtë seminar një rol të rëndësishëm edukativ dhe didaktik.

Në një vështrim analitik të historikut të kësaj tipografie, për studiuesin e historisë së librit e të shtypshkrimit përbëjnë ndërmarrje të një përmase të qartë lapidare përpjekjet për të sjellë e vënë në përdorim karaktere të traditave më të largëta shkrimore, por që ishin të rëndësishme në proceset e ungjillëzimit në atë kohë.

Padija, mosnjohja e shkrimit, e kulturës së të jetuarit, rrezikimi i humbjes së vlerave identitare në kushtet e një sundimi përherë e më shtypës për popullsitë arbërore shpinte drejt një abisi që cilësohet krejt qartë në përmbajtjen e Prefationës së veprës së prelatit tonë, i cili shkrin krejt energjitë e mendjes e të diturive në arsyetimin e parashtresës para Letërarit. Modeli i parashtresës së përzgjedhur prej autorit tonë përbën një tekst ekzemplar për t’u rimarrë dhe në ditët e sotme, në kushte të nënvizimit të rëndësisë së njohjes së teksteve në të cilat dëshmohet një kulturë e spikatur e lëvrimit të gjuhës sonë e të mjeteve të saj.

Formimi kompleks i një autori si Pjetër Bogdani, rrugëtimi jetësor që shpesh u shoqërua me vështirësi që përbënin sprova të një natyre serioze, dijet e përforcuara dhe gjatë qëndrimit pranë figurave më me peshë në zhvillimet kulturore të kohës mund të gjinden të reflektuara në krerët e veprës së tij, për nënndarjet e së cilës është folur gjerësisht nga studiuesit e shkrimtarisë, por dhe të teksteve që përmbahen në këtë të fundit. Ka tekste të përveçme në të cilat përgatitja kulturore e teologjike e Bogdanit receptohet qartë; ka fjali e fraza me një referencë të qartë biblike që dëshmojnë njohjen dhe pasqyrimin e pjesëve nga Vulgata latine në kapitujt e veprës; ka autorë e vepra që bëjnë të mundur që ai të paraqitet dhe si analist i një historie të mendimit filozofik nga antikiteti në përpilimet më me emër të patrologjisë.

Me gjithë kohën që i kushtoi autorit tonë përgatitja përfundimtare deri në daljen në dritë të shtypit dhe arsyetimi në krerë i një pune që cekte fushat më të rëndësishme të mendimit teologjik e të çështjeve të doktrinës, vepra e tij paraqitet si ndër më fatlumet, krahasuar me të tjera realizime të traditës shkrimore e letrare së cilës natyrshëm i përket. Për të mund të evidentohen e krahasohen ribotime, rreth saj mund të flitet qartësisht për çështje të ndërtimit, historikut të jo pak fjalëve e përveçimeve, veçanërisht duke u nisur nga vetë përmbajtja e veprës.

Kjo përmbajtje flet shumë dhe për autorin e saj e për orientimet e tij, për një formim dituror që e reflekton në çdo pjesë e hollësi të saj, por dhe për një motivim bindës të cilin ai e dëshmon qartësisht që në hyrjen e veprës së vet. Me krahasimin me një prej autorëve të kohës së Augustit, që mbyll jetën në vise të largëta (P.Ovidius Naso), në të vërtetë Bogdani dëshiron të evokojë dhe një tjetër arsye për të cilën veprën e vet e përmbyll në një vend tjetër e jo në selinë e vet. Rreshtat e fundit të Prefationës së tij në të vërtetë përafrojnë me një admonitio de erroribus, që shfaqet koncize dhe e përmbajtur dhe në veprën paraardhëse në kohë, në Dicionarin latinisht-shqip të Frang Bardhit (Romë, 1635).

Dedikimet (në një pjesë të konsiderueshme dhe në gjuhën latine, të përpiluara nën skema metrike e artistikisht të kujdesuara, me citimin e vendndodhjes së dedikuesve) që kanë marrë shkas nga dalja në dritë të shtypit e kësaj vepre rinënvizojnë çka u tha më sipër në lidhje me motivimin e Bogdanit për të vënë në shërbim të një kauze madhore dijet dhe energjitë e tij krijuese, si dhe trajtesa origjinale që cekin çështje të doktrinës dhe të reflektimit përkatës në krerët e saj.

Me botimet më të fundit që lidhen si me vetë veprën, si dhe me leksikun themelor të vjelë prej saj, institucionet albanologjike shqiptare kanë rikonfirmuar përkatësinë intelektuale e shpirtërore të kësaj të fundit, si një dëshmi nga më të hershmet mbi vlerat e trashëgiminë kulturore e letrare të gjuhës sonë në shekullin XVII, në një kohë kur dhe kultura e librit, e shtypshkrimit dhe e përhapjes së tij po kalonte një fazë të re në kontekstin evropian. Modelin e letërarit, por dhe të xgedhësit, ashtu siç e percepton autori në kohën e vet nuk është dhe aq e lehtë ta rigjesh në ditët e sotme, dhe pse dija e kultura e të jetuarit me të janë përherë mjeti më i mirë dhe më i afërt në përditshmërinë e aktualitetit tonë.

*Ligjëratë e mbajtur në “Ditët e Bogdanit”, Prishtinë-Shkupt, 5-6 dhjetor. Botohet me shkurtime

Filed Under: Histori

LE MATIN (1921) / KUR SENATORI FRANCEZ D’ESTOURNELLES DE CONSTANT MBRONTE SHQIPËRINË NDAJ LIDHJES SË KOMBEVE

December 9, 2022 by s p


Paul d’Estournelles de Constant (1852 – 1924)
Paul d’Estournelles de Constant (1852 – 1924)

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ne kemi marrë letrën e mëposhtme :

Paris, 1 korrik.

Zoti kryeredaktor,

Lexova në “Le Matin” e ditës së sotme protestën bujare, tepër të justifikuar, që frymëzon kolegu dhe miku im, deputeti Justin Godart, mbi mohimin e drejtësisë prej të cilës u bë viktimë Shqipëria.

Dua t’i bashkohem, me disa nga miqtë më të devotshëm të Lidhjes së Kombeve, kësaj proteste. Është tepër e vërtetë që për një kohë të gjatë Shqipëria konsiderohej nga fuqitë e mëdha si një pronë pa zot, një pre për t’u ndarë, një monedhë shtesë për të rregulluar tregjet e fshehta të politikës. E pajisur me një bollëk pasurish të lakmuara natyrore, Shqipëria e dobët nuk kishte të ardhme tjetër veçse të shtypej dhe të shfrytezohej keq. Por kjo nuk duhet të jetë më e vërtetë pasi ekziston Lidhja e Kombeve.

Të gjithë ata që, si unë, besojnë në Lidhjen e Kombeve; të gjithë atyre që shohin tek ajo të fundit, të vetmen shpresë shpëtimi kundër luftërave të reja dhe kundër anarkisë përfundimtare universale, do t’u vijë keq ta shohin atë t’i kthejë shpinën misionit të saj. Ajo e mohon këtë mision nëse braktis një popull që me energjinë e tij për shekuj ka shpëtuar pavarësinë, gjuhën, traditat e tij. Ajo e braktis këtë popull; ajo bën shumë më keq; ajo braktis vetveten; e dorëzon veten duke dorëzuar, pa e dëgjuar, një nga anëtarët e saj në arbitraritetin dhe fshehtësinë e nuk e di se çfarë negociatash qeveritare.

Mua më intereson Shqipëria pa dyshim, ashtu siç mbrojta popujt e tjerë të shtypur të Gadishullit Ballkanik. Por është një viktimë, për fat të mirë, që ka një jetë të vështirë, si Franca, dhe që do të mbetet mjaft e guximshme për t’i mbijetuar padrejtësisë dhe për të triumfuar ndaj saj. Ajo që më shqetëson mbi të gjitha është fati i Lidhjes së Kombeve që është, ose duhet të jetë, ndërgjegjja dhe streha jonë.

E përgëzoj z. Godart që nuk pati frikë të kompromentonte veten duke u dëshpëruar që Lidhja e Kombeve u bindet ndikimeve qeveritare, për të braktisur një popull që i beson asaj dhe për të hequr dorë nga detyra e saj të paanësisë, arsyeja e saj e të qenit.

D’Estournelles de Constant,

senato

Filed Under: Histori

 QYTETI PELLAZG I ORIKUT

December 8, 2022 by s p

C:\Users\Besniku\Desktop\FOTO  BESO.jpg

                  QYTETI PELLAZG I ORIKUT

Një qytet dhe fortifikim i rëndësishme, i ndërtuar në një kohë më të hershme se  antikiteti, ka qënë edhe Oriku, i cili së bashku me Aulonën dhe Kaninën siguronin lidhjen e amantinëve me bregdetin. Duke qënë se për Orikun nuk janë bërë gërmime arkeologjike të plota, kanë mbetur të pashpjeguara koha e ndërtimit, shtrirja, gjatësia e mureve, tipet e tyre, dhe plot të panjohura të tjera. Madje nuk dihet saktësisht se ku ka qënë ndërtuar saktësisht fortifikimi fillestar dhe qyteti, në kodër, ku gërmimet arkeologjike kanë evidentuar një sërë objektesh si, nymfeu, godina banimi, etj, apo përballë këtij, në një kohë më të vonë në fushë ose në kodrën në anën tjetër të lagunës. 

 “Arkeologu francez Hezej pat hetuar gjurmë mjaft të rëndësishme fortifikimi në këtë qytet. Ai thotë se qyteti ishte ndërtuar dhe fortifikuar me shumë shije, dhe se traseja e rrethimit kishte një formë ovale, ku muri helenik më i vjetër ishte rindërtuar më vonë me tulla dhe llaç. Një rrethim të veçantë krijonte gjithashtu akropoli, i cili ndodhej në majë të kodrës dhe ndahej në dy pjesë nga një mur i brendshëm…

Siç del nga përshkrimi i Hezejt, Oriku ka qënë i mbrojtur nga një mur rrethues me tulla të vendosur mbi një xokol gurësh të punuar ashtu si në Apoloni dhe në Lis…por të dhënat për teknikën e mureve, tani të zhdukura, janë ta pamjaftueshme për të dhënë një datë të saktë rreth kohës së ndërtimit të tyre. Në një farë mase do të na ndihmonin në këtë rast burimet historike. 

Sipas dëshmisë së Tit Livit, në verë të vitit 214 p.e.s. kur Filipi i V i Maqedonisë sulmoi Orikun, ai e pushtoi atë me lehtësi, “mbasi qyteti ishte në shesh dhe nuk kish as mure, as roje dhe as armë të forta”. Por kur Cezari zbarkoi në Iliri (në vitin 48 p.e.s), Oriku ishte plotësisht i fortifikuar.”

        Patch-i dallon një mur në lagunë, të cilin na e përshkruan Tahsin Jonuzi: “Në pjesën e brendshme të portit, mbrapa qytetit” është laguna, në fundin e së cilës, në anën jugore të kodrës, mund të shihet një mur rreth 1,80 m dhe 30 m i gjatë…Në shkëmbin e ngritur Patch-i gjeti shumë shkallë të prera me 17 m gjatësi dhe 2,40 m gjërësi…” Por muret e Orikut antik i përmend edhe Ago Agaj, i cili pohon se muret e kalasë së Orikumit (në fillim të shekullit të XX) ndodheshin një metër ndën ujë, dukeshin me sy dhe shkeleshin me këmbë…”    

       Patch-i dhe Agua bëjnë fjalë për muret në kënetën e Valltos, në lagunë. Por, gjithashtu, nga përshkrimi i Hezejt dhe Patch-it, të krijohet përshtypja e dy fortifikimeve, një në kodër, akropoli, dhe tjetri më poshtë, në fushë në formë ovale. Nga tregimi i Tit Livit mesojmë gjithashtu, se në fund të shek. III p.e.s. Oriku nuk kishte mure. Por edhe këtu mësojmë se bëhej fjalë për një qytet në shesh, dhe jo për një qytet në kodër. Tani lind pyetja: mos vallë Oriku i lashtë ka qënë me një shfaqje të dyfishtë, në kodër dhe në shesh, ku ky i fundit, me kalimin e kohës, ndoshta dhe me zgjerimin e lagunës është zhytur nën ujin e saj?

        Nga përshkrimi i Hezejt dhe gjendja e fortifikimit në kohën e Cezarit, mendojmë se në periudhën e pushtimit romak, pas vitit 168 p.e.s., Oriku, si një qytet me rëndësi strategjike në bregdet është rifortifikuar prej tyre, ku muri helenik më i vjetër ishte rindërtuar më vonë me tulla dhe llaç. Ashtu si në fillim, përsëri ne shtrojmë pyetjen. Kush ka qënë periudha e themelimit të këtij qyteti: antikiteti apo prehistoria?  Këtu na vjen në ndihmë Hezej, i cili përmend ekzistencën e akropolit të këtij qyteti, të cilin e vendos në kodër. Atëhere, nga kodra dhe akropoli, nëpërmjet gërmimeve arkeologjike, mund të zbulohet edhe koha fillestare e ndërtimit të këtij qyteti dhe fortifikimit të parë të tij, të cilin ne, pa dyshim, do ta quanin një fortifikim pellazgjik, ashtu siç  kemi quajtur dhe ndërtimet në akropolet  e qyteteve tona të lashta. Kjo sepse edhe legjendat e afrojnë atë me periudhën e fundit të bronzit, pra me prehistorinë. 

        Arkeologu Aleks Trushaj tregon se, ky qytet skelë mendohet të jetë themeluar në gjysmën e dytë të shek.VIII p.Kr…Sipas Skymnit (shek.III-II p.Kr)…Orikun, qytet helen në buzë të detit e ndërtuan euebeasit, të cilët i hodhi këtu dallga kur ktheheshin nga Troja…Plini (shek.I m.Kr) thekson…Në bregdet gjendet qyteti Orik, themeluar nga Kolkasit. Prej këtu fillon Epiri, malet Akrokeraune…

        Ndjekim edhe legjendën e themelimit të Amanties dhe Thronionit: “ Pauzania shkruan se Thronioni ishte një qytet i krahinës së Abantisë dhe se kjo e fundit u përkiste thesprotëve. Qyteti u ngrit nga abantët e Eubesë së bashku me lokrët e Thronionit; pas udhëtimit në det dhe vendosjes së tyre pranë maleve Keraune… Nuk mund ta lidhim Thronionin me Amantinë e vonshme por duhet ta kërkojmë më afër maleve Keraune, më afër detit dhe qytetit Orik. Si vend më i mundshëm për një lokalizim të Thronionit, është kalaja e Kaninës, në muret mesjetare të së cilës janë parë gjurmë ndërtimi antik.”

        Na duhet të sqarojmë se Abantët Eubesë   dhe Lokrët e Thronionit nuk ishin helenë, pasi periudha që ata kanë zbarkuar  pranë maleve Keraune, pas shekullit  të XII p.e.s, ishte pa diskutim një periudhe pellazgjike. Rrjedhimisht, abantët dhe lokrët ishin pellazgë, dhe, detyrimisht, edhe ndërtimet  e tyre, fortifikimet dhe qytetet e prej tyre ishin pellazgjike.

       Por legjenda na thotë gjithashtu, se abantët dhe lokrët kanë zbarkuar pranë maleve Keraune, pikërisht në zonën e fushë-Dukatit, Orikumit të sotëm, apo Orikut të Lashtë, dhe ajo le të kuptohet, se edhe Orikun e kanë themeluar ata. Dhe në qoftë kështu, Oriku është themeluar rreth fillimit të shekullit të XII p.e.s., me mbarimin e Luftës së Trojës, për datim, i ngjashëm me Buthrotin, në akropolin e të cilit janë evidentuar trakte muresh pellazgjike.            

        Në të mirë të këtij mendimi, që Oriku është një ndërtim pellazgjik, është edhe fakti, që në qafën e Ravenës, pranë Orikut antik, dhe, me siguri për mbrojtjen e tij nga sulmet e mundshme nga deti Jon nëpërmjet kësaj qafe, gjendet një fortifikim prehistorik  i periudhës  së bronzit që vendasit e quajnë  “Maja e Qytezës”, ndërsa Pukëvili, kur e ka vizituar, muret e saj i ka quajtur pellazgjike: “Pouqueville përmend një fortifikim me mure të tipit “pellazgjik” mbi gjirin e Ariut, “Val d’Orso”…ndodhet në pllajën e Ravenës 300 m mbi nivelin e detit…Ngjashmëria me fortifikimet e bregdetit e datojnë midis fundit të periudhës së bronzit dhe fillimit të periudhës së hekurit. Pranë këtij fortifikimi ndodhen tumat e fushës së Dukatit, çka sugjeron se ndërtues dhe përdorues të tyre janë e njëjta popullsi.”

         Nga vrejtja e hollë e arkeologëve të rinj K.Çipa dhe M.Meshi, mund të supozojmë gjithashtu se, kronologjia e tumave të Fushë-Dukatit duhet të jetë e njëjtë me atë të Orikut dhe “Majës së Qytezës” në Ravenë, fundi i periudhës së bronzit.

        Gjithashtu, orikasit e lashtë, në ruajtjen e traditës së origjinës së tyre pellazgjike, adhuronin dy perënditë pellazge të Epirit, Zeusin e Dodonës dhe gruan e tij epirote Dionën. Kjo është një e dhënë më shumë që verifikon origjinën pellazgjike të këtij vendbanimi të fortifikuar. Në lidhje me këtë adhurim arkeologu Aleks Trushaj tregon për një mbishkrim të shek.IV p.Kr. të bërë mbi një pllakëz orakullore të Dodonës ku “korkyrasit dhe orikasit pyesin Zeusin Naios dhe Dionën se cilës hyjnie apo heroi duhet t’i bëjnë flijime dhe t’i drejtojnë lutje për të qeverisur në mënyrën më të mirë dhe në siguri të plotë shtetin e tyre” (Harta Arkeologjike e Shqipërisë, Tiranë, 2008, f. 218)

Besnik Imeraj

(marrë nga libri “Epiri Pellazgjik”)

Filed Under: Histori

Imzot Pjetër BOGDANI, njeri i Zotit dhe Popullit (1625 – 1689)

December 6, 2022 by s p

(Profili shpirtëror dhe kulturor)/

Imzot Pjetër Bogdani lindi në “Guri ndë Hasit” në vitin 1625 dhe vdiq në Prishtinë në vitin 1689. Ishte meshtar, ipeshkëv, veprimtar i dalluar, atdhetar i kulluar, luftëtar për liri, shkrimtar i shquar, raportues i vëmendshëm dhe i saktë nga viset e ndryshme shqiptare, me një fjalë Njeri i Zotit dhe Popullit shqiptar.

Vendlindja nuk dihet sot ku gjendet, në Breg të Drinit, në Gjonaj apo diku gjetiu, disa thonë ndoshta në Zym apo në Zhur.  “Guri i Hasit” përmendet qysh në vitin 1330, sot Shëngjeçi, afër Mazrekut, apo Guri, afër Zymit të sotëm.  

Nipi i tij Don Gjon Bogdani jep informata që Pjetrin e kishte rritur dhe edukuar  qysh në fëmijëri dhe në rini arqipeshkvi Andre Bogdani (1600-1683),  ungji apo axha i tij, së pari në kolegjin françeskan të Cipovecit (Bullgari), pastaj në Kolegjin ”Illiricum” në Loreto, afro 9 vite, ku edhe ishte shuguruar meshtar në vitin 1649. Më vonë ka vazhduar studimet në “Propaganda Fide”, ku kishte doktoruar filozofinë dhe teologjinë (1655).  Pas shugurimit meshtarak ka shërbye në ipeshkvinë e Pultit, diku gjatë viteve 1651 – 1656. 

Në vitin 1656 emërohet arqipeshkëv i Shkodrës, me shërbim 20 vjeçar, pastaj në Tivar në vitin 1677, afro 10 vite , së fundi arqipeshkëv i Shkupi në vitin 1677, për 12 vite, si dhe administrator apostolik i Serbisë dhe Bullgarisë, gati i gjithë Ballkanit.

Jeta dhe vepra madhore e Imzot Pjetër Bogdanit nuk mund të kuptohet, edhe më pak të interpretohet, pa dimensionin e thellë të fesë apo besimit në dy drejtime: me Zotin, Krijuesin dhe Shëlbuesin e botës, si dhe me Popullin ilir, arbëror dhe shqiptar, ideale këto që ishin gjithnjë frymëzim i pashtershëm për jetën dhe veprimtarinë e tij në rrethana tejet të vështira, gati të pamundshme.

Feja dhe jeta me Zotin dëshmohet bindshëm edhe me edukimin  e tij familjar, thirrja e tij  për jetën dhe shërbimin meshtarak, më vonë ipeshkvor, me zellin e tij të jashtëzakonshëm baritor për grigjën e besuar, me përgatitjen e shkëlqyeshme filozofike, teologjike, shpirtërore dhe kulturore të nivelit më të lartë të asaj kohe.

Për shërbimin e tij baritor imzot Pjetër Bogdani pati këto synime:

  • Ruajtjen dhe mbrojtjen e popullit shqiptar nga ndikimet dhe sundimet e huaja;
  • Zhvillimin fetar, shpirtëror dhe kulturor të popullit shqiptar;
  • Çlirimin e tij nga robëria e dyfishtë: injoranca, terri, primitivizmi, nëpërmjet zgjimit fetar dhe kombëtar, si parakusht për vetëdijesim dhe çlirim nga sundimi shekullor turko-otoman;
  • Kjo mund të bëhet vetëm me fuqinë e fesë, ngritjen e kulturës, por edhe me luftë të armatosur, vëllazërisht dhe së bashku me aleatët dhe miqtë, sidomos Austro-Hungaria dhe gjenerali Piccolomini.

Mu për këtë Imzot Pjetër Bogdani jetoi me Zotin dhe për Zotin, si njeri i kushtuar, meshtar dhe arqipeshkëv, me Popullin dhe për Popullin, me identifikimin e tij shembullor dhe ungjillor: Fati i Popullit tim është fati im.

Shpresa e tij ishte e mbështetur në fe, në Zotin, dhe në Popullin. Ai ia besonte shpresës këtë mision: çlirimin nga herezitë dhe apostazitë, si dhe sigurinë se binomi fe dhe atdhe, që për të konkretizohen në Zoti dhe Populli, ishte lidhje e pathyeshme, si vetëdije historike, skenderbegiane, por edhe aktuale, kthimin në krishterim dhe në kulturën dhe qytetërimin evropian, ku ishim me shekuj, që nga zanafilla e krishterimit, për të tashmen dhe të ardhmen tonë sa më të mirë.

Feja dhe shpreso do të ishin të mangëta, deri diku edhe abstrakte, pa zbatimin e dashurisë. Imzot Pjetër Bogdani ishte qenësisht, thellësisht dhe tërësisht i njësuar, bashkuar dhe dashuruar në Zotin dhe në Popullin tonë. Kjo dashuri, me krahët e fesë dhe shpresës, e bënte atë njeri të Zotit dhe të Popullit, veprimtar të shquar dhe te dalluar të kulturës, përpilues të kryeveprës “Çeta e Profetëve”, të shumë letrave, shkrimeve, relacioneve, shënimeve,  dërguar Selisë Shenjte, gati nga të gjitha viset dhe trojet tona, diku 128 relacione dhe 308 letër-shkrime.

Pa jetën dhe veprën e frytshme dhe të gjithanshme të arqipeshkvit Pjetër Bogdani, shekulli XVII  për ne do të ishte i errët, pasi që raportet apo relacionet janë kryesisht turko-otomane apo greko sllave, dhe si të tilla shpesh të njëanshme dhe të magëta me informata të rëndësishme  për njohjen e kontekstit fetar, kombëtar, kulturor dhe shoqëror të asaj kohe.

Dashuria e shtynte atë në veprim si meshtar, famullitar, më vonë si arqipeshkëv dhe delegat apostolik në vende të ndryshme Tivar, Shkodër, Shkup, Bullgari dhe Serbi, gjithnjë në kërkim të besimtarëve të krishterë, në lëvizje dhe në veprim, si një lloj “lypësi i Zotit” dhe “endacaku i Popullit”.

Për mua Imzot Pjetër Bogdani ishte dhe mbetet Gjergj Kastrioti – Skënderbeu i dytë, njeri i cili në mënyrën më të mirë të mundshme e kishte kuptuar dhe interpretuar historinë tonë, kishte krijuar një “hallkë” për t’u lidhur me të kaluarën tonë të lavdishme, por pa harruar kurrë edhe lidhjen me të tashmen dhe projektimin e së ardhmes tonë fetare dhe kombëtare.

Kjo e bënte atë filozof, teolog, biblicist, katekist, gjuhëtar, atdhedashës, veprimtar, vizionar të rrallë. Arqipeshkvi Pjetër Bogdani e shkriu jetën, punën, dijen, zemrën për Zotin dhe për Popullin, si paraardhës i largët i iluminizmit dhe rilindësve, duke u munduar që të na bënte të ngjashëm dhe të barabartë me popujt tjerë evropian.

Pa imzot Pjetër Bogdanin do të rrezikonim shkrirjen e dyfishtë, fetare dhe kombëtare, dhe si të tillë do të ishim pa ndonjë identitet dhe personalitet, një popull masë, grumbull, turm dhe asgjë tjetër.

Në çdo shkrim, letër, relacion, vazhdimisht flitet për Zotin tonë Jezu Krishtin, për Virgjërën Mari, për Kishën Katolike, për Popullin Shqiptar, për shëlbimin apo shpëtimin tonë. Këto tema janë boshti i jetës dhe shkrimeve, veprimtarive të tija pothuaj në vazhdimësi.

Mendja e tij ndriçohej, ndërsa zemra e tij frymëzohej, për shërbim dhe flijim për Zotin dhe për Popullin.

Ai si rrallë kush e  ka gjetur lidhjen dhe përplotësimin e hyjnores, njerëzores dhe kombëtares, dhe atë në rrethana kur çdo gjë ishte e rrezikuar.

Bashkëpunimi me kardinalin  Gregorio Barbarigo (1625 -1697),  me të cilin ishte njohur dhe i kishte shërbye në Romë, ishte frytdhënës. Ai ishte përgjegjës i Kishës katolike për çështje lindore, dhe si i tillë kishte hapur një shtypshkronjë të veçantë në Padovë, “Tipografia del Seminario”, për botime në gjuhën hebraishte, aramaishte dhe arbërishte. Gregorio Barbarigon  ishte mik dhe përkrahës i Pjetër Bogdanit, me këtë edhe i Kishës dhe Popullit tonë, si dhe njeri me erudicion dhe mirësi të madhe, bamirësi, përshpirtëri dhe shenjtëri të dalluar. Mu për këto veçori dhe karakteristika, Papa Shën Gjoni XXIII e ka shpallur shenjt në vitin 1958.

Prej vitit 1686 e tutje arqipeshkvi Pjetër Bogdani merrej intenzivisht me idenë e kryengritjes së armatosur kundër sundimit osman,  në bashkëpunim me gjeneralin Giovanni Norberto  Piccolomini (1650-1689),  me kontributin e pjesëmarrësve tanë.  Në këtë lëmi pati sukses në çlirimin e Prishtinës, por në Prizren mori sëmundjen e mortajës, nga e cila edhe vdiq më 6 dhjetor 1689, ndërsa para disa kohe kishte vdekur edhe gjenerali Piccolomini. Imzot Pjetër Bogdani nuk e kishte lënë të vetmuar Gjeneralin në sëmundje,  por e kishte shoqëruar në Prizren, ia kishte ndarë sakramentet, para vdekjes, në shenjë besnikërie dhe bashkëpunimi. Me vdekjen e këtyre dy kolosëve, Piccolomit dhe Bogdanit, vdiq edhe ideja  dhe organizimi i kryengritjes së armatosur.

Motivet e shkrimit dhe botimit të Çetës së profetëve

  1. Atdheu dhe Populli po digjej në robëri të errësirës, i verbuar me dy mjegulla të zeza mbi faqe, që janë mëkati dhe mosdija, si pasojë e kësaj edhe robëria. “Pjetër Bogdani shpreh shqetësimin e përhershëm: lufta me “errësirën e paditurisë” si rrezik më i madh për shpirtërat”.
  2. Motivi i dytë nuk ishte lavdia e tij, “por për dobi të shntës fe”.
  3. Për të dhënë një kontribut të madh historik, gjuhësor, patriotik, për vlera të krishtera dhe evropiane, të vërtetat themelore të fesë së krishterë. Vetëdija e tij e lartë fetare, e krishterë, dhe kombëtare, arbërore – shqiptare, e frymëzonin atë për jetë dhe veprim të angazhuar në shumë lëmi. 

Arqipeshkvi Pjetër Bogdani  ishte klerik, atdhetar, gjuhëtar, dijetar, filozof, teolog,  prozator, poet, luftëtar për liri në të gjitha trojet shqiptare për afro 40 vite.  Mbi të gjitha bari i kujdesshëm për grigjën e besuar, për t’ia mësuar “doktrinën e krishterë”, për t’i mbrojtur nga ortodoksizmi dhe islamizmi. Ai si njeri i “vijës së parë”, pati shumë armiq dhe kundërshtarë, mbi të gjitha osmanët dhe Patrikanën serbo – ortodokse të Pejës. Ishte një vizionar i jashtëzakonshëm pan – ballkanik  për liri, me qëndresë dhe luftë me fuqinë e fesë dhe përkrahjen e atdhedashurisë, që konkretisht domethënë me kulturë dhe qytetërim,  tematikë që edhe sot  është aktuale, për kërkimin dhe në gjetjen e ndonjë zgjedhjeje fatlume dhe përfundimtare për Ballkanin e trazuar.

Vuajtjen e popullit Shqiptar e krahasonte me vuajtjen e vetë Jezu Krishtit dhe të Virgjërës Mari, duke paraparë fitoren, ngjalljen. Ishte thellë i vetëdijshëm për rrënjët dhe prejardhjen ilire dhe arbërore, duke u kujdesur për pastërtinë shpirtërore dhe gjuhësore, apo pastërtinë e zemrës dhe të shpirtit të Shën Marisë Virgjër, që i krahasonte me pamjet e bukura gjeografike dhe historike të trojeve tona. 

Ishte një lloj “shtegtari” apo njeriu në ikje dhe në lëvizje, si detyra e bariut për grigjën e besuar, për t’i njohur, parë dhe përkrahur personalisht, por edhe nga përndjekjet e ndryshme turko – otomane.

Në një bisedë me Dr. Ibrahim Rugovën, Presidentin e parë të Kosovës, studiuesin e njohur të Pjetër Bogdanite, e pyeta kështu: Për kë e ka shkruar ai librin Çeta e Profetëve, në një kohë të errët për Popullin tonë, kur nuk kishte shkolla, institucione,  populli pothuaj ishte analfabet? Ai më dha këtë përgjigje: edhe atëherë ishte një lloj elite, aristokracie, pra, njerëz të ngritur. Pastaj Bogdani ka dashur ta ngrite nivelin shpirtëror, kulturor dhe gjuhësor të popullit tonë. Mu për këtë ai e ka shkruar dhe botuar këtë libër.

Porosia e jetës dhe veprës së tij

1. Imzot Pjetër Bogdani doli si pishtar i madh në një periudhë të errët dhe shumë të rrezikshme për shuarjen e vetëdijes kombëtare, me këtë edhe të gjuhës, traditës, kulturës, fesë së krishterë, qytetërimit tonë evropian. 

2. Fjalës së shkruar, librit, botimi, dijes,  ia beson detyrën për ta luftuar errësirën, mëkatin, të keqen, robërinë, që të jenë “çeta” që do të luftojnë deri te arritja e lirisë së vërtetë nga e keqja, sundimi i huaj, tjetërsimi, harresa, shkrirja në popull anonim, pa identitet dhe personalitet.

3. Përshkrimet e gjendjes së mjerë ndoshta më së miri mund t’i përmbledhin këto fjalë: “gjithkund vdekje, gjithkund vajë, gjithkund shkretim, gjithkund përndjekje, gjithkund hidhërim…kishat e mbyllura, meshtarët e shpërndarë, populli në ikje… Jam i rrethuar në të gjitha anët dhe është një mrekulli që jam gjallë (1687)”.  

Atëherë Imzot Pjetër Bogdani ishte i vetmi arqipeshkëv katolik në Ballkan, shkruante ai, dhe tinëzisht kishte hyrë në Prishtinë të Enjten e Madhe, për shugurimin e vajrave të shenjtë, por nuk e di kush dhe si do t’i shpërndajë dhe përdoroi.

4.Për t’iu ikur kontrollimeve dhe identifikimeve turke, ai vishej si “lypës”, “tevdil” apo si katundar, kremtonte meshën dhe ndante sakramentet në shtëpia private, ishte vazhdimisht aty ku mundej dhe ku kërkohej. Figura e tij në popull ka mbetur si legjendë, me shumë emërtime të shpellave dhe vendstrehimeve të “Bogdanit”, ku ai fshihej dhe punonte, lutej, ndante sakramentet, gjatë natës, ndërsa  gjatë ditës, pushonte dhe planifikonte hapat dhe vizitat baritore.

Flitet në popull që natën i vizitonte të krishterët, ndërsa ditën tërhiqej në male dhe vende të pabanuara, duke u ngritur  në lisa, lidhej për të pushuar dhe për t’u mbrojtur prej bishave të egra. Disa njerëz, duke mos e njohur jetën dhe veprën e tij, ato shpella apo strehime i kanë identifikuar si serbe apo sllave.

5. “Dija dhe edukimi kishtar” ishin mjete për ta luftuar sundimin turko otoman dhe robërinë nga errësira e mosdijes, si dhe skizmën. Këtë ai i shprehte me identitetin e dyfishtë: clericus et libertas, klerik dhe liri. Mu për këtë  Imzot Pjetër Bogdani “Çetën e Profetëve”  dhe kardinalin Barbarigo e konsideronte si “një krua i gjallë ku mendja dhe shpirti do të gjejnë kënaqësi dhe shqetësim intelektual , ku shumëkush mund të marrë ujë, e s’ do të shterret lehtë..”; “Varkë e Noes, strehim i sigurt për çdo njeri të pikëlluar, në të cilin unë vet, i trazuar nga uji i furishëm i persekutimeve otomane, gjeta hyrje të sigurt”, apo “ky libër do të jetë një kontribut në arsimimin e njerëzve nga i cili shenjat e shtypit, sikur rrezet e dritës, do t’u përhapin njohuritë e fshehtësive të fesë tonë të shenjt”,  6  gjithsesi  ogurmirë për Fe dhe Komb.

7. Imzot Pjetër Bogdani ishte besimtar dhe atdhetar i kulluar dhe shumë i dalluar, gjithnjë i frymëzuar dhe në veprim. Ideja e tij për bashkëpunim dhe solidaritet mes popujve, sidomos në luftë kundër robërisë dhe në kërkim të lirisë dhe pavarësisë, kishte nevojë për një organizim panballkanik, si parakusht për të arritur deri te 

Motoja e Çetës së profetëve “Salva nos Domine, perimus” – Na shpëto, o Zot, u zhdukëm, (krh.. Mt 8, 23 – 27; Mk 4, 35-41; Lk 8, 22-25), mbetet klithje feje dhe shprese, dëshmi dashurie, gjithnjë në emër të Kishës dhe Popullit, drejtuar Zotit, pra, si e tillë aktuale për të gjithë ne.

Stubëll, 21. 09. 2019                                                              Don Lush GJERGJI

6 Pjetër Bogdani, Çeta e Profetëve, I, Rilindja, Redaksia e Botimeve, Prishtinë. 1989. F. 55¸67¸69.

 Instituti për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore në Shkup,                                                                      5 dhjetor 2022

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 200
  • 201
  • 202
  • 203
  • 204
  • …
  • 738
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GJON MILI – IMAZHET PA FORMË DHE ONEIRIZMI POETIK
  • Nëntori i historisë dhe i kujtesës kombëtare
  • FILATELIA PËRBALLË HISTORISË – 118 VJET NGA KONGRESI I MANASTIRIT
  • Portreti i një intelektuali …
  • Lulash Nikë Palushaj – Gjuha dhe kujtesa e Malësisë së Madhe
  • KOSOVA, E VËRTETA DHE DREJTËSIA: NJË SFIDË QË KËRKON PËRGJIGJE INSTITUCIONALE
  • HAGA NUK ËSHTË MBI SOVRANITETIN E KOSOVËS!
  • PËRTEJ BASHKËJETESËS KULTURORE: A JANË SHQIPTARËT VËRTET TË BARABARTË NË MAL TË ZI?
  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT