• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sulejman Vokshi, prijës dhe drejtues ushtarak

December 5, 2022 by s p

(Në kuadrin e 110 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë)

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Udhëheqësi ushtarak i Forcave të Armatosura të Lidhjes

Sulejman Vokshi lindi më 20 shkurt 1815 në qytetin e Gjakovës në një familje me tradita të shquara patriotike dhe luftarake. Ai është veprimtar, atdhetar dhe figurë e shquar e Lidhjes së Prizrenit. Në rrugën luftarake për 50 vjet, Sulejmani ka shpalosur në të gjithë veprimtarinë e tij të gjatë dhe të pasur luftarake, edhe një dimension, atë prej prijësi dhe drejtuesi ushtarak. Veprimtarinë patriotike e filloi që në moshën djaloshare. Në vitet 40 të shek. XIX mori pjesë me armë në dorë kundër Reformave të Tanzimatit dhe për këtë Porta e Lartë e kishte arrestuar, burgosur dhe internuar mbi 15 herë. Vet Sulejmani, nuk kishte ndjekur studimet e nuk kishte diplomë të ndonjë shkolle apo akademie ushtarake klasike, por ai me zgjuarsinë dhe intutën e tij natyrale njihnte dhe kishte përvehtësuar në arsenalin e tij një numër të madh elementësh të artit ushtarak të zbatuar në mënyrë krijuese, të mpleksur mirë me artin tradicional popullor dhe me taktikën e luftës popullore të trashëguara nga paraardhësit.

Kur u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, më 10 qershor 1878, ai ishte një udhëheqës popullor, me autoritet dhe i njohur në të gjithë Kosovën e në trojet shqiptare. Lidhja gjeti tek Sulejman Vokshi organizatorin dhe udhëheqësin e talentuar ushtarak. Këto aftësi të tij dolën më në pah në aksionin e Gjakovës dhe në luftimet kundër ushtrive malazeze për mbrojtjen e Plavës e të Gucisë, në dimrin e vitit 1879-1980.

Lidhja Shqiptare Prizrenit e gjeti Sulejman Vokshin e përgatitur në të gjitha drejtimet si luftëtar e udhëheqës të shquar popullor dhe me koncepte të qarta politike e ushtarake. Ai ishte një nga nismëtarët e themelimit të saj dhe gjatë veprimtarisë së Lidhjes, një ndër udhëheqësit kryesorë, politikë e ushtarakë, anëtar i Komitetit Qendror dhe përfaqësues konsekuent i krahut revolucionar të saj. Ai qëndroi jo vetëm në ballë të luftës për mbrojtjen e tërësisë së trojeve shqiptare, por edhe të luftës për realizimin me forcën e armëve të autonomisë së mbarë trojeve shqiptare, e kushtëzuar nga rrethanat e brendshme dhe të jashtme, e luftës për fitoren e pavarësisë së plotë.

Qeveria e përkohshme e Lidhjes shqiptare e ngarkoi me detyrën e udhëheqësit ushtarak të Forcave të Armatosura të ushtrisë kombëtare të saj, ishte kryetar i komisionit të të ardhurave dhe i financave. Ishte drejtues i Degës së Lidhjes për Gjakovën dhe një nga organizatorët e ngjarjeve të saj që shpunë në vrasjen e marshallit osman, Mehmet Ali Pashë Maxhari. Si anëtar i Shtabit ushtarak të Lidhjes, Sulejman Vokshi ishte një nga udhëheqësit e luftëtarëve shqiptarë në betejat për mbrojtjen e Plavës e Gucisë, që shpunë në shpartallimin e forcave të Malit të Zi. Me shpalljen e autonomisë dhe krijimin e Kuvernës së Përdorme, ishte, krahas Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenit e të tjerëve, në krye të kësaj me cilësinë e komandantit të Forcave për mbrojtjen. Forcat e Lidhjes nën komandën e tij brenda një kohe fare të shkurtër e shtrinë pushtetin popullor administrativ e ushtarak të Lidhjes në Shkup, në Prishtinë, në Mitrovicë, në Lumë, në Guci, në Vuçiternë e në Preshevë etj. Nën drejtimin e tij, si kryetar i shtabit të forcave shqiptare dhe me pjesëmarrjen e tij direkte, u zhvillua edhe lufta heroike për mbrojtjen e Lidhjes në Shtimje e Slivovë kundër forcave osmane të Dervish Pashës.

Lidhja organizoi një ushtrinë e rregullt shqiptare

Kulmi i veprimtarisë politike e ushtarake të të tij lidhet me luftën dhe përpjekjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për të realizuar me forcën e armëve autonominë e Shqipërisë. Në Qeverinë e Përkohëshme të Lidhjes, ai u caktua shef i seksionit ushtarak të saj me atributet e ministrit të Mbrojtjes dhe të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosuara. Brenda një kohe të shkurtër dhe nën drejtimin e Tij, Lidhja organizoi një ushtrinë e rregullt shqiptare.

Duke qenë në krye të kësaj ushtrie, filloi dhe realizoi çlirimin e tokave shqiptare nga administrata osmane. Ushtria e Lidhjes fillimisht në mënyrë të organizuar ndërpreu linjat telegrafike, rrethoi dhe detyroi administratën osmane që me sulm nga jashtë qendrës së banuar dhe me kryengritje nga brenda, i detyroi garnizonet ushtarake osmane të mbylleshin në kazerma dhe të respektonin autoritetin e urdhërat e Lidhjes. Administratën osmane, kudo, e shpërndau dhe komitetet vendore të Lidhjes merrnin drejtimin vendor, me punonjës shqiptarë. Në dhjetor të vitit 1880 ishin çliruar plotësisht dhe kishin administratën e tyre në Prizren, në Gjakovë, në Lumë dhe në Guci. Ndërsa në janar dhe në shkurtit të vitit 1881, ushtria e Lidhjes çliroi Prishtinën, Shkupin dhe Mitrovicën duke marrë nën kontroll dhe linjat hekurudhore. Autoriteti i saj shumë shpejt u instalua dhe në Tetovë, në Gostivar e në Dibër.

Në këtë periudhë të shkurtër kohorë Qeveria e Përkohëshme e Lidhjes, nuk pati kohë të organizonte si duhej, si pushtetin dhe forcat ushtarake në të gjitha vilajetet e Shqipërisë. Porta e Lartë vendosi ta shtypte Lidhjen e Prizrenit. Ajo dërgoi Dervish Pashën me disa gjeneralë dhe me një ushtri me mbi 30 batalione, të pajisura me teknikën më moderne të kohës, me topa, me bateri malore dhe me municione të bollshme. Trupat osmane fillimisht morën Shkupin dhe Ferizaj. Misioni kryesor i tyre ishte qendra e Lidhjes, qyteti i Prizrenit. Lidhja dha kushtrimin. Shqiptarët sipas traditës nxorrën burrë për shtëpi dhe rrokën armët. Mjaft luftëtarë iu përgjigjën thirrjes së Lidhjes.

Sulejman Vokshi gjatë mobilizimit të forcave dhe organizimit të qëndresës, kujdes i kushtoi informacionit. Ai mori të dhëna dhe informoi shtabin e ushtrisë shqiptare dhe dha dizinformacion për të mashtruar armikun. Kështu, mori masa dhe vendosi roja të përhershme, të cilat mbanin nën kontroll veprimet e nëpunësve të telegrafës së Prizrenit dhe të qyteteve të tjera. Telegramet e Dervish Pashës i lexonte Sulejman Vokshi dhe asnjë telegram i autoriteteve osmane nuk shkonte në destinacion. Sipas porosisë së Vokshit Stambolli edhe vet, Dervish Pasha u dizinformoheshin nga nëpunësit e telegrafës. Numri i luftëtarëve të Lidhjes në këtë kohë arriti deri në 45.000 veta. Informata ku të rreme, e ku tronditëse, futën panik e frikë në shtabin e Dervish Pashës. Siç do të shprehej dhe konsulli austro-hungarez, Krenvill, në raportin që i dërgonte Vjenës, se komandantët e ushtrisë osmane në përgjithësi ndjejnë një frikë të madhe nga forcat e Lidhjes. Kështu, komandant Vokshi, po përpiqej të fitonte kohë për vazhdimin e punës dhe për mobilizimin e forcave.

Disa dukuri të veprimeve luftarake të Lidhjes

Sulejman Vokshi me Shtabin ushtarak të Lidhjes përcaktoi në kohë dhe drejt rajonet e mbrojtjes, pozicionet, në të gjithë gjërësinë dhe thellësinë e saj. Brezi i mbrojtjes të forcave të Lidhjes shkonte deri në 10 km gjerësi dhe nga 18 deri në 25-30 km thellësi. Formacioni luftimit sipas detyrës së vendosur nga shtabi i luftës u ndërtua në dy skalione. Në skalionin e parë që përshkuante vijën Zaskok-Nerodime-Slivovë u përqëndruan repartet pararojë që shkonin deri në 2.000 luftëtarë dhe në skalionin e dytë Shtimlje-Topican u përqëndruan forcat kryesore me rreth 4.000 luftëtarë.

Komandant Vokshi i mbajti forcat kryesore në skalion të dytë. Këtë ai e bëri për të pasur mundësi manovrimi dhe goditjeje të befasishme nga një drejtim në tjetrin, sipas situatës që do të merrte luftimi. Ndërsa vendkomandën dhe Shtabin e vendosi në Shtmlje që të mbante lidhje telegrafike dhe me korierë me qeverinë e Lidhjes. Forcat osmane sulmuan më 16 prill në drejtim të Slivovës, por forcat shqiptare, me qëndresë dhe të mirë organizuara e të fortifikuara, e përballuan sulmin osman. Për katër ditë e netë i mbrojtën pozicionet para kodrave të Silovës. Ndërsa me 20 prill, në mëngjes Dervish Pasha, sulmoi në shkallë të gjërë në të gjithë vijën e skalionit të parë në Slivovë, në Shtimlje dhe në Grykën e Caralevës, me synim pushtimin e Prizrenin. Mbi 15.000 ushtarë osmanë sulmuan në tri drejtime: në drejtim kryesor, me 7 batalione kundër Shtimljes, në të majtë, kundër Slivovës, me 6 batalione dhe në të djathtë, kundër Grykës së Caralevës. Ndërsa Dervish Pasha, me dy bateri topash e dy batalione sulmoi Slivovën, ku zuri një kodër të vogël, prej nga drejtonte zjarrin e artilerisë. Pas luftimeve të ashpra në Slivovë, luftëtarët e Lidhjes u tërhoqën në mënyrë të organizuar. Ata organizuan qëndresë në Shtimlje e në Grykë të Caralevës. Në këto beteja madhore u shfaq heroizmi masiv i luftëtarëve shqiptarë, ku ranë duke luftuar rreth 1200 luftëtarë.

Në luftimet e zhvilluara nga Forcat e Lidhjes u zbatua me mjeshtëri taktika tradicionale e luftës popullore. Komandanti ushtarak i ndau forcat në grupe të vogla, nga 80-200 luftëtarë, të cilat me sulme e kundërsulme, nga lart poshtë, në kodrat e Slivovës, i rrëmbyen në fillim armikut inisiativën në shkallë taktike. Kronisti i kohës do të shkruante, se prita dhe presioni i shqiptarëve u bënë aq të papritura sa, në çastin e parë ushtria osmane u detyrua të tërhiqej. Sulmi i shqiptarëve u përsërit disa herë. Dervish Pasha pruri në kodrën përbri Slivovës dhe 6 topa, të cilët hapën zjarr… më shumë se një orë e gjysëm. Mic Sokoli nga Malësia e Gjakovës, duke parë dëmin që shkaktonte bateria osmane, me disa luftëtarë sulmuan drejt kodrës për ta asgjësuar baterinë, por ranë heroikisht, aty, para grykave të topave. Zjarri i artilerisë solli pasoja të rënda për forcat e skalionit të parë, të cilat u detyruan të tërhiqen drejt Shtimljes, nga pozicioni në pozicion.

Luftëtarët shqiptarë në këto beteja ndërmorën veprime të ndryshme taktike, të studiuara me zgjuarësi e trimëri. Veprimet kryheshin si ditën, ashtu dhe natën, duke ruajtur fshehtësinë e siguruar befasinë mbi armikun. Komandant Sulejman Vokshi kishte bërë plan dhe u përpoq të asgjësonte shtabin e forcave osmane me Dervish Pashën në krye. Një vend të veçantë në sigurimin e goditjeve të befasishme zuri dhe kalorësia shqiptare. Në Shtimlje shqiptarët vunë në pozicionet e tyre kësulat e bardha, manovruan e goditën në mënyrë të befasishme osmanët.

Në krye të betejave në Slivovë, në Shtimlje e në Caralevë

Forcat e Lidhjes me taktikën e tyre arritën të kompensionin mangësitë që kishin në armatim. Ushtria e Lidhjes ishte e pajisur me pushkë me çark që mbusheshin nga gryka, duke i humbur shumë kohë luftëtarit dhe nuk e hidhnin plumbin më shumë se 100-120 metra, ndërsa ushtria osmane ishte e pajisur me pushkë dhe me shumë fishekë të bollshëm, me pushkë të prodhimit amerikan dhe anglez, me topa gjerman dhe mitralozë amerikan, që kishin nga 6 deri në 12 gryka. Pushkët martin që kishte ushtria e Lidhjes ishin të pakta dhe kishin shumë pak fishekë për të luftuar. Në këto kushte luftëtarët shqiptarët përdorën me sukses luftimin e afërt, pritën, e deri luftimin trup me trup që zgjati disa orë në Shtimlje. Armiku goditej me thika, me jataganë, me kosë, me sfurk, me drapër, me sopatë, me dajak, si dhe përdorej bari i thatë dhe vajguri etj. Në sajë të përdorimit të luftimit të afërt, shqiptarët mundën të ulnin në një shkallë të madhe efektin e pushkëve, dhe sidomos të artilerisë dhe i shkaktuan armikut humbje.

Kodrat e Slivovës e të Shtimljes, të cilat ngrihen në një lartësi nga 40-170 metra, ishin të zhveshura përballë artilerisë osmane. Dhe pse ishin ndërtuar transhe e pozicione, nuk ishin të përshtatshme për mbrojtje. Dokumenta gjermane, theksojnë se Dervish Pasha e priste rezistencën e shqiptarëve në Grykën e Caralevës. Në fakt, në Grykën e Caralevës u organizua një betejë e fuqishme dhe u bë një qëndresë titanike. Sulejman Vokshi dhe drejtuesit ushtarak të Lidhjes prisnin të vinin nga Prizreni, forca të tjera të Lidhjes. Ato erdhën, por me vonesë dhe ushtria osmane e kishte kaluar Grykën e Caralevës. Këto forca ishin të pakta. Bashkë me këto, shtabi i Sulejman Vokshit organizoi një qëndresë më 21 prill në Qafën e Duhlës. Këtu u zhvilluan luftime të ashpra. Luftëtarët shqiptarë u detyruan të tërhiqen. Dervish Pasha, e theu qëndresën në portat e Prizrenit, në Suharekë dhe hyri me mjaft batalione në Prizren më 23 prill.

Epërsia e madhe në njerëz dhe në teknikë ishte i vetmi faktor që i detyroi forcat e Lidhjes të tërhiqeshin. Ata u tërhoqën me mjeshtëri dhe luftuan ditë të tëra me heroizëm. Në këto luftime e beteja, forcat e Lidhjes organizuan dhe luftë frontale. Që nuk u përballuan forcat osmane si duhet, kjo lidhet më armatimin e tyre të pakët në numër, të vjetëruar, me mungesa në municion, si dhe me numër të pakët të luftëtarëve.

Sulejman Vokshi, pas betejave në Slivovë, në Shtimlje e në Caralevë, i riorganizoi forcat në grupe të vogla dhe me shpejtësi i kaloi nga lufta frontale, në luftën e çetave. Kjo ishte një tërheqje operative-strategjike, e domosdoshme për të ruajtur forcat e për të vazhduar luftën në të ardhmen. Në thelb ky veprim taktik ishte një operacion kalimi, i cili për rëndësinë që ka e vështërsitë që paraqet, tregon për përvojën e madhe luftarake të Sulejman Vokshit dhe të luftëtarëve të Lidhjes. Ky kalim tepër i vështirë u realizua pa ndërprerje të veprimeve luftarake, në tërheqje e sipër, duke i ndarë repartet në grupe të vogla, e duke shfrytëzuar mirë e me mjeshtëri terrenin malor.

Sulejman Vokshi përfaqëson figurën madhështore të atdhetarit

Lidhja Shqiptare e Prizerenit u shtyp. Sulejman Vokshi me shumë luftëtarë u tërhoqën në Malësi të Gjakovës. Në këtë krahinë, me male të larta, e me një popullsi, që pati përkrahur aktivisht Lidhjen, ai organizoi qëndresë të pakapërcyeshme për forcat e ushtrisë osmane. Malësia e Gjakovës e mbrojtur nga 3.000 luftëtarë, me Sulejman Vokshin, mbeti zonë e lirë, bazë e luftëtarëve, ku, herë pas here, u ndërmorën sulme kundër garnizoneve osmane në Gjakovë, në Pejë e në Prizren. Në shkurt 1885, përsëri nën udhëheqjen e Sulejman Vokshit shpërthye një kryengritje tjetër e fuqishme. Por Stambolli dërgoi forca të mëdha ushtarake. E shtypi kryengritjen dhe në pabesi e zuri Sulejman Vokshin. Gjykata ushtarake në Prizren e dënoi me vdekje, kurse familjen e tij me internim të përjetshëm në Fezan të Tripolit. Në vendimin e gjykatës osmane thuhej se fama që ka fituar Sulejman Vokshi për veprimtarinë e efektshme e të fuqishme antishtetërore… dihet nga e gjithë bota. Ai ka qenë organizator, frymëzues dhe pjesëmarrës i të gjitha akteve e veprimeve të kryengritësve që kanë ndodhur gjer tani në këto anë, si dhe kreu i krerëve të të gjithë kryengritësve. Ky ishte vlerësimi më i saktë që i bënte kundërshati i tij. Por, për shkak të popullaritetit të Tij dhe të presionit të lëvizjes kombëtare shqiptare, shteti osman u detyrua ta kthente dënimin me vdekje, në dënim me burg, e më pas, ta lironte komandantin e Lidhjes.

Për shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë dhe kudo që ata janë, Sulejman Vokshi përfaqëson figurën madhështore të atdhetarit dhe luftëtarit të rrallë në luftërat për liri dhe autonomi të Shqipërisë. Por, veç këtyre cilësive të rralla, ai ishte dhe u shqua midis bashkëluftëtarëve si: një prijës dhe drejtues me veçori natyrale, i përmasave të mëdha në organizimin e forcave të rregullta dhe në drejtimin e veprimeve të shumta luftarake. Për këto, për kontributin e tij të veçantë në çlirimin dhe pavarësinë e trojeve shqiptare, ai çmohet dhe nderohet shumë nga shqiptarët, por jo vetëm. Ai është bërë pjesë e kahershme dhe e padiskutueshme e historisë sonë kombëtare. Por ai është edhe pjesë e historisë ushtarake shqiptare, për ato dukuri dhe të veçanta që solli në fushën e artit dhe të mendimit ushtarak shqiptar.

Populli shqiptar e ka përjetësuar birin besnik të tij, komandantin e shquar në këngët e në vepra letrare, në piktura dhe skulptura etj. Në kuadrin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shteti shqiptar i dha Sulejman Vokshit titullin, Hero i Popullit.

Filed Under: Histori Tagged With: Bernard Zotaj

Lëvizja e Qershorit dhe Qeverisja gjashtëmujore e Nolit

December 2, 2022 by s p

Ledio Xhoxhi, Historian/

Fan Stilian Noli është një nga figurat me njohuri të thella në historinë e Shqipërisë. Ai u shqua në shumë fusha. Noli ishte shkrimtar, filozof, publicist, poliglot, përkthyes, orator, diplomat, politikan, historian, muzikant e teolog. Ai është themelues i Federatës Vatra, si dhe themelues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.  

Figura politike e Fan Nolit mbetet një nga më të shndritshmet në panteonin shqiptar të baballarëve të kombit. Ai vazhdoi veprën e tyre të lavdishme si një nga bashkëkohësit e denjë të rilindësve tanë. Ai u mor me pothuajse të gjitha fushat ku kombi dhe shteti shqiptar kishin nevojat e tyre. Ai u mor me përkthimin në gjuhën shqipe të librave të shenjtë, u shugurua prift në SHBA në kohën kur kërkohej themelimi i Kishës Ortodokse Shqiptare duke e çuar punën e tij deri në konsolidimin e autoqefalisë së kësaj Kishe. Noli shkëlqeu në veprat historike për Skënderbeun, i cili ishte guri i themelit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Diplomatin Fan Noli e gjeje në të gjitha konferencat ndërkombëtare ku vendosej fati i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Ai përktheu kryeveprat e letërsisë botërore duke mbetur edhe sot një nga përkthyesit më të mirë dhe njëkohësisht iluministi i elitave shqiptare drejt ideve të Perëndimit.

Fan Noli hyri fuqishëm në jetën politike të viteve 1920-1924 duke qenë edhe kryetar i Shoqatës Panshqiptare “Vatra”. Përplasjet e shumta që karakterizuan periudhën pas Kongresit të Lushnjës bën që situata në Shqipëri të degradonte deri në buzë të anarkisë totale. Shembulli i kësaj është ndërrimi i disa qeverive në harkun e katër viteve. Parlamenti shqiptar i kësaj periudhe u bë arenë e përplasjeve të rrymave të ndryshme politiko-sociale, krahinoro-fetare, si dhe i lojërave të ndryshme parlamentare që shqiptarët deri atëherë pa përvojë kishin filluar t‘i mësonin.

Copëtimi i Shqipërisë që kishte sjellë ndarjen nga trungu shqiptar të viseve më të pasura dhe të asaj popullsie që kishte dhënë kontributin kryesor në shpalljen e Pavarësisë, shto këtu edhe odisenë e gjatë të njohjes dhe të përcaktimit të kufijve të shtetit shqiptar, po e kthenin Shqipërinë në një “tokë të askujt”. E gjithë kjo kishte sjellë krijimin e dy blloqeve kryesore në skenën politike shqiptare. Blloku i parë ishte ai i bejlerëve dhe pronarëve të mëdhenj të tokave, të cilët duke përfituar nga pushteti ekonomik, si dhe përvoja e gjatë administrative që nga koha e Perandorisë Osmane, kërkonin me çdo kusht ruajtjen e pushtetit politik si garantues të interesave të tyre ekonomike, duke kundërshtuar çdo lëvizje ose reformë liberale. Ahmet bej Zogolli, me plot ambicie për pushtet, ishte figura kryesore e këtij grupimi. Ahmet Zogolli ishte një bej shumë i vogël krahasuar me oxhaqet e mëdha shqiptare që e mbështesnin dhe që ai i përfaqësonte. Në bllokun tjetër që ishte mjaft heterogjen bënte pjesë borgjezia e re shqiptare, intelektualët e rinj të shkolluar në Perëndim, rinia shqiptare e inkuadruar nën shoqërinë “Bashkimi” me në krye Avni Rustemin, si dhe emigrantët kosovarë të tubuar rreth Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës. Me këtë bazë sociale e strukturore opozita mblodhi rreth vetes figura të shquara që kishin luajtur një rol të dorës së parë në shpalljen e Pavarsisë, si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjau e tjerë. Përplasjen kryesore këto dy grupe e patën në vjeshtën e vitit 1923 për zgjedhjet në Asamblenë Kushtetuese, e cila kishte si detyrë përcaktimin e formës së regjimit, caktimin e kryeqytetit dhe në njëfarë mënyre caktimin e rrugës nga do të shkonte Shqipëria. Sistemi i votimit në dy shkallë, si dhe shfrytëzimi i pushtetit nga Ahmet Zogu në postin e kryeministrit, bën që situata paszgjedhore të ishte e nderë. Nuk munguan as akuzat e të dy palëve për shantazh, vjedhje dhe blerje votash. Megjithë pretendimet e opozitës, rezultatet e zgjedhjeve ofruan një grafi të saktë të klimës politike në Shqipëri. Asnjë nga grupet nuk siguroi dot shumicën. Në Asamblenë me 102 vende kandidatët e opozitës fituan 39, ndërsa Zogu me të tijët 44 vende. Të tjerët ishin kandidatë të pavarur konservatorë që anonin nga krahu i Zogut. Ajo çka për fat të keq treguan këto zgjedhje ishin dasitë e mëdha krahinore e fetare. Opozita fitoi në Jug dhe në Veri, ndërsa Zogu me pasuesit e tij në Shqipëri të Mesme dhe në Dibër. Atmosfera e nderë paszgjedhore u zhvendos në sallën e Parlamentit. Më 24 shkurt të vitit 1924 Kryeministrit Ahmet Zogu iu bë atentat në hyrjen e Parlamentit nga matiani Beqir Valteri. Meqënëse atentatori ishte anëtar i shoqërisë “Bashkimi”, pasuesit e Zogut e lidhën atentatin me dhe kryetarin e saj Avni Rustemin. Zogu u tërhoq nga posti i Kryeministrit duke ia lënë vëndin vjehrrit të tij, Shefqet Vërlacit. Pavarësisht prej këtyre lëvizjeve politike, situata ishte mjaft e nderë. Në marsin e vitit 1924 qeveria kishte dy kundërshtarë të vendosur, forcat përparimtare të mbledhura rreth Fan Nolit dhe Komitetin e Kosovës.

Ajo që ndezi flakë situatën ishte vrasja e Avni Rustemit, një figurë mjaft popullore, e cilësuar si trubuni i rinisë shqiptare. Vrasësi, Isuf Reçi ishte mbështetësi i Esat Pashës i cili “mori hak” për vrasjen e pashait. Sipas Eqrem bej Vlorës, ky ishte qenë një akt hakmarrjeje që përputhej me rregullat e kodit të vendetës shqiptare, si dhe pajtonte dy rrymat e ndara politike, esadizmin dhe ahmetizmin. Vrasja e Avni Rustemit solli acarimin e të gjitha grupeve heterogjene të opozitës rreth Fan Nolit, si figura qendrore e saj. Varrimi i Avni Rustemit u kthye në sinjalin e fillimit të kryengritjes. Futja në lojë e dy garnizoneve ushtarake, të atij të Shkodrës nën komandën e Rexhep Shalës, dhe atij të Përmetit, komanduar nga Kasëm Qafëzezi, si dhe mësymja e forcave të Bajram Currit nga Kruma, bënë që qeveria të largohej nga Shqipëria së bashku me Ahmet Zogun dhe pasuesit e tij. Më 19 qershor 1924 qeveria e koalicionit, e kryesuar nga Noli, shpalli programin e saj ku përfshiheshin reforma të thella sociale dhe politike që kërkonin kthimin e shtetit shqiptar drejt Perëndimit për t’u bërë si kombet e qytetëruara.

Kur Noli mori postin e Kryeminisrit, gjendja ekonomike dhe politike në Shqipëri ishte e vështirë. Në aspektin ekonomik, Shqipëria vuante nga një prapambetje e theksuar. As që bëhej fjalë për zhvillim industrial, dega kryesore e ekonomisë ishte bujqësia. Në fshat ekzistonte një e çarë e madhe mes fshatarësisë dhe klasës sunduese, bejlerëve. Pjesa më e madhe e tokës ishte në pronësi të një numri të vogël familjesh çifligare, që ushtronin dhunë ekonomike mbi fshatarësinë e varfër. Gati 85% e popullsisë jetonte në fshat, vetëm 9% e tokës ishte e punueshme, shtatë familje të mëdha çifligare (Vrioni, Vërlaci, Zogu, Toptani, Libohova, Vlora, Këlcyra) zotëronin 2000 ha tokë, kurse shumica e fshatarësisë kishin në zotërim më pak se 1.8 ha tokë dhe shumë të tjerë nuk kishin fare.

Në 16 qershor 1924 Noli krijoi qeverinë e tij, një kabinet i vogël, i përbërë nga përfaqësues të të gjithë grupimeve të kryengritjes së Qershorit, ushtrisë, bejlerëve, liberalëve, progresistëve dhe lobit shkodran. Ndërsa Komiteti i Kosovës nuk u përfshi në qeveri. Kabineti qeveritar përbëhej nga:

– Fan Noli, Kryeministër;

– Sulejman Delvina, ministër i Jashtëm; 

– Luigj Gurakuqi, ministër i Financave; 

– Stavro Vinjau, ministër i Arsimit; 

– Kasëm Qafëzezi, ministër i Luftës; 

– Rexhep Shala, ministër i Brendshëm; 

– Qazim Koculi, ministër i Bujqësisë; 

– Xhemal Bushati, ministër pa portofol.

Anëtarët e kabinetit përfaqësonin interesa të kundërta, mes tyre mungonte kohezioni, e vetmja gjë që i kishte bashkuar ishte qëndrimi antizogist. L. Gurakuqi ishte i moderuar, Noli dhe Vinjau ishin më radikalët, Shala dhe Qafëzezi ishin thjesht karrieristë me bindje antiçifligare, por nuk ishin për ndryshimin e sistemit të vjetër.

Në 19 qershor qeveria e Nolit shpalli programin e saj, një program reformash me 20 pika, të cilat ishin:

1) Çarmatimi i përgjithshëm dhe papërjashtim;

2) Dënim i shkaktarëve të kësaj vëllavrasje dhe i agjentëve të tyre kryesorë me përjashtim dhe konfiskim të pasurisë ose me ndëshkime të tjera sipas masës së përgjegjësisë së secilit;

3) Ristabilizim i qetësisë, i rregullit dhe të ligjit;

4) Lartësim i autoritetit të Shtetit mbi ç’do fuqi personale ose ekstralegale;

5) Çrrënjosje të feudalizmit dhe vendosje e demokracisë në Shqipëri;

6) Reformë radikale e të gjitha degët e administratës civile e ushtarake;

7) Heqja e burakracisë tek nëpunësit;

8) Sigurimi i të drejtave dhe caktimi i përgjegjsis së nëpunësve me ligj;

9) Organizim i fshatrave duke përmirësuar gjendjen e tyre dhe fshatarve;

10) Kursime radikale t buxhetit;

11) Ndryshim i sistemit të taksave për lehtësuar popullin;

12) Përmirësim i gjendjes dhe ekonomisë së bujkut;

13) Lehtësim i hyrjes së kapitalit të huaj dhe mbrojtje e organizim i kapitaleve të vendit;

14) Lartësim i figurës së shtetit në botën e jashtme;

15) Pavarësi e vërtetë e gjyqësorit;

16) Reformë radikale e kanunevet gjyqësore të vjetëruara;

17) Rregullimi i rrugëve dhe urave, si dhe kujdes i veçantë për të gjitha komunikimet e shtetit;

18) Organizim i Degës së Shëndetësisë për të luftuar sëmundjet;

19) Organizim i Degës së Arsimit mbi baza moderne, kombëtare dhe praktike;

20) Marrëdhanje miqësore me të gjitha shtetet e veçanërisht me fqinjët.

Noli ishte i bindur se me qeverinë e tij demokratike do t’i dhuronte Shqipërisë një sistem demokratik që nuk e kishte patur më parë. Pavarësisht ambicies dhe dëshirës së madhe, Noli solli një demokraci të brishtë. Dështimi i saj vërtetoi se programi ishte më shumë teorik sesa praktik për kushtet e Shqipërisë së asaj kohe. Ai u përpoq të organizonte forcat kundër botës së feudalizmit, për ta nxjerë popullin nga errësira.

Programi i hartuar nga Noli dhe qeveria e tij është vlerësuar nga bashkëkohës dhe studiues. Nolit nuk i mungonte as dëshira dhe as vullneti për ta vënë në jetë programin e tij, por pati një sërë faktorësh që ndikuan negativisht, si:  mungesa e fondeve, mosdhënia e nje kredie nga Lidhja e Kombeve apo shtetet e zhvilluara, përçarjet brenda vetë qeverisë, harxhimi i energjive dhe i një kohe të gjatë për problemet në politikën e jashtme. Por për kushtet e shoqërisë, ekonomisë dhe shtetit shqiptar ishte i parakohshëm dhe siç e tregoi koha i vështirë, për të mos thënë i pamundur për t’u realizuar. Ai ishte një sfidë përballë së cilës Noli dhe qeveria e tij dështuan. 

Pavarësisht nga kjo, nuk mund të mohojmë arritjet që pati qeveria e Nolit. Në aspektin financiar qeveria arriti të balancojë buxhetin e shtetit. Qeveria e Qershorit trashëgoi nga qeveritë e mëparshme një defiçit prej 7 milion franga ari dhe rroga të papaguara prej shtatë muajsh. Për të zvogëluar borxhin, qeveria pakësoi 25% të nëpunësve dhe rrogat i zbriti në 40%. Në fushën e arsimit u bënë përpjekje për të zgjeruar rrjetin shkollor dhe për të ngritur nivelin e përgatitjes së arsimtarëve. Më 10 nëntor u themelua në Vlorë një shkollë tregtare. Në kuadër të luftës për çrrënjosjen e feudalizmit u morën disa masa me qëllim lehtësimin e shfrytëzimit të fshatarësisë. U miratua dekretligji për shitjen e taksës të së dhjetës së prodhimeve bujqësore fshatit, jo myltezimëve.  

Një vëmendje të madhe, Noli i kushtoi çështjes së mbrojtjes së kufijve dhe mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Në këtë drejtim ai tregoi aftësi të mëdha diplomatike dhe arriti suksese. Noli ishte i vetëdijshëm se mënyra se si erdhi në pushtet, (me kryengritje, jo me zgjedhje popullore) e bënte të domosdoshme njohjen ndërkombëtare. Përveç kësaj Noli nuk arriti të kënaqte askënd duke krijuar një situatë amullie të brendshme. Vështirësitë ishin po kaq të mëdha edhe në politikën e jashtme. Marrëdhëniet me vendet fqinje mbeteshin të tendosura, ndërsa Fuqitë e Mëdha vazhdonin të ndiqnin rrugën e mosnjohjes së qeverisë së Nolit. Noli u përpoq (që përpara se të bëhej Kryeministër) në vendosjen e marrëdhënive miqësore me disa shtete perëndimore. Në kohën kur ai kishte postin e minsitrit të Jashtëm, SHBA-ja vendosi marrëdhënie zyrtare me Shqipërinë në vitin 1922, vetëm falë këmbënguljes së Nolit, por nuk mbajti të njëjtin qendrim ndaj qeverisë demokratike të tij; kjo ndodhi sepse kishte dyshime për ligjshmërinë e saj.

As shtetet fqinje, Greqi e Jugosllavi, nuk e njohën qeverinë e Nolit. Greqia dhe Jugosllavia, në atë kohë aleate me njëra- tjetrën, punuan së bashku për destabilizimin e qeverisë së Nolit. Noli bëri thirrje për marrëdhenie të mira me shtetet fqinje. Ai dwshironte marrwdhwnie fqinjësie të mirë me shtetin jugosllav me qëllim që të dy shtetet të jetonin në miqësi, si shtete fqinje me interesa të përbashkëta.

Qeveria e Nolit mbajti një qëndrim thellësisht kombëtar në politikën e jashtme. Në muajt shtator-tetor 1924, Noli në krye të një delegacioni shkoi në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Çështja kryesore që mbrojti delegacioni shqiptar në sesionin e Lidhjes, ishte ajo e kufijve me fqinjët ballkanikë. Jugosllavia pretendonte të merrte Shën Naumin dhe Vermoshin. Në këshillin e Lidhjes së Kombeve, Fan Noli hodhi poshtë pretendimet shoviniste të qeverisë serbe-kroate sllovene dhe të asaj greke. Qeveria e Nolit mbrojti me forcë të drejtat e popullsisë çame dhe kosovare dhe mori masa për pritjen e refugjatëve të persekutuar nga qarqet shoviniste.

Përfundime

Noli është një figurë e rëndësishme e lëvizjes kombëtare shqiptare. Ai, në bashkëpunim me patriotë të tjerë shqiptarë, zhvilloi një veprimtari të dendur atdhetare, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, kryesisht në SHBA, për një periudhë afro gjysmëshekullore.

Duke analizuar të gjithë veprimtarinë e tij atdhetare dhe politike mund të themi se Noli ishte i pari që solli për herë të parë parimet e një demokracie të mirëfilltë, të cilat e patën të vështirë të mbijetonin në një shoqëri anarkike, feudale dhe të prapambetur siç ishte shoqëria shqiptare e asaj kohe.

Lëvizja e Qershorit pati një rëndësi të veçantë pasi ishte përpjekja e parë në shkallë kombëtare për çrrënjosjen e mbeturinave feudale në vend dhe vendosje e demokracisë dhe ndërtimin e një shteti demokratik. Lëvizja e Qershorit është trajtuar edhe si kryengritje e armatosur e forcave demokratike kundër atyre konservatore, si përpjekja e parë e armatosur për të zhdukur mbeturinat feudale brenda vendit dhe për kryerjen e reformave të shpejta me karakter perëndimor e demokratik.

Noli, në gjashtë muajt e qeverisjes së tij pati suksese, dështime, gabime, në fund të fundit si të gjithë udhëheqësit e çdo kohe, e çdo vendi. Noli, ndonëse larg, në mërgim, asnjëherë nuk e shkëputi vëmendjen prej atdheut. Ai, me punën e kryer, dha një kontribut të rëndësishëm për çështjen shqiptare, në momente mjaft të vështira për këtë të fundit.

Bibliografia

  1. Aleks Buda, Fan Noli-individualiteti i alternativave, në studime mbi Fan S. Nolin, Vepra VII, Dudaj, Tiranë, 2008.
  2. Arben Puto, Demokracia e rrethuar, Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1990, faqe 40.
  3. Blendi Fevziu, Si ndodhi Revolucioni i Qershorit, Korrieri, Nr. 40, 19 shkurt, 2004, faqe 14 – 15.
  4. Eqrem bej Vlora, Kujtime (1885-1925), Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit, Tiranë, 2003.
  5. Kaliopi Naska, Fan Noli kryeministër; një libër për kryeshtetarin erudit, akte të konferencës shkencore me rastin e 90-vjetorit të qeverisë të kryesuar prej Fan S. Nolit, në gjysmën e dytë të vitit 1924, Shqiptarja.com, nr. 66, 22 mars, 2015, faqe 22-23.
  6. Masar Kodra, Fan Noli në rrjedhat politike të shoqërisë shqiptare (1905-1945), Rilindja, Prishtinë, 1989.
  7. Mehmet Gëzhilli, Fan S. Noli (6 janar 1882 – 13 mars 2003); 120 vjet jetë dhe veprimtari, Argeta-LMG, Tiranë, 2003. 
  8. Naim Zoto, Fan Noli kryeministër; akte të konferencës shkencore me rastin e 90-vjetorit të qeverisë të kryesuar prej Fan S. Nolit, në gjysmën e dytë të vitit 1924, M&B, Tiranë, 2015.
  9. Nasho Jorgaqi, Fan Noli; kryeministër i qeverisë demokratike 1924, Tirana observer, nr. 2778, 25 qershor, 2014, faqe 10 – 11.
  10. Nasho Jorgaqi, Fan Noli; kryeministër në muajt e parë të qeverisjes; 90 vjetori i revolucionit të qershorit; debati historik, Shqiptarja.com, nr. 146, 23 qershor, 2014, faqe 18 – 19.
  11. Nasho Jorgaqi, Ligjërime (1906-1964), Dudaj, Tiranë, 2002.
  12. Nasho Jorgaqi, Për Fan Nolin e të tjerë, Dudaj, Tiranë, 2001.
  13. Nasho Jorgaqi, Udhëtim me Fan Nolin, Dituria, Tiranë, 1994.
  14. Robert C. Austin, Shtegu i pashkelur i Fan Nolit; (demokracia shqiptare në vitet 1920-1924), Albin, Tiranë, 2003.
  15. Valentina Duka, Histori e Shqipërisë (1912-2000), Tiranë, SHBLU, 2007.

Filed Under: Histori Tagged With: Ledio Xhoxhi

Vjosa Osmani: Presidenti Rugova ishte ideator i shtetit të pavarur të Kosovës e prijës i parë i saj

December 2, 2022 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka thënë se sot shënojmë 2 dhjetorin, ditën e lindjes së Presidentit të parë, historik, të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, njeriut i cili e udhëhoqi popullin e vet drejt lirisë dhe pavarësisë.

“Presidenti Rugova ishte ideator i shtetit të pavarur të Kosovës e prijës i parë i saj”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Sot shënojmë 2 dhjetorin, ditën e lindjes së Presidentit të parë, historik, të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, njeriut i cili e udhëhoqi popullin e vet drejt lirisë dhe pavarësisë. Presidenti Rugova ishte ideator i shtetit të pavarur të Kosovës e prijës i parë i saj. Me urti e dije të pashoqe, ai arriti ta artikulonte politikisht vullnetin e qytetarëve të Kosovës për të jetuar të lirë, në tokën e tyre e në shtetin e tyre.

Udhëheqja e tij është shembull e model të cilin duhet ta kujtojmë çdo ditë e me të cilin duhet të mishërohemi, në mënyrë që vizionin e Presidentit Rugova për shtet ta bëjmë edhe më kuptimplotë, duke e jetësuar çdo ditë atë.

Filed Under: Histori

XHUBLETA MALËSORE, KJO PASURI KOMBËTARE SHQIPTARE TASHMË NËN MBROJTJEN E UNESCO-S

December 1, 2022 by s p

Shkruar nga Rita Shkurtaj/

Data 29 nëntor 2022 do të njihet si dita ku zyrtarizohet pranimin e Xhubletës Shqiptare në UNESCO – Organizatën për Edukim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara, e cila merr në mbrojtje pasuritë më unike (të rriskuara) në botë, dosja e së cilës kishte kaluar fazën e shqyrtimit ditë më parë. Dhe skishte si të ndodhte ndryshe pasi xhubleta është unike në botë në llojin e saj dhe tejet e rrallë për nga vjetërsia mbi 4500 vjeçare. Jetëgjatësinë e saj e përcaktojnë një sërë faktorësh ndër to, teknikat e punës me të cilat punohet edhe sot kjo veshje, që janë tjerrja dhe ëndja, dy teknika këto të shpikura që në periudhën e neolitit dhe lënda e parë “leshi” me të cilin prodhohet, produkt i përftuar që nga lindja e blegtorisë në antikitet.

Xhubleta është trashëgimi e paster etno – kulturore shqiptare, rrathët e së cilës shtrihen në hapsirën natyrore rreth Alpeve Shqiptare dhe është petku me të cilin identifikohen malsorët, bartës dhe trashëgimtar të saj.

Falë kësaj pasurie, ne sot krenohemi për vlerat e saj si dhe identitetin me të cilin na pajis kjo veshje. Vetë malësorja nën petkun e xhubletës vishej me virtytet më të larta humane në habitatin e saj. Ajo quhej mbretëreshë, trimëreshë, amanetqare, fisnike etj.

Xhubleta për malsoren ishte si një mantel mburoje, pasi materjali i ngjeshur i saj e mbante të mbrojtur trupin e gruas dhe i ruante shendetin e mirë. Edhe si veshje është shumë praktike çka i jepte përparsi gruas në levizje, në punë në ecje e deri në demostrimin e trimërisë për vetmbrojtje.

Veç këtyre cilësive xhubleta është tepër e hijshme dhe e pershtatshme për ndryshimet stinore. Ajo me cilësitë e saj pasqyronte gjëndjen shpirtërore të malsores dhe identin e saj krahinor. Në stilim, në simbole e në ngjyra çka përcaktonte edhe tipologjinë e xhubletës. Në kulturën shpirtërore të malësorëve xhubleta përfshinte gjithçka që lidhej dhe bashkëjetonte me gruan në mjedisin social dhe natyror ku ajo banonte. Sot xhubleta egziston falë atij fanatizmi kulturor që vetë malsorët kanë trashëguar në shekuj në përpjekje për të ruajtur edhe strukturën rracore të tyre për çka ndihemi shumë krenarë për identitetin tonë si malsorë dhe bij të kësaj veshje kaq fisnike. Na lumturon fakti se sot XHUBLETA do të njihet si “PASAPORTA E IDENTITETIT KULTUROR KOMBËTAR SHQIPTARË” në mes të kësaj game të gjërë të trashëgimisë botërore e cila njëkohsisht do të ketë edhe mbështetjen dhe mbrojtjen e kësaj organizate ndërkombëtare, përballë rrezikut të asimilimit kulturor global. Mirnjohja më e thellë për këtë arritje të qeverisë shqiptare shkon për nënëloket malësore të cilat na e trashëguan këtë botë të pasur shpirtërore të mishëruar në xhubletë. N’prehen t’saj ato u linden, u rritën dhe mesuan vyrtytet e fisnikerisë, mencurisë, sakrificës, madhështisë, dlirtësisë e dashnisë për jeten dhe familien ndaj e kemi obligim ta vlersojmë në jetë të jetëve këtë pasuri të lënë amanet për ne, bijt e saj të mirë edukur prej frymës së tyre që ta ruajmë dhe ta trashëgojmë në të dy degët e pemës gjenetike atë të lisës së gjakut e të tamlit, sa do larg vëndlindjes të endemi në këtë fshat të vogël global.

1 dhjetor 2022

Filed Under: Histori Tagged With: RITA KALAJ SHKURTAJ

NË NDERIM TË NJËRIT PREJ THEMELUESVE TË SHTETIT BASHKËKOHOR SHQIPTAR – IMZOT NIKOLLË KAÇORRIT

November 26, 2022 by s p

Dr. Musa Ahmeti
Center for Albanian Studies
Budapest

Studimi i historisë bashkëkohore, veçanërisht i periudhës që i takon edhe imzot Nikollë Kaçorri kërkon shumë kujdes, paanshmëri e profesionalizëm të lartë, në njërën anë, ndërsa në anën tjetër ballafaqim të shpeshtë të burimeve të reja me “tabutë e krijuara për shumë vite” nga emra të njohur të historisë së popullit shqiptar me idetë tanimë të vjetëruara dhe të tejkaluara të qasjes së metodologjisë së vjetër shkencore të personaliteteve dhe ngjarjeve të veçanta. Botimi i dokumenteve ashtu siç u shkruan në kohën e krijimit të tyre, pa ndërhyrje, duke ruajtur aq sa është e mundur origjinalitetin dhe saktësinë ortografike, toponominë dhe mikrotoponominë vendore, emrat e fisveve dhe perosnaliteve që vinë nga fiset ose krahinat e caktuara, të shikuara sipas binomit të paralelizmit qëndror: “Fe e Atdhe” pa një dallim ose favorizim thelbësor religjioz apo patriotik, bëjnë që të realizohet besnikërisht qëllimi dashamirës për ta paraqitur këtë binom që shquhet sidomos te shqiptarët. Laiciteti i të riut Nikollë, ndërthuret me mjeshtëri pa u vënë re me petkun e priftit don Nikollë, duke mos përjashtuar atë më kryesoren dashurinë për atdheun, vendlindjen, popullin dhe në asnjë situatë, besimtarët. Shtjellimi i shtresëzuar i një rrëfimi shkencor sipas modaliteteve bashkëkohore, kritike të botimeve të specializuara, studiuesin, historianin e lexuesin i bën që me padurim të lexojnë faqe pas faqe një jetë të panjohur, por shumë të bujshme që nga fëmijëria e varfër, gjë pothuajse e zakonshme për pjesën dërrmuese të shqiptarëve, pastaj shkollimin, studimet e më vonë jetën meshtarake që nga shugurimi dhe përkushtimi për jetën fetare (ku kthimi i tij në atdhe e vendlindje “festohet sikur të ishte një dasmë”), ngritjen dhe bllokimin në hierarkinë kishtare dhe pastaj ballafaqimin me patriotin dhe nacionalistin e përkushtuar për atdhe deri në vdekje.
Studimet burimologjike arkivore për figura të shquara kombëtare dhe fetare të mbështetura në kërkime të thelluara profesionale, hulumtime arkivore dhe shfrytëzim të një literature të bollshme të fushave të ndryshme, e plotësuar edhe me burime dytësore si memoaret apo rrëfime-intervista të personave të gjallë, kur shkruhen nga penda të mençura dhe profesionale, domosdoshmërisht përbëjnë një ngjarje kryesore dhe janë literaturë e pashmangshme për rishikimin dhe rishkrimin e historisë sonë kombëtare, veçanërisht të periudhës së Pavarësis së Shtetit Shqiptar.
Qëmtimi me kujdes, ballafaqimi kritik me burime relevante, vlerësimi racional dhe paraqitja logjike me një gjuhë të rrjedhshme e të pastër, pasiqë është punuar, konsultuar e analizuar me profesionalizëm e me burimet origjinale, mundësojnë studime, analiza dhe nxjerrje përfundimesh nga këndvështrime të ndryshme për personalitetet që fimorësn gurëthemelin e shtetit shqiptar, e njëri nga ata ishte imzot Nikollë Kaçorri, që me veprimet e tij të menqura dhe largëpamëse, prej burrështetasit, zë vend në lterin e nderuar të themeleve të shtetit bashkëkohor shqiptar.
Nikollë Kaçorri u lind në fshatin Krejë, një krahinë e vogël e Lurës, por e nderuar dhe e vlerësuar për peronalitetet që i dha në historinë e Shqipërisë. Ky vend i bukur, i vendosur në mes të Dibrës, Mirditës dhe Matit, që nuk i përkiste asnjërës prej këtyre trevave dhe, duke qenë pak nga këto të trija, krijoi individualitetin e vet të spikatur. Gjergj Fishta, pasi e vizitoi, pati thënë: “Kush nuk njeh Lurën nuk njeh Shqipërinë” . Babai i Nikollë Kaçorrit, Vokrri ishte djali i Kolë Kaçorrit. Vokrri, ndonëse katolik i devotshëm, ishte martuar me Hane Vladin, një vajzë myslimane nga Lura, e shtëpisë së njohur së Vladëve, edhe ata të përzier në fe,që ishin shumë të lidhur me nipat e tyre katolikë, pa asnjë lloj paragjykimi (…), ndërsa edhe xhaxhai i Nikollës ishte mysliman.” Vokrri dhe Hane Vladi patën dy djem, të cilët u rritën si katolikë të devotshëm, të cilët quheshin: Ndrecë e Nikollë.
Për datën e lindjes së Nikollë Kaçorrit ka mendime të ndryshme. Sipas njërit prej biografëve të tij, Sali Ajazit “dokumenti i pagëzimit që kërkohej për të vazhduar studimet në Romë i ishte lëshuar në vitin 1882, në atë vit kur ka filluar studimet dhe, nisur nga data e këtij dokumenti, si dhe nga fakti se ka shkuar për studime në Romë në moshën 17 vjeçare, del se viti i lindjes së tij është 1865”.
Në fëmijërinë e Nikollë Kaçorrit nuk kishte shumë shkolla në gjuhën shqipe në Lurë. Ndërkohë, në treva të tjera fqinje, Dibër e Mat kishte ndonjë të rrallë, ku mësimet të shumtën merreshin në gjuhën turke. Nikolla i ri bëri mësimet në Kryeipeshkvinë e Durrësit ku ekzistonte një kolegj i vogël, me qendër në Delbnishtit në Kurbin, ku, kishin djekur mësimet shumë të rinjë që më vonë u bënë atdhetarë, fetarë /priftërinj/ dhe figura të nderuara të Shqipërisë. Në Delbnisht Nikolla qëndroi për një kohë të shkurtër, duke vazhduar mësimet që i kishte nisur në Lurë, për t’u përgatitur për në Seminarin Papnor të Shkodrës. Studimet në Seminar bëheshin në gjuhët shqipe dhe italiane. Studimi zgjaste rreth shtatë vjet në gjimnaz dhe katër vjetë të tjera ishin për të studiuar teologji. Pasi mbaroi me sukses të lartë studimet në Shkodër, Nikolla u zgjodh për të studiuar në Kolegjin Urmanian të Propaganda Fide-s në Romë. Në Kolegjin Urbanian të Romës, Nikolla studioi 6 vjet, nga të cilat, katër vjet për gramatikë dhe dy vjet për retorikë. Pas studimeve në në Romë, ai vazhdon edhe dy vjetë të tjera studimi nëUniversitetin “Zeking” në Zyrih në Zvicrër. Këtu Nikolla studioi teologji, filozofi dhe shkenca politike dhe u diplomua në vitin 1938.
Më 1908, Nikollë Kaçorri mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin e Elbasanit. Në nëntor të vitit 1912, si delegat i Durrësit, mori pjesë në Kuvendin e Vlorës dhe ishte firmëtar i dokumentittë pavarësisë. U zgjodh nënkryetar i qeverisë shqiptare. Pas rënies së Qeverisë së përkoshme, Imzot Nikollë Kaçorri emigroi në Austri, në Vjenë. Atje qëndroi derisa vdiq, më 29 maj 1917. Varrimi i tij u bë më 1 qershor 1917, në Zentralfriedhof, Austri në “Central Cementery” në grupin 84, rreshtin 32, numër 19. Certifikata e vdekjes e Imzhot Nikollë Kaçorit ruhet në Arkivin e Shtetit Shqiptar, AQSH. F. 65, V. 1917, D. 144. F. 1. Sot eshtrat e Imzot Nikollë Kaçorrit prehen në Shqipëri, në Kishën e Shën Luçisë, në Durrës. Me origjinë nga një krahinë e varfër, me specifika shumë interesante, me një besë e burrëri të panjollosur, me një zgjuarsi natyrore, imzot Kaçorri edhe kur ishte zëvëndës-kryeministër (në fakt, në shumë raste e për shumë kohë ushtroi detyrën e kryeministrit kur Ismail Qemali mungonte, kur ndodhej jasht shtetit) por edhe më vonë, në përballjen me Esat Pashën, ai tregoi zgjuarsi, mençuri e pjekuri duke marrë vendime të drejta të cilat edhe sot e kësaj dite janë të padiskutueshme.
I formuar në rrethet intelektuale arsimore të kohës, me një shkathtësi të veçantë të përdorimit të gjuhëve të huaja që njihte, prifti i ri as edhe një herë nuk i shkëputi lidhjet dhe interesimin për atdheun që ndodhej nën një shtypje të rëndë, nga një pushtues mizor, në momente shumë të rëndësishme të kthesave të mëdha historike, të mbijetesës dhe të shtetëformimit modern.
Nuk ishte fare e lehtë të veprohej në kushtet e survejimit, ndjekjes e burgosjes, të torturave mizore dhe sfidave nga më të pabesueshmet, megjithatë, burrëria dhe shpirti liridashësh ngadhnjyen mbi të keqen, duke e bërë tani priftin e pjekur dhe të nderuar në popull e në bajraqe, të respektuar në kuvende e takime, dëshmitar dhe pjesëmarrës direkt, të njërës prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së kohës moderne, shpalljes së pavarësisë së shtetit modern shqiptar.
Nuk është rasti i parë që një klerik intelektual shqiptar i formuar dhe i brumosur me dije nëpër qendrat universitare të Europës, të vërë në veprim binomin “Fe e Atdhe”. Por, rasti i imzot Nikollë Kaçorrit është shumë intersant dhe me specifika tepër të veçanta.
Njëri nga momentet më të rëndësishme të jetës dhe trevës nga është origjina e imzot Nikollë Kaçorrit, të cilit duhet kushtuar një vëmdje e posaqme, është edhe fenomeni i “laramanizmit ose kriptokatoliçizmit.” Për shkak të rëndësisë që ka ky fenomen, por edhe për vetë ndërlidhshmërisë funksionale me ngritjen hierakike kishtare të imzot Nikollë Kaçorrit mendojmë se atij i duhet kushtuar një vëmendje e posaçme. “Lura sot paraqet një rast unikal në Europë. Ajo është e përzier në fe, jo thjeshtë si krahinë me fshatrat e saj, por edhe brenda të njëjtës strehë familjare. Nuk ka shtëpi që të mos jetë lidhur në trungun e vet me familje të fesë tjetër. Kështu, për të krishterët, apo myslimanët personat e fesë tjetër janë vëllai, nipi, kushëriri, miku dhe, duke qenë të tillë, ata janë pjesë e pandarë e tyre ku, përballë lidhjes së fortë të gjakut, ndryshimet në besim kalojnë në rend të dytë.“
Në literaturën historike, fenomeni i “Laramanizmit te shqiptarët” është trajtuar më se një herë, por pa u thelluar në specifikat, kushtet, arsyet dhe rrethanat që ndikuan në përhapjen dhe shtrirjen e këtij fenomeni te shqiptarët në përgjithësi dhe në rastin konkret në Lurë, në veçanti. Është trajtuar në mënyrë sipërfaqësore nga autorë që janë vetë me origjinë “laramane ose kriptokatolike” të cilët nuk kanë mundur t’i mënjanojnë paragjykimet, kështuqë punimet e tyre nuk e kanë trajtuar thellësisht dhe gjithanshmërisht këtë problematikë mjaft të ndjeshme për shoqërinë tonë.
Don Nikollë Kaçorri nuk arriti të emrohej ipeshkëv apo kryeipeshkëv. Deri me sot, jnaë përmendur në mënyrë hipotetike arsye të ndryshme, por e vërteta është krejt tjetër. Nuk qëndron pohime se don Nikolla nuk arriti të ngrihej në pozita të larta kishtare për shka të “aktiviteti patriotik ose angazhimet politike”. Një pohim i tillë nuk është i qendrueshëm, për faktin se Selia e Shenjtë, kishte në dorë një argument tjetër tepër të rëndësishëm, e që deri me sot nuk është shkelur apo anashkaluar. Ky argument është: imzot Nikollë Kaçorri ishte “Laraman ose kriptokatolik” dhe kishte edhe në familjen e ngushtë e të gjerë myslimanë!
Sipas të Drejtës Kanonike, si ipeshkv apo në një funksion tjetër më të lartë kishtar cilidoqoftë ai, nuk mund të emërohet në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast, një përson që ka origjinë ose të kaluar të tillë. E Drejta Kanonike është shumë e rreptë dhe një gjë të tillë e sanksionon në mënyrën më rigoroze të mundshme.
E vetmja mundësi për emërimin e tij si ipeshkv mund të ishte, rasti kur imzot Nikollë Kaçorri, ipeshkvi ose kryeipeshkvi që e kishin propozuar atë, i janë drejtuar “Penitencierisë së Shenjtë – Sacra Penitentieria” dhe nëse ky dikaster si njëri ndër më të rëndësishmit dhe me kompentenca direkte për çështje kërkonte Papës leje të veçantë, në rastin tonë, që imzot Nikollë Kaçorri të mund të emërohej me gjithë këtë ‘njollë’ në biografinë e tij apo të familjes së tij. Me një bulë të veçantë, Papa jepte miratimin e tij për të proceduar me emërimin, dhe për këtë njoftohej edhe Kolegji i Kardinalëve.
Ne nuk kemi informacione nëse imzot Kaçorri apo ipeshkv P. Bianki i janë drejtuar “Penitencierisë së Shenjtë” për një gjë të tillë, sepse dokumentet që ruhen në arkivin e “Penitencierisë së Shenjtë” në kushte tepër të rrepta sigurie dhe pas shumë garancish përkatëse, nuk janë të hapura për studies e në asnjë mënyrë edhe për publikun e gjërë. (Për informacion mund të themi se njëra nga studiueset e rralla në botë që ka pasur fatin të bëjë kërkime shkencore në këtë fond, në Arkivin Sekret të Vatikanit, /Archivio Segreto Vaticano sot Archivio Apostolico Vaticano/ është shqiptarja, Prof. Dr. Etleva Lala).
Pra dëshirojmë të ripërsërisim se shkak për mosemërimin e imzot Kaçorrit si ipeshkv në Shkup, Shkodër apo Durrës është origjina e tij prej “laramani ose kriptokatoliku” dhe asgjë tjetër personale, politike apo fetare, etj.
Të gjithë ne ia kemi borxh një perosnaliteti dhe figure të tillë poliedrike, e atdhetare, që ta vëmë atë në vendin e tij, aty ku i takon, në lterin e lirisë, si njëri prej themeluesve të shtetit bashkëkohor shqiptar.
(Fragment monografia për Imzot Nikollë Kaçorrin)

DOKUMENTE ARKIVORE NGA HAUS UND HOF STAATSARCHIV WIEN, PËR IMZOZ NIKOLLË KAÇORRIN
Perandoria Austro-Hungareze ka ndjekur me vëmendje të veçantë zhvillimet politike që ndodhnin në Ballkan në përgjithësi dhe në veçanti në Shqipëri. Diplomacia austro-hungareze ishte shumë aktive në fusha të ndryshme, posaqërisht nga koha e Rilindjes Kombëtare, duke vazhduar me ritëm të shtuar në vitet e shpalles së Pavarsisë, por edhe më vonë në vitet në vijim. Duke ndjekur nga afër përmes përfaqësuesve të saj, zhvillimet në trevat shqiptare që ende ishin në pushtim osman, përmes raporteve, telegrameve dhe dokumentacion tjetër zyrtar, ne sot mund të analizojmë shumë aspekte nga këndvështrime të ndryshme si të mbështetjes politike, ekonomike, ushtarake, kulturore, arsimore, sociale etj.
Në këtë kuadër, kësaj radhe botjmë “vetëm” katë dokumente që kanë të bëjnë ngushtë me veprimtarinë e nënkrytarit të Qeverisë së Vlorës, atdhetarit dhe klerikut të ndritur don Nikollë Kaçorri, i cili edhe përkundër presionit që shkonte deri në kërcënim, nuk hoqi dorë asnjëher nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare për Pavarsi dhe për krijimin e shtetit shqiptar. Jo rrallë herë gjuha dhe veprimet diplomatike marrin ngjyrime tjera, të cilat duhen shikuar nga koha kur kanë ndodhur, e asnjë mënyrë nga pozitat e sotme.
Dokokumentet që po analizojmë janë me mjaft interes për një peridhuë kohore prej vetëm dy muajsh, por kohë e mjaftueshme, për të krijuar një përshtypje dhe ide të qartë për zhvillimet dinamike dhe pozicionet në të cilat ndodheshin atdhetarët shqiptar gjatë kësaj periudhe plot trazira, sfida dhe të papritura.
Në dokumentin e parë që botojmë këtu, me mjaftë interes është qëndrimi i kryeipeshkvit të Durrësit imzot Primo Biankit si ndaj Austro-Hungarisë, poashtu edhe ndaj Selisë së Shejtë. Rëndësi të veçantë ka ky dokument për propozimin e bërë nga kryeipeshkvi për emrimin e ndihmësit tij, si dhe mendimi shumë i lartë që ka ai, për don Nikollë Kaçorrin. Është mjaft domethënës fakti, kur kryeipeshkëv imzot Bianki shpreh rezervat e tij për imzot Doçin dhe klerin shkkodran, të cilët, sipas tij, mund të “bëjnë intriga” kundër don Nikollë Kaçorrit. Për fat të keq, nuk kemi të sqaruar arsyen e një rezerve të tillë. Nëse shikojmë dokumentacionin tjetër, atëher ky rast nuk është i vetmuar.
Dokumenti i dytë është një telegram i nënkonsullit austro-hungarez Rudnay, dërguar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë për veprimet e don Nikollë Kaçorrit, të cilat kanë të bëjnë me ndihmën e ofruar prej tij, për drejtuesin e kryengritjes së malësorëve Pal Vataj nga Biza. Përmes këtij dokumenti mund të ndjekim kujdesin dhe interesin që tregon për zhvillimet në Shqipëri dhe rajon Austro-Hungaria. Inforamcionet e hollësishme të shënuara në dokument na mundësojnë të kemi një pasqyrim shumë të saktë për dinamikën e zhvillimit të situatës politike dhe qëndrimet e klerikëve shqiptarë, veçanërisht të don Nikollë Kaçorrit. Është shumë interesant presioni që i bën don Nikollë Kaçorrit, nënkonsulli Rudnay për veprimet e tija, i cili në fund detyrohet të pranoj ndihmën e ofruar për Pal Vatajn. Nënkonsulli njofton për këto veprime ministin, ambasadorin e Austro-Hungarisë në Stamboll dhe konsullatën e tyre në Korfuz.
Dokumenti i tretë që botojmë është një relacion zyrtar nga Ministria e Punëve të Jashtme Austro-Hungareze me udhëzime shumë të qarta për nënkonsullin Rudnay dhe ambasadorin, Markezin Pallavicini, për qëndrimet që duhet mbajtur ndaj klerit katolik dhe rreth zhvillimeve politike në Shqipëri. Qëndrimet shtetërore janë të qarta, të prera dhe shumë domethënse. Vihet në pah se kjo Ministri në mënyrë të vazhdueshme ka kundrështuar dhe më tutje do kundërshtoj dyshimet e qeverisë Otomane për qëndrimet e Klerit katolik në Shqipëri, duke u arsytuar me qëndrimet korrekte të pjesës dërmuese të klerikt katolik. Por, nuk mungojnë as tonet e ashpra dhe rekomandimet e prera, të cilat shkojnë deri në masën e kërcënimit për don Nikollë Kaçorrin, të cilit i kërkohet që të heq dorë nga veprimtaria patriotike sepse në të kundërt do njofotjnë edhe Selinë e Shejtë, përkatësisht udhëheqësit e tij, në Propganda Fide, në Vatikan.
Dokumenii katër edhepse i shkurtër, nënkosulli Rudnay, e njofton Konsullin e Përgjithshëm për qëndrimet dhe veprimet e tija ndaj don Nikollë Kaçorrit, si dhe për mosmundësinë e shkuarjes për vizitë te kryeipeshkvi imzot Primo Bianki në Delbinisht për shkak të situatës dhe rrethanava jo të favorshme politike. Mjaft i ashpër është qëndrimi për don Nikollë Kaçorrin, ku e informon eprorin e tij, se nga don Kaçorri ka kërkuar që të heq dorë nga vepimet e dyshmita politke! Është shumë i rëndësishëm informacioni se nënkonsulli ka fituar besimin e kelrit katolik, që len të nënkuptohet se ata nuk i mbështesin qëndrimet dhe veprimet e don Nikollë Kaçorrit.

Dok. 1.
Durrës, 04 prill 1912.
Raport sekret i të dërguarit Perandorak dhe Mbretëror në Durrës, Löwenthal, për Ministrin e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë në Vjenë, kontin Leopold Graf Berchtold, rreth propozimit të kryeipeshkvit të Durrësit, imzot Primo Biankut, për emërimin e don Nikollë Kaçorrit si: coadjutor cum jure successionis, në këtë kryipeshkvi dhe insistimin e tij për mbështetje tek Selia e Shejtë, nga ana e Perandorisë Austro-Hungareze, përmes princit Schönburg.

Telegram numër 13
Tepër urgjet /Skeret!
Shkëlqesisë së Tij:
Ministrit të jashtëm perandork dhe mbretëror, kontit Bertchold,
Vjenë.
Imzot Bianki që pas disa ditësh do të shkoj në rezidencën e tij verore, më bëri një vizitë lamtumirëse dhe më këtë rast më parashtoi lutjen si vijon:
Ai e ndien vetën të plakur dhe të lodhur për të administruar kryeipeshkvinë që e drejton. Për shkak të sëmundjes që kaloi këtë dimër, ai është mjaft i dobësuar dhe pohon se nuk është në gjendje që të drejtoj e administroi me shumë sukses e energji, shërbimet që kërkohen prej tij, duke shtuar edhe vështirësitë e shumta dhe udhëtimet e mundishme si dhe kushtet shumë të këqija që janë në kryeipeshkvinë e tij.
Prandaj ai [imzot Bianki, m.a.] i është drejtuar me një kërkesë Selisë së Shejtë që ti caktoj një coadjutor cum jure successionis . Sipas pohimeve të tij, ai për këtë post kishte menduar protonoterin apostolik dhe njëherësh famullitarin e tij, për qytetin e Durrësit, dom Nikollë Kaçorrin, për të cilin mendon se është zgjedhja më e pëlqyeshme dhe më e drejtë edhe për ne.
Imzot kryeipeshkvi pasi më njoftoi më këtë kërkesë të drejtur për Selinë e Shejtë, më është lutur që nga ana e jonë t’i rekomandojmë Selisë së Shejtë, përmes princit Schönburg, që për këtë post të zgjidhet don Kaçorri, ose për këtë të merrej parsysh edhe mendimi i imzot Biankit. Nëse një gjë e tillë do kërkojhej nga ai, atëher ai do të popozonte vetë don Kaçorrin, dhe lutet që propzimi i tij të mbështetet nga ana jonë.
Imzot Bianki me këtë rast shprehu një shqetësim, sepse dyshon se kryeipeshkvia e Shkodrës dhe sidomos kleri i kryeipeshkvisë së Shkodrës, posaqërisht imzot Doçi, do bëjnë intriga kundër peronalitetit të don Kaçorrit.
Unë jam i bindur se personaliteti i klerikut të propozuar, nga ana e imzot kryeipeshkvit, është shumë mirë i njohur për shkëlqesinë Tuaj. Unë me këtë rast po kufizohem të vë në dukje, e të shënoj mendimet dhe dhe veprimtarinë e don Kaçorrit, që kam mundur të siguroj gjatë qëndrimit tim të shkurtër këtu. Këto qëndrime pajtohen plotësisht me qëllimet tona dhe me ineresat e Monarkisë.
Prandaj, marr guximin që të rekomandoj dhe mbështesë edhe nga ana ime, kërkesën e imzot kryeipeshkvit për popozimin e bërë nga ana e tij, duke i bërë një mbështetje energjike kandidaturës së don Kaçorrit.
Një kopje për Romën, numër 61 / Sekret
I dërguari Perandorak dhe Mbretëror
Löwenthal.

Dok. 2.
Durrës, 10 maj 1912.
Telegram i nënkonsullit Rudnay dërguar në Minisrtrinë e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë për veprimet e don Nikollë Kaçorrit, të cilat kanë të bëjnë me ndihmën e ofruar prej tij, për drejtuesin e kryengritjes së malësorëve Pal Vataj nga Biza.

Telegram nr. 33
Shumë i nderuar Kont.
Me ndihmën e famullitarit të këtushëm, don Nikollë Kaçorri, me datë 04 të këtij muaji shkoi për në Korfuz, me vaporin e Lloyd-it, malësori Pal Vataj, katolik shkodran, një nip i Átit françeskan të Bizës, Rrok Vataj.
I përmenduri, gjatë kryengritjës së vitit të kaluar, ishte njëri nga udhëheqësit e malësorëve. Flitet se tani para disa kohësh, ai, ka vra në fshatin e tij, pesë ushtarë [turq, m.a] për t’u marrë armët. Sipas informacioneve që kam siguruar unë, i përmeduri, ka shpresë se do furnizohet me armë nga konsullata italiane ose nga Ismail Qemal beu, të cilin e ka takuar vitin e kaluar personalisht. Siq jam njoftuar unë, sapo ka mbërritur në Korfuz, Pal Vataj, ka zhveshur veshejn e tij kombëtare dhe ka veshur kostumin e rrobave europiane.
Don Nikollë Kaçorri, rezervorhej të më tregonte për këtë rast, si për identitetin e personit në fjalë ashtu edhe për qëllimet e tija. Pas insisitimit tim, ai pranoj se informacioni që kisha unë, ishte i saktë, dhe shtoi se Vataj, planifikon që të kthehet prap në Shqipëri përmes Serbisë ose Bosnjes.
Don Nikollës unë i vura në dukje rreziqet dhe problemet që mund të shkaktonte për te dhe për ne, ndihma e dhënë prej tij, për personin në fjalë.
Një kopje të këtij relacioni po ja transmetoj Konsullatës Perandorake dhe Mbretërore në Korfuz në numrin 183 / Rezervat.
Në mënyrë identike u njoftua Stambolli në numrin 29 dhe shkodra në numrin 28.
Shkëlqesi, pranoni, konsideratën dhe respektintonë më të thellë.
Rudnay.

Dok. 3.
Vjenë, 20 maj 1912.
Relacion zyrtar nga Ministria e Punëve të Jashtme Austro-Hungareze me udhëzime shumë të qarta për nënkonsullin Rudnay dhe ambasador Markezin Pallavicini për qëndrimet që duhet mbajtur ndaj klerit katolik dhe rreth zhvillimeve politike në Shqipëri.

Raport numër 2093-2094:
I. Zotit von Rudnay, Durrës
II. Markezit Pallavicini, Stamboll

Në lidhje me realcionin e datës 10 të këtij muaji, numër 33, ju lutem që në takimin e afërt me Imzot Biankin, zotëria Juaj, të drejtoni bisedën, duke i vënë atij në vëmendje rreziqet dhe pasojat që sjell qëndrimi i don Kaçorrit, me rastin e ndihmës për kalim fshehurazi të malësorit Pal Vataj për në Korfuz.
Ne kemi provuar në çdo kohë, që të kundërshtonin pranë Portës së Lartë, dyshimet e qeverisë otomane që shfaqeshin herë pas here kundër qëndrimit të klerit katolik, duke bërë rekomandimet e rastit. Këto kundërshtime tona, do të bëhen edhe në të ardhmen, duke u mbështetur në qëndrimin korrekt të shumicës dërmuese të klerit.
Por, është për të ardhur keq, që pikërisht don Kaçorri, e ka komprementuar në një farë mënyrë të papëlqyeshme pozitën e tij dhe të klerit me një çështje mjaft delikate, dhe po merret tani prap me veprime të dyshimta.
Në emër të kësaj Ministrie, zotëria Juaj, duhet ti luteni imzot kryeipeshkvit, për t’a paralajmëruar don Kaçorrin, që të mos i përsëritë herë tjetër këto veprime. Nëse qëndrimi i tij politik, do të sillte për pasoj ndonjë proçedim gjyqësor ndaj tij, atëher ne me keqëardhjen më të madhe do të ishim të detyruar të heqim dorë nga çfardo ndërhyrje në favor të personit në fjalë dhe se çështjen do ta paraqesim për dijeni Propagandës Fide.
Me rastine bisedimit tuaj me imzot Biankin, zotoria Juaj, të keni mirësinë ti vini në dukje edhe rastin e përmendur në relacionin Tuaj numër 28, të datës 27 të muaj të kaluar, që ka të bëj me festën e organizuar aty me rastin e hypjes në fron të Madhërisë së Tij, Sulltanit.Don Kaçorri nuk ka bërë ndriqimin e shtëpisë së famullisë katolike me këtë rast.
Në lidhje me relacionet e konsullatës Perandorake dhe Mbretërore të Durrësit, të dërguara për Shkelqësinë Tuaj, me numër 25 e 30, në datat 27 të muajit të kaluar e 10 të muajit në vijim , bashkangjitur këtu, ju dërgojmë për njoftim kofidencial kopjen e një udhëzimi të drejtuar nënkonsullit Rudnay, i cili ndjek veprimet e dyshimta të don Kaçorrit.
Relacioni nr. 2093 e 2094 është dërguar për zotin von Rudnay në Durrës dhe për markezin Pallavicini në Stamboll nga Ministria e Punëve të Jashtme e Austro-Hungarisë.

Dok. 4.
Durrës, 31 maj 1912
Në këtë dokument të shkurtër, nënkosulli Rudnay, e njofton Konsullin e Përgjithshëm për qëndrimet dhe veprimet e tija ndaj don Nikollë Kaçorrit, si dhe për mosmundësinë e shkuarjes për vizitë te kryeipeshkvi imzot Primo Bianki në Delbinisht, për shkak të situatës dhe rrethanava jo të favorshme politike.

Shumë i nderuari zoti Konsull i Përgjithshëm.
Urdhërin e ngarkaur me shkresën e lartëcekur numër 2093, të datë 20 të këtij muaji, unë, nuk kam mundur që ta vë në zbatim, sepse pengesë janë rrethanat e tanishme politike këtu. Nuk e konsideroj të këshillueshme një udhëtim për në Delbinisht për momentin.
Por, unë nuk kam lënë pas dore, as më parë e as tani, që në mënyrë shumë energjike të urdhëroja don Kaçorrin, që të hiqte dorë nga aktivitetet e tija politike të dyshimta, dhe për sa mund të jap një gjykim unë, personi në fjalë është i ekzaltuar, dhe tani është më i qetë se sa ishte më parë.
Shpresoj që më në fund ia kam arritur qëllimit që të fitoja qëndrimin e Klerit për këtë rast të veçantë. Deri me sot, këtu, nuk kemi pasur asnjë lëvizje kryengritëse në territorin e Kryeipeshkvisë, pëveç asaj të “Besës” së Kthellës, e cila është një çerdhe myslimanësh. Shpresoj që brenda mundësive të mia, do të siguroj qetësinë në këtë zonë.
Zoti Visner, është duke u kthyer. Që nga e enjta është nisur prej Korfuzit, i cili do të udhëtoj përmes Durrësit për në Vjenë. Me të mbërritur vaporri këtu, unë do e takoj atë dhe do drekoj së bashku me të.
Duke ju lutur me përulje të pranoni përshëndetjet e mia
Rudnay.
(Fragment nga vëllimi me dokumente arkivore ausotro-hungareze, për Imzot Nikollë Kaçorrin)

 
Literatura:
1. Alexander Koller, Kurie und Politik. Stand und Perspektiven der Nunziaturberichsforschung. Tübingen: Max Niemeyer Verlag Tübingen, 1998, f. 1-15.
2. Alfredo Laudiero, Oltre il nazionalismo. Le nuove storiografie dell’est. Napoli: L’Ancora del Mediterraneo, 2004, f. 20-24.
3. Angjelin Shtjefni, Nikollë Loka, Imzot Nikollë Kaçorri. Burrështetas shqiptar në altarin e atdheut. Tiranë: Emal, 2012.
4. Anisa Papleka, Domenikanët në Shqipëri. Përhapës të dijes dhe kulturës kombëtare dhe përendimore. /Hisotri & fe/. Shqip. /E përditshme e pavarur/. Tiranë. 31 mars 2007, viti II, nr. 85 (377), f. 26-27.
5. Bernardin Palaj, Tradita e krishterë te iliro-shqiptarët. Fisi i Shalës-Dukagjinit. Në: Mitologji doke dhe zakone shqiptare. (Zgjodhi, shtjelloi dhe përgaditi për shtyp Anton Nikë Berisha). Prishtinë, Shpresa, 2000, f. 87-150.
6. Christine Maria Grafinger, Die Ausleihe Vatikanischer Handschriften und Druckwerke 18. Jahrhundert. [Studi Testi, vëll. 407. Biblioteca Apostolica Vatikana]. Teil. II. Cità di Vaticano: Archivio Segreto Vaticano, 2002, vëll. 407, f. 311-356.
7. Dominique Kirchner Reill, Nationalists Who Feared the Nation. Adriatic Multi-Nationalism in Habsburg Dalmatia, Trieste, and Venice. Stanford, California: Stanford University Press, 2012, f. 116-118.
8. Douglas Saltmarshe, Identity in a Post-Communist Balkan State. An Albanian village study. Aldershot, Burlington USA, Singapore, Sydney: Ashgate, 2001.
9. Dhimitër Kotini (ed.), Qeveria e Përkohëshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj – nëndor 1912 – janar 1914. Tirana: 1963.
10. Etleva Lala, The Papal Curia and Albania in the Later Middle Ages. Në The Long Arm of Papal Authority. Ed. Gerhard Jaritz, Torstein Jorgensen, Kirsi Salonen. Medium Aevum Quotidianum.Sonderband XIV – CEU Medievalia 8. Bergen, Budapest, Krems: CEU Press, 2004, ff. 89-101.
11. Etleva Lala, The Survival of the Catholic Church in Albania during the Period of Direct Contact with the with the Ottomans (1458-1484). Në: Et usque ad ultimum terrae-The Apostolic Penitentiary in Local Contexts.Edituar nga Gerhard Jaritz, Torstein Jørgensen, Kirsi Salonen. SeriaCEUMedievalia. Budapest: Central European University, Department of Medieval Studies, Central European University Press, 2007, f. 115-122.
12. Fehari Ramadani, Shqipëria në politikën e Austro-Hungarisë në fillim të shek. XX. /Albania in the policy of the Austro-Hungary in the beginning of the 20th century/. Në: Studime Historike. Qendra e Studimeve Albanologjike. Instituti i Historisë. Tiranë: Instituti i Historisë, 2008, viti LXII (XLV), nr. 3-4, f. 39-64.
13. Ferid Duka, Dritan Egro, Sokol Gjermëni [Edit], Shqipëria në dokumentet Austro-Hungareze (1912). Vëll. II (prill-maj). Qendra e Studimeve Albanologjike. Instituti i Historisë-Tiranë. Botimet Albanologjike.Tiranë: Qendra e Studimeve Albanologjike. Instituti i Historisë-Tiranë, 2012, vëll. II.
14. Fulvio Cordignano S. I., L’Albania a traverso l’opera e gli scritti di um grande Missionario italiano il P. Domenico Pasi S. I. (1847- 1914). Volume III. Da Alessio a Oroshi, per le amarissime prove di Durazzo, con la potenza purificatrice della persecuzione – rivolto uno sguardo verso l’Oriente – a la gloria della fine.Roma – Istituto per l’Europa Orientale, 1934, vëll. III, f. 409-441.
15. Gjon Lleshi, Selia Arqipeshkvnore e Durrësit & Kisha e Shën Teodoritnë Delbnisht Kurbin /La Sede Arcivescovile di Durrazzo & Chiesa di San Teodoroa Delbnisht, Kurbin Në: Miqësia. Revistë kulturore periodike eShoqatës Kombëtare të Miqësisë & Bashkëpunimit Shqipëri – Itali. Tiranë: Organ i Shoqatёs Kombёtare tё Miqёsisё dhe Bashkёpunimit Shqipёri –Itali, 2011, dhejtor, viti III, nr. 3, f. 17-19.
16. Ilirjana Kaceli ‐ Demirlika, Kongresi i Elbasanit dhe shkolla Normale në arsimin shqiptar. Në: Në: Gjurmime Albanologjike – Seria e shkencave historike. Prishtinë: Instituti Albanologjik i Prishtinës, 2020, vëll. 50, f. 129-143.
17. Jusuf Buxhovi, Nga Shqipëria osmane te Shqipëria evropiane. Prishtinë: Faik Konica, 2010.
18. Krisztián Csaplár-Degovics, Der erste Balkankrieg und die Albaner. Beitrag zur Geschichte der Unabhängigkeitsproklamation Albaniens (28. November 1912). /The First Balkan War and the Albanians. Contribution to History of the Declaration of Independence in Albania (28. November 1912)/. Në: Südost-Forschungen. Internationale Zeitschrift für Geschichte, Kultur und Landeskunde Südosteuropas. München: Institut für Ost- und Südosteuropaforschung Veröff entlicht durch Verlag de Gruyter Oldenbourg, 2015, vëll. 73, f. 168-201.
19. Krisztián Csaplár-Degovics, Lufta e Parë Ballkanike dhe shqiptarët. Një kontribut për historinë e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë (28 nëntor 1912) /The First Balkan War and the Albanians. A contribution to the history of the proclamation of the Albanian independence/. Në: Revistë Kulturore Pranverë – Vjeshtë 2013. Tiranë, 2013, vëll. 30-31, f. 54-84.
20. Krisztián Csaplár-Degovics, The Policy of the Provisional Government of Vlora between December 1912 and April 1913. Në: Journal of Balkan and Black Sea. Viti 2, bleni 3. Dhjetor 2019, f. 97-128.
21. Ledia Dushku, Nga të mandatuar në kohë lufte, në të zgjedhur në periudhë paqeje: një qasje krahasuese e tipareve të përfaqësimit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës dhe parlamentin e vitit 1921.Në: Studime Historike. Tiranë: Akademia e Studimeve Albanologjike. Instituti i Hisotrisë, 2021, viti LXXV (LVIII), nr. 1-2, f. 69-89.
22. Liman Varoshi, Ballkanet mes tri perandorive. Nga kriza e Lindjes deri në kohët e reja. (Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit. Fakulteti i Shkencave Humane, Departamenti i Historisë dhe Gjeografisë). Tiranë: Naimi, 2010.
23. Lorenzo Tacchella, Il Cattolicesimo in Albania nei secoli XVII e XVIII. /Dalle Visite ad Limina Apostolorum e dai Processi Concistoriali/. Verona: Biblioteca Capitolare di Verona, 1984, f. 38.
24. Lorenzo Tacchella, Le Antiche sedi episcopali Latine, Greche e Bulgare dell’Albania etnica e della Macedonia. Milano: Biblioteca dell’ Accademia Olubrense, 1990.
25. Ludwig Thallóczy, Beiträge zur Siedlungsgeschichte der Balkanhalbinse. /Die Urgeschichte des Illyrertums au dem Gebiete Bosniens. Në: Illyrisch-Albanische Forschungen. München und Leipzig: Verlag von Duncker et Humblot, 1916, vëll. I, f. 40-47. (Ne kemi shfrytëzuar edhe: Vëzhgime Iliro-Shqiptare. Përkthyer nga Mustafa Merlika-Kruja. Shkodër: Camaj-Pipa, 2004).
26. Matteo Sanfilippo, Alexander Koller, Giovanni Pizzarusso, Gli archivi della Santa Sede e il mondo asburgico nella prima età moderna. Viterbo: Sette Città, 2004.
27. Musa Ahmeti, Në nderim të njërit prej themeluesve të shtetit bashkëkohor shqiptar – Imzot Nikollë Kaçorrit. Në: Imzot Nikollë Kaçorri. Burrështetas shqiptar në altarin e atdheut. Tiranë: Emal, 2012, f. 5-10.
28. Nicola Jorga, Geschichte des Osmanischen Reisches. /Geschichte der Europäischen Staaten/. Gotha: Friderich Andreas Perthes Aktengesellschaft, 1908, vëll. I.
29. Nik Ukgjini, Nënkryetar i Qeverisë së Vlorës, Kaçorri, rivarroset në Kishën e Shën Luçisë në Drrës. Shqip. Tiranë, 09 shkurt 2011.
30. Nuridin Ahmeti. Kontributi i klerikëve në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Në: Gjurmime Albanologjike – Seria e shkencave historike. Prishtinë: Instituti Albanologjik i Prishtinës, 2013, vëll. 43, f. 185-196.
31. Odette Marquet, Pjetër Bogdani. Letra dhe dokumente nga Arkivi i Kongregatës “de Propaganda Fide” si dhe nga Arkivat Sekrete të Vatikanit./Mendimi Shqiptar/. Shkodër: Shtëpia botuese “At Gjergj Fishta,” 1997.
32. Pëllumb Xhufi, Ndikime Italiane Në Rilindjen Kombëtare Shqiptare. /Italian influences in the Albanian National Movement/. Në: Studime Historike. Qendra e Studimeve Albanologjike. Instituti i Historisë. Tiranë: Instituti i Historisë, 2014, viti LXVII (L), nr. 1-2, f. 19-40.
33. Philippe Levillian (Ed.), Dizionario storico del Papato. /Cmitato scientific: Philippe Boutry, Oliver Guyotjeannin, Philipe Kevillain, François-Çarles Uginet, Jean-Louis Voisin/. Milano: Bompiani, 1994, vëll. II, I-Z.
34. Pjetër Logoreci, Dom Nikollë Kaçorri. Letrat e panjohura në arkivin e Vjenës. Rilindasi. Suplement javor drejtuar nga Admirina Peçi. /Shqiptarja.com/. Tiranë: Shqiptarja.com, 12 qershor 2012, f. 20-21.
35. Ramë Buja, Kosova në krizën jugosllave. Prishtinë: AAB Riinvest, 2011.
36. Roberto Moroco dela Roca, Kombi dhe feja në Shqipëri 1920-1944. (Përktheu nga origjinali italisht: Luan Omari). Tiranë: Shtëpia botuese “Elena Gjika”, 1993.
37. Sali Ajazi, Nikoll Kaçorri nënkryetar i qeverisë së Vlorës 1912. Tiranë, 2002.
38. Shan Zefi, Islamizimi i shqiptarëve gjatë shekujve (XV-XX). Arsyet e islamizimit dhe qëndrimi i Kishës ndaj kësaj dukurie.Prizren: Drita, 2000.
39. Tomë Mrijaj, Imzot Nikollë Kaçorri-një ndër baballarët e kombit shqiptar. Në: Dielli Demokristian. Buletin Informativ. Vjenë: Organ i aktivistëve dhe intelektualëve shqiptarë demokristianë në Vjenë, qershor 2017, nr. 29, f. 25-26.
40. Xheladin Shala, Shpallja e Pavarësisë më 1912 dhe përgjysmimi i Shqipërisë. /Declaration of Independence in 1912 and Dimidation of Albania/. Në: Gjurmime Albanologjike – Seria e shkencave historike. Prishtinë: Instituti Albanologjik i Prishtinës, 2007, vëll. 37, f. 161-180.
41. Zekeria Cana, Populli shqiptar në kapërcyell të shekullit XX. Prishtinë: Instituti Albanologjik i Prishtinës, 1990.

Foto: Wikipedia.

Filed Under: Histori Tagged With: Musa Ahmeti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 201
  • 202
  • 203
  • 204
  • 205
  • …
  • 738
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GJON MILI – IMAZHET PA FORMË DHE ONEIRIZMI POETIK
  • Nëntori i historisë dhe i kujtesës kombëtare
  • FILATELIA PËRBALLË HISTORISË – 118 VJET NGA KONGRESI I MANASTIRIT
  • Portreti i një intelektuali …
  • Lulash Nikë Palushaj – Gjuha dhe kujtesa e Malësisë së Madhe
  • KOSOVA, E VËRTETA DHE DREJTËSIA: NJË SFIDË QË KËRKON PËRGJIGJE INSTITUCIONALE
  • HAGA NUK ËSHTË MBI SOVRANITETIN E KOSOVËS!
  • PËRTEJ BASHKËJETESËS KULTURORE: A JANË SHQIPTARËT VËRTET TË BARABARTË NË MAL TË ZI?
  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT