• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Skandal Diplomatik

May 21, 2021 by dgreca

NGA ALFONS GRISHAJ/ Foto me Dr. Sali Berishen- 1991/

Sekretari i shtetit Amerikan, shpall non grata ish-Presidentin dhe ish-Kryeministrin e  Shqipërisë, Sali Berisha. 

Sekretari i Shtetit Amerikan , Antony Blinken , shastisi  mbarë opinionin publik shqiptar, duke shpallur “Non Grata” , ish- Presidentit Sali Berisha . Padashur, Blinken bie në një gabim infantil dhe aspak profesional ,  duke bërë  rolin e hetuesit, prokurorit dhe gjykatësit , ku indirekt suprimon Homeland Security, FBI  dhe Presidentin e  SHBA . Vetë gjykatat amerikane nuk guxojnë të bëjnë fajtor të akuzuarin pa provuar fajësinë . Atëherë, si ndodh që Blinken shpall fajtor një personalitet dhe burrë shteti,  aleat të amerikanëve?

O tempora ! O mores ! Kjo ndodh vetëm në “Përrallën e Shllavarisë”…  dhe me të vërtetë më  vjen keq që kjo ndodh  në Amerikë , që për mua dhe shumë ëndërrimtarë , Amerika  mbetet tempull i demokracisë. 

        Kohë më parë, i njëjti person (Blinken) në një   takim me  ish-Kryeministrin Berisha ,   ngriti lart punën e tij , masat e marra  kundër trafikut , korrupsionit  etj. 

Tani , pas dashurisë së gushëkuqëve , ai ia bëri fora .  

Ai nuk denoncon  krimin e vjelljes së votës , drogën , ikjen biblike të shqiptarëve, korrupsionin e qeverisë në pushtet , por merret me Sali Berishën ( një legjendë që respektohet nga 5 milion shqiptarë anë e mbanë globit , duke përjashtuar simpatizantët e PS-së ) , që ka tetë vite larguar nga të gjitha detyrat .  A nuk duket nonsense dhe shumë e vonuar kjo akuzë?!

        A nuk duket kjo  fishy , siç thonë amerikanët, e kjo pikërisht në këtë situatë politike që po kalon Shqipëria? Kujt i shërben kjo ? A nuk kulmon kjo në një lojë të rrezikshme e skandal diplomatik? 

Sali Berisha , miku i disa Presidentëve, Senatorëve , Kongresmenëve. Njeriu që firmosi anëtarësimin në NATO,  ndihmoi  mvetësinë e Dardanisë,  liberalizoi vizat, nxorri jashtë  ligjit Partinë Komuniste të Shqipërisë (ku disa “antikomunistë”  nuk e dinë akoma ),  të bëhet  “Non Grata” ?! 

Jam kurioz të di ,  që pas padisë së z. Berisha , çfarë do paraqesë DASH në gjyq për të bindur trupin gjykues  fajësinë e tij ?! Mendoj se këtë herë ,  Departamenti i Shtetit  është ngutur keq. DASH nuk duhej t’a merrte  të mirëqenë dosjen që  serviren  eksponenetët e Partia Socialiste , të cilën nuk i zë gjumi  duke menduar se po të kthehet Berisha në PD ,  ata  i kanë ditët e numëruara.

Kjo shkarje e dhimbshme , më sjell në mendje ( në kohë të ndryshme),  Charlie  Chaplin  dhe  John Lennon , që u shpallën “Non Grata” nga autoritetet amerikane   dhe më vonë bash këto autoritete u  kërkuan ndjesë . 

I kërkoj Sekretarit të Shtetit , Blinken : Na sjell vetëm një fakt , që ne  demokratët shqiptarë ta “sikterisim” Saliun ! 

Por,  unë besoj se ,  z. Blinken  nuk do mund të na servirë asgjë tjetër përveç çorbës së gatuar keq në zyrat e Partisë Socialiste ( Joint Venture me  Soros),  flamurtarja e korrupsionit vdekjeprurës   në Shqipëri. Blinken gaboi rëndë! Ai nuk duhej të bazohej kurrësesi tek akuzat e pozitës kundër opozitarit. Sepse i pushtetëshmi neo-komunist nuk ka mundësi më të vrasë si dikur , por prodhon mekanizmin e vrasjes së karakterit , SHPIFJEN!  

      Unë mendoj se, titulli apo grada  nuk  është definicion i zgjuarsisë  dhe bindjes, por  produkt i  shkallës së pozicionit . Sapo kjo shkallë të ndryshojë … definicioni shpërbëhet në një  tjetër trajtë dialektike ku përbën sens , orientim , humor apo humbje.  

Veshja sado e bukur të jetë nuk mund të mbulojë defektet e lindura, ndërsa rritja nuk mund të korigjojë aderencat negative  të trashëguara.

Majmunëria është produkt i instiktit dhe kurrë bon sens (savvy) i arsyes. Kur delikti ndërtohet në mënyrë artificiale dhe që nuk ka themel delikuent , sfumohet si shkuma në rërë. 

Filed Under: Histori Tagged With: alfons Grishaj, Skandal Diplomatik

Busti i Donikës në Vlorë dhe piktura e Roberto Gammone për “Andronica Castriota Scnderbeg”

May 11, 2021 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia/

1.- Në Vlorë  gjen mjaftë buste  për figura të shquara. Ca prej tyre janë bërë tashmë simbol të qytetit dhe të tjerë të mbetur në hije.Në hyrje të rrugës, që të shpie të xhamia e qytetit.Në cep të ish bibliotekës së vjetër(banesa e hebrenjve),sot shkolla private Nr 1,  në trotuarin  e madh dhe të rikonstruktuar, befasisht   përpara të del edhe busti i princeshës Donikës së Arianitëve,bashkëshortes së Skënderbeut.Ky bust  duket se është vendosur, aty rastësisht .

“Andronica Castriota Scnderbeg” e Roberto Gammone.

…Të vjen keq për vendin e zgjedhur dhe për  atë krijim, që  në të vërtetë duket se nuk ka ndonjë vlerë të madhe artistike.Në një cep të kësaj rruge ,ky bust  nuk tregon shumë për princeshën, ngase edhe specialistët shprehen se kësaj vepre i mungojnë shumë elementë.

2.Piktura e Roberto Gammone  realizuar në vaj me përmasa:40x55cm , titulluar:”Andronica Castriota Scnderbeg”  është një kryevepër. Roberto ka lindur në Romë, Itali, në vitin 1979. Ai ka kaluar vite në trajnim duke studiuar mjeshtrit e vjetër: stilet e tyre, penelatat e tyre, skemat e tyre të ngjyrave, materialet e tyre dhe frymëzimet e tyre. Ai kërkoi për tekste letrare se si maestrot e së kaluarës përgatisnin vajrat dhe kanavacat e tyre dhe se si ata krijuan pajisje primitive të projeksionit. Dhe pikturoi. Edhe gjatë viteve që ai ishte një artist i vendosur në instalacion, ai gjithmonë pikturon.Portretet e tij janë teknikisht të shkëlqyera, po aq të shkëlqyera sa ato që dolën nga punëtoritë shekuj më parë, por ato kapin në mënyrë koncize dhe me zgjuarsi epokën tonë bashkëkohore. Bukuria e dukshme e pikturës së tij i bën subjektet e tij të duken disi magjepsëse, të rëndësishme dhe të pashlyeshme.Punimet  e tij për portrete përfshijnë personalitete publike, familje dhe fëmijë… Mirëpo le të kthemi te portreti i Andronikës….Florinda Muja shkruan ndër të tjera;Portreti në fjalë titullohet “Andronica Castriota Scnderbeg” dhe është realizuar nga artisti italian Roberto Gammone vitet e fundit. Pra, ndonëse ka pamjen e një portreti historik, piktura është aktuale. Pikturat e të talentuarit Gammone duken njëherësh moderne dhe historike pasi ai përdor teknikë të re në pikturë por përmbajtja ruan disa detaje të cilat zakonisht i sheh vetëm në portrete të hershme, si gravura me të cilën jemi mësuar të identifikojmë nusen e Skënderbeut. Shumë prej nesh e njohim Donikën nga imazhi më poshtë, i gdhendur nga artisti Johann Theodor de Bry në vitin 1596.Disa nga detajet në fjalë, në portretin e Gammones, janë data e shkruar në pikturë (ndonëse 1556-a është plot 50 vjet pas vdekjes së Donikës) apo edhe imazhi i Donikës në profil, të dy elementë të stilit të portreteve të shekullit të 16-të.Gammone gjithashtu i ka dhuruar interpretimin e tij edhe portretit të Skënderbeut, por ishte portreti i Donikës që pati jehonën më të fortë.”

Kur zbulon portretin e artistit italian magjepsesh nga bukura e princesësh shqiptare.

3.

E para: Duhej zgjedhur një vend i përshtatshëm, ndoshta një shesh me pamje të dukshme .

E dyta: Busti  ka nevojë  për përmirësim, sipas një rivlerësim më të mirë nga specialistët e kësaj fushe për ta ripunuar  sërish apo variante të tjera, që  mund të zgjedhin.

…Çfarë shkruan kritiku Ilir Hivzi Muharremi nga Prishtina:Shtatorja tjetër e shëmtuar e cila u zbulua vitin e kaluar në qytetin e Vlorës është ajo e Donika Kastriotit  gruas së heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Kjo shtatore duket shumë qesharake sidomos fytyra e saj të cilën e kanë quajtur si fytyrë nga personazhi i filmit vizatimor Shrek, pra Fiona e Shrekut. Deformimet e shumta të fytyrës, paqartësi te pjesa e syve, gojës së shtrembër, qafës së gjerë e të deformuar, nxjerrë në pah një imazh qesharak dhe fyes ndaj figurës së Donikës. I mungojnë elementet e Dukeshës, princeshës. Ajo në skulpturë ka një shikim të paqartë, buzëqeshje të pa arsyeshme dhe asgjë nuk i shkon këtij personazhi. Si duket skulptori ka qenë i verbër derisa e ka punuar këtë skulpturë.

Çdo shtatore ose bust që vendoset në hapësirë publike duhet të filtrohet përmes komisionit profesional, ngaqë Shqipëria dhe Kosova po vuajnë nga kitchi i shëmtirave të skulpturave të cilat çdo muaj po krijohen nga njerëz jo kompetentë.

4.

Ëikipedia shkruan:Andronika Kastrioti ka qenë një fisnike arbërore, e bija e princit të famshëm  Gjergj Arianiti dhe e shoqja e  Gjergj Kastriotit.U lind në  Kaninë, më 1428. Ky vit i lindjes së saj del nga shumë të dhëna të historianëve të ndryshëm, të cilët thonë se ajo ka qenë 23 vjeç, kur u martua me  Skënderbeun. Martesa u bë në vitin 1451; Skënderbeu ishte sa dyfishi i saj në moshë, 46 vjeç.Andronikes i thërrisnin dhe Donika. Ishte vajza e madhe e Gjergj Arainitit . Gjergj Arianiti ishte martuar dy herëMe gruan e parë, Marie Muzakën pati gjashtë vajza: Donikën, Gojsavën, Anën, Halenën, Dhespinën dhe Komitën. Me gruan e dytë, Pietra Franko, ai pati tetë fëmijë ndër të cilët mund të përmendim vajzat: Marie, Teodora, Katerina, Mara si dhe djemtë: Thoma, Kostandin, Arianit, pra gjithsej pati 14 fëmijë. Donika ishte e para e të gjithëve. Ajo lindi dhe u rrit në Kaninë të Vlorës.U martua me Skënderbeun më 23 prill 1451; dasma në Kaninë zgjati tri ditë, 21-23 prill. Për dasmën e këtij çifti të shquar të Arbërisë ka gojëdhëna, vargje popullore, të dhëna historike. Thonë se Skënderbeu erdhi me 500 kalorës. Kënga dhe vallja buçiti dhe kalaja e Kaninës llamburiti nga pishat dhe fenerët e shumtë. Aty u bë shkëmbimi i unazave. Në Qishbardhë (Kishën e Bardhë) afër Kaninës, çiftit iu dha bekimi ungjillor. Më pas ceremonia vazhdoi në manastirin  e Ardenicës  , në afërsi të Lushnjes, dhe më pas në kalanë e Beratit. Populli buçiste e duartrokiste kudo ku shkelte çifti. Ja disa vargje folklori për dasmën e tyre:

“…Ç’dasmë që bë

Araniti /Atë natë kalaja ndriti, /Kënga dhe vallja

buçiti /Çelën llamba, ndezën pisha /Plot tryeza me të

gjitha,/ Mish dashi, Labërie, / Verë Parge Çamërie…”

Vargu i dasmorëve lebër e përcolli çiftin, deri tej

Vjosës. Më 26 prill 1451, atyre iu dha kurorëzimi në

Berat. Për bukurinë e këtij çifti kanë folur,

pikturuar e vargëzuar shumë njerëz të artit, midis

tyre dhe poeti i madh Naim Frashëri: “…Dhëndëri si

dielli ndriste,/ Edhe nuseja që prunë, / Porsi hëna

vetëtinte,/ Dritënë në dritë e shtunë…”

5.

Vigjilent Xhaferaj

“Fshat e zanat ,derë e tabiat “themi ne nga Labëria .”Paese che vai ,usanca che trovi “,thonë italianet . Kur martohej vajza nëna e porosiste që kur të shkonte në derë të burrit ,”Si të shoç (shohësh) ashtu të bësh ,moj bija ime ” .Këto shprehje lidhur me zakonet e traditat ,me kujtuan legjendën e martesës së Gjergj Kastriotit me Andronikën e Gjergj Aranitit në Kaninë .Skënderbeu ,i shoqëruar nga 5000 mijë e ca kaloreës ,hodhi Vjosën në Dushkarak dhe :

Përkëtej Vjosës kur dolli

Tre topa si shenjë i hodhi

Si shenjë për në Kaninë-

Trimat e Krujës po vinë !…

Skënderbeu e la hordhinë ,

Vajti te Qisha në brinjë

Te Qisha në Qishëbardhë,

Vate trimi për të falë .

Mbi qishë në ca lëndina

Xbret Araniti me trima .

Araniti yll i rrallë

Kapetan mbi kapetanë

Se c’u poq me Skënderbenë

Për kala muar dervenë …

Kremte e madhe këtë radhë

Asnjëherë nuk ishte parë

Nuk ish parë asnjëherë

Njëmijë kokë desh u therë

U derdhën vozat me verë

Qe mbretit t’i bënin nderë .

C’dasëm që bë Araniti !

Atë natë kalaja ndriti

Kënga dhe vallja buçiti …

Dhe kur pinë e u kënaqnë

U vu buka që të hajnë

Edhe nishanet i ndanë .

Po Skënderbeut në ballë

Cfare nishani i dhanë vallë ?

-Pesë okë bishti i dashit ,dhjamë,

Siç është zakoni në labë .

Erdh e u vrejt Skënderbeu

Këtë nishan s’e pëlqeu ,

dhe në fyturë u murrëtua

Aranitit ju drejtua :

-Dëgjo ,zotri -i thotë ,

Mikun ne e nderojmë me kokë

Jo me bisht a çfardo qoftë !…

Araniti burrë me kokë

Që s’le fjalën të bjerë në tokë

Se ja priti dhe i thotë :

-Skënderbe ,o trim i mirë

Fol,çfarë të kesh dëshirë !

Po ne fajtor nuk jemi

Se këto zakone kemi

Edhe me këto të primë

Sipas zakonit Kaninë .

Një shënjë jep Araniti

Dhe akçiu më nuk priti

Një kokë sorkadhi ka marrë

Të pjekur ja solli pranë .

Tundi kokën Skënderbeu

Këtë nishan e pëlqeu :

Hëngri ,piu ç’kish falë Zoti

Skënderbeu (Kastrioti)…

Filed Under: Histori Tagged With: Busti i Donika Castriota Scanderbeg, Gezim Llojdia, Roberto Gammone

KUJTËSË- INXHINIER KOSTA MANI, SHOQËRUESI I FAN S. NOLIT, U SHUA NË MATHAUZEN

May 9, 2021 by dgreca

Inxhinieri Kosta Mani, i diplomuar  në M.I.T(Massachusetts Institute of Technology), babai i regjisorit të famshëm Pirro Mani, vatrani që shoqëroi Fan S. Nolin në Tepelenë dhe Vlorë, u shua në kampin e vdekjes në Mathauzen, më 27 Janar 1945.Një histori tragjike. Inxhinier Kosta Mani la Amerikën për të projektuar e ndërtuar urat, rrugët, ndërtesat e Shqipërisë, u arrestua nga fashizmi, u burgos dhe u pushkatua nga nazizmi, u shpall dëshmor dhe tradhëtar nga komunizmi….

Nga Dalip Greca*

Ngjarjen ma ka treguar këtu në New York,i biri i Kosta Manit, Pirro Mani,gjeniu i skenës shqiptare, gjenerali i regjisurës,i cilësuar si Stanislavski shqiptar. Ishte një peng, që e shoqëroi për shumë kohë.

Pyetjes që i drejtova për misteret e jetës të të atit, ai iu përgjigj shkurtazi:

  • Më rëndoi shumë ai peng. Më ka ndjekur gjatë të gjithë jetës, edhe në skenë. E ke vënë re episodin e gurit të pendimit tek “Cuca…”? Është krijuar prej meje ai episod, duke patur në mendje fundin e babait tim, Kosta Mani. E kam mësuar vonë faktin, që ai dha shpirt duke mbajtë mbi shpinë pesha të rënda,gurë, ja, ashtu si guri i pendimit. I zbriste në shkallaren e një galerie të nëndheshme, si mijëra të tjerë në kampin e vdekjes së Mathauzenit gjatë Luftës së Dytë Botërore, shpikje e nazistëve… Pasi mbush mushkëritë thellë, më thotë se këtë të vërtetë ia ka treguar një durrsak, që shpëtoi gjallë nga kampi i vdekjes, pas mbërritjes aty të aleatëve antinazistë….Ishte një nga ata që i shpëtuan ferrit të Mathauzenit.

Ja si e pat përshkruar ai ngjarjen, që i mori jetën inxhinier Kosta Manit:

“Babai i Pirros, Kosta, ishte rebeluar nga stërmundimi dhe vuajtjet e pafundme.Dikur kishte thënë”mjaft”, nuk duroj më! Nuk kishte pranuar Kosta të vazhdonte të ngrinte “gurin e turpit”, gurin e poshtërimit; pas tij vinte guri i varrit. Ushtarët gjermanë të kampit i dërgonin të burgosurit në një galeri të nëndheshme dhe i detyronin të ngrinin thasë apo gurë të mëdhenj mbi shpinë (si rrasë varri) dhe i shtrëngonin me pahir që t’i ngjiteshin të përpjetës. Motivi? Të stërmundoheshin derisa të fikeshin fare. Dhe ata çapiteshin me shpirt ndër dhëmbë me shpresë e me gurin e rëndë mbi shpinë.

E ka përshkruar mjeshtrisht këtë episod studiuesi Josif Papagjoni në librin kushtuar jetës dhe skenës të mjeshtrit Pirro Mani….”Kosta e kishte imagjinuar veten edhe si Krishti, edhe si Sizifi në këtë ngjitje”…

Po përse duhej ta bënte sakrificën, kur, pas ngjitjes, do ta prisnin plumbat? – pyet Pirro më shumë veten, se sa të atin. Kosta Mani nuk e kishte ngritur “rrasën e varrit”, gurin e poshtërimit. Ata e grinë me plumba. Ai u masakrua më 1945, u shpall dëshmor, po në 1945, ndërsa komunistët e ripushkatuan më 1946, duke e ekzekutuar përsëdyti!

KUSH ISHTE INXHINIERI KOSTA MANI ?

Tregon Pirro – Babai im, Kosta Manim ka lindur në Korçë. Si shumë korçarë, emigroi herët në Amerikë. Ka qenë rreth të katërmbëdhjetave, kur mori rrugën e kurbetit përtej Atlantikut. Krahas punës vazhdoi edhe studimet. Ka studiuar në Institutin e famshëm M.I.T. të Bostonit, ku kishte studiuar edhe mjeshtri i madh i fotografisë, Gjon Mili, madje Kosta është diplomuar para mjeshtrit Mili. Është diplomuar për inxhinieri-arkitekturë. Ishte pjesë e Vatrës dhe idhtar I Fan S.Nolit. Si shumë idealistë të tjerë vatranë, e la Amerikën dhe u kthye në Shqipëri për të ringjallur vendin, për të bërë Shqipërinë. Kishte në xhep diplomën e inxhinierit.Sa i mungonin Shqipërisë inxhinierë të tillë si Kosta Mani!

Në Shqipëri qe kthyer me Imzot Nolin dhe e kishte shoqëruar atë në udhëtimet, që kryezoti i shqiptarëve të Amerikës kishte bërë në Shqipërinë e Jugut, kryesisht në Tepelenë dhe Gjirokastër. Këtë episod, Pirros ia pat treguar nëna e tij.Pasi Fan Noli e la Shqipërinë, Kostë Mani nuk e ndoqi pas. I tha Imzotit se Shqipëria kishte nevojë për inxhinierë dhe ai do të qëndronte. Vendimi ishte i prerë. Ati i shqiptarisë, Noli, i kishte dhënë bekimin. Dhe ai vazhdoi të punojë për disa kohë në Ministrinë e Punëve Botore. Kishte fatin që të punonte me një tjetër inxhinier të zot, me inxhinier Gjovalin Gjadri. Shqipëria ishte me fat, nga që ishin bashkë dy shkolla inxhinierike; ajo amerikane, ku ishte diplomuar Kosta Mani dhe ajo austriake, ku ishte diplomuar inxhinier Gjadri. Të dy ndërtuan ura, rrugë, vila, që i qëndruan kohës.

Pirro përhumbet në rrëfimin e tij:

– E mbaj mend mirë rrugën malore të Thethit. Babai më kishte marrë me vete. E kam në kujtesë bukurinë përrallore të Thethit. Ata punonin, unë vështroja bukuritë e egra të maleve dhe pastaj kthehesha i lodhur dhe i kënaqur në çadër. Qe kohë vere. Ishte e bukur natyra e atyre anëve.

Edhe Urën e Zogut, urën me harqe, e pat ndërtuar Gjadri me Kosta Manin. Pirro kujton se edhe atje i ati e pat marrë me vete disa herë. Madje e mban mend të atin dhe Gjadrin me hartat përpara, tek ndiqnin projektin. Kosta Mani ishte kudo, ku ndërtohej. Kishte ndërtuar për vete edhe një shtëpi provizore në Tiranë, që priste ta modernizonte kur t’ia kishte ngenë.

Kosta Mani jepte edhe mësim në Shkollën Teknike të Fullcit. Jepte lëndën e Matematikës. Pirro kujton se i ati lexonte shumë libra. Në bibliotekën e tij ndodheshin libra të Balzakut, Stendalit, Dumas, Tolstoit e të shumë e shumë shkrimtarëve të tjerë me emër.

Kosta Mani ndërtoi edhe urën e Kardhiqit, në Gjirokastër. Kjo urë i dha një fatkeqësi dhe një dhuratë, që do ta kishte të shtrenjtë gjatë jetës së tij të shkurtër.

Tregon Pirro:

– Gjatë punimeve për ndërtimin e urës Kosta theu këmbën. Ku të gjente mjek në ato anë, ku nuk shkelte këmbë njeriu? E mbartën me mushkë dhe e çuan tek një mjeshtre popullore, që i kishte dalë nami si ortopede e rrallë. Mjeshtrja, (plaka thirrej Dade), jetonte në Stegopull të Gjirokastrës. Muskujt e Kostës sforcoheshin nën dhimbjet e shtrëngimeve të plakës, ndërsa sytë i ishin ngulë në bukurinë e rrallë të një vajze 15-16 vjeçare, mbesës së plakës Dade. Inxhinieri shëroi njëherësh këmbën dhe shpirtin. Vajza bjonde, zanë e shkuar zanës, me emrin e bukur Amali, do të bëhej “robinë” e inxhinier Kostës, i cili e kërkoi sakaq për grua. U martuan me Amalinë dhe lindën fëmijën e parë, Pirron, pastaj dhe dy vajzat, motrat e Pirros. Kosta, ndërkohë kishte blerë një truall 6 mijë m2, në rrugën “Shën Gjergji” në Tiranë, sot rruga”Ali Demi” dhe aty ndërtoi shtëpinë e tij. Jeta ecte në rrjedhat e veta. Shpesh, Kosta bridhte nëpër Shqipëri, ku ndërtonte a projektonte. Merrte me vete edhe Pirron e vogël dhe e ushqente me dashuri për kombin, Atdheun e shtrenjtë, që duhej dashur, edhe kur ishte kockë e lëkurë. Në ditën e pushtimit fashist, Kosta u pushua nga puna dhe u arrestua me akuzën se kishte hedhur në erë urën e Limuthit, atë urë që e kishte projektuar e ndërtuar vetë. Kosta kishte shtetësi amerikane, urrente fashizmin dhe u trondit nga pushtimi i Shqipërisë. Dikur hapi një zyrë private në Tiranë, “Stika”, së bashku me inxhinierin Spiro Koleka. Ajo zyrë nisi projektet e ndërtimit të infrastrukturës së Tiranës; projektoi rrugë, sheshe, parqe, vila të bukura dy dhe tri katëshe. Kosta projektoi vilën e njohur mbi kodrat e Tiranës, “Baballarët e Teqesë” dhe vepra të tjera që i rezistuan kohës.

Pirro është i bindur se babai ka qenë antifashist në shpirt dhe si i tillë ishte zgjedhur edhe në Këshill. Madje, për reputacionin që gëzonte, u zgjodh edhe deputet i Korçës. Gazeta “Tomorri” e asaj kohe i kushtoi hapësirë në kronikën e vet fjalës së deputetit Kosta Mani:“Çamëria dhe Kosova janë pjesë të pandara të Shqipërisë”, deklaronte deputeti Kosta  Mani.

      Në kohën e Asamblesë Kombëtare, në kohën e pushtimit gjerman, si deputet ishte pjesë e saj. Partizanët e qëlluan me top, duke e shpallur si “Asambleja tradhëtare”. Si shumë intelektualë të tjerë patriotë, Kostë Mani mendoi se Atdheut mund t’i shërbehej edhe nën pushtim. Por atë pjesëmarrje nuk ia falën komunistët. Umblodh qarkori dhe e përjashtoi Kostën nga Këshilli. Ishte kohë e çmendur. Komunistët e akuzojnë, fashistët e arrestojnë.Edhe gjermanët, po ashtu, e arrestojnë si njeri të rrezikshëm. Me kë ishte Kosta Mani? Ishte me Shqipërinë. Arrestimi në fundin e dhjetorit 1943 nga gjermanët ishte fatal. Nazistët e syrgjynosën në kampin famëkeq të Mathauzenit. Pirro kujton se, nëna, e cila kishte marrë vesh lajmin e largimit nga burgu dhe internimin jashtë Shqipërisë, i kishte shkuar në burg dhe i kishte dhënë një xhaketë, që të mos kishte ftohtë, nën astarin e së cilës kish qepur, nën një arnë, 40 napolona flori. T’i ketë për çdo rast, pat menduar nëna. Pirro atë kohë ishte fëmijë, 12 vjeç. E ka në kujtesë pamjen e trishtë. Të burgosurit i hipën në kamionë dhe i nisën në mëngjes herët. Imazhi i mbeti në mendje. Në shtëpi prisnin në ankth ndonjë lajm. Shenja e fundit e komunikimit ishte një telegram, që ishte nisë nga Kosta. Ishin vetëm tri fjalë: “Jemi në Manastir”! Asnjë lajm tjetër.

E gjithë jeta e Kosta Manit, është një dramë me shumë skena të mistershme, një dramë e ankthshme me shumë akte, thotë i biri, Pirro Mani, për të cilin misteriet mbeten të pazbardhura ende edhe sot.

Hija e të atit dhe shpirti i tij peng nuk i janë ndarë Pirro Manit as këtu, në Sh.B.A.. Erdhën në Amerikë, u vendosën në Kolorado dhe më pas, në New York. Shpesh shëtisja me hijen e tim eti. Më dukej se do ta takoja diku….Edhe ai kishte qenë në Amerikë…

Pirro nuk hoqi dorë nga gjurmimet për të gjetur të dhëna për të atin, që më parë nuk mund t’i siguronte. Mësoi se Kosta Mani nuk ishte i vetëm, kur e nisën në kampin e vdekjes. Ishin më shumë se 200 të burgosur. Një pjesë i dërguan në Prishtinë, pjesën tjetër në Mathauzen, ku i ra fati të shkonte baba Kosta. Përmes kërkimeve me shoqatat amerikane-hebraike, u arrit të sigurohen të dhënat e munguara, përfshirë dhe kohën e vdekjes, 27 Janar 1945, vendin e  vrasjes dhe të dhëna të tjera…., madje, edhe numrin që mbante në uniformën e kampit të internimit.

…Lajmi fatal është mësuar pak muaj pas çlirimit të Shqipërisë. Në shtëpi kishte shkuar Spiro Koleka, që ka qenë ortak me Kostën në zyrën e projektimeve dhe ndërtimeve “Stika”. Spiro ishte inxhinier i ri asokohe dhe bashkëpunoi me Kostën, edhe për të fituar eksperiencë. Ai solli lajmin fatal në shtëpinë e Kostë Manit. Familja shpalli zinë dhe e qau Kostën.

U shpall dëshmor nga regjimi. Familjes iu dha edhe karta e dëshmorit, por drama e Kostë Manit nuk kishte të sosur. Ashtu si në kohën e italianëve, të gjermanëve dhe të komunistëve, secili e pa si armik.

Pirro tregon: Më kujtohet se ka qenë një burrë me emrin Faruk, që jetonte në një barakë, diku aty ku ka qenë Ministria e Jashtme. Faruku ka qenë kampion boksi. Ai qe rritur në shtëpinë e Kosta Manit. Kujtoj se Faruku mbante dhe një pistoletë, ngaqë kishte qenë partizan…”

Pirro kujton se po vinte Faruku me nxitim dhe i thotë: – Ç’po bën këtu? A e di ti se po demaskojnë gratë e familjes Mani?!

Shkoi me vrap. Agjitatorët komunistë ngrinin zërin në kupë të qiellit për armikun imagjinar. Dhe armiku paskish qenë Kosta Mani, që na qenkish shpallë “dëshmor me biografi të keqe”,  sepse paskish marrë pjesë në Asamblenë tradhëtare! Fronti Demokratik dhe partia nuk mund ta toleronin këtë tradhëti!Ultimatumi i demaskimit ishte i rreptë: Familja armike Mani duhej të largohej brenda shtatë ditëve nga Tirana! Nisën reprezaljet.Pirron dhe motrën Marikën i hoqën nga puna, ndërsa motrën tjetër, Mirelën, e pezulluan nga shkolla. Ua hoqën dhe triskat. Ishte hapur fjala se Kosta nuk ishte vrarë e se punonte si agjent në një shërbim perëndimor!

    Pirro thotë se e pagoi rëndë faturën.Por, siç duket, dikur u bindën se të gjitha këto ishin fantazira të sëmura komunistësh, sigurimsash,militantësh.Vetë ata e vërtetuan se Kosta ishte ekzekutuar në Mathauzen. Mirëpo hija e dyshimit mbeti pezull e kurrë nuk u trajtua më si dëshmor. Jo vetëm kaq, por Kostës nuk iu përmend emri asnjëherë si një nga inxhinierët e parë të Shqipërisë, diplomuar në Sh.B.A.. Pirro ruan një dokument që ka emrat e inxhinierëve që kanë kontribuar në Shqipëri, ku emri i parë është ai i Kosta Manit, pastaj i dy inxhinierëve italianë, i Gjadrit dhe i të tjerëve.

Rehabilitimi i të birit të Kostës, Pirro Manit, ndodhi vonë…..

E kujtojmë në ditën e fitores mbi nazizmin…*Dielli-arkiv

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, Kosta Mani, Mathauzeni

KUJTESA E HIDHUR E KAMPIT TË PËRQËNDRIMIT TË MAT’HAUZENIT

May 8, 2021 by dgreca

9 Maji – Dita e Europës dhe fitores mbi fashizmin/

KUJTESA E HIDHUR E KAMPIT TË PËRQËNDRIMIT TË MAT’HAUZENIT

Shkruan: Albert HABAZAJ/

Përnjohje/

Kujtesa vetiake, sociale dhe ajo e shkruar na sjell panoramën thellësisht trishtuese, tejskajshmërisht të dhembshme, masivisht shfarosëse në kampet e përqëndrimit. Gjatë regjimit të nazizmit në Gjermani (1933-’45) kampet e përqëndrimit u bënë vende ku internoheshin njerëzit e padëshiruar, vende të akteve të shëmtuara të torturës, punës prej skllavi, tmerrit dhe vrasjeve masive në një shkallë të paarritur më parë në asnjë vend e në çfarëdo shekulli dhe në mungesën e kushteve minimale higjienike. Kampet (Konzentratiónslager ose KZ), të administruara prej SS-ve, kategorizoheshin në Arbeitslager (kampe pune), ku të burgosurit organizoheshin në batalione pune, dhe në Vernichtungslater (kamp shfarosj), të ngritura për shfarosjen dhe djegien e burrave, grave dhe fëmijëve. Në Europën Lindore, të burgosurit në fillim u përdorën për batalionet e punës ose për veprimet e gjenocidit ndaj të tjerëve, më pas edhe ata vetë asgjësoheshin. Në kampe të tilla si Aushvici (Poloni), në dhomat e gazit mund të mbyteshin dhe të digjeshin 12.000 vetë në ditë. Në Perëndim kanë qenë më të njohur Belseni, Dahau dhe Buhenvaldi (një kamp i punës së detyruar, ku mjekët kryenin kërkime mjekësore në njerëz). Kalvarin e rëndë të Holokaustit e pësuan më keq hebrenjtë (çifutët), sepse është llogaritur që kanë vdekur 6 milionë çifutë, ndërkohë që humbje të mëdha patën edhe Rumania, Hungaria, Lituania etj. 

Kujtesa e hidhur e kampit famëkeq

Si një panoramë shkrimore dhe me imazhe në ish-kampin nazist Mat’hauzen, botohet libri historik përgjithësues dhe dokumentues “Kujtesë e hidhur Mat’hauzen=Konzentratiónslager Mauthausen” [8.8.1938-5.5.1945] nga autori i njohur Andrea Petromilo, me origjinë nga Palasa e Himarës. Është një libër i ngjeshur me 164 faqe, mbushur më fakte, dëshmi, intervista, statistika tronditëse nga kampet e Mat’hauzenit, Melkut, Buhenvaldit, nënkampet e Gusenit, Ebesenit etj. Është një libër serioz e referencial për qëllime studimi nga autorë apo të interesuar të tjerë për fusha të tilla si krimet e luftës, kampet e përqëndrimit etj. Kjo monografi konkretizohet e plotësohet edhe fotografi origjinale, që janë njësueshmëri e besueshmërisë tekstore; po ashtu shoqërohet me tabela e lista njerëzish të ekzekutuar, ku krahas 600 shqiptarëve të pafajshëm, pjesa më e madhe e tyre, po aq të pafajshëm, ishin nga qyteti i Vlorës. (450 gjejmë në fletore statistikash, por shifrat, na thonë, nuk janë të sakta, pasi nazistët një pjesë të dokumenteve i grisën, i dogjën mungesa e tyre, patjetër dhe merorja e shkurtër i ka pasojat e saj). Shkrimtari dhe studiuesi vlonjat Petromilo ka realizuar një punë me vlera të larta humane dhe atdhetare. Fakte tronditëse nga Kujtesa e Hidhur në Mat’hauzenin famëzi, ku vlonjatë e shqiptarë pa pikë faji u dogjën më keq se të ishin copëza letrash pa pikë vlere, pasi i rrihnin barbarisht apo i përdornin si mjete eksperimentesh, derisa i gjymtonin. Libri ka vlera që shkojnë tek libri, me mesazhe njohëse e historike sa lokale, aq universale për ata që u sakrifikuan lebetitshëm në ato kampe famëkeqe. Mesazhi kryesor, që ka dashur të përcjell autori tek lexuesi është rëndësia e simboleve për historinë dhe brezat, ruajtja gjallë e fakteve historike për edukimin patriotik dhe urrejtjen ndaj individëve skizofrenikë, kushdo qofshin ata e ngado shfaqen me atë barbari, që s’ka tragjedian të përshkruaj. Autori i bën apel kujtesë qytetare që të mos harrojmë të keqen më poshtëruese dhe torturuese ndaj njerëzimit ndodhur në këtë planet. Nuk mundemi t’i rrëfejmë ato skena lemeritëse në trenat e punës a vdekjes, në miniera, gurore apo në 186 shkallët e gurta pakthimërisht të vdekjes, duke i ngjitur me peshë 50-60 kg mbi shpinë, me ndëshkimet nga më çnjerëzoret në dhomat e gazit, në dhomat e vdekjes, në dhomat e eksperimenteve, dhomat burg, mure të lartë, të lagësht, të zinj, baraka fjetoresh me numra rendorë, labirinthe pafund, imazhe të frikshme, ankthembushur, ku çdo objekt mbart një histori tmerri. Vetëm në dhomat e gazit në kampin e Mat’hauzenit u asgjësuan 7200 të internuar. Na dridhet buza e syri na mbushet me lot dhembjeje për të femrat e pafajshme e të pambrojtura dhe një duf urrejtjeje na shpërthen përbrenda për të pashpirtët nazistë tek lexojmë udhërin e datës 10.11/1940 të shtabit hitlerian: “… të mbahet sekret dhoma e përdhunimit të të internuarave prej personelit gjerman”. Një barakë kishte ndarje në dy dhoma: Adhe B. Çdo dhomë ndahej në dy pjesë: njëra ku rrinin të internuarit dhe tjera e fjetjes. Në mes ishte wc-ja. Shtretërit ishin prej druri me dy e tre kate. Në çdo krevat flinin tre veta në kushte tepër të vështira. Për mbulesë në dimër kishin një batanie të hollë. Dritarja e dyert qëndronin të hapura. Shumë ishin ata që vdisnin nga të ftohtit. Të sëmurët me sëmundje ngjitëse ishin në karantinë në katër baraka. Pranë ishte blloku i vdekjes, që dikur shërbente si infermieri. Nga muaji prill 1944 deri më 2 shkurt 1945, tek blloku i vdekjes u shënuan 4300 oficerë robër rusë, që nuk iu regjistrua as emri i tyre e as numër personal s’iu vendos. Këta, herë pas here, individualisht ose në grupe, ekzekutoheshin me plumb pas kokës, ndërsa një pjesë vdiqën nga uria…Kampi i dytë i barakave me numër 21-24 shërbente për strehimin e të internuarve të sapoardhur. Në kampin e tretë të barakave, përbërë prej 8 të tilla, strehoheshin gratë, të cilat i sollën në verë të vitit 1944 nga Varshava. Nga vera e vitit 1944 deri në prill 1945 sollën 3000 të internuar – fizikisht të dobët, tek të cilët u përdorën torturat më çnjerëzore, me finale pushkatimin. Të pamundurit për të punuar i lidhnin pas murit dhe i linin të zhveshur në të ftohtë e në ngrica, derisa jepnin shpirt. Po nënkampi i Gusenit, që kishte 30 baraka, rrethuar me tel me gjemba, ku kalonte tensioni 300 volt, që s’ka gojë të flasë, të denoncojë, të akuzojë në emër të drejtësisë e lirisë, sepse s’është parë shkelje më flagrante dhe aq egër e të drejtave të njeriut?! Minierat janë dëshmitare se sa frymë janë tretur thellësive të tyre. Po të sëmurët me tuberkuloz që i vrisnin me gjëlpërë në zemër?! Po me se ushqeheshin robërit e kampeve? Me aq pak ushqim – spirilëng, sa të mbanin trupin minimalisht e forcërisht në këmbë për punët përditshmërisht të rënda, kur trupi i tyre kishte arritur të shndërrohej në një skelet vetëm 28 kilogram deri në 40 kile. E si mund të mbahej kështu shpirti gjallë?! Në këto kampe përqëndrimi, koha e skllavërisë ishte kthyer, por me motive të reja raciste. Furrat e djegies, dhomat e shfarosjes janë dhe do të ngelen përjetësisht apel historik botëror i Kujtesës së Jetës njerëzore me dinjitet. Bijtë tanë që ranë me idealin e lirisë në zemër na kujtojnë një fjalë të urtë: “Kush mbyll sytë nga e kaluara, mbetet i verbër ndaj së ardhmes”. Gjatë këtyre refleksioneve për kampet naziste të përqëndrimit, gjykojmë se jo vetëm lajtmotivi i librit, por i Kampit të Zi të Mat’hauzenit dhe si vëllezërve të tij po aq të zinj, është: “Brezat që vijnë, duhet përmes simboleve historike të ruajtura me kujdes, të përjetojnë imazhin e një tmerri, që nuk duhet ta përjetojë në asnjë çast bota njerëzore”. Ndërkohë, përherë na e ruan të freskët këtë kujtesë edhe vepra simbol e historisë së Lirisë Qytetare, monumenti “Partizani fitimtar” i skulptorit shqiptar Odise Paskali e vendosur në Mat’hauzen, Austri që në vitin 1968, po ashtu delegacionet e mbi 40 shteteve, me flamujt e tyre, që Austria, Spanja, Luksemburgu, Holanda, Franca, Suedia, Belgjika, Polonia, Hungaria, ish – Republikat Sovjetike, Izraeli, Italia, Shqipëria etj., të cilët, nën kujdesin e Bashkimit Europian, bëjnë pelegrinazh nderimi çdo 5 maj, që nga viti 1945 e në vijimësi në “Sheshin e Apelit” po në Mat’hauzen, në kujtim të ditës së çlirimit të ish – kampit të përqëndrimit e shfarosjes Mat’hauzen, 5 maj 1945. Po ashtu, kurorat me lule që vendosen në memorialin e Mat’hauzenit, sikur na flasin që të mos harrojmë kurrë efektet e atij shpërthimi djallëzor të racës superiore nga përbindëshi Adolf Hitler, frymori i paskrupullt dilerant, manjaku tekanjoz, i neveritshmi 162 centimetrosh dhe makina e tij e vdekjes për së gjalli, me katër organizmat pamëshirshmërisht shfarosëse, që për pak mori në qafë botën mbarë. 

Organizmat speciale të skinksit të zi nazist

Katër organizmat speciale të forcës terroriste, mizorisht të poshtër të skinksit të zi nazist ishin: 1. Trupat sulmuese (SA), që përbënin skuadronet e vdekjes, të cilat mbollën terrorin gjithandej Gjermanisë; 2. Trupat e Mbrojtjes dhe të Kontrollit të SA, që quheshin SS dhe i komandonte dora e djathtë e Hitlerit, Hajnri Himler (Ky mori përsipër edhe ndjekjen e të gjithë armiqve të Rajhut të Tretë dhe dërgimin e tyre në kampet e shfarosjes masive); 3. Agjentët e Policisë Sekrete, që e quajtën GESTAPO, të cilët vëzhgonin me kujdes qoftë trupat e SA, qoftë ato të SS (që do të thotë: përgjo, por je i përgjuar. Ky organizëm sipas statistikave, kshte në organikën e vet si efektiv mbi 100000 ushtarakë e agjentë. Këta nuk jepnin llogari askund përveç kryeterroristit Adolf dhe i drejtonte Geringu [Hermann Goering], i vetmi i besuar si pasardhës i Hitlerit, deri pas dështimit në betejën e Britanisë së Madhe, ku u dallua superioriteti i aviacionit Aleat mbi atë nazist); 4. Trupat sekrete (SD) që përbëheshin nga pjesë të veçanta të efektivit të Gestapos, pra më tepër ishin agjentët e shpërndarë në të katër anët e botës, të cilët raportonin pranë shtabit të Gestapos dhe komandoheshin nga Reinhard Hajdrih, i cili kishte nofkën Hajdrih Litari.  

Gjithashtu libri na kujton se në gjithë territorin evropian të pushtuar nga nazistët funksiononin 1226 kampe kryesore, 1011 kampe të varuar përqëndrimi dhe 114 kampe shfarosëse dhe për hebrej, pra gjithsej 2351 kampe e nënkampe. Njëri nga ata qe vampiri nazist i Mathauzenit, i cili nga 8 gushti 1938 deri më 5 maj 1945 regjistroi 206000 të internuar. Nga ky numër mbetën gjallë, sidomos  ata që u sollën këtu kohët e fundit, 66534 (64800 meshkuj e 1734 femra). Mbijetuan nga kampi i përqëndrimit të Mat’hauzenit vetëm 23 shqiptarë. Ka objekte të të internuarve, pllaka përjetuese, monumente atje dhe në Shqipëri.

Edhe Dëshmorët e Mat’hauzenit janë në kujtesën e kombit

Në një pllakë mermeri, përbri furrave të krematoriumit janë shënuar, krahas emrave të tjerë, nga vendet e shteteve që u ndeshën me bishën naziste dhe që patën fatin e keq të digjeshin kufomat e tyre, edhe emrat e shqiptarëve. Mes dëshmorëve të kombit janë dhe vlonjatët. Jo vetëm nëpërmjet këtij shkrimi për lexuesit e “Diellit” por përditë dhe sikurse dëshmorët e tjerë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, duhet të nderohen edhe këta shqiptarë në kujtesën e kombit, sepse duhet t’i përkasin mos harrimit. Më e pakta e domosdoshme, edhe pse e vonuar, është përmendja e emrave të tyre edhe në një shkrim të thjeshtë nderimtar si ky yni. Lista e martirëve tanë pranë krematoriumit të Mat’hauzenit (Austri) është si më poshtë: Xhevdet Doda, Kozma Nushi (Hero i Popullit), Abaz Dine, Abaz Sullaj Abdulla Tabaku, Adil Alushi, Ahmet Ramzoti, Alem Tafili, Ali Ashimi, Alim Biduli, Asti Gogoli, Azem Toska, Bedri Agalliu, Beg Nushi, Besim Liku, Buharedin Mitaraj, Cane Çaçi, Cane Rapushi, Dalip Meminaj, Demir Bardhi, Dervish Hoxha, Dilaver Kamberi, Dhimitër Konduri, Dhimitër Kulla, Ejup Kondo, Emanuel Hazdurian, Enver Velaj, Faik Haruni, Faslli Lelaj, Faslli Zogaj, Feim Mustafaj, Fejzo Toska, Ferik Buzi, Fizo Spahiu, Gani Kokli, Gjysh Duraj, Hajdar Shameti, Hajredin Kërkova, Hakim Veliu, Halil Shyri, Hamit Roseni, Hamit Xhyheri, Hamza Laperi, Hasan Doci, Heruran Novruzi, Hysen Shtufi, Ibrahim Skëndaj, Ibrahim Xhatufa, Ilo Çomi, Isa Rapushi, Ismail Zyma, Isuf Berberi, Isuf Ibërshimi, Izet Mema, Jani Kosta, Jani Nathanaili, Jani Popa, Jano Maska, Jorgji Ziu, Koro Çoni, Kostandin Simaku, Late Bregu, Mehmet Dauti, Mehmet Sulo, Mihal Koçi, Mihal Pema, Minella Gogo, Muhamed Velaj, Muhamet Bino, Muhamet Dine, Muhamet Kabashi, Musa Gorishti, Mustafa Kotherja, Mustafa Zahaj, Myslym Nelaj, Mustehat Malaj, Naun Thanasi, Neim Gjoni, Nexhip Hekurani, Nexhip Himçi, Nevruz Abazi, Nevruz Dine, Novruz Hajdini, Nuredin Memishaj, Pandeli Dimo, Perikli Papingji, Piro Papalilo, Qazim Çakërri, Ramadan Nebiu, Ramadan Ramo, Ramazan Myrto, Rapo Kapllani, Rapush Çarçani, Rasim Hamzaraj, Refat Ismajli, Rexhep Bani, Sabri Habibaj, Sadik Asnjoku, Sali Dibra, Sami Karriqi, Selim Çarçani, Senusi Nota, Sofokli Dhimiatiadhi, Stavri Havale, Sulejman Cenoimeri, Sulejman Doko, Sulejman Rukja, Sulejman Zakja, Sulo Gorishti, Shefqet Leka, Shefqet Shyti, Sherif Nuredini, Shyqyri Buzi, Taqo Dino, Tefik Skilja, Telat Noga, Teme Alushi, Thimio Nathanaili, Thoma Kuqali, Vangjel Vasili, Vangjel Shkurti, Vangjel Xhani, Vasil Dushku, Vasil Gjata, Vasil Mojsiu, Vehbi Vreshtazi, Xhafer Kodra, Xhafer Skilja, Xhemil Kasa, Xhemal Myhdari, Xhemal Shasho. Në listën e shqiptarëve që kanë vdekur në kampin e Mathauzenit, ku shënohet numri personal, emri dhe datëlindja janë: Athanas Babe, Andro Gerveni, Abdullah Kinetani, Ajaz Arifi, Anasatas Stavro, Ahile Lito, Bedri Agalliu, Besim Liku, Çako Lamani, Dervish Troka, Ded Papa, Sofokli Dhimitriadhi, Estref Fiaq, Fejza Dino, Gani Begosali, Georgi Cin, Hajredin Hazdinaj, Hazbi Bani, Habib Koka, Halem Telfaj, Halil Aliti, Ibrahim Gunardhi, Istref Dekollari, Jakup Telfaj, Jani Goda, Fadil Alushi, Kosta Mani, Kostandin Semikiç, Lefter Bezhani, Musten Gunbardhi, Miho Çiko, Mihal Shyti, Moikom Shyti, Naqo Siko, Nikolla Çika, Niko Papalilo, Lilo Palla, Ilija Vimo, Perikli Papingji Qazim Çakërri, Qemal Muhedari, Ramazan berberaj, Ramazan Armeni, Rushit Vërzhezha, Rexhep Toto, Muzafer Velaj, Nazif Spani, Rapo Ruçi, Rukije Sulejmani, Refat Sedrioviç, Rahman Hysa, Refit Mustafaj, Farudin Rustemi, Skënder Vrenaraj, Selfo Shebaj, Sulejman Seferi, Selim Begaj, Sofokli Dimi, Seit Qemali, Shezai Qemali, Shefqet Suli, Shahin Alia, Shyqyri Tare, Zoga Falre, Taqi Poliçani, Vangjel Xhema, Thoma Karagjozi, Qerim Asimi, Kristofor Gjyli, Stefan Sotiri, Nasim Gjani, Tahsim Jonuzi. (Për mungesë hapësire në gazetë nuk po i shënojmë numrat personalë dhe datëlindjet e dëshmorëve të Mat’hauzenit, por ne i ruajmë në dosjen e arkivit tonë). Kemi dhe një listë të të ekzekutuarve, sipas një dëshmitari:  Asim Qerimi, Akile Lita, Dhimitër Kosta, Ibrahim Rexhepi, Izet Memsi, Imer Rexhepi, Jani Kariqi, Naum Thanasi, Naxhia Himçi, Narfi Kaposhi, Pandeli Nandua, Meship Himçi, Miho Ciko, Vimo Ilija, Vlash Kuqo, Sabri Dino, Ali Akin, Xhevdet Dino, Shefqet Leka. Burimet e shkruara të nivelit akademik na japin dhe një pasqyrë përmbledhëse të 5914 të burgosurve dhe të internuarve shqiptarë në burgjet dhe kampet nazifashiste të hapura brenda vendit gjatë periudhës së pushtimit të Shqipërisë: 7 Prill 1939-29 Nëntor 1944, nga ku Tirana, si rreth kishte 1034 njerëz, Berati 414, Burreli 34, Dibra e Bulqiza 126, Durrësi e Kavaja 831, Elbasani e Peqini 261, Fieri e Mallakastra 130, Gjirokastra 504, Gramshi 17, Kolonja 151, Korça e Bilishti 615, Kruja e Laçi 24, Kukësi e Hasi 27, Lezha 28, Lushnja 41, Mirdita 28, Përmeti 49, Pogradeci 173, Puka 10, Saranda e Delvina 54, Shkodra e Kopliku 354, Tepelena 60, Tropoja 148 dhe Vlora 801, të cilët në total kanë vuajtur 26940  muaj ose 2245 vite. Siç vërehet, më tepër martirë kanë Tirana, Durrës – Kavaja, Vlora e me radhë Korçë – Bilishti, Gjirokastra, Shkodër – Kopliku etj. (shih: dr. Arqile Veshi, “Qëndresa heroike e të burgosurve, të internuarve dhe të ekzekutuarve politikë shqiptarë nga pushtuesit nazifashistë e kolaboracionistët: 7 prill 1939-29 nëntor 1944”, Tiranë, Ilar, 2014, 308 faqe me foto). Gjithashtu, kemi informacion të besueshëm dokumentar, se vetëm nga Mallakastra janë shfarosur në kampin e Zemunit 19 patriotë nga fshati Cakran dhe 11 nga fshati Dukas – Patos.

Nderimi shtetëror i dëshmorëve të Mat’hauzenit

Bazuar në ligjin nr. 109/2018 “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi: Kreu I, neni 4 “Familje e Dëshmorit të atdheut është familja që i ka dhënë Shqipërisë një apo më shumë persona të shpallur “Dëshmor i atdheut”. Kreu II, neni 5 thotë: “Dëshmorë të atdheut shpallen ose u njihet stausi, si i tillë…[pika] dh) Shtetasit shqiptarë, të cilët janë ekzekutuar apo kanë vdekur në burgjet dhe kampet nazifashiste të përqëndrimit apo kanë vdekur si pasojë e plagëve apo sëmundjeve të ndryshme të marra në këto vende deri më 9 maj 1945”. Me rastin e 75 vjetorit të Çlirimit të ish-kampit të përqëndrimit Mat’hauzen, në Vlorë, është ngritur Memoriali i Kujtesës së Dëshmorëve të Mat’hauzenit përkarshi bashkisë së qytetit të Vlorës, atje ku në vitet e LANÇ ishte burgu, nga i nisën drejt kampit të përqëndrimit Mat’hauzen djemtë e Vlorës pas fushatës së arrestimeve nga nazistët dhe kolaboracionistët e tyre spiunë e lakej. Ndoshta nuk do të realizohej apo mund të bëhej shumë më vonë ky monument nderimi në Vlorë, pa ndihmën e zonjës Vojsava Shkurtaj, ish-kryetare e Këshillit të Bashkisë, pa kujdesin e drejtpërdrejtë të kryetarit të bashkisë, dr. Dritan Leli, pa fjalën e urtë e të peshuar të shkrimtarit Andrea Petromilo, pa punën në bllok të pasardhësve të atyre dëshmorëve, Gerion Gunbardhi, Kujtim Memaj, Denada Babe, Gudar Toto, Kristi Shametaj, Edlira Hoxha, administrata e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Fjorda Llukmani, përfaqësuese nga BE-ja për Shqipërinë  e sidomos pa këmbënguljen shembullore e të pakthyeshme të qytetarit Polizoi Kosta, i biri i Jani Kostës, me numër personal 10050, vdekur në ish-kampin e përqëndrimt Mat’hauzen më 15.12.1944. Sheshi historik para bashkisë Vlorë do të mbetet në breza si sheshi i dëshmorëve të Mat’hauzenit, që sfiduan torturat më të padëgjuara dhe bënë sakrificën më sublime për Atdheun e të parëve, Atdheun e tyre, tonin e të brezave që vijnë.

Gjyqi i Nurembergut për mesazhet e lirisë

Në qytetin buzë lumit Pegnitz, në Nuremberg të Bavarisë, Gjermania Jugore, atje ku në vitet 1930 mbaheshin kongreset e Partisë Naziste dhe mitingjet e mëdha të përvitshme të Partisë Naziste, më 1945-’46  u zhvilluan gjyqet e Nurembergut, në të cilat kriminelët nazistë të luftës u gjykuan nga një gjykatë ndërkombëtare ushtarake. Gjyqi i Nyrëmbergut ishin një seri gjykatash ushtarake të mbajtura pas Luftës së Dytë Botërore nga Forcat Aleate, sipas ligjit ndërkombëtar dhe ligjeve të luftës dhe u bënë për ndjekjen penale të anëtarëve të shquar të udhëheqjes politike, ushtarake, gjyqësore dhe ekonomike të Gjermanisë naziste, të cilët planifikuan, kryen masakra e morën pjesë në Holokaustin dhe krimet e tjera të luftës. Gjyqet u mbajtën në Nyrëmberg të Gjermanisë dhe vendimet e tyre shënuan një pikë kthese midis ligjit klasik dhe atij ndërkombëtar bashkëkohor, sepse siguruan një platformë për drejtësi kundër kriminelëve të luftës naziste të akuzuar. Përpjekja e parë për të ndëshkuar autorët u krye nga Tribunali Ushtarak Ndërkombëtar (IMT) në qytetin gjerman të Nurembergut, duke filluar më 20 nëntor 1945. Në gjyq ishin 24 kriminelët më të mëdhenj të luftës të Gjermanisë naziste, përfshirë Hermann Goering, Martin Bormann, Julius Streicher dhe Albert Speer. Pas Çlirimit të Europës nga bisha nazifashiste, Gjyqi i Ushtrisë së Trupave Aleate të Nurenbergut përfundimisht, dënoi me vdekje 12 kriminelët nazistë. Kështu që termi “gjykim i Nurembergut” përfundimisht përfshiu këtë gjyq origjinal të liderëve nazistë, si dhe 12 gjykime pasuese që zgjatën deri në vitin 1948.

Akuzat

Ndërsa Pushtetet Aleate vepruan për të mbledhur prova, ata gjithashtu përcaktuan se kush duhet të përfshihej në raundin e parë të procedimeve. U konstatua, në fund të fundit, se 24 të pandehur do të akuzoheshin dhe do të vinin në gjyq në fillim të nëntorit 1945 dhe këta ishin disa nga më të njohurit e kriminelëve të luftës të nazistëve. I akuzuari do të paditet për një apo më shumë akuza:

1. Krimet e komplotit: I akuzuari u pretendua se kishte marrë pjesë në krijimin dhe / ose zbatimin e një plani të përbashkët ose komplot për të ndihmuar ata që ishin përgjegjës për ekzekutimin e një plani të përbashkët, qëllimi i të cilit përfshinte krime kundër paqes.

2. Krimet kundër Paqes: Të akuzuarit thuhet se kanë kryer akte që përfshijnë planifikimin, përgatitjen ose inicimin e luftës agresive.

3. Krimet e Luftës: I akuzuari supozohet se ka shkelur rregullat e mëparshme të luftës, duke përfshirë vrasjen e civilëve, POW, ose shkatërrimin e dëmshëm të pronës civile.

4. Krime kundër njerëzimit: I akuzuari ishte akuzuar se kishte kryer akte të deportimit, skllavërimit, torturës, vrasjes ose akteve të tjera çnjerëzore kundër civilëve para ose gjatë luftës.

Të pandehurit në gjyq dhe dënimet e tyre:

Gjithsej 24 të pandehur fillimisht ishin planifikuar për t’u shqyrtuar e ndëshkuar në gjyq gjatë këtij gjyqi fillestar të Nurembergut, por vetëm 22 vetë u gjykuan (Robert Ley kishte kryer vetëvrasje dhe Gustav Krupp von Bohlen ishte konsideruar i paaftë për t’u gjykuar). Nga 22, një nuk ishte në paraburgim; Martin Bormann (sekretar i partisë naziste) u akuzua në mungesë. (Më vonë u zbulua se Bormann kishte vdekur në maj 1945). Edhe pse lista e të pandehurve ishte e gjatë, dy individë kryesorë mungonin. Adolf Hitleri dhe ministri i tij propagandist, Joseph Goebbels, kishin bërë vetëvrasje, pikërisht kur lufta po mbaronte. U vendos që kishte prova të mjaftueshme në lidhje me vdekjet e tyre, ndryshe nga Bormann, se ato nuk u vendosën në gjyq.

Gjyqi rezultoi me një total prej 12 dënimeve me vdekje, të gjitha të cilat u administruan më 16 tetor 1946, me një përjashtim – Herman Goering kreu vetëvrasje, duke helmuar veten me një kapsulë cianuri natën në qeli. Tre nga të akuzuarit u dënuan me burgim të përjetshëm. Katër individë u dënuan me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet. Një shtesë prej tre individësh u liruan nga të gjitha akuzat… Asnjë qytetar shqiptar dhe europian, asnjë qytetar i botës, sot e nesër e sa të jetë jeta kurrë nuk mund e nuk duhet t’i fshijë nga kujtesa emrat më të zinj të historisë së shekullit XX e ndoshta të të gjitha kohërave. Më të rrezikshmit që mbushnin ligësinë ekstreme të  shpirtit paranojak të Hitlerit, tok me Gëbelsin e Heinrich Himmlerin, arkitektin kryesor të Holokaustit dhe që  morën dënimin kapital ishin: Martin Bormann (në mungesë) – Zëvendës Fuhrer, Hans Frank – Guvernatori i Përgjithshëm i Polonisë së pushtuar, Wilhelm Frick – Ministri i Brendshëm i Rajhut, Hermann Göring – Marshalli i Rajhut/ president i Raishtagut, Parlamentit Gjerman [Reichstag], Alfred Jodl – Shefi i Shtabit të Operacioneve të Forcave të Armatosura, Ernst Kaltenbrunner – Shefi i Policisë së Sigurisë, SD, dhe RSHA, Wilhelm Keitel – Shefi i Komandës së Lartë të Forcave të Armatosura, Joachim von Ribbentrop – Ministri i Jashtëm i Rajhut, Alfred Rosenberg – Filozofi i Partisë dhe Ministri i Rajhut për Zonën e Zonës Lindore, Fritz Sauckel – Fuqiplotë për Ndarjen e Punës, Arthur Seyss – Inquart – Ministri i Brendshëm dhe Guvernatori i Rajhut të Austrisë, Julius Streicher – Themelues i Der Stürmer.

Dita e 9 Majit nga shumica e vendeve të tjera në Evropë, përfshi dhe Shqipërinë tonë kujtohet me nderim e respektohet si simbol i Lirisë, si Dita e Fitores në Evropë.

Vlorë, e premte, 7 Maj 2021

Filed Under: Histori Tagged With: AKujtesa, Albert Habazaj

POST MORTEM PER ZGJEDHJET…

April 27, 2021 by dgreca

ALFONS GRISHAJ/

Errësirë mbi vendin tim/

Atdhe , u mblodhën retë, u bë mynxyrë…/

Një kahje e rreme  shëndrit   porsi lyrë./

Kalorësit e lirisë  të kurthuar  me hore/

Një luftë e humbur që kurr’ s’ka  fitore./

Dhe nëse derdhë djersë… është bosh…/

Nuk mbushet me ujë vrimat e kosh’,/

As burrëri nuk ka me pisa t’ paudhë,/

Nuk e lanë zhigun as  fjalë e as shpullë./

E  , nëse më pyesni t’ lodhur nga jeta…

Do u them o miq : “fitoren e bën kuleta!”

T’ gjithë popujt mjeranë pa busull  e urti ,

Gjithmonë  qeverisen   nga   pis Jahudi!

E ju do më thoni : “ U lodhën heronjtë tanë!”

E unë do  përgjigjem :” S’ka lodhje  vatanë!”

E di , të rrethuar  me Serb e Turkoshakë,

Komunistët  paatdhe , mbarsen si shakë.

Po, fuqia kombit është atdhedashuria 

Mbi miellin e sahanët që ngre  lypsaria,

Shqipëtari do ngrihet një ditë  mbi  tiraninë 

Me zjarr e hekur do e shkulin  makutërinë.

Tash  o mjeranë ,  gëzofshi kryq’n e  Greqisë…  

Ramëziun e Vuçiqit ,  bakal’n e Rumelisë ,

Kameleonin pabrekë , traktat’n  panderë…

Skamje ju mbuloftë  , paçi  terr e ferrë!

Filed Under: Histori Tagged With: alfons Grishaj, Errësirë mbi vendin tim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 212
  • 213
  • 214
  • 215
  • 216
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT