• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në ditëlindjen e Çabejt…

August 6, 2022 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

#SiSot, më 6 gusht 1908 lindi në Eskishehir, Turqi, akademiku i shquar Eqrem Çabej. Studimet fillore i kreu në Gjirokastër. Më pas kreu shkollën e mesme në Klagenfurt dhe, pasi braktisi fakultetin e mjekësisë në Romë, u regjistrua në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Gracit, e më pas në Universitetin e Vjenës, në Austri, ku dhe përfundoi studimet.

Me kthimin e tij në Shqipëri dha mësim në gjimnazin e Shkodrës, në Shkollën Normale të Elbasanit, në Liceun e Tiranës, si dhe punoi për një kohë të shkurtër në Ministrinë e Arsimit. Më 1940 filloi punën ambicioze dhe fort të vyer për hartimin e Atlasit Gjuhësor të shqipes. Pas Luftës II Botërore ishte anëtar i Institutit të Shkencave e më pas pedagog në Universitetin e Tiranës dhe anëtar themelues e akademik në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Ndërkohë, jo vetëm puna e tij, por edhe jeta profesionale e intelektualit dëshmojnë se me atdhedashurinë nuk bënte kompromise. Kjo duket edhe nga dokumenti i shtatorit të vitit 1942, që bashkëngjisim më poshtë. Është dorëheqja e atëherë prof. Çabejit nga anëtarësia në Institutin Mbretëror të Studimeve Shqiptare.

Çabej ka kryer studime në fushë të leksikologjisë, gjuhësisë historike të shqipes, dialektologjisë, etimologjisë, etj. Është autor i botimit kritik dhe faksimile të “Mesharit” të Gjon Buzukut dhe autor i Fjalorit Etimologjik të Gjuhës Shqipe. Akademik Çabej ndërroi jetë pak ditë pas ditëlindjes së tij së shtatëdhjetë e dytë, më 13 gusht të vitit 1980.

Filed Under: Histori

SOCIÉTÉ DES NATIONS (1923) / FJALIMI I PLOTË I MIT’HAT FRASHËRIT NË LIDHJEN E KOMBEVE (DOKUMENTI)

August 3, 2022 by s p


Portret i Mit’hat Frashërit në Paris (1920). – © Auguste Léon – Albert Kahn Collection
Portret i Mit’hat Frashërit në Paris (1920). – © Auguste Léon – Albert Kahn Collection

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 3 Gusht 2022

“Société des nations” ka botuar, me 1 janar 1923, në faqet n°46 – 47, fjalimin e mbajtur asokohe nga atdhetari, shkrimtari, diplomati dhe politikani i shquar shqiptar, z. Mit’hat Frashëri, në selinë e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Zoti President. — Fjalën e ka z. Frashëri, Delegat i Parë i Shqipërisë.

Z. Midhat Frashëri (Shqipëri). – Zoti President, zonja dhe zotërinj, po ngjitem në foltore për të përmbushur një detyrë. Unë vij t’i jap llogari Shoqërisë së madhe për mirënjohjen e vendit të vogël që kam nderin ta përfaqësoj dhe që në fakt e konsideroj të lidhur me Lidhjen e Kombeve nëpërmjet lidhjeve të njohjes.

Shqipëria, zotërinj, mund të quhet ndrikull e Lidhjes së Kombeve. Ishte Lidhja e Kombeve që e ndihmoi në rilindjen e saj, e pranoi në mesin e saj dhe i mundësoi të vendoste marrëdhënie diplomatike me shtetet e tjera. Rruga që i kishte hapur Lidhja e Kombeve ishte më e lehtë më vonë, pasi ky kumbar, ose më mirë kjo kumbarë, nuk pushoi së interesuari për shtetin e vogël.

Që atëherë – mund ta pohoj këtë pa frikë se të përgënjeshtrohet – Shqipëria ka bërë çdo përpjekje për të merituar përkushtimin e Lidhjes së Kombeve. Gjendja e brendshme e saj është përmirësuar gjithnjë e më shumë, marrëdhëniet me fqinjët kanë hyrë në një fazë normale; Marrëdhëniet diplomatike janë vendosur dhe rruga që ajo duhet të kalojë i është lehtësuar kështu.

Edhe pse një nga kombet më të rinj që ka hyrë në Lidhjen e Kombeve, Shqipëria është një nga vendet më demokratike për nga kushtetuta dhe administrata e saj. Këtu mund të dëshmoj se idetë e përfaqësuara nga Lidhja e Kombeve gjejnë te shqiptarët partizanët më të bindur. Nuk janë vetëm parimet, por është pikërisht ideali që përfaqëson kjo Shoqëri, është kjo vëllazëri, ky solidaritet midis popujve që ne vijmë të konfirmojmë çdo vit këtu përsëri, të cilët gjejnë ndër shqiptarët më të bindurit.

Unë i përkas një rajoni të Evropës që ka vuajtur shumë, ndoshta ai që ka vuajtur më shumë gjatë dy dekadave të fundit.

Është ky rajon i Evropës që kishte më shumë nevojë për paqe, pajtim dhe harmoni midis elementëve të ndryshëm të tij. Popujt ballkanikë kanë filluar të kuptojnë se ka vetëm një mënyrë për të arritur prosperitetin, vetëm një mënyrë për të shkëputur zakonet e këqija të së kaluarës, sipas të cilave çdo popull përtej kufirit konsiderohej armik. Ata tashmë e kuptojnë se një solidaritet interesash të përbashkëta, materiale dhe ekonomike, madje edhe morale e intelektuale, duhet t’i bashkojë popujt dhe jo t’i ndajë ata.

Kjo ide e popujve ballkanikë mbështetet fuqishëm nga ndikimi i qeverive të tyre përkatëse. Besoj se jam interpretuesi besnik i kësaj ndjenje kur them se perspektiva e një lufte, natyrisht mjaft të largët, tmerron popujt e Ballkanit, që aspirojnë paqen. Megjithatë, të gjitha përpjekjet e tyre nuk mundën të çonin në një rezultat të shpejtë dhe të menjëhershëm.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ata përhapin një energji të madhe për këtë qëllim dhe atmosfera e Gjenevës, jo vetëm e këtij qyteti ku njerëzit vijnë për të shijuar lirinë fetare dhe politike, por edhe atmosferën e kësaj Shoqërie të madhe ku ne vijmë çdo vit për të rizhytur veten në idetë e vëllazërisë, bashkëpunimit dhe solidaritetit, kontribuon shumë në këtë. Kjo atmosferë e dobishme kontribuon në masë të madhe në përmirësimin e marrëdhënieve që theksohet dita-ditës.

Mirëpo, a mjafton të kufizohemi vetëm në ardhjen këtu për t’u mbushur me frymë në atmosferën e Lidhjes së Kombeve, apo nuk është ende e nevojshme të mbështesim përpjekjet e lindura nga nevojat imperative të vendeve të Ballkanit ? Dje, delegati i shquar i Greqisë foli për punën e mirë të një delegati të Lidhjes së Kombeve, i cili aktualisht kryeson zgjidhjen e vështirësive të vogla, të cilat, për fat të keq, ende ekzistojnë midis disa elementeve ballkanike.

Ky është një shembull i mirë që ilustron qartë punën e dobishme që Lidhja e Kombeve po kryen dhe do të vazhdojë të kryejë në të ardhmen. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë e një delegati të caktuar nga Lidhja e Kombeve mund të arrijë më shumë në dy javë sesa tre vjet përpjekje të vetë popujve. Nëse shtetet ballkanike do t’i drejtoheshin Lidhjes së Kombeve, përfaqësuesit e së cilës shfaqin një frymë të madhe pavarësie dhe paanshmërie, çdo herë që do të lindte një vështirësi e vogël, për të kërkuar mbështetjen morale dhe ofiqet e mira mjaft të paanshme, ato do t’i bënin një shërbim çështjes së paqes.

Sigurisht, zona e rajonit të Ballkanit nuk është shumë e madhe, por idetë që mbretërojnë brenda Lidhjes së Kombeve janë të frymëzuara nga solidariteti i ngushtë që ekziston midis të gjitha vendeve, midis të gjitha rajoneve, të mëdha e të vogla. Kështu, të gjitha shtetet formojnë një tërësi, një trup harmonik. Sëmundja më e vogël, lëndimi më i padukshëm mund të prekë të gjithë trupin; po kështu vështirësitë e vogla, mosmarrëveshjet e vogla ndërmjet elementëve përbërës të një vendi apo rajoni mund të prekin të gjitha kombet.

Nëse hyj në këto konsiderata, është sepse duhet t’i jap llogari Lidhjes së Kombeve, si një shoqëri aksionerësh. Lidhja e Kombeve na ka investuar me kapital moral të destinuar të japë fryte. Ky kapital moral, në fakt, shpërblehet çdo vit e më shumë.

Progresi i arritur në një vend të vogël vetëm sa mund të rrisë numrin e mbështetësve të Shoqërisë sonë të madhe dhe të konsolidojë besimin që duhet të kemi në të ardhmen e saj dhe në shërbimet që ajo është thirrur të bëjë.

Të nderuar delegatë, Lidhja e Kombeve nuk lindi vetëm nga vullneti i pak njerëzve; nuk lindi vetëm nga një Pakt; përfaqëson, në sytë e popujve të vegjël që kanë filluar të ndërgjegjësohen për të drejtat e tyre, manifestimin e një ideali të ri, atë të vëllazërisë dhe mbi të gjitha të solidaritetit midis vendeve të ndryshme. (Duartrokitje.)

Filed Under: Histori

KUJTOJMË AGRESIONIN, 2 GUSHT ‘49

August 2, 2022 by s p

Prof.As.Dr. Bernard Zotaj (Mjeshtër i Madh)/

Më 2 gusht 1949 në zonën kufitare në Juglindje të Shqipërisë me bazë në rajonet e Korçës, të Leskovikut dhe deri në Konispol të Sarandës e në Likojan, u kryen veprime ushtarake në shkallë të gjerë nga shteti i Greqisë. Këto veprime të armatosura ushtarake nuk ishin thjesht provokacion apo provokacion ushtarak (i armatosur) siç është cilësuar nga shteti shqiptar në vitin 1949, e që vazhdon të trajtohet nga historia zyrtare shqiptare, si dhe nga studiues civil dhe ushtarak, por agresion ushtarak.

Në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe thuhet se provokacioni është goditje e ndeshje me armë, e organizuar qëllimisht nga një shtet… kundër një vendi të pavarur, për të krijuar shkak për ndërhyrje të armatosur e për të sjellë trazira. Shteti grek dhe Forcat e tij të Armatosura kishin vite që provokonin, kryesisht në të gjithë vijën kufitare, nga Prespa deri në kanalin e Korfuzit e që ndërmerrnin, akte të tilla, por në vitin 1949, duke filluar që nga janari ato do të përshkallëzoheshin pak nga pak, duke ardhur tek 2 gushti 1949 që në mënyrë masive nisi sulmi i armatosur kundër vendit tonë.

Po në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe theksohet se agresion i armatosur është “Sulm i armatosur i një shteti kundër një shteti tjetër për t’i pushtuar tokat e për ta nënshtruar, për të shtypur lëvizjet demokratike, revolucionare ose nacionalçlirimtare dhe për të vendosur regjime reaksionare; luftë e ashpër që bën një shtet për të depërtuar me mënyra të ndryshme në një shtet tjetër e për ta dëmtuar nga ana ekonomike, politike, ideologjike e kulturore”.

Në rezultat të ballafaqimeve të dy forcave ushtarake, por dhe të shpjegimit të fjalorit të gjuhës shqipe del se nuk ka qenë provokacion, por agresion ushtarak. Këtu kemi parasysh qëllimin, objektivat politikë, forcat pjesëmarrëse (ku pala greke i kishte të organizuara Forcat e Armatosura në të tre llojet e tyre), grupimi i forcave dhe mjeteve, pjesëmarrëse në agresion, kohështrirja, që është jo tipike për incidentet dhe provokacionet, por për një agresion, në rastin konkret me synime dhe objektiva të kufizuara (jo e përfshirë në të gjithë territorin e vendit), por të një pjese të tij dhe posaçërisht në atë që gjithmonë pala greke e quan “Epiri i Veriut”.

Agresioni ushtarak i ndërmarrë nga forcat monarko-fashiste (m-f) greke ishte një agresion ushtarak me objektiva të pjesshme dhe në përfundim edhe agresion ushtarak me objektiva vendimtar.

Analiza e veprimeve luftarake të FA greke të gushtit 1949, tregon qartë se nuk kemi të bëjnë me një incident, as provokacion, por me një luftë të armatosur me të gjitha format, metodat, qëllimet, karakteristikat dhe elementet e një agresioni ushtarak për pushtim, ku vihen përballë dy shtete dhe Forcat e tyre të Armatosura. Nuk ka rëndësi se u zhvillua në një pjesë të kufirit e territorit të vendit, por qëllimet ishin të plota, kapja dhe mbajtja e territorit të përcaktuar prej tyre. Veprimi ushtarak i armatosur grek i 2 gushtit 1949, ishte vazhdim i idesë së kahershme aneksioniste për pushtimin e të ashtuquajturit “Vorio-Epiri”. Greqia nuk kishte dhe madje nuk ka abroguar edhe sot e kësaj dite ligjin e luftës, nuk ka hequr dorë prej synimit të saj.

Forca m-f të Greqisë sulmuan Shqipërinë me mbi 70 mijë ushtarë, 50 avionë, 80 tanke dhe një skalion artilerie me afro 400 gryka zjarri, kryesisht topa. Ushtria Kombëtare Shqiptare mobilizoi dhe futi në luftimet aktive mbrojtëse rreth 10 mijë ushtarë, ndërkohë kryen rigrupim e përqëndrim pranë rajonit të veprimeve luftarake rreth 30 mijë trupa të tjerë, në gatishmëri për të vepruar në fushën e betejës.

Veprimet luftarake edhe pse të shkëputura e si provokacion kryheshin prej shumë kohësh më përpara vazhduan me intesitet më të lartë nga 2 gushti deri në 5 shtator 1949. Me ndërprerje ato u shtrinë në zonat e Bilishtit, Kapshticës, Leskovikut dhe Konispolit. Shqipëria pësoi dëme në njerëz, ushtarakë dhe civilë të vrarë, si dhe dëme materiale në fshatrat pranë kufirit. Forcat m-f greke, lanë mjaft ushtarë të vrarë në territorin shqiptar, si dhe rob lufte.

Studimi i provokacione apo agresionit ushtarak të gushtit të vitit 1949 përbën një pjesë të rëndësishme të historisë së Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe të popullit shqiptar. Trajtimi i këtij provokacioni apo agresioni është një detyrë e rëndësishme e historiografisë shqiptare në përgjithësi dhe të asaj ushtarake në veçanti. Edhe pse provokacionet apo agresioni ushtarak i gushtit të vitit 1949 nuk ka mbetur jashtë vëmendjes të historiografisë shqiptare, studimet për të, sidomos të karakterit monografiko-ushtarake kanë qenë tepër të kufizuara.

Me këtë libër është bërë një përpjekje pozitive, një kontribut i shkëputur nga mozaiku i veprës heroike të Ushtrisë Shqiptare për mbrojtjen territoriale të Shqipërisë tonë të dashur. Kështu, besojmë se do të ndihmojmë për të edukuar brezat dhe njerëzit me kulturën e domosdoshme të përkujtimit dhe vlerësimit të luftës së tyre. Detyrë që dëshirojmë ta plotësojmë me monografinë “Agresioni ushtarak-Gusht ‘49”.

Në këtë agresion ranë 87 kufitarë dhe oficerë të cilët janë Dëshmorë të Atdheut, midis tyre dhe Heroi i Popullit Memo Nexhipi, u plagosën mbi 100 ushtarë, kuadro dhe civilë, u dekoruan me “Urdhërin e Trinërisë” mbi 180 ushtarë, oficerë dhe civilë dhe Postës Kufitare të Vidohovës ju dha titulli “Hero i Popullit”. 

Filed Under: Histori Tagged With: Bernard Zotaj

INKUNABULA GJERMANE NGA VITI 1493 SI BURIM I RËNDËSISHËM HISTORIK PËR GJERGJ KASTRIOTIN SKENDERBEUN, SHQIPËRINË, EPIRIN DHE ILIRINË

August 1, 2022 by s p

Ilustrimi 5-faqja 2 e inkunabules, 23.12.1493-b
Ilustrimi 2-faqja e pare e inkunabules 23.12.1493
Ilustrimi 4-Albania, f, 274v e inkunabules, 23.12.1493
Ilustrimi 3- Shkodra, f, 273b, e inkunabules, 23.12.1493
Ilustrimi 1- Frontespici i inkunabules, 12.07.1493

[Schedelsche Weltchronik (Liber Chronicarum, opus de temporibus mundi]

Botimi i parë i kronikës së Schedelit është bërë në latinisht më 12 korrik të vitit 1493, ndërsa botimi i parë në gjermanisht është bërë më 23 dhejtor të vitit 1493 nga botuesi Anton Koberger, në Nuremberg,pra, kemi dy botime brenda një viti, më mirë me thënë brenda disa muajsh. Botimi i dytë latinisht më 01 shkurt të vitit 1497.- Kronika e botës në gjuhën latine është shtypur në 1.400 ekzemplarë dhe ka 656 fletë, ndërsa botimi në gjermanisht është shtypur në 700 ekzemplarë dhe ka 597 fletë.

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Një ndër veprat më të famshme në shekullin XV është e ashtuquajtura Schedelsche Weltchronik – Liber Chronicarum, opus de temporibus mundi, që është ndër veprat e para historike nga një intelektual gjerman. Kjo kronikë shqyrton lindjen e qyteteve më të rëndësishme gjermane, botës perëndimore, sjell informacion për perosnalitet dhe ngjarjet më të rëndësishme të kohës etj.

Rëndësia e kësaj kronike për popullin shqiptar, është se Hartmann Schedel në “Kronikën” e tij jep disa të dhëna historiko-gjeografike për disa qytete shqiptare, pastaj informacione për Ilirinë, Epirinë dhe Arbërinë, të mbështetura kryesisht te autorët antikë si dhe disa njoftime për prejardhjen e shqiptarëve etj. Në libër gjejmë po ashtu të dhëna edhe për Gjon Kastriotin, të atin e Skenderbeut, që Schedel e quan Kamusa, pastaj informacione për luftërat dhe fitoret e Gjergj Kastriotit Skënderbeut kundër turqve; marrëdhëniet e tij me Vatikanin – papën Kalistin III, si dhe disa shënime për tradhtinë e nipit të Skënderbeut, Hamza Kastriotit, të cilin ky e zë rob dhe e dërgoi në burg te mbreti i Napolit Alfonsi V, etj. 

Është për t’u lakmuar se si Schedel ka arritur të shtjellojë një lëndë jashtëzakonisht voluminoze, duke na paraqitur gjithçka kishte mundur të mblidhte, sistemonte, përgatiste nga literarura e botuar, dorëshkrimet, dokumentat, kronikat e shumta dhe burimet e tjera që disponoheshin në atë kohë. 

Pavarësisht nga gjithë këto, si dhe nga njohuritë e jashtëzakonshme prej dijetari, kronika e Schedel-it është e tejkaluar në shumë pjesë, informacione dhe të dhëna, për shkak të zbulimeve të reja dhe arritjeve shkencore. Megjithatë është befasues fakti që ai disponote gjithë ato të dhëna e informacione në atë kohë. Bie në sy skrupuloziteti dhe gjenialiteti i tij, te paraqitja e pemëve gjenealogjike të familjeve fisnike dhe listave të papëve, portetet e të cilëve janë të ilustruara me ngjyra, duke përdorur kronologjitë e njohura e kohës për vende të ndryshme, krahina e rajone të ndryshme si dhe renditjen dhe përshkrimin e figurave të rëndësishme historike jo vetëm gjermane, por edhe botërore, duke i shoqëruar me një regjistër alfabetik. Në kronikat e njohura botërore të Gjermaneve të viteve të fundit të mesjetës, [kur jetoi dhe veproi Schedel-i] gjithashtu, ngjarjet historike janë të gërshetuara me digresione me temë nga katastrofat natyrore, luftrat, njoftimet për themelimet e qyteteve, etj., duke mos përjashtuar edhe ngjarjet që kanë ndodhur në pjesët e tjera të botës, duke i paraqitur dhe shtjelluar ato në mënyrë paralele me rrëfimet biblike, etj.

Kronika e Schedel ndryshon nga shumë botime të tjera të ngjashme si dhe kopje dorëshkrimesh të kronikave në qarkullim, si për nga trajtimi i saj humanist, rrethi akademik që e përgatiti, trajtimi i veçantë i shkencave natyrore dhe filozofisë edhe nga ana tjetër përmes marrëdhënies së re dhe të përshtatshme të tekstit dhe imazhit që i japin mundësi lexuesit jo vetë të lexojë ngjarjet dhe ndodhitë historike, por edhe të shikojë në to përmes ilustrimeve dhe gravurave të shkëlqyera. Ilustrimet paraqesin vazhdimësinë e epokave në mënyrë të pandërprerë dhe të përshtatshme. Përgatitja intelektuale dhe diapazoni i gjerë i diturive shkencore dhe akademike për të cilin termi “enciklopedi” i sajuar në antikitetin klasik është adoptuar në punë madhështore, sepse përmban gjithçka që vihet në dukje nga shkenca natyrore, shoqërore, teologjike, filozofia dhe letërsia. Koncepti i kombinuar i diturisë i përhapur nga humanizmi gjen një pasqyrim shprehës në këtë botim.

Hartman Schedel lindi më 13 shkurt të vitit 1440 në Nuremberg dhe vdiq më 29 nëntor të vitit 1514, po në Nuremberg. Studioi në Laipzig në vitet 1456-1462, ku mori titullin Magister Artium në vitin 1459. Gjatë kohës së studimit ai njohu shumë humanistë të kohës, ndër të tjerë edhe Peter Luder (1410-1472), i cili ishte pedagog në Laipzig. Leksionet e Luder-it, që i kishte shkruar vetë Schedel-i, sot ruhen në Bayerische Staatbibliothek në Mynih (në sign. clm 261). Në vitin 1463, Schedel vazhdon studimet në Padova, duke studiuar mjekësinë dhe njëherësh edhe parimet bazë të greqishtes me profesor Demetrios Chalkondydes (1424-1511). Më 17 prill 1466, mbron doktoraturën në fushën e mjekësisë dhe kthehet në Nurembergut. Në vjeshtën e vitit 1470, Schedel punon si mjek në Nördlingen, ndërsa në vitin 1477 në Bamberg, dhe nga viti 1484 përfundimisht në Nuremberg.

Duke filluar që nga viti 1456 Schedel, kopjon dorëshkrime dhe libra të botuar, por edhe blen libra të ndryshëm (sot të njohur si: inkunabula). Një moment i rëndësishëm në jetën e tij është viti 1485, kur trashëgon një bibliotekë shumë të pasur nga i xhaxhai, Hermann Schedel (1410-1485), cili gjithashtu ishte mjek dhe humanist i njohur. Kjo bibliotekë do të bëhej bërthama e një biblioteke të madhe humaniste në Nuremberg. Biblioteka e Schedel-it është një pasqyrë e interesave të tij filozofike-shkencore dhe pjesa dërrmuese e saj me afro 370 dorëshkrime dhe 670 libra, kryesisht inkunabula (të botuara para vitit 1500) ruhen edhe sot e kësaj dite në fondet e Bayerische Staatsbibliothek në Mynih, të shoqëruara me një inventar origjinal, të përpiluar më 1498, i cili fillon me regjistrimin e veprave të gramatikës, logjikës, retorikës, astronomisë dhe astrologjisë, matematikës dhe filozofisë, të shoqëruara nga shumë libra që kanë të bëjnë me studia humanitatis të Schedel-it. Pastaj vijojnë shkrimet mbi mjekësinë dhe kirurgjinë, që kanë të bëjnë me profesionin e tij, por gjithashtu edhe mbi shkencën e historisë. Vetëm se në fund ai fut në listë librat e tij mbi fenë dhe teologjinë. 

Biblioteka e Schedel-it ka një vlerë të jashtëzakonshme, sepse duke analizuar përbërjen e saj ne njihemi me inetesin e tij shkencor prej dijetari, kryesisht në fushën e kozmografisë dhe gjeografisë, por gjithashtu me dashurinë e tij për librat, veçanërisht për ato me lidhje të kushtueshme prej pergameni, me ilustrime dhe dekorime të praruara në flori, dhe më kryesorja, aty gjendet edhe njëri prej koleksioneve grafike më të rëndësishme të kësaj periudhe, i cili në tërësi është origjinal. Mënyra se si i trajtoi Schedel-i librat e bibliotekës së tij private, tregon se sa intensivisht e studioi ai përmbajtjen e tyre, duke bërë shënime dhe komente të shumta në margina dhe brenda rreshtave të pothuajse gjithë faqeve të tyre. 

Kronika e botës në gjuhën latine është shtypur në 1.400 ekzemplarë dhe ka 656 fletë, ndërsa botimi në gjermanisht është shtypur në 700 ekzemplarë dhe ka 597 fletë. [Përafërsisht 400 ekzemplarë origjinalë të versionit latin dhe nja 300 ekzemplarë origjinalë të versionit gjerman kanë mbijetuar në tërë botën]. Libri në të dy gjuhët ka dimensione 32,5 x 47 cm. Përmban 1804 ilustrime dhe vinjeta, një pjesë e mirë e të cilave janë me ngjyra dhe 652 gravura. Ka shumë të ngjarë që iniciativa për kronikën e Schedel-it – sikurse për projektet e tjera të mëparshme historike dhe bibliografike – erdhi nga Schreyer, me ndihmën financiare të Kammermeister-it.

Botimi i parë i kronikës së Schedelit është bërë në latinisht më 12 korrik të vitit 1493, ndërsa botimi i parë në gjermanisht është bërë më 23 dhejtor të vitit 1493 nga botuesi Anton Koberger, në Nuremberg,pra, kemi dy botime brenda një viti, më mirë me thënë brenda disa muajsh. Botimi i dytë latinisht më 01 shkurt të vitit 1497. /Ne kemi shfrytëzuar të tri këto botime nga të cilat edhe sjellim disa ilustrime/. Anton Koberger (1440-1513) dispononte në atë kohë një dhomë me 18 presa shtypëse, dhe kishte të punësuar më shumë se 100 radhitës, shtypës dhe ndihmesa. A. Koberger kishte filluar botimin e librave në Nuremberg  rreth vitit 1470 dhe brenda 30 viteve deri me vitin 1500 botoi rreth 250 tituj, duke përfshirë shumë vepra të ilustruara nga viti 1482 e tutje. Disa nga botimet e tij më të njohura janë Bibla në dy vëllime në gjuhën gjermane (e ashtuquajtura Bibla e “Nëntë Gjermane”) e vitit 1483, të cilën ai e ilustroi me 109 vinjeta, etj. Ilustrimet e kronikës që numërohen në 1809 të tilla, janë bërë me teknikën e Holzschnitte-ve, d.m.th. vendosjes në presë të copave të holla prej druri të pikturuara që gjatë presës stamponin letrën. Përgatitja e Holzschnitte-ve u ishin besuar: Michael Wohlgemut (1434-1519) dhe Wilhelm Pleydenwurff (1450-1494). Mendohet që që popullaritetin e madh që gëzonte kjo kronikë e fitoi për shkak të këtyre zbukurimeve të shkëlqyera të veprës.

Ndërtimi i kronikës orientohet sipas skemës mesjetare të ndarjes së epokave të botës, të marrë nga antikiteti. Paraqitjet e ngjarjeve u mbeten besnike ndaj pikëpamjeve të kishës dhe nuk u përgjigjen shkrimeve kritike të një humanisti. 

 Struktura e librit të Kronikën e Botës (Weltchronik–Liber chronicarum) është:

– Epoka e parë, që nga krijimi deri te përmbytja e botës 

– Epoka e dytë që nga pëmbytja e botës deri te lindja e Abrahamit

– Epoka e tretë që nga lindja e Abrahamit deri te mbretëria e Davidit

– Epoka e katërt që nga fillimi i mbretërisë së Davidit deri te robërimi i babilonasve

– Epoka e pestë që nga robërimi i babilonasve deri te lindja e Krishtit

– Epoka e gjashtë (dhe më e gjata) që nga lindja e Krishtit deri në ditët tona. [1493].

Për veprën e tij Schedel-i u mbështet në një numër të madh burimesh të ndyshme: dorëshkrimesh, kronikash të shkruara me dorë, pamfletesh, literaturë profesionale të mjekësisë, pastaj te puna e humanistëve bashkëkohorë të Rilindjes italiane dhe gjermane, nga Bokaçio dhe Petrarka, nga shkrime të shumta gjeografike dhe kozmografike të Ptolemeut, Strabonit dhe Pomponius Mela (shfrytëzoi koleksionin e dorëshkrimeve private), Stephan Fridolin’s Schatzbehalter të botuar nga Anton Koberger në Nuremberg më 1491, pastaj Peregrinatio in terram sanctam (Mainz, 1486), Bernhard von Breydenbach, kanuni i Mainz-it, me ilustrime nga Erhard Reuwich, Fasciculus temporum nga Werner Rolevinck botuar në Utrecht në vitin më 1480, dhe veçanërisht, për ilustrimet e tij gravura dhe të tjera nga Jacobus Philipus Supplementum chronicarum… botuar në Vendik më 1492. Vend të posaçëm zënë edhe Vulgata dhe shkrimet historike të Diodorus Siculus, të përkthyera në latinisht nga humanisti fiorentinas Poggio (Venedik, 1481). Për hartimin e historisë së papëve, Schedel-i iu referua Liber de Vita Christi et pontificum. Për mesjetën ai u mbështet te Flavio Biondo (1388-1463), Decades historiarum ab inclinatione Romani imperii, (1483); dhe te humanisti italian (më vonë edhe papa Piu II) Enea Silvio Piccolomini (1405-1464; Europae…; Asiae…, dhe bëri kopjen e vet me shkrim dore të Histori Bohemica (e cila sot ruhet në Bayerische Staatsbibliothek, Mynih, sign. clm 476) , si edhe Historia rerum ubisque gestarum in Europa sub Friderico tertio imperatore ( 1457; e cila sot ruhet në Bayerische Staatsbibliothek në Mynih, sign. clm 386).

Qyteti i Nurembergut nuk ishte qendër universitare në shek. XV-XVI, por në fakt, ishte qendër e tregtisë dhe zejtarisë, dhe gjithashtu një ndër qendrat më të njohura të humanizmit në Gjermani. Kishte mendimtarë që Nurembergun e krahasuan për nga fama, roli dhe rëndësia në mesjetë me qytete të tilla si “Roma e Athina e lashtë.” Rol të veçantë për emrin e mirë të Nurembergut kishin edhe qytetarët dhe fisnikët e tij të nderuar si Hartmann Schedel (1440-1514), Johannes Löffelholz (1448-1509) dhe Willibald Prickheimer (1470-1530), të cilët ishin kthyer në qytetin e tyre të lindjes me ide humaniste pas studimeve të kryera në Itali për drejtësi dhe mjekësi. Të gjithë këta, kishin një mik të përbashkët, humanistin e madh Conrad Celtis (1459-1508) i cili, nga ana e perandorit Frederiku III, u nderua me titullin “Poet i oborrit perandorak” në Kështjellën e Nurembergut në vitin 1487, i cli vazhdimisht komunikonte me të gjithë në forma dhe mënyra të ndryshme, takime private, letërkëmbime, ftesa për pushime etj. Nga kjo kohë janë të shquar edhe humanistët tjerë të Nurembergut si: Johannes Müller (i njohur si Regiomontanus, (1436-1476, kishte një letërkëmbim me humanistin tonë të njohur, astronomin dhe matematikanin Gjon Gazuli, që jetonte në Dubrovnik), Martin Behaim (1459-1507) dhe  Johannes Werner (1468-1522), të cilët me veprat e tyre u bënë të njohur në fushat e shkencave natyrore, astrologjisë dhe astronomisë.

Në vazhdim sjellim të përkthyera në gjuhën shqipe pjesët më kryesore që kanë të bëjnë me Epirin, Arbërinë dhe Ilirinë nga libri i Schedelit, botimi latinisht i viti 1493:

Për trevën e Epirit

Treva e Epirit, gjendet në perëndim, në malësinë veri-perëndimore të Greqisë dhe shtrihet në lindje deri në luginën e Ambrakisë në stadin 1300, në veri [kufizohet m.a.] me Maqedoninë dhe në lindje përplaset me Akaiën deri në lumin e Akelum. Në perëndim arrin deri në detin Jon. Në këtë trevë shkruan Teopompus kanë qenë 24 popuj. Historianët raportojnë që kjo pjesë e tokës  buzë detit ka qenë e lumtur dhe prodhimtare dhe që dikur në të kanë qenë shumë qytete dhe kështjella të forta. Por nga kryeneçësia e popullit [të Epirit m.a.] kundër Romakëve, kjo provincë u shkatërrua. Dhe Polibius raporton 70 qytete epirote u shkatërruan nga perandori Paulo Emili pas mposhtjes së maqedonasve dhe të mbretit të Persëve. Në këtë trevë epirote ka ndodhur beteja e paharrueshme e Aktikës, në të cilën perandori August në një betejë me shigjeta luftoi me zemërim dhe mposhti Mark Antonin dhe Kleopatrën, mbretëreshën e Egjiptit. Për këtë shkak Augusti ka sheshuar në luginën e Ambrokisë një qytet, Nikopolin, si shenjë fitoreje.

Arbëria 

Arbëria ka qenë dikur një pjesë që i përkiste Maqedonisë. Në të gjendeshin dikur dy qytete të quajtura Dirachium dhe Apollonia. Gjuha e këtij populli nuk është e njohur as nga grekët dhe as nga sllavët. Ne besojmë që ky fis ka ardhur dikur nga Albania që është pranë Kolkideve në Skithinë Aziatike, pasi dyndja e popullit barbar ka shqetësuar shpesh vendet e popujve grekë dhe welsche. Në këtë vend ka qenë i pushtetshmi Kamuza, [është fjala për Gjon Kastriotin m.a.] që kishte lindur nga prindër të krishterë, që mohoi besimin e krishterë dhe u drejtua tek absurditeti muhamedan. Por aq lehtë sa braktisi krishtërimin po kaq lehtësisht e refuzoi edhe supersticionin muhamedan dhe u kthye përsëri tek ligji atëror. Dhe pasi i përçmoi të dyja besimet e donte që të vdiste më mirë si i krishterë sesa si turk, dhe vdiq pak pas rënies së Konstantinopolit, të cilin e trashëgoi Georg Scanderbechus, [Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, m.a.] i lindur nga familje finsike. Ai thjesht donte që t’i harxhonte të gjitha ditët e tij duke luftuar me armë dhe luftë në emër të krishërimit dhe mundi dhe shkatërroi ushtri të mëdha të turqve dhe ai vetëm e mori këtë trevë në ungjillin e Krishtit, siç thuhet tani në pjesën më të madhe është shkretuar nga armët armike. Mbreti Alfons dërgoi shpesh luftëtarë në Shqipëri, e mori Krujën nën sundimin e tij dhe e mbrojti atë nga turqit. Djali i vëllait të sipërpërmendurit Skëndërbe, [Hamzai m.a.] i cili ishte lidhur me turqit, u kap nga i njëjti kurshëriri i tij, [Skenderbeu m.a.] u dërgua tek mbreti Alfons dhe u fut në burg. Papa Kalikst e ndihmoi Scenderbecho-n me para. 

Iliria

Për Ilirinë ose vendin e windëve [ilirëve, m.a.]. Pas trevës së Shqipërisë vijnë popujt Ilirë drejt perëndimit dhe drejt veriut. Këta njerëz tani ne i quajmë windë [ilirë m.a.]: ca quhen boshnjakë, ca dalmatë, ca kroatë, ca histrianë dhe ca krainas. Boshnjakët gjenden në brendësi të vendit pranë hungarezëve drejt veriut, të tjerët janë vendosur pranë detit dhe arrijnë deri në burimet Timanit: atje përballen me italianët dhe me hungarezët. Por lumi Timan rrjedh në brendësi deri në gjirin më të thellë të detit Adriatik. Megjithëse mbreti Stefan në Bosnjë ndjek besimin e krishterë, për një kohë të gjatë ai iu përmbajt sakramentit të pagëzimit. Pastaj ai kërkoi në prezencën e tij Gjonin, kardinalin e engjëllit të shenjtë nga i cili mori pagëzimin e shenjtë dhe filloi një luftë me turqit. Në këtë trevë ka shumë heretikë maniche, të cilët kanë dy besime, një të mirë dhe një të keq. Dhe është i vetëmishëruar. Manastiret e tyre i kanë në qoshe të fshehta midis maleve. Kur gratë rëndohen nga sëmundja ata iu drejtohen atyre që të mund t’i shërojnë. (…)

Në rastin e Kronikës së Schedel-it ne jemi në gjendje që të rikonstruktojmë jo vetëm historinë e krijimit e botimit të saj, bashkëpunimin midis autorëve dhe ilustruesëve dhe përpjekjet e bashkuara të financuesëve dhe botuesëve të saj, por gjithashtu edhe kontekstin shpirtëror dhe intelektual të humanizmit në Nuremberg. Poashtu, gjithnjë duke shfrytëzuar burimet arkivore origjinale dhe fondet e dorëshkrimve të bibliotekave, mund të përcjellim shitjet dhe shpërndarjet edhe së fundi ribotimet e pa autorizuara nga botuesë të ndryshëm konkurent, si dhe ato të autorizuara. Kronika e Schedel e vitit 1493 si rrjedhim bartë dëshmi madhështore të artit të mëparshëm të shtypshkrimit, duke u mbajtur me idetë humaniste, pë aftësit e shpërndarjes së informatës. Jo vetëm arti i shtypjes, ilustrimet, gravurat por, edhe vetë përmbajtja në fund të fundit, e bëjnë këtë libër të çmuar, temë stduimi dhe burim të pakrahasuar për kohën kur u shkura, duke sfiduar jo vetëm vitet [kohën] por edhe ngjarjet së bashku me historinë e Evropës.

Filed Under: Histori Tagged With: Musa Ahmeti

109 VJET NGA  NJOHJA NDËRKOMBËTARE E SHQIPËRISË

July 30, 2022 by s p

Adil FETAHU/

Fundi i muajit korrik të sivjem shënon 109-vjetorin e njohjes ndërkombëtare të subjektivitetit juridik të Shqipërisë. Kjo ishte njohje kolektive nga Konferenca e Ambasadorëve të gjashtë Fuqieve të Mëdha, mbajtur në Londër më 29-31 korrik 1913. Me këtë njohje, shteti shqiptar fitoi subjektivitet juridik ndërkombëtar. 

Edhepse shqiptarët e kishin shpallur pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912,  vetëm dy javë më pas,  gjashtë fuqitë  e  mëdha të asaj kohe: Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austrohungaria, Italia dhe Rusia, në Konferencën e ambassadorëve të tyre në Londër më 17 dhjetor 1912, kishin vendosur që Shqipëria të mos jetë e pavarur, por të jetë një provincë atonome nën sovranitetin e Perandorisë Osmane, respektivisht të Turqisë, pa caktuar as kufijë e asaj province.

Derisa Konferenca në Londër zhvillonte punimet, aleanca ortodokse e monrakive të Ballkanit: Serbia, Mali Zi, Greqia dhe Bullgaria, kishin pushtuar pjesën më të madhe të tokave shqiptare. Qeveria e Vlorës nuk kontrollonte as një të katërtën e territorit të Shqipërisë. 

Duke parë shkatërrimin e Perandorisë Osmane nga luftërat ballkanike, që ishte e sigurtë se Perandoria Osmane,  nuk ishte në gjendje të sundojë më tutje në Shqipëri, Austrohungaria dhe Italia, duke u nisur nga interesat e tyre, i kishin paraqitur Konferencës së Londrës një projekt të ri për pavarësinë e plotë të Shqipërisë.

Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit

Pas një lufte të ashpër diplomatike në baza të interesave të ndryshme dhe të kundërta të fuqive të mëdha, Konferenca e Ambasadorëve, në mbledhjen e mbajtur në Londër më 29 – 31 korrik 1913, kishte vendosur që Shqipëria të bëhej e pavarur dhe neutrale e të vehej nën kontrollin ndërkombëtar të Fuqive të Mëdha, kurse në krye të shtetit shqiptar të caktohej një princ i huaj. Ishte vendosur të formohej Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, i përbërë nga përfaqësuesit e gjashtë Fuqive të Mëdha dhe përfaqësuesi i Shqipërisë. Komisioni u formua më 15 tetor 1913,  me këtë përbërje:

1.Harri Harling Lamb, përfaqësues i Britanisë së Madhe

2.Leon Alphonse-Thadee Krajewski, përfaqësues i Francës

3. Aristotele Petroviq; August Kral, përfaqësues të Austrohungarisë

4. Julius Vinckel , përfaqësues i Gjermanisë

5. Alesandro Leoni; Carlo Galli, përfaqësues të Italisë

6. Aleksandr Mihajlloviq Petrjaev, përfaqësues i Rusisë

7. Myfit bej Libohova; Mehdi bej Frashëri, përfaqësues të Shqipërisë.

Në punën e Komisionit secili nga Fuqitë e Mëdha dhe Shqipëria përfaqësoheshin me nga një anëtar, por këtu paraqiten nga dy emra, për shkak se ndonjeni prej anëtarëve ishte ndërrua gjatë periudhës sa ka funksionuar Komisioni (15 tetor 1913 – 9 shtator 1914.

Selia e Komisionit ishte në Vlorë. Komisioni hartoi Statutin organik të organizimit dhe funksionimit të shtetit Shqiptar. Ai Statut mund të konsiderohet si kushtetuta e parë e shtetit shqiptar, sepse me të rregulloheshin çështje të natyrës kushtetuese. Statuti përmbante 216 nene, të sistemuara në 17 kapituj, me të cilat rregulloheshin këto çështje:

  1. Shqipëria (shteti) dhe territori i saj,
  2. Sovrani
  3. Popullsia
  4. Legjislativi
  5. Organet e qeverisë
  6. Administrata lokale
  7. Financat
  8. Punët publike
  9. Forcat e armatosura
  10.  Drejtësia
  11.  Kulti (besimet)_
  12.  Institucionet publike
  13.  Prona themelore
  14.  Bujqësia, tregtia dhe industria
  15.  Postat, telegrafi dhe telefonat
  16.  Lidhjet e jashtme
  17.  Ankimimet administrative.

Sipas Statutit organik të Komisionit të Fuqive të Mëdha, Shqipëria ishte projektuar të jetë monarki kushtetuese, me një asamble me fuqi legjislative. Territori ishte ndarë në pikëpamje administrative në shtatë rrethe, rrethet në kaza e kazatë në nahije, sipas organizimit që ka pasur nën PerandorinëOsmane.  Secili prej rretheve do të zgjedhte,me vota të drejtpërdrejta,  nga tre përfaqësues për Asamblenë Kombëtare; Princi do të emëronte dhjetë përfaqësues dhe tri bashkësitë fetare do të zgjedhnin nga një përfaqësues në Asamblenë Kombëtare, e cila do kishte mandat katërvjeçar. Princi do të emëronte Këshilin e Ministrave, me kompetenca ekzekutive.

Zgjedhja e Princit për Shqipërinë

Për pozitën e principit të Shqipërisë kishte shumë pretendentë nga familjet mbretërore të shteteve të Europës. Ishte bërë një tentim nga Xhonturqit, që për princ të Shqipërisë të dërgohej ministri i luftës i Perandorisë Osmane, Izet  Pasha, që ishte me origjinë shqiptare. Me gjasë, për këtë ishin pajtuar edhe  Ismail Qemali dhe Esat Pasha,  me shpresë se me forcat ushtarake të Perandorisë, princi do të përzente ushtritë serbe, malazeze e greke nga territori i Shqipërisë. Por ai komplot u dekonspirua dhe dështoi, veçse shkaktoi që besimi i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit në Ismail Qemalin të zbehej. Madje ky do të jetë shkaku që ndaj Ismail Qemalit të bëhej presion nga Komisioni për të dhënë dorëheqje nga Qeveria e tij e përkohëshme. 

Pas të gjitha pretendimeve dhe ofertave, Konferena e Londrës, në tetor 1913, kishte vendosur që në fronin e princiit të Shqipërsë të jetë gjermani Wilhelm Friedrich Heinrich von Wied, një protestan i cili nuk i përkiste asnjë besimi fetar që kishin shqiptarët. Më 1 nëntor ishte shpallur se princ Wiedi do të zëjë fronin  mbretëror të Shqipërisë. Këtë shpallje, gjoja e kishte mirëpritur dhe e kishte pëlqyer kryetari i Qeverisë së Përkohshme në Vlorë, Ismail Qemali, duke shpresuar se me këtë do të sigurohej pavarësia, njohja ndërkombëtare dhe zhvillimi i përgjithshëm i shtetit shqiptar. Në këtë kontekst, Ismail Qemali  më 22 janar 1914, jep dorëheqjen e Qeverisë së tij dhe qeverisjen ia dorëzon Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Duke marrë parasysh rastin e komplotit xhonturk, për ta dërguar përfaqësuesin e tyre për princ të Shqipërisë dhe pajtimin e Ismail Qemalit për këtë, të gjitha gjasat janë se mbi Ismail Qemalin u bë presion nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit për të dhënë dorëheqje. Por, pavarësisht nga shkaqet, ia vlenë të lexohet raporti i Komisioit për momentin e dorëheqjes. Ja se çka shkruante në raportin e atij Komisioni, të datës 22 janar 1914:

“Sot, më 22 janar 1914, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit shkoi te Shkëlqësia e tij Ismail Qemal Beu. Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, i bindur se i vetmi mjet për t’i dhënë funt përçarjes dhe anarkisë në vend është që të formohet një qeveri e vetme për të gjithë Shqipërinë dhe se në rrethanat e tashme, ky qëllim mund të arrihet vetëm po t’ja dorëzojë pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, që përfaqëson Fuqitë e Mëdha, përsëriti kërkesën, që i kishte paraqitur më parë, në prani të ministrave të tij, që Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, që të marrë përsipër këtë detyrë dhe ta marrë pushtetin në dorëzim.

Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit  çmon për së tepërmi ndjenjat patriotike që e frymëzuan Shkëlqësinë e Tij Ismail Qemal Beun, dhe me këtë rast pranon që sot të marrë në dorëzim pushtetin, duke qenë rregullisht i autorizuar nga Fuqitë e Mëdha, merr përsipër në emër të qeverisë që përfaqëson administrimin e Shqipërisë.”

Pasojnë nënshkrimet: Ismail Qemal, Petroviq, Leon, Krajevski, Hari Lemb, Leoni, Petriaev.

Po atë ditë, Ismail Qemali i dërgon letër Prefekturës së Elbasanit, me të cilën tregon shkaqet e dorëheqjes së tij nga kryesia e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Dhe, ja se ç’shkruante në letrën e tij:

PREFEKTURËS SË ELBASANIT 22 janar 1914

“E mbajta në dorë plot 14 muaj dhe e administrova pa ndonjë të metë pushtetin qeveritar që ma besoi mua delegacioni kombëtar që shpalli Pavarësinë tonë Kombëtare dhe përdora të gjitha mjetet që të sigurohej tërësia kombëtare e Shqipërisë. Do të ushqej ndjenja mirënjohjeje deri në vdekje për përkrahjen që më dhanë të gjithë miqtë e shokët, të cilët në qendër e në qarqe bashkëpunuan me mua, si dhe për besimin e madh të kombit ndaj meje deri më sot. 

Disa ngjarje të mjerueshme të shkaktuara nga disa anë, që u ushqyen nga ambicje e nga interesa personale dëmtuan harmoninë e shtetit, për të cilën sot e gjitmonë kishte nevojë vendi ynë dhe e futën në një anarki njësinë qeveritare. Kështu çështja jonë kombëtare u vu përballë një rreziku të madh. U detyrova t’i jap fund kësaj gjendjeje fakeqe, e cila do të kapërcehej vetëm me ekzistencën e një qeverie kompakte, të fortë e me influencë. E sigurimi tani i një qeverie të tillë ishte një detyrë atdhetare që rëndonte mbi mua. Për këtë qëllim iu drejtova Fuqive të Mëdha, duke u paraqitur si modus vivendi marrjen e qeverisë në dorë nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, deri sa të vinte mbreti i Shqipërisë. M’u pranua dëshira ime që paraqita në këtë rast dhe Komisioni në fjalë, i mbledhur sot, në praninë time, më deklaroi pranimin e kërkesës sime nga Fuqitë e Mëdha.  Kështu redaktuam dhe nënshkruam një kontroll, në bazë të të cilit pushtetin qeveritar ua lash në dorë atyre dhe unë u largova nga kyesia e qeverisë kombëtare. Jam i sigurt se do do të çmohet nga i gjitë kombi e nga kolegët e qeverisë sakrifica ime, që ka për qëllim shpëtimin e kombit, duke lëshuar fatin e atdheut për një kohë të shurtër në duart mrojtëse të Fuqive të Mëdha e duke u largur nga kryesia këtë herë. Këtë sakrifiëe e bëra edhe kur kreva detyrën time atdhetare, duke e udhëhequr  kombin në shpalljen e Pavarësisë. 

Ju bëj të njohur se ditët që më anë mbetur nga jeta ime do t’i vë në shërbim të atdheut dhe ju porosis sinqerisht t’u shtroheni të tërë urdhërave, ashtu siç është dëshira ime, të nderuarit Komision Ndërkombëtar që mori mbi vete administrimin e vendit me qëllim dashamirës për t’i dhënë fund agresionit të jashtëm dhe trazimeve të brendshme. Ju them lamtumirë dhe lëshoj ndër duart e  Perëndisë atdheun e kombin”.

Ish-Kryetari i QeverisëKombëtare

Ismail Qemali

Po atë ditë, 22 janar 1914, Drejtori i Përgithshëm i Punëve të Brendshme, i Qeverisë së Vlorës, me një qarkore i njohton prefekturat e Vlorës, Beratit dhe Elbasanit, se Kryetari i Qeverisë së Vlorës ia dorëzoi me vullnetin e tij qeverinë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit të Fuqive të Mëdha.  Përmbajtja e njoftimit është si vijon:

-“Shkelqësia e Tij, Ismail Qeml Beu, kryetar i ndritur i Qeverisë sonë Kombëtare, lëshoi në dorë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit qeverinë dhe u largua nga kryesia e saj, me vullnetin e tij të plotë, për të vetmin qëllim të lartë që dhe këtë herë Shqipëra të gjejë rrugën e saj të shpëtimit e të lumturisë dhe të forcohet pushteti qeveritar i lëkundur që prej disa kohësh. Krejt administrata e vendit i është besuar Komisionit të Kontrollit. Ky Komision më ngarkoi mua me titull Drejtor i Përgithshëm i Punëve të Brendshme, detyrën për të shikuar e administruar punët e të gjitha qarqeve. Këtej e tutje do të njihni si autoritet  funksionin tim, për të gjitha punët e brendshme, të cilat do t’i administroj unë në emër të Komisionit të Kontrollit. Do të korespondoni me mua dhe do të keni kujdes për kryerjen e detyrës.  Është vendosur që të gjithë nëpunësit të mbeten në postet e tyre ku janë sot. Në këtë kohë kur Atdheu ynë ka nevojë më tepër për qetësi, priet bindje nga kolegët tuaj nëpunësa e nga gjithë Kombi, se kështu do ta provojnë ata patriotizmin e tyre. Veçanërisht ju lutemi që në këtëdrejtim t’i bëni komunimin e duhur gjithë qarkut.

(Nuk kanënshkrim)

Lidhur me dorëheqjen e Ismail Qemalit nga detyra e kryetarit të Qeverisë së Përkohshme, kishte kryesisht reagime përkrahjeje.  Këtu më poshtë po i transmetojmë disa sosh, marrë nga libri: “Ismail Qemali – Përmbledhje dokumentesh,1888- 1919, redaktuar nga Teuta Hoxha. Prej të njëjtit burim i kemi marrë edhe dokumentet tjera të cituara, në kurziv.

Përfaqësuesit e strukturave udhëheqëse të Elbasanit, më 23 janar i kishin dërguar urimet dhe përkrahjen Ismail Qemalit për aktin burrëror e patriotik. Në telegramin e dërguar nga Elbasani shkruan:

Të nderuarit zotëri Ismail Qemal Bej, Vlorë

Me gjithë shpirt ju lutem të pritni urimet e nxehta tonat për burrnijën e atdhetariën që dëftyet. Kjo therori me të vërtetë i gjanë asaj burrënie që ngrite Flamurin për të parën herë në Vlorë. Këto dy punë nuk ka ,me t’i  harrue Shqipënia. Rrnofsh pra ene shumë kohë.

Nënshkruarnga: Ataji, Halimi, Ali, Ajah, Ahmet Dakli.

Në telegramin e dërguar nga Lushnja, shprehet keqardhje për dorëzimin e Ismail Qemalit. Në telegram shkruan:

23 janar 1914

Atdhetarit të madh, shkelqësisë së tij Ismail Qemal Beut,në Vlorë

Lajmi i hidhuri largimit nga kryesia e Qeverisë Kombëtare të një atdhetari të madh si shkelqësia juaj, që e ka bërë jetën fli për shpëtimin dhe pavarësinë e Shqipërisë, u prit me një keqardhje të thellë nga ana e gjithë popullit. Por, vepra e shkëlqësisë suaj, që ka shkatërruar qëllimet e mallkuara të disa keqdashësve të popullit, të cilët si në të kaluarën edhe tashi sakrifikojnë Shqipërië për interesat egoiste personale të tyre, adhurohet prej të gjithëve dhe duke shpresuar t’ju shohim përsëri pas një kohe fare të shkurtër në atë pozitë të lartë, po ju puthim duart me plot respekt”.

(Dokumenti pa nënshkrim)

Më 5 shkurt, Aqif Pasha i shkruante Ismail Qemalit telegram me këtë përmbajtje:

“Gjesti atdhetar i Shkëlqësisë suaj i shton një fletë lavdie shërbimeve të larta atdhetare të tjera nga Ju. Meritoni nderime dhe në këtë rast adhuroj Shkëlqësinë tuaj!

Aqif

Ardhja e Princit

Princi Wilhelm Wied arriti në Shqipëri (Durrës) më 7 mars 1914. Në Portin e Durrësit u prit me brohoritje dhe enthusiazëm të shqiptarëve që kishin ardhur nga të gjitha anët, me shpresë se Wiedi do t’i realizonte dëshirat e tyre. Pas dhjetë ditëve të arritjes në Shqipëri, Princi formoi Qeverinë e tij dhe shpalli Durrësin kryeqytet të Shqipërisë. Kabinetin e qeveritar të Princit e përbënin:

1.Esat Pashë Toptani, ministër i luftës dhe i punëve të brendshme

2.Aziz Pashë Vrioni, ministër i bujqësisë, tregtisë dhe industrisë

3. Myfit Bej Libohova, ministër i drejtësisë dhe i kultit

4. Mithat Bej Frashëri, ministër i financave

5. Hasan Bej Prishtina, ministër i postë-telegrafeve

6. Dr Mihal Turtuli, ministër i arsimit dhe

7. Prenk Bib Doda, ministër i punëve botore

Edhepse u prit me shumë shpresë dhe enthusiazëm, Princi nuk pati sukses në misionin e tij, për shkak se vendi ishte i pushtuar nga ushtritë serbe, greke e malazeze dhe i gjithë vendi ishte i turbulluar me protesta, kryengritje e luftime. Fuqitë e Mëdha nuk e ndihmuan Princin, kur ai kërkonte financime dhe forca ushtarake për t’i përzënë nga Shqipëria ushtritë e hueja. Duke mos pasur përkrahjen nga Fuqitë e Mëdha për të kryer misionin e tij, atij i rrezikohej edhe koka e vet, prandaj u detyrua të largohej nga Shqipëria më 3 shtator 1914, kur Lufta e Dytë Botërore veçse kishte plasur, dhe ato Fuqitë e Mëdha luftonin njena kundër tjetrës, duke u bërë “hashtër-neshtër”. Ato, duke pasur interesa dhe aspirata të ndryshme dhe të kundërta me njëra-tjetrën edhe për territorin e Shqipërisë, nuk arritën që përmes Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe Princit të tyre, ta konsolidojnë shtetin shqiptar në asnjë segment. Lufta e Madhe që e gjeti Shqipërinë në gjendje të mjerueshme, i rriti apetitet e monarkive fqinje që ta copëtojnë dhe ndajnë midis tyre tërë territorin e saj.

Përkundër zhvillimeve dhe mossuksesit të Komisionit Ndërkombëtartë Kontrollit dhe të Princ Vidit, ajo storje e shkurtër e përpjekjeve për konsolidimin e shtetit Shqiptar, ka rëndësinë e vet juridike për historinë e shtetit shqiptar, për konceptet dhe mënyrën e përcaktuar me akt kushtetues për formimin rendin juridik dhe funksionimin e shtetit Shqiptar në një kohë të historisë së tij.

Adil FETAHU

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 214
  • 215
  • 216
  • 217
  • 218
  • …
  • 738
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË
  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT