
Prof.dr.Gjovalin Shkurtaj
Akademik Emeritus/
(Kumtesë e mbajtur në Frasnitë (Frascineto) të Kozencës, në konferencën shkencore përkujtimore me titull “Mbi kontributet e qenësishme të figurës emblematike të kulturës arbëreshe e pankombëtare, At Antonio Belushi”, organizuar nga QSPA, Qendra Albanologjike “A. Bellusci” dhe Komuna e Frasnitës,7-8 nëntor 2026).
Të flasësh për Antonio Bellushin nuk është e lehtë. Nuk është e lehtë, sepse përpara nesh nuk qëndron vetëm një emër në historinë e studimeve arbëreshe, as vetëm një autor veprash e botimesh, por një njeri që e jetoi me pasion të veçantë kërkimin, mbledhjen dhe ruajtjen e dëshmive të jetës shqiptare në diasporë.
Për mua, kjo detyrë ka edhe një kuptim të veçantë. Ndon (Antonio) Bellushi ka qenë koleg, bashkëbisedues, bashkëmendimtar dhe, mbi të gjitha, mik. Prandaj, kur sot përpiqem të sjell para jush disa vlerësime për veprën e tij, bashkë me to më vijnë natyrshëm edhe kujtime të një miqësie të gjatë, letra dhe E-maile me fjalë prej vëllai të dashur. Kam pasur nderin e kënaqësinë të jem i mikpritur në shtëpinë tij dhe, ndërsa ne bisedonim për punë Arbëreshësie e duke pirë një qelqe verë, motra Rina, na përgatise “tumact me ve” (një lloj makaronash me vezë ) e bashkë me ne këndonte këngë arbëreshe.Edhe atë (Ndonin sikundër e thërrisnim vëllazërisht e shqiptarisht), bashkë me të vëllanë, Tomasin, i kam pasur edhe unë mysafirë të nderuar në shtëpinë time në Tiranë. Në një nga ardhjet e tij, me kënaqësi, i kam shkruar dhe Parathënien e librit të tij “Kërkime dhe Studime ndër Arbërorët e Elladhës / Riccerche e Studi tra gliArbëreshe dell’Elladhe”Frascineto,1994 (500 faqe). Po jemi takuar edhe Akademinë e Shkencave, më 15 maj 1995, kur iu dha titulli nderues “Doctor Honoris Causa” me motivacionin: “Për ndihmesën e veçantë që ka sjellë me mbledhjen, sistemimin dhe botimin e etnologjisë dhe folklorit të arbëreshëve të Italisë dhe arbërorëve të Greqisë”, si dhe shumë herë të tjera, kur kam qenë në Universitetin e Kozencës si lektor e ligjërues i gjuhës shqipe në vitet 2000-2002 etj.
Dhe më duket se, për ta përmbledhur më mirë atë që përfaqësonte Bellushi, mund të përdorim një metaforë: ai ishte një mbledhës i palodhshëm i “nektarit” etnokulturor dhe gjuhësor të Arbëreshëve të Italisë dhe Arbërorëve në Greqi.
Nektari i tij ishte fjala e dëgjuar nga goja e njerëzve; ishte shprehja frazeologjike; ishte kënga; ishte rrëfimi; ishte zakoni; ishte kujtesa e një familjeje; ishte emri i një vendi; ishte një copëz e së kaluarës që mund të humbiste bashkë me brezin që e ruante. Sepse, siç ka theksuar Eqrem Çabej “Po për mendimin tonë çështja më djegëse, detyra që shtrohet më me ngutësi, është puna e mbledhjes së materialit të gjuhës, ashtu siç rron nëpër krahinat e ndryshme të vendit tonë e të kolonive të shpërndara andej-këndej.Kjo detyrë imponohet mbi të gjitha të tjerat ,sigurisht edhe mbi punimet teorike, sepse me modernizimin e vendit, ky visar po zhduket, po shkrin si bora në diell”.
Bellushi dinte t’i kërkonte këto copëza, t’i mblidhte, t’i ruante dhe t’ua përcillte brezave.
Një interesim i hershëm dhe i vazhdueshëm për botën arbëreshe.Përpara se të ndalem posaçërisht te Bellushi, më lejoni të them edhe diçka për rrugën time të gjatë të interesimit për botën arbëreshe. Në vitin 1981 kam botuar në revistën Gjuha Jonë shkrimin “Arritje të studiuesve arbëreshë në fushën e shqipes”, ku trajtoja ndihmesat e studiuesve arbëreshë për gjuhën tonë. Më pas, në vitin 1985, në Ylli, botova shkrimin “Të dhëna për kulturën popullore arbëreshe”. Në vitin 1986, së bashku me profesor Mahir Domin, kemi botuar në revistën “Kultura Popullore” recensionin “Botime e njohuri të reja për arbëreshët e Greqisë”. Dhe, natyrisht, kemi përmendur e vlerësuar ndihmesat e vyera të Antoni Bellushit, i cili, si famullitar në ngulimet arbëreshe të Kalabrisë e në vendlindjen e tij, Frasnitë /Frascineto, rrinte gjithmonë me magnetofonin në dorë për të regjistruar e me aparatin fotografik për të fiksuar pamje e mjedise tipike arbëreshe e arbërore.
Në vitin 1988, në po atë revistë, botova shkrimin “Një tufë gazetash arbëreshe”, duke u marrë me një tjetër dëshmi të rëndësishme të jetës kulturore dhe gjuhësore arbëreshe.Këto shkrime po i përmend jo për arsye autobiografike, por sepse dëshmojnë se interesi im për botën arbëreshe ka qenë një interes i hershëm dhe i vazhdueshëm. Brenda kësaj fushe kërkimi dhe njohjeje zë vend të veçantë edhe Antonio Bellushi. Dhe është pikërisht në këtë kontekst që e kam parë dhe e kam vlerësuar punën e tij.
Hulumtues i palodhur dhe i kudogjendur
Në vitin 1998, në “Universi Shqiptar i Librit”, kam botuar recensionin me titull “Hulumtues i palodhur dhe i kudogjendur”. Sot, pas kaq vitesh, mendoj se ky përcaktim e përmbledh shumë mirë një tipar themelor të Bellushit.Ai nuk ishte studiues që priste që materiali të vinte tek ai. Ai e kërkonte materialin aty ku gjendej: në fshatra e qendra arbëreshe, në familje, në kujtesën e njerëzve, në të folmet vendore, në këngë e në rrëfime. Kjo mënyrë pune kërkonte durim, udhëtime, këmbëngulje dhe, mbi të gjitha, dashuri për njerëzit që e ruanin këtë trashëgimi.Në të vërtetë, një pjesë e madhe e pasurisë së një gjuhe dhe të një kulture nuk gjendet vetëm në biblioteka. Ajo jeton në gojën e njerëzve.Bellushi këtë e kishte kuptuar shumë mirë.Ai dinte të dëgjonte.Dhe të dish të dëgjosh është një nga virtytet më të mëdha të studiuesit të kulturës popullore.Nga ninullat arbëreshe të moshës së njomë deri fjalorët e leksikorë e frazeologjikë. Një nga fushat ku puna e Bellushit mori një rëndësi të veçantë ishte frazeologjia.Në vitin 1993, në “Rrezja Jonë”, Shkodër, kam botuar shkrimin “Vepër me vlera gjuhësore e folklorike”, kushtuar veprës së Antonio Bellushit “Dizionario fraseologico degli Albanesi d’Italia e di Grecia – Fjalor frazeologjik i Arbëreshëve të Italisë e të Greqisë”.
Vetë kjo vepër është dëshmi e qartë e mënyrës së tij të punës.Frazeologjia është një nga shtresat më të pasura të gjuhës. Një shprehje popullore nuk është thjesht një bashkim fjalësh. Ajo bart mënyrën se si një bashkësi njerëzish ka menduar, ka ndier, ka vëzhguar botën dhe ka shprehur përvojën e vet.Prandaj, kur Bellushi mblidhte një shprehje, ai në të vërtetë po ruante një copëz të kujtesës kolektive.Këtu qëndron edhe një nga meritat më të mëdha të punës së tij: ai e shihte gjuhën jo si një sistem të shkëputur nga jeta, por si një organizëm të lidhur ngushtë me kulturën dhe me njeriun.
“Fjalori frazeologjik i arbëreshëve të Italisë e të Greqisë” dëshmon pikërisht këtë bashkim të gjuhës me folklorin dhe me jetën shpirtërore.
Arbëreshët e Italisë dhe të Greqisë – një hapësirë e gjerë kujtese dhe “apoteozë shqiptarie”
Një tjetër veçori e punës së Bellushit ishte shtrirja e vëmendjes së tij.Ai nuk e shihte trashëgiminë arbëreshe si një dukuri të kufizuar në një vend të vetëm. Përkundrazi, kërkonte lidhjet, dallimet, vazhdimësitë dhe veçoritë ndërmjet bashkësive shqiptare të shpërndara në hapësira të ndryshme.Kjo është veçanërisht e rëndësishme për studimet tona, sepse arbëreshët e Italisë dhe arbërorët e Greqisë kanë ruajtur, secili në mënyrën e vet, dëshmi të jashtëzakonshme të gjuhës, të traditës dhe të kujtesës shqiptare.Për studiuesin, kjo botë është një arkiv i gjallë.Por një arkiv i tillë nuk është i përjetshëm.Koha ndryshon. Brezat ndërrohen. Të folmet dobësohen. Shprehjet harrohen. Këngët nuk këndohen më. Kujtesa e njerëzve plaket bashkë me ta.Prandaj puna e Bellushit merr edhe një vlerë dokumentare të veçantë.Ai mblodhi sot atë që nesër mund të mos gjendej më.
Bellushi dhe “nektari” i kulturës arbërore.Këtu do të doja të kthehesha te fjala “nektar”, që e kam vënë në titullin e kësaj kumtese.Bleta shkon lule më lule dhe mbledh nektarin. Ajo nuk e shpërfill asnjë lule.Në mënyrë të ngjashme, edhe Bellushi shtegtonte nëpër hapësirat arbëreshe e arbërore dhe mblidhte atë që për syrin e zakonshëm mund të dukej e vogël: një fjalë, një shprehje, një këngë, një zakon, një kujtim.Por studiuesi e di se pikërisht këto “gjëra të vogla” mund të bëhen, në tërësinë e tyre, një thesar i madh.Ky ishte, në njëfarë mënyre, “zanati” dhe misioni i Bellushit.Ai mblidhte nektar.Nektarin e ëmbël të gjuhës sonë; shqipes së moçme e të pavdirë,po edhe të atillë që do t’u rezistonte rrebesheve gjuhëvrasëse të shekujve në Ballkanin e pushtuar nga hordhitë osmane, po edhe në diasporën arbëreshe duke mos u dhënë përpara trysnisë rrafshuese të itealishtes.Për shumë vjet radhazi, ai do të hulumtonte edhe ender arbërorët (arvanitët) e Greqisë, duke shkuar derë më derë e duke regjistruar këngë,vjersha,rrëfime dhe fjalë e frazeologjizma.
Dhe pastaj e kthente atë në “mjaltë” shkencor e kulturor, sikundër na e dëshmojnë artikujt e botimet me vijime te revistat e tij,në kryee të herës “Vatra jonë” në anët e Potencës e më vonë në revistën “Lidhja”, numrat e së cilës zoti Ndon na i dërgonte me kujdes të gjithë miqve e të interesuarve. I kam në bibliotkën time të gjithë numrat e asaj reviste, si dhe, viteve të fundit, për lehtësi e shpejtësi informuese, pati filluar të m’i dërgonte me E-mail (postë elektronike).
Një studiues që ishte edhe njeri i marrëdhënieve të mira në bashkësitë arbëreshe e shqiptare
Por Bellushi nuk mund të kujtohet vetëm nëpërmjet veprave.Unë dua ta kujtoj edhe si njeri.Sepse, në fund të fundit, veprat shkruhen nga njerëzit dhe kujtimi i një studiuesi nuk ruhet vetëm në biblioteka. Ai ruhet edhe në kujtesën e atyre që e kanë njohur.Në marrëdhëniet e mia me të kam pasur mundësinë të shoh nga afër pasionin e tij për gjuhën dhe kulturën shqiptare. Kam parë te ai një njeri që nuk kënaqej me dijen e fituar, por kërkonte gjithnjë diçka tjetër, një dëshmi tjetër, një fjalë tjetër, një burim tjetër.Kjo etje për të njohur e për të mbledhur është ajo që e bënte të papërtueshëm e të palodhshëm dhe të kudogjendur ndër vatrat e mjediset arbëreshe, arbërore e shqiptare.Dhe “i kudogjendur” nuk duhet kuptuar vetëm si një cilësi fizike. Ai ishte i kudogjendur në interesat e tij: në gjuhë, në folklor, në histori, në kujtesën popullore, në botën e librit dhe në marrëdhëniet njerëzore.
“Lodazio” meritore
Titulli që kemi zgjedhur për këtë kumtesë përmban edhe shprehjen “Lodazio” meritore. Për mua, kjo mund të kuptohet si një përshëndetje mirënjohjeje për gjithë atë punë të gjatë.Një studiues i tillë nuk duhet gjykuar vetëm nga numri i veprave që ka lënë pas, por edhe nga ajo që ka shpëtuar prej harresës falë punës së tij.Dhe këtu Bellushi ka meritë të veçantë.Ai na ka lënë dëshmi të një bote që nuk mund të rikthehet më në të njëjtën formë.Na ka lënë fjalë.Na ka lënë shprehje.Na ka lënë zëra.Na ka lënë kujtime.Na ka lënë një pjesë të asaj Shqipërie të shpërndarë, e cila, megjithëse e ndarë prej shekujsh nga trualli amë, ka ruajtur shenja të fuqishme të identitetit të vet.
Përmbyllje
Të nderuar pjesëmarrës,
Kur kujtojmë Antoni Bellushin, nuk kujtojmë vetëm një studiues të arbëreshëve. Kujtojmë një njeri që e kuptoi se gjuha është kujtesë, se fjala është dëshmi, se folklori është arkiv, dhe se pasuria e një populli ruhet edhe në ato gjëra që shpesh duken të vogla dhe të zakonshme.Kujtojmë një mbledhës të palodhur të nektarit etnokulturor dhe gjuhësor.Dhe sot, kur shumë nga ata njerëz që Bellushi ka takuar nuk janë më, kur shumë nga zërat që ai ka dëgjuar janë shuar, veprat e tij marrin një vlerë edhe më të madhe.Ato na lejojnë të dëgjojmë, përmes librit, një pjesë të atyre zërave.Për mua, përveçse studiues, Antoni Bellushi mbetet edhe mik.Dhe miqtë e vërtetë nuk ikin krejtësisht.Ata mbeten në kujtesë, në bisedat që kemi bërë, në fjalët që kemi shkëmbyer, në librat që na kanë lënë dhe në ato gjurmë që koha nuk arrin t’i fshijë.
Prandaj, sot, krahas vlerësimit për veprën e tij shkencore, dua të shpreh edhe mirënjohjen time njerëzore.Kam në raftin tim shumë numra të “Lidhjes” e vëllime të Andonit, të gjitha me dedikime të shkruara me fjalë zemre e miradije, prej të cilave, për nderin e kujtimin e tij të paharrueshëm, po lejohem të citoj vetëm sa më ka shkruar në ballinën e veprës së tij :”Dizionario Fraseologico degli Albanesi d’itali e di Grecia”:
“Të ndershmit vëlla shqiptar Prof.Gjovalin Shkurtaj, etnolog dhe studjues i madh i gjuhës sonë ëmtare-arbëreshe, si dhe të botimeve tona etnografike mbi jetën tonë shekullore në tokën italiane dhe greke, si “gjak i shprishur” dhe i shkelur dhe i panjohur, me dashuri të pathënshme, me mirënjohje zemërore dhe me urime e me nderime, këtë punë mbi kulturën tonë popullore, që ka rrënja të qindisura në hekur, dhe që vë në dukje se “Shpirti i Arbërit rron”. Rron, vepron e bën dritë. Antonio Bellushi, “Kozencë, më më 25,10.1989
Faleminderit, i ndjeri e i miri Anton, për nektarin që mblodhe.Ne, që erdhëm pas teje, kemi për detyrë ta ruajmë mjaltin e tij.Dhe kujtimi yt, jam i bindur, do të mbetet i pashlyeshëm në historinë e studimeve shqiptare dhe në kujtesën e atyre që të njohën e të deshën.