• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MUSTAFA MERLIKA – KRUJA, HISTORI E DOKUMENTUAR E NJË JETE NË SHËRBIM TË KOMBIT SHQIPTAR

September 18, 2025 by s p

Nga Eugjen Merlika/

Pjesa II

I shpërngulur në Elbasan jeta e Mustafait pati ndryshimet e saj profesionale e vetiake. U martua dhe u zhyt në punën e re, siç e ve ne dukje edhe biografi i tij. Ndërkaq nga shokët e tij në Durrës e në Krujë merr vesh se në Tiranë është formuar një grup intelektualësh të shquar që organizojnë manifestime kundërshtish kundrejt qeverisë së Vlorës. Madje edhe ndonjë ministër i kësaj Qeverie e braktis këtë për t’ i u bashkuar Faik Konicës, Fazil pashë Toptanit, Dervish Himës, Basri beg Dibrës, Mendu Zavalanit, Mehdi Frashërit, Mithat Frashërit etj. 

Pa plotësuar ende vitin e parë të qeverimit “Ati i kombit” u detyrua të përplaset me këtë bllok të brëndshëm, të organizuar nga Esat Pasha, që nuk u mjaftua vetëm me postin e rëndësishëm të ministrit të punëve të brëndëshme. Kërkesës së dorëheqjes së rolit të kryeministrit nga “opozita” shqiptare i u shtua edhe ajo, më e rëndësishme e KNK, që e detyroi padrejtësisht “Plakun e Vlorës”, pa asnjë mëkat, të braktiste veprën më të lavdishme të jetës së tij, e të shpërngulej nga vëndlindja për të jetuar në Perugia të Italisë.

Ato ngjarje patën ndikimin e tyre edhe tek sekretari  i këshillit të ministrave të zgjedhur prej tij, që në një vizitë tek Esat Pasha, pyetjes së këtij të fundit se si i dukej dokumenti i hartuar prej Faik Konicës e i ofruar prej tij për t’a lexuar, i u përgjigj me gjakftohtësi e vendosmëri: “Një akt tradhëtije, Pashë”     

Muajt e fundit të vitit 1913 dhe viti 1914 nuk e kanë ulur aspak vrullin e punës së Mustafa Krujës. E dëshmojnë këtë bisedat telefonike e letrat e shkëmbyera  me mjaft personalitete të jetës politike, administrative e kulturore si Avdi Toptani, Myfid Libohova, Hamid Toptani, Mahmut Beshiri, Xhemal Belegu, Lef Nosi, Iljaz vrioni, Burhan Kumbaro, Thanas Floqi, Aleksandër Xhuvani, Aqif Pashë Biçaku, Mithat Frashëri, Shefqet Dajiu etj.

Vitin 1914 shkrimtari i ynë i njohur Ismail Kadare e ka përkufizuar “Viti i mbrapshtë”. Besoj se ka plotësisht të drejtë se për Shqipërinë pati dy pamje, krejt të ndryshme e të kundërta me njëra tjetrën. Largimi i Ismail Qemalit, ashtu sikurse më parë dorëheqja e  Dom Nikollë Kaçorrit nga Qeveria duket se solli një farë ere paqtimi në jetën politike. Myfid be Libohova kishte miqësi të vjetër me Esat Pashë Toptanin, i cili, me zotërimin e Ministrisë së Punëve të Brëndëshme dhe pa Kryeministrin, u duk se plotësoi deri diku kërkesat e tij e mbështetësve të “Pretorisë së Durrësit”. Si pasojë e kësaj atmosfere të re e rrethanave të jashtëme e të brëndëshme, në pjesën më të madhe të botës politike shqiptare u arrit një mirëkuptim kundrejt një princi evropian, që duhej kërkuar nga Evropa. Ky mori shëmbullimin e gjermanit Princ Wiedi, të cilit Shqipëria i dërgoi një delegacion përfaqësues të politikës së saj për t’i kërkuar miratimin e vendimin për të marrë fronin e Shqipërisë.

Ky vendim i Evropës u përshëndet si një nismë tejet pohenike dhe e favorshme edhe për t’ardhmen e Shqipërisë, si një Vend që do t’a shihte rrugën e saj të përkrahur nga kontinenti i vjetër. Sa do t’ishte e vërtetë një hamëndje e këtillë nuk u arrit të kuptohet e të sendërtohet, sepse vetë shqiptarët, ose pjesa më reaksionare e tyre, në gjithë historinë shqiptare u ngrit, u organizua, rrëmbeu armët e bëri të dështojë çdo ëndërr e idealistëve të “dheut të Arbërit”, duke detyruar mbretin e adoptuar të Shqipërisë t’a braktisë pa kthim këtë të fundit.    

Gjithë trishtimin e zinë kombëtare të shqiptarizmës dhe idealeve të saj e kishte shprehur vetë Mustafa Kruja në një letër që i drejtonte Ahmet beg Zogollit më 16 qershor 1914, nga Kruja e pushtuar:

““Shumë shênje janë për me na bâmë të besojmë se kjo kryengritje âsht vepra e Esad Pashës s’onë. Për qêndër ka Shijakun. Qarku i saj sod për sod kufizohet në prefekturën e Durrsit. Në fillim âsht shfaqun si nji lëvizje kundra mbledhjes dhe dërgimit  të vullnetarve në Korçë kundra andartve epirotë!. Mbrapa na duelën do kërkesa të çudiçme. Mâ në fund reakcion kundra pavarsís kombtare, lakuriq e me të tânë kuptimin e fjalës, i pështetun në fanatizmin fetar. Sod kryengritësit s’janë mâ tjetër për kurrkênd veçse nji turmë rebelash reakcjonarë qi luftojnë me bajrakun e Turqís për kthimin e sundimit të ksaj mbi vêndin t’onë. Of! Ahmet Beg. Qe! Mu përpara meje, përpara dy sŷve të mij atje mbi taben e fortesës së Krús, depozitares së kujtimevet t’ona kombtare mâ të shênjta, mâ të mallëngjyshme e mâ të krenueshme, atje në këtë ças âsht tue value bajraku i kuq me hân’ e yll të bardhë, shêmbëlltyra e robnís së katërqind e sa vjetve!….”

Me gjithë përpjekjet e shumanshme të qeverieë së Turhan Pashës, që kërkoi pa dobi edhe ndihmën e Evropës, e luftërat e vullnetarëve të qyteteve të ndryshme, po ashtu sikurse edhe të fuqive të Mirditës, të komanduar nga Preng Bib Doda e të Matit të drejtuar nga Ahmet beg Zogolli, nuk u bë e mundur shtypja e asaj kryengritjeje e qëndrimi i princ Wiedit në Vëndin tonë.  Shqiptarizma humbi betejën e saj të madhe, vetëm dy vite mbas fitores historike të 28 nëndorit, e, për ironi të fatit, u desh të mbështetej pa vullnet tek armiqtë më të egër të saj, ushtritë sërbe, që thyen bashibozukët e Haxhi Qamilit e të Musa Qazimit, e rivendosën përsëri në pushtet mikun e tyre, Esat Pashë Toptanin. Por “Viti i mbrapshtë 1914”, me të gjithë të këqijat e tij, u rikthye në kujtesën historike të shqiptarëve, i ringjallur, i lavdëruar, i ngritur në qiell nga fituesit e luftës së dytë botërore në truallin e Arbërit e zëdhënësit kulturorë të tyre deri në ditët tona. Kjo, ndoshta, ishte “fitorja më e shkëlqyer”, sepse, zyrtarisht u bë pjesë e “lavdisë” së popullit të Gjergj Kastriotit, si “pararendëse e revolucionit komunist shqiptar” të shekullit të XIX.  

1. Lidhja “Për Atdheun e Për Thronin” u themelua në Durrës me 28 të Qershorit 1914 me qëlllim që t’i shërbejë  e t’i ndihmojë me këshilla e mjete të tjera M. T. Mbretit e Qeverís në përpjekjet e tyne për shpëtimin e Atdheut nga trazimet e rrezikshme në të cilat ndodhet sod.

2. Lidhja do të qeveriset  prej nji këshilli 22 vetësh. Themelues të Lidhjes janë ZZ. Imzot Kaçorri, Dr. Temo, Abdyl Ypi, Mustafa Kruja, Dr. Fahri Gjilani, Luigj Gurakuqi, Refik Toptani, Eshref Frashëri, Izet Zavalani, L. Logori, G. Jatro, Themistokli Gërmënji, Idhomeno Kosturi, Sejfi Vllamasi, Ahmet Dakli, Shefqet Dajiu, Kost Paftali, Nuri Vila, G. Cilka, Kasneci, Syrja Pojani, Hasan Frashëri.

3. Kryetar i Këshillit u zgjodh Z. Refik Toptani, nënkryetar Kasneci e shkronjës Z. L. Gurakuqi.

4. Këshilli ka zgjedhur një Komisië prej 5 vetash që do të jetë organ i tij për të mbaruar qëllimet e vêndimet e dhânuna. Si pjestarë të Komisiës u zgjodhën ZZ. Eshref Frashëri, L. Gurakuqi, Mustafa Kruja, Abdyl Ypi, Idhomeno Kosturi. Këta do të jenë edhe përgjegjës përpara Qeverisë. 

N’ato ditë të stuhishme për fatet e Shqipërisë atdhetarët e kombit themeluan një organ të ri kushtetues me një qëllim të caktuar për të ndihmuar qeverinë dhe oborrin mbretëror në detyrën e tyre, pothuajse të pamundur, nga rebelimi i Shqipërisë së mesme. Një veçanti e Lidhjes ishte fakti që në themelimin e saj morën pjesë shumica dërmuese e politikës shqiptare, gjë që krijonte premisat për një bashkëpunim të ri e plot dëshirë për të ecur përpara. Por ngjarjet shpejt përcaktuan fundin e paparashikuar të mbretërisë së re e shpresave  të shqiptarëve në 3 shtator 1914 me largimin e Princ Wiedit.

Vitet 1915 – 1918, për një sërë rrethanash e ndodhish të jetës vetiake, shënojnë një periudhë “pushimi” të veprimtarisë aktive në jetën politike të kombit. Shkurtimisht do të përshkruhen me pak fjalë  të pabotuara, por të sjellura nga një “rrëfim” i vetë atij para familjes, në një natë dimri të vitit 1943, kur i dorëhequr prej gati një viti nga përgjegjësia njëvjeçare e qeverisë dhe nga ajo, pothuajse tridhjetëvjeçare e politikës, ndoshta ndiente nevojën të shpaloste para familjes çastet më të vështira të jetës së tij. Ai “rrëfim” u shkruajt në një fletore të thjeshtë nga babai im, si trashëgim historik që i linte nipit të tij, Besandrit. E kam sjellë në këtë libër ashtu siç e kam gjetur. Ndoshta mund të ketë ndonjë mospërputhje mes kujtesës së babait tim dhe jetëshkrimit të studjuesit Kurti, por që nuk cënon thelbin e së vërtetës, por mund të jetë çështje hollësirash jo shumë të rëndësishme.   

“Më kishin veshun këmishën e bardhë, me të cilën vareshin të dënuemit me vdekje. Të nesërmen herët erdhi roja me më marrë. Kisha duert të lidhun përpara. Kur dola jashtë gjeta dy xhandarë me pushkë në krah. Për habinë time, në vênd qi me më drejtue në vêndin e ekzekutimit xhandarët u kthyen ke ish pallati i Princ Wiedit ku qëndronte Esat Pasha. Mbasi hypa disa shkallë më ndalën përpara nji dere të madhe qi e njofta menjiherë. Ishte dera e dhomës ku punonte Princ Wiedi, në të cilën kisha hŷmë nja dy herë, i pritun nga Princi. Tashti aty punonte Esat Pasha.

Para asaj dere qëndrojshin dy xhandarë të tjerë. Mbasi xhandarët folën pak fjalë ndërmjet tyne, dera u hap dhe u gjinda në dhomën e madhe. Para meje, në kâmbë, qindronte Esat Pasha! Ishte veshun me uniformën e gjeneralit turk dhe gjoksi i tij ishte mbushun me dekorata. Mbi kokë mbante tonuzin e kuq turk. Me duer mbrapa më shikoi drejt në sy. Para shikimit të tij shumë kush u dridhte, por un nuk u ligshtova. Edhe un e shikova drejt në sy. Nuk ishte hera e parë qi gjindesha pranë tij, dhe isha mësue me ndejtun pranë atij burri autoritar e politikan dinak, i njohun në gjithë Evropën.

Mbasi pa se un nuk i ula sytë përpara tij, ai vuni pak buzën në gaz.

-E dij se je edhe trim, më tha, por jo deri kaq.

Un nuk i u përgjigja.

-Të dhashë vêndin e nënprefektit, kur mbarove shkollën dhe shkallë shkallë të mbërrîjshe në vêndin e valiut, por ti zgjodhe vêndin e mësuesit të matematikës. Megjithatê nuk ndejte urtë. Fillove të luejsh bishtin sa andej këndej. Mâ vonë të thirra me të dhânë vênde me rândsí n’administratën teme, por nuk pranove. A nuk âsht kështu? Por pse mor qen – vazhdoi  me inat, ndërsa fytyra e tij u vrâjt – pse mbërrîne deri këtu. Un të kam rritun e të kam dhânë shkollë. Kam dashtë të bâhesh njeri me pozitë, të bâhesh i madh. 

-Kështu âsht – i  u përgjigja.

-Po atëherë pse u vûne kundër meje – shfryu Esat Pasha, siç e kishte zakon kur inatosej.

U mêndova pak, mandej i thashë:

-Pashë, un e due Shqipnín, prandej lashë mësimet e mora pushkën. Bashkë me Avdi Beun shkuem deri në Vlonë për këtê Shqipní, me ngrejtë flamurin tonë e jo të Turqís.

-Po pse un nuk e due Shqipnín?, –  më ndërpreu me zâ të fortë.

– Po, Pashë, por ju e doni për vehte, ndërsa un e due për shqiptarët – i u përgjigja aty për aty shumë i qetë, dhe vazhdova:

-Ju u morët vesh me Serbinë e Greqinë, për me i u dhânë atyne pjesë të tokave shqiptare, për me sundue ju vetë n’at pjesë qi caktuen Fuqitë e Mëdhá – Këtê,  na nacionalistët e quejmë tradhtí!

E dijsha mirë qi kjo fjalë e fundit do të më kushtonte jetën por nuk munda mos me i a thânë.

Esat Pasha u bâ zi në fytyrë. Bâni disa hapa mbrapa në dhomë, mandej përplasi duert. Menjiherë u hap dera dhe hŷnë mbrênda dy xhandarët.

-Merreni këtê qen – u tha atyne me inat – dhe futeni n’anije. 

Më shikoi si i tërbuem deri sa dola jashtë. Kuptova aty për aty se Esat Pasha m’a kishte falë jetën e do të m’internonte diku. Isha i kënaqun jo vetëm pse kisha shpëtue nga litari, por sidomos pse pata guximin me i a thânë në fytyrë Esat Pashës tradhtinë e tij kundër Atdheut.

Më mbajti disa muej n’anije, mandej më dërgoi në burgun e Barit (Italí). Prej andej autoritetet italiane më trasferuen  në nji ishull të vogël të quejtun Favignana. Ishte vjeti 1916. Aty gjeta edhe shqiptarë të tjerë nacionalistë qi mbaheshin t’internuem.

Në fillim të vjetit 1917, nji mik i emi, Sotir Gjika, ndërmjetësoi pranë qeverisë italiane për me më lirue dhe un u lirova. Sotiri më shoqnoi deri në Romë. Në kryeqytetin e Italís ai ishte funksionar në Ministrinë e Jashtme. Atë vit ai u martue dhe un qeshë dëshmitar martese. Në fillim të 1918-s Sotir Gjika filloi me botue gazetën “Kuvêndi” në gjuhën shqipe dhe un u bâna kryeredaktori i saj. 

Shumë vjet mâ vonë Petriti u martue me Elenën, vajzën e mikut tonë të vjetër, të cilën e gëzojmë sot në shtëpinë tonë.

Asim Xhenani heshti. Ulun siç ishte në nji kolltuk, bashkoi të dy duert përpara dhe mbështeti kryet mbi to. Ndoshta kujtimet e kishin mundue. Asnji prej nesh nuk foli.”

“ Deri në mbarim të luftës botore mbet në Itali. Ky mërgim i dha rasë me nxânë italishten, me njohun Italín, bukurít e saja natyrore e artistike, karakterin fisnik të popullit të saj, kulturën e saj. Zhvilloi nji veprimtarí gazetarije në bashkpunim me Sotir Gjikën në faqen shqip të gazetës së Barit Corriere delle Puglie e mandej në  të përjavëshmen Kuvêndi të Romës. N’artikujt qi ka shkrue në këto dý fletore ndrisin me nji qartí nga mâ të kulluetat ndjenjat e tij patriotike, stili i tij i rrjedhshëm, logjika e fortë, urtija e mêndimevet.”, vazhdon tregimin e tij At Donat Kurti. 

Mustafai kthehet në atdhe mbas një mungese të gjatë prej gati katër vitesh, në të cilët kishte provuar ndarjen nga familja, duke lënë djalin e parë foshnjë e duke e gjetur gati katër vjeç e duke mos gjetur më në jetë nënën që kishte ndërruar jetë në moshën e re dyzetepesë vjeçe, e plasur nga dëshpërimi i arrestimit e dënimit të birit të madh. Ishte vërtetuar plotësisht profecia e mamisë gjatë lindjes, por nuk kishte kohë as për t’a qarë sepse një telegram nga Durrësi e ftonte atje ku do të mblidhej kongresi. “Thirrej me organizue, bashkë me Luigj Gurakuqin, Fejzi bej Alizotin, Myfid bej libohovën e Mehmet be Konicën, Kuvêndin e Durrsit qi do të shqyrtonte gjêndjen e re të krijueme në Shqipní mbas luftës botore.” Shkruan At Donati.

Në kongres ai u zgjodh ministër i post – telegrafave e antar i Dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, së bashku me Luigj Gurakuqin, Imzot Luigj Bumçin, At Gjergj Fishtën, Mithat Frashërin, Mehmet Konicën e Mihal Turtullin, e natyrisht Kryetar kryeministrin Turhan Pasha. Në fillim të shkurtit 1919 filloi nga puna si sekretar i Dërgatës. Pesë muajt e qëndrimit në kryeqytetin francez qenë kohë pune tepër të rrasun për sekretarin e Dërgatës. Të gjithë dokumentat që i paraqiteshin konferencës: mendore, përkujtesa, letra personaliteteve të ndryshme, statistika popullsish të krahinave të ndryshme shqiptare, protesta, padira, hartoheshin prej tij dhe Luigj Gurakuqit, me të cilin e lidhte jo vetëm përkatësia e bindjeve politike, por edhe një miqësi e ngushtë. Të gjithë ata dokumenta u botuan mbas largimit të tij nga Parisi e kthimit të tij në Durrës. Gjatë rrugëtimit ai u ndalua në Romë ku në një “tipografi të një koperative shoqërore” mundi të botojë librin:”Shqipnia përpara Konferencës së Paqës”

“Popullit Shqiptar”, “Kërkesat e Shqipnís”, “Parashtruemja e Kërkesave Shqiptare në Këshillin e të Dhetvet”, “Mendore mbi Shqipnín e Sipërme”, të pasuara nga pesë faqe statistikash popullsie që banonte në trevat shqiptare, të lëna jashtë kufijve shqiptarë nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër 1913, janë pjesa më e rëndësishme e veprimtarisë të asaj Dërgate në muajt e parë. Ato statistika ishin marrë nga dokumentacionet e llojit të tyre, jo nga shqiptarë, por nga ekspertë të  autoriteteve statistikore turke í1908 – 1909), nga autoritetet ushtarake austriake, gjatë luftës së Parë botërore, nga Instituti hartografik i Sofies në Bullgari dhe nga një përmbledhje krahasuese e të tre hartave.

Argumentat e trajtuara flasin për kompetencë profesionale e rigorozitet shkencor  në shpalosjen e tyre para komisioneve të Konferencës. Janë të vërteta që paraqiten në të gjitha përmasat e tyre faktike deri në detaje, një platformë mbrojtëse e një cilësie të lartë në mënyrë të pakundërshtueshme. Ajo platformë është e bazuar më shumë në opinione të shprehur publikisht  nga të tjerë përfaqësues të diplomacisë evropiane, dëshmitarë të zhvillimeve historike të Ballkanit, kryesisht të Shqipërisë. Shifrat e statistikave të popullsisë së qyteteve të ndryshme të Shqipërisë së grabitur, janë të pamëshirshme në padinë e një sulmi ushtarak banditesk kundrejt trevave shqiptare, sa që një gjykatë e vërtetë nuk do të kishte patur as mëdyshjen më të vogël për t’i kthyer ato njësi territoriale në zanafillën e tyre etnike, por fatkeqësisht Konferenca e Versajës nuk qe një gjykatore e tillë. Ajo u tregua një burim paragjykimesh historike e politike, që kishin patur fillesën në shprehjen famëkeqe të kancelarit prusian Bismark, “Shqipëria është vetëm një shprehje gjeografike”, në Kongresin e Berlinit, e arrin deri tek opinionet kundërshqiptare të Klemansoit e Llojd Xhorxhit  e parapëlqimet e tyre në dobi të Sërbís e të Greqís. Përballë atyre bindjeve 14 pikat e presidentit amerikan Wilson  mbetën vetëm si një rreze shprese morale në shpalosjen e tyre  demagogjike, por nuk arritën të ndikonin në vendimet kryesore.

  Më duket e udhës që të përzgjedh nga ai grumbull dokumentesh, dy prej tyre, të cilët përgënjeshtrojnë hapur opinionin e historiografisë komuniste mbi Mustafa Krujën që prej tre të katërtash shekulli. “Çâshtja e Vlonës”, është një notë proteste nga Dërgata Kryetarit të SHBA Wilson. Ka stilin karakteristik të Mustafa Krujës, i hapur, pa doreza e që godet në thelb të problemit. Dërgata e Qeverisë së Durrësit që, në gjuhën e historiografisë komuniste, quhet “tradhëtare” e “proitaliane”, proteston pranë Presidentit amerikan për mendoren që ai i paska dërguar Dërgatës italiane më 14 prill 1919, në të cilën “këshillon që Italia të mbajë limanin e Vlonës për vete”:

Çâshtja e Vlonës

Shkëlqesës së Tij, Z. Wodrow Wilson,

Kryetar i Shtetënvet të Bashkueme t’Amerikës.

Zoti Kryetar,

Dërgata e Qeverís së Përkohëshme Shqiptare e këndoi në gazetat, me mâ të madhen dhimë të zêmrës, mêndoren qi Shkëlqesa e Juej i paska drejtuem Dërgatës Italiane më 14 Prill 1919, në të cilën këshillon qi Italia t’a mbajë limanin e Vlonës për vete.

Çudia e jonë qe aqë mâ e madhe e e therëshme tue qênë se populli i vogël shqiptar e kishte mbështetun të tânë shpresën e vet mbi parimet e nalta të Shkëlqesës s’Uej qi me mos damun vêndet pa u marrë para sŷsh të drejtat kombtare të popujvet qi rrijnë më to. Shqipnija âsht vêndi mâ i vogli e ma i sakrifikuemi i Ballkanavet. Të gjithë fqîjt e saj i kanë këputun, me traktatin e Berlinit e me konferencën e Londrës më 1913, copat ma të bukurat qi s’kanë mbrênda veçse Shqiptarë e po kanë shpresë me i marrë prap edhe tjera. Me të vërtetë në rrethet greke qi marrin lajme të sakta thuhet se Z. Venizelos ka mërrimun me siguruem ndihmën e Amerikës për me i dhânë Greqiës nji pjesë të madhe të Shqipnis së Poshtme.

Na duket e padrejtë, z. Kryetar, qi, në vênd me u marrë para sŷsh kërkesat t’ona kombtare, po mêndohet me u falun   tjera copa të tokës shqiptare a për me u rregulluem nji ngatërresë qi s’i përket n’asnji mënyrë Shqipnis. 

Besojmë me gjithë shpirt se Dërgata e Shtetënvet të Bashkuem ka rânë në nji gabim të padashun për sa u përket punvet të Shqipnís e mêndja na thotë se Apostulli i nderuem i së drejtës së popujvet nuk do të dojë me u larguem prej parimevet fisnike qi ka proklamuem aqë bujarisht.

I lutem Shkëlqesës s’Uej me pritun sigurimet e nderimit t’êm fort të naltë.

Paris, 8 maj 1919                                                   Kryetar i Dërgatës Shqiptare

  (Nênsh.) TURHAN

Kjo ishte letra që Dërgata i dërgoi Presidentit të SHBA. Mbas tri javësh, një tjetër letër i u dërgua Kryetarit të Konferencës së Paqës, Kryeministrit të Francës Clemenceau, ku trajtohet i njëjti argument i letrës së parë, ai i mandatit italian mbi Shqipërinë:

Protestë kundra mandatës italiane

Shkëlqesës së Tij, Z. G. Clemenceau,

Kryetar i konferencës së Paqës.

Shkëlqesë,

Pas lajmeve qi po sillen pa reshtun mbi zgjidhjen e ngatërresës italo-jugosllave, Dërgata shqiptare e sheh veten të detyrueme, edhe nji herë, me ardh’ e me protestuem me ponië kundra mënyrës me të cilën Konferenca po e vështron çâshtjen shqiptare.

Duke u mbështetun mbi të drejtat q’i janë njohun Shqipnís në Konferencën e Londrës më 1913 e mbi parimet qi Fuqit e Mëdhaja të Lidhuna e të shoqnueme kanë proklamuem vetë bujenisht, Dërgata Shqiptare i ka paraqitun Konferencës së Naltë kërkesat e drejta të vêndit të vet e ka pritun pa dobi deri tashti qi t’i merren parasŷsh. Mirë po ajo po sheh, me mâ të madhin idhnim, se çâshtja shqiptare s’âsht shikuem as njiherë në mënyrë të posatshme, por, për kundras, qi Shqipnia âsht shikuem si nji fushë shpërblimesh për me lehtuem rregullimin e ngatërresave, me të cilat populli i ynë s’ka asnji punë; ose edhe për me mênduem për njimend të bashkuemen e nji pjese të madhe të Shqipnís së Poshtër me Greqín; përkundras, po ky komision i ngarkuem edhe me punët e Shqipnís, s’âsht mbledhun asnjiherë për me biseduem.

Dërgata Shqiptare beson se nuk mund të jenë dy pesha e dy masa për të vêndosun organizimin e ri të botës, themeluem mbi drejtësín. Edhe në këtê ças, kur Konferenca e Paqës po rreket me caktuem pozitën e Italisë mbi bregun lindor t’Adriatikut, paska bâmun fjalë për Shqipnín, gjithnji me t’ardhun e vetëm për me lehtuem zgjidhjen e ngatërresës italo-jugosllave.

Për me zgjidhun këtê çâshtje pra Konferenca paska mênduem me i dhânë Italís mandatën mbi Shqipnín edhe limanin e Vlonës.

E pranojmë qi kujdesimi i njânës prej Fuqivet të Lidhuna a të Shoqnueme, natyrisht përveç Shtetënvet ballkanikë, mund të jetë i dobishëm për Shqipnín për me i prîmun në hapat e para të mëvetësís së saj. Por megjithë këtê nuk mundemi kurrsesi me pranuem qi të kenë si me i u aplikuem Shqipnís urdhënat e artikullit 22 të paktit të Lidhjes së Kombevet qi janë vûmun kështjellas   veç për koloni e vênde afrikane e aziatike “qi, nga shkaku i luftës, u kanë dalë duersh atyne q’i i kishin”. S’mundemi me pranuem as qi të mund i vêhet Shqipnís nji ç’do farë kujdesimi pa e pyetun parandej për të zgjedhunit e Pushtetit qi do t’i epet për kujdestar e për mënyrën se si do të zbatohet ky kujdesim në Shqipní.

Populli shqiptar s’do të mundet me pranuem vêndime q’i vênë kundra tânsís toksore e mëvetësis së tij, dhe aqë mâ pak me u shtruem.

Dërgata Shqiptare u sillet edhe njiherë ndîesivet të nalta të përfaqsuesvet të Fuqivet të Mëdhaja në Konferencë, qi çâshtja kombtare e saj të rregullohet me të drejtë për me i u kursyem popullit shqiptar të tjera të liga, duke i shpërblyem edhe padrejtësit q’i kanë pasë bâmun traktatet e përparshme.

Pritni, Shkëlqesë, sigurimin e nderimit t’êm të naltë.

Paris, 1 Qershor 1919                                   Kryetari i Dërgatës Shqiptare

      (nensh.)   TURHAN

Filed Under: Histori

Historiku i kërkimeve të fortifikimeve prehistorike në luginën e Shkumbinit

September 17, 2025 by s p

Dr. Ervin Kujtila/

Nga pikëpamja gjeografike, lugina e Shkumbinit ka shërbyer që në kohët prehistorike si një nga rrugët më të përshtatshme natyrore, që ka mundësuar komunikimin ndërmjet pjesësbregdetare të Shqipërisë dhe brendësisë kontinentale të Ballkanit. Duke filluar nga grykëderdhja e Shkumbinit në Adriatik e deri në Elbasan,terreni që përshkon ky lum është fushor, kjo ka bërë të mundur që të dyja anët e lumit të përshkohen shumë lehtë, dhe nga ana tjetër nuk ka asnjë pengesë natyrale për kalimet e rrjetit rrugor, qoftë nga veriu apo edhe nga jugu. Ndërsa në segmentin nga zona Peqin – Elbasan deri në Mokër, Shkumbini kalon nëpër një terren më të thyer me karakter kodrinor e malor dhe rruga ndonjëherë, u ngjitet qafave ndërmalore. Përgjatë luginës së këtij lumi, veçanërisht në pjesën kodrinore e malore të saj, janë vendosurnjë numër i madh fortifikimesh prehistorike, që kanë tërhequr prej kohësh vëmendjen e studiueseve të ndryshëm.

Megjithatë, deri në vitet 60’ të shekullit të kaluar lugina e Shkumbinit përfaqësonte një hapësirë krejtësisht të panjohur në fushën e kulturave arkeologjike në përgjithësi dhe fortifikimeve prehistorike në veçanti.

Nga sa dimë studiuesi i parë që i përmend fortifikimet e luginës së Shkumbinit është “Mësuesi i Popullit” Shahin Zharri. Atij i takon merita e zbulimit të mjaft fortifikimeve prehistorike të zonës së Librazhdit, disa prej të cilave u bënë edhe objekt studimi edhe më i thelluar. Sipas tij në këtë luginë gjenden 23 fortifikimet prehistorike.

Në këtë rajon janë bërë disa ekspedita përnjohëse dhe vrojtime sipërfaqësore nga studiues të mëparshëm, që kanë evidentuar ekzistencën e disa fortifikimeve prehistorike të datuar në atë kohë në periudhën e Hershme të Hekurit(Qukës Skëndërbe). Përpjekja e parë për evidentimin e këtyre fortifikimeve daton relativisht herëtdhe i referohetvitit 1967, kur në luginën e Shkumbinit kryhet një survei sipërfaqësor nga N. Ceka.

Interesi për të gjurmuar gjurmët e rrugës antike të luginës së Shkumbinit u materializuar nga një ekspeditë përnjohëse nga Ceka dhe Papajani në vitin 1971. Po në këtë vit ai ka ndërmarrë një ekspeditë për të gjurmuar fortifikime të vona antike pranë rrugës Egnatia. Nga këto vrojtime sipërfaqësore u grumbullua një material interesant i cili i ka shërbyer studimeve të më vonshme të kësaj lugine.

Në vitet 1972 – 74 N. Ceka kryen gërmime sistematike nëvendbanimin paraqytetar në gradishtë të Belshit. Gjithashtu u kryen gërmime arkeologjike në qytetin e Selcës së Poshtme, në krahun e majtë të kësaj lugine, gërmime që sollën të dhëna të reja për studimin e kulturës së luginës së Shkumbinit në periudhën parahistorike dhe periudhën qytetare ilire. Gjithashtu në një botim të kohët e fundit N. Ceka i kthehet fortifikimeve prehistorike të luginës së Shkumbinit dhe bën rivlerësim kronologjik përmbajtsor të tyre.

Më vonë një kontribut të rëndësishëm në ndihmesë të hartës arkeologjike të rrethit të Librazhdit kanë dhënë studiuesit A. Koka, I. Gjipali, L. Papajni, V. Shtylla, Dh. Ristani, R. Hasa dhe kohët e fundit edhe S. Muça. Gjithashtu wshtw realizuar dhe projekti: Via Egnatia (Albania) Project. Mjaft të rëndësishme konsiderohen gërmimet arkeologjike të viteve 1987-1989 në Lleshan (Elbasan) nën drejtimin e R. Hasa pjesën e akropolit dhe në lugun midis dy kreshtave. Sipas autorit të gërmimeve përcaktuan dy periudha banimi, Lleshan I që lidhet me fortifikimin, datohej në fund të periudhës së vonë të Bronzit dhe në fillim të periudhës së Hekurit dhe Lleshan II që i përket periudhës qytetare ilire.

Në kuadër të programit të studimeve doktorale, me qëllim përftimin e të dhënave më të plota kronologjiko–kulturore mbi fortifikimet prehistorike të luginës së Shkumbinit, gjatë viteve 2018–2019 dhe 2024(gërmimet u drejtuan nga Dr. Ervin Kujtila), u zhvilluan gërmime arkeologjike me karakter sondazhi në fortifikimet e Dragostunjës, Orenjës dhe Zdranjshit. g. Këto gërmime sollën një sërë të dhënash të rëndësishme mbi sistemet fortifikuese, si dhe mbi karakterin stratigrafik e kronologjik të depozitimeve kulturore, veçanërisht në qytezat e Orenjës dhe të Zdranjshit.

Rezultatet e arritura nga këto sondazhe pasurojnë ndjeshëm panoramën e kërkimeve mbi fortifikimet prehistorike të rajonit, duke sjellë informacione të reja dhe duke e bërë më tërheqëse çështjen e studimit të tyre. Veçanërisht i rëndësishëm është fakti se për herë të parë në Orenjë dhe në Zdranjsh janë evidentuar depozitime kulturore të Bronzit të Hershëm, të mbuluara nga shtresa kulturore të Bronzit të Vonë. Fenomene të ngjashme janë dokumentuar edhe në disa fortifikime të tjera prehistorike në Shqipëri, si në Kukum (Himarë) dhe në Ganjollë (Shkodër).

Të dhënat stratigrafiko–kulturore të përftuara nga këto gërmime kanë mundësuar ndërtimin e një pamjeje më të qartë mbi karakterin dhe funksionin e vendbanimeve të fortifikuara gjatë periudhës prehistorike. Një pjesë e këtyre fortifikimeve ruajnë gjurmë të sistemeve mbrojtëse të periudhave më të vona historike.

Në përgjithësi, fortifikimet prehistorike të luginës së Shkumbinit janë ngritur në mjedise të favorshme natyrore, të pasura me burime bujqësore dhe kullota, të cilat përbënin bazën kryesore të ekonomisë së komuniteteve vendase.

Të dhënat arkeologjike të siguruara brenda këtyre vendbanimeve dëshmojnë gjithashtu për një veprimtari të kufizuar zejtare, e cila plotësonte nevojat e përditshme të popullsisë. Vendbanimet e fortifikuara bashkëjetonin me një numër vendbanimesh të hapura fshatare në zonat përreth, duke formuar njësi të caktuara ekonomiko–shoqërore, të ndërlidhura ndërmjet tyre.

Filed Under: Histori

SI SHQIPTARE E KULTURUAR, ELENA GJIKA KËRKOI EMANCIPIMIN E FEMRAVE NË SHOQËRINË EUROPIANE

September 17, 2025 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Elena Gjika është konsideruar si një nga intelektualet femra më mbresëlënëse të Evropës së shekullit të 19-të. Ajo bëri gjithçka që, një shpirt i lirë femëror i kohës së saj, mund të bënte: shkroi monografi historike dhe kritikë letrare; pikturoi; u përfshi në debate politike, duke kritikuar Habsburgët dhe politikën perandorake ruse; mbrojti emancipimin e femrës. Elena i shprehu pikëpamjet e saj politike aq lirshëm, sa gati u internua në Siberi. Ajo kishte një projekt koherent politik e vizionar për Ballkanin, siç detajohet në korrespondencën e saj me Giuseppe Garibaldin, Jeronim de Radën, Dhimitër Kamardën, Zef Jubanin, etj. Ajo mendonte se italianët, grekët, shqiptarët dhe rumunët ishin pasardhës të pellazgëve dhe duhej të bashkoheshin nën të njëjtin shtet federal.

Elena u mor me sportet e qitjes, hipizmit dhe alpinizmit, duke u ngjitur në tre nga majat më të larta të Europës. Merrej edhe me muzikë. Ajo pati vlerësime nga dhjetëra akademi dhe institucione në Shqipëri, Rumani, Greqi, Francë, Itali, Spanjë, Gjermani, Argjentinë, etj. Ndër arritjet e tjera të rëndësishme janë titujt e nderit që iu akorduan. Mori titullin “Qytetare Nderi” e Athinës në prill të vitit 1867 (vetëm Lord Bajronit i ishte dhënë ky titull më parë). Ajo ishte gruaja e parë, të cilës mbreti Carol I i Rumanisë i dha Urdhrin “Bene Merenti” për merita të jashtëzakonshme letrare.

Shumë personalitete të shekullit të 19-të e kanë përshkruar me terma superlativë: e quajtën “Mbretëresha e pakurorëzuar e Shqipërisë” dhe “ndër gratë më të bukura të kohës së saj, me një zë si të një engjëlli zgjues” dhe se “nën ballin e saj ndriçonin të gjitha dritat e një gjeniu”, apo “një enciklopedi e vërtetë lëvizëse”, e lavdëruar si “mendimtarja më e madhe”. Sot, me emrin e saj është emetuar një seri pullash, si dhe emra rrugësh, shkollash, etj., në Shqipëri. Por, si personalitet me dimensione ndërkombëtare, është nderuar edhe nga shtete të tjera. Sheshi “Dora d’Istria” gjendet në Strasburg dhe një rrugë me emrin e saj ndodhet në Athinë. Elena është përfshirë në të gjitha enciklopeditë e grave më të shquara të botës; rreth jetës së saj ka dhjetëra studime nga studiues të vendeve të ndryshme. Pavarësisht nga arritjet e deritanishme, studiuesit shqiptarë kanë ende shumë për të hulumtuar rreth saj.

Angazhimi për çështjen shqiptare

Interesimi i Elena Gjikës për Shqipërinë ishte i lidhur ngushtë me prejardhjen e saj shqiptare. Ajo e ndjente Shqipërinë jo vetëm si vendin e origjinës së familjes së saj, por edhe si atdhe shpirtëror, ndaj i kushtoi shumë vëmendje çështjes kombëtare shqiptare. Kjo lidhje shpirtërore bëri që ajo të angazhohej në përhapjen e dijeve rreth Shqipërisë, ruajtjen e identitetit dhe përparimin e popullit shqiptar në kontekstin e sfidave ndaj sundimit osman. Në veprat e saj dhe përmes korrespondencave me intelektualë arbëreshë, ajo kontribuoi në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe në mbështetjen e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Elena zhvilloi një korrespondencë të gjërë me intelektualë të shquar arbëreshë, ku spikasin personalitetet e Jeronim De Radës dhe Dhimitër Kamardës. Ky i fundit, si një nga aktivistët e parë të lëvizjes kulturore shqiptare në Itali, i kushtoi asaj një përmbledhje poetike me titullin “Për Dora d’Istria, Shqiptarët”. Kjo sjellje shprehte mirënjohje dhe respekt për angazhimin e saj të palodhur në favor të çështjes shqiptare. Ky përkushtim dhe lidhja e saj e veçantë me çështjen shqiptare është e dokumentuar përmes një korrespondence të dendur me Jeronim De Radën, me të cilin themeloi një shoqatë letrare dhe një “Akademi Shqiptare”. Për më tepër, ajo shprehu edhe synimin për të hartuar një gramatikë të gjuhës shqipe, sepse, sipas saj, “fillimi i ndryshimit të popullit shqiptar duhej të realizohet përmes arsimit”.

Fuqia e mendimit dhe vizioni i saj emancipues

Elena u bë feministja e parë e Rumanisë. Dy nga veprat e saj dallohen si studime të fuqishme feministe. Në veprën “Les Femmes en Orient” (Zürich, 1859), ajo mbrojti emancipimin e grave në Levant; ndërsa në veprën tjetër “Des femmes par une femme”(Bruksel, 1869), diskuton situatën e grave në Evropën Latine në krahasim me situatën e tyre në Gjermani. Në këtë vepër, ajo ndalet në statusin e grave në shekullin e 19-të, rrethanat e tyre sociale dhe materiale, ndërkohë që kërkon të drejta të barabarta me burrat.

Princeshë me prejardhje, por mendje e lirë dhe me shpirt reformator, Elena Gjika e sfidoi botën patriarkale me bindjen se pabarazia gjinore nuk buronte nga natyra, por nga mungesa e edukimit dhe traditat kulturore shtypëse. Elena besonte thellësisht se arsimi ishte çelësi i lirisë për gratë dhe themeli i një shoqërie më të drejtë. Me një kulturë të gjerë, kozmopolite dhe tolerante, ajo botoi artikuj në shtypin më të rëndësishëm europian, duke promovuar idetë e saj për barazi, përparim dhe ndërgjegjësim shoqëror.

Elena Gjika pati mundësinë të udhëtonte gjerësisht në vende të ndryshme të Europës dhe botës, duke përjetuar nga afër realitetet e ndryshme të grave në kultura të larmishme. Ajo vëzhgoi me kujdes sjelljet, zakonet dhe mënyrën se si gratë jetonin në shoqëri të ndryshme, duke krahasuar trajtimin e tyre përballë ligjeve, normave dhe traditave. Këto përvoja i shërbyen si një dritare për të kuptuar thellë universin femëror dhe për të ndërtuar një analizë të ndërlikuar mbi pozitën e gruas në shoqëri. Në veprat e saj, ajo përshkroi me ndjeshmëri dhe inteligjencë aspektet e ndryshme të jetës së grave, që nga pamja e jashtme, veshja dhe zakonet, deri te qëndrimet, aspiratat dhe pengesat me të cilat po përballeshin.

Elena besonte se gratë kishin një detyrë të veçantë për të promovuar paqen dhe u angazhua fuqishëm në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të të shtypurve, duke u përfshirë në idealet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ajo mori si shembull modelin zviceran të qeverisjes republikane dhe përmendi arritjet e grave italiane si Lidia Powt dhe Sibilla Aleramo, të cilat shërbyen si frymëzim për gratë e tjera. Duke besuar se pabarazia midis burrit dhe gruas nuk ishte biologjike, por një konstrukt shoqëror i mbështetur nga traditat kulturore që i kishin përjashtuar gratë nga politika dhe kishin krijuar ide të rreme për inferioritetin e tyre natyror, Elena kërkoi çlirimin e shoqërisë nga stereotipet gjinore si element thelbësor për barazinë midis të dy gjinive.

Elena Gjika për femrën shqiptare

Elena Gjika luajti një rol të rëndësishëm në nxitjen e debatit për emancipimin e gruas shqiptare. Ajo u ndal të studiojë pozitën e grave shqiptare, duke vënë në dukje inteligjencën e tyre, por edhe pengesat që hasnin për ta shprehur veten lirisht në një shoqëri patriarkale. Në këtë kontekst, Elena analizoi dy qasje kundërshtuese që përballeshin në shoqërinë shqiptare: nga njëra anë, qëndrimi “reformist”, që kërkonte përparim përmes edukimit të grave dhe modernizimit të vendit dhe, nga ana tjetër, qasja “konservatore” që mbronte nënshtrimin e gruas ndaj burrit, si normë shoqërore. Sipas studiuesit D’Alessandri “shqiptarët ishin ndër kombet ballkanike që morën më shumë vëmendje nga Elena, e cila, e motivuar nga origjina e saj atësore, kërkoi të ndërgjegjësonte edhe opinionin ndërkombëtar për pozitën e grave dhe të vetë kombit shqiptar nën sundimin osman”.

Elena Gjika dëshmoi për pjesëmarrjen aktive të grave shqiptare në jetën politike dhe rolin e tyre në promovimin e paqes, veçanërisht në situatat e nevojshme të pajtimit. Ajo përshkroi shqiptarët si “ushtarët më të mirë të Lindjes”, të ndarë në tre besime fetare: katolikë, ortodoksë dhe myslimanë. Shqipëria,- sipas saj, ishte e ndarë në katër rajone me karakteristika socio-kulturore të ndryshme, ku gjendja e gruas ndryshonte ndjeshëm. Në Mirditë, murgjit katolikë frymëzonin tek gratë një shpirt të zjarrtë anti-shizmatik dhe ato, që nga mosha 16-vjeçare, marrshonin krenare me pistoleta në brez, të shoqëruara nga qenë luftarakë. Në jug ajo përshkroi karakterin e grave toske përmes historive të familjes së Ali Pashë Tepelenës, ku gratë myslimane si Hanko dhe bija e saj Shanishaja spikasin për trimëri dhe guxim. Pas vdekjes së bashkëshortit, Hanko organizoi një ushtri të vogël, për të luftuar kundër fqinjëve dhe u burgos së bashku me të bijën, duke ushqyer në zemrën e djalit të saj ndjenjën e hakmarrjes. Trimëria dhe vendosmëria e grave shqiptare, të forta dhe luftëtare, janë në qendër të veprës së Dora d’Istrias. Ajo e përshkruan këtë guxim, që shtrihet nga veriu në jug, nga Mirdita në Çamëri dhe nga Toskëria në Labëri. Sipas saj, “gratë shqiptare shfaqin jo vetëm forcë fizike, por edhe një shpirt të patrembur në përballje me sfidat e kohës”.

Elena Gjika ishte një nga zërat më të hershëm dhe më të fuqishëm që mbrojti të drejtën e gruas shqiptare për arsim dhe pjesëmarrje në jetën publike. Princesha shqiptare sfidoi normat patriarkale të kohës dhe theksoi se pabarazia gjinore nuk ishte natyrore, por rezultat i traditave shtypëse. Ajo e konsideronte arsimin si rrugën kryesore drejt çlirimit të gruas dhe përparimit të kombit. Kontributi i saj mbetet një gur themeli në historinë e emancipimit gjinor në Shqipëri.

Elena Gjika u quajt “Mbretëresha e pakurorëzuar e Shqipërisë”, e konsideruar “ndër gratë më të bukura të kohës së saj, me një zë si të një engjëlli zgjues” dhe se “nën ballin e saj ndriçonin të gjitha dritat e një gjeniu”; e quajtur “një enciklopedi e vërtetë lëvizëse” dhe e lavdëruar si “mendimtarja më e madhe”. Në nderim të saj, shteti shqiptar ka emetuar një seri pullash postare dhe u ka vënë emrin e saj disa rrugëve e shkollave. Nderime emrit të saj I ka bërë edhe shteti rumun. Dimensioni ndërkombëtar i Elenës ka bërë që të nderohet edhe nga shtete të tjera: Sheshi “Dora d’Istria” gjendet në Strasburg dhe një rrugë në Athinë mban emrin e saj.

Pllaka përkujtimore e vitit 1915, në vendin e shtëpisë së saj të fundit, në Firence të Italisë (Vila d’Istria, e shkatërruar nga bombardimet e Luftës së Dytë Botërore), thotë: “Me origjinë shqiptare, rumune nga lindja, fiorentine nga birësimi, ajo e arriti lavdinë nëpërmjet meritave të saj, prej virtyteve të zgjedhura të zemrës dhe talentit, e quajtur me emrin europian Dora d’Istria.

Filed Under: Histori

Trashëgimia Kulturore e Arkeologjike e Librazhdit, si pjesë e trashëgimisë historike kombëtare

September 15, 2025 by s p

Dr. Ervin Kujtila/

Librazhdi, i vendosur në një nga korridoret më strategjike të luginës së Shkumbinit, është një qytet me histori të pasur dhe me trashëgimi kulturore të jashtëzakonshme. Ky territor ka qenë vendbanim që nga periudha prehistorike dhe ka njohur zhvillime të rëndësishme gjatë periudhës ilire, mesjetare dhe osmane. Trashëgimia kulturore e Librazhdit nuk përbëhet vetëm nga monumentet e njohura, por edhe nga vendndodhjet që ende presin të zbulohen dhe të dokumentohen.

Një nga sfidat kryesore për qytetin ka qenë mungesa e një inventari të qartë dhe të strukturuar të monumenteve dhe objekteve historike. Në këtë kontekst, projektet për dokumentimin dhe hartimin e hartave arkeologjike të Librazhdit janë hapa të rëndësishëm për “ruajtjen dhe promovimin e pasurisë kulturore”. Një hartë arkeologjike nuk është thjesht një dokument teknik; ajo është një “mjet edukativ dhe komunikues”, që lidh qytetarët me historinë dhe identitetin e tyre.

Trashëgimia kulturore e Librazhdit përfshin një gamë të gjerë monumentesh dhe objekteve: fortifikime prehistorike, kalatë antike dhe mesjetare, nekropole si dhe objekte të shpërndara arkeologjike ura, gurë me mbishkrime dhe objekte të tjera të gjetura në terren. Çdo kodër, mur apo gur ka një histori për të treguar, dhe çdo monument është dëshmi e një kohe të kaluar që na ndihmon të kuptojmë identitetin dhe zhvillimin e komunitetit.

Ruajtja e këtyre monumenteve nuk mund të bëhet vetëm nga studiuesit ose institucionet shtetërore. Ajo kërkon “bashkëpunim të të gjithë komunitetit”. Vizitat në sitet arkeologjike, pjesëmarrja në projekte restaurimi dhe aktivitete edukative janë mënyra të drejtpërdrejta për të lidhur qytetarët me historinë e tyre dhe për të ndërtuar një sens përgjegjësie për ruajtjen e trashëgimisë.

Përveç vlerës historike dhe kulturore, trashëgimia e Librazhdit ka potencial për “zhvillim turistik dhe ekonomik”. Kalatë, fortifikimet, rruga Egnatia mund të shndërrohen në pika të vizitueshme që ofrojnë eksperienca edukative dhe kulturore. Një qytet që e njeh dhe promovon trashëgiminë e tij, nuk fiton vetëm vlerë historike, por edhe një identitet të fortë dhe tërheqje për vizitorët.

Në një kohë kur moderniteti shpesh na largon nga e kaluara, është e rëndësishme të kuptojmë se “trashëgimia kulturore nuk është thjesht kujtim”, por një pasuri aktive që na ndihmon të ndërtojmë të ardhmen. Projekti i dokumentimit dhe hartës arkeologjike të Librazhdit është një ftesë për të gjithë: studiues, autoritete, qytetarë dhe vizitorë, që të bëhemi pjesë e ruajtjes dhe promovimit të saj.

Librazhdi ka një histori që pret të zbulohet, të studiohet dhe të dokumentohet. Harta arkeologjike dhe projektet e ngjashme duhet të jetë vetëm fillimi i një udhëtimi që na lidh me identitetin tonë, forcon komunitetin dhe krijon mundësi për edukim dhe zhvillim të qëndrueshëm. Të kuptuarit, ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore është një përgjegjësi që i përket të gjithëve dhe një mundësi që nuk duhet humbur.

Photo by: https://www.aramcoworld.com

Filed Under: Histori

“DAVIDI” I MIKELANXHELOS DHE “SINDROMA E STENDALIT”

September 15, 2025 by s p

– Duke këqyrur statujën e “Davidit” të Mikelanxhelos –

Shkruar nga Avni Alcani

Ka qenë dëshira ime e kaherëshme, që, udhëtimin tim të parë në gadishullin e Apeninit, vizitën e parë ta bëja në qytetin e Firencës. Me këtë qytet Toskan më lidhnin shumë ëndërra dhe dëshira (dikur të paarritshme), të cilat e kishin zanafillën kur unë studioja në Liceun Artistik të Tiranës. Në lëndën e historisë së artit ishim njohur me veprat e mjeshtrave botërorë, veçanërisht me mjeshtërat e mëdhenj të Rilindjes Italiane, si Mikelanxhelo, Leonardo da Vinçi, Rafaeli, Botiçeli, Donatelo etj., të cilët, me gjenialitetin e tyre, patën bërë epokë, si dhe kishin dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në pikturën botërore, në skulpturë, arkitekturë etj.

Në dhjetor të vitit 2016 udhëtova për herë të parë në Itali dhe vëndqëndrimi im sigurisht që ishte qyteti i Firencës. Gjatë qëndrimit të shkurtër 3-ditor planifikuam disa vizita në qytet. Ditën e parë vizituam qytetin, pallatet monumentale, sheshin “Piazza della Signoria”, Katedralen e famshme Santa Maria del Fiore etj. Vizitën në qytet po e përjetoja me shumë emocion, pasi po shkelja nëpër ato rrugë dhe sheshe ku kishin kaluar mjeshtrit e mëdhenj fiorentinas dhe po shijoja disa nga pallatet madhështore, që i kishin projektuar ata.

Ditën e dytë të vizitës ia kushtuam Galerisë së Akademisë. Atje shkuam herët në mëngjes dhe për fatin tonë të mirë, vizitorët e shumtë ende nuk kishin mbërritur dhe kjo na shmangu nga radhët e gjata e të lodhshme. Që në hyrje të galerisë u ndeshëm me një koridor të gjatë, ku ishin vendosur skulpturat e papërfunduara të Mikelanxhelos, të cilat fillimisht ishin planifikuar për varrin e papës Julius II në Romë. Në fund të atij koridori rruga të çonte direkt në skulpturën më të famshme në botë, te “Davidi” i Mikelanxhelos.

Nuk e di se sa gjatë e kam vështruar skulpturën e famshme. Çfare lumturie ishte që të shikoje Davidin! U solla disa herë rrotull saj. U mahnita me bukurinë trupore të Davidit, me përmasat e tij mbinatyrale, prefeksionin e detajeve etj., i cili më emocionoi dhe më mahniti si kurrë ndonjëherë. Vështroja me admirim detajet e portretit: syrin, hundën, buzët, dorën. Në shkollën tonë kishim kopjet e tyre, të cilat, në vitin e parë të Liceut Artistik, i kisha realizuar si etyde në klasën e skulpturës. Qëndroja i mahnitur dhe i shtangur nga ndjesitë, si dikur rreth 50 viteve më parë.

Me këto ndjesi dhe me kujtimet e mia, u largova për një moment nga Davidi për të parë veprat e tjera të galerisë, por sytë dhe vështrimi im nuk shkëputeshin nga statuja e tij. Sa herë largohesha, aq herë i rikthesha Davidit. Ajo skulpturë nudo e bukur po më emociononte pa masë, sa gati po më merrte frymën. As vetë nuk po e kuptoja se ç’po më ndodhte. Trupi m’u mbush me djersë. Më kapi një ngashërim i madh, sa nuk qëndrova dot në këmbë. U ula në një stol aty afër. Ime shoqe dhe djali m’u afruan menjëherë dhe më pyeti e shqetësuar se çfarë më kishte ndodhur. Unë i thashë se as vetë nuk po e kuptoja se çfarë po më ndodhte.

Pasi u qetësova, pas disa minutash e rimora sërish veten dhe ne e vijuam vizitën tonë nëpër sallat e tjera të Akademisë. Dolëm pas disa orësh për të vizituar Kapelën e Mediçëve, e cila ndodhej pranë Akademisë. Edhe aty ndodheshin disa nga skulpturat më të famshme të Mikelanxhelos, i cili kishte zbukuruar me to varret e Mediçëve. Ndonëse nëpërmjet albumeve dhe ilustrimeve të tjera, skulpturat e Mediçëve kishin qenë të njohura prej meje, por, kur i pashë nga afër, ato më dhanë një tjetër ndjesi dhe një tjetër emocion.

Të nesërmen vizituam Galerinë “Uffizi”, që kishte koleksionin më të madh të kryeveprave botërore të mjeshtrave fiorentinë, të cilës i kushtuam një ditë të tërë. Brënda godinës ishte një restorant dhe aty drekuam, për t’iu rikthyer sërish vizitave. Mbetëm të mrekulluar nga gjithçka që pamë, si punët e mjeshtrave fiorentinë, ashtu dhe veprat e mjeshtrave të tjerë italianë (dhe jo vetëm). Edhe këtu gjithçka e përjetova me një emocion të veçantë, por pa m’u përsëritur ajo ndjenja e përshtjellimit emocional, si në Galerinë e Akademisë.

Të nesërmen u larguam nga qyteti i Firencës për në Tiranë.

Pas disa ditësh takova shokun tim Kujtim Dividi, të cilit i tregova për ndjesinë time kur pashë Davidin e Mikelanxhelos. Pasi më dëgjoi, ai më tha se kisha kaluar “Sidromën e Stendalit”. Unë u habita, pasi kurrë nuk kisha dëgjuar për “Sidromën e Stendalit”. U bëra kurioz për të mësuar më shumë për këtë ndjesi dhe u njoha me disa literatura, nga të cilat mora informacion për efektin patologjiko-psikosomatike, të quajtur “Sidroma e Stendalit”. Gjatë një vizite që Stendali kishte bërë në bazilikën “Santa Croce” të Firencës, atë e kapi një krizë e forte emocionale, e cila e detyroi të dilte nga ndërtesa, deri sa të rimerrte veten nga reaksioni marramendës që i shkaktoi ai vënd. Ndjesinë e tij Stendali e shkroi në vitin 1817 në librin “Roma, Napoli dhe Firence”, duke përshkruar me hollësi efektet e kësaj patologjie psikosomatike. Psikiatria italiane Graziella Margherini, studioi më shumë se 100 raste të turistëve, të cilët dilnin nga ambientet e mbyllura me shqetësime të çuditshme dhe kërkonin ndihmë në spitalin fiorentin. Fillimi i shqetësimit çfaqej gjatë vëzhgimit të veprave të artit, të cilat godasin në përgjithësi shikuesit me natyrat të ndjeshme. Në studim ishin mbikqyrur kryesisht subjekte meshkuj, të cilët tregoheshin shumë të interesuar sa i përket aspektit artistik të itinerarit të tyre. Në vitin 1979 ajo e bëri të njohur studimin e saj në librin “Sindroma Stendal. Dobësia e udhëtarit përballë madhështisë së artit”.

Unë kurrë nuk jam ndjerë me turp për ç’ka më ndodhi në Firence. Përkundrazi. Do t’i kisha sugjeruar të gjithë miqtë mi, që janë dashamirës të artit pamor, si dhe të gjithë ish bashkënxënësve që kemi studiuar në Liceun Artistik, që ta vizitojnë qoftë një herë të vetme qytetin e Firencës, këtë tempull të kulturës botërore, i konsideruar si kryeqyteti i artit botëror. Edhe nëse rastësisht ndonjërit i bie që të kaplohet nga “Sindroma e Stendalit”, nuk do t’ia dëmtojë shëndetin, por veçse mirë do t’i bëjë. Unë e kam provuar dhe jam i lumtur për këtë.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT